VOAL

VOAL

Shtypi francez në tetor të 1912: Gjenocidi i forcave malazeze ndaj shqiptarëve në Plavë. 900 burra, gra e fëmijë të vrarë

September 27, 2020

Komentet

A e vrau Mehmet Shehu më 1951 Jonuz Kacelin? Ç’ndodhi 5 ditët e hetuesisë, dëshmia! Pushkatimi i 22 intelektualëve

Buzë një kodrine në fshatin Mënik të Tiranës, natën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq 22 intelektualë pas pesë ditësh tortura të rëndë çnjerëzore që kaluan në hetuesi.

 

Bomba në ambasadën sovjetike ishte justifikimi për të çuar para togës së pushkatimit 22 intelektualë të Tiranës. Ata konsideroheshin nga regjimi si antikomunistë që ishin të shkolluar jashtë vendit dhe vinin nga familje të pasura. Befas, në krahun e oborrit të ambasadës sovjetike në Rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i lauruar në Montepelier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rrok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë.

Nga listat e zeza nën diktatin e Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë, të gjithë banues në Tiranë. Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje, pati zyrtarë rusë, që ndërhynë për lirimin e disave prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para. Viktimat e terrorit komunist, të pushkatuar pa faj e pa gjyq, më 26 shkurt 1951 pranë Urës së Beshirit. Të lidhur tok me tela u varrosën në një gropë të përbashkët, një krim barbar i padëgjuar në histori. Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta.

Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje për 22 të vdekur! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim.

JONUZ KACELI

Njëri prej intelektualëve të pushkatuar ishte Jonuz Kaceli. I lindur në vitin 1908 në Tiranë, Jonuz Kaleci i përkiste shtresës së tregtarëve, një kategori që tradicionalisht kishte një rol të rëndësishëm në jetën ekonomike dhe shoqërore të qytetit. Si shumë të tjerë të kohës, ai u përfshi në mënyrën e tij në zhvillimet e Luftës së Dytë Botërore. Gjatë kësaj periudhe, ai ndihmoi forcat partizane, duke besuar se ato përfaqësonin një të ardhme më të drejtë për vendin. Ky angazhim, megjithatë, nuk do të shpërblehej me mirënjohje. Pas vendosjes së regjimit komunist, shumë prej atyre që kishin kontribuar në mënyra të ndryshme gjatë luftës, por që nuk përputheshin plotësisht me vijën ideologjike të pushtetit të ri, u panë me dyshim. Edhe Kaceli u zhgënjye shpejt nga realiteti i ri politik. Nga një mbështetës i hershëm, ai u kthye në një individ të padëshiruar për sistemin. Goditja ndaj tij dhe familjes erdhi në mënyrë të ashpër në vitin 1948, kur ata u dëbuan nga shtëpia e tyre.

Kjo ishte një praktikë e zakonshme e kohës: konfiskimi i pronës dhe zhvendosja e detyruar e familjeve që konsideroheshin “të pabesueshme” politikisht. Por kjo ishte vetëm fillimi i një tragjedie më të madhe. Emri i Jonuz Kacelit përfundoi në listat e Sigurimit të Shtetit, në mesin e atyre që konsideroheshin armiq potencialë dhe që mund të eliminoheshin fizikisht. Klima e viteve të para pas luftës, veçanërisht fundi i viteve ’40 dhe fillimi i viteve ’50, karakterizohej nga paranojë politike, spastrime dhe ndëshkime të rënda ndaj çdo elementi të dyshuar. Më 20 shkurt 1951, ai u arrestua. Arrestimi i tij ishte pjesë e një vale represioni të gjerë. Në hetuesi, Kaceli iu nënshtrua torturave, një praktikë e përdorur për të nxjerrë dëshmi, shpesh të fabrikuara, dhe për të justifikuar ndëshkimet e mëvonshme. Hetuesia në atë kohë nuk synonte të vërtetën, por konfirmimin e akuzave të parapërcaktuara. Vetëm pesë ditë pas arrestimit, më 25 shkurt 1951, jeta e tij mori fund në mënyrë brutale. Ai u vra në qeli nga oficerët e Sigurimit. Nuk pati gjyq të drejtë, nuk pati mundësi mbrojtjeje, vetëm një fund i heshtur dhe i dhunshëm, si për shumë të tjerë në atë periudhë. Më vonë, sipas një dëshmitari, thuhet se ministri i Brendshme Mehmet Shehu e vrau me torturat dhe e hodhi nga dritarja. Jonuz Kaleci u dërgua në gropën e vdekjes, pasi ishte vrarë më parë nga torturat.

Familja

Por historia nuk përfundon me vdekjen e Jonuz Kacelit. Regjimi komunist kishte një qasje ndëshkuese kolektive: familja konsiderohej përgjegjëse po aq sa individi. Më 2 mars 1951, vetëm pak ditë pas vrasjes së tij, familja e Jonuz Kalecit u dëbua nga Tirana dhe u dërgua në Skrapar. Dokumenti zyrtar që shoqëronte këtë dëbim është një dëshmi e ftohtë burokratike e një tragjedie njerëzore.

Në të thuhej: “Dërgohen në atë qytet të dëbuar nga Tirana familjet e disa reaksionarëve të pushkatuar këto kohët e fundit për aktivitet terrorist kundra Pushtetit Popullor. Këto janë: 1) Familja e Jonuz Kacelit. Interesohuni për sistemimin e saj në ndonjë ndërtesë, gjithashtu t’u gjendet ndonjë punë sa për të siguruar bukën e gojës”. Ky formulim tregon qartë se si shteti i trajtonte njerëzit si dosje dhe kategori, jo si qenie njerëzore me dinjitet. Familja e tij u reduktua në një problem administrativ: një grup njerëzish që duhej sistemuar diku dhe mbajtur gjallë në minimum. Historia e Jonuz Kacelit është, në thelb, historia e një njeriu që besoi, u zhgënjye dhe më pas u shkatërrua nga sistemi që dikur kishte ndihmuar. Historia e Jonuz Kacelit nuk është vetëm e së kaluarës, ajo është një kujtesë e vazhdueshme për vlerën e lirisë, të drejtës dhe dinjitetit njerëzor.

Ai urdhër i lëshuar nga Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu për pushkatimin e 22 personave si të “akuzuar” për terrorizëm, nuk vrau vetëm ata njerëz, fati i të cilëve ishte i destinuar të fundosej nga armët e regjimit. Sistemi nuk u mori vetëm jetën atyre, por goditi dijen, sulmoi intektualizmin dhe rrënoi klasën e pasur. U gjet si shkak hedhja e një bombe në ish-Ambasadën e Bashkimit Sovjetik për të nisur spastrimin e njerëzve të ditur specialistë në fusha të ndryshme, që dyshoheshin si kundërshtarë të sistemit komunist. Duke analizuar se çfarë personifikonin të pushkatuarit 26 shkurtit 1951, u kuptua qartë se që të gjithë ishin rrethuar nga lapsi i kuq dhe pritej vetëm momenti që tu dorëzoheshin për pushkatim agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Formimi profesional i shumë prej të pushkatuarve tregoi se nuk ishte vetëm një krim i zakonshëm nga dosja e zezë e komunizmit, por plumbat e derdhur mbi trupin e 22 personave synonin të vrisnin frymën antikomuniste.

/Gazeta Panorama 

“Denigrimi që i bëri atij regjimi komunist vazhdon ende, pasi një shkolle në Korçë që kishte ndërtuar ai, i kanë vënë emrin ‘Sevasti Qirjazi’…” Historia e filantropit korçar që financoi “Bagëti e Bujqësi” të Naimit

Nga ERGET CENOLLI

Sot, askush nuk e di se ku e ka varrin milioneri i parë, më i madh i kombit shqiptar dhe patrioti i rrallë. Akush nuk kujtohet t’i kushtojë, qoftë edhe një përkujtimore të thjeshtë, njeriut që vendosi gurë të rëndë në themelet e botimit të librit shqip. Edhe një shkolle, të ndërtuar me paratë e tij, i është vënë emri “Sevasti Qiriazi”…Ka qenë në krye të dy shoqërive më të njohura në historinë e lëvizjes shqiptare në Bukuresht, “Drita” dhe “Dituria”. Investoi, ngritjen e një shtypshkronje që prodhonte dhe shpërndante libra për gjithë shqiptarët, kudo që ishin. Financoi botimin e një prej veprave më të shquara të letërsisë shqiptare të Rilindjes, ”Bagëti e bujqësi” të Naim Frashërit. Kontribuoi në hapjen e së parës shkollë shqipe në Korçë, në mars 1887.

Grekët bllokojnë testamentin

Në testamentin e Anastas Lakçes janë lënë shuma të mëdha, për ndërtimin në Korçë të një farmacie, ku njerëzit e varfër t’i merrnin barnat falas. Po aty shkruhej se çdo vit, duhet të pajiseshin me prikë (pajë), 7 vajza të krishtera dhe 7 vajza muhamedane korçare. Mjerisht, gjithë trashëgiminë e tij, Anastas Lakçja, e depozitoi në Bankën e Athinës dhe disa vjet pas vdekjes së tij, grekët bllokuan dërgimin në Korçë të trashëgimisë, me justifikimin që në këtë qytet të krijohej një “komunitet ortodoks grek”, gjë që nuk shkruhej në testamentin e të ndjerit…!

Njëri prej mecenatëve të parë të parellinjve shqiptarë, ndërkohë dhe të letërsisë ka mbetur pa varr. Anastas Avramidhi Lakçe (Korça), gati gjithë jetën e tij, jetoi dhe punoi në kryeqytetin rumun Bukuresh, gjatë shekullit të 19-të. Lindi në Korçë, në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 19-të, por që në moshë fare të re mërgoi në Bukuresht, ku filloi të merrej me tregti. Kulmin e pasurimit të tij, Lakçja e arriti gjatë luftrave ruso-turke, të cilat filluan në vitin 1854 dhe mbaruan në vitin 1877, me nënshkrimin e paqes së “Shën Stefanit” dhe u mbiquajtën “Luftrat e Krimesë”.

Gjatë viteve të luftës, Anastas Lakçja, me intuitën e lindur të një tregtari korçar, arriti të kapte tregun e shitjes së vodkës, aq shumë të kërkuar prej ushtarëve rusë, të cilët, rrallë dilnin në beteja pa konsumuar pijen e tyre kombëtare. Kjo tregti e bëri Lakçen një prej milionerëve më të mëdhenj të kohës, jo vetëm në Rumani, por në gjithë Gadishullin e Ballkanit. Aq sa kur vdiq, ai kishte lënë një pasuri, që sipas shtypit të kohës, i kalonte 2 milion franga ari.

Por ai nuk qëndroi vetëm në fushën e tregtisë. Gjatë pjesë së dytë të jetës së tij, ai u mor me një veprimtari të gjerë patriotike. Anastas Lakçja ka qenë në krye të dy prej shoqërive më të njohura në historinë e lëvizjes shqiptare në Bukuresht, siç janë shoqëria “Drita”, e themeluar në vitin 1884 dhe “Dituria”, e themeluar në vitin 1886. Me nismën dhe investimin e tij, në kryeqytetin rumun, u ndërtua një shtypshkronjë e cila prodhonte dhe shpërndante librat shqip, jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ata kishin krijuar ngulmimet e tyre.

Në shkrimin e Lasgush Poradecit ”Mbi shoqëritë shqiptare“ lexojmë: “Çdo javë paqeta të vogla dhe të mëdha, plot me libra shqip, të shtypura në Bukuresht, dërgoheshin nëpër të gjithë viset në Shqipëri dhe më të katër anët e botës, gjer në Rusi dhe në Amerikë dhe gjer në Kinë, të përndara kudo pa të holla…” (L. Poradeci, vepra, botim i vitit 1990). E këtu duhet të përmendim se poeti ynë i shquar pogradecar, në veprën e sipërpërmendur e quan Anastas Lakçen; “plaku milioner me zemër të madhe”.

Kulmi i dashamirësisë të Lakçes, ndaj kulturës, është sponsorizimi i botimit të një prej veprave më të shquara të letërsisë shqiptare të Rilindjes, “Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit. Në nderim të këtij veprimi, në botimin e parë lexojmë këtë kushtim: “N’emërit të nderçur’ e të dashurë të zotit Anastas Avramidhit, mirëbërësit të kombit e Kryes’së Shoqërisë ‘Dritë’ ndë Bukurest, që përpiqet për të ndriturë mëmëdhenë tënë me shkronja e me dituri. Bërësi Naim H. Frashëri, më 25 të Majit 1886”.

Po me kontributin e tij, në Korçë u ndërtua kisha e “Shën Gjergjit”, më e madhja dhe më e bukura, sipas bashkëkohësve, në Gadishullin e Ballkanit. Ndërtim ky i vlerësuar lart edhe nga ndërtuesit italianë gjatë Luftës së Dytë Botërore, por që mjerisht u shkatërrua barbarisht nga regjimi komunist në kulmin e luftës antifetare, në vitin 1967. Gjithashtu, Lakçja kontribuoi edhe në hapjen e së parës shkollë shqipe në Korçë, në mars 1887.

Anastas Avramidhi ishte themeluesi i “arkës së Llasos” që ishte një institucion i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Korçës, ku mblidheshin kontributet e gjithë besimtarëve korçarë, kudo që ata ndodheshin. Si gjithë milionerët, para se të vdiste, në vitin 1898, Lakçja përpiloi testamentin e tij, ku pjesën më të madhe e zinin amanetet e bamirësisë (theksojmë se Anastas Lakçja nuk la pasardhës të drejtpërdrejtë).

Kështu në testamentin e tij janë lënë shuma të mëdha, për ndërtimin në Korçë, të një farmacie, ku njerëzit e varfër t’i merrnin barnat falas, gjithashtu aty shkruhej se çdo vit duhet të pajiseshin me prikë (pajë) 7 vajza të krishtera dhe 7 vajza muhamedane korçare.

Mjerisht, gjithë trashëgiminë e tij Anastas Lakçja e depozitoi në Bankën e Athinës dhe disa vjet pas vdekjes së tij, grekët bllokuan dërgimin në Korçë të trashëgimisë me justifikimin që në këtë qytet të krijohej një “komunitet orthodoks grek”, gjë që nuk shkruhej në testamentin e të ndjerit. Kjo gjë u denoncua në gazetën “Zëri i Korçës”, e datës 25 janar 1930, por më pas u harrua, ndaj edhe sot e kësaj dite trashëgimia e Lakçes, “ka humbur” në depozitat e bankave greke.

Për kontributin e tij të pallogaritshëm, pas vdekjes, trupi i tij u balsamos në Rumani dhe u vendos në një nga ambientet e kishës së “Shën Gjergjit”, ku qëndroi ashtu për 69 vjet, derisa u kall në varr në ditët kur filloi shkatërrimi makabër i kishës së mësipërme. Regjimi komunist e shpalli sponsorizuesin e veprës së Naimit, reaksionar dhe e degdisi në harresë, ku Lakçja qëndron edhe sot e kësaj dite.

Sot askush nuk e di se ku e ka varrin një prej milionerëve më të parë dhe më të mëdhenj të kombit shqiptar. Akush nuk kujtohet t’i kushtojë, qoftë edhe një përkujtimore të thjeshtë, njeriut që vendosi gurë të rëndë në themelet e botimit të librit shqip.

Por, ajo që të irriton më tepër në goditjen që i është bërë dhe vazhdon t’i bëhet Anastas Lakçes, është fakti që në shkollën, e cila u ndërtua me paratë e tij, është vendosur një emër tjetër që s’ka të bëjë me këtë shkollë. Është fjala për një shkollë 9-vjeçare që ndodhet në qendër të qytetit.

Në një prej dyerve të saj ndodhet një pllakë ku lexohet qartë se “…kjo shkollë është ndërtuar prej Anastas Lakçes…”, por para disa vitesh, me nismën e pushtetit vendor, shkollës iu vu emri “Sevasti Qiriazi”. Është e vërtetë se edhe zonja e sipërpërmendur, nuk është pa kontribut në historinë e arsimit shqip, por kurrsesi nuk mund të zëvendësojë “pronarin” e vërtetë të shkollës në fjalë.

Në rrethet Korçë e Kolonjë, vendlindja e Qirjazit, ka mjaft institucione ku ajo mund të nderohet. Emërtimi i kësaj shkolle me emrin e Lakçes, do të ishte hapi i parë në nxjerrjen e tij nga harresa, duke i dhënë vendin që i takon në historinë e qytetit të Korçës dhe vendin e merituar në historinë e lëvizjes patriotike shqiptare. / Memorie.al

MBRAPSHTITË QË E ÇUAN ENVER HOXHËN TEK MILADIN POPOVIÇI E DUSHAN MUGOSHA Nga romani “Dafina të thara – Romani i jetës sime” i KASEM TREBESHINËS

E Premte, 04.06.2012, 12:05pm (GMT+1)

 

 

TIRANË – Kasëm Trebeshina është një shkrimtar që nuk bën kompromise me veten për hir të botimit apo të reklamimit që t’i shiten shumë kopje. E pikërisht për të na e treguar qartë këtë fakt, veprën “Dafina të thara Romani i jetës sime”, ai e ka botuar në italisht dhe është një tekst që nuk gjendet në gjuhën shqipe.

Për herë të parë Trebeshina publikoi në 2007 në Itali romanin me kujtime të tij, “Dafina të thara” me titullin “Allori Seçhi” me përkthim të Edmond Çalit, një shkrimtar dhe poet, që nuk njihet dhe aq shumë në Shqipëri, i cili një vit më parë, po në shtëpinë botuese italiane “Aracne”, pati botuar një intervistë të gjatë me Kasëm Trebeshinën. Sigurisht që të vjen keq që një vepër të tillë, shqiptarët nuk e lexojnë në origjinal, por vetëm në gjuhën italiane.

Por, për të sjellë diçka nga atmosfera e këtij romani, “Gazeta Shqiptare” publikon, duke u nisur që nga sot, pjesë nga kjo vepër që nuk njihet fare në gjuhën shqipe. Kjo jo vetëm për t’i treguar lexuesit që e do letërsinë e Trebeshinës, se veprat e tij që gjenden ende në dorëshkrim janë një realitet dhe jo fantazi e tij, siç përpiqen të reklamojnë ata që quhen anti-Trebeshinë. Romani, siç thotë dhe Edmond Çali në hyrjen e tij, përfshin një periudhë që nga 1926 deri në 1955, të shkruara gjatë kohës së komunizmit dhe përfunduar pikërisht në 1988. Ata që e njohin gjuhën italiane do ta shijojnë romanin e Trebeshinës, sigurisht dëshirë është që romani të jetë edhe në shqip, por siç edhe përmendëm në fillim, shkrimtari nuk bën asnjë kompromis. Trebeshina tregon në libër rrënjët e tij turke, por tregon dëshirën e madhe dhe idealet e një të riu për t’i shërbyer Atdheut, dhe atdheu për të është vetëm Shqipëria. Në këtë numër sjellim një përkufizim që Trebeshina bën për shqiptarët, që gjatë viteve ata kanë vrarë njëri-tjetrin, e duke qenë se janë vrarë njerëzit më me vlera dhe me kalimin e kohës fituan vetëm mashtruesit. Për të vërtetuar këtë që ai thotë, Trebeshina merret me figurën e Enver Hoxhës dhe komunistëve të tjerë që lanë disa komunistë mediokër, mashtrues dhe antishqiptarë, si Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën, të drejtonin këtë vend.

