VOAL

VOAL

Video/ Përgjimet e “Bild”, ç’po ndodh në Partinë Demokratike

June 17, 2019

Komentet

Zhupa: Viti i ri akademik, viti i revolucionit studentor!

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa e ka cilësuar vitin e ri akademik si “vitin e revolucionit studentor”, duke u bërë thirrje studentëve dhe pedagogëve t’i bashkohen protestës së 13 tetorit.

Në reagimin e saj në Facebook, Zhupa edhe si pedagoge vec politikanes, rendit ndër problematikat e universiteteve tarifat e larta, kushtet në konvikte, boshatisjen e degëve, mungesën e laboratorëve dhe investimeve, infrastrukturën e amortizuar, kërkimin shkencor të cunguar dhe ndërhyrjet politike në autonominë universitare.

Ajo shprehet se studentët nuk duhet të mbeten thjesht numra në statistikat e regjistrimeve, por të jenë një brez që kërkon meritën mbi klientelizmin, dijen mbi propagandën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

Postimi i plotë:

Uroj studentët, pedagogët dhe stafet universitare për një vit të mbarë akademik ku universiteti të kthehet në vendin ku fitohet dija, jo vendi ku humbet shpresa.

Një brez i ri kërkon të drejtat e veta, kërkon universitetin që meriton, kërkon meritën mbi klientelizmin, dijen mbi propagandën dhe mundësinë për të ndërtuar të ardhmen në vendin e vet.

Me 13 tetor, ora 12:00, bashkojuni protestës që kanë thirr studentët, bashkojuni pa dallim, sepse ju mund ta ndryshoni gjendjen. Si pedagoge i bëj thirrje kolegëve të mbështesim studentët dhe t’i bashkohemi thirrjes së tyre. Boll pamë klasat që zvogëlohen nga viti në vit, me të rinj të zhgënjyer që vetëm presin rastin të largohen.

Pakti që ju ofrua nga protestat e para në 2018 nuk ka realizuar asgjë. Studentët janë të harruar, tarifat janë të larta, kushtet e papërshtatshme në konvikte, boshatisja e degëve, kërkimi shkencor i cunguar, pedagogët e pavlerësuar financiarisht, ndërhyrjet politike vazhdojnë në dëm të autonomisë universitare.

Studentët përballen me kosto e papërballueshme e jetesës, mungesë laboratorësh dhe investimesh, infrastrukturë e amortizuar dhe një universitet gjithnjë e më larg tregut të punës.

Ndaj ky viti do jetë VITI I REVOLUCIONIT STUDENTOR sepse studentët janë baza e revolucionit Flamingo dhe ata nuk i ndal askush!

Këta student nuk do jenë thjesht numra në statistikat e regjistrimeve.

Do jetë brezi që do të sjellë ndryshimin. Një brez që kërkon të ardhmen këtu, jo jashtë Shqipërisë.

HOSTENI U NGRIT NGA VARRI

Dhe pa parë përreth, kuptoi menjëherë pse ishte thirrur përsëri.

Na kishit varrosur. Gabim. Na kishit harruar. Edhe më keq. Sepse ndërsa Hosteni rrinte nën dhe, absurditeti mbi dhe bëri karrierë. U bë drejtor. U bë deputet. U bë analist. U bë ekspert. U bë këshilltar. U bë zëdhënës. Madje herë pas here u bë edhe reformë. Dhe më në fund dikush duhej të ringjallej. Ja ku jemi.

NUK U KTHYEM PËR NOSTALGJI

Mos na vendosni në muze. Mos na vini në vitrinë. Mos thoni: “Ah, Hosteni! Çfarë kohe!” Ne nuk kemi ardhur të kujtojmë kohët e vjetra. Kemi ardhur të merremi me të rejat.

Dhe, për fatin tonë editorial, koha e re duket se është shkruar nga një satirist që nuk njeh masë. Realiteti po na bën konkurrencë të pandershme. Ne shkruajmë një shaka. Ai nxjerr konferencë shtypi. Ne shpikim një titull absurd. Ai e bën vendim zyrtar. Ne imagjinojmë një skenë qesharake. Ai e transmeton drejtpërdrejt. Në këtë pikë, nuk dimë më kush po kopjon kë.

NE KTHEHEMI PËR TË NGJESHUR

Hosteni nuk është kthyer për të bërë miq. Ka plot faqe të tjera për këtë. Nuk është kthyer për të marrë “like”. As për t’u ftuar në studio. As për të kërkuar leje.

Hosteni kthehet për të ngjeshur. Me humor. Me ironi. Me karikaturë. Me pyetjen që askush nuk dëshiron ta dëgjojë. Me atë titull që zëdhënësi do të donte të mos ishte shkruar. Me atë fjali që e bën një fjalim dyorësh të duket pikërisht aq qesharak sa ishte.

