Voal – Presidenti kinez Xi Jinping vjen në Uashington të enjten për bisedime me presidentin Barak Obama për çështje të mprehta, përfshi sulmet kibernetike, të drejtat e njeriut dhe ekonominë, pasi i kaloi dy ditët e para të vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara duke u përqendruar kryesisht në rëndësinë e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Zoti Xi u takua të mërkurën me udhëheqësit e lartë të disa prej kompanive më të mëdha të teknologjisë amerikane, duke përfshirë Amazon, Apple, Microsoft, Boeing, dhe Facebook. Udhëheqësi kinez i siguroi ata se është i angazhuar për përmirësimin e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe duke e bërë më të lehtë për kompanitë e huaja për të bërë biznes në Kinë.
“Ne jemi duke punuar për të krijuar një sistem të ri të hapur ekonomik, të shtyjmë përpara reformën e menaxhimit të investimeve të huaja, dhe të zvogëlojmë në masë kufizimet mbi investimet e huaja”, u tha zoti Xi drejtuesve, para se të vizitonte kampusin e Microsoft-it dhe një fabrikë të kompanisë Boeing.
Boeing dhe zoti Xi shfrytëzuan rastin për të njoftuar se kompanitë kineze kanë rënë dakord të blejnë 300 avionë nga kompania amerikane me një çmim prej rreth 38 miliard dollarësh. Marrëveshja bën thirrje gjithashtu që gjigandi amerikan i avionëve të ndërtojë një fabrikë në Kinë.
Sulmet kibernetike
Drejtues amerikanë të biznesit janë duke kërkuar garanci personale nga zoti Xi që kompanitë e tyre do të trajtohen në mënyrë të drejtë, kur të bëjnë biznes në Kinë, dhe se Pekini do të pakësojë vjedhjen e supozuar kibernetike të sekreteve tregtare që u ka kushtuar kompanive amerikane miliarda dollarë vitet e fundit .
Në një fjalim të rëndësishëm për politikat të martën, zoti Xi tha se Kina ishte e hapur për më shumë bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara në parandalimin e sulmeve kibernetike. Ai gjithashtu përsëriti deklaratën e zakonshme të qeverisë së tij se Kina është viktimë, dhe asnjëherë autori i sulmeve të tilla.
Presidenti Obama, i cili thotë se ai po shqyrton sanksione kundër Kinës në përgjigje të sulmeve, ka premtuar për t’i bërë sulmet kibernetike një nga temt kryesore në rendin e ditës, kur ai të takohet me homologun e tij kinez.Të dy udhëheqësit do të kenë të enjten në mbrëmje një darkë private, përpara një ceremonie publike mikpritëse të premten në Shtëpinë e Bardhë. Vizita do të kulmojë më vonë të premten me një darkë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë, një nder rezervuar zakonisht për aleatët dhe partnerët më të ngushtë të Shteteve të Bashkuara.
Deti i Kinës Jugore
Një fushë tjetër e mosmarrëveshjeve që pritet të diskutohet është kërkesa e debatueshme territoriale e Kinës në Detin e Kinës Jugore.
Më shqetësuese janë përpjekjet për ndërtimin nga Kina të një ishulli në zinxhirin e ishujve Spratly , pjesë të të cilit janë territore të pretenduara edhe nga Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani.
Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që Kina të ndalojë këto aktivitete, duke i quajtur ato në kundërshtim me normat ndërkombëtare dhe një rrezik për konflikt në rajon.Më parë këtë javë, zoti Xi tha për gazetën Wall Street Journal se Ishujt Spratly kanë qenë territor kinez që nga kohët e lashta.
“Zhvillimi i Kinës dhe mirëmbajtja e objekteve në disa nga ishujt tanë dhe shkëmbinjtë nënujorë në ishujt Nansha nuk ndikojnë apo vënë në shënjestër ndonjë vend tjetër, dhe kjo nuk duhet të keqinterpretohet”, tha zoti Xi për gazetën, duke përdorur emrin kinez për ishujt.
Në fjalimin e tij të martën, zoti Xi theksoi se Kina nuk dëshiron konfrontim me vendet e tjera, dhe nuk do të pengojë lirinë e lundrimit në rajon.
Të drejtat e njeriut
Të drejtat e njeriut në Kinë janë një tjetër burim mosmarrëveshjesh dhe disa grupe të të drejtave të njeriut po i kërkojnë presidentit Obama të mos qëndrojë larg këtyre çështjeve gjatë takimeve të tij me zotin Xi.
“Kjo është një marrëdhënie e madhe dhe e komplikuar, dhe kështu ka shumë tema që kërkojnë vëmendje,” pohoi Sophie Richardson, drejtore e organizatës Human Rights Watch për Kinët. “Por ne sigurisht mendojmë se përkeqësimi i situatës të të drejtave në Kinë meriton vëmendje të veçantë.”
Kur udhëheqësi kinez foli të martën në Seattle, dhjetra protestues u mblodhën për të dënuar ato që ata i shohin si politika të ashpra të Pekinit në Tibet dhe goditjen kundër dizidentëve të tjerë politikë.
Zoti Xi ka gjithashtu gjasa të pritet me protesta në Uashington dhe në Nju Jork, ku ai planifikon të adresojë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Këshilltarja e Sigurisë Kombëtare, Susan Rice, tha se zyrtarët amerikanë do të vazhdojnë të shtyjnë Kinën për të lejuar më shumë lirinë e fjalës, dhe për të eliminuar kufizimet në praktikat fetare.
Bashkëpunimi
Megjithë numrin e madh të mosmarrëveshjeve, një fushë e bashkëpunimit që pritet të theksohet nga të dy drejtuesit është ndryshimi i klimës.
Gjatë vizitës së zotit Obamës në Pekin vitin e kaluar, të dy vendet ranë dakord për të reduktuar emetimet e gazeve që fajësohen për ndryshimet klimatike. Marrëveshja u konsiderua si një moment historik për të dy vendet që janë ndotësit më të mëdhenj në botë.
Të dy palët do të bëjnë të pamundurën për të gjetur gjuhën e përbashkët për qasjen ndaj Koresë së Veriut, e cila po vazhdon të çojë përpara programin e saj bërthamor dhe po kërcënon të kryejë nisjen e një sateliti, që shumë thonë se është një prove e maskuar nga raketa me rreze të gjatë veprimi.
Koreja e Veriut është e ndaluar të kryejë prova bërthamore apo të raketave sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB. Pheniani është një aleat i ngushtë i Pekinit, dhe çdo përpjekje për ta frenuar atë shihet si shenjë e thellimit të bashkëpunimit nga Kina.
Komentet