VOAL

VOAL

THIS IS A FREE KOSOVA SPEAKING- BY MSc. AGIM ALIÇKAJ

October 4, 2022

Komentet

ARDON JASHARI SË SHPEJTI NË FC BRUGES TË BELGJIKËS- Nga ARIF EJUPI

Sipas z. Remo Meyer, drejtor sportiv i FC Luzern anëtar i elitës së futbollit zviceran mesfushori i spikatur dhe kapiteni i kësaj skuadre Ardon Jashari përfundimisht do të kalojë në FC Bruges të Belgjikës.
Jashari sikurse shumë të rinj të tjerë shqiptarë talentin e tij për futbollin e ka praktikuar me punë të pareshtur dhe disiplinë.
Ai qëkur ishte 7 vjeç nisi të luajë në skuadrën e futbollit FC BAAR të kantonit Zoug të Zvicrës.
Loja e shkëlqyer e Jasharit në këtë ekip do të bëjë që shumë shpejt udhëheqësit e Akademisë së FC Luzern të shprehin interesim për këtë talent të rrallë.

Ardoni i vogël  i mirëpritur dhe i përkrahur parezervë nga elbasanasi Jahmir Hyka ish-futbollist shumëvjeçar i FC Luzern-it.
Ardoni si 11 vjeçar do të kalojë nëpër të gjitha kategoritë e skuadrës FC Luzern. Këtu duke qenë i mbikëqyrur nga trajnerë profesionistë në afat rekord do t’i evitojë të gjitha mangësitë. Ai do të jetë i aftë që të luajë në të gjitha pozitat.
Edhpse shumë i rinj në skuadrën juniore të Lucernës do të jetë forca kryesore. Shtatlartë i qëndrueshëm , driblues i  mrekullueshëm dhe me gjuajtjet bombë me të majtën përveç që shkëlqen në sulmin e ekipit të tij ftohet edhe në seleksionin e Zvicrës me grupmoshat U-17, 18 dhe 21.
Kurse në janar të vitit 2022, zë vend në 11-shin e parë të FC Luzern. Në historinë e begatët të këtij Klubi zviceran me traditë gati 121 vjeçare Jashari me prindër nga Kumanova e Maqedonisë së Veriut është kapiteni më i rinj i të gjitha kohërave.
Gjatë këtij sezoni Jashari ka luajtur me fanellën kaltër e bardhë 27 ndeshje dhe ka shënuar 5 gola.
Nga krosimet e sakta të Ardonit, bashkëlojtarët e tij të sulmit kanë shënuar edhe tre gola të tjerë.
Përzgjedhësi i Zvicrës në futboll Murat Yakin, dikur trajner i suksesshëm i FC Luzern, duke i parë cilësitë e këtij djaloshi të talentuar e fton edhe në ekipin e parë apo të njohur më tepër si ekipi A.
Ardoni me gjithsej  82 paraqitje me FC. Luzern-in, do të kujtohet gjatë nga mijëra simpatizues të kësaj skuadre.
Z. Meyer konstaton që mungesa e Jasharit do të jetë hendikep mjaft i madh për FC. Luzern-in.
Mirëpo ai në të njëjtën kohë ndihet krenar që nga gjiri i kësaj skuadre doli një lojtar shembull për të mirë si në lojë ashtu edhe në sjellje.
Në Kampionatin e Belgjikës së bashku me Jasharin do të luajë edhe Andi Zeqiri me origjinë nga Ferizaj i Republikës së Kosovës, i formuar po ashtu në Zvicër.
ARIF EJUPI

Shqiptarët e Zvicrës dhe dygjuhësia shqiptare – zvicerane Nga Nexhmije Mehmetaj

(Vazhdim i artikullit ” Shqiptarët e Zvicrës dhe e folmja e tyre”)

Në Zvicër sipas statistikave zvicerane jetojnë rreth treqind mijë shqiptarë, që kanë gjuhë amtare gjuhën shqipe, një pjesë e konsiderueshme e tyre e ruajnë përkatësinë e tyre etnike, e ndjejnë veten shqiptar e shprehin në radhë të parë në përdorimin e gjuhës shqipe, si dhe traditat e tjera shqiptare. Ndërsa të tjerët e kanë bjerrë gjuhën shqipe.

Pjesa më e madhe e popullsisë shqiptare të Zvicrës përbëhet nga dy gjuhë. Përveç shqipes ata dinë edhe njërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Pasja e dygjuhësisë për bashkësinë shqipfolëse ka rëndësinë e vet. Gjuha shqipe është një mjet i rëndësishëm për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar dhe lidhjen me atdheun. Ndërsa mësimi i gjermanishtes apo frëngjishtes për të u integruar në shoqërinë pritëse.

Natyrisht, e me kohë, nevojat e jetesës në vendin e ri, i cili mbi 50 vjet u bë atdheu i dytë, i detyruan shqiptarët të nxënë edhe njërën nga gjuhët zyrtare të Zvicrës, kryesisht gjermanishten apo frëngjishten duke kaluar, ku më shpejt e ku më ngadalë, ku në masë e ku vetëm një pjesë e mirë apo vetëm një pakicë, në dygjuhësi: shqip – gjermanisht apo shqip – frëngjisht.

Deri para disa vjetësh, pjesa dërmuese e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër kryesisht brezi i parë i mërgimtarëve nuk dinte të fliste të shkruante dhe të lexonte asnjërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Ata që dinin mirë të dy gjuhët: shqip – gjermanisht apo shqip frëngjisht numëroheshin në gishta. Për shërbime të ndryshme shërbehej përkthyesi. Nga ana e shqiptarëve u bënë dygjuhësh më parë burrat, sepse ata ishin në kontakte më të drejtpërdrejta me popullsinë zvicerane, kurse gratë shqiptare, kanë qenë më të lidhura me familjen dhe traditat shqiptare, prandaj edhe gjuhët e mjedisit zviceran i kanë nxënë më pak. Më vonë dygjuhësia shqip- një gjuhë zvicerane u shtri edhe në pjesën femërore të popullsisë.

Dygjuhësia gjermanisht – shqip apo frëngjisht – shqip tashti është normë për të gjitha grupet sipas moshës. Ka situata kur folësit e moshuar e përdorin shqipen për shumicën e qëllimeve, ndërsa folësit e rinj njërën nga gjuhët e mjedisit zviceran. Folësit e moshës mesatare kanë aftësi dygjuhësore dhe mund të u përshtaten bashkëbiseduesve shqipfolës dhe atyre që nuk janë shqipfolës.

Megjithatë, ne theksojmë se ka mërgimtarë që janë vetëm një gjuhesh, sidomos të moshuarit e brezit të parë. Kjo shtresë ishte edhe më pak e arsimuar, punoj në punët më të izoluara si në bujqësi e blegtori prandaj edhe gjuhët e mjedisit i kanë mësuar vetëm pak.

Një pjesë e intelektualëve shqiptarë, veprimtarë shoqëror, studentë e doktorantë, gazetarë/e mësues e mësuese, shkrimtarë e shkrimtare njohin relativisht mirë të dy gjuhët të cilët e dëshmojnë në shkrimet e tyre, na shfaqen me një kompetencë gjuhësore të plotë, janë dy gjuhësor.

Nga ana tjetër, shqiptarët e rinj të lindur në Zvicër, së paku nga mosha 30 vjeç e poshtë, kanë mësuar në shkollat zvicerane të shkruajnë e të lexojnë gjuhën e mjedisit, por janë të paktë ata që dinë të shkruajnë e të lexojnë edhe shqip, prandaj edhe dygjuhësia e tyre nuk mund të quhet cilësore. E përdorën shqipen në variantin e folur me një kompetencë mjaft të ulët, e kanë nxënë shqipen në mënyrë joformale dhe jo nëpër mjet mësimit në shkollë ( një varietet komunikues) kryesisht në rrethin familjar dhe në kontaktet me të afërmit e tyre.

Porse dygjuhësia kolektive nder shqiptarët ose më saktë të nxënit e gjermanishtes apo frëngjishtes në mjedisin zviceran nga shqiptarët fillon në moshën kur fëmija shkon në shkollë. Fëmija shqiptar derisa hynë në shkollë është një gjuhësh, folës burimor i shqipes me të hyrë në shkollën fillore, fillon të nxë një gjuhë të re, gjuhën e shkollës. Shumë prindër gabojnë kur ia ndërprerjen fëmijës gjuhën amtare, me mendimin se gjuha amtare e pengon mësimin e gjuhës së shkollës. Përkundrazi nxënësit që vijojnë mësimin plotësues shqip arrijnë të përdorin më lehtë të dy gjuhët, shqip dhe gjuhën e shkollës e formojnë një dygjuhësi me kompetencë fillestare për moshën e tyre.

Shumë prej shqiptarëve kërkojnë mësimin e gjuhës shqipe, jo për të qenë të shkëputur e të mbyllur në vete, por, përkundrazi, për t’u integruar edhe më tej në mjedisin zviceran, veçse pa bjerrë as trashëgiminë kulturore as atë gjuhësore amtare: ata kërkojnë që nxënësit shqiptarë të shkojnë në mësimin plotësues të gjuhës shqipe të ushtrohet dygjuhësia: shqip- gjermanisht apo shqip frëngjisht.

Në dygjuhësinë shqip-frëngjisht, gjatë bisedës në shqip dukuria më e shpeshtë është ( code switching ) ndërhyrja e një fjale nga frëngjishtja brenda një fjalie të shqipes dhe struktura e fjalisë mbetet shqip. P.sh. A duhet të mësoj vjershën par coeur (përmendsh)? Kam harruar mes devoirs (detyrat e mia) në shtëpi.

Ndërrimi i kodit është edhe i përzier (codsmixting) hyjnë në veprim karakteristikat strukturore të dy gjuhëve, në një fjali kemi dy fjalë nga frëngjishtja. Ndërhyrja bëhet si pas dy mënyrave: fjalë nga frëngjishtja të përshtatura në fonetiken e shqipes dhe fjalë të pa asimiluara.

Sa i përket gjuhës së folur shqipe në një masë të madhe është prekur sistemi leksikor i cili pasurohet dukshëm edhe përmes gjermanishtes apo frëngjishtes. Tashmë mund të vërehen një serë ndikimesh të rëndësishme ndërgjuhësore, si në nivelin fonetik – leksikor edhe në atë gramatikor e sintaksor. Huazimet leksikore, kalket semantike, përzierja gjuhësore, theksi i huaj, janë dukuri e rregullt te folësit dygjuhësh.

Tejkalimi i këtij problemi në bashkësinë shqipfolëse është i mundshëm përmes ndërgjegjësimit të mësimit të gjuhës shqipe: që çdo shqiptar/re të bëhet dygjuhësh i përsosur, krahas gjuhës dhe kulturës zvicerane duhet të dijë edhe gjuhën e kulturën shqiptare.

Gjenevë, 01. 04.. 2024 Nexhmije Mehmetaj

Kush po tallet me organizimin e mësimit plotesues të gjuhës shqipe në Zvicër- Nga Hamzë Morina

 

Para disa vitesh pata dërguar një shkrim në “albinfo.ch” në Zvicër, si reagim i një shkrimi lidhur me vizitën e ambasadores shqiptare në Ambasadën e Kosovës në Bern, e cila kishte falënderuar Xhaminë e bardhë në Aarburg për kujdesin që po tregon imami për kultivimin e gjuhës shqipe.

I indinjuar thellë që ambasadorja e sapoardhur nga Kosova, ose ishte manipuluar keq ose nuk kishte njohuri që mësimi shqip mbahet në shkollat zvicerane nga LAPSH “N. Frashëri”, i pranuar zyrtarisht nga autoritetet zvicerane disa dekada më parë.

Me siguri portalit i është dukur si artikull fyes ndaj një zyrtareje, por realitetet nuk mund të injorohen.

Artikulli kishte të bënte me një huqje të madhe të ambasadores dhe këshilltares së saj, motrës së deputetes G. Musliu dhe nuk kishte të bënte asgjë kundër vizitës, po kundër një mashtrimi se atje mësohet gjuha shqipe, derisa realiteti ishte ndryshe, pasi aty dihet se në cilën gjuhë mbahet mësim besimi.

