1.
Kur e zë Magjia e Zezë –
‘Rrupuplikën’ e Dardanisë
Seç ushtojnë Lugjet e Saj
Nga Deliri i ‘Shpëtimtarëve’ –
Yshtur nga Demonët e Tyre
Për Lavdi!
E Histori!
Ne jemi Çlirimtarë!
Të tjerët – Tradhëtarë!
2.
Kryedjalli e ‘magjeps’ të Parin –
‘Kryeçlirimtarin’ –
Më të Madhin nga të Tretë
Dhe, Atij i mbushet mendja
Se është Kryeheroi – Vetë!
Pokështu, të Dytit e të Tretit
Dy Djajtë e Tyre u thonë:
Kapni, gjithë ç’ju sheh syri!
E mos lëshoni gjë nga dora –
Në ‘Rrupuplikën’ Tonë!
Ara, Fusha e Fabrika
RTV e Mullinj Guri
Livadhe e Gazeta
Gjykata e Hamame,
Gurëthyes e Banka
Shtalla e Spitale
Institute e Bastore
Autostrada e Përroje
Kazino e Fakultete
Shpella e Prokurori
Polici e Agjenci
Dogana e Hotele
Sh’pi Publike – Motele
Pompa benzine e Varreza
Kolektorë Ujërash të Zeza
Të gjitha – me Tendere!
Truste, Kullosa e Pyje
Dhe, mos o Zot –
Edhe pjesë Qielli me Yje!
Pushteti Juaj shtrihet
Mbi çdo gjë që preket e shihet!
Në ‘Rrupuplikën’ e Tregut t’Çlirë
Gjithçka – shitet e blihet!
Fundja –
Kush bëri më shumë se Ju?
Për kët’ Dhé –
Që e keni si Fé, e si Atdhé!
3.
Netëve –
Kryetrimat tanë ‘Legjendarë’
Mbas seancash të zjarrëta
Bëhen kaps në darka –
Në ‘’Tifanny” e “Zanzibar”
Ndaj, Qoftëlargët e Tyre kujdestarë –
I kapin të Tretë – bashkë!
– Mjaft, ore, mjaft! – u thonë
Dhe i nxjerrin – jashtë!
Dhe – për t’ua zbutur zemërimin
I çojnë te Kisha e Deviqit
I mburrin se janë t’një rodi …
… stërnipa të Milesh Kopilit –
Të Kopiliqit!
(Heroi Ynë mesjetar –
Vra ma kish’ Muratin e Parë
Se i kish’ ngrehë çadrat e Luftës
Në një Betejë Ballkanike –
Në prona t’Familjes së Mileshit
N’Miniera të sotme t’Thëngjillit
Nga Mazgiti – n’Shipitullë
E gjithandej – Goleshit!)
Zihen fytas – i ç’Fisi ishte
– Nga Imi! – thotë i Pari
Dy të Tjerët e kundërshtojnë:
– Jo, nga Yti, as nga i Këtij!
Ai ishte nga Fisi Im!
Këtë e dijnë të Gjashtë Feudet –
Llap, Gallap, Anamoravë
Drenicë, Shalë e Dukagjin!
Dhe, për t’i çliruar nga xanxa
Djajtë i shalojnë bythëprapë –
Si kuaj të harlisur – pup!
– S’dini gjë Ju për Mesjetën!
Po, kqyrni çka ju ka falë Zoti –
O, bufë të marrë e halldupë!
Në mbrëmje i ulin bashkë –
Mu në Grykë të Gërmisë
Pas vrapit maratonik –
Arave – nëpër Vetërnik!
Shpatijeve të Hajvalisë!
I mburrin për vilat magjike
Me nj’atë super-arkitekturë
Në Prevallë e në Brezovicë
Që –
Syni i keq mos i paftë kurrë!
*
Të nesërmen i çojnë –
Drejt – në Kadastër!
Ç’të shohësh – Tapi të Vjetra!
Secila, më e ‘ruajtur’ se tjetra!
Mbeshtjellë me lëkurë dosash
Të tharqeve t’thive t’Uzhicës
Me Standarde të UNMIK-ut
‘Made in Belgrad’ – përpunu’
Kthy’ në Agjenci t’Privatizimit –
Në ‘Mahallë të Kacallarëve’
Me ndërmjetësim të BE-së –
Përfaqësueses speciale:
Hanëmshyhret Mogherinit!