DO TË QESHIM ME TË GJITHË

Me pushtetin. Me opozitën. Me administratën. Me median. Me analistët. Me ekspertët. Me patriotët me tender. Me moralistët me shofer. Me revolucionarët me rezervim restoranti. Me reformatorët që reformojnë të njëjtën reformë për herë të pestë. Dhe, kur ta meritojmë: edhe me veten.

Sepse satira që kursen miqtë nuk është satirë. Është departament marrëdhëniesh me publikun.

NJË PARALAJMËRIM PËR NJERËZIT SHUMË SERIOZË

Nëse e merrni veten shumë seriozisht, kemi një problem. Jo ne. Ju. Nëse mendoni se posti juaj është tepër i rëndësishëm për humor, na jepni pak kohë. Nëse mendoni se emri juaj nuk duhet prekur, mos bëni gjëra qesharake. Nëse mendoni se çdo kritikë është sulm, bëhuni gati për një periudhë të vështirë.

Sepse Hosteni nuk pyet sa yje ka zyra juaj. Satira ka një zakon të keq: u heq gradat njerëzve. U heq kollaret. U heq podiumin. Dhe pastaj pyet: “Mirë, tani çfarë the?”

POLITIKANË, JU LUTEM MOS NDRYSHONI

Na duheni kështu. Natyralë. Mos merrni këshilltarë humori. Do të na prishni punë. Vazhdoni me premtimet. Vazhdoni me inaugurimet. Vazhdoni me deklaratat historike çdo të martë. Vazhdoni të shpallni fitore para se të fillojë beteja. Vazhdoni të na siguroni se “gjithçka është nën kontroll”. Ne do të jemi aty. Me laps. Duke shënuar orën kur humbi kontrolli.

ANALISTË, EDHE JU JENI TË SIGURT

Ju lutem mos u shqetësoni. Do t’ju trajtojmë me respektin që meriton një njeri që ka dhënë mendim për drejtësinë, ekonominë, luftën, bujqësinë, futbollin, inteligjencën artificiale, Kushtetutën, dhe çmimin e domateve brenda së njëjtës javë. Ky nivel ekspertize nuk duhet të humbasë. Duhet arkivuar.

MEDIA, FALEMINDERIT

Pa ju puna do të ishte shumë më e vështirë. Por ju na sillni materialin vetë. Në HD. Me titull të kuq. Me “BREAKING NEWS”. Me tre pikëçuditëse. Dhe me një person në studio që thotë: “Kam informacion ekskluziv, por nuk mund ta them.” Satira nuk mund ta shpikë këtë. Edhe sikur të përpiqej.

HOSTENI I RI NUK KA ORAR

Dikur revista priste të dilte nga shtypshkronja. Sot marrëzia nuk pret. Prandaj as ne. Një deklaratë del në mëngjes. Në drekë mund të jetë karikaturë. Në darkë mund të jetë histori kombëtare.

Hosteni i ri nuk pret numrin tjetër. Ai thumbon kur hekuri është i nxehtë. Dhe, nga sa shohim, hekuri në Shqipëri është vazhdimisht i nxehtë.

MOS NA THONI “E KENI TEPRUAR”

Ne nuk kemi fuqi ta teprojmë më shumë se realiteti. Kjo garë ka përfunduar. Realiteti fitoi. Ne vetëm raportojmë humbjen.

Kur një ngjarje duket si satirë, mos na fajësoni që e trajtojmë si të tillë. Kur një deklaratë tingëllon si parodi, mos na kërkoni ta bëjmë solemne. Kur absurditeti vishet me kostum dhe del në podium, Hosteni do ta njohë. Edhe nëse të tjerët ngrihen në këmbë.

KJO REVISTË KA VETËM NJË PROGRAM

Jo majtas. Jo djathtas. Jo lart. Jo poshtë. Drejt absurdit. Atje ku ndodhet, aty do të shkojmë. Nëse sot e bën njëri, qeshim me të. Nëse nesër e bën tjetri, radha është e tij.

Ne nuk kemi nevojë për baraspeshë artificiale. Kemi nevojë për material. Dhe materiali, falë Zotit dhe politikës shqiptare, shpërndahet gjerësisht.

PSE U RINGJALL HOSTENI?

Sepse dikush duhej të thoshte: “Po, edhe ne e pamë.” Sepse dikush duhej të pyeste: “Vërtet po e thoni këtë me fytyrë serioze?” Sepse dikush duhej të kujtonte se një kostum i shtrenjtë nuk e bën marrëzinë më pak qesharake.

