VOAL

VOAL

Kosovë – Zgjedhjet e reja, fytyra të vjetra

Luljeta Krasniqi – Veseli

Liridona Salihu ka përfunduar studimet në Fakultetin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës dhe thotë se ka për synim të jetë pjesë e strukturave politike.

Sipas saj, hyrja në politikë pamundësohet nga gjeneratat e vjetra.

“Ka disa parti që udhëheqin për një kohë të gjatë që kanë dominuar në udhëheqje ose që kanë udhëhequr më shumë shtetin siç është Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Sigurisht që Kosova ka nevojë për një frymë të re dhe një gjeneratë të re udhëheqëse dhe patjetër që me gjeneratën e re do të kishim edhe një strukturë dhe një sistem të ri politik”, thotë Liridona Salihu.

Ajo mendon se në Kosovë është i domosdoshëm ndryshimi dhe kjo mund të bëhet vetëm me gjeneratat e reja.

“Do të hyja në politikë për faktin se dua një vend që ka drejtësi dhe transparencë, por duke pasur parasysh që ka disa individë që kanë uzurpuar vendet në njëfarë mënyre dhe ne na mohojnë përfshirjen në politikë”, shprehet Salihu.

Përfshirja e të rinjve në politikë, sipas një raporti të vitit 2016 të Fondacionit Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore (IFES), është e ulët. Sipas këtij raporti, 73 për qind e të rinjve të anketuar nuk kanë qenë asnjëherë anëtarë të strukturave rinore të ndonjë subjekti politik.

Ndërkohë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, nga rreth 1.8 milionë qytetarë të Kosovës, të rinjtë nën moshën 30-vjeçare përbëjnë shumicën e popullsisë.

Edhe analistë të çështjeve politike nuk presin mrekulli nga zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare në Kosovë, të cilat pritet të shpallen pas shpërndarjes së Kuvendit, më 22 gusht.

Ata thonë se strukturat politike në Kosovë janë të njëjta që nga paslufta dhe si të tilla, nuk kanë treguar deri tani se mund të bëjnë ndryshime të mëdha në vend.

Partitë e njëjta, liderë të njëjtë

Analisti i çështjeve politike, Ramush Tahiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se qytetarët e Kosovës presin nga këto zgjedhje që të ketë një strukturë të re politike, por gjasat, siç thotë ai, janë që Kosova pas këtyre zgjedhjeve do të vazhdojë me garniturën e njëjtë politike.

“Pritjet janë të mëdha, por rezultatet nuk do të jenë çfarë priten, aq më parë kur kemi komplet garniturën e vjetër partiake, kemi sistemin e vjetër partiak dhe kemi edhe synimet e vjetra. Gjithë kohën po diskutohet për kandidatë për kryeministër dhe pazaret e partive politike për të zënë pushtetin zakonisht deri tani kanë qenë gjithmonë marrëveshje joparimore të koalicionit”.

“Qytetarët duan struktura, të cilat nuk do të jenë klienteliste dhe me interesa partiake, por që do të synonte një lloj demokracie të mirëfilltë, një sundim të ligjit dhe drejtësi, a do të ndodhë kjo apo jo, varet nga një sërë faktorësh, por gjasat janë që Kosova pas këtyre zgjedhjeve, do të vazhdojë me garniturën e njëjtë apo me llojin e qeverisjes së njëjtë”, thotë Tahiri.

Kosova, që prej shpalljes së pavarësisë së saj, më 2008, nuk ka pasur një Qeveri të qëndrueshme, e cila e ka çuar deri në fund mandatin kushtetues prej katër vjetësh.

Në vazhdimësi, qeveritë e Kosovës, të përbëra nga koalicione partiake, kanë hyrë në mocione mosbesimi dhe janë detyruar të dorëhiqen, duke e futur Kosovën në cikle të parakohshme zgjedhore.

Në të gjitha këto cikle të shpeshta të zgjedhjeve kemi pasur pothuajse partitë e njëjta politike me liderë të njëjtë, që kanë synuar ta marrin pushtetin.

Analisti i çështjeve politike, Ismail Hasani, thotë se duke pasur parasysh që asnjë mandat legjislativ 4-vjeçar nuk është përfunduar, nuk mund të pritet ndonjë mrekulli edhe tani.

Strukturave politike aktuale në Kosovë, shton Hasani, iu duhen ndryshime të mëdha për të çuar përpara proceset e rëndësishme të vendit.

“Ajo çka do të doja të ndodhte në Kosovë, të mos bëhen koalicione parazgjedhore të rrejshme dhe të inateve, por subjektet politike që deri më tani kanë pasur numra të konsiderueshëm në Kuvendin e Kosovës, që kanë pasur besimin më të madh, është e nevojshme që secila nga këto parti të masë peshën politike dhe besimin te qytetarët”, vlerëson Hasani.

Sipas Hasanit, nëse kjo strukturë politike nuk është e aftë të çojë deri në fund këtë proces zgjedhor me ndershmëri dhe lënien anash të inateve, atëherë Kosova, shton Hasani, nuk ka kapacitete politike dhe vihet në pikëpyetje që ky lidership a është i aftë të udhëheqë një shtet.

Vazhdimi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, çështja e liberalizimit të vizave, luftimi i korrupsioni, sundimi i rendit dhe ligjit, papunësia dhe varfëria janë vetëm disa nga proceset që e presin Qeverinë, e cila do të dalë pas zgjedhjeve që ende pritet të caktohen.

Bashkia Tiranë ngre monument për viktimat e grushtit të dështuar të shtetit kundër Erdoganit (fotot)

Gazeta Telegraf

 

Bashkia Tiranë ka ngritur një monument përkujtimor në Parkun e Liqenit, në nder të 251 qytetarëve turq të vrarë gjatë grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016. Gjithashtu, me mbështetjen e qeverisë turke, Bashkia ka mbjellë aty 251 rrape të sjella nga Turqia, dhe rrugës i ka dhënë emrin “Dëshmorët e 15 Korrikut”.

Memoriali përmban emrat e 251 qytetarëve të vrarë në mbrojtje të qeverisë së Presidentit Erdogan, gjatë tentativës për grusht shteti tre vjet më parë në Turqi.

Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në botë që i ngre memorial viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi. Gjithashtu, në vendin tonë nuk ekziston asnjë memorial i ngjashëm për asnjë vend tjetër në botë.

Nuk është e qartë se kur, mbi bazë të cilit motiv dhe procedurave Bashkia ka vendosur ngritjen e memorialit.

Njoftimi për përurimin e rrugës, parkut dhe memorialit nuk është shfaqur në asnjë nga faqet e Bashkisë Tiranë, ku paraqitet çdo aktivitet i saj dhe i drejtuesve të bashkisë. Përkrah Ambasadorit të Turqisë Murat Ahmet Yoruk, në ceremoninë e përurimit ka marë pjesë nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbian Mazniku.

Përpara përurimit, Ambasada e Turqisë organizoi edhe “Marshimin e Fitores së Demokracisë”, nga Sheshi “Nënë Tereza” deri te parku që Bashkia Tiranë ka ngritur në nder të viktimave nga organizatorët e grushtit të shtetit.


Momente nga grumbullimi përpara aktivitetit.

Qeveria e Presidentit Erdogan akuzon imamin Fet’hullah Gylen si organizatorin e grushtit të shtetit. Gyleni, i cili jeton në SHBA që prej vitit 1999, i mohon kategorikisht akuzat.

Turqia e ka shpallur “Lëvizjen Gylen” organizatë terroriste. Qindra mijë persona të dyshuar si anëtarë të saj janë përballuar me arrestime, burgosje, gjyqe dhe dënime të dyshimta, heqje nga puna etj. Qindra gazetarë janë burgosur pa gjyq, pasi janë konsideruar se shkrimet e tyre përpara grushtit të shtetit kanë mbështetur Lëvizjen Gylen.

Presidenti Erdogan ka qenë mbështetës i flaktë i veprimtarisë në fushën e arsimit të Lëvizjes Gylen. Të dyja palët e kanë mbështetur fuqimisht forcimin e njëra-tjetrës, derisa krisjet mes tyre çuan në një përplasje, ku autoritarizmi i Presidentit Erdogan duket se triumfoi. Praktikisht, Lëvizja Gylen nuk ekziston më në Turqi.

Ky park u përurua vetëm tri ditë përpara vizitës së Kryeministrit Edi Rama në shtëpinë e pushimit të Presidentit Erdogan. Pas kthimit nga Turqia, Rama dha lajmin se në shtator Air Albania do të nisë fluturime drejt Italisë. Deri tani, Air Albania ka përdor një avion të Turkish Airlines, të lyer me flamurin shqiptar.

Pak ditë më pas, Ministri i Brendshëm i Turqisë, Sylejman Sojllu, vizitoi Tiranën. Pas takimeve me Ministrin Lleshaj dhe me Kryeministrin Rama, ai tha se palët kishin marrë “vendime të rëndësishme” në lidhje me Lëvizjen Gylen në Shqipëri.


Gjatë vajtjes për në vendin ku u ngrit memoriali turk.

Ashtu si Bashkia Tiranë, që nuk e njoftoi publikun për përurimin e këtij parku te Liqeni i Tiranës, as qeveria nuk ka dhënë ndonjë sqarim se çfarë vendimesh janë marrë.

Shtypja e Lëvizjes Gylen nga qeveria turke, në Turqi dhe jashtë saj, është kritikuar nga disa vende evropiane dhe organizata në mbrojtje të të drejtave të njeriut.

Pas grushtit të dështuar të shtetit, qeveria i shpalli dëshmorë qytetarët e vrarë në përplasjen me segmente puçiste të ushtrisë. Përgjatë të gjithë Turqisë janë ngritur parqe dhe memoriale që përkujtojnë datën 15 korrik 2016 dhe emrat e viktimave.

Ky është rasti i parë në botë, ku Turqia ngre një memorial me emrat e qytetarëve të vrarë gjatë tentativës për grusht shteti në një vend të huaj. Gjithashtu, ky është rasti i parë që në Shqipëri ngrihet memoriali i viktimave të një grushti shteti të një vendi të huaj.

Segmenti rrugor “Porti i jahteve-Orikum-Dukat”, Meta rrëzon koncesionin e radhës: “Minë” për financat dhe interesin publik

Presidenti i vendit, Ilir Meta ka rrezuar nje tjeter koncesion te qeverise, kete radhe ate per projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

Presidenti ben me dije se kreu i Shtetit, dekreton kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 51/2019  “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.

Sipas Metes, ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik.

ARSYETIMI 

me Dekretin nr. 11254, datë 08.08.2019, ka vendosur:

Kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 51/2019  “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, dhe “Gjikuria”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë koncesionare “Rruga Orikum – Llogara”, sh.p.k., për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”, me qëllim rishikimin sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 51/2019, Presidenti i Republikës konstatoi se:

-Ligji nr. 51/2019 dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës;

-Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me rregullat që normojnë këtë proces, në shkelje të parimit të konkurrencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit, duke krijuar rrezik për cenim të interesit publik;

-Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik është formalizuar përgjatë një procesi jotransparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore konkrete për negocimin e kushteve materiale të saj;

-Mungesa e një vlerësim të qartë ekonomik, krijon rrezik për cenim të financave të shtetit dhe interesin publik;

-Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë;

-Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces;

-Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit dhe ekonominë e familjeve shqiptare, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit;

-Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mosevidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit.

Presidenti i Republikës gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit.

Në kundërshtim me këto kërkesa të institucioneve financiare, Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar këtë kontratë koncesionare, që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 51/2019, në kushte kaq të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve.

Procedura e konkurrimit, të publikuara në Buletinin e Njoftimeve Publike nr. 30, datë 30.07.2018, në faqen zyrtare të APP është parashikuar se vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është 50,575,020 Euro.

Në dokumentet standarde të tenderit, të publikuara, është parashikuar që shoqërisë “Gjikuria” sh.p.k., si shoqëri e cila ka dorëzuar propozimin e pakërkuar të këtij projekti, i është dhënë një bonus prej 6 pikë nëpërmjet VKM Nr. 367, datë 20.06.2018.

Në relacionin e Këshillit të Ministrave dhe Raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit të Shqipërisë, nuk qartësohet nëse është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave, në çfarë faze është dhënë, si dhe cili ishte akti miratues i dhënë prej këtij organi.

Nga shqyrtimi tërësor i praktiktës së ndjekur për këtë koncesion rezulton se, përgjatë procedurave të ndjekura nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk citohet të jetë dhënë miratim i projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë.

Edhe pas kërkesës së paraqitur nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në dokumentaionin e përcjellë nga Kuvendi, nuk rezulton e administruar apo e dërguar ndonjë akt që të vërtetojë faktin që Ministria e Financave dhe Ekonomisë të ketë dhënë miratim financiar për këtë projekt.    

Mungesa e këtij akti dhe e informacionit mbi të cenon rëndë të gjithë procesin dhe përbën shkelje të procedurës së ndjekur qoftë nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, duke përfshirë në këtë proces edhe Kuvendin e Shqipërisë. 

Kjo është shkelje e rëndë e procedurës, ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimmarrës në këtë çështje, që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor, deri tek vendimmarrja e Këshillit të Ministrave që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë prej Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Referuar shqyrtimit të dokumenteve të procedurës rezulton se kostoja e projektit do të jetë 50 147 416 euro, pa TVSH, ndërsa në relacioni e Këshillit të Ministrave parashikohet se vlera e projektit për 13 vjet, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugës “Porti i Jahteve– By-pass Orikum – Dukat (Ura e Shën Elizës)”, sipas specifikimeve teknike e parashikuar në vlerën totale 70 119 755 euro, dhe pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve, ajo do të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në sipas propozimit të ri financiar, të rishikuar.

Pra, duket qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve në vlerën prej 67 359 926 Euro plus TVSH është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim.  

Në zbatim të kërkesave të VKM nr. 634, datë 1.10.2014 dhe dokumentat standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike rezulton se nuk ka asnjë parashikim ligjor ku të lejohet negocimi i ofertës së paraqitur nga ana e operatorëve ekonomikë konkurrues.  

Kjo është një shkelje flagrante e rregullave të konkurrimit në këtë drejtim dhe një mënyrë haptazi e kundraligjshme për të operuar në një sistem jashtë kuadrit ligjor rregullator, duke negociuar me kompaninë propozuese, çmimin apo terma të tjerë material të panegociueshme të kontratës 

Në lidhje me kërkesën e Presidentit për sqarimin e kësaj situate të paqartë joligjore, nuk u dha asnjë shpjegim nga MIE, ARRSH dhe MFE deri në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 51/2019. 

Nga ana e Autoritetit Kontraktues, nuk është respektuar baza ligjore lidhur me veprimtarinë e kryer për negocimin e termave material të kontratës së koncesionit, duke shkelur parimin e sigurisë juridike dhe interesin publik në mënyrë flagrante.

Negocimi i kontratës koncesionare, përfshirë ofertën e propozuesve apo modelin financiar, pa patur një parashikim të qartë në dokumentat standard të garës, madje në kundërshtim të plotë me vetë parashikimin se oferta nuk mund të modifikohet dhe nga ana tjetër, pa patur një bazë ligjore specifike për ta realizuar këtë proces, cenon rëndë sigurinë juridike, cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës, duke shkelur nenin 4, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.  

Duke vepruar në një terren të tillë, pa ligj dhe pa rregulla, Autoriteti Kontraktor dhe më pas Këshilli i Ministrave, i kanë ofruar Kuvendit të Shqipërisë, për miratim me ligj një Kontratë Koncesionare/PPP, e cila është formuar nën një vullnet të shtrembëruar, subjektiv dhe të pakontrolluar në të gjitha dimesionet e tij, ekonomike, financiare, etj.  

Një anashkalim haptazi i çdo norme ligjore në fuqi, me qëllim nënshkrimin e një kontrate koncesionare, përtej rregullave dhe ligjit, duke synuar që çdo paligjshmëri të amnistohet nga Kuvendi, me miratimin e kësaj kontrate me një akt ligjor, në mënyrë që ajo në çdo kohë të quhet e ligjshme dhe të jetë e pakontrollueshme dhe askush të mos përgjigjet për shkeljet e kryera në këtë proces.  

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave për t’i dhënë një mbrojtje këtij procesi të paligjshëm dhe për të shmangur çdo përgjegjësi miratuese të Këshillit të Ministrave, ka miratuar një rregull të ri për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim aministimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë. 

Me shkresën nr. 2669 prot., datë 31.07.2019, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka drejtuar një kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku ndër të tjera ka kërkuar informacion nëse Autoriteti Kontraktor ka kryer një studim krahasimor, nga ku ka rezultuar si ekonomikisht më e favorshme dhënia e kontratës me konçesion/PPP në raport me prokurimin publik.

Sipas kërkesave të nenit 13, pika 4 germa “ç”, të VKM nr. 634, datë 01.10.2014, projekti trajtohet si produkt i autoritetit kontraktor dhe rezultatet e studimit të fizibilitetit duhet të tregojnë se; dhënia e kontratës me koncesion/PPP është ekonomikisht më e favorshme se dhënia e saj me prokurim publik”.

Autoriteti Kontraktor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës lidhur me këtë kërkesë, deri në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 51/2019, çka provon bindjen se nuk ka një vlerësim të tillë të bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare.    

Bazuar në sa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se rezultati i këtij krahasimi ekonomik është thelbësor në vijimin e procedurave të dhënies me Koncesion dhe moskryerja e tij është një shkelje tjetër e rëndë në këtë proces.

Referuar raportit të Komisionit të Ekonomisë, të datës 18.06.2019, rezulton se ky moment i rëndësishëm e thelbësor për vijimin e procedurave të konkurrimit nuk është prekur as formalisht dhe as materialisht nga komisioni, por ai është mjaftuar vetëm me citimin e një paragrafi duke përmendur se, çmimet e referuara në kontratë janë në përputhje me çmimet e manualeve që përdor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Presidenti i Republikës, nisur nga situata e parashtruar më sipër, shpreh hapur rezervat e tij lidhur me vlerën e publikuar të projektit.

Me formën dhe procedurën e ndjekur, Autoriteti Kontraktor nëpërmjet informacionit të publikuar ka krijuar një percetim të rremë dhe të shtrembëruar për publikun apo për konkurrentët e tjerë të mundshëm të huaj apo vendas mbi vlerën e projektit, të cilët pasi janë njohur me vlerën fillestare 50,575,020 euro kanë hezituar për të konkurruar, ndërkohë që kompania që ka paraqitur propozimin e pakërkuar të këtij projekti i është dhënë e drejta të ofertojë e negociojë çmimin.

Ndërkohë që pas negocimit dhe dakordësimit ndërmjet palëve, vlera e kontratës koncesionare është dakordësuar të jetë 67 359 926 euro plus TVSH-në, duke treguar qartë se çmimi i dakordësuar midis palëve është 16,784,906 Euro, më i lartë se kostoja e projektit e publikuar nga vet autoriteti kontraktor për konkurrim. 

Veprimtaria e Autoritetit Kontraktor, veç të tjerave, krijon një situatë të cenimit te parimit kushtetues të konkurrencës së lirë dhe të ndershme dhe të barazisë përpara ligjit, me pasojë diktimin e kompanisë fituese dhe cenim të interesit publik dhe të financave publike.

Gjithashtu, projektligji për miratimin e kësaj kontrate koncesionare nuk është shqyrtuar as nga Komisioni i Çështjeve Ligjore dhe as nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë.

 Edhe shqyrtimi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave duket se është i përciptë dhe në këtë mënyrë nuk ka mundësi të jetë as objektiv.

Presidenti i Republikës për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllim rishqyrimin e këtij ligji në përputhje me parimet kushtetuese dhe kuadrin ligjor në fuqi, ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 51/2019 me qëllim rishikimin tërësor të kësaj kontrate koncesionare. 

Presidenti i Republikës i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që, rishqyrtimi i ligjit nr. 51/2019 dhe kontratës koncesionare për segmentin rrugor Orikum – Dukat të bëhet pas hyrjes në fuqi të kufizimeve të vendosura nga Kuvendi, në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar” që, sipas vullnetit të Kuvendit, do të duhet të hyjnë në fuqi në datë 1 tetor 2019. 

Arsyet shteruese mbi këtë vendimmarrje të Presidentit të Republikës gjenden të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës: Ligji i kthyer për rishqyrtim

Nipi i deputetit të PS dhunoi barbarisht një femër, reagon ashpër KSHH: Policia e mbajti vajzën e prangosur në spital

Komisioni Shqiptar i Helsinkit pas monitorimit të rastit të ushtrimit të dhunës barbare të ushtruar ndaj një gruaje në ambientet e QSUT nga nipi i deputetit socialist, Rrahman Rraja, ka dalë në një reagim të fortë.

KSHH kritikon fort policinë, duke theksuar se nuk kanë vënë në dispozicion asnjë lloj informacioni mbi ngjarjen, ndërsa shprehet se ata mund ta kishin parandaluar dhunimin e gruas.

Në një postim në Facebook, ky institucion thekson se policia e ka mbajtur vajzën e dhunuar të prangosur në krevatin e spitalit.

Ndër të tjera, KSHH i bën thirrje Prokurorisë që të bëjë një hetim të plotë të ngjarjes, si dhe Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të trajnojnë më shumë punonjës për të menaxhuar dhe parandaluar përshkallëzimin e dhunës.