Djali i Vinokashit
Kapitulli i parë
Plagë dhe lule

Ishte një mëngjes pranveror plot diell e pemët po lulëzonin. Për më së shumë se dy javë kisha mbetur në këtë xhami të çuditshme, e kthyer në spital partizan, ku u shtrova për shkak të etheve që më shkaktuan plagët dhe prej një hemorragjie shumë të rëndë.
Plagët nuk i kisha shumë të rënda. Ata, me shpërthimet e tyre ata, më patën goditur vetëm dy herë e pikërisht në krah, në bërryl, por kisha qenë me fat pasi pata mundësinë të përdorja duart për të luftuar deri në pikën që pata thyer rrethimin e armiqve dhe të dilja gjallë që aty. Por, teksa ndiqesha nga armiqtë duke kaluar nëpër zonat e zjarrit, mbërrita në spital tre ditë pasi isha plagosur. Aty më shtroi mjeku italian Vittorio Bruschi dhe nga infermierja Zybra Radhima.
Isha vetëm shtatëmbëdhjetë vjeç.
– S’ka asnjë shpresë që të mbijetojë! – pati folur në italisht mjeku Bruschi.
– Është shumë i ri, doktor! – pati ndërhyrë në italisht infermierja.
– Do të bëjmë ç’është e mundur, por shpresat janë të pakta! – iu pat përgjigjur doktori.
Shtratin ma shtruan përtokë; fjeta menjëherë. Kur u zgjova në dhjetë të darkës pashë që pranë krevatit, në një stol druri qëndronte infermierja. Lexonte një libër në italisht.
– Po lexon “Quo Vadis”? – i thashë.
Ajo bërtiti: – O Zot!… E di italishten?!…
I thashë: – Pak!…
E ajo ma ktheu menjëherë: – Nuk është e vërtetë!… Doktori bëri shaka!… Ti do jetosh gjatë e do jesh i lumtur!…
Dhe unë: – A të kujtohet ajo që tha doktori kur erdha këtu?!… S’ka asnjë rëndësi!…
Po ajo nguli këmbë: – Po, po!…Do jetosh!
Mëngjesin tjetër më operuan dhe unë me të vërtetë që jetova. Pas dy javësh u ndjeva mjaft mirë dhe i thashë doktorit që kisha vendosur të largohesha.
Doktor Bruschi më tha i mrekulluar: – Po plagët e tua ende s’janë shëruar!…
Iu përgjigja i vendosur: – Nuk ka rëndësi!…
Nuk e di se çfarë më detyroi të lija spitalin!… Ndoshta lulet e majit… apo dëshira për të shkuar në shtëpi, apo dëshira për të ndryshuar horizontet!…
Në spitalin partizan hyra më 18 prill 1944 dhe ika që aty më 3 maj 1944. Kisha qëndruar aty për dy javë, që nuk dinin të mbaronin. Më kishin rrethuar dhe plagosur më 16 prill 1944!…
Shtigjet në ngjitje të maleve ishin të lodhshëm, por lulet dhe valët e gjelbërta të gjetheve, qielli blu i pastër më bënin të ikja me vrap. E kështu ëndërrova ëndrrën më të lumtur që mundja… Ndoshta familja ishte qetësuar disi sepse një mik i joni kishte dërguar një korrier në spital dhe kishte njoftuar nga unë se isha gjallë.
Ecja me hap të shpejtë edhe pse plagët ende i kisha të hapura dhe pse s’e komandoja dot krahun e djathtë. Doja të mbërrija sa më shpejt të jetë e mundur në Komandën e Grupit në fshatin Drizar. Ishte një ngut i pashpjegueshëm, por në të vërtetë kisha një nostalgji për shkuar diku, të shihja dikë. Imazhet e nënës më shoqëronin gjithnjë dhe ato përziheshin me mendimet e mia.
Atje, në atë rrethim të mallkuar ne ishim tre vetë kundër rreth pesëqind burrash dhe një togë gjermane. Njëri prej nesh u vra e tjetri u konsiderua i zhdukur. Unë mbeta aty deri sa qëllova dhe plumbin e fundit. Tani mbaja me vete armët e partizanit të vrarë, por ato tre orë rrugë s’ishin asgjë në krahasim me atë dëshirë të djegur të diçkaje që nuk e dija. Më në fund mbërrita në fshatin ku ishte vendosur Komandoja e Grupit. Në këmbët e një kodrine plot gurë takova disa partizanë që po diskutonin për mitralozët anglezë. Teksa më panë e ndërprenë diskutimin dhe erdhën drejt meje duke thirrur; u takuam, u përqafuam dhe më mbytën me pyetje.
I kënaqa me aq sa munda dhe në fund iu bashkova debatit të tyre. Ia tregova se mitralozët anglezë qëllonin objektivin. Më pas shkuam në Komandën e Grupit ku i dorëzova armët vëllait të të vrarit, të cilat ia kisha hequr të vdekurit atje në fushën e betejës.
Pasi mbaroi ceremonia zyrtare, një nga Komisarët e Batalionit të Grupit më tha se më duhej të shkoja në Këlcyrë, pasi isha transferuar në zonën e Mallakastrës.
-Po, – shtoi ai, – duke qenë se nuk je shëruar ende, mos shko menjëherë. Kthehu në spital, shëroju mirë e më pas hajde na tako atje…Edhe unë jam transferuar në atë zonë.
Ky njoftim më lehtësoi dhe i thashë menjëherë:
– Jo!… Do nisem!… Ndjehem mirë!
Në të vërtetë transferimi ishte një gjë e mirë për mua. Kisha ardhur në këtë zonë kisha ardhur me plot ëndrra… Doja t’i shërbeja Atdheut…
E para, s’kisha qenë asnjëherë në atë zonë… Dhe të them të vërtetën, që nga larg më dukej që kjo Mallakastër ndoshta ishte një vend zanash!…
Për atë Zot! Që nga larg të gjitha gjërat kanë poezinë e tyre, kur u afrohesh, të gjitha gjërat ndryshojnë imazh dhe…
U kisha dhënë diçka atyre burrave e ndoshta ato më kishin kthyer këtë diçka!… Dy herë isha promovuar në nivelin e Komisarit të Batalionit dhe dy herë më patën shkarkuar… Ndoshta ata kishin të drejtë: S’isha shumë i përshtatshëm për organizimin komunist!… Në fund e provuan edhe njëherë dhe më bënë anëtar i Komitetit Rajonal të Organizatës së të Rinjve të Vlorës. Më pas ndodhi rrethimi, plagët dhe spitali.
Gjendesha sërish në udhëkryq: Ku po shkoja?!…
Gjithsesi tani kisha mundësinë të shihja nënën, babanë, tezen!…
Të nesërmen më dhanë një kalë dhe ne, batalioni partizan, u nisëm drejt së ardhmes në atë luftë civile të çuditshme!
Kapitulli dhjetë
Komunistët

…Në atë kohë nuk kisha mbushur ende trembëdhjetë vjeç e kjo tregon qartë se nuk jam në gjendje të tregoj me saktësi e të shpjegoj arrestimet e komunistëve në vitin 1939. Nga ajo çfarë më kanë thënë, nga ajo çfarë thuhet dhe nga ajo që është e qartë, qeveria e Zogut, arrestimet i bëri për të fituar simpatinë e fashizmit italian… Ose për t’u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur nga brenda. Kushedi!
Sipas mendimit të atyre që u arrestuan ngjarjet ndodhën kështu: Listat me emrat e komunistëve, të gjithë të Grupit të Shkodrës, apo të njerëzve të lidhur me këtë grup, u dërguan në Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë në shtator të 1938. Policia kishte agjentë mes radhëve të komunistëve të të gjithë grupeve, dhe ajo që është më e çuditshme, Enver Hoxha, i mbajti afër këto agjentë deri në fund.
Thuhej se forcat e Xhandarmerisë kishin thirrur Sami Bahollin, që e kishin kërcënuar nëse nuk do të ndihmonte në zbulimin e komunistëve shqiptarë. A është e mundur që ky person të tregonte gjithçka çfarë dinte? Në një mënyrë a në një tjetër forcat e xhandarmërisë mblodhën aq material sa për t’i dhënë një goditje të fuqishme Lëvizjes Komuniste Shqiptare. Nëse nuk gabohem Zef Mala u dënua me dymbëdhjetë vjet burg, Vasil Shanto e Tuk Jakova me gjashtë ndërsa Qemal Stafa u dënua me vetëm tre vjet. Për më tepër Qemali jo vetëm që u mbajt në Burgun e vjetër të Tiranës, po iu dha leja për të shkuar në shtëpi kur i vdiq i vëllai, Veli Stafa. Të dënuarit e tjerë u dërguan në Berat me punë të detyruar. Qemali ishte një i ri i talentuar dhe liberal dhe nuk ka nevojë për spekulime dhe gënjeshtra të mëdha nga ana e atyre që ndihmuan armiqtë e tij që ta vrisnin, nuk ka nevojë për zbulime të atyre që për vite e vite talleshin me njerëzit, duke e përkujtuar rregullisht këtë figurë. Edhe në varreza pikërisht këta komunistë vendosën para tij një farë Gogo Nushi dhe një farë Hysni Kapo!
Kapitulli i dymbëdhjetë
Drejtuesit komunistë

…Gjatë gjithë vitit shkollor Qemal Stafa ishte në Itali me bursë në fakultetin e jurisprudencës. Qemali ishte gjysëm student e gjysëm politik, dy gjysma që nuk plotësuan kurrë një të plotë. Vasil Shanto, që për një periudhë kohe në kohën e mbretit Zog, thuhej se kishte mbajtur kontakte me konsullatën jugosllave, në të vërtetë vazhdonte aktivitetin komunist kryesisht në Tiranë, por nuk ishte një njeri me kulturë, mbështetës i një doktrine pa doktrinë dhe me këtë farë bagazhi në një garë të tillë, humbja dhe shkatërrimi ishin të pashmangshëm. Drejtuesit e tjerë ishin të të njëjtës prerje dhe të paaftë të drejtonin një parti. Kontaktet me Zef Malën bëheshin gjithnjë e më të pakta. Direktivat nga burgu vinin me shumë vonesë. Nga ana tjetër, Koço Tashko ishte një dhelpër e vjetër dhe tashmë kishte gjetur një ndihmës perfekt për planet e tij. Ky njeri ishte Enver Hoxha, një individ i dyshimtë që ishte dërguar në Francë për të studiuar, por që kishte preferuar më tepër argëtimin se sa studimin, që kalonte kohën duke bërë rolin e pederastit pasiv nganjëherë, e herë tjetër dashnor i plakave për para, e herë duke vjedhur ndonjë gjë miqve të tij. Përfundimisht i mbylli studimet dhe Musa Juka, ministri i Brendshëm i mbretit Zog, si një baba i emëroi në postin e të besuarit në ambasadën shqiptare të Brukselit. Ndoshta misioni i tij ishte të ndiqte lëvizjet e emigrantëve politikë shqiptarë. Sigurisht, ishte personi që i duhej Musa Jukës sepse Bahri Omari, një nga emigrantët kryesorë politikë të asaj kohe, ishte martuar me motrën e Enver Hoxhës. Më pas, ky gjysëm profesor në mënyrë të çuditshme u dërgua si mësues në Liceun e Korçës, ku shumë shpejt vendosi lidhjet miqësore me familjen e Koço Tashkos. Koço Tashko e vlerësoi si një person të zgjuar e të aftë dhe e futi menjëherë në punë kundër partisë e kundër Zef Malës. Por, Koço Tashko i mbivlerësonte aftësitë e veta personale, konsiderohej mjaft i mirë dhe duke nënvlerësuar shkathtësinë e Enver Hoxhës, siç e tregoi koha, gaboi në mënyrë tragjike, dështoi në projektet e veta dhe e pagoi shtrenjtë këtë gabim. Duke u zvarritur me kujdes dhe në heshtje drejt fronit, ndoshta duke i paguar shuma të mëdha parash Koço Tashkos, përmes Esad Dëshnicës, nga portofoli i Ibrahim Biçakut, Enver Hoxha priste momentin e duhur për hapin vendimtar…
Kapitulli i katërmbëdhjetë
Shkëmbimi tragjik
…Në këtë kohë në Shqipëri gjërat shkonin krejt ndryshe. “Bar Flora” po i jepte djalit atë që priste dhe me ndihmën e emigrantëve politikë të kthyer në Shqipëri nga Jugosllavia, po përgatitej një dredhi e madhe. Në atë kohë në Peqin, qytet i Shqipërisë së mesme, gjendeshin në internim dy komunistë jugosllavë: Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha. Krerët e komunistëve organizuan arratisjen e tyre. Mustafa Gjinishi e realizoi këtë aksion dhe Miladini dhe Dushani ishin të lirë…
Ata, njerëzit e “Bar Flora”, gjatë mungesës së Zef Malës, kishin gërmuar një tunel të thellë nën Lëvizjen Komuniste Shqiptare e tani, të mbështetur nga Miladin Popoviç dhe nga Dushan Mugosha, duke përfituar dhe nga naiviteti, entuziazmi dhe nga mungesa e eksperiencës të Qemal Stafës dhe Vasil Shantos, nga prapambetja jonë e madhe politike, ia imponuan kapitullimin Partisë Komuniste dhe përgatitën terrenin për formimin e një partie leninisto-staliniste. Formalisht u deklarua që kjo parti terroriste u formua në nëntor të 1941. Dihet mirë edhe data. Baballarët e këtij Tempulli të Ri Fetar të Kominternit ishin Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, dy antishqiptarë të bindur dhe antisocialistë…Të gjithë drejtuesit kryesorë që vinin nga Grupi Komunist i Shkodrës u vranë në një mënyrë që lë shumë dyshime. Mustafa Gjinishi, Mynyr Xhindi e shumë të tjerë u vranë më pas…si është e mundur që Qemali dhe Vasili i kthyen krahët drejtuesit të tyre, shokut, mikut të tyre (Zef Malës)? E dyta: Si ndodhi që Shqipëria e Lashtë e Shkëmbore u gjen në një situatë të tillë që çelësat e saj ishin në duart e Qemalit, të Vasilit dhe të tjerëve të kësaj stature? Një përgjigje e thjeshtë është e mjaftueshme për të dyja pyetjet që u bënë.
Shqiptarët gjatë tre mijë vitesh, në vorbullën e pushtimeve të vazhdueshme, patën humbur dinjitetin e tyre dhe patën filluar të vriteshin me njëri-tjetrin në prita. Brez pas brezi u vranë njerëzit më guximtarë të racës, dhe me kalimin e kohës, triumfuan vrasësit imoralë dhe gënjeshtarët. Kjo ishte arsyeja se pse një popull i tillë nuk ishte i aftë të nxirrte në dritë një klasë drejtuesish me vlera me drejtues që ia vlejnë. Është një shkretim për shqiptarët që janë krenarë me heronj të tillë si Skënderbeu, Ali Tepelena dhe shumë të tjerë! Kjo krenari e kjo mendjemadhësi janë pasoja direkte e kompleksit të inferioritetit. Vetëm popujt që vuajnë kompleksin e inferioritetit mund të shkaktojnë një masakër të tillë në atdheun e tyre. Vetëm njerëz si ata, që digjeshin nga dëshira që të njiheshin nga Kominterni, mund të pranonin Miladin Popoviçin dhe Dushan Mugoshën si Baballarët e Shenjtë dhe mund t’i shndërronin në padronë të shumëpushtetshëm në shtëpinë e tyre. Kjo është përgjigja e pyetjeve që bëmë e këto ishin kushtet në të cilat politikanë mediokër nga Jugosllavia si Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha, morën në duart e tyre çelësat e Shqipërisë. Që nga ajo kohë drejtuesit komunistë, ata që bënë atë pakt të tmerrshëm, bënë garë për të fituar simpatinë e Miladin Popoviçit. E kjo është e gjithë historia, një histori që vazhdon edhe sot me krime monstruoze dhe absurde. (bw)

 

www.voal-online.ch

Arkiv i Voal.ch 9.04.2014 HËNA KËLCYRA – IM ATË ALI KËLCYRA NUK ISHTE TRADHTAR, REHABILITIMI I ENVERIT ËSHTË AKT SKANDALOZ (Intervistë)

Arkiv, E Mërkurë, 04.09.2014, 10:00am (GMT+1)

 

Në 22 nëntorin e vitit 1944, Ali Këlcyra la Shqipërinë, për t’u kthyer këtu, veçse i vdekur pas 70 vitesh (prill 2014). E bija (në kohën e luftës veçse 8 vjeçe), Hëna Këlcyra (Hana Klisura) rrëfen jetën me të, miqtë dhe armiqtë, Shqipërinë sot dhe jep një përgjigje për ata që qenë kundër kthimit në atdhe të eshtrave të “kuislingëve”. Ali Këlcyra, i njohur si ballist, Ali Këlcyra, është damkosur nga historia për Marrëveshjen e njohur të Dalmazzo-Këlcyrës. Më 1943 ai u takua me gjeneral Dalmazzon, pas të cilit do të lindë projekt-protokoll marrëveshjen për fundin e gjakderdhjes. Hëna ka lindur në Paris dhe ka ardhur në Shqipëri përmes Sarandës kur ishte 3 vjeç e gjysmë, në gusht të ’39-ës ku do jetonte deri më 1944. Me një kujtesë të fortë, Hëna flet një shqipe të afërt me standardin, megjithëse nuk i shmang dot disa fjalë si “nashtithi”. I ka zët fjalët e huaja, për të cilat shpesh e qortonte Eqerem bej Vlora, me të cilin ka jetuar gjatë e të cilit i detyrohet për shumëçka di sot. Edhe atë e ktheu në Shqipëri për t’u prehur në Kaninën mbi Vlorë. Zonja Këlcyra, ju sollët së fundmi në Shqipëri eshtrat e babait tuaj, Ali Këlcyra dhe të nënës, që ndryshe prej Eqerem Vlorës, u varrosën pa ceremoni. Pse?
I solla në formë private eshtrat e prindërve, sepse nuk desha të kishte as ceremoni as fjalim. Kush deshi, erdhi, e nderoi babain dhe më qe pranë mua. Gjej rastin t’i falenderoj. Prindërit e mi ikën nga vendi më 22 nëntor 1944 e tashmë janë rikthyer përfundimisht.

Ishte i vështirë rikthimi, përfshirë procedurat?

Më e vështirë ishte sjellja në Shqipëri, se sa procedurat atje. Përkundrazi, andej qe e thjeshtë se unë isha e bija. Me rikthimin e tyre, unë mbylla një kapitull në jetën time. Tani duhet të mendoj për veten dhe jam krejt vetëm, pasi njerëzit më të dashur do t’i kem larg meje. Megjithatë, kur jam në Tiranë, e gjej babanë më të gjallë se andej, pasi të tërë e njohin, e dinë se kush ishte. Sigurisht ka edhe komunistë dhe e ndjej që nuk kanë simpati, por e dinë kush është dhe kjo është e rëndësishme. Gjëja më e keqe për një njeri është të mos flasin për të. Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Çurçilli fitoi luftën, humbi zgjedhjet në Britaninë e Madhe. Atë kohë, miqtë e bashkëpunëtorët i thoshin, ‘kanë folur keq për ty’, ndërsa Çurçill përgjigjej: Vetëm të më përmendin, edhe sikur të më shajnë. Gjëja më e keqe është kur nuk flasin fare për ty.

Megjithatë, 5 dekadat komuniste, Ali Këlcyra nuk u harrua. Çfarë ndikoi sipas jush?

Enver Hoxha dhe shumë miq të tijtë (Enver Hoxhës, shënimi i Voal) nuk kanë dashur që tim eti ti mbahej mend as emri. Kanë folur keq për të gjithnjë. Por duke e sharë, i kanë bërë nder se njerëzit e njohin, edhe pse ajo se çfarë flasin është çështje tjetër. Por, ta njohin nuk është pak. Kjo është e vërtetë për të gjithë këta ish-burrat e shtetit, ose ata që kanë bërë Shqipërinë, të cilët pak nga pak ose kanë 50 vite që kanë vdekur, ose po i afrohen 50-vjetorit të vdekjes. Nëse nuk flasim për ta, nuk do mësohet kurrë kush ishin, sepse në histori janë damkosur si kriminelë, si njerëz që nuk kanë dashur vendin, si njerëz që nuk meritojnë as të prehen në vendin e tyre. Ne duhet të flasim për të sqaruar shumë pika të historisë.

Me gjithë ato që janë shkruar në komunizëm, pas 1990-ës, historia ka shkruar ndryshe për ta, përfshirë babain tuaj, pra janë treguar të dyja anët e medaljes. Nuk mendoni kështu?
Po, por ende nuk mjafton. Kur bëhet një revolucion, të dy palët bëjnë gabime. Diktatura e Enver Hoxhës ra, por të gjithë njerëzit që kanë qenë në pushtet e në detyra në kohën e Enver Hoxhës, sot janë në pushtet. Nuk ke asnjë njeri sot, që ka një detyrë të rëndësishme e që vjen nga ana tjetër e politikës, pra nga ai krah që në komunizëm i përkiste së djathtës. Kjo është prova më e mirë që ne nuk i gjykojmë të dyja palët njësoj. Dakord, ata fituan luftën. Por, edhe Stalini e Hitleri, i fituan disa beteja si shumë diktatorë të tjerë, e prapë, kjo nuk do të thotë se nuk kanë bërë gabime. Ne kemi sot dy parti, PD-PS, që janë në fuqi herë njëra e herë tjetra e tek këto dy parti, janë të njëjtët njerëz. Në këto 6 vite që kam ardhur, kam parë të njëjtët fytyra.


