VOAL

VOAL

Trifon Xhagjika: «Më jepni një top t’i bie sistemit tuaj» Nga Lorena Xhagjika

December 23, 2021

Komentet

LOT PRILLI PËR MARGARITËN- Nga Albert HABAZAJ

 

Ti, që më 2 prill na erdhe
Ti, që më 3 prill na ike,
Më trishtove, keq ma zverdhe
Një këngë të bukur lirike.

Të thura këngë me refren
Tok me Shqiponjat e këngës
Se vjersha për Ramizenë
Të preku telat e zemrës.

Dhe si divë, zëdrithëruese
E këndove shpirtlënduar,
Në përmasa rrezatuese
Ramizenë yllzbukuruar.

Po sa herë ne biseduam
Ti me at’ zë si mjaltë i mallit,
S’mund ta fshij dot, jo, nuk dua
Numrin tënd të celularit…

Prilli i bukurisë tënde
Si Zonjë e Madhe, ikonë
Si Margaritar në mendje
Më vjen, po aq vesë e njomë…

Ti dje festove datëlindjen
“Nderi i kombit”, po thjesht fare,
Sot më shkasin lotët, s’binden
Për ty, Pishë e Bardhë krenare.

Lot me lule prilli janë
Që më dhembin, sa një plagë,
Rolet vijnë, më ulen pranë
I kam për shpirtin mëllagë.

Ti, që loze Ofelinë
Shpirtëmira engjëllore,
Je një tufë me trëndelinë
Qesh si rreze diellore…

28 Mars dita e lindjes e Artistes së Popullit Zoica Haxho Asdurian – E kujton i biri Emil Asdurian

Sot është ditëlindja jote.

Të gjej, siç të kërkoj padashje, gjithandej, shpesh me ndrojtje, me zë të flas dhe endem me ty si në park, në heshtje.

Pres të më thuash çfarë mendon, për ç’ndanim çdo ditë, një pjatë të thjeshtë a lulet që sillje kur ecje në fushë, për njē libër a varg, për një melodi që gati ishe në gjest ta kërceje.

Aty, mbi divan që sapo më shihje tek dera, ngriheshe edhe pse e pamundur, të më jepje një puthje, tek më ndiqje e përmalluar me sy, sikur ta dije.

Tek hyrja e dhomës gjithmonë gjysëm e hapur e drita e zbehtë para se të flije, tek ajo lëkundje ajri që valëzohej kudo si jehonë, tek ajo që mbushte çdo zbrazësi me qenien tënde!

Të ndjej që je brenda meje, shpesh deri në dhimbje, sa veten shkund të mos humbas në humbje.

E përsëri tërësisht më mungon, ngrohtësia e përqafimit tënd, dhe shkëndija e gëzimit tek shikimin yt … si mund i mjeri njeri të mësohet pa të. Hirushja ime, thëngjill zemre!

Zoica Haxho Asdurian, 28 Mars 1933 – 28 Nentor 2024

Burrë i devotshëm e Atdhedashës!- Nga ARIF EJUPI

Himn kushtuar Dr. Ibrahim Rugovës, lider shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës.

 

Ishe mendjendritur e i durueshëm sikur idhulli Yt, Pjetër Bogdani.
I hajthëm, por ambicioz e zemërçelik.
Largpamës e kujdesshëm në çdo hap.
Në kohë stuhish e dallgësh vatrën ndezur e mbajte.
Me gjakftohtësi e me besim të plotë në vetvete e ruajte unitetin në popull.
Me urtësi e maturi ia çjerre maskën xhelatit.
Dy krahët e Atdheut të pushtuar nga korbat serbo-sllavë, e të vrarë nga vetvetja në një sofër i bashkove.
Qiellin e mbuluar nga tymi e të skuqur nga flakët e qetësove.
Tokës ia ktheve ajrin e freskët dhe rrezet e ngrohta të diellit.
Maleve të djegura mugullimin, e fushave të shkrumbuara gjelbërimin.
Me durim e mjeshtëri ua dogje turinj dhe putra pushtuesve shoven,
bijë të Grashaninve, Pashiqve, Çubrilloviqve, Andriqve dhe Qosiqve.
Pas dekadash-shekuj Kosovën, e ktheve nga Lindja në Perëndim.
Heroizmin askujt s’ia mohove. Miq e Aleatë deri në vdekje i nderove.
Ishe dhe do të mbetesh model burri fisnik dhe udhëheqësi shembullor !
Duke qenë i tillë u bëre Kaptinë e veçantë e historisë sonë të lavdishme!

