Realiteti shqiptar i tranzicionit, me të gjitha problematikat e tij, është i tillë, që nuk i ka shpëtuar edhe analizave apo nxjerrjes së përfundimeve direkte dhe jo të tilla, nga autorë të shquar amerikanë, si: analisti politik dhe personaliteti mediatik, Fareed Zakaria; nobelisti, Joseph Stiglitz, diplomati Henry Kissinger, miliarderi filantropist, George Soros, apo filozofi dhe sociologu, Stephen R.Covey, etj etj. Gjithmonë më ka joshur mendimi alternativ i mendimtarëve amerikanë, ndaj në këtë kumtim, përmes referimeve dhe analizës për problematika, si: demokracia dhe raportet e saj me ekonominë, keqkuptimet në lidhje me demokracinë, si dhe sjellja e njeriut, që të jetë efektiv apo se si dhe me ç`mjete mund te ndërtohet sinergjia; do të vijnë në këtë parashtresë me këto argumente. Libri i Fareed Zakarias, i titulluar: “E ardhmja e Lirisë” është i përkthyer në shqip dhe unë prej vitesh ua rekomandoj studentëve që ta studiojnë atë.
Po hyj në zemër të çështjes së demokracisë, sipas fokusit të Fareed Zakarias. Më parapëlqen ta citoj Zakarian, kur shkruan:” Asnjë vend nuk mund t’i japë vetvetes një të kaluar të re. Por ai mund të ndryshojë të ardhmen dhe të mbështesë shanset për t’u zhvilluar në një demokraci liberale.” E kaluara shqiptare, së paku në tre sisteme, përmblidhet në: Periudhën e komunizmit, në Mbretërinë dhe Periudhën osmane. E përbashkëta e tyre është se janë sisteme totalitare, pra mungon demokracia institucionale si sistem politik, si kulturë antropologjike dhe antropo-institucionale. Tipar tjetër që e ka përshkruar historinë e Shqipërisë, si një fill i zi, është varfëria.
A mund të ndërtohet një e ardhme demokratike, qoftë kjo edhe liberale, në një vend të varfër? Kjo është pyetja që unë shtroj. Përgjigjet do t`i gjej te Fareed Zakaria. “Shpjegimi më i thjeshtë për suksesin politik të një demokracie të re, bazohet në suksesin e saj ekonomik apo, për të qënë më të saktë, në nivelin më të lartë të të ardhurave për frymë,”-kumton Zakaria.
Demokracia përmes ligjit, detyra që shtroi në hyrje të viteve `90 Komisioni i Venecias për ish vendet komuniste, mund të shpjerë te Shteti Ligjor vetëm nëse ndërtohet një ekonomi funksionale. Vetë komunizmi, prandaj ra, sepse ai i varfëroi njerëzit, i ndau nga prona dhe i demotivoi nga interesi, si edhe mëton një tjetër autor amerikan, Henry Kissiner, në librin e tij “Diplomacia”. Më thjesht, po e formuloj pyetjen: “A mund të ndërtohet demokracia në Shqipëri, nëse shumica e popullit është e varfër”? Një tjetër filozofe hebre-amerikane, Hannah Arendt, ka nënvizuar se varfëria masive e shndërron komunitetin njerëzor në shoqëri të nevojës, dhe si e tillë, ajo është një shoqëri parapolitike, jo se nuk do të jetë politike, por se nuk mundet. Zbatimi ligjit dhe korrektesa ndaj kërkesave të tij, kërkon edhe një gjendje të mirë ekonomike. Zakaria në parashtrimin e argumentit se: “Demokracia dhe varfëria përjashtojnë njëra tjetrën,” i referohet një nga mendjeve amerikane më të bukura të sociologjisë, Seymur Martin Lipset, duke nënvizuar përfundimin e tij të mprehtë, kur shkruan: ” Sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më të shumta janë shanset që ai ka për ta pranuar demokracinë.”
