VOAL

VOAL

Turqia dhe SHBA të gatshme ‘të godasin kryeqytetin e IS-it’

September 7, 2016

Komentet

Projektligj në SHBA për të zbuluar operacionet e fshehta të Rusisë

Tre ligjvënës demokratë amerikanë propozuan një projektligj të ri, i cili do ta detyronte Departamentin amerikan të Shtetit ta informonte rregullisht Kongresin për aktivitetet e luftës hibride dhe operacionet e fshehta që i atribuohen Rusisë.

Projektligji, i njohur si WATCH Russia Act (Ligji për Paralajmërimin e Aleatëve dhe Monitorimin e Veprimeve të Fshehta Armiqësore të Rusisë), vjen në kohën e shqetësimeve në rritje për aktet e sabotimit, sulmet kibernetike dhe operacionet e tjera të fshehta në Evropë.

“Sulmet e Rusisë ndaj aleatëve tanë nuk zhvillohen gjithmonë në forma tradicionale të luftës”, tha kongresisti demokrat, Wesley Bell, më 18 nëntor, kur edhe u bë publik projektligji.

“Ligji WATCH Russia synon të sigurojë që Kongresi t’i njohë këto taktika dhe të jetë në gjendje të reagojë në mënyrë efektive”, shtoi ai.

Çfarë parasheh projektligji?

Projektligji kërkon që sekretari amerikan i Shtetit t’i dorëzojë Kongresit një raport brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit dhe më pas të raportojë çdo tre muaj.

Raportet do të përfshinin sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit, sabotimin e infrastrukturës kritike, ndërhyrjet në zgjedhje, presionin ekonomik, si dhe shkeljet e hapësirës ajrore apo të territorit të vendeve aleate.

Ato do të duhej të përshkruanin aktivitetet e tilla, të identifikonin përgjegjësit, të shpjegonin qëllimet dhe pasojat e tyre, si dhe të dokumentonin masat e ndërmarra nga Uashingtoni, NATO-ja apo shtetet aleate.

Raportet do të ishin publike, por administrata amerikane do të mund të përfshinte edhe shtojca me informacione të klasifikuara.

Sipas Bellit, presidenti rus, Vladimir Putin, po përdor taktika të luftës hibride për të përhapur frikë dhe për të destabilizuar demokracitë evropiane.

Kongresistja Sarah McBride, një nga hartueset e projektligjit, tha se kjo nismë do t’i ndihmonte Shtetet e Bashkuara që t’i identifikonin operacionet e fshehta të Moskës, të cilat po ndryshojnë vazhdimisht, dhe të reagonin ndaj tyre.

Sipas saj, projektligji do të forconte gjithashtu mbikëqyrjen nga Kongresi dhe do të ndihmonte në mbrojtjen e sigurisë kombëtare amerikane.

Evropa u përball së fundmi me një sërë incidentesh, përfshirë edhe sulme kibernetike, që penguan funksionimin e frigoriferëve në supermarketet e disa vendeve, duke rrezikuar prishjen e ushqimeve.

Po ashtu, kërcënimet e rreme për bomba shkaktuan anulimin e fluturimeve në disa vende evropiane.

Megjithatë, nuk u vërtetua se Rusia qëndron pas këtyre incidenteve.

Në rastin e sulmeve ndaj frigoriferëve në rreth 700 dyqane në Francë, autoritetet franceze akuzuan më vonë Iranin.

Por, udhëheqës politikë dhe agjenci të inteligjencës në disa vende të tjera evropiane e akuzuan Rusinë për sulme të tjera kibernetike dhe akte sabotimi – akuza që Kremlini i mohoi.

Kërcënim edhe për SHBA-në

Shelby Magid, zëvendësdrejtoreshë e Qendrës për Euroazinë në Këshillin Atlantik, tha për Radion Evropa e Lirë se projektligji është i rëndësishëm, sepse i trajton operacionet hibride ruse si kërcënim jo vetëm për Evropën, por edhe për Shtetet e Bashkuara.

“Ky është kërcënim edhe për sigurinë amerikane… Është shqetësim për të gjithë aleatët e NATO-s”, tha Magid.

Duke folur për atë që e cilësoi si shtim të madh të sulmeve ruse në Evropë, ajo tha se Rusia po teston deri ku mund të shkojë me veprimet e saj, pa u përballur me pasoja, ndërkohë që synon të dobësojë edhe mbështetjen e Perëndimit për Ukrainën.

James Batchik, zëvendësdrejtor i Qendrës për Evropën në Këshillin Atlantik, tha se projektligji do të ndihmonte për të zbuluar përmasat e aktiviteteve të Rusisë kundër aleatëve evropianë.

“Identifikimi dhe monitorimi i sulmeve në ‘zonën gri’ do të mbeten gjithmonë sfidë. Megjithatë, përpjekja për t’i bërë publike veprimet e Rusisë kundër aleatëve tanë evropianë dhe përmasat e tyre, do të ishte një fillim i vlefshëm”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Termi “zonë gri” u referohet veprimeve armiqësore që nuk përbëjnë luftë të hapur, si sulmet kibernetike, sabotimi dhe dezinformimi.

Joshua Huminski, nënkryetar i lartë për siguri kombëtare dhe inteligjencë në Qendrën për Studimin e Presidencës dhe Kongresit, tha se raportimet e rregullta të Qeverisë do t’i ndihmonin ligjvënësit amerikanë të merrnin vendime më të informuara për ndarjen e fondeve, dhënien e autorizimeve dhe masat politike.

Huminski paralajmëroi, gjithashtu, se jo çdo incident i dyshimtë në Evropë duhet t’i atribuohet automatikisht Rusisë.

“Rusia nuk qëndron domosdoshmërisht pas çdo incidenti”, tha ai.

Ai përmendi edhe një nismë të ngjashme ligjore, të propozuar në fund të vitit të kaluar, të quajtur DISRUPT Act.

Ajo synonte krijimin e grupeve të posaçme qeveritare për të ekspozuar përçarjet mes Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut, të cilat bashkëpunojnë mes tyre.

Sipas Huminskit, ajo nismë nuk ka shënuar shumë përparim, por projektligji WATCH Russia tregon se interesi i Kongresit për këtë çështje po rritet.

Megjithatë, ai paralajmëroi se nuk duhet pritur që projektligji të sjellë ndryshime rrënjësore në mënyrën se si SHBA-ja u përgjigjet operacioneve ruse.

Çfarë pritet të ndodhë tani?

Projektligji i është dërguar Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku duhet të shqyrtohet para se të hidhet në votim.

Nëse miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve, ai duhet të marrë edhe miratimin e Senatit, përpara se t’i dërgohet presidentit për nënshkrim.

Por, mbetet e paqartë nëse projektligji do të miratohet, pasi kanë mbetur vetëm disa javë deri në përfundimin e mandatit të përbërjes aktuale të Kongresit.

Sipas Magidit, edhe nëse projektligji nuk miratohet, vetë propozimi i tij përçon një mesazh politik: ligjvënësit amerikanë po i marrin seriozisht operacionet hibride të Rusisë dhe sigurinë e aleatëve të NATO-s./ REL

Demokratët amerikanë hapin “dosjen” Guilfoyle

 

 

Rama duke pritur ish-ambasadoren Guilfoyle

Demokratët në Kongresin amerikan kërkojnë hetim të thelluar ndaj ish-ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, për dyshime mbi përfitime financiare personale, përdorim të ndikimit politik dhe marrëdhënie me interesa biznesi në rajon. Në vëmendje janë edhe kontaktet e saj me kompaninë greke Aktor, ndërsa Guilfoyle ka zhvilluar më parë një takim jozyrtar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, pas marrëveshjes për gazin.