Artikulli është ky:

Letër Ambasadores

E nderuara ambasadore, për mua do të ishte e ndershme dhe e radhës të përshëndes dhe të përgëzoj për fillimin e misionit tuaj diplomatik në Zvicër nga Kosova, mision që bashkatdhetarët e tu e kemi pritur kaherë qe t’ ju kemi si misionarë diplomatikë e konsullorë. Po, ja që kësaj radhe do të përshëndes për mundësinë që zgjodhe për tu takuar me misionarët tanë fetarë në Aarburg të Aargaut, pasi si duket ky është prioriteti juaj dhe i Qeverisë që përfaqësoni që besimtarët e Kosovës të ndihen mirë dhe rehat, sepse kanë tashmë një shtet që ua di hallet dhe i çmon për “kontributin” që dhanë dhe punën që po bëjnë edhe në diasporë për ta përhapur fenë islame deri në këndet më të largëta të Zvicrës, e cila si duket mezi priti që shqiptarët që deri dje bërtitnin për komb e atdhe e sidomos për një shtet laik dhe evropian, paskan qenë o të dehur o të paditur.

Dhe në atë takim më erdhi mirë që kishit marrë dhe një femër tjetër përfaqësuese të ambasadës së Kosovës dhe kishit takuar krerët e Unionit të bashkësisë islame, të cilët me thanë të vërteten do të ishin ndier më mirë sikur t’u ishit përshtatur kushteve të tyre të veshjes kur hyni në një tempull të tillë si xhamia e bardhë e Aargaut, së paku të kishit vënë nga një shami sa për sy e faqe për të qenë edhe më të respektueshme. Po kjo është imtësi dhe me siguri në takimin tjetër edhe kjo do tu bie ndërmend.

Krejt kjo që shkrova nuk ka ndonjë rëndësi të madhe për mua, pasi ju jeni diplomate dhe takimet tuaja protokollare i bëni ashtu si ju përcaktojnë agjendat e vendosura nga Qeveria juaj dhe unë s’ mund tu përzihem në to. Kjo do të ishte naivitet për mua që ti sugjeroj një diplomate si ju dhe Qeverisë që përfaqësoni në Zvicër si do ti organizoni punët dhe takimet tuaja.

Por, një gjë ama dua t’ua them. Unë jam mësues i shkollës shqipe që me kolegët e mi ka një çerek shekulli që përkujdesemi për mësimin dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare dhe kam një vërejtje të vogël që kur hyni në tempuj të tillë fetarë, mos manipuloni me këtë veprimtari që për mua është e shenjtë dhe mos lejoni të manipuloheni për këtë çështje nga njerëz dhe institucione që nuk kanë kurrfarë lidhje me këtë punë. Kur keni marrë mundin të flisni për këtë është dashur të keni me vete së paku një nga udhëheqësit e LAPSH “N. Frashëri” dhe të ishit marrë vesh se si do të krijohej platforma e përbashkët për shkollën shqipe mes këtij institucioni profesional që është ende aktiv dhe xhamive, të cilat me thënë të vërteten më shumë po manipulojnë me këtë çështje të ndejshme se po ndihmojnë.

Më pëlqyen fjalët e kryeimamit Ismaili:

„…Në vazhdën e këtij takimi u shkëmbyen opinione mbi angazhimin e imamëve në platformat ndërfetare, nevojën e pashmangshme inkurajuese të fëmijëve për të ndjekur mësim plotësues të gjuhës shqipe.“ Të thënë me këtë rast.

Po a nuk të ra ndërmend ta pyesësh që gjatë hartimit të kësaj platforme sa herë ka takuar krerët e LAPSH dhe si janë marrë vesh me ta?! Zonjë këto janë vetëm fjalë. Se di se ç’ është biseduar, po në bazë të shkrimit në portalin albinfo.ch kështu lexova.

Lexova pos këtij njoftimi edhe falënderimin tuaj për ta: “ …duke i vënë në gatishmëri hapësirat e qendrave islame edhe për shërbime edukativo- arsimore, si dhe për shërbime konsullore për nevojat e vet komunitetit shqiptar”.

Zonjë , vërtet jeni kaq e painformuar dhe aq e paditur se shqiptarët që edukohen dhe arsimohen në shkollat evropiane e paskan kaq të nevojshme një ndihmë të tillë nga xhamitë?!

Të kishe falënderuar që ata po ndihmojnë myslimanët që të kryejnë ritet e tyre fetare dhe ato pak mësime të kuranit, hajt, sepse ata mu këtë detyrë kanë, por të shkosh aq larg sa të falënderosh ata edhe për shërbime konsullore, ky është kulmi. Kësaj radhe ke tejkaluar edhe shtetet si Turqia e cila edhe pse po ngarend nga rendi islamik, këtë luks nuk ua lejon xhamive të saj në Zvicër, sepse ato i kryen bindshëm nëpër konsullatat e saja.

E nderuara ambasadore,

Besoj që të moskeqkuptohemi, pasi unë kisha vetëm një brengë: Kujdesuni që mësimin e gjuhës shqipe ta kryejnë shoqatat profesionale që tashmë kanë përvojë çerekshekulli si LAPSH “N. Frashëri” e falënderoni xhamitë për atë që u takon dhe kujdesuni që mos të manipulohen nga sekte të shumta ekstreme falë donacioneve që keqpërdorin dhe gjeni kohë të bisedoni me mësues/e që mbajnë një çerekshekulli këtë barrë organizative për gjuhën që kaherë është dashur ta merrni përsipër si shtet, në bazë të ligjeve që keni krijuar, siç bëjnë të gjitha shtetet normale në Evropë.

Sa për xhamitë dhe ndihmën e tyre për mësimin plotësues në gjuhën shqipe, do t’ua them vetëm një opinion të një, me gjasë, imami, M. A. i cili në të njëjtin portal kur mësuesja jonë Nexhmija bën një shkrim për shkollat shqipe dhe xhamitë, akuzohet nga ky imam, pos tjerash se kjo mësuese- kolege jona, po ua shpërlan trurin fëmijëve me ideologji komuniste dhe është islamofobe duke i sugjeruar për fund:

“…Në opinionin e zonjës, xhamitë që japin mësim të gjuhës shqipe kritikohen për këtë. Epo pyes, nëse xhamitë dhe imami apo mësuesi aty nuk është i kualifikuar sa duhet për te mësuar gjuhën shqipe, çfarë të bëhet atëherë? Të mos mësohet gjuha aspak? Zgjidhja më e mirë do ishte sikur shkollat shqipe në kuadër të LAPSH-it do të organizonin mësim të gjuhës në xhamitë.’’- çfarë absurdi.

Shpresoj që platforma e z. Ismaili të mos jetë kjo, sepse do të ishte një skandal dhe absurd i llojit të vet. Do ta kisha lënë këtë opinion të vetmuar të imamëve. Po kjo vizita jote dhe sidomos falënderimi që ua drejton imamëve për mësimin shqip në xhami më kanë shqetësuar shumë.

Shpresoj të takohemi me LAPSH dhe të bisedojmë më shtruar e të qartësohemi, ishin mësuesit këtu në Zvicër ata që mbrojtën gjuhën e kulturën shqiptare, para se të vinin këtu hoxhallarët dhe para se të vinit ju diplomatët. Pak më tepër respekt për prioritetet e Qeverisë tuaj që i proklamoni përditë e bëni të kundërtën.

Me nderime
Hamzë Morina – mësimdhënës i gjuhës shqipe ne Zvicër

Derisa në artikullin e këtyre ditëve që po ashtu nuk u botua nga albinfo.ch “Unifikimi i shkollës shqipe në Zvicër”, e që ka të bëjë me nismën e ambasadorëve të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë në Ambasadën e Shqipërisë për gjoja unifikimin e shkollës shqipe, kur dihet se është vet ish -ambasadori shqiptar, Ilir Gjoni që ka kontribuar për të ndarë LAPSH dhe për të filluar me Ambasadën shqiptare si bartëse e dytë të këtij mësimi ani pse LAPSH kishte një traditë tashmë afër tri dekada.

Edhe në këtë artikull nuk ka diçka që dikush mund të konsiderohet si i fyer. Është evidente vetëm përzierja e ambasadorit shqiptar në kompetencat e një shoqate, për të cilën Kryesia e saj ka dalë me një qëndrim të qartë, letër që deri më tash nuk e ka publikuar askush. Po të lëmë tash këtë punë, për të cilën as unë s’ kam dashtë ta publikojë për të mos i fry përçarjes. Po, pse sot me ardhjen e ambasadorit të ri kërkohet Unifikimi, që për mua ai është unik në tërë Zvicrën, pasi punohet sipas një kurrikule dhe tekste të përbashkëta dhe në aspektin konceptual nuk ka çka unifikohet, pos sindromit të udhëheqjes për të cilën pat rënë në grackë ambasadori nga mësimdhënës karrieristë, e të cilët kanë përfituar nga ai, me dije a pa të nuk e di, po që dëmi i shkaktuar këtij mësimi është shumë i madh.

Ajo që më brengos janë dy mashtrime perfide që u bëhen prindërve shqiptarë dhe që tregojnë dashakeqësi dhe përçarje:

Në rastin e parë “ Letra ambasadores“ kishte të bënte me mashtrimin:

1.Ejani në Xhami se keni dy përfitime. Edhe do të përfitoni nga mësim besimi dhe do ta mësoni gjuhën shqipe që prindërit, me nivelin e tyre kanë rënë në këtë kurth dhe sot xhamitë janë plot me fëmijë, e lokalet shkollore që zviceranët i lejuan për mësimin e gjuhës shqipe gati të zbrazëta. Ju gjykoni vet se çfarë po ndodh!

Derisa te rasti i dytë kemi kurthin tjetër si mashtrim, po ashtu shumë perfid.

2. Ju që po mbani mësim me sistemin e LAPSH nuk konsideroheni të zyrtarizuar sepse LAPSH – it i ka kaluar koha, derisa këta me Ambasadën shqiptare kanë zyrtarizuar mësimin shqip!

Po, si në rastin e parë, që në xhamitë nuk mësohet gjuha shqipe ashtu edhe në rastin e dytë nuk kemi zyrtarizim të mësimit plotësues në diasporë dhe ky ishte vetëm një bllof i ambasadorit shqiptar që s’ është më në ambasadë dhe posa erdhi i riu shtrohet kërkesa për unifikim ( më mirë me thanë kthim në LAPSH). Sepse ne që dimë të lexojmë e kuptuam se ky ka qenë rast i vetëm i veçuar dhe vazhdon të jetë i tillë në të gjitha shtetet në Evropë ku ky mësim organizohet atë e bëjnë Shoqatat e caktuara profesionale.

Këtë e din edhe ai që tashmë përfitoi nga ky bllof ose qëllim i ambasadorit dhe u caktua jo vetëm koordinator për Zvicër por edhe Kryetar i Këshillit koordinues për gjithë Diasporën!

Artikulli tjetër:

Unifikimi i shkollës shqipe në Zvicër

(Ambasada e Shqipërisë në Bernë pasi ka ndarë udhëheqjen e arsimit në Zvicër dëshiron ta bashkojë sërish, tashmë me ambasadorin e ri shqiptar, Mustafa Nano )

Në albinfo ( të cilën e përcjellë në vazhdimësi e sidomos rubrikën Diaspora me linkun e saj Gjuha), lexova që pas shumë viteve në Ambasadën e Shqipërisë qenkan bashkuar tre ambasadorët me dy bartësit e shkollës shqipe të mësimit plotësues në Zvicër, LAPSH “N. Frashëri”, e themeluar më 1995 (nga viti 1990 si Lidhje arsimtarësh e Lidhje prindërish) dhe Ambasadës shqiptare që mori përsipër organizimin e këtij mësimi para 4-5 vitesh.

Si mësimdhënës për shumë vite dhe udhëheqës për disa të tjera (tash në pension), gjithmonë më ka gëzuar çdo nismë e mbarë në këtë drejtim dhe çdo sukses e kam përjetuar thellë. Ashtu siç jam ndier keq kur në këtë drejtim janë bërë gabime, e më keq kur këto janë bërë për qëllime të mbrapshta, qoftë nga prindërit e mësimdhënësit e aq ma keq kur këtu i kanë përzier gishtat edhe zyrtarët, cilët do qofshin ata.

