VOAL

VOAL

Siri: Kurdët i dëbuan militantët e IS-it nga Kobani

June 27, 2015

Komentet

Me cilat shtete Serbia shkëmben të dhëna sekrete?

Jovana Kërstiq, Zoran Gllavonjiq

Nënshkrimi i një marrëveshjeje për shkëmbimin e të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes e ka rikthyer në fokus bashkëpunimin ushtarak mes Serbisë dhe Izraelit.

Autoritetet thonë se marrëveshja e re krijon kushte për bashkëpunim mes dy shteteve në fushën e industrisë së mbrojtjes, por nuk japin hollësi.

Opozita ka kritikuar thellimin e bashkëpunimit me Izraelin, duke vlerësuar se ai po ndodh në një moment të papërshtatshëm, marrë parasysh operacionet ushtarake të këtij shteti në Gazë, dhe përfshirjen e tij në konfliktin me Iranin.

Duke komentuar këto vlerësime, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 5 maj se nuk dëshiron t’i japë llogari askujt, dhe se shteti bashkëpunon si me Iranin, ashtu edhe me Izraelin.

Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë, Nikolla Lluniq, thotë se marrëveshje të tilla janë hapi i parë që shtetet ndërmarrin kur eksportojnë teknologji të sofistikuar ushtarake, dhe supozon se kështu është edhe në këtë rast.

“Asnjë kompani e industrisë së mbrojtjes me produkte moderne nuk do të vijë në një vend të tretë, nëse teknologjia e saj nuk mbrohet në mënyrën e duhur”, shprehet Lluniq për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë (REL).

Qeveria e Serbisë dhe Ministria serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it se çfarë sjell kjo marrëveshje në bashkëpunimin mes dy shteteve. Deri në publikimin e këtij teksti nuk u përgjigj as Ministria e Mbrojtjes e Izraelit.

Izraeli nuk është i vetmi vend me të cilin Serbia shkëmben dhe mbron të dhëna sekrete.

Beogradi ka marrëveshje të tilla me më shumë se 20 vende dhe organizata ndërkombëtare.

Çfarë u nënshkrua me Izraelin?

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe ajo e Izraelit nënshkruan Marrëveshjen e përgjithshme të sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes.

“Qëllimet e kësaj marrëveshjeje janë të sigurojë mbrojtjen e të dhënave sekrete, që transmetohen ose shkëmbehen mes palëve, të sigurojë mbrojtjen e objekteve, sigurinë e personelit dhe çështje të tjera për të cilat palët merren vesh bashkërisht”, tha përfaqësuesi i Ministrisë serbe të Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Mbrojtje.

Ai nuk saktësoi se për cilat projekte bëhet fjalë, por shtoi se nisma për marrëveshjen kishte ardhur nga pala izraelite.

Çfarë janë të dhënat sekrete?

Ligji në Serbi i përkufizon të dhënat sekrete si informacione ose materiale me interes për shtetin, zbulimi i paautorizuar i të cilave mund të dëmtojë interesat e vendit.

Ato, ndër të tjera, mund të lidhen me sigurinë kombëtare dhe publike, marrëdhëniet me shtetet e tjera, mbrojtjen, politikën e jashtme dhe çështjet e inteligjencës.

Në bazë të ligjit, atyre u përcaktohet afati dhe niveli i sekretit, prandaj mund të mbajnë shënimet “sekret shtetëror”, “rreptësisht konfidenciale”, “konfidenciale” ose “të brendshme”.

Në përputhje me marrëveshjet dypalëshe, Serbia mund të disponojë edhe me të dhëna sekrete të një shteti tjetër.

Zbatimi para ratifikimit

Marrëveshja me Izraelin hyri në fuqi para se për ratifikimin e saj të votonin deputetët e Kuvendit të Serbisë.

Me kërkesë të Qeverisë së Serbisë, Komisioni parlamentar për Mbrojtje dhe Punë të Brendshme dha më 29 prill pëlqimin për zbatimin e përkohshëm të marrëveshjes, deri në hyrjen zyrtare të saj në fuqi.

Sipas ligjit, kjo është e mundur nëse Qeveria e arsyeton zbatimin e menjëhershëm me nevojën për urgjencë.

I pyetur nga përfaqësuesit e opozitës se pse po insistohet në procedura urgjente, përfaqësuesi i Ministrisë së Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, tha se zbatimi i marrëveshjes do të mundësojë hyrjen sa më të shpejtë në fuqi të kontratave për “pajisjen me armatim dhe përmirësimin e aftësive operative të Ushtrisë së Serbisë”.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse kjo lidhet me fabrikën e paralajmëruar të dronëve.

Çfarë dihet për fabrikën e dronëve?

Presidenti i Serbisë, Vuçiq, paralajmëroi më 14 prill se shteti serb do të ndërtojë në territorin e vet, së bashku me Izraelin, një fabrikë të “dronëve më të mirë në këtë pjesë të botës”.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese dhe gazeta izraelite Haaretz kanë raportuar se Beogradi është marrë vesh për ndërtimin e fabrikës me gjigantin izraelit të prodhimit të pajisjeve ushtarake, Elbit Systems.

Sipas të dhënave që REL-i i ka marrë nga Ministria serbe për Tregti të Brendshme dhe të Jashtme, Serbia edhe më herët ka blerë armatim dhe pajisje ushtarake nga e njëjta kompani.

Në gusht të vitit 2025, mediat izraelite raportuan se Serbia kishte lidhur me këtë kompani një kontratë për blerjen e armatimit dhe pajisjeve të sofistikuara ushtarake në vlerë prej 1.64 miliard dollarësh.

Autoritetet në Serbi as nuk e kanë konfirmuar, as nuk e kanë mohuar këtë.

Me kë ka Serbia marrëveshje për shkëmbimin e të dhënave sekrete?

Shkëmbimi i të dhënave sekrete me shtete të tjera në Serbi parashihet me ligj, por vetëm nëse ekzistojnë marrëveshje dypalëshe të nënshkruara.

