Thaçi ka theksuar se tashmë ekziston një mbështetje globale për arritjen e një marrëveshje, jo vetëm nga BE-ja dhe SHBA-ja, por edhe nga Rusia. Ai, gjithashtu, ka folur për taksën dhe liberalizimin e vizave.
Kjo është intervista e plotë e presidentit Thaçi:
Kurier: A keni sjellë ndonjë risi në lidhje me tarifat ndaj produkteve serbe?
Hashim Thaçi: Kosova ishte e detyruar në një formë apo tjetrën të merrte masa të tilla. Ne do të bëjmë çmos, që dialogun mos ta vështirësojmë. Por Serbia nuk guxon të vendosë kushte për vazhdimin e dialogut. Unë shpresoj se bllokada së shpejti do të përfundojë.
Kurier: Do të thotë kjo se Kryeministri Haradinaj së shpejti do të tërheqë plotësisht taksat?
Hashim Thaçi: Unë shpresoj, se së shpejti do të ketë një zgjidhje për të vazhduar bisedimet. Për një marrëveshje, e cila do të ishte e mirë si për palën kosovare, ashtu edhe për atë serbe dhe e pranuar nga bashkësia ndërkombëtare.
Kurier: Nëse do duheni të vëni bast, besoni se gjatë këtij viti mund të arrihet një marrëveshje me Serbinë?
Hashim Thaçi: Do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur. Një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës është absolutisht e domosdoshme. Nuk duhet të ketë kurrë më luftë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Në gjithë rajonin duhet të mbizotërojë paqja. Ne duam të arrijmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo një të përkohshme.
Kurier: A do të pranonte Kosova ndonjë marrëveshje, në të cilën Republika e Kosovës nuk do të ishte e pranuar si shtet në mënyrë eksplicite nga Serbia?
Hashim Thaçi: Një marrëveshje pa njohjen e Kosovës si shtet, pa një vend në OKB, nuk do të kishte kuptim. Unë besoj dhe po punoj për të siguruar që Republika e Kosovës të ketë një ulëse në OKB dhe të njihet në nivel global. Bashkimi Evropian (BE) dhe Federica Mogherini udhëheqin këtë proces dialogu. Kemi mbështetje të madhe nga SHBA, sidomos nga Donald Trump. Gjithashtu edhe një pranim nga Rusia, nëse ne kemi një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kjo ka munguar në të kaluarën. Është një moment i përshtatshëm në nivelin ndërkombëtar. Nëse një marrëveshje gjithëpërfshirëse është e pranuar nga BE-ja, SHBA-ja dhe e pranuar nga Rusia, kjo do të nënkuptonte mbështetje globale.
Kurier: Pra, ju jeni të sigurt se Rusia do ta njohë Kosovën si shtet, nëse Beogradi dhe Prishtina janë dakorduar për një marrëveshje?
Hashim Thaçi: Pas kësaj marrëveshjeje, Kosova së shpejti do të ketë një ambasadë në Moskë.
Kurier: A mund letra e Donald Trump (për Thaçin dhe Vuçiqin) të thyej akullin aktualisht ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës?
Hashim Thaçi: Kjo është një letër përkrahëse, që mëton një balancë të interesave për të dy anët. Nëse nuk e shfrytëzojmë këtë moment, kjo mund të çojë në një përkeqësim të situatës. E kam bërë të qartë se Republika e Kosovës do ta shfrytëzojë këtë mundësi. Unë e shoh këtë në kuptimin e qëllimeve strategjike dhe jo të politikës ditore kosovare.
Kurier: Ideja e shkëmbimit të territoreve është ende në tavolinë?
Hashim Thaçi: Marrëveshja do të përfshijë të gjitha fushat: personat e pagjetur, zhvillimin ekonomik, trashëgiminë kulturore dhe pika të tjera. Nuk do të ketë kufij në linja etnike. Të dy vendet do të mbeten multietnike. Do të mbizotërojë fryma multietnike dhe evropiane. Ne dëshirojmë të kemi kufij të hapur dhe tregti të lirë. Jo kufij klasikë si në të kaluarën. Marrëveshja do të çojë përpara zhvillimin ekonomik, do të sigurojë mirëqenie më të mirë, do të ofrojë një jetë më të mirë dhe me më shumë investime ndërkombëtare. Republika e Kosovës është një vend i ri që ka shumë potencial, i cili ende nuk është shfrytëzuar mjaft mirë deri tani.
Kurier: Kufijtë e hapur do ta bënin shkëmbimin e territoreve të panevojshme?
Hashim Thaçi: Unë po flas për kufijtë e hapur dhe jo për vija etnike, pra për një model evropian. Jam i bindur se një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të mundësojë një bashkëpunim të përsosur në rajon.
Kurier: Kosovarët janë ende në pritje të lëvizjes pa viza për në BE…
Hashim Thaçi: Kjo është me të vërtetë një padrejtësi për qytetarët e Kosovës. Republika e Kosovës i ka përmbushur të gjitha kriteret, madje edhe më shumë se të tjerët në rajon. Megjithatë, ne kemi vetëm një rrugë: integrimin evropian. Ne jemi të zhgënjyer, por ne nuk do të largohemi nga kjo rrugë.
Kurier: BE-ja frikësohet se shumë të rinj kosovarë duan të shkojnë në Evropë.
Hashim Thaçi: Fushata zgjedhore për zgjedhjet e BE-së sapo ka filluar. Disa shtete anëtare nuk duan të rrezikojnë dhe kjo është në fakt një çështje e brendshme e shteteve anëtare të BE-së. Por, Republika e Kosovës është duke e paguar çmimin.
Deputeti i SPD-së, Adis Ahmetoviq, kritikon heshtjen politike për gjendjen e shqiptarëve në Serbinë e Jugut dhe kërkon mbrojtje të pakicave, kushte të qarta për Serbinë në rrugën drejt BE-së
Deutsche Welle: Z. Ahmetoviq, të premten ju mbajtët në Bundestag një fjalim me rastin e ditës përkujtimore të Srebrenicës. Ju jeni i prekur personalisht nga Lufta e Bosnjës, eshtrat e gjyshit tuaj u gjetën në një varr masiv dhe u identifikuan vetëm në vitin 2016. Si e përjetuat këtë debat?
Adis Ahmetoviq: Jam shumë mirënjohës që në Bundestagun gjerman u zhvillua një debat i dakorduar për këtë ngjarje. Nuk përkujtuam vetëm 30-vjetorin e gjenocidit të Srebrenicës, por për herë të parë edhe Ditën Ndërkombëtare të Kujtimit për këtë krim. Vitin e kaluar, qeveria gjermane, në bashkëpunim me Ruandën, arriti të fitojë shumicën në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ta shpallur këtë ditë si ditë ndërkombëtare përkujtimore.
Bundestag
Ky debat ishte i domosdoshëm. Edhe pas 30 vitesh ka ende aktorë politikë në Ballkanin Perëndimor – në Bosnje e Hercegovinë, por edhe në Beograd – që mohojnë gjenocidin, përpiqen të shtrembërojnë historinë dhe glorifikojnë kriminelë lufte si Ratko Mladić apo Radovan Karadžić. Kjo është e papranueshme. Kemi përgjegjësi – ndaj viktimave, familjarëve të tyre dhe gjithë rajonit.
Srebrenica ishte një gjenocid në tokën evropiane. Çfarë mësimesh mund të nxirren nga kjo për situatën aktuale në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht në Kosovë?
Ne duhet ta ndjekim nga afër dhe vazhdimisht situatën në Ballkanin Perëndimor. Politika për Ballkanin nuk mund të jetë çështje konjukturash – ajo duhet të jetë pjesë e përhershme e agjendës së politikës sonë të jashtme. Prandaj, unë ndjek rregullisht zhvillimet në rajon, në Shqipëri, Serbi dhe në Kosovë. Qëllimi ynë është stabiliteti në rajon.
Për Kosovën, kjo do të thotë konkretisht: ne duam që ky vend të bëhet anëtar i Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur – nëse do të varej nga SPD, më mirë dje sesa nesër. Srebrenica na kujton çdo ditë, se Ballkani Perëndimor nuk është periferi, por pjesë qendrore e Evropës.
Shumë njerëz nga Ballkani jetojnë sot në Gjermani, janë të integruar shumë mirë dhe janë shtetas gjermanë. Edhe kjo na obligon. Rajoni duhet të jetë pjesë përbërëse e politikave tona të jashtme dhe të sigurisë – dhe ky është realitet nën këtë qeveri, veçanërisht sa i përket Kosovës.
Sipas informacioneve tona, në Bundestag ka pasur një përpjekje për të miratuar një rezolutë për Srebrenicën. Përse dështoi kjo nismë?
Mund të them me siguri se sot kemi arritur ta përkujtojmë Ditën Ndërkombëtare të Gjenocidit në Srebrenicë në një formë të denjë – me përmasa dhe në një kuadër që i përgjigjet seriozitetit të kësaj çështjeje.
Unë mbajta një fjalim personalisht dhe vendosa lulen përkujtimore të Srebrenicës në jakën e xhaketës – si një shenjë të qartë solidariteti. Një shenjë tjetër e fortë ishte prania e dy të mbijetuarve të gjenocidit. Krahas ambasadorit të Bosnjës, ishte i pranishëm edhe ambasadori i Kosovës, partneri im politik Faruk Ajeti – një diplomat që bën një punë të shkëlqyer këtu në Gjermani.
Dua të theksoj gjithashtu: Grupi parlamentar i SPD-së në Bundestag ka miratuar një qëndrim të vetin për 30-vjetorin dhe për Ditën e Parë Ndërkombëtare të Përkujtimit për Srebrenicën – dhe këtë e ka bërë njëzëri. Kjo ishte vetëm pika e fillimit. Vitin tjetër vjen Dita e Dytë Ndërkombëtare e Përkujtimit – pastaj e treta, e katërta Dhe ne do ta rrisim dhe do ta përmirësojmë angazhimin tonë.
Përmendët Këshillin e Evropës. A ka ndonjë plan konkret për ta vendosur anëtarësimin e Kosovës në agjendën e Këshillit të Ministrave?
Nuk mund të përmend një datë konkrete, sepse kjo do të ishte e papërgjegjshme. Por si zëdhënës për politikën e jashtme të grupit parlamentar të SPD-së – bashkë me kolegun tim Frank Schwabe – do të bëjmë gjithçka për ta mbajtur kursin tonë.
Ne duam që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës. U zhgënjyem që kjo nuk u arrit në legjislaturën e kaluar, ndonëse kishte një momentum strategjik. Po të ishte ushtruar më shumë presion, ndoshta do të kishte ndodhur.
Megjithatë, nuk duhet të dorëzohemi. Në jubileun e Këshillit të Evropës në Bundestag thashë qartë: Dëshira ime është që Kosova, kjo demokraci e re, të bëhet anëtare e plotë sa më shpejt – nëse do të varej nga ne të SPD-së, dje e jo nesër.
Ndaj kujt duhej bërë më shumë presion vitin e kaluar?
Qeveria gjermane do të duhej të kishte ushtruar më shumë presion mbi shtetet anëtare të Këshillit të Evropës. Disa vende ishin kundër. Por Gjermania ka tani më shumë peshë në Evropë – dhe ne duhet të veprojmë me vetëbesim, por edhe me përulësi.
Si SPD do të kujdesemi që qeveria të jetë më aktive në këtë drejtim. Ministri i Jashtëm, z. Wadephul, është shprehur vetë se Kosova duhet të bëhet anëtare e përhershme e Këshillit të Evropës. Ne do t’ia kujtojmë këtë premtim – dhe do ta gjykojmë në bazë të tij.
Një tjetër garanci për paqe është anëtarësimi në BE. Shqipëria dhe Mali i Zi shpresojnë të bëhen anëtare deri në vitin 2030. A është kjo realiste? Dhe dëgjojmë të flitet për anëtarësim të asociiuar. Çfarë nënkuptojmë me këtë term?
Një nga mësimet më të mëdha nga gjenocidi i Srebrenicës është: procesi i integrimit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që nuk janë ende anëtare të BE-së duhet të marrë hov serioz. Nëse duam stabilitet dhe siguri të qëndrueshme në rajon, këto vende – përfshirë Kosovën – duhet të kenë një perspektivë reale, transparente dhe të sinqertë për anëtarësim.
Dhe diçka tjetër: Anëtarësimi në NATO është po aq i rëndësishëm sa ai në BE. Të dyja nivelet – integrimi politik dhe siguria kolektive – janë të lidhura ngushtë. Pa siguri, nuk ka asgjë. Njerëzit nuk kanë ikur nga Ballkani në vitet ’90 për të kërkuar punë më të mirë. Ata ikën për shkak të luftës, përndjekjes, dëbimit dhe krimeve.
Që kjo të mos ndodhë më kurrë, nevojitet një përfshirje e qëndrueshme në BE dhe NATO. Nuk mund të them se kur do të ndodhë kjo. Por mund t’ju premtoj: si përfaqësues i SPD-së për politikën e jashtme, do të jap gjithçka që kjo perspektivë të bëhet reale. E vërteta është gjithashtu se shtetet vetë – Kosova, Bosnja-Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – duhet të bëjnë detyrat e shtëpisë. Përgjegjësia është e dyanshme.
Parlamenti i Kosovës është i bllokuar aktualisht dhe nuk po arrin të fillojë punën. Sa e dëmshme është kjo për rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian?
Si socialdemokrat, jam në kontakt të ngushtë me qeverinë e Kosovës. Albin Kurti dhe partia e tij janë parti simotra me SPD-në – të dyja i përkasin krahut të majtë progresist.
Ne kemi një interes të madh për një qeveri stabile në Kosovë, një parlament funksional dhe punë parlamentare të rregullt. Për këtë arsye është urgjentisht e nevojshme që në Kosovë të rikthehet sa më shpejt stabiliteti politik.
Nëse kjo arrihet dhe në vitet e ardhshme kemi një qeveri stabile – me një presidente shumë të vetëdijshme dhe përfaqësuese të shkëlqyer të kësaj demokracie të re –, siç është zonja Vjosa Osamani, atëherë çështje si anëtarësimi në Këshillin e Evropës, procesi i integrimit në BE dhe një anëtarësim i mundshëm në NATO duhet të jenë sërish në krye të agjendës. Këto çështje janë të ndërlidhura ngushtë. Dhe nëse të dyja palët – Kosova dhe BE-ja – bëjnë detyrat e tyre, unë jam i bindur se do të ketë një perspektivë shumë pozitive.
Shqiptarët në Luginën e Preshevës ankohen për margjinalizim – dhe se janë të prekur nga pasivizimi sistematik i adresave të tyre. Këtë javë ju keni pritur në Bundestag një delegacion nga Lugina e Preshevës. Çfarë morët me vete nga ky takim?
Do të jem shumë i sinqertë – dhe unë jam një politikan që flet hapur: Situata e pakicës shqiptare në Serbi deri më sot nuk ka pasur vëmendjen e duhur, as në Gjermani e as në Bashkimin Evropian. Ne nuk e kemi parë mjaftueshëm situatën. Prandaj jam shumë mirënjohës që ky delegacion bëri një rrugë kaq të gjatë për të ardhur në Bundestag.
Kur them “rrugë e gjatë”, nuk e kam fjalën për kilometrat, por për këmbënguljen. Ata kanë kërkuar takime vazhdimisht – nuk ka qenë e lehtë të gjejnë dëgjues. Ka pasur shumë organizata të ndryshme që kanë avokuar për këtë çështje, ndër të tjera edhe një shkencëtare nga Institutit Max Planck në Göttingen, e cila më konaktoi e më tha: “Z. Ahmetović, duhet ta shikoni këtë çështje.” Dhe jam i lumtur që e bëra. Nuk e kisha të qartë sa serioze dhe problematike është situata në terren.
Çfarë mësova nga ky takim? Ne duhet të sigurohemi që të drejtat e pakicave të vlejnë kudo. Sa i përket pakicës shqiptare në Serbi, ka tre marrëveshje për të cilat Serbia është zotuar. Ato përmbajnë detyrime të qarta për integrimin e shqiptarëve në administratë, gjyqësor, polici dhe në përfaqësimin politik. Këto marrëveshje duhet të zbatohen – sepse janë parakusht për perspektivën e Serbisë drejt BE-së.
Qeveria e Kosovës dhe përfaqësuesit shqiptarë nga Serbia e Jugut kërkojnë që çështja e tyre të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga BE-ja. A e konsideroni këtë kërkesë legjitime?
Pakica serbe në Kosovë ka të drejtë legjitime të kërkojë të drejtat e veta. Përse të mos vlejnë standardet që kërkon qeveria serbe për serbët në Kosovë edhe për shqiptarët në Serbi?
Unë mendoj se këto standarde duhet të vlejnë për të gjitha pakicat – për pakicat në Serbi, si edhe për pakicat në Kosovë. Prandaj unë e gjej legjitime kërkesën e pakicës shqiptare në Serbi që të futet në agjendën e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës që moderon BE-ja. Unë e mora këtë kërkesë si detyrë për punën time dhe do ta adresoj.
Lajmi i shuarjes më 12 korrik 2025 i diplomatit gjerman Werner Daum u komunikua në mediat shqiptare, pasi ai ndodhej këto ditë në Shqipëri, vendi ku përpara 35 vjetësh ishte i pari diplomat gjermano-perëndimor që hapi Ambasadën e RFGJ-së në Shqipërinë komuniste më 1987.
Ambasadat
Ai asokohe gjatë qëndrimit tre vjeçar në Shqipëri ka pasur një aktivitet intensiv përtej kufijve të diplomacisë duke u angazhuar për hapjen dhe afrimin e Shqipërisë me botën perëndimore. Ai vet në një intervistë historike për DW (2010) është shprehur, se “kam qenë më shumë një ambasador i shqiptarëve tek qeveria ime, se sa anasjelltas”.
Daum brenda një kohë të shkurtër falë edhe njohjes së gjuhës shqipe arriti t’i njohë shqiptarët dhe të hyjë në komunikim direkt me njerëzit, sikurse është shprehur ai vet: “Unë e kam dashur Shqipërinë që në fillim, i kam dashur shumë shqiptarët, atë natyrë të mrekullueshme me male dhe det, pyjet. Jam ndierë shumë mirë atje.”
Ironi e fatit, që Daum ndërroi jetë pikërisht në Shqipëri, vendi ku punoi me pasion për hapjen dhe afrimin midis dy vendeve, njeriu që hapi portat e Ambasadës së RFGJ-së fund qershorin dhe fillim korrikun 1990 për pranimin e mijëra shqiptarëve, që në shenjë proteste ndaj sistemit vërshuan drejt selive diplomatike perëndimore për t’i dhënë goditjen e fundit regjimit komunist në Shqipëri, ngjarje që ka hyrë në histori si 2 Korriku.
Rreth kësaj ngjarjeje Daum në për DW më 2010 ka shpjeguar atë se çfarë ndodhi ato ditë. Ambasada gjermane pranoi rreth 3200 shqiptarë që kërkonin të largoheshin nga Shqipëria:
“Unë dua të them se nuk ishin 3200 por 3199, por nuk ishte se shqiptarët erdhën në ambasadën gjermane. Shqiptarët e parë shkuan në ambasadën greke, unë kisha shumë miqësi me ambasadorin grek, ai quhej Kakabasis, fliste perfekt gjermanisht, kishte ndjekur një shkollë gjermane, ai ishte miku im më i mirë ndër diplomatët.