Robert Garcia, kongresmeni demokrat që pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ka paralajmëruar se largimi i Kimberly Guilfoyle nga posti diplomatik në Greqi nuk do të pengojë hetimet parlamentare mbi dyshimet për korrupsion, shpërdorim të pushtetit dhe shfrytëzim të pozitës qeveritare për përfitime ekonomike personale.

Në një letër drejtuar ish-ambasadores, Garcia thekson se kompetencat hetimore të Kongresit nuk kufizohen nga fakti nëse një person vazhdon apo jo të jetë pjesë e administratës federale amerikane.

“Statusi juaj i punësimit, pavarësisht nëse vazhdoni të punoni për qeverinë federale apo jo, nuk ndikon në aftësinë e Komisionit të Mbikëqyrjes për të vazhduar hetimin”, thuhet në letër.

Garcia kërkon që Guilfoyle të ruajë të gjitha dokumentet, mesazhet elektronike, komunikimet zyrtare dhe private, si dhe çdo material që mund të ketë lidhje me pretendimet e ngritura ndaj saj. Kërkesa përfshin si periudhën e shërbimit diplomatik, ashtu edhe kohën përpara emërimit të saj.

Detyrimi për ruajtjen e dokumentacionit shtrihet edhe te bashkëpunëtorët, punonjësit, përfaqësuesit dhe subjektet e lidhura me ish-ambasadoren. Ajo duhet gjithashtu të njoftojë menjëherë komisionin nëse merr dijeni për ndonjë përpjekje për të shkatërruar, fshehur ose mosruajtur materiale që mund të shërbejnë për hetimin.

Letra e re pason dy kërkesa të mëparshme që demokratët i kanë dërguar Guilfoyle më 8 dhe 14 tetor, si dhe një tjetër të datës 30 tetor, drejtuar bashkëpunëtorit të saj, producentit Drew Lynch.

Në qendër të hetimeve janë disa pretendime që ka publikuar gazeta amerikane The Wall Street Journal, lidhur me marrëveshje të mundshme financiare në këmbim të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës Trump.

Sipas një artikulli të gazetës, të publikuar më 7 tetor, Guilfoyle dyshohet se i ka kërkuar donatorit republikan Eric Deters të paguante 100 mijë dollarë drejtpërdrejt në llogarinë e saj American Express, për të shlyer një detyrim personal financiar.

Në këmbim, sipas pretendimeve të raportuara, ajo do të ndihmonte donatorin të krijonte kontakte me zyrtarë të lartë të administratës amerikane për çështje personale tatimore dhe ligjore.

Deters dyshohet se kishte premtuar edhe një pagesë shtesë, e cila mund të arrinte deri në një milion dollarë, nëse ndërhyrjet do të jepnin rezultatet e dëshiruara.

Në këtë çështje përmendet edhe Drew Lynch, i cili, sipas letrës së Garcias, dyshohet se ka ndihmuar në organizimin e kontakteve të donatorit me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë, përfshirë ish-drejtuesin e shërbimit tatimor IRS, Billy Long, drejtorin e FBI-së, Kash Patel, dhe këshilltarin ligjor Sam Reimer.

Demokratët deklarojnë se kanë shqyrtuar komunikime me shkrim që lidhen me këto kontakte. Vetë donatori republikan e ka përshkruar publikisht marrëveshjen me termin latin “quid pro quo”, që nënkupton dhënien e një përfitimi në këmbim të një favori.

Një pjesë e rëndësishme e çështjes lidhet me aktivitetin e Guilfoyle në Greqi dhe marrëdhëniet e saj me qarqe të biznesit grek.

Duke iu referuar një tjetër artikulli të The Wall Street Journal, të datës 10 tetor, Garcia përmend pretendimet se ish-ambasadorja kishte folur për lidhjet e saj me dy biznesmenë të pasur grekë, të cilët dyshohet se financonin udhëtimet e saj.

Raportimet përfshijnë udhëtime me avionë privatë dhe qëndrime në ambiente luksoze, për të cilat Guilfoyle dyshohet se kishte folur gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Vëmendje të veçantë merr kompania greke Aktor, e cila vepron në sektorët e ndërtimit dhe energjisë dhe ka interesa të rëndësishme ekonomike në rajonin e Ballkanit.

Sipas letrës së Garcias, Guilfoyle dyshohet se kishte krijuar marrëdhënie të ngushta me një lobist që përfaqësonte këtë grup biznesi dhe më pas kishte ushtruar vazhdimisht ndikim ndaj qeverive të Ballkanit për t’i orientuar drejt dhënies së kontratave kompanisë Aktor.

Garcia ngre shqetësimin se marrëdhënia e ish-ambasadores me lobistin mund të përbëjë konflikt interesi, duke iu referuar një investigimi të The Wall Street Journal të publikuar më 25 shtator.

Këto pretendime marrin rëndësi të veçantë për rajonin, pasi ndërthurin diplomacinë amerikane me interesa private në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë dhe infrastrukturën.

Letra e kongresmenit demokrat përmend gjithashtu dyshime për pranimin e dhuratave luksoze nga shtetas të huaj, kërkesa për favore personale në këmbim të ndikimit politik dhe shmangie të procedurave institucionale që synojnë parandalimin e korrupsionit.

Garcia kërkon që ish-ambasadorja t’u përgjigjet kërkesave të mëparshme për informacion dhe të garantojë ruajtjen e plotë të dokumentacionit.

Në një zhvillim që e lidh këtë çështje edhe me Shqipërinë, Kimberly Guilfoyle ka zhvilluar më 13 mars 2026 një takim jozyrtar dhe të paparalajmëruar publikisht me kryeministrin Edi Rama në Tiranë. Sipas raportimit të The Wall Street Journal, në takim morën pjesë edhe biznesmenët Christos Marafatsos dhe Alexandros Exarchou, ndërsa bisedimet u përqendruan te bashkëpunimi energjetik.

Takimi i parapriu marrëveshjes për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm, të nënshkruar më 28 prill në Tiranë, në prani të kryeministrit Rama dhe Guilfoyle. Marrëveshja lidhet me zhvillimin e qendrës energjetike të Vlorës dhe furnizimin afatgjatë me gaz amerikan. Kjo kronologji merr rëndësi në dritën e pretendimeve për ndikimin e Guilfoyle në marrëveshjet energjetike të Ballkanit. /Pamfleti

DASH miraton shitjen e sistemit raketor HIMARS për Shqipërinë, paketa në vlerë 210 milionë dollarë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka miratuar shitjen e sistemeve raketore HIMARS dhe pajisjeve të lidhura me to për Shqipërinë, në një marrëveshje që kap vlerën e rreth 210 milionë dollarëve.

Sipas njoftimit zyrtar, Shqipëria ka kërkuar blerjen e dy sistemeve M142 HIMARS, 6 raketave të drejtuara GMLRS M31A2, 6 pod-eve me koka luftarake alternative GMLRS M30A2, si dhe pajisjeve të tjera të komunikimit, komandimit, transportit dhe mbështetjes logjistike.

Në paketë përfshihen gjithashtu automjete ushtarake, sisteme radio-komunikimi, pajisje navigimi, pjesë këmbimi, mjete mirëmbajtjeje dhe trajnime për personelin shqiptar. Financimi i kësaj blerjeje do të bëhet përmes fondeve të huasë amerikane për financimin e ushtrive të huaja (Foreign Military Financing).

Sipas DASH, kjo shitje synon të forcojë sigurinë e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, duke i ofruar Forcave të Armatosura kapacitete për goditje precize në distanca të gjata. Këto sisteme do të rrisin aftësinë e vendit për të përballuar kërcënimet aktuale dhe të ardhshme, si dhe për të kontribuar më shumë në planet e mbrojtjes së Aleancës.

“Kjo shitje e propozuar do të mbështesë qëllimet e politikës së jashtme dhe objektivat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara duke përmirësuar sigurinë e një aleati të NATO-s. 

