Një fragment tjetër për ju të nderuar dhe të respektuar miq ,nga romani im më i ri dhe i sukseshëm ZËRAT E UJIT. Në këtë libër unë trajtoj një temë të rëndësishme të mbijetesës, sakrificës, flijimit për interes të humnanizmit, vrasjes të klerikëve shqiptarë, nga turqit dhe klerikëve sërbë. Ngjarja zhvillohet në fillim të shekullin e 19 në manastirin e Shën Naumit.
KRISTAQ TURTULLI
Zëri i ujit nuk vinte nga dallgët, vinte nga shpirtrat që nuk kishin gjetur paqe.
Në një odë të errët, larg syve të njerëzve, digjej një kandil i vetëm. Rreth sofrës rrinin katër burra. Njëri ishte pasha i dërguar nga Porta e Lartë. Tjetri një bej i fuqishëm i krahinës. Dy të tjerët mbanin petka të zeza kishtare. Për një kohë askush nuk foli. Jashtë dëgjohej era që vinte nga liqeni.
‘ Ende flasin për të, ‘ tha më në fund pashai.
‘ Për kë? ‘ pyeti njëri nga klerikët, megjithëse e dinte përgjigjen.
‘Për atë vulë humburin shtrigun plak, At Nikollën.’
Dhoma u mbush me heshtje. Nata ishte bërë e rëndë. Mbi liqen nuk frynte as era. Dukej sikur edhe ujërat kishin ndalur frymën për të dëgjuar atë që po thuhej në odën e fshehtë. Pashai qëndronte pranë dritares. Pas tij rrinin bejlerët dhe dy klerikët sllavë. Asnjëri nuk fliste. Më në fund pashai theu heshtjen.
‘ Ai prift shqiptar ka vite që ka vdekur, pasha im, ‘ foli beu me zë ulët e të pasigurt.
‘Të vdekurit janë më të rrezikshëm se të gjallët,’ hungëriti pashai. ‘Një njeri i gjallë mund të burgoset. Mund të blihet. Mund të vritet. Por çfarë bën me një njeri që është bërë kujtesë?
Kleriku i moshuar uli kokën.
‘Populli e kujton si prift shqiptar.’
‘ Hëm! Populli. Eh! Pikërisht! ‘ goditi tavolinën pashai. ‘ Dhe sa herë që kujtohet emri i tij, kujtohen edhe rrënjët e këtij vendi.
Flaka e kandilit u drodh.
‘Atëherë pasha i nderuar, çfarë kërkoni prej nesh? ‘ pyeti i paduruar kleriku tjetër.
Pashai e vështroi ftohtë gati me mëri dhe qeshi ftohtë. Një heshtje e rëndë pushtoi odën. Por e qeshura e tij nuk kishte siguri.
‘Nuk kërkoj të vritet një njeri. Ai ka vdekur prej kohësh. Kërkoj të vritet kujtimi i tij.
Asnjë nuk foli.
‘Si mund të vritet kujtimi?’ pyeti më në fund beu me zë të ulët e të pasigurte.
Pashai u ngrit në këmbë dhe iu afrua dritares. Poshtë shtrihej liqeni dhe foli pa ja ndarë sytë liqenit që dergjej në errësirë.
‘Hëm! Duke i marrë emrin. Duke i marrë gjuhën. Duke i marrë prejardhjen. Duke e shkruar historinë ndryshe.’
Kleriku i moshuar ngriti sytë.
‘Dhe nëse populli nuk e beson?’
Pashai vështroi ujërat e errëta.
‘Atëherë do të presim.’
‘ Sa?’
‘Një brez. Dy breza. Pesë breza. Pastaj ata që do të vijnë nuk do të kujtojnë më të vërtetën. Do të kujtojnë vetëm atë që do të shkruhet.’
Por në atë çast, nga larg, prej drejtimit të manastirit, u dëgjua jehona e kambanës.
Të katër burrat heshtën.
Kandili në dhomë digjej me një flakë të verdhë e të lodhur. Katër burrat rrinin ulur rreth sofrës. Jashtë, nata ishte mbështjellë mbi liqen si një mantel i zi. Pashai vështroi fytyrat e tyre një e nga një.
‘ Gaboheni të gjithë,’ tha më në fund.
Asnjë nuk foli.
‘Gaboheni kur mendoni se armiku ynë është At Nikolla.
Kleriku i moshuar ngriti vetullat.
‘Atëherë kush është?
‘Gabimi i sundimtarëve është se kujtojnë se mjafton të pushtosh një vend.- Pashai vështroi nga manastiri që mezi dallohej në errësirë dhe shtoi: ‘ Toka pushtohet lehtë. Kujtesa jo.
Kleriku i ri ngriti kokën.
‘Atëherë duhet pushtuar edhe kujtesa!- Murmuriti.
