VOAL

VOAL

Trump: dëshmia e Comey-it, hakmarrje e vërtetë

Presidenti Donald Trump të premten e theu heshtjen në Twitter, pas dëshmisë së fuqishme të drejtorit të shkarkuar të FBI-së James Comey, duke deklaruar se ajo ishte “një hakmarrje e vërtetë”.

Trump, i cili nuk kishte postuar si zakonisht në Twitter, që kur Comey e akuzoi administratën për përhapjen e “gënjeshtrave”, u kundërpërgjigj me një tweet herët në mëngjes, ku thonte “Wow, Comey ka zbuluar sekretet”.

Sot Presidenti Trump takohet me Presidentin e Rumanisë, Klaus Iohannis dhe më pas të dy ata do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Në paraqitjen e tij të parë para Kongresit që pas shkarkimit të papritur muajin e kaluar, në dëshminë e tij dje, zoti Comey foli për mungesën e besimit të Presidentit ndaj tij, duke thënë hapur se ai e kishte shkarkuar nga puna me synimin për të ndërhyrë tek hetimi që po zhvillohet mbi lidhjet e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.

SHBA e kanë rrëzuar një fluturake pa ekuipazh të Hezbollahut në Siri

Një aeroplan luftarak amerikan i tipit F-22 Raptor

 

Një fluturake pa ekuipazh, për të cilën zyrtarët amerikanë thonë se ishte dhuruar nga Irani për forcat e Hezbollahut, në pjesën jugore të Sirisë, kishte shtënë kundër trupave aleate të Shteteve të Bashkuara, prandaj ishte rrëzuar dje nga një aeroplan luftarak amerikan.

Zyrtarët amerikanë thanë se armatimi i hedhur nga kjo fluturake nuk kishte eksploduar, prandaj askush nuk ishte dëmtuar.

Por, koleneli i armatës amerikane, Ryan Dillon, tha se ajo ishte kërcënim direkt për trupat e Shteteve të Bashkuara dhe forcat lokale, që stërviten për të luftuar kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, në rajon.

Sulmi i fluturakes pa ekupiazh është bërë pas kërcënimit të Hezbollahut se do t’i sulmoj forcat amerikane dhe u bë disa orë pasi Shtetet e Bashkuara i kanë bombarduar trupat e Qeverisë së Sirisë dhe aleatët e saj, brenda një zone të mbrojtur në këtë hapësirë.

Kjo ishte hera e tretë që koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara i ka sulmuar trupat në zonën e mbrojtur.

Shtëpia e Bardhë: Presidenti Trump “nuk është gënjeshtar”

Sarah Huckabee Sanders

 

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se presidenti, Donald Trump, “nuk është gënjeshtar”, pasi ish-drejtori i agjencisë FBI, James Comey i tha sot një komiteti të Senatit amerikan, se ishte diskredituar nga “gënjeshtrat” e administratës.

E pyetur për dëshminë e zotit Comey, zëdhënësja, Sarah Huckabee Sanders, tha sot se “mund të them se presidenti nuk është gënjeshtar”.

Ajo foli në një takim me gazetarët pa kamera televizive.

Comey dëshmon: Administrata Trump përhapi “gënjeshtra” dhe më “diskreditoi mua dhe FBI-në”

Drejtori i shkarkuar i FBI-së, James Comey tha sot në dëshminë e tij se administrata e Presidentit Donald Trump përhapi “gënjeshtra për të” dhe “e diskreditoi” atë dhe FBI-në.

Ish-drejtori i FBI-së e hapi seancën e shumëpritur në Senat, duke thënë se motivacioni i administratës për shkarkimin e tij, e kishte bërë konfuz dhe e kishte shqetësuar.

Zoti Comey tha se kishte mbajtur shënime pas çdo kontakti me Presidentit Trump, sepse e dinte se mund të vinte një ditë që mund t’i duhet të vetëmbrohej.

Ai tha se nuk kishte ndjerë një nevojë të tillë me ish-Presidentin Obama.

“Shpresoj që të ketë kaseta”, tha zoti Comey duke iu referuar sugjerimit të zotit Trump se ai mund t’i kishte inçizuar bisedat e tyre.

Zoti Trump kishte në plan ta ndiqte seancën në Shtepinë e Bardhë me ekipin e tij ligjor dhe këshilltarët e afërt.

Zoti Comey tha se e kishte intepretuar “udhëzimin” e Presidentit Trump se shpresonte që ish-drejtori i FBI-së, të hiqte dorë nga një hetim për ish-Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Michael Flynn.

Senatori republikan James Risch pyeti nëse zoti Comey ishte në dijeni të ndonjë personi që ishte akuzuar për pengim të drejtësisë, vetëm sepse kishte shprehur shpresën për një përfundim të caktuar. Zoti Comey thotë se nuk dinte ndonjë rast të tillë. .

Por ai shtoi më seancën në Senat se “e kishte interpretuar si udhëzim” dhe vuri në dukje se komenti ishte bërë në një takim kokë kokë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara.

Zoti Comey tha se në një darkë në janar me Presidentin se ai “donte të siguronte diçka” në këmbim të mbajtjes së tij në detyrën e Drejtorit të FBI-së.

Zoti Comey tha për Presidentin Trump se “i besonte fjalës së tij” se ishte shkarkuar për shkak të hetimit të FBI-së për Rusinë.

Comey tha se komuniteti i zbulimit “ka bindje të fortë” se Rusia ndërhyri në fushatën e zgjedhjeve për të ndihmuar zotin Trump të fitonte ndaj rivales demokrate Hillary Clinton.

Në deklaratën e shkruar që i dorëzoi Komisionit të Senatit për Çështjet e Zbulimit, zoti Comey tha se Presidenti Donald Trump i ka kërkuar atij besnikëri gjatë bisedave që të dy ata kanë patur në Shtëpinë e Bardhë lidhur me hetimet e kësaj agjencie për disa zyrtarë të tanishëm dhe të mëparshëm të administratës. Dje pasdite, Komisioni publikoi paraprakisht një kopje të deklaratës prej shtatë faqesh që zoti Comey do të paraqesë në hapje të një seance të shumëpritur të Komisionit. ((https://www.intelligence.senate.gov/sites/default/files/documents/os-jcomey-060817.pdf)).

Deklarata u bë publike dje pasdite, pak orë pas një seance të mëparshme të Komisionit të Zbulimit, në të cilën Drejtori i Zbulimit Kombëtar dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Inteligjencës refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve të senatorëve rreth zotit Comey dhe hetimeve për Rusinë.

Në deklaratën e tij, zoti Comey jep hollësi befasuese për pesë biseda që ai ka patur me Presidentin Trump. Mes të tjerash ai lë të kuptohet se Presidenti i ka kërkuar të ndryshojë rrjedhën e hetimeve të FBI-së për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Trump: “Pres besnikëri nga ju”

Siç tregon zoti Comey, në një bisedë në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti i tha: “Unë kam nevojë për besnikëri, pres besnikëri nga ju”. “Nuk lëviza, nuk fola dhe as ndryshova shprehjen e fytyrës gjatë heshtjes së vështirë që pasoi,” shkruan ish-shefi i FBI-së. “Ne thjesht nisëm të shihnim njëri-tjetrin në heshtje”.

Në deklaratën e tij me shkrim, zoti Comey tregon se i kishte thënë tri herë Presidentit se ai nuk ishte objekt i hetimit të FBI-së, që synonte të sqaronte nëse bashkëpunëtorët e zotit Trump kishin patur kontakte të papërshtatshme me zyrtarët e qeverisë ruse.

Në një pasazh tjetër, zoti Comey dëshmon se Presidenti Trump i kishte kërkuar më 14 shkurt të hiqte dorë nga hetimi për gjeneralin Michael Flynn, i cili ishte shkarkuar si këshilltar i sigurisë kombëtare një ditë më parë. “Shpresoj se ju mund të gjeni mënyrën për të hequr dorë nga kjo, për ta lënë çështjen Flynn,” i kishte thënë Presidenti, gjithnjë sipas deklaratës së zotit Comey. “Ai është njeri i mirë. Shpresoj se mund ta kaloni çështjen e tij.”

Muajin e kaluar, Presidenti Trump mohoi kategorikisht se i kishte bërë presion ish-shefit të FBI-së që të mbyllte çështjen Flynn ose të hiqte dorë nga hetimi i saj. Presidenti hodhi poshtë gjithashtu pohimet se bashkëpunëtorët e tij janë marrë vesh me Rusinë që ajo të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit, duke e quajtur këtë një “gjueti shtrigash”.

Komentojnë përkrahësit e zotit Trump

Pas publikimit të deklaratës së zotit Comey, mbështetësit e Presidentit Trump thanë se aty nuk kishte asgjë që lë të kuptohet se Presidenti ka bërë ndonjë shkelje.

Avokati Marc Kasowitz, këshilltar privat i zotit Trump për hetimin e çështjes së Rusisë tha se presidenti “ndihet plotësisht i shfajësuar”.

“Presidenti, – tha zoti Kasowitz, – është i kënaqur që zoti Comey më në fund ka konfirmuar publikisht se presidenti nuk është nën hetime, në asnjërin prej hetimeve rreth Rusisë.” “Ai mezi pret të vazhdojë punën për të vënë në jetë axhendën e tij si president”.

Kryetarja e Komitetit Kombëtar Republikan Ronna McDaniel theksonte të njëjtën gjë në një deklaratë në faqen e internetit të këtij Komiteti: “Presidenti Trump kishte të drejtë. Deklarata e drejtorit Comey rikonfirmoi atë që presidenti ka thënë gjatë gjithë kohës, se ai kurrë nuk ka qenë nën hetime”.

Demokratët e shohin ndryshe çështjen

Demokratët në Kongres e shohin ndryshe rëndësinë e dëshmisë së zotit Comey.

Kongresmeni Adam Schiff, demokrat i lartë në Komisionin për Inteligjencën në Dhomën e Përfaqësuesve, i quajti “shqetësuese” akuzat e zotit Comey. Në një deklaratë, zoti Schiff tha se bisedat e presidentit me zotin Comey “përfaqësojnë një tjetër përpjekje të papërshtatshme për të detyruar agjencitë e inteligjencës të shërbejnë si mjete të Shtëpisë së Bardhë për marrëdhëniet me publikun dhe për të minuar pavarësinë apo integritetin e komunitetit të inteligjencës”.