Shitja e propozuar do të përmirësojë aftësinë e Shqipërisë për t’u përballur me kërcënimet aktuale dhe të ardhshme duke ofruar një aftësi goditjeje precize me rreze të gjatë veprimi. Kjo aftësi do ta mbrojë Shqipërinë duke i mundësuar forcave të saj të pengojnë, neutralizojnë dhe shkatërrojnë kërcënimet kundërshtare, ndërkohë që përmirëson ndjeshëm kontributin e saj në planet mbrojtëse të NATO-s. Shqipëria nuk do të ketë vështirësi në përthithjen e këtyre artikujve dhe shërbimeve në forcat e saj të armatosura.Shitja e propozuar e këtyre pajisjeve dhe mbështetjes nuk do të ndryshojë ekuilibrin bazë ushtarak në rajon. “, thuhet në njoftimin e DASH.

Kontraktori kryesor i projektit do të jetë kompania amerikane Lockheed Martin. Për zbatimin e marrëveshjes parashikohet gjithashtu udhëtimi në Shqipëri i deri në 15 përfaqësuesve të qeverisë amerikane dhe 15 përfaqësuesve të kompanisë, rreth dy herë në vit, për menaxhimin e programit, instalimin e pajisjeve dhe trajnimin. Panorama

Pas më shumë se dy vjetësh, Kosova i rikthehet lobimit në SHBA

Doruntina Baftiu

Pas më shumë se dy vjetësh pa asnjë lobist të angazhuar në Shtetet e Bashkuara, këtë muaj Kosova ka lidhur marrëveshje me një kompani amerikane për t’i përfaqësuar interesat e saj në Uashington.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka lidhur kontratë me kompaninë amerikane Ballard Partners, e cila do të ofrojë këshillim strategjik dhe shërbime të marrëdhënieve me institucionet qeveritare amerikane, sipas një dokumenti të regjistruar në Departamentin amerikan të Drejtësisë, në kuadër të Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA).

Kontrata është dorëzuar në FARA më 13 nëntor dhe ka hyrë në fuqi më 15 nëntor 2026, për një periudhë njëvjeçare.

Sipas marrëveshjes, Kosova do t’i paguajë kompanisë 50 mijë dollarë në muaj, apo gjithsej 600.000 dollarë për një vit. Kësaj shume i shtohen edhe shpenzimet e arsyeshme të udhëtimit dhe përfaqësimit, të cilat duhet të miratohen paraprakisht nga MPJD-ja.

Pagesat do të bëhen në këste tremujore prej 150.000 dollarësh.

Të njëjtën kompani e pati angazhuar edhe zyra e Presidencës në vitin 2017, kur postin e presidentit e mbante Hashim Thaçi.

Në kontratë, të nënshkruar nga ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe presidenti i kompanisë, Brian Ballard, thuhet se Ballard Partners do të këshillojë dhe përfaqësojë Kosovën lidhur me çështje që i konsideron të nevojshme dhe të përshtatshme për t’u trajtuar pranë Qeverisë federale amerikane.

Dokumenti i regjistruar në FARA përmend lobimin dhe avokimin, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informative, si dhe diskutimin e mundësive të reja të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Megjithatë, kontrata nuk specifikon objektiva konkrete politike për të cilat kompania do të angazhohet në emër të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për më shumë informacione, por nuk ka marrë ende përgjigje.

Kjo Ministri, kishte lidhur kontratat e fundit të lobimit në SHBA në vitin 2023, kur udhëhiqej nga Donika Gërvalla, tani ministre e Drejtësisë.

Kosova pa kontrata lobimi që nga viti 2024

Në qershor të vitit 2023, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) kishte angazhuar dy kompani për lobim në SHBA: Afërdita Rakipi Communications LLC, në pronësi të Afërdita Rakipit, dhe Ambal LLC, në pronësi të Avni Mustafajt.

Sipas kontratave të nënshkruara më 26 qershor 2023, të dyja kompanitë u angazhuan për nga një vit, me synimin e deklaruar për “avancimin e marrëdhënieve dypalëshe mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës”. Secila parashihej të paguhej nga 147 mijë euro, pra gjithsej 294 mijë euro.

Përveç pagesave të kontratës, ata kishin deklaruar edhe shpenzime shtesë, kryesisht për ushqim dhe udhëtime. Një pjesë e madhe e takimeve të deklaruara ishin zhvilluar në restorante në Prishtinë, ndonëse kontrata parashihte këshilla strategjike dhe përfaqësim të MPJD-së në SHBA.

Të dhënat e publikuara në FARA tregonin se, nga korriku 2023 deri në janar 2024, Rakipi kishte deklaruar dy kontakte, ndërsa Mustafaj katër. Në disa raste, të dy kishin raportuar takime me të njëjtët zyrtarë amerikanë në të njëjtën datë.

Kontratat përfunduan në fund të qershorit 2024 dhe nuk u vazhduan. Që nga atëherë, Kosova nuk ka pasur asnjë lobist në SHBA, ndërkohë që vendet e rajonit kanë nënshkruar disa të tilla.

Angazhimi i rajonit për lobim në SHBA

Kontratat e vendeve të rajonit tregojnë se ato po përpiqen të avancojnë interesat e tyre nëë Uashington përmes lobimit.

Në vitet e fundit, Serbia ka zgjeruar angazhimin e saj në Uashington, përmes disa kontratave aktive me kompani amerikane:

  • me KARV Communications, për komunikim strategjik dhe marrëdhënie me mediat, me pagesë prej rreth 60 mijë dollarësh në muaj;
  • me Valcour LLC, për promovimin e Serbisë si nikoqire e EXPO 2027, me 65 mijë dollarë në muaj;
  • dhe me CRB Global LLC, për këshillim strategjik, me 10 mijë dollarë në muaj.

Përveç qeverisë, në regjistrin amerikan figurojnë edhe kontrata të Odës Ekonomike të Serbisë dhe dy kompanive private serbe.

Edhe Republika Sërpska, entitet i Bosnje e Hercegovinës, ka rritur ndjeshëm shpenzimet për lobim në SHBA në vitet e fundit. Në 16 kontratat aktive, një nga objektivat kryesore del të ketë qenë heqja e sanksioneve amerikane ndaj udhëheqësit të atëhershëm të entitetit, Milorad Dodik, dhe personave të lidhur me të.

Ndërkohë, Mali i Zi figuron me dy kontrata aktive, të dyja të nënshkruara në muajt e fundit të këtij viti. Njëra u lidh nga Organizata Kombëtare e Turizmit dhe tjera nga Partia Demokratike Popullore.

Nga institucionet shtetërore të Shqipërisë nuk figuron asnjë kontratë aktive lobimi, por vetëm një nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe të tjera nga individë dhe kompani private.

Ngjashëm, edhe Maqedonia e Veriut figuron në regjistrin FARA vetëm përmes angazhimeve të një kompanie private, ATS Group, dhe një partie politike, Bashkimi Demokratik për Integrim.

Teksa vendet e rajonit përpiqen t’i avancojnë interesat e tyre në Uashington, lobimi në SHBA ka rëndësi të veçantë për Kosovën për shkak të rolit amerikan në sigurinë e vendit dhe në proceset ndërkombëtare që e prekin.

Vitin e kaluar, kur Kosova s’kishte asnjë kontratë lobimi aktive, analistja politike Donika Emini kishte vlerësuar për REL-in se Kosova nuk mund të mbështetet vetëm në diplomacinë konvencionale, përmes ambasadave dhe konsullatave.

Sipas saj, në një kohë kur Serbia po e forcon angazhimin në Uashington, mungesa e një pranie aktive të Kosovës rrezikonte ta linte vendin në hije.

“Uashingtoni nuk është një vend ku vlerësohesh vetëm për vullnetin e mirë; është një fushëbetejë e influencës, ku lobimi, partneritetet strategjike dhe aftësia diplomatike përcaktojnë se kush zë vend në tavolinë”, kishte thënë Emini për REL-in.