Kam qenë i gëzuar kur para disa vitesh kam vërejtur, fillimisht se Ambasada shqiptare kishte marrë përsipër menaxhimin e këtij mësimi (fillimisht në kantonin e Zurich-ut) dhe kam menduar se idenë time dhe të kolegëve në LAPSH për vënien në binarë institucionalë të këtij mësimi ( për këtë nga LAPSH kishim dërguar një Letër Ambasadës dhe institucioneve në Kosovë, ani pse kurrë s’morëm përgjigje) e Ambasada e Shqipërisë e paska vendosur ta jetësojë dhe u gëzova.

Por, kur vërejta se në Kantonin e Zürich-ut janë vendosur dy organizatorë të këtij mësimi në uebfaqen kantonale të Drejtorisë arsimore të Kurseve të gjuhës dhe kulturës për gjuhën shqipe ( siç figuron ende), nuk më erdhi hiq mirë dhe një shembull i tillë më zhgënjeu pa masë.

 


Dok.1

Në përvojën time në Zvicër nuk kisha parë ndonjëherë që për një gjuhë amtare të ketë pasur dy udhëheqje. Bile, zyrtarët zviceranë udhëzonin që edhe shtetet që kishin një gjuhë të përfaqësoheshin me një udhëheqje, pasi organizimi bëhej për gjuhën përkatëse (si spanjollishtja që flitet në shumë shtete). Për një shembull i tillë kishte ndodhur vetëm një herë pas luftës në Kosovë, kur Serbia kishte humbur toruan si shtet dhe në Zvicër mësimin e serbishtes e organizonin pos Ambasadës edhe Shoqata “Sveti Sava”, por që kjo nuk zgjati shumë dhe shteti mori në dorë sërish organizimin.

Kur vërejta edhe reagimin e kolegëve nga LAPSH dhe mora vesh se ishte e vetmja Ambasada shqiptare në Zvicër që kishte ndërhyrë në formën e organizimit të këtij mësimi, e kjo s’ kishte ndodhur në asnjë shtet tjetër në Evropë, ku ka përfaqësitë shteti shqiptar, mora mundin dhe bisedova me të dy palët që udhëhiqnin këtë mësim dhe ishin kolegë të mi, të cilëve u thashë se këtu ka të bëjë me teke individësh që arsyetohen me banalitete dhe që kjo punë do të ndikojë për keq në mbarë mësimin plotësues në Zvicër, për të cilin shqiptarët me vite kishin dhënë gjithçka nga vetja për ta mbajtur gjallë fjalën shqipe, edhe në momentet më të rënda e ku kishin derdhur shumë mund e ishim angazhuar gjatë tri dekadave.

Tash, pas ndërrimit të ambasadorit që deshi të bëjë “zyrtarizimin” në këtë formë duke anashkaluar institucionin federal dhe ishte koncentruar vetëm në Zürich,( s’ di pse?) vërejta se ishte një punë e ngutshme, arsyet për të cilat mund t’i dijë vetëm ish ambasadori dhe bashkëmendimtarët e tij dhe se zyrtarët e rinj duhet të kenë kujdes sepse mund t’ u hapet “Kutia e pandorës” dhe të kërkohet përgjegjësi për të gjithë ata që kanë bërë pa kujdes dhe me veprimet e veta ndërhynë në punën e një shoqate të regjistruar mbi tri dekada në Zvicër.

Nga Letrat që kanë qarkulluar janë ndier të fyer shumë kolege e kolegë të mi, ashtu si dhe unë për deklarata të pamatura të ambasadorit para zyrtarëve vendas.

Pavarësisht çfarë komisione do të formohen për këtë çështje, ato duhet të jenë neutrale, pasi nuk mund aq lehtas të anashkalohet një veprim i tillë arbitrar.

Po, publiku duhet ta dijë se këtu nuk bëhet fjalë për unifikimin e shkollës shqipe në Zvicër, pasi në parimet kryesore shkolla është e unifikuar, pasi punon me të njëjtën Kurrikulë, të njëjtat tekste, por nuk është e unifikuar në udhëheqje dhe menaxhim dhe fajtori për këtë dihet.

Po e lë me kaq duke u dëshiruar “Unifikim” në këtë çështje, por jam shumë skeptik që ata që kanë bërë ndarjen e udhëheqjes në mësimin plotësues nuk kanë si e bëjnë bashkimin. Pasi, LAPSH ishte unik dhe zyrtarisht i pranuar dhe mbante përgjegjësi para organeve që kishin themeluar dhe atyre që kishin njohur për gjithë ato vite, derisa rikthimi i Ambasadës në këtë çështje për mua është absurd.

Ne kemi kërkuar para 20 vitesh (me shkrim) që këto punë duhet të kalojnë në domenin zyrtar të çdo shteti serioz, siç veprohet me këtë çështje nga të gjitha shtetet përkatëse që organizojnë këtë mësim në Zvicër. Është dashtë të mendohet mirë nga Ambasadorë të caktuar të cilët veprojnë jashtë kompetencave që kanë, për të mos futur pyka e të dalin gaf pas disa vitesh, siç po ndodh tash.

Nuk mundet një koordinator i një ambasade (A. Shqiptare në Zvicër) të jetë Koordinator i një Këshilli koordinues të diasporës që përbëhet nga Lidhje e Këshilla mësimdhënësish në Evropë e nuk ka bashkëpunim me Lidhjen e arsimtarëve në vendin ku vepron ai.

Keni Kujdes:
Është vetëm një këshillë në këtë drejtim nga një mësimdhënës në pension, që nuk përfaqëson më askënd, por që ka lënë gjurmë në këtë drejtim për dy dekada dhe e njeh mirë natyrën e ndjeshme organizative në këtë drejtim dhe e shqetësojnë rrjedhat e tilla absurde.
Pyes në fund: Kujt ju desh dhe pse krijoi një huti të tillë vetëm në Zvicër!?

Me nderime
Hamzë Morina

Por, të kuptohemi edhe me qartë, isha ndër të parët që si njohës i mirë i këtij procesi, sa isha Kryetar i LAPSH në Zvicër u pata dërguar shkresë institucioneve, pasi Kosova u pavarësua dhe Shqipëria kishte mbushur një shekull shtet që ky mësim të futet në binarë institucional. Pas disa përpjekjesh të kota, vërejta se kjo nuk po ndodh sepse pak kishin përfitime në këtë punë, apo e panë si të pamundshme ta marrin përsipër organizimin e këtij mësimi siç e kanë të gjitha shtetet normale në botë. Letër që s’mora kurrë përgjigje.

Pra, ndër të parët isha për kalimin e menaxhimit të këtij mësimi nga një shoqatë si LAPSH në binarë institucionalë, por jo ashtu siç veproi ambasadori, dhe jo sërish kështu siç po veprojnë ambasadorët me dy udhëheqësit e strukturave që po duan bashkim sërish në LAPSH.

A po vazhdon tallja!? Dëshiroj të jem i lajthitur, gjykoni vet!

Ja dhe letra ( si propozim) Ambasadës dhe autoriteteve shtetërore para se të ndodhin këto mashtrime dhe tallje se si do të duhej ky mësim të kalojë në binarë normalë institucionale, përndryshe me këtë formë organizimi ende jemi të barazuar me formën e organizimit si popujt që ende s’kanë shtete, me kurdët e tamilët në Zvicër, që organizojnë mësim përmes shoqatave:

“Ninullë” e Adrian Asllanit fitoi çmimin e parë në Festivalin e Filmit “Movie Day” në Zvicër

Më 22-23 mars 2024, u mbajt edicioni i 11-të i Festivalit të Filmit “Movie Day” në Romanshorn të Zvicrës.

Në këtë festival konkurrojnë dy kategori të realizuesve të rinj të filmit: Në kategorinë e parë përfshihen filmat e krijuesve deri në moshën 16 vjeç, ndërsa në kategorinë e dytë janë filmat e regjisorëve deri në moshën 25 vjeç.

Në mesin e konkurruesve në kategorinë e dytë ishte edhe filmi “Ninullë” i Adrian Asllanit.

Gjatë ndarjes së çmimeve, anëtari i jurisë Aaron Asteria, deklaroi se filmi ‘Ninullë’ ka ngjallur një debat të madh brenda jurisë, sepse është një film që ngërthen në vete pikëpamje nga balada e Goethes “Der Erlkönig” e deri te qasja e Frojdit për raportet prindër/fëmijë. Pas diskutimeve të shumta, juria, pa hezituar, vlerësoi se ky është filmi më i mirë.


Vlen të përmendet se për filmin “Ninullë” ky është çmimi i pestë që e merr nga shtatë festivale ku është shfaqur deri tani.bw

NË PANAIRIN NDËRKOMBËTAR TË LIBRIT NË GJENEVË  TË ZVICRËS- NË MESIN E 280 SHTËPIVE BOTUESE EDHE AJO  E  MËRGIMTARIT ILIR XHELADINI

 

Në edicionin e 38–të të  Panairit Ndërkombëtar të Librit që mbahet çdo vit në Gjenevë të Zvicrës, e ku marrin pjesë  të gjitha ndërmarrjet  botuese të botës sivjet  shqiptarët i ka përfaqësuar në mënyrë të denjë krijuesi dhe editori  i ri Ilir Xheladini, me punë dhe qëndrim në Neuchatel.

Z. Xheladini që pasion nga fëmijëria e ka letërsinë në Zvicër tregohet mjaft i suksesshëm. Ai deri tani ka botuar disa vepra për fëmijë dhe të rritur .
Meqenëse z. Xheladini është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge e gjithë krijimtaria e tij letrare është e shkruar në këtë gjuhë.
Kurse distributor kryesor i  librave të tij është Libraria e mirënjohur  “Payot” me shtrirje  në tërë Zvicrën frankofone.
Rrjeti  i librarisë  në fjalë ofron ajkën e krijuesve serioz dhe produktiv në Zvicër dhe jashtë  saj. Kjo lë me kuptuar  që Z. Xheladini  është  në mesin e krijuesve të preferuar jo vetëm nga të vegjlit  por edhe nga të rriturit.
Iliri i dhënë me tërë qenien pas librit në vitin 2020 themelon edhe shtëpinë e tij botuese “I-liri edition.com”
Ai në opinion njihet edhe si koleksionues i dokumenteve dhe veprave të shkruara mbi kryeheroin  tonë Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, nga autorë të ndryshëm francezë.
Z. Xheladini një pjesë bukur të mirë të veprave dhe pullave postare që kanë të bëjnë me shtetin e Arbrit i ka blerë me mjete vetanake.
Ai së shpejti nëse përkrahet nga shteti i Kosovës ka në plan hapjen e një Muzeu me veprat që kanë të bëjnë  me jetën dhe veprën e Skënderbeut.
Kurse nëpërmjet ndërmarrjes së tij botuese në Panairin e sivjetmë ndërkombëtar të  librit të mbajtur në Gjenevë, nga data 6 -10 mars 2024, janë prezantuar një numër i kënaqshëm  i librave dhe romaneve edhe në gjuhën shqipe.
Pjesë nga krijimtaria e gjer e Akademik Bedri Dedja, para dashamirësve të librit ka shpalosur e bija Edlira Dedja, docente  në  Konservatorin e Neuchatel-it dhe  themeluese e  Fondacionit “Opera sans frontieres“

Meqë, Akademik Dedja  është autor i mbi 60- veprave letrare dhe shkencore në këtë takim me lexuesit janë përmendur vetëm disa nga veprat e tij. Dedja me të drejtë nga kritikët  letrarë  cilësohet si kolos i letërsisë sonë, sidomos të asaj për fëmijë.
Akademik  Dedjen do ta  bëjë të pavdekshëm vepra e tij shumëdimensionale qoftë si shkrimtar apo pedagog shumëvjeçar i lëndës së Psikologjisë në Fakultete dhe Shkolla të Larta të Universitetit shtetëror të Tiranës.
Në përpjekje për ta ruajtur gjuhën dhe kulturën shqiptare në Zvicër, mësimdhënësit veteranë Hamzë Morina dhe Agim Paçarizi, kanë shkruar edhe Monografi mbi historikun  e shkollës shqipe në kantonet Aarau dhe Gjenevë.