Dokumente të tilla Beogradi ka që nga viti 2011 me NATO-n, me Bashkimin Evropian dhe disa shtete anëtare të tij, me Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Algjerinë, si dhe me shtetet fqinje: Maqedoninë e Veriut, Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi, Kroacinë dhe Hungarinë.

Konsulenti për siguri dhe gjeopolitikë, Lluniq, thotë se marrëveshje të tilla janë veçanërisht të rëndësishme në industrinë e mbrojtjes, në mënyrë që të dhënat të mos përfundojnë te vendet e treta.

“Nëse dy kompani pajtohen për zhvillimin e një projekti, atëherë të dhënat, teknologjia, zhvillimi dhe hulumtimi mbrohen në hollësi përmes procedurave operative dhe rregulloreve, të cilat si bazë ligjore i referohen marrëveshjes mes dy vendeve”, thotë Lluniq për REL-in.

Marrëveshjet për mbrojtjen e të dhënave që në titull nuk e përmbajnë “fushën e mbrojtjes” janë të përgjithshme dhe nuk lidhen ekskluzivisht me bashkëpunimin ushtarak, por përfshijnë të gjitha sektorët ku ka informacione konfidenciale.

Stërvitje të ushtrisë serbe dhe forcave të NATO-s në Bujanoc, Serbi, më 16 qershor 2023.

Stërvitje të ushtrisë serbe dhe forcave të NATO-s në Bujanoc, Serbi, më 16 qershor 2023.

Kryesisht bëhet fjalë për sektorin e sigurisë dhe policisë, në rastet e shkëmbimit të të dhënave për krimin e organizuar, terrorizmin, trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve.

Po ashtu, me marrëveshje të tilla mbrohen raportet konfidenciale që shkëmbejnë ministritë e jashtme të shteteve, sekretet afariste në projekte strategjike si energjetika dhe infrastruktura, si dhe të dhënat në kuadër të ndihmës juridike ndërkombëtare.

E tillë është, për shembull, marrëveshja me BE-në, e nënshkruar më 2011, gjatë qeverisjes së mëparshme të demokratëve.

Ajo mundëson bashkëpunimin në kuadër të politikës së përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, si dhe qasjen në të dhëna të rëndësishme për reformën e sektorit të sigurisë dhe drejtësisë. Marrëveshje të ngjashme ka edhe me Slloveninë, Çekinë, Spanjën, Rumaninë dhe Luksemburgun.

Me marrëveshjen me NATO-n të vitit 2008 u vendosën rregullat për trajtimin e informacioneve konfidenciale në kuadër të programit të bashkëpunimit Partneriteti për Paqe, pjesë e të cilit është Serbia, ndonëse nuk i përket kësaj aleance ushtarake.

Ky dokument ishte kusht për stërvitjet e përbashkëta ushtarake që Serbia zhvillon me anëtaret e aleancës dhe për pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare paqeruajtëse.

Pas ardhjes në pushtet të Partisë Përparimtare Serbe, në tetor të vitit 2014 u nënshkrua me Rusinë marrëveshja për mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete në bashkëpunimin ushtarak dhe ekonomik.

Një muaj më vonë, në Serbi u mbajt stërvitja e parë e përbashkët ushtarake.

Që nga atëherë, Beogradi ka blerë nga Moska avionë të përdorur MiG-29, tanke, automjete të blinduara, helikopterë, sisteme kundërajrore dhe raketa.

Në dhjetë vjetët e fundit, Serbia ka blerë armatim edhe nga Kina, përfshirë sisteme të mbrojtjes kundërajrore, dronë luftarakë dhe raketa balistike supersonike. Çmimi nuk dihet.

Beogradi nuk ka me Pekinin marrëveshje ombrellë për mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete; konfidencialiteti i informacioneve rregullohet me klauzola të veçanta për sekretin brenda kontratave konkrete.

Edhe pse BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë paralajmëruar disa herë autoritetet në Serbi për rreziqet e thellimit të bashkëpunimit ushtarak me Kinën dhe Rusinë, deri më tani kanë munguar masa më konkrete.

As SHBA-ja nuk ka me Serbinë marrëveshje dypalëshe për mbrojtjen e të dhënave sekrete.

Bashkëpunimi zhvillohet në mënyrë të tërthortë përmes marrëveshjeve të veçanta, si Marrëveshja për statusin e forcave e vitit 2006, që rregullon qëndrimin e personelit ushtarak; Marrëveshja për kontrollin e narkotikëve dhe zbatimin e ligjit e vitit 2014; si dhe Traktati për ekstradim i vitit 2016. Beogradi nuk ka blerë armatim modern nga SHBA-ja, ndërsa pala amerikane e ka ndihmuar ushtrinë në Serbi me donacione të automjeteve për terren.

Në marrëveshjen mes Francës dhe Serbisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të të dhënave sekrete, të vitit 2018, thuhet se qëllimi është përcaktimi i rregullave të sigurisë që mund të zbatohen në të gjitha marrëveshjet e bashkëpunimit.

Që nga atëherë, të dy vendet kanë forcuar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, ndërsa Serbia ka blerë nga Franca sisteme kundërajrore dhe radarë, si dhe helikopterë.

Me një kontratë të vitit 2024, në vlerë prej 2.7 miliardë eurosh, Beogradi porositi nga Parisi 12 avionë luftarakë Rafale.

Eksporti i armëve drejt Izraelit

Marrëveshja e nënshkruar me Izraelin është specifike sepse fokusohet në fushën e mbrojtjes.

Dërgesat e municionit nga Serbia drejt Izraelit, sipas presidentit serb Vuçiq, janë përshpejtuar që nga tetori i vitit 2023.

Atëherë Izraeli u sulmua nga Hamasi, organizatë palestineze që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë terroriste.

Izraeli më pas nisi ofensivën tokësore në Rripin e Gazës, e cila çoi në viktima të shumta civile palestineze, shkatërrim të qyteteve dhe krizë humanitare.

