Agron Jaha: “Teoria ilire”, 2014, faqe 223.
Duket paksa absurde, që teoria ilire, e cila, në shekullin nëntëmbëdhjetë, nga studiues gjermanë dhe të tjerë, e nxori në pah dhe e ngriti albanologjinë në nivel të shkencës, së voni, asaj t’i kthehet në një pengesë serioze. Shikuar nga aspekti shkencor kjo as që do të duhej të ndodhte, ngaqë hulumtimi shkencor nuk njeh kufizime, e aq më pak dogma. Por, në rastin e albanologjisë, do të jenë pikërisht disa limite të natyrës joshkencore (ideologjike dhe diktate të Beogradit), që asaj i vijnë sa nga klishetë e përkatësisë së indoeuropianishtes, ku ajo është vendosur me shumë “dilema” dhe pikëpyetje ku asnjëherë nuk e ka vendin e sigurt dhe, sa nga minimizimi i rolit të saj në këtë familje në raport me greqishten, latinishten dhe madje edhe gjuhët sllave, si “periferi” gjuhësore dhe assesi pjesë e një fundamenti të lashtësisë ku ajo në të vërtetë, sipas shumë indikacioneve shkencore, e ka vendin. Mbajtja e padrejtë e gjuhës shqipe “si periferi” dhe me tretmanin e “gjuhës që ka marrë”, pra “të arnuar” nga greqishtja, latinishtja dhe gjuhët sllave (siç del nga Fjalori Etimologjik i G. Majerit i vitit 1889), ka ndikuar edhe në kundrimin e gjithëmbarshëm të pamjes historike të lashtësisë shqiptare, me ç’rast edhe gjeneza etnike dhe ajo kulturore dhe shpirtërore me rrënjë në antikitet, ka mbetur jashtë dividentës shoqërore dhe politike mbi të cilën, në shekullin nëntëmbëdhjetë, është sistemuar edhe harta e njohur politike e Europës Juglindore, me pasoja të rënda politike për çështjen shqiptare dhe tretmanin e saj në familjen e shteteve të reja europiane.
Për të qenë absurdi edhe më i madh, teoria ilire si dogmë, pra ku gjuha shqipe dhe shqiptarët në përgjithës, nën diktatin e historiografisë naconaliste serbe dhe ruse dhe, veçmas nga shkolla sllaviste e Vjenës e drejtuar nga Schmit (ndonëse ky është shpallur edhe akademik në Prishtinë) dhe të tjerët përreth, të cilët nuk ngurrojnë të mjegullojnë shtyllat kryesore të etnogjenezës shqiptare (antikitetin, origjinën ilire të gjuhës shqipe, mesjetën si dhe rolin dhe origjinën e Skënderbeut), vazhdon të ruajë konstancën edhe nga një pjesë e mirë e albanologëve dhe historianëve nga hierarkia e institucionistëve në Tiranë dhe Prishtinë si dhe institutet shtetërore, që në vend se të vazhdojnë aty ku profesor Çabej, ndonëse me rezerva, tërhiqte me të drejt vëmendjen “se vendi i shqipes si gjuhë dhe i shqiptarëve si popull shkon tutje në antikitetin e thellë”, pra tutje “limiteve” kufizuese të ilirishtes, ata kënaqen me stereotipet e “vetëmbrojtjes”, duke shpurdhur nëpër teoritë sterile gjuhësore të shekullit të nëntëmbëdhjetë, me të cilat u ngrit indoeuropianishtja, paçka se tashmë shumëçka e saj tashmë është reviduar. Për të qenë e keqja edhe më e madhe, diskursi “institucional” i dogamtëve të ilirishtes në Tiranë dhe Prishtinë, ku ata me mish e me shpirt mbrojnë “titujt” dhe “veprat” e tyre bashkë me privilegjet e shumta që i kanë prej tyre, drejtohet edhe kundër qasjes shkencore ndryshe, nga jashtë apo nga brenda, me të cilën teoria ilire kërkohet që të nxirret nga dogma e me këtë edhe i gjithë kompleksiteti i gjenezës së etnisë shqiptare t’i nënshtrohet një rishqyrtimi në përputhje me hulumtimet më të reja shkencore anembanë, ku roli dhe vendi i gjuhës shqipe në komplesksitetin historik nga “periferia”, kalon në qendër, pra në vetë embrionin e gjuhësisë, ku edhe e ka vendin.