Hëna Këlcyra – Pak ditë më parë, ishte 7 prilli. Më bëri përshtypje që askush nuk e përmendte Abaz Kupin – ai ngriti armët kundër pushtuesit, ndërsa Mehdi Frashëri i kërkoi popullit të luftojëArdhja e eshtrave të Eqerem Bej Vlorës dhe Ali Këlcyrës rihapi debatin me kolaboracionistë, kuislingë, atdhetarë e tradhtarë. Ju si i mbroni dy të afërmit tuaj?
Nuk kanë nevojë të mbrohen. Përpiqem t’u shpjegoj njerëzve, se është bërë gabim, se duhet të njohin më shumë historinë, të lexojnë më shumë, por jo të lexojnë ato që i shkruante regjimi. Të vështrojnë edhe historinë e botës. Pak ditë më parë, ishte 7 prilli. Më bëri përshtypje që askush nuk e përmendte Abaz Kupin. Së paku formalisht, më 7 prill 1939, ai ngriti armët kundër pushtuesit, ndërsa Mehdi Frashëri i kërkoi popullit të luftojë. Babai ka qenë antizogist, por këtë nuk e harronte. Pse nuk flitet për ta? Sepse nuk duhet të përmendim asnjë përveç Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Ata nuk duan të kenë konkurrencë në rezistencën e tyre, gjithçka e duan ata: Shqipërinë, historinë. Këtu fillon mashtrimi që i bëhet historisë moderne shqiptare. Vazhdimisht më thonë se Mehdi bej Frashëri ka qenë kuisling, madje nuk i dhanë as dekoratën që i dhanë tim eti “Urdhrin e Skënderbeut”, edhe pse ky urdhër iu dha Mithat Beut, Lef Nosit, Nikollë Kaçorit, por jo atij.

Mehdi Beu, përveç se ishte intelektual e meritonte për apelin që i bëri popullit më 7 prill 1939. Pastaj gjatë gjithë kohës që vendi ishte i pushtuar nga fashistët ka qëndruar larg Shqipërisë, nuk mund të shkelte këtu. Ai nuk duhet bërë gogol kështu si e kanë bërë. Ka njerëz që më thonë mua, se iu bë privilegj i madh babit dhe Eqerem Vlorës që iu sollën eshtrat, po pse a s’kishin ata të drejtë të varroseshin në atdhe? Kthimi në atdhe nuk është një privilegj, është një drejtë për çdo shqiptar që në bindjet e tija politike mund të jetë komunist, marksist, ballist, etj. Nuk është shumica ajo që ka dalë kundër, por janë shprehur se: Eqerem Vlora e Ali Këlcyra s’kanë ç’duan në Shqipëri, le të rrinë atje ku ishin deri tani. Po si mund ta thonë këtë? Monopol i kujt është Shqipëria?

Së fundmi është kërkuar rehabilitimi i figurës së Enver Hoxhës. Ç’mendim keni?
Ka rryma që duan ta rehabilitojnë dhe ky është skandali më i madh. Nuk ndodh në asnjë vend të botës. Ne jemi në Evropë e njohim këtë. Kam folur me Liri Belishovën që ka kërkuar falje dhe më tha kemi bërë disa gabime dhe i thashë: jo zonjë, ju keni bërë krime, e jo gabime. Nuk është kaq e thjeshtë, duhet bërë më shumë që të mos përsëriten këto gjëra.

Babai ju ka folur për periudhën që ishte angazhuar në Ballin Kombëtar?

Ai nuk ka bërë kurrë publicitet për veten e tij. Më fliste gjithnjë për Shqipërinë. Kam banuar me Eqerem Beun dhe vëllanë e tij. Falë kësaj, sot jam në gjendje të kontribuoj me kujtimet e mia dhe e ndjej për detyrë t’i jap historisë dhe vendit tim këtë kontribut.

A ishte penduar babai juaj për pozicionimin e tij gjatë luftës?
Pse të pendohej? Unë besoj se nuk u pendua se ai e dinte se ç’bënte. Më mirë mund të bësh gjithmonë edhe në politikë, edhe në çdo fushë. Nëse i ka bërë vetes autokritikë ka qenë për metodat. As babai, as Eqerem Bej nuk kanë dashur që gjatë luftës të kishte vëllavrasje.

Rezistenca u fillua nga studentët, pastaj u përfshinë edhe shtresat e tjera dhe nga një rezistencë kundër armikut, u kthye në një luftë klasash. Për këtë, edhe sikur Anglia të kishte ardhur dhe të kishte përkrahur të djathtën, komunistët do thoshin ‘ja tradhtarët, ja pushtuesit’, vetëm që ata të triumfonin, siç triumfuan dhe hesapet i kishin bërë shumë mirë, përderisa janë edhe sot në fuqi. Më jepni ju një fytyrë prominente të së djathtës? Jo zotin Berisha, se ai thoshte se përfaqësonte të djathtën, por unë nuk e kam ndjerë kurrë të më përfaqësojë, as mua, as ata që janë të djathtë. Këta njerëz që votojnë sot për të majtën e të djathtën nuk janë socialistë as demokratë, janë oportunistë. Megjithëse, kjo fjalë nuk e shpreh atë që dua unë të them. Gjermanishtja ka një fjalë që përkthehet: ata që ju ecin prapa.

A është kjo hera e fundit që ju vini në Shqipëri?

Unë e kreva misionin që kisha. Nuk them se s’do vij më kurrë, por nuk kam arsyet që kisha. Po u desh kontributi im në ndonjë fushë, do e jap. Çdo qytetar ka mundësi dhe detyrë të kontribuojë për të përmirësuar vendin. Ndonjëherë mjafton të heqësh plehrat para shtëpisë tënde. Këtu nuk e quajnë të tyren tokën jashtë shtëpisë së tyre dhe këtu fillon gabimi. Dikur thuhej që fajin e kishin bejlerët për shumëçka, po sot? Sot të gjithë kërkojnë t’i bien shtetit në kurriz, ose e dëmtojnë atë që është e shtetit. Edhe vetë shteti është në dilemë, sepse të gjithë kërkojnë dhe askush nuk mendon se çfarë mund të bëjë vetë ai për shtetin.
Unë desha të shisja ato prona që kisha dhe me paratë që do merrja do të hapja një shtëpi për pleqtë e një çerdhe, por për disa arsye, kjo nuk u bë e mundur.

Në ç’gjendje janë sot sarajet e Kelcyrajve?
Më 1914 u dogjën, pra para 100 vitesh dhe zjarri i ka dëmtuar shumë që në atë kohë. Sot, ato nuk më përkasin mua, i përkasin Këlcyrës e Shqipërisë, sepse kanë kaluar në histori. Herën e fundit që vajta, bëra një apel që të mos lihen më në mëshirë të fatit. Përveç se janë vetë të rrënuara, fshatarët i marrin gurët, i shesin, i marrin për të ndërtuar shtëpitë e tyre. Është kthyer në “gurore”. Sa herë që unë shkoj atje, gjej mure të rëna, gjej gurë të mbledhur të bërë gati për t’u transportuar. Dora e njeriut ka bërë më shumë rrënime se sa koha e gjatë bashkë me erozionin. Mali nga pas ka një gurore me gurë njësoj si ato të sarajeve, ndaj s’kanë pse i marrin te sarajet. Aty afër mund të ngrihet një godinë për të pritur turistët, për kafene, për seminare, që pasi të shtrohet rruga, të shkojnë më shumë vizitorë. Kjo do të gjallëronte jo vetëm Këlcyrën. Kam edhe një shqetësim tjetër për këtë zonë. Gryka e Këlcyrës është mrekulli natyrore, por sa herë që unë shkoj, shoh se aty janë shtuar ndërtimet, godinat, që po e dëmtojnë atë. Në jug çdo gjë që kanë lënë mbetur ende në këmbë, po e prish dora e njeriut. Ndjej shumë keqardhje.

A mund të na flisni për miqësinë e babait me Avni Rustemin?
Di shumë pak për të. Janë njohur në Itali kur ka qenë studentë e miqësia vazhdoi dhe pas kthimit. Babai më ka treguar se ka qenë në shtëpi ditën kur është vrarë Avni Rustemi, në sheshin që sot mban emrin e tij. Ka dëgjuar ca të shtëna dhe ka dalë nga shtëpia drejt sheshit, pasi nga ballkoni kishte parë që dikush u rrëzua. I veshur me rroba gjumi, vetëm kur i shkoi pranë mësoi se ishte miku i tij. Më duket se ka mbajtur edhe fjalim në varrimin e tij, ndërsa mbaj mend që kam parë edhe fotografi të tyre bashkë.

Ju keni folur për takimet e babait tuaj me Enver Hoxhën student në Paris. A ndikuan këto takime në marrëdhënien e mëvonshme mes tyre?
Po. Them se po. Ata u takuan tri herë në Paris. Jam kritikuar e përgënjeshtruar nga Tanush Frashëri për këtë çështje. Takimet e babait me Hoxhën janë bërë: kur Hoxha ngushëlloi babain për vdekjen e të vëllait, e dyta për të uruar për lindjen time dhe e treta, kur Hoxha i kërkoi babait të hyjë në Bashkimin Kombëtar. Balli Kombëtar u formua si rezistencë kundër pushtimit italian, ndërsa Bashkimi Kombëtar ka qenë formuar për të rrëzuar Mbretin Zog. Babai s’e njihte personalisht, po ishte informuar, jo vetëm për atë, por për të gjithë studentët shqiptarë në Paris. Im atë kishte 11 vite në Francë dhe shkruante në gazeta të mëdha atje. Ka edhe një gjë që historianët nuk e thonë kurrë, pasi duan që babai të njihet si filoitalian e kolaboracionist, por im atë ka bashkëpunuar edhe me kundërshtarët e Musolinit, si Pietro Neni etj., dhe nuk ka luftuar vetëm politikën e jashtme të mbretit Zog atëherë, por edhe politikën e Musolinit. Babai është ose i vetmi, ose i pari që Italia kërkoi ta arrestojë, sepse përdorte shtypin italian për të botuar artikuj kundër politikave të Romës. Ai arriti të shpëtojë dhe për 11 vite iku nga Italia.
Kunati i Enver Hoxhës, Bahri Omari, që jetonte në Itali dhe Mustafa Kruja, shkonin në Zvicër ose në Francë për t’u takuar me tim atë, meqë ai nuk shkelte në Itali.
Kur është kthyer në Shqipëri, jo vetëm që kërkoi leje që të vinte, por kërkoi që të respektohej jeta e tij private, pasi vendosi të tërhiqej nga politika. Ambasadorit italian në Francë i ia kërkoi që të mos e detyronin të merrte asnjë detyrë në qeverinë që ishte krijuar. Ambasadori nuk i dha siguri, por pyeti në “Palazzo Chigi” në Romë. Prej andej, përgjigja thoshte se: nuk do ta detyrojmë, po ai do të ketë vetë dëshirë ta bëjë këtë. Këto i kemi gjetur në dosjet italiane për babain.
Italianët nuk është se donin babanë, por donin që mundësisht të gjithë ata kundërshtarë të mbretit Zog të vinin dhe të merrnin fuqinë. Ata nuk pandehën se bashkëpunëtorët më të ngushtë të Zogut, duke filluar që nga adjutanti i tij, Gjeneral Sereqi, e tradhtuan të parët.

E keni takuar ju gjeneral Zef Sereqin?
Po, kam qenë me tim atë dhe Eqerem bej Libohovën kur e kemi takuar gjeneral Sereqin. Babai i jep dorën Eqerem bej Libohovës dhe injoron Sereqin. Atëherë Libohova, duke menduar se babai nuk e njohu gjeneralin, i thotë: Ali bej, nuk e njeh gjeneralin? Dhe babai i përgjigjet: Mjerisht e njoh, por nuk ia jap dorën se ka tradhtuar dy herë, një herë mbretin Zog dhe një herë Shqipërinë. Kur është bërë zbarkimi i ushtrisë italiane në Shqipëri, në qiellin shqiptar kishte dy helikopterë që kontrollonin nga qielli, situatën, nëse kishte rezistencë nga shqiptarët dhe si po ecte ushtria. Në njërin prej këtyre helikopterëve gjendej edhe gjeneral Sereqi. Kjo për babain ishte tradhtia më e madhe. Unë isha 11 vjeçe dhe e dija që babai ka qenë kundër mbretit Zog dhe më bëri çudi vërejtja që bëri për gjeneral Sereqin. E pyeta pse të mos ia japësh dorën se ai ka tradhtuar? Babai më shpjegoi se çfarë është tradhtia.

Ju e mbani mend, megjithëse keni qenë shumë e vogël.
I mbaj mend të tëra. Kisha dhe kam kujtesë shumë të fortë. Madje i mbaj mend dhe pozicionet se si ishim ulur. Unë isha përballë gjeneral Sereqit dhe babai përballë Eqerem bej Libohovës.

A ka komunikuar më me Enver Hoxhën babai juaj?

Jo. Me sa më rezulton, jo. Asnjë emigrant nuk ka pasur marrëdhënie me Hoxhën. Do ketë pasur spiunë, njerëz që u bënin presione emigrantëve, duke i kërcënuar me të afërmit e tyre në Shqipëri, por im atë s’kishte komunikim me të.

Jeni ndjerë të vëzhguar nga agjentë shqiptarë të kohës?
Njëherë i thanë tim eti, se filani që vjen tek ju është spiun dhe duhet të kesh kujdes. Babai i tha: Tani që e di do flas edhe më hapur, se nuk do të më kushtojë as pulla e letrës. Në këtë pikë, regjimi i Enver Hoxhës ka qenë i zgjuar: s’ka bërë vrasje, se ndjehej i sigurt këtu, pasi qytetarët nuk lëviznin dot jashtë.

Po me Fan Nolin, si kanë qenë marrëdhëniet e babait tuaj pas 1924-ës?

Pas vitit 1924, ata ikën së bashku nga vendi. Noli ishte vigan nga pikëpamja kulturore dhe studentët e kishin idhull. Kur shkuan jashtë, ai dhe im atë i prishën relatat komplet. Janë takuar disa vite para se të vdiste babai, më 1960, me rastin e 50-vjetorit të gazetës “Dielli”. Unë e kam ndjekur dhe kam qenë shumë afër me tim at edhe kur vinin njerëz. Duke qenë se isha fëmijë i vetëm, nuk më linin të haja vetëm ose me fëmijë të tjerë, siç ishte zakoni në atë kohë. Unë ulesha në tavolinë me babain dhe me miqtë e tij. Sigurisht nuk mund të flisja, duhej vetëm të përgjigjesha, por nuk më lejohej të flisja. Ndaj unë isha si regjistrues zëri, çfarëdo dëgjoja i regjistroja në kokën time dhe më kanë mbetur të fiksuara.

Si ka qenë takimi mes tyre?
Do kisha dashur kaq shumë të isha në atë takim, por për fat të keq nuk isha. Nuk kam qenë në këtë takim që babai ka pasur me Fan Nolin dhe në takimin me mbretin Zog në Egjipt. Mjerisht isha në Evropë dhe s’munda të isha.

 

www.voal-online.ch

Arkiv i Voal.ch JA SI REAGONTE KONICA MË 7 PRILL 1939 NDAJ PUSHTIMIT ITALIAN

 

Faik Konica ishte ambasadori i Shqipërisë në Washington, më 7 prill 1939, ditën e pushtimit nga Italia.

Në foton që e shihni ka dalë në zyrën e legatës shqiptare, në Hotel Mayflower, që shërbente edhe si banesa e tij.

Fotoja është e gazetës NY Times dhe e është gjetur në arkivin e Bibliotekës së Kongresit.

Studiuesi dhe gazetari Ilir Ikonomi, thotë se origjinali është bardhezi, por se po e publikon me ngjyra, për ta perceptuar Faikun si më të gjallë. Fotoja është stilizuar me ngjyra nga një mik i tij në rrjetin Facebook.

“Më 7 prill, 1939 pasdite, Faik Konica bëri një deklaratë mjaft interesante për shtypin në Washington. Pjesë të saj u botuan në të përditshmet kryesore amerikane: NY Times, Washington Post, Baltimore Sun dhe dhjetra gazeta lokale.

Ja një pjesë nga deklarata, që pasqyron më së miri erudicionin e Konicës dhe në pak fjali e godet me sarkazëm dhe me elegancë pushtimin:

“˜Një boksier që dëshiron të impresionojë botën me forcën e tij nuk rrëzon në tokë një fëmijë, por ndeshet ballëpërballë me një tjetër boksier. E di se italianët qeshin me një pikëpamje të tillë. Njeriu gjithnjë qesh me ato që nuk i kupton dot. Ama, një njeri më i madh se Musolini, Bismarku, i jepte shumë rëndësi atyre që ai i quante “˜the imponderables’, gjëra në dukje të parëndësishme, por që nuk duhen nënvlerësuar te një komb. Nuk besoj se ndokush do ta admirojë Italinë për këtë. Unë dhe shumë intelektualë të tjerë kishim ëndërruar për një bashkëpunim të ngushtë kulturor, ekonomik dhe politik me Italinë mbi një bazë të ndershme. Përgjigja elegante ishte një grusht në kokën tonë'”, shkruan Ikonomi në profilin e tij në Facebook.

“Pas agresionit fashist të 7 prillit 1939, shtypi shqiptar kontrollohej nga Piero Parini, i cili gëzonte një status të veçantë në strukturat e aparatit pushtues, pasi…”/ Historia e panjohur me fqinjët pushtues

Sot, mund të jemi në marrëdhënie të mira dhe shpresojmë që këto të ruhen dhe në të ardhmen, por fëmijëve në shkolla, apo të rinjve të sotëm, duhet t’ua kujtojmë historinë e dhimbshme. Kjo histori nuk bëhet, siç pretendohet sot në botën e globalizmit me fshirjen e teksteve në shkolla, por me shkrimin e sinqertë të gjërave që kanë ndodhur dhe që varen ende pezull sot mes nesh. Ndoshta kjo i bëri serbët, disa vite më parë, që të derdhin aq inat në stadium kundër një vendi që se kanë fare në kufi, apo që i bën grekët sot e kësaj dite, të mos e njohin realitetin çam. Janë një sërë platformash, idesh dhe memorandumesh, që kanë kryer ndër dekada funksionarë të lartë serbë, malazezë, grekë, përmes mbretërve të tyre, ushtarakëve, kryeministrave dhe ministrave, duke kërkuar që ta shfarosin krejt Shqipërinë. Të mendosh se në emrat e njohur janë deri në familjet e spikatura të dinastisë ballkanike, por edhe shkrimtarë nobelistë, atëherë drithërohesh.

Janë ideatorë të kombeve të tyre, por duke menduar shfarosjen e kombi tonë që e quanin rëndom si të panevojshëm, apo që në një të ardhme mund të bënin deri ekspansion biologjik në gadishull, si referojnë rëndom për shqiptarët. Sot, historia është kthyer përmbys, por për fat në anën e mirë, pasi kosovarët populli më martir i Gadishullit, ka shtetin e vet dhe madje dhe një shtet amë në kufi, kurse grekët jo larg në kohë, do të përballen realisht me problemin e Çamërisë.

Kurse serbët janë rrudhur deri në absurd. E drejta mund të vonojë por nuk mund të harrojë kurrë. Koha e provoi këtë dhe Shqipëria është jo vetëm faktor në Ballkan, por edhe një nga elementët më të rëndësishëm të qetësisë dhe ekzistencës së këtij gadishulli. Po shpalosim disa nga këto momente, kur shqiptarët janë parë si elementë të denjë për t’i përzënë nga shtëpitë e tyre, thjesht për interesat e pastra hegjemoniste greke, serbe, malazeze etj.

“Naçertanija” e Ilija Grashaninit – ministër dhe ideologji

Propozimin për këtë platformë, Ilia Grashaninit ia sugjeroi pansllavisti çek, Frantishek A. Zach (1807-1892), prej Moravisë, atëkohë pjesë e Perandorisë Austriake. Zach përfaqësonte organizatën e emigrantëve polakë, të themeluar prej princit Adam Czartorysky. Qëllimi është i qartë: Zachu që e njeh mirë Beogradin, u sugjeron autoriteteve serbe të qëndrojnë larg ndikimit rus. Ilia Grashanini ishte funksionar i Strukturave të Brendshme të Serbisë.

Personazh i shekullit të XIX (1812-1874), ai u bë figurë kryesore e regjimit konstitucional, si edhe ideatori i ithtarëve të zgjerimit të shtetit të Serbisë. Ai mbahet si themeluesi i bazave të politikës serbo-madhe të bashkimit. Garashanini, platformën e tij të sintetizuar, e paraqiti në dokumentin sekret të cilin e quajti “Naçertanie” (1844) që përkthehet “Projekt”, d.m.th. “Plan”. Në fakt, besohet se projekti themelor ishte kryekreje memorandumi i Zahut, që e mendonte Serbinë e re si vazhduese të perandorisë mesjetare të Stefan Dushanit (1308-1355).

Garashanin ishte personi i duhur dhe ai menjëherë argumentoi pse duhet “ta përqafojnë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë atë”. Zach mendonte se Serbët duhet të ishin ideatorët dhe udhëheqësit e një formacioni të sllavëve të jugut, “ajo nuk kufizohet në kufijtë e saj të sotëm, por synon t’i përqafojë të gjithë popujt serbë që e rrethojnë”.

Sipas “Naçertanies” së Garashaninit, pjesë e shtetit të madh serb do të ishte edhe Shqipëria Veriore. Për programin e tij, Garashanini parashikoi organizimin e një shërbimi sekret dhe një sistemi të zhvilluar propagandistik. Platforma e “Naçertanies”, me synimet e saj pushtuese në Ballkan, nënkuptonte edhe shtrirjen në territoret shqiptare.