Pavarësisht thirrjeve të Kombeve të Bashkuara që shitja e pajisjeve ushtarake për këtë vend të pezullohej, ekipe ndërkombëtare gazetarësh hulumtues kanë raportuar se eksporti i armëve nga Serbia drejt Izraelit është rritur 30 herë.

Pas sulmit të Izraelit ndaj Iranit në qershor të vitit 2025, Vuçiq vlerësoi se të dyja shtetet janë “miqësore” me Serbinë, ndërsa Ministria serbe e Mbrojtjes njoftoi se eksporti i armatimit dhe pajisjeve ushtarake, sipas udhëzimeve të tij, ishte pezulluar.

REL-i ka konstatuar se vetëm gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti, dy avionë mallrash të një kompanie private ajrore izraelite kanë qenë në Beograd të paktën nëntë herë.

Bëhet fjalë për avionë të specializuar për transportin e ngarkesave, përfshirë armatimin.

Sipas informacioneve që REL-i i ka konfirmuar nga dy fabrika shtetërore të armëve, eksporti i armatimit jashtë vendit është rifilluar që nga shkurti.

REL-i ka kërkuar disa herë, në bazë të ligjit për qasje të lirë në informacionet me rëndësi publike, të dhëna për lejet e importit dhe eksportit të armëve drejt Izraelit. Të dhënat nuk janë dorëzuar.

Sipas të dhënave të Entit Republikan të Statistikave në serbi, në vitin 2025 në Izrael janë eksportuar armatim dhe municion në vlerë prej rreth 1.3 milion dollarësh.

Kjo nuk do të thotë se këto janë shumat përfundimtare, sepse ato tregojnë vetëm një pjesë të eksportit të armëve.

Të dhënat e sakta nuk janë të qasshme publikisht, pasi shteti prej disa vjetësh nuk publikon se çfarë armatimi dhe pajisjesh ushtarake ka eksportuar, kujt, në çfarë sasie dhe me çfarë çmimi.

Kina bën thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Iran në prag të takimit Trump–Xi

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi (djathtas), takohet me homologun e tij iranian, Abbas Araqchi, në Pekin më 9 maj.

 

Radio Evropa e Lirë

Pekini e ka ripërsëritur thirrjen për një “armëpushim gjithëpërfshirës” në konfliktin Iran–SHBA dhe për rikthimin e lëvizjes normale në Ngushticën e Hormuzit. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, e nisi vizitën e tij të parë në Kinë qëkurse nisi shpërthimi i konfliktit në fund të shkurtit.

Ministri i Jashtëm, Wang Yi, tha pas një takimi me Araqchin më 6 maj në kryeqytetin kinez se Kina do të punojë “më fuqishëm” për të ndihmuar në përfundimin e luftimeve dhe për të luajtur “rol më të madh në rikthimin e paqes dhe qetësisë në Lindjen e Mesme”.

“Kina beson se ndalja e plotë e armiqësive është e domosdoshme, rifillimi i konfliktit është i papranueshëm dhe vazhdimi i negociatave është veçanërisht i rëndësishëm”, tha Wang, sipas një deklarate nga Ministria e tij pas takimit.

Takimi mes tyre vjen një javë para se presidenti amerikan, Donald Trump, të takohet me homologun e tij kinez, Xi Jinping.

Takimi i Araqchit me Wang erdhi në mes të raportimeve se Teherani dhe Uashingtoni janë pranë një marrëveshjeje për një memorandum njëfaqësh për t’i dhënë fund luftës në Gjirin Persik.

Media amerikane Axios ishte e para që raportoi për memorandumin e propozuar. Zyrtarët në Uashington nuk i janë përgjigjur menjëherë kërkesës për koment.

Ndër dispozitat e tjera, sipas Axios, marrëveshja do të përfshinte angazhimin e Iranit për një moratorium mbi pasurimin bërthamor, pajtimin e Shteteve të Bashkuara për të hequr sanksionet dhe për të liruar miliarda dollarë fonde iraniane të ngrira, si dhe heqjen e kufizimeve nga të dyja palët për anijet që lundrojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Komentuesit politikë në Iran e kanë mirëpritur gjerësisht vizitën e Araqchit në Pekin, duke e përshkruar atë si një lëvizje thelbësore kundërlëvizje para takimit midis Trump dhe Xi.

Analisti Mostafa Najafi shkroi në platformën X se koha e vizitës është vendimtare, duke paralajmëruar se “pasiviteti dhe mungesa e iniciativës” nga tani deri në mbërritjen e Trumpit në Pekin “mund të jenë të rrezikshme”.

Najafi theksoi përpjekjet e vazhdueshme të SHBA-së për të hartuar një rezolutë të re të Këshillit të Sigurimit të OKB-së kundër Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, duke e paraqitur udhëtimin e Araqchit si paraprirje të nevojshme ndaj përpjekjeve amerikane për të ndikuar në politikën kineze karshi Iranit para bisedimeve Trump–Xi.

Strategu Mostafa Kharratian argumentoi se vizita duhet të shërbejë si një pikënisje për dialog të plotë strategjik dypalësh dhe trepalësh mes Teheranit, Pekinit dhe Moskës.

Ai pohoi se supozimi kryesor i Uashingtonit, se Irani do të dorëzohet i pari në një luftë ekonomike, mund të bjerë, nëse Teherani siguron financim kinez prej rreth 20 miliardë dollarësh për të kompensuar ndikimin e bllokadës detare amerikane.

Kharratian gjithashtu theksoi sinjale të fundit nga Moska dhe Pekini, përfshirë pritjen në nivel të lartë të Araqchit nga Rusia dhe aktivizimin e paprecedentë nga Kina të ligjit të saj për bllokimin e sanksioneve, si dëshmi se kushtet për një përgjigje të koordinuar ndaj presionit amerikan janë vendosur.

Komentatori Erfan Ebrahimi bëri një krahasim me rolin ndërmjetësues të Pakistanit, duke argumentuar se Pekini – ndryshe nga Islamabadi – ka peshë të mjaftueshme politike për të vepruar si “nismëtar” dhe “garantues” i çdo marrëveshjeje të mundshme midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës.

