Jozef Radi pyet Mit’hat Aranitin (1992)
Mit’hat Araniti dhe Lazër Radi, kanë ndarë bashkë kohë, jetë dhe fate të përbashkëta…!
Para Lufte, edhe Gjatë Lufte; Mbas Lufte edhe gjatë kohës së diktaturës, (Luftës pambarim të Klasave). Bashkë nëpër burgje, nëpër kampe interrnimi, nën vëzhgimin e rreptë të Sigurimit, gjithnji në luftë për të mbijetuar, po edhe për t’i mbrojtur ato vlera intelektuale dhe humane që ai brez idealistësh, jo vetëm i kishte ëndërruar po edhe kishte luftuar me shpirt për: Nji Shqipëri Ndryshe…!! Të dy patën burgje të përbashkëta, kampe të përbashkëta, të dy i patën gratë në burg të përbashkët, të dy i lindën fëmijët me vonesë, pse ishin në burgje e kampeve të përbashkëta antinjerëzore.
Punuan bashkë, e s’u dëshpëruan kurrë, iu bën krah njëri-tjetrit në sakrifica të shumta, edhe kur regjimi i ndante, mjaftonte qoftë edhe një fjalë, një buzëqeshje, apo edhe ndonji batutë e thanë ashtu kalimthi për ta kuptuar thellë njëri-tjetrin… Vetëm mbas ’90-ës, ma së fundi ata (Mit’hati dhe Lazri) patëm mundësi të takoheshin si dikur në rini të hershme: ashtu të lirë… e të flisnin haptas me njëri-tjetrin… e të vazhdonin ndër biseda, mendime e kujtime që kishin nisur prej kur s’mbahej mend… Tash kishin mbrenda vedit edhe at dhimbjen e madhe, se mosha s’u premtonte shumë as njenit as tjetrit…!!
Mit’hati ishte nji njeri i rrallë…
Me nji buzqeshje thuej të skalitun nën mustaqet legjendare, me nji humor elegant, me batutë të gatshme e të rafinuar, dhe nji kulturë të pakufi… Mjaftonte nji argument krejt i thjeshtë dhe me të mund të flisje pafund… duke t’i ba orët minuta…
Edhe pse në kufijtë e 80 viteve, shpirti i tij mbetej djaloshar, plot dritë, plot dëshirë edhe pse sëmundja, vuajtjet, hallet dhe mosha e kishin tejlodhë…
Kët intervistë të shkurtë, që mbetet ndër të rrallat, arrita t’ia marr me shumë mundim. Jo,se s’donte, po pse shëndeti tij shumë shpejt mori teposhtën. Mbas shumë bisedash e vizitash, ajo u krye, dhe i premtova ta fusja në botimet e “Arbërisë”, por s’munda… Mbas tre numrash ajo s’mundi të vazhdonte më tej… Por i botova 5 poezitë e tij, duke ia shtue paksa at buzqeshjen e tij eterne, fisnike…
Në vitin 1996, kjo intervistë u gjet e mundun dhe u trupzue, në përbledhjen me shkrime të tij, të botuara në shtypin e paraçlirimit me titullin “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle…” – Phoenix. Kjo intervistë eskluzive, botohet për së pari! Cilido që e lexon e kupton se është thjesht dëshmi e nji fisniku nacionalist, prej atyre që i vijnë rrallë këtij vendi mosmirnjohës… dhe ikin në heshtje të pashpërblyer:
Nderime pafund për Mit’hat Aranitin…!
jozef radi, 13 korrik, 2013
“…Kam qenë thjesht nji ushtar i Nacionalizmit, për lirinë e Shqipërisë…!”
Kush është Mit’hat Araniti, nga kjo lartësi e moshës ku ndodheni?
Mit’hat Araniti: Siç e theksova edhe më sipër, kam qenë nji pjestar i thjeshtë i lëvizjes Nacionaliste, për lirinë e Shqipërisë. Mosha 80-të vjeçare më bën të konstatoj me kënaqësi, se pas kaq vitesh kjo lëvizje po vjen duke marrë gjithnji e më shumë ngjyrë…
.
