VOAL

VOAL

TELEGRAM NGA PARISI, AT GJERGJ FISHTA O.F.M. – Nga Fritz RADOVANI

September 16, 2019
3 Comments
  • author avatar
    Sami Repishti 5 years ago Reply

    Falemnderit Fritz.
    Keta jane momente drite per erresinen e historise sone kombetare.

  • author avatar
    Fritz Radovani 5 years ago Reply

    Ju falemnderes Profesor Repishti per nderimin Tuej.
    Me shume respekt.

  • author avatar
    Fritz Radovani 5 years ago Reply

    Ju falemnderes Profesor Repishti per nderimin Tuej.
    Me shume respekt.

Komentet

Caras y Caretas (1913) Demonstrata patriotike e shqiptarëve me banim në Buenos Aires, krijimi i një shoqërie dhe betimi në flamur (Fotografitë)

Betimi në flamurin shqiptar, nga banorët shqiptarë në Buenos Aires. – Në rreth : kolona e banorëve shqiptarë që erdhën të vizitonin redaksinë e gazetës. – Burimi : Caras y Caretas, 7 qershor 1913, faqe n°70

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Mars 2024

“Caras y Caretas” ka botuar, me 7 qershor 1913, në faqen n°70, një shkrim mbi demonstratën patriotike asokohe të shqiptarëve me banim në Buenos Aires, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Demonstrata patriotike shqiptare

Burimi : Caras y Caretas, 7 qershor 1913, faqe n°70

Shqiptarët me banim në Buenos Aires kanë formuar një shoqëri patriotike “Shoqëri Veteqeverimi – Shqipërise”, akti i parë i së cilës ishte betimi për besnikëri ndaj flamurit të Shqipërisë, një vend që, në konfliktin ballkanik, ka arritur, falë mbrojtjes së Austrisë, avantazh më të mirë se shtetet e tjera, ndoshta më të dënuara se ai nga fatkeqësitë e luftës. Qëndrimi i shqiptarëve të mbledhur për qëllimin atdhetar, u vëzhgua me simpati, gjë që u dha këtyre patriotëve duartrokitjet e publikut dhe të shtypit kombëtar.

Burimi : Caras y Caretas, 7 qershor 1913, faqe n°70
Burimi : Caras y Caretas, 7 qershor 1913, faqe n°70

78 vjet nga masakra e terrorit komunist në Dunicë të Pogradecit Nga Bedri BLLOSHMI

Në të dalë të qytetit të Pogradecit udhërrëfyesi i foli shoferit: këtu futu djathtas ndiq këtë përruan. Ai shtriu dorën përpara duke e shoqëruar me fjalët ‘a e shikoni atë kodrën atje në majët fare? Atje do kalojmë’. Vendit i thonë “varret e Grekut”, aty janë zhvilluar luftime të ashpra midis forcave të fashizmit dhe ushtrisë greke. Kurrë nuk kisha shkelur asaj gryke e rrugës zik-zake që gjarpëronte në pllajën e zhveshur nga bimësia. Në të majtë të përroit gjelbëronin gështenjat të cilat mbulonin gjithë pllajën.Tek-tuk, gati në majë të kësaj pllaje, kishin filluar të dukeshin gjurmët e vjeshtës nëpër drurët e gështenjave. Herë pas here dëgjoheshin të lehurat e qenëve dhe barinjtë që thërrisnin njëri-tjetrin për t’u ngjitur përpjetë duke ndjekur bagëtitë të cilët rendnin për të kullotur. Gjallërinë më të madhe këtij përroi ia jepnin zilet e cepinjëve që lëshonin tingujt njëra pas tjetrës e të jepte përshtypjen se dëgjojnë këngë me iso që këndohen në gostira ose dasma. Udhërrëfyesi na jepte përgjigje të treve që ishim në makinë, ne pyesnim pa pushim e pa radhë më në fund na thotë ‘flisni me radhë e më lini kohë që t’i përgjigjem deri në fund çdo pyetjeje’. Ja këtu gati duket Pogradeci, ndale makinën i drejtohet shoferit dhe zbresim pak t’u tregoj edhe për gjënë më të vogël që të më pyesni veç me radhë, kohë keni, shumica e rrugës u bë, nuk mban më shumë se një orë, një orë e njëzet minuta maksimumi. Tani e kemi rrugën shumë të keqe, ikën përrojt. Shikoni atë pllajën tjetër që ka atë dhenë e hedhur?Po, ia kthejmë të tre një gojë.Ajo është rruga që niset nga Quksi për të dalë në Plloçë. Projekti ka qenë matanë asaj kodrës dhe priste shumë më shkurt, por e ndërruan. E kaluan atje ku duket siç kemi dëgjuar është dhënë edhe një fond shtesë e nuk dihet do e mbarojëkjo firma që e ka marrë tani.

Sapo mbërritëm në majë të kodrës u ndalëm prapë, ja këtu i thonë “varret e Grekut”, këtu kalon edhe rruga, atje poshtë do hapet një tunel për tu hedhur në pllajën përballë përroit. Aty filluan të kalonin makinat e tonazheve të rënda që punonin në rrugë, retë e tymit ngriheshin përpjetë dhe krijonin një mjegull si të ishin shpërthyer një numër i madh minash. Pogradeci përballë liqenit, Malit të Thatë, qytetit të Ohrit, më tutje Struga me fshatrat e saj dukeshin se shikonin me një vështrim lutës e donin të thonin ‘kur do të bashkohemi si më parë, mos na vështroni por veproni’. U kthyem djathtas duke ndjekur rrugën që gjarpëronte me kthesa të panumërta, krah një përroi për në fshatin ku ishte bërë masakra një përrua të thellë, rrëzë një mali të lartë me majë të xhveshur nga drurët apo shkurret. Nuk mu durua megjithëse e kisha një farë ideje se si quhesh ai mal megjithatë pyes udhërrëfyesin:

Si quhet ai mali? Kozica?

Po, ma kthen po juve nga e dini, më thatë se s’keni shkelur kurrë këtej?

Ky mal ka një histori të dhimbshme e di apo jo? – më thotë udhërrëfyesi

Kam dëgjuar diçka por hollësira nuk di, mos e ke fjalën për atë vrasjen e 7 marsit 1944 ku u vra komandanti i çetës balliste Haki Blloshmi me të vëllanë dhe disa të tjerë.

Këtu me atë rast u derdh shumë gjak. Dunica është nga mbrapa, ja edhe pak, nuk kemi edhe shumë për të udhëtuar. Këtë e di sepse jam interesuar, kam pyetur për këtë ngjarje, është diskutuar disa herë edhe në familjen tonë.

Kanë qenë nga fshati Bërzeshtë mos gaboj apo jo?

Po, po andej nga ajo zonë,

Juve nga jeni zotëri nga ai fshat?

Jo, jo unë jam nga Dumreja dhe kemi ardhur për të studiuar këtë zonë

Për të mos më pyetur më gjatë i them si quhen ato fshatrat, ç’është ai dhé i gërmuar…?

Atje kalon rruga që vjen nga Qukësi për në Plloçë, ndërsa ai fshati i madh quhet Trebinja. Kurse ato që duken (të lutem ndaloje pak makinën e zbresim të ta shpjegoj mirë) është Çezma e vogël. Më këtej është Çezma e madhe po e zë mali, kurse këtu përballë kemi fshatin që doni juve Dunica.

Qarkuam rrëzë malit, u ndalëm përsëri tek një përrua i madh i cili zbriste zhurshëm uji i bollshëm dhe i shkumbuar duke u përplasur me gurët e shtratit dhe rrënjët e pemëve të zhveshur nga dheri. Kjo tërsëllëmëe këtij uji i cili zbriste me shumë vrull e rrëmbimtë jepte përshtypjen se donte të tregonte apo kërcënonte të hakmerresh për një borxh të vjetër, mbasi ky ujë ishte skuqur e përzier me gjakun e luftëtarëve dhe patriotëve të masakruar 72 vjet më parë nga terroristët e kuq, të cilët ishin kundër komunizmit. Terrori i kuq në bashkëpunim me Popoviçët e Mugoshët nuk kishin dëshirë dhe nuk i duronin dot nacionalistët, mbasi e dinin shumë mirë se po të merrte pushtetin Balli Kombëtar u ikte nga duart Kosova, pjesa më e madhe e Shqipërisë e pse jo viset e tjera me banim shqiptarësh të grabitura barbarisht nga fuqitë e mëdha, Berlini dhe Londra, në vitin e errët dhe të mbrapshtë të 1913-ës. Ky përrua dhe më tutje shtëpitë e heshtura, kodra sipër e cila të jepte përshtypjen se ishte në zi e rënkonte se pak më poshtë ishte bërë një masakër dhe ky fshat e përroi e dinin shumë mirë sa gjak është derdhur, e dinin shumë mirë se shqiptari kishte vrarë shqiptarin. Ndërsa faqja e malit të Kozicës, në krahë të fshatit, ishte tërësisht e errët me gjethet e shkurreve të zverdhura pjesën më të madhe. Ky fshat i heshtur i ndarë nga tre përrenj të thatë, që dukeshin si gishta dore dhe poshtë zbrisnin tek një përrua i madh, e me shtëpi të rralla.Në pjesën e sipërme të binin në sy dritaret e vogla të shtëpive që i zinin degët e pemëve, në pjesën përpara të disa shtëpive dukeshin bagëtitë, që kullosnin dhe rrallë herë dëgjohej tringëllima e ndonjë zileje. Oxhakët që villnin tymin e bardhë i cili ngjitel lehtë-lehtë në qiellin e kaltër. Udhërrëfyesi filloi të më shpjegonte duke shtrirë dorën:

– Këtu poshtë janë disa shtëpi që i ndan përroi e më poshtë ka disa pemë. Mbasi unë doja të dija tjetër gjë e ndërpres: Ku ka qenë xhamia e vjetër e fshatit? Po mulliri? Ja edhe pak e arritëm në qendër, ta kalojmë këtë përrua e në dyqan do të gjejmë ndonjë të moshuar e mbase mban mend më shumë se mua.

Më në fund u ndalëm tek një shesh i vogël përreth disa godina e pak metra më poshtë ishte një shkollë. Në krah ishte një xhami e vogël, më tutje një dyqan, me një tavolinë përpara ulur mbi disa kërcunjë tre-katër djem të rinj, përpara kishin nga një gotë raki, muhabeti e të qeshurat e tyre vazhdonin të pashqetësuar nga prezenca jonë. Pak me tutje vinte një godinë tjetër që shërbente me sa duket si magazinë e më pas bënin hije dy-tre drurë arrash dhe më tutje të shkonin sytë tek një lapidar i nxirë e rjepur me dy kollona jo shumë të larta që i bashkonte një pllakë mermeri me një mbishkrim dhe më sipër skuqte si xixëllonjë në fikje një yllë me pesë cepa. Në krah ishin shtrirë dy qen të lodhur nga jeta, shikonin pa u shqetësuar fare. Pak më poshtë ngrihej shkolla e fshatit, në oborr loznin e vraponin fëmijët e vegjel, shkolla nuk qe aq e rrënuar megjithëse katër dritaret përballë xhamisë ishin pa xhama. Ana tjetër e godinës shihte nga përroi, tek-tuk tjegullat ishin thyer me sa duket nga gurët e hedhur nga këta fëmijë. U afruam tek tavolina e djemve që përshkrova më sipër, u përshëndetëm, na ftuan të uleshim dhe ashtu bëmë.I thirrën zonjës së dyqanit: na sill ca gota dhe një shishe me raki, nuk e shikon se kemi mysafirë. Na i mbushën gotat me raki, na uruan për mirseardhjen dhe filluam të pimë. Udhërrëfyesi vajti tek shkolla për të kërkuar mësuesin, i cili nuk u vonua, u tregua i gatshëm se çfarë të dinte për masakrën e 7 marsit 1944 do na e thoshte. Më pas erdhi edhe doktori, u përshëndetëm, mbasi piu një gotë raki më drejtohet:

Megjithëse miku nuk pyetet, zotëri urdhëroni, si e keni hallin? Nga ju kemi e përse jeni munduar? Me çfarë mund t’u ndihmojmë?