Papa Leoni XIV thirrje për t’i dhënë fund konflikteve: Të ndalojmë dhunën dhe të promovojmë paqen

Papa Leoni XIV ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftërave dhe për të punuar për paqen në botë.

“Kisha është e ngarkuar edhe me misionin për të folur qartë dhe për të hedhur poshtë gjithçka që e degradon jetën dhe pengon zhvillimin e saj, të marrë një qëndrim për të varfrit, të shfrytëzuarit, viktimat e dhunës të luftës. Kisha është e thirrur të pranojë me përulësi brishtësinë dhe kalimtarinë njerëzore të institucioneve të saj, të cilat, ndërsa i shërbejnë Mbretërisë së Perëndisë, mbajnë imazhin kalimtar të kësaj bote”, ka nënvizuar ia.

Kjo thirrje e Papës vjen në një kohë konfliktesh dhe luftërash, të cilat kanë shkaktuar  viktima të shumta. bw

Si u bë nipi i Ramzan Kadyrovit shtetas i Serbisë për katër ditë?

Jakub Zakriyev dhe daja i tij, Ramzan Kadyrov – fotografi e vitit 2022.

 

Sonja Goçanin

Jakub Zakriyev, nipi i presidentit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, ishte shtetas i Serbisë vetëm katër ditë.

Qeveria e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se përse iu dha shtetësia dhe më pas iu hoq nipit të liderit të republikës ruse dhe bashkëpunëtorit të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Zakriyev ndodhet në listën e sanksioneve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar, për shkak të përfshirjes në institucionet ruse.

Nën sanksione nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian është edhe lideri i Çeçenisë, Ramzan Kadyrov, i cili prej vitesh përballet me akuza për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, përfshirë rrëmbime, tortura, vrasje dhe përndjekje të komunitetit LGBT.

Vendimin për t’i dhënë shtetësinë nipit të tij e nënshkroi më 24 prill kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.

“Kjo nuk mund të shpjegohet me politikë racionale”, thotë ish-diplomati serb, Sreqko Gjukiq.

“Është interes personal, shlyerje borxhi ndaj Rusisë dhe Kadirovit”, shton ai për Radion Evropa e Lirë.

Macut, katër ditë pas vendimit për dhënien e shtetësisë, nënshkroi edhe vendimin për shfuqizimin e saj.

Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.

Kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut.

Për veprimin e fundit, Qeveria serbe iu referua Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative.

Në këtë ligj thuhet se vendimi mund të shfuqizohet “për të eliminuar një rrezik të rëndë dhe të menjëhershëm për jetën dhe shëndetin e njerëzve, sigurinë publike, rendin dhe qetësinë publike, ose për të shmangur çrregullimet në ekonomi”.

Gjukiq vlerëson se Serbia e tërhoqi vendimin për shtetësinë për shkak të paralajmërimeve nga Bashkimi Evropian.

“Është e qartë se kërkohet që Serbia të ndërpresë praktikën e dhënies së shtetësive, në mënyrë që Bashkimi Evropian të mos vendosë masa të caktuara”, thotë ai.

Në BE nuk iu përgjigjën kërkesës së Radios Evropa e Lirë për të komentuar vendimin për dhënien dhe më pas heqjen e shtetësisë së nipit të liderit çeçen.

Serbia, edhe në vitet e kaluara, ka dhënë shtetësi përmes një procedure të veçantë, sipas së cilës shtetasit e vendeve të tjera mund ta fitojnë atë nëse një gjë e tillë paraqet “interes për Serbinë”.

Më shumë se 150 rusë, pas pushtimit të Ukrainës, kanë marrë shtetësinë serbe.

Bashkimi Evropian, në raportin për vitin 2025, ka paralajmëruar Beogradin se kjo përbën rrezik potencial sigurie për BE-në, pasi shtetasit rusë, në këtë mënyrë, fitojnë të drejtën e udhëtimit pa viza në BE.

Edhe pse është kandidate për anëtarësim në BE, Serbia mban marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe nuk u është bashkuar sanksioneve kundër këtij vendi, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Kush është Jakub Zakriyev?

Ibrahim Zakriyev, i njohur edhe si Jakub, u bë një nga kryebashkiakët më të rinj në Rusi – në moshën 27-vjeçare.

Në vitin 2018, ai u emërua kryebashkiak i Groznit – kryeqytetit të Çeçenisë.

Në shkurt të vitit 2020, ai mori detyrën e shefit të administratës së presidentit dhe Qeverisë së Çeçenisë, dhe më pas u bë zëvendëskryeministër dhe ministër i Bujqësisë.

Zakriyev u emërua edhe drejtor i degës ruse të kompanisë franceze Danone, pasi Rusia e konfiskoi atë.

Menjëherë pas transferimit të pronësisë, Danone në Rusi u riemërua në shoqërinë aksionare H&N (Health & Nutrition).

Në mars të vitit 2024, Putin e anuloi nacionalizimin e Danone-s, ndërsa mediat ruse raportuan se ishte arritur marrëveshje për shitjen e saj te persona privatë.

Sipas raportimeve, pronësia duhej të ndahej 50:50 mes nipit të Kadyrovit dhe kompanisë Vamin nga Tatarstani.

Në maj të vitit 2024, shitja e degës ruse të Danone-s përfundoi dhe ajo i kaloi kompanisë Vamin.

Sipas një deklarate të vitit 2023 nga Departamenti amerikan i Shtetit, Zakriyev gjendet në listën e sanksioneve për shkak të lidhjeve me familjen e Ramzan Kadyrovit, si dhe për faktin se ka qenë “drejtues i degës ruse të një kompanie evropiane, pasi Federata Ruse i konfiskoi asetet e saj”.

Dhënia e shtetësisë, “jotransparente”

Për ish-diplomatin Gjukiq, dhënia e shtetësisë në Serbi është jotransparente dhe ngre “shumë pyetje dhe dyshime”.

Gjukiq thekson se në shumicën e rasteve, është e paqartë se çfarë interesi ka Serbia në dhënien e shtetësisë qytetarëve rusë, pasi autoritetet nuk i shpjegojnë publikisht vendimet e tilla.