ARIF EJUPI

STOIK DHE I PALUHATSHËM DERI NË VDEKJE!- Nga ARIF EJUPI

Ode kushtuar z.Xheladin Rekaliu, me rastin e 26-vjetorit të kalimit në amshim.

Deri në frymën e fundit luftove për Atdhe, liri, barazi e dritë.
Me shpatën mbi qafë sypatrembur mbrojte Gjuhën amtare dhe Flamurin me Shqiponjën në fluturim.
Lis hyre në Goli-otokun e inkuizicionit mesjetar dhe lis dole.
Edhe pse ishe vetëm 20 vjeç, s’të frikësuan rafalët e kallashëve e as dhëmbët e kallkanëve çatall.
Nuk të thyen burgosjet, linçimet e as izolimet.
Përherë qëndrove stoik, i paluhatshëm, bujar e fisnik.
Me durim e zell i ushqeve ëndrrat tona për Liri e Bashkim Kombëtar.
Me guxim të pashoq i mbrojte rrënjët, trungun dhe degët e pemës Pellazgo-Ilire.
Flamurin e Arbrit të përgjakur në Nish, të përgjysmuar në Vlorë, të ndaluar në Shkup e Preshevë, të ciflosur e të ulur në gjak në Tivar, së bashku me shokë fuqishëm e valëvitët në Prizren, Ferizaj, Tetovë, Gjilan, Besianë dhe Ulpianë!
Saherë valon Flamuri e fluturojnë Shqiponjat jo vetëm Llapi, por të gjithë shqiptarët kanë me të kujtuar si ushtar shembull në mbrojtje të Kështjellës Krutane!

ARIF EJUPI

Vangjush Tushi- Piktor i Popullit, lindi si sot 110 vite më parë- Nga Aleksandrino Ikonomidhi Sulioti

Prozhektori qendror bie në skenë. Errësira përreth. Errësira dhe heshtja. Vetëm pak “pluhur” i ndrojtur guxon të lëkundet në reflektimin imponues të prozhektorit. Në thellësi të kuintave të grisura dëgjohen zëra të shpërndarë që humbasin gradualisht me kalimin e kohës. Në qendër një kavalet i thyer, disa ngjyra të thara mbi një paletë të prishur dhe një penel. Buz kavaletit “lëviz” me përtim një leckë e zezë plot ngjyra që ka mbetur peng në erën e historisë. Portreti gjysmë i përfunduar i një njeriu në një kanavacë të vjetër, mezi dallohet në dritën e historisë. Fytyra i mungon. Dukuri e zakonshme për të “Mëdhenjtë” e këtij vendi.

Dëgjohen hapa. Herë të ngadalta e herë të shpejta, që kërcasin mbi drurin e vjetër të skenës. Pakëz heshtje! Serish gjurmët dhe ritmi i ngadaltë i një rubineti që pikon me harmoni. Nga ana tjetër, tek karriget bosh të një teatri të braktisur qëndron portreti i një njeriu të vuajtur me një republikë. Nuk bën asgjë. Shikon në skenë ndërsa duart i dridhen. A mund ta dalloni atë? Ai është Piktori i Popullit Vangjush Tushi.

Tushi, pa dashur (dhe pa e kërkuar) u lidh fort me Historinë. Jo vetëm me Artin që la pas apo me kontributin e tij në shoqëri, sesa me aspektet personale të vetë jetës së tij. Ai padashje integroi historinë e tij personale në “trupin” e historisë Kombëtare të Shqipërisë. U bë pjesë e legjendës sonë kombëtare duke venë një themel të patjetërsueshëm për historitë e dhimshme të popullit tonë. Personalisht dyshoj nëse ka një histori të ngjashme në ndonjë vend të botës.

