Prokuroria e Posaçme në Shqipëri ka goditur një rrjet që trafikonte kokainë nga Amerika Latine drejt Shqipërisë dhe paratë e përfituara i investonte në ndërtim, hoteleri apo konsulencë. Autoritetet thanë se kanë sekuestruar pasuri në vlerë prej rreth 150 milionë eurosh.
Tri ditë më parë, Prokuroria e Posaçme goditi një tjetër rrjet të dyshuar ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe pastrimit të parave. Pjesë e hetimit për këtë grup janë edhe kontrata shitjeje toke në zonën e Zvërnecit, afër Vlorës.
Të dy grupet, për të cilat vijojnë hetimet, dyshohet se trafikonin drogë nga Amerika Latine drejt Evropës dhe paratë i investonin kryesisht në ndërtim, në Tiranë dhe në bregdetin e jugut të Shqipërisë.
Pas kërkesës së Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e njohur si SPAK, gjykata ka caktuar masën e sigurisë me burg për dhjetë persona, të akuzuar për trafikim të lëndëve narkotike, pastrim të produkteve të veprës penale dhe grup i strukturuar kriminal.
Nga të gjitha fletarrestimet, vetëm një prej tyre është ekzekutuar, për dy të tjerë vazhdon kërkimi, ndërsa shtatë personat e mbetur, sipas autoriteteve, nuk ndodhen në Shqipëri. Për arrestimin e tyre, SPAK-u është duke bashkëpunuar me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve të tjera.
Sipas Prokurorisë së Posaçme gjatë viteve 2019-2021, ky grup ka vepruar në Amerikën Latine, Brazil, Belgjikë dhe Holandë.
Nga hetimet e kryera, dyshohet se personat ndaj të cilëve është zhvilluar hetim kanë trafikuar të paktën 50 tonë kokainë. Autoritetet thanë se janë provuar pesë episode të trafikimit të kokainës nga Ekuadori dhe Kolumbia në Belgjikë dhe Holandë.
Nga hetimet, thanë autoritetet, është provuar se një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë transferuar në Shqipëri, në formën monetare kesh për të shmangur sistemin bankar dhe më pas janë investuar në pasuri të paluajtshme, në krijimin dhe blerjen e aksioneve të kompanive tregtare, shoqëri të ndryshme kryesisht në fushën e ndërtimit, hotelerisë, konsulencës e të tjera.
“Përmes këtyre investimeve dyshohet se është realizuar pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale, duke fshehur origjinën e tyre të paligjshme dhe duke mundësuar integrimin e tyre në ekonominë dhe qarkullimin financiar të ligjshëm”, tha SPAK-u.
Prokuroria tha se pas injektimeve të parave kesh në llogaritë e një kompanie tregtare, me qëllim “justifikimin” e investimeve të ardhshme, në muajt maj-qershor 2021, rezulton se kjo kompani ka filluar aktivitetin e saj në sektorin e ndërtimit.
“Dyshohet se, për të mos tërhequr menjëherë vëmendjen nga strukturat ligjzbatuese, personi nën hetim I.A., orientoi që kompania të shfaqej fillimisht si nënkontraktore për ndërtim banesash. Shfaqja e kompanisë në këtë mënyrë do të ‘justifikonte’ sërish flukset e ardhshme të parave kesh dhe shtrirjen e pritshme në sektorin e ndërtimit”, tha SPAK-u.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se skema e pastrimit të parave është realizuar përmes blerjes fiktive të kuotave të kapitalit në shoqëri tregtare, me çmime shumëfish më të ulëta se vlera nominale, për të marrë kontrollin e kompanive me kosto minimale. Fondet janë qarkulluar përmes huave mes personave fizikë dhe kompanive të lidhura, me qëllim krijimin e një historiku ekonomik fiktiv dhe humbjen e gjurmës së origjinës së parave, përpara integrimit të tyre në ekonominë formale.
Gjykata ka vendosur nën sekuestro 491 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, në pronësi të drejtpërdrejtë, apo të tërthortë të personave nën hetim. Bëhet fjalë për pasuri apo aksione të nëntë shoqërive tregtare. Autoritetet thanë se janë sekuestruar 266 pasuri të paluajtshme të llojeve tokë arë, tokë truall, hotel, poste parkimi dhe apartamente, me vendndodhje në Tiranë, Durrës, Elbasan, Hamallaj, Lezhë, Shkodër, Himarë, Sarandë. Gjithashtu janë sekuestruar 209 llogari bankare. Vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 150 milionë euro, sipas SPAK-ut.
Ky aksion i SPAK-ut është kryer në bashkëpunim me Eurojust, Europol, autoritetet gjyqësore të Ekuadorit, Francës, Kolumbisë, Holandës, dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese në Shqipëri.