Ai nuk ishte vetëm një mik që fliste gjermanisht si unë, por ne ishim edhe komshinj, pasi ambasada greke ndodhej direkt pranë ambasadës gjermane. Natyrisht që shqiptarët erdhën fillimisht në ambasadën greke, sepse ata ishin shqiptarë që vinin nga jugu i Shqipërisë dhe që flisnin greqisht, dhe mendonin se ndoshta ambasada greke mund t´i ndihmonte ata.
Të parët ishin rreth 15 deri 25 veta, të tjerë shkuan tek ambasada egjiptiane, italiane, disa shkuan tek ambasada franceze. Dhe unë u dëshpërova që deri në ato momente asnjë nuk kishte ardhur në ambasadën gjermane. Mua më vinte turp dhe mendova se nuk është e mundur që njerëzit të kërkojnë strehim tek egjiptianët, grekët apo italianët, por jo tek ne.
Dhe me ndërgjegje të plotë i thashë punonjësit të sigurimit të kufirit federal se që sot e tutje ambasada do të jetë e ndriçuar në mbrëmje, që të gjitha dritat do të ndizen, dhe se porta e madhe që sheh nga rruga do të lihet e hapur që të bjerë në sy, kanati i derës nuk do të jetë i hapur fare, por i pakyçur dhe kjo duhej të ishte e dukshme.
Unë nuk mund ta duroja që njerëzit të mos kërkonin strehim në ambasadën gjermane. Kjo mori dhenë dhe njerëzit e parë erdhën, pastaj erdhën të tjerë, pastaj një kamion që prishi murin rrethues të godinës. Unë këto veprime i përshëndeta, por tani dua të them që kjo nuk u përshëndet nga qeveria ime dhe kjo mu tha në telefon.
Unë komunikoja me qeverinë në Bon vetëm nëpërmjët linjës telefonike satelitore, pasi nuk mund të dërgonim fakse apo të shkruanim letra. Duhet thënë se qeveritë flasin për demokraci nëpër tryeza të dielave, por në aktivitetin e tyre ato e kanë për detyrë të ruajnë stabilitetin dhe jo të bëjnë një ndërhyrje aktive.
Asnjë qeveri nuk do që amabsada e vendit të tij të mbushet me azilkërkues. Dhe kështu ndodhi, por unë sot jam shumë i kënaqur që e kam bërë këtë, madje edhe pse në kundërshtim me porositë e qeverisë sime.”
Se si e përjetoi Daum Shqipërinë pas ngjarjeve të korrikut?
“Qeveria ime vendosi që ne nuk duhej ta përsërsinim një gjë të ngjashme dhe kjo ishte e drejtë. Për mua personalisht ishte e qartë që ky ishte fundi i rregjimit, se mund të zgjaste ndoshta edhe gjashtë muaj apo një vit, por isha i sigurtë se situata nuk mund të stabilizohej më. Unë isha i bindur se procesi ishte vënë në lëvizje dhe se çdo gjë tjetër do të ndodhte vetvetiu në mënyrë të natyrshme.
Qeveria e Bonit tha se gjendja është qetësuar, se njerëzit janë dërguar në shtëpitë e tyre, se unë do të hiqja flamurin gjerman nga ambasada dhe dera do të qëndojë e hapur, kurse unë do të luaja zyrtarisht rolin e kujdestarit të shtëpisë. Kështu unë vazhdoja të merrja rrogën por nëse dikush vinte aty kjo nuk ishte më ambasadë por një shtëpi. Kështu qëndrova rreth një muaj derisa mora një telefonatë nga Boni, prej nga mu njoftua që duhet ta lë Shqipërinë menjëherë, kjo ishte edhe dëshira e palës shqiptare, paçka se unë isha tani vetëm kujdestar i shtëpisë.
U largova me makinën time, me fotografitë e prindërve të mi dhe me bizhuteritë e mamasë sime e disa gjëra të mia private. Teksa udhëtoja një grua e moshuar iu afrua makinës dhe theu xhamin e saj me një gur. Kështu udhëtova pa xham deri në Beograd pas 16 orë udhëtimi dhe arrita në ambasadën gjermane atje.
Dy ditë më vonë më thanë se unë isha bërë jeshil në fytyrë dhe se nuk kishin parë ndonjëherë një fytyrë të tillë. Gruaja ime, e cila ndodhej në Beograd fillimisht nuk më njohu. Dua të theksoj se unë isha krenar për rolin tim aktiv në një pikë kthese në historinë evropiane, jo vetëm kundër atij rregjimi kriminal në Shqipëri, por edhe kundër qëndrimit kundërshtues të qeverisë sime, që në fakt ishte i kuptueshëm.”
Werner Daum lindi më 14 korrik 1943 në Nyrnberg, studioi në Piza, Beirut dhe në Universitetin Amerikan në Kajro duke u diplomuar në jurispundencë në Frankfurt mbi Main. Si pjesëtar i shërbimit diplomatik të Ministrisë së Jashtme të RFGJ-së stacionet e tij si diplomat kanë qenë, Jemeni, Sudani, Shqipëria, drejtor i përfaqësisë gjermane në seksionin e të Drejtave të Njeriut në Gjenevë.
Daum krahas aktivitetit diplomatik ka lënë pas disa botime mbi historinë e kulturës për Shqipërinë “Shqipëria mes kryqit dhe gjysmëhënës” si dhe botime për Jemenin e Sudanin.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetarin amerikan Alex Newman, ku ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Edi Rama.
Në një postim në Facebook, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të shikojnë intervistën e plotë, duke theksuar se Shqipëria është kthyer në një “narko-shtet” të kontrolluar nga krimi dhe e majta ekstreme.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri akuzoi Ramën, të cilin e quan “Ramaduro”, për lidhje me kartelet e drogës dhe për kapjen totale të drejtësisë dhe mediave në vend. Ai tha se Shqipëria sot është kthyer në një “Republikë të George Soros-it”, duke pretenduar se reformat kushtetuese, gjyqësore dhe zgjedhore janë diktuar nga Fondacioni i Sorosit me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Berisha paralajmëroi se ky model autoritar, që sipas tij po zbatohet në Shqipëri, mund të përhapet edhe në vende të tjera perëndimore.
INTERVISTA E PLOTË:
Alex Newman: Mirë se vini të gjithëve në ‘Conversations That Matter’. Unë jam Alex Newman dhe është një nder dhe kënaqësi të jem me ju sot. Kemi një të ftuar shumë të veçantë sot për të folur për një rajon të botës që shumica e amerikanëve nuk e kanë shumë në fokus. Po flas për Shqipërinë. Kam qenë atje disa vite më parë, një vend shumë interesant, dhe sot kemi me vete ish-presidentin e Shqipërisë, zotin Sali Berisha. Ai është një ikonë e lëvizjes antikomuniste në Shqipëri. Në vitin 1992 u zgjodh presidenti i parë në mënyrë demokratike pas rënies së komunizmit. Ka qenë edhe kryeministër i suksesshëm nga 2005 deri në 2013. Nën drejtimin e tij, Shqipëria u anëtarësua në NATO dhe u bë kandidate për BE. Ai ka punuar për ta afruar Shqipërinë me botën perëndimore, SHBA-në dhe BE-në.
Sot, Berisha drejton opozitën kundër regjimit aktual në pushtet, Partisë Socialiste, e cila është trashëgimtare direkte e Partisë së Punës që sundonte Shqipërinë gjatë komunizmit. Në zgjedhjet e majit 2025 ndodhën parregullsi serioze dhe tani në pushtet është Edi Rama, që kritikët e quajnë ‘Ramaduro’, duke e krahasuar me diktatorin venezuelian Maduro. Z. Berisha ka kërkuar që SHBA të shpallë disa nga këto kartele si organizata terroriste për shkak të ndikimit që kanë në Shqipëri.
Alex Newman: Z. Berisha, mirë se vini në emision. Është një nder i madh t’ju kemi sot këtu.
Sali Berisha: Është një kënaqësi dhe nder i madh për mua të jem me ju. Ju faleminderit shumë që më ftuat.
Alex Newman: Absolutisht. E vlerësoj shumë. Pra, Dr. Berisha, në Fox News këtë javë kishte një artikull të rëndësishëm për situatën në Shqipëri. Duket sikur po përkeqësohet me shpejtësi. Kishit disa zgjedhje të dyshimta në maj, që sollën në pushtet ish-kryetarin e bashkisë së Tiranës, individin që quajnë “Ramaduro”, që njihet si Edi Rama në Shqipëri. Dhe mesa duket, George Soros ka qenë shumë aktiv në vendin tuaj. Na tregoni çfarë po ndodh në Shqipëri dhe pse ka rëndësi për Shtetet e Bashkuara.
Sali Berisha: Nëse shikoni Shqipërinë pasi Edi Rama erdhi në pushtet, është shumë e lehtë të kuptosh që Shqipëria u bë shteti i parë dhe i vetëm narkotik në Europë. Nga ana tjetër, është republika e George Soros-it.
Më lejoni t’jua përmbledh shkurtimisht. Edi Rama erdhi në pushtet fuqimisht me banda, kriminelë dhe organizata kriminale. Por në të njëjtën kohë, origjina e tij-ai vjen nga një familje ku i ati nënshkroi për të varur njerëz në vitin 1988 për shkak të disidencës së tyre. Pse e theksoj këtë? Sepse për të, krimi është i dobishëm, i vlefshëm.
Pasi u bë kryeministër, ai forcoi jashtëzakonisht lidhjet e tij me krimin e organizuar. Në vitin 2015, Edi Rama mbolli gjithë Shqipërinë me kanabis. Dhe pasi u krijuan miliarda e miliarda dollarë nga këto plantacione, shqiptarët u hodhën në Amerikën Latine. Sot, ata drejtojnë kartelin Sinaloa në Meksikë. Drejtojnë kartele në Kolumbi, në Ekuador, në Bolivi. Ata janë ndër më të fuqishmit. Por janë shumë, shumë të lidhur me Edi Ramën. Paratë e tyre derdhen në Shqipëri.
Nëse e shikoni ekonominë, është një ekonomi tipike narkotike. Në çfarë kuptimi? Në kuptimin që prodhimi industrial po bie çdo vit. Eksportet po bien. Ndërkohë, ekonomia qëndron në 3-3.5%, për shkak të ndërtimit. Sot, vendi im ka një indeks ndërtimi tre herë më të lartë se mesatarja e ndërtimit në Bashkimin Evropian.
Në zyrën e tij, Edi Rama ka një koordinator të quajtur Ergys Agasi, i cili koordinon të gjitha aktivitetet e karteleve të drogës. Në Shqipëri, porti i Durrësit i është dhënë nga Edi Rama Kartelit Troplini, një prej më të rrezikshmëve në Europë. Rruga e heroinës nga Afganistani lindor, Turqia dhe vende të tjera, i është dhënë një karteli tjetër që quhet Karteli Teli. Kjo është një përzierje me krimin. Dhe faktikisht, krimi është më i fuqishëm se shteti.
Nga ana tjetër, Shqipëria është Republika e George Soros-it. Nëse shikoni hartën politike të planetit, nuk do gjeni ndonjë vend tjetër ku George Soros ka eksperimentuar më shumë idetë e tij të ekstremit të majtë dhe ka mbështetur më shumë se askënd tjetër Edi Ramën. Në fund të vitit 2013, OSF Albania përpiloi një dokument sekret në të cilin parashikonte:
1. Reformën kushtetuese të Shqipërisë,
2. Reformën në drejtësi të Shqipërisë,
3. Reformën zgjedhore të Shqipërisë.
Për të përfunduar këto reforma, Edi Rama dhe OSF Tirana kanë pasur mbështetje të jashtëzakonshme nga Departamenti i Shtetit.
Alex Newman: Nga Departamenti Amerikan i Shtetit, apo jo?
Sali Berisha: Po, absolutisht. Nga administrata. Dhe ata kanë pasur… Faktikisht, reforma në drejtësi solli një sistem plotësisht të kontrolluar nga ekzekutivi.
Nga ana tjetër, për qytetarët e zakonshëm nuk ka pothuajse asnjë proces gjyqësor, për shkak të stokut të krijuar nga dosjet, vakumeve dhe ndjekjes së “shtrigave” përmes vetingut, që tani e zgjat një proces deri në 20 vjet.
Por le ta marrim edhe nga një aspekt tjetër. Drejtësia u kthye në një armë në duart e Edi Ramës. Ishte një vit zgjedhor këtë vit. Tre liderë të partisë kryesore të opozitës ishin në burg, në arrest shtëpie ose në ndjekje penale, pa ndonjë fakt penal. Deputetët po ndiqen penalisht. 90% e mediave-dhe po ju them atë që kanë shkruar edhe raportet ndërkombëtare-janë të kontrolluara nga qeveria. Zgjedhjet e fundit ishin një farsë e vërtetë.
Shteti elektoral u përball me disa parti opozitare të ndjekura penalisht. Ky shtet elektoral, ose shtet partiak, përdori të gjitha llojet e burimeve-miliarda dollarë, potencial njerëzor të jashtëzakonshëm, potencial logjistik-dhe gjithashtu drogë për të blerë vota, për të kontrolluar vullnetin e popullit.
Dhe si rezultat, çfarë kemi? Si rezultat, shqiptarët po largohen nga vendi. Nga 2014 deri në 2023, 1,099,000 shqiptarë kanë lënë vendin vetëm drejt zonës Schengen, pa përfshirë këtu SHBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Australinë dhe vende të tjera.
Ky është një narko-regjimi i mbështetur fuqimisht nga George Soros edhe sot.
Alex Newman: Është e pabesueshme. Dhe amerikanët, e di që shumica prej jush nuk mendoni për Shqipërinë në jetën tuaj të përditshme, por Shqipëria është një anëtare e NATO-s. Dhe duket për mua, të paktën si një vëzhgues i jashtëm, se po lëviz me shpejtësi drejt rikthimit në komunizëm-pikërisht ai sistem kundër të cilit amerikanët kanë luftuar për dekada me radhë, duke shpenzuar kaq shumë kohë, pasuri e jetë.
Dr. Berisha, dua t’ju pyes për një dezertor sovjetik. Nuk jam i sigurt nëse e njihni, por quhej Anatoli Golitsyn. Ai dezertoi në SHBA dhe paralajmëroi qeverinë tonë për plane afatgjata të KGB-së për të krijuar operacione dezinformuese që do të çonin Perëndimin të besonte se komunizmi ishte zhdukur, se Perëndimi kishte fituar dhe se nuk kishte më për çfarë të shqetësohej.
Dhe një nga gjërat që ai paralajmëroi-dhe ai flet shumë për Shqipërinë në librat e tij New Lies for Old dhe The Perestroika Deception-ishte se partitë ish-komuniste përtej Perdes së Hekurt do të riemëroheshin, do të rindërtoheshin dhe do të qëndronin në pushtet. Udhëheqësi i Shqipërisë sot, pas këtyre zgjedhjeve të dyshimta, zoti Edi Rama, është në fakt udhëheqësi i Partisë Socialiste-e cila është pasardhësja direkte e Partisë së Punës që qeveriste Shqipërinë gjatë komunizmit.
A mendoni se Shqipëria është në rrezik për të rënë sërish nën një tirani komuniste në këto rrethana? Dhe çfarë do të thotë kjo për NATO-n? Çfarë do të thotë kjo për botën perëndimore?
Sali Berisha: Pajtohem plotësisht me atë që parashikohet.
Në vitin 1991, Jim Baker vizitoi Shqipërinë. Unë isha vetëm tre-katër muaj në politikë. Ai më bëri një pyetje:
“Sali, a ka vdekur komunizmi?”
Unë i thashë:
“Zoti Sekretar, pluhuri i tij është shumë toksik, dhe vazhdon të mbetet.”
Unë mendoj, ashtu siç ma parashtruat pyetjen, që themeli është regjimi i mëparshëm. Por nxitja e re, ushqimi i ri ishte George Soros-i cili mbështeti më shumë se kushdo tjetër komunistët e vjetër, ish-sigurimsat, OJF-të e ish-Sigurimit dhe OJF-të komuniste.
Fatkeqësisht, kjo e majtë ekstreme ka përparuar shumë edhe brenda vetë Shteteve të Bashkuara. Shihni-dje apo sot lexova se një person i së majtës ekstreme do të bëhet kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut. Dhe kjo është një lajm i tmerrshëm për ne dhe për vende të tjera.
Kështu që unë besoj se e majta ekstreme po rilind, jo vetëm në vendet ish-komuniste, por në shumicën e vendeve. Dhe kjo është shumë alarmante.
Alex Newman: Po, është shumë alarmante. Dhe po, ajo që po ndodh në Nju Jork-mendoj se shumë amerikanë jashtë Nju Jorkut e shohin këtë dhe thonë “Wow”.
Alex Newman: Dr. Berisha, kemi vetëm edhe pak minuta në dispozicion. Jam kurioz: çfarë mendoni se duhet të bëjnë Shtetet e Bashkuara, veçanërisht qeveria amerikane-administrata Trump-me gjithë këtë informacion?
Dhe keni të drejtë, kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Po ndodh edhe në shumë vende të tjera. Po shohim përparim shumë domethënës të aleatëve të George Soros-it në gjithë botën-jo vetëm në Evropë, por edhe në Amerikën Latine.
Çfarë duhet të bëjë qeveria amerikane përballë këtij problemi dhe kërcënimi të madh ndaj lirisë në mbarë botën?
Sali Berisha: Mendoj se ruajtja e agjendës së lirisë është jetike.
Sa i përket Shqipërisë, ka disa hapa të parë. Përshëndes mesazhin që Departamenti Amerikan i Drejtësisë i dërgoi kësaj qeverie për të luftuar kartelet. Por kjo qeveri, për të luftuar kartelet, duhet të luftojë veten, sepse është pothuajse e njëjtë me kartelet e zeza.
Këmbëngulja për zgjedhje të lira dhe të ndershme është me rëndësi themelore. Fatmirësisht, këtë herë, këto zgjedhje nuk u njohën (nga SHBA). Megjithatë, mendoj se meritojnë një vëmendje më të madhe dhe një qëndrim të qartë dhe të kristaltë, sepse ishin farsë dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e popullit.
Lufta ose qëndrimi kundër një drejtësie të politizuar dhe të armatosur-ju keni Alec Bragg në Nju Jork; ne kemi prokurorin tonë, identik-i cili nuk bën gjë tjetër veçse ndjek kundërshtarët politikë.
Por nëse një komb nuk çlirohet nga drejtësia e politizuar dhe e armatosur, ai do të bjerë në diktaturë-më herët apo më vonë. Kjo është përvoja jonë e madhe.
Ne kemi pasur drejtësi në diktaturë, por drejtësia në diktaturë ndëshkonte kundërshtarët politikë, por edhe kriminelët e zakonshëm. Çfarë po ndodh sot? E njëjta gjë.