Aty i keni – të gjitha:
Nga Vakt i Sulltan Salepit
Tanzimatit dhe Hyrrjetit
T’Austrisë e të Gjermanit –
Pastaj të Kohës së Gazepit –
Dy kralëve të Zi serbë –
Aleksandrit e Petrit!
(Tokave të ‘Zadrugave’ t’Titos
U bëhet çarja n’Gjykata tona
Për to gjinden dëshmitarë –
Pleq – që i ka harru’ Exheli:
‘Polarë’, ‘poreznikë’ e ‘shumarë’!
Tani ato, që nga Sot –
Kanë pronarë e – Zot!
U mbetet t’i riskanoni
Dhe – t’i trashëgoni!
Me nipa, kunata e tezakë
Me dhëndurë e baxhanakë
Me kucë e me macë! –
(Le t’plasin ata që s’u rreshtuan
Krahas nesh në ‘Llogore Lufte’ –
N’ballkone t’Hoteleve t’Tiranës!
Po, ikën – në Kukës e n’Bllacë)!
Tuajat janë!
Besa-Besë!
O, Ju ‘Trima Luftëtarë’!
‘Shqype të Alpeve Shqiptare’ –
‘Heronj të Gjallë – Çlirimtarë’!
(Të Treve u rrjedhin lotë –
Për një çast mbesin pa gojë:
– Sa e Shtrenjtë paska qenë
Liria!
Sa Fisnike e Madhe – Zojë!)
4.
Kryedjalli, pastaj – Kryeparin
Sërish e lavdëron!
Por –
Diçka … fësh-fësh – në vesh
I kujton …
… Atyre që u pate premtu’ –
‘Finalen‘ – do ta kërkojnë!
Je, a s’je – Njeriu i Parë?
Më i Madhi, nga të Tretë –
Më i Miri për ‘Aksham-Pazar’!
Vetëm pak …
Bjeshkëve të Shalës –
Zik-zak …
Teposhtë Luginës s’Bistricës …
Nëpër Zhazhë e Vllahi …
Kah Ujmani – n’anën tjetër!
Ko-rri-gjim!
Pra … vetëm dy-tri Komuna
Që jua pat dhënë me “zor”
Ai Qenbirqeni i Zi –
Rankoviqi – n’vakt të Tij!
Tash, o burra –
Shfaqni pak fisnikëri!
Është koha t’i hiqni qafe!
T’ia ktheni fqinjës Serbi
Dhe, bashkë me to –
Edhe ‘Gropat’ e Trepçës
Mbetur shkret –
Qe tridhjetë vjet!
Ju kujtohen ‘fjalët e buta’
Në Mitrovicë, aty te Ura –
Kur flisnit disi … me gishta
Nëpër tym …
“Parlé-vous-français” ?
O, oui! O, oui!
Atë mëngjes …
… fjalë me bishta –
Tako – Jes! Ovako – Jes”!
Bashkë me Atë Tjetrin ‘Trim’
Që dukej e zhdukej si Hije!
Qëlluat, papritur Aty –
Apo Ju kish’ çu’ Dreqi –
Dorëzanë – ‘allash-vereshi’?
Ec e dije!
Sot e at’ ditë – s’i ra kush n’fije!
Hë, pra … s’Ju kujtohet?!
Te Harqet e Urës së Ibrit –
Kur ‘mbinin’ do Gurë me kryqa …
Diçka – si biçim Kufini!
Aty ku e vendosët më vonë
Mbi një Plato graniti –
Burrin me dy kobure në brez –
Heroin – Isa Boletini!
Ju duhet Shtatorja, Ju duhet!
Jo veç për Fushata zgjedhore
Kur hidhni Valle rreth saj –
Me Tupanxhi’ e Defatore
Po dhe për t’jua hequr frikën
Ai Burrë!
Kur e ‘zbatoni’ Taksën –
Të ‘më të mirës’ Qyveri
‘Qind për Qyl’ –
Nën Urë!
Dhe –
Djalli vazhdon t’i flasë
Atij që e ‘meriton’ Lavdinë:
– Po e arrite ‘Gjithëpërfshirësen’
Për Ty do të këndohen
Këngë epike – me sharki!