Një pjesë e madhe e personazheve që kanë qenë në vorbullat e ngjarjeve historike, kanë vdekur dhe i kanë marrë me vete të vërtetat e tyre; nji pjesë tjetër edhe pse janë gjallë e kanë shkruar historinë sipas kutit të tyre, pra atyre s’u takon që ta rishkruajnë historinë… A mendoni ju se në jetën tuaj ka diçka për të cilën ka nevojë jo vetëm historia, por edhe ne, ai brez që e njohim aq pak historinë e vërtetë të Shqipërisë…?
Mit’hat Araniti: Historia është tërësia e ngjarjeve dhe bëmave të së kaluarës së nji vendi pak a shumë të gjerë. Të gjithë pjestarët e një bashkësie, bëjnë pjesë në formimin e historisë, ku me veprime, ku me fjalë e ku me shprehje, por asnjëri prej tyre veç e veç, nuk e determinon vetë historinë si tërësi… Nuk shtrohet pyetja nëse dikush e ka shkruar apo jo nji të vërtetë historike. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë me shkrime në formimin e historisë, kanë shkruar duke qenë edhe vetë në vorbullën e zhvillimit të ngjarjeve, kështu që i kanë shikuar dhe vlerësuar ato ngjarje me frymën e nji subjektivizmi të pashmangshëm… Pyetjes që ju më bëni unë mund t’i përgjigje se: Kam qenë veçse nji ushtar i thjeshtë i këtij zhvillimi! Vetëm pas kalimit të një kohe relativisht të gjatë, pasi të jenë zhdukur dhe fashitur pikpamjet dhe ndjenjat subjektiviste, mund të arrihet një cilësim objektiv, dhe zhvillimi i ngjarjeve të vlerësohet si histori…
.
Gjatë viteve ’30, ju keni qenë nismëtar i letërsisë dialektale, kryesisht nën pseudonimin Rrem Vogli, po edhe të tjerë… Ç’mund të na thoni për këtë frymë dhe cilët ishin ndjeksit e saj?
Mit’hat Araniti: Nëse kam qenë a jo nismëtar i letërsisë dialektale, është një vlerësim që s’më takon mua ta bëj. I shtytur nga nevoja e evitimit të një censure nga autoritetet, aty në fillimi i vitit 1932, nisa të shkruaja disa skeçe satirike në dialektin tiranas, duke goditur me sa mundja anë të ndryshme negative të shoqërisë së asaj kohe. Për kët qëllim përdora në revistat “Illyria” dhe “Bota e Re”, pseudonimin Rrem Vogli, dhe më vonë në rubrikën “Shkel e shko” pseudonimet, Jago Blini, Hë De, Ja që hë, Sufi Asmon Sufes etje. Në dialektin tiranas shkruanin edhe Ibrahim Hasnaj (Cen Qytyku), Mustafa Greblleshi (Liu Cakut), Xhemal Farka (Sula i Fajes), si dhe dialektin gjirokastrit Musine Kokalari (Muza). Efekti i këtyre shkrimeve ka qenë i ndjeshëm në at kohë. Në pjesën më të madhe ato u vlerësuan në mënyrë pozitive, sidomos prej elementin përparimtar dhe demokrat, si fshikulluese të injorancës së shoqërisë së asaj kohe, ndërsa qarqet e mehmurëve, u vlerësuan thjesht si shfaqje humoristike. Për të theksuar anën pozitive të këtyre shkrimeve, dua të përmend nji episod të vogël të ndodhur me intelektualin Rauf Fico: Në revistën “Illyria” ishte botuar shkrimi im “M’bonjat m’Nurrës”, në të cilin fshatarja Merjeme, e veshur me kostum banje, dhe me emrin e ri “Meri”, mundohet t’ia hedhë fshatarit Rrem Vogli, duke iu shitë si zonjë e rëndë. Rrema nuk bën tjetër veçse: “ush i thashë gomarit ne hika…” “Ush” ishte fjala që i kish bërë më shumë përshtypje zotit Rauf, dhe që ishte shprehja më e përshtatshme për t’i dhën cilësinë gjithë shkrimi tim…
Ç’përfaqësonte për Ju lëvizja nacionaliste e intelektualëve në kohën e pushtimit dhe çfarë përfaqëson sot… A mund të gjej nacionalizmi një shtrat të natyrshëm në luftën për demokraci?