Disa kritikë të tjerë të zotit Trump thanë se pohimet e zotit Comey tregojnë se presidenti është përpjekur të ndërhyjë në mënyrë të papërshtatshme dhe se kjo mund të përbëjë pengim të drejtësisë.

Një ish-zyrtar i vjetër i FBI-së, i cili nuk deshi të identifikohej, i tha Zërit të Amerikës se “Zoti Comey ka vepruar korrekt për gjithçka.” Kjo ngjarje thjesht flet për një president që nuk e kupton se si funksionon qeveria dhe se e trajton qeverinë sikur të ishte një biznes.”

Kreu i FBI-së u shkarkua në muajin maj

Presidenti Trump e shkarkoi zotin Comey muajin e kaluar. Shtëpia e Bardhë në fillim lëshoi një deklaratë duke thënë se shkarkimi ishte bërë me rekomandimin e Zëvendës Prokurorit të Përgjithshëm Rod Rosenstein, i cili kishte dërguar një memo ku kritikonte mënyrën se si zoti Comey i trajtoi hetimet rreth çështjes së emailave të kandidates demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Më vonë, vetë zoti Trump e hodhi poshtë këtë version. Ai i tha një gazetari se kur shkarkoi zotin Comey “kishte në mendje punën e Rusisë”.

Studiuesit e presidencës thonë se, nëse versioni i ngjarjeve i treguar nga zoti Comey konfirmohet, kjo do të paraqiste një sfidë të rëndësishme ndaj barrierave tradicionale që synojnë të ruajnë pavarësinë e institucioneve ligjzbatuese në SHBA.

“Mendoj se një nivel të tillë shqetësues ndërveprimi mes presidentit dhe FBI-së nuk e kemi parë që nga koha e Uotërgejtit,” thotë Dan Mahaffee, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Presidencës dhe Kongresit.

Të mërkurën, dy zyrtarë të lartë i thanë Komisionit të Senatit për Zbulimin se nuk kishin ndjerë ndonjë trysni të papërshtatshme nga presidenti për të deklaruar publikisht se nuk ka patur ndonjë koordinim të mundshëm mes ndihmësve të zotit Trump dhe Rusisë në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats dhe Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Michael Rogers u thanë anëtarëve të Komisionit se nuk mund të flisnin publikisht mbi hollësitë e takimeve të tyre me Presidentin Trump në muajt e fundit. Ata refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve nëse zoti Trump u kishte kërkuar të ndërhynin për të frenuar hetimet rreth ndikimit rus në fushatën presidenciale të 2016s.

James Comey: Telefonatat dhe takimet e mia me Trumpin (pasazhet kryesore)

Ish-drejtori i FBI-së, James Comey i cili flet të enjten para komisionit hetimor të senatit amerikan ka dhënë një deklaratë me shkrim më parë. Pasazhet kryesore:

27 Janar

“Presidenti më telefonoi rreth mesditës dhe më ftoi për një darkë…aty doli se vetëm ne të dy ishim pjesë, në një tavolinë të vogël ovale. Presidenti e filloi bisedën me pyetjen, nëse unë dua ta mbaj postin e drejtorit të FBI-së. M’u duk e çuditshme, sepse më kishte thënë dy herë më parë, se ai shpreson që do të qëndroj në detyrë…. i thashë se e dua punën dhe mendoj të përmbush mandatin prej 10 vjetësh…. Disa momente më vonë presidenti më tha ‘Unë dua besnikëri, pres besnikëri’. Nuk lëviza, nuk fola, nuk ndryshova shprehjen e fytyrës përgjatë heshtjes së pakëndshme që pasoi…… Në fund të darkës presidenti përmendi edhe njëherë postin… Ai tha: ‘dua besnikëri’. Unë iu përgjigja: ‘Gjithmonë do të keni ndershmërinë time.'”

14 shkurt

“Më 14 shkurt isha për një takim të shkurtër me presidentin në Oval Office… Në fund presidenti i sinjalizoi grupit se do të flasë vetëm me mua… “Dua të flas për Mike Flynn… tha se “ai është një djalë i mirë, ka përballuar shumë… pastaj tha se ‘shpresoj të gjeni një rrugë të lirë, ta lini këtë, ta lini Flynn. Është djalë i mirë. Shpresoj ta lini…. nuk e kuptova këtë sikur presidenti po fliste për hetimet kundër Rusisë në kuptimin më të gjerë apo për lidhje të mundshme me ekipin e tij zgjedhor… sido që të jetë ishte e shqetësuese, për shkak të rolit të FBI-së si autoritet i pavarur hetimor.”

30 mars

“Presidenti më thirri në FBI. Ai i përshkroi hetimet për Rusinë si “re” që kufizon mundësitë e tij të punojë në të mirë të vendit, ai tha se nuk ka të bëjë me Rusinë dhe aspak me prostituta në Rusi… Më pyeti se ç’mund të bëja për ta çarë “këtë re”. I thashë se ne po hetojmë sa më shpejt të jetë e mundur. Ai tha se shpreson që unë të gjej një mënyrë, që të bëj publike, se nuk po hetojmë personalisht kundër tij.”

11 prill

“Në mëngjesin e 11 prillit presidenti më telefonoi dhe më pyeti, se çfarë kisha bërë lidhur me lutjen e tij, të bëja publike që ai nuk është objekt i hetimeve. Iu përgjigja, se kërkesën e kisha transferuar tek ministri i Drejtësisë. Ai tha: ‘kam qenë shumë luajal me ju, shumë luajal…. e kishim këtë gjë, ju e dini.’ Nuk u përgjigja dhe nuk e pyeta, se ç’kishte parasysh me ‘këtë gjë’. Kjo ishte hera e fundit që fola me presidentin Trump.”

Ish-kreu i CIA: Skandali i Trumpit, më keq se Watergate

Ish-kreu i CIA-s, James Clapper, ka deklaruar se kontradiktat që rrethojnë Presidentin aktual amerikan, Donald Trump, në lidhje me Rusinë, janë më keq se skandali i përgjimeve “Watergate”, i cili rrëzoi nga pushteti ishPresidentin amerikan Richard Nixon.

“Watergate” përfshinte një sërë aktivitetesh të fshehta dhe ndonjëherë të paligjshme të ndërmarra nga anëtarët e administratës së atëhershme të presidentit Nixon, duke çuar në dorëheqjen e tij në vitin 1974. Clapper, drejtori i CIA-s në administratën e ish-presidentit Obama, gjatë një fjalimi në “National Press Club” në Kanberra, tha se Trump ka nisur një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe institucioneve të tyre. Ai e quajti shkarkimin e drejtorit të FBI-së, James Comey, si të egër dhe të pafalshëm. Clapper tha se Trumpi i kërkoi Comey të hidhte poshtë publikisht argumentet mbi lidhjet e tij të dyshuara me Rusinë. Comey pritet të dëshmojë sot në një seancë të Senatit amerikan, si pjesë e një hetimi nëse në fushatën e Trump fshihen zyrtarët rusë, dhe nëse ka pasur ndërhyrje ruse në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

SHBA arreston dhjetëra pjesëtarë të një bande ruse

Ilustrim

 

Autoritetet amerikane arrestuan dhe akuzuan dhjetëra pjesëtarë të një, siç u tha, “sindikate ruse të krimit të organizuar” që punonte jashtë qytetit të Nju Jorkut.

Zyra e prokurorit në Nju Jork tha se të dyshuarit kanë vepruar ndërkombëtarisht dhe anembanë SHBA-së, duke trafikuar drogë dhe mallra të vjedhura, si cigare dhe çokollata.

Sipas prokurorëce, të dyshuarit kanë qenë të angazhuar edhe në zhvatje, vrasje me pagesë dhe mashtrim me karta krediti.

Shumica e 33 të pandehurve janë udhëhequr nga Razhden Shulaya dhe Zurab Dzhanashvili, kanë lindur në ish-Bashkimin Sovjetik dhe kanë pasur lidhje të fuqishme me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Rusinë, thanë prokurorët federalë.

Grupi, mes tjerash, akuzohet për komplot për të vjedhur viktimat, duke i joshur dhe droguar me kloroform, dhe për përdorim të pajisjeve elektronike për të pirateruar makinat e kazinove.

Flet ish-shefi i FBI-së: Trumpi më kërkoi dorëheqjen nga hetimi i Flynn

James Comey, ish-drejtori i FBI-së, konfirmoi në një deklaratë të shkruar në Kongres, të publikuar sot, se Donald Trump i kërkoi të braktisë hetimin mbi Michael Flynn, ish-këshilltar i tij i përzier në aferën e ndërhyrjeve ruse në zgjedhje.

Duke treguar për një takim të 14 shkurtit në Zyrën Ovale, Comey shkruan se Trump i foli për hetimin mbi Michael Flynn, ish-këshilltari i tij për sigurinë kombëtare.

“Shpresoj se ju mund të gjeni një mënyrë për ta braktisur këtë, të lironi Flynn. Është një njeri i mirë”, deklaroi Comey duke cituar fjalë që sipas tij ia kishte thënë presidenti amerikan.

“Në një darkë ballë për ballë të 27 janarit, Donald Trump më tha se kishte nevojë për besnikëri”, deklaroi Comey.

“Pres besnikëri!”, sipas ish-drejtorit të FBI-së./Express

SHBA, dy zyrtarë të lartë të zbulimit dëshmuan sot para Senatit

Në SHBA, një ditë para dëshmisë së parë publike që ish-shefi i FBI-së James Comey para një komisioni të Senatit rreth shkarkimit të tij dramatik nga Presidenti Donald Trump, ligjvënësit morën në pyetje zyrtarët më të lartë të ekipit të sigurisë kombëtare të vendit.

Por Drejtori i Zbulimit Kombëtar Dan Coats dhe Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare Michael Rogers nuk pranuan t’u përgjigjen publikisht pyetjeve për këtë çështje; ata gjithashtu nuk dhanë hollësi lidhur me takimet e tyre në Shtëpinë e Bardhë me zotin Trump.