Që atëherë, populli serb, për sllavët, është popull hyjnor dhe popull historik. Sipas tij:

– Boshnjakët janë serbë të fesë islame, d.m.th. serbë të myslimanizuar; gjuha që flasin ata është serbishtja;

– malazeztë janë serbë, si për nga gjuha, ashtu edhe për nga feja;

– Maqedonia është Serbi Jugore;

– kroatët ndërkaq janë serbë të fesë katolike dhe gjuha që flasin ata është serbishtja.

– shqiptarët konsiderohen si mbetje turke në Ballkan.

“Naçertania” u realizua në një pjesë të konsiderueshme gjatë Luftës së Parë Ballkanike (1912) kur Serbia, në bazë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1912-13) aneksoi Kosovën dhe viset e tjera lindore të Shqipërisë me një politikë shkombëtarizuese.

Vaso Çubriloviq: “Dëbimi i shqiptarëve” (1937)

Ai që e vazhdoi politikën e “Naçertanies” ishte Vasa Çubriloviqi (1897-1990). Në memorandumin e tij “Iseljavanje Arnauta” (Dëbimi i shqiptarëve), që ai e hartoi për qeverinë e Stojadinoviqit (Milan Stojadinoviq (Çaçak, Serbi 1888 – Buenos Aires, 1961); jurist dhe ekonomist, kryeministër i Mbretërisë së Jugosllavisë në vitet 1935-1939), ai propozoi metodat, por edhe mënyrat e zgjidhjes së “problemit shqiptar”. Vaso ose Vasa, ka qenë akademik në fushën e Historisë dhe në të ritë e veta ishte një nga organizatorët e atentatit në Sarajevë, ndaj trashëgimtarit të fronit austro-hungarez, Franc Ferdinandit.

Memorandumi i vet flet në mënyrë të detajuar për serbizimin e Kosovës dhe gjithashtu flet pa mëshirë për qeverinë e vet, që s’mundi ta kolonizojë këtë hapësire pas Luftës së Parë Botërore. Memorandumi iu dorëzua më 7 mars 1937 qeverisë së Milan Stojadinoviqit dhe ka deri dëbim fizik të shqiptarëve prej Kosove për në Turqi dhe në Shqipëri. Është pastrimi i parë etnik i detajuar i serbëve. Për këtë citon, nacionalistin tjetër, Jovan Cvijiq, që thoshte se; “shqiptarët janë raca më ekspansive në Ballkan” – ish-rektorin e Universitetit të Beogradit dhe kryetar i Akademisë Mbretërore Serbe të Shkencave.

Ja çfarë thuhet në memorandum në preambulën e vet: “Problemi i shqiptarëve në jetën tonë kombëtare dhe shtetërore, nuk ka lindur dje. Ai ka luajtur një rol të madh në jetën tonë në periudhën e mesjetës, por një vend tejet të rëndësishëm ka zënë nga fundi të shekullit XVII-të, kur popullata serbe, prej trojeve që dikur kanë qenë vatra luftërash, shpërngulet drejt veriut dhe në vend të tyre vijnë malësorët shqiptarë. Dalëngadalë, prej kodrave të tyre ata vendosen në luginat pjellore të Metohisë dhe të Kosovës e duke depërtuar drejt veriut, shtrihen në drejtim të Moravës perëndimore dhe jugore; nëpër Malin Sharr bien në Pollog dhe që andej drejt Vardarit.

Deri në shekullin XIX-të është krijuar në këtë mënyrë trekëndëshi shqiptar, pykë e cila, në saje të mbështetjes etnike të vijës Dobar-Rogoznë është ngulur thellë në trojet tona dhe ka arritur deri në Nish, duke i ndarë trojet tona të vjetra të Rashkës nga Maqedonia dhe nga lugina e Vardarit…! Këtë pykë shqiptare, Serbia filloi ta krasitë që nga kryengritja e parë duke e dëbuar popullsinë shqiptare të viseve më veriore, që nga Jagodina”!

Ivo Andriq: Spastrimi i shqiptarëve

Nobelisti i letërsisë dhe diplomati i njohur Ivo Andriç ka përgatitur një dokument që e botoi në Beograd, më 30 janar 1939.

“Ndarja e Shqipërisë”

Me rastin e vlerësimit të tërë kësaj çështjeje, duhet të kemi parasysh se në çdo mënyrë duhet të shikojmë që t’i shmangemi çdo konflikti qoftë të fshehtë qoftë të hapët me Italinë. Gjithashtu duhet ta evitojmë pushtimin e tërë Shqipërisë nga ana e Italisë se në këtë mënyrë do të na rrezikonte në vendet më të ndjeshme – në Bokë të Kotorrit dhe në Kosovë. Duke marrë parasysh të gjitha këto që thamë më sipër, ndarja e Shqipërisë do të mund të vinte në konsiderim për ne vetëm si një e keqe e domosdoshme dhe e paevitueshme, të cilës nuk do të mund t’i bënim ballë, dhe si një dëm i madh nga i cili duhet të nxjerrim aq dobi sa është e mundshme, do të thotë nga dy të këqija duhet ta zgjedhim atë që është më e vogël.

Kompensimet tona

Këto kompensime gjenden në materialin e përpunuar para 20 vitesh, kur shtrohej çështja e ndarjes së Shqipërisë. Maksimumi që kemi kërkuar në atë kohë, ishte kufiri që do të shtrihej buzë Matit e Drinit të Zi dhe që do të na jepte sigurinë strategjike të Malit të Zi dhe të Kosovës. Gjithashtu duhet t’i sigurojë luginat e liqenet të Ohrit dhe të Prespës, duke përfshirë Pogradecin dhe fshatrat sllave të Malit të Thatë, si dhe ato midis Prespës e Korçës. Marrja e Shkodrës, në këtë rast, do të kishte rëndësi të madhe morale dhe ekonomike. Kjo do të na mundësonte zhvillimin e punimeve të mëdha hidroteknike dhe përfitimin e tokës pjellore për ushqimin e Malit të Zi.

Shqipëria Veriore, në kuadrin e Jugosllavisë, do të mundësonte krijimin e lidhjeve të reja të komunikacionit të Serbisë Veriore e Jugore me Adriatikun. Me ndarjen e Shqipërisë do të zhdukej qendra tërheqëse për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili, në një situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne, eventualisht, do të kishim edhe 200.000 deri 300.000 mijë shqiptarë më tepër, por këta janë, të shumtën, katolikë, marrëdhëniet e të cilëve me shqiptarët myslimanë nuk kanë qenë kurrë të mira. Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi gjithashtu do të bëhej në rrethana të reja, sepse nuk do të ekzistonte kurrfarë aksioni më i fortë për pengimin e saj. (Pjesa e marrë nga libri i Hivzi Sulejmanit)

Dobrica Çosiq: Shqiptarët, barrë për Ballkanin

Shkrimtari i njohur serb Dobrica Çosiq, u nda vetëm pak vite më parë nga jeta. Ai mbahet si “babai i popullit serb” dhe megjithëse ka qenë dhe disident ndaj Titos, kur ishte puna ndaj shqiptarëve, mbahet si një nga mbështetësit e politikës së Rankoviqit, ish-ministrit të Brendshëm famëkeq në kohën e Titos. Si akademik dhe shkrimtar ka qenë një nga njerëzit që ka hartuar shpesh ide kombëtare dhe ka pasur polemika me shumë njerëz.

Çosiq i ka quajtur shqiptarët si “barrë barbare e Ballkanit”, ndërkaq thuhet se është pajtuar me idetë për Serbinë e Madhe dhe ka folur se si pjesë të Kroacisë e Bosnjës, duhet t’i kthehen Serbisë. Megjithatë, disa vite më parë i konfesoi revistës “Nedeljnik”, në moshën 93 vjeçare, se Kosova humbi dhe apeloi te gjeneratat e reja, të mos harxhojnë energji pasi këtë çështje e ka zgjidhur historia kundër ideve të tyre.

Sllobodan Millosheviq: Spastrimi final

Lëvizja për pavarësinë e Kosovës mori hov në mesin e viteve ’80-të, por Serbët ishin kundër autonomisë dhe më 1987-ën Sllobodan Milosheviq, që po ngjiste atëkohë hierarkinë pushtetarë serbe, u zgjodh udhëheqës i Partisë Komuniste Serbe, me premtimin për rikthimin e sundimit serb në Kosovë. Më 1989, Millosheviqi u bë Presidenti i Serbisë dhe menjëherë ndërhyri në Kosovë, duke e ulur fare autonominë më 1990, nëpërmjet dërgimit të trupave ushtarake që rrëzuan qeverinë kosovare.

Por llogaritë ishin bërë gabim, pasi kjo politikë e përcolli Federatën Jugosllave drejt shkatërrimit më 1991, dhe më 1992, kurse Kosova pak vite më parë, do të shpallte shtetin e saj. Epilogu ishte se Millosheviqi, që mendonte t’i jepte fund problemit shqiptar, përfundoi në Gjykatën e Hagës dhe vdiq pa iu mbyllur procesi i krimeve ndaj njerëzimit, që i rëndonte mbi supe. Ai bëri një shpërngulje gati biblike të shqiptarëve në fund të viteve ’90-të, nga më famëkëqët e shekullit të shkuar.

Greqia

Nga viti 1913-1922, kohë në të cilën Shqipëria përjetoi shumë peripeci, Greqia vazhdoi të bënte sistematikisht pastrimin etnik të shqiptareve. Greqia përzuri nga trojet shqiptare mbi 80 mijë shqiptarë, ku një pjesë i dërgoi në Turqi, e të tjerët i shpërndau nëpër ishujt e vdekjes.

“Protokoll i Korfuzit”

Është një dokument që përcakton kufijtë e Vorio-Epirit, ku koncepti i Vorio-Epirit shtrihej deri në Durrës, pasi Epidamusi i lashtë ishte koloni greke! Të tjerët e çonin këtë kufi deri në Shkumbin. “Protokolli” përcaktonte si Vorio-Epir, krahinat e Korçës, Gjirokastrës, Sarandës e Himarës.

“Ligji i Luftës”

Historia e “Ligjit të Luftës” fillon më 10 nëntor 1940, kur u shpall dekreti mbretëror grek, ligji 2636, mbi gjendjen e luftës së Greqisë me Italinë e Shqipërinë. Pas pushtimit nga Gjermania, qeveria kuislinge e Greqisë e kryeministrit Jorgos Xolagoklus, e hoqi Ligjin e Luftës. Por pas përfundimit të luftës, qeveria e sapo formuar në vitin 1945, e riktheu atë duke i rishpallur luftë përsëri Shqipërisë, me një dekret të ri me numër 13. Më 28 gusht 1987, Qeveria e Andreas Papandreu, i pranishëm dhe Karolos Papulias, hoqi ligjin luftënxitëse mes Greqisë e Shqipërisë.

Masakra e Zervës, gjeneralit grek mbi çamët

Gjenerali kolaboracionist Napolan Zerva, në pragvdekjen e tij, tha: “Vdes i qetë se bëra atë që doja. Pas lashë rrëke gjaku, tym, blozë, gërmadhë; ulërima fëmijësh, nuse dhe gra lakuriq, që futeshin në furrat e ndezura, që të mos pillnin më shqiptarë… burra të varur, shpuar me bajonetë, gjuha shqipe nuk do të flitet më në tokën helene. Kjo me kënaq mua, ashtu siç kënaq tërë shpirtrat helene”. Më 1944, Zerva dhe gjeneralët e tjerë, kishin marrë urdhër që popullsia çame prej 30-35 mijë banorësh, ta asgjësonin krejt.

Paradoksi ishte se Aleatët mbyllën sytë, ose si shprehej koloneli Kris Voodhanse, shef i misionit ushtarak aleat, kur deklaronte: “Me inkurajimin e misionit ushtarak aleat, që unë drejtoja, Zerva i dëboi çamët nga shtëpitë e tyre”! Genocidi nisi me 27 qershor 1944. Ushtarët e Zervës rrënonin gjithçka që gjenin përpara dhe rrafshuan mbi 5800 shtëpi në 68 fshatra dhe qindra mijëra çamë, u vranë dhe pronarët u bastisën krejtësisht…

Konferenca e Paqes (1946)

Në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1946, Greqia kërkoi ndryshimin e kufirit me Shqipërinë, duke kërkuar jugun shqiptar. Më 1949 ushtria e Greqisë afroi forcat e saja në kufi, për të hyrë në Shqipëri. Më 1968, marrëdhëniet midis Tiranës dhe Athinës arritën deri në një luftë të hapur, pas pretendimeve greke për aneksimin e jugut të Shqipërisë.

Agresioni grek i 2 gushtit 1949 në Jug

Më 2 gusht 1949, territori jugor shqiptar në juglindje me bazë rajonin e Korçës, por edhe deri në Konispol të Sarandës në Likojan, u bë objekt sulmi ushtarak prej Greqisë. Nuk ishte provokacion siç u cilësua nga shteti shqiptar në vitin 1949, por sulm ushtarak grek kundër vendit tonë. U shpërngulën me qindra familje shqiptare, për t’i shpëtuar këtij agresioni të paprecedent.

Greqia vërsul drejt Shqipërisë mbi 70 mijë forca të armatosura, mbi 50 avionë, 80 tanke dhe një skalion artilerie me afro 400 gjuajtës, kryesisht topa, shteti shqiptar mobilizoi dhe futi në luftën mbrojtëse 10 mijë ushtarë, ndërkohë që po mbante në gatishmëri edhe 30 mijë trupa të tjerë, pranë zonës së sulmuar.

Italia – Aneksimi i Shqipërisë

Më 7 Prill 1939, Italia e pushtoi Shqipërinë, ndërsa vendi ra krejtësisht nën perandorinë italiane. Njeriu më i rëndësishëm i vendit ishte Lejtnanti i Përgjithshëm i Madhërisë së Tij Mbretit Perandor në Shqipëri (Luogotenente Generale di S.M. il Re Imperatore in Albania), i atashuar qeverisë së Tiranës. Ky post iu dha ish të dërguarit Françesko Jakomoni i San Marinos, të cilit i raportonte një personel prej 120-140 vetash. Autoriteteve shqiptare nuk u lejohej të shpallnin akte ligjore ose të merrnin vendime të rëndësishme pa aprovimin e tij.

Shtypi shqiptar kontrollohej nga Piero Parini, i cili gëzonte një status të veçantë në strukturat e aparatit pushtues. Gjatë viteve 1940-1942, ato numëronin 100.000 – 150.000 vetë. Deri në nëntor 1949, ato ishin nën komandën e Kryekomandantit të Forcave të Armatosura në Shqipëri, gjeneralit Sebastiano Viskonti Praska. Aty u vendos përkohësisht edhe misioni ushtarak i gjeneralit Manlio Gabrieli. Më vonë në Shqipëri u vendos komanda e forcave që pushtuan Greqinë. Qeveria kolaboracioniste në Tiranë drejtohej nga Shefqet bej Vërlaci, feudal dhe pronar i madh tokash, i cili kishte qenë rival i Zogut për shumë vjet. / Memorie.al

“HISTORI TË PASHKRUARA” – ING. AVNI HOXHA , SHKËNDIJA E NJË KTHESE?- Nga MËRGIM KORҪA

 

 

Po t’i hedhim një sy mbrapavështrues  dy dhjetëvjeçarëve të fundit të shekullit që shkoi e deri më sot, ballafaqohemi me kundërthënie vërtet marramendëse!

Për hir të temës që trajtohet, të rikujtojmë disa momente kyçe. Vitet 80-të historia do t’i studjojë si vitet që shënuan asgjësimin e kometës komuniste. Ajo u nis drejtë hapësirave kozmike e mbështetur dhe e shtyrë përjetë nga vrulli i masave  të shtypura që udhëhiqeshin nga disa ëndërrues idealistë. E vazhdoi flurudhën për një farë kohe duke lënë mbrapa veç kufoma armiqsh dhe tradhëtarësh imagjinarë, e në mes tyre domosdo ndër të parët edhe ish idealistët e saj, sepse ata fill mbas marrjes së pushtetit u asgjësuan nga tiranët diktatorë t’ardhshëm. Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe. Ekonomia pastaj, ajo forcë e jashtëzakonëshme, ligjet e së cilës barazohen edhe me ligjin e qëndërtërheqjes universale, e detyruan atë kometë të hynte në shtresat e dëndura të atmosferës tokësore e duke u djegur … të asgjësohej. Goditja qe e tmerrshme.

Po tek ne ç’la? Një pështjellim të plotë në mëndjet e njerëzve! Ky rezultati i parë, më i prekëshmi! Po tjetër? Luftë për mbijetesë pa marrë parasysh as norma, as etikë pa le moral. Nuk kishte se si të ngjiste ndryshe. Ai popull indiferent  deri në dhimbje, ku e kishte katandisur  barazia në skamje, veç vegjetonte. E në këta kushte nuk duhet harruar se kush qe ai popull. Ai nuk e ndiente veten më as pasardhësin e Kastriotit, Ded Gjolulit, Ismail Qemalit apo të Topullarëve, ashtu siç edhe gruaja shqiptare nuk e ndjente aspak veten pasuese të Shotës apo Suliotëve. Ai ishte në mesatare, njeriu i ri socialist! Ai ishte veç karilatura e shqiptarit si e deshi partia dhe ku e katandisi ai eksperiment djallëzor që desh t’i mbushë mëndjen botës se do t’i jepte shëmbull asaj në gjithçmos! Atëbotë, kur nuk kishte më se si të shërohej gërbula që e kish përfshirë ekonominë socialiste as me tufëza e as me arëza, atëkohë u shëmb edhe diktatura! Dhe shqiptari, i lartpërmenduri shqiptar, u ballafaqua me realitetin sa të bukur e gjithaq të vështirëpër t’u përballur: Ekonominë e trëgut! Ah sa e vështirë  ishte n’ato rrethana, të gjëndej orientimi. Dhe populli ia hyri aventurës, dikush duke shitur pije freskuese, tjetri duke luajtur kartën e emigrimit dhe përballimit me një të panjohur tjetër akoma më të madhe e domosdo dikush … duke u veshur me pushtet. Dihet se ç’do shëmbje pasohet nga një rilindje. Është e vërtetë. Mirëpo rilindja mbas dhjetëvjeçarësh të tërë, përgjatë të cilëve u punua sistematikisht  të vlerësohej antivlera e të çvlerësoheshin normat e etikës si edhe të moralit, do të rezultonte  një rilindje (mbase jo një abort), por sidoqoftë një rilindje tejet dhe tragjikisht e vështirë. Kësisoji si fenomen, natyrshëm bashkëudhëtar i demokracisë, lindi i brishtë por u mëkëmb dhe tani ka marrë përmasa të frikëshme, korrupsioni. Ky është realiteti.

Pa dashur tashti të analizohen të metat e kaluara, se s’ka si bëhet më e kollajtë të kritikosh atë që punon ndërsa ti qëndron jashtë loje, por njëkohësisht pa ju dorëzuar fatit, e vetmja alternativë pozitive mbetet ajo e të thënit gjithsecili vetes: Ҫ’ duhet bërë që vëndin tonë t’a nxjerrim nga këneta ku është zhytur?  Pa asnjë mëdyshje, hapi i parë  është kufizimi i korrupsionit. Mendoj se si ata që e përcaktuan Ing. Avni Hoxhën kandidat për Kryetar Bashkie të Durrësit e gjithashtu edhe vetë Avniu që e pranoi kandidaturën, kanë marrë një vendim skajshmërisht të drejtpeshuar: të parët, duke nxjerrë mësime nga e kaluara, (më mirë vonë se sa kurrë), dhe i dyti thjeshtë nga dashuria e tij e skajshme për qytetin e tij të lindjes si edhe për popullin e Durrësit, kanë vendosur t’a bëjnë këtë qytet që, për nga rëndësia vjen mbas kryeqytetit, por përsa i takon luftës që i duhet bërë kontrabandës si edhe korrupsionit, mbase merr rëndësi të dorës së parë, shëmbull për të ndjekur për të gjithë!