Dhe sepse një vend ku pushteti nuk përballon dot të qeshurën është një vend që ka shumë nevojë për të.

NGA SOT, ASGJË NUK ËSHTË SHUMË SOLEMNE PËR T’U THUMBUAR

As posti. As titulli. As podiumi. As studioja. As konferenca. As slogani. As fjalimi. As “burimet pranë qeverisë”. As “burimet pranë opozitës”. As burimet pranë burimeve.

Nëse ka hipokrizi, ka Hosten. Nëse ka absurditet, ka Hosten. Nëse ka madhështi të rreme, ka Hosten. Nëse dikush përpiqet të na bindë se dy plus dy bëjnë pesë — ka shumë mundësi që të jetë kopertina.

KËSHTU QË, TË DASHUR LEXUES TË VJETËR:

Mirë se u gjetëm. Dhe ju të rinj: mirë se erdhët. Mbajeni mend emrin. HOSTENI.

Na varrosën si revistë. Po kthehemi si zakon. Na lanë në arkiv. Po dalim në kohë reale. Na menduan të vdekur. Por, për fatin tonë — marrëzia është e pavdekshme. Dhe sa kohë që ajo jeton, do të ketë punë edhe Hosteni.

QESH E NGJESH!

HOSTENI

Të tjerët japin lajmin. Ne i heqim seriozitetin.

“Rama = krimi” Protesta e 127 kundër qeverisë, qytetarët lanë mesazhin poshtë Kryeministrisë

Në përfundim të protestës së 127-të kundër qeverisë, qytetarët kanë lënë një mesazh në bulevardin përballë zyrës së kryeministrit Edi Rama.

Në Bulevard është shkruar mesazhi “Rama = Krimi”, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe protestuesve.

Mesazhi u vendos në kuadër të protestës së zhvilluar kundër qeverisë, e cila prej 127 ditësh vijon me thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshimin e qeverisjes.

Protestuesit kanë deklaruar se qëndresa do të vijojë edhe në ditët në vazhdim. GSH

Nis viti i ri akademik, mbi 20 mijë studentë ulen për herë të parë në auditore

Studentët në të gjithë vendin nisën sot vitin e ri akademik 2026-2027, ku mbi 20 mijë prej tyre ulen për herë të parë në auditore.

Edhe këtë vit peshën më të madhe të pranimeve e mbajnë universitetet publike, ku 70% e të rinjve kanë zgjedhur univeristetet publike dhe 30% universitetet private.

Për vitin e ri akademik edhe këtë vit degët më të preferuara nga maturantët janë Mjekësi e Përgjithshme, Sromatologjia, Inxhinieria, Arkitektura dhe Teknologjia e Informacionit.

Ministria e Arsimit ka rihapur aplikimet për plotësimin e formularit A1Z në portalin e-Albania për kandidatët që dëshirojnë të aplikojnë në raundin e tretë të pranimeve në institucionet e arsimit të lartë. Aplikimet do të kryhen deri nesër, 6 tetor, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, përmes portalit “e-Albania”.

Ndërkohë, raundi i tretë i aplikimeve për maturantët do të zhvillohet nga 8 deri më 21 tetor 2026. Pas përmbylljes së procesit të regjistrimit më 21 tetor parashikohet që ky numër të arrijë mbi 21 mijë studentë. bw

Ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen shqyrtohen nesër në Kuvend

Radio Evropa e Lirë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thirrur për të hënën, më 5 tetor, seancë plenare në orën 09:00, ku pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Para seancës, në orën 08:00, Komisioni për Legjislacion, i kryesuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Vigan Qorrolli, do ta shqyrtojë atë.

Qorrolli ka njoftuar se në mbledhjen e komisionit do të shqyrtohen aspektet juridike të projektligjit, në përputhje me Kushtetutën, legjislacionin në fuqi dhe procedurat e Kuvendit.

Projektligji fillimisht shqyrtohet në parim nga komisioni përgjegjës dhe më pas votohet në lexim të parë në seancë plenare.

Nëse miratohet, ai kthehet në komision për shqyrtim nen për nen dhe për shqyrtimin e amendamenteve. Pas kësaj, projektligji shkon në lexim të dytë, ku Kuvendi voton amendamentet dhe më pas tekstin e projektligjit me ndryshimet e miratuara.

Në raste të caktuara, nëse nuk merr votat e nevojshme në leximin e dytë, projektligji mund të shqyrtohet edhe në lexim të tretë.

Pas miratimit nga Kuvendi, ligji nënshkruhet nga kryetari i Kuvendit dhe i dërgohet presidentit për shpallje, në përputhje me afatet e përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.