Mit’hat Araniti: Lëvizja Nacionaliste e intelektualëve, ka qenë për mua gjatë gjithë kohës së pushtimit, baza, trualli, mbi të cilin duhej të punohej për çlirimin e Atdheut… Ajo përfaqson edhe sot nji shtrat të natyrshëm të luftës për demokraci në kushtet e Europës së sotme…
.
Duke pasur parasysh se në “Ballin Kombëtar” aderonte ajka e intelektualëve, a mendoni se mund të vij një brez i ri që ta përfaqësonjë denjësisht at idealin tuaj kombëtar?
Mit’hat Araniti: Tashmë dihet që në të kaluarën në “Ballin Kombëtar” ka aderuar ajka e intelektualëve, por ky aderim ka qenë i kushtëuar nga rrethanat e faktit të një pushtimi tërësor, ndërsa sot brezi i ri me ndjenja nacionaliste, gjendet i përfshirë në një sistem pluralist të demokarcisë, me synime të diferencuara…
.
Pjesmarrja Juaj në Mukje, mbetet gjthnji një kapitull i hapur për të vërtetën… A nuk mendoni se përçarja e nisur në Mukje vazhdon edhe sot e kësaj dite?
Mit’hat Araniti: Pjesmarrja ime në Mukje ka qenë e motivuar nga synimi i një bashkimi mbarëkomëtar. Përçarja e nisur në Mukje, sot nuk ekziston, por vazhdojnë vetëm disa fijëza trashëgimie të vetëdijshme ose të heshtura…
.
Cili qe pozicioni Juaj kur lufta kundër okupatorit devijoi në luftë civile?
Mit’hat Araniti: Duke qenë në radhët nacionaliste gjatë luftës çlirimtare, jemi munduar të formojmë një urë kalimi midis nacionalistëve dhe komunistëve… Kur lufta çlirimtare u kthye ne luftë civile, konseguent me mendimet e mia, unë mbeta dhe jam kundër vëllavrasjes…
.
A mendoni se komunistët ditën të përfitojnë jo vetëm nga “akademizmi” i Ballit Kombëtar, po edhe nga ajo frymë mospajtimi që ju kishit me Legalitetin zogist?
Mit’hat Araniti: Komunistët ditën, por edhe patën fatin të përfitojnë pikërisht nga ndjenjat atdhedashëse të nacionalistëve, lidhur edhe me evitimin e çdo dëmtimi të mundshëm të popullit shqiptar…
.
Pas lufte a e mendonit dënimin… dhe a e ndjenit veten fajtor kur ju dënuan?
Mit’hat Araniti: Nuk e kam menduar kurrë veten se mund të dënohesha pas lufte, sepse nuk mendoja se njeriu mund të dënohet dhe të quhet fajtor, pikërisht se vepron në të mirë të atdheut të vet…!!
.
Në ç’raporte u vendos diktatura me intelektualët? Në ç’raporte u gjendët ju me diktaturën duke pasur parasysh se ju jo vetëm ishit intelektual dhe shkrimtar, po edhe nji njohës mjaft i mirë i shumë gjuhëve të huaja?
Mit’hat Araniti: Fillimisht komunistët i përdorën intelektualët sipas nevojës dhe interesave të tyre utilitare… Më vonë tehu i diktaturës (lufta e klasave) u drejtua kryesisht kundra dhjetra e qindra intelektualëve të mirfilltë. Për të qenë të mbyllura të gjitha dyert e çdo manifestimi të ndjenjave dhe aftësive të tyre. Edhe njohja e disa gjuhëve të huaja, për ata nuk përbënte ndonjë rëndësi të veçantë, as diploma ime e juristit, as aftësia ime për të kontribuar në fushën e letrave. Diktatura kishte si qëllim kryesor: shfrytëzimin dhe shkatërrimin e personalitetit të njeriut…!
.
Nga njerëzit me të cilët keni jetuar dhe keni njohur, cili do të qe sipas Jush personifikimi i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë?
Mit’hat Araniti: Nga njerzit me të cilët kam jetuar dhe kam pasur nji respekt shumë të lartë, dhe që unë i konsideroja si personifikim i shqiptarit dhe i patriotit të vërtetë janë të shumtë… Ka ndër ta edhe ata që s’mundët të realizoheshin në diktaturë, por edhe që u shkatërruan prej saj… S’mundem të harroj në veçanti Mirash Ivanajn, Kol Tromarën, Selman Rizën, Suat Asllanin, po edhe plot të tjerë…
.