Unë vij nga Tirana, punoj tek arkivi i shtetit, jam ngarkuar që të zbardh të vërtetën e kësaj që ka ndodhur, ky fshat ka shumë për të rrëfyer, ne do bëjmë një rishikim të asaj ngjarje të përgjakshme, ju personalisht çfarë dini? Po munde të na takosh nëse ka ndonjë të moshuar që ka asistuar në ato momente? Megjithse kanë kaluar gjith ato vite dhe kujtesa bën të veten dhe shumë kanë vdekur ne duam vetëm të na thotë të vërtetën si ka ndodhur. Sa vetë ishin çeta balliste? Kush njoftoi për prezencen e tyre në këtë fshat? A është e vërtetë se një pjesë e tyre i ngjitën në majën e Kozicës dhe atje i pushkatuan? Po vendgroposja ku ndodhet? I groposën bashkë? Po lista emërore pse nuk i ka të gjithë emrat e të vrarëve? Nëse ishin mbi 500 ballistë ku qëndruan atë natë? Po të ishin 500 burra siç është thënë pas shkrimeve të kohës ku u strehuan? Dunica aq shtëpi ka si mund të rrethohen e dorëzohen 500 burra? Kush i preu në besë? Po ato familje që i strehuan a patën pasoja më pas nga regjimi diktatorial? Po ajo gryka atje në krah të Kozicës si quhet, janë vrarë nacionalistë atje?

Ajo gryka e malit quhet Sanakos – filloi profesori me doktorin, – këtu tek cepi i xhamisë së re ka qenë xhamia e vjetër siç tregohet, ka ardhur disa të tjerëmbas një jave e kërkoi të mblidheshin në xhami. Pothuaj u mbush xhamia, zgjodhën disa burra, i lidhën e ndaj të ngysur i morën poshtë e i vranë aq burra sa ishin vrarë më 7 mars, filloi të shpjegonte doktori i atij fshati. Këtu poshtë në krah të përroit kam dëgjuar se janë ekzekutuar disa, por se sa unë nuk mund të them. Në Kozicë kam dëgjuar që janë vrarë. Koha është e largët dhe ajo ngjarje nuk mbahet mend, por është e vërtetë që këtu, ja atje poshtë ka ndodhur.

A do vemë poshtë në përrua ta shikojmë vendin?- e ndërpres.

Po ore, patjetër, hajde.

Zbritëm gati 100-150 metra më poshtë, tek ca gurë të mëdhenj anash përroit u ndal.

Ja kjo copkë sheshi i vogël e deri tek ajo arra kanë gërmuar në vitin 1993 a 1994, nuk e mbaj mend saktësisht, u gjetën disa kocka, i morën nëpër arkivola e mesa dimë ne janë varrosur në të dalë të qytetit të Pogradecit në të djathtë të xhadesë kur ikën për në Korçë. Unë kaq kam dëgjuar për më tepër nuk të them dot. Janë në një parcelë më vete ballistët.

Rrëkëllyem disa gota raki ashtu në heshtje si për të harruat ato që biseduam. Mësuesi e theu këtë qetësi e më drejtohet përsëri:

Me sa di unë është një i moshuar që mund të shpjegojë më gjatë por banon në Pogradec. Janë edhe nja dy pleq këtu po i ka lodhur skleroza dhe është e kotë që të bisedojmë.

Më pas bëmë disa foto aty përreth duke përfshirë lapidarin e xhaminë,malin e Kozicës i cili ka të përbashkët me përroin gjakun e derdhur po atë ditë. Është e vërtetë se komandanti i tyre Haki Blloshmi u dorëzua me besën e komunistave se nuk do i vrisnin të tjerët e kapur. Më pas ata qafirë i vranë të vëllain, të parin Shefqetin.Sipas një liste të bërë nga vetë gjakatarët është me 14 luftëtarë dhe më e keqja është se emri i Shefqetit dhe disa të tjerëve nuk ekziston fare. Mbi 13 luftëtarë i vranë në krah të Sanakosit duke përhapur fjalë se i dërguan në shtëpitë e tyre e më pas të bashkoheshin me këta vrasës të cilët thonin “po luftojmë pushtuesin”. Këta gjaksorë është e vërtetë kur thonë kemi luftuar, po është aq e vërtetë që kanë vrarë bashkombësit e tyre dhe kjo nuk ka emër tjetër veç luftë civile midis shqiptarëve. Mbas 50 vjetëve mbasi u shkërmoq “kështjella” e kalbur dhe varrrëmisja e shumë popujve BRSS duket se ndërroi faqia e historisë të përgjakur. Këta luftëtarë që dergjeshin në përroi e vdekjes në Dunicë u ç’groposën nga pjesemarrja e madhe e njerëzve familjarëve, dashamirësve të tyre e me prezencën e shoqatës të të përndjekurve politikë dhe të disa deputetëve u varrosën nën tingujt e Himnit Kombëtar në të dalë të qytetit të Pogradecit, në krahun e djathtë të rrugës që të çon në qytetin e Korçës.

Në kthim shkuam tek varrezat e këtyre luftëtarëve, qëndruam në këmbë në heshtje për t’i nderuar duke përkedhelur fiotografitë e tyre. Iu përshpërita se vija nga fshati Dunicë, e pamë edhe gropën masive, do ta zbardhim të vërtetën se si ndodhi, do ju nderojmë dhe do vijmë vazhdimisht. Bashkë luftuan, bashkë ranë për Shqipërinë duke dhënë edhe gjënë më të shtrenjtë, jetën. Bashkë krah njëri-tjetrit pushojnë në një shesh, lëndinë e caktuar enkas për këta luftëtarë e besnikë të Shqipërisë. Edhe shikimi i tyre ishte i mbërthyer në Malin e Thatë, Ohër e Strugë, matanë liqenit e gjithë ato vise të Shqipërisë që na i grabitën fuqitë djallëzore të 1913. Këta luftëtarë të lirisë duket se kërkojnë fuqi të shpërthejnë pllakat e mermerta të varreve, të rrëmbejnë përsëri armët e ta shkulin atë gardh e ta vendosin në vendin e duhur. Eh, kushedi se kur do të ndodhë, kushedi sa gjak tjetër do të derdhet për të lëvizur ata gurë të ngulur në vitin 1913…Kur?…

Lavdi dëshmorëve të Ballit Kombëtar

U qoftë dheu i lehtë!

KOMUNIZMI T’VRET edhe “PADASHJE”- Nga Fritz RADOVANI

 

 

Tiranë “17 Nandor 1944”

Kushedi sa herë e kam shikue me vrejtje këte foto të vitit 1944 !

E, kam ndejë tue mendue: “Sa vetë në këte foto ka vra komunizmi?”

Askush nuk e di shifren e saktë, shpesh vrasjet u bane edhe “padashje”!

Atë ditë kur Ever Hoxha caktoi kush duhet të fotografohet me ate në atë shesh ku do të mbesin në histori, këta persona ishin “ma besnikët e tij”!

Në janarin e vitit 1945 Everi urdhnon Mehmetin që ndodhej në Shkoder, që “të mos pushkatohej asnjë person pa dijeninë e Ever Hoxhës!”. Kam pershtypjen se ashtu duhet të jetë veprue, mbasi listat e personave që ka mendue me vra Tito, që kontrollonte edhe Shqipninë i kalonte Everi…

Pra, dashje ose padashje “të gjitha vrasjet nga 1943 e deri në 1948, kur u ftohën mardhanjet me Titon, janë ba me aprovimin e Titos dhe Everit”.

Duhet pranue se Tito zhduku inteligjencen dhe kokat drejtuese të Klerit me mirëkuptimin e aprovimin e Everit, që “nuk pat asnjë kundershtim”!

Kjo veper terroriste e tyne del edhe nder takimet e Everit me Stalinin, ku Everi shpjegon se “veprimet me Titon, bahen me marrveshje të plotë!”.

Shumë pak fakte dihen sot të sakta nga vrasjet e krimet terroriste të Ever Hoxhës, mbas marrjes së posteve në drejtimin e shtetit në Shqipni.

Prej 7 antarve të Komitetit qendror të partisë komuniste të krijueme në 1941, vetem Ever Hoxha mbeti gjallë mbas vitit 1944. Tjerët u vranë.

Vrasja e Qemal Stafës mbasi doli nga shtëpia e Everit sot asht një enigem.

Mbas vitit 1944 Everi ka pushkatue qinda intelektual që kishin mbarue studimet në Europen Perëndimore dhe, perveç kunatit tij Bahri Omarit, në 1946, ka vra edhe 16 deputet të qeverive shqiptare të para viteve 1944.

Everi perherë të parë asht takue me Stalinin në 1947 e, të fundit në 1951. Ndersa me Mao Ce Dunin asht takue vetem njëherë në vjtin 1956.

Në vitin 1967 Everi shpalli “Shqipninë shteti i Parë ateist në Botë”, tue shkatrrue mbi 2200 Kisha dhe Xhamija, e tue arrestue mbi 100 Klerikë.

Vetem Klerikë Katolik Ever Hoxha ka vra dhe mbytë nder kampe 66 vetë.  Gjatë kenjes së Everit në krye të shtetit, janë dënue 29 ministra,

Në 41 vite janë pushkatue 9 ministra e një kryeminister. Mehmet Shehu asht nder personat që u diskutue ma gjatë vrasja e tij. Ndersa vrasjet e sa e sa ushtarakve e 20 gjeneralave s’ janë shoqnue kurr me legjenda tjera.

Flitet e shkruhet per shifra të vramësh, të vdekunish në burgje e kampe të punës, të interrnuemish dhe të burgosun nder qytete të Shqipnisë, por në të vertetë shifrat e tyne nuk janë asnjë të sakta. Per këte pasaktësi janë të njoftuna deklaratat e bame nga ushtarakët dhe oficerat e atyne viteve në organet e Ministrisë së Mbrendshme, nder kampe dhe burgje dhe, ma të saktat janë “shpjegimet e tyne mbas shkarkimit nga detyra ose mbas arrestimit tyne dhe burgosjes me të burgosunit e atyne viteve.” Sot dijmë sakt vetem një shifer se: “Mbas vitit 1985 kur ngordhi Everi dhe në Shqipni mori drejtimin e shtetit skilja Ramiz Alia, ky ka vra 182 vetë në Malsi të Veriut, shumicen djelmë të rinjë që ishin ushtarë deri në 1990. E sa ka vra në gjithë Shqipninë a kanë me e dijtë ndonjëherë Shqiptarët?! – Nuk besoj, ashtusi s’ dijnë sa ka vra në 1944 – 45 nga Kuksi në Shkoder.

Një fakt pak i njohun nga Shqiptarët asht se Everi kishte një Bibliotekë me 45000 libra, dhe kalonte shumë kohë tue lexue, mbasi nuk kishte as “shokë dhe as miqë”, sepse shumicen ai i kishte burgosë ose pushkatue. Sigurisht kjo shifer librash në shtëpinë e tij asht sigurue nga bibliotekat e Kishave, të klerikëve e intelektualve që u arrestuen, u vranë e u zhduken.

Nga botimet e disa materialeve të viteve të fundit, nuk gjejmë asnjë nga dokumentat e një pendimi per vrasjet e bame nga terroristi Ever Hoxha!

Sot dijmë shumë të saktë se “ASNJĒ VRASJE”, apo zhdukje e Shqiptarve mbrenda apo jashta Atdheut, nuk asht ba padijeninë e Ever Hoxhës.

Si shpjegohet që ky vrasës jo vetem nuk asht pendue per ASNJĒ vrasje, po edhe ka ngordhë i vetmuem tue mendue se “cilin ka me vra neser po u ngrit nga shtrati i vdekjes?” Në asnjë dokument vrasje apo zhdukje nga kjo Botë e një Shqiptari, s’ gjindet një shenim: “Ky person u vra gabim!”, ose “ky person asht vra ose zhdukë me familje PADASHJE” – Jo, asnjë!

Jemi para faktit që mbas urdhnit Everit per vrasje nuk ka shpetue Asnjë!

E mendoni veten në një udhtim të gjatë disa qinda kilometra në Shqipni, po ASNJĒHERĒ mos harroni, se gjatë asaj rruge kudo “Ju pershndesin nga Gropat PAEMNA të pushkatuemit: Shqiptarë, mos na harroni..!”

Edhe njëherë po Ju drejtohem ju lexuesve të nderuem të këtij materiali: Sa me vlerë do t’ishte sikur në foton siper të percaktohen sakt emnat dhe vendi ku janë pushkatue ose zhdukë nga faqja e dheut shumica e tyne? E sot pasuesit e tyne nuk dijnë as gropat ku i varrosi komunizmi ata, dijnë vetem se shumica u vrane ndoshta “padashje”, si mund të justifikohen sot vrastarët katila të Sigurimit të shtetit që nuk ngopen me terrorizem.