Kush është Mikhail Bogachek, i nominuari i Trumpit për ambasador të SHBA-së në Kosovë?

Radio Evropa e Lirë

Presidenti amerikan, Donald Trump, nominoi Mikhail Bogachekun për ambasador të ri të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, duke ia dërguar emrin Senatit amerikan për konfirmim.

Nominimi i tij u bë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, më 10 nëntor.

Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeff Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Kush është Mikhail Bogachek?

Michael Bogachek aktualisht mban pozitën e drejtorit ekzekutiv në Organizatën e Shteteve Amerikane (OAS), ku mbikëqyr operacionet administrative, financat, prokurimin, burimet njerëzore dhe teknologjinë informative, sipas një biografie të publikuar në faqen e organizatës.

OAS-i, i themeluar në vitin 1948, përfshin 35 shtete të kontinentit amerikan dhe ka për qëllim forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sigurinë dhe zhvillimin.

Sipas biografisë së tij, Bogachek ka mbi 25 vjet përvojë në sektorët e shëndetësisë, teknologjisë dhe menaxhimit institucional.

Më herët, ai ka qenë drejtor operativ në kompaninë VativoRx, e cila merret me administrimin e përfitimeve farmaceutike në SHBA.

Ai ka themeluar edhe kompaninë Cooperton, e specializuar në sigurinë kibernetike dhe menaxhimin e krizave, si dhe kompaninë PharmaLife, që merret me teknologjinë në sektorin farmaceutik.

Bogachek ka diplomuar në Inxhinieri Industriale dhe të Sistemeve në Institutin e Teknologjisë të Xhorxhias dhe ka doktoraturë në Bioinxhinieri.

Ai ka përfunduar, gjithashtu, një program për drejtues biznesesh në Shkollën e Biznesit të Harvardit.

Flet rrjedhshëm gjuhën ruse, ukrainase dhe hebraike.

Nominimi për ambasador në Kosovë është pjesë e një liste më të gjerë emërimesh, të dërguar nga administrata Trump në Senat, më 10 nëntor.

Nominimi mes sfidave në marrëdhëniet Kosovë-SHBA

Nominimi i Bogachekut vjen në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara janë përballur me sfida, përfshirë pezullimin e Dialogut Strategjik nga Uashingtoni në vitin 2025.

SHBA-ja e pezulloi këtë dialog, duke shprehur shqetësime për veprimet e Qeverisë së atëhershme në detyrë ndaj institucioneve serbe në Kosovë dhe kritikat e saj ndaj Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas Uashingtonit, kishin rritur tensionet dhe kishin kufizuar mundësitë për bashkëpunim në prioritetet e përbashkëta.

Në korrik të këtij viti, Departamenti amerikan i Shtetit i tha REL-it se rifillimi i Dialogut varet nga krijimi i kushteve të nevojshme, përfshirë përmbushjen e zotimeve të Kosovës ndaj serbëve.

Më herët gjatë këtij viti, administrata Trump nominoi ambasadorë edhe për Shqipërinë, Serbinë, Bosnje e Hercegovinën dhe Malin e Zi.

Senati amerikan e konfirmoi Eric Wendtin si ambasador në Shqipëri më 7 gusht, ndërsa kandidatët për tri vendet e tjera ende janë në pritje të konfirmimit.

SHBA – Vendim historik i Gjykatës Supreme: Pasaportat do të njohin vetëm mashkullin dhe femrën

 

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara i ka hapur rrugë administratës së Donald Trump për zbatimin e politikës që përcakton vetëm dy kategori biologjike, mashkull dhe femër, në dokumentet zyrtare federale. Vendimi prek veçanërisht pasaportat amerikane, ku nuk lejohet më zgjedhja e shenjës X apo e një gjinie të ndryshme nga seksi në lindje.

UASHINGTON – Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara ka mbështetur administratën e Presidentit Donald Trump në zbatimin e politikës së re për përcaktimin e seksit biologjik në dokumentet zyrtare, duke lejuar që pasaportat amerikane të pasqyrojnë vetëm seksin e regjistruar në lindje.

Vendimi u mor më 6 nëntor 2025, në çështjen Trump v. Orr, dhe përbën një zhvillim të rëndësishëm në betejën ligjore mbi politikat e identitetit gjinor në SHBA.

Gjykata Supreme pezulloi vendimin e një gjykate federale që kishte bllokuar përkohësisht zbatimin e politikës së administratës Trump. Si rezultat, qeveria federale mundi të vazhdonte lëshimin e pasaportave me shenjën M (mashkull) ose F (femër), në përputhje me seksin biologjik në lindje.

Trump: Qeveria federale njeh dy gjini

Politika e Presidentit Donald Trump u shpall përmes urdhrit ekzekutiv të 20 janarit 2025, me titullin “Defending Women from Gender Ideology Extremism and Restoring Biological Truth to the Federal Government”.

Në këtë urdhër përcaktohet se politika e qeverisë federale amerikane është të njohë dy sekse, mashkull dhe femër, të cilat administrata i lidh me karakteristikat biologjike dhe përcaktimin në lindje.

Urdhri kërkon që institucionet federale të përdorin këtë klasifikim në dokumentet dhe politikat e tyre zyrtare.

Çfarë vendosi konkretisht Gjykata Supreme?

Në vendimin e 6 nëntorit 2025, Gjykata Supreme vlerësoi se shënimi i seksit në lindje në pasaportë përbën regjistrimin e një fakti historik dhe se, në këtë fazë të procesit, paditësit nuk kishin treguar se politika kishte gjasa të shkelte parimet kushtetuese të barazisë.

Gjykata lejoi zbatimin e politikës ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon.

Duhet theksuar se bëhet fjalë për një vendim mbi zbatimin e politikës së pasaportave gjatë procesit gjyqësor, jo për një vendim përfundimtar që shfuqizon çdo formë të njohjes së identitetit gjinor në të gjitha fushat e jetës amerikane.

Nuk lejohet më shenja X në pasaportat amerikane

Një nga ndryshimet konkrete është heqja e mundësisë për të zgjedhur shenjën X në pasaportat amerikane.

Sipas Departamentit të Shtetit, pasaportat e reja lëshohen me shenjën M ose F, në përputhje me seksin biologjik në lindje.

Kjo prek personat transgjinorë dhe personat jo-binarë që kërkojnë të kenë në dokumentet e tyre një shënim të ndryshëm nga ai i regjistruar në lindje.

Çfarë ndodh më tej?

Çështja ligjore Orr v. Trump vazhdon të jetë objekt shqyrtimi gjyqësor. Prandaj, vendimi i Gjykatës Supreme nuk duhet interpretuar si një zgjidhje përfundimtare e të gjitha çështjeve kushtetuese që lidhen me identitetin gjinor.

Ndërkohë, më 9 nëntor 2026, Gjykata Supreme ndërhyri edhe në një çështje tjetër, Roybal v. Griffith, që lidhet me trajtimin dhe vendosjen e personave transgjinorë në burgje, duke e kthyer atë për rishqyrtim në gjykatën më të ulët.

Në thelb, politika e administratës Trump për njohjen federale të dy sekseve biologjike, mashkull dhe femër, është në zbatim në dokumentet e pasaportave amerikane, pas ndërhyrjes së Gjykatës Supreme. sn

Trumpi shpall Zyrën Ovale monument kombëtar, vendos kapelën “VETO” si mesazh për Kongresin e ri

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur Zyrën Ovale, hapësirat ngjitur me të dhe sallën e mbledhjeve të Kabinetit monument kombëtar, me synimin për të mbrojtur këto ambiente historike nga ndryshimet e mëdha arkitekturore në të ardhmen.

Trump deklaroi se vendimi do të vështirësojë ndërhyrjet e rëndësishme në këto hapësira, duke argumentuar se askush nuk duhet të ketë mundësinë të shkatërrojë një pjesë kaq të rëndësishme të historisë presidenciale amerikane.