Z. Paçarizi prezent në këtë panair ka dhënë mendimin e tij mbi shkollën shqipe duke e konsideruar atë si armën më të përsosur për ruajtjen e historisë dhe kulturës sonë.
Z.Morina njëri nga pedagogët dhe drejtorët e parë në shkollat e Anadrinit në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje nëpërmjet një letre ka përshëndetur  organizatorin e saj dhe adhuruesit e librit .
Ai deri në pensionin e detyruar të moshës ka punuar si mësues i Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe në kantonin Aarau të Zvicrës.
Përvojën e tij me prindër, nxënës dhe kolegë e ka përmbledhur në një Monografi të botuar enkas për shkollën shqipe të kantonit Aarau.
Një libër tjetër që trajton përgjatë  30 – viteve  zhvillimin e këtij mësimi  në Zvicër është botuar vitin që shkoi.
Në këtë libër përshkruhen në hollësi fillet e këtij mësimi si dhe sfidat me të cilat janë ballafaquar mësues e mësuese, të cilët të shumtën e kohës këtë detyrë të shenjtë e kanë kryer në baza vullnetare.
Z. Abas Fejzullahu, mësues me diapazon të gjër njohurish dhe me përvojë  të gjatë  pune në Kosovë dhe Diasporë, duke qenë kontribuues i drejtpërdrejtë  i masivizimit të Mësimit Plotësues  të Gjuhës Shqipe në mbarë Zvicrën, ka folur për rëndësinë  e këtyre tri Monografive,  të cilat ai i quan edhe margaritarë të kulturës sonë.
Z. Fejzullahu mbi dy decenie ka kryer me sukses funksionin e Sekretarit të LAPSH-it, në Zvicër.
Ai duke ditur rëndësinë e mësimit të gjuhës shqipe apelon tek të gjithë mërgimtarët tanë  që fëmijët e tyre t’i dërgojnë në shkollën  shqipe.
Në rast se fëmijët tanë nuk janë në gjendje me komunikuar në gjuhën e nënës me moshatarët e tyre në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Kosovë Lindore, Krajë  dhe Ulqin, mbi të gjithë ne do të rëndojë turpi, veçmas  mbi prindërit  e fëmijëve  të cilët me indiferentizmin  e tyre  ndihmojnë në asimilim tha në përfundim të fjalës së tij zoti Fejzullahu.
Ai edhe pse në moshë në çdo ngjarje të rëndësishme që ka të bëjë me shqiptarët  çdoherë është i pranishëm.
Veç kësaj z. Fejzullahu është edhe kontribuues i madh në afirmimin e vlerave tona kombëtare.
Rreth kësaj problematike ai ka botuar edhe shkrime të shumta në gazetat dhe portalet tona.
Një vlerësim tejet pozitiv monografive mbi shkollën shqipe ua ka  bërë  edhe zonja Albana Krasniqi – Malaj, drejtoreshë e Universitetit të kulturave në Gjenevë.

Ajo çdo libër që ka të bëjë me shkollën shqipe në mërgim e konsideron si pasurim të Arkivave dhe bibliotekave tona.
Ndërkaq, në emër të LAPSH-it,  kantoni i Gjenevës, këtë ngjarje të rëndësishme  kulturore e ka përshëndetur Dr. Brikena Qafa Osmani, anëtare e Kryesisë pranë këtij Asociacioni dhe mësuese  e dalluar.

Gjatë pesë ditëve sa ka zgjatur ky panair i pranishëm ka qenë edhe Z. Rexhep Bajraktari, Konsull  i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë.

Ai mendon që kur kemi të bëjmë me promovim vlerash të kulturës sonë duhet të jemi më të  mobilizuar.
Sipas zotit Bajraktari prezenca e 50- vetave në këtë Panair është formale dhe për çdo kritikë kur dihet se në Zvicër jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë.
Në fund  të gjithë kanë falënderuar Zotin Ilir  Xheladini,  i cili nëpërmjet shtëpisë së tij botuese u ka dhënë hapësirë të gjithë krijuesve në mërgim që në këtë ngjarje të madhe kulturore ta thonë  fjalën e tyre.
Për dallim nga herët tjera kësaj radhe hyrja në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Gjenevë ka qenë falas. Por, numri i pjesëmarrësve ishte dukshëm më i vogël se viteve të kaluara.
ARIF EJUPI

Ruajtja apo bjerrja e gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Zvicër

Ruajtja apo bjerrja e gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Zvicër

Shqiptarët e Zvicrës janë një pjesë e diasporës shqiptare jashtë atdheut.

Ata ndodhen pothuajse në çdo kanton të Zvicrës dhe kanë ardhur këtu fillimisht si punëtorë stinor në vitet në vitet ’60-të -70-të, kur Zvicra kishte nevojë për krah pune.

Vala e dytë e mërgimit shqiptar në Zvicër lidhet me shkaqet e shtypjes e dhunës së madhe të regjimit serb në Kosovë.

Pjesa më e madhe e mërgimtarëve janë vendosur këtu në vitet ‘90 të shekullit që lëmë pas, kur në Kosovë sundonte Sllobodan Millosheviqi (1989-1999).

Shqiptarët në Zvicër janë më shumë nga Kosova dhe Maqedonia V e më pak nga Shqipëria, nga viset shqiptare në Malit të Zi, dhe Kosova Lindore.

Numri i shqiptarëve në Zvicër është i konsiderueshëm, janë qindra e mijëra që punojnë dhe sigurojnë kafshatën e bukës për vetveten dhe fëmijët e tyre. Numri i mërgimtarëve vjen duke u rritur me të rinj e të reja që vazhdojnë të vijën nga Kosova e vende tjera shqiptare përmes martesave dhe lindjeve të reja.

Statusi gjuhësor i shqipes në Zvicër, natyrisht, është ai i shumicës së diasporës shqiptare: shqipja si gjuhë e zemrës, por me përdorime kryesisht në gjirin familjar, në komunikim me të afërmit në vendlindje, në ndeja nder shqiptare, kurse gjermanishtja, frëngjishtja apo … si gjuhë pune, si gjuhë buke dhe me përdorime në të gjitha funksionet kryesore.

Gjuha shqipe që flasin shqiptarët në Zvicër është një e folme që përfshihet në dialektin e gegërishtes dhe më hollësisht, në grupin e të folmeve të gegërishtes veriperëndimore dhe verilindore.

Tek kjo e folme dallohen qartë tiparet e dy varianteve a llojeve të të folurit, variantit tradicional, ku spikat ruajtja e elementeve të qëndrueshme të sistemit të vjetër të gegërishtes dhe variantit të ri të folmes së normëzuar shqipe.

Pra, e folmja e brezit të vjetër të mërgimtarëve shqiptarë është ruajtja, por nuk ka mbetur e paprekur nga ndikimi i gjuhëve të mjedisit zviceran.

E folmja e brezit të mesëm është pak a shumë e normëzuar, por nuk është standarde. Porse të rinjtë e të rejat e flasin më pak shqipen dhe vetëm pak prej tyre njohin shkrim -leximin shqip.

Gjuha amtare shqipe është një faktor i rëndësishëm i identitetit shqiptar.

Braktisja e gjuhës shqipe është dukuri shqetësuese tek fëmijët e moshës fillore. Përkundër që shkollat shqipe funksionojnë në shumë kantone zvicerane, vetëm një përqindje e vogël ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe. Pjesa dërrmuese e fëmijëve shqiptarë nuk shkojnë në mësimin shqip. Ata me të hyrë në shkollën fillore mësojnë mirë gjermanisht, frëngjisht apo italisht ( njërën nga gjuhët e vendit pritës), ndërsa flasin keq shqipen.

Ata krahas gjuhës së shkollës duhet të vijojnë mësimin shqip, është me rëndësi që fëmijët të zhvillojnë të dy gjuhët që të bëhen dy gjuhësor të mirë.

Të vjen keq që shqipja çdo ditë po i humb folësit e vet burimor.

Brezi i ardhshëm do ta njoh edhe më pak gjuhën shqipe.

Gjenevë, 08.03. 2024 Nexhmije Mehmetaj

Zvicër – Trafik qeniesh njerëzore për shtresën e mesme Nga Adelina Gashi, Marguerite Meyer, Vladimir Karaj

Pjesa e parë: Udhëtimi i Lirijes

Ky hulumtim ka filluar para më shumë se 10 muajve, me shkas nga një artikull në një gazetë rajonale të Zvicrës. Një vajzë 19 vjeç nga Shqipëria paditi ish-punëdhënësin. 19-vjeçarja kishte punuar në të zezë si dado për një çift nga Zvicra me tre fëmijë. Por kushtet e punës i ngjanin skllavërisë. Veç kujdesit për fëmijët, 19-vjeçares i duhet të punojë 24 orë në 24, të lajë, të gatuaj, të pastrojë. Pagesa për gjithë këtë është vetëm 300 franga në muaj dhe në trajtim përfshihet rrahja. E që ajo të mos kishte asnjë shans të largohej, i kishin marrë pasaportën.

Çifti u gjet fajtor për akuzat e kërcënimit, shkeljes së Ligjit për të Huajt dhe Integrimin dhe qeniesh njerëzore. Akuza e fundit na tërhoqi vëmendjen, sepse ndodh mjaft rrallë që dikush në të dënohet për trafik njerëzish. Mesatarisht, gjykata shqyrton rreth 80 raste të tilla në vit. Kjo na shtyu të kërkojmë të mësojmë më shumë për vajzën e re dhe pas disa përpjekjeve, ajo pranoi të takohet me ne.

Kur filluam hulumtimin, ende nuk e kishim idenë se çfarë të panjohurash fshihen pas kësaj historie, as që historia e saj nuk është një rast i izoluar. Lirijen, siç po e quajmë për t’i ruajtur anonimatin, e takojmë në zyrën e avokates. Tani ajo është 23 vjeçe dhe jeton në të njëjtin qytet, pavarësisht se aty ka vuajtur shumë. Ajo nuk dëshiron të kthehet në Shqipëri. “Tani më lejohet të qëndroj në Zvicër dhe po kërkoj një banesë“, thotë ajo duke buzëqeshur me ndrojtje. Së shpejti ajo planifikon të mësojë një zanat.

Fytyra e saj ka tiparet e një fëmije, por kjo përshtypje është e rreme, pasi Lirija është luftarake, ndryshe nga sa duket nga jashtë. Kur flet për rininë e saj, ajo shpesh shikon me druajtje duart e veta.

Ajo u rrit në një qytezë të vogël të Shqipërisë. Pasi përfundoi shkollën, ajo ndihmonte të atin në dyqan dhe të ëmën në punët e shtëpisë. Fundjavave takohej me shoqet e kushërinjtë për kafe apo lëng frutash në qendrën e qytezës ku mblidheshin të gjithë. Bashkë me shoqet, ajo ëndërron për një jetë më të mirë, larg prej qytezës së varfër të lindjes.

Mungesa e perspektivës për to, është në fakt shembull i gjendjes së përgjithshme shpirtërore të shumë të rinjve shqiptarë. Ekonomia e dobët dhe zhgënjimi nga politika shtyjnë çdo vit dhjetëra mijëra të rinj nga Shqipëria drejt Evropës Perëndimore. Atje ata kryesisht punojnë në sektorë me paga të ulëta, si infermierë, në sektorin e hotelerisë apo atë të kujdesit të fëmijëve. Shumica e këtyre punëve janë pozicione të rregullta, por jo gjithmonë është kështu. Veçanërisht jo në biznesin e dadove, siç zbuluam gjatë hulumtimit tonë.

Prindërit e Lirijes nuk e shikonin të ardhmen e saj jashtë vendit, por pranë një bashkëshorti në Shqipëri. Dëshirat e saj për t’u arsimuar e ndoshta për të bërë karrierë nuk u përfillën prej prindërve. Sapo mbushi 18 vjeçe, Lirija u martua me një burrë të zgjedhur nga familja. “Nuk ishte i keq, por unë nuk e doja”, kujton ajo.