U kthehemi tashti garancive etiko – morale që jep ky kandidat. Unë personalisht kam që në thellësitë e viteve që njihem me familjen e Hoxhajve duke qënë mik i ngushtë me të ndjerët vëllezërit e Avniut, Hilmiun si edhe Idrizin, (mungesën e të cilëve e ndjej shumë). Rrënja e familjes, xha Shabani i ndjerë, (i ati i Avniut) ish me zë në Durrës si tregtar i pasur, i ndershëm deri tek ai, si edhe bamirës. Vëllai i madh, Hilmiu, i cili edhe sakrifikoi e bëri shumë për vëllezërit e tij, punoi mullixhi, shofer e ç’nuk bëri ai pergjatë jetës së tij duke qënë shëmbull ndershmërie e bamirësie për të tjerët. Në këtë mjedis familiar u brumos edhe pinjolli i kësaj familjeje të nderuar, Avni Hoxha. Nuk kam si të mos e përmend me këtë rast edhe vjehrrin e Avniut, të nderuarin tashmë të ndjerë, Sulejman Bratin, të cilin e kam njohur që në vitet 50-të dhe e them me kryelartësí se e kam për nder që kam qenë mik i tij. Nuk kish si të bëhej njeriu më me karakter se ai. Kështu Avniu  pati fatin  të lindet, të jetojë, të rritet e të burrërohet në një mjedis me plot kuptimin e fjalës fisnik! Sa i takon vetë Avniut: e njeh gjithë Durrësi, veçanërisht përgjatë periudhës mbas diktaturës, sa i ndershëm, korrekt dhe i aftë është treguar gjatë viteve që drejton si bashkëpronar firmën SIAC.

Vijmë tashti tek garancitë teknike që jep Avniu si kandidat. Në rradhë të parë është i pakorruptueshëm sepse është fisnik nga prejardhja si edhe nga formacioni i vet karakterial. Gëzon mirëqënie, (për të mos thënë se është i pasur),si rrjedhojë e punës së palodhur shumëvjeçare të pa asnjë njollë. I papëzier me zhvillimet politike e pra jashtë ndikimeve partiake. Shumë i aftë teknikisht si inxhinier ndërtimi si edhe me shpirt organizatori të përkryer. Dhe pa e zgjatur më shumë kurorën e virtyteve që ka, ai e pranon detyrën e kryetarit të Bashkisë së Durrësit vetëm si barrë e pa as më të voglin pikësynim përfitimi vetiak.Ai e di sfidën që do t’i duhet të përballojë dhe pikërisht dashuria e tij për bashkëqytetarët e zhgënjyer si edhe për qytetin e tij, e detyrojnë t’a marrë përsipër këtë barrë!

Tashti dy konsiderata. Së pari, paralelizmi me Bashkinë e Tiranës. Duhet t’a them që në fillim se në mënyrë të paragjykuar, nuk kam se si të kem konsideratë për zotin Edi Rama nga e kaluara e tij, (tejet i përfolurnga kolegët e tij të Klubit Dinamo në rinin e tij të hershme e pastaj disident i skajshëm, gjithmonë simbas tij, i regjimit diktatorial e në vazhdim çuditërisht menjëherë i thithur nga socialistët në rrjetën e tyre, deri sa për hir posti gjasat janë që nuk do të çudiste asnjeri sikur t’a shihnim në poste drejtuese të socialistëve). Nga ana tjetër, nga ç’kemi lexuar  në shtyp, i akuzuar nga gjithë anët si mitëmarrës dhe i korruptuar. E ky person me këmbëngulje kërkon të rizgjidhet sërishmi kryetar i Bashkisë së Tiranës! Logjika e thjeshtë thotë se ky njeri, sado karrierist që të jetë, për t’a patur të drejtën morale të kandidimit, po të jetë njeri i ndershëm dhe i pakorruptuar siç pretendon, hap të parë duhet të bëjë pastrimin publikisht të figurës së tij nga njollat që i venë dhe të hedhë poshtë akuzat me të cilat e ngarkojnë. Kjo do t’i takonte si qytetari numur një i kryeqytetit. Po ai hesht dhe e …e vazhdon fushatën e tij. E tashti, duke iu kthyer Durrësit, me gjithë ndonjë sukses që lidhet me punën e zotit Rama  në Bashkinë e Tiranës, a ka se si krahasohet zoti Edi Rama me Ing. Avni Hoxhën? I lemë përfoljet ndaj tij (z. Rama) se unë së paku nuk kam prova për to e prandaj as nuk i marr në konsideratë.  Por e them me plot bindje se shtysa e zotit Rama ka qenë vetëm vetqëndërsia dhe egoizmi i tij. Ai nuk është ilidhur me qytetin e Tiranës dhe as nuk ka se si të ketë profesionalizmin teknik, i krahasuar me përgatitjen teknike të Ing. Avni Hoxhës si edhe përkushtimin e tij ndaj qytetit si edhe banorëve të Durrësit. Planimetria e Tiranës është bërë, me plot kuptimin e dhimshëm të fjalës, një kaos. E ky kryetar vazhdon dhe e inkurajon kaosin. (Nuk bëj  insinuata mitëmarrjeje lidhur me këtë kaos, por vetë diletantizmi i tij profesional nuk e lejon t’i a ndryshojë rrjedhën ngjarjeve). Kurse Ing. A. Hoxha në rradhë të parë falë vetë formimit profesional si edhe pastërtisë së tij, jo që do t’i thotë ndal aventurizmit në ndërtim, por do të dijë të hartojë planet perspektive të shtrirjes së Durrësit si edhe  të korigjimeve eventuale që mund t’u bëhen gafave të kaluara.

Ja edhe konsiderata e dytë. Jo pa qëllim e theksova më lart se udhëheqja e PD-së më në fund e kuptoi se punës i duhet gjetur njeriu i ndershëmsi edhe i aftë, pa u ndikuar nga gjoja besnikëria e partishme. E theksoj këtë moment nisur mga fakti se në ata çaste të përmbysjes së diktaturës  u hodhën nga ana e demokratëve me kuç e me maç, (si i thonë lebërit), e kjo solli si pasojë  edhe atë çoroditje në veprimet si edhe mëndjet e njerëzve. Prandaj edhe vendosja e demokracisë në Shqipëri kaloi nëpër zig-zage të tilla ku sot e dijmë mirëfilli se ku ishim, po aspak se ku po shkojmë. A ka farsë më të goditur, (për t’a paraqitur veten) se sa të deklarohet nga institucioni shkencor si sihariq i madh se u zbulua shtëpia e nënës dhe motrës së Nënë Terezës? I gjithë brezi im që është rritur në zonën mes Lanës dhe rrugës së Kavajës e ka ditur mirëfilli se cila ishte shtëpia ku banonin nëna dhe vajza e Bojaxhive. E dijnë kryesisht mirëfilli Zajmët e pas tyre Bermemajt si edhe Brahimajt, e dijnë Hamzarajt si edhe Bulkët e gjithashtu Plasarët me gjithë Vuthët. Po nuk mbaron me kaq farsa. Shkencëtari që e jep këtë lajm njofton njëkohësisht se do të promovojë më 19 tetor albumin e hartuar prej tij me titull “Shqipëria dhe Nënë Tereza”. Unë i drejtohem shumë njerëzisht duke e ftuar të heqë dorë nga kjo  ripërshtatje e tij rrethanave të reja. E ka njohur i gjithë Durrësi si punonjës shkencor. Por e ka njohur edhe si përfaqësues të asaj partie që Nënë Terezën e quajti “lavire” si edhe agjente të Cia-s. E ftoj pra të merret me shkencën së cilës i është përkushtuar e t’ua lerë Nënë Terezën studjuesve me emër dhe të nderuar  si Dr,Dom Lush Gjergjit me shokë.

Me këtë kategori  të ripërshtaturish u mbush PD-ja, pa e diskutuar fare pastaj faktin se si brënda natës, ata që nuk milituan me PD-në, ranë për të fjetur si ish komunistë dhe u gdhinë … socialistë! E kjo qe pra tragjedia e Shqipërisë. Se po të ishin  zgjedhur që në fillimet e s’ashtuquajturës demokraci, drejtues të kalibrit të Ing. Avni Hoxhës, ndryshe do të kishte ecur Shqipëria”.

Tashti edhe një kujtim i cili flet vetë. Ishte fundi i vitit 1981. Kisha qenë për darkë tek Avni Hoxha  dhe aty pranë mesnatës ai po më përcjell. Ngjitur me shtëpinë e tij shohim njerëz të ulur në trotuar. Avniu i shikon dhe i revoltuar nga fakti që ata të shkretë kishin zënë rradhën me shpresë për të marrë dy shishe qumështi në mëngjes, më thotë gjithë pasion … të betohem Mërgim, të më emërojnë  kryetar Komiteti në vëndin e Isa Kurtit, brënda dhjetë ditësh po nuk zhduka rradhët për qunësht e nevojat e popullatës të mbulohen pa vështirës, mos më thënçin Avni! Dhe shtoi … dhe besoma se i di si planet e detyrimeve që ka rrethi i ynë si dhe prodhimin faktik të qumështit. Por e keqja vjen vetëm nga ç’organizimi i organizuar i këtij sistemi!

                Është e qartë se atëhere as Avniut e as mua nuk kishte se si të na shkonte në mëndje se do të vinte dita dhe ai do të kandidonte pikërisht për postin e drejtuesit kryesor të rrethit.Por ama ai fakt duhet t’u flasë shumë bashkëqytetarëve të  Avniut e t’u thotë se u ka ardhur dita  që vërtet t’a hedhin votën e tyre për njeriun i cili i ka mundësitë të bëjë shumë pòër ta si dhe qytetin e tyre!

Megjithatë, uroj nga zemra që më në fund opozita mos t’a lerë ing. Avni Hoxhën një rast të vetmuar e të tillë njerëz të zgjidhen si në poste drejtimi shtetëror e gjithashtu edhe partie. Por edhe partia në drejtim sot, shpresoj t’i tnërrasë mëndjes e të reagojë duke e kuptiar se po nuk bëri ndryshime cilësore me vlera filluar që nga maja e piramidës së saj, sa vjen dhe do të degradohet.

E tashti, para se t’i mbyll këto rradhë, dua t’u kujtoj durrsakëve të vjetër një moment shumë kuptimplotë nga e kaluara.

Durrësi ka patur dy kryetarë Bashkie tejet të nderuar: Zotërinjtë Ahmet Dakli si edhe Hysen Myshketa. Emrat e të dyve janë të lidhur me zhvillime shumë kuptimplote.Z. Dakli, si kundërshtar i Ahmet Zogut, largohet më 1925-ën nga Shqipëria kur ky i fundit e mori fuqinë në dorë. Mbas disa viteve mërgim, i lodhur nga jeta larg atdheut, kërkon leje të kthehet dhe Mbreti ia aprovon kthimin. Mbas disa ditëve e thërret në Pallatin Mbretëror dhe e informon se e kishte emëruar kryetar të Bashkisë së Durrësit. Ahmet Dakli e refuzon emërimin duke i parashtruar më shumë se sa arësye, sebepe. I kthehet Mbreti dhe i thotë: Zoti Dakli, duhet t’a pranosh se Shqipërinë nuk e dua unë më shumë se sa ti. Në Durrës ti do të jesh Mbreti i qytetit. Puno me ndershmërinë që të karakterizon, përparoje dhe lulëzoje qytetin e t’a kemi shëmbull edhe për qytetet e tjerë. Dhe i gjithë Durrësi e mban mënd se sa i shërbeu qytetit ai kryetar Bashkie.

                Vite më vonë emërohet kryetar Bashkie njeriu me emër si i ndershëm si edhe filantrop ii njohur i Durrësit, zoti Hysen Myshketa. Me sjelljet si edhe veprimet e tija qe bërë simboli i qytetit dhe ngado të ktheje kokën dukej dora e dashuruesit të qytetit si edhe banorëve të tij.

                I kujtova këta dy raste për të vënë në dukje se si historia jo e largët ka treguar së pari se si Durrësi ka patur traditë shumë të mirë në pasjen si kryetarë të Bashkisësë tij figura madhore edhe të kombit tonë e së dyti, që ing. Avni Hoxha duhet t’a mbajë mirë parasysh se, veç të tjerave, ç’përgjegjësí po merr përsipërduke u bërë objet krahasimi me ata dy burra të nderuar!

                Po i mbyll këto rradhë duke qenë i gëzuar që popullit të Durrësit po i jepet mundësia të votojë këtë herë për një person që i ka të gjitha të dhënat të bëhet  farkëtues i ndryshimeve  të mëdha për bashkëqytetarët si edhe qytetin e tij, të votojë për ing. Avni Hoxhën.   

E vërteta e fshehur, si u manipulua vdekja e ish-ministrit Jup Kazazi! Telegrami tepër urgjent që Zoi Themeli i dërgon Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit

Jup Kazazi ishte veprimtar politik, Zministër i Partisë Fashiste në qeverinë e Mustafa Krujës, udhëheqës i Ballit Kombëtar.

Lindi në vitin 1909, në Shkodër. Studioi për ekonomi në Beograd dhe pasi u dëbua prej Mbretërisë serbo-kroatosllovene më 1920, studimet i vazhdoi në Torino (Itali). Jupi, pasi ishte student universiteti në Beograd, qeveria jugosllave e kishte burgosur për veprimtari patriotike që kishte zhvilluar atje. Për të njëjtat motive, në një rast të dytë, e kishte dëbuar përfundimisht prej Jugosllavisë, gjë që e detyroi që studimet për ekonomi politike, ai t’i vazhdonte e t’i kryente mandej në Itali. Zotëronte serbokroatishten, italishten, frëngjishten dhe anglishten. Në Shkodër zgjidhet kryetar i grupit ‘Djelmënia’. Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia bëhet pjesë e Ballit Kombëtar, punon ekonomist në ministrinë e Financave. Me këmbënguljen e miqve bëhet ministër i Partisë Fashiste, edhe pse ishte kundër fashizmit. Pas disa kohësh jep dorëheqjen nga kabineti, së bashku me Hasan Dostin.

KRYENGRITJA E POSTRIBËS

Më 18 gusht 1943 organizoi bashkë me nacionalistë të tjerë Luftën e Reçit, një luftë që më vonë historianët komunistë e interpretuan si të organizuar nga komunistët. Jup Kazazi bashkoi tri forcat politike që e patën zgjedhë kryetar të Komitetit për shpëtimin e Shqipërisë dhe qe organizues kryesor i Luftës Reçit, një nga betejat më të mëdha kundër pushtuesit me 30-31 gusht 1943. Pas ardhjes së gjermanëve doli në mal përsëri. Atje ishte bashkë me misionin anglez për Veriun, kolonelin Neel (Nil) e kapitenin Hebberdine të R.A.F. Për këtë periudhë, koloneli Neel më 19.10.1991, i ka shkruar vajzës së Jupit Lirisë, se Jup Kazazi ka qenë një hero e se ai e kapiteni kishin mbetur gjallë në atë kohë dhe kishin shpëtuar nga gjermanët në sajë të tij. Me ardhjen në pushtet (1944), komunistët e dënuan me vdekje. Jupi e pasqyron në ditar këtë fakt. Ditari i tij nis më 25 nëntor 1944, Salvator Kurti e lajmëron që Jupi me të katër vëllezërit janë dënuar me vdekje nga partia komuniste. Kështu për herë të tretë u detyruan të dalin në mal. Ai u bë udhëheqësi dhe simboli i asaj që njihet sy kryengritja antikomuniste e Postribës (1946). Më 9 shtator 1946, duke synuar që me “Postribën” të lironin të burgosurit e të merrnin institucionet, shpërtheu para kohe ajo që sot njihet si Kryengritja e Postribës, me disa qindra kundërshtarë të regjimit, mes të cilëve, vëllezërit Kazazi. Duke qenë më të paktë në numër dhe me armë, kryengritësit dështuan, ndërsa pushteti u bë më i egër duke arrestuar mbi 1200 veta, hapur 11 burgje të përkohshme e vrarë dhjetëra të tjerë. Jupi shpëtoi, por u detyrua të fshihej dhe u strehua te daja i tij. Me 17 shtator, shtëpia ku fshihej u zbulua, pasi u torturua një dëshmitar që kishte dijeni.

Rrethimi dhe vetëvrasja

Mesnatën e 16 shtatorit 1946, duke u gdhirë data 17, në bodrumin e një shtëpie ku ishte fshehur, pasi zbulohet nga forcat e ndjekjes së Sigurimit të Shtetit, vret veten për të mos rënë në duart e komunistëve Jup Kazazi. Pasi nuk e kapin dot të gjallë, forcat e ndjekjes e marrin kufomën e tij dhe nisin të propagandojnë me të madhe se e vranë ata. Madje, duke kërcënuar se i njëjti fat i priste të gjithë kundërshtarët e regjimit, ata e ekspozuan kufomën e tij në mes të Shkodrës duke bërë me këtë rast edhe fotografinë makabër që u ekspozua për dekada me radhë. Duke mos dashur të binte i gjallë në duart e komunistëve, Jup Kastrati thirri “Rrnoftë Shqipëria! Nuk u dorëzohem këlyshëve tËStalinit” dhe vrau veten më 17 shtator 1946. Pas vetëvrasjes forcat e Mbrojtjes së Popullit e morën kufomën e tij dhe e shëtitën nëpër qytet si një formë presioni dhe terrori. Ekzekutorët futën në shtëpi të kontrollonin të vdekurin, nipin 16- vjeçar, Ahmet Kopliku. I biri i Jupit, Hamza Kazazi është shprehur më parë se të atin e masakruan edhe për së vdekuri, kënduan e hodhën valle dhe e ekspozuan në qytet. Pas ngjarjes, 7 anëtarë dhe të afërm të familjes Kazazi u ekzekutuan, vranë veten ose vdiqën, ndërsa dhjetëra të tjerë u internuan. Trupat e të vrarëve nuk iu kthyen kurrë familjeve. Sipas dokumenteve arkivore të kohës, Jup Kazazi vrau veten pas një shkëmbimi zjarri në Shkodër me Brigadën e Mbrojtjes së Popullit, një organ i ministrisë së Mbrojtjes së regjimit komunist. Trupi i tij u ekspozua në publik për të mbjellë terror, por nuk iu kthye kurrë familjes dhe nuk dihet se ku është varrosur.

DOKUMENTI I SIGURIMIT

Një dokument i publikuar vite më parë nga “Kujto.al”, zbuloi pikërisht faktin se komunistët duke gënjyer, kishin propaganduar se Jup Kazazin e kishin zënë dhe e kishin vrarë ata dhe e kishin fshehur lajmin e vetëvrasjes së tij dhe faktin që s’mundën ta zënë të gjallë. Bëhet fjalë për telegramin tepër urgjent që Zoi Themeli i dërgon Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në datën 17.09.1946. Zoi Themeli që drejtonte në atë kohë forcat e ndjekjes në Shkodër, raporton kështu në Drejtorinë e Sigurimit: “Mbrëmë në ora dy mbas mesit të natës u zbulue në seksion se ku ndodhet Jup Kazazi. Në rrethimin që i bëmë shtëpisë dhe mbasi ai e pa se neve e gjetëm bodrumin ku ishte mshefur dhe s’kishte shpëtim, vrau veten. Këtu popullarizohet se e vramë neve. Kemi gjetur disa dokumente, por ma t’randësishmet do t’ua dërgojmë”. Në dokument vihet re se është nënvizuar fraza “këtu popullarizohet se e vramë neve” dhe poshtë saj lihet shënimi me shkrim dore nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit: “Mirë”. Shënimi nënkupton se përhapja e këtij lajmi, do t’i jepte fuqi forcave të ndjekjes dhe punës së Sigurimit të Shtetit për të mposhtur Veriun dhe për të mbjellë terror menjëherë pas kryengritjes së Postribës. Se sa i rëndësishëm ishte për lëvizjen antikomuniste roli i Jup Kazazit dhe sa i rrezikshëm ishte për regjimin e tregon edhe dokumenti tjetër, ku shkruhet një biografi e tij pas vdekjes. “Jup Kazazi – Rrjedh nga shtresa e naltë, studimet i ka kryer jashtë. Në kohën e Zogut ka qenë emnue si sekretar i një Ministrije. Aktivitetin politik e ka fillue më tepër me ardhjen e fashizmit Italian nga i cili emnohet Federal, prefekt e ma vonë edhe ministër i partisë fashiste në Shqipni. Ka qenë nji nga eksponentët e organizatës tradhtare të Ballit Kombëtar. Komiteti qendror i Ballit Kombëtar e ka pas dërgue këtë si të deleguemin e tij në Qarkun e Shkodrës. Jup kazazi ka qenë në këtë qark elementi ma i rrezikshëm për lëvizjen N.Ç.L. ka qenë pengesa ma e madhe për përhapjen e frymës të lëvizjes N.Ç.L. në krahina të ndryshme të qarkut të Shkodrës. Ka bashkëpunuar me të gjithë reaksionin e brendshëm për të shtyp e shue Lëvizjen e Popullit Shqiptar si p.sh. me fashizmin italjan, a m’vonë me atë gjerman, me qeveritë kuislinge, të ndryshme dhe me çdo tjetër që ishte armik i lëvizjes N.Ç.L. Jup Kazazi lidhej ngushtë dhe me të huaj që ishin në vendin tonë gjatë okupacionit, si p.sh. me majorin Englez Nil etj, të cilët mbanin anën e reaksjonit. Me çlirimin e Shqipërisë ky nuk largohet nga Shqipnija por mbetet n’arrati me qëllim të organizojë lëvizjen kundër pushtetit të vendosun në fuqi. Në këtë drejtim ka ba mjaft tentativa. Ka qenë organizator i lëvizjes së janarit 1945 në Shkodër, kur Llesh Marashi sulmoi Koplikun me të cilin Jup Kazazi ishte në lidhje siç dukej edhe me kriminelë të tjerë si Hasan Isufi të cilin vran partizanët në Belloj. Gjatë ilegalitetit asht vue në lidhje me shtresa reaksionale të ndryshme si p.sh. me tregtarë, pronarë dhe intelektualë me qëllim që të organizoheshin këto forca kundra Pushtetit. Jup Kazazi ka qënë një ndër nxitësit kryesor të lidhjes që u ba në Shkodër më 9 shtator. Të gjitha këto i pagoji me këtë (u vra).