Ky fakt i komunizmit barbar në Shqipni, tregon sesa i mprehtë dhe sa i pamëshirë asht tehu i shpatës shfarosëse të terroristave e kriminelëve të komunizmit, atij sistemi zhdukës të njeriut të dijtun e të kulturuem!

Sot edhe ma kjartë per tiparet terroriste t’ atij sistemi flet largimi i Rinisë Shqiptare nga Trojet tona! Një akt terrorist dhe barbar jo padashje po, me bindjen ma antinjerzore, ma antiatdhetare dhe ma tradhëtare që prej ditës në ditë po bahet në Shqipninë e shkretë e të vorfen, e asnjë vrasës s’ asht tradhëtar i Atij Atdheu të pergjakun, dhe aq të shtrenjtë e të dashtun per të cilin sa shumë Atdhetarë Shqiptarë dhane jeten e Tyne!E verteta e Atyne vrasjeve e zhdukjeve asht: Komunizmi di vetem me vra e plaçkitë!

E mbasi komunistët pasunohen: “I vorfnojnë tue skllavnue Popujt e vet!”

               Melbourne, 18 Mars 2024.

Oglinda Lumii (1923) Ahmet Zogu, Napoleon Bonaparti shqiptar

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Mars 2024

Revista rumune “Oglinda Lumii” ka botuar, të shtunën e 6 janarit 1923, në faqen n°770, një artikull lavdërues asokohe për Napoleon Bonapartin shqiptar, Ahmet Zogun, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Napoleoni shqiptar

Ky është Ahmet Zogu, presidenti i Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pavarësia e të cilës u njoh përfundimisht vetëm një vit e gjysmë më parë. Kryeministri i ri, të cilin bashkatdhetarët e krahasojnë me Napoleon Bonapartin, është një figurë kurioze në politikën botërore dhe, pa dyshim, ai është kreu më i ri i qeverisë në të gjithë botën (ai është 27 vjeç).

Në një moshë kur shumë të tjerë sapo kishin kaluar pragun e shoqërisë, Ahmet Zogu tashmë i përket legjendës. Ai konsiderohet njeriu i paracaktuar për ta çuar Shqipërinë drejt begatisë dhe madhështisë; Vendimet e tij janë ligj për të gjithë shqiptarët, pavarësisht besimit fetar.

Karriera politike e Zogut, ose më saktë lufta për pavarësinë e vendit, daton prej kohësh, pasi diktatori aktual ishte vetëm një adoleshent 15-vjeçar. Që atëherë, ai u hodh shkabave dhe më shumë se një herë rrezikoi jetën e tij gjatë kryengritjeve përmes të cilave populli shqiptar shfaqi dëshirën për të jetuar jetën e tij, i lirë nga tutela e huaj. Natyrisht, ka shumë vështirësi për të zbutur, të gjitha që rrjedhin nga keqkuptimet me Greqinë, nga njëra anë, Jugosllavinë, nga ana tjetër, në lidhje me përcaktimin e kufijve. Por duke qenë se Republika Shqiptare lindi nën kujdesin e Lidhjes së Kombeve, është për të shpresuar që këto konflikte të zgjidhen së shpejti.

***

Forma e qeverisjes së Shqipërisë ka veçori që e bëjnë atë të ndryshme nga regjimi demokratik i republikave të tjera.

Nominalisht, pushteti suprem ushtrohet nga ai që quhet Këshilli i Regjencës, një lloj Lejtenance Mbretërore. Ky këshill, i përbërë nga katër anëtarë, zgjidhet me plebishit. Ai që aktualisht është në funksion është rrjedha e konsultës së përgjithshme të vendit të vitit 1920.

Këshilli i Regjencës emëron kryeministrin, i cili zgjedh vetë bashkëpunëtorët e tij.

Kontrolli i akteve të pushtetit ekzekutiv ushtrohet nga një parlament prej 75 deputetësh. Për përfaqësimin kombëtar është përgjegjës vetëm kreu i qeverisë; Ministrat e tjerë janë zyrtarë të thjeshtë, nën autoritetin e drejtpërdrejtë të kryeministrit.

Ahmet Zogu është edhe ministër i Brendshëm dhe i Jashtëm.

Caras y Caretas (1912) Intervista me politikanin shqiptar në Buenos Aires, i cili braktisi ndërmarrjen e tij në jug të Brazilit për të bërë propagandë për lirinë e atdheut të tij

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 16 Mars 2024

“Caras y Caretas” ka botuar, me 30 nëntor 1912, në faqen n°60, intervistën me një politikan shqiptar në Buenos Aires. Bëhet fjalë për Thomas Touché, i cili asokohe ka braktisur ndërmarrjen e tij në jug të Brazilit për të bërë propagandë për lirinë e Shqipërisë në Amerikën e Jugut. Këtë intervistë, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Lufta e Shqipërisë për pavarësi

Reportazhi aktual për një politikan shqiptar

Për çështjet e Evropës Lindore është thënë gjithmonë me të drejtë se ato përfshijnë një numër problemesh të tjera dytësore, saqë zgjidhja e kryesorit bëhet e pamundur. Ky kriter konfirmohet nga deklaratat që na bëri politikani shqiptar Touché Thomas i cili teksa po kalonte në Buenos Aires u intervistua nga Caras Y Caretas.

Duhet, – na tha ai, – kur flasim për çështjet e Ballkanit, të kujtojmë se, nën problemin kryesor është ai që i referohet gjendjes politike të Shqipërisë, atdheut tim. Ne shqiptarët kemi kohë që luftojmë për lirinë e vendit tonë, i cili nën sundimin e turqve është i detyruar në të njëjtin stanjacion në të cilin ndodhet e gjithë Turqia. Në më shumë se një rast, ne shqiptarët kemi luftuar për rrëzimin e procedurave tiranike të Turqisë.

Mirëpo, ky zjarr në Ballkan na befason në një moment të rëndë. Politikanët kryesorë të patriotizmit shqiptar po përgatisnin një rebelim kundër Turqisë jo shumë kohë më parë, kur në Perandorinë Osmane ndodhi zgjimi i partisë së quajtur Xhonturqit. Këta, që kishin nevojë për opinion kudo për t’i mbështetur, kërkuan patriotë prestigjiozë shqiptarë dhe u kërkuan atyre t’i ndihmonin, duke premtuar në këmbim se nëse partia xhonturke do të vinte në pushtet, Shqipëria do të kishte ligje të buta, qeverinë e saj dhe pavarësi pothuajse të plotë, sepse autoriteti i Turqisë nuk do të rëndonte mbi të.

Rezultati ka qenë i ndryshëm. Regjimi i ri mbizotëroi në Turqi dhe, sapo xhonturqit ishin në krye, ata nuk u kujtuan më as për Shqipërinë, as për premtimet e tyre. Për këtë arsye nuk do të habiteni që shqiptarët tani janë kundër Turqisë, në të njëjtën kohë edhe kundër kombeve fqinjë, të cilët synojnë të marrin Shqipërinë, duke i mohuar çdo të drejtë për lirinë e saj.

Dëshiroj që kjo të dihet, sepse në Republikën e Argjentinës, një vend i lirive, lufta e shqiptarëve duhet parë me simpati, siç dëshirojmë ne, për popullin tonë, lirinë që është baza e progresit.

Kështu është shprehur zoti Thomas, i cili aktualisht po bën një propagandë të mirë mes bashkëqytetarëve të tij, banorë të Amerikës së Jugut, për të mbledhur fonde dhe njerëz me të cilët do të luftojnë për liritë.

Nga ana tjetër, veprimi i shqiptarëve në favor të lirisë së tyre nuk reduktohet me kaq.

Në Shtetet e Bashkuara, patriotët e Shqipërisë botojnë një gazetë të përjavshme të quajtur “El Sol – Dielli” dhe qëllimi i saj i vetëm është të mbajë gjallë idenë e lirisë shqiptare, duke mbështetur në të njëjtën kohë qendrat e kulturës dhe mbledhjen e fondeve për të armatosur revolucionarët.

Z. Touché Thomas braktisi një ndërmarrje industriale që zotëron në jug të Brazilit për t’iu përkushtuar propagandës së tij patriotike dhe kjo mjafton për të demonstruar rrënjosjen e ndjenjave të tij për të mirën e vendit të tij.

WILL.

Dokumenti i rrallë i kapterit të Sigurimit: Si bëhej kontrabanda me Greqinë gjatë misioneve sekrete

Niko Braçi, ishte një ushtar i ELAS-it, i angazhuar në strukturat e Sigurimit të Shtetit Shqiptar në Gjirokastër, në vitin 1944-1949. Një letër e shkruar prej tij, drejtuar Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, në shkurt të vitit 1949, zbulon detaje të rëndësishme që faktojnë aktivitetin kriminal të Sigurimit të Shtetit, shthurjen në radhët e tij, si dhe kontrabandën me Greqinë, gjatë kohës kur ata vizitonin shtetin fqinj, me mision sekret nga Sigurimi i Shtetit. 


Në letrën e Niko Braçit, zbulohen personazhe të angazhuar në strukturat famëkeqe të Sigurimit të Shtetit, ka prej tyre që figurojnë në listën e ekzekutorëve më të egër të krimeve të komunizmit. Veli Bakiri, është në këtë listë dhe rezulton të jetë një ndër emrat më të spikatur, si persekutor në kohën e komunizmit. Në ato lista, ka emra të njohur të kohës, këngëtare dropullite që shfaqeshin në ekranin bardh’ e zi të kohës së komunizmit, si të preferuarat e diktatorit Enver Hoxha.

Letra është në formën e një autokritike drejtuar partisë, pasi autori, Niko Braçi, me sa duket ishte liruar nga Sigurimi i Shtetit dhe nga angazhimi i tij në Ushtri. Pas ndëshkimit, kishte dërguar këtë letër, e cila përmban autokritikën e tij për ato që kishte bërë gjatë angazhimit në strukturat e Sigurimit në Gjirokastër. Njëkohësisht, ai evidenton edhe kritika e akuza të forta ndaj eprorëve e bashkëpunëtorëve të tij shqiptarë e, minoritarë grekë, në vitet kur kishte punuar në këto struktura.

Vihet re, imoraliteti, presioni ndaj grave, për t’i shfrytëzuar seksualisht, skenarët e mashtrimit ndaj banorëve dhe rënia në kurthin e Sigurimit, të disa prej atyre që dëshironin të largoheshin nga Shqipëria drejt Greqisë. Ka dëshmi për dhunën ndaj banorëve të zonave përreth. Ajo që spikat në këtë letër është pohimi: “Isha pak imoral”, gjë që shoqërohet me historitë e tij rozë e të bashkëpunëtorëve të tij, me gratë e zonave përreth, kryesisht ato që detyroheshin të bëheshin bashkëpunëtore të Sigurimit të Shtetit.

Më poshtë botohet i plotë teksti i letrës së grekut të ELAS, ashtu siç është shkruar prej tij, me gabimet gjuhësore, shoqëruar me faksimilen e letrës marrë nga Arkiva e Shtetit.

Vdekje Fashizmit

 Liria e Popullit

 Komitetit Çentralë të Partis P. Shqipnis

I nënshkruari Niko Braçis.

Antari i Partis P. greke, që bënja pjesë në organizatën anti-fashiste greke të Gjirokastrës, dhe me shërbime pran seksionit Sigurimit Gjirokastrës, me punë kapter, ju parashtroj sa më poshtë vijon:

Me Rezulicionit e Pleniumit XI-të, nukë kam bërë autokritik dhe kritikën mbi gabimet e mija, që më janë paraqitur si anëtar partije dhe si organ i Sigurimit.

Me qen që puna e Sigurimit është nji punë speciale dhe rezervate, për këtë ju dërgoj autokritikën dhe kritikën time.

Unë jam nji ushtarë i Ellasit, i cili kamë ardhur në Shqipëri, që në prillë të vitit 1945, mbasi ndiqesha nga monarko-fashistat grekë dhe që at here, kam hirë në organet të Sigurimit dhe në punë time të përditshme më janë konstatuar këto gabimet.