Alex Newman: Dhe mendimi juaj përfundimtar, Dr. Berisha, Profesor Berisha, për popullin amerikan.
Cili është këshilla juaj për amerikanët në këto kohë? Keni të drejtë në lidhje me armatosjen e Departamentit të Drejtësisë dhe sistemit të drejtësisë-madje edhe këtu në SHBA, edhe pse jo në atë shkallë si në Shqipëri.
Po cilat janë këshillat tuaja për amerikanët: si të mbrojnë lirinë në vendin e tyre përballë ngritjes së kësaj të majte ekstreme dhe operacioneve të njerëzve si George Soros që duan të gërryejnë vlerat tradicionale demokratike?
Sali Berisha: Nuk ka armik më të madh për qenien njerëzore sesa ata që promovojnë dhe armatosin drejtësinë, censurën dhe ideologjitë post-marxiste mbi gjininë, etj.
Këto kanë pasur pasoja të tmerrshme negative në të gjithë botën. Dhe unë shpresoj që Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë-dhe që populli amerikan do të qëndrojë-si njerëz të lirë, përballë këtyre fenomeneve që përfaqësojnë të majtën ekstreme të vërtetë dhe rrezikun e vërtetë për lirinë.
Alex Newman: Absolutisht. Dhe, Dr. Berisha, a ka ndonjë vend ku njerëzit mund të mësojnë më shumë? A jeni aktiv në rrjetet sociale? A ka ndonjë vend ku njerëzit mund të ndjekin zhvillimet në Shqipëri nëse duan të qëndrojnë të informuar?
Sali Berisha: Jam shumë aktiv në Facebook dhe TikTok. Këto janë më të përdorurat. Jam edhe në X (ish-Twitter), por më pak aktiv atje.
Alex Newman: Shumë mirë. Pra, miq, shpresoj që do ta ndiqni Dr. Berishën. Kjo është një çështje e rëndësishme. Dr. Sali Berisha, ju falënderoj shumë që u bashkuat me ne sot. Ju falënderoj për ndarjen e këtij raporti alarmant nga Shqipëria.
E vlerësojmë shumë që ishit me ne sot dhe ndatë këtë informacion thelbësor.
Sali Berisha: Ju faleminderit shumë. Ishte një rast i shkëlqyer për mua që të paraqisja këtë situatë të tmerrshme në vendin tim, i cili tani udhëhiqet nga një narco-diktator i quajtur Ramaduro, apo Edi Rama.
Alex Newman: Miq, është shumë alarmante, apo jo? Dhe nuk është vetëm Shqipëria. Shqipëria është një nga shumë kombet që përballen me të njëjtat lloj kërcënimesh. Ato mund të jenë më përpara në këtë rrugë sesa vende të tjera-përfshirë edhe tonin.
Por kjo të shërbeftë si paralajmërim: liria duhet të mbrohet vazhdimisht.
Dr. Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-president i Shqipërisë, edhe një herë ju faleminderit që ishit me ne sot. Shpresoj të na mbani të informuar dhe të flasim sërish së shpejti.
Sali Berisha: Ishte një nder dhe kënaqësi e madhe për mua. Ju faleminderit për ftesën.
Alex Newman: Absolutisht. Faleminderit shumë.
Ju, zonja dhe zotërinj, ju falenderoj që na ndoqët. Ju inkurajojmë të ndani këtë informacion me përfaqësuesit tuaj të zgjedhur, me miqtë tuaj, me liderët e komunitetit.
Edhe një herë, një paralajmërim i fuqishëm nga ana tjetër e botës, por që duhet ta marrim seriozisht.
Faleminderit që na ndoqët. Unë jam Alex Newman. Ky është “Conversations That Matter” për The New American.
Robert Einhorn, ish-këshilltar i posaçëm në Departamentin amerikan të Shtetit gjatë administratës së presidentit amerikan, Barack Obama, dhe ish-anëtar i ekipit negociator SHBA-Iran, e ka konsideruar hap pozitiv armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit, të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, duke shpresuar se armëpushimi do ta rrisë mundësinë për rikthimin e diplomacisë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Einhorn, tani ekspert në Institutin Brookings, paralajmëroi se ndonëse sulmet izraelite dhe amerikane mund t’i kenë dëmtuar objektivat bërthamore të Iranit, rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar në nivel të lartë mbetet i paidentifikuar — një rrezik që, sipas tij, mund të menaxhohet vetëm përmes dialogut diplomatik.
Sipas tij, pozita rajonale e Iranit është dobësuar dhe fuqia e tij parandaluese është zbehur, gjë që mund t’i shtyjë forcat e linjës së ashpër drejt ndërtimit të armës bërthamore — ose, përkundrazi, të nxisë një qasje më të përmbajtur. Megjithatë, Einhorn paralajmëroi se mosbesimi i thellë dhe qëndrimet e ngurta, veçanërisht mbi çështjen e pasurimit të uraniumit, e bëjnë të pamundur një marrëveshje të re në një afat të shkurtër.
Ai sugjeroi që negociatat e ardhshme do të duhej të përfshijnë zgjidhje më kreative — si për shembull pasurimi i uraniumit përmes një pale të tretë, ose stimuj ekonomikë që do t’iu jepnin Shteteve të Bashkuara një interes real për të ruajtur çdo marrëveshje që mund të arrihet.
Robert Einhorn: Do të duhet pak më shumë kohë për ta vlerësuar saktë këtë. Mendoj se ishte shumë pozitive që u arrit një armëpushim. Por, siç e thatë edhe ju, ka pasur tashmë disa shkelje të armëpushimit. Shpresoj që tani situata të jetë stabilizuar, dhe nëse qëndron e tillë për një periudhë të gjatë, kjo do t’i rrisë gjasat për rikthim në diplomaci. Mendoj se shanset për diplomaci janë të vogla, por diplomacia dhe negociatat janë e vetmja rrugë për ta zgjidhur çështjen bërthamore.
Radio Evropa e Lirë: Z. Einhorn, a i arriti Izraeli objektivat e tij në këtë konflikt të shkurtër?
Robert Einhorn: Varet se çfarë konsideroni si objektiva të Izraelit…
Radio Evropa e Lirë: …parandalimi i Iranit për të zhvilluar armë bërthamore?
Robert Einhorn: Nëse ky ishte qëllimi, atëherë mendoj se Izraeli ka arritur shumë nga objektivat e tij. Ka të ngjarë që i ka dëmtuar rëndë dy objektet kryesore të pasurimit të uraniumit në Natanz dhe Fordo, edhe pse ende duhen bërë vlerësime pas sulmeve.
Por, ekziston një mangësi serioze në atë që është arritur: Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) ka deklaruar se rreth 400 kilogramë uranium i pasuruar në nivel të lartë – afër shkallës për armë – rezulton i zhdukur. IAEA duhet të ketë mbikëqyrje mbi gjithë uraniumin e pasuruar në Iran, gjë që është një detyrim për Iranin. Por, një sasi e konsiderueshme tani mungon dhe mund të jetë fshehur diku për përdorim në një program të fshehtë armësh bërthamore. Ky është një lëshim serioz dhe mendoj se vetëm diplomacia mund të sigurojë që ajo sasi e uraniumit të pasuruar të vihet sërish nën mbikëqyrjen e IAEA-s.
“E qartë që pozita e Iranit në Lindjen e Mesme është dobësuar ndjeshëm”
Radio Evropa e Lirë: Do të kthehemi te diplomacia më vonë, por në një pamje më të gjerë, sipas jush, kush janë fituesit dhe humbësit e këtij konflikti?
Robert Einhorn: Ndoshta është herët për të shpallur fitues e humbës. Por, është e qartë që pozita e Iranit në Lindjen e Mesme është dobësuar ndjeshëm. Cenueshmëria e tij është ekspozuar nga sulmet ushtarake të suksesshme, fillimisht izraelite dhe më pas amerikane.
Është interesante që ministri i Jashtëm iranian ishte dje [të hënën] në Moskë. Rusia është një nga aleatet kryesore të Iranit, por ministri i Jashtëm [iranian, Abbas] Araghchi u kthye në Teheran pa ndonjë rezultat konkret nga vizita. Është interesante se, ndonëse presidenti [rus, Vladimir] Putin i dha mbështetje retorike Iranit, ai nuk duket se ofroi ndonjë ndihmë materiale në këtë fazë. Prandaj, mendoj se Irani është më i dobët dhe më i izoluar ndërkombëtarisht sesa ishte dy javë më parë.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, çfarë mesazhi i dërgon ky konflikt vetë Iranit në lidhje me ndërtimin e një force parandaluese bërthamore?
Robert Einhorn: Mendoj se kjo situatë mund të dërgojë mesazhe të ndryshme, në varësi të audiencës. Për Iranin, ajo sinjalizon se ndjekja e synimit për armë bërthamore mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për vetë vendin. Deri para disa javësh, duke gjykuar nga informacionet e disponueshme, Irani nuk kishte marrë një vendim për të ndërtuar armë bërthamore, por është e qartë se të gjithë hapat që ka ndërmarrë gjatë dy dekadave të fundit kanë pasur për qëllim, ta vendosin atë në një pozitë ku mund të pajiset me armë bërthamore, nëse vendos ta bëjë një gjë të tillë.
Sulmet e fundit tregojnë se është shumë e rrezikshme të ndjekësh një program armësh bërthamore dhe të mos e përmbyllësh me sukses — kjo është një gjë jashtëzakonisht e rrezikshme.
Për disa iranianë, kjo mund të jetë arsye për të mos e kaluar pragun bërthamor dhe për të mos prodhuar armë të tilla. Por, njëkohësisht, aftësia e Iranit për t’i trembur kundërshtarët — pra, efekti i tij ndalues — është dobësuar ndjeshëm, jo vetëm për shkak të sulmeve izraelite dhe amerikane, por edhe për shkak të shkatërrimit të aleatëve të tij rajonalë, që vepronin si përfaqësues të interesave iraniane.
Këta përfaqësues ishin projektuar si linja e parë e mbrojtjes së Iranit për t’i kërcënuar interesat e SHBA-së apo të Izraelit, në rast të ndonjë sulmi ndaj vetë Iranit. Por, tani ata nuk ofrojnë më asnjë kapacitet real ndalues. Dhe vetë Irani është dëshmuar si i cenueshëm ndaj një sulmi ushtarak.
Pa dyshim, do të ketë forca të ashpra në Iran që do të argumentojnë se mënyra e vetme për t’i parandaluar sulmet e jashtme dhe për të siguruar mbijetesën afatgjatë të vendit është përmes armatimit bërthamor. Por, në këtë fazë, nuk është ende e qartë se cila nga këto qasje do të mbizotërojë.
“Iranit do t’i duhen vite për t’i rindërtuar këto kapacitete”
Radio Evropa e Lirë: Sulmet në Fordo, si ato të kryera nga SHBA-ja, në çfarë mase e vonojnë realisht përparimin bërthamor të Iranit?
Robert Einhorn: Mendoj se sulmet ndaj objekteve në Natanz, Fordo dhe impiantit të konvertimit në Isfahan përbëjnë një goditje të rëndë. Iranit do t’i duhen vite për t’i rindërtuar këto kapacitete.
Pra, programi i tyre është dëmtuar seriozisht.
Por, siç e përmenda më herët, shqetësimi më i menjëhershëm është fakti se rreth 400 kilogramë e uraniumit të pasuruar në shkallë të lartë janë zhdukur — sasi kjo që mund të shërbejë si bazë për një program sekret të armëve bërthamore. Ky aspekt nuk mund të zgjidhet përmes sulmeve ushtarake. Mund të zgjidhet vetëm përmes diplomacisë.
Radio Evropa e Lirë: Supozojmë se armëpushimi do të respektohet. Si e parashikoni se do të zhvillohet më tej armiqësia mes Izraelit dhe Iranit?
Robert Einhorn: Këta dy rivalë rajonalë kanë mungesë të thellë besimi ndaj njëri-tjetrit — dhe kjo vetëm është përkeqësuar këto javët e fundit. Rindërtimi i çdo lloj besimi do të jetë shumë i vështirë. Iranianët besojnë se janë mashtruar nga Izraeli dhe se presidenti Trump ka bashkëpunuar me Izraelin për t’i dhënë Iranit një ndjenjë të rreme sigurie.
Pra, ka shumë mosbesim në rajon, dhe ai mund të kapërcehet vetëm hap pas hapi, me kalimin e kohës. Fillimi i një dialogu do të ishte hapi i parë.
Radio Evropa e Lirë: Në gjithë këtë klimë mosbesimi, a ka ende hapësirë për diplomaci?
Robert Einhorn: Unë mendoj se diplomacia është e vetmja mënyrë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën aktuale.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë prisni për sa i përket diplomacisë? A mendoni se do të vazhdojnë negociatat? A prisni që të arrijnë marrëveshje të re, si mund të duket ajo? A prisni që Irani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit?
Robert Einhorn: Rinisja e dialogut mund të jetë e vështirë. Mendoj se do të ketë një sërë aktorësh, si nga rajoni ashtu edhe jashtë tij, që do të bëjnë çmos për të rikthyer procesin diplomatik — për shembull Katari dhe Omani.
Ata kanë qenë efikas në të kaluarën si ofrues të forumeve dhe si ndërmjetësues dhe mendoj se do të jenë sërish aktivë në përpjekjet për të rifilluar dialogun, ndoshta midis ministrit të jashtëm iranian Araghchi dhe të dërguarit presidencial amerikan [Steve] Witkoff. Do të ishte e dobishme nëse ky kanal do të mund të rihapej, por mendoj se kjo do të varet shumë nga stabilizimi i armëpushimit.
“Shtetet e Bashkuara do të donin që Irani të pranonte heqjen dorë nga programi i tij i pasurimit të uraniumit”
Radio Evropa e Lirë: Nëse armëpushimi zbatohet dhe fillojnë negociatat, çfarë lloj marrëveshjeje mendoni se do të ishte e pranueshme për të dyja palët?
Robert Einhorn: Është e vështirë të thuhet, dhe mendoj se gjasat për një marrëveshje nuk janë të mëdha. U mbajtën gjashtë runde bisedimesh para përshkallëzimit të fundit ushtarak, dhe në të gjitha ato, një çështje u shfaq si pengesa kryesore dhe ajo është mosmarrëveshja mbi pasurimin e uraniumit.
Shtetet e Bashkuara do të donin që Irani të pranonte heqjen dorë nga programi i tij i pasurimit të uraniumit — opsioni i ashtuquajtur “zero pasurim”. Por, iranianët kanë qenë po aq këmbëngulës se ky program është jetik për ta. Ata thonë se është tërësisht paqësor dhe se kanë të drejtë për të sipas Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).
Ky program është burim krenarie të madhe kombëtare për Iranin dhe, përveç përdorimit civil, ai ofron edhe një mundësi për të rifilluar një program armësh bërthamore në të ardhmen. Prandaj, iranianët janë shumë hezitues për të hequr dorë prej tij — dhe kjo do të mbetet një çështje shumë e vështirë për t’u zgjidhur.
Radio Evropa e Lirë: Kush mendoni se mund të ofrojë një kompromis?
Robert Einhorn: Është e vështirë në këtë fazë të imagjinohet një kompromis. Janë propozuar disa zgjidhje të ndryshme. Njëra prej tyre do të ishte krijimi i një konsorciumi rajonal për pasurimin e uraniumit, i cili do të siguronte uranium të pasuruar për programin civil bërthamor të Iranit, me kusht që Irani të hiqte dorë nga pasurimi i brendshëm.
Janë propozuar edhe variante të tjera, por deri tani asnjëra prej tyre nuk ka pasur sukses. Do të shohim se si do të zhvillohet situata. Do të nevojitet shumë kreativitet dhe fleksibilitet nga të dyja palët për të arritur deri te një marrëveshje.
Radio Evropa e Lirë: Pra, si e parashikoni zhvillimin e dialogut dhe negociatat, nëse kemi dy palë që nisen nga skaje krejtësisht të kundërta — për çështjen e pasurimit?
Robert Einhorn: Është e vështirë të parashikohet. Mendoj se do të ketë një ose më shumë runde bisedimesh që do t’i kushtohen pothuajse ekskluzivisht kësaj çështjeje, për të parë nëse është i mundur një përparim. Dhe, nëse duket se negociatat po shkojnë drejt një ngërçi të ri, atëherë do të rifillojnë diskutimet për përdorimin e forcës ushtarake — gjë që do të ishte fatkeqësi e madhe.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se edhe vende të tjera duhet të përfshihen në ato negociata?
Robert Einhorn: Mendoj se eventualisht po — nëse negociatat tregojnë shenja se po ecin përpara dhe ka përparim të ndjeshëm. Në fund të fundit, një numër shtetesh tjera do të duhet të përfshihen, në mos për gjë tjetër, për të ndihmuar në garantimin e çdo marrëveshjeje që mund të arrihet.
Por, në fillim, është pothuajse e pashmangshme që kontaktet të nisin mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me ndihmën e një ose më shumë vendeve të treta, që do të veprojnë si ndërmjetësuese, organizatore apo lehtësuese të dialogut.
Radio Evropa e Lirë: Edhe nëse në fund arrihet një lloj marrëveshjeje, si mund të ketë garanci që Shtetet e Bashkuara nuk do të tërhiqen sërish prej saj?
Robert Einhorn: Kjo është shumë e vështirë. Sipas sistemit ligjor amerikan, është pothuajse e pamundur që një administratë t’i detyrojë pasardhëset e saj të respektojnë një marrëveshje. Megjithatë, ekzistojnë mënyra për ta bërë një marrëveshje disi më të qëndrueshme. Marrëveshja bërthamore me Iranin e vitit 2015 nuk ishte ligjërisht detyruese — ishte një angazhim politik. Një mënyrë për ta bërë më të fuqishme do të ishte ratifikimi i saj si traktat nga Senati amerikan, që do të kërkonte miratimin e dy të tretave të senatorëve. Një traktat i tillë do të kishte peshë më të madhe sesa një marrëveshje politike.
Por edhe në të kaluarën, SHBA-ja dhe vende të tjera janë tërhequr nga traktatet, kështu që as kjo nuk është garanci.
Një ide tjetër, ndoshta më praktike, është që marrëveshja t’i japë SHBA-së një interes më të madh për ta ruajtur atë — për shembull, duke i lejuar bizneset amerikane të investojnë dhe tregtojnë me Iranin.
Kjo aktualisht ndalohet për shkak të sanksioneve primare amerikane, që ua ndalojnë qytetarëve amerikanë çdo lloj aktiviteti biznesi me Iranin. Nëse kjo do të lejohej dhe do të krijoheshin marrëdhënie tregtare me përfitime të ndërsjella, atëherë ndoshta kjo do t’i jepte SHBA-së më shumë arsye për të qëndruar në një marrëveshje edhe në të ardhmen. Mendoj se kjo mund të jetë mënyra më premtuese për të shmangur një tërheqje të ardhshme nga ana e ndonjë presidenti tjetër amerikan.
Charles Kupchan, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, thotë se deklarata e fundit e presidentit amerikan, Donald Trump, për Kosovën dhe Serbinë, duhet parë në kontekstin e një lideri që po përpiqet ta rikthejë vëmendjen e opinionit publik mbi rolin e tij si “negociator i shkëlqyer”.