Mbi bazën e këtyre arsyetimeve, do doja të tërhiqja vemendjen se demokracia në vendin tonë duhet të rregullohet, duke ndryshuar gjendjen ekonomike. Polarizimi i skajshëm në të ardhura, dëmtimi i pasurisë kombëtare, pronës publike dhe asaj private individuale, janë rrethana negative, që pengojnë për ndërtimin dhe zhvillimin e një demokracie funksionale. Ka metoda sasiore, që e masin raportin mes të ardhurave ekonomike dhe qëndrueshmërisë së demokracisë. Është kryer një studim nga dy profesorë amerikanë, Adam Przeworski & Fernando Limongi, për të gjithë vendet e Botës, nga viti 1950 deri në vitin 1990. Rezultatet janë këto, -përmend Zakaria në librin e tij; “Në një vend demokratik që kishte të ardhura për frymë nën 1500 dollarë, regjimi i tij (demokratik, kuptohet, shënimi im, PK) zgjaste rreth tetë vjet. Me të ardhura 1500 deri në 3000 dollarë, ai mund të mbijetonte për rreth tetëmbëdhjetë vjet. Me mbi 6000 dollarë, ai bëhej tepër i qëndrueshëm.” Janë tridhjetë e dy regjime politike demokratike, me të ardhura vjetore rreth 9000 usd për frymë, që, së bashku, kanë një jetëgjatësi prej 736 vjetësh. Asnjë prej tyre nuk ka dështuar. Në të kundërt, nga 69 demokracitë më të varfra, 39 syresh dështuan, me një nivel falementimi prej 56%. Mendimtari amerikan, ky njohës i mirë i globalizmit, Fareed Zakaria, e cakton shumën 6000 dollarë të ardhura për frymë, si një stekë që duhet kaluar, nëse pretendon se do të kesh një demokraci të qëndrueshme. Ja si shprehet ai në librin e tij, e citoj:” Midis vendeve të Europës Lindore, pas 1989-ës, ata vende që kishin një nivel të ardhurash që shkonin në krye të kësaj amplitude, si: Polonia, Republika Çeke, Hungaria, i konsoliduan demokracitë e tyre me shpejtësi. Ato vende që janë në fund të kësaj amplitude apo edhe poshtë saj, si: Rumania e Shqipëria u duhet shumë më tepër kohë.
Le t`i drejtohemi tani analizës dhe shifrave që ofron Banka Botërore për Shqipërinë, e citoj:” Shifrat e fundit zyrtare të varfërisë, datojnë në vitin 2012, kur numri i të varfërve ishte 39.1%, me të ardhura 5.5 dollarë për person në ditë. Që atëherë, parashikimet me ndryshimet e kryera, sollën një rënie të vazhdueshme të varfërisë, deri në 31%, në vitin 2017. Rritja 9% e pagave minimale, që u zhvillua në vitin 2017, mund të ketë patur një efekt të paqartë mbi varfërinë, po të mbajmë në vemendje reduktimin e numrit të vendeve të punës të krijuara, si dhe rritjen e pagave të atyre që tashmë janë në punë.” “Pas vitit 2008, referon BB; rritja mesatare u përgjysmua dhe në sektorët publikë dhe të jashtëm, ndaj u krijuan zhbalancime makro-ekonomike. Ritmi i rritjes u pasqyrua tek varfëria dhe papunësia. Ndërmjet viteve 2002- 2008, varfëria në vend u përgjysmua (në rreth 12.4%), por, në vitin 2012 u rrit sërish deri në 14.3 %. Papunësia u rrit nga 12.5 % në vitin 2008, në 17.3 % në tremujorin e dytë të vitit 2015, ku papunësia e të rinjve arriti 34.2 %. Ritmet e rritjes mbi 3% gjatë vitit 2011, u moderuan gjatë 2012 – 2013, duke reflektuar në këtë mënyrë situatën e përkeqësuar në Eurozonë, si dhe situatën e vështirë të sektorit energjetik.. Rritja vazhdoi deri në 2.1 % në 2014, kryesisht për shkak të rritjes në konsum dhe investimeve private. Pritej një rikuperim në vitin 2015, por gjithsesi, rritja pritej të mbetej nën potencialin e vendit në planin afatmesëm.” “Banka Botërore jep shifra alarmante, për sa i përket varfërisë në vendin tonë. Sipas statistikave të fundit të Bankës Botërore, Shqipëria renditet në vendin e fundit në rajon, për sa i përket nivelit të varfërisë. Në raportin e BB-së, rreth 2300 shqiptarë jetojnë me 1.9 dollarë në ditë, ndërsa mbi 181 mijë të tjerë, që përbëjnë 6.3 për qind të popullsisë, jetojnë me 5 dollarë në ditë. Nisur nga ky raport, Shqipëria renditet pas Serbisë, Maqedonisë, Bosnjës dhe Kosovës, për sa i përket varfërisë në vend.Gjithashtu BB ngre dhe një tjetër shqetësim të madh, ku numri i personave në varfëri ekstreme mbetet ende shumë i lartë, madje ka tendenca rritjeje gjatë viteve të fundit. Në raportin e