Ti – si Sulltan me shallvare
Do ta zësh ballin e Vendit -Këmbëkryq – në “Histori”!
*
Në çast, na i kujtohet ‘loja’ –
“Fluturon – fluturon!”
Në atë tjetrin ‘Kualicion’ –
Për t’parin Demarkacion
Kur ve klluçe e bombola –
(Fshehur, mender jush –
në Zona midis … ‘kulesh’
Të Zonjave opozitare)
Binin mbi Koka të zgjedhura –
Nga dy milete votuesish
Në Parlament – Koalicion
Tym e gas – ‘batare’!
Pastaj –
Pastaj na i kujtohen
Çadrat e Ballaban Pashës
Në strehë të Pallatit t’Madh
Për ‘Kauzë’ që u bë Tërkuzë!
Kur pihej si “çaj rusi” rakia
Jehonin e alternonin
Lirikja e heroikja –
‘Kah po shkon, moj Zanë’?
Dhe –
‘Ah, Kosovë, mos thu’j marova’! –
Që të Dyja – n’çiftelia!
Ah, kjo ishte ‘zemërplasje’ –
Kundër Hartave t’Komisionit
Të Demarkacionit –
Heu, atij na i raftë pika!
Kur qenë betuar Trimat –
Se, fjalët luajnë – po jo Guri!
Pa u faru’ në Qafë t’Çakorrit –
Djem e Çika!
(I Pari, nga Mahalla e Madhe
Po edhe Dy të Tjerët –
Nga Dy Mahallët e Tjera
E dinin se Fjalët e Mëdha –
Si në ‘Lojë Kapuçash’
Porsi po*dhët i merr Era!)
5.
Një mbrëmje
Djajtë i bëjnë bashkë
E i çojnë diku, symbyllur
‘Jashtë’ –
Biçim Komisioni Shtetëror
Në trajnim për bisedime
Me Serbinë –
Të Tretë
Me Katërdhjetë ‘Trima’ të Tjerë –
Dr. e Mr. shkencash –
Tèt-à-tèt!
– Ku jemi?, – pyesin njëzëri
Prapë na kthyet në Hotel?
N’atë Hotelin me Pesë Yje –
Xixa-xixa – në Bruxel ?!
– Jo, jo, s’jeni në Bruxel!
Po, në Çubrel!
Te Përroni i Keq!
Të mos u bie kush mësysh
Para ‘Marrëveshjes’ që ju pret –
U thotë më i Madhi Dreq!
6.
Mesnatë është …
I Pari majëgishtash ngrihet
Dhe niset …
– Ku shkon, ore ku shkon?
O, Komisar Gjarpush!
E ke harru’ këngën e vjetër:
Se, ‘Veç ndërgjegjes sate –
Prapa – nuk të ndjek kush’ ?!
Dhe, Ai, pa një pa dy –
Në ’TV- Tupan’ shkon!
Aty, në ‘Zonën B.’
Si në Oda, shtru’ me cerga –
Shkencërisht –
Këmbëkryq shpjegon:
Ç’do të thotë fjala Këmbim
E ç’është – Demarkacion!
Dhe, në fund, i thotë miletit
Se, për të siguruar –
Njohjen e Pavarësisë
E bën pak ‘synet’ kufirin
Pa i dhënë ‘asgjë’ Serbisë!
Dhe, për atë që s’e jep
Kosova e Tij fiton –
(Kur palët të jenë marrë vesh)
Një Shllungë të Madhe –
Lesh!
7.
Mëngjesi gëdhin
Dhe i Madhi zgjohet
Pa shti gjumë në sy –
Si t’ia mbyllë mirë at’ gojë –
Me ‘Asociacioninin e Ri’
Të mos bëjë ‘bela të reja’
Fqinja faqezezë – Serbi?!
Në mëngjes –
Me një vendim ‘Yrysh-Siklet’
Nis Ministrin e Përjashtëm –
Dr. Rrumpallë Tyxharin
Me Ajrrupllanin e vet –
Në Ujëdhesa të Paqësorit:
Gaga-K’hu e Kaka-Dadhë
Për t’i prevenuar ç’Njohjet!
Gjashtë –
Që i kishin ra pishman –
Me radhë!
Sakaq –
E gjen në prag të derës
Një Pako t’Madhe – Dhuratë!