Në këtë rast specifik, ai beson se Serbia, “në parim”, nuk kishte interes t’i jepte shtetësinë Zakriyevit.

Por, shton se kjo nuk është hera e parë që Serbia i jep shtetësi “një qytetari rus nën sanksione, ose dikujt nga rrethi i tij i ngushtë që është nën sanksione”.

Kush mori shtetësinë serbe?

Së paku katër qytetarë rusë morën shtetësinë serbe edhe pse ishin nën sanksione nga Britania e Madhe dhe Kanadaja në atë kohë, raportoi rrjeti hulumtues BIRN, në vitin 2025.

Atë vit, Radio Evropa e Lirë raportoi se shtetësia serbe iu dha edhe Iman Sumajdovna Khalidovës, e cila, sipas të gjitha të dhënave, është vajza e Sumajdov Khalidovit – sipërmarrës dhe atlet nga Çeçenia.

Në maj të vitit 2023, edhe vetë Khalidov mori shtetësinë serbe përmes një procedure të veçantë.

Në fillim të gushtit të vitit 2022, biznesmeni rus, Oleg Cherepanov, mori pasaportën serbe, dhe në fund të korrikut, Arkady Mutavchi, ish-drejtor ekzekutiv i një furnizuesi për Departamentin e Menaxhimit të Pronave të Kremlinit, mori gjithashtu pasaportën serbe.

Numri i shtetësive të dhëna nga Qeveria e Serbisë u rrit ndjeshëm që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, më 2022, dhe pas vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë dhe njerëzve të afërt me Kremlinin.

Nga viti 2010 deri në vitin 2015, midis pesë dhe 13 personave iu dha shtetësia serbe brenda një viti, ndërsa viti i parë i luftës në Ukrainë solli një numër rekord vendimesh për dhënien e shtetësisë: 64.

Që atëherë, më shumë se 150 shtetësi serbe iu dhanë vetëm qytetarëve rusë.

Paralajmërimet nga Brukseli

Bashkimi Evropian paralajmëroi disa herë kundër praktikës së dhënies së pasaportave serbe qytetarëve rusë.

Raporti i fundit i zgjerimit i vitit 2025 vlerësoi se politika e vizave e Serbisë nuk është plotësisht në përputhje me atë të Bashkimit Evropian dhe se dhënia e pasaportave qytetarëve rusë është “shkak për shqetësim”.

“Duhet të zbatohen kontrolle të rrepta sigurie kur u jepet shtetësia serbe qytetarëve rusë, pasi mbajtësit e pasaportave serbe përfitojnë nga udhëtimi pa viza në BE”, u tha në raport.

Në këtë kontekst, BE-ja i bëri disa rekomandime Serbisë që të përafrohej më tej me politikën e vizave të BE-së.

Marrëdhëniet Çeçeni-Serbi

Zyrtarët çeçenë kanë vizituar Serbinë disa herë në vitet e fundit.

Dzhambulat Umarov, ish-zëvendëskryeministër i republikës ruse të Çeçenisë dhe ministër i Informacionit, prezantoi librin e tij në vitin 2023 në qendrën ruse për shkencë dhe kulturë në Beograd, e njohur si Shtëpia ruse.

Umarov është bashkëpunëtor i ngushtë i udhëheqësit çeçen, Ramzan Kadyrov.

Në nëntor të vitit 2022, përfaqësuesi i kreut të Çeçenisë në vendet arabe dhe myslimane, Turko Daudov, vizitoi Serbinë, ku u takua edhe me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Daudov shkroi atëkohë në faqen e tij në Instagram se ia përcolli përshëndetjet e Kadyrovit Vuçiqit dhe gjithë popullit serb.

Ai tha se “marrëdhëniet vëllazërore shekullore midis Rusisë dhe Serbisë kanë demonstruar edhe një herë forcën e tyre”.

Në përgjigje, Vuçiq deklaroi se populli rus është vëllazëror ndaj serbëve dhe se këto marrëdhënie “nuk mund të shkatërrohen nën asnjë presion”.

Në atë kohë nuk dihej se cili ishte qëllimi kryesor i takimit dhe tema e bisedës së dy politikanëve.

Në janar të atij viti, një delegacion nga Serbia vizitoi Çeçeninë dhe vendet vendosën të bashkëpunonin në boks.

Sipas një deklarate nga Federata Serbe e Boksit, Kadyrov kishte ndërmend të organizonte stërvitje për ekipet kombëtare serbe dhe ruse në Grozni dhe të zhvillonte më tej marrëdhëniet me Beogradin “për të mirën e të dyja vendeve”.

Në vitin 2021 u përmend publikisht edhe një iniciativë për të themeluar një shkollë fetare në Novi Pazar, në Serbinë jugperëndimore, e cila do të merrte emrin e Ahmad Kadyrovit, babait të ndjerë të udhëheqësit çeçen.

Por, tash për tash, nuk ka informacione zyrtare në lidhje me zbatimin e kësaj iniciative.

Përgatiti: Valona Tela

Dokumentoi urinë dhe shkatërrimin në Gaza, fotografi palestinez fiton çmimin Pulitzer

Fotografi palestinez Saher Alghorra fitoi çmimin Pulitzer për fotografi të lajmeve të fundit (breaking) të hënën për “serinë e tij tronditëse dhe të ndjeshme”, që dokumenton urinë dhe shkatërrimin në Gaza si pasojë e sulmeve izraelite.

Çmimet Pulitzer 2026, të shpallura në Universiteti Columbia, nderuan gjithashtu Julia K. Brown me një citim të veçantë për zbulimin e “abuzimit sistematik të grave të reja” nga Jeffrey Epstein dhe “sistemin e drejtësisë që e mbrojti atë”.

Po ashtu, Associated Press fitoi për raportim ndërkombëtar mbi një hetim global të mbikëqyrjes, ndërsa The New York Times mori një çmim për zbulimin se si presidenti i SHBA-së Donald Trump “shkatërroi kufizimet mbi konfliktet e interesit” për të pasuruar familjen e tij.