Sipas tij, premtimet e Trumpit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme, nuk janë pasqyruar në realitet, pasi luftërat vazhdojnë me intensitet dhe aktorët kryesorë nuk tregojnë shenja gatishmërie për kompromis.
“Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore”, thotë Kupchan në intervistën dhënë Radio Evropa e Lirë.
Kupchan, ish-drejtor i çështjeve evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, thotë po ashtu se kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, “mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste”.
Ai i sugjeron një qasje më pragmatike, që, siç thotë, do ta ndihmonte Kosovën t’i avanconte interesat e saj.
Radio Evropa e Lirë: Presidenti Trump tha së voni se ai ka ndaluar një luftë mes Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë presidencial dhe ka premtuar se “do ta rregullojë këtë sërish”. Sipas jush, sa e saktë është kjo deklaratë dhe çfarë ndikimi kishin përpjekjet diplomatike të SHBA-së në vitin 2020 në terren?
Charles Kupchan: Mendoj se postimin e Trumpit duhet parë në kontekstin e një presidenti që ndien se pretendimet e tij se është negociator i shkëlqyer, po vihen në dyshim.
Ai ka thënë se do t’i japë fund luftës në Ukrainë për 24 orë dhe se do ta ndalë luftën në Lindjen e Mesme, ndërkohë që lufta në Ukrainë vazhdon me intensitet, [presidenti rus, Vladimir] Putin nuk jep asnjë shenjë se është i gatshëm të negociojë me mirëbesim, ndërsa Izraeli jo vetëm që vazhdon luftën kundër Hamasit në Gazë, por ka hapur edhe një front të ri me Iranin.
Ndaj, mendoj se Trump po përpiqej të rikujtonte opinionin publik për arritjet e tij të mëparshme. Por, edhe në këtë rast, ku përmendi Kosovën dhe Serbinë, ai, kryesisht, i ngatërroi faktet, sepse Kosova dhe Serbia nuk ishin në luftë – ato nuk ishin në luftë që nga viti 1999.
A pati sukses administrata Trump, me [të dërguarin për dialogun Kosovë-Serbi, Richard] Grenell, në avancimin e një marrëveshjeje për bashkëpunim ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë? Po. A arritën ata të ndërmjetësojnë një marrëveshje që Kosova të krijojë marrëdhënie diplomatike me Izraelin? Po.
Këto nuk janë të parëndësishme. Por, ideja se Trump – në njëfarë mënyre – ka shmangur ose i ka dhënë fund luftës, është thjesht e pasaktë.
Kosova dhe Serbia – “më të menaxhueshme”
Radio Evropa e Lirë: Marrë parasysh atë që sapo thatë edhe ju – se Trump, deri më tani, nuk ka arritur ndonjë sukses në zgjidhjen e konfliktit Rusi-Ukrainë dhe tani përballet edhe me tensione midis Izraelit dhe Iranit – a shihni ndonjë mundësi që ai të kthehet te procesi Kosovë-Serbi, si një fushë më e menaxhueshme e politikës së jashtme?
Charles Kupchan: Po, mendoj se kjo nuk përjashtohet fare. Trump, tani, ka shumë punë. Ka luftën e madhe në Ukrainë, luftën e madhe në Lindjen e Mesme, ka 17 apo 18 palë negociata të ndryshme për tarifa dhe tregti që vazhdojnë, dhe situata e tij politike brenda vendit është e ndërlikuar, veçanërisht për çështjet e imigracionit dhe dëbimeve.
Kemi parë, po ashtu, dhunë në rrugët e Los Anxhelosit dhe sulme ndaj ligjvënësve në Minesotë. Ndaj, nuk mendoj se Trump apo ekipi i tij kanë shumë kapacitete tani për çështje të tjera.
Thënë kjo, meqë nuk po arrin shumë rezultate në Lindjen e Mesme dhe në diplomacinë me Ukrainën dhe Rusinë, ai mund ta kthejë vëmendjen nga Kosova dhe Serbia dhe të përpiqet të arrijë ndonjë fitore.
A është momenti i duhur për këtë? Me gjasë jo. Sepse situata politike është e paqëndrueshme si në Beograd, ashtu edhe në Prishtinë.
Tani për tani, askush nuk është në pozicion për të bërë kompromise të vështira, por mendoj se në kohën e duhur, Trump mund të rikthehet për të negociuar një marrëveshje dhe për t’i nxitur Serbinë dhe Kosovën që të ecin përpara me marrëveshjen që ndërmjetësoi Bashkimi Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Si do të dukej riangazhimi i tij në mosmarrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë?
Charles Kupchan: Riangazhimi [do të pasqyrohej] me emërimin e Richard Grenellit apo ndonjë përfaqësuesi tjetër special, i cili ose e cila do t’i shpërvilte mëngët dhe do të shkonte në rajon, do të takohej me udhëheqësit atje dhe do të përpiqej t’i shtynte të dyja vendet në drejtim të zbatimit të Marrëveshjes [drejt normalizimit të marrëdhënieve].
Viteve të fundit, zbatimi ka ngecur thuajse plotësisht. Për këtë arsye, mendoj se do të nevojitet një angazhim i ri nga SHBA-ja dhe presion i ri nga SHBA-ja, në bashkëpunim me BE-në, për të rifilluar dialogun.
“Kurti mund ta ketë tepruar me kartën nacionaliste”
Radio Evropa e Lirë: Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i është përgjigjur deklaratës së Trumpit duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve është i mundur, por vetëm nëse SHBA-ja dhe të tjerët e rrisin presionin mbi Serbinë për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura në vitin 2023. A mendoni se Uashingtoni duhet të ndryshojë qasjen e tij dhe të ushtrojë presion më të drejtpërdrejtë mbi Beogradin?
Charles Kupchan: Mendoj se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të bëjnë shumë presion ndaj të dyja palëve. Një nga zhvillimet më pak pozitive për Kosovën gjatë viteve të fundit, sipas mendimit tim, është se kryeministri Kurti mund ta ketë tepruar me përdorimin e kartës nacionaliste. Ai ka ndërmarrë disa hapa [për shtrirjen e autoritetit] në veri, ka hezituar të ndërmarrë hapa për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka bërë edhe veprime të tjera që, në disa aspekte, kanë bërë që Prishtina të duket si problemi, e jo Beogradi.
Prandaj, kemi parë sanksione nga Bashkimi Evropian dhe kritika të forta nga Uashingtoni gjatë administratës Biden.
Mendoj se dialogu është në ngërç dhe do të nevojitet presion i konsiderueshëm mbi të dyja palët për ta shtyrë përpara.
Radio Evropa e Lirë: Kurti më parë ka paraqitur tri kërkesa për normalizimin e marrëdhënieve: dorëzimin e Millan Radoiçiqit nga Serbia, nënshkrimin formal të Marrëveshjes Bazë me Aneksin e Zbatimit, dhe tërheqjen e letrës së dhjetorit 2023 që refuzonte integritetin territorial të Kosovës. Sa realiste dhe efektive i konsideroni këto kërkesa?
Charles Kupchan: Mendoj se dialogu duhet të ecë përpara në faza, hap pas hapi. BE-ja veproi drejt kur ndërmjetësoi marrëveshjen pa kërkuar menjëherë që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
Mendoj se e dimë që, në fund, kjo çështje do të përfundojë me njohjen e Kosovës si shtet i pavarur nga Serbia, por, paraprakisht, secila palë duhet t’i bëjë hapat e nevojshëm, për të treguar vullnet të mirë dhe për të ecur përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre.
Qeveria e Serbisë e di se, në fund, nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën. Prandaj, çështja tani është se si të krijohet një terren i ri politik, që u jep udhëheqësve në Prishtinë dhe në Beograd guximin dhe mbështetjen e nevojshme për të marrë vendime të vështira – edhe nëse ato nuk janë të pëlqyera në opinionin publik.
Radio Evropa e Lirë: Kurti, po ashtu, ka thënë se SHBA-ja mbetet “partnere e pazëvendësueshme” e Kosovës në mbrojtje, diplomaci dhe zhvillim. Mendoni se Kosova mund të vazhdojë të mbështetet në përkrahjen e fuqishme amerikane, në një kohë kur po ndodhin ripozicionime globale dhe politika e jashtme e Trumpit është më transaksionale?
Charles Kupchan: Në Shtetet e Bashkuara ekziston një mirëbesim i madh ndaj Kosovës, që nga ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe përpjekjet që janë bërë prej atëherë për ta ndihmuar Kosovën të zhvillohet si një demokraci e suksesshme.
A mendoj se gjatë presidencës së Trumpit do të shohim më pak fokus tek Evropa dhe më shumë tek Indo-Paqësori? Po, ka shumë gjasa. Mendoj se Trump e ka bërë të qartë se dëshiron që Evropa të shpenzojë më shumë për mbrojtjen dhe të marrë më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e sfidave në fqinjësinë e saj.
A pres që Trump të tërhiqet krejtësisht nga Evropa? A mendoj se pas katër vjetësh nuk do të ketë më trupa amerikane në Evropë? Jo, nuk e besoj. Mendoj se ajo që do të shohim, do të jetë një riekuilibrim i pranisë, por jo tërheqje.
Dhe, në këtë drejtim, mendoj se Kosova duhet të presë politika të mira dhe një angazhim pozitiv nga Uashingtoni. Ndaj, është në interes të Kosovës dhe të kryeministrit Kurti që të ndjekë politika më mbështetëse për procesin e dialogut.
“Marrëveshja e Ohrit është e mirë – duhen kompromise”
Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh përvojën tuaj të gjatë në çështjet evropiane, si do të dukej një plan real për normalizimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë?
Charles Kupchan: Mendoj se Marrëveshja e Ohrit, e ndërmjetësuar nga BE-ja, është e mirë. Tani, sipas mendimit tim, më shumë bëhet fjalë për zbatimin, sesa për drejtimin që do të marrë procesi më tej.
Në përgjithësi, kur shikoni konflikte të zgjatura si ky, ku të dyja palët janë të ngulitura në pozicionet e tyre, rruga përpara është me hapa të vegjël e gradualë, që tregojnë vullnet të mirë.
Secila palë duhet të bëjë kompromise dhe lëshime që i japin sinjal palës tjetër se dëshiron të bashkëpunojë dhe të avancojë drejt kthimit të armiqve në miq.
Prandaj, mendoj se hapi i ardhshëm duhet të përfshijë një plan pune të detajuar me hapa konkretë. Çfarë do të bëjë Kosova? Çfarë do të bëjë Serbia? Kur do ta bëjnë? Cilët janë hapat që do të ndërmerren për ta çuar Prishtinën dhe Beogradin drejt një marrëveshjeje më të mirë, e cila në fund do të mundësojë normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen e Kosovës si shtet i pavarur…
Radio Evropa e Lirë: Çfarë mund të bëjë SHBA-ja për t’i rikthyer palët në tryezën e bisedimeve?
Charles Kupchan: Nën një, SHBA-ja duhet të shfaqet. Duhet të angazhohet. Duhet që diplomatët e saj në rajon të jenë aktivë dhe të punojnë në këtë çështje.
Nën dy, mendoj se duhet një kombinim i duhur i ‘karotave dhe shkopinjve’. Shkopinj për t’u thënë: nëse vonoheni me veprime, nëse bëni gjëra provokuese, atëherë do ta paguani çmimin. Karota për t’u thënë se drita në fund të tunelit ndriçon fuqishëm, dhe ajo dritë tregon se nëse merrni vendime të vështira dhe bëni kompromiset e nevojshme, do të përfundoni plotësisht të integruar në institucionet evropiane dhe atlantike.
Radio Evropa e Lirë: Dhe një pyetje, edhe pse për çështje të brendshme… Kosova nuk i ka formuar ende institucionet e saj që pas zgjedhjeve të shkurtit. Çfarë këshille do t’u jepnit politikanëve kosovarë?
Charles Kupchan: Nga sa kuptoj unë, pengesa kryesore tani ka të bëjë me kryetarin e Kuvendit, me një person të caktuar. Edhe pse Kuvendi është mbledhur disa dhjetëra herë, ai nuk ka arritur të marrë vendim. Dhe, e dini, përbërësi i posaçëm i demokracisë është kompromisi, është dialogu – është ai që e bën demokracinë të funksionojë.
Ndaj, do të inkurajoja Kurtin dhe aleatët e tij politikë, si dhe opozitën, që të pranojnë se nuk mund të vazhdojnë pa qeveri, sepse situata është serioze. Të ulen së bashku dhe të gjejnë një kompromis për të formuar qeverinë dhe për të rifilluar punën në Prishtinë.
“Do të ishte mirë, nëse do t’i vinte fundi këtij regjimi të Mullahëve”.
Kështu ka deklaruar Kancelari gjerman Merz thekson në intervistë për kanalin e medias publike gjermane ARD të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur.
Pjesë nga intervista:
I pyetur nga ARD: Të premten e kaluar një shtet sovran – Izraeli – filloi të bombardojë një tjetër shtet sovran, Iranin. A është kjo një luftë sulmuese?
Friedrich Merz: Ne gjatë gjithë fundjavës jemi konsultuar intensivisht për këtë temë, edhe në samitin e G7 në Kanada kjo ishte një nga temat më të rëndësishme. E pikërisht një ditë më parë miratuam një deklaratë të përbashkët. Në të theksohet edhe njëherë e drejta e Izraelit për vetëmbrojtje dhe përshkruhet karakteri i regjimit të Teheranit, si një regjim, që është në masë të gjerë përgjegjës për terrorin në botë. Nga pikëpamja jonë është e papranueshme që Irani është duke konstruktuar armë atomike. Në këtë kontekst Izraeli po vë në veprim të drejtën e vet për vetëmbrojtje duke e marrë vet këtë përgjegjësi.
ARD: Izraeli argumenton me një goditje preventive. Një kusht i rëndësisihëm për këtë është, që një sulm i pritshëm së shpejti. A keni telefonuar natën e sulmit me Benjamin Netanjahun. Ka ndarë ai argumenta, se një sulm nga Irani pritet së shpejti?
Friedrich Merz: Këto argumenta janë dhënë qysh një ditë përpara. Nga Autoriteti Ndërkombëtar për Energjinë Bërthamore pati një deklaratë, që Irani sërish nuk e respektoi, për të garantuar aksesin në të gjitha impiantet e pasurimit të uraniumit, të cilat janë të shpërndara në mbarë vendin. Irani menjëherë pas kësaj deklaroi, se do ta vazhdojë edhe më intensivisht procesin e pasurimit të uraniumit.
ARD: Por a është kjo një arësye për luftë. Për në fundjavë ishin planifikuar bisedime me SHBA-në?
Friedrich Merz: Ky është një vendim i qeverisë izraelite, vendim që ajo e ka marrë brenda kompetencave të veta dhe me përgjëgjësinë e vet. Por me sa duket Izraeli kërcënimin e ka marrë aq seriozisht, sa kjo e ka shtyrë të vendosë për këtë përgjigje ushtarake. Ky vend ka të drejtën të vetëmbrohet. Nëse qeveria izraelite e konsideroi se kishte ardhur momenti, atëherë nuk kam përse ta kundërshtoj këtë.
…
ARD: Sepse ka shumë vende, që ndihen të kërcënuar nga një vend tjetër: A ju preokupon fakti, që e drejta ndërkombëtare po shkelet përmes së drejtës së më të fortit?
Friedrich Merz: Kjo është një stiuatë e veçantë, që po e shohim prej vitesh në Lindjen e Mesme. Izraeli është i rrethuar nga vende, shumica e të cilëve e vlerësojnë si doktrinë shtetërore asgjësimin e shtetit të Izraelit. Vendi që prej dekadash e ka nxjerrë më së shumti në pah këtë, është Irani dhe regjimi i mullahëve. Izraeli ka qenë i kërcënuar dhe nga programi për armët bërthamore është ndierë dyfish i kërcënuar. Ne bashkarisht një ditë më parë përcaktuam, se Irani nuk duhet të posedojë armë atomike dhe këtë e kemi vendosur në një kontekst me të drejtën për vetëmbrojtje të shtetit të Izraelit.
…
ARD: Në ç`mënyrë mund t’i jepet fund programit për armët bërthamore: ushtarakisht apo përmes bisedimeve?
Friedrich Merz: Gjendja katër ditët e fundit ka ndryshuar dukshëm. Tani është dhënë një përgjigje ushtarake, pasi përpjekjet diplomatike prej dekadash kanë dështuar. SHBA para disa vitesh u tërhoqën nga bisedimet, ndërsa europianët vazhduan, me shpresën që ndoshta do të ketë lëvizje për më mirë. Kjo shpresë herën e fundit u zhgënjye rëndë.
…
ARD: Kryeministri izraelit Netanjahu tha: Kjo krizë mund të marrë fund, duke vrarë Ajatollah Ali Chamenei. A bashkoheni me këtë vlerësim?
Frieedrich Merz: Ky është një vlerësim i kryeministrit izraelit, ashtu sikurse e ka deklaruar. Ndoshta ka pasur një shkas, që e ka bërë publike këtë. Sidoqoftë do të ishte mirë, nëse ky regjim në Iran të mos ketë më influencë në të ardhmen në vend, pasi atje ka një numër të madh njerëzish, që prej kohësh duan të çlirohen nga zgjedha e këtij regjimi. Ne kemi të bëjmë me një regjim terrori – nga brenda dhe jashtë vendit. Do të ishte mire, që këtij regjimi t’i vijë fundi./ DW
“Koha e ankesave ka mbaruar”: Hill kërkon më shumë përgjegjësi nga Kosova
Valona Tela
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, nuk pret që SHBA-ja të ndërhyjë në zgjidhjen e problemeve në Ballkan, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, siç ka bërë në të kaluarën.
Sipas tij, ky rajon nuk është prioritet ditor për SHBA-në dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga brenda.
Ish-ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë.
“Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”, thotë Hill në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.
Ai thekson se Kosova duhet ta çojë përpara themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, thotë se edhe Serbia ka punë për të bërë, por nënvizon se ajo është duke ndihmuar Ukrainën – prioritetin kryesor në Evropë, sipas tij.
“Fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë”, thotë Hill.
BE-ja të angazhohet më shumë
Radio Evropa e Lirë: Ambasador Hill, jemi këtu në GLOBSEC 2025 në Pragë, ku tema kryesore janë siguria globale dhe përgjegjësia transatlantike. Si e shihni pozicionin e Ballkanit Perëndimor në strategjinë më të gjerë evropiane dhe çfarë roli mund të luajë Kosova në këtë kontekst?
Christopher Hill: Para së gjithash, mendoj se është shumë e qartë se Bashkimi Evropian e di se ka disa punë të papërfunduara, dhe se këto punë të papërfunduara janë në Ballkan. Mendoj se tani, ata [BE-ja] janë duke vlerësuar se si t’i përcaktojnë anëtarët e rinj. A t’i pranojnë një nga një, apo njëherazi? Ka shumë sfida dhe, sigurisht, janë duke marrë në konsideratë edhe çështjet e përafrimit.