“Nuk kam ndjerë asnjëherë presion për të ndërhyrë, me synimin për të manipuluar të dhënat e zbulimit për t’u dhënë atyre nuanca të caktuara politike”, tha zoti Coats. “…Ose në lidhje me një hetim që është duke vazhduar”, – shtoi ai.

Gazeta “Washington Post” shkruante sot se në mars, më pak se një javë pasi Senati e konfirmoi zotin Coats në postin e Drejtorit të Zbulimit Kombëtar, për të mbikqyrur 17 agjenci amerikane të zbulimit, Presidenti Trump i kishte kërkuar atij të ndërhynte tek drejtori i atëhershëm i FBI-së James Comey për të zbrapsur një hetim ndaj Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare Michael Flynn, të cilin Trump e shkarkoi vetëm 24 orë pasi e emëroi në atë post, ngaqë kishte gënjyer nënpresidentin Mike Pence lidhur me kontaktet e tij me ambasadorin e Rusisë në Uashington.

Por zoti Coats tha se ishte e papërshtatshme që ai të diskutonte në pulbik për bisedime e tij në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin Trump.

Edhe Michael Rogers mbajti të njëjtin qëndrim, duke mos pranuar të bënte publike bisedat e tij me Presidentin; ai gjithashtu mohoi se ndaj tij ishte ushtruar presion nga ana e Presidentit, për të minimizuar lidhjet e zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me zyrtarët rusë.

Seanca zhvillohet ndërkohë që Shtëpia e Bardhë përpiqet të zbusë efektet që ka sjellë shkarkimi i ish-shefit të FBI-së, Comey, gjë që çoi në emërimin e një prokurori të posaçëm, për të marrë përsipër hetimet rreth ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Të enjten, zoti Comey, të cilin Presidenti e pushoi nga puna, ndërsa ai ishte duke drejtuar hetimin e FBI-së për Rusinë, do të dëshmojë para të njëjtit Komision të Senatit. Sipas njoftimit të mediave, ndihmës të paidentifikuar të zotit Comey thonë se Presidenti i kishte kërkuar ish drejtorit të FBI-së besnikëri ndaj tij dhe më pas, ditën pasi Trump shkarkoi zotin Flynn, që të zbrapste hetimin e FBI-së për lidhje të mundshme mes tij dhe rusëve.

Dëshmia e dy zyrtarëve të lartë të zbulimit vjen ndërsa një anketë e ditëve të fundit e gazetës “Washington Post” dhe televizionit “ABC News”, arrin në përfundimin se 56 për qind e amerikanëve në moshë madhore mendojnë se Presidenti Trump po ndërhyn tek disa hetime që janë duke u zhvilluar ndaj Rusisë, ndërsa 61 për qind e tyre mendojnë se Trump e shkarkoi Comey-n për të mbrojtur veten dhe jo për të mirën e vendit.

Dëshmia e James Comey-t në Senat, ja çfarë pritet

Ish drejtori i FBI-së James Comey, i cili u shkarkua gati një muaj më parë nga Presidenti Donald Trump, do të dëshmojë të enjten përpara Komisionit të Zbulimit të Senatit. Ky komision po heton mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vitit të kaluar si dhe çdo lidhje të dyshuar mes Moskës dhe rrethit të ngushtë të zotit Trump.

Kjo është dalja e parë publike për zotin Comey që kur presidenti Trump e shkarkoi pa pritur më 9 maj.

Në atë kohë zoti Comey po drejtonte hetimin e FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në fushatën presidenciale të vitit të kaluar dhe bashkëpunimin e mundshëm mes ndihmësve të fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë. Ndërhyrje që synonin të ndihmonin zotin Trump të fitonte ndaj sfidantes demokrate, ish Sekretares së Shtetit Hillary Clinton.

Pas shkarkimit presidenti e cilësoi zotin Comey “si njeri që kërkon të duket” dhe “pompoz”

Pak ditë nga shkarkimi, bashkëpunëtorët e zotit Comey thanë se ish shefi i FBI-së kishte mbajtur shënime të detajuara për takimet e tij me zotin Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Seanca dëgjimore e zotit Comey përpara komisionit të Senatit për zbulimin, është caktuar për nesër në orën 10 me orën lokale të Uashingtonit.

I pyetur mbi dëshminë e pritshme të zotit Comey presidenti Trump tha: “I uroj fat.”

Presidenti ka një axhendë të ngjeshur ditën e enjte”, njoftoi sekretari i shtypit në Shtëpinë e Bardhë Sean Spicer. Ai shtoi se zoti Trump ka takime dhe një fjalim gjatë kohës që zoti Comey do të dëshmojë përpara senatit.

Por cilat janë disa nga pyetjet që ka gjasë t’i bëhen ish kreut i FBI-së?

  1. A i ka kërkuar presidenti Trump zotit Comey të jetë besnik ndaj tij?

Sipas njoftimeve në shtyp, burimet pranë ish shefit të FBI-së thonë se gjatë një darke në Shtëpinë e Bardhë zoti Trump i kërkoi zotit Comey, të zotohet se do të jetë besnik ndaj tij.

Gjatë një intervistë për rrjetin NBC News, presidenti Trump e përshkroi ndryshe diskutimin gjatë darkës. Ai tha se ishte zoti Comey ai që i kërkoi të takohen, sepse siç tha, drejtori i FBI-së donte të mbante vendin e punës. Presidenti nuk përmendi ndonjë kërkesë për “zotim për besnikëri”.

  1. A i kërkoi zoti Trump zotit Comey të heqë dorë nga hetimet ndaj ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare Michael Flynn?

Sipas shtypit, zoti Comey kishte njoftuar anëtarët e rrethit të tij të ngushtë se presidenti Trump i kishte thënë se shpresonte që zoti Comey të hiqte dorë nga hetimi i zotit Flynn dhe kontakteve të tij me agjentët rusë.

Shpresoj se mund të shihni qartë mundësitë për ta lënë këtë gjë dhe Flynnin” shkruante “Times” që citonte atë që zoti Trump i kishte thënë drejtorit të FBI-së, në takimin privat me të në Zyrën Ovale. “Ai është një njeri i mirë. Shpresoj të mos merreni më me të“.

  1. A mendon zoti Comey se veprimet e zotit Trump ishin një përpjekje për të penguar hetimet ndaj Rusisë?

Nuk ka gjasa që zoti Comey t’i japë një përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Ai pritet t’i përmbahet përshkrimit të ngjarjeve dhe të lerë të tjerët të analizojnë implikimet ligjore të tyre.

  1. A i ka thënë zoti Comey zotit Trump, disa here, se presidenti nuk ishte nën hetim?

Në një letër, ku informonte zotin Comey për arsyet e shkarkimit të tij nga FBI-ja, presidenti Trump shkruante: “E vlerësoj shumë që më keni informuar në tre raste të veçanta, se unë nuk jam nën hetim, lidhur me Rusinë.

  1. A mundet që zoti Comey të sjellë ndonjë provë të bashkëpunimit të fshehtë mes rrethit të ngushtë të zotit Trump dhe zyrtarëve rusë?

Nëse dikush nga rrethi i ngushtë i presidentit Trump ka bashkëpunuar apo jo në mënyrë të fshehtë me Rusinë në komplotin për të dëmtuar fushatën presidenciale të Hillary Clintonit kjo përbën fokusin e hetimit federal dhe të Kongresit. Zoti Comey nuk ka gjasa të japë ndonjë përgjigje përfundimtare.

Trumpi do të emërojë avokatin Christopher Wray shef të FBI-së

Presidenti Donald Trump tha se do të emërojë një ish-zyrtar të Departamentit të Drejtësisë si drejtor të Byrosë Federale të Hetimeve.

Zoti Trump tha me anë të një komenti në Twitter se personi që do të emërojë në këtë post, avokati Christopher Wray, ka kredenciale të shkëlqyera, por nuk dha hollësi të tjera.

Christopher Wray është pjesë e një liste ish-prokurorësh, politikanësh dhe zyrtarësh ligjzbatues të intervistuar nga zoti Trump, që kur presidenti shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey muajin e kaluar.

Avokati Wray ka përfaqësuar guvernatorin e Nju Xhersit Chris Christie gjatë hetimeve rreth çështjes së mbylljes së korsive në Urën George Washington. Dy ish-ndihmës të zotit Christie u shpallën fajtorë se ishin përpjekur të mbyllnin korsitë e urës për të ndëshkuar një kryebashkiak demokrat.

Zoti Wray ka punuar për Departamentin e Drejtësisë nën presidentin Xhorxh W. Bush.

SHBA-ja mbështetë anëtarësimin e Maqedonisë në NATO

Qeveria e Maqedonisë

 

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një zgjidhje të pranueshme mes Maqedonisë dhe Greqisë për kontestin e emrit, ka deklaruar ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily pa saktësuar se cila do të mund të ishte ajo zgjidhje për çështjen e emrit që po e mban të bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

“Është mirë që Maqedonia zhvillon negociata me Greqisë dhe me vendet tjera fqinje. SHBA-të gjithmonë e kanë mbështetur dhe do ta mbështesin Maqedoninë në rrugën drejt NATO-s dhe BE-së”, ka deklaruar Baily, i pyetur nëse Uashingtoni mbështetë anëtarësimin e Maqedonisë me shkurtesën IRJM.

“Duhet biseduar me Qeverinë e re si dhe me gjithë faktorët tjerë në shoqëri edhe me opozitën për hapat që duhet të merren. Ky është një proces që përfshinë gjithë shoqërinë dhe shtetin në përgjithësi. Pra, i gjithë shteti duhet bashkohet rreth kësaj që të arrihet zgjidhje”, ka thënë Baily.

Ambasadori amerikan gjithashtu ka thënë se procesi i reformave në gjyqësi dhe në sfera tjera është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit.

Lidhur me çështjen e emrit, kryeministri Zoran Zaev ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin grek, Aleksis Cipras. Detaje nga kjo bisedë nuk janë dhënë përveç asaj se dy kryeministrat kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Maqedonisë dhe mundësinë e një takimi të nivelit të lartë gjatë këtij muaji në Athinë.