Themeluar në vitin 1917, këto çmime prestigjioze njohin shërbimin e jashtëzakonshëm publik në gazetarinë amerikane./ AA.

Reuters: Iranit mund t’i duhet deri në një vit për të pasur armë bërthamore

Vlerësimet më të fundit të inteligjencës amerikane tregojnë se afati kohor që do t’i nevojitej Iranit për të ndërtuar një armë bërthamore nuk ka pësuar ndryshime që nga vera e kaluar, pavarësisht përshkallëzimit të tensioneve dhe konfliktit të fundit në rajon.

Të dhënat e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike tregojnë se Irani disponon sasi të mjaftueshme uraniumi të pasuruar në nivele të larta për të prodhuar deri në 10 bomba bërthamore, nëse materiali përpunohet më tej. Megjithatë, agjencia nuk ka arritur të verifikojë vendndodhjen e rreth 440 kilogramëve uranium të pasuruar në 60%.

Ekspertët theksojnë se materiali bërthamor mund të jetë i fshehur në objekte të thella nëntokësore, të cilat janë të vështira për t’u goditur nga arsenali konvencional.

“Irani ende zotëron të gjithë materialin e tij bërthamor, për aq sa dimë”, është shprehur ish-analisti amerikan Eric Brewer.

Ndërkohë, sipas vlerësimeve të inteligjencës dhe IAEA-s, Irani ka ndërprerë programin aktiv për zhvillimin e kokave bërthamore që në vitin 2003, edhe pse kapacitetet teknike dhe infrastruktura mbeten një shqetësim i vazhdueshëm për Perëndimin.

Zyrtarë të administratës amerikane, përfshirë Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, argumentojnë se sulmet ndaj sistemeve të mbrojtjes ajrore iraniane kanë dobësuar aftësinë e vendit për të mbrojtur objektet e tij bërthamore në rast të një përpjekjeje për armatim të shpejtë.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka theksuar se operacionet ushtarake, përfshirë “Midnight Hammer” dhe “Epic Fury”, kanë dëmtuar ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse dhe industriale të Iranit. Edhe zëvendëspresidenti J.D. Vance ka deklaruar se qëllimi mbetet i pandryshuar: parandalimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore.

Pas një armëpushimi të arritur më 7 prill, tensionet mes palëve mbeten të larta. Situata është komplikuar më tej nga kufizimet e Iranit në Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin global me naftë, duke shkaktuar pasoja në tregjet energjetike ndërkombëtare.

Në këtë klimë të brishtë, zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë edhe opsione të tjera, përfshirë operacione tokësore për të siguruar materiale bërthamore të dyshuara në objekte nëntokësore, ndërsa vrasjet e disa shkencëtarëve bërthamorë iranianë nga Izraeli kanë shtuar pasiguritë mbi aftësinë e Teheranit për të zhvilluar një armë funksionale.

Ekspertët paralajmërojnë se, megjithëse njohuritë teknike nuk mund të eliminohen plotësisht, humbja e personelit kyç mund të ndikojë ndjeshëm në ecurinë e programit bërthamor iranian. bw

Konflikti në Iran – Anijet amerikane kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se dy anije tregtare me flamur amerikan kanë kaluar me sukses nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Komanda Qendrore e SHBA-së gjithashtu tha se shkatërruesit me raketa të drejtuara nga Marina po operojnë në Gjirin Arabik pasi kanë kaluar nëpër rrugën ujore kyçe në mbështetje të “Operacionit Liria”.

Ky është emri që i është dhënë operacionit të njoftuar nga Trump dje.

Ai deklaroi se SHBA do të fillojë të udhëzojë anijet “në mënyrë të sigurt” jashtë Ngushticës së Hormuzit.

Raportohet se mbështetja ushtarake për misionin do të përfshijë shkatërrues me raketa, aeroplanë dhe 15,000 trupa.

Sipas Trumpit, ky është një “gjest humanitar në emër të SHBA-së, vendeve të Lindjes së Mesme, por, në veçanti, të Iranit”. /Telegrafi

“Frikë për atentate e grusht shteti në Rusi”- CNN: Kremlini shton masat e sigurisë për Vladimir Putinin

Të gjitha këto masa vijnë, pas një raporti të inteligjencës evropiane të siguruar nga CNN. Pra, zyrtarët e sigurisë janë angazhuar në një rritje të mbikëqyrjes dhe kufizimeve për këdo që hyn në pallatin presidencial rus.

 

RUSI- Kremlini ka rritur sigurinë rreth Presidentit Vladimir Putin, duke instaluar sisteme mbikëqyrjeje në shtëpitë e bashkëpunëtorëve të ngushtë, si pjesë e masave të reja të nxitura nga një valë vrasjesh të figurave të larta ushtarake ruse dhe frika e një grushti shteti. Të gjitha këto masa vijnë, pas një raporti të inteligjencës evropiane të siguruar nga CNN. Pra, zyrtarët e sigurisë janë angazhuar në një rritje të mbikëqyrjes dhe kufizimeve për këdo që hyn në pallatin presidencial rus.

Kuzhinierët, truprojat dhe fotografët që punojnë për presidentin u ndalohen të udhëtojnë me transport publik. Të gjithë personat që vijnë të vizitojnë Shefin e Kremlinit duhet të kontrollohen dy herë dhe ata që punojnë pranë tij mund të përdorin vetëm telefona pa qasje në internet. Sipas raportit, Putin dhe familja e tij kanë ndaluar së shkuari në rezidencat e tyre të zakonshme në rajonin e Moskës dhe në Valdai, shtëpia verore e presidentit që ndodhet midis Shën Petersburgut dhe kryeqytetit.

Ai nuk ka vizituar asnjë strukturë ushtarake këtë vit deri më tani, thotë raporti, pavarësisht udhëtimeve të rregullta në vitin 2025. Për të anashkaluar këto kufizime, Kremlini publikon imazhe të pararegjistruara të tij. Që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, Putini gjithashtu kalon javë të tëra në bunkerë, shpesh në Krasnodar, një rajon bregdetar që kufizohet me Detin e Zi, vetëm disa orë larg Moskës.