Mendoj se Bashkimi Evropian duhet vërtet të angazhohet më shumë dhe të përfundojë disa punë të papërfunduara. Besoj se këtë po e shohim tani.
Radio Evropa e Lirë: Dje [12 qershor], këtu në GLOBSEC, thatë se është e vështirë të parashikohet politika e [presidentit amerikan, Donald] Trump, por unë prapë do të pyes: Çfarë lloj qasjeje duhet të presë Kosova nga administrata e tij e dytë?
Christopher Hill: Mendoj se do të ketë një përpjekje nga SHBA-ja për t’i nxitur vendet e Ballkanit që të fillojnë t’i zgjidhin vetë problemet e tyre. Mendoj se koha kur vendet vinin te ne ose te ndonjë shtet perëndimor evropian për t’u ankuar për fqinjët e tyre, [ka mbaruar] dhe njerëzit janë lodhur nga kjo.
Dhe çështja kryesore, sigurisht, është se në botë po ndodhin edhe gjëra të tjera. Nuk jetojmë më në vitet 1990. Jemi në një epokë shumë ndryshe.
Sigurisht, e kuptojmë çështjen e Izraelit, problemin e madh me Iranin, që është enorm, çështjen e Gazës… dhe natyrisht për Evropën është çështja e Ukrainës dhe ajo që të gjithë po bëjmë për Ukrainën…
Ndaj, mendoj se koha kur një vend i Ballkanit vinte te ne për t’u ankuar për një vend tjetër të Ballkanit, [ka mbaruar], sepse njerëzit nuk kanë më kohë për këto gjëra. Ata duan të shohin modele bashkëpunimi brenda rajonit, dhe jo një vend që shkon te ndonjë anëtar i preferuar i komunitetit ndërkombëtar dhe i thotë: Na ndihmo!
Kosova dhe të gjitha vendet e Ballkanit t’i zgjidhin vetë problemet
Radio Evropa e Lirë: Shtetet e Bashkuara, historikisht, kanë qenë një nga aleatët kryesorë dhe më të fortë të Kosovës. A prisni që kjo të vazhdojë kështu, apo parashikoni ndonjë ndryshim në ton a prioritet?
Christopher Hill: Mendoj se, deri diku, kjo varet nga ajo që njerëzit në Kosovë duan të bëjnë. Mund të them se këto çështje në Ballkan janë shumë komplekse, por kompleksiteti i tyre e tejkalon interesin e njerëzve për t’i kuptuar.
Të shkosh në SHBA dhe të thuash: “I kemi të gjitha këto probleme me fqinjët tanë”, njerëzit do të përgjigjen: “Shikoni, të gjithë kanë probleme, zgjidhini vetë”.
Mendoj se pritjet janë që – pa pasur domosdoshmërisht ndërmjetës çdo ditë, pa u mbështetur gjithmonë në organizata joqeveritare apo miq – njerëzit të përpiqen vetë t’i zgjidhin problemet me fqinjët e tyre të afërt, sepse komuniteti ndërkombëtar, thjesht, është përqendruar në çështje të tjera.
Nuk po them që Ballkani nuk është i rëndësishëm. Siç e thashë, Ballkani është, padyshim, një punë e papërfunduar në Evropë, por njerëzit në Ballkan duhet të kuptojnë se në pjesë të tjera të botës, po ndodhin gjëra të tjera. Ndaj, nuk duhet të presin që njerëzit t’i lënë mënjanë problemet me të cilat po merren, qoftë në Ukrainë apo në Lindjen e Mesme, dhe të thonë: “Në rregull, Kosovë, do të mundohemi të të ndihmojmë me këtë”.
Kosova, ashtu si të gjitha vendet e Ballkanit, duhet vërtet të marrë përgjegjësi dhe t’i zgjidhë vetë problemet e saj.
Nuk mjaftojnë vetëm gjestet simbolike
Radio Evropa e Lirë: Së voni, Qeveria në detyrë e Kosovës ra dakord të strehojë përkohësisht deri në 50 migrantë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, si pjesë e një marrëveshjeje për zhvendosje në një vend të tretë. Çfarë tregon ky veprim për afërsinë e Kosovës me interesat amerikane?
Christopher Hill: Mendoj se kjo tregon se Kosova ka interes të përafrohet me SHBA-në dhe të tregojë gatishmëri për ta ndihmuar atë në sfidat e saj.
Por, dua të theksoj se gjestet e tilla simbolike janë shumë të rëndësishme dhe të dobishme. Megjithatë, duhet të shoqërohen me një qasje më të gjerë, e cila siguron se Kosova nuk është në listën e problemeve.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni në diçka konkrete?
Christopher Hill: Nuk kam diçka konkrete në mendje, përveç faktit që tashmë kanë kaluar mbi 25 vjet nga viti 1999 dhe duhet të them se e shoh si shumë zhgënjyese që është arritur kaq pak gjatë këtyre 25 vjetëve.
SHBA-ja më pak e angazhuar në Ballkan
Radio Evropa e Lirë: A prisni që Shtetet e Bashkuara të kenë një rol aktiv në lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, apo do të ishte më efektive të lihej BE-ja të udhëheqë?
Christopher Hill: Mendoj se SHBA-ja, prej vitesh, ka thënë se kjo është një çështje që, realisht, duhet ta zgjidhin evropianët. SHBA-ja ka pasur një të dërguar të posaçëm për disa vite, por, në rrethanat aktuale, do të prisja një angazhim më të kufizuar të drejtpërdrejtë, krahasuar me të kaluarën.
Prandaj, mendoj se ideja që SHBA-ja të jetë e përfshirë plotësisht çdo ditë në Ballkan, do të ndryshojë shumë. Do të shihni interesa biznesore të SHBA-së në Ballkan, do të ketë edhe aktivitete diplomatike, pa dyshim. Por, nuk do të prisja që SHBA-ja të ndërhynte dhe të ndihmonte në zgjidhjen e problemeve të njerëzve. Njerëzit do t’i zgjidhin vetë problemet e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Keni thënë më herët se Qeveria e Kosovës mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për mungesën e përparimit në dialog. Për cilat veprime ose vendime specifike e kishit fjalën?
Christopher Hill: Kur mendoj për përgjegjësitë për adresimin e gjërave, mendoj në Marrëveshjen drejt normalizimit – të ashtuquajturën Marrëveshje e Ohrit – e cila mendoj se është një marrëveshje shumë e drejtë, e punuar me shumë kujdes me ndihmën e zotit [Mirosllav] Lajçak [ish-i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi].
Dhe, është mjaft zhgënjyese që nuk arrijmë të kuptojmë apo nuk arrijmë në pikën ku biem dakord për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por ai bllokohet me çështje që janë më shumë propagandistike sesa reale, si për shembull: kush ka nënshkruar çka, dhe ngjashëm…
Ne duhet ta shohim atë marrëveshje të realizuar plotësisht dhe pjesë e saj është edhe ideja që serbëve në veri të Mitrovicës t’u garantohet një autonomi e kufizuar. Bëhet fjalë për një asociacion që merret me çështje si arsimi dhe spitalet, pra tema të kësaj natyre.
Modele të tilla ka në gjithë botën, sidomos në Evropë. Dhe, që kur kryeministri i atëhershëm [i Kosovës, Hashim] Thaçi e ka nënshkruar atë, ajo është dashur të zbatohet.
Pra, kjo është një çështje, por nuk po them se vetëm Kosova ka probleme. Edhe vendet e tjera, përfshirë Serbinë, duhet ta bëjnë pjesën e tyre.
Por, konkretisht, për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, Kosova duhet të përqendrohet tek Asociacioni i komunave me shumicë serbe dhe të vazhdojë përpara prej aty. Serbia nuk po e sfidon territorin e Kosovës. Në fakt, të gjithë njerëzit në Ballkan flasin për territor, flasin për tokë. Por, problemi i vërtetë në Ballkan, që njerëzit duhet ta kuptojnë, nuk është toka – janë njerëzit.
Është çështje e thjeshtë: A duan njerëzit në Ballkan të qëndrojnë aty, apo duan të largohen diku tjetër? Deri më tani, vazhdon të ketë një valë emigrimi. Nuk është çështje toke – tokë ka mjaft. Problemi është nëse njerëzit duan të jetojnë, të punojnë dhe të ndërtojnë jetën e tyre në Ballkan.
Flasim për normalizim, jo për njohje të ndërsjellë
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se Serbia po bën mjaftueshëm [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën]?
Christopher Hill: Mendoj se të gjithë kanë përgjegjësi. Por, koha kur të huajt thoshin ‘po bëni mjaft’ apo ‘nuk po bëni sa duhet’ [ka kaluar] – nuk do të hyj në atë debat. Besoj se secili e di mirë se çfarë duhet të bëjë.
Radio Evropa e Lirë: Në vitin 2021 keni thënë se njohja e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë do ta zhbllokonte potencialin evropian të Serbisë…
Christopher Hill: Nuk mendoj se e kam thënë unë këtë. Mendoj se e ka thënë dikush tjetër. Ne nuk kemi folur për njohje të ndërsjellë, kemi folur për normalizim. Kjo është ajo që është në tryezë.
Radio Evropa e Lirë: Më herët ka qenë njohja e ndërsjellë…
Christopher Hill: Po flasim për normalizimin. Ky ka qenë pozicioni i BE-së dhe ne e kemi mbështetur BE-në në këtë.
Radio Evropa e Lirë: Gjatë kohës sa keni qenë ambasador në Serbi…
Christopher Hill: Sërish, dua të jem shumë i qartë për këtë. Kjo nuk ka të bëjë me slogane… Nuk është çështja se kush më pëlqen dhe kush jo. Kjo ka të bëjë me përpjekjen për t’i zgjidhur problemet. Mendoj se Bashkimi Evropian ka paraqitur një propozim shumë serioz në Ohër, dhe kjo është çështja në tryezë që duhet të trajtohet.
Radio Evropa e Lirë: Vëzhguesit në rajon, veçanërisht në Kosovë, e kanë parë qasjen tuaj si tepër të favorshme ndaj presidentit serb [Aleksandar] Vuçiq. Si do t’iu përgjigjeshit?
Christopher Hill: Qasja ime është të veproj sipas mënyrës se si Qeveria e SHBA-së dëshiron që çështjet të trajtohen. Ne kemi shumë interesa në Serbi që nuk kanë të bëjnë fare me Kosovën.
Serbia ka ndihmuar në çështjen e Ukrainës dhe ne duam që ky bashkëpunim të vazhdojë. Por, fakti që po mundohemi t’i menaxhojmë disa nga interesat tona me Serbinë, nuk do të thotë që jemi kundër Kosovës. Ne kemi shumë interesa edhe në Kosovë.
Prandaj, do të isha i kujdesshëm me idenë që fuqitë e mëdha po zgjedhin mes vendeve. Ne nuk jemi të interesuar për këtë. Duam që situata të qetësohet. Mendojmë se qasja e Bashkimit Evropian ishte e drejtë dhe do të dëshironim që kjo qasje të ndiqej.
Serbia po ndihmon Ukrainën
Radio Evropa e Lirë: Nëse nuk gaboj, në vitin 2021, ju gjithashtu keni thënë se SHBA-ja duhet t’i tregojë Serbisë se ajo ofron një alternativë më të mirë se Rusia dhe Kina. Por, a ka depërtuar ky mesazh? Sepse, ne vazhdojmë të shohim marrëdhënie të forta midis Serbisë dhe këtyre dy vendeve. Gjithashtu, së voni, Vuçiq ishte në Moskë…
Christopher Hill: Edhe më vonë, Vuçiq ishte në Ukrainë…
Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se politika e tij e balancimit është, në fakt, e suksesshme?
Christopher Hill: Do të duhet ta pyesni vetë atë. Unë nuk jam këtu për të kritikuar politikat e tij. As nuk jam këtu për të kritikuar politikat e Kosovës.
Nga këndvështrimi i SHBA-së, ne duam që vendet të jenë ndihmuese në çështjet kryesore të kohës sonë.
Çështja kryesore në skenën evropiane në këtë moment është Ukraina. Vendet që janë të gatshme ta ndihmojnë Ukrainën dhe të bashkëpunojnë me të, janë vendet me të cilat ne dëshirojmë të punojmë.
Por, siç e dini, këto janë çështje praktike me të cilat të gjithë duhet të përballemi. Ta bësh Ukrainën një çështje dytësore në raport me problemet më të vjetra, mendoj se është gabim dhe nuk e kap thelbin e çështjes.
Jetojmë në një moment shumë të rrezikshëm në botë dhe Ukraina është një nga ato çështje që duhet të trajtohet me urgjencën më të madhe. Serbia po bën disa hapa në këtë drejtim, prandaj, natyrisht, do të punojmë me Serbinë.
Radio Evropa e Lirë: A jeni befasuar nga vizita e Vuçiqit në Moskë?
Christopher Hill: Më vjen keq, ka ndodhur pas largimit tim. Unë jam larguar nga Beogradi në janar. Mendoj se është parashikuar nga disa njerëz. Janë disa arsye për këtë.
Por, sërish, mendoj se kjo nuk është gjëja për të cilën duhet të shqetësohemi. Ajo që duhet të na shqetësojë, është se kush po e ndihmon Ukrainën dhe kush jo.
Radio Evropa e Lirë: Për t’iu kthyer Kosovës… Aktualisht, Kosova po përballet me një vakum të zgjatur institucional pas zgjedhjeve dhe është në pritje të formimit të udhëheqjes së re parlamentare. Nga këndvështrimi juaj, sa i dëmshëm është ky vakum – si në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në atë të besueshmërisë së Kosovës si partnere ndërkombëtare?
Christopher Hill: Do të thosha që secili e ka politikën e vet. Ne kemi politikën tonë. Politikat tona kanë qenë shumë të ashpra dhe të vështira në muajt e fundit. Pra, nuk jam këtu për të kritikuar Kosovën. Do të duhet të arrijnë një marrëveshje bazuar në atë që mund të pranojnë palët. Nuk është e lehtë.
Unë nuk jam këtu për të kritikuar Kosovën në këtë drejtim. Natyrisht, Kosova duhet të formojë një qeveri. Duhet të ketë stabilitet në qeveri. Por, le ta zgjidhë vetë Kosova këtë çështje. Nuk është puna ime të merrem me këtë ose të shpreh opinionet e mia mbi këtë.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, dyshohet nga autoritetet serbe për “vrasje të rëndë në Banjskë” – ku një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në shtator të vitit 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku – tha avokati i angazhuar nga familja e Spahiut, Arianit Koci, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.
Ai shtoi se si dëshmitarë në rastin e Spahiut, i akuzuar konkretisht për vrasjen e tre sulmuesve serbë që u përleshën me Policinë e Kosovës në fshatin që ndodhet në pjesën veriore të Kosovës, përmenden disa zyrtarë policorë kosovarë.
Koci tha se mbrojtja tashmë ka dorëzuar ankesën ndaj vendimit për paraburgimin njëmujor.
Spahiu u ndalua më 7 qershor në pikëkalimin kufitar Hungari–Serbi, ndërsa po udhëtonte me familjen nga Gjermania për në Kosovë. Sipas Kocit, kjo ishte hera e parë që Spahiu ka kaluar nëpër Serbi.
Spahiu aktualisht po mbahet në qendrën e paraburgimit në Suboticë, dhe “është mirë dhe është vizituar nga mjeku”.
Koci ka qëndruar këtë javë në Serbi, por nuk e ka takuar Arbnor Spahiun, pasi nuk është i licencuar për të ushtruar avokatinë atje. Ai tha se, deri më tani, Spahiu është vizituar vetëm nga avokati serb, i caktuar sipas detyrës zyrtare, si dhe nga daja i tij, por nuk ka pasur komunikim me familjarë të tjerë.
Sipas Kocit, kallëzimin penal ndaj Spahiut e ka ndërtuar Agjencia serbe e Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), sipas së cilës ish-polici i Kosovës ishte “snjaperist në këtë operacion”.
“Ai snajperin kurrë nuk e ka prekur me dorë, dhe ka qenë shumë i ri në Njësitin Special, dhe pas një kohe të shkurtër është larguar nga Policia, dhe ka shkuar në Gjermani”, tha Koci për REL-in.
Largimin e tij në vitin 2022 nga Policia e kishte konfirmuar më herët për REL-in edhe Policia e Kosovës.
Sipas Kocit, kallëzimi penal ndaj Spahiut është i shkurtër dhe i paarsyetuar.
Ai shtoi se presin që të miratohet ankesa e paraqitur si mbrojtje, në bashkëpunim me avokatin serb, të caktuar sipas detyrës zyrtare. Koci tha se “kjo ka vetëm konotacion politik”.
“Përmenden emrat e pesë-gjashtë personave, të cilët në këtë fazë konsiderohen si dëshmitarë – ata janë të gjithë ish-kolegë të Arbnorit në Polici, të cilët janë në Kosovë”, tha Koci.
Sipas tij, nëse Serbia thotë që “Policia e Kosovës i ka vrarë tre serbë dhe të gjithë policët do të procedohen penalisht, atëherë pse ka një tjetër procedurë penale për [Millan] Radoiçiqin në Serbi?”.
Sipas ligjit në Serbi, “vrasja e rëndë” dënohet me një dënim minimal prej dhjetë vjetësh burgim, ose me burgim të përjetshëm.
Për sulmin në Banjskë – ku, sipas autoriteteve serbe, dyshohet edhe përfshirja e Spahiut – Kosova ka akuzuar Serbinë, por kjo e fundit ka mohuar çdo përgjegjësi.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe në Kosovë, i cili besohet se ndodhet në Serbi.
Këtë javë, në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon gjykimi i tre prej 45 të akuzuarve për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale në rastin Banjska.
Hetime për këtë sulm është duke kryer edhe Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd.
Institucionet e Kosovës u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve të saj dhe atyre që jetojnë në diasporë që të shmangin kalimin nëpër Serbi kur udhëtojnë për në Kosovë.
Ndërkaq, në një reagim të tij në Facebook, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se “sjelljet jonormale të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, nuk duhet dhe nuk do të pranojmë të normalizohen”.
Në kohën kur Kosova gjendet në një bllokadë institucionale dhe përballë një krize politike, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka propozuar një qeveri uniteti me një agjendë 15-pikëshe, që do t’i përfshinte të gjitha partitë parlamentare.
Por analisti Imer Mushkolaj e konsideron këtë ide si një dalje taktike nga pozicioni i paqartë i LDK-së. Ai thotë se formimi i një qeverie gjithëpërfshirëse është i pamundur dhe i panevojshëm.
Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai komenton arsyet pse nuk sheh vullnet real për zgjidhje dhe kritikon qasjen e partive ndaj qytetarëve dhe institucioneve.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mushkolaj, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka shpalosur sot një agjendë 15-pikëshe, në bazë të së cilës do të punonte një qeveri e unitetit e propozuar nga ai, dhe e cila do t’i përfshinte të gjitha partitë e tjera parlamentare. Si e keni parë ju këtë propozim të Abdixhikut?
Imer Mushkolaj: Unë jam kundër qeverive gjithëpërfshirëse, për shkak se konsiderohet se është e shëndetshme që jo të gjitha partitë të jenë në një qeveri, qoftë ajo e quajtur kalimtare ose e unitetit.