Mediat amerikane – Trumpit: Largohu nga rrjetet sociale, po turpëron veten dhe shtetin

Mediat dhe një pjesë e konsiderueshme e publikut amerikan po kërkojnë që Presidenti i tyre Donald Trump të mbyllë llogarinë e tij në rrjetin social Twitter dhe të mos përdorë rrjete sociale për komunikim me publikun.

Në një editorial të publikuar nga USA Today, thuhet se ‘sa herë që përdor Twitterin, Trump turpëron veten dhe shtetin’. Trump ka qenë në gjendje të prodhojë gafa të shumta gjatë Presidencës, duke përfshirë rastin kur shkroi ‘covfefe’ në Twitter, fjalë kjo e pakuptueshme në asnjë gjuhë.

Në një manual të publikuar nga instituti Cato, thuhet se Presidenti amerikan nuk guxon të komunikojë drejtpërsëdrejti me publikun, gjë që Trump e bën shpesh përmes Twitterit. Së fundi, Trump shkroi se edhe pse mediat po kërkojnë që ai të largohet nga rrjetet sociale, ai nuk do ta bëjë një gjë të tillë pasi po të dëgjonte këto media, ai nuk do të mund të bëhej President.

Publiku amerikan është gjithnjë e më pak i entuziazmuar me ardhjen e Trump në Shtëpinë e Bardhë, më shumë për shkak të disa vendimeve skandaloze, por edhe për faktin se nuk është i mirë në komunikim me publikun.

Trumpi: Izolimi i Katarit mund të jetë fillimi i fundit të horrorit terrorist

Presidenti amerikan, Donald Trump vlerësoi sot se izolimi i Katarit mund të shënojë fillimin e fundit të horrorit të terrorizmit duke u shprehur se të gjitha elementet të drejtojnë në Katar për financimin e ekstremizmit fetar.

“Vendet e Gjirit u shprehën se do të mbajnë një linjë të ashpër kundër financimit të ekstremizmit dhe të gjitha elementet të drejtojnë në Katar”, shkruan Donald Trump në profilin e tij “Twitter”.

“Ky do të jetë ndoshta fundi i horrorit të terrorizmit”, shtoi ai.

Menjëherë pas sulmit në Londër, vendet e Gjirit ndërprenë marrëdhëniet diplomatike, shoqëruar me masa ekonomike si mbyllja e të gjithë kufijve tokësorë dhe detarë mes këtyre vendeve dhe Katarit, si dhe ndalimin e fluturimeve për shoqëritë ajrore të Katarit.

Bëhet fjalë për krizën më të rëndë diplomatike që ka goditur Lindjen e Mesme që prej disa vitesh.

Trumpi kërkon ripërtëritjen e marrëdhënieve me Rusinë

Tillerson deklaroi se marrëdhëniet me Rusinë janë në nivel të ulët dhe përkeqësohen për shkak të cilës Trump ka kërkuar që të tentojë të stabilizojë situatën dhe të rivendos besim të ndërsjellë

WELLINGTON – Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, njoftoi sot se presidenti Donald Trump ka kërkuar që të ripërtërijë marrëdhëniet me Rusinë dhe të mos lejojë që trazirat politike lidhur me lidhjet e mundshme ruse në fushatën parazgjedhore të Trumpit që të sjellin pengesa.

Tillerson deklaroi se marrëdhëniet me Rusinë janë në nivel të ulët dhe përkeqësohen për shkak të cilës Trump ka kërkuar që të tentojë të stabilizojë situatën dhe të rivendos besim të ndërsjellë.

Shefi i diplomacisë amerikane këtë e deklaroi gjatë vizitës në Uelington, në Zelandë të Re, ku u takua me kryeministrin e vendit, Bill English.

Tillerson theksoi se nuk mund të komentojë detajet e hetimit rreth përfshirjes së Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke thënë se mbi atë “nuk ka njohuri të drejtpërdrejta”.

Siç tha, presidenti amerikan i ka thënë se trazirat për shkak të Rusisë nuk duhet të pengojnë punën e përmirësimit të marrëdhënieve.

“Ishte shumë i qartë kur kërkoi të punojë për marrëdhëniet në çfarëdo ritmi dhe në sferat për të cilat mendojmë se mund të bëjmë ndryshim. Vërtetë nuk jam i përfshirë në çfarëdo çështjesh të tjera”, tha Tillerson. aa

Shkrimet e Trumpit në Twitter mund ta dëmtojnë urdhrin e udhëtimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, është ballafaquar me kritika dhe pretendime se e ka dobësuar urdhrin e tij ekzekutiv, i cili pret shqyrtimin para Gjykatës Supreme.

Duke u shprehur për sulmin terrorist në Londër gjatë fundjavës, zoti Trump ka shkruar dje në Twitter se “ne na duhet Ndalimi i Udhëtimit si një nivel shtesë i sigurisë”!

Juristi, George Conway, bashkëshort i këshilltares së Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, tha se komentet e presidentit në Twitter nuk do ta ndihmojnë Departamentin amerikan të drejtësisë për ta mbrojtur urdhrin, derisa pritet që gjykata të përcaktojë se a është ai në harmoni me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Avokati, George Conway, të cilin presidenti Trump e kishte pasur në shqyrtim për ta emëruar në ndonjë post të lartë në administratën e tij, tha se komentet e presidentit nuk do të ndihmojnë për ta fituar shumicën e gjyqtarëve në gjykatë.

Duke e quajtur Ndalesë të Udhëtimit urdhrin ekzekutiv të cilin e ka nënshkruar në muajin mars, Donald Trump, po ashtu, e ka kundërshtuar edhe sekretarin e brendshëm, John Kelly, i cili muajin e kaluar pat insistuar se urdhri “nuk është ndalim i udhëtimit”.

Ish drejtori i FBI-së dëshmon të enjten në Kongres

Dëshmia e pritshme e ish Drejtorit të FBI-së James Comey para Komisionit të Zbulimit të Senatit ditën e enjte ka ngjallur interesim të madh. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Michael Bowman, njeriut që mbikqyri hetimin për Rusinë do t’i bëhet presion, që të tregojë komunikimet që ka patur me presidentin Trump, të cilat çuan në shkarkimin e tij të papritur muajin e kaluar:

Seanca e së enjtes mund të jetë dëshmia që ka ngjallur më tepër interes në disa vjet në Kapitol Hill. James Comey ka njohuri nga brenda për hetimin mbi çështjen e Rusisë:

“Një hetim mbi natyrën e kontakteve mes individëve me lidhje me fushatën e zotit Trump me qeverinë ruse…”

Zoti Comey mund të dëshmojë nëse ka patur përpjekje nga Shtëpia e Bardhë për ta penguar atë në këtë hetim. Misteri u thellua më tej pasi Presidenti Donald Trump e pushoi nga puna drejtorin e FBI-së.

“Sepse ai nuk po punonte mirë. Arsyeja është shumë e thjeshtë, ai nuk po bënte punë të mirë.”

Pastaj, Presidenti Trump bëri një deklaratë të çuditshme për zotin Comey:

“Ne patëm bashkë një darkë pune që shkoi shumë mirë dhe ai më tha se unë nuk isha objekt hetimi, gjë që unë e dija.”

Më pas, zoti Trump u duk se e kërcënoi Comey-n në Twitter, duke aluduar mbi përgjimin e bisedave. …Dhe më vonë, thuhet se gjatë takimit me diplomatë rusë, ai e etiketoi Comeyn, si “i çmendur”.

Lind pyetja, pas disa javë heshtjeje, a do të kundërpërgjigjet të enjten me të njëjtën gjuhë zoti Comey? …Dhe, a do të paraqesë ai dokumente për të cilat thuhet se ai ka detajuar bisedat e tij me Presidentin, mes të tjerash në se i është bërë presion që t’i japë fund hetimit të FBI-së për ish këshilltarin e sigurisë kombëtare Michael Flynn?

Si drejtor i FBI-së James Comey u tregua jashtëzakonisht i kujdesshëm në prononcimet e tij në publik.

“Ç’mund të thoni për hetimin që po zhvillohet mbi lidhje të mundshme të bashkëpunëtorëve të zotit Trump me rusët për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale amerikane?”, pyeti zoti Blumenthal.

“Në lidhje me hetimin? Kjo nuk është kjo diçka për të cilën unë do të komentoj”, tha zoti Comey.

Tani që është qytetar privat, zoti Comey mund të ketë më tepër liri për të folur hapur. Ligjvënësit do të kërkojnë prej tij sqarime lidhur me bisedat që ka patur me Presidentin dhe për dokumentet që ai ka.

“Ne duhet të dëgjojmë nga goja e zotit Comey për këtë çështje … Do të jetë shumë e rëndësishme të mësojmë se çfarë u tha në atë takim të muajit shkurt mes zotit Comey dhe presidentit?”- thotë senatorja republikane Susan Collins.

“Të shohim dokumentet e drejtorit Comey, të dëgjojmë më parë dëshminë e tij në Kongres,”thotë senatori Rubio.

Shtëpia e Bardhë nuk ka lënë të kuptohet në se do të përpiqet ta bllokojë dëhminë e ish shefit të FBI-së.

“Nuk jam konsultuar ende me juristët. Nuk e di akoma mendimin e tyre për këtë çështje,”- tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë.

Rrallëherë seancat në Kongres rezonojnë përtej, Kapitol Hillit.

Dëshmia e zotit Comey do të jetë një përjashtim.

Sulmet e Londrës: Trumpi kërkon luftë të ashpër ndaj terrorizmit

Presidenti Donald Trump thotë se bota duhet të heqë dorë nga prirja për korrektesë në adresimin e problemit të terrorizmit. Ai u ndal tek sulmet e Londrës si shembull i një situate që kërkon qëndrim më të ashpër ndaj emigracionit. Zoti Trump përsëriti thirrjet e tij drejtuar gjykatave që të mos pengojnë urdhrin e tij ekzekutiv për të kufizuar futjen në Shtetet e Bashkuara të shtetasve nga gjashtë vende me shumicë myslimane.

Presidenti postoi një numër komentesh në llogarinë e tij në Twitter, ku shprehte mbështetje për Britaninë, kritikonte kryebashkiakun e Londrës dhe shprehej për një luftë të ashpër ndaj terrorizmit.