Megjithatë, shpallja nuk ndalon presidentët e ardhshëm të ndryshojnë mobiliet, dekorimin apo të kryejnë ndërhyrje rutinë dhe të sigurisë.

Gjatë nënshkrimit, vëmendjen e tërhoqi edhe një kapelë e kuqe me mbishkrimin “VETO”, të cilën Trump e vendosi mbi tavolinën historike presidenciale. Ky veprim u interpretua si një mesazh politik për demokratët, të cilët kanë fituar kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit në zgjedhjet e mesmandatit.

Trump ka paralajmëruar se do të përdorë të drejtën e vetos kundër nismave ligjore me të cilat nuk është dakord.

Vendimi vjen ndërsa presidenti po realizon ndryshime të mëdha në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë ndërtimin e një salle të re madhështore, ndryshimet në Kopshtin e Trëndafilave dhe transformimin e dekorimit të brendshëm me elemente të shumta të praruara në ar, portrete dhe statuja.

Kështu, Trump synon të lërë gjurmën e tij në kompleksin presidencial, ndërsa njëkohësisht kërkon të mbrojë disa prej ambienteve më historike të tij nga ndryshimet e ardhshme. bw

Fitore historike në Michigan- “Habibi, do të më betohesh në janar”, Abdul El-Sayed pritet të bëhet senatori i parë mysliman në SHBA

Demokrati Abdul El-Sayed ka fituar garën për një vend në Senatin amerikan, duke mundur kandidatin republikan Mike Rogers në shtetin e Michiganit, sipas projeksioneve të Decision Desk HQ dhe raportimeve të mediave amerikane.

El-Sayed, me profesion mjek dhe pjesë e krahut progresist të Partisë Demokratike, pritet të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara. Gjatë fjalimit të fitores, ai iu drejtua mbështetësve me fjalët: “Michigan, ia dolëm!”. Pas fitores, demokrati nuk la pa komentuar as zëvendëspresidentin JD Vance, duke iu referuar ceremonisë së betimit në janar. “JD, habibi im, ka një ironi të këndshme në faktin se je i detyruar kushtetues të më betosh në janar”, deklaroi ai, duke përdorur një shprehje arabe që përkthehet si “i dashur”.

Fitorja e El-Sayed vjen pas një fushate të tensionuar, e shoqëruar me përçarje brenda Partisë Demokratike. Ish-kandidatja demokrate Hayley Stevens, të cilën El-Sayed e kishte mundur në zgjedhjet paraprake të gushtit, vendosi vetëm dy ditë para votimit të mbështeste republikanin Mike Rogers. Vendimi shkaktoi reagime të forta në radhët e demokratëve. Kreu i grupit demokrat në Senat, Chuck Schumer, e cilësoi veprimin e Stevens si një “tradhti”, ndërsa disa prej bashkëpunëtorëve të saj dhanë dorëheqjen. Stevens e justifikoi mbështetjen për Rogers me kundërshtimet e saj ndaj qëndrimeve të El-Sayed dhe lidhjeve të tij me komentatorin politik Hasan Piker.

Gjatë fushatës, Donald Trump dhe JD Vance zhvilluan vizita në Michigan, ku presidenti amerikan sulmoi personalisht kandidatin demokrat. Trump e quajti atë “terrorist të dhunshëm” dhe përdori emrin e tij të mesëm, Mohammed, në deklaratat publike. El-Sayed iu përgjigj duke deklaruar se nuk kishte rëndësi se si Trump e shqiptonte emrin e tij, pasi pas zgjedhjeve do të duhej ta thërriste “senator”. Fushata e demokratit u përqendrua kryesisht te kujdesi shëndetësor dhe kostot e jetesës, ndërsa besimi i tij mysliman dhe qëndrimet për Izraelin dhe luftën në Gaza u kthyen në çështje të debatit politik gjatë garës.BW

Demokratët marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit

Mbështetësit festojnë fitoren e kandidates demokrate për guvernatore të Xhorxhias, Keisha Lance Bottoms, në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, gjatë një tubimi në Atlanta, më 3 nëntor 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Demokratët fituan kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit amerikan në zgjedhjet e 3 nëntorit, duke shënuar fitore edhe në bastione tradicionale republikane dhe duke i dhënë një goditje të rëndë politike presidentit Donald Trump.

Rezultatet tregojnë një ndryshim të madh në raportin e forcave në Uashington, ku republikanët deri më tani kontrollonin si Senatin, ashtu edhe Dhomën e Përfaqësuesve.

Fitorja e demokratëve vjen në një kohë pakënaqësish të mëdha të amerikanëve me gjendjen ekonomike, rritjen e kostos së jetesës dhe luftën kundër Iranit, të nisur nga administrata Trump në shkurt.

Rritja e çmimeve të karburanteve pas shpërthimit të luftës e ka shtuar presionin mbi familjet amerikane, ndërsa sondazhet kanë treguar se shumë votues e konsiderojnë administratën përgjegjëse për vështirësitë ekonomike.

Demokratët kanë arritur të fitojnë vende në Senat edhe në shtete që tradicionalisht votojnë për republikanët, përfshirë: Teksasin, Kansasin, Ajovën, Ohajon dhe Karolinën e Jugut.

Në Kansas, pastori Adam Hamilton u bë demokrati i parë që fiton një vend në Senat, pas më shumë se nëntë dekadash.

Në Ohajo, demokrati Sherrod Brown fitoi vendin që më parë e mbante nënpresidenti JD Vance, ndërsa në Teksas, James Talarico mposhti prokurorin e përgjithshëm republikan, Ken Paxton.

Të dyja shtetet kishin mbështetur bindshëm Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Mbështetësit e Partisë Demokratike gjatë një tubimi në natën e zgjedhjeve në Des Moines, Ajova, më 3 nëntor 2026.

Mbështetësit e Partisë Demokratike gjatë një tubimi në natën e zgjedhjeve në Des Moines, Ajova, më 3 nëntor 2026.

Një tjetër fitore e rëndësishme për demokratët u shënua në Karolinën e Jugut, ku pediatrja Annie Andrews mposhti senatoren republikane, Darline Graham.

Graham ishte emëruar në Senat pas vdekjes së vëllait të saj, senatorit Lindsey Graham, dhe kishte mbështetjen e drejtpërdrejtë të Trumpit.

Presidenti amerikan kishte zhvilluar një fushatë intensive për kandidatët republikanë në javët e fundit para zgjedhjeve, duke marrë pjesë në më shumë se 24 tubime.

Ai u kishte kërkuar mbështetësve të votonin sikur edhe vetë të ishte në garë, me synimin për të mobilizuar elektoratin republikan.

Por, ndërsa rezultatet tregonin humbjen e shumicës republikane në Kongres, Trump këmbënguli se rezultati do të kishte qenë ndryshe nëse emri i tij do të ishte në fletëvotim.

“Unë nuk isha në fletëvotim dhe, po të isha, do të kishim fituar me epërsi dërrmuese”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Demokratët fituan edhe një numër vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve që më parë kontrolloheshin nga republikanët, përfshirë në Kentaki, Nju Xhërsi dhe Karolinën e Veriut.

Suksesi i tyre është shtrirë edhe në zgjedhjet për guvernatorë.

Në Teksas, demokratja Gina Hinojosa mposhti guvernatorin republikan, Greg Abbott, ndërsa demokratët fituan edhe në Ajova dhe Ohajo.

Çfarë nënkupton rezultati për Trumpin?

Marrja e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit u jep demokratëve mundësi të bllokojnë nisma ligjore të presidentit Donald Trump, të nisin hetime ndaj administratës së tij dhe të ushtrojnë mbikëqyrje më të madhe gjatë dy vjetëve të mbetur të mandatit.