Për cilën gjë të jetës suaj keni vuajtur më shumë?
Mit’hat Araniti: Gjëja për të cilën më ka ardhur më keq në krejt jetën time është prishja e Marrveshjes së Mukjes. Nëqoftëse ajo Marrveshje do të që realizuar, Shqipëria sot do të kishte një pamje krejt tjetër.
Duke patur gruan prej familjeve më të njohura intelektuale, a mendon se keni ndarë një fat të përbashkët, në një fatkeqsi të përbashkët?
Mit’hat Araniti: Fakti që kam patur si shoqe jete: Agime Pipën, grua e pajisur me cilësi të spikatura, s’ka dyshim që ka qenë për mua një mbështetje e madhe… në përballimin gjithë vështërsive të asaj jete plot vuajtje dhe në mposhtjen me dinjitet të tyre…
Si avokat a do gjenit ndonji motiv ta mbronit komunizmin nëse të kërkohesh një gjë e tillë??
Mit’hat Araniti: Sa i përket komunizmit, atij s’i ka mbetur asgjë për t’u mbrojtur, sepse ai është i dënuar nga historia me zhdukje, deri edhe prej idhtarëve të vet të dikurshëm…
.
Në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, u vendos përfundimisht dhe arbitrarisht, dialekti i Jugut… bashkë me dhunimet njerëzore u bë edhe dhunimi i gjuhës shqipe… Si mendoni Ju, a mund të gjendej nji e mesme e artë?
Mit’hat Araniti: Kam qenë gjithnji i mendimit se nji gjuhë nuk formohet me vendime, por me anën e nji evoluimi natyral, d.m.th. është përdorimi i saj nga shkrimtarë të ndryshëm që e përligjin në mënyrë të natyrshme atë, duke imponuar një trajtë ose një tjetër gramatikore, pranimin e një fjale ose një tjetre, pavarsisht prej dialektit që ato i përkasin…
.
Sot lufta për pushtet është shumë më e madhe se lufta për Shqipëri, dhe koha po e provon se intelektualët janë sërish viktimat e para edhe të demokracisë… A mendoni se nji shfaqje e tillë tregon se jemi në postkomunizëm?
Mit’hat Araniti: Është e vetvetishme! Kur luftohet për pushtet, edhe mbas përmbysjes së një diktature, viktimat e para do të jenë përsëri intelektualët, sepse janë pikërisht ata që shfaqin në mënyrë më të qartë mendimet për mbrojtjen e demokracisë, por kjo s’do të thotë aspak, se po futemi në postkomunizëm…
A mendoni se një kuvend mbarëkombëtar, ku të merrnin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë Shqipërisë do të ishte nji shans historik për shpëtimin e saj?
Mit’hat Araniti: Jam plotësisht i bindur se një kuvend mbarëkombëtar ku të marrin pjesë të gjitha forcat intelektuale, brenda dhe jashtë vendit, mund të jetë një shans për shpëtimin e shpejtë të saj: por praktikisht një gjë e tillë do të ishte shumë e vështirë…
.
Vazhdimisht e keni përmendur aktin e Bedri Spahiut, ndjesën dhe transformimin e tij. A mendoni me të vërtetë se tek ai ka ndodhur diçka e tillë? A mendoni se një ndjesë e formale e njerzve të krimit, përbën nji akt fisnik?
Mit’hat Araniti: Të them të vërtetën akti i Bedri Spahiut, me të cilin ai kërkon falje publike për të gjitha ato që ka bërë, më ka lënë një përshtypje të madhe. Me gjithë peshën e rëndë të krimeve të pranuara prej tij dhe me gjithë dyshimin se akti në fjalë mund të ketë qenë veçse formal, unë personalisht jam i mendimit se atij i ka mbetur një grimë burrërie dhe mbetet gjithmonë vend për të formuluar hipotezën, se një gjest të tillë sikur ta kishin bërë ose ta bënin të gjitha ata “pezzi grossi” me gjokset e mbushura me medalje dhe me pozita të larta, do t’i sillnin një shërbim mjaft pozitiv Atdheut.
