Një monument i historisë, i qëndresës dhe i kujtesës kombëtare po rikthehet në jetë
BELLE, DEÇAN – Në fshatin Belle të Mesme, në një nga vendbanimet me histori të pasur të trevës së Deçanit, ka nisur rikthimi në jetë i një monumenti me rëndësi për trashëgiminë kulturore dhe kujtesën historike të kësaj ane. Kulla tre kateshe e vëllezërve Lan dhe Nekë Halili, e cila, sipas shënimeve dhe rrëfimeve vendore, u dogj gjatë vitit 1912, po i rikthehet pamjes së dikurshme përmes punimeve të restaurimit.
Ky projekt, i financuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përbën një hap të rëndësishëm drejt ruajtjes së trashëgimisë ndërtimore dhe historike të Belles.Për banorët e kësaj treve dhe për të gjithë ata që i kanë rrënjët në këtë vend, ri ngritja e kullës nuk është vetëm restaurim i një objekti të vjetër. Ajo është rikthim i një pjese të kujtesës kolektive, i historisë familjare dhe i një trashëgimie që duhet t’u përcillet brezave të ardhshëm. Kulla që ruan kujtimet e një kohe të dhimbshme
Historia e kullës lidhet me periudha të vështira për popullsinë shqiptare të kësaj treve. Sipas shënimeve historike të përmendura në rrëfimet vendore, në vitin 1912 u dogjën kulla e vëllezërve Lan dhe Nekë Halili, dy kulla të tjera dhe nëntë shtëpi në tri pjesët e Belles.
Ngjarjet tragjike vazhduan edhe në mars të vitit 1913. Sipas kujtesës historike të banorëve, forcat ushtarake dhe xhandarmëria serbo-malazeze vranë dymbëdhjetë banorë të Belles. Në rrëfimet për këtë masakër përmendet edhe emri i Savë Batarjes, i cili, sipas këtyre burimeve, udhëhiqte forcat përgjegjëse për krimin.
Një nga dëshmitë më prekëse që ka mbijetuar në kujtesën e kësaj treve është ajo e Ramiz Nekës, atëherë vetëm gjashtëvjeçar, i cili, sipas rrëfimeve të përcjella ndër breza, shpëtoi nga masakra, ndonëse mbeti i plagosur rëndë.
Për dymbëdhjetë të vrarët, sipas kujtesës vendore, ende nuk dihen vendndodhjet e varreve. Ky fakt e bën edhe më të rëndësishëm dokumentimin e historisë së Belles dhe ruajtjen e dëshmive që mund të ndihmojnë në ndriçimin e këtyre ngjarjeve me peshë historeke .
Kulla që po restaurohet është pjesë e kësaj historie. Muret e saj dëshmojnë për jetën e dikurshme, por edhe për shkatërrimin që la pas një periudhë e rëndë për shqiptarët e kësaj ane.
Për këtë arsye, restaurimi i saj merr një domethënie që shkon përtej arkitekturës: ai krijon mundësinë që historia të ruhet, të studiohet dhe të përcillet te brezat e rinj.
Kontribut institucional për ruajtjen e trashëgimisë:
Në realizimin e këtij projekti janë angazhuar përfaqësues të institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe të pushtetit lokal.
Sipas të dhënave të bëra të ditura gjatë vizitës sime, punimet financohen nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, nën drejtimin e drejtoreshës, znj. Shpresa Gjonbalaj. Në përcjelljen profesionale të projektit është përfshirë edhe arkitektja znj.Ardiana Qorraj.
Kontribut në jetësimin e kësaj nisme ka dhënë edhe nënkryetari i Komunës së Deçanit, z. Sami Cacaj.
Punimet restauruese i janë besuar firmës së z. Ramush Ahmetaj. Restaurimi i një objekti të kësaj natyre kërkon kujdes të veçantë ndaj materialeve, strukturës dhe tipareve arkitekturore tradicionale, në mënyrë që kulla të ruajë sa më shumë nga identiteti i saj historik.Ruajtja e kullave tradicionale është një detyrë e përbashkët e institucioneve, specialistëve, pushtetit lokal dhe vetë komunitetit. Ato janë dëshmi të mënyrës së jetesës, të organizimit familjar dhe të traditës së mikpritjes shqiptare.:
Belleja, vend i mikpritjes dhe i qëndresës
Belleja ka një vend të veçantë në kujtesën historike të trevës së Deçanit. Përveç bukurive natyrore, ajo ruan rrëfime për mikpritjen, besën dhe qëndresën e banorëve të saj në periudha të vështira.