E dyta, konsideroj se zoti Abdixhiku këtë propozimin e vet e ka bërë më shumë me qëllimin që ta ketë një alternativë, ose ta propozojë një alternativë, për shkak të qëndrimit jashtëzakonisht të çuditshëm të LDK-së karshi mundësisë për të bërë koalicion, qoftë me partinë që i ka fituar zgjedhjet – Lëvizjen Vetëvendosje, qoftë me opozitën dhe tash ka dalë me këtë propozim, që, për mua, është i çuditshëm.
Për shkak të qëndrimit të çuditshëm ka dalë me këtë propozim, duke pasur parasysh se LDK-ja në këtë rast është pro që në qeveri të jetë edhe PDK-ja, kushtimisht edhe Vetëvendosja, por është kundër që të bëjë koalicion të veçantë, qoftë me Vetëvendosjen, qoftë me PDK-në, ose partitë e tjera opozitare.
Më tepër është si njëfarë lloj strategjie dalëse prej qëndrimit të LDK-së, sesa përnjëmend një propozim i cili do të mund të mirëpritet nga partitë tjera në Kosovë. Parimisht, nuk ka gjë të keqe që të publikohen, të prezantohen, a të provohet, që të kalojnë ide të tilla.
Por, unë konsideroj se kjo nuk është e mundur. Një qeveri uniteti nuk është e mundur.
Dhe, nëse i lexojmë apo i shohim ato 15 propozime që i ka dhënë LDK-ja, shumicën prej tyre zoti Abdixhiku dhe LDK-ja, do të mund t’i realizonte po të bëhej pjesë e cilësdo qeveri, apo cilitdo koalicion të mundshëm, gjithnjë duke pasur parasysh se në koalicione ose në një koalicionin eventual, LDK-ja, do të merrte pjesën e vet të përgjegjësisë në fusha të caktuara, qoftë ekonomike, qoftë të sigurisë, në mënyrë që t’i realizojë disa nga këto propozime.
Por, duket se LDK-ja, përkatësisht zoti Abdixhiku, nuk ka vullnet që të bëhet pjesë e koalicioneve qeveritare as me pushtetin në detyrë tash, e as me opozitën parlamentare, por paska vullnet që të bëhet pjesë e një qeverie të ashtuquajtur të unitetit, në të cilën bëjnë pjesë edhe pushteti i sotshëm, por edhe opozita aktuale.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Mushkolaj, është e vështirë të formohet tash për tash një qeveri e unitetit?
Imer Mushkolaj: Unë mendoj se, jo sepse është vështirë, por është e pamundur për shkak se nuk ka nevojë të bëhet një gjë e tillë, pavarësisht sfidave të cilat i ka renditur zoti Abdixhiku, përkatësisht LDK-ja, në propozimin e tyre.
Mendoj që këto sfida janë të kalueshme, vetëm se duhet vullnet nga ana e partive politike. Zoti Abdixhiku e ka pasur një ftesë nga VV-ja, nga zoti Kurti që të bëhet pjesë e koalicionit me këtë parti, por e ka refuzuar dhe në anën tjetër ka refuzuar që të jetë pjesë e një qeverie të mundshme, një koalicioni të mundshëm me partitë opozitare.
Nuk kam parë vullnet politik as nga PDK-ja, as nga LDK-ja, nga asnjë parti që të jetësojë një propozim të tillë, pavarësisht se mund të tingëllojë si propozim i mirë edhe në terma praktikë, mbase ndonjëra prej pikave dhe mund të jetë e realizueshme.
Radio Evropa e Lirë: Abdixhiku ka përmendur në këtë 15 pikësh dhe reformat kushtetuese, rindërtimin e partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rritjen e pagave si dhe zgjidhjen e krizës së energjetike. Vetëm një qeveri e unitetit mund t’i bëjë këto ndryshime?
Imer Mushkolaj: Nuk mund t’i bëjë vetëm një qeveri e unitet, këto mund t’i bëjnë një koalicion qeveritar, i cili thjesht i vendos disa prioritete që gjithë qytetarët e Kosovës tashmë i dinë se cilat janë. Pra, prioritet për zgjidhjen e problemeve që janë shfaqur gjatë viteve të fundit dhe jo domosdoshmërisht, absolutisht jo duke krijuar një qeveri të unitetit për këtë çështje.
Do të thotë çështja e pagave, çështja e energjetikës, e ku e di unë… natyrisht se mund të zgjidhet nga një koalicion qeveritar, pra qeveri e unitetit.
Sa u përket çështjeve pastaj që e prekin Kushtetutën, duhet pasur parasysh se ato çështje nuk është se janë lehtë të realizueshme, lehtë të zgjidhshme, pasi që për to duhet të votojë edhe pakica serbe. Përkatësisht, sistemi i komplikuar që ekziston për ndërrimin e Kushtetutës sonë në njëfarë forme, e bën edhe ashtu domosdoshme njëfarë lloj dialogu paraprak mes partive politike, gjithmonë kur vjen koha për ndërrimin e Kushtetutës.
Zoti Abdixhiku, në propozimin e vet, i ka përfshirë çështjet që thjesht i zgjidh një koalicion qeveritar i përgjegjshëm.
Pa qeveri uniteti ka edhe çështje të tjera të cilat kanë nevojë për një dialog paraprak për të zgjedhur, çfarë është kjo me ndryshimet e nevojshme kushtetuese, kur flasim për mundësinë që të eliminohet ku di unë bllokada aktuale e krijimit të institucioneve ose çështje të tjera.
Radio Evropa e Lire: Zoti Mushkolaj, Abdixhiku tha se një propozim ose një paralajmërim i tillë vjen në një kohë kur vendi është zhytur në një krizë politike. Sa e thellë është kjo krizë?
Imer Mushkolaj: Vendi është zhytur në një krizë politike…sa ka deputetë në Parlament, ka edhe LDK-ja, që kanë përgjegjësinë edhe partitë tjera, varësisht prej numrit të deputetëve në Parlament kush më shumë, e kush më pak.
Fatkeqësia është se subjektet politike, partitë, liderët e këtyre partive politike, nuk janë të interesuar të gjejnë zgjidhje brenda Parlamentit dhe pastaj dalin me plot ide edhe plot propozime, të cilat, prapë po them, mund të tingëllojnë mirë, por që në realitet nuk ka vullnet për tu realizuar, sepse thjesht janë të pa realizueshme.
Situata të tilla në të cilat gjendet Kosova tash në mungesë të krijimit të institucioneve, për fat të keq, kemi pasur edhe më përpara, kriza madje që kanë zgjatur edhe më shumë se kaq.
Kjo nuk do të thotë se krizat e tilla, si kjo tash, duhet amnistuar, ose duhet zvarritur zgjidhjen e tyre, duke e marrë si shembull të kaluarën, por unë besoj shumë që zgjidhja mund të gjendet brenda institucioneve të Kosovës, brenda Kuvendit të Kosovës.
Është çështje tjetër që partitë politike, të gjitha pa përjashtim, po luajnë me durimin e qytetarëve, po luajnë me durimin edhe të votuesve të tyre. Dhe, thjesht, nuk po duan që t’i krijojnë institucionet.
Përndryshe, numrat janë brenda Kuvendit të Kosovës Është totalisht e papërgjegjshme që, në mungesë të vullnetit të tyre për të gjetur një zgjidhje, e cila mund të gjendet, ata shkojnë deri tek deklarimet se kanë të bëjnë me mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Radio Evropa e Lirë: A më afër jemi të gjetja e një zgjidhjeje për formimin e institucioneve, ndonjë koalicioni, apo më afër një procesi të ri të jashtëzakonshëm zgjedhor?
Imer Mushkolaj: Unë besoj që më afër jemi drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krijimin e institucioneve, gjithnjë duke pasur parasysh se njerëzit, qytetarët e Kosovës, kanë votuar tash në shkurt dhe s’kanë nevojë të dalin edhe njëherë të votojnë vetëm për tekat e këtyre politikanëve të papërgjegjshëm, të cilët i kanë marrë votat qytetarëve për të bërë zgjidhje, ndërkohë që po e bllokojnë procesin me qëllim. Ky është bllokimi i procesit me qëllim.
Unë pres që të ketë zgjidhje brenda përbërjes së tanishme të Kuvendit, qoftë për votimin e kryetarit ose kryetares së Kuvendit, qoftë për themelimin pastaj të institucioneve, të qeverisë, në fakt.
Është çështje tjetër se sa stabile dhe sa jetëgjatë mund të jenë këto institucione, që themelohen për shkak se kjo varet edhe prej kombinimeve të mundshme të atyre që do ta përbëjnë koalicionin qeveritar.
Por, zgjidhja ekziston, është në duart e deputetëve dhe partive politike. Vetëm duhet pak më shumë vullnet, edhe pak më pak animozitetet dhe mosdurueshmëri mes partive politike.
Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në infrastrukturë, por ende mbetet peng i mendësisë së pasluftës dhe mungesës së kompromisit. Kështu e përshkruan gjendjen aktuale të vendit ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, në ditën kur Kosova shënon 26-vjetorin e çlirimit.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Dvorak, autor i librit “Kosova nën lëkurën time” dhe qytetar nderi i Istogut, thotë se “retorika agresive” dhe mungesa e vullnetit për dialog me serbët po dëmtojnë imazhin e Kosovës në Bashkimin Evropian.
Ai bën thirrje për qetësim të situatës, rifillim të dialogut me Serbinë dhe dërgim të sinjaleve pozitive në Bruksel, duke theksuar se “pa kompromis nuk ka anëtarësim në BE”.
Nga viti 1999 deri në vitin 2002, Dvorak shërbeu si administrator i Kombeve të Bashkuara në komunën e Istogut, ku udhëhoqi procesin e rindërtimit pas luftës në Istog, Gjakovë dhe rajonin e Pejës. Ai ka shërbyer gjithashtu në Irak dhe ka përfaqësuar Çekinë në SHBA, Kuvajt dhe Katar. Në qershor të vitit 2021 u emërua zëvendësministër i Punëve të Jashtme, ndërsa nga maji i vitit 2023 ushtron detyrën e ministrit për Çështjet Evropiane.
Ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvořák, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë në Pragë, më 11 qershor, 2025.
“Rreth 70 për qind e vendit ishte shkatërruar”
Radio Evropa e Lirë: Zoti Dvorak, 26 vjet më parë keni shkuar në një Kosovë të shkatërruar nga lufta si pjesë e misionit të OKB-së. Cila është pamja e parë që ju vjen në mend kur e kujtoni atë kohë në Pejë dhe në Istog, ku ishit i vendosur?
Martin Dvorak: E dini, ndjenja ime e parë ishte një tronditje e vërtetë, sepse, për herë të parë në jetën time, vizitova një vend që ishte ende në luftë, ose të paktën shumë pak kohë pas luftës. Ju mund ta dini, edhe pse jeni e lindur pas luftës, me aq sa e kuptova. Pra, mund ta dini që rreth 70% e vendit ishte shkatërruar, njerëzit ishin pa çati, pa strehë dhe, natyrisht, asgjë nuk funksiononte, gjithçka ishte shkatërruar.
Qëllimi ynë ishte ta përgatisnim vendin për dimrin që po vinte. Para së gjithash t’u siguronim strehim njerëzve dhe t’u jepnim ujë dhe ushqim, dhe ngadalë, hap pas hapi, të rinisnim ndërtimin e një shteti funksional që nga fillimi.
Kjo ishte detyra jonë dhe veçanërisht Istogu ishte shumë miqësor, shumë specifik, sepse kryetari i komunës [i ndjeri Fadil Ferati]ishte shumë i hapur dhe i moderuar.
Ai ishte burgosur nga serbët dhe kishte lexuar Vaclav Havelin [ish-presidentin çek] gjatë kohës sa ishte në burg, kështu që nga fillimi u bëmë miq shumë të mirë, diskutoja me të.
Ai ishte më shumë filozof sesa kryetar komune apo politikan. Krijuam një marrëdhënie shumë miqësore dhe kjo më ndihmoi shumë që në fillim, kur nisa si administrator i Istogut.
Ndjenja ime është ende e njëjtë, e dua Kosovën, i dua njerëzit e Kosovës dhe me të vërtetë besoj se shumë shpejt do të bëheni pjesë e familjes evropiane.
Kosova, “periudha më e suksesshme e jetës sime”
Radio Evropa e Lirë: Faktikisht, kur ju vizituat Radion Evropa e Lirë, aty ku u takuam për herë të parë, më thatë se Kosova është një vend i veçantë për ju dhe tani e kuptoj pse. Keni shkruar edhe një libër dikur, që quhet “Kosova nën lëkurën time”. Çfarë kishte në Kosovë që la një gjurmë kaq të thellë tek ju?
Martin Dvorak: Siç e thashë, ishte një përvojë jashtëzakonisht e fortë. E thashë edhe para se ta lëshonit kamerën. Për mua, ndoshta ishte periudha më e frytshme dhe më e suksesshme e jetës sime.
Edhe pse isha kryetar i një qyteti çek menjëherë pas revolucionit, ai ishte disi edhe kualifikimi im, dhe u ftova të marr pjesë në këtë mision të OKB-së. Mbaj mend që e përjetova kalimin nga një regjim totalitar në demokratizim dhe demokraci, dhe e njëjta gjë pritej edhe nga unë, edhe nga Kosova në atë kohë.
Por unë, me të vërtetë, e ndjeja që mund të ofroja ndihmë të vërtetë për njerëzit, dhe kjo është ndjenja më e mirë që mund të ketë një politikan. Sepse, zakonisht, ti punon në shërbime publike, prodhon shumë letra, shumë takime, shumë takime të frytshme, por shumë takime për asgjë. Ndërsa këtu, me të vërtetë ndjeja se ajo që po bëja, kishte kuptim, ishte ndihmë konkrete për njerëzit që me të vërtetë kishin nevojë. Dhe, kjo ishte një përvojë formuese për mua.
Do t’ju jap një shembull. Vendosëm, siç e përshkruaj në libër, të bënim një lloj privatizimi. Sepse, pas luftës, serbët u larguan dhe anëtarët e UÇK-së erdhën me kallashnikovë dhe morën dyqanet, gjithçka nëpër qendra tregtare dhe fshatra të Istogut. Pa ndonjë bazë ligjore, thjesht hynin dhe i merrnin për vete.
Unë u thashë: “Jo djem, kjo nuk është ligjore, nuk mund të vazhdojmë kështu. Le ta bëjmë një privatizim zyrtar”. E përgatitëm në të njëjtin stil siç e kishim bërë në Çekosllovaki para 50 vjetësh.
Në atë kohë gjeta edhe një banesë në Istog, dhe çdo mbrëmje ulesha në shesh, në qendër të fshatit, në një kafene dhe bisedoja me djemtë, kosovarët, me një përzierje të gjuhës gjermane, ruse, serbe e angleze… dhe flisnim për jetën.
Natën e fundit para privatizimit, shkova në kafenenë time të preferuar dhe pronari më tha: “Më fal, z. administrator, sot nuk kam kafe për ju, sepse nesër do ta mbyllësh dyqanin tim për privatizim. Por, ju lutem, prisni pesë minuta dhe do të shkoj te fqinjët, ata do ta përgatisin kafen për ju”.
Unë prisja që ata të ishin të nervozuar ose shumë të mërzitur, por ata pranuan gjithçka që kishim përgatitur, sepse e panë që unë po veproja në mënyrë të drejtë dhe ligjore. Kjo për mua ishte një përvojë shumë, shumë e fortë, dhe e mbaj mend këtë moment për një kohë shumë, shumë të gjatë.
“Ajo që s’ka ndryshuar është mendësia e njerëzve”
Radio Evropa e Lirë: Po, dhe siç mund të shihet edhe nga libri juaj i botuar në vitin 2000, nga i cili përmendët edhe historinë, ju i përshkruani fshatrat e djegur, infrastrukturën e shkatërruar dhe gjithashtu komunitetin e traumatizuar, për të cilin po flasim tani. Lufta ishte padyshim e vështirë, por ju e keni vizituar Kosovën edhe më vonë. Kur e shikoni sot, cili transformim ju bie më shumë në sy?
Martin Dvorak: Mahnitëse, mahnitëse. Jam rikthyer pas shtatëmbëdhjetë vjetësh – para dy ose tre vjetësh – dhe e vizitova qytetin dhe fshatin tim të dashur në komunën e Istogut. Pata shumë takime bilaterale me udhëheqësit, administratorët dhe presidenten. Dhe, mund të them që u trondita në kuptimin pozitiv nga përparimi që kishte bërë vendi, të themi sa i përket “hardware-it”.
Dvorak gjatë vizitës në komunën e Istogut më 2023.
Rrugë krejt të reja, ura, ndërtesa, hapësira publike të reja në qytete dhe fshatra. Vendi duket mahnitshëm.
Ajo që nuk ka ndryshuar aq shumë, është, të themi, “software-i”, mendësia e njerëzve. Ata janë ende, në njëfarë mënyre, në kohën e luftës ose menjëherë pas saj. Ka ende shumë urrejtje, shumë pakënaqësi me situatën aktuale dhe unë përpiqem ta shpjegoj këndvështrimin tim që vendi me të vërtetë ka nevojë ta hapë zemrën për një të ardhme më të mirë, për të mësuar se si të jetojë bashkë me serbët.
E di që ka shumë, shumë arsye pse kjo është e komplikuar, por mendoj se, për momentin, Kosova po humb pozicionin që e kishte fituar me qeveritë e mëparshme, atë të palës që është e hapur për negociata dhe e gatshme të jetojë bashkë me serbët në konfliktin Kosovë-Serbi.
Tani, mendoj se Qeveria kosovare nuk po tregon mjaft vullnet të mirë dhe hapje për ta udhëhequr dialogun dhe për të gjetur një zgjidhje të mirëfilltë.
Kjo është ndjenja ime personale dhe jam në kontakt me shumë njerëz në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm në Kosovë apo Serbi, por edhe në disa shtete të tjera, dhe jam një nga ata që me të vërtetë e mbështesin zgjerimin e BE-së, përfshirë edhe me Kosovën. Por, për aq kohë sa Kosova nuk është në gjendje të negociojë me serbët dhe e di që të dyja palët duhet të kenë vullnet të mirë… por për aq kohë sa Kosova mbetet në atë pozicionin “ne jemi viktima” dhe nuk është në gjendje të bëjë një hap pas, një gjë e tillë sjell situata të ndërlikuara si për të dyja vendet, ashtu edhe për vetë Ballkanin Perëndimor.
“Retorika agresive nuk është mënyra më e mirë për të zgjidhur problemet”
Radio Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se, që nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie, ju, personalisht, mendoni se Kosova ka bërë regres në bashkëjetesën brenda të njëjtit komunitet me serbët? A e kam kuptuar saktë atë që po thoni?
Martin Dvorak: Unë nuk përpiqem dhe nuk më pëlqen ta sulmoj shpesh qeverinë tuaj. Besoj se qeveria juaj po përpiqet dhe po bën më të mirën për një të ardhme më të mirë të Kosovës.
Ministri i Jashtëm çek, Martin Dvorak, gjatë takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, më 24 janar 2024.