.
Nëse do ta fillonit jetën edhe një herë nga e para, kujt do t’i përkushtoheshit me gjithë shpirt?
Mit’hat Araniti: Sikur ta filloja jetën dhe një herë nga e para, padyshim që do t’i kushtohesha me gjithe shpirt Shqipërisë… dhe rruga e ndjekur prej meje do të ishte shumë më e qartë dhe më e sigurt, sepse do të kisha mësuar mjaft prej disfatave të pësuara…
.
Pesë poezi… sa nji thesar!
(Marrë nga libri “Qyfyre të Rrem Voglit, katunar pri Rrashbulle… Phoenix, përgatitut nga Gjergj Zheji)
Nga Jozef Radi
Ato janë pak… për dikë ndoshta fare pak… pse janë vetëm pesë poezi, kur të tjerët mund të kenë vandakë me vargje… e vandakë me libra…
Vërtet janë pak, por jo edhe aq pak, sepse aty asht liria kur ndër duar ke prangat, aty asht dëshpërimi kur në shpirt ke shpresën, aty janë qiejt kur ti je mbrenda mureve, aty asht dhimbja kur në buzët e tua asht melodia, aty asht nata e erret e qelisë po edhe drita magjike e poetit, që kapërcen gjithçka dhe jeton përtej mureve të lagta, përtej çnjerzores, përtej nënshtrimit…
Po t’i numrosh thjesht s’bajnë ma shumë se pesë gishta t’nji dore, po ato janë shumë ma tepër se nji libër, pse janë poezi të vërteta, të nji njeriu të vërtetë në nji kohë të vërtetë, që ishte e përbindshme…!! Janë poezi të përjetueme thellë në kushtet e qelisë, të gatueme gjatë prej mendjes dhe shpirtit të nji intelektuali klasi, të nji patrioti të pazhurmët, të nji njeriu që edhe heshtjen e kishte po aq magjike sa të folunën, të nji përkthyesi nga ma të papërmendunit… edhe pse ka përkthye mbi 150 libra nga gjitha fushat e kulturës, të nji njeriu që dha gjithë jetën e vet, dhe kurrë njiher s’pyeti se ç’ka po i japin atij…
Në kushtet e mungesës së plotë të lirisë dhe shpresës, Mit’hat Araniti shkroi këto pesë poezi të vetme të jetës së tij… që mbas leximit askush s’mund me thanë se janë pak, sepse ato mbeten nji sfidë e vërtetë e inflacionit të hipokrizisë poetike të atyne pesëdhjetë viteve…
Prandaj ato s’janë pak, edhe pse janë pesë poezi, pse vlefta e tyne brenda nesh mund të shumfishohet… mjafton diçka fare e vogël… shpirti!
(Arbëria, 10 prill 1993)
Çaste burgu…
Me kaltërsin’ e qetë të syve tu një ditë
Me kaltërsin’ e thellë si det i qetë në maj
më buzëqeshe ëmbël me zemër të pafaj
sikur të ishe ëngjëll përftuar hije-dritë
Me rradhë ditë të tjera kaluan një nga një
në rrjedhën e pamatë të kohës pa mbarim
porsi nji çast i vetëm në tërë kët amshim
një buzëqeshje e vetme dhe tjetër asgjë.
E di nëse krahrori të rreth gjithmon për mua
a vallë në zemrën tënde një tjetër ndjenjë u zgjua
në çastet ëndrrimtare mendimin s’ma mundon
Me kaltërsin’ e ëmbël të syve tu të qetë
në buzëqeshjen tënde që prap më kthen në jetë
unë prehem dhe gëzoj… më shpirti s’më kërkon!
Tufan…
Potershëm përjashta tufani tërbon
në natën e zezë si shpirt’i njeriut
dhe degët kërcasin si zë që rënkon
te fshikur furishëm prej erës dhe shiut
Me rradhë një nga një tërë dritat u shuan
dhe terri tmerronjës ka rënë mbi qytet
një dritëz e vetme akoma po ruan
dhe ngrohët ngushllon me flakën e vet
E njëjtë një dritë këtu brenda përgjon
dhe mes nji tufani keq epshesh shpërthyer
simbolesh përmbysur të ndrisi vazhdon.