Raporti përshkruan detaje potencialisht të sikletshme të një shpërthimi në komandën ushtarake dhe të sigurisë ruse mbi atë se kush ishte përgjegjës për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë diçka që thuhet se nxiti rishikimin e protokolleve të Putinit dhe zgjerimin e një niveli më të lartë të sigurisë personale për 10 komandantë të tjerë të lartë.

‘Rrezik për një grusht shteti’

Raporti thotë se, që nga fillimi i marsit 2026, Kremlini dhe vetë Vladimir Putini kanë qenë të shqetësuar për rrezikun e një komploti ose përpjekjeje për grusht shteti që synon presidentin rus. Ai është veçanërisht i kujdesshëm ndaj përdorimit të dronëve për një përpjekje të mundshme për vrasje nga anëtarët e elitës politike ruse.

Sipas raportit, ish-ministri i mbrojtjes, Sergei Shoigu, që tani është sekretar i Këshillit të Sigurisë, shihet si rrezik për grusht shteti sepse ka ende shumë ndikim te drejtuesit e lartë ushtarakë. Raporti nuk ofron prova për të mbështetur pretendimet kundër Shoigut, i cili më parë shihej si shumë i afërt me Putinin, dhe një përpjekje për të rrëzuar presidentin rus do të shënonte një ndryshim të madh në besnikëri.

Duke qenë se publikimi i tij mund të ketë për qëllim destabilizimin e Kremlinit, është e dukshme që shërbimi i inteligjencës evropiane në të njëjtën kohë do ta paralajmëronte në mënyrë efektive Kremlinin për një grusht shteti të mundshëm.  Putini i mbijetoi një përpjekjeje të mëparshme për grusht shteti në qershor 2023, kur shefi mercenar Yevgeny Prigozhin udhëhoqi një marshim të dështuar drejt Moskës./Dosja.al

Tregu i energjisë në tronditje globale, dobësohet roli i OPEC! Vihet në pikëpyetje dominimi i Arabisë Saudite, Rusia vë në presion Europën

Tregu global i energjisë po përjeton luhatje të forta për shkak të krizës në Lindjen e Mesme. Çmimi i naftës bruto arriti deri në 126 dollarë për fuçi, niveli më i lartë në katër vite, përpara se të binte sërish. Pasiguria në furnizim dhe zhvillimet gjeopolitike po ndikojnë drejtpërdrejt në tregje.

 

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, nga ku kalon mbi 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz, ka shkaktuar tronditje të mëdha. Sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në Katar dhe tensionet me Iranin kanë përkeqësuar situatën, duke ulur rezervat dhe rritur presionet inflacioniste në ekonominë globale.

Kriza ka dobësuar rolin e OPEC dhe ka vënë në pikëpyetje dominimin e Arabisë Saudite. Ndërkohë, vendet e Gjirit po kërkojnë rrugë alternative për eksportet, por kapacitetet aktuale mbeten të kufizuara krahasuar me volumin që kalonte përmes Hormuzit.

Shtetet e Bashkuara po dalin ndër përfituesit kryesorë, duke rritur ndjeshëm eksportet e naftës dhe karburanteve. Nga ana tjetër, Rusia po shfrytëzon çmimet e larta, duke hequr zbritjet për tregjet aziatike dhe duke ushtruar presion energjetik ndaj Evropës.

Sulmet në Katar kanë dëmtuar rëndë impiantet e gazit të lëngshëm, duke ndërprerë një pjesë të madhe të eksporteve dhe duke rritur çmimet e gazit në nivele rekord. Sipas vlerësimeve, kjo mund të çojë në rritje të inflacionit dhe rrezik recesioni në Eurozonë.

Në të njëjtën kohë, kriza po përshpejton ndryshimet në tregun global të energjisë. SHBA dhe vendet e Amerikës pritet të rrisin prodhimin e naftës, ndërsa Kina po forcon pozitat në teknologjitë e energjisë së rinovueshme, veçanërisht në energjinë diellore, duke rritur eksportet në nivele rekord.

Tregu global po hyn në një fazë të re, ku balancat e vjetra po ndryshojnë dhe konkurrenca për dominim energjetik po zhvendoset mes fuqive të mëdha. Panorama

Çfarë përfshin propozimi me 14 pika i Iranit për SHBA-në për t’i dhënë fund luftës

Teherani ka paraqitur një propozim me 14 pika për përfundimin e luftës, përmes ndërmjetësimit të Pakistanit, ndërsa administrata Trump vijon të mbajë në fuqi bllokadën detare, të shqyrtojë opsione ushtarake dhe të miratojë paketa të mëdha armatimi për aleatët në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan, Donald Trump ka lënë të kuptohet se propozimi i ri vështirë se do të pranohet.

Sipas agjencisë gjysmëzyrtare Tasnim, Teherani ka dorëzuar një përgjigje me 14 pika ndaj një plani amerikan me nëntë pika për përfundimin e konfliktit.

Propozimi iranian thekson përfundimin e plotë të armiqësive, duke refuzuar idenë e një “ngrirjeje” të përkohshme apo armëpushimi dy-mujor, dhe kërkon zgjidhjen e çështjeve themelore brenda 30 ditëve. Sipas Iranit, prioritet duhet të jetë përmbyllja përfundimtare e luftës dhe jo zgjatja e një armëpushimi të përkohshëm.

Plani iranian përfshin kërkesa për garanci kundër veprimeve ushtarake, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat përreth Iranit, heqjen e bllokadës detare dhe të sanksioneve ekonomike, zhbllokimin e aseteve të ngrira iraniane, pagesën e kompensimeve, si dhe ndërprerjen e armiqësive në disa fronte, përfshirë edhe Libanin. Gjithashtu, propozohet një kuadër i ri për funksionimin e Ngushticës së Hormuzit, një korridor kyç energjetik që mbetet i mbyllur që nga fillimi i konfliktit më 28 shkurt.