Sipas rrëfimeve vendore, kullat e Belles kanë shërbyer edhe si vende strehimi për kaçakë dhe veprimtarë që kundërshtonin regjimet shtypëse të kohës. Në këto rrëfime nga Musë Hajdini,përmenden Isa Boletini dhe bashkëluftëtarët e tij, si dhe veprimtarë të tjerë të çështjes kombëtare, të cilët gjenin në këtë trevë mikpritje dhe mbështetje.
Sofra e shtruar dhe dera e hapur nuk ishin vetëm shenja të bujarisë, por edhe shprehje e besës dhe e solidaritetit. Në kohë rreziku, kulla shqiptare shndërrohej në strehë për udhëtarin, luftëtarin dhe njeriun që kërkonte mbrojtje.
Kjo traditë e bën edhe më domethënës restaurimin e kullës së Lanit dhe Nekës Halili. Përmes saj, nuk ruhet vetëm një ndërtesë, por edhe kujtesa për një mënyrë jetese dhe për vlera që kanë mbijetuar ndër breza.
Një zbulim i veçantë gjatë pastrimit të kullës
Gjatë pastrimit të brendësisë së objektit, nën gurët e rrënuar dhe mbetjet e vjetra, është gjetur një gjysmë kalliri misri. Ky zbulim i pazakontë ka tërhequr vëmendjen e atyre që janë angazhuar në punimet e restaurimit.
Përtej përmasave të vogla, kjo mbetje të kujton jetën e dikurshme që ka zhvilluar në kullë. Aty ku sot shihen gurë të rrëzuar dhe gjurmë të kohës, dikur kishte njerëz, familje, sofrën e shtruar dhe veprimtarinë e përditshme të një shtëpie shqiptare.
Pa një vlerësim specialistik, nuk mund të përcaktohet se sa e vjetër është kjo mbetje.
Në imagjinatën time, ajo gjysmë kokrre misri u bë simbol i një jete që ka lënë gjurmë nën rrënoja. Sikur të mund të fliste, do të na kujtonte se pas çdo muri të vjetër fshihet një histori njerëzore që meriton të njihet.;
Nga Gjermania në Belle, për të parë kullën që po rin grihët
Më 22 tetor, së bashku me bashkëshorten time, Fetanetën, udhëtuam nga Gjermania drejt Pejës, me qëllimin për të vizituar nga afër kullën historike në Belle të Mesme.
Për mua, kjo ishte më shumë se një vizitë e zakonshme. Si njeri i lidhur me historinë dhe kujtesën e vendlindjes, ku jetuan të partë dhe babai im e ndjeva të nevojshme ta shihja nga afër këtë vepër që po merrte formë dhe shtat pas shumë vitesh rrënim.
Në afërsi të kullës takuam Muharrem Lulajn. Pak më pas mbërriti edhe ekipi që përcjell punimet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Pejë, i përbërë nga zonjat Gentiana, Arbnore dhe Arnesa. Ne takimin e parë tri zonjat i pyeta a jeni bellagjore apo vizitore e Arbnorja u përgjigj jemi mbikëqyrëse të punimeve të këtij objekti.
Pastaj ato po vëzhgonin me kujdes e interesim ecurinë e punimeve, duke u ndalur te hollësitë e restaurimit dhe gjendja e pjesëve të objektit. Biseduam për rëndësinë e projektit, shprehëm mirënjohjen tonë për angazhimin e tyre dhe realizuam disa fotografi së bashku, për ta ruajtur si kujtim këtë takim.
Gjatë bisedës, përfaqësueset e ekipit na njoftuan edhe për planin e hapjes së një shtegu këmbësorësh në kuadër të projektit. Ky shteg pritet të krijojë mundësi më të mira për vizitorët dhe turistet që duan të njihen me kullën dhe me mjedisin përrallot përreth saj.
Belle,22 tetor 2026