Autokritikë; unë jam pak llafazan, si në popullin kështu dhe në shokut, unë me popullin s’jamë sjellur arrogantë, por populli kishte frik nga mua, jo si person, por si argonë e Sigurimit.

Jamë pakë imoralë.

Unë në fillim të vitit 1945, që kam hirë në punën e Sigurimit, deri në fillim të vitit ’46, unë s’kisha udhëzimet si për punë dhe punonja siç ma priste mendja time, kur kalonin nonjë njeri kufirin për në Greqi e, kur kthiheshin na Greqia, i arrestoja dhe i mbanja në komandë dhe i lironja mbasandaj.

Në dhjetor të vitit 1945, kam shkuar në disa kasollet të katundit Goranxi natën, për të kontrolluar me qen se vinin korrjerat nga Greqia dhe provokova një djalë, që gjoja jam grekë dhe dua të më lidhën me Vangjeli Gogoni, nga katundi, mirë por më kuptuan dhe nuk më treguan. I arrestova i kam dhënë 4-5 pëllëmba dhe me të e mbajta një natë dhe me të nesërme, e lëshova; këtë e bëra me kokën time.

Unë kam çiftëzuar K. Gogonin, me bashkëpunëtoren t’onë, jo me qëllim martese. Më 23 prillë të vitit 1947, ishte arratisur një djalë nga katundi Llongo dhe komanda e kompanisë, Llozgo, arrestoi baban e djalit, Anastas Vasilin dhe nji shokë tjetër të quajtur Ziso Liango, nga ai katund, pa as nji arsie.

Në bashkëpunim me komisarë e kompanisë, kemi rrahur Zison dhe e kemi vënë në korendë. Komanda e mbajti 2 dit dhe e lëshojti. Kam rrahur dy pëllëmbë, Vasili Bruzo, nga katundi Llozgo bashkë me përgjegjësin tim, n/toger Nikolla Ndriçon.

Kam rrahur me urdhrin e përgjegjësit tim, n/toger Nikolla Ndriço, dhe kam kërcënuar dy veta, nga katundi Bularat, Gligori Gaxhijan dhe Nikolla Mastakun, se këta gjoja se kishin një grup gjë që kjo informata e kishte _____ një grua kurvë.

Nasho Nikës dhe Nasho Nika e dha zirës time, që kjo grup ishte organizuar gjë që kjo, ishte krejt fallco. Në vitin 1947, është arrestuar nga forcat kufitare, Dhimitri Çamati, nga katundi Kakavijë, i cili akuzoheshe që gjoja kish prer vijën telefonike.

Ky u shoqërua në zirën tonë të Vriseras, atje e kam rrahur dhe e vura në korendë. Janë dhe disa gjëra të vogla, të cilat nuk më mbahen mendë.

Kritikoj Thanas Nika, tash ne seksioni i Sigurimit të I-rë të Gjinokastrës. Ka çiftëzuar Th. Karasu, nga katundi Sotirë, e ka dërguar në Greqi, gjoja për formata, që kjo nuk është e vërtet, mbasi ajo familjen e kishte në Athinë dhe siç thoshte, do të kthehet prap, gjë që nuk u bë dhe në ___________ të tij tha që u zu nga monarko-fashistët grekë.

Kritikoj Thanas Nikën dhe vëllanë e tij, që ishte dhe ai në seksionë të I-rë të Gjinokastrës, Koço Nika. Këta të dy e kishin si informator, që sillte informata nga Greqia gjoja, por kjo bënte kontrabandë, e cila quhet Vasillo Biçuni. Kjo transportonte çorape, telat ombrelle dhe gjëra të tjera.

Këtë e vërtetoj kështu; që në vitin 1946, në shkurt, kjo u nis nga Llongo me nji ushtar të quajtur Jani Nasto, nga Sofratikë, me çorape (18 sterlina) plaçka. Mirë por monarko-fashistët e kuptuan, që kjo merte kontrabandë dhe ia kanë bërë pritje na kufiri për ta plaçkitur.

Mirë por kjo ju iku nga duart, neve kur pamë një gjë të tillë, u detyruam që të hapim zjarr kundra monarko-fashistavet, 2 orë reshtMe gruan nalt përmendur, Nasho Nika dhe Koço Nika, bënin punë seksuale dhe kontrabandë dhe parat i ndanin të dy.

Kritikoj Thanas Nika, dërgonte Anastas Vasilin nga Llongo në Greqia, për informata, mirë por Anastasi sillte kontrabandë nga Greqia, për një dhe gjëra të tjera, më së fundi nuk e dërgonin më, nga mos besimi që Anastasi më tha që; të sjellë çfarë të duash që andej. Si e pushojti, i ka ngrënë 15 dit rogë, e ka deklaruar vet Anastasi, tek mua.

Kritikoj Thanas Nika, që ka çfritëzuar P. Shinga nga katundi Jergucat, që kjo ka dhëndrin e saj të arratisur nga radhët e ushtrisë t’onë. E kalojti kufirin gjoja për formatet, gjë që kjo nuk bëhesh. Atje që shkojti në Janin ,dolli para gjiqit falsifikim dhe tha për baban tim, Aleksi Braçi që ka lidhje me mua dhe mi shqiptarët, që kështu u dënua me thëniet të saj.

Kritikoj Veli Bakirin, ish shefi i N/seksionit Sigurimit Gjinokastrës. Pasi më kish mbajtur nënë vërejtje 5 ditë, në seksionë të Gjinokastrës, që gjoja më akuzonte që kish lidhje me korjera grekë që vinin në tokën t’onë, mua, n/toger Nikolla Ndriçon dhe Kristo Barimi.

Këto informata më ka dhënë Nasho Nika, që tij të kishin nënë vërejtje Veli Bakiri dhe mos besimi se unë mos kam rënë në kompromis me korjerat grek, që nuk i kapim dot.

Kritikoj drejtorin të degës Sigurimit Gjinokastrës. Kap. Niko i cili, ka dërguar toger Xhembro Ismailë dhe me bashkëpunim me neve, tre shokë të Sigurimit. Kemi provokuar vet neve një grua, për të arratisur për në Greqia, që ta kapim neve – si këtë gjë e kemi mbaruar, e kemi kapur gruan të quajtura M. Gjoka nga Sotirë, e cila sot është në burg. Me kaq përfundoj.

Tjetër gjë nuk më kujtohet, mbasi më janë mbetur dhe gjëra të tjera. Për të gjitha këto gabimet, që më janë paraqitur mua si person, arsia është se unë jam mbetur 4 vjet resht në një sektor, pa më dhënë udhëzimet të duhura nga superiorët time dhe as dorë ngritje personale, se kjo gjë është e vërtet që shokët të tjerë, kanë bërë gabimet më të rëndë nga mua, s’jan dalë në mas, mbasi ishin transferuar gjetkë.

Kurse sot unë qitem në lirim nga Sigurim, si dhe na Ushtria, nga opinione të popullit dhe neve vet e provojmë këtë gjë, që populli kishte opinion të keqë për neve. Por neve si komunistë, japim fjalën e nderit ne partin, që këto gabimet do t’i ndreqim duke punuar kthesë në vijën e drejt të Partisë s’onë dhe të popullit dhe kauzën kundra armikut të brendshmen dhe të jashtme./Memorie.al

Me nderimet shoqërore

 Antar i P.P. greke

 Niko Braçi (firma)

Tiranë 19/II/949

1936- Kur ambasadori Hugh G. Grant i prezantoi presidentit Roosevelt pistoletat shqiptare të blera në Shkodër

Hugh G. Grant (1888 – 1972) — Franklin Delano Roosevelt (1882 – 1945)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 15 Mars 2024

“The Atlanta Constitution” ka botuar, të martën e 15 shtatorit 1936, në faqen n°9, një shkrim rreth pistoletave shqiptare të prezantuara nga Hugh G. Grant asokohe presidentit Roosvelt, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar: 

Armë zjarri shqiptare iu prezantuan presidentit

Burimi : The Atlanta Constitution, e martë, 15 shtator 1936, faqe n°9

Uashington, 14 shtator. — (AP.) — Sot, një palë pistoleta dueli shqiptare iu prezantuan Presidentit Roosevelt nga ministri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Hugh G. Grant, nga Birmingham.

Grant, i kthyer në këtë vend me leje dymujore, tha se pistoletat i kishte blerë në Shkodër, Shqipëri.

Ai planifikoi të qëndronte në Uashington rreth një javë më shumë, pastaj të vizitonte Virxhinian për disa ditë. Ai tha se ndoshta do të shkonte në Birmingham pas dy ose tri javësh.

Ai shoqërohej në SHBA nga zonja Grant dhe vajza e tyre e vetme.

PO  SIKUR “AI” T’ ISHTE AT  GJERGJ  FISHTA ?!- Nga Fritz RADOVANI

 

AT GJERGJ FISHTA O.F.M.

(1871 – 1940)

 

Kam ndigjue po nuk e dij sa asht e vertetë: Duhet t’ jenë llafe!!

Flitet se At Gjergj Fishta asht kenë marrë edhe me politikë, thonë disa…

At Gjergji nuk ka kenë as i pari dhe as i fundit që asht marrë me politikë, madje, edhe ka mbajtë fjalime në Lidhje të Kombeve, që kujtohen edhe sot mbas njëqind e sa vjetësh. Po a ua di  kush vleren atyne Fjalimeve? – Ha dreq as nuk i zen kush me gojë as shka u tha, as kush i tha?! Disa vetë kur i permendin, ia venë në gojen e njëtjetri, ndersa atij tjetrit shpesh mundohen me ia ndrrue emnin si dikur: “Hiqja Lenës e, venja Prendës!”

A i shifni njikëto shkronja që jeni tue lexue? Na asht dashtë me u ba 20 a 25 vjeç per me marrë vesht se prej germës a e deri tek zh, i ka shpikë pra bash njaj Frati i zbathun i katundit Fishtë. Askujt nuk i shkon mendja me thanë të pakten me vedi: “Po sikur mos ti shpikte Ai Frati i lidhun në bel me konop rreth’e rrotull, po me shkronja turqe, do të vazhdojshim na me shkrue prrallat e Skenderbegut?! – Jo se ishte turp me shkrue turqe, se edhe Ahmet Zogu ma parë se me mësue shkronjat shqipe (po i pat dijtë}, ka pasë shkrue me alfabetin arab, se ashtu i erdhi ma lehtë!! Por, çudia qendron tek zhvillimet historike të Popullit Shqiptar, që edhe mbas 500 vjetësh robni turke, vazhdonin me u knaqë me “haxhimakulle e sherbet” e, nuk ju shkonte mendja me u zgjue e me pa rretherrotull shtëpisë së vet a ka ndryshue gja, të pakten, kur fillojnë me ardhë dallndyshat tek na?!

Flitej nënza, se aty kah 1927 një klerik Katolik i “albanskij narod” kishte shkue larg e ma larg, madje, deri tek Stalini dhe, jo njëherë por dy herë, në BRSS. Shumë Shqiptarë sot këto kater shkronja as nuk dijnë me i zberthye, se per me i marrë vesht hama – dreq, as nuk i shkon mendja! E, per mos me i mbetë hatri drejtuesve të qeverrisë së Tiranës, thonë se “me siguri, ai që ka pas menduar me u lidhë me rus, pa pyetur njeri është qenë ai frati i Veriut, se ai ka bërë veprime në koken e vet!” 

E, as vetë Ai Frati, s’ ua prishë qejfin edhe  pse i shef tue ia hapë vorrin!

Shumë vorrmihës t’ asaj kohë të marrakotun nga padija dhe fukaralleku i mendjes së tyne, edhe sot me i pyet per “400 e sa letra, që ai filani nga stoli pranë vatres, i ka shkrojtur Everit tanë…”, me mendjemadhësi, kanë per të thanë: “Po, ore ai ka qenë, se i njohim shkronjat, ai fshatari i pafytyrë i Fishtës, që donte të mësojë edhe Everin, dijetarin tanë t’math!”

E po të rreshtoni dijetarët e sotem, të Akademisë Antishkencore të asaj Tiranës së Esad Pashës me të Gjirokastres së Ever efendisë, nuk do të gjeni jo sot, po asnjëherë ndonjë budalla si “Ai i Fishtës”, që “i paska shkue në Moskë mendja, me rregullue Popullin Shqptar me Stalinin!!”

