Voal – Trafiku i armëve, fillmi hollivudian për Diverolin “Qentë e Luftës” në kinematë amerikane
Shtëpia shumë e njohur kinematografike e Hollivudit, Warner Bros. Pictures, më datë 19 gusht 2016 do të prezantojë premierën e filmit “War dogs”, “Qentë e luftës”, me regji dhe skenar të Todd Phillips, autorin e Trilogjisë së famshme “Hangover”, e cila njihet si një ndër filmat që ka thyer rekorde të shikueshmërisë në botë me një inkasim prej 1.3 miliardë dollarë.
Bradley Cooper, aktori hollivudian me famë botërore është një prej producentëve të këtij filmi dhe pjesëtar i kastës së aktorëve që marrin pjesë në të.
Jonah Hill një tjetër yll i kinematografisë së Hollivudit, fituesi “Oscar” me rolin e partnerit të Leonardo Di Caprio të “The wolf of Wall street”, ka interpretuar rolin kryesor të Efraim Diverolit, personazhit real të njohur edhe nga publiku shqiptar në vitet 2007-2008, i cili së bashku me ish biznesmenin (e ndjerë) Kosta Trebicka nëpërmjet një bisedë telefonike hodhën dritë mbi një aferë të djalit të ish-Kryeministrit Sali Berisha mbi trafikun e armëve që zhvillonte shteti shqiptar në atë kohë.
Subjekti i filmit sipas “Dita” i referohet një ngjarje të vërtetë, e cila është përshkruar në një shkrim të gjatë investigativ të botuar në revistën prestigjioze amerikane “Rolling Stone” në Mars 2011 nga publicisti, shkrimtari dhe gazetari amerikan, Guy Lawson.
Shkrimi mban titullin “The Stoners Arms Dealers: How two American kids became big–time weapon traders”- and how the Pentagon later turned on them: “Mall-iste dhe biznesmenë armësh: Si arritën dy çunakë amerikanë të bëhen grosistë të mëdhenj të tregtimit të pajisjeve luftarake dhe si Pentagoni i kapi më pas…”
Autori Guy Lawson, ngjarjen e treguar me hollësi në këtë artikull e ka detajuar edhe më shumë në librin e botuar, me titull “Arms and the dudes” (Armët dhe çunat), publikuar në 21 korrik 2015.
Ngjarja që bëri shumë bujë u demaskua fillimisht nga prestigjiozja, “The New York Times” në Mars 2008 me një artikull bombë në faqe të parë “Hetime për furnizuesit me armë për qeverinë afgane”.
Gazeta, revista, romani, por edhe filmi “War dogs”, i cili ka premierën e shfaqjes së tij të premten e datës 19 gusht hedhin dritë mbi një skandal politik-tregtar-ushtarak, i cili ndodhi në vitin 2007.
Protagonistët e tij ishin dy njëzet vjeçarët amerikanë Efraim Diveroli (22) dhe David Packouz (25), të cilët krijuan një kompani fantazmë “AEY”, për tregtimin e armëve luftarake, e cila arriti të depërtojë dhe të fitojë një tender prej 300 milionë $ nga Pentagoni për armatosjen e aleatëve afganë në luftën e tyre kundër talebanëve dhe Al-Kaedës.zeni-150×150
Kontrata me Pentagonin parashikonte furnizimin me municione fishekë (100 milionë) për pushkët automatike AK-47 të forcave të qeverisë afgane. Nga dy protagonistët Efraim dhe David) ky lloj municioni, u gjet shumë lirë për t’u blerë në Shqipëri.
Ata përdorën një njohje që kishin me Heinrich Thomet, biznesmen “armësh” zviceran, i cili nga ana e tij kishte lidhje të forta me qeverinë shqiptare. Në Shqipëri, municionet që kërkoheshin mund të bliheshin shumë më lirë se në vende të tjera të ish-lindjes komuniste.
Zvicerani Heinrich Thomet kishte bërë edhe më parë tregti armësh me qeverinë shqiptare dhe mbante lidhje të forta me ta.
Por, ai ishte gjithashtu në “vëzhgim të shtuar” prej kohësh nga qeveria e SHBA-ve, pasi ishte dyshuar për bërje kontrabande armësh apo thyerje të embargove të tregtimit të tyre në vende si Iraku apo Zimbabve.
Heinrich Thomet kishte krijuar një kompani fantazmë offshore të quajtur “Evdin” me qendër në Qipro dhe aktivitetin e ndërmjetësuesit për blerje dhe rishitjen e armëve e zhvillonte nëpërmjet saj.
Meqenëse qeveria e SHBA nuk dëshironte të bënte tregti direkte me një vend të korruptuar dhe të paqëndrueshëm si Shqipëria, Efraim Diveroli dhe shoku i tij David Packouz, menduan që të shmangin vëmendjen e Pentagonit duke i blerë municionet jo direkt nga Shqipëria, por nga një kompani tjetër me qendër në Evropë dhe me pas armët do dërgoheshin në Afganistan. Kompania “Evdin” e Heinrich Thomet u mendua nga djemtë se ishte perfekte për këtë punë.
Kompania “Evdin” do blinte municionet nga kompania shtetërore shqiptare e eksportit të armëve “Meico” (drejtor Ylli Pinari) dhe më pas do ia shiste ato çunave të “AEY”-se.
“AEY” nga ana e saj, më pas do ta dërgonte ngarkesën e municioneve si porosi dhe kontratë të përmbushur për Pentagonin në Afganistan. Ky operacion tregtar parashikohej t’i pasuronte dy djemtë e “AEY”-se me 30 milionë $.