Ndoshta pranaj për herë të parë në jetën time u ndjeva krejt ndryshe për dikë që nuk e kam takuar kurrë. Që në momentin e parë që hyra në shtëpinë e tij më funksionoi një ndjenjë e çuditshme. Një misticizëm do të thosha, si ata që ndiejmë në manastire apo vende kulti. Më mbyti një ngarkesë e çuditshme emocionale, me shumë ndjesi që nuk mund t’i përshkruaj me fjalë. Një ngarkesë emocionale që tek unë kombinohet gjithmonë me trishtimin madhështor që kanë imazhet në tempuj dhe statujat në muze.

Një histori u shpalos para meje nga një burrë i panjohur. Një përrallë e çuditshme ose një rrëfim që kam dëgjuar nga vetë ai por me zërin tim. Një përrallë plot emocione, imazhe, udhëtime, ngjyra dhe erëra. Shumë erëra. Si mund të mos tërhiqesh të studiosh jetën dhe gjendjen e një njeriu të tillë, që shpaloset madhërish që nga Korça e rilindjes artistike, në Athinën e periudhës mes dy luftrave, në Romën e Luftës së Dytë Botërore, kthehet në Korçën e kolapsit artistik dhe përfundon në burgun famëkeq të Ballshit. Më thoni ju çfarë drejtësie, çfarë ndjeshmërie dhe çfarë ligjesh njerëzore mund të gjykonin praninë e tij.

Mes qëndrimit tim tek “kulti i Tushit” mbase në mënyrë “indiskrete” lexova letrat e tij nga burgu.

“ Etleva,bija ime e dashur!Gjithmone me shkruan ti Etleva fjale afeksioni duke shprehur ndjenjat e nje bije te dashur ndaj babait.Edhe per mua ti je e dashur dhe dhembshur sidomos per vemendjen time shendetsore te veçante.Ashtu si mami,ti dhe Gjergji jeni krijesat qe merrni pjese si ne gezimet ashtu dhe ne vuajtjet e mia duke qene vite me radhe larg jush. Juve jeni qeniet me te dashura per mua.”

Letra ku shpalosen elementet e thella themelore të personalitetit të këtij njeriu të torturuar. Aty ku shënohet dinjiteti, ndershmëria morale e shpirtërore, qëndrueshmëria, vullneti i fortë dhe trajtimi i guximshëm i jetës së tij martire.

Letra të thjeshta, të cilat nuk janë vetëm një dëshmi e vogël nga ferri i Ballshit, por qëndrojnë si monumente të shpirtit të popullit tonë dhe si kode të një sjelljeje të re njerëzore plot me shtrirje intelektuale, mendje të mprehtë kritike dhe humanizëm, një humanizëm të thellë të lindur dhe të plotësuar me kultivimin shpirtëror e mendor si një ofertë. Fillimisht për familjen e tij, pastaj për popullin dhe në fund për historinë. Pasi këto janë ato ofertat që rinovojnë historinë njerëzore.

Ai lindi si sot 110 vjet më parë.

Vangjush Tushi- Piktor i Populli

 

 

 

 

 

RA DHE LISI I KATËRT I NJË FISI ATDHETAR- fjala e përcjelljes së Kanan Karefil Canodemoj- Nga Albert Habazaj

 

Vranisht: 15.05.1952 – Tiranë: 16.12.2024 -Vranisht: 17.12.2024

 

Të nderuar pjesëmarrës në këtë ceremoni mortore kaq të ligsht!