Ndersa, si dhe në ç’ mënyrë ka mendue ai “At Fishta”, me varrosë pa u marrë vesht “Shqipninë komuniste mbas vitit 1944…?”, ate e di vetem ai!

Në se nuk më besoni mue, lexoni Letrat që ruen sot Arkivi i Shtetit !!

Nuk ka asnjë randsi se kush asht Autori? Mjafton që “Letrat janë shkrue nga një shqiptar e janë lexue po prap nga një i “ashtuquajtur shqipëtar”!

Sesa efekt kanë ba ato letra në koken e Everit tanë, ate e tregon jo vetem koha, po e dishmon ma mirëse gjithshka “vlera e derguesit të letrave” që edhe pse Ai ka humbë sa kohë me “shprazë koken e vet per me mushë atë koken b… t’ Everit !”, prap, rezultati asht kenë i barabartë me 0. ZERO.

Ky rezultat më ZERO, më ka shty me ia kalue autorsinë e letrave Atij “fshatarit Fishtës sonë”, se vetem Atij me i thanë se asht kenë “komunist” kur ka shkue tek Stalini, apo kur i ka shkrue 400 e sa letra Everit tanë, mbas të gjithë atyne Epiteteve që i kanë veshë per shpinë, mbas vitit 1944 as, per këta Epitetet e sotme jam i sigurt se nuk i mbetë hatri aspak!

Dhe, se këta Epitete ju vune para vdekjes a mbas vdekjes, nuk ka asnjë pikë randsije, sepse as Ai vetë dhe Askush, nuk ka mbetë me u pergjegjë!

Madje, “ata dijetarët nga Jugu edhe gëzohen fort kur lexojnë se: “Everi ynë nuk i ka pergjegjë fare një kleriku katolik nga Veriu, tue kenë Frat !”.

Ndersa, Veriu edhe sot krenohet me Emnin e Perjetshem të Fratit tonë!

Fatkeqsisht, edhe unë atëditë me 6 Janar 1940, kur më ka marrë në duertë e Tija, nuk kam dijtë me folë asnjë fjalë me Até Fratin e Nderuem, VETEM I NGULA SYTĒ TEK AI BURRĒ, ASHTU SI SOT ! E… DERI KUR ? –  NUK E DIJ… PRA,  O AT GJERGJ FISHTA !!

PO, SHQIPNIA  YTE  O AT I BEKUEM,  RRNOFT’ E  KJOFTĒ  NDER  SHEKUJ  T’  SHEKUJVE,  BASHKĒ  ME  EMNIN  TAND T’ MADH E  T’ PAVDEKSHEM !

            Melbourne, 16 Mars 2024.

 

Ish-dikatori i mori pjesë edhe në varrim, vrasjet e mistershme të Qemal Stafës dhe heronjve të Kodrës së Kuqe pak çaste pas ndarjes me Enver Hoxhën!

AFRIM IMAJ/ Tre heronjtë e Kodrës së Kuqe, Vojo Kushi, Xhorxhi Martini e Sadik Staveleci, janë vrarë në një shtëpi në Tiranë pak çaste pasi janë ndarë me Enverin.
Në pamje të parë, mënyra si e përshkruan këtë ngjarje të bujshme dokumenti i vitit ‘46, përjashton çdo dilemë për rrethanat e tragjedisë, por leximi i vëmendshëm i variantit të servirur aty nga Enveri, të cilin nuk e ka përmendur më kurrë, të krijon një shije dyshimi, që vë në diskutim jo thjesht kronologjinë e ngjarjes.


“Enveri mbriti në bazën ilegale të tre martirëve 12 orë para vrasjes së tyre, pohon dokumenti. Aty takoi shokët, u hoqi vërejtje për lëshimet që kanë bërë, i porosi të marrin masa mbrojtjeje, këshilloi Xhorxhi Martinin të mbërthejë mekanizmin e kobures njëzetëshe me të cilën loste. Sadik Stravrelecit i dha udhëzime të niset të nesërmen në Kosovë. Korrierin që do të nisej për te çeta e Baba Fajës e këshilloi të ikë që pa gdhirë. Të zonjën e shtëpisë, një militante të vjetër, e urdhëroi që mos të qasë aty Anastas Lulon. Por, plani dështoi. Të nesërmen që me natë forcat armike rrethuan shtëpinë. Lufta vazhdoi 6 orë me radhë. Gjashtë orë të tjera Enveri nuk luajti nga dritarja e shtëpisë ku ndodhej 600 metro larg vendit të ngjarjes. Ay dëgjonte poteren e armëve dhe merrte me mend se ç’ndodhte. I prekur thellë nga vdekja e shokëve, atë ditë shkroi me dorën e vet traktatin “Tre heronj”, i cili u shpërnda përnjëherësh”.

Ky është varianti i autorëve të biografisë së vitit ‘46 për ngjarjen e Kodrës së Kuqe. (Aty, veç të tjerave, nuk përmendet prania e të mbijetuarit të tragjedisë). Enveri, sipas tyre, nuk ka qenë vetëm vizitori i fundit i bazës ilegale, por edhe dëshmitari i ngjarjes të cilën e ka ndjekur nga afër(!)Çuditërisht e njëjta gjë ka ndodhur edhe në rastin e Qemal Stafës, i cili, siç konfirmohet te “Biografia…” është sulmuar në bazën e tij “pak momente pasi merr udhëzimet nga Enveri për të shkuar në Vlorë”.

Sidoqoftë, jo çdo rastësi mund të bëhet shkak për hamendësime të ndryshme, megjithatë, mënyra si është zbardhur më vonë kronika e këtyre ngjarjeve nga protagonisti i “Biografisë…” dhe disa pohime të kundërta me variantin zyrtar të publikuar vitet e fundit nga dëshmitarë të tjerë, nuk e kanë fashitur përfundimisht misterin rreth tyre. Ndërkaq, pjesa në vijim e dokumentit zbulon të tjera ndodhi nga jeta e diktatorit në fillimin e viteve ‘40. Ndër to duken interesante konsideratat për Koçi Xoxen, që përcaktohet si kreu i hierarkisë së miqve më të afërt të Enverit, paçka se pak më vonë do të zinte kreun e agjenturës antishqiptare dhe urdhrat për ekzekutimin e Niko Xoxes e Sadik Premtes…

Enveri vazhdonte të qëndronte në Tiranë për të drejtuar punën dhe aksionet. Shtëpitë e popullit fukara të lagjes së Tiranës “Vorri i Bomit” u bënë qendrat kryesore, nga ku dilnin parullat dhe direktivat që mobilizonin masat për luftë. Enveri është në kontakt të përditshëm me shokët që kanë përgjegjësi të ndryshme. Ai i udhëzon këta në luftën e tyre dhe nëpërmjet tyre merr eksperiencën e masave. Shoku i tij më i afërt, Koçi Xoxe, arrestohet. Qemal Stafa pasi merr udhëzimet nga Enveri për të shkuar në Vlorë, rrethohet dhe vritet në lagjen e Tiranës, të tjerë shokë bien dëshmorë. Pas dhjetë muajsh përpjekje të Partisë, ishin krijuar konditat e themelimit të Frontit, Italia dhe Gjermania fashiste ishin n’apogjenën e fitoreve të tyre. Me trakte, me organin e rregullt “Zëri i Popullit”, Partia kishte arrirë të ngjallë dashurinë më të madhe për Bashkimin Sovjetik, për Stalinin, për ushtrinë e kuqe heroike. Kundër manovrave dhe demagogjisë fashiste që përpiqej të mbillte urrejtjen mes popujve, Partia kishte ngjallur dashurinë kundrejt popujve të tjerë të shtypur, sidomos kundrejt popujve të Jugosllavisë.

Në Shqipëri rezistenca kishte marrë proporcione të mëdha në zonat e çliruara, si Peza, Opari, Tomorica, Mesapliku, Mallakastra etj. Çetat e armatosura vepronin në luftë të hapët me okupatorin. Postat e karabinjerisë ishin spastruar, armiku ishte strukur në qytete, autokolonat e tij qarkullonin të shoqëruara me autoblinda. Çetat vrisnin dhe zinin rob me qindra ushtarë italianë, shkatërronin ura, rrugë, prisnin vijat telefonike, sulmonin depot e ushqimit dhe ua ndanin këto popullit. Njësitë në qytete ishin zmadhuar pa masë. Në këto kondita dhe me këtë aktiv lufte, Komiteti Central i Partisë mori vendimin për organizmin e Frontit Nacionalçlirimtar. Në Konferencën e Pezës, që u mblodh për këtë qëllim më 16 shtator 1942, u thirrën dhe kishin ardhur të përfaqësonin nga të gjitha shtresat e popullit dhe patriotë si Myslym Peza, Baba Faja, Haxhi Lleshi etj. Komiteti Central i Partisë kishte deleguar Enver Hoxhën, Nako Spirun dhe shokë të tjerë. Enveri shtroi në konferencë eksperiencën që kishte mbledhur deri atëherë nga përpjekjet e masave popullore, të cilat kishin fituar besimin në triumfin e kauzës së tyre.

Ai dha kuptimin e drejtë të bashkimit që duhej, bashkimi i cili do të realizohej vetëm në zjarrin e luftës antifashiste dhe do të krijonte atë bllok të vetëm të të gjitha forcave popullore, pa dallim feje, krahine ose ideje, dhe që kishte predikuar me kohë Partia Komuniste Shqiptare. Ay theksoi nevojën e goditjes dhe të shkatërrimit total t’aparatit të vjetër të shtetit që kishte kapitulluar më 7 prill 1939 dhe të ngritjes së një pushteti të ri. Shoku i tij, Naku Spiru, ngriti çështjen e organizmit të shëndoshë t’organizatës së rinisë. Mbi këto vija të përgjithshme doli rezolucioni i Konferencës së Pezës, që u hartua prej Enver Hoxhës dhe Naku Spirus. Rreth mbledhjes së Pezës armikut i kishte rënë era, por nuk dinte ekzakt vendin dhe qëllimet e mbledhjes. Me gjith’atë ay grumbulloi forcat dhe i lëshoi në sulm për t’i rrethuar dhe për të djegur gjithë zonën.

Po ishte vonë, konferenca kishte mbaruar punën 2 ditë më parë dhe delegatët ishin shpërndarë. Vetëm Enveri me disa shokë, duke u kthyer për në Tiranë, takon forcat armike që shkonin të rrethonin Pezën. Ata kishin me vete thasët me material të konferencës të botuar në shtypshkronjën ilegale që kishin të fshehur në mal. Qenë në rrezik të kapeshin, por shpejtësia dhe manovrimi i tyre depistoi vërejtjen e armikut, ata fshehën materialin në një han mbanë rrugës dhe me një farë taktike i shpëtuan nga duart e armikut, i cili u kujtua vonë dhe kontrolloj të nesërmen n’anën ku gjeti dhe zuri materialin, i cili u ribotua përsëri dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë. Në Pezë delegatët kishin mbetur dakord të bëheshin aksione me karakter të përgjithshëm. Aksioni u krye me sukses, u prenë gjitha rrjetat telefonike dhe u sulmuan autokolonat e armikut. Vetëm një nga delegatët e konferencës nuk e zbatoi detyrimin që kishte marrë përsipër, ky ishte Abaz Kupi, i cili vazhdoi në këtë rrugë gjersa u hodh jashtë nga Këshilli i Përgjithshëm. Partia mobilizoi gjithë forcat e saja për realizimin e kësaj vepre të madhe.

Pa marrë parasysh rreziqet, nën ndjekjen më të egër të Mustafa Krujës, komunistët edhe patriotët mblidhnin popullin e fshatrave dhe qyteteve dhe organizonin këshillat n.çl. Si reaksion kundër vendimeve të Pezës, okupatori nxiti dhe krijoi forma të reja organizimi të reaksionit të brendshëm, si Ballin Kombëtar dhe të tjera organizata, duke filluar gjithashtu dhe operacione në shkallë të gjerë. Balli, në të cilën merrnin pjesë të gjithë bejlerët dhe borgjezia reaksionare, “Grupi i Zjarrit”, i vetquajtur komunist, organizoi luftën tok me okupatorin kundër Frontit N.Çl. Në qytete dhe sidomos në Tiranë, ku aksionet ishin bërë të rrezikshme për okupatorin, ay vuri në urdhër të ditës terrorin më të zi. Çdo natë bllokoheshin mëhallë të tëra, arrestoheshin, burgoseshin dhe vriteshin patriotë pa gjyq, masakroheshin njerëz të dyshimtë. Për shumë kohë pas Konferencës së Pezës, Enveri vazhdon të qëndrojë në Tiranë në krye të punës, që kishte ngarkuar partia e tij.

