Në kafenenë ballkanike vdekja ndērroi tavolinën
i fishkëlloi vetë Zotit dhe porositi
masakër shqiptare të pjekur në zjarr shtëpish
Femijët me nga një grusht plumba në gjoks
ikën në parajsë
mbetën vetëm varret e vockla të tyre
si farë e ndërgjegjes njerëzore
Në këtë natë të mbarsur me klithma
dhembja e ka shijen e shpëtimit të hidhur
murit të tejdukshëm të mëngjesit
kacavaren lulet e çelura të çmendjes
.
Ne tokën e zaptuar
kafshët e lira kullosin dhembje njerëzore
zorrëve të elitës politike majmen skratë
shqiponja klith sikur e shpuplojnë për së gjalli
dita zgjatet sa kërcen gjeli
kur i këputet koka
përzihen muret e ëndrrës dhe zhgjëndrrës
Nè kohë anormale të jesh normal është anormale
si kjo këngë vaji e nënës që nxin qiellin
e kthehet në një tè vetme pikë shiu me shije loti
që të bie në copën e bukës së thatë që e ha fëmija
tek ecën kah e ardhmja
.
Më pëlqejnë gjërat e zakonshme
kafeja e zezë
tavolina plot me ushqim
me goxha verë të kuqe
një libër të mirë
shëtitja në të njëjtën rrugë me qenin tim
dhe kur vjen nata
gruaja nè shtrat
I vetmi vend i zakonshëm që e urrej
është vdekja
.
Shënime për autorin:
Xhevdet Bajraj u lind me 6 mars 1960 dhe vdiq më 22 qershor 2022. Është poet dhe përkthyes. Ka marrë disa çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe është përfshirë nëpër antologji të ndryshme në gjuhë shqipe, spanjolle, turke, angleze dhe serbe.
Komentet