 

Deklarata

INCIDENTI BRUTAL I DHUNËS NË AMBIENTET E QSUT-SË MUND TË PARANDALOHEJ

INSTITUCIONET E MONITORUARA MUNGESË TRANSPARENCE

Monitorimi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit është realizuar në Komisariatet e Policisë nr.3 dhe nr.4 si dhe në shërbimin e urgjencës në QSUT, ku rezulton të jetë mbajtur shtetasja e dhunuar. Nga verifikimet e bëra, rezultoi se, në mëngjesin e dt. 31 Korrik 2019, rreth orës 07:00, shtetasi me iniciale R.Rr ka qenë në ambientet e jashtme të spitalit të urgjencës, ku ishte shtruar një i afërmi i tij. Shtetasja e paidentifikuar ende nga organet e policisë, sipas këtyre të fundit, është afruar dhe ka filluar ta ofendojë me fjalë fyese shtetasin R.Rr, çka ka nxitur ushtrimin e dhunës prej këtij shtetasi në drejtim të saj. Midis shtetasve nuk ka patur marrëdhënie familjare apo shoqërore. Shtetasja e dhunuar pretendohet se ka qenë nën efektin e alkoolit dhe është shoqëruar në ambientet e urgjencës prej punonjësve të policisë së Komisariatit nr.3, orët e para të mëngjesit të datës (31 Korrik), rreth orës 05:40. Efektivët e këtij Komisariati janë sinjalizuar me anë të telefonit nga familjarët e kësaj shtetaseje, për të bërë të mundur futjen dhe shoqërimin e saj me anë të autoambulancës nga zona e Tajvanit deri në spitalin e urgjencës pranë QSUT-së. Nga takimi me Kryeinfermierin e shërbimit të Urgjencës në QSUT rezulton se shtetasja është diagnostikuar me “suspect intosikacion alkooli”, ka patur sjellje të dhunshme dhe ka përdorur fjalë të papërshtatshme. Ajo ka refuzuar ndihmën mjekësore dhe më pas është larguar në drejtim të paditur. Punonjësit e policisë pretendojnë se ajo ka referuar të dhëna të rreme për identitetin e saj, por ndërkohë është e pakuptueshme se si 7 ditë pas kësaj ngjarje, sërisht policia referon pamundësinë e identifikimit, ndërkohë për këtë shtetase është kryer një telefonatë në strukturat e policisë nga të afërmit e saj. Gjithashtu, për shkak të largimit të saj, Komisiariati i Policisë nr.4 nuk ka marrë deklarime nga shtetasja e dhunuar por vetëm nga autori i dyshuar, i cili është shoqëruar në ambientet e Komisariatit nr.4, Tiranë.

Gjatë këtij monitorimi, vëzhguesve të KShH-së nuk ju vendos në dispozicion nga autoritetet e policisë, dokumentacioni i plotë, që hedh dritë mbi ngjarjen e ndodhur, me qëllim që të mundësohej një vlerësim më i qartë për ligjshmërinë e veprimeve të kryera nga policia. Vëzhguesit e KShH-së kërkuan të njihen me raportin e shërbimit të mbajtur nga efektivët e Komisariati i Policisë nr.3, të cilët kanë bërë të mundur shoqërimin e shtetases në gjendje të dehur, në ambientet e urgjencës. Raporti nuk ju vu në dispozicion me argumentin se personi që administronte dokumentacionin nuk ndodhej në Komisariat. Vëzhguesit e KShH-së u informuan nga efektivët e Komisariatit të Policisë nr.4 se ndaj shtetasit R.Rr është bërë shoqërimi në orën 07:10 të dt.31 Korrik dhë është liruar rreth 3-4 orë më pas, për tu proceduar në gjendje të lirë. Edhe pse ky person është kapur në gjendje të flagrancës, menjëherë pas kryerjes së veprës penale, nuk rezulton që ai të jetë ndaluar apo arrestuar në flagrancë. Komisariati i Policisë nr.4 Tiranë deklaron se ka referuar pranë Prokurorisë materialet për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, të cilat përbëjnë kundravajtje penale. Është e paqartë se përse një shtetas që ushtron dhunë brutale në ambientet publike i referohet organit procedues për kundravajtje penale, për më tepër në kushtet kur viktima, në trupin e së cilës ndodhen shenjat dhe pasojat e dhunës është larguar dhe nuk është bërë as ekspertimi mjeko-ligjor i saj. Sipas pamjeve filmike të publikuara në rrjetet sociale (të cilat janë fshirë më pas) rezulton se zonja është mbajtur në ambientet e urgjencës me pranga, para se të konfliktuohet dhe më pas dhunohet nga shtetasi R.Rr. Përfaqësues të këtij Komisariati kanë referuar se përdorimi i prangave është bazuar në ligjin nr.108/2014 “Për Policinë e Shtetit”. Por ndërkohë, KShH vëren se neni 133, pika 3 e këtij ligji nuk e legjitimon në mënyrë të shprehur përdorimin e prangave në ambientet e spitalit por parashikon se “Punonjësi i policisë përzgjedh nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara, që, ndër të tjera, përfshijnë bindje me fjalë, shtrëngim fizik, mjete goditëse, mjete me lëndë paralizuese, mjete me goditje elektrike, qen policie dhe armë zjarri. Referuar jurisprudencës së Gjykatës së Strasburgut, përbën shkelje të nenit 3 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (e drejta për të mos ju nënshtruar torturës), nëse personi ndaj të cilit është kufizuar liria, mbahet me pranga gjatë qëndrimit në spitale, veçanërisht kur është në pozita të dobëta apo gjendje të rëndë shëndetësore (Mousiel vs France dhe Van der Ven dhe Lorse vs Holand).

Vëzhguesit e KShH-së, nuk u njohën me dokumentacionin që vërtetonte orën e daljes së të dëmtuarës nga urgjenca dhe për pasojëështë e paqartë se në ç’kushte dhe rrethana ka dalë kjo shtetase, sa kohë ajo ishte e shoqëruar nga efektivët e policisë. Sipas nenit 122 të ligjit për policinë e shtetit, punonjësi i policisë ka të drejtë të dërgojë personin në gjendje të dehur në institucionet shëndetësore dhe njëkohësisht ka përgjegjësinë për të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e personit, gjendja e të cilit tregon qartë se nuk mund të kontrollojë veprimet dhe sjelljen e tij dhe për këtë arsye mund t’i shkaktojë dëmtime fizike ose të përbëjë rrezik për jetën e tij ose të të tjerëve. Veprimet e punonjësit në këto raste duhet të dokumentohen në procesverbal, dokument i cili nuk na u vendos në dispozicion.

Në vendin e ngjarjes ku shtetasja është dhunuar, rezulton se aty ka qenë prezent një efektive policie e cila nuk ka ndërhyrë për të parandaluar apo neutralizuar konfliktin, por ka lajmëruar kolegët e saj që të vijnë në vendngjarje. Ndaj efektives rezulton se është marrë pezullimi disiplinor nga detyra me 1 ditë.

KShH tërheq vëmendjen se pranë institucioneve dhe ambienteve publike ku patrullojnë apo janë të stacionuar punonjës të policisë, ata duhet të jenë të trajnuar për të menaxhuar dhe ndërhyrë në raste të tilla. Referuar ligjit nr.108/2014, është në misionin e policisë së shtetit të ruajë rendin dhe sigurinë publike. KShH vlerëson se ngjarja e ndodhur në ambientet e QSUT-së, mund të ishte parandaluar dhe menaxhuar më mirë nga punonjësit e policisë së shtetit.

KShH i rekomandon prokurorisë të kryerjë një hetim të plotë, efektiv dhe të gjithëanshëm për të zbardhur këtë ngjarje. Ndërkohë që i bëjmë thirrje Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që në bashkërendim me njëra – tjetrën të mundësojnë trajnime të vazhdueshme të punonjësve për të menaxhuar konform ligjit dhe standarteve/protokolleve raste të tilla dhe parandalimin e përshkallëzimit të dhunës.

Ish-deputetja Lajla Pernaska: Sot gratë në politikë janë kukulla barbi, marjoneta në duart e kryetarëve të partisë

Ish-deputetja Lajla Pernaska, nuk kursehet me etiketimet për gratë në politikë, duke i cilësuar të stilit “Barbie dolls”.

 

“Në gjykimin tim sot është rritur nr i përfaqësimit të grave, por ka rënë cilësia, dhe kjo jo për mungesë të kapacitetit të tyre, por mendoj se kanë krijuar këtë lloj deformimi vetë kryetarët e partive. Të cilët kanë krijuar një model femëror, që nuk përputhet me kapacitetin që kanë sot gratë, është një model jo-përfaqësues një model i preferuar nga kryetarët e partive për femrat marjoneta në një term quhen edhe “barbie dolls” dhe që janë tejet larg modelit real të femrës shqiptare”.

Sa i takon kohës së dikurshme kur ajo ishte politikane nëse do të kishte bërë diçka ndryshe, u përgjigj: “Ka deficite në aspektin e jetës personale, por edhe të tjerëve ndaj familjes sime, ndaj tim biri, ndiej keqardhje që s’kam qenë në situata të caktuara të jetës së tij, nëse do të rikthehesha do te kisha bëre diçka ndryshe”.

Shqiptari fitoi lotarinë amerikane, por i bëri gropën vetes pasi i zbulohet diploma false e gjimnazit

Lotaria amerikane është ëndrra e përvitshme e shumë qytetarëve. Edhe për Çlirim Tupin nga fshati Zabzun ishte e tillë derisa u shpall fitues.

Por ëndrrat kthehen në makth nëse përpiqesh të gënjesh amerikanët apo të kryesh vepër penale sikundër veproi 36-vjeçari.

Pas një hetimi intensiv disa mujor Prokuroria mbylli hetimet dhe e dërgoi Tupin të pandehur në Gjykatë së bashku me një drejtor shkolle që ka vulosur dokumente false dhe e ka diplomuar, në një kohë që i dyshuari nuk e kishte frekuentuar asnjë ditë gjimnazin.

Në dokumentet e firmosura nga ish-drejtori i shkollës, Dashnor Hysa, që do të gjykohet me të riun me falsifikim dokumentesh, për gjimnazistin e rremë përshkruhet se mëson me hope dhe sillet shumë mirë.

Këtë diplomë gjimnazi, 36-vjeçari nga Dibra e ka paraqitur në Ambasadën Amerikane për intervistën prej të cilës pas lotarisë ai priste të pajisej me vizë.

Por ndërkohë, siç kuptohet, amerikanet kishin kryer verifikimet e tyre, kishin shkuar në fshatin Dorëz në Librazhd, në shkollën “Shefqet Dosku” dhe kishin kontaktuar me stafin pedagogjik.

Zbulimi i amerikaneve ishte se fituesi i lotarisë kishte paraqitur dokumente false.

Në këto kushte pasi ka parë se ëndrra e tij amerikane u thye, i riu ka vendosur të thotë të vërtetën. Ai ka treguar se i duhej një diplomë dhe se kishte takuar një qytetar në Rrugën e Kavajës, të cilit i ka paguar 2 mijë euro për të marrë një vërtetim.

Policia shkencore i thotë Prokurorisë se shenjat e vulave në vërtetimin e shkollës së mesme i përkasin vulës së shkollës, ndërkohë Tupi nuk rezultonte i regjistruar në indeksin e amzës.

Por ish-drejtori i shkollës edhe ai i marrë i pandehur ka deklaruar se një i ri kishte shkuar në zyrën e tij dhe i kishte kërkuar një vërtetim notash dhe ai ia kishte dhënë pas një verifikimi në regjistrin e veçante ku kishte parë që ky shtetas figuronte si nxënës i shkollës së mesme.

Por Prokuroria thotë se ish-drejtori nuk thotë të vërtetën dhe se zyrtari ka shpërdoruar detyrën duke mbajtur vulën jashtë shkollës dhe duke mos i vendosur numri protokolli vërtetimit që më pas është sjellë nga Librazhdi në Tiranë dhe është shitur për dy mijë euro.

Top Channel

Meta kthen në Kuvend koncesionin për rrugën Milot-Balldren

Presidenti Ilir Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot–Balldren.



Njoftimi i plotë:

Presidenti Meta ka dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 52/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot–Balldren”

Institucioni i Presidentit të Republikës bën me dije se, Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në ushtrim të kompetencave të Tij, në mbështetje të neneve 85, pika 1 dhe 93, të Kushtetutës,

me Dekretin nr. 11255, datë  08.08.2019, ka vendosur kthimin për rishqyrtim në Kuvend të ligjit nr. 52/2019 “Për miratimin e kontratës së koncesionit/PPP ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot–Balldren” me qëllim rishikimin sipas arsyetimit bashkëlidhur këtij dekreti.

Në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 52/2019, Presidenti i Republikës konstatoi se:

–          Ligji nr. 52/2019 dhe Kontrata Koncesionare bashkëlidhur janë propozuar, hartuar, nënshkruar dhe miratuar në kundërshtim me parimin e shtetit të së drejtës;

–          Ky ligj miraton një Kontratë Koncesionare ku vullneti i Qeverisë Shqiptare në këtë proces është formuar në kundërshtim të hapur me interesin publik dhe në shkelje të parimit të konkurencës së lirë dhe të barazisë përpara ligjit;

–          Kontrata e lidhur mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik, është formalizuar përgjatë një procesi aspak transparent ndaj publikut dhe pa një bazë ligjore për negocimin e çmimit të saj;

–          Mungesa e një vlerësim të qartë ekonomik, krijon rrezik për cenim të financave të shtetit;

–          Nuk rezulton të ketë një studim fizibilteti të plotë dhe objektiv të hartuar dhe të miratuar nga institucionet shtetërore përgjegjëse të ngarkuara me ligj me këtë detyrë;

–          Nuk është dhënë miratimi i këtij projekti nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, konform kërkesave të aktit që rregullon këtë proces;

–          Rriskon seriozisht buxhetin e shtetit, pasi nuk ka një përllogaritje të saktë të efekteve të saj në ekonominë e vendit;

–          Qëllimi i miratimit me ligj të kësaj kontrate është vetëm mbulimi i paligjshmërisë së bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare, me qëllim mos evidentimin e përgjegjësisë në këtë proces dhe mbulimin e çdo paligjshmërie nëpërmjet ligjit.

Presidenti i Republikës, gjen me vend të evidentojë se institucionet financiare ndërkombëtare, kanë kërkuar nga qeveria shqiptare në mënyrë eksplicite eliminimin në mënyrë të menjëhershme të ofertave të pakërkuara, si oferta me një kosto të rëndë në ekonominë e vendit. Në kundërshtim me këto kërkesa të institucioneve financiare Këshilli i Ministrave ka nënshkruar dhe Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar, këtë kontratë koncesionare që pretendohet të miratohet me ligjin nr. 52/2019 në kushte kaq të rënda paligjshmërie dhe në dëm të interesave të qytetarëve.

Në relacionin e Këshillit të Ministrave nuk arsyetohet se në çfarë faze është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave (në fazën fillestare apo përfundimtare) dhe cili ishte akti miratues për këtë projekt. Për një shqyrtim të plotë të çështjes Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i kërkoi informacion Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe Ministrisë së Financave, për tu sqaruar në lidhjen me realizimin e këtij projekti koncesionar.

Kërkesës së Institucionit të Presidentit të Republikës, i është përgjigjur mënjeherë vetëm Kuvendi i Shqipërisë në të cilën nuk rezulton e administruar apo e dërguar ndonjë akt që Ministria e Ekonomisë dhe Financave të ketë dhënë për miratimin financiar të këtij projekti. Sipas relacionit të Këshillit të Ministrave që shoqëron projektligjin e dhënies me koncesion/PPP për segmentin rrugor “Milot–Balldren” rezulton e relatuar se ky projekt i është dërguar për miratim edhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë që e ka miratuar si projekt. Projekti është përfshirë në programin buxhetor afatmesëm. Ky fakt nuk qartësohet plotësisht në këtë relacion, se në çfarë faze është dhënë miratimi i projektit nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe cili ishte akti miratues.

 

Në Raportin e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të datës 18.06.2019, nuk rezulton të jetë përmendur ndonjë miratim i dhënë nga Minsitria e Ekonomisë dhe Financave. Në këtë raport të komisionit për këtë çështje citohet vetëm se, Ministria e Ekonomisë dhe Financave duhet të ndjekë vazhdimisht koston e këtij projekti për të siguruar zbatimin e treguesve të parashikuar në kontratë dhe në ligjin e buxhetit, duke ndikuar në vijimin e qëndrueshmërisë së financave publike.

Për këtë moment procedurial fillestar shumë të rëndësishëm që përkon me marrjen e një vendimi miratues nga autoriteti kompetent që kujdeset për mbarëvajtjen e planifikimit dhe zbatimit të buxhetit të shtetit, për zhvillimin e një projektit koncesionar, me impakt të drejtëpërdrejtë financiar, nuk rezulton të jetë paraqitur ndonjë informacion shoqëruar me dokumente mbështetëse provuese, sipas parashikimeve të vet aktit që rregullon procesin e dhënies me koncesion të veprave publike të kësaj natyre. (VKM nr. 634 datë 01.10.2014).

Mungesa e miratimit të projektit nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe e informacionit mbi të, cenon rëndë të gjithë procesin dhe përbën shkelje të procedurës së ndjekur qoftë nga Autoriteti Kontraktues, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Ekonomisë dhe Financave, Këshilli i Ministrave, duke përfshirë në këtë proces edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo është shkelje e rëndë e procedurës dhe ngarkon me përgjegjësi jo vetëm autoritetin kontraktor, por gjithë zinxhirin vendimarrës në këtë çështje që prej specialistit më të thjeshtë tek Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti Kontraktor deri tek vendimarrja e Këshillit të Ministarve, që kanë toleruar që të nisë dhe të zbatohet një procedurë koncesionare, pa miratimin paraprak apo përfundimtar të shprehur në mënyrë të plotë dhe shteruese të Ministrisë së Financave  dhe Ekonomisë.

Referuar shqyrtimit të dokumentave të procedurës së konkurimi rezulton se vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është 161,500,000 Euro pa TVSH, ndërkohë që vlera e ofertës së propozuar nga oferuesi i shpallur fitues ka qenë 217,318,500 plus TVSH;

Në Relacionin e Këshillit të Ministrave parashikohet se: Oferta totale fillestare ekonomike e shoqërisë ishte 217,318,500 euro plus TVSH, shoqëria “ANK”, sh.p.k., ka marrë përsipër vlerën e 213,665,040 euro plus TVSH.

Në zbatim të kërkesave të V.K.M nr.634, datë 01.10.2014 dhe referuar dokumenteve standarde të konkurimit, të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike, rezulton se nuk ka asnjë parashikim ligjor, ku të citohet rregulli se lejohet negocimi i ofertës së paraqitur nga ana e operatorëve ekonomikë konkurrues.

Kjo është një shkelje flagrante e rregullave të konkurimit në këtë drejtim, dhe një mënyrë haptazi e kundraligjshme për të operuar në një sistem jashtë kuadrit ligjor rregullator, duke negociuar me kompaninë propozuese, çmimin apo terma të tjerë material që sipas rregullit janë pa negociueshme.

Nga ana e Autoritetit Kontraktues, nuk është respektuar baza ligjore lidhur veprimtarinë e kryer për negociimin e termave material të kontratës së koncesionit, duke shkelur parimin e sigurisë juridike dhe interesin publik në mënyrë flagrante. Negociimi i kontratës koncesionare përfshirë ofertën e propozuesve apo modelin financiar, pa patur një parashikim të qartë në dokumentat standard të garës, madje në kundërshtim të plotë me vetë parashikimin se oferta nuk mund të modifikohet, dhe nga ana tjetër pa patur një bazë ligjore specifike për ta realizuar këtë proces, cenon rëndë sigurinë juridike, cenon rëndë parimin e shtetit të së drejtës, duke shkelur nenin 4 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë ku parashikohet se e drejta përbën bazën dhe kufijtë e veprimtarisë së shtetit.

Duke vepruar në një terren të tillë, pa ligj dhe pa rregulla, Autoriteti Kontraktor dhe më pas Këshilli i Ministrave, i kanë ofruar Kuvendit të Shqipërisë, për miratim me ligj një Kontratë Koncesionare/PPP, e cila është formuar nën një vullnet të shtrembëruar, subjektiv dhe të pakontrolluar në të gjitha dimensionet e tij, ekonomike, financiare, etj.

Këtu nuk bëhet fjalë për shkelje të ligjit dhe rregullave të konkurimit, por anashkalim haptazi i çdo norme ligjore në fuqi me qëllim nënshkrimin e një kontrate koncesionare, përtej rregullave dhe ligjit, duke synuar që çdo paligjshmëri të amnistohet nga Kuvendi, me miratimin e kësaj kontrate me një akt ligjor, në mënyrë që ajo, në çdo kohë të quhet e ligjshme dhe të jetë e pakontrollueshme dhe askush të mos përgjigjet për shkeljet e kryera në këtë proces.

Kjo bindje krijohet edhe për faktin se Këshilli i Ministrave më datë 27.03.2019, pra në të njëjtën datë me nënshkrimin e Kontratës Koncesionare/PPP, me propozimin e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë ka miratuar VKM nr. 174, datë 27.03.2019 “Për një ndryshim në VKM nr.634, datë 01.10.2014, nëpërmjët të cilit ka ndryshuar pikën 5, të nenit 34 të kësaj VKM-je me këtë përmbajtje:

“5.Kontrata e koncesionit/PPP do të hyjë në fuqi pas miratimit me ligj nga Kuvendi i Shqipërisë.”. Pra duket qartë se Këshilli i Ministrave për t’i dhënë një mbrojtje këtij procesi të paligjshëm, dhe për të shmangur çdo përgjegjësi miratuese të Këshillit të Ministrave, përveç se ka nënshkruar një Kontratë Koncesionare/PPP në të njëjtën datë 27.03.2019, ka miratuar një rregull të ri, për t’ia kaluar përgjegjësinë Kuvendit, me qëllim amnistimin e gjithë procesit të zhvilluar në paligjshmëri të plotë.

Referuar relacionit shoqërues të ligjit nr. 52/2019, rezulton se vlera totale që shteti shqiptar duhet të paguajë në përfundim të kësaj kontrate është 213,665,040 euro plus TVSH. Ndërkohë, referuar dokumenteve standarde të publikuara në sistemin elektronik të Prokurimeve Publike rezulton se: vlera e parashikuar e projektit në bazë të studimit të fizibilitetit është: 161,500,000 Euro.

Presidenti i Republikës i ka drejtuar një kërkesë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, ku ndër të tjera ka kërkuar informacion nëse Autoriteti Kontraktor ka kryer një studim krahasimor nga ku të ketë rezultuar si ekonomikisht më e favorshme dhënia e kontratës me konçesion në raport me prokurimin publik.