Ata kishin llogaritur që do t’i blinin fishekët me 4 cent copa nga zvicerani i kompanisë offshore “Evdin” dhe do ta paraqisnin si shitje me 8-10 cent copa para autoriteteve amerikane.
Ndërkohë që, Henrich Thomet forta i “Evdin” nëpërmjet njohjeve të tij të forta, po e blinte municionin nga qeveria shqiptare vetëm me 2 cent copën.
Filmi
Problemi i paparashikuar për aferën shumëmilionëshe lindi në Shqipëri. Alex Podrizki, i dërguar në Tiranë nga Efraim Diveroli dhe David Packouz për të kontrolluar cilësinë e municionit që do dërgohej si pjesë e parë e operacionit të blerjes, konstatoi se municioni ishte në kuti të paketuara metali me mbishkrime në gjuhën kineze.
Dihej që qeveria amerikane dhe vetë Pentagoni nuk lejonte të bëhej tregti me armët kineze, pasi kishte vendosur një embargo ndaj blerjes së tyre që në vitin 1989, për shkak të ngjarjeve të zhvilluara në “Sheshin Tienanmen”.
Malli “kinez” ishte pengesë dhe nuk lejohej që armët apo municionet e kësaj marke të tregtoheshin nga qeveria amerikane, por edhe nga kompanitë që bashkëpunonin me të.
Për këtë shkak, lindi nevoja e vazhdimit të operacionit duke fshehur “logon” kineze dhe ripaketuar municionet nga arka metali në kuti kartoni pa mbishkrimet origjinale. Këtë operacion “ripaketimi” të të gjitha municioneve do ta kryente Kosta Trebicka, një biznesmen shqiptar me qëndrim të mëparshëm në SHBA, i cili kishte krijuar njohje edhe me Efraim Diverolin gjatë aktivitetit të tij.
Kosta Trebicka filloi punën e ripaketimit me kompaninë e tij në Shqipëri dhe në një moment në mes të realizimit të saj, u njoftua se duhet ta ndërpriste atë.
Ky lajm iu transmetua nga ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu, i cili i bëri me dije se punën “ripaketim” të nisur prej tij do ta vazhdonte një “shoku i djalit të Kryeministrit”, pra shoku i Shkëlzen Berishës.
Kosta Trebicka refuzoi të pranonte me qetësi largimin e tij nga puna e nisur. Duke pasur dijeni për të gjithë këtë aferë ai reagoi ashpër dhe ushtroi presion edhe mbi vetë Efraim Diverolin, bashkëpunëtorin e tij.
Kosta Trebicka filloi të denonconte aferën e “armëve” publikisht, ku edhe shpërndau një bashkëbisedim telefonik të incizuar ndërmjet tij Efraim Diverolit. Biseda ndërmjet tyre dhe fjalët e Efraim Diverolit implikonin rëndë qeverinë shqiptare në nivelet më të larta të saj.
Biseda tregonte se “Ylli Pinari drejtori i “MECO” ishte urdhëruar të kryente procesin “ripaketim” me një kompani tjetër dhe kjo ishte një situatë e pakthyeshme pasi ndërhyrja ishte organizuar në nivele shumë të larta nga vetë kryeministri dhe djali i tij”.
Efraim Diveroli në një moment të kësaj bisede telefonike deklaron se, “me mafian shqiptare nuk mund të merret…kafshët kanë dalë jashtë kontrollit.”
Afera e ripaketimit u krye nga kompania e imponuar nga Shkëlzen Berisha dhe babai i tij Kryeministër i Shqipërisë, dërgesat “kineze” të fishekëve u transportuan për në Afganistan dhe paratë e kontratës 300 milionë $ filluan të derdhen në llogaritë e “AEY”, ndërsa Kosta Trebicka vazhdoi përpjekjet e tij për të demaskuar publikisht këtë akt korruptiv si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë saj. Ai shkoi edhe në SHBA për të vazhduar këtë mision.
Në gusht 2008 prej denoncimit të një kompanie të madhe amerikane të tregtisë së armëve, u hap një investigim shtetëror për cilësinë “kineze” të municioneve që kishte tregtuar kompania e “djemve të shkathët”, “AEY”.
Për këtë qëllim u ngrit një komision hetimor nga Kongresi Amerikan, i pasuar edhe nga një hetim i FBI-së. Kosta Trebicka u thirr në SHBA në një nga seancat dëgjuese të punës së këtij komisioni.
Pas deklaratave të tij fillestare para komisionit hetimor amerikan, të cilat do pasoheshin nga seanca të tjera pyetjesh, Kosta Trebicka në një pasdite të shtatorit 2008 u gjet i vdekur – “i aksidentuar” pranë një rruge fshati të jugut të Shqipërisë.
Tregohet nga dëshmitarët se ai ishte ende i gjallë kur u gjet nga disa fshatarë të zonës dhe se polici i parë që mbërriti në vendngjarje ishte Agron Kuliqi, ish-truproja e ish-Kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, por nuk ka hetime dhe gjithçka ka mbetur histori gazetash.
Pas bastisjes nga autoritetet e FBI-së të zyrave të kompanisë fantazmë “AEY”, afera demaskohet plotësisht dhe dy “çunat e shkathët” arrestohen. Efraim Diveroli dënohet me 4 vite burgim ndërsa bashkëpunëtori i tij David Packouz vuajti disa muaj arrest shtëpie.
Rreth aferës me të cilën merret filmi, skenari i të cilit thuhet se është i mbështetur në nje ngjarje reale, janë akuzuar edhe Shkëlzen Berisha, i cili i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa babai kryeministër mbrojti pafajësinë e tij dhe të qeverise që drejtonte. Asaj kohe Berisha do ta quante gazetën “The New York Times” e cila e denoncoi aferën – “letër higjienike”.
Komentet