Lirija ndihej e shtypur, e burgosur në një martesë pa dashuri dhe me varësi financiare nga bashkëshorti.

Një mbrëmje, kur ishin duke pirë çaj, vjehrra i tregoi Lirijes për punën si dado në Zvicër. Paratë fitoheshin lehtësisht, ushqimi dhe strehimi ishin të përfshira. Nuk ishte e nevojshme të kishte shkollim dhe pas 3 muajsh mund të kthehej në shtëpi, kujton ajo t’i ketë thënë e vjehrra.

Kjo ishte një mundësi tunduese për Lirijen. Ajo kërkoi në Instagram me fjalët “dado” dhe “Zvicër” dhe shpejt gjeti një faqe me reklama. Në reklama premtohej sistemimi i shpejtë në një familje zvicerane dhe një pagë e mirë. Me këtë në mendje, ajo ndërtoi fshehurazi një plan që t’i shpëtonte situatës së saj të pashpresë dhe t’i kthente shpinën Shqipërisë. Ajo dëshironte të kishte përsëri një zgjedhje, të vendoste vetë se si duhet të ishte jeta e saj, edhe pse kjo mund të nënkuptonte se duhej të jetonte larg vendlindjes përgjithmonë.

Ajo nuk e njihte Zvicrën, por shpresonte të gjente aty mundësitë që i ishin mohuar më parë në Shqipëri: arsimim, një punë, shtëpinë e saj dhe një partner që ajo e zgjedh vetë.

Ajo nuk priste që puna e dados, bileta e saj e supozuar e lirisë, do të kthehej në një makth dhe që sapo të mbërrinte në Zvicër do të binte në kthetrat e trafikantëve të qenieve njerëzore.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është skllavëri moderne”, shkruan Fedpol, Zyra Federale e Policisë Zvicerane, në faqen e saj të internetit. Është tronditëse sa shumë Lirija i ngjan viktimës tipike që përshkruan Fedpol.

Iris Luarasi, pedagoge e gazetarisë dhe eksperte për të drejtat e grave në Shqipëri, thotë se shumica e grave dhe vajzave që u përgjigjen reklamave të tilla e dinë që shpesh puna nuk ishte e ligjshme. “Por nëse je e papunë në shtëpi çdo ditë, perspektiva për të gjetur një punë si dado në Zvicër është shumë e mirë”, thotë Luarasi. Ajo shpjegon se shqiptarët ishin mësuar të duhej të punonin në të zezë për të siguruar bukën e gojës, qoftë në Shqipëri apo në një nga vendet fqinje si Greqia e Italia. “Pra, vetëm për shkak se diçka nuk duket plotësisht e ligjshme, nuk do t’i pengojë ata dhe as do t’i bëjë të dyshojnë”, thotë ajo.

Pjesa 2: Agjencia

Lirija tha para gjykatës zvicerane se ajo ishte rekrutuar përmes rrjeteve sociale. Kështu që edhe ne regjistrohemi. Fillimisht në Facebook, më pas në Instagram. Një nga faqet e para që gjejmë quhet thjesht “Babysitter në Zvicër”. Faqja është plot me reklama dhe me ilustrime fëmijësh të lumtur, arusha prej pelushi dhe tullumbace. “Në Solothurn kërkohet urgjentisht një dado për dy fëmijë, gjashtë dhe katër vjeç. Pagesa: 600 franga në muaj.”

Ne gjejmë dhjetëra llogari të tilla, secila me nga mijëra ndjekës dhe me postime të reja çdo ditë. Ato të krijojnë përshtypjen e një agjencie profesionale, por asnjëra prej tyre nuk është e regjistruar si e tillë në Zvicër. Mes komenteve, gra të reja dhe të moshuara shkruajnë: “Më pëlqejnë fëmijët dhe kam përvojë kujdesi. Ku mund të aplikoj?”

Nga kjo, ne kuptojmë që rasti që po ndjekim mund të mos jetë i vetmi dhe Lirija nuk është e vetmja viktimë.

Pas hulumtimit në dhe dokumente gjyqësore, ne gjurmuam disa gra që kishin përvoja të ngjashme me Lirijen.

Edhe pse duan të na tregojnë historinë e tyre, ato kanë frikë dhe në asnjë rrethanë nuk duan të identifikohen. Ndonjëherë ato ende kanë frikë nga autorët  e trafikimit, ose janë ende në kontakt me ta.

Trafikimi i qenieve njerëzore përfshin një rrjet kompleks varësish psikologjike, fizike dhe financiare. Turpi se u mashtruan apo për atë që lejuan t’u ndodhte është i ngulitur thellë mes të prekurave. Ato shpesh u tregojnë të afërmve të tyre vetëm gjysmën e së vërtetës. Prandaj i kemi anonimizuar emrat e tyre dhe u kemi ndryshuar detajet identifikuese. Historitë e tyre tregojnë sistemin që trafikantët e dadove nga Zvicra përdorin për të vepruar.

Në Tiranë, takojmë Klaudian për një kafe buzë liqenit në një pasdite me diell. Ajo ka veshur një xhaketë elegante lëkure me mëngët të përveshura dhe buzëqesh gjerësisht. “Më pëlqen të vij këtu kur punoj nga shtëpia”, thotë ajo. Sot ajo punon si zyrtare publike dhe puna që bën i pëlqen. Shtatë apo tetë vjet më parë ajo ishte në Zvicër si dado. Ajo ishte me fat. Pas muajve të kërkimit tonë, ajo është e vetmja grua që ka vetëm gjëra të mira për të thënë për eksperiencën e saj në Zvicër.

Në atë kohë, Klaudia sapo kishte përfunduar studimet në Tiranë dhe donte të kalonte kohën derisa të gjente një punë të përshtatshme. Rastësisht, ajo hasi në një reklamë të një familjeje zvicerane: “Isha kurioze dhe doja të shihja diçka jashtë Shqipërisë.”

Ajo nuk e mendoi gjatë propozimin. “U shkrova, dy javë më vonë udhëtova për në Zvicër. Fillimisht udhëtova me traget për në Itali, më pas drejt veriut. Në minibus ishin katër-pesë gra të tjera. Kjo më qetësoi”, thotë ajo.Klaudia qëndroi tre muaj në Zvicër. “Familja më merrte me vete në udhëtime dhe më tregoi Zvicrën”, thotë ajo.  Ajo kujton se kishte një marrëdhënie të mirë me të zonjën e shtëpisë. Ato pinin kafe së bashku ose gatuanin ushqime tradicionale shqiptare.

Vetëm disa muaj pas kthimit të saj në Shqipëri, Klaudia mësoi nga të njohurit se operatorët e faqeve në Facebook, ku reklamohej punësimi si dado, nisën të kërkonin para nga gratë e interesuara. Fillimisht 50 euro, pastaj 100. “Ata pretendojnë se kjo përdoret për të kontrolluar familjet pritëse për të parë nëse janë të mirë.” Klaudia mbledh supet: “Unë nuk e besoj këtë.”

Sot ajo nuk do të përfshihej më në diçka të tillë. “Por atëherë, me paratë që fitova, munda të blija një makinë”, thotë ajo. Më pas merr celularin nga tavolina dhe na tregon fotot e një vajze të vogël: “Kjo është e vogla. Ajo është shumë e ëmbël.”

Me kalimin e viteve, natyra e reklamave në për punësim dadosh ka ndryshuar. Fillimisht ishin kontakte të drejtpërdrejta. Më pas, operatorët e faqeve, me sa duket, e kuptuan se mund të bënin para me këtë mjet. Që atëherë, një tarifë e vogël kërkohet si garanci, që sigurisht nuk është garanci për asgjë.

Së fundmi, ky biznes i paligjshëm u bë më “profesional”. Grave të interesuara u kërkohet tani të paguajnë paradhënie për udhëtimin, për një pasaportë false apo edhe u premtohen kontrata. Ashtu si në ekonominë e ligjshme, edhe këtu ka ofrues shërbimesh shtesë si falsifikuesi i pasaportave apo udhërrëfyesi. Tani po shfaqen reklama edhe për kameriere dhe kërcimtare. “Unë mund t’ju sjell gra nga Bullgaria”, shkruan dikush në një koment poshtë një reklame të tillë.

Gjatë hulumtimit tonë, zbuluam se ka disa grupe të vogla në Zvicër që sjellin gratë në vend si dado. Biznesi nuk duket të jetë ende në duart e një organizate të vetme. Një mafia e tillë do të ishte hapi klasik i përshkallëzimit në fushën e krimit të organizuar.

Shpresa nuk dinte asgjë për të gjitha këto. Dhe ne nuk dinim shumë për ta, sepse asnjëherë nuk arrijmë t’i njohim personalisht personat pas skenës. Për Shpresën dëgjuam nga një koleg gazetar. “Hej. Ju po hulumtoni trafikun e qenieve njerëzore të dadove shqiptare, apo jo? Sot në gjykatë kemi një çështje gjyqësore për këtë temë”, na shkroi ajo përmes WhatsApp-it një mëngjes.

Pa u menduar gjatë, udhëtuam në një qytet të vogël zviceran. Seanca e apelit do të zhvillohet në sallën e gjyqit. Përveç nesh, të vetmit në sallë janë të pandehurit – burrë e grua – gjyqtari, ndihmësi i tij dhe një gazetar tjetër. Asgjë interesante, mendojmë në fillim.

Çifti ishte dënuar në shkallë të parë për “punësim të të huajve pa leje”, e ka ankimuar vendimin. Të dy janë rreth 40 vjeç, duken të stresuar dhe të dëshpëruar dhe nuk kanë as avokat as mbrojtës publik. Ajo punon si shitëse përmes telefonit,  ai punon si mekanik. Të dy kanë të ardhura mujore familjare prej rreth 6,500 frangash për veten dhe katër fëmijët e tyre.

“E njohëm kur ishim me pushime në Shqipëri”, thonë ata për dadon. Historia që ata tregojnë më pas nuk është dhe aq e qartë, por gjykata duket se është e kënaqur me të. Në fund atyre u jepet pafajësi.

Pjesa 3: Transporti

Shpresa, vajza e re për të cilën bëhet gjyqi, nuk është e pranishme në gjykatë. Ku është ajo? “Nuk e dimë”, tha çifti. Atë e mori një taksi një nga këto ditë. Taksia duhej ta çonte në stacionin e autobusëve në Zyrih dhe, prej andej, ajo donte të kthehej me autobus në Tiranë. Burri thotë se nuk e di se kush ishin personat me të në makinë. Megjithatë, ai e përshkruan kompaninë e taksive, të cilën e hasim sërish në një bisedë me një viktimë tjetër.

Shpresa nuk u largua nga Zvicra atë ditë, edhe pse tre muajt e saj të qëndrimit të ligjshëm kishin skaduar tashmë. Ajo u kap një muaj më vonë gjatë një kontrolli rutinë identiteti pranë kufirit gjerman. Ajo i tha policisë se kishte punuar për çiftin si dado dhe ndihmëse shtëpiake dhe pretendoi se ishte paguar për vetëm dy muaj e gjysmë nga katër që ata i detyroheshin. Ajo tregoi se kishte marrë një pasaportë false, por shitësi i saj mbetet i panjohur. Nga deklarata e Shpresës, prokuroria nisi hetimet dhe gjyqi ndaj çiftit që e kishte punësua u nis prej kësaj deklarate.

Shpresa u dëbua nga vendi. Tani asaj nuk lejohet të hyjë më në Zvicër për dy vjet. Ajo nuk u soll për t’u marrë në pyetje gjatë procesit gjyqësor dhe as nuk u kërkohet ndihmë homologëve të saj shqiptarë për ta gjetur. Gjykata gjeti se deklaratat e Shpresës nuk mund të përdoreshin në proces.

Duket sikur ky shembull zbulon pafuqinë e përgjithshme të autoriteteve zvicerane dhe mungesën e koordinimit në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Duket sikur rasti duhej të mbyllej shpejt. Viktima nuk u gjet, çifti u shpall i pafajshëm.