“Duhet të ndalim këtë tendencë për të ruajtur korrektesën dhe t’i vihemi punës për të garantuar sigurinë e shtetasve tanë. Nëse nuk i thërrasim mendjes, gjërat do të shkojnë më keq,” shkruan presidenti.

Presidenti vuri në shenjestër edhe kryebashkiakun e Londrës, Sadik Khan, i pari mysliman që merr në dorë administrimin e kryeqytetit britanik: “Të paktën 7 të vdekur; 48 të plagosur nga sulm terrorist dhe kryebashkiaku thotë se “nuk ka arsye për t’u alarmuar” shkruan presidenti Trump në Twitter.

SHBA, protestuesit kërkojnë hetim për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale

Protestuesit në 40 shtete federale kërkuan hetime në lidhje me akuzat për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar në SHBA

NEW YORK – Protestuesit në “Marshi për të vërtetën” i organizuar në rreth 140 qytete të SHBA-ve kanë kërkuar nisjen e një hetimi të pavarur nëse Rusia ishte e përfshirë në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA.

Protestat janë organizuar në 40 shtete të SHBA, dhe 140 qytete, ndër të cilat janë New York, San Diego, Colorado Springs, Boulder, Seattle, Los Angeles, Çikago dhe Uashington.

Protestuesit kërkuan hetime në akuzat se personat të cilët kanë udhëhequr fushatën e presidentit amerikan Donald Trump janë të lidhur me Rusinë dhe nëse ky vend është i përfshirë në zgjedhjet presidenciale vitin e kaluar në SHBA.

Në marshin protestues në New York dhe Uashington morën pjesë qindra njerëz ndërsa në mesin e protestuesve në Uashington ishin edhe ish zyrtarë politik, bashkëpunëtorë të ish presidentit Barack Obama si dhe personalitete të tjera të njohura.

Përveç kësaj, në Uashington u organizuan protesta për mbështetjen e Trumpit, kur është fjala për tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja e Parisit mbi ndryshimet klimatike.

Rreth njëqind republikanë thërrisnin slogane mbështetjeje për tërheqjen e SHBA-ve nga marrëveshja e lartpërmendur.

Nga ana tjetër, organizatat për mbrojtjen e mjedisit bëjnë përgatitje për demonstrata kundër Trumpit i cili mori vendimin për tërheqje nga marrëveshja e Parisit mbi klimën.

Demokratët e denoncojnë senatorin republikan: Fshehu një raport për torturat e CIA-s

UASHINGTON– Të zgjedhurit demokratë akuzuan sot një senator republikan se kishte kërkuar fshehjen e një raporti sekret për programin e kundërshtuar të torturave të CIA-s në vitet 2000 duke kërkuar kopje të këtij dokumenti.

Sipas të zgjedhurve të opozitës, senatori republikan, Richard Burr, i cili drejton komisionin e Shërbimit Sekret të Senatit, u ka kërkuar këtë javë në mënyrë të fshehtë agjencive qeveritare t’i dërgonin kopjet e raportit të plotë për programin mbi marrjen në pyetje dhe ndalimin nga CIA, hartuar në vitin 2014 nga ky komision.

Tetë kopje i janë transmetuar Shtëpisë së Bardhë dhe agjencive të ndryshme qeveritare.
Burr theksoi dje se kërkonte t’i rikuperonte për shkak të informacioneve të ndjeshme që përmbanin.

“Ashtu si ka bërë komisioni me të gjitha informacionet e klasifikuara dhe të mbajtura sekret, do të merrja masat e nevojshme për të mbrojtur burimet dhe metodat e ndjeshme që përmbante ky raport”, shkroi ai në një komunikatë.

Por demokratët i tremben faktit se senatori republikan do të shkatërrojë të gjitha kopjet e këtij raporti dhe se e vërteta e këtij programi të CIA-s hartuar pas sulmeve të 11 shtatorit nuk do të zbulohet kurrë.

Bloomberg: Do të respektohet Marrëveshja e Parisit

Michael Bloomberg

 

Shtetet amerikane, qytetet dhe bizneset, do t’i plotësojnë përkushtimet e bëra nga Shtetet e Bashkuara sipas marrëveshjes së Parisit për ndryshime klimatike, megjithëqë presidenti, Donald Trump, i ka tërhequr Shtetet e Bashkuara nga kjo marrëveshje, tha mbrëmë ish-kryetari i Nju Jorkut, Michael Bloomberg.

“Amerikanëve nuk u nevojitet Uashingtoni për t’i plotësuar përkushtimet tona ndaj Parisit dhe amerikanët nuk do të lejojnë që Uashingtoni të qëndrojë në rrugën e plotësimit të tyre”, tha Bloomberg, pas takimit në Paris me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Zoti Bloomberg, që është i dërguar special i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Qytete dhe Ndryshim Klimatik, tha se Shtetet e Bashkuara, e kanë udhëhequr botën në reduktimin e gazrave, gjatë dekadës së kaluar.

Sipas tij, pjesa më e madhe e punës është bërë nga shtetasit, bizneset dhe qytetet, e jo nga qeveria federale dhe se reduktimi i gazrave është bërë nga forcat e tregut, që kanë krijuar energji solare, energji të erës, dhe gaz natyror më të lirë, për përdorim në prodhimin e energjisë se sa thëngjilli.

“Dëshiroj që bota ta dijë se Shtetet e Bashkuara do t’i plotësojnë përkushtimet e veta ndaj marrëveshjes së Parisit dhe kjo do të arrihet nëpërmjet partneritetit në mesin e shteteve, qyteteve dhe bizneseve, që do të synojnë të mbesin pjesë e procesit të marrëveshjes së Parisit”, tha Bloomberg.

Duke u shprehur për tërheqjen e presidentit amerikan, Donald Trump, nga kjo marrëveshje, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, që bisedoi me zotin Bloomberg, theksoi:

“Qeveria e një vendi madhor u largua nga përkushtimet e veta për ndryshime klimatike, por vetëm qeveria nuk e simbolizon vendin. Disa pjesëmarrës të tjerë, politikë e ekonomikë, e po ashtu shtetasit, qëndrojnë dhe i ndërmarrin mijëra nisma dhe ne do t’i mbështesim ata dhe do të luftojmë së bashku me ta. Ajo që është menduar se mund të na dobësoj neve, në të vërtetë do të na bëjë më të fortë”.

Pas vendimit të presidentit Trump për tërheqje nga Marrëveshja e Parisit, guvernatori i Kalifornisë, që është shteti më i madh amerikan, ka udhëtuar për në Kinë për të diskutuar për çështjen e klimës.

“Donald Trump absolutisht e ka vendosur një kurs të gabueshëm. Ai gabon në fakte. Ai gabon në shkencë”, tha guvernatori i Kalifornisë, Jerry Brown, shteti i të cilit zakonisht e ka udhëhequr pjesën tjetër të Shteteve të Bashkuara, në aksionin për mbrojtjen e ambientit.

“Kalifornia do t’i rezistoi këtij kursi të kequdhëhequr dhe të papërgjegjshëm”, tha zoti Brown, dhe ka shfaqur përkushtimin se “Kalifornia është në terren, e përgatitur për betejë”.

Zoti Bloomberg tha se koalicioni, të cilin ai po e organizon, do t’i njoftojë Kombet e Bashkuara se qytetet, shtetet dhe bizneset amerikane, ende synojnë plotësimin e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për reduktimin e emisionit të gazrave për 26%, nën nivelet e vitit 2005, deri në vitin 2025, siç ishte përkushtuar administrata e ish-presidentit, Barack Obama, për marrëveshjen klimatike.

“Ne tashmë jemi në gjysmë të rrugës dhe ne mund ta përshpejtojmë më tutje procesin tonë, bile edhe pa kurrfarë mbështetje të Uashingtonit”, tha Bloomberg.

Zoti Bloombeerg, miliarder dhe ish-pronar i disa medieve, tha se fondacioni i tij do të ndihmoj në koordinimin e përpjekjeve në Shtetet e Bashkuara.

Sipas tij, ky fondacion do t’i japë 15 milionë dollarë, të cilat sekretariati i klimës i Kombeve të Bashkuara do t’i humbë nga Uashingtoni, për të siguruar se nuk do të ketë shkatërrim në punën e tij.

Administrata e presidentit Trump i kërkon Gjykatës Supreme të rivendosin urdhërin për ndalimin e udhëtimit

Gjykata Supreme në Uashington

 

Administrata e presidentit Trump i ka kërkuar Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, që menjëherë të rivendosin urdhërin për ndalimin e udhëtimit. Ky urdhër, i cili është pezulluar ndalon përkohësisht udhëtimin e personave nga gjashtë vende me shumicë myslimane, me arsyetimin se kjo do t’i bënte Shtetet e Bashkuara më të sigurta.

Së paku pesë anëtarë nga nëntë të Gjykatës së Lartë duhet të miratojnë kërkesën e administratës.

Zëdhënësja e Departamentit të Drejtësisë deklaroi se administrata është “e bindur se vendimi i presidentit Trump është brenda autoritetit të tij ligjor, dhe vjen si kërkesë për të mbajtur kombin të sigurtë, por edhe për të mbrojtur komunitetet nga terrorizmi”.

Urdhëri i udhëtimit, ishte nënshkruar më 6 mars, mirëpo u pezullua më vonë nga gjykatat e Shteteve të Bashkura. Ky urdhër do të ndalonte përkohësisht hyrjen në Shtetet e Bashkuara të gjithë refugjatëve, si dhe vizitorëve nga Irani, Libia, Somania, Sudani, Siria dhe Jemeni.

Presidenti Trump njoftoi tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit

Të ejten në një fjalim para Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Trump njoftoi vendimin për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, duke thënë se marrëveshja do të shkaktonte humbjen e mijëra vendeve të punës në vend. Ai tha se marrëveshja do të pengonte rritjen ekonomike në Shtetet e Bashkuara dhe do të dëmtonte familjet amerikane.

Presidenti theksoi se Shtetet e Bashkuara do të fillojnë menjëherë përpjekjet për arritjen e një marrëveshje të re mbi ndryshimet klimatike që do të jetë më e mirë për popullin amerikan.