Sipas një analize të institutit amerikan Brookings, një nga pasojat më të rëndësishme lidhet me emërimet presidenciale, të cilat kërkojnë miratimin e Senatit.

Kjo përfshin anëtarët e kabinetit, zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët federalë, përfshirë ata të Gjykatës Supreme.

Me demokratët në shumicë, Trump mund ta ketë më të vështirë të emërojë kandidatët e tij, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ku gjyqtarët emërohen për gjithë jetën.

Një tjetër instrument i rëndësishëm është kontrolli mbi shpenzimet federale.

Kongresi miraton fondet për funksionimin e qeverisë dhe programet publike, duke u dhënë demokratëve mundësi të ndikojnë në prioritetet buxhetore të administratës.

Mospajtimet mund të çojnë edhe në bllokimin e financimit të institucioneve federale, nëse palët nuk arrijnë marrëveshje.

Demokratët mund të ushtrojnë presion edhe mbi politikën e jashtme, përfshirë luftën kundër Iranit, përmes hetimeve parlamentare dhe kontrollit mbi financimin e operacioneve ushtarake.

Megjithatë, Trump ruan kompetencat ekzekutive dhe të drejtën e vetos ndaj ligjeve.

Për ta rrëzuar veton nevojiten dy të tretat e votave në secilën dhomë të Kongresit.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Kontrolli i Kongresit sjell edhe përgjegjësi për demokratët, nga të cilët votuesit do të presin përgjigje ndaj shqetësimeve ekonomike, ndër të tjera.

Kjo mund t’i bëjë dy vjetët e fundit të mandatit të Trumpit një periudhë përplasjesh politike, por edhe kompromisesh të domosdoshme për miratimin e buxhetit dhe financimin e qeverisë federale.

Përgatiti: Valona Tela

Matthew Palmer për tranzicionin pas zgjedhjeve: Mundësi reale për një shtysë të re të integrimit të Serbisë në institucionet Evropiane dhe EuroAtlantike

Matthew Palmer, diplomati i njohur amerikan me përvojë të gjatë në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, si ish Zëvendës Ndihmës i Sekretarit të Shtetit për Evropën dhe Azinë, i cili ka luajtur një rol kyç në politikën e jashtme amerikane në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si Përfaqësues i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor në LinkedIn ka bërë një prononcim në lidhje me të ardhmen e Serbisë pas fitores të zgjedhjeve nga Listës Studentore, si më poshtë:

“Një parashikim i shkurtër, në cilësinë time si përfaqësues i CEPA-s*.

Lëvizja studentore në Serbi ishte thellësisht frymëzuese.

Faza tjetër – kalimi nga entuziazmi i protestave te puna konkrete e qeverisjes – do të jetë sfiduese.

Ky tranzicion ofron një mundësi reale për t’i dhënë një shtysë të re procesit të integrimit të Serbisë në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

Kjo do të kërkojë një ndjesi urgjence dhe mirëbesim nga të gjitha palët.

Momenti për ta nisur është tani.”

—-

*CEPA (shkurtim për Center for European Policy Analysis – Qendra për Analiza të Politikave Evropiane) është një institut kërkimor (think tank) jo-fitimprurës dhe jo-partiak me seli kryesore në Uashington, D.C. dhe qendra në Londër dhe Bruksel.

 

Amerikanët votojnë në zgjedhjet e mesmandatit

Radio Evropa e Lirë

Amerikanët u drejtohen sot, më 3 nëntor, kutive të votimit në zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë kontrollin e Kongresit dhe mund t’ua ndryshojnë rrjedhën dy vjetëve të mbetur të presidencës së Donald Trumpit.

Mbi 50 milionë amerikanë kanë votuar tashmë para ditës së zgjedhjeve, ndërsa miliona të tjerë pritet të votojnë gjatë së martës.

Zgjedhjet zhvillohen në një kohë kur presidenti Trump përballet me pakënaqësi për koston e lartë të jetesës, politikat tregtare dhe luftën me Iranin.

Sipas BBC-së, sondazhet e fundit e vendosin mbështetjen për Trumpin në rreth 30 për qind, ndërsa disa gara që dikur konsideroheshin të sigurta për republikanët, janë bërë më konkurruese.

Edhe pse Trump nuk është vetë kandidat, rezultati do të përcaktojë nëse republikanët do ta ruajnë kontrollin e Kongresit apo demokratët do të fitojnë mundësi më të mëdha për ta kundërshtuar agjendën e tij.

Fushata përfundon me gara të forta në disa shtete

Kandidatët republikanë dhe demokratë i bënë të hënën thirrjet e fundit për vota, me tubime në shtete si Teksasi, Miçigani dhe Ajova.

Trump e përmbylli fushatën me një fjalim në Uashington, ku deklaroi se republikanët kanë bërë përpjekje të mëdha për të siguruar mbështetjen e votuesve.

Presidenti tha gjithashtu se ka mbajtur 31 tubime gjatë 27 ditëve të fundit, krahas angazhimeve të shumta telefonike në mbështetje të kandidatëve republikanë.

Teksasi dhe Miçigani, ndër garat që po ndiqen me vëmendje

Një nga garat më të rëndësishme zhvillohet në Teksas, ku demokrati James Talarico përballet me republikanin Ken Paxton për një vend në Senat.

Asnjë demokrat nuk ka fituar zgjedhje në nivel shteti në Teksas që nga viti 1988, por sondazhet e fundit tregojnë një garë të ngushtë mes dy kandidatëve.

Në tubimin e fundit në Austin, Talarico kritikoi tarifat tregtare dhe luftën në Lindjen e Mesme, duke i lidhur ato me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve.

Paxton, ndërkaq, premtoi uljen e kostos së jetesës dhe u bëri thirrje mbështetësve republikanë të dalin në votime.

Një garë tjetër e rëndësishme zhvillohet në Miçigan, ku republikani Mike Rogers përballet me demokratin Abdul El-Sayed.

Rogers është përpjekur të tërheqë edhe votues demokratë të pakënaqur me kandidatin e partisë së tyre, ndërsa El-Sayed e ka përqendruar fushatën te vështirësitë ekonomike të familjeve amerikane.

Në këtë shtet, politikat tarifore të Trumpit ndaj Kanadasë janë bërë gjithashtu çështje e fushatës, për shkak të lidhjeve të ngushta ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.

Edhe Alaska, që tradicionalisht ka mbështetur republikanët, po tërheq vëmendje.

Senatori republikan, Dan Sullivan, përballet me demokraten Mary Peltola në një garë që është bërë më konkurruese sesa pritej.

Ekonomia dhe lufta me Iranin dominojnë shqetësimet e votuesve

Kostoja e jetesës është një nga çështjet kryesore që kanë ndikuar në fushatën zgjedhore.

Rritja e çmimeve të ushqimeve, karburanteve, banimit dhe kujdesit shëndetësor ka qenë në qendër të kritikave të demokratëve ndaj administratës Trump.

Në Miçigan, kandidati demokrat, Abdul El-Sayed, deklaroi se në vendin më të pasur dhe më të fuqishëm në botë nuk duhet të jetë kaq e vështirë të përballohen shpenzimet për karburante, ushqime, banim dhe shërbime mjekësore.

Republikanët, ndërkohë, kanë mbrojtur politikat ekonomike të presidentit, duke premtuar ulje të kostove dhe vazhdim të reformave.

Lufta me Iranin ka shtuar, gjithashtu, presionin politik mbi Trumpin, veçanërisht për shkak të ndikimit të saj në çmimet e energjisë.

Vetëm disa orë para zgjedhjeve, mediat amerikane raportuan për sulme të reja të forcave amerikane ndaj objektivave iraniane në ishullin Keshm, pranë Ngushticës së Hormuzit.

Çfarë janë zgjedhjet e mesmandatit?

Zgjedhjet e mesmandatit mbahen çdo katër vjet, në gjysmën e mandatit të presidentit amerikan, dhe përcaktojnë përbërjen e Kongresit për dy vjetët e ardhshëm.

