TIRANË – Raport-progresi i Komisionit Europian për Shqipërinë, është komentuar edhe nga Kryeministri i vendit, Edi Rama, ku në këndvështrimin e tij raporti vlerëson reformat e kryera përgjatë një viti. Rama gjatë një konference për mediat me shefen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Romana Vlahutin ka bërë një rezyme të vlerësimeve që bën ky progres-raport, duke e vënë theksin tek reforma në drejtësi.
Në raportin e Komisionit Europian publikuar sot arrihet në përfundimin se Shqipëria ka bërë përparim të vazhdueshëm për sa i përket kritereve politike, duke konsoliduar reformat në fushën e sundimit të ligjit dhe administratës publike.
Vlahutin u shpreh se nëse do të duhej të përmblidhte raportin në një frazë, është një progres shumë i qëndrueshëm që ka bërë Shqipëria për prioritete kyçe, që do të çojnë deri në çeljen e negociatave për anëtarësim në BE. Sipas saj nuk ka pasur kthim prapa për zbatimin e reformave për BE-në.
Për s ai përket zhvillimeve pozitive, ka përmendur disa prej tyre, si progresi që është bërë në administratën publike, miratimi i ndarjes së re territoriale-administrative , plani i veprimit për luftën kundër korrupsioni, bashkëpunimi i mirë ndërkombëtar në luftën kundër drogës, rregullimi i tregut të energjisë, dhe veprimet e ndërmarra kundër informalitetit.
“Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e qëndrueshme të Shqipërisë, për sa i përket politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe e shikojmë Shqipërinë si një partner të fortë për ne. Ky raport e tregon qartë që gjëja më e rëndësishme është reforma në gjyqësor” – u shpreh ambasadorja e BE-së në Shqipëri.
Prioritetet sa i përket të ardhmes janë miratuar qartë, si miratimi i paketës në reformës në gjyqësor, ku sipas saj do të jetë kyçe për një opinion pozitiv për hapjen e negociate për anëtarësim në BE.
Ndërsa Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në kriterin politik vlerësohet shprehja e vullnetit për ndërmarrjen dhe zbatimin e reformave.
“Për ne është e qartë dhe ky raport e thotë se rruga për hapjen e negociatave kalon nëpërmjet reformës në drejtësi, e cila mbetet sot sfida më madhe jo vetëm kësaj qeverie, por e shoqërisë shqiptare dhe shtetit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Vlerësohet ecuria e mirë e përgatitjes së reformës në drejtësi dhe për realizimin e një reforme gjithëpërfshirëse, kjo është një reformë me rëndësi historike dhe kombëtare për Shqipërinë. Progres- raporti rekomandon përfundimin në kohë të reformës në drejtësisë, që do të thotë nëse reforma në drejtësi do të mbyllet pa humbur kohë të çmuar dhe duke e adresuar fuqimisht në muajt në vijim, atëherë rruga jonë për negociata është e hapur”- u shpreh Rama.
Rama u shpreh se nga ana tjetër në progres raport është e qartë se kjo lidhet me konsolidimin e rezultateve, ku theks veçante kanë hetimet, gjykimet dhe ndëshkimet, i gjithë zinxhiri i pushtetit gjyqësor në Shqipëri.
“Ne nuk i shohim reformat si detyrë që na i ka vënë Brukseli, pro si detyrë e shtruar para nesh, nga fëmijët tanë, nga gjenerata tjetër që nuk mund t’i trashëgojmë një pushtet të kalbur gjyqësor, kalbëzimi i të cilit ka pasoja në të gjithë sferën e jetës së vendit. Ne konstatojmë se angazhimi ynë për një administratë profesionale vlerësohet në raport, ky përmendet reforma solide e administratës publike, çka faktikisht e bën këtë prioritet në vlerësimin më të lartë. Ne jemi larg të qenurit i kënaqur si funksion sot administrata publike dhe synojmë që këtë administratë ta përgatisim që qytetarët shqiptarë të kenë një shërbim të denjë” – deklaroi Rama
Sipas Ramës në raport vlerësohet edhe ecuria e deritanishme e masave anti-korrupsion, por sipas tij në kuadër të zbatimit të politikave anti-korrupsion, kërkohen rezultatet që kanë të bëjnë edhe me hetimin, me gjykimin dhe me dënimin në të gjitha nivelet.
Komentet