Kuvendi mund të vendosë edhe shmangien nga afatet e zakonshme procedurale, me propozimin e së paku gjashtë deputetëve dhe me dy të tretat e deputetëve të pranishëm, nëse shmangia nuk bie ndesh me Kushtetutën.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara është dorëzuar nga Partia Demokratike e Kosovës më 21 shtator, pak ditë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet, për krime lufte. Të katër u shpallën të pafajshëm për krime kundër njerëzimit. Ekipet mbrojtëse kanë paralajmëruar se do ta apelojnë verdiktin për akuzat për krime lufte.

Projektligji, sipas nismës së PDK-së, parasheh ndryshime në juridiksionin e Dhomave të Specializuara, përfshirë mundësinë që rastet që konsiderohen jashtë juridiksionit të tyre të procedohen në Kosovë. Ai parasheh po ashtu mundësinë e ankesës në Gjykatën Supreme të Kosovës, kufizimin e dënimit maksimal në 15 vjet dhe vuajtjen e dënimeve në Kosovë.

Një nga ndryshimet e propozuara është edhe mundësia që personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Dy ditë më parë, Qeveria e Kosovës dha mendimin e saj për nismën, duke vlerësuar se nuk ka pengesa ligjore për procedimin e saj.

Sipas Qeverisë, vlerësimi përfshiu përputhshmërinë me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndikimin buxhetor dhe çështjet juridike të përmbajtjes së projektligjit.

Trajtimi i projektligjit po zhvillohet në një kohë kur Kuvendi po i afrohet fundit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, pas konstituimit të Kuvendit, dhe përfundon më 6 tetor. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare.

PDK-ja e ka lidhur mbështetjen e saj për zgjedhjen e presidentit me miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha më 3 tetor se partia e tij është e gatshme të diskutojë për presidentin dhe të japë votat e saj menjëherë pas miratimit të ligjit.

“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi final i ligjit. Pastaj, PDK-ja është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës të bisedojë e ta gjejë zgjidhjen për presidentin dhe t’i japë votat për presidentin”, tha Hamza.

Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten dy të tretat e të gjithë 120 deputetëve, pra 80 vota. Nëse asnjëri kandidat nuk i merr 80 votat, në rundin e tretë mjafton shumica e thjeshtë, pra 61 vota, ndërsa për të tri rundet duhet të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

LVV-ja, me 53 deputetë, tetë deputetë të komuniteteve joserbe dhe deputetin Nenad Rashiq, kishte 62 vota për formim të qeverisë. Nëse kësaj shifre do t’i bashkoheshin edhe 22 deputetët e PDK-së, numri do të shkonte në 84 vota, duke kaluar pragun prej 80 votash.

Ndryshimet ligjore janë kërkuar në kohën kur në Kosovë po zhvillohen protesta të përnatshme kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të 16 shtatorit.

Protestuesit, përmes thirrjes “Jo në emrin tim”, kanë kërkuar ndër të tjera edhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Protestuesit ironizojnë Ramën përmes pankartave: Gjithë javës na vjedh me mjeshtëri, të premten na dëgjon hallet me ‘besnikëri’

Protestuesit kanë ironizuar kryeministrin Edi Rama përmes pankartave gjatë protestës në ditën e 125-të të saj.

Në një pankartë, ata ironizojnë për programin “Prania Besnike”, teksa shprehen se ndërsa gjatë javës kryeministri dhe qeveria i tij i vjedhin qytetarët, të premteve i “dëgjon” hallet e tyre me “besnikëri”.

“Rama të premten na dëgjon hallet me “besnikëri”, gjithë javën trupa e tij na vjedh me plot mjeshtëri”, thuhet në një pankartë.

Në një tjetër, protestuesit i referohen gjendjes së shëndetësisë.

“Shëndetësia “falas”: E paguajmë me taksa, e  blejmë me rryshfet.” Panorama

Skandali i KAYO-s dhe trafiku i armëve, SPAK kontrolle dhe në Ministrinë e Mbrojtjes të drejtuar nga Ermal Raketa

Gazetari i Syri Tv, Fatjon Gjinaj informon se me urdhër të SPAK agjentët e BKH-së kanë ushtruar kontrolle dhe në ministrinë e Mbrojtjes, e drejtuar aktualisht nga Ermal Nufi, ose siç e quan Arben Ahmetaj Ermal Raketa,  pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre.

Kontrollet kanë pasur në fokus sekuestrimin e materialeve me vlerë për hetimin. Mësohet se SPAK iu drejtua pak kohë më parë GJKKO-së me një kërkesë për ushtrimin e kontrollit në banesën e biznesmenit izraelit Rony Yeffet,  dhe Arjeta Puca administrator e TIMAK që ia shiti aksionet Ron Yeffet dhe krijuan së bashku kompaninë Timak Defense, por dhe zyrat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Kontrolle janë ushtruar edhe ndaj kreut të KAYO-s, Ardi Veliu.