PËRNDJEKJA E FAMILJES

Tre nga vëllezërit u pushkatuan dhe burgosën, i katërti Saiti vrau veten për mos me ra në duart e komunistëve. Ishte plagosur duke luftuar kundër çetnikëve në Kosovë në formacionin e batalionit “Besnik Çano” ku ishte komandant. I veshur si partizan arrin në Shkodër ku strehohet tek shtëpia e kushëririt, Ixhlalit, ku kreu aktin e vetëflijimit. Haliti, më i madhi ndër vëllezër bujti në një katund të Shkodrës, ku e pritën e i shtruan për ta çarmatosur kur ishte në gjumë. E dorëzuan tek autoritetet, dhe këta e pushkatuan. Vëllai i tretë, major Zeneli u gjet i plagosur me dy plumba në trup, u dënua me pushkatim, mandej me 25 vjet burg prej të cilëve 18 në Burgun e Burrelit. I vogli, Hamidi sa kishte përfunduar gjimnazin bëri 10 vjet burg në Burrel e në kampe si Maliqi e më pas u dënua 23 vjet në internim. Kushuriri Nuh Kazazi u pushkatua në Degën e Brendshme të Shkodrës nga Zoi Themeli. Xhaxhai Abdullah Kazazi, daja Rifat Kopliku u pushkatuan. Rasim Kazazi, djali i xhaxhait, i vdekur në qeli pas torturave, Osmani kushëriri i tyre, i pushkatuar. Sabriu, djali i xhaxhait, i dënuar me 20 vjet burg. Daja tjetër Shyqyri Kopliku, i dënuar me 10 vjet burg. Kushërinjtë Bektesh e Bexhet Kazazi, 5 vjet burg. Po kështu edhe fisi i bashkëshortes së Jupit, Nasibes, u persekutua. Adem Boletini, djali i heroit Isa Boletini, u tha se u vra “gabimisht” duke i bërë atentat komandantit të xhandarmërisë, ndërkohë që thuhet se atentati ndaj tij u bë me urdhër të Vasil Shantos. Asim Shpuza, djali i tezes së Nasibes, intelektual, farmacist pushkatohet. Asimi u akuzua si agjent, motra e Nasibes, Adile Boletini (Bekteshi) pasi i pushkatuan të shoqin, e dënuan pesë vjet burg, si bashkëpunëtore e Jup Kazazit.

NË KËRKIM TË VARREVE

I biri i Jupit, Hamza Kazazi, pas 1990-s ka nisur kërkimet për eshtrat e të afërmve. Ka gërmuar në Kir, sipas dëshmive të një 13- vjeçari që kishte shkuar të lahej në lumë, kur ka parë të varroset një burrë me pizhame (si në fotot e trupit të pajetë të Jupit), në vendin ku më vonë u vu Drejtoria e Ujërave, pas varrezave të Rrmajit. Hamza Kazazi, pas shumë gërmimesh, nuk arriti dot të identifikonte të atin, por gjeti eshtra të mbështjella në një veladon, me dorë në zemër e me një kryq, që mendohet se qenë eshtrat e një prifti dhe ia dorëzoi ipeshkvit, imzot Zef Simonit në Shkodër. Ndërsa kërkon 7 të zhdukurit e tij prej 30 vitesh, ka arritur të kuptojë se “procesverbalet baheshin të rrejshme”. Në qershor 2017, Jup Kazazit, qyteti i Shkodrës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” (pas vdekjes) dhe Presidenti i Republikës, Nishani, i ka akorduar “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” (pas vdekjes).

/Gazeta Panorama 

“Qeveria e Hoxhës do të shkatërrohet patjetër, o spiunët e Enverit…”- Raportet sekrete të Sigurimit: Incidentet e të arratisurve shqiptarë në Kakavijë

Nga DASHNOR KALOÇI/ Ndryshe nga Republika Federative e Jugosllavisë së Marshallit Josif Broz Tito dhe pasuesve të tij, me të cilën regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, mbajtën një qëndrim armiqësor (të paktën në dukje) nga 1948-a e, deri në vitin 1991, kur ajo Federatë u shpërbë dhe këtu filloi rënia e komunizmit, me fqinjët tanë jugorë, Republikën e Greqisë, Tirana zyrtare filloi një normalizim të raporteve dhe marrëdhënieve ndërshtetërore, që në mesin e viteve ’80-të, kur Enver Hoxha pak kohë para se të vdiste, (1985) botoi librin e tij, ‘Dy popuj miq’! Sinjale të afrimit me Greqinë dhe të normalizimit të marrëdhënieve me Athinën zyrtare, Enver Hoxha i kishte dhënë që në vitin 1978 (pas prishjes me Republikën Popullore të Kinës), ku gjatë vizitës së tij në krahinën e Dropullit (zona e minoritetit grek) , ai foli disa fjalë greqisht dhe në Grapsh u shpreh gjithashtu për një afrim në mes dy vendeve.

 

Por sa më sipër, kjo gjë do të dukej qartë disa vite më pas, kur më 11 prill të vitit 1985, ditën e dhënies së lajmit zyrtar për vdekjen e Enver Hoxhës, ndërsa në të gjitha postat kufitare të shtetit grek, u ngrit flamuri i tyre në gjysëm shtizë (siç u ngrit në të gjitha postat dhe repartet kufitare shqiptare), në të gjithë gjatësinë e vijës kufitare të Jugosllavisë me shtetin shqiptar, (nga Ulqini në Ohër), u pa një prani e madhe e shtuar dhe dislokim të forcave ushtarake jugosllave, madje me armatime të rënda! Por edhe pse raportet e Tiranës zyrtare me Greqinë fqinje erdhën duke u normalizuar që në fillimin e viteve ’80-të e, kryesisht pas vdekjes së Enver Hoxhës, incidentet ndërkufitare në mes dy vendeve, nuk munguan, madje në disa raste dhe tepër të acaruara dhe problematike.

Kjo gjë ndodhte për shkak të shtetasve shqiptarë që arratiseshin në Greqi, siç ndodhi me Ilia Theodhos Lekën, me origjinë nga fshati Glinë (zona e minoritetit grek në rrethin e Gjirokastrës), i cili pasi u arratis nga Shqipëria në fillimin e vitit 1982, së bashku me vëllanë Kriston e xhaxhanë e tyre, Spiron, për disa vite me radhë zhvilloi greva urie dhe mitingje para ambasadës shqiptare në Greqi, duke arritur të sensibilizonte ndjeshëm edhe opinionin e politikën greke. Po kështu shqiptari i arratisur Ilia Leka, në vitin 1984 nga Athina, u dërgoi disa letra kërcënuese Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, Adil Çarçanit dhe Hekuran Isait’ ku u bënte të ditur se; në rast se nuk i lironin të atin nga burgu i Spaçit dhe bashkëshorten me djalin e vogël nga internimi (në rrethin e Pukës), ai do bënte një veprim që do tronditej Greqia dhe Shqipëria.

Gjatë grevave dhe protestave të tij në qendër të Athinës e atyre para ambasadës shqiptare, i arratisuri politik Ilia Leka, mbajti disa fjalime duke ngritur zërin për politikën diktatoriale të Enver Hoxhës, ku si rezultat bashkatdhetarët e tij jetonin në një varfëri të tejskajshme, duke u privuar gjithashtu edhe nga të drejtat e liritë më elementare të njeriut, siç ishte dhe ajo e besimit fetar, etj. Po kështu, përveç këtyre, gjatë viteve 1982-1986, Ilia Leka zhvilloi edhe disa mitingje proteste në qytete dhe vende të tjera të Greqisë, deri në pikat kufitare me Shqipërinë, si në Kakavijë etj., protesta të cilat duhet thënë se u shfrytëzuan edhe nga qarqe antishqiptare, si dhe Kisha Orthodokse e Greqisë, të cilët nuk munguan të ngrinin aty edhe problemin e Vorio-Epirit. Po kështu, Ilia Leka dha edhe shumë intervista në shtypin grek dhe media të tjerë të vendeve të ndryshme europiane, ku si rezultat ai u ftua dhe mbajti fjalime edhe në Këshillin e Europës në Bruksel si dhe në Kongresin Amerikan.

Si rezultat i gjithë kësaj veprimtarie të Ilia Lekës në ato vite në Greqi, qeveria shqiptare u detyrua që në vitin 1989, t’ia lironte Ilias babanë e tij (Theodhosin) nga burgu i Spaçit dhe bashkëshorten (Maria me djalin e tyre Anestin) nga internimi në rrethin e Pukës, e t’i lejonin ata të shkonin përgjithmonë në Greqi, ku i priste Ilia në Athinë, ku ata jetojnë e punojnë edhe sot. Ndërsa sa më sipër të gjitha këto janë të njohura nga shkrimet me dokumentet arkivore dhe intervistën me Ilia Lekën që Memorie.al ka botuar disa vite më parë, në këtë shkrim po publikojmë disa dokumenta arkivore sekrete që janë nxjerrë së fundmi nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme (tashmë të de-klasifikuara), të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse, ku bëhet fjalë për “incidentet” e krijuara nga Ilia Leka dhe disa shqiptarë të tjerë të arratisur në vitet 1985-’86, në postën kufitare të Kakavijës.

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 17 SHKURT 1986, KU NJOFTOHET PËR “THIRRJET ANTISHQIPTARE” TË DY TË ARRATISURVE SHQIPTARË, ILIA LEKA DHE JEMIN MET HASANI, NË POSTËN KUFITARE TË KAKAVIJËS

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË            SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                     Tiranë, më 17.2.1986

DEGA E PËRGJITHSHME 

                               KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 39

GJIROKASTRA

Më dt. 16.2.1986, ora 11 e 30, në postën kufitare greke të Kakavijës, erdhën rreth 500 veta të organizuar duke kënduar dhe kërcyer valle për Vorio-Epirin. Një i arratisur shqiptar, Jemin Met Hasani, i arratisur në maj 1985 nga posta e Apsallës (ku ishte duke kryer shërbimin ushtarak), i thirri rojes së posto-bllokut: “o nënoficer i rojes”.

I bëri thirrje për të vajtur matanë, e ofendoi dhe në vazhdim i tha: “Më 16 shkurt 1914 është krijuar Vorio-Epiri. Toka shqiptare do të bëhet tokë greke, ju oficerët që mbani të shtypur ushtarët, një ditë do ta paguani, do t’u varin, nuk na pëlqen propaganda juaj në radio.

Ksenofon Nushi do të gjejë vdekjen. Jam ushtar i Apsallës, Jemin Met Hasani, jam ushtar i Leonard Kulës (komandanti i postës kufitare Apsallë), çfarë më bëtë ju, ja ku jam, po bëj qejf. Në këtë kohë e mori fjalën i arratisuri Ilia Leka nga Glina e Gjirokastrës, arratisur në vitin 1982 dhe tha: “Ju që na mbani fëmijët nëpër tela, na mbani edhe prindërit nëpër burgje, do ta paguani”.

Foli përsëri Jemin Met Hasani: “Qeveria e Hoxhës do të shkatërrohet patjetër, si vdiq Hoxha, do të vdes dhe qeveria e tij. Toka shqiptare do të bëhet tokë greke, Vorio-Epiri është i Greqisë. Ku i kini kishat? Këtu janë të tëra të mirat”.

Gjatë kohës që fliste Jemini, atij i rrinte afër një prift. Ishte dhe një prift tjetër dhe kudo që lëvizte, shoqërohej nga pesë veta. Rreth orës 12.30, disa policë dhe ushtarë grekë i shpërndanë grupet dhe civilët e u larguan.

KRYETAR I DEGËS SË PËRGJITHSHME

                              BAUDIN KAZANI

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 5 MAJ 1986, KU NJOFTOHET PËR THIRRJET KUNDËR ENVER HOXHËS DHE RAMIZ ALISË TË DY TË ARRATISURVE SHQIPTARË, ILIA LEKA DHE NJË TJETRI, NË POSTËN E KAKAVIJËS

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                       SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                       Tiranë, më 5.5.1986

DEGA E PËRGJITHSHME 

                                      KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 104

GJIROKASTRA

Më datën 4.5.1986,ora 16.00, nga tarraca e postës greke Kakavijë, midis një grupi prej 4–5 vetash, një civil mbasi vrojtoi me dylbi në drejtim të tokës sonë, foli në shqip: “O qen të Ramiz Alisë”, kurse nga poshtë dëgjua një zë tjetër: “O spiunët e Enver Hoxhës”. Pas pesë minutash, personi që foli, iu afrua piramidës tek porta, qëndroi së bashku me dy të tjerë dhe u largua.

Një grup tjetër prej 10 vetash (civil, midis tyre dhe dy femra, kënduan këngë në gjuhën greke duke qenë me fytyrë nga vendi ynë. Në tekstin e këngës u dëgjuan fjalë për Vorio-Epirin. Në orën 16.30 u larguan në thellësi. Njeri nga personat që foli shqip, mendohet të jetë i arratisuri Ilia Leka.

                        ZV. KRYETAR I DEGËS SË PËRGJITHSHME

                                  GJERGJI THANO

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 7 MAJ 1986, KU NJOFTOHET PËR TAKIMIN E PALËS SHQIPTARE ME ATË GREKE PËR INCIDENTET ME DY TË ARRATISURIT SHQIPTARË, ILIA LEKA DHE JEMIN MET HASANI

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                      SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                      Tiranë, më 7.5.1986

DEGA E PËRGJITHSHME 

                                KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 106

GJIROKASTRA

Më datën 6.5.1986, ora 8.00, u bë takimi në vijën e kufirit, piramida 29 në Kakavijë me palën greke. Takimi u kërkua nga pala jonë. Në orën 11.45 të kësaj date, u bë takimi në vijën e kufirit, ku nga ana e grekëve u tha se jemi dakord që takimi të bëhet në ora 14.00 të datës 6.5.1986.

Nga ora 14.00 – 15.00, u bë takimi me palën greke sipas kërkesës së palës sonë në doganën e Kakavijës. Pala jonë ngriti problemin se me datën 4.5.1986, rreth orës 16.00, nga tarraca e postës greke dy persona kanë folur shqip, duke iu drejtuar njerëzve tanë me fjalë fyese, ndërsa një grup prej 10 vetash në mënyrë të organizuar kanë kënduar këngë me përmbajtje shoviniste.

Në vazhdim iu tha se posta greke është një institucion shtetëror dhe i ka të gjitha mundësitë që të evitojë raste të tillë, sepse këto nuk ndihmojnë në zhvillimin e marrëdhënieve tashmë të mira midis dy vendeve tona. Pala greke iu përgjigj se; “të paktën ne kemi treguar se nuk duam gjëra të tilla. Për ato që na thatë, nuk kemi asnjë kundërshtim.

Ne do t’i raportojmë edhe më lart. Kur ata kanë folur shqip, ne nuk kemi qenë aty që t’i largonin. Ne kemi urdhër që të mos flasin asnjëherë shqip, për të mos ndodhur gjëra të tilla. Nuk do t’i lejojmë të flasin herë tjetër shqip. Ndoshta kanë qenë të pirë se ka pasur festë. Nuk janë gjëra të mira këto që ndodhin dhe pastaj të ulemi në tavolinë.

Jemi shumë të mërzitur për këtë problem. Sa herë kemi raste të tilla, na i thoni që të marrim masa. Këto gjëra nuk ndihmojnë në marrëdhëniet tona të mira”.

Pala jonë u tha se: “këto gjëra nuk i cënojnë marrëdhëniet tona”.

KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME

                              BAUDIN KAZANI

DOKUMENTI ARKIVOR ME KOMUNIKATËN OPERATIVE TË MINISTRISË SË BRENDSHME TË DATËS 2 MARS 1987, KU NJOFTOHET PËR INCIDENTET ME TRE TË ARRATISURIT SHQIPTARË NË POSTËN E KAKAVIJËS, KU, ILIA LEKA I SHAU USHTARËT SHQIPTARË

REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË                    SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME                        Tiranë, më 2.3.1987

DEGA E PËRGJITHSHME 

                                   KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 51

GJIROKASTRA

Më datën 1.3.1987, në postën kufitare greke Kakavijë erdhën tre civilë, njëri ishte i arratisuri Ilia Leka. U larguan në orën 12.30. Ilia Leka gjatë kësaj kohe i foli shqip rojes së postbllokut tonë; “O këlysh” dhe e shau nga nëna dhe tha: “Demokracia e vërtetë është 100 metra larg”. Ushtari ynë nuk i dha përgjigje./ Memorie.al

                      KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME

                                BAUDIN KAZANI

“HISTORI TË PASHKRUARA”- N’PËRKUJTIM T’NJÉRIT QI KJE  MESHTÁR I PËRKRYEM, MIKUT T’ONË TË SHUMDASHUN , DOM PRÊK NDREVASHAJT”- Nga MËRGIM KORҪA

 

Jem mbledhë sot miq, t’njoftun si edhe t’panjoftun njêni me tjetrin, por të tân e kena nji gjâ t’përbashkët: jena kah përkujtojmë me mâ t’thêllin respekt, të njoftunin prej të gjith nesh, mikun si edhe të dashtunin t’onë, të ndjémin të përndershëm Dom Prêkën, themeluesin e Kishës Zoja Pajtore e Shqyptarve.

                E njitash kah gjithsecili e bjen n’mênde  të tijën ftyrën e mehtárit ksaj Kishe, e pohoj me bé e me rrfé, se gjithkujt i ka dalë para syve t’mêndes  ftyra e përvûjtë  por  gjithmonë me  buzën n’gaz e Dom Prêkës t’onë të dashtun!

Katërmbëdhetë vjete t’shkueme, dy net para se un me familje me u nis e m’e kalue Oqeanin, na telefonoi n’Itali me na urue udhën e mbarë, tashmâ edhe Ai prej kohësh i ndjemë, Martin Camaj. E ai më tha pak a shum: “…keni m’e njoftë e keni m’u miqsue me nji meshtar sa t’përvûjt’edhe gjith’aq  përfaqsues tipik të maleve prej kah e ka prejardhjen. E ka êmnin Prêk Ndrevashaj  e vllau i juej e ka bash mik. Kurr s’keni m’e  pa t’mërzitun. Gjithmonë me bûzë n’gaz keni m’e pá,,,! 

                E n’aeroport të Detroitit tre ishin njerzt’e parë qi na pritne kah shkelme n’kët tokë t’ bekueme : vllau êm me t’shoqen si edhe nji person me nji buzqeshje t’âmël në ftyrë të tijën, por i veshun për sèri: Me tesha t’zeza e me “kolar” të bardhë, por pantollat e futuna n’çisme. Ky kje ballafaqimi i parë i joni me personin qi n’vazhdim na u bâ aq i dashtun si Dom Prêkë! E na u kujtue fillë Martini qi e kish përshkrue me at synin e artistit …. meshtár sa i përvûjt’edhe gjith’aq përfaqsues tipik i maleve të Dukagjinit! N’at çast e ndjeva se si aj meshtár i âmbël nuk ishte vetëm për me hypë n’vetura luksoze, por ish i gatshëm me i u ngjit’edhe shkâmit t’Gurit të Kuq n’Dukagjinin e  Tij të largët! Me rasën e sodit nuk due m’ia bâ biografinë të ndjémit Dom Prèkë, por due m’e vûe n’dukje humanizmin e Tij n’themelet e të cillit ishte shprti i Tij thellsisht ekumenik, i mkuem deri në skâj me dashtuninë kristiane e bazueme kjo në faljen e mkatárit! E pikrisht nji dëshmi shum t’spikatun të dashtunisë skâjshme kristiane të Dom Prêkës, due me ndae me ju sot.

Ju ftoj tash, të nderuem pjesmarrës, me syt’e mêndjeve t’ueja të kthehena në vjetet e largme e t’errta të terrorit komunist ndaj Klerit Katolik në Shkodrën e dimnit 1946. Pa zbardhë hala drita e datës 4 mars 1946 Patër Daniel Dajani, Patër Gjon Shllaku e Patër Giovanni Fausti me shokë, ish msuesit e Dom Prêkës  s’ardhshëm, po lêjshin amanetet e fundit t’rreshtuem para skuadrës pushkatimit, buzë Kirit. Të tânë theksojshin me rradhë …. I falim ata qi na kanë bâ keq. Jem t’gzuem  qi po desim t’pafajshëm . Rrnoftë Krishti mbret e rrnoftë Shqypnia!