Ra dhe lisi i katërt i babë Karafil Mingos dhe nënë Selime Hysenes…
Dje, të hënën e 16 dhjetorit 2024 në spitalin e Tiranës, në moshën 72-vjeçare, ra, për të mos u harruar kurrë, i paepuri i Vranishtit e na lëndoi zemrat, se mbylli sytë trimi që qëndroi burrërisht ndaj sëmundjes së papritur, trimi që luftoi si hero ndaj padrejtësive. Ra e la pas Feron – këtë amazonë aq të përkushtuar ndaj tij. Ra e la dy motrat: Mexhite Canodemaj Ribaj dhe Dudë Canodemaj Ramadani, shumë të lënduara në gjak në shpirt e në kockë për vëllain e vogël me merak të madh… La pas nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa, miq e shokë, dashamirës të shumtë, që sot po e përcjellim me pikëllim, lot e keqardhje. Kishin kaq kohë që e prisnin vëllezërit, pranë prindërve…
Kanan Karefil Canodemoj ka lindur më 15 maj 1952, në periferi të Vranishtit, në Gryka. Dy prindërit e tij, Karefil Mingo Canodemoj dhe nëna Selime Hysen Hibraj (Canodemoj), ishin njerëz të thjeshtë, të rritur bonjakë, por shumë patriotë, të drejtë, të ndershëm, humanë dhe të dashur, të cilët lindën, edukuan dhe rritën 8 fëmijë shumë të mirë: Alushin, Sulejmanin, Mersinin, Selimin e pafat; e pesta ishte vajza e madhe Mexhitja, fëmija i gjashtë Enveri tragjik; fëmija tjetër, e shtata ishte vajzë – mësuese Duda dhe Kanani, që përcjellim sot për në banesën e fundit qe fëmija i tetë e i fundit. Unë nuk do të bëj biografinë e Kananit, se ju e njihni mirë e unë kam shkruar për të sa e sa herë, pasi më ka pasur redaktorin e tij besnik në të 5 librat e botuar, por do të ndalem në nja dy cilësi, vlera e virtyte të tij, ku spikati jo vetë si ushtarak i talentuar në specialitetin e vështirë të Zbulimit, por, së pari, si njeri me cilësi të larta shoqërore. Si oficer karriere, ai i ngjiti shkallët hierarkike vetëm me ndershmëri profesionale e zotësi, deri në funksionin e Shefit të Zbulimit të Divizionit në Peqin apo si Zëvendës Komisar i Brigadës së Ishullit të Sazanit.
Në vitin 1976 fejohet me Feride Sabri Skëndomemoj dhe një vit më vonë, në vitin 1977 martohen dhe formojnë familjen e tyre të pastër, të bukur, fisnike…
Akademisti Kanan Canodemaj, në vitin 1997 emigron me familjen në Athinë – Greqi, ku punoi me djersën e ballit dhe u kthye me familjen në Atdhe në vitin 2012, mbas 15 vjetësh emigracion. Në vitin 2017 doli në pension dhe, sa rrojti, qe një zotni burrë, i mprehtë, i vërtetë, parimor, polemist, por po aq dashamirës.
Veprimtarinë e tij krijuese e ka filluar herët me vjersha, që në shkollë në fshat, të cilat i përmblodhi në vëllimin poetik “Gurrë Nostalgjie”, me 60 vjersha, që e botoi në vitin 2012, me rastin e 60 vjetorit të lindjes. Emigracioni në dhè të huaj, por veçanërisht humbja para kohe e vëllait të tij Mersinit, ja ngacmuan prirjet e tij krijuese dhe atje filloi të shkruaj, si në poezi dhe në prozë. Krijimtaria e tij e parë është libri monografik kushtuar vëllait të tij Mersinit me titull “Meteori Vranishtit” në vitin 2009, libri dytë është botimi në vitin 2012 të Historikut të fisit të tij me titull “Canodemojt (Mingajt), jeta dhe historia e tyre në shekuj”, i treti libri me vjersha, që cituam; librin e katërt e botoi në vitin 2021, me titull “Skëndomemojt në rrënjët e Vranishtit”, ndërsa monografinë që i dha emër në rrethet intelektuale dhe të studiuesve “Vranishti dhe Hora, bashkë që nga lashtësia”, që është dhe libri i tij i pestë, e botoi në vitin 2022.