Me vendim të gjykatës janë sekuestruar praktika dhe dokumente që mund të jenë të vlefshme për hetimet. Pjesë e kontrolleve, me firmën e GJKKO-së ka qenë dhe kontrolli fizik, çka nënkupton se nuk përjashtohet që të jenë sekuestruar dhe telefona celularë, informon gazetari Gjinaj.

Kujtojmë se SPAK ka administruar audiopërgjimin që ish zv/kryeministri vuri në dispozicion dhe u bë publik në emisionin ‘Çim Peka Live’ në Syri Tv mbrëmjen e 7 shtatorit.

 

Pse quhet Ermal Raketa 

Ermal Nufi përflitet shpesh në audiopërgjim si një nga pikat kryesore të kontaktit të Ron Yeffet në qeveri, edhe për afera të tjera.

“Ermal Raketa është pseudonimi që Forcat e Armatosura i referohen ministrit të tyre. Nga brenda më ka ardhur. Kur kreu i organizatës i ka thënë: ‘Ermal, ti po më zhgënjen’, Ermali çohet në këmbë dhe i thotë: ‘Unë për ty bëj dhe raketë!’. E firmos. Dhe Forcat e Armatosura tash kanë filluar i thonë Ermal Raketa” do të deklaronte Arben Ahmetaj tek Çim Peka live më 7 shtator 2026

Në intervistën e pestë për gazetarin ‘Çim Peka’ në Syri Tv Ahmetaj denoncoi se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, është përfshirë në trafik të paligjshëm të armëve dhe municioneve, nëpërmjet biznesmenit izraelit Ron YEffet, ndërsa demaskon qeverinë, e cila pretendon se vendi ynë do të prodhojë municione nëpërmjet KAYO.

 

Në intervistën e pestë për emisionin Çim Peka Live në Syri Tv, publikoi audiopërgjimin, ku Ron Yeffet pranon se qeveria shqiptare e ka kontraktuar për të bërë punët e pista. Biseda e biznesmenit izraelit zhvillohet me dy sipërmarrës ukrainas, të cilët i fton të bëhen pjesë e trafikut të armëve. Ron Yeffet zbulon gjithashtu se armët prodhohen në vendet e afrikës, por amballazhohen në Shqipëri dhe më pas shiten pa tendera në vende të ndryshme të botës si prodhim shqiptar.

Sipas Yeffet, municionet prodhohen në vende të Afrikës, më pas sillen në Shqipëri për amballazhim dhe tregtohen pa tender edhe në vende të tjera të NATO-s.

 

Arben Ahmetaj, përmend edhe një ngarkesë me armë që është kapur pak ditë më parë në Itali. Ai publikoi gjithashtu edhe pasqyrat financiare të kompanisë së Ron Yeffet, e cila me 14 punonjës ka marrë rreth 10 milionë euro paga nga buxheti i shtetit. Në audiopërgjimet e publikuara nga Arben Ahmetaj, flitet edhe për planin e Ron Yeffet, që të marrë fushat gazmbajtëse të Delvinës dhe termoncentralin e Vlorës, ku përsëri ndërmjetësi është Ermal Nufi. Për këto pasuri publike, Yeffet u prorpozon sipërmarrësve ukrainas që të përdorin kompani prestanome amerikane, me qëllim që t`i mbyllet goja ambasadës së SHBA në Tiranë.

 

Ndërkohë mbrëmë po në emisionin ‘Çim  Peka Live’ u publikua një pjesë e re nga audiopërgjimi i Ron Yeffet, që disponon ish-zëvendësKryeministri Arben Ahmetaj. Në pjesën e re të audiopërgjimit, Ron Yeffet flet me sipërmarrësit nga ukrainas, për ndërtimin e një fabrike armësh në Afrikë. Për të shuar skepticizmin e ukrainasve, Ron Yeffet u tregon atyre se ka udhëtuar në Sudan me Arjeta Pucën për çështjen e armëve. Armët pasi prodhohen në Sudan, sillen në Shqipëri ku paketohen dhe më pas shiten në vendet e BE apo vendet në konflikte.

Aksion “top secret” Jo vetëm banesa e Ron Yeffet, BKH kontrolle në disa kompani dhe zyra, sekuestron dosjet te “Kayo”

SPAK ka ndërmarrë një seri kontrollesh në kuadër të hetimeve të nisura pas audiopërgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku ngrihen pretendime për një skemë të dyshuar të trafikut të armëve dhe aktivitetit të kompanive të lidhura me KAYO. Një nga kontrollet është kryer në vilën në periferi të Tiranës, që raportohet se përdorej nga biznesmeni Ron Yeffet, ndërsa kontrolle janë ushtruar edhe në ambiente të tjera dhe në institucione shtetërore.

Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala raportoi se hetimi ka nisur kryesisht pas publikimit të audiopërgjimeve dhe administrimit të tyre nga BKH. Sipas saj, kontrollet nuk janë kufizuar vetëm te banesa e Yeffet, por janë shtrirë edhe në ambiente të tjera dhe në disa kompani që lidhen me çështjen.

Sipas raportimit, gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente, kontrata private dhe materiale të tjera, ndërsa janë kontrolluar edhe ambiente të lidhura me KAYO-n. Hetimi, sipas Lalës, po mbahet me shumë rezervë nga SPAK dhe numri i kontrolleve është i lartë.

Kontrolle janë kryer edhe në Ministrinë e Mbrojtjes, ku, sipas burimeve të raportuara, janë sekuestruar dokumente që lidhen me praktika dhe kontrata. Po ashtu, në kuadër të hetimit janë kryer kontrolle personale, ndërsa pritet që të merren në pyetje persona të ndryshëm, përfshirë edhe Ron Yeffet. Raportimet e sotme konfirmojnë se kontrollet janë kryer me miratim gjykate.

Lala tha se në hetim mund të përfshihen edhe zyrtarë të lartë, ndërsa burime të rezervuara kanë bërë me dije se po bashkëpunohet edhe me autoritetet e huaja për verifikimin e aktivitetit që dyshohet si i paligjshëm. Hetimi pritet të shtrihet edhe jashtë Shqipërisë.

Emri i Ron Yeffet është përmendur nga Arben Ahmetaj në audiopërgjimet e publikuara prej tij, ku ish-zëvendëskryeministri ka ngritur pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe ka lidhur këtë çështje me KAYO-n dhe kompani të sektorit të mbrojtjes. Këto janë pretendime të bëra publike nga Ahmetaj dhe tashmë janë objekt verifikimi nga autoritetet.

Sipas gazetares Klodiana Lala, gjatë kontrolleve janë marrë edhe materiale elektronike, dokumente dhe kompjuterë. Ajo raportoi gjithashtu se kontrollet vijojnë dhe se, për shkak të natyrës së hetimit, nuk përjashtohet marrja në pyetje e personave të tjerë që mund të kenë dijeni për çështjen. Hetimi vijon, ndërsa priten të dalin më shumë detaje mbi objektin e kontrolleve, personat që do të pyeten dhe materialet e sekuestruara.

Akuzat e Arben Ahmetajt për trafik armësh, SPAK ushtron kontrolle në banesën e Ron Yeffet në periferi të Tiranës

Pas akuzave të ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj se Shqipëria po bën trafik armësh, sot janë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Mësohet se kontrollet janë ushtuar në banesën në periferi të biznesmenit amerikano-izraelit. Nga përgjimet e publikuara nga Ahmetaj, Yeffet dilte garant për të bërë trafik armësh, ku përdorte qeverinë shqiptare si mekanizëm. Yeffet është një biznesmen izraelito-amerikan, i cili është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes. Ndër to janë “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.

Në përgjimet e Ahmetajt, ngrihen pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmenden Shqipëria, kompani të sektorit të mbrojtjes dhe KAYO.

“Tetori i studentëve” Edison Lika zbulon aksionin e ri të protestuesve: Do ia nxijmë jetën Ramës, siç na e ka nxirë! Në çdo takim do ta ndjekim me vezë e domate

Edison Lika, një prej protestuesve, ka njoftuar një aksion të ri të paralajmëruar nga grupi i studentëve që marrin pjesë në protestat kundër qeverisë. Në një deklaratë nga protesta, Lika tha se muaji tetor do të shënojë, sipas tij, një fazë të re të aksioneve të tyre.

Lika tregoi se së bashku me një grup studentësh kishin shkuar në QSUT, ku kryeministri Edi Rama ndodhej për të përuruar disa investime. Sipas tij, studentët i kanë bërë thirrje Ramës dhe kanë përsëritur kërkesën e tyre për arrestimin e tij.

“Sot është 1 tetor, ky do të jetë Tetori i Studentëve. Sot së bashku me një grup studentësh morëm vesh që Rama do të ishte në QSUT për të përuruar disa investime. Shkuam dhe ia thamë në sy thirrjen që kemi kohë që e themi në shesh: ‘Arrestoni Ramën!’”, deklaroi Lika.

Ai tha se protestuesit synojnë të ndjekin aktivitetet publike të kryeministrit dhe qeverisë edhe gjatë ditëve në vijim, duke paralajmëruar protesta në takime dhe dalje të ndryshme publike.