Ajo për të cilën po flas, është një lloj retorike agresive që i ka dhënë forcë qeverisë së tanishme, sepse ajo paraqitet si një udhëheqëse e fortë që do ta mbrojë Kosovën me forcë. Dhe kjo më tremb pak, sepse nuk mendoj se është mënyra më e mirë për t’i zgjidhur problemet.
Është shumë e lehtë t’i provokosh njerëzit drejt një reagimi agresiv, drejt urrejtjes. Por, ajo që është e nevojshme në këtë situatë, është të qetësohet ajo sa më shumë dhe të dërgohet një mesazh: “Shikoni, jemi ‘të dënuar’ të jetojmë së bashku. Serbët nuk kanë mundësi të largohen. Ne do të qëndrojmë këtu, ndoshta jo përjetësisht, por për breza të tërë. Dhe, duhet të gjejmë një mënyrë, një modus, për të jetuar së bashku”.
Po ju tregoj një ngjarje që është përshkruar edhe në librin tim. Në Kosovë, ndoshta e dini, ka një fshat serb që quhet Çerkolez. Në atë kohë, ne po përpiqeshim të formonim një këshill të përkohshëm komunal, sepse ishte i nevojshëm për jetën e përditshme – dikush duhet të pastrojë, të mësojë në shkolla, të kujdeset për rrugët, e kështu me radhë.
Kështu që po u kërkonim banorëve lokalë të merrnin përgjegjësi për jetën e përditshme dhe po përpiqeshim të formonim këshillin komunal.
E vizituam fshatin së bashku me miqtë e mi shqiptarë, mes tyre edhe kryetari shqiptar i komunës. Filluam negociatat me serbët lokalë – ishte shumë e ndërlikuar, por atmosfera ishte ende e qetë.
Më pas, atmosfera filloi të përkeqësohej dhe ndjeva se diçka po shkonte keq. Në atë moment, truproja i mikut tim kryetar shqiptar tha: “Shikoni, unë kam luftuar kundër serbëve. Kam qenë në male. Asokohe, disa serbë erdhën në shtëpinë time dhe vranë vajzat e mia, gruan time dhe vjehrrin. Dhe tani jam këtu, duke u përpjekur të negocioj, të diskutoj me ju se si mund të jetojmë bashkë për brezat e ardhshëm”.
Ishte një moment shumë i fuqishëm. Dhe e kuptova se ka kosovarë që me të vërtetë kërkojnë një mënyrë bashkëjetese me serbët.
Por, për sa kohë që politikanët do ta shfrytëzojnë situatën për përfitime politike dhe do ta përshpejtojnë urrejtjen dhe armiqësinë, nuk ka rrugëzgjidhje. Kjo është ajo që po përpiqem të them. E kuptoj që politikisht është shumë e lehtë të krijosh një imazh të armikut si kërcënim, dhe pastaj të thuash “duhet të luftojmë kundër tij”, por kjo nuk ka kuptim për të ardhmen.
Gjasa të pakta që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat
Radio Evropa e Lirë: Si ministër çek për Çështjet Evropiane, ju e keni mbështetur integrimin e Kosovës në BE. Megjithatë, skepticizmi vazhdon të jetë i pranishëm në Bruksel. Pse?
Martin Dvorak: Siç e thashë, kjo është një çështje shumë më e gjerë sesa vetëm marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ballkani Perëndimor ka shumë probleme. Ka pasur diskutime të gjata nëse duhet trajtuar ky rajon si një tërësi dhe të pritet një zgjidhje përfundimtare, ku të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëheshin anëtare të BE-së në të njëjtën kohë. Por, përfundimisht, të gjithë e kuptuan që kjo nuk është rruga e duhur.
Duhet të zgjedhim nxënësit e mirë, shembujt e mirë, për t’u bërë ftesë edhe të tjerëve që t’i ndjekin. Dhe, pastaj, të gjithë thonë se, për sa kohë që dialogu mes Serbisë dhe Kosovës nuk po vazhdon me fryte, nuk ka zgjidhje.
Duhet të kuptojmë, gjithashtu, se së paku pesë vende anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende zyrtarisht Kosovën. Edhe kjo është një komplikim shtesë në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian.
Nga ana tjetër, në mënyrë pozitive, mund të themi se pas pushtimit rus të Ukrainës, dëshira për të vazhduar me zgjerimin e BE-së është bërë shumë më e fortë. E kuptojmë që na duhet t’i kemi fqinjët sa më afër nesh, sa më pranë BE-së. Dhe duhet t’ju ftojmë, t’ju mbajmë në anën tonë. Kjo është arsyeja pse ende po përpiqemi të negociojmë dhe po ecim në këtë rrugë për ta përfshirë Ballkanin Perëndimor.
Sigurisht që kemi edhe çështjet me Ukrainën dhe Moldavinë – pjesë tjetër e diskutimit.
Por, nga këndvështrimi im personal, unë jam qytetar nderi i Kosovës dhe një mbështetës i madh i vendit tuaj. Megjithatë, mendoj se situata e tanishme është shumë e ndërlikuar që Kosova të pranohet tani si shtet kandidat.
Së pari, duhet ta gjeni mënyrën se si të jetoni dhe të komunikoni me Serbinë, pastaj mund të vazhdojmë me “detyrat e shtëpisë” drejt BE-së.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë hapash konkretë mendoni se duhet të ndërmarrë Kosova tani për ta përshpejtuar rrugën e saj drejt BE-së?
Martin Dvorak: Mendoj se është e domosdoshme të dërgohen mesazhe pozitive, sinjale pozitive. Duhet të thuhet: “Jemi në rrugën e duhur për të negociuar, për t’i zgjidhur problemet ose, të paktën, për ta qetësuar situatën. Jemi të gatshëm të komunikojmë për çështjen e pakicës serbe. Jemi të aftë të flasim për të drejtat e saj dhe si t’i mbrojmë ato”.
Dhe, sigurisht, nga ana serbe gjithashtu duhet të kërkohet: “Ju lutem, hapni dyert, hapni zemrat. Filloni të punoni vërtet për bashkëjetesën, për mënyrën se si të jetojmë së bashku, dhe jo vetëm për të nxitur urrejtje ndaj njëri-tjetrit”.
“Retorika dhe deklaratat politike nuk po çojnë drejt zgjidhjes”
Radio Evropa e Lirë: Të dy e përmendëm tensionin – tensionet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë, por ju, gjithashtu, i keni përjetuar ato edhe pas luftës, siç e thatë. Sipas jush, cila është pengesa më e madhe për pajtimin mes Kosovës dhe Serbisë? Dhe, si e vlerësoni gjendjen aktuale të dialogut mes dy vendeve?
Martin Dvorak: E dini si thonë? Aty ku ka vullnet, ka edhe rrugë. Nëse me të vërtetë dëshiron të arrish një marrëveshje, do ta gjesh mënyrën për ta bërë. Ajo që shoh aktualisht, është se të dyja palët nuk po kërkojnë realisht një marrëveshje.
Kjo është rezultat i tensioneve të gjata dhe i retorikës politike që ka ekzistuar për vite me radhë. Nuk mund ta imagjinoj asnjë politikan kosovar apo serb që thotë: “Shikoni, ne kemi vendosur me të vërtetë t’u japim fund të gjitha përplasjeve dhe tani do të ulemi të negociojmë sinqerisht për mënyrën se si të jetojmë bashkë”.
Një deklaratë e tillë nuk do të pranohej as nga popullata në Serbi, as nga ajo në Kosovë.
Pra, po flas për retorikën dhe deklaratat politike, të cilat ende nuk po çojnë drejt një zgjidhjeje të vërtetë, apo të paktën fillimit të një zgjidhjeje.
Të dyja palët janë të ngujuara në pozicione të forta: “Ata janë armiqtë tanë dhe nuk mund të negociojmë, nuk mund të jetojmë bashkë me ta. Nuk ka rrugë tjetër”.
Unë vërtet besoj se nevojiten disa breza paqeje. Dhe ndoshta pastaj do të fillojnë të bashkëpunojnë në biznes. Ndoshta ndonjë vajzë serbe bie në dashuri me një djalë shqiptar – si Romeo dhe Zhuljeta – dhe ata fillojnë të krijojnë një familje të përzier, apo diçka e tillë.
Por, për momentin, situata dhe atmosfera në të dyja anët janë tepër të ashpra dhe të ngarkuara. Prandaj, mendoj se do të duhet kohë.
Radio Evropa e Lirë: Po shohim se edhe Kosova, edhe Serbia po përballen me sfida të ndryshme për momentin. Për shembull, Kosova është përballur me masa kufizuese apo vonesa nga ana e Bashkimit Evropian – qoftë në financim, mbështetje politike apo hapa drejt integrimit, që shpesh lidhen, siç dëgjojmë edhe nga zyrtarët e BE-së, me ecurinë e dialogut me Serbinë. A besoni se këto masa janë të drejta? Dhe, çfarë mund të bëjë konkretisht Republika Çeke – që, siç e përmendët, është aleate e fortë e Kosovës – për të ndihmuar në heqjen e tyre apo ndryshimin e qasjes ndaj Kosovës brenda BE-së?
Martin Dvorak: Republika Çeke, siç e thatë, ka qenë gjithmonë në anën e zgjerimit dhe përfshirjes së të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën. Dhe, siç e thashë, ne besojmë se, në situatën aktuale politike dhe gjeopolitike, është e nevojshme ta zgjerojmë zonën e ndikimit të BE-së dhe t’ju mbajmë afër nesh, në anën tonë.
Por, nga ana tjetër, nuk mund të heqim dorë nga parimi i kritereve të bazuara në merita. Ekzistojnë disa kritere, disa kërkesa dhe disa rregulla që duhet të përmbushen në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian. Dhe, për fat të keq për Kosovën, problemi më i madh vazhdon të jetë përmbyllja, ose të paktën nisja dhe zhvillimi i dialogut me Serbinë me rezultate reale dhe të dukshme, të cilat ende nuk i kemi parë.
E kuptoj që për politikanët në të dyja palët është shumë e vështirë ta ndryshojnë retorikën, t’i hapin zemrat dhe duart për të thënë: “Hajde të ulemi, të përpiqemi ta gjejmë një rrugë”. Por, siç e thashë më herët, mendoj se duhen disa breza qetësie dhe paqeje, dhe ndoshta, ndoshta atëherë do të mund të fillojnë negociatat.
Sa më shpejt që lexuesit tuaj dhe qytetarët të jenë të gatshëm për këtë, aq më afër do të jetë mundësia për t’u bërë anëtarë të BE-së.
Moskonstituimi i Kuvendit, “situatë paradoksale”
Radio Evropa e Lirë: Po sa i përket gjendjes aktuale brenda Kosovës – si e shihni atë?
Martin Dvorak: Është një situatë vërtet paradoksale. Nuk besoj se ndokush e mban mend ndonjëherë një situatë si kjo që po ndodh tani në Kosovë – 30 herë është tentuar të votohet kryetari i Kuvendit pas zgjedhjeve.
Kjo tregon se situata në Kosovë është shumë, shumë e ndjeshme dhe e ndërlikuar. Dhe më vjen keq ta them, por unë shoh mungesë vullneti të mirë.
I mbaj mend mirë miqtë e mi të dashur në Kosovë – ndonjëherë janë pak kokëfortë, apo jo? Dhe më duket se kjo është pikërisht situata këtu.
Nga këndvështrimi im, si i huaj, nëse një vend nuk është në gjendje të bëjë një hap kaq të thjeshtë, siç është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, atëherë si mund ta udhëheqë vendin vetë? Si mund ta çojë vendin në mënyrë pozitive drejt negociatave me Serbinë, kur deklaratat e tyre politike janë gjithçka tjetër, përveçse miqësore?
E kuptoj se ata janë në garë, se po përpiqen të fitojnë sa më shumë mbështetje publike. Por, ndonjëherë, si politikan, duhet të bësh gjëra që nuk janë të njohura apo të pëlqyera, por janë të domosdoshme.
Shembulli me kryetarin e Kuvendit tregon se çfarë lloj problemi ka Kosova. Udhëheqësit kosovarë, ndonjëherë, kanë nevojë për më shumë vullnet të mirë për të ndërmarrë hapa pozitivë, për të bërë kompromis.
Ky është vetëm një votim në Kuvend. Dikush duhet ta bëjë. Dhe ata ende nuk janë në gjendje. Tridhjetë përpjekje për ta zgjedhur udhëheqësinë e Kuvendit!
Kjo është një provë e fuqishme për atë se çfarë mund të jetë problemi – mungesa e gatishmërisë për të bërë një kompromis, i cili mund të jetë i dhimbshëm, por është i domosdoshëm në politikë.
Mendoj se situata në Kuvendin e Kosovës reflekton drejtpërdrejt edhe problemin në marrëdhëniet Kosovë-Serbi: mungesë vullneti për kompromis. Dhe, kompromisi është i domosdoshëm.
Radio Evropa e Lirë: A mund të ndihmojë komuniteti ndërkombëtar?
Martin Dvorak: Dy gjëra mund të bëjmë. E para është që të përsërisim, përsërisim dhe përsërisim: “Të nderuar, ju duhet të filloni dialogun dhe të arrini përparim në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë”.
Dhe e dyta është, sigurisht, mund të gjejmë instrumente për t’ju ndihmuar – jo vetëm në politikë, por edhe në ekonomi – për të bashkëpunuar, për të gjetur mënyra që t’i hapim dyert për tregun e përbashkët, apo, për shembull, në fushën e roaming-ut. Mund t’ju mbështesim dhe t’ju japim sinjale pozitive dhe arsye përse nuk duhet kurrë të ndaleni në synimin tuaj për t’u bërë pjesë e familjes së BE-së.
Dhe besoj se – kam pasur takime me zonjën presidente, me kryeministrin, me shumë prej liderëve tuaj… dhe gjithmonë e përsëris të njëjtin mesazh: “Ju lutem, përpiquni ta qetësoni situatën, përpiquni të gjeni një mënyrë se si të jetoni së bashku me serbët, brenda kornizës që e përcaktojnë rregullat e BE-së. Sepse, nëse doni të bëheni anëtarë të këtij klubi, duhet t’i respektoni rregullat e klubit”.
Ministri i Jashtëm çek, Martin Dvorak, gjatë takimit në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. 24 janar 2024.
Kosova “s’përbën kërcënim për sigurinë në Evropë”
Radio Evropa e Lirë: E përmendët më herët situatën aktuale në Evropë. Shohim tensione në rritje në Ballkanin Perëndimor, për shkak të pasigurisë së vazhdueshme – nga Ukraina në Lindjen e Mesme. Si i vlerësoni rreziqet e sigurisë me të cilat përballen sot Kosova dhe rajoni? Dhe, çfarë mund të bëjnë vendet, si Republika Çeke, për të garantuar stabilitet afatgjatë dhe ndikim të jashtëm konstruktiv?
Martin Dvorak: Nuk mendoj se Kosova përbën ndonjë kërcënim për sigurinë në Evropë. Besoj dhe e di që vendi juaj gjithmonë ka qenë në anën e duhur të kësaj përballjeje, sidomos përballë Rusisë. Kosova gjithmonë ka bashkëpunuar dhe ka vepruar mirë në këtë drejtim.
Për mua, Ballkani Perëndimor dhe qytetarët e Kosovës janë aleatët tanë në luftën për demokraci, për liri dhe për vlerat që ne i mbështesim.
Dhe tani, ata janë nën kërcënim – ndoshta nga Rusia, ndoshta nga Kina, ndoshta edhe nga SHBA-ja, nuk e di. Nga kjo pikëpamje, besoj se mund të mbështetemi te ju. Mund të mbështetemi te Kosova dhe Ballkani Perëndimor – ndoshta jo te të gjitha vendet – që do të qëndrojnë në anën tonë, krah për krah me ne, në një situatë ku duhet t’i mbrojmë vlerat në të cilat besojmë.
Nga ana tjetër, ajo që na nevojitet nga ju, është ta qetësoni situatën e brendshme.
Radio Evropa e Lirë: Një brez i ri është rritur tashmë në Kosovë që nga lufta. Nëse do t’u flisnit drejtpërdrejt atyre, të rinjve të lindur pas vitit 1999, cili do të ishte mesazhi juaj me rastin e 26-vjetorit të çlirimit?
Martin Dvorak: Të dashur të rinj, jini në rrugë të drejtë! Me gjithë zemër ju uroj që ta arrini ëndrrën tuaj, që sipas meje është të jetoni në demokraci, në liri dhe pavarësi, dhe të bëheni anëtarë të plotë të familjes evropiane.
Ju dëshiroj të gjitha të mirat dhe sukses në këtë rrugë. Por, nga ana tjetër, duhet t’i bëni “detyrat e shtëpisë” dhe ato janë të shumta. Prandaj, ju lutem, përgatituni të punoni fort për këtë. Sepse një ditë do ta arrini.
Liberalizimi i tregut të energjisë elektrike në Kosovë nuk është vetëm një obligim ligjor, por edhe një mundësi për zhvillim, vlerëson eksperti i energjisë, Arben Kllokoqi.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se ky hap mund të sjellë kursime për bizneset, investime të reja dhe nxitje të inovacionit.
Pavarësisht sfidave, eksperti i lartë në Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë në Vjenë vlerëson se tregu i hapur është rruga më e qëndrueshme për të ardhmen e sektorit të energjisë.
Bizneset e mëdha në Kosovë, nga 1 qershori, kanë dalë në tregun e hapur të energjisë, duke u dhënë fund çmimeve të rregulluara nga institucionet shtetërore.
Subjektet ekonomike e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke kërkuar shtyrjen e tij deri në një përgatitje më të mirë.
Arben Kllokoqi.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Kllokoqi, bizneset e mëdha në Kosovë, nga 1 qershori, kanë dalë në treg të hapur të energjisë elektrike. A mendoni se vendi ka qenë i përgatitur për këtë hap?
Arben Kllokoqi: Hapja e tregut të energjisë dhe reformat në sektorin e energjisë burojnë nga direktivat dhe rregulloret e Bashkimit Evropian, të përqafuara nga Kosova përmes Traktatit të Komunitetit të Energjisë që nga viti 2005.
Kjo hapje është kërkesë ligjore që nga viti 2016. Edhe pse faza e parë ka nisur mirë, hapi i dytë është përballur me një debat nganjëherë tejet konstruktiv, e nganjëherë i ngarkuar politikisht, duke krijuar pasiguri.
Në përgjithësi, është e vështirë të përcaktohet momenti ideal për një hap të tillë. Për shembull, para krizës energjetike të vitit 2021, çmimet ishin më stabile dhe relativisht të ulëta, duke e bërë më të favorshme daljen në treg të lirë.
Pas krizës, çmimet janë bërë më të paqëndrueshme dhe më të larta mesatarisht, por, nga ana tjetër, ka më shumë furnizues dhe më shumë përgatitje, përfshirë edhe bursën ALPEX, si mekanizëm për shitblerje të energjisë elektrike.