“Topi është në fushën e SHBA-ve”, deklaroi Ministria e Jashtme e Iranit, duke theksuar se vendi është i gatshëm si për rifillimin e negociatave, ashtu edhe për rikthimin në operacione ushtarake.

Pakistani ka luajtur një rol qendror në ndërmjetësim, duke kontribuar në arritjen e një armëpushimi në fillim të prillit dhe në organizimin e bisedimeve në Islamabad, me synimin për të ruajtur këtë rol deri në përfundimin e krizës.

Nga ana tjetër, reagimi i presidentit Donald Trump ishte i rezervuar. Përmes platformës Truth Social, ai deklaroi se do ta shqyrtojë planin iranian, por shtoi se e konsideron të vështirë pranimin e tij. “Nuk mund të imagjinoj se do të jetë i pranueshëm, pasi nuk kanë paguar mjaftueshëm për atë që kanë bërë ndaj njerëzimit dhe botës gjatë 47 viteve të fundit”, u shpreh ai. syri,net

Mister në Oslo, vret veten djali i diplomatëve norvegjezë që mori trashëgimi prej 5 milionë dollarësh nga Jeffrey Epstein!

Edward Juul Rod-Larsen, 25 vjeç, u gjet i vdekur në Oslo, në një rast që po zhvillohet paralelisht me hetimin mbi kontaktet e dyshuara të familjes së tij me Jeffrey Epstein.


Vdekja e tij ndodhi ndërsa hetimet janë duke u zhvilluar për prindërit, dy diplomatë të njohur norvegjezë.

Autoritetet norvegjeze, në bashkëpunim me policinë franceze, po hetojnë aktivitetet e Terje Rod-Larsen dhe Mona Juul, pas raportimeve që i lidhin ata me mjedisin e Epstein.

Interesi i autoriteteve u intensifikua kur u zbulua se në testamentin e tij, Epstein  dyshohet se kishte siguruar 10 milionë dollarë për Edwardin dhe motrën e tij binjake, Emma, ​​një shumë e ngjashme me atë që i atribuohet Ghislaine Maxwell.

Familja pretendon se nuk ka marrë kurrë asnjë pjesë të shumës, duke vënë në dukje se mësuan për ekzistencën e dispozitës përkatëse ekskluzivisht përmes botimeve. Në të njëjtën kohë, sqaron se dy fëmijët nuk janë përballur kurrë me ndonjë akuzë.

Njoftimi i familjes

Avokatët e familjes, Thomas Skjelbred dhe John Christian Elden, konfirmuan vdekjen e 25-vjeçarit, duke ia atribuar atë publicitetit të fortë që ishte krijuar në muajt e fundit.

“Çështja po zhvillohet në hijen e muajve të publicitetit të fortë, i cili ka pushuar së qeni kritik dhe është shndërruar në të dyshimtë, spekulativ dhe, nganjëherë, të pakontrolluar”, thanë ata në një deklaratë për gazetën norvegjeze VG.

E njëjta deklaratë theksoi se ekspozimi publik ka prekur jo vetëm prindërit, por edhe fëmijët e tyre, të cilët, siç u tha, “u tërhoqën kundër vullnetit të tyre në mekanizmin e pamëshirshëm të opinionit publik”.

Sfondi diplomatik ndërkombëtar

Dyshja e diplomatëve kishin fituar njohje ndërkombëtare për rolin e tyre në Marrëveshjet e Oslos në vitet 1990.

Terje Rod-Larsen ka shërbyer si zëvendëssekretare e përgjithshme e OKB-së, ndërsa Mona Juul shërbeu si ambasadore e Norvegjisë në Jordani, nga e cila dha dorëheqjen në shkurt, duke pranuar se kishte nënvlerësuar shkallën e kontakteve me Epstein, por duke sqaruar se ato lindën përmes bashkëshortit të saj.

Ministria e Jashtme e Norvegjisë ka njoftuar një rishikim të marrëdhënieve dhe financimit me Institutin Ndërkombëtar të Paqes, të cilin e drejtonte Rod-Larsen.

Në të njëjtën kohë, raportet thonë se dokumentet amerikane e lidhin atë me procedurat e vizave në emër të Epstein, si dhe me transaksione financiare me vlerë 250,000 dollarë në vitin 2015.

Autoritetet norvegjeze po hetojnë mundësinë e “korrupsionit serioz” dhe bashkëpunimit të mundshëm, me çiftin që mohon kategorikisht çdo përfshirje. gsh

U “përplas” me Merzin për Iranin, Trumpi urdhëron tërheqjen e 5 mijë trupave amerikane nga Gjermania

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes po planifikon të tërheqë rreth 5,000 trupa nga Gjermania, në një moment tensionesh të forta politike mes presidentit amerikan Donald Trump dhe kancelarit gjerman Friedrich Merz lidhur me qasjen ndaj Iranit.

Vendimi vjen menjëherë pas kritikave publike të Trump ndaj Merz, i cili deklaroi se Shtetet e Bashkuara ishin “poshtëruar” nga negociatorët iranianë. Në reagim, Trump e cilësoi kancelarin gjerman si të paaftë, duke thënë se ai po “bën një punë të tmerrshme” dhe përballet me probleme serioze në çështje si emigracioni dhe energjia.

Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, konfirmoi se urdhri për tërheqjen e trupave është dhënë nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth. Sipas tij, vendimi vjen pas një rishikimi të plotë të pozicionimit të forcave amerikane në Evropë dhe pritet të zbatohet brenda 6 deri në 12 muajve të ardhshëm.

Aktualisht, SHBA mban mbi 36,000 trupa në Gjermani, që përbën praninë më të madhe ushtarake amerikane në Evropë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre është e stacionuar në Ramstein Air Base, një nga bazat më strategjike për operacionet amerikane.

Trump ka sugjeruar gjithashtu se mund të tërheqë trupa edhe nga Italia dhe Spanja, duke kritikuar këto vende për mungesë mbështetjeje në operacionet që lidhen me tensionet në Ngushtica e Hormuzit dhe konfliktin me Irani. bw


Send this to a friend