Ky kje preludi i pushkatimeve qi kishin me pasue ndër klerikë.

Në muejin dhetuer të 1946-ës, mbas inskenimit sa të paturpshëm e po aq edhe tragjik të gjetjes armëve n’altarin e Kishës Fretënve, u mbyll Seminari, Instituti Jezuit si edhe Shkollat Françeskane. Profesorat e tyne u nisne në Malcí me xavendsue meshtarët si edhe fretnit qi po i pushkatojshin. N’kët situatë xhakoni Prêk ‘i Brashtës malore, me tretë gjurmë, shkoi në Tiranë e gjet strehë te Kisha e Patër Antonit ku meshtar ish Patër Pjetër Mushkalla. Mbrâmjeve ky i nepte meshtarit t’ardhshëm leksjonet e filozofisë. Kurse ditën, malcori i ri merrejme pastrimin e rregullimin e kishës. Edhe shoku i ngusht’i tij, Zef Pllumi, prej seminarit iku edhe e ndali vrapin n’Melgushë. M’u strehue te axha i vet. E ksisoji i hupne lidhjet të dy shokët.

Kta i hupne lidhjet, por nuk e zbehu sigurimi hetimin ndaj tyre.

Mbas do kohe, nji paradite vjen në Kishën e Patër Antonit nji malcuer. Hini mbrênda e kah e shef xhakue Prêkën tue pastrue kishën i drejtohet … po ti more xhakue, a prej Institutit të Shkodrës ktu e paske ndâlë vrapin e u merrke me pastrim të kishës? I foli edhe nja dy fjalë sa mos me ndêjtë pa folë, edhe çau e shkoi. Prêk Sokol Prêkës (Dom Prêkës ardhshëm) i dogj kjo gjâ, po nuk kishte edhe kah me ia mbajtë e veç shkoi e ia tha ndollinë Patër Mushkallës. Ky i fundit i tha të kishte kujdes n’tokime me njerz se kohët ishin shum t’rrezikshme.

Mirpo puna s’priti. Masdite vjen togeri i sigurimit Ҫesk Shoshi me nji aspirant toskë si edhe malcorin e paradites. Shkojn’ e tokojnë Patër Mushkallën e i thonë m’e thirrë “xhakonin”. Kur hini në zyrë xhakoni Prêkë e pa se puna ishte pisk. Pa vonue, togeri iu drejtue me formulën q’e kishin zakon se n’êmën të popullit po e arrestojshin, ia vûne prangat gjermane e përgjatë bulevardit … drejte në Degën e Punve të Mbrêndëshme. Atje filloi hetuesia. Toger Ҫesku me aspirantin lab pvetshin e malcori, si sekretar shkruete n’makinë shkrimi proces-verbalin. Mbas disa ditve hetuesie, të pranguem e hypne n’kamion edhe e nisne drejt Shkodrës. Vazhdimi asht biografi. Kurse unë ju premtova të merrena me humanizmin q’e ka karakterizue Dom Prêkën t’onë të dashtun e jo me biografin e Tij.

Kaluen kohë, shumë vjete. Prêka i Brashtës Dukagjinit u arratis. U shugurue meshtar në Vatikan në 1961-shin  e mbasi punoi gadi dhjetë vjet me emigracjonin në Romë, erdh n’ Amerikë.

E ksisoji erdh edhe vjeta 1998. Kishjem shkue m’e vizitue Dom Prêkën, siç bâjshem shum dêndun, e n’mjedis bisedës bjen zilja e vjen nji malcuer, burr’i moshuem, i shoqnuem me nji burrë tjetër mâ të ri. I moshuemi nuk priti të na prezantonte Dom Prêka por m’a zgjati dorën e m’u paraqit vetë me êmën edhe me llagap, tue u paraqitë si mik i ngusht’ i Dom Prêkës.. Un shtânga, tavani m’ra mbi krye! Kqyra kah Dom Prêka. Ai buzëqeshte me at buzëqeshjen e tij të ambël, si gjithmonë. A kish se si Dom Prêka t’a prit’te ish sekretarin e Degës Punve të Mbrêndëshme, qi e kishte arrestue dikur, me at buzagaz? Mendova se ishin dy njerz me të njâjtin êmën. Megjithatê vendosa mos me dalë prej andej pa e përcjellë vizitorin. Fati m’u gjet në ndihmë, se ai q’e kish shoqnue vizitorin e moshuem kish nji punë e ksisojinuk shkoi as nji orë edhe u çuen e dolne.

E njiktu tash vjen edhe thalbi i çashtjes qi desha me e ndae me ju. E pyes Dom Prêkën a kishte dy njerz me t’njâjtin êmën apo ky ishte ai sekretar i hetuesisë Degës Tiranës? E Dom Prêka m’ulet për ânë, m’i merr duert n’duer t’vetat e m’thotë  pak a shum tekstualisht … e kuptoj shqetsimin t’and. Jo, nuk bâhet fjalë për dy persona. Por jo vetëm qi un duhet me veprue njiksisoji, por edhe ti duhet m’u sjellë njikshtu! Jezusi êm si edhe Isaja Yt ktê mësim na napin! Un mandej kam edhe nji detyrim të dytë: me shêmbullën r’ême duhet me u prîe njerzve drejt faljes e dashtunisë vllaznore.

                E tash qi kanë kalue vjete ç’prej asaj dite e m’ânë tjetër edhe Dom Prêka na la, rri e mêndohem: nuk ka meshtarë kërkund që të jenë edukue njashtu si brêzi i Dom Prêkës tonë rë ndiemë. Kah i morrne edhe i çuen me zor studentat e Seminarit me ndigjue se si i dënojshin priftat e pafajshëm. kryetari Mustafa Iljazi, prokurori Arianit Ҫela si edhe antarët e trupit gjykues Namik Qemali edhe Tonin Miloti, nuk e dijshin kta se nuk kishte leksjon Seminari apo Instituti ku mâ fort t’ju gdhêndej  studentave në shpirt madhështia e profesorave të tyne? Kur e tërhiqshin zharg prej sqetullash Patër Faustin se kâmbët ia kishin coptue n’tortura nji natë mâ parë e Ai i drejtohej trupit gjykues tue u thânë se të tânë natëni ish lutë Zotit për shpirta t’tyne qi nuk dijshin se shka bâjshin, e pra Zoti t’i falte, xhakoni Prêk (Dom Prêka i ardhshëm) edukohej e kalitej me at mësim snêmbulluer! Ndryshe ishte m’i ndigjue leksionet teorike rreth faljes n’auditore Institutesh edhe seminarësh, e krejt tjetër gjâ ishte m’i msue kto norma kristiane në Kinema Rozafat në sallë gjyqi! E për mâ tepër, me pa se si klerikë të sakatuem torturash madhështoheshin me qindrim të tynin e gjykuesit veç me britma histerike u mundojshin m’i mbajtë frênat e situatës!

Prandej Dom Prêka kje Ai qi kje e dite me falë nj’ashtu si msuest’ e Tij falne vrastart’e tyne!

Rijetëzimi i kullave, Turizëm në themele guri. Shqipëria test me ekonominë e kujtesës

Megjithatë, sfida të vjetra si pronësia e paqartë, infrastruktura e dobët dhe mungesa e fuqisë punëtore mbeten pengesa thelbësore. Suksesi i nismës do të varet nga balancimi i kujdesshëm mes autenticitetit dhe modernes, si dhe nga zbatimi praktik i politikave mbështetëse. Deri tani ka 350 aplikime nga pronarët e kullave, të cilët presin një program mbështetës nga qeveria.

Shqipëria po teston nëse trashëgimia e saj historike mund të shndërrohet në motor ekonomik, përmes rijetëzimit të kullave tradicionale të Veriut. Nisma, që ka evoluar nga projekt pilot në program kombëtar, synon t’i japë larmishmëri turizmit përtej bregdetit dhe sezonit, duke krijuar zinxhir vlerash në zonat rurale. Modeli parashikon përdorime të ndryshme, nga bujtinat te muze dhe agroturizme duke integruar komunitetet lokale në ofertën turistike.

Megjithatë, sfida të vjetra si pronësia e paqartë, infrastruktura e dobët dhe mungesa e fuqisë punëtore mbeten pengesa thelbësore. Suksesi i nismës do të varet nga balancimi i kujdesshëm mes autenticitetit dhe modernes, si dhe nga zbatimi praktik i politikave mbështetëse. Deri tani ka 350 aplikime nga pronarët e kullave, të cilët presin një program mbështetës nga qeveria.

Në këtë cep të Europës, ku kullat moderne po ecin me shpejtësi, Shqipëria ka vendosur të eksperimentojë edhe me një ide të vjetër: se e kaluara mund të jetë aset ekonomik. Kullat e Veriut, struktura guri të shekujve XVII–XVIII, dikur simbol i identitetit dhe mikpritjes së kësaj zone, po orientohen drejt përfshirjes në një produkt turistik me vlera.

Ajo që nisi si një projekt pilot i nxitur nga partnerë zhvillimi, po shndërrohet tani në një program kombëtar, me ambicie për të lidhur trashëgiminë me rritjen e ekonomive lokale, por edhe zgjerimin e paketës turistike të vendit.

Turizmi shqiptar është rritur me ritme të shpejta, por mbetet i përqendruar në bregdet dhe sezon. Veriu, me peizazhe dramatike dhe “kapital” kulturor të fjetur, ofron një anë tjetër për të cilën ka interes. Rijetëzimi i kullave synon të krijojë një zinxhir vlerash që nis me restaurim, akomodim, përvojë dhe prodhim lokal.

Por një projekt si ky nuk mund të jetë i izoluar nga problemet që, në përgjithësi, shoqërojnë realitetin shqiptar. Pronësia e paqartë, infrastruktura e dobët dhe mungesa e fuqisë punëtore janë pengesa të njohura, të cilat edhe këtu kanë rolin e tyre kufizues. Edhe vetë akti i restaurimit ngre dilema: sa modernitet mund të zbatohet këtu pa e zhveshur nga autenticiteti?

Një kullë që sillet në formën e një hoteli, deri diku, duket sikur humbet shpirtin, por një muze që refuzon krijimin e kushteve komode humbet vizitorin. Kjo është një balancë delikate dhe kërkon qasje të kujdesshme për mënyrën se si zbatohet.

Programi premton një qasje më të strukturuar: inventarizim, digjitalizim, tipologji përdorimi dhe, nëse politika e lejon, stimuj fiskalë për pronarët privatë. Ideja është të krijohet një treg i ri, ku kullat funksionojnë si bujtina, muze, hapësira artizanale apo agroturizëm, të lidhura me operatorë lokalë.

Nëse funksionon, modeli mund të rrisë net-qëndrimet e turistëve, të shpërndajë përfitimet në mënyrë më të gjerë dhe, ndoshta, të frenojë zbrazjen e zonave rurale.

Megjithatë, si çdo program, pavarësisht dëshirës dhe ambicies për të bërë gjithçka, kapacitetet mund të mos e lejojnë maksimumin. Suksesi do të varet më pak nga retorika dhe më shumë nga detajet: rrugët që të çojnë deri te kulla, kontratat e qarta të pronësisë, trajnimi i mikpritësve dhe një kornizë fiskale që nxit investimin.

Këtë herë, Shqipëria po vë bast se historia e saj mund të shitet, por pa u shitur.

Më poshtë, një intervistë nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, që është edhe institucioni përgjegjës që po udhëheq këtë program, i cili sot është në fazë studimi.

Prej disa kohësh ka nisur projekti për rijetëzimin e kullave në disa qarqe. Sa është buxheti total për këtë projekt dhe çfarë pjese mbulohet nga fondet publike kundrejt donatorëve?

Programi për Rijetëzimin e Kullave është një nismë kombëtare e qeverisë shqiptare, e cila ka nisur si një iniciativë e GIZ Shqipëri për të krijuar një ofertë turistike të qëndrueshme në zonat rurale të Veriut. Gjatë këtij procesi, kullat tradicionale u identifikuan si elemente me potencial të madh për t’u përfshirë në zinxhirin e turizmit rural dhe kulturor, duke u kthyer në atraksione të veçanta për vizitorët vendas dhe ndërkombëtarë.

Nga një projekt, kjo nismë po shndërrohet në një program të plotë qeveritar, e udhëhequr nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit (MTKS), në bashkëpunim me GIZ Shqipëri dhe me mbështetjen e Drejtorive Rajonale të Monumenteve të Kulturës.

Synimi është ndërthurja e trashëgimisë kulturore me turizmin rural dhe zhvillimin ekonomik lokal, duke e kthyer këtë projekt nga një nismë pilot në një program të qëndrueshëm kombëtar, të shtrirë në 4 qarqe: Lezhë, Dibër, Kukës dhe Shkodër.

Kullat, të cilat datojnë nga shekujt XVII–XVIII, përfaqësojnë një simbol të identitetit dhe mikpritjes shqiptare veriore, duke qenë njëkohësisht arkitekturë mbrojtëse, histori familjare dhe vlera shoqërore.

Potenciali i tyre është i jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në qendra të turizmit kulturor dhe edukimit lokal, siç dëshmohet nga modeli pilot “Turi i Kullave”, i zbatuar nga GIZ dhe i financuar nga qeveria gjermane, zvicerane dhe britanike.

Aktualisht, programi ndodhet në fazë studimi, ku po punohet me një grup ekspertësh në fusha të ndryshme: arkitekturë dhe restaurim, trashëgimi kulturore, etnografi dhe tradita lokale, muzikologji, kulinari, çështje ligjore, hartografi dhe dokumentim vizual, si dhe turizëm rural.

Në përfundim të kësaj faze do të hartohet një program i plotë, i cili do të përfshijë analizën e gjendjes fizike, historike dhe funksionale të kullave, identifikimin e potencialit për restaurim e ripërdorim, inventarizimin dhe analizën ndërdisiplinore, dokumentimin dhe digjitalizimin GIS, si dhe udhëzues për ruajtje e restaurim.

Ky program do të shërbejë si bazë për vendimmarrjen e mëtejshme, duke përfshirë rekomandime për politika publike, legjislacion mbështetës, incentiva ekonomike dhe plane zhvillimi.

Cili është modeli i të ardhurave për kullat e rijetëzuara (akomodim, muze, evente)?

Modeli i të ardhurave që propozohet nga ekspertiza për kullat e rijetëzuara përfshin tipologji të ndryshme, secila me potencial të veçantë ekonomik dhe kulturor. Kulla muze gjeneron të ardhura përmes vizitorëve kulturorë, biletave të hyrjes dhe ekspozitave, duke e kthyer kullën në një qendër edukimi dhe ruajtjeje të trashëgimisë.

Kulla bujtinë ofron akomodim për turistët dhe mikpritje tradicionale, duke krijuar një përvojë autentike të jetesës në Veri të Shqipërisë. Kulla agroturizëm lidhet me eksperienca kulinare, produkte lokale dhe aktivitete bujqësore, duke e bërë turizmin një përvojë të plotë rurale.

Ndërsa kulla artizanat shërben si hapësirë për punëtori, shitje produktesh artizanale dhe organizim eventesh kulturore, duke mbështetur artizanët lokalë dhe ruajtjen e traditave. Këto tipologji jo vetëm gjenerojnë të ardhura, por edhe ruajnë identitetin lokal, duke e bërë komunitetin pjesë aktive të turizmit dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale.

Ekonomi që gjeneron

Modeli i të ardhurave që propozohet nga ekspertiza për kullat e rijetëzuara përfshin tipologji të ndryshme, secila me potencial të veçantë ekonomik dhe kulturor. Kulla muze gjeneron të ardhura përmes vizitorëve kulturorë, biletave të hyrjes dhe ekspozitave, duke e kthyer kullën në një qendër edukimi dhe ruajtjeje të trashëgimisë. Kulla bujtinë ofron akomodim për turistët dhe mikpritje tradicionale, duke krijuar një përvojë autentike të jetesës në Veri të Shqipërisë.

A do të ketë skema incentivuese fiskale për pronarët privatë që investojnë në restaurim?

Pritet të hartohen skema fiskale dhe mbështetje financiare për pronarët privatë që investojnë në restaurim. Këto masa janë ende në diskutim, por konsiderohen të domosdoshme për të nxitur pjesëmarrjen e pronarëve dhe për të siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme.

Cilat janë kriteret e matshme për përzgjedhjen e kullave në Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë?

Përzgjedhja e kullave do të bazohet mbi disa kritere të matshme, si: kulla me histori të pasur dhe të dokumentuar; potenciali për t’u kthyer në shërbim të turizmit; aftësia e pronarëve për të menaxhuar tipologjinë e zgjedhur (kulla muze, kulla bujtinë, kulla agroturizëm); gjendja fizike dhe mundësia e restaurimit pa humbur autenticitetin. Këto kritere dhe disa të tjera do të sigurojnë që kullat e përzgjedhura të kenë vlerë kulturore dhe potencial ekonomik.

Çfarë nënkupton restaurimi dhe rijetëzimi dhe si auditohet respektimi i standardeve konservuese?

Restaurimi dhe rijetëzimi nënkuptojnë ruajtjen e elementeve autentike të kullës: arkitekturën, materialet tradicionale dhe funksionet historike, duke i përshtatur me standardet e shërbimit dhe komoditetit që kërkon turizmi modern. Auditimi i respektimit të standardeve do të bëhet mbi bazën e një pakti konservues, ku parimi kryesor është ndërhyrja minimale, me synim ruajtjen sa më të plotë të autenticitetit të strukturës.

Për shembull, për kullat muze do të sugjerohet që hapësirat e gatimit të mos përfshihen brenda strukturës së kullës, por të përshtaten sipas tipologjive të dikurshme, si “Shtëpia e Bukës” apo “Shtëpia e Zjarrit”, duke respektuar traditën dhe duke shmangur deformimin e arkitekturës historike.

Po kështu, edhe hapësirat për facilitete të tjera, si artizanati i veglave bujqësore apo mbajtja e bagëtive, duhet të konceptohen në harmoni me arkitekturën e kullave, në mënyrë që të ruhet autenticiteti dhe të sigurohet një integrim i qëndrueshëm mes trashëgimisë dhe funksioneve për shërbime.

Sa vizitorë shtesë vjetorë parashikohet të sjellë kjo nismë pas përmbylljes për këto rajone?

Është ende herët për të dhënë një shifër konkrete, pasi kjo varet nga numri i kullave që do të klasifikohen dhe financohen nga buxheti i vënë në dispozicion, si dhe nga tipologjitë e zgjedhura. Megjithatë, pritet që nisma të ketë ndikim të ndjeshëm në rritjen e vizitorëve kulturorë dhe ruralë.

Si do të integrohen operatorët lokalë (agroturizëm, guida malore, artizanë)? A ka një plan për këtë?

Operatorët lokalë do të jenë pjesë e itinerareve turistike dhe përfituesit kryesorë të nismës. Agroturizmi, guidat malore dhe artizanët do të lidhen drejtpërdrejt me kullat e rijetëzuara, duke krijuar një rrjet të integruar turistik që gjeneron vlerë të shtuar për komunitetin.

Cili është efekti në ekonominë lokale që pritet nga ky projekt?

Projekti pritet të gjenerojë efekte pozitive në ekonominë lokale përmes rritjes së turizmit kulturor, krijimit të vendeve të reja të punës, promovimit të produkteve tradicionale dhe nxitjes së sipërmarrjes rurale. Kjo do të ndihmojë në diversifikimin e të ardhurave dhe në ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Si balancohet autenticiteti arkitektonik me kërkesat moderne të sigurisë dhe komoditetit për turistët?

Ky është një diskutim i vazhdueshëm mes ekspertëve. Për kullat muze, ruajtja e autenticitetit është përparësi absolute, ndërsa për kullat agroturizëm ose bujtina, integrimi i faciliteteve moderne bëhet me kujdes, duke respektuar parimin e arkitekturës tradicionale.

Modele si “Shtëpia e Zjarrit” apo “Shtëpia e Bukës” përdoren për të ofruar komoditet pa cenuar dimensionin historik.

Çfarë trajnimesh do të ofrohen për komunitetet për menaxhimin e mikpritjes dhe mirëmbajtjen afatgjatë?

Komponenti i ngritjes së kapaciteteve njerëzore tashmë ka nisur. Vlen për t’u theksuar se për produktin “Turi i Kullave” janë iniciuar disa trajnime në zonë, në bashkëpunim me “TUI Care Foundation”.

Këto trajnime janë fokusuar në fushën e kuzhinës lokale, mikpritjes, storytelling-ut (rrëfimi i historive lokale) dhe gjuhës së huaj, kryesisht anglishtes.

Subjektet që janë pjesë e këtij turi janë certifikuar nga ky projekt për përmirësimin e standardeve të mikpritjes. Për më tepër, është bërë një punë shumë e mirë për promovimin e këtyre subjekteve.