Okupatori e kishte dënuar me vdekje ne mungesë dhe ndjekjet kundër tij ishin bërë më të dendura. Fotografia e tij ishte shpërndarë në të katër anët, por agjentëve dhe informatorëve fashistë nuk mund t’u shkonte kurrë në mendje se muratori me emër usta Hasani, me një kapellë të vjetërt, me robe të shqyera dhe me fytyrë tërë këlqere, ose elektricisti Thanas me petkë të thjeshtë, punëtori me veglat e zanatit nën sjetull, që u kalonte kushedi sa herë përpara, ishte vetë Enveri, njeriu që kërkohej dhe duhej kapur i gjallë ose i vdekur. Armiku kishte informata që një njeri me karakteristikat e tij, i pashëm, me sy të zezë dhe vetulla të gjera ishte kapur pa dokumenta dhe s’tregonte emrin, por Enveri ishte në Tiranë, në rrugën e Gazhinës, karshi postës së karabinjerisë, që ruante lëvizjet e njerëzve të dyshimtë.

Ishte aty dy net dhe dy ditë me radhë delegati i Komitetit Central të Partisë në mbledhjen e aktivit të Tiranës, i ruajtur nga shokët e tij me bomba, automatikë dhe mitraloza në duar, gati kundër çdo rreziku. Një lajm tjetër i vjen okupatorit se policia e Prizrenit ka rënë në gjurmë të një njeriu të dyshimtë që i përngjan Enverit. Por, është tamam atëherë kur Enveri ka shkuar të organizojë Konferencën I të vendit të Partisë, që u mblodh në Labinot t’Elbasanit në vitin 1943. Në këtë konferencë të madhe dhe të parë të partisë së Enveri paraqit raportin. Ay vuri në dukje luftën që kishte bërë partia e jonë e re kundra elementave deviatorë të mëngjër, kundra opurtunistëve, ay vuri në dukje rreziqet që e kërcënojnë Partinë nga këta njerëz, vuri në dukje mbeturinat e sëmundjeve të grupeve, të cilat duheshin luftuar me ashpërisë më të madhe, ay vuri përpara Konferencës së Partisë detyrën e organizmit sa më të fortë të luftës kundra okupatorit.

Ay kërkoi zgjedhjen e Komitetit Central definitiv të Partisë. Nga Konferenca historike e Partisë doli Komiteti Central i Partisë dhe Enveri u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj. Partia Komuniste po bëhej një forcë e madhe, ajo ecte me hapa të sigurta drejt rrugës që e mësonin mësuesit e mëdhenj Marksi-Engelsi-Lenini-Stalini. Pas Konferencës së Partisë, Enveri thirri disa krerë të “Grupit të Zjarrit” dhe duke iu vënë në dukje atyre punën anti-marksiste dhe tradhtare që po bënin, i urdhëroi t’i dorëzonin partisë kuadrot e grupit dhe gjithë punën e tyre, të hidheshin pa rezerva në luftë kundër okupatorit, anëtarët më të mirë të grupit të shkriheshin në radhët e partisë dhe të leftohej udhëheqësi i këtij grupi, arkeo-marksist dhe sipuni i Mustafa Krujës, Zisi Andrea, me pseudonimin Zjarri. Kjo ishte fjala e fundit e partisë kundër “Grupit të Zjarrit”. Këtu s’kishte lëshime, o me Partinë, ose në luftë me të. “Grupi i Zjarrit” vazhdoi dhe për një kohë veprimtarinë e tij nën drejtimin e Zisi Andreas.

Atëherë Enver Hoxha shkroi artikullin në Zërin e Popullit, ku demaskoi hapët si agjentë të okupatorit Zisi Andrenë dhe veprimtarinë e grupit të zjarrit. Një demaskim i tillë bëri që elementëve të gënjyer të kërkojnë likuidimin e grupit dhe inkuadrimin e tyre në radhët e partisë. “Grupi i Zjarrit” mori fund. Zisi Andrea mbaroi agjent i Ovres dhe i gestapos. Enver Hoxha u dha urdhër shokëve të Korçës të pushkatonin Niko Xoxin, trockist dhe agjent i fashizmit. Ay u ekzekutua. Anastas Luloja dhe Sadik Premtja vazhdonin luftën kundër Partisë. Enver Hoxha nga Labinoti dha urdhër t’arrestoheshin dhe të gjykoheshin Anastas Lulo dhe Sadik Premtja. Anastas Lulo u gjykua dhe u pushkatua si tradhtar i popullit e i partisë, dhe sabotator. Gjatë qëndrimit në Tiranë, janë të panumërta episodet që i kanë ndodhur Enverit, por ka disa për të cilat ay mban kujtimin më të shtrenjtë. Në kodrën e Kuqe në Tiranë, në një shtëpi të vjetër prej qerpiçi, banonte ilegalisht Vojo Kushi, Xhorxhi Martini që ishte plagosur në një aksion dhe Sadik Stravreleci, luftëtar i vendosur, por me trup të thyer prej tuberkulozi. Enveri kujdeset për jetën dhe shëndetin e shokëve të tij. Ay ka mësuar se në shtëpinë ku banon Xhorxhi Martini i plagosur, shokët po bëjnë shumë lëvizje dhe kjo bie në sy të okupatorit.

Ay niset vet t’i jap fund kësaj gjëje. Ishte 12 orë para se të vriteshin. Aty takohet me shokët, u heq vërejtjet për lëshimet që kanë bërë, i porosit kategorikisht të marrin masa mbrojtje, këshillon Xhoxhi Martinin të mbërthejë mekanizmin e kobures së tij njëzetshe me të cilën po lonte në duar. Sadik Stravreleci i jep udhëzime të nesërmen të niset për Kosovë, i jep letrat dhe të hollat e udhëtimit. Korrierin e Partisë, që do të shkojë në Martanesh, për të çuar udhëzimet dhe material për çetën e Baba Fajës, e këshillon që të mos bëjë lëvizje dhe të ikë që pa gdhirë. Të zonjës së shtëpisë, një militante e vjetër, i urdhëron që mos të qasë më në shtëpi Anastas Lulon, i cili n’atë kohë ndodhej në Tiranë. Por, plani nuk doli në krye, të nesërmen që me natë forcat armike me mitraloza dhe me tankse kishin rrethuar shtëpinë e Vojo Kushit. Lufta vazhdoi 6 orë me radhë dhe 6 orë të tjera Enveri nuk luajti nga dritarja e shtëpisë ku banonte 600 metro larg vendit të ngjarjes. Ay dëgjonte poteren e armëve dhe merrte me mend se ç’ndodhte, ay s’dinte kush luftonte, por sigurisht ishte luftë e shokëve që kish edukuar vetë.

Atë ditë, i prekur thellë nga vdekja e shokëve të tij, ay shkroi me dorën e vet traktatin “Tre heronj”, i cili u shpërnda përnjëherësh në popull. Një herë tjetër ay ndodhej me shokun e tij të luftës, jugosllavin Miladin Popoviçin, në një shtëpi punëtori buzë Lanës. Shtëpia ishte izoluar. Dy ditë më parë atje Enveri kishte mbaruar së shkruari traktatin me rëndësi, që Komiteti Central u drejtonte katundarëve të Shqipërisë, i cili ishte shtypur në shtyp-shkronjat klandestinë të qytetit dhe shpërndarë në gjithë Shqipërinë. Ishte pra natë, dhe ishin vetëm të dy, Enveri me Miladinin. Pa pritur ndëgjohen armë dhe bomba, të shtirat u dëgjuan afër shtëpisë së Mustafa Krujës, e cila ndodhej atje afër. Të ipnin përshtypjen e një atentati. Pas armëve të para, gjithë milicët që banonin në kazermat pranë shtëpisë së Mustafa Krujës, duke shtirë nga të katër anët, lëshohen dhe rrethojnë mëhallën.

Një burrë që banonte në katin e sipërm të shtëpisë, ku ishte Enveri me Miladinin, filloi të zbrazë armët nga dritarja. Puna u pa, ishte dhe ay një spiun. Të dy shokët u gjenin para vdekjes dhe me bomba në dorë prisnin momentin deciziv të sulmit. Në këtë moment suprem të jetës së tyre ata përqafuan shoqi-shoqin dhe Enveri kur flet për Miladinin, s’mungon të thotë fjalët e tij që ay i tha Enverit n’errësirën e asaj nate që i priste vdekja: “Shoku Enver, luftuam dhe do të vdesim duke luftuar për një çështje të madhe, për çlirimin e Shqipërisë. Unë jam i lumtur që jap jetën për popullin Shqiptar. Gjaku i jonë le të shërbejë për vëllazërimin e popujve t’anë”. Dhe Enveri shton: “Kurrë në jetën e tij nuk e ka ndjerë veten më të fortë se n’atë çast kur shihte se krahas me të një shok jugosllav kishte vendosur të vdiste me aq heroizëm për popullin shqiptar”. Fati e desh që këta të shpëtonin për qime.

“Ata hapën një ‘lumë’ me naftë, Enver Hoxha një përrua me gjakun e tyre”- Kujtimet e inxhinierit që vuajti 17 vite burg politik

Mbushet 1 vit nga ndarja nga jeta e inxhinierit dhe gjeologut, personalitetit të shquar të inteligjencës së naftës shqiptare, z. Nuredin Skrapari. Kontributi i tij mbresëlënës në kërkimin dhe zbulimin e vend-burimeve të reja të naftës, u ndërlidh tragjikisht me dramën e tij njerëzore, i arrestuar dhe i dënuar politik nga regjimi komunist, në vitin 1974. Nuredin Skrapari u lind në fshatin Bubullimë të rrethit të Lushnjes, në maj 1944 dhe kreu shkollën e mesme (“Teknikumi i Naftës”), në degën “Gjeologji”. Në vitet 1962 – ‘64 u punësua në Drejtorinë e Përgjithshme të Naftës në Kuçovë, me grupet e rilevimit për zbulimin e vend-burimeve të naftës dhe gazit.


Në vitin 1969, ai mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Gjeologji-Miniera, me rezultate të shkëlqyera, duke u diplomuar “Inxhinier Gjeolog”, për të punuar menjëherë pas diplomimit në Institutin e Kërkimeve të Naftës dhe Gazit në Kuçovë dhe më pas në Fier, me grupet e studimit gjeologjik, deri më 15 mars 1974, ditën kur u arrestua. Nuredin Skrapari është bashkë autor i përgatitjes së hartave gjeologjike dhe projektimit të puseve të thella të naftës, në Skrapar, Finiq (Sarandë), Delvinë, Cakran (Fier) etj.

Punës së tij voluminoze dhe cilësore në dobi të zbulimit të vend-burimeve të reja të naftës, regjimi komunist i dha fund, duke e arrestuar dhe dënuar, më 10 maj 1974, në gjyqin e zhvilluar në Kuçovë, me 10 vjet burgim, për agjitacion dhe propagandë dhe thyerjen e portretit të diktatorit. Nuredini e vuajti dënimin në burgun e Spaçit. Më 22 shkurt 1979, u arrestua për herë të tretë dhe u ridënua me 18 vjet burg, me motivacionin “Pjesëmarrje në organizatë kundërrevolucionare e revizioniste, për përmbysjen e pushtetit popullor”.

 

Në maj të vitit 1984, Nuredini u transferua në burgun e Qafë-Barit, ku luajti një rol të rëndësishëm në revoltën e njohur të të burgosurve politikë të këtij burgu. Revolta u shtyp me terror dhe i dënuari Nuredin Skrapari, u torturua barbarisht dhe pas spitalit-burg, u dërgua të vuante dënimin në burgun e Burrelit. Me këtë shkrim-homazh, duke u përkulur me respekt përpara kujtimit dhe kontributit të tij, kam nderin të jap disa konsiderata për veprën e tij studimore: “Tragjedia e inteligjencës së naftës”.

Shumëkush mund të ketë lexuar për “grupet armiqësore sabotuese në ekonomi” gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Por libri i Nuredin Skraparit, me titull “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, shkëlqen për nga vërtetësia, faktet e shumta, nxjerrjen lakuriq të regjimit komunist, humanizmin e thellë dhe qëndrimin burrëror e atdhetar të shumicës së ajkës së shkencëtarëve e specialistëve shqiptarë, që bënë të mundur zbulimin e vend-burimeve të reja të naftës në Shqipëri.