“Marrëveshja e Parisit për Klimën është një shembulli i hyrjes së Uashingtonit në marrëveshje që dëmtojnë Shtetet e Bashkuara,” tha presidenti Trump, duke shtuar se “që nga ky moment ne do t’i japim fund zbatimit të marrëveshjeve të padetyrueshme.”

Marrëveshja e nënshkruar nga parardhësi i presidentit Trump, ish presidenti Barack Obama në vitin 2015, e cila synon të reduktojnë çlirimin e gazeve karbonike në atmosferë, ka aktualisht mbështetjen e 194 vendeve.

Vendimi për tërheqjen nga Marrëveshja e Parisit, vjenë disa ditë pas debateve mbi atë nëse Presidenti Trump do të përmbushte premtin e tij elektoral për tërheqje nga kjo marrëveshje.

Më parë të mërkurën, pas një takimi me Kryeministrin vjetnamez Nguyen Xuan Phuc, zoti Trump tha se po dëgjonte mendimet e “shumë njerëzve nga të dyja skajet e debatit” për të analizuar opsionet.

Zëdhënësi Sean Spicer tha se personat me të cilët është konsultuar presidenti përfshijnë drejtues biznesi dhe krerë shtetesh të huaja.

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit, shënon një hap prapa në politikat ambjentaliste të ndjekura nga administrata e mëparshme amerikane, nën Presidentin Barak Obama. Tërheqja do të entuziazmojë bazën republikane të presidentit, por do të revoltonte ambjentalistët dhe aleatët e Amerikës.

Njoftimet se Amerika mund të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit u përcollën me kundërshti nga komuniteti i organizatave dhe aktivistëve për mjedisin si dhe nga kryebashkiakët e qyteteve më të mëdha amerikane, të cilët u zotuan t’i përmbahen marrëveshjes, pavarësisht nga vendimi që merr presidenti.

“Nëse Shtëpia e Bardhë tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, ne do ta zbatojmë marrëveshjen në Los Anxhelos,” u shpreh përmes një postimi në Twitter, kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Eric Garcetti.

Kryetari i bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio postoi këtë koment në Twitter: “Do ta marrim situatën vetë në dorë. Kam në plan të nënshkruaj një urdhër ekzekutiv për të ruajtuar angazhimin e qytetit të Nju Jorkut ndaj Marrëveshjes së Parisit”.

Aktivistët për klimën shprehën revoltim, duke kritikuar Presidentin Trump:

“Donald Trumpi ka bërë një gabim historik, të cilin nipat tanë do ta gjykojnë të shtangur dhe të pezmatuar duke pyetur veten se si mundet një udhëheqës botëror të jetë aq i shkëputur nga realiteti dhe morali,” tha përmes një deklarate për Zërin e Amerikës Michael Brune, presidenti i Klubit Sierra, një organizatë e fuqishme ambjentaliste.

Një deklaratë të ngjashme nxorën edhe anëtarët e grupit Votuesit e Ligës së Mbrojtësve të Mjedisit, ku thonin “Me një vendim tepër të papërgjegjshëm, Presidenti Trump do të rrezikonte jo vetëm shëndetin dhe sigurinë e komuniteteve amerikane, por do të minonte edhe pozitën e Amerikës si udhëheqëse globale në një numër çështjesh”.

Elon Musk, miliarderi që zotëron kompanitë Tesla dhe Space X, ka thënë se nëse presidenti tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit, ai do të japë dorëheqjen nga tre grupe shkencore që ofrojnë konsulencë për Shtëpinë e Bardhë.

Ekonomisti Gary Hufbauer i Institutit Peterson me seli në Uashington tha për Zërin e Amerikës se parashikon që vende të tjera do të mbeten pjesë e marrëveshjes dhe se vendimi i zotit Trump për t’u tërhequr do ta vinte Amerikën në një pozitë jo të mirë.

“Një deklaratë nga Presidenti Trump se Amerika po tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit nuk do të sjellë medoemos vendime të ngjashme nga vende të tjera. Ajo është më tepër një deklarim synimesh se sa një akt konkret tërheqjeje,” thotë ekonomisti.

Në pritje të vendimit të qeverisë amerikane, aleatë evropianë dhe të tjerë kanë shprehur shqetësimin e tyre.

“Unë po vazhdoj të loboj pranë autoriteteve amerikane në të gjitha nivelet për t’i marrë shumë seriozisht ndryshimet klimatike dhe për të treguar udhëheqjen që Amerika ka treguar në të kaluarën,” tha Sekretari i Jashtëm britanik Boris Johnson për televizionin Sky News.

Zëdhënësi i presidentit rus Dmitri Peskov tha se marrëveshja ka një rëndësi të madhe, por se nuk do të jetë shumë e efektshme pa pjesëmarrjen e faktorëve kryesorë.

Kryeministri i Kinës Li Keqiang tha se Kina do të respektojë angazhimin që ka marrë për të zbatuar marrëveshjen.

Llogaria zyrtare e Kombeve të Bashkuara në Twitter kishte mesazhin “Ndryshimet klimatike nuk mund të vihen në dyshim. Mobilizimi për klimën është i pandalshëm. Zgjidhjet për klimën ofrojnë mundësi të pakrahasueshme”.

Ambasadori i Francës në SHBA, Gerard Araud, shkruante në Twitter “Korporata të mëdha amerikane kanë shprehur mbështetje për Marrëveshjen e Parisit”.

Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se Presidenti Donald Trump “nuk i kupton në tërësinë e tyre” termat e Marrëveshjes së Parisit. Zoti Juncker tha se udhëheqësit evropianë janë përpjekur t’ia shpjegojnë zotit Trump procesin e tërheqjes nga marrëveshja “me fjali të thjeshta dhe të qarta” gjatë takimeve të javës së kaluar.

Jean-Claude Juncker, një ndër udhëheqësit me të cilët u takua zoti Trump javën e kaluar, theksoi se duhen disa vjet për t’u tërhequr nga një pakt i ri ndërkombëtar. “Ky nocioni se: ‘Unë Jam Trumpi; Unë Jam Amerikan; Amerika Mbi të Gjitha; dhe Unë Do të Tërhiqem’ nuk ka për t’u realizuar,” tha zoti Juncker.

Por nuk ka pasur vetëm reagime negative.

Një grup prej 22 senatorësh republikanë i kanë bërë thirrje zotit Trump të tërhiqet nga Marrëveshja e Parisit për të shmangur rrezikun e padive gjyqësore që mund të ndërlikojnë përpjekjet e administratës aktuale për të anuluar projektet për energji të pastër të administratës së mëparshme.

Organizata Freedom Works, e cila punon drejt një synimi për një burokraci sa më të vogël qeveritare, arsyetonte në një deklaratë se respektimi i marrëveshjes do të shoqërohej me një kosto shumë të lartë për Amerikën, duke i kushtuar ekonomisë së vendit mbi 2 trilionë dollarë dhe mbylljen e afro 400 mijë vendeve të punës.

Trumpi pezullon vendimin për zhvendosjen e Ambasadës amerikane në Jerusalem

WASHINGTON – Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se presidenti amerikan Donald Trump për momentin ka pezulluar vendimin e tij lidhur me zhvendosjen e Ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem, raporton Anadolu Agency (AA).

Washington Post: Administrata Trump do t’ia rikthejë Rusisë komplekset diplomatike

Presidenti Donald Trump në Zyrën Ovale

Gazeta Washington Post raportoi se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, ka ndërmarrë hapa për t’i rikthyer Rusisë dy komplekse diplomatike, të cilat i janë marrë në muajin dhjetor.

Washington Post citoi disa “njerëz që janë në dijeni” për shkëmbimet midis diplomatëve amerikanë dhe rusë për çështjen.

Administrata e ish-presidentit amerikan, Barack Obama, e ka nxjerrë personelin rus nga komplekset – njëri në Merilend, tjetri jashtë Nju Jorkut – në përgjigje të ndërhyrjes së dyshuar ruse në zgjedhjet në SHBA dhe keqtrajtimit të diplomatëve amerikanë në Rusi.

Obama ka thënë se komplekset “janë shfrytëzuar nga personeli rus për qëllime të lidhura me inteligjencën”.

Që atëherë, zyrtarët rusë kanë thënë vazhdimisht se rikthimi i pronave është kusht për përmirësimin e marrëdhënieve, të cilat mbesin të tensionuara, pavarësisht deklaratave të presidentit Trump në vitin 2016 se ai do t’i përmirësojë ato.

Clinton: Fushata e Trumpit i dha udhëzime Rusisë

Ish-kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, tha se beson se fushata e presidentit Donald Trump i ka dhënë Qeverisë ruse udhëzime për të ndërhyrë në zgjedhjet e vitit të kaluar.

Clinton tha se Qeveria ruse ka dashur të shpërndajë dezinformata për të, por “nuk ka mundur ta bëjë pa qenë e udhëzuar nga njerëz që kanë qasje në sondazhe dhe të dhëna”.

“Jemi duke marrë informacione për të gjitha kontaktet midis zyrtarëve të Trumpit me Rusinë, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Shpejt mund të zbulojmë se kush i ka dhënë udhëzime Rusisë””, tha Clinton.

Komentet e saj u bënë një ditë pasi Trump dhe presidenti rus, Vladimir Putin, thanë se demokratët, që i kanë humbur zgjedhjet, janë përgjegjës për shpikjen e akuzave për bashkëpunim midis Rusisë dhe fushatës së Trumpit.

Rishfaqen marrëdhëniet e acaruara mes medias dhe Shtëpisë së Bardhë

Disa ditë pas kthimit të presidentit Donald Trump nga udhëtimi i parë jashtë vendit, marrëdhëniet e acaruara mes medias dhe Shtëpisë së Bardhë dolën përsëri në pah. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer ndërpreu papritur konferencën e parë të shtypit pas udhëtimit, pasi iu dha leksione përsëri gazetarëve mbi mënyrën e trajtimit të ngjarjeve që kanë të bëjnë me presidentin. Kjo ndodh ndërsa qarkullojnë zëra rreth një ndryshimi të shpejtë të punonjësve të zyrës së shtypit në Shtëpinë e Bardhë.