Në bashkëpunim me GIZ, është promovuar “Turi i Kullave” përmes tureve familjarizuese me operatorët kombëtarë, si dhe është prezantuar ky produkt i ri në disa panaire kombëtare dhe ndërkombëtare, nga të cilat është parë se ky produkt turistik ka potencial të jashtëzakonshëm.

Cilat janë sfidat kryesore (pronësia, infrastruktura rrugore, mungesa e fuqisë punëtore) dhe si mund të zgjidhen ato?

Projekti përballet me disa sfida madhore që kërkojnë zgjidhje të koordinuara. Pronësia është një nga problemet më të mëdha, pasi shumë kulla kanë çështje të pazgjidhura me certifikatat e pronësisë. Deri më tani janë regjistruar rreth 350 aplikime nga pronarët e kullave, të cilët presin një program mbështetës nga qeveria.

Infrastruktura rrugore është një tjetër sfidë, pasi mungesa e aksesit cilësor në disa zona e vështirëson zhvillimin e turizmit. Mungesa e fuqisë punëtore lidhet me emigracionin dhe ul disponueshmërinë e stafit lokal për menaxhimin e aktiviteteve turistike.

Për zgjidhjen e këtyre sfidave, projekti po punon me Drejtorinë Rajonale të Kadastrës për thjeshtimin e procedurave të regjistrimit të pronësisë, duke marrë angazhimin për të adresuar këtë problem.

Ndërkohë, plane të investimeve publike dhe mbështetje nga partnerët ndërkombëtarë synojnë të përmirësojnë infrastrukturën dhe të krijojnë kushte më të favorshme për zhvillimin e turizmit kulturor dhe rural./MONITOR

Si u ndërtua projekti serbomadh për ndarjen e Shqipërisë në shekullin XIX! Agjentët, kryengritjet dhe propaganda, mekanizmat e politikës së Beogradit- Nga KASTRIOT KOTONI

 

Në programin e ministrit të Brendshëm, Ilia Garashanin të Serbisë më 1844, në të cilin ndër të tjera ky program për zgjerimin e Serbisë quhej “Naçertanija”. Sipas këtij programi serbomadh u ndoq një politikë antishqiptare. Mohimi, i luftërave të popullit shqiptar kundër robërisë osmane duke shpifur se “shqiptarët nuk ndërmorën asnjë tentativë të vetme për të hedhur poshtë zgjedhën osmane e se këta ishin bashkëpunëtorë të osmanllinjve, se ishin të privilegjuar dhe shpeshherë kanë luftuar kundër popujt të krishterë të Ballkanit.

-Përpjekja për t’i mohuar identitetin popullit shqiptar, i cili, siç thuhet edhe sot nga shkenca serbe, është pasardhës i disa fiseve barinjsh, që në kohët e reja arritën një farë kompaktësimi.

-Politika serbe ndaj Shqipërisë dhe lëvizjes kombëtare shqiptare u zhvillua nga pozita epërsie sipas këtyre parimeve.

-Asnjë aleancë në baza të barabarta me popullin shqiptar.

-Kontakte dhe bisedime vetëm nën tutelën dhe komandën serbe kryengritjet shqiptare dhe kërkesat e tyre.

-Përpjekja për ta armiqësuar pakicën serbe me shqiptarët dhe me kryengritjet e tyre.

-Përpjekja për ta armiqësuar pakicën serbe shqiptarët dhe me kryengritjet e tyre.

-Përpjekjet për aleancë antishqiptare me fqinjët.

Ishte e njëjta politikë, si dikur e kishte ndjekur edhe despoti i Serbisë në të kaluarën, që “duke e ruajtur vetëm interesat e tij të ngushta, nuk mori pjesë në luftërat e Skënderbeut kundër pushtetit Osman, edhe pse interesat e popullit serb e shtynin në atë drejtim”. Ishte ky despot që i mbylli rrugët e shtigjet Skënderbeut për të kaluar 15000 luftëtarë për në betejën e Varnës kundër osmallinjve në vitin 1444, në ndihmë të mbretit të Hungarisë dhe të Polonisë.

Kjo traditë qe vënë në veprim edhe nga Millosh Obrenoviç, i cili, megjithëse i ftuar nga Ali Pashë Tepelena, i cili i ofronte armë e të holla, nuk mori pjesë në luftërat e Ali Pashës më 1820-1822. Milloshi me politikën e tij të “dyfytyrësisë” gjoja “ndihmonte” në të holla kryengritjen shqiptaro-boshnjake dhe në anën tjetër furnizonte me ushqime ushtrinë osmane. Përfaqësuesi i Portës së Lartë të Stambollit i kërkonte Milloshit të ndërmjetësonte për t’u shuar kryengritja në mënyrë paqësore, ndërsa Milloshi duke qenë i gatshëm edhe për mënyrën e dhunës me armë, pyeste: A do të më lejonte Porta t’i detyroja shqiptarët dhe boshnjakët të nënshtrohen me armë? Po shteti serb, në zbatim të programit të Garashaninit, nga një anë ndiqte një politikë turkofile, me qëllim që me duart e Portës së Lartë të arrinte aneksimin e vendeve fqinjë. “Në të vërtetë i lutej Portës që ta lejonte Serbinë t’i bashkonte vetes Bosnjën, Hercegovinën, Malin e Zi dhe Shqipërinë Veriore”.

Mali i Zi, ndërsa vepronte si një principatë vasale e Serbisë, njëkohësisht merrej në mbrojtje nga Rusia cariste, e cila i jepte 1.000 dukate në muaj, shumë kjo që në vitin 1837 ia arriti në 9.000 dukate, që “të mos merrte pjesë në turbullirat apo kryengritjet e shqiptarëve kundër Portës”, kohë pas kohe edhe e ndërsente ndaj popullsisë shqiptare. Kështu në vitin 1838 Mali i Zi kaloi në sulm kundër Kelmendit, ku u thye. Më pas pasojnë pushtimi i Shpuzës dhe i Podgoricës në vitin 1843-1844, si dhe në vitet 1847- 1852-1854. Më 1861 pati sulme nga malazezët në Kernicë. I tillë ka qenë dhe rasti i një sulmi të organizuar nga ana e shtetit malazez, ku Oso Kuka, komandant i njësive vullnetare shqiptare, u gjend i rrethuar në një fortesë të ishullit Vraninë të liqenit të Shkodrës. Ai i vuri zjarrin fuçive të barutit, për të mos rënë i gjallë në duart e malazezëve.

ANTISHQIPTARIZMI

Mali i Zi ecte në të njëjtën udhë të antishqiptarizmit serbomadh dhe në vitin 1866 shpalli shkrirjen me shtetin serb. Po ashtu, Serbia më 1861 arriti marrëveshje verbale, me Greqinë pa dokument të nënshkruar ndërmjet Garashaninit dhe Rivjerit, ku së pari caktuan sferat e veprimtarisë së tyre në vijën: Ohër-Përlep-Velesh-Shtip-KretovëGornje, Xhuma-Stara Pllanina. Në Jug të kësaj vije do të punonin organet e agjenturës greke, në Veri të saj agjentët e Serbisë. U arrit edhe marrëveshja për copëtimin e Shqipërisë. Shqipërinë Veriore bashkë me rrethet e Durrësit dhe të Elbasanit, do t’i merrte Serbia, ndërsa Shqipërinë e Jugore me rrethet e Beratit dhe Korçës do t’i merrte Greqia. Edhe kjo marrëveshje qe bërë pa dokumente të nënshkruara. Ilia Garashanini përcaktoi veprimtarinë e agjenturës serbe e cila do shtrihej nga Durrësi, Elbasani, Ohri, Përlepi, Velesit, Shkupi, Kratovës, Xhumas në Veri gjer në Ballkan (Malet Ballkan). Agjentët grekë do të shtriheshin në qarqet e Beratit, Goricë, Manastir, Demir-Kapi, Radoviq, Razllog gjer në Jug të Maleve Ballkan. Shërbimi informativ i Beogradit kishte në qendër sektorin përkatës të propagandës politike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, që e drejtonte Jovan Marinoviqi, udhëheqësi i zonës Veriore ishte Toma Kovaçeviçi, ndërsa i zonës Jugore ishte Matia Bani. Qendrën e udhëhiqte një këshill me tre veta. Tom Kovaçeviçi në zonën Veriore kishte 5 agjentë; kurse Matia Bani në zonën Jugore kishte 7 agjentë.

Këta agjentë mbanin pranë vetes njerëz të besuar (poverenikët), të cilët po ashtu mbanin rreth vetes njerëz të besuar, që quheshin “djelmoshat” (Momakët); ndërkaq në rajone e fshatra kishin edhe të besuar të tjerë, “Knetët”. E tërë kjo propagandë apo shërbim informativ ishte tepër sekrete e me karakter komplotist, ndërsa gati të gjithë agjentët paguheshin nga qeveria serbe. Agjentët operonin në territore të caktuara. Kështu, njëri nga agjentët e ushtronte veprimtarinë e tij në: Fushë të Kosovës, Prishtinë, Vuçiternë, Pejë, Gjakovë e në Prizren; një tjetër në JeniPazar, Mitrovicë, Rrozhajë, Bjelopojë, Senicë dhe tjetri në: Nish, Leskovc, Përkupë etj.. Në viset me popullsi të përzier caktoheshin agjentë të dorës së dytë e të paktë, se, përveç të tjerave, dihej se nuk do të mund t’i bënin për vete shqiptarët. Ilia Garashanini qysh në vitin 1844, e kishte dërguar në terren Stevan Verkoviçin me mision të posaçëm për të mbledhur të dhëna mbi Shqipërinë, si dhe për të vendosur kontakte me shqiptarët. Ai e kuptonte urrejtjen e shqiptarëve kundër Perandorisë Osmane, rrjedhimisht edhe gatishmërinë për të bashkëpunuar me popujt dhe shtetet ballkanike.

REKRUTIMET NË 1846

Ndër personat e parë me të cilët u vendos kontakti në vitin 1846 ishte prifti shqiptar Gaspër Krasniqi, i cili pastaj rektutoi të tjerë, ndër këta edhe kreun e Mirditës, Bibë Dodën. Gaspër Krasniqi takohet me Garashaninin dhe merr udhëzimet që të përshkunte të gjithë propagandën serbe në Mirditë dhe që të përgatiste kryengritjen sipas udhëzimeve të Beogradit. Planin ua kishte besuar tre personave. Dy prej tyre gjendeshin në Spaç dhe njëri në Orosh dhe kishin ndikim të madh në popull. Si të besuarin e vet Gaspri kishte caktuar një prift në Kalivor, i cili do ta përfaqësonte dhe do ta informonte rreth punës dhe organizimit të kryengritjes. Gaspri kishte shkuar në Shkodër dhe atje kishte takuar mikun e vet Dodmas, që kishte autoritet të madh në popull. Në fund Gaspri kërkonte që t’i dërgoheshin të hollat, si atij ashtu edhe Dodmasit. Matia Bani kishte propozuar që të hollat për agjentin e Shqipërisë t’ia dërgonte Vlladikës së Malit të Zi.

Madje nga Dubrovni-ku Matia Bani i kishte shkruar Gasprit për ta lajmëruar Bibë Dodënqë ai, siç ishin marrë vesh në Beograd, të dërgonte njeriun e vet në Cetinjë që të lidhte besë dhe aleancë me Vlladikën e Malit të Zi për luftë kundër Perandorisë Osmane. Kështu agjenti i Shqipërisë atëherë mori trajtim thuajse të veçantë, në krahasim me agjentët e tjerë. Ndërsa të tjerët merrnin apo duhej të merrnin më së shumti 100 talira në vit, agjentit të Shqipërisë i kishin caktuar 166 talira e 16 groshë, ose 4.000 groshë. Ndërkohë Vlladika malazes falënderonte Serbinë që krerët e Mirditës i kishte vënë në shërbim të Malit të Zi: “Sikur Serbia të mos kishte bërë asgjë për Malin e Zi, malazezët do të jenë obliguar t’i jenë mirënjohës përgjithmonë. Mirditorët janë trima e ne, ndër shekuj jemi gjakosur, tani e tutje do të jemi miq e shokë”. Pra, siç merret vesh se Gaspër Krasniqi luante rol të veçantë e me peshë në shërbim të Beogradit e të Cetinjës.

Në misionin e tij në Kalivore, në viset malore të Shkodrës, më 1850-1851. Ai pranë Bibë Dodës kishte caktuar edhe një nënagjent dhe një agjent. Si duket, në Kosovë nuk mundi ose nuk deshi të rekrutonte shqiptarë; të gjithë agjentët e këtyre territoreve ishin serb ose sllav. Agjenti i Serbisë për Prizrenin, Gjakovën e Pejën ishte Tone Simiçit, për Prishtinën, Gjilanin Vaso Gjeorgjeviç nga pakica serbe në Prishtinë, Joco Vuçiternaci, ndërsa për rrethin e Vuçiternës ishte Maksimi. Shërbimi sekret serb i financonte agjentët e tij. Edhe Mark Prokleshi, një burrë i ri rreth të 23-25 vjeçar, nga familja e trashëgimtarëve të krerëve të Mirditës, pas disa muajsh qëndrimi në Malin e Zi dhe në disa treva të tjera, shkon në nëntor të 1851 në Beograd, ku i dërgoi edhe një letër Vlladikës së Malit të Zi të Petar Petroviç Njegoshit.

Ai ishte nisur për tek gjenerali Kniqanin, por Franjo Zahu e dërgoi te Garashanini. Ky i fundit kishte dhënë udhëzime që Mark Prokleshi të trajtohej në mënyrë të posaçme e të ishin vigjilent ndaj tij. Marku vetë kishte premtuar se ishte në gjendje që të vinte në çdo kohë në dispozicion të Serbisë 2000 luftëtarë. Siç dihet ai me këtë rast ishte takuar edhe me princin e Serbisë, Aleksandër Karagjeogjeviçin. Më 1866 qeveria serbe vendosi lidhje me Naum Sidon, Franc Maurin slloven, si dhe me Xhelal pashë Zogun e Matit. Xhelali lëshoi deklaratë me shkrim dhe mori përsipër të organizoj një kryengritje në Shqipëri, gjithnjë në varësi të vullnetit dhe interesat serbomëdha në kohën e volitshme. Në misionin e tij antishqiptar Franc Mauri i cili kishte qenë prift katolik në Trieste, Dubrovnik, dhe në Sarajevë ia doli të vendoste kontakte me personalitet civile dhe klerike. Franci ia doli të përfshinte në bashkëpunim krerët shqiptarë, siç ishin:

Mirash Hasi, kreu i Hotit, Prenk Staka kreu i Kelmendit, si dhe krerët e Kastratit, Triepshit, Traboinës, e Grudës. Ai u shtrëngua “t’i bindte ata se në momentin e duhur do të ndihmoheshin nga Serbia, për t’u çliruar nga sundimi Osman”. Agjenti tjetër kryesor dhe shumë i aftë për Serbinë ishte Stojan Vezenkov. Ai vepronte aktivisht në Shqipëri në vitin 1867, i dërguar në mënyrë sekrete nga Stefan Binicki. Pesrson tjetër i dërguar për këtë qëllim ishte Hasan Koka nga Mati, njëri nga pasuesit kryesor të Xhelal Zogut të Matit.

KANALET AGJENTURORE

Nëpërmjet kanaleve të ndryshme agjenturore Beogradi thërriste krerët e veçantë lokalë nga Shqipëria për kontakte, “bisedë” e “marrëveshje” me qëllimin për t’i vënë ata në shërbimin e fshehtë të qeverisë serbe ndaj Shqipërisë. Kështu, më 3 shkurt të vitit 1866 në Beograd arritën 5 veta: Kurtaliu i Matit, i cili pas dy-tre ditësh vdiq dhe u varros si “turk”, Ahmet Xhetani nga fshati Derjan, Zahir Isufi nga Macukulli, Mer Koleci nga Selita dhe Hasan Beu nga Dibra e Epërme. Këta shqiptarë që u kthyhen në Shqipëri më 23 gusht, kishin dhënë besën se do të luftonin bashkë me Serbinë. Ndërkohë në Beograd arriti Leka plak, vëllai i tij dhe djali, Prenka, nga Podgorica. Këta i japin besën se nuk do të luftojnë kundër Malit të Zi, bullgarëve, grekëve dhe se do të bashkëpunojnë me Serbinë. Të pagëzuarve u jepeshin dhurata të ndryshme dhe shpërblim 250 dukate. Domethënia e kësaj bese ishte: neutralizimi i qëndresës shqiptare para vërshimit të pritshëm serbo-malazez e greko-bullgar.

Në tetor të vitit 1867 nga shërbimi sekret serb u dërgua në Shqipëri Bojiçi, ish-oficer austriak i veshur me kostum vllehësh dhe si njeri apo vëllai i Stojan Vezenkovit. Bojiçi kishte për detyrë të vendoste kontakte me persona të caktuar shqiptarë të dërgonte në Serbi 7-8 ose feudalë shqiptarë për të zhvilluar bisedime, ndërsa ai vetë duhej të qëndronte deri në shkurt të vitit 1868 dhe ta përshkruante Shqipërinë nga ana ushtarake. Një nga agjentët serbë në memoaret e tij kishte shkruar në vitin 1866 se shqiptarët “shpeshherë e kishin sjellë Perandorinë Osmane në buzë të greminës”, se “pavarësinë e çmojnë mbi çdo gjë, se gegët popullojnë përveç Shqipërisë së Mesme dhe Veriore, edhe Serbinë e Vjetër (Kosovën), pastaj territorin rreth Lugiunës së Moravës e Toplicës, gati gjer në kufijtë e Serbisë”, se “Pushteti Osman gati nuk ndihet fare ndër shumë vise të Gegërisë… Gegëria numëronte 1.000.000 banorë, ndërsa prej viseve malore të saj mund të dilnin rreth 150.000 luftëtarë… çështja Konfidenciale duhet të mënjanohet nga programi i agjentëve.

Populli shqiptar mund të bëhet vetëm në emër të luftës për pavarësi”. Gjoka Simiç i bazuar në të dhëna të tilla, në artikullin e tij “Mbi Shqipërinë”, shkruan ndër të tjera se në Shqipëri, pikërisht “në këtë vend në kohë të ndryshme u shfaqën aso lëkundjesh, që disa herë e tundën Perandorinë Osmane që nga themelet” e se “në disa rrethana, m’u këtu do të përgatitet vdekja e saj, e afërme”, se shqiptarët nuk kanë ardhur si turku nga Azia, ai është i lidhur me atdheun e tij”. Ilia Markoviçin e Uzhincës më 1871 shkruante se e kishte dërguar në Kosovë Këshilli regjencial me detyrë që t’i dërgonte Ali Agë Galiçit në Rozhajë dhe Ibrahim Zaimit në Pejë nga 50 dukatë dhe nga “një revole”. Aliu premtoi se do t’i përgatiste 3000 luftëtarë, ndërsa Ibrahimi 200 luftëtarë dhe së bashku të bëheshin aleatë me ushtrinë serbe, kur të vinte koha e fillimit të luftës. Rajoviçi nga Stambolli theksonte se kapiten Marku i vëllai i Bibë Dodës, mund t’i shërbente Serbisë dhe propozonte t’i jepeshin ca të holla me rastin e nisjes për në rrugën Stamboll-Manastir. Kështu Serbia u fut në lidhje me Markun, pasi u sigurua se ai ishte kundër Portës së Lartë. Përfaqësuesi kryesor serb në Stamboll K.Magazinoviçi nga Beogradi, vendosi lidhje me kapiten Markun duke i dhënë 70 dukate për udhëtimin në fjalë, kryesisht për bashkëpunimin me Serbinë.

Metastazat e shërbimit të fshehtë serb, duket se ishin futur thellë në Mirditë. Duket se edhe në Mat, ashtu si në Mirditë, përmes Xhelal Zogut dhe Hasan Kokës, ishte krijuar një çerdhe e rëndësishme e spiunazhit serb. Madje Hasan Koka ishte vënë në lidhje edhe me “diplomatin” rus në Stamboll, z. Hitrov prej ku informonte në vitin 1873 se shqiptarët “dëshirojnë të ndezin zjarrin”. Shërbimi informativ serb kishte zhvilluar bisedime me gjeneralin rus Ignjatiev, që një pjesë të bazës materiale rreth organizimit të veprimtarisë diversive ta merrte Rusia, e cila Serbinë e kishte si avanpost në kuadrin e strategjisë së vet ndaj Ballkanit. Terreni agjenturor në Shqipëri më në fund është përgatitur përpara 200 vjetësh, si të thuash është hedhur ajo farë e tradhtisë kombëtare të shqiptarëve kundër interesave të tyre e tani në gjyqin e Hagës serbët po korrin fitoren e radhës.

/Gazeta Panorama 


Send this to a friend