Ishte kontributi i tyre që shpimi i puseve dhe prodhimi i naftës mori një trajektore rritëse, në vitet 1968-1972, për të arritur në shifrën rekord prej 2.5 milion tonë naftë. të prodhuar në vitin 1976. Bazuar në çmimet e bursave ndërkombëtare të kohës, kjo sasi nafte. ishte e barabartë me vlerën e një çerek miliard dollarë. Por diktatura nuk njihte kushtin teknik të shpimeve të pa efektshme. në morinë e puseve të hapura.

Ndërsa në SHBA-ës, pranoheshin rreth 50 mijë puse të hapura shterpë në vit, për disa dhjetëra të tillë të hapur në Shqipëri, diktatura ngrinte akuzat për sabotim dhe vepër të agjenturave të huaja. Pastaj, punonjësit e Sigurimit të Shtetit, sajonin me një zell të jashtëzakonshëm spiunë, agjentë e sabotatorë, mes njerëzve më punëtorë e atdhetarë që ka njohur historia e Shqipërisë, në vitet 1945-1990.

Botimi “Tragjedia e inteligjencës së naftës”, libër i ndarë në pjesëza të vogla me nëntituj interesantë, siç dinë të shkruajnë inxhinieret, përshkruan me një vërtetësi rrëqethëse ngjarje e fakte mbi tragjedinë e inteligjencies së naftës, nga vitet 1946, deri në vitin 1991. Autori i librit, nuk ishte më shumë se 32 vjeç, kur u arrestua publikisht me akuzën absurde: sabotator. Shkencëtari Koço Plaku, i akuzuar si kreu i grupit, në një nga seancat, i drejtohet hetuesit: “Po këta të dy, Nuredin Skraparin dhe Kadri Ramën, pse i keni arrestuar?! Janë djem të zgjuar dhe specialistë të zotë në fushat e zbulimit dhe kërkimit të naftës. I nxirrni këta nga burgu…”!

Kjo lë të nënkuptohet se sa premtonin ky specialist gjeolog i ri dhe shoku i tij vlonjat dhe se çfarë kërdie po bënte diktatura komuniste me marrëzitë e saj në radhët e inteligjencës së sprovuar dhe me eksperiencë të naftës shqiptare dhe të asaj të re që po lindte. Tragjedia e të ashtuquajturve sabotatorë apo grupe armiqësore, që realisht përbënte një gjenocid ndaj inteligjencës së naftes, fillon me dënimin e dijetarit, gjeologut të shquar polak Stanislav Zuber në vitin 1947.

Profesori polak, Zuber, la si trashëgimi një hartë gjeologjike dhe tektonike të Shqipërisë, të punuar deri në detaje, e cila përdoret edhe sot nga gjeologët tanë. Me puset që projektoi në Kuçovë në vitin 1928 dhe në Patos, në vitin 1942, ai arriti të nxjerrë naftë industrial, në zonat ranore. Me ardhjen në fuqi të regjimit komunist, ai do të arrestohet si agjent i italianëve dhe do të lihet të vdesë në burg nga shkelmat e gardianit, në mënyrën më shtazarake.

Sidoqoftë, me hartat dhe studimet e tij të shumta, u vazhdua puna në gjeologji, duke u zbuluar vend-burime mineralesh e hidrokarburesh, madje edhe vend-burime të ujit të pijshëm. Në këtë kohë (viti 1947), dënohet grupi i parë i inteligjencës së naftës, me personalitete si; Profesor Zuber dhe inxhinieret Riza Alizoti, Thoma Pojani, etj.(për më tepër, për Prof. Zuber, Nuredin Skrapari dhe autori i këtij shkrimi homazh, rekomandojmë të lexohet libri i Prof. Arqile Tetës, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së profesorit të shquar polak).

Pas largimit të specialistëve rusë, në vitin 1961, gjeologët shqiptarë arritën të zbulojnë tre vend-burime të reja në Visokë; Patos më 1963, Ballsh 1964, Gorisht më 1967. Sipas Nuredin Skraparit, autori i këtyre zbulimeve me vlerë të jashtëzakonshme për ekonominë shqiptare, ishte Koço Plaku, i mbështetur nga kolegët e tij; Milto Gjikopulli, Beqir Aliaj, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Akademik Teki Biçoku, Kadri Rama, Nuredin Skrapari, Thanas Nasto, Niko Goxhobashi, etj.(shih faqet 77-78 në libër), të gjithë të arrestuar e dënuar si sabotatorë, pas vitit 1974.

Pas prishjes me kinezët, ekonomia shqiptare përfundimisht filloi të merrte të tatëpjetën. Qeveria dogmatike nxori teorinë shkatërruese, të mbështetjes në forcat e veta, pa ndihmë nga jashtë. Në vijim të bunkerizmit të Shqipërisë, prodhimi i naftës që filloi të quhet “ari i zi” u bë jetik për ekonominë shqiptare. Kërkuesit e naftës dhe punonjësit e Institutit të Kërkimit të Naftës, u vunë para një trysnie të pazakontë: Me çdo kusht të zbulohen vend-burime të reja! Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së, nxori dhe një vendim të posaçëm lidhur me rezervat e saj. Por nafta, nuk mund të nxirrej me vendime partiake.

Në vitin 1970, prodhimi i naftës po shkonte në rreth 2 milionë tonë. Enver Hoxha, ulërinte në mbledhjen e Byrosë Politike: “Duam naftë”! Lidhur me këtë, inxhinieri Nuredin Skrapari shprehet: “Diktatori Enver Hoxha, aty nga fillimi i marsit 1975, priti në një takim prej 10 minutash, drejtuesit kryesore të naftës, Lipe Nashin, Drejtor i Përgjithshëm i Naftës, gjeologun Beqir Alia, në detyrën e Drejtorit të Institutit të Naftës, gjeologet Protoko Murati, Milto Gjikopulli (shefa sektori), gjeologun Koço Plaku, si shef i kabinetit të përgjithësimeve, i projektimit të puseve të thellë – (fq. 32 në libër, fragmenti i fundit)”…Enver Hoxha ishte mosbesues ndaj nesh dhe Lipja këtë e kuptoi, kur ai nëpër dhëmbë kishte mërmëritur dy fjalë shokuese, siç i kishte zbërthyer Lipja: “O planin, o xhanin”!

Byroja Politike nxori në atë kohë thënien famëkeqe, se: “Shqipëria lundron në naftë, por nuk kemi specialistë ta zbulojnë”. Ekonomia kërkonte naftë dhe prishja e marrëdhënieve me Kinën e rëndonte më shumë problemin. Atëherë, Enver Hoxha ri-shpiku ekzistencën e grupeve armiqësore në naftë dhe, si ndodhi në vitin 1947, “zbuloi” grupin e dytë armiqësor në naftë. Në librin e tij, Nuredin Skrapari shkruan: “Në datën 15 mars 1974, unë Nuredin Skrapari, u arrestova në mënyrë publike.

Jeta ime u përmbys plotësisht. Më 25 mars 1975, arrestohen Lipe Nashi, Beqir Alia, Protoko Murati, Milto Gjikopulli, Koço Plaku. Katër muaj më parë, më 29 nëntor 1974, Lipe Nashi dhe Koço Plaku, kishin marrë titullin: ‘Hero i Punës Socialiste’. Kjo gjueti vazhdoi me arrestimin e dhjetëra specialistëve të tjerë, nga më të mirët dhe të aftët, në nxjerrjen e naftës. Numri i kaloi 80 personat”.

Absurdi i gjyqit arriti kulmin, kur Prokurorja dhe Kryetarja e trupit gjykues, do të deklaronte: “Vend-burimet e naftës nuk i keni zbuluar ju armiq dhe sabotatorë, por partia dhe shoku Enver”. E gjitha kjo i ngjante një gjyqi të inkuizicionit mesjetar, me Prokurorë të vërtetë Haki Toskën dhe Kryetar real të trupit gjykues, Adil Çarçanin.

Filloi një kalvar i gjatë vuajtjesh, për të gjithë ata shkencëtarë-heronj, që ishin krenaria e inteligjencës shqiptare, me punën e bërë në zbulimin e vend-burimeve të reja, deri në atë kohë. Akuzat ishin të rënda; “agjentë të shërbimeve të huaja, që qëllimisht sabotonin ekonominë shqiptare, për të dështuar ndërtimin e shoqërisë socialiste në Shqipëri”. Thjesht, pa fjalë të tepërta, qetësisht, pa urrejtje, gjeologu i shquar Nuredin Skrapari, tregon torturat në hetuesi, për të pranuar se ishin grup i strukturua, në shërbim të agjenturave të huaja.

Autori i librit tregon, se duke qenë më i riu, mbi të u ushtrua trysni e madhe për ta thyer, që të pranonte akuzat dhe të bashkëpunonte me Sigurimin e Shtetit. Ai tregon: “U kërkua të pranonim akuzën si sabotatorë. Isha 10 vjet më i vogël se shefat e mi. Më bënë një ofertë: Je i ri. Mendo për familjen. Nuk do të bësh më shumë se katër vjet, nëse bashkëpunon me ne”.

Nuredin Skrapari nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor. Fisnik nga shpirti dhe me karakter te paepur, ai pranoi më mirë, një jetë të zezë me faqe të bardhë, sesa të fundoste kolegët e tij. I lodhur nga torturat e vazhdueshme në hetuesi, ai do të pohojë në libër: “Më në fund firmosa ridënimin tim. E shkretuara jetë sa e shtrenjtë paska qenë edhe në vrimën e miut ku kisha përfunduar, më dukej e dhimbsur! Isha vetëm 32 vjeç” shih faqet 32-34 në libër).

Kjo i kushtoi 16 vjet e gjysmë burg, me punë të detyruar në minierat e Spaçit e të Qafë-Barit. Për drejtuesin dhe udhërrëfyesin e tij në kontributin për naftën shqiptare, shkencëtarin e njohur, Koço Plaku, me adhurim për qëndrimin e tij burrëror në hetuesi dhe në gjyq, Nuredin Skrapari shkruan në libër: “Koço Plakut, kur i kërkonin në hetuesi të pranonte se ishte agjent i KGB-së, pohoi: Tani radhën e kam unë. Pastaj vijoi me zë të ulët: Do të doja që atdheu të na donte, ashtu sikur e deshëm ne”!

Kërdinë me intelektualët e naftës, e stigmatizon vetë Nuredin Skrapari, kur shprehet: “Ata hapën një lumë me naftë, Enver Hoxha hapi një përrua me gjakun e tyre” (po aty, shih faqet 32-34 ne libër). Me tej, autori i librit vazhdon: “Koço Plaku u përgjua në hetuesi. Në fund të monologut të tij, ishte regjistruar: Enver Hoxha e mbushi Shqipërinë me varre…”! Grupet armiqësore në naftë dhe fusha të tjera të ekonomisë, do të vazhdonin. Për ironi të fatit, në vitin 1977, arrestohen ministrat Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe Vasil Kati, si sabotatorë dhe dënohen me vdekje e burgim të gjatë.

Makineria e diktaturës, vazhdoi të hante bijtë e vet. Më 1986-ën, u arrestua grupi i tretë armiqësor, ku përfshiheshin; Petraq Xhaçka, Enriko Veizi, Mynyr Arapi, Petrit Sadushi dhe Luan Këlliçi, të gjithë me grada shkencore. Ishte e trishtueshme të mendojë se ndonjë nga këta, kishte shërbyer dhe si dëshmitar kundër shokëve të vet në gjyqin e vitit 1974. Fisniku fal. Nuredin Skrapari i përmend telegrafisht dhe i fal specialistët e naftës, ata që dëshmuan kundër tij dhe gjeneratës së intelektualëve të viteve ’70-të.

Gjuha e tij në libër, si dhe në jetën e bardhë që bëri, nuk kishte asnjëherë tone urrejtjeje dhe hakmarrjeje. Si një intelektual i vërtetë, që e do dhe i dhimbset Atdheu, libri i z. Skrapari “Tragjedia e inteligjencës së naftës” përfundon me shqetësimin dhe bindjen e tij, se në Shqipëri ka naftë dhe kjo mund të zbulohet. Në libër ai konstaton se prodhimi i naftës, vijoi të binte me shpejtësi.