Por vepra e tij e veçantë, ndërkohë unikale deri më sot, në njohjen time, është Piktura murale apo Hartopiktura po me të njëjtin titull: “Vranishti dhe Hora, bashkë që nga lashtësia”, vendosur në faqe të murit të shtëpisë së studiuesit ushtarak Kanan Canodemaj në Ujë të Ftohtë, Vlorë. Ajo vjen si një superpikturë në 16 m² dhe është prodhim i dobishëm i një pune sa të lavdërueshme, aq të mundimshme shumë vjeçare e këtij autori të përkushtuar që, sa qe, s’njohu lodhje për të shpalosur të vërtetat e historisë së ndodhur e të jetuar të të parëve në ato troje të lashta, që rrënjët i kanë të thella në legjendat jashtëzakonisht madhështore. Nga shtëpia e tij, atë hartopikturë me shpirtin bujar që e karakterizonte e përjetësoi në faqen e murit në qendër të fshatit Vranisht, si një dhuratë të çmuar për brezat e sotëm dhe ata që do të ngrihen në Vranisht, po aq edhe në funksion të turizmit kulturor dhe historik të atyre trevave magjike me bukurinë që u ka falur natyra dhe traditat më të mira të banorëve që trashëgohen si stafetë nga brezi në brez.
Për Kananin mund të flas shumë e prapë s’i them dot të gjitha, por pa u futur në hollësira, po rikthehem pak tek libri i parë “Gurrë nostalgjie” me 60 vjershërime, ku vërtet vargjet e shpirtit ngjyhen me dashurinë për vendlindjen dhe njerëzit e saj. Janë prekëse sidomos 16 faqet në fund të librit, që vijnë në trajtën e një vjershe të gjatë apo poeme me titull “Rrëfim për njerëzit e drejtë” (refleksione në 60 vjetorin e lindjes), thurur me duf, zemëratë e shqetësim qytetar në Tiranë, në spital të martën e 31 janarit 2012, të cilat ndryshe ishin formatuar për t’u reflektuar nga autori, por ngjarja e befasishme që i ndodhi me shëndetin në ato momente e detyruan t’i transformonte me atë përmbajtje realiste e tronditëse se ishin të vërteta, të sinqerta, pa komplekse e drithëruese, ndërkaq, aty gjejmë jetëshkrimin e tij të deriatëhershëm, pa emocione, por me njohjen racionale të një njeriu të rrahur me vaj e me uthull për gjysmë shekulli e një dekadë ngarkuar. Më shumë se vargje ato janë thirrje për jetën, alarm human për të tërhequr vëmendjen qytetare ndaj atyre zanatçinjve që na shohin si shqerrat kur u biem në dorë për probleme shëndetësore. Pësimi im të bëhet mësim e përvojë për ju – ky është mesazhi që del nga leximi i këtij materiali tronditës. Këto fjalë në vargje janë skaner për mjekët e sotëm, konkretisht për ata doktorë që janë shndërruar në exhelë, në shtriga e shtriganë. Apel për njerëzit më shumë  se sa një material artistik është ky poemth social i kohës së sotme.
Kanan Canodemaj, që do të ngelet në kujtesën e fshatit, të miqësisë dhe shoqërisë së gjerë, si një nga djemtë e mirë dhe intelektualë të Vranishtit, një atdhetar i devotshëm që bëri shumë për vendlindjen, jo për t’u dukur, por sepse e ndiente së brendshmi, por na iku para kohe si një meteor dhe na lëndoi. Kjo ikje fatale qe kaq e papritur dhe e pamerituar, shumë e trishtueshme, që na hidhëron të gjithëve.
Fero, Mexho, teze Duda, nipër e mbesa!
Forcë e kurajë!
I dritëroftë kujtimi korrektit Kano!
Në kujtim të dajo Kananit, ju kërkoj të mbajmë një minutë heshtje!
I pa harruar!

