Kryeministri Edi Rama ka shpërthyer në akuza të rënda në adresë të Presidentit Ilir Meta, duke e cilësuar si një armik të kushtetutës.
Para parlamentit, i cili është mbledhur posaçërisht për të votuar mbi ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit, Rama deklaroi se kreu i shtetit është kthyer në një figurë komike që nuk e kupton më dallimin mes realitetit dhe mendimeve në kokën e tij.
Rama: Ilir Meta duhet hetuar dhe ndëshkuar deri në fund nga ky kuvend dhe reagimi ynë duhet të jetë frontal përtej dallimeve tona, në emër të kushtetutës dhe të vetë dinjitetit të shtetit shqiptar. Ai është armiku i Kushtetutës, armiku i deklaruar i vetë parlamentit të Shqipërisë. Nuk është më politikani i frikësuar deri në palcë, por ai sot është vetë shëmbëlltyra e të tremburve nga drejtësia. Ai na turpëron të gjithëve. Si mund të ketë Shqipëria sot një kryetar shteti që sillet si një komik që imiton Presidentin. E imagjinon ambasadën e shba-ve si topin që ai i vë gjoksin si Mic Sokoli. Sëmundja e vërtetë e këtij kreut të shtetit, është ajo e atij personazhit të Dostojevskit, që gënjen të tjerët për të gënjyer veten. Duke u vetëgënjyer, njeriu vjen një pikë që nuk e kupton më se ku fillon bota në kokën e tij dhe ku fillon ajo jashtë rradakes së tij. Por nëse Meta mund t’ja lejojë vetes të ngatërrojë dynjanë, ky parlament s’mund tja lejojë vetes mbylljen e syve përballë këtij burimi destabiliteti politik dhe komedie ndërkombëtare. Ilir Meta ç’ështe e vërteta e ka shkelur Kushtetutën më shumë sesa një herë, duke penguar apo refuzuar harbutërisht duke mos pranuar të dekretojë ministra, apo duke kthyër papërgjegjshmërisht ligje të ardhur nga ky parlament. Më shumë sesa një herë ai e ka prishur ekuilibrin e figurës së Presidentit, duke luajtur role e figura që kurrë një Presidenti s’ja ka lejuar vetes. Aq larg ka shkuar me vandalizmat, saqë vetë paraardhësi i tij, një rreshter i partisë së tij, sot duket si një Xheferson.
Shkarkimi nga detyra e Kreut të Shtetit, i cili solli në skenën e historisë Haxhi Qamilin, është një lëvizje me detyrim përcaktim i këtij kuvendit, dhe është detyrim i çdo deputeti që nuk e ka harruar betimin. Ilir Meta nuk e ka mbushur kupën, por e ka derdhur dhe vijon ta derdhë kupën çdo ditë.
Rama: I bëj thirrje Metës që të reflektojë dhe ta grumbullojë veten sa më parë. Të ndërpresë çdo sulm ndaj ndërkombëtarëve, të ndërpresë sulmet ndaj parlamentit dhe aktivitetet e tij të paligjshmë kundër qeverisë së Shqipërisë. Mir do të ishte të ndalonte dhe përgojimin e figurave historike të këtij vendi, sepse krahasimet e tij keqinformojnë rininë… por kjo mbetet sidoqoftë një vërejtje miqësore.
Komentet