Menjëherë pas përfundimit të atij që Shtëpia e Bardhë e sheh si një udhëtim të suksesshëm jashtë vendit… një kujtesë e problemeve me të cilat përballet Donald Trumpi në vend.

Shtëpia e Bardhë shmangu pyetjet rreth dhëndrit dhe këshilltarit të zotit Trump, Jared Kushner… i cili njoftohet të ketë diskutuar për krijimin e kanaleve sekrete të komunikimit me Rusinë para se presidenti të merrte postin.

Sekretari i Shtypit, Sean Spicer nuk pranoi t’i konfirmojë apo mohojë këto njoftime, duke sugjeruar se ato nuk ishin të besueshme.

“Pyetja juaj supozon fakte që nuk janë të vërtetura nga asgjë tjetër veçse burime anonime që janë bërë publike deri tani.”

Historia e zotit Kushner doli gjatë udhëtimit të parë të presidentit jashtë vendit, ku ai iu dha leksion vendeve të Natos se nuk kishin shpenzuar sa duhet për mbrojtjen.

Shumë udhëheqës evropianë janë të shqetësuar rreth atyre komenteve. Përfshi kancelaren gjermane Angela Merkel, e cila tha këtë javë se “koha kur mund të mbështetemi plotësisht tek të tjerët… pothuajse ka marr fund.”

Komenti shihet nga disa si një provë se Gjermania, nuk i beson më Shteteve të Bashkuara si aleat. Por Shtëpia e Bardhë e interpreton këtë si një fitore.

“Është shumë mirë. Është ajo që kërkoi presidenti. Ai bëri thirrje për ndarjen e barrës financiare.”

Zoti Spicer komentoi gjithashtu mbi njoftimet se ai dhe anëtarë të tjerë të personelit të komunikimit mund të largohen si pjesë e një riorganizimi më të gjerë të Shtëpisë së Bardhë.

Një ndryshim tjetër i mundshëm? Më pak konferenca televizive, duke e lejuar vetë presidentin të komunikojë mesazhin e tij.

“Në fund të fundit, lajmëtari më i mirë është vetë presidenti – ai gjithmonë e ka vërtetuar këtë.”

Zoti Spicer ka një marrëdhënie të debatueshme me median. Kjo ishte e dukshme të martën, kur ai qortoi gazetarët për mbulimin e udhëtimit të presidentit Trump, para se të largohej nga konferenca që zgjati vetëm 20 minuta.

“Arsyeja që presidenti është i zhgënjyer është se lakohen lajme të pavërteta, përdorimi i burimeve anonime në mënyrë të përsëritur për gjëra që nuk kanë ndodhur dhe mendoj se kjo është shqetësuese. Ju faleminderit.”

Një shenjë e mundshme kjo e nervozizmit të ekipit të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë.

Trump: Gjermania nuk paguan kuotat që i takon në NATO

Presidenti Donald Trump përsëriti sot përmes Twitterit akuzat e tij, se Gjermania nuk paguan pjesën e kuotave që i takon ndaj NATO-s. Këto komente ai bën tre ditë pas takimit me kancelaren gjermane, për të cilin Shtëpia e Bardhë tha se kishte shkuar mirë.

“Ata paguajnë shumë më pak nga sa i takon ndaj NATO-s dhe për ushtrinë. Shumë keq për ne, kjo ka për të ndryshuar”, shkruante në Twitter Presidenti Trump.

Pas takimit të javës së kaluar të G-7 në Siçili, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se “Koha kur ne mund të mbështeteshim plotësisht tek njëri tjetri duket se ka marrë fund, diçka që e kam vënë re ditët e fundit.”

Por të hënën, zëdhënësi i zonjës Merkel bëri një sqarim, duke thënë se zonja Merkel mbetet e përkushtuar ndaj marrëdhënieve transatlantike.

Angela Merkel, ishte në mesin e udhëheqësve të tjerë europianë që u shprehën kritika të ashpëra për vendimin e Presidentit amerikan në takimin e G-7-ës për të mos e mbështetur Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike.

Jep dorëheqjen Drejtori i Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë

Drejtori i Komunikimeve i Shtëpisë së Bardhë Michael Dubke ka dhënë dorëheqjen. Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, i tha agjencisë “Associated Press” se Dubke e kishte dorëzuar kërkesën e tij për dorëheqje para se Presidenti Donald Trump të nisej për udhëtimin e tij 9-ditor jashtë vendit.

Në një intervistë për televizionin Fox News të martën, zonja Conway tha se Michael Dubke “e kishte bërë shumë të qartë se do të vazhdonte të punonte me intensitet gjatë të gjithë periudhës që Presidenti ishte në udhëtim, ngaqë në Shtëpinë e Bardhë gjatë atyre ditëve kishte shumë punë për t’u bërë.

Vetë zoti Dubke i tha revistës “Politico” se ja kishte kërkuar dorëheqjen Presidentit Trump më 18 maj, i cili e kishte pranuar atë. Nuk janë dhënë hollësi të mëtejshme lidhur me dorëheqjen e Drejtorit të Komunikimeve Michael Dubke.

Senatori amerikan McCain krahason Putinin me ISIS-in

“Presidenti i Rusisë Vladimir Putin është një rrezik më i madh se organizata terroriste ISIS”

MELBOURNE – Senatori amerikan, John McCain, tha se presidenti i Rusisë Vladimir Putin është një rrezik më i madh se organizata terroriste ISIS.

I ndodhur në Australi për një vizitë, McCain ka dhënë një intervistë për transmetuesin televiziv australian ABC. McCain është shprehur se, “Madje vjen edhe para ISIS-it, i pari dhe kërcënimi më i rëndësishëm”.

Ndër të tjera duke mbrojtur qëndrimin se ai ka shembur themelet e demokracisë së Rusisë dhe është përpjekur të ndryshojë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, McCain tha se, “Nuk kam vërejtur kurrë prova se kanë qenë të suksesshëm, por e provuan dhe ende vazhdojnë të provojnë”.

Gjithashtu duke pretenduar se Rusia është përpjekur të ndryshojë edhe rezultatet e zgjedhjeve presidenciale në Francë, McCain ka theksuar se Rusia është vendi i cili ka ndarë Ukrainën i cila është një vend sovran si dhe formon presion në rajonin Baltik.

McCain më tej është shprehur se SHBA-të duhet t’i përgjigjen me sanksione Rusisë, ku dhe ka shtuar se herë pas here tensionohet nga zbatimet e presidentit amerikan, Donad Trump, për çështjen e sigurisë kombëtare. AA

Sërish shpërthen vullkani në Alaskë

Pas shpërthimit të fundit në rajon është shpallur paralajmërimi më i lartë, i kuq

ANCHORAGE – Vullkani Bogoslof në Alaskë sërish ka shpërthyer dhe hedhur hi vullkanik dhe tym në lartësi deri në dhjetë kilometra.

Observatori për aktivitete vullkanike në Alaskë njoftoi se shpërthimi zgjati 55 minuta dhe se ky është vazhdimi i aktiviteteve vullkanike të Bogoslofit që zgjatin tashmë gjashtë muaj.

Pas shpërthimit të fundit në rajon është shpallur paralajmërimi më i lartë, i kuq. Ishulli Bogoslof gjendet 98 kilometra në veriperëndim të Dutch Harbor në Alaskë.

Ky në fakt është maja e vullkanit nënujor që shtrihet thuajse 1.7 kilometra në thellësi. Në mënyrë konstante është i trazuar dhe mund të shpërthejë në çdo moment.

Pas shpërthimit të sotëm është dërguar paralajmërim për pilotët. Hiri vullkanik mund të shkaktojë defekt të motorit reaktiv, ndërsa mund të dëmtojë elektronikën në sistemin e navigimit. aa

Demokratët në SHBA duan të dëgjojnë dëshmi nga Kushneri

Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner

Demokratët në Shtetet e Bashkuara kërkuan të dëgjojnë dëshmi nga këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Jared Kushner, i cili dyshohet se ka bërë përpjekje të krijojë komunikime sekrete me Rusinë përpara se të inaugrohej presidenti Donald Trump, i cili është vjehrri i tij.

Akuzat janë publikuar javën e kaluar në gazetat New York Times dhe Washington Post.

Përfaqësuesi demokrat, Adam Schiff, anëtar i Komitetit për Inteligjencë, tha se “është shqetësuese” që një anëtar i rëndësishëm i ekipit të Trumpit ka bërë përpjekje të krijojë lidhje sekrete me Rusinë.

Rusia akuzohet se ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016.

Avokatët e Kushnerit kanë thënë se ai është i gatshëm të flasë me hetuesit për kontaktet e tij të jashtme dhe punën e tij në fushatën e Trumpit.

Akuzat për lidhje me Rusinë e kanë përcjellë presidencën e Trumpit prej fillimit, por kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka hedhur poshtë ato, duke i cilësuar si “lajme të rreme”.

Presidenti Trump kritikon përsëri mediat për “lajme të rreme”

President Donald Trump u kthye në Uashtington, pas udhëtimit të tij 9-ditor në Lindjen e Mesme dhe në Europë. Ai deklaroi se turneu i tij ishte një sukses i madh për Amerikën. “Shumë punë, por patëm rezultate të shkëlqyera”, tha ai.

Presidenti Trump kritikoi mediat për njoftimet se Shtëpia e Bardhë është e përfshirë në shqetësime dhe për hetimin e ndihmësve të tij dhe lidhjeve të tyre me Rusinë. Ai i akuzoi përsëri ato për publikimin e “lajmeve të rreme”. Këto lloj lajmesh shkruhen nga “gazetarë të rremë”, tha ai, duke shtuar se “Lajmet e rreme janë armiku!”

Presidenti komentoi për zgjedhjen javën e kaluar të anëtarit të Dhomës së Përfaqësuesve në shtetin e Montanës. Republikanin Greg Gianforte e akuzuan për sjellje fyese ndaj medias, një incident të cilin Presidenti e cilësoi “mbulim i keq nga media”.

Ai tha se zgjedhja pas incidentit e Gianfortes ishte “një fitore e madhe për republikanët në Montana.”