Në nenin 13 pika 4 gërma “ç” të  VKM nr.634, datë 01.10.2014, parashikohet se Projekti trajtohet si produkt i autoritetit kontraktor dhe rezultatet e studimit të fizibilitetit duhet të tregojnë se dhënia e kontratës me koncesion/PPP është ekonomikisht më e favorshme se dhënia e saj me prokurim publik”:

Autoriteti Kontraktor nuk i ka kthyer përgjigje Presidentit të Republikës lidhur me këtë kërkesë deri në përfundim të shqyrtimit të ligjit nr. 52/2019, çka provon bindjen se nuk ka një vlerësim të tillë të bërë nga autoriteti kontraktor dhe qeveria shqiptare. Referuar edhe raportit të Komisionit të Ekonomisë të datës 18.06.2019, rezulton se ky moment procedurial kaq i rëndësishëm e thelbësor për vijimin e procedurave të konkurimit nuk është prekur as formalisht dhe as materialisht nga komisioni, por ai është mjaftuar vetëm me citimin e një paragrafi duke përmendur se çmimet e referuara në kontratë janë në përputhje me çmimet e manualeve që përdor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Bazuar në sa më sipër, Presidenti i Republikës vlerëson se rezultati i këtij krahasimi ekonomik është thelbësor në vijimin e procedurave të dhënies me Koncesion dhe mos kryerja e tij është një shkelje tjetër e rëndë në këtë proces. Presidenti i Republikës, nisur nga situata e parashtruar më sipër, shpreh hapur rezervat e tij lidhur me vlerën e publikuar të projektit, pasi nga autoriteti kontraktor do të duhej që të publikonte vlerën e plotë e tij, në mënyrë që çdo konkurent tjetër të kishte mundësi të njihej me të dhe të kishte mundësinë të bënte një ofertë objektive, si dhe institucionet shtetërore të vlerësonin plotësisht implikimin financiar të këtij projekti koncesionar në Buxhetin e Shtetit.

Me formën dhe procedurën e ndjekur Autoriteti Kontraktor nëpërmjet informacionit të publikuar, ka krijuar një percetim të rremë dhe të shtrembëruar për publikun apo për konkurentët e tjerë të mundshëm të huaj apo vendas mbi vlerën e projektit, të cilët pasi janë njohur me vlerën fillestare 161,500,000 Euro kanë hezituar për të konkuruar, ndërkohë që, kompania që ka paraqitur propozimin e pakërkuar të këtij projekti i është dhënë e drejta më pas që të negociojë pikërisht çmimin, duke e rritur ndjeshëm atë në mënyrë të vazhduar!!

Kjo veprimtari e Autoritetit Kontraktor, krijon një situatë të cenimit të parimit kushtetues të konkurencës së lirë dhe të ndershme dhe të barazisë përpara ligjit, me pasojë diktimin e kompanisë fituese dhe cenim të interesit publik dhe financave publike.

Presidenti i Republikës konstaton se:

Projekti aktual nuk përputhet me prioritetet dhe objektivat e “Strategjisë Sektoriale të Transportit dhe Planit të Veprimit 2016 -2020”. Qartazi, është shkelur parimi i efiçencës financiare dhe buxhetore për investimet publike.

Vetëm më datë 17 prill 2019, është miratuar gjurma definitive e korridorit Adriatiko-Jonian nga ARRSH. Pra gjurma e korridorit Adriatiko-Jonian është miratuar rreth 1 vit pas hapjes së tenderit të Milot-Balldren, e cila pretendohet të jetë pjesë integrale e këtij korridori sipas edhe relacionit shoqërues të ligjin përkatës të miratuar në Parlament.

Sipas legjislacionit në fuqi dhe praktikës ndërkombëtare për projektet PPP në infrastrukturë, kërkohet që oferta financiare e kompanisë “ANK” sh.p.k. duhet të ishte përfundimtare duke përfshirë në total të gjitha kostot, interesat për kreditë dhe normën e fitimin të saj.

Sipas propozimit  të  rishikuar  financiar,  dhe deklaratës  të  datës  19.03.2019, norma  e  interesit  e  llogaritur  për të gjitha  burimet  e  financimit  të  përcaktuara  më  sipër është 5%”. Nga ky përcaktim, qartazi kuptohet se norma e interesit e llogaritur për kreditë, për shoqërinë “ANK” sh.p.k. (5%) është shumë më e lartë se borxhi që mund të merrte vetë qeveria (referencë…bonot e thesarit me të njëjtin maturitet arrijnë në më pak se 2%). Pra, sërish kemi inefiçencë apo keqpërdorim të fondeve publike dhe buxhetore për shkak të pozitës së favorshme që ka qeveria në raport me partnerin privat (shoqëria “ANK” sh.p.k.), për të marrë të njëjtën vlerë borxhi.

Projektligji për miratimin e kësaj kontrate koncesionare nuk është shqyrtuar as nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeritut dhe as nga Komisioni i Veprimtarive Prodhuese në Kuvendin e Shqipërisë.

Edhe shqyrtimi në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave duket se është bërë në mënyrë të përciptë dhe aspak objektiv. Gjithashtu në vlerësim të kushteve aktuale ekonomike, situatës në vend lidhur me projektet e partneritetit publik privat dhe interesin publik të qytetarëve shqiptarë, si dhe në konsultim të raporteve të institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të raportit nr.19/29 të FMN-së, të muajit janar 2019, i cili, ka theksuar se vendi ynë në kushtet e rritjes së shpejtë të Partneritetit Publik Privat (PPP) ka rritur për rrjedhojë dhe rreziqet fiskale duke orientuar qeverinë në vendimmarrjen e hapave konkrete me qëllim kontrollimin e tyre, Presidenti i Republikës ka arritur në përfundimin se, ligji nr. 52/2019, i përcjellë për dekretim i duhet kthyer Kuvendit me qëllim rishikimin e këtij ligji dhe kontratës koncesionare në tërësi.

Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllim rishqyrimin e këtij ligji në përputhje me parimet kushtetuese dhe kuadrin ligjor në fuqi, Presidenti i Republikës ka vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 52/2019 me qëllim rishikimin tërësor të këtij ligji dhe kontratës koncesionare.

Presidenti i Republikës i sugjeron Kuvendit të Shqipërisë që, rishqyrtimi i ligjit nr. 52/2019 dhe kontratës koncesionare për segmentin rrugor Milot–Balldren të bëhet pas hyrjes në fuqi të kufizimeve të vendosura nga Kuvendi, në ligjin nr. 125/2013 ‘Për koncensionet dhe partneritetin publik privat’, të ndryshuar” që sipas vullnetit të Kuvendit, do të duhet të hyjnë në fuqi në datë 1 tetor 2019.

Zv.ambasadori i OSBE “legjitimon” mbrojtjen e teatrit: Jam tifoz i objekteve klasike

Fatmira Nikolli – Pas 18 muajsh proteste në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, pas 2 javësh nga dita kur artistët u përplasën me policinë dhe rimorën e rihapën sallën, zv.ambasadori i OSBE-së, Robert Wilton vjen në oborrin e protestës, takon artistët dhe ndjek një nga shfaqjet pjesë e festivalit për mbrojtjen e teatrit.
Bëhet fjalë për “Kanunin e femrave” të 8 artisteve nga Kosova me regji të Arlinda Morinës. Shfaqja fliste për gruan në familjet shqiptare, gruan si pronë dhe të varur nga të drejtat zakonore. Vetë Wilton i pyetur nga ‘GSH’ foli për vlerat artistike të shfaqjes, thjeshtësinë e gjuhës skenike dhe vetë kostumografisë që qe përqendruar në tri ngjyra: e kuqe, e zezë, e bardhë. “Një shfaqje shumë e bukur dhe e veçantë. Kam qenë gjithnjë i interesuar për kulturën shqiptare, por shfaqje si kjo pak kam parë. Kishte thjeshtësi në të dhe prapë mesazhi qe i fortë”.

I pyetur nëse e frekuenton zakonisht Teatrin Kombëtar apo ishte tematika që e solli, Wilton tha se ka ardhur pasi një mik i tij është në skenë dhe se shfaqja nuk ka një mesazh të thjeshtë. “Përgjithësisht jam tifoz për kulturën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe për objektet klasike dhe elegante të Tiranës. E gjithashtu ishte një mundësi me shfaq besimin tim për çështjet e barazisë gjinor”

ARTISTËT
Para shfaqjes, Robert Budina tha se protesta vazhdon me art. “Sot kemi një shfaqje me një trupë vajzash nga Kosova për të drejtat e femrës dhe vlerat që ato duhet që të marrin në shoqëri. Në kushtet kur nuk kemi as ujë, as drita është shumë e vështirë për të bërë një festival teatror. Ne për hir të demokracisë, s’po bëjmë ndonjë sakrificë, por detyrën tonë. Kemi një pjesë të artistëve që po na ndihmojnë dhe na e bëjnë më të thjeshtë këtë që po bëjmë”.
Më pas ish-ministrja Mirela Karabina komentoi deklaratën e Veliajt. “Ai bëri një deklaratë, duke pagëzuar datën 30 qershor si referendum. Por qytetarët shqiptarë e kanë bojkotuar atë referendum. Ndërsa ai tha edhe se për TK ka bërë një referendum në datë 30 qershor. Si ta lexojmë ne këtë? Kur 11 për qind të qytetarëve shqiptarë të dhunuar kanë shkuar në votime”, tha ajo. Karabina shtoi më tej se qytetarët shqiptarë i kanë thënë ‘stop’ babëzisë për të vjedhur gjithçka. “Kështu që ne jemi këtu për të ruajtur pronën publike. Kryetari i bashkisë duhet që t’i kuptojë mirë këto se ka njerëz profesionistë dhe me integritet, njerëz profesionistë që do të mbrojnë teatrin”, u shpreh ajo.

RAMA
Kryeministri Edi Rama duke e cilësuar si mitin skenës shkodrane Bruno Shllakun, risolli në kujtesë deklaratën e vjetshme të aktorit që është anëtar i PS-së. Shllaki vjet shprehej se, “sa i përket çështjes së teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojash. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri do të jenë në një seli të shenjtë si teatri i ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet. Jam dakord që teatri i ri të fillojë punën një orë e më parë dhe madje kam besim absolut te arkitekti që do vërë dorë në teatër”.

DEKLARATA E VELIAJT
Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka deklaruar se teatri i ri do të bëhet, kjo sepse e kërkojnë qytetarët dhe qyteti i së ardhmes. Ndonëse artistët nuk kanë ndaluar bashkinë të bëjë një teatër të ri, por e kanë ndaluar të shembë të vjetrin dhe akuzojnë për tjetërsim trualli, kreu i bashkisë e argumenton krejt ndryshe pa iu përgjigjur akuzave. “Nuk mund t’u themi fëmijëve që për nostalgjinë që kanë ca për tallashin, për shkrepëset, për algat dhe populitin e një teatri që është kthyer sot në një karakatinë, ju do vazhdoni të shkoni në kushte të tilla”, u shpreh Veliaj, teksa theksoi se brezi i ri nuk mund të mbetet peng i nostalgjive të së shkuarës. Ata meritojnë të kenë të njëjtin teatër, të njëjtën shkollë, të njëjtin kopsht, të njëjtën çerdhe, që ka dikush në Itali, që ka dikush në Greqi, në Austri, në Spanjë. Nëse nuk rritemi me këtë ambicie, do të vazhdojmë të ngelemi peng të nostalgjive. Njerëzit mund të kenë edhe nostalgji për komunizmin, mund të kenë nostalgji për çudira që na kanë ndodhur në këtë vend, njerëzit mund të kenë edhe nostalgji për pushtuesit, por ne nuk jemi peng i nostalgjisë. Ne jemi sot për një besëlidhje me të ardhmen, me rininë dhe me të gjithë ata që do të jenë paja edhe garancia e Tiranës për nesër”, nënvizoi Veliaj. Sipas tij, teatri do të bëhet dhe ky është një angazhim edhe një përkushtim i pazëvendësueshëm e i panegociueshëm.

“Pranga për të huaj e shqiptarë” – Basha paralajmëron burg, ja si mbyllet kriza

Kryeopozitari Basha paralajmëron burg për kryeministra, ministra, të huaj apo shqiptarë që janë përfshirë në afera korruptive.



Sipas kryedemokratit Basha kriza e thellë politike do të përfundojë me politikanë me pranga në duar.

“Kushdo qoftë, kryeministër, ministër, të huaj e shqiptarë, të përfshirë në afera korruptive, do jenë subjekt i legjislacionit të auditimit të pasurive, kudo ku ato ndodhen. Zbulimi dhe rikuperimi i parave të vjedhura shqiptarëve është parimi absolut. Kriza do të përfundojë me politikanë me pranga në duar.

Në shtator do bëj të ditur planin tonë kundër krimit dhe pastrimit të parave. Ka nisur hartimi i disa ligjeve për luftën kundër krimit dhe parave të krimit. Një ligj që do të parandalojë investimet e parave të krimit në ekonomi. Një ligj për përgjegjësinë civile, kudo ku aferat korruptive të Ramës ka shkaktuar dëme, qytetarët do të kenë mundësi të hedhin në gjyq civil të gjithë ata që i kanë shkaktuar dëm. Milionat e Becchettit duhet që të paguhen nga Rama dhe jo nga qytetarët.

Një paketë ligjore për deklarimin e aseteve të politikanëve, që do forcojë rregullat e tanishme. Hetimi dhe auditimi do ndjekë origjinën e parave të investuara si për ndërtimin e objekteve private, ashtu edhe për PPP-të. ky hetim do bëhet në bashkëpunim me ndërkombëtarët. PD ka marrë ekspertizë të huaj për hetimin e pasurive të vjedhura”, ka thënë Basha.

Meta, mesazh të fortë opozitës, i kujton rastin e Serbisë: U përball, e mundi, i vuri prangat Millosheviçit

Kreu i shtetit, Ilir Meta ka kete mengjes nje tjeter mesazh te forte. Duke kujtuar se 18 tetori po afron, dhe se zgjedhjet jane e vetmja zgjidhje per vendin, apeli i presidentit kete mengjes i adresohet posacerisht opozites.

 

“Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten”- thekson Meta.

Ai i kujton opozites rastin e Serbise, teksa nenvizon se “nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra”.

Postimi i Metës

Zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje. Vetëm duke qëndruar në anën e ligjshmërisë dhe pjesëmarrjes në institucione, opozita mund të ndihmojë vendin, demokracinë, drejtësinë, por edhe vetveten. Nëse opozita në Serbi do të priste që Millosheviçi të dënonte Millosheviçin, apo të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme, padyshim që edhe sot e kësaj dite ai mund të ishte në pushtet po të mos i pushonte zemra.
Por opozita mori vendimin më të drejtë duke u bashkuar, duke u përballur me të dhe duke e mundur. Më pas i vuri prangat dhe e përcolli për në gjykatën e Hagës. Ndaj zgjedhjet janë e vetmja zgjidhje për demokraci dhe drejtësi.
Çdo gjë tjetër është justifikim, alibi dhe bashkëfajësi!
18 tetori po afron!

Flet kreu i SHISH: Ja kërcënimet kryesore që rrezikojnë Shqipërinë

Aktiviteti i shtuar i agjencive të huaja të shteteve jomiqësore me Shqipërinë, terrorizmi ndërkombëtar, aktivitetet kriminale dhe të korrupsionit cilësohen nga Shërbimi Informativ Shtetëror si armiqtë kryesorë që rrezikojnë sigurinë kombëtare të vendit tonë. Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo vlerëson se nga puna e përditshme e këtij institucioni dhe veprimtaria operative e agjentëve të tij në terren rezulton se këto aktivitete të paligjshme janë dhe kërcënimet kryesore ndaj Shqipërisë.



“Shërbimet dhe agjencitë e huaja të fshehta jomiqësore që zhvillojnë veprimtari kundër interesave kombëtare të Shqipërisë, terrorizmi ndërkombëtar, krimi i organizuar dhe korrupsioni mbeten kërcënimet kryesore ndaj Shqipërisë”, – bën të ditur drejtori i Përgjithshëm i SHISH, Helidon Bendo në fjalën e tij që shoqëron raportin e parë publik të këtij institucioni. Në fjalën e tij përshëndetëse Bendo sqaron se nxjerrja në dritë e këtij raporti të parë publik synon të rrisë ndërgjegjësimin e publikut dhe besimin e tij ndaj agjencisë kryesore informative, ndaj veprimtarive që zhvillojnë agjentët e tij, si dhe të ketë ndikim pozitiv në sigurinë kombëtare.

“Në përmbushjen e misionit të tij, SHISH-i mbledh, përpunon dhe shpërndan informacione për autoritetet e larta shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit. Në këtë raport të parë publik, kemi zgjedhur t’i paraqesim opinionit publik ato që i konsiderojmë si të nevojshme të njihen, pa hyrë në hollësi administrative apo operacionale. Detyra jonë është mbledhja dhe transmetimi në kohë i informacionit, dhënia e vlerësimeve objektive dhe të paanshme, që vendimmarrësit politikë të marrin vendime të mirinformuara, duke shfrytëzuar analiza informative profesionale”, – thotë më tej Bendo në komentin e tij.

Ai thekson se asetet më të çmuara për Shërbimin janë punonjësit e tij, të cilët sipas tij i kanë të gjitha kushtet për të qenë profesionalë dhe për të dhënë më të mirën në shërbim të vendit. “Viti 2018 ka qenë tepër i suksesshëm për SHISH-in. Ndjehem krenar të them se Shërbimi vazhdoi të ofronte informacione të vlefshme për vendimmarrësit dhe agjencitë ligjzbatuese. Kontributi thelbësor i SHISH-it në përballjen me kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare është vlerësuar nga institucionet më të larta shtetërore dhe nga aleatët strategjikë”, – thotë Bendo.

Gjithashtu, ai thekson se një tjetër fushë e veprimtarisë së SHISH është edhe kontributi që jep për sigurinë rajonale, për të cilën ai thekson se ky institucion ka marrë vlerësime të larta nga drejtuesit politikë brenda vendit, nga partnerët strategjikë dhe nga strukturat e inteligjencës së NATO-s.

Bendo bën të ditur se SHISH-i mbështet angazhimin e Kuvendit dhe të qeverisë së Republikës së Shqipërisë për të zhvilluar këshillime mbi çështje të lidhura me sigurinë kombëtare, si dhe bashkëpunimin me strukturat e zbatimit të ligjit.

“Shërbimi nxit edhe konsolidimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me shërbimet dhe agjencitë e huaja partnere, sidomos me ato strategjike dhe rajonale, me strukturat e NATO-s dhe BE-së, në përballimin e kërcënimeve të përbashkëta. Si Drejtor i SHISH-it, dëshiroj të siguroj publikun se jemi të angazhuar t’i kryejmë veprimtaritë tona me seriozitet dhe profesionalizëm, me respektin më të lartë për Kushtetutën dhe për të drejtat e liritë themelore të njeriut. Punonjësit tanë janë çdo ditë të përkushtuar për mbrojtjen e sigurisë kombëtare, në interes të gjithë shtetasve tanë. Ne i modernizojmë vazhdimisht metodat e punës, që të jemi sa më efikasë në këtë mjedis dinamik dhe të ndërlikuar të sigurisë. Dua t’ju siguroj se, besimi i patundur dhe pritshmëritë e larta të drejtuesve tanë politikë dhe institucionalë, si dhe të partnerëve ndërkombëtarë, do të materializohen në rezultate cilësore dhe konkrete”, – mbyll mesazhin e tij Bendo.

Intervista – Bob Hand: Shqipëria ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Këshilltari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, Robert Hand, thotë se kriza e shumëfishtë në Shqipëri ndodh në një moment kritik për vendin, ndërsa Bashkimi Evropian pritet të marrë vendimin për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit dhe në një kohë që Shqipëria pritet të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së vitin e ardhshëm. Vendi në këtë moment ka nevojë për një udhëheqje të përgjegjshme politike, shton ai. Me zyrtarin e lartë të Komisionit amerikan për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë bisedoi shefi i Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës, Arben Xhixho.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, Shqipëria e gjen sot veten në një krizë të thellë politike dhe institucionale. Dy gjykatat më të larta të vendit nuk funksionojnë, partitë kryesore të opozitës janë jashtë parlamentit dhe ndaj presidentit ka filluar procesi i shkarkimit. Si i shikoni ju këto zhvillime në Shqipëri?

Robert Hand: Mendoj se situata e tanishme është përmbledhur më së miri nga kryetarja e misionit vëzhgues të OSBE-së, Audrey Glover në përfundim të zgjedhjeve, kur theksoi se “zgjedhjet u zhvilluan pa e marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit” . Ky vlerësim vlen edhe për problemet e tjera të sotme. Lufta politike mes partive, ose mes udhëheqësve të partive, zhvillohet pa marrë parasysh nevojën për përparimin e vendit. Dhe e gjithë kjo ndodh në një moment tepër kritik, kur Bashkimi Evropian pritet të marrë në tetor vendimin për të hapur ose jo negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ky është një hap i rëndësishëm dhe ne e dimë se brenda B.E.-së ka vende që nuk janë pro zgjerimit dhe situata e sotme në Shqipëri ua bën më të lehtë këtyre vendeve të thonë le të mos i hapim dyert. Mendimi im është se Këshilli i Evropës duhet të rekomandojë hapjen e negociatave. Ka ardhur koha dhe Shqipëria e meriton këtë. Një moment tjetër po aq kritik është fakti se Shqipëria po bëhet gati të kryesojë OSBE-në vitin e ardhshëm. Ky është një post i rëndësishëm, nuk është diçka simbolike, ku thjesht vë emrin në krye të listës së 57 vendeve anëtare. OSBE-ja merret me konfliktin në Ukrainë, me agresionin rus, merret me konfliktet që egzistojnë në mbarë rajonin, merret me nxitjen e demokracisë në vende si Rusia por edhe në vendet e tjera të Azisë Qendrore. Arritja e suksesit në 2020 do të ishte shumë e vështirë në se vendi që ka kryesinë do ta ketë mendjen tek mosmarrëveshjet e veta të brendshme, në vend që të përfaqësonte Evropën për të ofruar zgjidhje për problemet me të cilat ndeshet rajoni në tërësi.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët zgjedhjet lokale. Ju keni vëzhguar pothuajse të gjitha zgjedhjet në Shqipëri, që nga ato të parat pas rënies së komunizmit. A mendoni se zgjedhjet e fundit janë legjitime?

Robert Hand: T’ju korrigjoj për vëzhgimin e zgjedhjeve, unë kam vëzhguar ato të 1991 dhe shumë të tjera më pas, por jo këto të viteve të fundit për shkak të përgjegjësive të tjera. Për zgjedhjet e 30 qershorit do t’i qëndroja vlerësimit të OSBE-së. Ato u zhvilluan. Pati debat për datën dhe se çfarë duhet bërë, për shkak edhe të mungesës së gjykatave dhe nuk pati kohë të mjaftueshme për t’i zgjidhur këto mosmarrëveshje, pra nuk kishte alternativë tjetër veç bërjes së tyre. Është për të ardhur keq, pasi në se ato janë legjitime apo jo, nuk pati kandidatë alternativë në zgjedhje dhe për rrjedhojë ato janë më pak legjitime. Ky do të jetë një problem për të ardhmen.

Zëri i Amerikës: A mendoni se këto zgjedhje duhen përsëritur në një moment në të ardhmen?

