Rama duke pritur ish-ambasadoren Guilfoyle
Demokratët në Kongresin amerikan kërkojnë hetim të thelluar ndaj ish-ambasadores së SHBA-së në Greqi, Kimberly Guilfoyle, për dyshime mbi përfitime financiare personale, përdorim të ndikimit politik dhe marrëdhënie me interesa biznesi në rajon. Në vëmendje janë edhe kontaktet e saj me kompaninë greke Aktor, ndërsa Guilfoyle ka zhvilluar më parë një takim jozyrtar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, pas marrëveshjes për gazin.
Robert Garcia, kongresmeni demokrat që pritet të marrë drejtimin e Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së, ka paralajmëruar se largimi i Kimberly Guilfoyle nga posti diplomatik në Greqi nuk do të pengojë hetimet parlamentare mbi dyshimet për korrupsion, shpërdorim të pushtetit dhe shfrytëzim të pozitës qeveritare për përfitime ekonomike personale.
Në një letër drejtuar ish-ambasadores, Garcia thekson se kompetencat hetimore të Kongresit nuk kufizohen nga fakti nëse një person vazhdon apo jo të jetë pjesë e administratës federale amerikane.
“Statusi juaj i punësimit, pavarësisht nëse vazhdoni të punoni për qeverinë federale apo jo, nuk ndikon në aftësinë e Komisionit të Mbikëqyrjes për të vazhduar hetimin”, thuhet në letër.
Garcia kërkon që Guilfoyle të ruajë të gjitha dokumentet, mesazhet elektronike, komunikimet zyrtare dhe private, si dhe çdo material që mund të ketë lidhje me pretendimet e ngritura ndaj saj. Kërkesa përfshin si periudhën e shërbimit diplomatik, ashtu edhe kohën përpara emërimit të saj.
Detyrimi për ruajtjen e dokumentacionit shtrihet edhe te bashkëpunëtorët, punonjësit, përfaqësuesit dhe subjektet e lidhura me ish-ambasadoren. Ajo duhet gjithashtu të njoftojë menjëherë komisionin nëse merr dijeni për ndonjë përpjekje për të shkatërruar, fshehur ose mosruajtur materiale që mund të shërbejnë për hetimin.
Letra e re pason dy kërkesa të mëparshme që demokratët i kanë dërguar Guilfoyle më 8 dhe 14 tetor, si dhe një tjetër të datës 30 tetor, drejtuar bashkëpunëtorit të saj, producentit Drew Lynch.
Në qendër të hetimeve janë disa pretendime që ka publikuar gazeta amerikane The Wall Street Journal, lidhur me marrëveshje të mundshme financiare në këmbim të aksesit te zyrtarë të lartë të administratës Trump.
Sipas një artikulli të gazetës, të publikuar më 7 tetor, Guilfoyle dyshohet se i ka kërkuar donatorit republikan Eric Deters të paguante 100 mijë dollarë drejtpërdrejt në llogarinë e saj American Express, për të shlyer një detyrim personal financiar.
Në këmbim, sipas pretendimeve të raportuara, ajo do të ndihmonte donatorin të krijonte kontakte me zyrtarë të lartë të administratës amerikane për çështje personale tatimore dhe ligjore.
Deters dyshohet se kishte premtuar edhe një pagesë shtesë, e cila mund të arrinte deri në një milion dollarë, nëse ndërhyrjet do të jepnin rezultatet e dëshiruara.
Në këtë çështje përmendet edhe Drew Lynch, i cili, sipas letrës së Garcias, dyshohet se ka ndihmuar në organizimin e kontakteve të donatorit me zyrtarë të rëndësishëm amerikanë, përfshirë ish-drejtuesin e shërbimit tatimor IRS, Billy Long, drejtorin e FBI-së, Kash Patel, dhe këshilltarin ligjor Sam Reimer.
Demokratët deklarojnë se kanë shqyrtuar komunikime me shkrim që lidhen me këto kontakte. Vetë donatori republikan e ka përshkruar publikisht marrëveshjen me termin latin “quid pro quo”, që nënkupton dhënien e një përfitimi në këmbim të një favori.
Një pjesë e rëndësishme e çështjes lidhet me aktivitetin e Guilfoyle në Greqi dhe marrëdhëniet e saj me qarqe të biznesit grek.
Duke iu referuar një tjetër artikulli të The Wall Street Journal, të datës 10 tetor, Garcia përmend pretendimet se ish-ambasadorja kishte folur për lidhjet e saj me dy biznesmenë të pasur grekë, të cilët dyshohet se financonin udhëtimet e saj.
Raportimet përfshijnë udhëtime me avionë privatë dhe qëndrime në ambiente luksoze, për të cilat Guilfoyle dyshohet se kishte folur gjatë pjesëmarrjes në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Vëmendje të veçantë merr kompania greke Aktor, e cila vepron në sektorët e ndërtimit dhe energjisë dhe ka interesa të rëndësishme ekonomike në rajonin e Ballkanit.
Sipas letrës së Garcias, Guilfoyle dyshohet se kishte krijuar marrëdhënie të ngushta me një lobist që përfaqësonte këtë grup biznesi dhe më pas kishte ushtruar vazhdimisht ndikim ndaj qeverive të Ballkanit për t’i orientuar drejt dhënies së kontratave kompanisë Aktor.
Garcia ngre shqetësimin se marrëdhënia e ish-ambasadores me lobistin mund të përbëjë konflikt interesi, duke iu referuar një investigimi të The Wall Street Journal të publikuar më 25 shtator.
Këto pretendime marrin rëndësi të veçantë për rajonin, pasi ndërthurin diplomacinë amerikane me interesa private në sektorë strategjikë, përfshirë energjinë dhe infrastrukturën.
Letra e kongresmenit demokrat përmend gjithashtu dyshime për pranimin e dhuratave luksoze nga shtetas të huaj, kërkesa për favore personale në këmbim të ndikimit politik dhe shmangie të procedurave institucionale që synojnë parandalimin e korrupsionit.
Garcia kërkon që ish-ambasadorja t’u përgjigjet kërkesave të mëparshme për informacion dhe të garantojë ruajtjen e plotë të dokumentacionit.
Në një zhvillim që e lidh këtë çështje edhe me Shqipërinë, Kimberly Guilfoyle ka zhvilluar më 13 mars 2026 një takim jozyrtar dhe të paparalajmëruar publikisht me kryeministrin Edi Rama në Tiranë. Sipas raportimit të The Wall Street Journal, në takim morën pjesë edhe biznesmenët Christos Marafatsos dhe Alexandros Exarchou, ndërsa bisedimet u përqendruan te bashkëpunimi energjetik.
Takimi i parapriu marrëveshjes për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm, të nënshkruar më 28 prill në Tiranë, në prani të kryeministrit Rama dhe Guilfoyle. Marrëveshja lidhet me zhvillimin e qendrës energjetike të Vlorës dhe furnizimin afatgjatë me gaz amerikan. Kjo kronologji merr rëndësi në dritën e pretendimeve për ndikimin e Guilfoyle në marrëveshjet energjetike të Ballkanit. /Pamfleti