BB-së, thuhet se Shqipëria ka numrin më të lartë të personave që jetojnë me 5 dollarë në ditë edhe se Serbia, Maqedonia e Bosnja. Kosova paraqitet më mirë se Shqipëria, pasi përqindja e popullsisë që jeton në varfëri ekstreme, është më e ulët se në vendin tonë, vetëm 0.2% e totalit të popullsisë.Por, gjithashtu BB hedh poshtë dhe shifrat për rritjen ekonomike të publikuara nga qeveria shqiptare. Sipas raportit të BB-së, rritja ekonomike e Shqipërisë u forcua në 3.4% në 2016 dhe parashikohej të ishte mesatarisht 3.5%, gjatë vitit 2017-`19.” Le të shohim tani shifrat e INSTAT-it për të ardhurat dhe polarizimin “in extremis” në Shqipëri. E citoj:” INSTAT raporton konsumin e familjeve të ndara, 10 përqindëshi më i pasur i popullsisë në njërën anë dhe 90 përqindëshi i mbetur. Sipas këtyre të dhënave, 10 përqindëshi i pasur, rezulton se është bërë ndjeshëm më i pasur. Konsumi mesatar i tyre ishte 138,700 lekë në muaj në 2015-tën dhe u rrit në 158,946 lekë më 2016. Kjo është një rritje mbresëlënëse, prej 14.5%. Problemi është se kjo rritje e konsumit të 10 përqindëshit të pasur, erdhi në kurriz të pjesës tjetër të popullsisë. Sipas INSTAT, 90 për qind e familjeve pati një konsum mesatar prej 63,600 lekësh në vitin 2016, me një rritje minimale nga konsumi 63,200 lekë që ishte më 2015. Rritja e konsumit të 90 përqindëshit të varfër, më 2016, në terma të lekut ishte vetëm 0.6%. Kjo është më e ulët se sa norma e inflacionit. Në terma realë, konsumi i 2016-ës për pjesën dërrmuese të Shqipërisë ishte më i ulët se sa më 2015.” ”
Bazuar te shifrat si të ardhura për frymë, ithtarët që duan të tregojnë se Shqipëria e ka kaluar gjendjen e emergjencës dhe shpërfaq një ekonomi të qëndrueshme dhe një shoqëri demokratike stabile, mund të sjellin si argument shifrat e FMN-së në lidhje me të ardhurat.
Statistikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të përditësuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale, tetor 2019”, tregojnë se të ardhurat për frymë të pritshme të shqiptarëve, ishin 5,732 dollarë për vitin 2019, duke na pozicionuar në vendin e 102 në botë nga 192 shtete gjithsej, në nivele të ngjashme me Irakun, Paraguajin, Libanin, Libinë etj. Pra, shifra 5,732 $, duket si afër shifrës 6000 $ që caktonte Fareed Zakaria në hyrje të tranzicionit, si kusht për një demokraci të qëndrueshme. Nuk duhet të manipulohemi nga këto të dhëna. Le të shohim më nga afër shifrat e FMN-së.
Në Europë jemi ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulëtat dhe na e kalojnë në renditje vetëm Kosova (4,442 dollarë për frymë, në vend të 111) dhe shtete të ish Bashkimit Sovjetik, si: Ukraina (vendi 125), Moldavia (128). Të dhënat e FMN-së referojnë se edhe një dekadë më parë, Shqipëria ishte e pandryshuar, po në vendin e 102, një tregues ky që flet se rritja ekonomike e vendit nuk ka arritur të jetë më e lartë se e fqinjëve apo se ajo nuk ka prodhuar mirëqenie për qytetarët e saj. Nga vendet e rajonit, më të pasur janë fqinjët e Malit të Zi, me të ardhura për frymë prej 8,703 dollarë ose 62% më të larta se të shqiptarëve (vendi 72). Më pas vjen Serbia, në vend të 87, me 7,398 dollarë për frymë, Maqedonia e Veritu (6,096 dollarë në vend të 95), Bosnja 5742$ (vendi 97). Sot, vendet e Bashkimit Europian kanë të ardhura mesatare për frymë në vit prej 35.8 mijë dollarë ose gati 7 herë më të larta sesa të shqiptarëve, sipas shifrave të FMN-së. Institucionet ndërkombëtare ulën parashikimin për rritjen ekonomike. Shpresat për të pasur më shumë të ardhura janë zbehur, pasi të gjitha institucionet ndërkombëtare kanë ulur parashikimet për rritjen ekonomike të vendit në 2019-n.FMN pret që vendi të rritet mesatarisht me 3%, sipas “Pasqyrës Ekonomike Globale të tetorit,” nga 3.7% që ishte pritshmëria në prill, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) pret që Shqipëria të rritet me 2.8 % këtë vit, duke e rishikuar me ulje prej 1.1 pikë përqindje, në krahasim me raportin e muajit maj. Banka Botërore e pret zgjerimin e ekonomisë në 2.9% për këtë vit.”