Në këto zgjedhje, amerikanët votojnë për të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe rreth një të tretën e 100 vendeve të Senatit.

Në disa shtete votohet edhe për guvernatorë, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe çështje të ndryshme lokale.

Video/ Nga korrupsioni, te paratë e pista, kullat dhe lidhjet me krimin: Intervista që nxorri nga shinat Edi Ramën

 

 

Rama braktis intervistën

Channel 5 ka publikuar dokumentarin e paralajmëruar pak kohë më parë për Shqipërinë, ku kryeministri Edi Rama braktis intervistën pas pyetjeve të sikletshme të gazetarit amerikan Andrew Callaghan. Dokumentari trajton akuzat për korrupsion, pastrim parash, lidhjet e dyshuara të krimit me ndërtimet dhe investimet e Jared Kushner në bregdetin shqiptar.

Një dokumentar i publikuar nga kanali amerikan “Channel 5” ka vendosur në qendër të vëmendjes Shqipërinë, duke ngritur një sërë pyetjesh të forta mbi qeverisjen e Edi Ramës, ndikimin e krimit të organizuar në ekonomi, investimet miliardëshe në bregdet dhe marrëdhëniet e pushtetit me investitorët e mëdhenj.

Gazetari amerikan Andrew Callaghan ka udhëtuar në Shqipëri për të investiguar projektet turistike të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, por dokumentari shkon shumë më tej. Ai sjell dëshmi të protestuesve, aktivistëve, ish-zyrtarëve dhe personave që ngrenë dyshime mbi burimin e parave që financojnë ndërtimet luksoze, ndërsa përfundon me një intervistë të tensionuar me vetë kryeministrin Edi Rama.

Përgjatë materialit, Callaghan paraqet pretendime serioze për pastrim parash, falsifikim dokumentesh pronësie dhe favorizim të investimeve në zona me rëndësi të veçantë mjedisore. Këto akuza janë pjesë e investigimit dhe dëshmive të intervistuarve; ato nuk përbëjnë në vetvete prova të fajësisë penale të personave të përmendur.

Në qendër të dokumentarit janë projektet e lidhura me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner, veçanërisht zhvillimet e planifikuara në Sazan dhe zonën e Zvërnecit. Gazetari ngre pikëpyetje mbi mënyrën e sigurimit të pronësisë, statusin e tokave dhe marrëdhëniet mes investitorëve dhe autoriteteve shqiptare.

Një prej emrave që përmendet vazhdimisht është Artur Shehu, për të cilin dokumentari paraqet akuza dhe dyshime për lidhje me krimin e organizuar dhe për dokumentacionin e pronësisë së tokave të përfshira në transaksione. Materiali pretendon se janë përdorur dokumente të vjetra pronësie, përfshirë një dokument të vitit 1901, për të justifikuar të drejta mbi sipërfaqe të rëndësishme të bregdetit.

Callaghan e lidh këtë histori me problemet e trashëguara të pronësisë në Shqipëri pas rënies së komunizmit, duke ngritur pyetjen nëse paqartësitë dhe abuzimet me dokumentacionin janë shfrytëzuar për të kaluar prona në duart e investitorëve privatë.

Një tjetër pjesë e rëndësishme e dokumentarit i kushtohet bumit të ndërtimit në Tiranë dhe në bregdet. Gazetari viziton komplekse luksoze, filmon ndërtesa dhe vila që duken të pabanuara, ndërsa interviston persona që pretendojnë se ndërtimi është shndërruar në një mekanizëm për pastrimin e parave të trafikut ndërkombëtar të drogës.

Në material përmenden edhe shifra mbi banesat e pabanuara dhe burimet e pashpjeguara të financimit në sektorin e pasurive të paluajtshme. Dokumentari citon një vlerësim sipas të cilit 56,2% e financimit të pasurive të paluajtshme gjatë periudhës 2015–2024 vinte nga burime të pashpjeguara ose të paligjshme, ndërsa përmend mbi 356 mijë banesa të pabanuara në vend. Burimi dhe metodologjia e këtyre pretendimeve nuk sqarohen plotësisht në transkript.

Kontrasti mes kullave luksoze dhe vështirësive ekonomike të qytetarëve është një nga temat që përsëritet në dokumentar. Të intervistuarit flasin për çmime të larta banesash, paga të ulëta, mungesë mundësish për të rinjtë dhe një model zhvillimi që, sipas tyre, favorizon një grup të kufizuar investitorësh.

Në dokumentar një vend të rëndësishëm zë edhe revolta qytetare e njohur si “Revolucioni i Flamingove”. Ajo paraqitet si një lëvizje që nisi nga kundërshtimi i projekteve në zona të mbrojtura, por që u zgjerua në kërkesa për dorëheqjen e qeverisë, ndryshime politike, mbrojtjen e pasurive natyrore dhe përmirësimin e kushteve ekonomike.

Protestuesit e intervistuar akuzojnë qeverinë se po u jep përparësi investitorëve të mëdhenj në dëm të qytetarëve dhe mjedisit. Disa prej tyre pretendojnë se janë përballur me arrestime dhe ndërhyrje policore gjatë tubimeve.

Në këtë atmosferë, gazetari amerikan arrin të sigurojë një intervistë me kryeministrin Edi Rama, i cili pranon t’u përgjigjet pyetjeve për protestat, krimin e organizuar, ndërtimin dhe projektet e Kushnerit.

Fillimisht, Rama mbron të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe thotë se qeveria ka marrë në konsideratë disa prej shqetësimeve të ngritura.

“Është një protestë dhe kjo është krejtësisht në rregull. Ata kanë të drejtë të protestojnë. Ne jemi një vend i lirë dhe demokratik”, shprehet kryeministri.

Por biseda merr një tjetër drejtim kur Callaghan e pyet për ndikimin e grupeve kriminale shqiptare në tregjet ndërkombëtare të kokainës.

Rama e kundërshton kategorikisht idenë e ekzistencës së një mafieje shqiptare që kontrollon trafikun botëror të drogës.

“Kam dëgjuar të kundërtën, të paktën nga drejtuesi i SPAK-ut disa vite më parë, se nuk ekziston një gjë e tillë si mafia shqiptare. Nuk ekziston. Ka shqiptarë, ashtu siç ka amerikanë, spanjollë, italianë apo të tjerë, që janë të përfshirë në rrjete të tilla në mbarë botën, por nuk ekziston një mafie shqiptare që kontrollon botën e kokainës. Më falni, por kjo është marrëzi”, deklaron Rama.

Debati ashpërsohet kur gazetari i referohet financimit të ndërtimeve dhe pretendimit se një pjesë e madhe e parave që qarkullojnë në sektorin e pasurive të paluajtshme kanë origjinë të panjohur.

Kryeministri kërkon burimin e të dhënave dhe mohon që SPAK të ketë bërë një deklarim të tillë.

“SPAK nuk e ka thënë kurrë këtë. SPAK mund të ketë thënë diçka tjetër, se nga paratë e sekuestruara kanë bërë një vlerësim që një pjesë e tyre është investuar në pasuri të paluajtshme. Por SPAK nuk e ka thënë kurrë këtë”, përgjigjet ai.

Një tjetër përplasje zhvillohet mbi numrin e apartamenteve bosh në Tiranë. Callaghan përmend 55 mijë apartamente të pabanuara në kryeqytet, ndërsa Rama e cilëson shifrën të pavërtetë.

“Edhe kjo është një marrëzi tjetër. Nga ka ardhur kjo shifër? Mund ta kesh lexuar në shumë vende, por kjo nuk do të thotë se është e vërtetë. Kjo është bota në të cilën jetojmë sot. Nuk ekzistojnë 50 mijë apartamente bosh në Shqipëri. Është absurditet. Unë nuk flas këtu si opinionist, si gazetar apo si dikush që ti takon në rrugë. Unë flas si kryeministër i vendit, prandaj kam përgjegjësinë të flas mbi bazën e të dhënave dhe fakteve, jo të pretendimeve”, thotë Rama.