Autori i librit shkruan: “Në vitin 1991, prodhimi i naftës ra në 900.000 ton, ndërsa në vitin 1976, ishte viti i prodhimit më të lartë, me 2.5 milionë ton naftë”. Porosia e tij, si një amanet i lënë nga ata që s’janë më dhe për ata që do të vijnë, është: “Në Shqipëri, ka ende vend-burime nafte të pazbuluara, që presin mendjen, aftësinë dhe intuitën e gjeologëve të kualifikuar shqiptarë, për t’u zbuluar. Qeverive iu bëj thirrje. për ngritjen e Institutit të Kërkimeve të Naftës, Mineraleve etj.”.

Kështu e përfundon inxhinier gjeolog, Nuredin Skrapari, librin e tij prej 120 faqesh: “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës”, botuar nga Shtëpia Botuese “Migeeralb”, në vitin 2016, të cilin ne si Kontrolli i Lartë i Shtetit e promovuam rreth një vit e gjysmë më parë, së bashku me autorin dhe vëllain e tij të vuajtjeve e të profesionit, z. Kadri Rama. Është një tezë që përkon plotësisht edhe me rekomandimet që si KLSH, që nga viti 2014, i kemi adresuar qeverisë shqiptare, për ri-ngritjen e Institutit të Kërkimeve të Naftës, si një domosdoshmëri për gjetjen e vend-burimeve të reja, por edhe një administrim më të mirë të burimeve ekzistuese.

Me një forcë pene të veçantë, autori shprehet: “Kështu e ‘shpërbleu’ diktatori Hoxha, trurin e inteligjencës së naftës. Shpata e përgjakur e Enver Hoxhës, u ka marrë jetën shumë gjeologëve. Përbindëshi mori jetë intelektualësh rezultativë, të cilët mund të them se kanë hyrë në hierarkinë e kontributit të vlerave dhe të rezultatit, që bashkë me naftëtarët dhe minatorët, mbajtën mbi supe mbijetesën e shqiptarëve në atë izolim ogurzi. Nga mjeshtrit e kërkimit të naftës, ne më të rinjtë, u jemi mirënjohës që duke punuar përkrah tyre, morëm një dhuratë të madhe, përfituam një eksperiencë të papërsëritshme, shprehitë praktike dhe aftësinë e abstragimit”.

“Sabotatorët”, ishin një grup gjeologësh kërkues nafte atdhedashës, të cilët zbuluan vend-burime të mëdha nafte, por me përfitime kolosale që përvetësoheshin nga shteti i diktaturës. Ato konvertoheshin në përfitimin e një shtëpie, rroge mesatare dhe shkollimin e fëmijëve. Gëzimi i jashtëzakonshëm që sillte zbulimi i vend-burimit, na shtonte pasurinë shpirtërore, ishin ngjarje të jashtëzakonshme, përveçse konfirmonin saktësinë e dijeve tona profesionale, ndërsa shtetarët e kthenin në vend pelegrinazhi dhe e vlerësonin rezultat i “punës kolosale të partisë”.

Vija “e kristaltë” e partisë edhe në ekonomi, dështoi, veçanërisht pas rrafshimit të inteligjencës së naftës, madje edhe brezin e dytë. Mizoria e tij nuk arriti të shfarosë përvojën rezultative të arritur me aq mund e sakrificë nga gjeologët shqiptarë, për 45 vjet me radhë, e fituar nëpërmjet një kostoje të kripur, e cila do të sjellë përfitime të mëdha dhe për kohën e sotme.

Marrëzia e Enver Hoxhës ndaj inteligjencës së naftës, nga Stanisllav Zuber në 1947, deri tek Koço Plaku, në vitin 1976 (viti i pushkatimit), e më pas tek të ndëshkuarit e tjerë, buronin nga paniku që i shkaktonin atij varësia prej nesh, zotërues të shkencës së naftës që, në dukje, kishim në dorë rubinetet e naftës, pushtetin ekonomik, por ai kishte jetën tonë.

Akuza, nga ana racionale, ishte e paargumentuar, por e motivuar prej smirës dhe mërisë së tij ndaj nesh. Ai dhe besnikët e tij të paaftë, i trembeshin madhështisë së arrirë në sajë të aftësisë sonë, që buronte nga përkushtimi në fushën e kërkimit të naftës, ku kishin shfaqur aftësi të veçanta”! (Fq. 95-96 të librit). Vepra “Tragjedia e Inteligjencës së Naftës” e z. Skrapari, sa informuese dhe shkencore, është po ashtu po aq politike dhe me vlera të spikatura historike, e vlefshme të lexohet nga të gjithë, sidomos nga brezi i ri.

Gjeologu dhe inxhinieri i talentuar Nuredin Skrapari, zgjodhi një jetë të zezë (të nxirë nga diktatura), me faqe të bardhë, se sa një jetë të bardhë, me faqe të zezë, sikurse do të shprehej poeti i pushkatuar, Vilson Blloshmi. Në cilësinë e Kryetarit të KLSH, i kam përcjellë Institucionit të Presidentit të Republikës kërkesën për akordimin e Urdhrit “Nderi i Kombit” intelektualit të shquar Nuredin Skrapari, pas vdekjes.

Shpreh bindjen se Shkëlqesia e tij, Presidenti i Republikës, do të mundësojë në një të ardhme të afërt akordimin e këtij vlerësimi të lartë, për një nga përfaqësuesit më fisnikë dhe domethënës të plejadës së intelektualëve të naftës shqiptare, të rinj e të vjetër, të zotë, punëtorë të palodhur dhe patriotë të mëdhenj .Nga Ing. Nafte, Bujar Leskaj Memorie.al

225 vjet më parë, masakrimi i shqiptarëve në Jaffa të Izraelit- Nga Beqir Skreli

(Më 10 Mars 1799, Napoleon Buonaparti masakroi 4000 jeniçerë shqiptarë që iu dorëzuan në Besë.)

Kjo nuk është masakër si të tjerat më parë,
Këtu Napi bëri “dasëm” me 4 mijë shqiptarë.

Kur dëgjoi se po i sillnin 4 mijë robër,
U bë si i xhindosur, i iku mëndj’e kokës.
“Ç’janë këta njerëz që më sillni të gjallë?
Me çfarë t’i ushqej, a menduat vallë?”
Dhe i dënoi të vetët që treguan mëshirë,
Se kjo lloj mëshire s’ishte gjë e mirë.

I vendosur t’i hiqte qafe sa më shpejt,
(Sado që Kleberi i tha: “S’ke të drejtë”)
Urdhëroi të rrethohen robërit e uritur,
Të çoheshin të lidhur tek një vend pak i ngritur.
Pasi turma u nis drejt kodrës në marshim,
Boni shkoi vetë të bënte inspektim.
U duk se ktheu mëndje, sikur hoqi dorë,
Se do ishte më mirë të mos bëhej mizor.


Mes turmës së lodhur me pluhur mbuluar,
Bonit i zë syri një jeniçer të moshuar.
Me nënqeshje fodulle dhe vështrim dinak,
“Po ti, i thotë, ç’do këtu mor’ plak?!”
I kthehet jeniçeri pa iu dridhur qerpiku,
Pa dashur t’ia dijë cili është armiku:

“Këtë pyetje, zotëri, nuk e prisja nga ju,
Po përgjiem duke pyetur: Po ti, ç’do këtu?
Dhe unë si zotrote, kam ardhur tek ky vënd,
Ti shërbej sulltanit, si ti sulltanit tënd.”

Një burrëri e tillë ngriti zemrat peshë,
Të gjithë ndalën frymën dhe po mbanin vesh.
Shiko! Dhe vetë Napit i qesh buza, të vrarit,
Duket i pëlqeu përgjigja e shqiptarit.
Kjo, pëshpëritën disa, është shenjë e mirë,
Por ishin gabuar, nuk ishte e tillë.
Jeta s’iu kursye as këtij trimi të ndjerë,
Që e ndau fatin me vëllezërit e tjerë.

Napo trimi u largua para se të fillonte,
Dhe nga largësia shfaqjen po shikonte.
Sinjali u dha, mushqetat s’kanë të pushuar,
Mbi trupat e pambrojtur të shqiptarëve të dorëzuar.
Napi ndiqte shfaqjen si teatër, me dylbi,
“Bravo!” brohoriti kur s’mbet në këmbë njeri.
Ushtarët e tij “humanë” dhe “kreshnikë”,
Kë gjetën të plagosur, e shkuan në thikë.

Ktheu në shqip: Beqir Skreli

Jeniçerët shqiptarë që ishin në mbrojtje të Jaffas (sot pjesë e Tel-Avivit, Izrael), në atë kohë nën Perandorinë Osmane, iu dorëzuan në besë të dërguarve të Gjeneral Buonapartit me kusht që t’iu falej jeta. Përndryshe ishin gati të luftonin deri në vdekje.

Me justifikimin se nuk kishte me çfarë t’i ushqente, Napoleoni i cili nuk ishte bërë akoma perandor, megjithë kundërshtimin e general Kleber, i masakroi shqiptarët deri tek i fundit. Historianët kanë provuar më vonë se pretendimi i Napoleonit ishte i rremë.

John Ashton

1888

Il Piccolo di Trieste (1925)- Intervista me Ceno bej Kryeziun, Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, mbi situatën e brendshme të vendit të tij

Ceno bej Kryeziu (1895 – 1927)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Mars 2024

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, me 7 gusht 1925, në faqen n°2, intervistën ekskluzive të Ceno bej Kryeziut mbi situatën e brendshme asokohe në Shqipëri, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

Kushtet e brendshme të Shqipërisë

Një intervistë me ministrin Ceno Beu

Burimi : Il Piccolo di Trieste, 7 gusht 1925, faqe n°2
Burimi : Il Piccolo di Trieste, 7 gusht 1925, faqe n°2

Zagreb, 6 gusht.

“Obzor-i” merr nga Sushaku (Sušak, Rijeka) : Gjatë kalimit të tij në Sushak, Ministri i Jashtëm shqiptar, Ceno bej Kryeziu, u intervistua nga disa gazetarë që donin të mësonin për kushtet e brendshme të Shqipërisë. I intervistuari tha se në Shqipëri mbretëron rendi më i përsosur, ndaj të gjitha lajmet e shtypit të huaj për trazira dhe çrregullsi nuk kanë asnjë bazë. Kushtet ekonomike gjithashtu janë përmirësuar shumë.

Qeveria shqiptare i dha “Anglo-Persian Oil Company” shfrytëzimin e burimeve të naftës në Shqipërinë e Jugut dhe në të njëjtën kohë kontraktoi me Italinë një burim më të vogël, jo shumë larg Vlorës. Muajin e kaluar u themelua Banka Kombëtare me një kapital prej 50 milionë frangash ari. Marrëdhëniet politike me shtetet fqinje janë të shkëlqyera. Me Jugosllavinë, Shqipëria mban marrëdhënie të mira miqësore. Mosmarrëveshjet në lidhje me rregullimin e kufijve, të cilat për një kohë të gjatë nuk kanë mundur të konsolidojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet Shqipërisë dhe Mbretërisë së Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve, së shpejti do të zgjidhen në kënaqësinë e të dyja palëve. Në këtë drejtim, Dhoma i ka dhënë liri të gjerë veprimi Qeverisë në mënyrë që ajo të përfundojë negociatat për përcaktimin përfundimtar të kufijve të Vermoshit dhe Shën Naumit në liqenin e Ohrit. Për këtë qëllim, delegati i Qeverisë së Tiranës, z. Mehdi Frashëri ndodhet në Beograd dhe është përgjegjës për përfundimin e negociatave.

Shqipëria — përfundoi Ceno Beu — ka marrëdhënie të shkëlqyera me Italinë dhe jam i lumtur të mësoj se mosmarrëveshjet e vogla mes Jugosllavisë dhe Italisë janë zgjidhur plotësisht.

Ceno Beu i shoqëruar nga sekretari i tij u nis për në Beograd. Vizita e tij në kryeqytetin e Jugosllavisë nuk ka karakter politik, aq sa ai shkon në një kohë kur mungojnë shumë ministra jugosllavë. Ceno Beu është ende i ri; është njeri i kulturuar që duket më shumë parizien se sa shqiptar. Ai është kunati i Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ahmed bej Zogu, sepse ëshë martuar me një nga motrat e tij.


Send this to a friend