Gjendja ekonomike e familjeve shqiptare dhe individit, duhet parë edhe në një këndvështrim tjetër, me qëllim që të kemi një pasqyrë reale të saj. Nuk mjafton GDP apo shifrat e të ardhurave për frymë, që dalin nga një përllogaritje e thjeshtë matematikore. Ekonomia duhet analizuar në tërësinë e saj. Si edhe mëtonte Joseph Stiglitz, kur i referohej krizës së Argjentinës: “Një rritje ekonomike, kur borxhi i jashtëm rritet, është e paqëndrueshme”. Rritja ekonomike e bashkëshoqëruar me borxhin është e paqëndrueshme dhe shpesh sjell risqe, sepse mosshlyerja, në kohë bën që asete të mëdha të ekonomisë, të humbin. Ato shkojnë për të shlyer borxhin, falë atij procesi që George Soros, në librin e tij “Kriza e Kapitalizmit Global”, – e quan “Rirreshtimi i tregjeve”.
Le t`i qasemi këtij problemi me lupën e nobelistit Stiglitz. Ja si shprehet ai: “GDP është një masë e dobishme e rritjes ekonomike, por nuk është gjithçka dhe fundi i gjithë zhvillimit… Rritja duhet të jetë e qëndrueshme. Ju mund ta rritni GDP-në, duke grabitur mjedisin, duke varfëruar burimet e pakta natyrore, duke marrë hua nga jashtë, por kjo lloj rritjeje nuk është e qëndrueshme … Megjithatë, për shkak se GDP është masë që llogaritet relativisht lehtë, ajo është bërë një fiksim i ekonomistëve.Telashi me këtë është se: “Çfarë ne masim, është për çfarë ne përpiqemi.” Ka raste që vërtet rritja e GDP-së shpie edhe në uljen e varfërisë, ky është rasti i disa vendeve të Azisë Lindore.Kjo ka ndodhur jo rastësisht.
Qeveritë atje hartuan politika sociale për të qenë të sigurta, që edhe të varfrit merrnin nga ndarja e përfitimeve. Rasti tjetër është, kur, megjithëse duket se GDP rritet, ajo bashkëshoqërohet me rritjen e varfërisë dhe disa here, madje, shoqërohet me uljen e të ardhurave për individ, që u takojnë shtresave të mesme. Ka disa tregues që shfuqizojnë shifrat që mund të sillen për të ardhurat për frymë, si argument i rritjes ekonomike të një vendi. Të tillë janë: niveli i arsimimit dhe përmirësimi tij, si edhe niveli i shërbimit shëndetësor. Cilësia e jetës në zonat e varfra dhe ato rurale, që t`i afrohet jetës në qytete, pa dëmtuar vlerat e tyre tradicionale. “Paraja në vetvete nuk prodhon liri”, -shprehet Fareed Zakaria. Nëse në mënyrë iluzive mendojmë se moderniteti i blerë me para, si psh: makina luksoze, dyqane moderne, restorante apo resorte, dhe nuk shohim varfërinë, që manifestohet në të ardhurat për frymë, ato realet, në defictin buxhetor, borxhin e jashtëm, salton negative në tregtinë e jashtme, nivelin e ulët të arsimit dhe cilësinë e tij, e cila lë shumë për të dëshiruar, shërbimin shëndetësor të prapambetur, transportin publik arkaik, pensionet tejet të ulëta, strehimin e popullsisë me problem, deri me shtresa “homeless,” cilësinë e ushqimit jashtë kontrollit, zhvillimin urban kaotik, mosmbrojtjen e natyrës, administrimin e pasurive nën dhe mbitokësore, jo në interesin e publikut, dhe shumë aspekte të tjera me probleme, si: financat pubike, moskthimi i kredive, privatizmin e të gjithë tregut bankar; atëhere në mënyrë të gabuar, Ti mendon se vendi po zhvillohet dhe nuk ndalesh të propagandosh se demokracia po funksionon. Ti gënjen, kur thua se jeta e shoqërisë dhe individit është më e lumtur, si edhe deklaroi një ish ministër i financave në Shqipëri, kur tha se: “Lumturia është rritur në Shqipëri me 11%”.
Fundi i Pjesës së parë.
Komentet