TIRANË- Salvadore alias Shpëtim Aliu është personi i cili qëndronte në krye të grupit të goditur nga SPAK për trafikun e 50 tonë kokaine. Aliu ishte personi që ka luajtur një rol universal në gjithë skemën e trafikimit të lëndës narkotike, duke shërbyer si hallka furnitore. Ai ishte figura qendrore që furnizonte me kokainë grupet e Shpëtim Gjikës, Eldi Dizdarit dhe Armando Pacanit.
Aliu dyshohet se ndodhet në Dubai dhe masa arrest me burg ndaj tij është caktuar më 19 qershor, njëjtë si për 9 shqiptarët e tjerë që janë pjesë e rrjetit të trafikut te drogës dhe pastrimit të parave. Mes masave të sigurisë është edhe Isa Aliu, një njeri i afërt i kreut të grupit kriminal, Salvador Shpetim Aliu, në emër të të cilit kishin përfunduar të paktën katër kompani, dhe prona te tjera. Salvador Shpëtim Aliu, është nga Elbasani dhe dyshohet se furnizonte me drogë disa nga grupet kriminale shqiptare, mes tyre edhe organizatën e Çopjave.
Në njoftimin zyrtar SPAK, theksoi se në zbatim të vendimeve gjyqësore janë zhvilluar 23 kontrolle ndaj personave, banesave, zyrave të shoqërive tregtare dhe personave fizikë. Gjatë hetimeve janë mbledhur provat e nevojshme, prej të cilave janë provuar 5 episode të trafikimit të kokainës në sasi të mëdha./Dosja.al