Duhet theksuar se edhe më herët ka qenë e mundur për bizneset të dalin në treg të lirë. Nga 1 qershori, disa biznese nuk mund të furnizohen më me çmime të rregulluara bazuar në shërbimin universal, por vetëm me çmime tregu. Megjithatë, në mënyrë vullnetare, ato kanë pasur mundësi ta ndërmarrin këtë hap shumë më herët.
Tani, edhe pse disa kushte janë më të favorshme – si më shumë furnizues, funksionimi i ALPEX-it, kontrolli i zonës tregtuese dhe linjave ndërkufitare, transparenca në çmime, etj. – nuk mund të neglizhohet fakti që bizneset po përballen me një ambient të ri, që i ekspozon më shumë ndaj rrezikut të çmimeve të tregut.
Nga këndvështrimi i sektorit të energjisë, kjo hapje është më se e nevojshme. Pavarësisht sfidave, ajo krijon mundësi për kursim, optimizëm, investime në vetëkonsum dhe, në përgjithësi, në inovacion.
Radio Evropa e Lirë: A ka Kosova infrastrukturë dhe kapacitete të mjaftueshme për të mbështetur një treg të lirë dhe konkurrues të energjisë?
Arben Kllokoqi: Duke qenë se kjo është një kërkesë ligjore, shpresoj se aspektet e infrastrukturës janë marrë në konsideratë. Si ekspert i fushës, nuk shoh arsye pse Kosova të mos e implementojë tregun e lirë, kur i njëjti mekanizëm funksionon prej kohësh në vendet e BE-së dhe në rajon.
Kosova ka pasur sfida, veçanërisht për shkak të tarifave të ulëta të rregulluara, të cilat nuk kanë nxitur kursim, optimizëm apo investime në prodhim dhe rehabilitim. Megjithatë, zhvillimet e fundit, si krijimi i ALPEX-it, integrimi me tregun e Shqipërisë, rritja e transparencës, kontrolli i linjave ndërkufitare dhe rritja e numrit të furnizuesve, krijojnë një bazë solide për liberalizimin e tregut.
Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë janë të licencuara 22 kompani furnizuese, por vetëm pesë nga to, aktualisht, mund ta ofrojnë këtë shërbim për rreth 1.300 biznese të mëdha. A është i mjaftueshëm ky numër?
Arben Kllokoqi: Numri i furnizuesve nuk pasqyron domosdoshmërisht likuiditetin e tregut. Nuk e di se në çfarë mase bizneset kanë filluar të kërkojnë oferta para afatit të liberalizimit, meqë e ceka më herët, bizneset kanë pasur të drejtë të dalin në treg të lirë.
Unë, personalisht, kam pasur mundësi të shoh disa oferta, dhe në njërën prej tyre më ka befasuar mungesa e qartësisë. Nuk dua të paragjykoj, por oferta i referohej një indeksi për koston e energjisë pa saktësuar nëse ishte mujor, javor, ditor apo orë për orë. Gjithashtu, indeksi për koston ndërkufitare ishte i paqartë.
Ofertat duhet të jenë të qarta. Nëse nuk janë me çmim fiks, duhet të shoqërohen me formula të sakta për përllogaritjen e çmimit. Konsumatori mund ta optimizojë konsumin duke pasur ofertë të qartë. Rregullatori ka autoritet të monitorojë tregun dhe të ndërmarrë masa nëse konstaton abuzime.
Radio Evropa e Lirë: Çmimi i ofruar nga disa kompani, sipas bizneseve në Kosovë, është mbi 260 euro për megavat. Sipas jush, a është i lartë ky çmim dhe pse është në këtë nivel?
Arben Kllokoqi: Nuk do të ishte profesionale të komentoj direkt mbi nivelin e çmimeve, por do të habitesha nëse nuk ka apo nuk do të ketë oferta më të leverdishme. Duhet pasur parasysh se shtyrjet e mëparshme mund të kenë krijuar pasiguri për furnizuesit.
Konfirmimi se vendimi po implementohet dhe se konsumatorët po furnizohen nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (KEK-u) apo furnizues të tjerë, krijon më shumë siguri dhe shpresoj të sjellë oferta më të mira.
Gjithashtu, është e rëndësishme të mos harrojmë kualitetin e shërbimit. Në treg të hapur, ku çmimi nuk përmban elemente subvencionuese, duhet të ketë mekanizma për të garantuar cilësinë e furnizimit dhe kompensimin në rast të ndërprerjeve apo devijimeve.
Negocimi duhet ta përfshijë edhe këtë, jo vetëm çmimin.
Radio Evropa e Lirë: A duhet të ketë Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ndonjë çmim tavan apo ta monitorojë tregun në mënyrë që të mos keqpërdoret situata?
Arben Kllokoqi: Në tregun me shumicë ekzistojnë tavane çmimesh, por ato janë zakonisht shumë të larta. Në tregun me pakicë (tregun e konsumit) nuk ka praktikë për vendosje të tavaneve. Roli i Rregullatorit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për monitorimin e tregut, çmimeve dhe cilësisë së shërbimeve.
ZRRE-ja mund të vlerësojë nëse ka pasur abuzime, duke krahasuar çmimet e ofruara me ato të tregut vendor dhe rajonal. Një praktikë e mirë që mund të zbatohet, është krijimi i një mjeti për krahasim çmimesh, që do t’i ndihmonte si konsumatorët, ashtu edhe furnizuesit në rritjen e transparencës.
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë rreziqet e mundshme nëse liberalizimi i tregut të energjisë zbatohet para se të jenë përmbushur kushtet e nevojshme, ashtu siç po pretendojnë subjektet ekonomike në Kosovë?
Arben Kllokoqi: Megjithëse sfidat ekzistojnë, mendoj se ka zhvillime te mira për ta përballuar këtë proces më mirë se disa vite më parë. Do të ishte ideale që liberalizimi të bëhej në mënyrë vullnetare, pra bizneset të kishin kontraktuar furnizues më herët dhe të mos prisnin afatin e fundit.
Kjo sjell stres shtesë, rrit rrezikun dhe çmimet. Furnizuesit nuk e kanë të qartë portofolin e tyre deri në momentin e fundit dhe ekspozohen ndaj paqëndrueshmërisë së tregut. Bizneset, nga ana tjetër, nuk kanë kohë të mjaftueshme për t’i analizuar ofertat.
Objektivi afatgjatë i Direktivave të BE-së dhe i Komunitetit të Energjisë është që të gjithë konsumatorët të furnizohen në treg të lirë. Konsumatorët në kushte të vështira ekonomike duhet të përfitojnë mbështetje të targetuar nga burime të tjera, ndërsa çmimi duhet të përcaktohet në treg.
Nuk mund të presim investime derisa funksionojmë me çmime të rregulluara që shpesh janë nën kosto. Vetëm çmimet e tregut mund të nxisin investime që garantojnë furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Pra, mendoj se të dyja rrugët, si liberalizimi, ashtu edhe mosliberalizimi, bartin rreziqe. Megjithatë, besoj se rruga e liberalizimit është më strategjike dhe më e qëndrueshme në afat të gjatë.
Radio Evropa e Lirë: Si ka shkuar procesi i liberalizimit të energjisë në vendet e rajonit dhe cilat mësime mund t’i nxjerrë Kosova prej tyre?
Arben Kllokoqi: Tregu në BE është liberalizuar prej kohësh. Edhe vendet e rajonit janë shumë përpara Kosovës. Në Maqedoni të Veriut, disa biznese nga Kosova furnizohen në treg të lirë. Edhe Shqipëria, megjithëse më e vonuar, prej vitit të kaluar e ka kaluar shumicën e bizneseve, sipas kushteve të caktuara, në treg të lirë.
Sa më i madh të jetë numri i konsumatorëve në tregun e lirë, aq më i lartë është likuiditeti dhe mundësia për më shumë furnizues. Portofoli më i madh tërheq më shumë konkurrencë dhe sjell çmime më të favorshme për bizneset.
Është thelbësore që Rregullatori të krijojë një mekanizëm të vazhdueshëm monitorimi, të insistojë në transparencë dhe të sigurojë cilësinë e shërbimeve.
Radio Evropa e Lirë: Çfarë roli luan Komuniteti i Energjisë në këtë proces dhe si mund të kontribuojë më tej në përmirësimin e tregut të energjisë në Kosovë?
Arben Kllokoqi: Edhe pse sot flas në cilësinë e ekspertit, jo në emër të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, po e përmbledh shkurt: Kosova është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë dhe si e tillë është pjesë e barabartë në vendosjen e kornizës ligjore të këtij komuniteti. Korniza bazohet në direktivat dhe rregulloret e BE-së. Pra, sektori i energjisë duhet t’i zbatojë rregullat sipas kësaj kornize.
Komuniteti i Energjisë është mekanizmi që e mundëson këtë, ndërsa Sekretariati monitoron dhe mbështet procesin e zbatimit.
Më 24 prill 2025, Jeffrey Goldberg,kryeredaktor i revistës prestigjioze amerikane,The Atlantic, dhe gazetarët Ashley Parker, Michael Scherer – të cilët më parë kanë qenë të ‘The Ëashington Post zhvilluan – një intervistë me presidentin e Amerikës Donald Trump në Zyrën Ovale.
Takimi erdhi pas disa përpjekjesh dhe anulimesh, përfshirë edhe një telefonatë të rastësishme nga presidenti në orët e vona të natës. Trump e pranoi intervistën me një postim ironik në Truth Social, ku kritikoi gazetarin Goldberg për artikuj “të sajuar”.
Pavarësisht historisë mes tyre, Trump ishte në një humor të mirë dhe i shoqëruar nga stafi i tij. Intervista u përqendrua në rikthimin e tij të paprecedentë në Shtëpinë e Bardhë dhe në mënyrën se si ai po e koncepton një mandat të dytë presidencial. Ai diskutoi për Ukrainën, tarifat tregtare, dhe ushtrimin e pushtetit, duke theksuar se synon ta përdorë presidencën për të “shpëtuar vendin dhe njerëzimin”. Takimi u vlerësua si një bisedë interesante”
Parker: Historia jonë po ndjek një rikthim të jashtëzakonshëm. Dhe nuk është vetëm rikthim —
duket se tani po ushtron pushtetin në një mënyrë të ndryshme. Por pyetja ime lidhet me janarin 2021 — ishe në një lloj “internimi”, po luftoje për mbijetesën politike.
Trump: Nuk e kam parë ashtu, por ndoshta ke të drejtë. Ka një grimë të vërtetë në këtë.
Parker: Kur ishte momenti i parë që kuptove se mund të riktheheshe? Që mund të ndodhte sërish?
Trump: Unë jam një mendimtar shumë pozitiv. Vura në dyshim nëse do të doja të rikthehesha, por kurrë nuk mendova se nuk do të mundesha.
Kishte figura si Ron DeSantis që po cilësohej si yll në ngritje. Njerëzit thoshin: “Ai do të shkëlqejë.” Dhe në anën demokrate — ndoshta — kishte disa që dukeshin premtues. Kush e di? Unë nuk i pashë si të tillë. Për mua, Biden ishte një president i dështuar. Ai lejoi miliona njerëz të hynin në Amerikë, të cilët nuk duhet të ishin këtu. Është një problem i madh.
Mendova se ndoshta nuk do ta bëja, por nëse do ta bëja, do të fitoja. Por kurrë nuk e konsiderova si një “rikthim”. Shumë njerëz e quajnë ashtu. Madje disa e cilësojnë si rikthimin më të madh politik në histori. E shoh si një nder, por unë vetë nuk e ndjej si rikthim. Thjesht e shoh si: unë vazhdoj përpara, hap pas hapi.
Ndoshta nuk duhet të ndihem keq për atë fjalë, sepse ndoshta është e saktë. Thjesht unë nuk e kam përjetuar kështu.
Scherer: Kur erdha në Zyrën Ovale javën e kaluar si pjesë e gazetarëve, të bëra një pyetje për IRS-in që po heton Harvardin, dhe ti fole me shumë pasion për mënyrën se si konservatorët po shënjestrohen nga IRS. Gjithashtu ke nxjerrë një urdhër ekzekutiv — e ke akuzuar Chris Krebs se ka shkelur Amendamentin e Parë, por në fakt po e ndëshkon për opinionin e tij për zgjedhjet e vitit 2020.
Trump: Po.
Scherer: Ka shumë shqetësime në vend që mënyra si po e përdor pushtetin ekzekutiv për të goditur ata me të cilët nuk bie dakord po e shtyn vendin drejt autoritarizmit. Në Truth Social, ndoshta me shaka, the: “Ai që shpëton vendin, nuk shkel asnjë ligj.” A duhet të jenë të shqetësuar njerëzit se po ndryshon natyra e presidencës nën drejtimin tënd?
Trump: Jo. Shiko, në histori, askush nuk është ndjekur dhe sulmuar si unë. Ndoshta është më e vështirë për ju ta shihni, sepse jeni në anën tjetër të medaljes. Por askush nuk është ndjekur si unë. Nuk e kuptova menjëherë. Kur shkarkova [ish-Drejtorin e FBI] James Comey, më thanë se ishte një gabim i madh, që do të më përndiqte. Dhe vërtet, kur e pushova, ishte si të hidhje një gur në fole grerëzash — gjithçka shpërtheu në FBI. Dhe aty gjetëm deklaratën për “policën e sigurimit”. E mban mend deklaratën e famshme: “Mos u shqetëso, ai do të humbasë. Por nëse fiton, kemi një polici sigurimi”? Polica e sigurimit ishte pikërisht ajo që po bënin ata.
Nuk ka pasur njeri tjetër që është ndjekur si unë. Por gjatë presidencës sime të parë arritëm shumë; mora vlerësime të mira, sidomos nga të moderuarit dhe konservatorët. Kur sheh ekonominë, më pas u goditëm nga COVID, por kur ia dorëzuam tregun e aksioneve pas COVID-it, ishte më i lartë se sa para pandemisë — që është vërtet mbresëlënëse.
Por gjëja e vërtetë është: ndërkohë që isha këtu, po më përgjonin; përgjuan fushatën time që në fillim. Dhe tani kjo është vërtetuar — shumë nga këto gjëra janë vërtetuar. I gjithë hetimi i Mueller-it ishte një gjueti shtrigash; përfundimi ishte se nuk kisha asnjë lidhje me Rusinë.
Scherer: Vetëm një—
Trump: Vetëm ta përfundoj. Kjo është një presidencë shumë më e fuqishme se ajo e para. Por edhe herën e parë realizuam gjëra të mëdha. Herën e parë po luftoja për mbijetesë dhe për të drejtuar vendin. Këtë herë po luftoj për ta ndihmuar botën dhe për ta ndihmuar vendin. Është një presidencë shumë ndryshe.
Zelensky dhe Putin
Goldberg: T’i kthehemi çështjes së Rusisë. “Vladimir, NDALO!” — e shkruajte në Truth Social.
Trump: Po, e bëra.
Goldberg: Nuk më duket ai tipi që do të thotë: “Ah, mirë, Trump më tha të ndalem, ndaj do të ndalem.”
Trump: Ndoshta do të befasohesh.
Goldberg: Nëse ndodh kështu, do të kthehem dhe do të them: “Ke pasur të drejtë, unë gabova.” Por mendoj se kam të drejtë. Ai nuk është tipi që thjesht do të ndalojë përpjekjen për të marrë të gjithë Ukrainën. Pyetja është: Nëse ai përparon, nëse ka më shumë suksese ushtarake— Trump: Gjë që është e mundur.
Goldberg: Të bombardojë pallate banimi—
Trump: Sigurisht.
Goldberg: A sheh ndonjë situatë ku do të përfshiheshe, jo me trupa, por me më shumë armë, me mbështetje të plotë për Ukrainën për të ruajtur integritetin e saj territorial?
Trump: Nuk duhet të jenë domosdoshmërisht armë. Ka shumë forma armësh. Nuk ka nevojë të jenë armë me plumba. Mund të jenë armë ekonomike, me sanksione. Mund të jenë armë përmes bankave. Ka shumë mënyra të tjera.
Goldberg: A ka ndonjë gjë që Putin mund të bëjë që do të të shtynte të thuash: “Tani jam në anën e Zelenskyt”?
Trump: Jo domosdoshmërisht në anën e Zelenskyt, por në anën e Ukrainës, po. Po. Por jo domosdoshmërisht në anën e tij. Kam pasur vështirësi me Zelenskyn. E pamë edhe kur ishte këtu, ulur në atë karrige, kur thjesht nuk e kuptonte.
Goldberg: Ajo ishte një nga skenat më të çuditshme që kam parë ndonjëherë në Zyrën Ovale.
Trump: Gjithçka që duhej të bënte ishte të rrinte i qetë, e kupton? E fitoi pikën e tij. Por në vend që të thoshte “Në rregull” kur bëra deklaratën, thashë: “Ne po punojmë për ta zgjidhur. Po përpiqemi të ndihmojmë.” Ai tha: “Jo, jo, na duhet edhe siguri.” Unë thashë: “Siguri?”
Goldberg: A nuk është detyra e tij të mbrojë vendin e vet?
Trump: Po, është, por gjithsesi, le ta zgjidhim luftën më parë. Në fakt thashë: “Nuk e di nëse do të arrijmë ta përfundojmë.” Ai fliste për sigurinë pas luftës. Dhe më pas bëri një deklaratë, diçka si: “Ne e luftuam të vetëm, nuk morëm ndihmë.” I thashë: “Po si jo? Ju dhamë 350 miliardë dollarë, ndërsa Evropa shumë më pak.” Kjo është diçka tjetër që më shqetëson.
Do të shohim çfarë do të ndodhë gjatë kësaj jave. Jemi në momentet e fundit. Dhe për ta përsëritur, kjo është lufta e Biden-it. Unë nuk dua të mbetem me barrën e saj. Është një luftë e tmerrshme. S’duhej të kishte ndodhur kurrë. Dhe nuk do të kishte ndodhur kurrë, kjo aq e sigurtë sa ti je ulur këtu.
Goldberg: Po ajo skenë me Presidentin Zelensky këtu, mendon se trembi Tajvanin, Korenë e Jugut apo Japoninë?
Trump: Jo. Jo.
Goldberg: Ata nuk po mendojnë: “Kështu i trajton aleatët?”
Trump: Shiko. Ne jemi trajtuar shumë keq nga të tjerët. Shkuam në Korenë e Jugut dhe u kujdesëm për ta për shkak të luftës. U kujdesëm për ta dhe nuk e ndaluam kurrë. E di, kemi 42 mijë trupa në Korenë e Jugut. Na kushton një pasuri. Unë arrita t’i bind që të paguanin 3 miliardë dollarë, dhe më pas Biden e anuloi. Nuk e di pse. Ata janë pasuruar shumë. Kanë marrë tregtinë detare, makinat tona. Kanë marrë shumë nga bizneset tona, shumë nga teknologjia jonë.
Nuk ke pse ndihesh keq për këto vende. Këto vende kanë përfituar shumë në dëm tonin, shumë. Dhe unë dua ta mbroj këtë vend. Dua të sigurohem që edhe pas njëqind vitesh ky vend të jetë i madh. Kjo është një kohë shumë e rëndësishme. Jeffrey, jemi në një nga periudhat më të rëndësishme në historinë e këtij vendi. sn
Komentet