Vranisht, e martë, 17 dhjetor 2024

Fisniku i fjalës se mençur (Mikut Sejdi Berisha)- Nga NEKI LULAJ

Nuk do vijë me si me parë
Buzë Lumbardhit të Blini plak
Ku dikur llafosnum e gjebronim kafet
Si miku me mikun në konak
Lumbardhi rrjedhë e rrjedhë pikëllueshëm
E mbi te po bie shi pa pra
Bashkë nuk do jemi me si me parë
Rrjdhë o lum  gurgullo me valët e tua pa pra.
Te erdhëm pa paralajërim për vizitë në shtëpi
Me mall e lotë me prite ke porta
Çuditërisht me the O sa me keni munguar
E kam ditur qe sot keni për t`me vizituar o mik o dost.
Me pyete mes lotëve për miqët e shumt te artit
E boca e Oksigjenit punonte pa pushim
Me premtove se shpejtë do te  sherohesh e forcohësh
Te Blini i poetve do rrufatim i sërish kafen e ngrohët.
Por çuditërisht ti na mashtrove
Na ike si gjethi i vjeshtës  mes ndërskemcave te kohës
Urtaku i rrallë e latuesi i vargut
S`pajtohëmi qe  na ike ne ameshim pa lamtumirën tonë..
Sigurisht kur mesnata bënte hapat e saj
Ti luftoje me dhembjët e mushkrive dhe pagjumësin
Hëna memece e varur si strajcë e pikëlluar
Jeta mbi ty shkruante testamentin e poezinë.
Tiktakët e orës se murit ecnin me ritmin e zemrës
Akrepat e lodhur përpiqeshin te shënonin ditën e re
Mbi qepapallat e lodhura dhe mushkrit e shkatrruara
Nga kolla po ikën ne këtë shekull Migjeni i ri.
Në këtë dhjetor  po digjën meteoret
Ti rri i heshtur si një perendi
Sejdi Berisha ne jemi të strukur ne Liqenin e lotëve
E kemi të pa mundurën qe të flasim me ty.

Jeta kulturore në Gjakovë: Akademi kushtuar Anjezë Gonxhe Bojaxhiu- SHËN NËNË TEREZA- Nga TAHIR BEZHANI

 

NJË PËRKUJTIM DINJITOZ I NËNË TEREZËS ME RASTIN E 45 VJETORIT TË NDARJËS SË ÇMIMIT NOBEL PËR PAQE.

 

Sot, me 10.12,.2024 në sallën “Teki Dervishi” në bibliotekën e qytetit në Gjakovë, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, drejtuar nga Prof. dr. Ruzhdi Sefa e në bashkëpunim me Rrjetin Intelektual Shqiptarë, organizoi Akademi përkushtuese me rastin e 45 vjetorit të ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza . Një pjesë të biografisë, veprës së Nënë Terezës, të pranishmit e përcjellën përmes monitorit në sallë. Moderimin e kësaj Akademie e udhëhoqi me zgjuarsi z. Albiona Bytyqi nga Gjakova.

Z. Zef Prenka gjatë kumtesës së tij

Në këtë akademi i pari që mori fjalën ishte z. Zef Prenka, i cili në fjalim e tij të thukët, pos tjerash ceki se “ jemi mbledhur këtu për të përkujtuar dhe nderuar një prej figurave më të ndritura të historisë së kombit shqiptar dhe të botës- Shën Nënë Terezën, ose Nëna e botës së mjerimit, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, pikërisht me 10.Dhjetor, të vitit 1979” Mëtej z. Zef Prenka në fjalimin e tij shtoi se Nëna Terezë është një mundësi për të reflektuar mbi vlerat e paqes, dashurisë dhe solidaritetit, të cilat janë thelbësore për formimin e bashkëjetesës dhe identitetit kombëtar”.

Z. Dr. Edita Tahiri, veprimtare e njohur nga vitet 90-ta, gjatë kumtesës se saj

Pas zotëri Zef Prenka, fjalën e mori zonja Edita Tahiri, e cila në kumtesën e saj shpalosi vlerat fondamentale në këndvështrimin kombëtarë-humanitarë-diplomatik të Nënë Terezës. Ajo në kumtesën e saj, u ndal në disa momente kyçe të takimeve me të madhen Nëna Terezë, në Romë e Prishtinë, duke veçuar madhështinë e saj dhe mos harresën për popullin e saj, atë kujtesë që bartë thellë historinë e stërvuajtjeve të gjata të popullit nga i cili doli Nënë Tereza. Shenjtëresha jonë, Nëna Terezë, kombit shqiptar ia la lavdinë e përjetshme në tërë rruzullin tokësorë. Ndër të tjera z. Edita Tahiri, me nostalgji ceki momentin kur Nëna Terezë, në njërin nga takimet, ia kishte dhuruar një zingjir ari, në shenjë kujtimi e respekti, të cilin ua tregoi të pranishmëve në sallë. Ishte një nga momentet nostalgjike dhe i ndjeshëm për auditorin e pranishëm.

Dr. Dom Lush Gjergji, me rastin e kumtesës në Gjakovë.