Në mijra krahrorë rri ndezur kjo dritë
që terri s’ka shojtur, rënkimet ushqyer
janë mijra krahërorë që presin nji ditë!
Hymn
Mure, mure rreth e rrotull mure
Tiran, ti varrin i pregadite lirisë
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiran, prangat i farkëtove njerzisë.
Pandehe të shuash etjen për liri
frymën që ushqen në botë çdo krijesë
gjënë më të shenjtë që ka çdo njeri
Dhe për hir të asaj që pranon të vdesë.
Mure, mure rreth e rrotull mure
tiran fuqizove etjen për liri
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiran u dhe shkas fatosave të ri.
Aq sa mundet era të pushojë zjarrin
sa mërgimi mallin që kemi në gji
po aq mundën prangat shpresën të na marrin
të na shuajnë etjen, etjen për liri.
Mure, mure rreth e rrotull mure
tiranë do rrafshoheni një ditë me tërbim
hekur, hekur, kudo hekur thure
tiranë do shpërthehen një ditë me rrëmbim.
Atherë do buçasë kënga e lirisë
në çdo kënd të botës, kudo që të jetë
Pa mure, pa pranga, pa frik’n e robrisë
Njeriu do të jetë njeri i vërtetë!
Wynn Bullock – Dielli, Fotogram, 1970
Wynn Bullock – Dielli, Fotogram, 1970
Rreze dielli
Lehtë drithëruar, sikur ta ket ndjerë
që edhe ajri i mbyllur brenda kësaj qelie
eshtë ajr i dënuar, i çveshur çdo lirie
dhe ka shok të vetëm një njeri të mjërë
Nga dritarja ime, nga dritarja vrimë
lart atje mbi mure sa s’arrin me dorë
nëpër gardh’n e hekurt thurur tërë katrorë
hyn një rreze dielli dhe ngroh shpirtin tim.
Mes mureve të ftohta, hapsirës plot lagshti
udhë-tymi kaltëruar, plihur i praruar
shkon dhe përkundruall, mbi murin e shkretuar
katrori i ndezur ar, shkëlqen plot magji.
Ndarë nga bot’e tërë, në heshtjen e vetmisë
larg zërave të dashur, fytyrave që dua
larg çdo rrahje zemre, që rreh dhe për mua
mes hijeve të ftohta, mes mureve të qelisë
Një valë mallëngjimi më rrëmben fuqishëm
dhe tretem në soditje. Dalngadalë pastaj
mua mendja m’arratiset dhe lehtë mbi krahët e saj
lëshohem në hapsirë, e bredhërij hareshëm…
Ndajnatë…
Ndajnatë kur mbi natyrë zë ungjet tis’i muzgut
dhe tej nga horizonti ndezur flakëruar
mijë ngjyrash në venitje, diell’i perënduar
hedh një “lamtumirë” mbi kangjellat e burgut
Një ndjenjë e paemër, diçka si dhembshuri
si ngjyrë në venitje, e vakët e pa caktim
pret dritën që po vdes, për ditën pambarim
thuaj shpres’e ime fundit, më shtrëngon në gji
Por vetëm për një çast, se thellë shpirtit tim
Një flakë që është shuajtur, një flakë që përvëlon,
ushqen një tjetër ndjenjë, ushqen një besim!
Pandalshëm do vijë dita, më kot errsira vuan,
si diell’i perënduar, që diell përsëri agon
ashtu dhe flakën time s’ka natë që e shuan…
(Arbëria, 10 prill 1993)
*
Këto poezi antologjike të Mit’hat Aranitit, nji prej intelektualëve të njohur të viteve ’30, dhe nismëtar i letërsisë dialektale, me pseudonimin e tij të famshëm “Rrem Vogli prej Rrashbulle”, janë shkrue gjatë periudhës së tij burgut 1945-1955. Dy prej tyre janë sonete. Ajo çka vlen për t’u shënue në këto poezi te ralla, asht fryma e shpresës dhe lirisë se nji i intelektuali të thellë dhe largpamës… Edhe pse ai ndodhej në qelitë e lagshta të burgut… shpirti i tij asht i lirë…
Këto janë të vetmet poezi që ai pat shkrue dhe mbeten perla të poezisë shqiptare… jr
Komentet