Organizatorët që qëndrojnë pas kësaj mbeten të pangacmuar.

Ne duam të gjejmë Shpresën dhe udhëtojmë drejt Shqipërisë.  Ndjekim me kujdes rrugën e saj dhe e kërkojmë atë përmes ish-kolegëve të punës dhe fqinjëve në qytetin e saj të vogël të lindjes. Por asgjë. Nuk e dimë se si Shpresa erdhi në Zvicër dhe as çfarë i ndodhi më pas.

Ndryshe nga klisheja, njerëzit e trafikuar rrallë transportohen me kamionë të errësuar, shumica e rrugëve të tyre të udhëtimit janë normale – me autobus, aeroplan, taksi, makinë private. Ata janë një mall si çdo tjetër në këtë industri. Një mall që mund të përdoret për të fituar para. Zinxhirët e furnizimit janë ndërkombëtar.

Trafikimi i qenieve njerëzore dhe kontrabanda e tyre nuk janë e njëjta gjë. Kontrabandistët sjellin njerëz nga pika A në B, fitimet vijnë nga ofrimi i shërbimit të “transportit”. Në trafikimin e qenieve njerëzore, transporti është vetëm mjeti për një qëllim – thelbi i biznesit është shfrytëzimi i punës dhe trupave. Megjithatë, të dy format shpesh ndërthuren.

Trafikantët e qenieve njerëzore kanë ndihmësit e tyre përgjatë rrugës. Ndonjëherë është shoferi i autobusit ai që i mbledh paratë e biletës vetëm kur arrin në Zvicër. Ndonjëherë një zyrtar kufiri që nuk e shikon nga afër një pasaportë, ose një kompani taksie që është mirënjohëse për klientët e saj të rregullt dhe nuk bën pyetje për gratë që ndryshojnë vazhdimisht në makinat e tyre.

Në rastin e Lirijes, ishte shoferi i fugonit të turistëve që e çoi nga Shqipëria në Zvicër. “Ai fliste në telefon gjatë udhëtimit”, kujton ajo dhe tund kokën. Përpara se të mbërrinin në kufi, ai i dha disa qindra euro. Në kufijtë ndërkombëtarë ndonjëherë bëhen kontrolle për të parë nëse njerëzit kanë para të mjaftueshme për qëndrimin e tyre. “Pasi kaluam kufirin me Zvicrën, ai m’i mori paratë përsëri”, thotë Lirija.

Në stacionin e autobusit atë e priste punëdhënësi. Ajo kishte biseduar gjithçka me të në telefon. Ai e dinte për rrethanat e vështira të saj në Shqipëri. Ai pagoi shoferin e autobusit për biletën dhe e çoi Lirijen në periferi të një qyteti zviceran.

Ne e vizituam këtë vend më vonë. Është një lagje që nuk bie në sy, blloqe pallatesh kubike duket se janë hedhur aksidentalisht në atë që dikur ishte një fushë. Në hyrje të shtëpive ka karroca fëmijësh dhe në mure janë njoftimet e varura nga administrata që i informojnë për atë që është e ndaluar. Fytyra të lodhura presin në stacionin e autobusit.

Këtu jeton shtresa e mesme e ulët dhe prekariati modern, jetojnë pastruesit, infermierët dhe sanitaret e vendit, shitëset dhe ët e ndërtimit. Janë ata dhe familjet e tyre që zakonisht kërkojnë dado të tilla, sepse kanë nevojë për mbështetje në jetën e përditshme të cilën mezi e përballojnë. Këtu, në këtë konglomerat pa fytyrë, Lirija nuk gjeti një jetë të re shpresëdhënëse, por këtu filloi një udhëtim i ri nëpër ferr.

Pjesa 4: Në Zvicër

Trafikimi i qenieve njerëzore është i vështirë të kuptohet nga jashtë, sidomos kur nuk bëhet fjalë jo për prostitucionin e detyruar, por për shfrytëzimin e punëtorëve të zakonshëm. Kush e pyet veten nëse kamerierja në restorantin e tyre të preferuar po shërben e detyruar? Apo nëse po shfrytëzohet punëtori i ndërtimit që ngrihet i mërzitur herët në mëngjes?

Në fillim, mes palëve krijohet zakonisht një marrëdhënie varësie, përmes mashtrimit, borxhit, shfrytëzimit të rrethanave të veçanta familjare. Kur viktimat arrijnë në Zvicër, çarku mbyllet. Ata nuk e njohin vendin, nuk e flasin gjuhën dhe nuk njohin askënd përveç atyre që i kanë sjellë. Viktima mund të qëndrojë ligjërisht për tre muaj në Zvicër – qytetarët e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut nuk kanë nevojë për vizë për këtë kohë qëndrimi në Zvicër, por ata nuk lejohen të punojnë gjatë kësaj kohe, ndryshe nga qytetarët nga zona e BE-së apo EFTA-s.

Edhe në Shqipëri situata nuk është e ndryshme. “Në veçanti të rinjtë shpesh nuk mendojnë për sigurimet shëndetësore dhe sigurimet shoqërore”, thotë Iris Luarasi, ekspertja shqiptare për të drejtat e grave. “Ata besojnë se pasi të kenë një pikëmbështetje diku, mund të kujdesen më vonë për dokumentet”, thotë ajo.

Por viktimat nuk e dinë që duke punuar ilegalisht si dado, po e bëjnë veten shkelëse të ligjit që në fillim. Autorët  e shfrytëzojnë këtë paturpësisht. Është një mashtrim i lig, siç e emërton edhe Zyra Federale e Policisë. Sipas FedPol viktimat nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë të shfrytëzohen.

Gjatë hulumtimit tonë, ne lexuam dokumente gjyqësore që dëshmojnë për mizori psikologjike dhe fizike, nga shantazhi emocional deri te përdhunimi. Gratë raportojnë rrahje, poshtërime dhe kërcënime me vdekje, duke përfshirë në këto kërcënime edhe familjet e tyre. Po ashtu, dëgjuam mesazhe zanore të dhunshme dhe fyese të dërguara nga shfrytëzuesit.

Ndonjëherë viktimat e dinë se janë duke u angazhuar në punë ilegale në Zvicër apo që po mashtrohen. Ashtu si Ardita*.

Nëpunësja e re po përpiqej të rregullonte jetën e saj pas një divorci të shëmtuar. Një i afërm e vuri në dijeni për një punë në Zvicër. Ajo tregon se fillimisht ishte dyshuese, por i afërmi i saj e siguroi se një ndërmjetës do të kujdesej për gjithçka. Ai do të organizonte të gjithë udhëtimin për të dhe do t’i rregullonte një kontratë pune të ligjshme pas mbërritjes. Ardita e besoi këtë nisur nga imazhi që ka për Zvicrën, me siguri juridike edhe për punonjësit si ajo. Kështu ajo fluturoi për në Zyrih e gëzuar.

Fillimisht, ajo kaloi disa muaj gjatë verës me një familje në Schaffhausen (në veri të Zvicrës). Por shpejt u zhgënjye nga puna. Për 600 franga në muaj, Arditës i duhej të kujdesej për tre fëmijë të vegjël dhe shtëpinë. Ajo na thotë në një bisedë telefonike se kishte rënë dakord për diçka tjetër. “Mendova se do të më duhej të kujdesesha vetëm për një fëmijë dhe jo të gatuaj apo pastroj. Kam punuar si kalë”, thotë ajo.

E mërzitur, ajo kontaktoi Qemalin, sekserin e saj. Ai i premtoi se do t’i gjente një punë të re diku tjetër, por në këmbim i kërkoi të paguajë një “tarifë ndërmjetësimi”. Ardita është gati të punojë shumë dhe për këtë ajo nuk turpërohet kur ai më në fund i ofroi një punë si pastruese në një klub të Zyrihut.

Gjatë pesë javëve që pasuan, Ardita punoi për 4 burra të ndryshëm. Për pjesën më të madhe të kohës ajo pastroi në restorante dhe bare, por kishte edhe ditë pa punë, kur thjeshtë rrinte dhe priste. Në disa raste atë e kaluan përtej kufirit në një qytet në Gjermani, ku pastroi hotele. Një nga punëdhënësit i mori pasaportën. Paratë për punën, kontratën apo lejen e punës që i premtuan, ajo nuk i pa kurrë.

Protestat e Arditës bien në vesh të shurdhët. “Mos u shqetëso, paratë do të t’i japim së shpejti”, i thonë pronarët e restoranteve ku pastron. “Vetëm ki durim”, i thotë Qemali, i cili kishte premtuar se do të kujdesej për të gjitha formalitetet.

Ardita mërzitet gjithmonë e më shumë, protestat e saj bëhen më kërkuese. “Ku janë paratë e mia? Do të shkoj në ”, thotë ajo. “Do të të shkosh në burg për punë të paligjshme”, kërcënon një nga punëdhënësit.

Ardita edhe sot nuk mund ta besojë, siç na ka thënë në telefon, që nuk mori asnjë cent pagë për punën e saj.

“I shkrova edhe motrës së një pronari restoranti”, thotë ajo, por burrat ose nuk reaguan fare ose u bënë agresivë. “Kurvë budallaqe, çfarë mendon se po bën? Turp i familjes tënde”, dëgjohet të thuhet në një nga mesazhet zanore që Ardita na jep.

Ne kemi dhjetëra screenshot-e nga ekrani i telefonit të saj dhe po ashtu histori bisedash, që konfirmojnë atë që ajo tregon.

Një herë ajo i shkroi sekserit të saj: “Hej Qemal, kur do ta marr më në fund lejen e punës?” Ai e shmangu, i tha që kontrata do bëhej shpejti. Më pas e kërcënoi dhe e shau: “Kurvë”. Pas disa javësh, Qemali e dërgoi në aeroport dhe e përcolli për në shtëpi. Premtimet, ato ishin dhe mbetën të zbrazëta.

Historia e Arditës i ngjan rasteve të tjera që ne hasëm gjatë këtij hulumtimi. Ajo konfirmon modelin e mashtrimit, taktikave të bllokimit dhe kanosjes. Vetëvlerësimi i viktimave thyhet në këtë mënyrë dhe zhduk çdo përpjekje për pavarësi.

Nga programi televiziv () i një televizioni shqiptar mësojmë për një tjetër rast, atë të Marianës*. Ajo ishte gjithashtu kishte kontaktuar me një sekser përmes WhatsApp-it:

“Mund të punosh si asistente në një kompani pastrimi”, thotë ai në mesazh. Kushti: “Duhet të flesh me mua një herë në javë”, tregon ajo gjatë emisionit televiziv. Mariana nuk e pranoi punën. Mesazhi që tingëllon si një flirtim i trashë nga një burrë banal, është në fakt pjesë e skemës së mashtrimit të synuar. Trafikantët e qenieve njerëzore i përdorin këto biseda, në dukje banale, për të testuar se sa e dëshpëruar është një viktimë e mundshme. A ka nevojë për para  dhe sa larg do të shkonte për t’i siguruar ato.

Babai i fëmijës për të cilin kujdesej, i sugjeroi një dadoje tjetër, me të cilën ne folëm, punën në një klub të paligjshëm nate ku, duke “shërbyer”, mund të fitonte deri në njëmijë franga në natë.

Ajo, siç kuptojmë nga biseda dhe detajet, ka pranuar, por neve na e mohon: “Nuk e kam bërë kurrë këtë punë. Nuk është për mua”, thotë.

Kjo na ndodh edhe në biseda të tjera me viktimat, që tregojnë diçka dhe më pas mohojnë ta kenë bërë. Të përfshirë në një situatë të turbullt, me frikë, turp e tabu, ne vendosim t’u përmbahemi fakteve, kryesisht dokumenteve gjyqësore dhe deklaratave zyrtare të viktimave. Megjithëse i kemi këto, nuk mund të përballemi me autorët e dyshuar – edhe pse i dimë emrat dhe kemi numrat e tyre të telefonit – pasi nëse e bëjmë këtë, mund t’i vëmë viktimat në rrezik.