Robert Hand: Kjo u takon shqiptarëve ta vendosin dhe të shpresojmë që do të ketë negociata se si do të veprohet.

Zëri i Amerikës: Si mund të dalë vendi nga një kaos i tillë?

Robert Hand: Kjo kërkon vullnet politik dhe vullnet të mirë nga udhëheqësit. Është e vështirë ta thuash. Shqipëria megjithë problemet që ka patur në të kaluarën ka qënë në gjendje të përparojë. Dhe në fakt ka bërë përparim gjatë viteve, ndonëse jo aq shpejt sa do të dëshironim. Kjo e tanishmja është një krizë e shumëfishtë, paksa e paprecedentë, ndoshta e krahasushsme me ato të fillimit të viteve 1990. Uroj që mes elitave politike shqiptare do të ketë vullnet për të biseduar dhe për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet.

Zëri i Amerikës: Situata e tanishme është edhe një lloj pasoje e reformës në drejtësi për të cilën këmbëngulën Shtetet e Bashkuara. Në këtë kontekst a mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të tregohen më të angazhuara?

Robert Hand: Nuk mendoj se duhet të luajnë rol ndërmjetësues. Shqiptarët duhet të largohen nga praktika e të kërkuarit ndihmë nga të huajt për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet e brendshme. Po, mendoj se Shtetet e Bashkuara, duke këmbëngulur për reformën dhe vetingun e gjyqtarëve, që çoi në mosfunksionimin e gjykatave, kanë luajtur një rol në këtë drejtim. Por mendoj se reforma dhe vetingu ishin të nevojshëm. Ndërkohë vendi ka nevojë për udhëheqje të përgjegjshme politike për të ecur përpara, deri në krijimin e një sistemi të besueshëm drejtësie, që do të zgjidhte mosmarëveshje të kësaj natyre. Ndërkohë u takon politikanëve të jenë të hapur për dialog dhe të arrijnë një zgjidhje, që vendi të ecë përpara në këtë kohë kritike.

Zëri i Amerikës: Cili është mendimi juaj për qeverisjen e kryeministrit Edi Rama. Ai ka qënë në pushtet prej 6 vjetësh tashmë. Ka vëzhgues që thonë se Shqipëria ka bërë hapa pas përsa i përket demokracisë. Cili është mendimi juaj?

Robert Hand: Kryeminsitri Rama ka qënë në pushtet që nga 2013. Socialistët fituan të vetëm në zgjedhjet e fundit pa patur nevojë për koalicion. Duke parë Shqipërinë, por edhe vende të tjera, në dy-tri vitet e para të pushtetit arrihet përparim. Në mandatin e dytë, kur vjen tek viti i gjashtë, fillojnë dalin zhvillime, që janë problematike, pra kjo është një prirje që vihet re gjithandej dhe nuk dua të fajësoj për këtë vetëm kryeministrin. Megjithatë disa prirje të kësaj qeverie janë shqetësuese. Është shqetësuese nisma lidhur me median në internet dhe masat që mund të merren kundër portaleve të lajmeve, pasi mund të jenë vendime arbitrare nga një ent administrativ. Jo vetëm OSBE-ja, por shumë organizata të tjera që merren me lirinë e shtypit, brenda ose jashtë Shqipërisë, apo shoqëria civile, kanë shprehur shqetësim për të. Po ashtu është shqetësues problemi i korrupsionit që është i kudo-ndodhur në Shqipëri. Në pikëpamjen time vendi ka përparuar këto 6 vjet. Mendoj se reforma në drejtësi mund ta çojë vendin më përpara. Shqipëria duhet të shpërblehet për këtë, por kjo nuk i bën të padukshme problemet e tjera. Por largimi i opozitës nga parlamenti, siç ndodhi në shkurt, krijoi një problem të ri, duke e zhvendosur vëmendjen tek veprimi i saj, në se ishte kundër-produktiv apo jo dhe u lanë në harresë problemet e vërteta për ta mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj, gjë që është pikërisht misioni i opozitës.

Zëri i Amerikës: A ishte kundër-produktiv vendimi i opozitës?

Robert Hand: Unë e shikoj këtë nga këndvështrimi se punoj për 18 anëtarë të Kongresit. Përgjithësisht, anëtarët e Kongresit këtu nuk besojnë se bojkotimi i parlamentit është një ide e mirë. Dhe ky nuk është thjesht një bojkot i përkohshëm, por lëshimi i mandateve pa asnjë mjet për rikthim. Kështu që, unë mendoj se ishte një veprim shumë kundërproduktiv, po të kesh parasysh edhe kohën kur u bë. Kjo mund të jetë kundërproduktive për opozitën edhe për sa i përket mbështetjes që ajo merr. Përpiqem të kërkoj shpresë kudo që mundem, dhe më dha zemër fakti që brenda partive opozitare pati disa mospajtime për këtë. Tre deputetë të parlamentit qëndruan në Parlament, nuk i braktisën mandatet e tyre dhe të tjerë nga listat e partive, hynë në parlament dhe plotësuan shumicën e vendeve të mbetura bosh. Nëse ata mbeten pjesë e Partisë Demokratike ose e LSI-së dhe kthehen përsëri aty, mbase mund të përpiqen t’i reformojnë këto parti. Një pjesë e problemit me Shqipërinë, mendoj se është fakti që nuk ka demokraci të mjaftueshme brenda partive. Ne nuk mund t’i detyrojmë partitë të jenë më demokratike. Kjo varet prej tyre, por sigurisht që do ta ndihmonte vendin në aspektin e udhëheqjes së përgjegjshme. Disa nga këta njerëz dhe me duket se disa tashmë e kanë bërë një gjë të tillë, kanë vendosur të fillojnë vetë lëvizje të reja apo parti të reja. Mendoj se Shqipëria, në planin afatgjatë do të përfitonte me siguri nga kjo. Populli i Shqipërisë do të përfitonte nëse gjatë zgjedhjeve në të ardhmen do të kishin më shumë alternativa në kutinë e votimit.

Zëri i Amerikës: Si e shpjegoni prirjen që është vënë re në Shqipëri në këto 30 vitet e fundit. Një vend i dalë nga diktatura vazhdon të priret drejt udhëheqësve të fortë, personaliteteve të forta dhe jo drejt demokracisë brenda partive.

Robert Hand: Unë e ndjek Shqipërinë prej gati 30 vjetësh dhe e kam parë evolucionin e saj gjatë kësaj kohe. Një pjesë e këtij problemi natyrisht mund të jetë kulturor; një pjesë mund të ketë lidhje me dekadat e sundimit brutal të partisë komuniste. Por pas 30 vjetësh ngurroj ndonjëherë ta them këtë, sepse nuk e kam jetuar periudhën komuniste dhe nuk dua të pretendoj se e di se si ka qenë. Unë vetëm mund ta imagjinoj se sa e tmerrshme ishte për jetën e përditshme të njerëzve dhe sa e vështirë është të kapërcehet. Megjithatë, pas 30 vjetësh duhet të kishte patur shumë më tepër reforma sesa ato që shohim. Mendoj se disa nga drejtuesit që ishin intelektualë dhe aktivë në atë kohë, nuk u larguan dhe u rezistuan ndryshimeve të brendshme. Dhe natyrisht, për shkak të konflikteve të viteve 1990, gjithçka u përqendrua te nevoja për stabilitet, në krahasim me ndryshimet që ishin të nevojshme. Ndoshta me ndryshimin e brezave gjërat do të ndryshojnë. Ajo që mund të them është se sa më shumë hapje dhe sa më pak vendimmarrje nga lart poshtë që të ketë, aq më shumë do të përfitonte Shqipëria dhe populli shqiptar. Është diçka për të cilën unë do të vazhdoj të ngul këmbë.

Zëri i Amerikës: Ju përmendët rolin e Shqipërisë kur të marrë kryesinë e radhës të OSBE-së, vitin e ardhshëm. Cilat pritet të jenë sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria.

Robert Hand: Komisioni i Helsinkit, ku unë punoj, e ndjek nga shumë afër OSBE-në. Ne bashkëpunojmë me Departamentin e Shtetit dhe ndihmojmë për t’i dhënë formë politikës amerikane ndaj OSBE-së. Mund t’ju them se vitin e kaluar, kur dëgjuam për herë të parë që Shqipëria propozoi të kryesonte OSBE-në në vitin 2020, unë u tregova jashtëzakonisht mbështetës. Është një mundësi e mire për Shqipërinë që të mos jetë një importuese e sigurisë dhe stabilitetit nga jashtë, por të kontribuojë në fakt për sigurinë në të gjithë rajonin e OSBE-së. Dhe unë mendoj se ajo mund ta bënte këtë shumë mirë. Ajo ka një trup diplomatik shumë profesional, ministri i Jashtëm që po e mbështeste këtë ide, ishte kompetent, ai kishte shumë vite përvojë. Por ishte shumë zhgënjyes fakti që brenda një muaji pasi OSBE-ja u pajtua me idenë, në ministrinë e jashtme pati ndryshime. Ju e dini: tani ka një pikëpyetje nëse kjo përvojë është ende aty për të arritur ta shtyjë përpara OSBE-në. Siç e përmenda më lart për shkak të agresionit rus në Ukrainë, por edhe të ndërhyrjeve diku tjetër në Evropë, situatën në Kaukaz, etj., OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë, dhe unë vërtet shpresoj se Shqipëria do të jetë akoma në gjendje ta sigurojë atë udhëheqje, por sot jam pak më shumë i shqetësuar sesa isha vitin e kaluar kur u bë oferta e parë. Gjëja tjetër që do të thosha është se OSBE-ja, ose procesi i Helsinkit, ka qenë historikisht një fanar për shpresat e njerëzve, që të drejtat e tyre njerëzore të respektohen, që demokracia të përparojë. Dhe, që një vend të kryesojë OSBE-në, ai duhet t’i mishërojë disi këto parime të Helsinkit për demokracinë, të drejtat e njeriut, dhe për sigurinë e vërtetë të përgjithshme. Kjo nuk do të thotë se çdo vend duhet të jetë si Norvegjia, ku gjithçka duket gjithmonë shumë paqësore shumë e qetë dhe shumë demokratike. Por një vend duhet të priret në drejtimin e duhur dhe pikërisht këtu ka disa shqetësime, për shembull në media, në trajtimin e gazetarëve investigativë dhe ndoshta në dëshirën për të gjobitur njerëzit për atë që publikojnë në internet. Kreut të zyrës së OSBE-së do t’i duhet të shkojë në vende si Moska, ose Bakuja, apo vende të Azinë Qendrore, dhe të kërkojë një respektim më të madh të të drejtave të njeriut, të kërkojë lirimin e të burgosurve politikë, zgjedhje të lira e të ndershme, ose norma demokratike. Është e vështirë ta bëjë këtë një vend kur nuk ecën në drejtimin e duhur. Kjo është një nga sfidat me të cilat do të ndeshet Shqipëria në 2020, po nuk ndryshoi kurs duke ecur në një drejtim më pozitiv.

Komisioni Amerikan i Helsinkit

Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, ose siç njihet ndryshe Komisioni Amerikan i Helsinkit, është një agjenci e pavarur qeveritare e krijuar nga Kongresi në vitin 1975 për të vëzhguar dhe nxitur respektimin e Aktit Final të Helsinkit dhe të angazhimeve të tjera të OSBE-së. Komisioni përbëhet nga 18 ligjvenës amerikanë, 9 nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe 9 nga Senati. Po ashtu anëtarë të tij janë përfaqësues të Departamentit të Shtetit, të Pentagonit dhe të Departamentit të Tregëtisë. Pozita e kryetarit dhe bashkë-kryetarit ndahet mes Dhomës së Përfqësuesve dhe Senatit dhe ndryshon çdo dy vjet pas zgjedhjeve në Kongres. Komisioni ndihmohet në punën e tij nga një ekip zyrtarësh. Aktualisht Kryetari i Komisionit të Helsinkit është ligjvenësi i Dhomës së Përfaqësuesve Alcee L. Hastings dhe Bashkë-kryetar është senatori Roger F. Wicker.

Regjisori amerikan: Protesta për teatrin, unike e frymëzuese

Fatmira Nikolli – Është ora 1 pasmesnate kur oborrit të Teatrit Kombëtar i afrohen dy silueta. Të gjithë ata që bëjnë rojën e natës janë mësuar ta njohin njëri-tjetrin nga siluetat, pasi qeveria në shenjë ‘dënimi’ për qëndresën ka prerë dritat dhe ujin për godinat e teatrove. Megjithatë, dritat e ‘smartphon’-eve drejtohen nga ata që po vijnë. I pari shquhet Neritan Liçaj dhe bashkë me të, një burrë që vërehet se është i huaj. Liçaj e prezanton si regjisorin që vite më parë vuri në skenën e TK-së pjesën e Shekspirit, “Ëndrra e një nate vere”. John Blondel është profesor arti në një kolegj në Kaliforni dhe e ka njohur teatrin nga brenda si regjisor. Është krejt rastësisht në Shqipëri dhe po aq rastësisht ka takuar Neritan Liçajn, me të cilin ka punuar dhe ka nisur të mësojë atë që njihet si “çështja e teatrit”. Ai pyet me interes si nisi kjo histori, kur e kanë marrë artistët godinën, çfarë ndodhi ditën e 24 korrikut, pse pati përplasje me policinë, çfarë ka thënë gjykata për çështjen (Ah nuk paska gjykatë, pse)? Pasi ka marrë gjithë informacionin e asaj që ka ndodhur në 18 muaj, thotë vetëm se kjo qëndresë është frymëzuese. Pyet për profesionet e atyre që janë në shesh, si janë bashkuar, (ah jeni njohur këtu), sa orë rrihet në oborr, (po pse brenda nuk rrini?), pse janë fikur dritat, kush janë ata që japin shfaqje, (ah me gjenerator vihen shfaqjet!).



Pyetjet e tij janë pyetjet e një njeriu që i ardhur nga një kontinent tjetër, ku nëse shumë gjëra ngecin, janë gjykatat që funksionojnë, shpesh duken krejt naive, sepse e gjithë historia e teatrit në fakt, për qytetarë të shteteve që bazohen në sisteme vlerash dhe në ligje e institucione është krejt absurde.

Ai pranon të flasë edhe për “Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit” dhe të japë mendimin e tij mbi gjithë situatën, nisur nga përvoja e kahershme si regjisor i teatrit. “Kam punuar gjatë atëherë këtu dhe kam pasur një lidhje të gjatë dhe të fortë me teatrin. Ishte viti 2012 dhe 2013 kur unë erdha dhe vura në skenë ‘Ëndrrën e një nate vere’ dhe pastaj ndërhyra që Shqipëria të merrte pjesë në Festivalin e ‘Globe Theatre’, ku u ftua edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë me pjesën ‘Henri VI’. Pas kësaj, në vitin 2013 unë vura në skenë ‘Ëndrrën e një nate vere’ dhe pata një përvojë të jashtëzakonshme. Aktorë të mrekullueshëm, një shfaqje e fortë”, thotë John Blondel. “Përvoja ime – shton ai duke i thirrur kujtesës, – duke punuar nga brenda në këtë ndërtesë, ishte e mrekullueshme. Gjithnjë kam menduar se kjo hapësirë e veçantë është ne fakt një hapësirë unike. Sigurisht që kishte nevojë për rregullime, për rikonstruksion, por struktura e godinës dhe mënyra se si audienca ishte në marrëdhënie me skenën dhe aktorët; mënyra se si aktorët viheshin në skenë, fuqia e aktorëve në skenë dhe në marrëdhënie me audiencën ishte unike dhe e veçantë. Gjatë punës në skenë me aktorët, kam ndjerë një lloj të prezence të fuqishme, që ishte më e rëndësishme se skena apo se skenografia. Pra, është shumë më e rëndësishme lidhja mes aktorëve e audiencës”.

I pyetur se si e sheh protestën 18-mujore, ai thotë se historia e protestës është një histori unike për të cilën ka respekt. “Në përvojën time, është diçka e rrallë kjo që ndodh këtu dhe unë nuk e dija çfarë po ndodhte deri 2 ditë më parë. Këto orë kam mësuar me shumë informacion për mbrojtjen e teatrit; natyra e kësaj historie, detajet e kësaj historie, janë vërtetë unike. Kjo qëndresë – është zemra dhe shpirti i asaj për të cilën është teatri, ose arsyeja pse bëhet teatër: është një hapësirë, një hapësirë publike, është si një agorë, në mes të qytetit, dhe parë nga dimensionet e teatrit, ka më shumë sens. Është në qendër të qytetit, qyteti është i përfshirë dhe bëhet pjesë e një prezantimi publik të historive që janë të nevojshme për kulturën. Është gjithnjë kjo arsyeja pse bëhet teatër”.

Regjisori amerikan nënkupton me këtë, arsyen pse bëhet teatër, “sepse zgjon mendime, kritikon pushtetet, nxit mendimin kritik”, – në fakt këto janë frazat klishe që përdoren shpesh nga artistët tanë, para apo pas premierave. Por kur parasysh ke protestuesit që janë bërë gardianë të teatrit, sheh të mishëruara gjithë ç’thuhet rëndom si ligjërim intervistash. Veçse zgjimi i mendimit kritik, kërkesa për llogaridhënie ndaj pushtetit nuk janë më fjalë të hedhura në eter, para mikrofonash dhe kamerash në para apo paspremiera të financuara nga buxheti i shtetit – por janë mishëruar në aksion. Ligjërimi ia ka lënë vendin aktit, veçse nuk janë ligjëruesit e kahershëm që ‘veprojnë’.

Për Blondel, “këto janë përvoja jetësore dhe përvojat jetësore janë pjesë të proceseve kulturore. Ajo që po ndodh këtu, me aktorë të përfshirë në akte publike, është forcë dhe është diçka e re për mua. Unë nuk kam dëgjuar kurrë për diçka të ngjashme si kjo; me këtë lloj përfshirjeje, që zgjat kaq shumë, me këtë lloj qëndrese”.

I pyetur se cili është mesazhi i tij, nga faqja e “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit”, thotë se “mesazhi im është që ky vend është një fole e idealizmit, këto janë veprime njerëzish me pasione dhe idealizma. Të jem këtu sonte dhe të jem pjesë e kësaj është moment shumë frymëzuese për mua. Është unike dhe e fuqishme. Këto lloj hapësirash publike, apo hapësirash kombëtare janë të nevojshme, për një shoqëri të shëndetshme kulturore dhe politike”.

Fotografia e parë e Zogut dhe Geraldinës në pallatin mbretëror sipas gazetës franceze (1938)

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 7 Gusht 2019

 

“Paris-soir” ka botuar, të dielën e 12 shkurtit 1938, në faqen n°16, fotografinë e parë të mbretit Zog dhe konteshës Geraldinë, e shkrepur asokohe në pallatin mbretëror në Tiranë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Madhëria e Tij Zogu, mbret i Shqipërisë, së shpejti do të martohet me konteshën e re Geraldina Apponyi.

 

Kjo është fotografia e parë e të fejuarave, e shkrepur në pallatin mbretëror në Tiranë.

E vrau burri me 15 plumba dhe telefonoi policinë, nëna e këshilltares së kryeministrit ishte kthyer për pushime

Gruaja që u vra sot në Prizren, me 15 plumba, nga burri i saj, është nëna e nënkryetares së AAK-së e këshilltare politike e kryeministrit në largim Ramush Haradinaj, Diellza Hotit.

Hoti është edhe kryetare e rinisë në këtë parti.

rambo-600x360

Lajmin për këtë e ka bërë të ditur vetë Hoti përmes një fotografie të cilën e ka shpërndarë në rrjetin social Instagram.

“Pusho e qetë në paqe mami jem, engjëlli jem”, ka shkruar vajza e të ndjerës.

Deri tani mësohet se 42-vjeçarja u vra pas një mosmarrëveshjeje që pati me burrin e saj 20 vjet më të vjetër, 61-vjeçarin B.V., me të cilin kishte disa vite martesë.

Të dy këta kishin ardhur nga Zvicra për pushime.

DETAJET

Pak minuta pasi që dyshohet se B.V., 61 vjeç, kreu krimin e rëndë, vrau gruan e tij 42 vjeçe, ai e kishte telefonuar policinë. “E kam vrarë gruan”, u kishte thënë zyrtarëve të hetuesisë 61-vjeçari. Në vendin e ngjarjes, sipas policisë, në rrugën “Hysni Morina” të Prizrenit, ai kishte gjuajtur 15 plumba. E ndjera ka vdekur në vendin ku ka ndodhur krimi. Çifti kishte më shumë se 2 javë që kishin ardhur në Kosovë. Ata nuk kanë fëmijë nga martesa e tyre. Por kjo ishte martesa e dytë e çiftit. Që të dy kishin fëmijë nga martesat e para. Sipas prokurorisë, çifti nuk njihej si problematik.

Prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka dhënë për Gazetën Express detaje se si ka ndodhur rasti, duke treguar se i dyshuari ka telefonuar vetë policinë pasi dyshohet se e ka vrarë bashkëshorten e tij.
“Vetë i dyshuari e ka telefonuar policinë mbrëmë rreth orës 23:00, dhe ka raportuar se e ka vrarë bashkëshorten e tij. Megjithatë, ende nuk e kam pranuar deklaratën e tij që e ka dhënë në polici dhe ende nuk dihet motivi i saktë i vrasjes”, ka thënë Gashi.

/GazetaExpress

67836713_2290849104366320_2263464751587655680_n 67693899_599593233898124_6701332739171287040_n-337x600-1

Presidenca i përgjigjet Spiropalit: E çmendura E., pasi nxori me këpucë të kuqe doganat…

Zëdhënësi i Presidentit i eshte pergjigjur flake per flake ministres dhe zedheneses se qeverise, Elisa Spiropali, pas ironise se saj me kreun e shtetit, per mosdekretimin e ndryshimeve ne ligjin per Kodin Penal. 

 

Me nje reagim ne faqen e tij ne rrjetin social Facebook, Tedi Blushi i pergjigjet Spiropalit, qe sipas tij flet per shume gjera, por asnje rresht per thelbin e problemit.

“Dhimbje për të çmendurën E., cila pasi nxorri me këpucë të kuqe doganat, nuk i bën përshtypje t’i nxjerrë dritat e kuqe të gjithë ekonomisë kombëtare, pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve ndërkombëtare”- shkruan ai.

Postimi i Tedi Blushit 

Asnjë habi që në kulmin e vapës, Rilindja ndërsen gjithmonë të çmendurën E.