“Rama dhe qeveria duhet ta dinë se nuk do të kenë asnjë ditë të qetë në jetën e tyre politike. Do t’i ndjekim këmbë për këmbë kudo që të jenë, në fushata, takime, do t’ua nxijmë jetën siç na e kanë nxirë ne gjithë këto vite”, u shpreh ai.

Lika deklaroi gjithashtu se protestuesit do të vijojnë me forma simbolike proteste gjatë daljeve publike të kryeministrit.

“Çdo dalje e tij publike do të jetë makth, do ta ndjekim me vezë e domate kudo që të jetë”, tha Edison Lika.

Deklaratat e tij janë pjesë e paralajmërimeve të protestuesve për intensifikimin e aksioneve gjatë muajit tetor. gsh

“Mburojë për zyrtarët e lartë?” BIRN: Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale rrezikojnë reformën në drejtësi

Qeveria shqiptare prezantoi të mërkurën në Tiranë një projektligj prej 106 nenesh që rishikon rreth një të pestën e Kodit të Procedurës Penale, një lëvizje që zuri në befasi sistemin e drejtësisë.

Projektligji përjashton nga masat e arrestit veprat penale ku maksimumi i dënimit është deri në pesë vjet, vendos filtra të rinj në kryerjen e hetimeve dhe kërkimin e provave nga prokurorët si dhe forcon regjimin e sekretit hetimor, deri në atë pikë sa ndalon bërjen publike të faktit se një person është nën hetim.

Kryeministri Edi Rama e promovoi draftin si “Paketa e Garancive Procedurale” dhe tha se 10 vjet pasi politika i dorëzoi gjyqësorit “shpatën e ndëshkimit”, nevojitet të korrigjohen “edhe dështime e deformime që nuk mund të fshihen pas rezultateve”.

Në të kundërt, përfaqësues të shoqërisë civile e shohin këtë si projekt që synon të mbrojë zyrtarët e lartë nga drejtësia përmes cënimit të themeleve të reformës në drejtësi.

“Shqetësimi kryesor i Ramës muajt e fundit apo në muajt e ardhshëm është raporti i tij me pushtetin dhe post-pushtetin dhe kjo do të thotë që ai nuk e ka projekt reformën në drejtësi, as nevojën e forcimit të shtetit të së drejtës dhe as llogaridhënien e transparencën publike,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

“Përpjekja e fundit është për të krijuar mekanizma mbrojtës në një rast hetimi ndaj tij dhe ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe sidomos në periudhën kur ai s’do jetë kryeministër,” shtoi Krasniqi.

Ndryshimet e Kodit të Procedurës Penale propozohen në një kohë kur qeveria e kryeministrit Edi Rama është tronditur nga skandale të reja korrupsioni, të cilat përfshijnë ish.zv.kreyeministren Belinda Balluku, ish-kryetaren e Shërbimit Informativ, Vlora Hyseni dhe drejtues të tjerë të lartë.

Këto përvoja, sipas Krasniqit, kanë ndikuar që kryeministri Rama të mendojë për mekanizma shtesë në raport me drejtësinë, ndërkohë që publikisht e konsideron atë të suksesshme.

Rrezikun që dispozitat e reja të ndikojnë në punën e institucioneve të drejtësisë e ngre edhe Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ndonëse në parim ai vlerëson orientimin e paketës drejt kufizimit të paraburgimit dhe forcimit të alternativave ndaj tij.

Ai thotë se efektiviteti i reformës së re do të varet nga mënyra se si do të zbatohen dispozitat e reja dhe nga konsistenca e gjykatave në vendimmarrje, ndërsa sugjeron që qeveria të sanksionojë në këtë paketë që dënimet të llogariten për çdo episod të përsëritur të një vepre penale, duke argumentuar se trajtimi i disa shkeljeve si një rast i vetëm mund të krijojë probleme në luftën kundër korrupsionit.

Në të kundërt, paralajmëron Preçi,  “amendimet e propozuara në Kodin e Procedurës Penale nuk do të jenë gjë tjetër veçse një mekanizëm makiavelist politik për të frenuar SPAK-un, duke mbajtur të shtrënguara radhët e funksionarëve të qeverisë dhe politikanëve të mazhorancës së drejtuar nga z.Rama, që de facto janë kandidatë për t’u hetuar në vijim nga SPAK-u.”

Për Migen Qiraxhi nga “Qendresa Qytetare”, janë skandalet e fundit ato që e kanë nxitur qeverinë të bëjë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, ndryshime që sipas tij kanë si target punën e SPAK.

“Ka një paradoks: sa më shumë SPAK ka rezultate dhe godet nivele të larta të politikës, aq më shumë shohim iniciativa politike që prekin aktivitetin e SPAK”, tha Qiraxhi, duke shtuar se ndryshimet vijnë pikërisht atëherë kur ky institucion ka fituar një nivel të konsiderueshëm legjitimiteti publik.