Ky diskurs, ndonëse anakronik dhe antishkencor njëherësh, me anatemën e “rrënuesve të ilirishtes”, ka përjashtuar nga “agjenda zyrtare” e akademive dhe institucioneve shkencore dhe hulumtuese në Tiranë dhe Prishtinë gjithë autorët (nga jashtë dhe nga brenda), të cilët origjinën ilire dhe ilirishten e lidhin me atë pellazge, teori kjo që kishte shumë mbështetës para dy shekujsh dhe më vonë nga studiues eminentë botërore (Hahn, Myller, Budimir, Georgiev, Kondunis e të tjerë), por edhe ata shqiptarë: (Kamarda, De Rada, Adhamudhi, S. Frashëri dhe më vonë Kondo, Fallaqi, M. Aref e të tjerë), të cilët, vlerësojnë se lidhjet e ilirishtes me pellazgjishten, ose si eskivohet shumë herë me paleoilirishten, paleoindoeuropianishten dhe ndryshe, nuk e zhvlerësojnë dhe as nuk e zbehin teorinë ilire, pos që e forcojnë edhe më tepër, duke e kthyer atë në një faktor kryesor të antikitetit, me çka kontestohen deri në rrënim dy nga “argumentet” e paqëndrueshme të indoeuropianishtes: roli dhe vendi i mbivlerësuar i helenëve dhe helenizmit, si një konstrukt politik i shekullit nëntëmbëdhjetë, që ka shkuar në dëm të antikitetit dhe veçmas të etnogjenezës së ilirëve dhe shqiptarëve si pasardhës të tyre, si dhe roli i gjuhës shqipe në trungun e indoeuropianishtes, që barasvlerësohet me atë të sanskritishtes, prej nga, bazuar në hulumtimet fundamentale të Petro Zhejti (“Saskritishtja dhe shqipja”, botuar kohëve të fundit), pasqyra e operatorëve pasiv në sanskritishte dhe në shqipe si dhe atyre aktiv në shqipe dhe gjuhët tjera “bazike” (greqisht, latinisht dhe ato gjermane), si dhe raportet dhjetë me një në dobi të shqipes, ku operatorët aktivë vazhdojnë jetën e tyre, flet për shqipen si djep i gjuhësisë, qëllimisht të anashkaluar për arsye të njohura politike.
Këto dhe argumentet e tilla shkencore sot nuk mund të fshihen e aq më pak të ndalën. Një plejadë e hulumtuesve shqiptarë (E. Kocaqi, Dh. Pilika, L. Peza, M. Butka, N. Laqej, N. Çabej e të tjerë) ka kohë që me studime individuale, brenda dhe jashtë hapësirës shqiptare, po punon me mjaft sukses që teorinë ilire ta nxjerr nga dogma ilire. Duke vazhduar punën e madhe dhe tejet të guximshme të filologut S. Kondo (“Shqiptarët dhe problemi pellazgjik”) dhe duke u ndërlidhur me pikëpamjet e Dh. Kamardës dhe të rilindësve (Samiut, Adhamudhit, Naimit, Pashko Vasës dhe të tjerëve), e mbi të gjitha duke u mbështetur në teorinë pellazge të Hahnit, Budimirit, Georgievit, Katapanos, Skorcës dhe të tjerëve, të cilët vazhdimisht kanë tërhequr vërejtjen se çelësi i antikitetit dhe i indoeuropianishtes objektive gjendet te gjuha shqipe dhe lashtësia shqiptare dhe jo te grekët dhe rishtresimet e mëvonshme helene të marra nga pellazgët, disa studiues shqiptarë ia kanë dalë që ta lëvizin këtë çështje në drejtimin e duhur. Ndër ta gjithsesi se duhet dalluar punën e madhe te Petro Zhejit, i cili me veprën “Sanskritishtja dhe shqipja”, jo vetëm që përmbysi shumëçka të shemave të paqëndrueshme të indoeupropianishtes, por edhe ato të “modelit” sanskrit të kthyera në fetish. Me çështjen e “operatorëve” si dhe rolit të tyre në fjalëformim, paradigmës së njohur sanskrite, ia bashkëngjiti atë të gjuhës shqipe, si gjuhë e vetme ku foljet njërrokëshe-monosilabe (të dialektit gegë), në mënyrë aktive, ndikojnë sistemin e gjithëmbarshëm gjuhësor, i cili i është atribuuar vetëm sanskritishtes. Sipas Zhejit, me anën e shqipes, filologjia është në gjendje t’u japë përgjigje edhe çështjeve “të paqarta”, që dalin nga shkrimet e lashta (nga hetitishtja e deri te Lineari A dhe B) si dhe “enigmës” së shkrimeve etruske.