Folësi më i dashur dhe shumë i pëlqyer ishte studiuesi biografik e bibliografik i fikurës së Shenjtëreshës Nëna Terezë, z. Dom Lush Gjergji, autor i mbi njëzet veprave shkruar vetëm për këtë figurë markante të kombit tonë. Ai foli gjatë për Nënë Terezën, duke shkoqitur pjesë të ndryshme të biografisë se saj, me fjalë të zgjedhura, emocionale, fjalë shpirti e zemre. Fjala e dom Lush Gjergjit u prit nga audienca me kureshtje të veçantë nga se masa e njeh prej moti, jo vetëm si një studiues të Nënë Terezës, por si një veprimtarë i devotshëm, i pandalshëm që nga vitet 90 ta, i cili së bashku me plejadën e asaj kohe, kurrë nuk pushoi për të mirën e vendit, kombit. Mes tjerash, z. Dom Lush Gjergji, në fjalimin e tij karakteristik, ceki se njeriu punën e mëdha e fillon nga të voglat, kur ato nisen nga shpirti dhe pastërtia shpirtërore. Veprën jetësore të Nënës Terezë duhet ta kemi si pikësynim të jetës për të afruar vlera njerëzore në vepër, për njerëzimin kudo në botë. Këtë na mëson humanizmi i papërshkruar i Shenjtores sonë, Nënë Tereza.

Pamje e auditorit gjakovar, interesim i jashtëzakonshëm

Në mbarim të fjalës së z. Dom Lush Gjergji, auditori e priti me duartrokitje të gjatë, në shenjë falënderimi për fjalët plot mirësi, edukatë, si udhërrëfim i karakterit dhe humanizmit gjithë shqiptarë.

Autori i tekstit me Dr. Dom Lush Gjergjin, pas akademisë.
Në fjalën mbyllëse të kësaj Akademie përkushtuese në 45 vjetorin e ndarjes së Çmimit Nobel për Paqe Nën Terezës, prof.. dr. Ruzhdi Sefa, drejtuesi i Shoqatës së Intelektualëve “Jakova” në Gjakovë, falënderoj nga zemra të gjithë pjesëmarrësit në sallën përplot, folësit në Akademinë solemne ,z .Zef Prenka, Edita Tahiri dhe z. Dom Lush Gjergji .

Gjakovë,10.dhjetor,2024 Tahir Bezhani

S’të vranë ty… (Elegji kushtuar Martin Canit, vrarë pafajësisht, në ambientet e shkollës, më 18 Nëntor 2024)

 

S’të vranë ty Martin,

vranë Shqipërinë!

S’të hoqën ty,

hoqën lirinë!

 

S’të varrosën ty Martin,

varrosën drejtësinë!

Kur mizorisht

të shuan fëmijërinë.

 

Ç’të qajmë ty Martin?

Qajmë pafajësinë.

Dhe lutemi që njerëzit

të njohin Dashurinë.

 

Familja e ky popull,

për ty s’do të marrin hak.

Se jeta jote e bukur,

s’paguhet me gjak.

 

Megjithëse kjo humbje

të gjithëve na pikëllon,

besimi yt i pastër,

për falje na mëson.

 

Martin, vëlla i vogël,

vdekja jote s’shkon kot,

përderisa besojmë

tek i madhi Zot.

 

Sa të bie dielli

akoma mbi këtë dhé,

Martin, o bir i dashur,

i shenjtë ti je për ne!

 

S’të vrau Mario, o Martin,

por e gjithë Shqipëria,

se është një popull,

që po vdes nga padija!

 

Prehu i qetë vogëlush,

se shumë e deshe jetën.

Kush të ka vrarë ty,

ka vrarë të vërtetën.

 

Lart nga qielli i kaltër,

ku tashmë s’ka asnjë re.

Martin, o biri ynë,

lutu ti për ne!

 

Nikolin Sh. Lëmezhi

Kallmet (Lezhë), më 24. 11. 2024

HYJNESHA IME Kushtuar nënës sime me rastin e 15-vjetorit të vdekjes- Nga ARIF EJUPI

 

 

Fjala nënë është më e vlefshme se floriri e ari,
qoftë bekuar ai që e shqiptoi i pari!
Nëna, simbolizon dashurinë, mirësinë dhe qëndresën.
Nëna simbolizon besën, sakrificën e flijimin.
Nëna simbolizon dhembshurin, pendimin dhe faljen.
Nëna është jetëdhënëse.
Nëna është diell e hanë.
Emrin e saj hyjnor të gjithë e thërrasim me plot ngrohtësi,
që nga lindja e deri në përjetësi.