‘Projekt 2. Aneks-Marrëveshje’ –
Nga Karaministri Shalëgjatë
I Nânëmadhes Shqypëri –
Hartu’ me Homologun … vić
(Mbas kthimit nga Beligradi)
Vëllain ideologjik të Tij!
Paketu’ – me shije Piktori
Lidh’ me fjongo – ‘Kuq-e-zi’!
Kuq-e-zi ?!
“E zeza u raftë mbi kry”!
Mallkojnë plakat –
Në Cerajë e Mazhiq –
Mbi Zveçan!
Kur i shohin në TV –
Dy B*thëkuqët Shejtan’
Me seli:
Njëri – n’Bunker në Surrel
Tjetri – në Kalamegdan!
Eh, kush janë Ata, kush janë!
Ustallarë – lëkurërrjepës janë!
Që mbajnë diçka mbrapa shpine
Dhe shtirën si babaxhanë!
Po, ç’duan ata, ç’punë kanë?!
E, po –
Duan t’i bien kurrizit t’Kosovës
Mespërmes me gërshanë –
Gjoja – njëfarë korrigjim kufiri
Për t’i bërë ‘Dy Nënat’ e Tyre:
Serbinë e Shqipërinë – Taman’!
8.
Në mbrëmje –
I Pari nga të Tretë
E lë Kryekullën e shkon –
Në Vendlindje t’Anekdotave
Ku shpirti shtetkriju’s
E shtetndërtu’s
I pushon!
Se, rrafsh qe 20 vjet –
Plaka Del Ponte – si hije
Me Burrneshën Ashton
E kanë lodhur aq shumë!
– Flej, flej! – i thonë ato
Po, në terr i shfaqet D. Marty –
Shtrigani që e lë pa gjumë!
Në ag, pa le Dielli –
‘Bariu Ynë’ me shkop në dorë
Arrin majë Mali në Qyqavicë!
Kope t’bardha sheh q’andej …
Që i duken –
Herë si votues besnikë
Herë si dele –
Q’u prin Ogiçi zevzek –
Në livadhe e zabele!
Sakaq, na i kujtohet
“Bagëti e Bujqësia” –
E prek fyellin në brez
Dhe –
Me tërë fuqinë thërret:
– Kullotni, ore kullotni!
Ju, o delet e mia!
Ju bekoftë Perëndia!
Muzgu bie …
Ai, teposhtë Malit –
Tërthoreve ngadalë zbret!
Vetja i duket Barí i Urtë –
Kur e kujton Kopenë!
Po, kur e kap Delir’i Lavdisë –
Ai është më i Madhi – Mbret!
*
Mbret?
Po, ç’Mbret, ore ç’Mbret?!
Zoti e ruajtë ‘Grigjën’ e Tij! –
Q’e kanë tremb’ e ‘kapur’ keq
Çobanë mizorë e batakçinj!
Ata –
Nuk e kanë hallin e ‘Vathës’ –
As ‘Ujqit’ nuk janë më – Halli!
Ata janë Halli – vetë!
Shpirtzinj të shitur te Djalli!
9.
Ç’e gjeti, ore, ç’bela e gjeti –
Këtë të ziun – Vilajet?!
Q’i kanë hypur mbi kurriz
Brigada – Deputetë!
Një Batalion Ministra –
E Zëvendësministra
E Ndihmëszëvendës të Tyre
Divizione Zyrtarësh –
Nëpër Zyra të Punëve të Kota –
Deri në ‘Zgjedhje të Reja’
Për t’i mbushë ‘Kofinët’ – Vota!
Ju – kaq!
Ne – paq!
Ditën ‘shahen’ n’Parlament –
Shoqisho’jt ia ‘nxjerrin’ sytë’!
Në mbrëmje djersiten – duet
Trimërishte me çifteli –
Njëri nis – tjetri ia pret
N’avuj çoftesh e suxhuku –
Jo më – me rasoj laknash!
Po – me whisky e raki!
Bini djem, bini Tavanit!
Nga d’rrasat e Trapazanit:
Bam – bam – bam!
Lum’ si Ju – për ‘Rrupuplikën’!
Të Tjerët që s’ia dinë Lezetin –
Le t’kërkojnë tjetër Vatan!
_____________
*) Djajtë janë Alteregoja e Kryeheronjve të kësaj kënge
_________
Qershor 2019
Komentet