Flet xhaxhai i mësuesit Alban Bejleri: që ndërroi jetë teksa kthehej nga puna rrëfehet mes lotësh: Bënte 7 km në këmbë, e transferuan për shkak të bindjeve!
Një mësues me përvojë të gjatë në arsim ka ndërruar jetë si pasojë e një ataku kardiak ditën e djeshme (16 prill), teksa kthehej për në shtëpi, pas përfundimit të detyrës së tij në fshatin e largët Marjan, në bashkinë e Maliqit, qarku Korçë.
Alban Bejleri, 52-vjeç, i cili kishte rreth tre dekada eksperiencë në arsim, prej pesë vitesh jepte mësim në këtë zonë të thellë.
Çdo ditë ai përshkonte në këmbë rreth 7 deri në 8 kilometra për të arritur në shkollë, ku zhvillonte procesin mësimor për vetëm dy nxënës.
Sipas familjarëve, Bejleri ishte një njeri i përkushtuar ndaj profesionit, që nuk shprehte asnjëherë ankesa për vështirësitë që haste. Ata kanë reaguar me dhimbje dhe indinjatë pas ngjarjes, duke ngritur shqetësime për kushtet në të cilat ai detyrohej të punonte.
Besim Bejleri, xhaxhai i arsimtarit rrëfeu sakrificat e nipit për profesionin.
“Fjalëpak, punëtor dhe besimtar. U rivu në punë në zonën e Maliqit, kam qenë edhe vetë mësues në zonat e thella. Ai ishte i sëmurë, kishte mungesë sheqeri. Kishte kërkuar të transferohej… ja e sollën tani (ironizon autoritetet për vdekjen). Bëj thirrje, për të gjithë, të kuq e të zinj, sillni ata që janë të sëmurë më afër familjeve. O qerratenj, o politikanë mendoni për këta njerëz, të sëmurët, mendoni, ishte me dy universitete, kishte 5-6 vite. Ishte pa punë, falënderoj kryetarin e bashkisë Maliq që vuri dorë dhe e futi në punë. Albani nuk para ankohej, ai ishte besimtar. E kishte 7 kilometra larg nga shkolla, bënte 7 km rrugë. O politikanë o qerratenj, hapni sytë”, tregon xhaxhai mes lotësh.
Më tej ai ngre kritika ndaj politikës shqiptare dhe trajtimit jo dinjitoz që u bëhet mësuesve, duke rrëfyer edhe sakrificat e Albanit.
“Mos i ngjastë në familje askujt, por kini mendjen, kam qenë 40 vjet mësues, o politikanë o qerratenj të mëdhenj, kujdes për arsimin. Për 2 nxënës shkonte atje. Kryeplaku thoshte se Albani ishte njeri i përsosur, gjithashtu edhe drejtori i shkollës dhe arsimtarët. Si unë qëndroi 7 vite pa punë, si unë, edhe unë aq qëndrova. Ne jemi bie, se ka dhe nga ata me pesticide, ne dimë të flasim vetëm shqip, të tjerët ngatërrojnë anglishten, turqishten me shqipen, nuk dinë të lidhin dy llafe, po them se për biografi e bindje. Kjo biografi, megjithatë do luftojmë me edukatë”, tha ai.
Edhe kolegët e tij e kujtojnë si një mësues shembullor, i cili përballej çdo ditë me sfida të mëdha, si infrastruktura e dobët dhe lodhja fizike.
Udhëtimi i tij përfshinte fillimisht mbërritjen në zonën e Lozhanit dhe më pas ecjen në këmbë drejt fshatit ku jepte mësim për 7-8 km.
Endri Fifo, koleg i Albanit, i trishtuar nga kjo humbje, tregoi për sakrificat e arsimtarit.
“Albani bën pjesë në komunitetin pedagogjik, për arsye se bën pjesë në një familje mësuesish, babai, nëna, gruaja e tij, vetë ai dhe për sa e kam njohur unë ka qenë mësues i përkushtuar, ka dhënë maksimumin e tij në punën pedagogjike dhe ka mposhtur edhe vështirësi fizike që e sollën deri këtu. Mësues i përkushtuar, i dashur me nxënësit, komunitetin. I uroj fëmijëve jetë të gjatë e mbarësi dhe të ecin në rrugën e Albanit. E merrte shkolla e Lozhanit, nga atje në këmbë deri te nxënësit. Kishte nja 4-5 vite që punonte atje. Nuk kishte probleme kardiake, kishte të diabetit si shumë njerëz. Ishte humbje e madhe. Shpesh thoshte se kishte raste që bllokohej rruga, vështirësi. Ishte humbje që nuk pritej, por jeta i ka këto. Klasë kolektive kishte atje”, u shpreh ai.
Muharrem Meka, kushëri, tregon se:
“Ishte djalë i mirë, punëtor, e kam kushëri. Kishte 30 vjet që punonte, shkonte deri në Marjan, ku nuk ka punuar, Bilisht, Devoll, e transferuan. E bënte çdo ditë rrugën atje, kishte nja dy vjet, për 5 e 10 nxënës sa të ishin atje. Por e transferuan atje, mbase e hoqën se nga PD te PS, për politikë. Ishte djalë i mirë, punëtor, kishte diabet por nuk dini tjetër, shumë ka me diabet, vetëm kur e pashë te lajmërimi u çudita”.
Myfti Staro, shok i mësuesit të ndjerë, rrëfyen se si e njihnin atë dhe përkushtimin për punën.
“E mësova nga telefoni lajmin, njeri shumë i mirë. Ka vite që punonte atje. Të tregoj pse e transferuan… Ai ishte i djathtë. Nuk e di nga se vuante, nuk ka treguar vështirësi. Bënte 8 kilometra në këmbë”, shprehet shoku i Albanit.
Ata shprehën indinjatë për braktisjen e sistemit arsimor në zonat e thella, ku mësuesve nuk u sigurohen as kushtet për transportin.
Kjo ngjarje ka shkaktuar reagime të forta nga familjarët dhe të afërmit, të cilët hedhin akuza ndaj politikës për vendimmarrjen në sistemin arsimor dhe më gjerë.
Ata kërkojnë më shumë përgjegjësi në mënyrë që raste të tilla të mos përsëriten në të ardhmen.











Komentet