E çmendura E., foli sot për shumë gjëra, por në asnjë rresht për thelbin e problemit: nenet e dyshimta klienteliste 17 dhe 18 të ligjit famoz të PPP-ve, që në muajt e verës i krijojnë hapësirë pakicës që nuk do rotacion, të sulet drejt pronave publike për të zhvatur ç’të mundë deri në vjeshtë.

Dhimbje për të çmendurën E., cila pasi nxorri me këpucë të kuqe doganat, nuk i bën përshtypje t’i nxjerrë dritat e kuqe të gjithë ekonomisë kombëtare, pavarësisht paralajmërimeve të institucioneve ndërkombëtare.

Spiropali ironizon Metën: “Tjetër krisëm nga dyfeku presidencial”

Ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, njëkohësisht edhe zëdhënëse e Qeverisë, ka ironizuar mos dekretimin nga ana e Presidentit Ilir Meta, të ndryshimeve në Kodin Penal.

Në një postim në rrjetet sociale, Spiropali shkruan se: “Me një fjalor të katandisur si mos më keq ai qëlloi mbi shumicën dhe opozitën parlamentare, ai na rikujtoi se nuk kemi më President, po në vend të Presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës”.

POSTIMI I PLOTE

Nga lartësia e maleve ku thotë se po ngjitet me Çelebiun e tij, Baba Xhikja lëshoi dje një tjetër krisëm nga dyfeku presidencial.

Me një fjalor të katandisur si mos më keq ai qëlloi mbi shumicën dhe opozitën parlamentare, ai na rikujtoi se nuk kemi më President, po në vend të Presidentit na ka mbetur një karikaturë e vetë Ilir Metës.

Për kthimin në Parlament të ndryshimeve në Kodin Penal nuk habitemi.

Nuk kemi si presim ndjeshmëri nga Baba Xhikja për hurin në stadiume, sigurinë ushqimore, bllokimin e akseve rrugore e të veprave, vjedhjen e pronësisë intelektuale, dëmtimin e zonave të mbrojtura, për mjekët, policët apo zyrtarët e goditur për shkak në detyrës.

Kur votojmë shtrëngimin e litarit të ligjit kundër dhunës në sport apo dhunuesve në tërësi, nuk kemi ç’presim tjetër nga Baba Xhikja i zjarrit të kërcënimeve ndaj zgjedhjeve, i dekreteve molotov për destabilizimin e vendit, i fjalimeve halucinante kundër ambasadës amerikane dhe delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Qeni i kthyer në manar në krahët e tij, tifozët skocezë të kthyer në elektorat në sytë e tij, tërmeti apokaliptik i kthyer në qëndrim zyrtar me vulën e tij dhe ngjitja majë maleve e projektuar si karshillëk kreshnikësh ndaj botës mbarë, në mendjen e tij, flasin qartë që presidenti na ka lënë.

Ka mbetur vetëm hija dhe vula e Baba Xhikes në presidencë, prej ku çeta e tij e mbledhur grusht nën dritën e hënës, pret tërmetin dhe urdhërat nga mali për të shkrepur dyfekun.

Një ditë pas takimit me ambasadorin e OSBE-së, Voltana Ademi e vendosur të mos lirojë zyrën për Valdrin Pjetrin

Një ditë pas takimit kokë më kokë me ambasadorin e OSBE-së, Voltana Ademi ka deklaruar se “Shkodra nuk mund të lejojë të qeveriset nga banda e inkriminuar uzurpatore”.

Në një status në Facebook, Ademi shkruan se parlamenti dhe qeveria janë uzurpuar nga një bandë kriminale e cila tashmë po përpiqet të pushtojë edhe qeverisjen vendore. Por 30 qershori sipas saj shërbeu si një referendum që i tregoi pushtetit se ishte pakicë.

“Shkodra nuk mund të lejojë të qeveriset nga banda e inkriminuar uzurpatore, 6 përqindëshat nuk do të mund marrin peng Shkodrën. Do të jetë rrugëtim jo i lehtë, por është e vetmja rrugë për të rikthyer vlerat tek të cilat besojnë shumica e shqiptarëve. Lufta me krimin shtetëror është e vështirë dhe ne shkodranët e dimë mirë! Me vendosmëri, sepse s’ka rrugë tjetër!” mbyll postimin e saj Voltana Ademi.

Artistët austriakë peticion kundër shembjes së Teatrit, mes tyre edhe një nobeliste

Prej ditës kur sheshi para Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental u kthye në një arenë përplasjesh midis Policisë e qytetarëve që kundërshtojnë shembjen e godinës, një grup artistësh vjenezë nisën një peticion për të ndërgjegjësuar klasën politike dhe jo vetëm.

Qytetarët që kanë qëndruar dje, gjatë turnit të tretë në ruajtje të godinës

Emra të njohur të skenës së artit si autori dhe muzikanti Gerhard Ruiss, por edhe specialistë të arkitekturës si Gabu Heindl kanë dalë kundër shembjes së godinës historike. Vëmendje ka tërhequr sensibilizimi i shkrimtares avangardiste Elfriede Jelinek, e cila në 2004-ën u shpall fituese e çmimit Nobel për Letërsinë.

Kauzës mandej iu bashkuan edhe emra të tjerë në zë, si aktori e regjisori Händl Klaus, gazetari Uëe Mattheiß, si dhe regjisorja e famshme Sabine Mitterecker. Ndërsa në peticionin e tyre, përmendet fakti se në 24 korrik u tentua të bëhet boshatisja e dhunshme e godinës së Teatrit, për të zhvendosur rekuizitën, artistët austriakë, lidhur me procedurat e tenderimit thonë se nuk ka transparencë të plotë.

“Shqipëria përpiqet që, krahas të tjerash, edhe me mbështetjen e fortë austriake, të sigurojë anëtarësimin në Bashkimin Europian. Anëtarësimi në Bashkimin Europian është i pamundur nëse rregullat europiane në lidhje me tenderët dhe transparencën e prokurimit nuk respektohen, e madje në të kundërtën, krijojnë precedentë që nuk kanë lidhje me shtetin ligjor”, thuhet ndër të tjera në peticion, ku u bëhet thirrje për reagim klasës politike austriake si dhe europianëve. Në deklaratën që iniciohet nga firmat e emrave të njohur të kulturës austriake, nuk lihet pa u përmendur as qëndrimi kritik i Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, për praktikën e Partneritetit PublikPrivat ndjekur edhe në raste të tjera në Shqipëri.

“Shpërndarja e kostove dhe riskut që lidhet me të, nuk shkon në të mirë të shtetit shqiptar, popullit shqiptar dhe grupeve të prekura të popullsisë shqiptare. Kërkesa e Bankës Botërore dhe FMN është që kjo praktikë të ndalojë deri në realizimin e proceseve transparente të vendimmarrjes. Për diçka të tillë për momentin as që bëhet fjalë”, thuhet në apelin e austriakëve, ku përmendet edhe ndërtimi i kullave private dhe një ndërtese të re teatri, si pjesë e një qendre tregtare.

Nobelistja Elfriede Jelinek

MARTIN HENZE NË TEATËR, VLERËSON PROTESTËN

Martin Henze, Kryetari i Komisionit të Transportit në Këshillin Ekonomik të CDU-së, ka vizituar dje artistët e qytetarët që qëndrojnë në ruajtje të Teatrit Kombëtar. Gjatë bisedës që ka zhvilluar me ta, Henze ka vlerësuar mënyrën paqësore se si po zhvillohet protesta. Po ashtu, ai u shpreh se është në dijeni të parregullsive në Ligjin Fusha, dhe të lëvizjeve të maxhorancës, për sa i përket çështjes së Teatrit.

Sipas aktorit, Neritan Liçaj, i pranishëm në takimin e mbajtur dje, Henze e ka vlerësuar dekretin e Presidentit Meta, duke e konsideruar si “perfekt” nga ana juridike. “Ai e njeh të gjithë ‘betejën’ tonë, pyetjet, ende pa përgjigje që Këshilli i Europës i nisi qeverisë sonë. Fakti që na vizitoi është shumë shprehës për ne”, tregon Liçaj për “Panoramën”. Ashtu si ndërkombëtarët e tjerë, edhe Henze është shprehur se kjo është një çështje, ku vendimi përfundimtar u takon institucioneve shqiptare, si dhe Gjykatës Kushtetuese. “Ishte i befasuar dhe nga rezistenca jonë, e konsideroi këtë situatë, si të paprecedentë në të gjithë botën”, tregon Liçaj.

“ËNDRRA PËR TEATËR TË RI”, RAMA: KAME RUAN ATË OPINION QË KA QENË DENBABADEN

Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme, duke vlerësuar regjisorin Gëzim Kame për kontributin e tij në skenën e Teatrit Kombëtar, ku ka vendosur sa e sa shfaqje të duartrokitura nga publiku, ka publikuar qëndrimin e tij rreth godinës ekzistuese. “Opinioni i tij për ngrehinën ekzistuese të Teatrit është ai që ka qenë denbabaden”, thekson Rama në Facebook-un e tij.

Ndërkohë regjisori në fjalën e tij ka theksuar se diskutimet për Teatrin janë të hershme. “Unë jam dëshmitar i dy kohëve, edhe para 20 viteve i njëjti problem ka qenë. Atëherë u tha që kjo godinë do të shembet se nuk e mban zjarrin, do të digjet shpejt, po të njëjtat gjëra. Kreu i aktorëve, Kadri Roshi thoshte: Aman more na bëni një Teatër të ri! Ishte ëndërr e të gjithë aktorëve, sepse që në ’46 ka qenë si barakë. Ne shqiptarët kemi fatin që po bëjmë gjëra të reja këtë periudhë dhe po marrim maksimumin e vlerës së Europës. Në asnjë mënyrë të mos pengohet ndërtimi i një Teatri të ri në atë vend ku është teatri ekzistues”, është shprehur Kame. Komentet e shkëputura të shumë prej artistëve, të publikuara në Facebook-un e Ramës, kanë rezultuar të mos jenë opinion i tyre real për shembjen e Teatrit. Krahas emrave si Bujar Asqeriu apo Ema Andrea, edhe djali i regjisorit të njohur Mihallaq Luarasit ka mohuar që i ati të ketë dashur ndonjëherë shembjen e godinës. Përkundrazi, sipas Eldonit, që prej një viti e gjysmë i është bashkuar qytetarëve për ruajtjen e godinës: Teatri ka qenë amaneti i tij.

FESTIVALI PËR MBROJTJEN E TEATRIT

Ditën e djeshme, protesta për ruajtjen e ndërtesës aktuale të Teatrit vijoi me muzikë rok. “Unit Band”, një grup të rinjsh nga Shkodra, iu bashkua kauzës, duke gjallëruar atmosferën. Ndërsa sot në orën 20:30, për të mbështetur kolegët, një grup aktorësh nga Kosova do të mbajnë një performancë eksperimentale të titulluar “Kanuni i gruas”, nën regjinë e Arlinda Morinës dhe Labinot Racit.

PANORAMA

Akademiku Emin Riza: Teatri restaurohet, të shpallet Monument. Edhe në diktaturë pyeteshin specialistët

Akademiku dhe specialisti i trashëgimisë, Emin Riza

ANILA DEDAJ/ Stadiumin “Qemal Stafa”, dikur Monument Kulture i Kategorisë së Dytë, para transformimit dhe heqjes së statusit, Kryeministri Rama e konsideroi “një monument vulgariteti, degradimi e pisllëku”.

Me epitete të ngjashme ai sot flet për Teatrin Kombëtar, duke e quajtur “stallë” apo “gërmadhë” , por, me sa duket, specialistët nuk pajtohen me të.

Akademiku Emin Riza, studiues i monumenteve dhe një nga emrat më në zë të restaurimit, tregon se nismat që bëjnë të mundur heqjen e statusit të mbrojtjes së monumenteve apo zonave të caktuara janë tërësisht antikulturore dhe duhen ndalur, pasi Tiranës po i shkaktohen dëme të parikuperueshme. Kur e pyesim nëse një ditë dikush do të përgjigjet për të gjitha këto ndryshime, qoftë nga Instituti i Monumenteve, Ministria e Kulturës apo qeveria, ai thotë: “Ndoshta, normalisht ata duhet të mbajnë përgjegjësi, por s’di sa vlerë do të ketë… Tirana nuk kthehet më. Nuk zhbëhet ky shkatërrim dhe e keqja është se të gjithë e dinë se bëhet fjalë për vlera të paprekshme, por sundon lakmia për të mbushur xhepin”.

Pikërisht për të ruajtur vlerat e mbetura historiko-kulturore të kryeqytetit, Riza, si specialist i trashëgimisë prej afro 6 dekadash, thotë se Teatri Kombëtar duhet të shpallet Monument i Kategorisë së Dytë. “Sot Tirana me të ka një dëshmi të teatrit të parë të qytetit. Ndërsa, nëse në vend të tij ndërtohet një tjetër godinë, sado moderne, do të jetë një teatër i 2020- ës”, thotë akademiku.

Zoti Riza, stadiumit “Qemal Stafa” 4 vite më parë iu hoq statusi Monument Kulture, ndërkohë në 2017-ën Teatri u përjashtua nga harta e qendrës historike. Të njëjtin fat rrezikon të ketë edhe Instituti i Arteve, që sot e gëzon ende këtë status. Si ju duken iniciativa të tilla?

Mendoj se këto janë ndërmarrje absolutisht antikulturore. Një shtet që pretendon të funksionojë në mënyrë të rregullt, duhet të kuptojë se në çdo fushë, duhen dëgjuar specialistët. A pretendohet se sot ke një Institut Monumentesh, të themeluar prej 54 vitesh? A pretendohet se ka në këtë institucion ende specialistë? Dikur ai institucion ka pasur kritere të larta për sa i përket vendimmarrjes, restaurimit apo shkallës së ndërhyrjes në monumente.

Për sa u përket monumenteve dhe objekteve që duhen shpallur si të tilla prej vlerave që mbartin, mendoni se Teatri Kombëtar duhet përfshirë në këtë listë?

Mendoj se Teatri duhet shpallur Monument i Kategorisë së Dytë. I kam dëgjuar termat nënçmues ndaj godinës, por dua të theksoj se një godinë shpallet Monument, në radhë të parë si përfaqësuese e një periudhe të caktuar, për sa i përket zhvillimit shoqëror dhe ndërtimor, pa përjashtuar realizimet e bukura arkitektonike. Pra, në rastin e Teatrit kemi të bëjmë me një arkitekturë normale, por më tepër trajtimin arkitekturor të objektit e përcakton funksioni. Për shembull, Teatri Kombëtar ka qenë teatri i parë i Tiranës dhe këtu qëndron rëndësia thelbësore e tij, aty janë rritur dhe formuar afro 4-5 breza artistësh. Kështu që, të prishësh atë godinë, pjesë e një kompleksi prej 80 vitesh, për mua është një sabotazh, për më tepër kur kujton qëllimin: shkatërrimin e këtij teatri për të bërë kulla.

Pra,edhe objekte që nuk kanë vlera specifike arkitekturore, mund të shpallen Monumente?

Sigurisht, Monumente përcaktohen ndërtimet që kanë vlera të veçanta historiko-kulturore. Një rast konkret është ai i shtëpisë ku është zhvilluar Kongresi i Lushnjës në 1920-ën. Kjo shtëpi është Monument Kulture dhe është rikonstruktuar. Po kështu, edhe për raste të tjera si shtëpia e Fan Nolit, për të cilat pavarësisht nëse kanë apo jo vlera arkitektonike, duhet pasur parasysh ndikimi historik i poliedrikut që ka jetuar aty dhe duhen restauruar. Kështu, Teatri Kombëtar është teatri i parë në Tiranë. Nëse bëjmë një të ri, ai objekt do t’i përkasë 2020-ës e Tirana mbetet pa godinën e parë të artit e kulturës. Kjo është skandaloze!

Raporti i Institutit të Ndërtimit thotë se duhet ndërhyrë në 90% të kësaj godine. Ju mendoni se do të jetë e nevojshme që të shembet dhe për t’i dhënë përsëri këtë fytyrë që ka?

Për sa i përket raportit të specialistëve e drejtuesve të këtij Instituti, mund të them vetëm se ata janë ustallarë të ustallarëve të mëdhenj. Ndërsa shembjen apo “ribërjen” e Teatrit unë e përjashtoj, pasi aty mjafton të bëhen ndërhyrjet e duhura konservuese dhe restauruese. Le të thërrasin restauratorë të pavarur dhe jo nëpunës shteti.

Jemi në një situatë ku specialistët kanë vënë alarmin për një cenim të mundshëm edhe të Institutit të Arteve, sot Monument Kulture. Stadiumi “Qemal Stafa” iu dorëzua rrethimit të kullave. Mendoni se për një transformim të tillë Instituti i Monumenteve duhet të mbajë një lloj përgjegjësie?

Mendoj se është e domosdoshme që ky institucion që ka bërë kërkesën te Ministria e Kulturës për shpalljen e këtyre objekteve Monumente të mbajë një qëndrim, duke menduar për trashëgiminë e vendit. Por, kjo lidhet edhe me prestigjin intelektual e njerëzor të drejtuesve të këtyre institucioneve. Gani Strazimiri kishte vendosur një rregull të pashkruar, që drejtori i Institutit të Monumenteve duhet të dalë nga bashkësia e punonjësve të Institutit, diçka e tillë vitet e fundit nuk është marrë parasysh. Mandej ka edhe diçka tjetër, unë kam punuar prej ’62-shit me monumentet dhe nuk ka pasur ndërhyrje të jashtme për të na thënë se ç’duhej bërë, përjashto raste të rralla të monumenteve me karakter historik, të cilat nuk i caktonte Instituti i Monumenteve, por Ministria e Kulturës.

Është ndërhyrja e drejtuesve të lartë një nga arsyet që ju dhatë dorëheqjen nga Këshilli i Restaurimeve në 2016-ën?

Ndodh një fenomen i çuditshëm në vendin tonë, kur dikush shpallet ministër, prej ditës që ngjitet në karrige, nis e i di të gjitha. Im atë (albanologu Selman Riza) ka pasë bërë një artikull të titulluar “Diletantizmi dhe zanati”. Edhe me ministren e Kulturës asokohe ndodhi diçka e ngjashme. Pra, të tillë individë janë diletantë. Prandaj, drejtuesit duhet jenë afërsisht të asaj fushe për të cilën përzgjidhen ose së paku në rastin e ministrave të mbajnë pranë vetes specialistë të fushave të ndryshme, për t’i dëgjuar e jo urdhëruar.

Gjatë sistemit totalitar, ndodhte asokohe një fenomen i tillë?

Im atë, Selman Riza, ka qenë i dënuar nga ai sistem. Edhe nëse unë kam vijuar punën në Institut, ka qenë falë mbrojtjes së Gani Strazimirit, i cili ka shkuar deri te zëvendëskryeministri, që ndaj meje të mos merreshin masa. E pavarësisht këtyre, unë sot ju them me bindje se asokohe profesionistët dëgjoheshin. Po ju tregoj një rast konkret, atë të Korçës në vitet e para ’80. Asokohe Pazari i Korçës ishte deri në qendër, madje aty kalonte edhe lumi. Mirëpo nisën t’i prishnin dhe kishte mbetur pjesa që është edhe sot. Gjatë vizitës së Enver Hoxhës në këtë periudhë në Korçë për të parë ndërhyrjet nga afër, kryetari i Bashkisë asokohe, duke e shoqëruar, i thotë: “Do ta prishim edhe këtë pjesë e këtu do të bëjmë disa pallate”. Enveri mandej iu përgjigj: “Gani Strazimirin e keni pyetur ju?” Menjëherë pas këtij takimi lidhen me Ganiun, i cili ma delegoi mua këtë detyrë. Unë shkova të nesërmen në Korçë dhe e pashë, u sensibilizova dhe thashë se ajo zonë ka vlera. Mandej nisën edhe kolegë të tjerë, fotografë, skicografë e ndenja për dy javë derisa bëra bonifikimin e Korçës dhe përcaktimin e Monumenteve të Kategorisë së Parë. Kështu shpëtoi Korça. Nëse nuk do të ishim pyetur e nuk do të ishim sensibilizuar, do të kishin shkatërruar edhe të tjera vlera.

PANORAMA

Me maskë e armë, grabitet agjencia e kredive te Zogu i Zi

Grabitet me armë një biznes në zonën e Zogut të Zi në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur një një pikë dhënie kredish të vogla.


Një person i maskuar, nën kërcënimin e një pistolete ka marrë një sasi parash dhe është larguar me vrap.

Burime për “Gazeta Shqiptare” bëjnë me dije se në ndjekje të autorit janë vënë shërbimet e Policisë, Shqiponjat, forca e posaçme operacionale.

Grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje dhe po këqyr kamerat për të identifikuar autorin e grabitjes.

Cilësia e plazheve, Shqipëria në vendet e fundit (tabela)

Teksa sezoni veror ka ardhur, një raport monitorimi europian për cilësinë e ujërave ku mund të lahesh (lumenj, dete, liqene), tregon se në Shqipëri, 10 plazhe konsiderohen me cilësi të dobët, ndërsa në 85.2% të totalit të të gjithë vendit, konsiderohen në cilësi të mirë. Në BE, numrin më të lartë të plazheve me cilësi të shkëlqyer uji e ka Qipro, ndërsa me cilësi të dobët e ka Italia…

Vetëm 85% e vendeve në Europë të monitoruara vitin e kaluar përmbushnin standardet më të larta të “shkëlqyeshme” të Bashkimit Europian sa i përket cilësisë dhe pastërtisë së ujit, sipas raportit vjetor europian të cilësisë së ujit të plazheve.

Rezultatet tregojnë për ujëra të pastër të plazheve kudo në Europë, përfshirë edhe Shqipërinë dhe Zvicrën.

Në analizën e bërë në Shqipëri, sipas Agjencisë Europiane, ujërat janë klasifikuar sipas dy parametrave mikrobiologjike (Escherichia coli dhe Enterococci) të përcaktuara në Direktivën e Ujësjellësit. 85.2% e ujërave të raportuara ku mund të lahesh janë në përputhje me standardet minimale të cilësisë të Direktivës, kështu që klasifikohen si “të mjaftueshëm” ose të mirë. 10 nga vendet e analizuara për nga ujërat e larjes janë me cilësi “të dobët”, të cilat sipas hartës së raportit, lokalizohen në Durrës, Vlorë dhe Sarandë.

Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, ka një rënie të numrit të vendeve me cilësi të dobët të ujit, me 2.5 pikë përqindje. Që nga viti 2015, kur u vlerësuan 31 vende (ose 39.1%) si ‘të varfër’, numri i vendeve problematike, ka rënë ndjeshëm. Përmirësimi shoqërohet me pesë impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura të ndërtuara në vitet e fundit, të cilat ofrojnë trajtim të ujërave të zeza për pothuajse gjysmë milion banorë dhe kontribuojnë në cilësinë e përgjithshme të ujit. Sipas raportit, këto impiante janë ndërtuar në Shëngjin, Durrës, Kavajë, Velipojë dhe Sarandë.

Sipas raportit të këtij viti nga Komisioni Europian dhe Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), 95.4% – nga 22 831 vende të ujit të pijshëm të monitoruara në 28 shtetet anëtare të BE përmbushën kërkesat minimale të cilësisë sipas rregullave të BE-së.

Niveli i vendeve që plotësojnë standardet më të rrepta të cilësisë u rritën pak nga 85.0% në 2017 në 85.1% vitin e kaluar. Numri i atyre që kanë arritur nivelin minimal të ‘mjaftueshëm’ ra nga 96% në 95.4% nga 2017 në 2018. Në vitin 2018, 301 (ose 1.3%) nga të gjitha vendet e ujërave për t’u larë në BE, Shqipëri dhe Zvicër u vlerësuan si të kualitetit të dobët të ujit. Kjo është pak më e ulët se 1,4% në vitin 2017.

Gjetje të tjera kryesore:

– Në katër vende, 95% ose më shumë e plazheve kishin cilësi të shkëlqyer të ujit: Qipro (99,1% e të gjitha vendeve), Maltë (98,9% e të gjitha vendeve), Austri (97,3% e të gjitha vendeve) dhe Greqi (97 % e të gjitha vendeve).
– Të gjitha vendet e raportuara në Qipro, Greqi, Letoni, Luksemburg, Maltë, Rumani dhe Slloveni kishin, në pjesën më të madhe të tyre, cilësi të mjaftueshme në vitin 2018.
– Tre vendet me numrin më të lartë të ujërave me cilësi të dobët janë Italia (89 vende të banjës ose 1.6%), Franca (54 vende ose 1.6%) dhe Spanja (50 vende ose 2.2%). Në krahasim me vitin 2017, numri i vendeve ku cilësia e ujit është e dobët në Francë u zvogëlua (nga 80 në vitin 2017 në 54 në vitin 2018), ndërkohë që pati një rritje të ujërave me cilësi të dobët në Itali (nga 79 në 89) dhe në Spanjë (nga 38 deri në 50).

DENONCIMI – “Kryebashkiaku i Vorës i dënuar në Greqi”, Berisha zbulon identitetin e rremë që përdorte në shtetin helen

Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sot kryebashkiakun e ri të Vorës, Agim Kajmakun, që sipas tij është në kërkim nga shteti helen, pasi ai ka përdorur dhe identitetin tjetër, Jorgo Toto.

Berisha ka publikuar në Facebook një mesazh  të qytetarit dixhital, teksa shkruan se kryebashkiaku i Vorës ka patur probleme penale në Greqi dhe këtë gjë kryeministri Rama e mori vesh kur ai u regjistrua në KQZ.

Madje, Berisha shkruan se Agim Kajmaku ka si sponsor ministren e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku që sipas tij ka punuar sëbashku me kryebashkiakun në Greqi.

“Kajmaku i Ndrikull Belushkes eshte i denuar dhe ne kërkim si Jorgo Toto nga shteti helen!

Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital. sb

Doktor Agim Kajmaku I Edi Rames I emeruar kryetar I bashkise Vore, ka pasur probleme penale ne Greqi edhe pse Edi Rama mori vesh per kete gje ne kohen e regjistrimit ne KQZ perseri me dijeni te plote vazhdoj procesin dhe kriminalizimin e pushtetit lokal.

Agim Kajmaku sic shifet dhe nga formulari ka ndryshuar emrin dhe nuk jep asnje te dhene tjeter sic e kerkon formulari ai ka pasur emrin Jorgo Toto dhe emera te tjere.Ai eshte i denuar ne Greqi dhe ne kerkim nga ky vend. Sponsor kryesor i tije eshte Bellina Balluku sepse kane punuar se bashku ne Athine!”, shkruan Berisha.

Bujar Asqeriu i përgjigjet Ramës për Teatrin: S’kam thënë që të shembet, gabimi më i madh është…

ARISTIR LUMEZI/ Aktori i njohur Bujar Asqeriu tha dje se nuk është për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, edhe pse është për një teatër të ri.

 

I kontaktuar në telefon nga gazeta “Panorama”, Asqeriu, i cili ndodhej me pushime, tha se Kryeministri ka marrë dhe ka bërë status të tij fraza të shkëputura të para më shumë se një viti, por që në atë kohë e anatemoi rëndë.

“Ky ka qenë një qëndrim i kahershëm imi, publik, para mediave dhe publikut, ndërsa Kryeministri kap fraza të shkëputura të miat dhe i lidh. Unë kam kërkuar që me çështjen e Teatrit të merren arkitektët. Asnjëherë nuk e kam përmendur fjalën shembje, kam thënë që të flasin arkitektët. Këto qëndrime unë i kam mbajtur që para një viti e gjysmë, por atëherë më shikonin si armik të gjithë, madje Kryeministri, në atë kohë, më anatemoi”, u shpreh dje Asqeriu.

Ai u bën thirrje dhe aktorëve të tjerë që për teatrin të bëjnë betejë vetëm artistët, duke e lënë larg politikën.

“Devizën time unë e kam thënë: larg politikës. Aktorët shkojnë dhe nënshkruajnë në skenë me kryetarin e opozitës, unë nuk jam për këtë. Teatri është i detashmentit të aktorëve dhe artistëve dhe këtë e kam thënë që në fillim. Por vetëm studentët e përqafuan parullën time kur protestuan me devizën: Larg politika! Vetëm ata më kuptuan mua. Unë e kam thënë që ne jemi historikisht në opozitë me shtetin. Beteja jonë është me shtetin. Kujt i thua?! Ata duan të bëjnë karrierë politike dhe administrative, le të bëjnë, punë e tyre. Unë jam artist dhe qëndroj në këto pozicione”, u shpreh Asqeriu.

asqeriu

Sipas tij, komuniteti i artistëve është përçarë nga politika.

“Gabimi më i madh është se artistët u bënë kashtë e koqe, i ndanë në ata që mendojnë si ne dhe në ata që mendojnë kundër nesh. Kur unë fola ashpër në fillim, ata që flasin sot u shpërndanë dhe nuk na mbështetën, nuk u prononcuan. Unë ua thashë në sy si ministres së Kulturës, ashtu dhe kryetarit të bashkisë”, u shpreh Asqeriu.

Në të shkuarën, ai ka folur për mungesë investimesh në Teatrin Kombëtar dhe domosdoshmërinë e një godine të re.

“Teatri ekzistues është i kalbur në të tëra drejtimet, sepse prej vitesh nuk është derdhur asnjë bojë, asnjë gozhdë, asnjë kompensatë, asnjë xham, asnjë gjë. Po kush është më e rrezikshmja për mua, është që në të gjithë prapavijën e skenës së Teatrit Kombëtar gëlojnë viruse shumë të rrezikshme për shëndetin e artistëve, që mund të invadojnë edhe publikun. Deri te trungjet mund të kenë marrë në thellësi mikrobe dhe viruse. Ndaj, rikonstruksioni i këtij Teatri duhet të jetë me themel. Kur erdhi drejtori i ri para 5 vjetësh, Hervini, porosia e parë që i dhashë ishte: merr institutin e Shëndetit Publik me pompa me ilaç për dezinfektimin e hapësirës skenike, sepse ka qenë një ekzemplar, që një aktoreje i ka ikur zëri kur vajti tek otojatri dyshoi për ekzistencën e viruseve në këtë ambient. Merr institutin me lloj-lloj ilaçesh se kanë vrapuar minj, bubuzhela, mace, lloj-lloj insekti. Kjo është e vërteta”, është shprehur artisti i njohur i skenës dhe ekranit, Bujar Asqeriu.

Rama sjell qëndrimin e Asqeriut: Boll se u teprua, dua një të ri

Kryeministri Rama, në mbështetje të prishjes së Teatrit Kombëtar dhe ndërtimit të një teatri të ri, ka sjellë dhe qëndrimin e aktorit të njohur, Bujar Asqeriu, i cili që në fillim të këtij debati është shprehur për një teatër të ri dhe ku të dëgjohet zëri i aktorëve dhe i arkitektëve e jo i politikanëve.

“Aktori i famshëm Bujar Asqeriu i përket një brezi të ndërmjetëm, mes mjeshtrave që themeluan Teatrin Kombëtar gjatë epokës komuniste dhe të rinjve, që erdhën në skenë kur regjimit komunist i erdhi fundi. Ai krijoi një galeri të pasur rolesh, në ekran dhe në skenë, duke fituar zemrat e respektin e publikut. Në këtë çështjen, ‘prishet nuk prishet’ rrënoja e teatrit, Bujari ishte zëdhënës i fuqishëm i protestës fillestare; kur i tërë komuniteti u mblodh bashkë, për të garantuar vijën e kuqe të mosprekjes së territorit të Teatrit Kombëtar për ndërtime të tjera”, shkruan Rama në llogarinë e tij në “Facebook”. Kreu i qeverisë shprehet se aktori i njohur mbështet prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar për të ndërtuar në vend të tij një teatër të ri dhe modern.

“Qyshse kjo çështje u sqarua qartë e prerë me qeverinë e me bashkinë, që s’kanë pasur kurrë ndërmend të përdorin truallin e Teatrit për tjetër gjë, përveçse për ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar, Bujar Asqeriu, njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror, mbështet pa rezervë shembjen e të vjetrit e ndërtimin e të riut”, shkruan Rama duke e shoqëruar me një deklaratë të Asqeriut për çështjen e Teatrit.

“Nuk jam për protesta, nuk i mbështes. Dua të dëgjohen arkitektët. Unë më në atë godinë nuk futem, sepse është sëmundje. Nga ajo godinë ku vdiqën shokët e mi, më duket se jam sëmurur edhe unë. Dua një Teatër të ri dhe nuk ka më kuptim që të vihemi kundër njëri-tjetrit, por t’ua lëmë këtë çështje arkitektëve. Boll se u teprua!”, është shprehur aktori i njohur sipas Kryeministrit Rama.

PANORAMA

‘I arrestuar dhe dëbuar’ – Prokuroria nis verifikimet për Valdrin Pjetrin pas denoncimit të PD

Prokuroria e Përgjithshme nis verifikimet për kryebashkiakun e zgjedhur të Shkodrës Valdrin Pjetri.

Kjo vjen pak ditë pasi PD depozitoi kërkesë në organin e akuzës që të bëheshin verifikime për pastërtinë e figurës së kryebashkiakut të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. PD pretendon se Pjetri nuk mund të kandidonte për këtë post pasi ka qenë i ndaluar dhe dëbuar në Itali.

Kërkesa e PD i ka kaluar sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, për kompetence. Sektori do kryeje verifikimet perkatese dhe do dale me nje vendim.

Nje burim zyrtar ne Prokurorine e Pergjithshme konfirmoi lajmin për “Panorama.”

DENONCIMI I PD

Ditën e premte, 2 gusht, përmes një kërkese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, PD i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme të verifikojë figurën e Valdrin Pjetrit, pasi sic thuhej ne kerkese, ekzistojnë të dhëna, indicie dhe dëshmi publike se socialisti nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit.

“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, thuhet ndër të tjera në letrën e Bardhit.

Nëse këto të dhëna publike verifikohen pa vonesë nga Prokuroria, thekson PD, kjo do të thotë se Valdrin Pjetri nuk mund ta marrë detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Shkodrës.

Ilir Meta uroi Hamit Aliajn, vajza e poetit: Surprizë e veçantë

KOSOVË

Pas urimit që Meta i dërgoi poetit Hamit Aliaj për 65-vjetorin e tij të lindjes, i menjëhershëm ka qenë falënderimi i familjes së poetit të “Bjeshkëve të Nemuna”. Përmes vajzës së tij, poeti Aliaj ka falënderuar përzemërsisht Presidentin e Republikës për urimin e veçantë.

Ajo shkruan se ndihet e privilegjuar dhe e vlerësuar, kur shikon se babai i saj ka marrë urime të veçanta dhe kur njerëzit i qëndrojnë pranë.  Mes tjerash vajza e poetit pohon se urimi i sotëm ishte dhuratë e veçantë për të, ndërsa flet fjalët më të mira për familjen  e Presidentit Meta.

Mesazhi i falënderimit:

Faleminderit presidentit të Republikes së Shqipërisë z.Ilir Meta, për urimin që i ka bërë babait tim për 65 vjetorin e lindjes nëpërmjet këtij postimi të bërë në faqen e tij. Një surprizë e veçantë dhe po kaq dhuratë e bukur urimi juaj zoti President në 65-vjetorin e babait tim, poetit Hamit Aliaj.

Unë vajza e tij, me krenarinë që më jep fakti që jam vajza e tij nuk gjej fjalë t’ju falenderoj,mbi të gjitha për vemendjen si shenjë respekti jo vetem ndaj babait tim, por ndaj gjithë asaj treve qe ngjizi në të shpirtin e poetit, per t’ju dhenë po me shpirtin e poetit vendlindjes, tokes se te pareve, atdheut.

Pranoni zoti President mirenjohjen e nje vajze qe lumturohet kur njerez te mire i gjenden prane babait te saj. Paçi bekimin e zotit Ju dhe familja juaj e bëfshi me te miren per Shqiperine tone. bw

Festa në Korçë – Qindra lakrorë të pjekur në saç, mahniten turistë të huaj e vendas

Lakrori i pjekur në saç, një gatim i spikatur i zonës së Korçës përcillet si një manifestim i traditës së kësaj zone përmes Festës së Lakrorit.



Në fshatin Polenë janë mbledhur qindra vizitorë vendas dhe të huaj të cilët kanë zgjedhur të festojnë dhe sigurisht të provojnë shijen e veçantë të lakrorit të gatuar nga amvisat e Polenës dhe sigurisht të pjekur në saç.

Qindra lakrorë u gatuan dhe u poqën mbrëmjen e së shtunës për të gjithë ata që kishin vendosur të shijonin një “copëz” korçe.

Kjo festë është sjellë si një paketë e Bashkisë së Korçës për të promovuar traditën e kuzhinës korçare dhe për të gjallëruar verën. Festa e cila është kthyer në traditë, është një alternativë e mirë jo vetëm për banorët e zonës por edhe turistët e shumtë të cilët zgjedhin Korçën./T.CH

Gramoz Ruçi në Beograd, parlamenti serb krijon një grup të miqësisë me Shqipërinë

Parlamenti i Serbisë ka krijuar Grupin e Miqësisë me Shqipërinë, ku i pranishëm ka qenë edhe kryetari i Parlamentit të vendit tonë Gramoz Ruçi.

Ruçi ka falenderuar kryeparlamentaren e Serbisë, Gojković, për këtë iniciativë.

Ata janë shprehur se grupet e miqësisë janë promotorë të zhvillimit dhe garanci për paqen.

“Bashkëpunimi i sinqertë Shqipëri-Serbi garanton stabilitetin”, thanë dy kryeparlamentarët.

/ dita

Opozita pranon 13 tetorin për zgjedhje vendore, kur është afati i fundit për regjistrimin e partive

Kodi Zgjedhor ka parashikuar si afat të fundit regjistrimin e partive në zgjedhje 70 ditë përpara ditës së votimit.

 

Dekreti i Presidentit Meta për caktimin e datës së zgjedhjeve ka parashikuar ditën e trembëdhjetë tetorit. Sipas kësaj përllogaritje, afati i fundit i partive për të shkuar në KQZ për t’u regjistruar është data 4 gusht.

Por duke qenë se kjo ditë përkon me pushim zyrtar, atëherë ajo automatikisht shtyhet me 24 orë duke caktuar si datë të fundit 5 gushtin, deri në orën 12:00. Por për të mundësuar regjistrimin e partive duhet më parë që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të nisë me administrimin e këtij procesi zgjedhor.

Sot pritej qe te vendosej ne KQZ, pasi vetë kreu i KQZ-së, Klement Zguri kishte thirrur mbledhje për fillimin e procedurës së administrimit të procesit zgjedhor, por mbledhja deshtoi pasi i pranishem ishte vetem kryetari dhe asnje nga anetaret.

Nderkohe, opozita ka pranuar datën e Presidentit Meta për zhvillimin e zgjedhjeve vendore në datën 13 tetor. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kishte mbledhur mbrëmjen e së enjtes në selinë e PD-së aleatët e tij, ku kishte dhënë edhe porositë mbi procesin zgjedhor të 13 tetorit.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se Basha është shprehur se KQZ ka detyrim ligjor të përgatisë infrastrukturën për organizimin e procesit zgjedhor, më pas është në vullnetin e partive nëse do të duan të regjistrohen apo jo.

“KQZ e ka detyrim të pashmangshëm të përgatisë zgjedhjet e 13 tetorit. Shteti dhe partia janë dy gjëra të ndryshme. Ka një ndryshim rrënjësor midis së drejtës kushtetuese dhe së drejtës partiake. I vetmi akt me fuqi kushtetuese në lidhje me zgjedhjet është dekreti i Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor. Është detyrim i pashmangshëm dhe i padiskutueshëm i KQZ-së dhe institucioneve të tjera shtetërore të përgatisin infrastrukturën për këto zgjedhje. Partitë politike, pastaj, kanë të drejtën e tyre të marrin apo jo pjesë në këto zgjedhje”, mësohet të ketë thënë Basha.

Por ky qëndrim i kryedemokratit është përthyer si një njohje e 13 tetorit nga opozita, pasi aleatët e tij i janë drejtuar me një letër KQZ, ku i kanë kërkuar që të fillojnë procedurën për administrimin e zgjedhjeve.

PANORAMA

U zgjodh dje kryetar i këshillit bashkiak të Durrësit, emri i tij në përgjimet e ‘Bild’ (ja bisedat)

Ditën e premte, 2 gusht, në praninë edhe të paraardhësit të saj, Vangjush Dako, i cili është shfaqur i qeshur në zyrat ku nuk do punojë më, Valbona Sako, kryebashkiakja e dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit bëri betimin në Këshillin Bashkiak të qytetit në mandatin e saj të parë në drejtimin e Bashkisë së Durrësit.

Betimi i kryebashkiakes Sako ka qenë në rendin e ditës në kostituimin dhe mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të qytetit. Gjithashtu dje u zgjodh kryetari i ri i këshillit bashkiak të Durrësit, Ani Dyrmishi.

Por emri i këtij të fundit nuk është i panjohur. Ai del në përgjimet që publikoi në muajin qershor gazeta gjermane “Bild” mes Astrit Avdylajt, kreut të grupit të Shijakut dhe ish kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako.

“Nga biseda del se Astrit Avdylaj ndodhet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive në Durrës, në praninë e drejtorit të zyrës dhe Vath Allës, një ish-i dënuar për vrasje për të ‘mbaruar’ një punë për llogari të Allës. Ai i thotë Dakos që të anulojë planet e tij për të udhëtuar në Ishëm, për të siguruar që ‘puna’ që Alla po kërkon, të përfundohet te zyra e hipotekës nga drejtori që telefonon Anin dhe më pas Dakon për t’u takuar me të dhe më të dënuarin për vrasje, Vath Alla. Kryebashkiaku Dako pranon dhe ndryshon axhendën”, shkruan Bild.

Pjesë nga përgjimi

Astrit Avdylaj: A të ka zënë gjumi mbrëmë mo vëlla, se ke takuar Ramën dje, keni ndejtur jeni kënaqur

Vangjush Dako: Ça bone

Astrit Avdylaj: Ça bëhet

Vangjush Dako: Mirë, mirë

Astrit Avdylaj: Nga je vëllai…

Vangjush Dako: Dëgjo

Astrit Avdylaj: Hë vëlla…

Vangjush Dako: Thuaj byrazerit që unë po iki në Ishëm tek ata çunat atje

Astrit Avdylaj: Jo pra tashi se do ta lëmë një çik më vonë, se jam këtu me çunat unë (Vath Alla).

Vangjush Dako: Ku je ti?

Astrit Avdylaj: Këtej nga hipoteka me Anin (Ani Dyrmishi, drejtor në Durrës), Ani do vij të takoj një çik drejtorin apo…..?

Vangjush Dako: Ato Allat janë aty apo…?

Astrit Avdylaj: Po Vath Alla është këtu me mu drejtëpërdrejtë, e kam këtu live, përballë në tavolinë, po na dëgjon tashti.

Vangjush Dako: Epo mirë takohemi në Durrës atëherë.

Astrit Avdylaj: Jo do takohemi atje, e kemi lënë orarin atje vëllai, mbaroi. Do takohemi atje nga dreka se s’bën. Le të mbarojmë një çik punë me Anin këtu, po presim Anin, sa të shkojë te bashkia tha ai. Po e pret vëllai këtu te hipoteka.

Vangjush Dako: Mirë, mirë

Astrit Avdylaj: Hajde të du fort vëllai

Komentuesit në FB: mos e prek Teatrin, Rama: Godina e Teatrit nuk preket, shembet

“Sipërfaqja e teatrit të sotëm kombëtar jo vetëm që nuk preket, por infrastrukturës teatrore, i shtohen edhe 8.000 metra katrorë më shumë se ç’ka sot! Populiti, materiali me të cilin është ndërtuar ky teatër, as nuk mund të stopohet në degradimin e vet e as mund të jetë dot bazë për rikonstruksion😢Tiranës i duhet, dhe do të ketë, Teatrin Kombëtar që meriton”.

Pas këtij postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama, ka replikuar me disa ndjekës që i kanë komentuar në videon e publikuar lidhur me çështjen e Teatrit.

Ai ka sqaruar edhe një herë se teatri i ri do ndërtohet dhe godina ekzistuese do shembet.

‘Ka qenë i arrestuar dhe u dëbua nga Italia’/ PD kërkesë Prokurorisë: Verifiko figurën e Valdrin Pjetrit

Partia Demokratike i është drejtuar me një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme përmes së cilës i kërkon të verifikojë pastërtinë e figurës së Valdrin Pjetrit, kandidat i PS në Shkodër për 30 qershorin.

Në kërkesën, e cila mban firmën e sekretarit të përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi thuhet se ka indicie dhe dëshmi publike se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak te ligjit të dekriminalizimit.

“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”-thuhet në shkresën që PD i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme.