Kryeministri kundërshton gjithashtu përshkrimin e Tiranës si një qytet ku po ndërtohen kulla të shumta, duke deklaruar se numri i tyre është shumë më i vogël nga sa paraqitet.

“Jam kurioz të shoh ku i sheh ti kullat e larta që ndërtohen kudo, sepse ky është një tjetër iluzion optik. Nëse i numëron kullat në Tiranë, nuk do të arrish ende në dhjetë. Dhe nëse numëron kantieret ku po ngrihen ndërtesa të reja, nuk do të arrish ende në dhjetë, sepse unë i numëroj. Nuk është e vërtetë që po planifikohen kulla masive kudo. Pra, do të flasim për fakte apo do të bëjmë një bisedë ku ti hedh gjithfarë gjërash që mendon se i ke parë apo i ke lexuar? Ti zgjedh”, shprehet Rama.

Përballë kritikave për ekonominë, kryeministri mbron bilancin e qeverisjes së tij. Ai thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur ndjeshëm që prej ardhjes së tij në pushtet, ndërsa turizmi është shndërruar në një nga motorët kryesorë të ekonomisë.

Rama deklaron se numri i turistëve është rritur nga më pak se dy milionë në mbi 12 milionë dhe se të ardhurat nga turizmi kanë kaluar tetë miliardë euro. Këto janë shifra të paraqitura prej tij gjatë intervistës.

“Ka shumë lajme të mira për Shqipërinë, por ti nuk je këtu për lajmet e mira, je këtu për lajmet e këqija. Prandaj po përpiqem të vendos një ekuilibër”, i thotë ai gazetarit.

Një nga momentet më të rëndësishme të intervistës lidhet me investimet e Jared Kushner.

I pyetur për projektin e Sazanit dhe raportimet mbi bllokimin e fondeve, Rama mohon që të ketë para të ngrira për këto projekte dhe sqaron se për Sazanin nuk ka ende një marrëveshje përfundimtare.

“Sazani është tokë publike. Nëse nuk e di, po të informoj. Ndërsa flasim, nuk ka ende një marrëveshje mes Republikës së Shqipërisë dhe grupit që dëshiron të investojë në Sazan. Jemi duke negociuar, nuk ka ende marrëveshje. Nuk ka para, nuk ka projekte, nuk ka ende një marrëveshje. Ne po negociojmë një marrëveshje sepse shpresojmë të krijojmë një sipërmarrje të përbashkët ku Republika e Shqipërisë do të jetë partnere”, deklaron kryeministri.

Dokumentari, nga ana tjetër, pretendon se SPAK ka ngrirë 120 milionë euro në kuadër të një hetimi. Në intervistë, Rama bën dallimin mes negociatave për Sazanin dhe transaksionit të pronave private, duke shpjeguar se paratë e këtij të fundit do të qëndrojnë në një llogari të kushtëzuar deri në përfundimin e procesit.

Përplasja vijon me pyetjet mbi marrëdhëniet e Ramës me Ivanka Trump dhe Jared Kushner. Kryeministri mohon se ka udhëtuar me ta me jaht, duke thënë se i ka takuar gjatë një ndalese të mjetit lundrues në portin e Durrësit.

“Unë nuk kam bërë kurrë një udhëtim me jaht me Ivankën dhe Jaredin. Shkova t’i përshëndes kur ndaluan në portin e Durrësit për furnizim. I takova në jaht, ndërsa ai ishte i ankoruar në port. Hëngrëm darkë dhe unë u largova për në shtëpinë time”, shpjegon Rama.

Më pas, Callaghan e pyet për Artur Shehun dhe për lidhjen e tij me pronat e përfshira në investim.

Rama deklaron se nuk e njeh personalisht Shehun dhe se nuk e ka takuar asnjëherë.

“Nuk e njoh, nuk e kam takuar kurrë, nuk e di as si duket. Unë nuk jam avokati i tij, nuk jam prokurori i tij, nuk jam gjykatësi i tij. Unë jam kryeministri i Shqipërisë. Dhe ajo që mund të të them është se, për sa kohë një titull pronësie është i regjistruar në regjistrin e pronave të vendit, ai titull është i ligjshëm. Nëse hetimi tregon diçka tjetër dhe nëse gjykata vendos kështu, atëherë titulli do të vihet në diskutim”, shprehet ai.

Megjithatë, pyetjet e gazetarit nuk ndalen te investimet e Kushnerit. Callaghan kërkon të flasë edhe për raste të tjera të lidhura me korrupsionin dhe për përgjegjësinë politike të qeverisë kur persona të afërt me pushtetin përballen me drejtësinë.

Në bisedë përmenden zyrtarë të arrestuar ose nën hetim dhe investitori strategjik Pëllumb Gjoka. Rama këmbëngul te parimi i përgjegjësisë individuale dhe prezumimi i pafajësisë, ndërsa kundërshton mënyrën se si gazetari kalon nga një rast te tjetri.

“Çfarë po përpiqesh të bësh këtu? Nuk e kuptoj. Nuk jam këtu për të ushqyer kuriozitetin tënd. Ti mund të kesh gjithë kuriozitetet që dëshiron, por a mund të bësh pyetje për faktet dhe projektin, apo je këtu për të kaluar nga një çështje te tjetra?”, reagon kryeministri.

Gazetari i përgjigjet se po përpiqet të kuptojë se si funksionon përgjegjësia për korrupsionin dhe se po i jep kryeministrit mundësinë të sqarojë qëndrimin e tij.

Por tensioni rritet më tej.

“Unë nuk jam këtu për të ndarë ndjenjat e mia me ty, djalosh. Jam këtu për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi faktet. Ti ke ardhur nga Amerika për të bërë çfarë? Për të bërë thashetheme me mua? Unë nuk kam nevojë për mundësitë që më jep ti. Jam këtu thjesht për të të mirëpritur, duke të dhënë me respekt kohën time të çmuar, dhe ti duhet ta përdorësh kohën time me respekt”, i thotë Rama gazetarit amerikan.

Intervista vijon edhe me pyetje për konfliktin izraelito-palestinez, Hamasin, rrezikun e fashizmit dhe të ardhmen e demokracisë.

Rama paralajmëron se dezinformimi dhe polarizimi po dëmtojnë debatin publik, ndërsa e cilëson Hamasin si një shfaqje të fashizmit. Gazetari e pyet nëse rritja e ekstremizmit dhe zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara përbëjnë gjithashtu rrezik për demokracinë.

Kryeministri kundërshton disa prej interpretimeve të Callaghan dhe i thotë se ai po e zhvendos bisedën në çështje që u përkasin amerikanëve.

Në përfundim, Rama e mbyll intervistën duke deklaruar se gazetari duhet t’i diskutojë këto tema me bashkëkombësit e tij. Më pas Rama braktis bisedën dhe largohet.

“Mendoj se diskutimi ishte shumë interesant. Shpresoj që shikuesit e tu të jenë argëtuar. Tani, fusha ku ke hyrë është tërësisht e jotja. Mund të gjesh amerikanë të tjerë për t’i diskutuar këto gjëra. Jam i sigurt se do të gjesh njerëz që mendojnë si ti dhe të tjerë që mendojnë ndryshe. Dhe përsëri do të ketë një konfuzion të madh mes jush, sepse baza e përbashkët ka humbur dhe kështu, të gjithë ne, pa e kuptuar, ndihmojmë që fashizmi të afrohet më shumë”, shprehet Rama, përpara se ta përfundojë bisedën me përshëndetjen: “Faleminderit shumë. Shihemi. Mirupafshim”. /Pamfleti

Andrew Callaghan


Send this to a friend