Por, nga të dhënat dhe dëshmitë, na bëhet e qartë, se ajo që fillon si një punë si dado, mund të përfundojë në shfrytëzim prostitucioni.

Pjesa 5: Odiseja nuk mbaron

Makthi i njerëzve të trafikuar nuk mbaron edhe nëse ata i shpëtojnë, kur janë me fat, torturuesve të tyre. Në shumë raste, kthimi në shtëpi është një kthim pas në vendin ku mungon shpresa, shpesh me më pak para se përpara fillimit të gjithë odisesë. Edhe traumat psikologjike dhe fizike lënë gjurmë.

Megjithatë nga turpi, shumica e viktimave nuk flasin për atë që u ndodhi. Ato nuk figurojnë në asnjë statistikë, as ardhjet dhe largimet e tyre nuk kanë asnjë rëndësi askund. Ato nuk u regjistruan kurrë si punëtore në Zvicër. As nga punëdhënësit e tyre, të cilët, në rastin më të mirë, thjesht kërkonin përkujdesje të përballueshme për fëmijët, dhe sigurisht jo nga organizatorët e skemës, trafikantët e qenieve njerëzore, të cilët nga njëra anë përfitojnë nga kërkesa gjithnjë në rritje për dado të lira dhe nga ana tjetër edhe nga nevojat dhe mungesa e shpresës së grave viktima.

“Që kur filloi lëvizja e lirë e njerëzve (zona ), sigurisht që është më e lehtë të gjesh punë legale në vende të tjera. Por, për ne, është një disavantazh që askush nuk raportohet më nëse është dëbuar apo kthyer vetë”, thotë Brikena Puka, drejtoresha e Vatra, një OJQ në qytetin e Vlorës që lufton trafikimin e grave nga Shqipëria. “Kjo e bën edhe më të vështirë identifikimin e viktimave kur ato kthehen nga Zvicra”, thotë Puka.

Shumë njerëz në Shqipëri kanë dëgjuar për mundësinë për të punuar si dado në Zvicër. Bisedat që bëmë na e konfirmojnë këtë. Disa njohin një kushëri apo vajzën e një shoku që ka punuar si dado, megjithatë, shumë pak njerëz e dinë se bëhet fjalë për trafikim të qenieve njerëzore. Edhe pranë organizatës Vatra nuk kanë një ide të qartë se si mund t’i qasen këtij problemi. Puka shpreh bindjen se luftës ndërkufitare kundër trafikut i duhet një koordinim më i mirë.

Lirija, e cila punoi në kushte skllavërie në Zvicër, ka gjetur besim të ri pas sprovës që kaloi. Ajo u vendos në një strehë, ku iu dha mbështetje psikologjike dhe po ashtu u mbështet gjatë procesit gjyqësor. Megjithatë, edhe sot ajo është ende e paqëndrueshme. Asaj i lejohet të qëndrojë në Zvicër vetëm sepse cilësohet si një “rast i vështirë” për shkak të rrethanave të saj, që i ka mundësuar të rindërtojë të ardhmen e saj këtu.

Të tjera viktima, si Ardita për shembull, u kthyen në vendlindje. Ajo thotë se dëshiron ta provojë sërish Zvicrën, ndoshta herën e dytë do të ketë fat më të mirë dhe do të gjejë një punë të vërtetë. “Deri më sot, nuk kam mundur t’i tregoj familjes sime se çfarë më ndodhi”, thotë ajo. “Turpi është shumë i madh.”

Të tjera, si Mariana dhe Shpresa, janë dëbuar ose zhdukur në mënyrë të pashpjegueshme nga skena. I kemi humbur gjurmët e tyre. Është e mundur që kjo është pikërisht ajo që ata donin, ose ato ranë sërish në kthetrat e trafikantëve të qenieve njerëzore. Ky është një model që përsëritet shpesh në rrethin vicioz të varësive, pasi viktimat kanë nevojë për para, për veten apo dhe familjet e tyre. Kështu që ato përpiqen përsëri, duke shpresuar se këtë herë do të jetë më mirë.

—-

Ky hulumtim është kryer me mbështetjen e JournaFONDS.  Një pjesë e shpenzimeve të udhëtimit u mundësuan nga fondi mediatik Real 21. Shkrimi u botua më herët në revistën e njohur zvicerane Beobachter.

 

Gjykata e Apelit në Gjenevë në funksionin e gjykatësit dekreton edhe z.Liburn Mehmetaj, me origjinë  nga komuna e Deçanit- Nga ARIF EJUPI

Gjykata e Apelit në Gjenevë të Zvicrës, si një nga instancat më të larta të gjyqësorit ka bërë emërimin e gjykatësve të rinj. Në mesin e të dekretuarve gjendet edhe i riu Liburn Nezir Mehmetaj, me origjinë nga komuna e Deçanit të Kosovës.
Libur Mehmetaj, lindi më 5 janar të vitit 1991 në Prishtinë.  Prindërit e tij Neziri dhe Nexhmija si intelektual  të vërtetë qysh në rininë e tyre të hershme  kishin vendosur t’i dalin zot Atdheut të tyre të robëruar.
Neziri si jurist i diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Kosovës, duke parë mohimin e të drejtave më elementare të shqiptarëve nga Jugosllavia komuniste e në veçanti nga Serbia, në pranverën e vitit 1981 vihet në ballë të demonstratave studentore të organizuara gjithandej Kosovës.
Ai për shkak të deklarimit të hapur që nën një çati me sllavo-komunistët nuk ka të ardhme për shqiptarët dënohet me 8 vite burgim të rëndë.
Kurse bashkëshortja e tij Nexhmije Mehmetaj, në atë periudhë profesoreshë  e gjuhës dhe letërsisë  shqipe në gjimnazin “Xhevdet Doda” të Prishtinës, për shkak të solidarizimit me burrin e saj përjashtohet nga procesi mësimor. Veç kësaj Nexhmijes i ndalohet  e drejta e punës në çdo institucion të atëhershëm të Kosovës.
Edhe pas lirimit të Nezirit nga kazamatet e ish-Jugosllavisë, ai dhe familja e tij nuk lihen  të qetë nga regjimi diktatorial  i Sllobodan Millosheviqit.
Familja Mehmetaj e gjendur në udhëkryq përkundër dëshirës detyrohet ta marrë rrugën e kurbetit së bashku me Liburnin, asokohe 2 vjeç.
Ajo vendoset si kërkuese e Azilit në kantonin Jura të Zvicrës. Meqenëse, zonja Nexhmije Mehmetaj e kishte pikë të dobët punën me nxënës përgjatë 30-viteve do të punojë  në kantonin Jura me fëmijët  e mërgimtarëve tanë.
Zonja Nexhmije, në fillim të viteve 90- të, me vetiniciativë hap shkollën e parë të Mësimit Plotësues  të Gjuhës Shqipe në Zvicër. Falë përpjekjeve të saj ky mësim më vonë degëzohet në mbarë Zvicrën.
Ajo me kusht që kjo shkollë të fuqizohet sa më tepër në gazeta e portale boton shkrime dhe studime mbi rëndësinë e këtij mësimi.
Synim të vetëm Neziri e Nexhmija si të përndjekur politikë kanë edhe arsimimin e fëmijëve të tyre.
Djali i tyre Liburni një fëmijë i sjellshëm dhe i urtë do t’i gëzojë pa masë Nezirin dhe Nexhmijen me arritjet e tij në shkollë.
Ai të gjitha nivelet e mësimit nga ai fillestar e deri tek ato universitare do t’i kryejë  me rezultate të larta në kantonet Jura dhe Friburg të Zvicrës.
Pas kryerjes  së studimeve të shkallës Master në Jurisprudencë në Universitetin e Friburgut, Liburni do të marrë edhe certifikatë Avokatie në Universitetin shtetëror të Gjenevës.
Ai detyrën e Avokatit do ta ushtrojë me mjaft sukses në zyrën e njohur Walder  Wyss  SA të Gjenevës.
Kjo zyrë konsiderohet si nga më të suksesshmet ngase në kuadër të saj punojnë juristë të specializuar nga të gjitha kantonet e Zvicrës.
Po ashtu Liburni do t’i thellojë  njohurit e tij edhe me një specializim shtesë nga kjo fushë në  Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Liburn Mehmetaj njohës shumë i mirë edhe i gjuhës amtare duke parë që shkolla shqipe me Mësim Plotësues në Gjenevë, është e ballafaquar me vështirësi serioze vendos që të vihet në krye të saj.
Ai me mjaft sukses edhe sot e kryen detyrën e udhëheqësit të LAPSH-it  në Gjenevë dhe Zvicër.
Me ardhjen e tij në krye të këtij institucioni  të rëndësishëm u ngjallën  shpresat se në asnjë mënyrë nuk do të ndodhë asimilimi i fëmijëve tanë.
Falë punës së tij të përpiktë  i gjithë Arkivi i kësaj shkolle është  dixhitalizuar. Po ashtu në platformën e LAPSH-it, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në çdo kohë.
Nëse ua duam  të mirën  fëmijëve tanë dhe vetvetes  duhet ta ndihmojmë  këtë njeri vullnetmirë që këtë detyrë  tash sa vjet e kryen në baza vullnetare.
Liburni një i rinj me reputacion edhe mjaft punëtor në nëntor të vitit që shkoi emërohet Gjykatës në Gjykatën e Apelit në Gjenevë.
Të gjithë duke njohur karakterin e tij prej njeriu të ndërgjegjshëm dhe korrekt  besojnë se ai do të punojë hëpërhë  konformë  rregullave dhe ligjeve zvicerane.
Gjithashtu duhet theksuar se nga të dekretuarit e Gjykatës së Apelit në Gjenevë, më i riu në moshë është  Liburn  Mehmetaj.  Ky një fakt që ai shumë shpejtë mund të synojë edhe pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm në këtë Republikë dhe kanton të Zvicrës
ARIF EJUPI

Rrëfimi i Ahmetajt/ Kush është Blerim Hoxha, pronar i 40% të inceneratorit të Tiranës

Gjatë intervistës që dha për Syri Tv, ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj e drejtoi gishtin nga dyshja Rama-Veliaj si pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës. Ai la të kuptohet se pronarët zyrtarë ishin persona fiktivë, të futur aty për të nxjerrë paratë që paguhen nga taksat. Ahmetaj u shpreh se qëllimi i hetimit duhet të jetë të gjejë 60 milion eurot që janë paguar për inceneratorin e Tiranës.

Me ose pa dashje, Ahmetaj përmendi gabimisht emrin e Besim Hoxhës, duke iu referuar Blerim Hoxhës një ndër njerëzit që disponon 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës përmes blerjes së aksioneve nga kompanitë zinxhir për kompaninë mëmë Geogenix.

“Po i pyes gazetarët që rrinë të SPAK, pse një biznesmen shqiptaro-zviceran ka 40% të inceneratorit të Tiranës. Besim Hoxha, i ka me letra. Çfarë ka bërë kjo kompani, si i ka marrë dhe si i ka paguar, çfarë lidhjesh ka qeveritarë dhe biznesi në Shqipëri. Çfarë është ky biznesmen? Çfarë lidhjesh, çfarë biznesi ka në Shqipëri? Me kë ka qenë i lidhur, me kë ka bërë transaksione, kush e ka ndihmuar të marrë ARMO-n, çfarë ka bërë me të, si është gjendur ky 40% i inceneratorit të Tiranës. Se është kompania që ka lidhje me garancinë në Dubai” ishin disa nga pyetjet që ngriti Ahmetaj.

Vetë ish-zv.kryeministri nuk iu fut detajeve, por ai tha se një pjesë e informacioneve ishin publikuar në media në lidhje me Blerim Hoxhën.

Image

Kompania Tosk Energji e Blerim Hoxhës

Blerim Hoxha ka lindur në Kosovë dhe është me shtëtësi zviceriane. Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se ka studiuar për shkenca ekonomike, menaxhim dhe tregëti në Institutin e Studimeve Globale në Universitetin e Gjenevës.

Pavarësisht se gëzon 40% të aksioneve të inceneratorit të Tiranës, emri i Blerim Hoxhës dhe e kaluara e tij është përmendur pak. Me kompaninë e tij Tosk Energji, Blerim Hoxha njihet për menaxhimin që i ka bërë ARMO-s deri në vitin 2020.