Një buzëqeshje e ftohtë kaloi në fytyrën e pashait.
‘Tani po flisni si burrë shteti.’
Beu i moshuar i menduar kaloi gishtat mbi mjekrën e bardhë dhe pyeti me naivitet.
‘ Po si pushtohet kujtesa pashai im? ‘
Pashai u kthye ngadalë dhe e vështroi i vrenjtur me inat.
‘Aha! Duke e lënë një popull pa të kaluar.’
‘ Dhe si bëhet kjo pasha im? ‘vazhdoi ta pyeste beu plak duke pulitur qerpikët e thinjura.
‘ Duke e bindur se paraardhësit e tij nuk kanë ekzistuar kurrë.
Flaka e kandilit u drodh.
‘ Merri heronjtë. Merri shenjtorët. Merri gjuhën. Merri emrat. Dhe pas pak brezash ai popull do të endet si jetim në tokën e vet.
Njëri nga klerikët bëri kryqin.
‘Po At Nikolla?’
Pashai heshti për një çast.
‘Ai prift është më i rrezikshëm tani se kur ishte gjallë.’
‘Pse?’
‘Sepse një njeri i gjallë ka trup. Një kujtim nuk ka. Nuk mund ta burgosësh. Nuk mund ta varësh. Nuk mund ta mbytësh. Prandaj duhet bërë diçka më e zgjuar.
‘Çfarë? ‘pyetën të tre një zëri.
‘Duhet t’i vrasim prejardhjen.’
Dhoma u ftoh.
‘Si?’
‘Duke e shkruar ndryshe. Duke e treguar ndryshe. Duke ua mësuar fëmijëve ndryshe. Pas një shekulli askush nuk do të dijë se çfarë ka qenë. Pas dy shekujsh askush nuk do të guxojë të pyesë. Pas tre shekujsh gënjeshtra do të quhet histori. Askush nuk foli.
Por kleriku i moshuar vazhdonte të shikonte liqenin. Papritur tha:
‘Ka një rrezik.’
Pashai ngriti vetullat dhe e vështroi klerikun plak me qesëndi.
‘Për çfarë rreziku e keni fjalën?’ E pyeti.
‘Po sikur e vërteta të mbijetojë? ‘foli ultas kleriku plak me zë të holluar.
Pashai qeshi me sarkazëm. Si ti thoshte, burrat kur plaken, sidomos klerikët pleq lajthitin nga trutë dhe e pyeti më ton tallës:
‘Doni të thoni, e vërteta do jetojë nëpër libra, hë!?’
‘Jo, jo,- foli me zë të paduruar dhe inaçor kleriku plak, atë e lëndoi toni tallës dhe nënvleftësues i pashait turk. Ai asnjëherë nuk i kish honepsur këta pashallarë që fryhen si gjela majë plehut, por nuk kish çfarë të bënte. Ai ishte pushtues, prandaj duhej ti thoshte derrit dajë.
‘Atëherë ku?’ e pyeti pashai me zë të lartë dhe të grindur.
Plaku drejtoi gishtin nga errësira. Nga liqeni.
‘Atje, – foli me zë të mbytur, të rëndë kleriku plak:’ Atje..!’
Të gjithë kthyen kokën. Pastaj kleriku plak vazhdoi me zë të dridhur të ulët:
‘Hëm! Atje, ujërat e liqenit gjithnjë kujtojnë. Dhe sa kohë që këto ujëra rrjedhin, askush nuk mund ta varrosë plotësisht të vërtetën.’
Fjala mbeti pezull. Përtej dritares liqeni rrinte i heshtur. I pafund. I errët. I lashtë. Dhe befas të gjithë ndjenë të njëjtën frikë. Sepse për herë të parë kuptuan se ndoshta njeriu mund të gënjejë në librat. Mund të gënjejë kronikat. Mund të gënjejë brezat. Por nuk mund të gënjejë kohën. Dhe koha kishte një kujtesë më të vjetër se çdo perandori. Ajo kujtesë rridhte nëpër ujërat e liqenit nën gurët e manastirit.
Pashai nuk qeshi më, dhe u mat ti shfrynte me inat klerikut plak:
’Hesht o shtrig i zi, hesht!’ Por heshti. Sepse për herë të parë ndjeu një frikë që nuk vinte nga ushtritë. As nga kryengritjet. As nga armët. Ishte frika nga diçka shumë më e madhe. Frika se ndoshta e vërteta është si burimet e Shën Naumit. Mund ta mbulosh me gurë. Mund ta fshehësh. Mund ta mohosh. Por ajo vazhdon të rrjedhë në errësirë. Derisa një ditë shpërthen përsëri në dritë.
KRISTAQ@TURTULLI
ZËRAT E UJIT, TIRANË shtator 2026