Ndryshime që rrezikojnë reformën në drejtësi

Reforma në drejtësi, e miratuar në vitin 2016 pas ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështetur nga BE-ja dhe SHBA-ja, kishte si qëllim forcimin e pavarësisë së institucioneve kryesisht atyre të posaçme kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar dhe një riorganizim të bazuar mbi vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorisë.

Një dekadë më pas, ekspertët e shoqërisë civile i vlerësojnë ndryshimet e reja të propozuara nga qeveria në Kodin e Procedurës Penale si rrezik për këtë reformë, pavarësisht se ato paraqiten si korrigjime për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sidomos në çështjet e masave të paraburgimit.

Problematika kryesore, sipas tyre, është mungesa e një konsultimi real me aktorët e drejtësisë dhe me institucionet ndërkombëtare që mbështetën këtë reformë 10 vite më parë.

Krasniqi e quan këtë nismë “një lëvizje politike personale” dhe deri diku si “një nga ligjet e porositura në axhendën ligjore të qeverisë”.

Ai e konsideron absurd faktin që nismat që prekin thelbin e drejtësisë vijnë vetëm nga mazhoranca socialiste, duke shpërfillur opozitën parlamentare dhe institucionet e drejtësisë, gjë që sipas tij tregon se “koncepti i partisë-shtet vijon të jetë dominues dhe personalizimi i pushtetit logjikë dominuese”.

Sipas tij këto tentativa bien në kontrast dhe me procesin e integrimit ku i vetmi evolucion pozitiv në kapitullin e drejtësisë dhe luftës anti-korrupsion konsiderohet puna që bën SPAK dhe GJKKO.

Migen Qiraxhi nuk e konsideron suprizë këtë nismë të qeverisë, por e lidh atë me tentativa të vazhdueshme për të prekur kompetencat apo hapësirën e veprimit të SPAK me nisma që paraqiten si reforma kundër korrupsionit.

“Nese kjo sot është një nisme e qeverisë, ekziston rreziku që gradualisht të formalizohet një interes i përbashkët i pjesëve të politikës së vjetër, majtas dhe djathtas, për të rimarrë kontroll ose për të ngushtuar hapësirën e një drejtësie që për herë të parë po godet realisht në nivelet e larta,” thotë ai, duke këmbëngulur se ky është konflikti themelor.

Në këtë kontekst, Qiraxhi beson se debati duhet të fokusohet tek legjitimiteti I SPAK dhe jo tek përmbajtja teknike e propozimeve.

Ndërkohë, Zef Preçi vlerëson se pavarësisht rrezikut që paketa mbart ndaj pavarësisë së drejtësisë, në planin parimor ajo duket se adreson disa nga problemet më të kritikuara të sistemit penal shqiptar lidhur me masat e paraburgimit.

Por ai thotë se sërish mbeten pikëpyetje të forta, kryesisht për mungesën e tekstit të plotë publik në momentin e prezantimit dhe me zbatimin e tij në praktikë nga gjyatatat./BIRN/

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku: Nuk janë lajm filmimet por “Koalicioni Shqiptar” i partive shqiptare në Serbi janë bërë bashkë në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit

Filmimet që kanë dalë këto dy ditë nuk përbajnë lajm.

Lajm asht që partitë shqiptare në Serbi janë ba bashkë. Por kjo temë nuk mori as vëmendjen ma minimale dhe u mbyt prej zhurmës së krijueme të lajmeve boshe.

Tetë subjekte politike u bashkuen për me garu në nji listë të vetme, “Koalicioni Shqiptar”, në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në Serbi, kundër regjimit autokratik të Vuçiç. Këto zgjedhje vijnë si pasojë e presionit të protestave disa mujore dhe i gjejnë shqiptarët ma të bashkuem.

Qeveria jonë as reagoi e as e mbështeti nji akt të tillë vendimtar për përfaqësimin që u bahet shqiptarëve në Serbi. Rrallëherë ngrihet çështja e tyne edhe në takime të diplomacisë shqiptare, përveçse kur bahet fjalë për marrëveshje të mbrapshta siç ishte rasti i konsullatës serbe në Shkodër.

Shqiptarët në Serbi përveçse shtypen prej vitesh sidomos si pasojë e spastrimit me mjete administrative, nuk marrin as mbështetjen e meritueme nga qeveria e Shqipërisë.

Qeveria e Kosovës çdo vit e ka rrit me nga 1 milion euro mbështetjen për shqiptarët në Serbi. Po qeveria jonë, interesat e kujt mbron atje?


Send this to a friend