 

Letra e Kuvendit, Presidenti i kthen përgjigje Ruçit: Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin të mos krijojë precedentin më absurd në histori

Presidenti Meta i kthen përgjigje letrës së Kuvendit të Shqipërisë, dërguar më 19 korrik për dekretet. Në përgjigjen e tij ndaj kreut te Kuvendit, Gramoz Ruçit, Presidenti Meta nuk heziton të kërkojë ndihmën e tij që siç thotë kreu i shtetit, “të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë.

Duke mirëkuptuar edhe pozitën ku ju ndodheni për shkak të detyrës shumë të lartë që përfaqësoni, dhe situatës jo më të mirë dhe përfaqësuese në të cilën gjendet sot Institucioni më i rëndësishëm i vendit për shkak të përgjegjësisë të të gjithë aktorëve politikë në vend, vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike”.

LETRA E PLOTË

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

PRESIDENTI I REPUBLIKËS

Nr. 2490/1 Prot. Tiranë, më 01.08.2019

Lënda: Përgjigje letrës nr. 2502/13 prot., datë 19.07.2019.

Drejtuar: KUVENDIT TË SHQIPËRISË

Sh. T. Z. GRAMOZ RUÇI

KRYETAR

I nderuar zoti Kryetar,

Në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës ka ardhur shkresë-kërkesa e Kuvendit të Shqipërisë nr. 2502/13 prot., datë 19.07.2019.

Në vijim, Presidenti i Republikës bën sërish me dije se qëndrimi i Presidentit të Republikës mbi veprimtarinë e nisur nga Kuvendi për dekretet e Kreut të Shtetit, është përcjellë me shkresën tonë nr.1956/1 prot., datë 19.06.2019.

Presidenti i Republikës vlerëson t’i risjellë në kujtesë Kuvendit të Shqipërisë se lidhur me zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të vitit 2019, Presidenti i Republikës, si autoriteti i vetëm kushtetues që ka për kompetencë ekskluzive caktimin e datës, ka nxjerrë këto dekrete:

Dekret nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës 30 qershor 2019 si ditë për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”.

Dekret nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Dekret nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Këto dekrete i janë përcjellë menjëherë autoritetit përkatës për zbatim sipas ligjit.

Kuvendi i Shqipërisë dhe jo vetëm, është i mirëpritur të gjejë të gjithë informacionin për të cilin ka interes, përfshi edhe traditën institucionale të Presidentit të Republikës, takimet, aktet ligjore, deklaratat, veprimtaritë, vizitat, konsultat, qëndrimet e Kreut të Shtetit apo Institucionit të Presidentit të Republikës, të publikuara në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës http://president.al/. Ato janë publike dhe gjithkush mund t’i lexojë, të njihet e t’i përdorë ato.

Megjithatë është me rëndësi dhe shumë e nevojshme të rikujtojmë së bashku se data 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, është caktuar me Dekret nr. 10928, datë 05.11.2018, të Presidentit të Republikës, në kushtet e një klime normale politike në vend dhe pas zhvillimit të konsultimeve me përfaqësuesit e tre grupeve parlamentare një praktikë kjo e konsoliduar nga kryetarët e shtetit shqiptar ndër vite.

Ndërkohë që anulimi i datës 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore dhe shtyrja e tyre për t’u zhvilluar ditë të djelë në datë 13 tetor 2019 është realizuar respektivisht me Dekretin nr. 11199, datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr.10928, datë 05.11.2018” dhe Dekretin nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, në kushtet e një krize të rëndë politike, kushtetuese, institucionale dhe të përfaqësimit, ku pas vlerësimit të situatës që po kalonte vendi, referuar dhe gjuhës së urrejtes së palëve politike dhe veprimeve të tyre dhe shprehjes së vullnetit të tyre për të mos eksploruar mundësitë e arritjes së një kompromisi politik, ekzistonte rreziku që Shqipëria të shkonte drejt një përshkallëzimi të paparashikueshëm të tensionit social, që mund të shkaktonte pasoja të pakontrollueshme me rrezik serioz për sigurinë publike, stabilitetin demokratik, qetësinë dhe paqen sociale në vend.

Pikërisht për këto e shumë arsye të tjera, Presidenti vlerësoi dhe vendosi se ishte e domosdoshme ndërhyrja e Kreut të Shtetit për shtyrjen e datës së zgjedhjeve për të garantuar unitetin e popullit; për të mbrojtur vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë; për të ulur tensionin social; për të garantuar rendin kushtetues dhe demokracinë në vend; dhe për t’u dhënë kohë palëve politike për dialog gjithëpërfshirës dhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike, që bëjnë pjesë themelore të detyrave dhe rolit të Presidentit të Republikës në një Republikë Parlamentare, veçanërisht në kohë krize.

I nderuar Kryetar i Kuvendit,

Ju dhe unë kemi eksperiencë të gjatë politike dhe kemi përjetuar zhvillimet politikë në vend që prej viteve 1990-të e deri aktualisht.

Është e nevojshme të risjellim në vëmendje se zhvillimi i proceseve zgjedhore në Republikën e Shqipërisë si për Kuvendin ashtu dhe për organet e qeverisjes vendore, kanë krijuar historikun e vet, ku nuk mungojnë aspak rastet e preçedentëve të mëparshëm të shtyrjes së datës së zgjedhjeve nga Presidenti i Republikës, gjithmonë në varësi të rrethanave dhe për të përmbushur një qëllim të ligjshëm dhe për konsolidimin e demokracisë së brishtë shqiptare.

Precedenti i parë i shtyrjes së procesit zgjedhor në Shqipëri ka filluar pikërisht që në hapat e parë të ndryshimeve thelbësore të sistemit qeverisës në vitet 1990-1991, momenti i parë ky, që i hapi rrugë demokracisë pluraliste dhe ekonomisë së tregut në vendin tonë.

– Ish-Kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor Ramiz Alia me Dekretin nr.7433, datë 01.12.1990 kishte përcaktuar se “Zgjedhjet e deputetëve të Kuvendit Popullor për Legjislaturën e 12-të të bëhen më datën 10 shkurt 1991, ditën e diel”. Ky dekret është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 8, datë 20.12.1990.

Ish-Presidenti Ramiz Alia, i cili ishte dhe udhëheqësi i fundit i sistemit komunist në Shqipëri, reflektoi me përgjegjësi të lartë shtetërore në koherencë me ndryshimet e mëdha politike që po ndodhnin në gjithë Europën Lindore dhe më datë 17.01.1991 ndërmori vendimarrjen për shtyrjen e datës së zgjedhjeve të përgjithshme të planifikuara për tu mbajtur më datë 10 shkurt 1991, duke e shtyrë zhvillimin e tyre për tu mbajtur më datë 31 mars 1991. Kjo u pasua edhe me vendimmarrjen e tij me dekret nr.7468, datë 22.02.1991, për krijimin e Këshillit Presidencial një hap tjetër ky drejt hapjes së një rendi të ri dhe demokratik shoqëror.

Kjo vendimmarrje për shtyrjen e datës së zgjedhjeve u bë pikërisht për t’u dhënë mundësi forcave politike opozitare që ishin krijuar ndërkohë të merrnin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme edhe pse ato kërkonin ndryshimin dhe përmbysjen e lidershipit komunist në Shqipëri.

Këto zgjedhje të shtyra në kohë dhe të zhvilluara në datë 31 mars 1991, prodhuan dhe parlamentin e parë pluralist.

Ky akt i ndërmarrë nga ish-Presidenti Alia, aq më tepër duhet të rivlerësohet sot për përgjegjshmërinë e tij, pasi aktualisht vërehet një degradim i klasës drejtuese në vend në konceptimin e demokracisë, zgjedhjeve dhe pluralizmit politik që janë themelet e gjithë sistemit kushtetues e juridik në vend.

Rikthimi i konceptit të sundimit të shumicës dhe legjitimimi i këtij koncepti në diskursin publik të Kryeministrit apo dhe drejtuesve të tjerë në mazhorancë është i papranueshëm për një vend si i yni, që përjetoi izolimin më tragjik nga sistemi një partiak që në themel kishte sundimin e shumicës ndaj pakicës.

Dallimi themelor midis shtetit të shumicës dhe shtetit të së drejtës është se tek ky i fundit janë parësore garantimi i të drejtave të pakicave dhe opozitës në veçanti, si dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, ku e drejta për të zgjedhur dhe jo për të votuar është jetike për demokracinë dhe shtetin ligjor.

Ndaj është e rëndësishme që të përkushtohemi të gjithë vetëm për sundimin e ligjit në vend dhe respektimin e shtetit të së drejtës.

Pikërisht keqkuptimi i rëndë dhe i papranueshëm në mos dallimin midis sundimit të shumicës dhe sundimit të ligjit, na ka sjellë këtu ku jemi sot, në krizën edhe më të thellë kushtetuese, institucionale, dhe të përfaqësimit në vend.

– Një tjetër rast i shtyrjes së zgjedhjeve evidentohet në vitin 2006, ku Presidenti i Republikës me Dekret nr.5131, datë 02.12.2006, vendosi që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të zhvilloheshin ditën e shtunë datë 20 janar 2007.

Për shkak të pretendimeve të forcave politike dhe vlerësimit të pamundësisë së zhvillimit të këtyre zgjedhjeve në datën e caktuar (20 janar 2007) që lindi nga një konflikt politik i cili u zgjidh me një marrëveshje të vonuar më 12 janar 2007, Presidenti i Republikës miratoi sërish një akt të ri Dekretin nr. 5194, datë 14.01.2007, nëpërmjet të cilit vendosi që:

“Dekreti nr.5131, datë 02.12.2006 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, shfuqizohet dhe zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen ditën e dielë më datë 18 shkurt 2007”.

– Ndërkohë në vitin 2017 pikërisht përpara dy vjetësh, Gjykata Kushtetuese me Vendimin nr. 24, datë 23.03.2017, vendosi: “Rrëzimin e kërkesës së z. Elvis Roshi, ish-Kryetar i bashkisë Kavajë” i shkarkuar nga Këshilli i Ministrave për shkak të ndërprerjes së mandatit të tij në zbatim të ligjit për dekriminalizimin. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese iu njoftua Presidentit të Republikës, me shkresë nr.4 akti, datë 23.03.2017.

Presidenti i Republikës, me Dekretin nr. 10098, datë 24.03.2017, vendosi: “Caktimin e datës 7 maj 2017, si ditë për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për Kryetar të bashkisë Kavajë”.

Për shkak të krizës politike të vitit 2017 opozita nuk u regjistrua si pjesëmarrëse në këto zgjedhje e po ashtu edhe dy kandidatët e regjistruar u tërhoqën nga kandidimi.

Më datë 20 maj 2017, z. Edi Rama, Kryetar i mazhorancës dhe z. Lulzim Basha, Kryetar i opozitës, i’u drejtuan me një letër Presidentit të Republikës, duke e njoftuar atë se më datë 18 maj 2017, ata kishin arritur një marrëveshje politike që mundëson përfshirjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, si dhe në zgjedhjet e pjesshme vendore për Kryetar të bashkisë Kavajë.

Sipas tyre, pjesë e marrëveshjes politike mes mazhorancës dhe opozitës është edhe kërkesa drejtuar Presidentit për ndryshimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare për garantimin e pjesëmarjes së opozitës në to.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës me Dekret të Presidentit të Republikës nr. 10352, datë 21.05.2017, vendosi që data e zhvillimit të zgjedhjeve për këtë njësi të qeverisjes vendore, të shtyhej dhe të caktoheshin për t’u zhvilluar në datë 25 qershor 2017, datë kjo e cila përkonte me të njëjtën ditë me datën për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë.

Kjo datë e re, pra data 25 qershor 2017, ishte një datë përtej afateve të parashikuara në pikën 3 të nenit 10 të Kodin Zgjedhor, të cilat përcaktonin se zgjedhjet duhej të zhvilloheshin maksimalisht në një afat ligjor që përkonte më datën 7 maj 2017.

– Ndërkohë me Dekretin nr. 9883, datë 05.12.2016, Presidenti i Republikës, caktoi datën 18 qershor 2017, si ditë për zhvillim e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë. Për shkak të krizës politike të vitit 2017 dhe mospjesëmarrjes dhe regjistrimit të opozitës në këtë process zgjedhor, realizimi i zgjedhjeve në datën 18 qershor 2017, bëhej i pamundur.

Në këtë mënyrë, pasi palët politike dialoguan dhe dakordësuan një mirëkuptim të shprehur
me shkrim, Presidenti i Republikës, nxori Dekretin nr. 10 351, datë 21.05.2017, nëpërmjet të cilit neni 1, i dekretit nr.9883, dt.05.12.2016 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”, u ndryshua dhe u caktua se zgjedhjet për Kuvendin të shtyhen dhe të zhvillohen ditën e diel, më datë 25 qershor 2017.

Si konkluzion, i shqyrtimit të këtyre preçedentëve të mëparshëm ndër vite, shtyrjet e proceseve zgjedhore të përgjithshme apo vendore në Republikën e Shqipërisë, janë diktuar si pasojë e rrethanave të veçanta politike, të klimës së mosbesimit midis palëve, konfliktit politik, dhe situatave të tensionuara sociale, që në të gjitha rastet kanë bërë të domodoshëm ndërhyrjen e autoritetit të vetëm kushtetues që është Presidenti i Republikës, për të nxjerrë një Dekret të ri, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

Ndërkohë në kushtet aktuale mungesa e marrëveshjes politike midis palëve nuk mund të kufizonte kompetencat e Presidentit të Republikës që me autoritetin dhe me kompetencat e tij ekskluzive kushtetuese, të ndërhynte për të caktuar një datë të re zgjedhjesh për pushtetin vendor, duke garantuar kështu që të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë të votojnë në mënyrë të ndershme, të fshehtë, të lirë dhe demokratike, në një situatë të qetë dhe jo konfiktuale dhe jashtë çdo rreziku të mundshëm të konfliktit social.

Në një situatë normale tejkalimi i krizës me marrëveshje do të pasonte edhe me ndryshime të mundshme në Kodin Zgjedhor, por në një situatë krize ku shumica parlamentare zotërohet nga Partia Socialiste, e cila nëpërmjet lidershipit të saj jo vetëm që nuk shfaqi asnjë shenjë për zgjidhjen e krizës, por përkundrazi u tregua agresive ndaj opozitës, por dhe ndaj Presidentit të Republikës për shkak se ndërmori një nismë për zgjidhjen e krizës, e bëri të domosdoshëm ndërhyrjen e Kreut të Shtetit për të krijuar një mundësi kohore për zgjidhjen e kësaj situate paradoksale dhe për më tepër të patrajtueshme me ligj sipas Kodit Zgjedhor.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta i rikujton Kuvendit të Shqipërisë se dekreti nr. 11199, datë 10.06.2019 për “Shfuqizimin e dekretit të Presidentit nr.10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”, është një akt i ndërmarrë dhe i mbështetur tërësisht në dispozitat e Kushtetutës; i bazuar plotësisht në argumente kushtetues dhe në mbrojtje të parimeve kushtetuese dhe demokracisë në vend.

Konkretisht ky akt i rëndësishëm i Kreut të Shtetit, synonte ndërprerjen e një procesi zgjedhor fiktiv dhe në kundërshtim me parimet demokratike, i transformuar praktikisht në një proces votimi, pa garë dhe pa alternativa, në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, si dhe detyrimet që Shqipëria ka marrë përsipër me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, me hyrjen në fuqi më 29 gusht 2006.

Dekreti i Presidentit nr.11199, datë 10.06.2019, për anulimin e datës së zgjedhjeve në 30 qershor dhe dekreti nr. 11211, datë 27.06.2019 për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë marrë në mbështetje të plotë me Kushtetutën dhe parimet themelore të mbrojtura prej saj.

Referuar dispozitave kushtetuese, mbi të cilat është bazuar nxjerrja e dekreteve të Presidentit të Republikës, veprimtarisë tërësisht kushtetuese të Kreut të Shtetit, parimeve kushtetuese, të drejtave dhe lirive themelore për mbrojtjen e të cilave këto akte janë nxjerrë, marrëdhënieve juridiko-shoqërore që këto akte rregullojnë, si dhe referuar argumenteve tërësisht kushtetuese mbi bazën e të cilave këto akte janë marrë, i bëjnë ato (dekretet), akte me natyrë krejtësisht të veçantë juridiko-kushtetuese dhe si të tilla, askush tjetër veç Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë nuk mundet të shqyrtojë vlefshmërinë dhe kushtetutshmërinë e tyre.

Edhe Ambasadorja Audrey Glover, drejtuese e misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it në Zgjedhjet Vendore 2019, në raportin e gjetjeve paraprake të publikuar prej saj në datë 1 korrik 2019, evidentoi se:

“…. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para (Gjykata Kushtetuese) është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetutshmërinë e dekreteve të Presidentit”.

Dekretet e mësipërme të Presidentit si akte të rëndësishme me natyrë kushtetuese, janë marrë gjithashtu në respekt edhe të detyrimeve të Republikës së Shqipërisë që burojnë nga aderimi i saj në aktet ndërkombëtare dhe angazhimi në procesin e integrimit në Bashkimin Europian.

Dekretet për anulimin e datës 30 qershor 2019 si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, dhe për caktimin e datës 13 tetor 2019 si ditë e zhvillimit të tyre, deri në ditën e sotme, nuk janë kundërshtuar nga ndonjë forcë politike apo nga ndonjë subjekt tjetër politik ose jopolitik përpara ndonjë gjykate në Republikën e Shqipërisë përfshi këtu edhe Kolegjin Zgjedhor, si dhe nuk janë ndryshuar, nuk janë anuluar dhe nuk janë shfuqizuar nga asnjë gjykatë tjetër në Republikën e Shqipërisë e as nga Kolegji Zgjedhor.

Për këto arsye, në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, këto akte janë në fuqi dhe të detyrueshëm për zbatim nga të gjithë, përfshi këtu edhe Kuvendin e Shqipërisë.

Për pasojë, i gjithë procesi i votimeve i zhvilluar në datën 30 qershor 2019, është një proces antikushtetues, fiktiv dhe jo demokratik, që nuk krijon asnjë pasojë juridike, pasi veç të tjerave, data 30 qershor 2019 nuk ekziston ligjërisht si një datë zgjedhjesh për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.

Vlerësimet e Presidentit të Republikës, përkuan edhe me qëndrimin e qartë të raportit paraprak të datës 1 korrik 2019 të misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it nën drejtimin e Ambasadores Audrey Glover, si dhe me vendimin refuzues të Kongresit të Autoriteteve Vendore të Këshillit të Europës për vëzhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Ndërkohë Rezoluta e datës 13 qershor 2019 e Kuvendit të Shqipërisë, si dhe inicimi i një procesi për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar, në fakt kanë ofruar mbështetjen e Kuvendit ndaj KQZ-së për të realizuar një proces antikushtetues votimesh, duke zgjedhur kështu një rrugë të gabuar, që nuk ndihmon aspak në zgjidhjen e krizës politike dhe situatën e rëndë të krijuar, veçanërisht pas realizimit të votimeve partiake më 30 qershor 2019.

I gjithë ky proces i nisur nga Kuvendi është fiktiv, i palegjitimuar, i gabuar dhe për më tepër, pa asnjë objekt konkret të veprimtarisë së tij.

Presidenti i Republikës është i bindur se interpretimi përfundimtar i dispozitave Kushtetuese apo i rolit të Presidentit në kohë krizash të rënda politike që lidhen me proceset zgjedhore, pikërisht siç dhe vendi ynë po kalon prej një kohe të gjatë, nuk mund të realizohet kurrsesi nëpërmjet komisioneve hetimore të ngritura nga Kuvendi, por vetëm nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, e cila prej gati një viti e gjysëm (17 muajsh) nuk është funksionale.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte funksionale përgjatë vitit 2018 e në vijim, atëherë çdo palë do të kishte mundësinë t’i drejtohej kësaj gjykate dhe kjo e fundit do të shprehej mbi çdo pretendim të mundshëm të natyrës kushtetuese.

Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shprehet për dekretet e Presidentit dhe përputhshmërinë e tyre me Kushtetutën.

Dua t’ju theksoj personalisht Ju, por dhe Kuvendit të Shqipërisë, se cilido qoftë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, ai do të ketë vlerë vetëm për të ardhmen dhe mund të ndikojë për sjelljen e Presidentit në situata të ngjashme, por kurrsesi ky vendim nuk mund të ketë efekt prapaveprues për të legjitimuar procesin e votimeve joshtetërore, vetëm me një konkurrent tashmë siç është realizuar më 30 qershor 2019, kjo sepse Dekreti i Presidentit të Republikës nr.11199, datë 10.06.2019 për anulimin e datës së zgjedhjeve më 30 qershor dhe Dekreti nr. 11211, datë 27.06.2019 për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin vendor, janë në fuqi dhe tashmë 30 qershori si datë kalendarike për zgjedhje, është djegur të paktën për këtë vit.

Gjithashtu nëse do të kishim patur në vijimësi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, ajo do të mund të shqyrtonte disa prej ligjeve të miratuara nga Kuvendi, të cilët në vlerësim të Presidentit të Republikës janë në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe cenojnë rëndë interesin publik në vend.

Presidenti i Republikës, ndërmjet këtyre ligjeve, vlerëson t’ju shprehë ju si Kryetar i Kuvendit se është shumë e nevojshme të verifikohet dhe të hetohet se si u propozua apo si u formalizua vullneti i qeverisë dhe i organeve të Kuvendit në miratimin e ligjit nr. 94/2018 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar (Dividentin).

Në kundërshtim flagrant me nenin 155 të Kushtetutës, i cili ndalon trajtimin e lehtësuar fiskal preferencial me efekt prapaveprues, Kuvendi miratoi ligjin nr. 94/2018, duke i dhënë fuqi prapavepruese lehtësimit fiskal mbi dividentin e pashpërndarë për kategori të caktuara subjektesh dhe me efekt prapraveprues të pakufizuar në kohë.

Konkretisht me ligjin nr.94/2018, Kuvendi përcaktoi se norma e tatimit mbi dividendin do të reduktohej nga 15 % në shkallën 8 %, dhe kjo shkallë tatimi do aplikohet jo vetëm për të ardhmen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, pa kufizim kohor, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara.

Pikërisht efekti prapaveprues i këtij ligji bie ndesh me nenin 155 të Kushtetutës, ku citohet shprehimisht se:

“Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre caktohen me ligj. Në këto raste ligjit nuk mund t’i jepet fuqi prapavepruese”.

Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11015, datë 20.12.2018, konstatoi antikushtetshmërinë e këtij ligji dhe e riktheu ligjin për rishqyrtim, me qëllim që Kuvendi të përmirësonte dispozitat e tij ku përfitues real sipas këtij ligji të ishin qytetarët shqiptarë, pa diferencime dhe me trajtim të barabartë, në respekt të parashikimeve kushtetuese dhe pa cenuar buxhetin e shtetit.

Presidenti i Republikës konstatoi se ky ligj, veçanërisht neni 9 i tij, favorizon shtresa të caktuara të biznesit në mënyrë flagrante antikushtetuese; binte në kundërshtim me parimin kushtetues të “barazisë përpara ligjit”; krijonte pasiguri të theksuar juridike për aplikimin e tij në praktikë; kishte efekt prapaveprues, në trajtën e një “amnistie fiskale” abuzive; krijonte pabarazi fiskale mes bizneseve dhe një shteg të madh për abuzim duke përmbysur sistemin dhe barazinë fiskale.

Kuvendi e rrëzoi dekretin e Presidentit të Republikës, në mënyrë të menjëhershme dhe të pashpjegueshme brenda së njëjtës ditë 20.12.2018. Ndërkohë që Kuvendi po zhvillonte seancën plenare në orën 18.00, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave shqyrtoi në mënyrë të fshehtë Dekretin e Presidentit, pa praninë e opozitës vetëm me pjesëmarrjen e Ministrit të Financave dhe pa thirrur për të qenë të pranishëm përfaqësuesit e institucionit të Presidentit të Republikës për të dhënë më parë shpjegimet institucionale sipas praktikës solide të deritanishme parlamentare. Në kundërshtim me rregullat dhe brenda së njëjtës ditë po më datë 20.12.2018, Komisioni i Ekonomisë dhe Financave në mënyrë urgjente ia përcolli seancës plenare, e cila e përfshiu menjëherë në rendin e ditës, duke votuar Vendimin nr.125, datë 20.12.2018 për “Rrëzimin e Dekretit nr.11015, datë 20.12.2018”.

Është e pashpjegueshme mënyra e shqyrtimit të këtij ligji dhe i Dekretit të Presidentit në kushte të tilla dhe sidomos kur bëhet fjalë për një ligj për të cilin Presidenti ka ngritur pretendimin se ai është antikushtetues, sjell trajtim selektiv dhe diskriminues të subjekteve në treg dhe humbje të mëdha për buxhetin e shtetit.

Presidenti i Republikës vlerëson se, në historinë e pluralizmit politik të Shqipërisë, kjo sjellje e Kuvendit është rasti më flagrant i shkeljes, jo vetëm të procedurës dhe Rregullores së Parlamentit, të miratuar me konsensus, por edhe shfaqje e hapur e një arrogance të rrezikshme dhe shprehje e pakundërshtueshme e një krize të thellë parlamentare, kushtetuese, institucionale dhe ndërinstitucionale.

Jam i sigurt që kjo ka ndodhur pa dijeninë Tuaj, dhe për këtë kërkoj investimin tuaj si Kryetar i Kuvendit për verifikimin dhe rikthimin e normalitetit në veprimtarinë parlamentare dhe në strukturat e saj.

Pamundësia e shqyrtimit në kohën e duhur në Gjykatën Kushtetuese të këtij ligji, bën të pamundur pezullimin e ekzekutimit të këtij ligji deri në këto momente e kjo gjendje duket se do të vijojë derisa kjo gjykatë të bëhet funksionale për të marrë vendime të kësaj natyre. Pra në këtë mënyrë edhe sikur Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim më vonë, bëhet i pamundur rikthimi i plotë i pasojave negative financiare që zbatimi i këtij ka sjellë tashmë në praktikë për buxhetin e shtetit dhe qytetarëve tanë.

Kjo ka qenë në vijimësi të përpjekjes së Kryeministrit për të nxjerr nga kontrolli kushtetues qeverinë dhe Kuvendin, por edhe për të garantuar kapjen e Gjykatës Kushtetuese përmes presionit të procesit vetting, i cili realizohet nëpërmjet informacionit që sigurohet nga instrumente dhe institucione nën kontrollin e qeverisë dhe të shumicës aktuale.

Dua t’ju kujtoj përgjegjësinë e Kuvendit dhe sidomos të disa përfaqësueve të mazhorancës për bllokimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për 2 (dy vite) radhazi (2017-2018) dhe mosreagimin ndaj përpjekjes sime si President për realizimin e ndryshimeve ligjore në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë”, për të bërë të mundur mirëfunsionimin e KED-së, ndryshime këto të cilat u miratuan nga Kuvendi vetëm më datë 18.07.2019 dhe dy ditë më parë në datë 30.07.2019 u dekretuan me shpallje edhe nga unë si President i Republikës.

Askush nuk duhet të harrojë se mbi Gjykatën Kushtetuese janë dhe Gjykatat Europiane dhe Ndërkombëtare të cilat kanë juridiksion vendimarrës mbi vendin tonë.

Ndaj çdo akt i nxituar me qëllim afatshkurtër shantazhi, kapjeje, apo mllef-nxjerrjeje do të ketë pashmangshmërisht mundësinë e afërme për një gjykim objektiv dhe të pavarur ndërkombëtar në mënyrë të pashmangshme.

Shpreh vlerësimin tim se këtij Kuvendi i mjaftojnë rekordet e deritanishme problematike në raport me Kushtetutën dhe nuk i duhen tejkalime të tjera që do të mbyllnin rrugën europiane të vendit tonë për një kohë të pacaktuar.

Ndërkohë, Presidenti i Republikës i qëndron bindjes se e vetmja rrugë për zgjidhjen e krizës së thellë në të cilën ndodhet vendi, rikthimit të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe rivendosjen e tij në shinat kushtetuese mbetet vetëm dialogu i sinqertë politik, respektimi i ligjit nga të gjithë, duke organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike në datën 13 tetor 2019, në respekt të dekretit nr. 11211, datë 27.06.2019 “Për caktimin e datës 13 tetor 2019, si ditë e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”.

Presidenti i Republikës, duke i ftuar të gjithë të largohen nga rruga e paligjshmërisë, njëanshmërisë dhe konfliktualitetit, është i bindur se 13 tetori është jo vetëm një mundësi e shkëlqyer për të garantuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse dhe demokratike, por edhe një provë e qartë e vullnetit politik për të ardhmen europiane të Shqipërisë, përpara se Këshilli i Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit, më 17-18 tetor 2019.

Është koha për t’u rikthyer të gjithë qytetarëve të Shqipërisë sovranitetin, ndaj për këtë, duhet të angazhohen të gjithë në mënyrë të sinqertë dhe larg qëllimeve politike afatshkurtra.

I nderuar zoti Kryetar i Kuvendit,

Për 45 vite vendi ynë përjetoi një regjim të sundimit të shumicës të pashembullt në kontinentin tonë dhe të krahasueshëm vetëm me atë të Koresë së Veriut.

Nuk është mirë që sot, kur bota mezi pret që edhe Korea e Veriut të hapet e të ndryshojë, përfaqësues të shumicës parlamentare këtu në Shqipëri të hyjnizojnë regjimin e sundimit të shumicës dhe të bëjnë çdo përpjekje për asgjesimin e opozitës reale dhe demokratike në vend dhe të synojnë dhe kapjen e të vetmit institucion të pavarur siç është aktualisht Institucioni i Presidentit të Republikës.

Ju e dini si askush tjetër se sa kundër djegies të mandateve ka qenë dhe është Presidenti i Republikës. Një veprim i pajustifikueshëm i opozitës, i cili ka sjellë vërtet një precedent mjaft negativ.

Nuk hezitoj t’ju kërkoj që të ndihmoni Kryeministrin dhe Kryetarin e Partisë Socialiste të mos krijojë precedentin më absurd në historinë e vendeve ish-komuniste atë të asgjësimit të Partisë Demokratike, jo vetëm si forca kryesore opozitare sot, por edhe si forca e parë opozitare pro atlantike dhe pro europiane e vendit tonë.

Duke mirëkuptuar edhe pozitën ku ju ndodheni për shkak të detyrës shumë të lartë që përfaqësoni, dhe situatës jo më të mirë dhe përfaqësuese në të cilën gjendet sot Institucioni më i rëndësishëm i vendit për shkak të përgjegjësisë të të gjithë aktorëve politikë në vend, vazhdoj të shpresoj se me përvojën Tuaj të veçantë në jetën parlamentare, do të bëni përpjekjet më të mira për rivendosjen e dialogut politik dhe rikthimin në normalitet të të gjitha intitucioneve demokratike.

Në kushtet aktuale, Kuvendi i Shqipërisë e ka kaq të nevojshme përvojën dhe largpamësinë për zgjidhje të mençura dhe kontribuese, që t’i shërbejnë çeljes së negociatave me Bashkimin Evropian në 18 tetorin që po afron dhe në këtë mënyrë çdo ditë ai duhet të mendojë dhe veprojë në interes të të gjithë shqiptarëve dhe aspiratës mbarëkombëtare për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Besoj se ju me përvojën Tuaj do ta ndihmoni Kuvendin të rikthehet në normalitet.

Së fundmi, Presidenti i Republikës garanton Kuvendin e Shqipërisë se është në detyrë, i gatshëm, bashkëpunues dhe me vetëdije të plotë, për të ndërmarrë të gjitha vendimet e rëndësishme në interesin më të mirë të vendit, në përputhje me kompetencat që i jep Kushtetuta dhe me betimin e tij solemn për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar.

Me konsideratë,

Ilir Meta

Makthi i tërmeteve në Floq, banorët: Jemi bërë si të dytë nga mendja, jemi në qiell të hapur

DHORJELA ÇULE/ Fshati Floq në Korçë, i dëmtuar rëndë nga tërmeti i datës 1 qershor, nuk gjen qetësi. 

 

Banorët, disa prej të cilëve kanë humbur plotësisht shtëpitë dhe disa të tjerë që u janë dëmtuar rëndë, nuk dinë se çfarë do të bëhet me ta. Të parët janë në dorë të qeverisë, e cila pavarësisht zotimit për t’i rindërtuar banesat, ashtu siç edhe parashikon ligji në rast të fatkeqësive natyrore, duket se e ka marrë me shumë nge këtë punë.

Të dytët janë në dorë të natyrës ose Zotit. Banesat e dëmtuara nga tërmetet e tjera janë në prag të shembjes, duke bërë që t’u rrezikohet jeta. Shumë prej tyre i kanë kaluar dy netët e fundit jashtë, për shkak të frikës.

“Tani jemi bërë si të dytë nga mendja. Ca prej shtëpisë së dëmtuar, ca prej tërmeteve që nuk po ndalen dhe ca prej faktit që po flemë në magazinë, po na ikën mendja fare”, shprehet një banore.

“Mbrëmë nuk kemi fjetur tërë natën e natës. Kisha frikë për fëmijët”, shprehet një tjetër banor. Të paktën 14 tërmete janë shënuar gjatë 1 gushtit, ku lëkundja më e fortë ishte 3 ballë. Ndërkohë, një ditë më parë pati 9 goditje, ku më i forti ishte 4.7 ballë. Zona e jugut të Korçës, prej dy muajsh vijon të mbetet zonë me aktivitet të lartë sizmik. Lëkundjet e fundit rikthyen edhe një herë frikën e tërmetit të ndodhur në fund të qershorit, që shkaktuan dëmtimin e qindra shtëpive në Floq, Vidohovë dhe Qafëzezë.

floq

Banorët e Floqit që kanë humbur plotësisht banesat nga tërmeti i 1 qershorit, ende presin rindërtimin e shtëpive. Deri tani, vetëm 3 prej tyre janë me fat, pasi vetëm për to kanë nisur punimet për ndërtimin e shtëpive të reja. Ndërkohë me dhjetëra të tjerë do të duhet të presin ende, duke jetuar në kushte të vështira. Për të inspektuar punimet në Floq, dje ishte zv.ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi.

Përveç rindërtimit të banesave të shembura, që është faza e parë, do të vazhdojnë më tej edhe me kompensimet për banesat me dëmtime më të vogla. Ai u shpreh se shtëpitë do të përfundojnë së ndërtuari në vjeshtë.

“Do të ketë 40 banesa të rindërtuara nga e para, këto janë vetëm tri të parat. Ndërkohë janë 80 të tjera që do të rikonstruktohen. Tri ekipe nga Instituti i Ndërtimit po punojnë në terren me projektin për ndërtimin e 40 banesave dhe rikonstruksionin e 80 të tjerave. Procesi thuajse ka përfunduar në Bashkitë e Korçës dhe Kolonjës dhe së shpejti edhe në Bilisht. Janë bërë një sërë procesesh vlerësimi dhe rivlerësimi, në mënyrë që çdo gjë të përfundojë me objektivitet dhe në fund të respektojmë afatin e premtuar nga qeveria. Jemi optimistë që punimet do të mbarojnë në afat, pra në fillim të vjeshtës dhe pa u përkeqësuar moti”, u shpreh Koçi.

Nga ana tjetër, zv.ministri foli dhe për ndryshimin e ligjit për mbrojtjen civile, duke thënë se në të ardhmen bashkitë do të detyrohen që të dedikojnë 4% të buxhetit të kushtëzuar për emergjencat.

PANORAMA

Zhduket pajisja e posaçme e policisë për operacionet speciale. Nuk ishte përdorur në asnjë aksion sekret

Pas skandalit të pajisjes, “IMSI-Catcher”, dosje e cila u mbyll për shkak të afateve hetimore, një pajisje tjetër speciale është zhdukur në policinë e shtetit.

Aparatura speciale është blerë në nëntor 2014 dhe duhej përdorur për survejim, nga grupi operacional special që përbëhet nga agjente civilë dhe që marrin pjesë në aksione sekrete, për evidentimin e personave me probleme me ligjin dhe më pas arrestimin e tyre.

 

Mungesa e pajisjes u evidentua gjatë një kontrolli dhe menjëherë materialet iu referuan prokurorisë së kryeqytetit.

Kjo është aparatura speciale dhe e aksesorëve të saj që ka kushtuar shtatë milionë lekë, por që nuk është përdorur asnjëherë të vetme në aksionet sekrete.

Invetarizimi i teknikës dhe pajisjeve SVO, pra i sektorit të veprimtarisë operacionale ka nisur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të shërbimit të çështjeve të brendshme dhe ankesave.

Një kontroll i tillë është kryer për shkak të njohjes së situatës për të planifikuar se çfarë pajisjesh duheshin kryer më tej.

Pajisja më sistem regjistrimin e videove, me vlerë 7 milionë lekë duhet të ishte në magazinë, por ndërkohë mungon, thuhet në shkresën e Komsionit të Inventarizimit .

Pajisja ishte e shënuar me numër 139, cope një . Në këto kushte Drejtoria e Hetimit ka kryer verifkime duke administruar nga kartoteka, dosjen e prokurimit me objekt blerje sisteme vëzhgimi dhe regjistrimin e klasifikuar sekret, por edhe akte të brendshme për blerjen e aparaturës.

Pas veprimeve që janë kryer në sekret, prokuroria ka regjistruar çështjen për shpërdorim detyre./tch

Mirditë – Zbulohet një gur që mbart art shkëmbor

Ndërsa po punohej për hapjen e një rruge, në Xhuxhe të Fanit Të Mirditës është gjetur një gur i madh, mbi të cilin dyshohet të jetë punuar me piktogram ose ideogram.

Sapo kanë parë gurin me mbishkrime, punëtorët kanë ndërprere punimet dhe kanë njoftuar autoritet lokale.

Kolin Marku, administratori i Fanit thotë se pritet ardhja e specialistëve të fushës për të përcaktuar datimin dhe vlerën që ka ky gur.

Gjergj Marku, drejtori i Kulturës në Bashkinë Mirditë, thotë se zona ku është gjetur guri mbart vlera të jashtëzakonshme historike, ndërsa objekti i gjetur, sipas TCh, mendohet të jetë një vepër piktogrami ose ideogrami.

Në zonën ku është gjetur guri pritet të shkojnë specialistet e Shërbimit Arkeologjik Shqiptar për të përcaktuar vlerat që ky gur mbart dhe periudhën së cilës i përket.

Në rrezik plotësimi i 6 vendeve në Gjykatën Kushtetuese

Armand Mero

Në Shqipëri, procesi i nisur për anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese nuk do të mund të çojë në plotësimin e 6 vendeve bosh të cilat duhet të emërohen 3 nga presidenti dhe 3 nga parlamenti.

Në mbledhjen e fundit të dy ditëve më parë, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka vendosur ndalimin e kandidimit ndërmjet të tjerëve dhe për Fiona Papajorgjin, Valbona Balën dhe Sinan Tafajn. Këta tre emra ishin të vetmit që kandidonin për zëvendësimin e ish anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo, të rrëzuar nga procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve. Në një situatë të tillë, në përfundim të të gjitha procedurave, Parlamentit i duhet të shpallë një thirrje të re.

Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese, e cila aktualisht ka vetëm një anëtar, Vitore Tushën, pritet të ketë vetëm 5 anëtarë të rinj, duke bërë që numri të shkojë në limitet e funksionimit të saj dhe mundësisë së vendimarrjes, vetëm me 6 gjyqtarë.

Por ky proces rrezikohet dhe nga një moment tjetër, që mund ta reduktojë edhe me një tjetër anëtarë Gjykatën. Për shkak të numrit të kufizuar të kandidatëve që janë përzgjedhur, gjithshka duket se do të jetë në dorë të presidentit Iir Meta. Nëse Kreu i Shtetit për tre vendet vakante të shpallura prej tij, do të përzgjidhte emrat e Arta Vorpsit, Besnik Muçit dhe Elsa Toskës, atëherë automatikisht, do të mbetej pa kandidat vakanca e shpallur nga parlamenti për zëvendësuesin e ish anëtarit Vladimir Kristo. Ky rast mund të tejkalohet nëse do të ketë një koordinim mes dy institucioneve, në mënyrë që të mos pengojnë njëra tjetrën, dhe presidenti do të zgjidhte të paktën një nga dy kandidatët e tjerë të kualifikuar.

Deri më tani 12 kandidatë janë rrëzuar, dhe vetëm 5 janë përzgjedhur. Nga këto Besnik Muçi pret vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit në fillim të shtatorit, ndërsa për Regleta Panajotin, pritet të shihet nëse Komisioneri Publik do të bëjë ose jo ankimim për vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi atë në detyrë. Në listë janë dhe dy kandidatë të tjerë në pritje të shqyrtimit.

Rivarrosen ushtarët grekë në Këlcyrë

Komisioni shqiptaro-grek i ngritur për kërkimin e eshtrave të të rënëve, ka punuar për gati një vit në luginën e Sajmolës. Gërmimet nxorën në dritë eshtrat e rreth 670 ushtarëve të rënë 78 vite më parë gjatë luftës italo-greke.


Rivarrimi i tyre ka nisur në fillim të verës në Bularat dhe është shoqëruar me debate dhe kundërshti në të dy vendet.

Më parë shoqata e familjarëve të të rënëve i akuzoi komisionet se i kanë kryer ceremonitë në fshehtësi. Në të gjitha ceremonitë numri i familjarëve ishte minimal edhe për faktin se pothuajse të gjithë rezultojnë pa identitet.

Numri i ushtarëve të varrosur pranë Manastirit të Shën Nikollës në Këlcyrë pas ceremonisë se te enjtes shkon në rreth 900

Gjatë një ceremonie të ngjashme rivarrimi nga Bularati më herët këtë vit Ambasadorja e Greqisë Eleni Surani, u bëri thirrje familjarëve të dorëzojnë AND-në e tyre në mënyrë që të bëhet identifikimi i eshtrave.

Eshtrat e 85 të rënëve do të prehen në murin memorial të ushtarëve të panjohur në Këlcyrë./T.CH

(Video) Rrënqeth Justina Aliaj: Teatri Kombëtar për mua është i shenjtë: unë ulem në gjunjë për mos me e shemb Teatrin

Aktorja dhe këngëtarja e madhe shqiptare Justina Aliaj ishte e pranishme mbrëmjen e sotme në sheshin para Teatrit Kombëtar nga ku ka mbajtur edhe një fjalim të shklurtër dhe tepër emocionues sa herë pas here është ndërprerë nga duartrokitjet e qytetarëve që ishin prezent.

Aliaj përshëndeti rezistencën e artistëvve dhe aktivistëve dhe tha ndër të tjera se nuk është kundër të resë dhe modernes, por Teatri nuk duhet prekur dhe argumentoi se duhet të jetoje pafundësisht për atë çfarë i ka dhënë vendit.

Teatri duhet qëndis dhe jo të rrëzohet thotë ajo teksa shton se nëse është nevoja mund të ulet edhe në gjunjë për t’u lutur që të mos shembet.

“Jeni të nderuar, fjala e parë e fundit ka me qenë se ne paskemi ditë për kë me performojmë u drejtohet qytetarëve të pranishëm). Ju faleminderit shumë. Teatri Kombëtar për mua është i shenjtë, populli është i shenjtë, dhe të gjithë ne luftojmë për këtë vend të shenjtë, për këtë tempull.

Unë mbaj mend shfaqjen e fundit që kam mbajtur “Tartufi-n”, ka qenë një lumturi që nuk ma zinte zemra. Kaq bukuri dhe frymëzim më jepte ajo sallë sa është e papërsëritshme. Ato gurë e murë me të cilët është ndërtuar më dukej sikur më thonin, ‘po të mbajmë mbi shpatulla, dil e thuaje fjalën tëndë, dil e thuaj se çfarë kemi parë ne’, e – kështu do të jetojë pafundësisht ky Teatër.

Nuk e di, unë e dua shumë të renë, më pëlqen shumë dhe do doja të kishte pafundësisht teatro. Në mendjen time kam thënë 3 katër teatro të reja të ndërtohen, me 3-4 spitale, e ndoshta edhe azilet e pleqve e cerdhet e kopshtet sepse ata janë dy breza që nuk punojnë e presin prej jush, presin prej popullit.

Dhe në fund, me i ardh radha këtij Teatri me e qëndis dhe jo me e rrëzu. Është një kënaqësi e madhe dhe detyrim mos me vdek pa e thënë fjalën tëndë, dhe nëse është e nevojshme me e mbrojt, unë ulem në gjunjë për mos me e shemb Teatrin. Roza faleminderit që ke ardhur, është kënaqësi e madhe me pas miq, shokë e bashkëqëndrestarë si ju. Ju faleminderit shumë”, tha artistja e madhe shqiptare, Justina Aliaj.

 


Send this to a friend