Tosk Energji është një shoqëri e regjistruar në Shqipëri me administrator Blerim Hoxha.

Në tetor të vitit 2016, Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave bllokoi një transfertë të dyshimtë 13 milionë euro nga kompania Gunvor për kompaninë Tosk Energji.

Gunvor në atë kohë figuronte në listën e zezë të të qeverisë amerikane, pasi dyshohej se një pjesë e aksioneve të saj zotëroheshin drejtëpërsëdrejti nga presidenti rus Vladimir Putin.

Pas bllokimit disa ditor, 13 milionë eurot u zhbllokuan për t’u transferuar në llogarinë e Tosk Energji. Paratë u përdorën për të rivënë në punë ARMO-n. Në tetor të vitit 2016, qeveria shqiptare bekoi rivënien në punë të ARMO-s duke ja dhënë atë kompanisë IRTC, nën pronësi të biznesmenit Besnik Sulaj.

Prezantimin e administratorëve të rinj që morën ARMO-n e bëri vetë kryeministri Edi Rama. Ishte periudha e krizës, kur naftëtarët kishin mbetur pa rroga për shkak të borxheve që kishte lënë pas Rezart Taçi. Naftëtarëve të revoltuar dhe të papaguar, Rama u shkoi në Ballsh me një lajm të mirë. Ai u tha se së shpejti do të vinte një “investitor serioz dhe të vendosur”. Kryeministri u tha se ky investitor e kishte siguruar se do t’i shlyente rrogat e prapambetura dhe se do t’u paguante edhe sigurimet.

Transferta prej 13 milionë euro nga Gunvor tek Tosk Energji u përdor për të garantuar blerjen e lëndës së parë tek Bankers Petroleum. Sipas burimeve të mirëinformuara, Tosk Energji pagoi 13 milionë euro si parapagim tek Bankers që kjo të furnizonte IRTC-në me naftë bruto. Në këmbim, Tosk Energji mori tregtimin me pakicë të karburantit që prodhohej nga IRTC në rafinerinë e ARMO-s.

Qeveria shqiptare ka qenë në dijeni të plotë të gjithë operacionit. Edhe pse Gunvor figuronte në listën e zezë të qeverisë amerikane si kompani e lidhur me presidentin rus Putin ajo u lejua të investonte në Shqipëri. Madje duke shtënë në dorë një nga sektorët më strategjik të ekonomisë, monopolin e rafinimit të naftës.

Administrimi i ARMO-s nga kompania e Blerim Hoxhës dhe nga kompania e Besnik Sulajt zgjati deri në prill 2022. Kriza u zgjat më tej. Tosk Energji i shtoi më shumë borxhet e ARMO-s dhe la rrogat e naftëtarëve pa shlyer. ARMO u çmontua për skrap, ndërsa rrogat e naftëtarëve i pagoi qeveria.

Rreth 75 milionë euro taksa mbetën pa u paguar. Nga tetori 2016 deri në tetor 2017, IRTC prodhoi përmes ARMO-s rreth 160 mijë tonë karburant që u tregua në tregun vendas përmes IRTC dhe Tosk Energji.

Kompania e re “Icare Energji” e Blerim Hoxhës

Tani emri i Blerim Hoxhës ka dalë sërish në incenratorin e Tiranës por me një kompani tjetër Icare Energji. Sipas dokumentave kompania e incenratorëve Integrated Energy zotërohet nga 3 pronarë. Alberto Presezzi zotëron 40% të kuotave, Max Abitbol po 40% dhe Giuseppe Ciaffaglione 19.9%.

Max Abitbol ka blerë 40% të aksioneve të Geogenix në Hollandë përmes një kompanie të quajtur Icare Holding SA. Kjo ka filialin në Shqipëri me emrin Icare Energji. Administratore e kompanisë rezulton Marigona Metaj, ndërsa anëtarët e këshillit mbikqyrës janë Max Abitbol, Blerim Hoxha dhe Joel Jacques Jean Chevallaz.

Emrat janë po ato që menaxhonin ARMO-n dhe shfrytëzonin paratë që vinin nga Rusia.

Ish-deputeti Belind Këlliçi që ka publikuar të dhëna të vazhdueshme për skandalin e inceneratorëve tha se paratë ruse janë në inceneratorin e Tiranës nëpërmjet këtyre personave.

Blerim Hoxha futet në histori pas muajit maj 2022 përmes kompanisë së tij dhe zotëron 40% aksionare në inceneratorin e Tiranës, dhe janë të llahtarshme veprimet  që janë kryer aty që shkon deri në parajsa fiskale. Icare Groupt është një kompani që përfshin tre individë që janë Marigona Metaj, Blerin Hoxha dhe Christof Dagbord dhe këto të fundit janë të përfshirë në rafinerinë eARMO dhe e dërguan për skrap. Metaj dhe Dagbord zotërojnë kompani Tosk Energy dhe Bylis Energy të cilat financohen nga kompani ruse të futura në listën e zezë nga SHBA. Inceneratori i Tiranës financohet nga kompani ruse, pra futen para ruse.” u shpreh Këlliçi./Lapsi.al

Komunikatë për shtyp e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD), zhvilloi më 21 janar 2024 Asamblenë e Përgjithshme.

Në takimin e organizuar përmes platformës së internetit Zoom, Kryetari Z. Skënder Buçpapaj, paraqiti raportin vjetor dhe atë financiar për aktivitetin e kësaj shoqate gjate vitit 2023.

Në mbledhje pati shumë diskutime e propozime për aktivitetet në vijimësi, të cilat u miratuan me votim.

Shtimi i numrit të anëtarëve të rinj dhe bashkëpunimi më i gjerë me struktura homologe ndërkombëtare në fushën e shtypit, do të jenë në qendër të vëmendjes së Unionit për vitet e ardhshme.

Në përfundim u kryen edhe zgjedhjet e reja. Kryetar i UGSHPD-së u zgjodh Z. Skënder Buçpapaj, Sekretare e Përgjithshme Alba Kepi dhe Nënkryetar Artan Kutra.

E themeluar më 6 qershor 2021 dhe e regjistruar në Zvicër më 26 nëntor 2021, UGSHPD, është një shoqatë e pavarur jofitimprurëse e gazetarëve shqiptarë që jetojnë në Diasporë.

Ndër objektivat kryesore të UGSHPD-së është nxitja e debatit publik ndaj së vërtetës, duke synuar një shkallë të lartë profesionalizmi në gazetari, përmes një etike të theksuar profesioniste në gjuhën shqipe.

Kryeministri Kurti në Zyrih, mori pjesë në ceremoninë hapëse të sallonit të mobilieve të prodhuara në Kosovë

Zyrih, 16 janar 2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë mori pjesë në ceremoninë hapëse të sallonit të mobileve dhe prodhimeve të drurit të prodhuara në Kosovë, të kompanive Mobile Dekor, Shehu L.L.C dhe AMW Interior, biznese këto nga diaspora jonë në Zvicër.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tha se kjo është dëshmi e qartë e potencialit të cilësive që vijnë nga prodhimet tona, dhe një dritare drejt tregjeve botërore për mobiliet “Made in Kosova”.

“Ne në Kosovë, kemi bërë përparime të jashtëzakonshme në demokraci dhe sundim të ligjit në këto tre vitet e fundit, dhe kjo padyshim që ka frymuar një zhvillim të shpejtë edhe të sektorit privat. Me një renditje nga Freedom House si vendi i tretë në botë për përparim në demokraci, dhe duke i shtuar rezultatet më të mira në vendin tonë prej se jemi çliruar, kemi dëshmuar angazhimin tonë i cili konsiston në kombinimin e zhvillimit ekonomik me progres demokratik”, shtoi kryeministri.

Ai theksoi se edhe përmes luftimit të korrupsionit, kemi ndihmuar në krijimin e një shoqërie më të drejtë e më të barabartë e që ka sjellë rritje ekonomike, e sidomos rritje të eksportit dhe të investimeve të huaja. “Është një dëshmi e fortë se demokracia dhe sundimi i ligjit janë çelësi për prosperitetin ekonomik. Kësisoj, për më pak se tri vjet, Republika e Kosovës ka më shumë eksporte, sesa për më shumë se 6 vjet të periudhës paraprake. Kjo tregon se sa dinamik është sektori privat në Kosovë”, u shpreh kryeministri.

Kompanitë tona jo vetëm që prodhojnë mallra me cilësi, por ato janë edhe të afta edhe të qëndrojnë në tregjet ndërkombëtare, e kjo sjell rritje ekonomike, krijon vende pune, por gjithashtu e përmirëson dhe imazhin dhe reputacionin e shtetit tonë në botë.

Në këtë udhëtim drejt suksesit në tregjet ndërkombëtare, është thelbësore që kompanitë tona të kenë qasje në burimet e duhura dhe ky showroom këtu në Zyrih është veçse fillimi. Ai paraqet jo vetëm produktet tona, por edhe shpirtin e sipërmarrjes dhe punën e palodhshme të popullit tonë.

“Së bashku, me këto e kompani tona e shumë e shumë të tjera, me mbështetjen e qeverisë, dhe me partneritetin tonë me organizata si USAID, ne mund të ndërtojmë një të ardhme më të ndritur për Kosovën brenda shtetit e në skenën ndërkombëtare”, përfundoi kryeministri.

Liburn Mehmetaj u zgjodh Gjykatës në Gjykatën e Lartë të Apelit në Gjenevë – Zvicër Nga Nexhmije Mehmetaj

 

Brezi i ri i shqiptarëve në Zvicër po dëshmojnë gjithnjë e më shumë se vetëm me dije dhe punë mund të jenë pjesë e institucioneve më të rëndësishme në atdheun e tyre të dytë.

Kjo u vërtetua së fundmi nga Avokati Liburn Mehmetaj i cili më 23. 11. 2023 u zgjodh gjykatës në Gjykatën e Lartë të Apelit në Gjenevë. Kjo është një pozitë e rëndësishme në sistemin ligjor të Zvicrës dhe është një prej instancave më të larta gjyqësore në vend.

Liburni ka arritur në këtë pozicion pas një rrugëtimi të suksesshëm arsimor dhe profesional në Zvicër dhe jashtë saj.

Liburn Mehmetaj ka përfunduar studimet në Universitetin e Friburgut, Fakultetin e Drejtësisës duke marrë gradën e Bachelor dhe Master. Në vitin 2013 ka mbaruar studimet e avokaturës në Gjenevë merr titullin Avokat. Më pas, ai ka fituar bursën Fulbright për të specializuar në të drejtën mjedisore në Universitetin e Kalifornisë, Los Angeles (SHBA) në vitin 2020. Kjo tregon përkushtimin e tij duke përfunduar të gjitha studimet me sukses të lartë.

Në Gjenevë punoi avokat nga viti 2014 deri në 2022 në një kompani të madhe avokatësh. Aktualisht është partner në firmën Walder Wyss SA dhe gjyqtar në Gjykatën e Lartë në Gjenevë.

Liburni jep kontributin e tij edhe si kryetar i Lidhjes së Arsimtareve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër si dhe kryetar i Këshillit Kantonal të LAPSH në Gjenevë. Është i martuar me Besartën dhe kanë dy fëmijë, Olta dhe Noli.

Liburni ka lindur në Prishtinë më 5. 01.1991, dhe emigroi në Zvicër së bashku me prindër në moshën 2 vjeçare, për të iu shpëtuar persekutimeve të pushtuesve serbë. Babai i tij Nezir Mehmetaj (jurist) ishte dy herë i dënuar politik dhe ka vuajtur dënimin prej 8 vitesh. Nëna e tij, Nexhmije Mehmetaj, prof e Gjuhës shqipe ka punuar në gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e larguar nga procesi arsimor për shkak të burgosjes së bashkëshortit të saj. Ndërsa në Zvicër ka punuar mësuese e mësimit plotësues të gjuhës shqipe LAPSH në kantonin Jura për 30 vite.

 

Gjenevë, 29.12. 2023 Nexhmije Mehmetaj


Send this to a friend