Në vazhdën e këtyre përpjekjeve gjithsesi se duhet parë edhe librin “Teoria ilire” të Agron Jahës, që shfaqet si një vështrim diakronik nga këndi i filozofisë historike mbi pozicionin dhe rolin e etnikumit ilir në historinë e hershme dhe antike të Europës. Autori Jaha, qysh në fillim bën të ditur se për të ka paraqitur një shqetësim të madh “shikimi i historisë së hershme europiane nga këndi i megalomanisë euro-perëndimore si dhe konsultimi i njëanshëm i burimeve primare të literaturës botërore, pastaj parimi se dikush që sot është i vogël nuk ka si të ketë qenë i madh dikur”. Gjithnjë mbi këtë shqetësim, autori thekson se “Ilirët shihen kryesisht si popull në margjinat e civilizimit greko-romak, paçka se kishte edhe autorë që ata i konsideronin edhe vetëm si një element mekanik të motorit të historik, i cili, sipas tyre, duhet të ketë qenë vetëm meritë e civilizimit greko-romak. Ai thotë se “rrallë, shumë rrallë, shohim autorë që kanë inspektuar në mënyrë kritike nga brenda strukturën e këtyre dy qytetërimeve, gjë që përbën edhe çelësin e kuptimit të historisë ilire. Krahas autorëve të huaj, Jaha, një pjesë të fajit, ia hedh historiografisë së pasçlirimit, pra asaj ideologjike, e cila , duke skicuar një ndarje artificiale ngas trashëgimia romake dhe pararomake-protoilire, sipas kritereve të shkencës sovjetike, ku çdo ndërlidhje me elementet religjioze mohohej, përshkruhej shkurtimisht ose mjegullohej me nozologji marksiste. “Me këtë ndërhyrje joshkencore krejt arbitrare, shqiptarëve iu hoq mundësi e mësimit për një nga pjesët më të ndritshme të kaluarës së tyre, Periudhën e Antikiteti të Vonë”,të cilën autori e konsideron “kulmin e qytetërimit ilir-romak si dhe aktin faktik e transcendental të themelimit të asaj që sot quhet bazë e kulturës evropiane”.
Duke e kthyer në referencë tematike elementin protoilir si themel të këtij qytetërimi në përmasa rajonale lindje-perëndim (Europë-Mesdhe-Lindje e Afërme, e Mesme dhe e Largët deri në Indi), autori sheh rolin e madh të etnikumit ilir, si një megaloetnikum, me ndikim në formimin dhe zhvillimin e qytetërimit romak dhe më pastaj të atij europian. Por, para se të vijë deri te kjo gjendje, me të cilën shihen në mënyrë kritike teoritë e deritashme të lindjes dhe fuqizimit të Perandorisë Romake, duke mbështetur teorinë protoilire të lindjes së Perandorisë Romake, autori këtë zhvillim historik e bart nëpër tematikat mbi të cilën ndërtohet. Kështu, në kapitullin e parë merret me shkrimin sakral në Ballkan si kultura më e lashtë shkrimore në histori. Këtu përfshihen edhe gjetjet arkeologjike në Kosovë dhe Ballkanin Qendror, me të cilat pretendohet dokumentimi i kulturës së parë shkrimore në botë. Duke e ilustruar këtë tematikë, të shumtën me anën e anologjive, në kapitullin e dytë, autori përqendrohet te dëshmitë paleolinguistike për lashtësinë e gjuhës shqipe si substrat i rëndësishëm në rrethanat e hershme kulturore të Europës Kontinentale, Brezit Mesdhetar e Azisë së Vogël dhe Kaukazit. Në këtë kapitull autori merret me dy grupimet kryesore të korpusit gjuhësor protoili, me ç’rast u kthehet toponimeve të lashta: Erythia, Atlasi, Erigon, Shtëpi, Brindisi, Mal, Ven, Ujë e të tjera si dhe legjendave të ndryshme (kuçedrës, dreqit e të tjera) për t’u marrë edhe me Perënditë e shumtë, të cilët i lidh me mitologjinë shqiptare. Në kapitullin e tretë, autori një vëmendje të mirë ia kushton Perandorisë Hetite dhe aleatëve të saj: Dardanëve dhe Arvenëve. Këtu, autori del me vlerësime tejet të guximshme, si ato me të cilat hetitet pasqyrohen si popull i parë me shkrim zyrtar i substratit panilir-paneuropian (semiindoeuropian) si dhe me korrelacionet gjuhësore, etnokulturore dhe kodike-juridike të hetitëve me korpusin iliro-shqiptar, ku paraqiten disa nga kongruencat (përputhjet) në rrafshin gjuhësor, si dhe në rrafshin etnokulturor dhe juridiko-zakonor të shumtën me metodën e analigjisë. Si argument i kësaj shfaqet edhe fakti i njohur i aleancës dardane dhe arvene me hetitët kundër Faraonit Ramzesi II në Betejën e Kadeshit. Kjo vlerësohet si marrëveshja e parë ndërshtetërore e njohur në historinë botërore. Për ta plotësuar gamën e kundrimit panilir-paneuropian dhe panbotëror, në stacionin e parafundit, autori edhe Filistët e Palestinës i shesh një fis ilir në bregun lindor të Mesdheut, të cilët, sipas autorit u fuqizuan pas rënies së bipolaritetit perandorak, shpërbërjes përfundimtare të perandorisë hetite dhe asaj faranike (Egjiptit), që do të pasohet me kohën e Testamentit të Vjetër. Ndërsa gamën e fundit, autori e mbyll me kapitullin e pestë, duke u përqendruar te Mbretëria (hekur-prodhuese) e Etruskëve, të cilin autori e sheh si një fis protoil-hetitas në bregdetin tyrrhen, ku edhe lind edhe Perandoria Romake, natyrisht si meritë e ilirëve (dardanëve të ardhur nga Troja).
Siç shihet, autori Jaha, teorinë ilire, si protoilire, atë që shumë shkencëtarë për t’u ikur klisheve të indoeuropianishtes, e quajnë protoeuropiane, dhe të shumtën e barasvlerësojnë me atë pellazge, ilirët i kthen në fondament të asaj, që për arsye të pamjes historike të antikitetit sipas shemave të shekullit nëntëmbëdhjetë, të shumtë dhe kuturu është marrë si diversitet etnik indogjen parahistorik. Kjo sigurisht se kundruall realiteteve të mëvonshme të antikitetit (atyre etnike, kulturore, sociale dhe politike e shtetërore si dhe konfigurimeve të tyre të njohura gjeografike dhe historike) paraqet “një provokim” pozitiv, ngaqë u kundërvihet shumë konventave dhe stereotipeve të tyre të ngurta në dëm të çështjes shqiptare. Megjithatë, përkushtimi i Jahës që ato t’i sheh te përbashkëta, pra te substrati protoilir me tri shtresime të mëdha botërore, është afër pamjes së botës parahelene që na japin autorët e njohur antik si dhe filozofët e saj nga Aristoteli, Diodiri e të tjerët deri te Ptolemeu, ku ata ilirët dhe dardanët, si “barbarë”, i shohin si pellazgë, prej të cilëve buron i gjithë qytetërimi helen, që pranohet, informacion ky i mjaftueshëm për një çasje tjetër të vendit dhe rolit të faktorit dardano-ilir në antikitet.
Ndonëse veprës i mungon literatura dhe burimet shkencore bashkë me indeksin e emrave, për të cilat autori thotë se do t’i sjell në pjesën e dytë të librit, megjithatë puna e Agron Jahës duhet vlerësuar si një përpjekje e guximshme në kuadër të një kundrimi diakronik nga këndi i filozofisë historike mbi pozicionin dhe rolin e etnikumit ilir në historinë e hershme dhe antike të Europës.
Komentet