Gjenevë, 5 dhjetor 2024

ZJARR MALLI I PASHUAR ( mikut e poetit Sejdi Berisha, i cili, këto ditë iku në amshim )- Nga Tahir Bezhani

 

Më mashtrove miku im…

Në ndarje më fole në përsëritje
Se do pimë kafe në Bajram Curri
Do bëhemi së bashku si dikur
E do flasim me zemër e shpirt të dlirë
Do përqafohemi fort te pishat
Të flasim pafund për letërsinë…

Ti ike….

Ike tinëz pa lamtumirë
Pa përqafim e shtrëngim eshtrash
Më le të vyshkur, si të shkretë
Në lëndinat e mallit duke bredhur
Në ballafaqim me erërat e mallit si zjarr
Duke të shikuar qyteteve tona kudo
E lotët ndalen në hijen tënde
Në atë fushë balli plot krenari
Aty ku shëtisin kohët si në log betejash…

Pushojnë kujtimeve mes vargjeve tuaja
Zjarrmia rritet shtatit të degdisur
Malli ngjeshet qepallave si dru i djegur
Si kore buke e çerepit nën saç…

Djersë të valëta pikojnë poreve të shtjerrëta
Sytë nguliten te Blini i Poetit te ”Dukagjini”
Oh! Sa kujtime u derdhen nën aromën e tij
Sa piskamë lëshon dhimbja e heshtur
Fshehur në shpirtin tim të ganduar
Frymëmarrja zvogëlon diafragmën
Zemra zvogëlon ritmin përplasjeve
Gjoksi më dridhet si shelgu
E si t’ia bëj o miku im pa ty…

A t’i flas Lulit, Rremës e miqve tjerë
Se ike pa përqafimin tonë?…

Fol, fol!.. Si t’ia bëjë
Apo ty të morën me nguti në qiell
E nga andej na mëshiron zemrat
Atje bën dritë të përhershme
Si meteor shkëlqen gjithësinë
I pavdekshëm mbetesh përgjithmonë
Miku im i shtrenjtë…

Gjakovë,05.12.2024

Shuhet në moshën 100-vjeçare shkrimtarja Mynevere Shuteriqi

Ndërron jetë në moshën 100 vjeçare, shkrimtarja Mynevere Shuteriqi, bashkëshortja e akademikut dhe shkrimtarit të shquar Dhimitër Shuteriqi.

Mynevere Shuteriqi ka lindur në Gjirokastër më 21 qershor 1924. Babai i saj, nëpunës pyjesh, kishte botëkuptim liberal; rridhte nga një familje e mesme, por e vlerësuar në qytet.

Vitet e fëmijërisë ajo i kaloi në Delvinë, ku u transferua i ati. Pasi mbaroi shkollën fillore me nota të larta, ai e regjistroi në Institutin Femëror në Tiranë, i cili quhej Instituti Femnor “Nana Mbretneshë” në kohën e Zogut.

Më 1943, kur Myneveri ishte në maturë, shkolla Normale u mbyll. Diplomën e mori pas çlirimit si shumë të tjerë.

Pas vdekjes së Dhimitrit, Mynevere botoi librin me kujtime “Një jetë në dashuri”, në të cilin jepen episodet e veçanta të një jete të përbashkët, duke skicuar njëherësh një portret të pazakontë të Shuteriqit, të dashuruar me gjithçka të bukur e të shtrenjtë dhe të Shuteriqit punëtor të palodhur të kulturës shqipe.

Ajo, gjithashtu, ka punuar pareshtur për të nxjerrë edhe më në dritë veprën e tij me kujdesin për botimin e teksteve që i kishte lënë gati për botim, me përgatitjen e atyre që la në dorëshkrim, me zbulimin e teksteve të reja dhe me sistemimin e ditareve e të shkrimeve të panjohura të tij, disa prej të cilave janë botuar në shtypin e përditshëm.

Mynevere Shuteriqi është gjyshja e shkrimtarit e politikanit Ben Blushi. bw


Send this to a friend