Pas kthimit nga turneu europian Presidenti Trump dhe ndihmësit e tij në Shtëpinë e Bardhë do të ndeshen me problemin e hetimeve mbi lidhje të mundshme me zyrtarë rusë gjatë fushatës elektorale, si dhe me akuzat e opozitës për përpjekje për pengimin e drejtësisë.

Një prokuror i posaçëm po zhvillon hetime në se ndihmësit e zotit Trump kanë bashkëpunuar fshehurazi gjatë fushatës elektorale me zyrtarë rusë, me synimin për ta ndihmuar atë të fitonte zgjedhjet. Po ashtu, komisionet e Kongresit janë mbledhur në seanca të posaçme, ku kanë dëshmuar një numër ndihmësish dhe ish-ndihmësish të zotit Trump.

Shtëpia e Bardhë po përgatitet për dëshminë që do të japë së shpejti ish shefi i FBI-së James Comey, të cilin zoti Trump e pushoi nga puna, edhe pse ai ishte duke drejtuar hetimin mbi lidhjet e mundshme të zyrtarëve të fushatës së zotit Trump me Rusinë.

Një tjetër person që do të merret në pyetje lidhur me këtë çështje është edhe dhëndërri i Presidentit, Jared Kushner, një nga këshilltarët kryesorë në Shtëpinë e Bardhë.

“Dhëndri i Trumpit ka pasur tri kontakte të mëparshme me ambasadorin rus në SHBA”

Dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, ka pasur të paktën tre kontakte të mëparshme të pazbuluara me ambasadorin rus në SHBA gjatë dhe pas fushatës për zgjedhjet presidenciale, njoftojnë disa zyrtarë amerikane për agjencinë e lajmeve Reuters. Mes këtyre kontakteve përfshihen edhe dy telefonata mes muajve prill dhe nëntor të vitit të kaluar.

Që në fillim të këtij viti, Kushner është shndërruar në fokus të FBI-së nëse ka pasur ndonjë marrëveshje të fshehtë me Kremlinin gjatë fushatës së Trump. Ai u vu në qendër të vëmendjes së FBI-së vitin e kaluar teksa nisën të hetojnë lidhjet e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, Michal Flynn, me zyrtarë rusë.

Informacionet e reja mbi dy telefonatat, sikurse edhe detaje të tjera të zbuluara nga “Reuters”, hedhin dritë ndaj asaj se kur dhe pse Kushner tërhoqi vëmendjen e FBI-së, ndërsa tregojnë gjithashtu se kontaktet e tij me të dërguarin rus, Sergei Kislyak, ishin më të gjera nga sa ishte në dijeni Shtëpia e Bardhë.

NBC raportoi të enjten se Kushner ishte nën hetimin e FBI-së. FBI refuzoi të jepte komente, ndërsa Ambasada e Rusisë në SHBA tha se është politikë e saj që të mos komentojë rreth kontaktet individuale diplomatike.

Shtëpia e Bardhë gjithashtu nuk ka reaguar lidhur me këtë çështje. Ndërsa avokatja e Kushnerit tha se Kushner nuk kujton ndonjë bisedë telefonike me Kislyak mes muajve prill dhe nëntor.

Salla Kombëtare e Famës për Gratë në SHBA

Që nga beteja e tyre për të drejtën për të votuar deri në arritjen e të paturit një grua si kandidate për presidente në vitin 2016, gratë amerikane kanë luftuar dhe kanë arritur shumë. Kjo histori është dokumentuar në ekspozitë në Sallën Kombëtare të Famës për Gratë në qytetin Seneka Falls të shtetit të Nju Jork-ut. Siç njofton korrespondentja Samina Ahsan, muzeu nderon arritjet e grave amerikane.

Në vitin 1969 komuniteti i qytetit të Seneka Falls-it ndërtoi Sallën e Famës për Gratë për të nderuar arritjet e grave amerikane; ideja ishte për ta ruajtur atë histori për brezat e ardhshëm. Secila kandidate duhet të aplikojë për nderin. Ky është një proces rigoroz, sipas Eileen Hartman-it, e cila është bashkë-kryetare e Bordit të Drejtorëve të muzeut.

“Ne nderojmë arritjet e grave çdo dy vjet”.

Salla e Famës për Gratë nderon ata që kanë luftuar për të drejtat e grave, që është edhe pjesë e historisë së qytetit të Seneka Falls-it.

“Ne e konsiderojmë atë si vendlindjen e të drejtave të grave” thotë zonja Hartman.

Ky është stoli ku aktivistja për të drejtën e votës së grave Susan B. Anthony u ul në gjykatë më 1872. Ajo u gjobit me 100 dollarë sepse votoi në një kohë kur gratë nuk lejoheshin të votonin.

Eileen Collins ishte gruaja e parë që drejtoi një anije kozmike në një mision tetë ditor në 1995.

Kandidatja e parë grua për presidente, Hillary Clinton, është gjithashtu e përfshirë në Sallën e Famës. Edhe astrofizikanja Dr. Judith Pipher, e cila ishte një nga njerëzit e parë që mori fotografi të Hënës, me teleskop, me rreze infra të kuqe.

Dr. Pipher thotë se gratë kanë arritur shumë, por mbetet ende shumë punë për t’u bërë.

“Ne e dimë se ka pabarazi në pagë mes grave dhe burrave që bëjnë të njëjtën punë. E dimë se gratë nganjëherë vendosen në nivele më të ulëta në punë, se nuk ka aq shumë gra në poste drejtuese apo presidente kompanish”.

Ka aq shumë arritje për t’u përmendur, saqë muret e Sallës së Famës janë plot e përplot dhe tani muzeu po mbledh fonde për një ndërtesë të re dhe më të madhe.

Trumpi i kërkon NASAs të dërgojë njerëz në planetin Mars

Buxheti i propozuar në muajin mars nga administrata Trump vë në dukje përkushtimin ndaj përpjekjeve të NASAs për të dërguar astronautë në Mars.

Rreth 3.7 miliardë dollarë janë caktuar për zhvillimin e Sistemit të Lëshimit në Hapësirë si dhe të kapsulës Orion, që janë elementë kyç të përpjekjes së NASA’s për të dërguar qenie njerëzore më larg në hapësirën kozmike.

Pak banorë në këtë rrugë të qetë e dinë se tek firma “Ingersoll Machine Tools”, po ndërtohet e ardhmja e udhëtimit në hapësirë të njeriut.

“Nuk mendoj se njerëzit në qytetin Rockford e dinë që i prodhojmë ne këto pjesë”, thotë Mike Reese, drejtor i shitjeve në firmën “Ingersoll Machine Tools”.

Por, këto nuk janë pjesë dosido…

“Kjo do të jetë shtëpia e një astronauti”, thotë Rex Walheim, astronaut i NASA’s.

Këta janë komponentë thelbësorë të përpjekjes së NASA-s për të dërguar njerëzit sërish në Hënë dhe në vazhdim në Mars.

“Ky cilindër është pjesa qendrore e kapsulës Orion. Pra, këtu do të qëndrojnë dhe punojnë astronautët. Është pjesa që do na mbajë të gjallë”, tregon astronauti Rex Walheim.

Kjo është një ndër katër pjesët që firma Ingersoll prodhon për korporatën Lockheed Martin, e cila monton anijen hapësinore.

Specialisti i pajisjeve, astronauti Walheim, do të jetë duke vëzhguar nga Toka gjatë procesit të lëshimit në orbitë. Ai u bë pjesë e historisë si anëtar i ekipit të fundit hapësinor në vitin 2011. Ai tashmë punon si përfaqësues i NASA’s në programin Orion, për të cilin thotë se po tejzgjatet.

“Të gjithë donin që të veprohej më shpejt për ta nxjerrë këtë anije drejt hapësirës. Por, edhe në këtë pikë kemi bërë goxha progres. Tashmë kemi ndërtuar pjesët dhe jemi në fazën e testimit”, thotë Walheim.

“Tashmë fokusi i NASA-s është drejt destinacioneve më të vështira”, thotë menaxheri i programit të NASA’s, Mark Kirasich.

Kirasich thotë se puna e kompanive private për të zhvilluar pajisjet që do të zëvendësojnë programin hapësinor të mbyllur në vitin 2011, i mundëson NASA’s të përqendrohet tek kapsula Orion.

“Kemi realizuar dy testime dhe mendojmë se kemi arritur rreth 75% të provave. Pajisja e radhës do të jetë në bordin e Misionit Eksplorues 1”, thotë zoti Kirasich.

Cilindri i ekspozuar tek firma Ingersoll do të jetë pjesë e Misionit Eksplorues 2, që do të rikthejë astronautët në Hënë deri në vitin 2023, duke i përgatitur kështu edhe për udhëtimin e ardhshëm drejt Marsit. Herën e fundit që astronautët fluturuan rreth Hënës, Reese thotë se ai ishte ende fëmijë.

“U jam mburrur fëmijëve të mi për kapsulën Orion. I kam sjellë që të prekin me dorë paisjet dhe që të shohin se çfarë bëjmë këtu. Atyre u duket shumë interesant i gjithë programi dhe ideja e të shkuarit në Mars”, thotë zoti Reese.

Misioni Eskplorues 1 i NASA’s, së bashku me një testim të plotë të sistemit hapësinor dhe të kapsulës Orion, është planifikuar për të zhvilluar këtë vit. NASA synon ta dërgojë kapsulën Orion pa ekuipazh në një distancë rreth 40 mijë milje përtej Hënës. Ky do të jetë hapi i parë drejt Marsit, tek i cili shpresohet të mbërrihet në vitet 2030./voa/

Debutimi i jashtëm i Trumpit me sjellje jokonvencionale

Shumica e presidentëve amerikanë e kanë bërë udhëtimin e tyre të parë jashtë Shteteve të Bashkuara, në vendet e afërta siç janë Kanadaja ose Meksika.

Por, nëse duhet të veçohet një çështje, me të cilën është dëshmuar presidenti Donald Trump në katër muajt e parë të presidencës së tij, atëherë kjo gjë është se ai nuk është president konvencional.

Në vend se të qëndrojë në ujëra të qeta dhe të sigurta diplomatike, shefi aktual i forcave të armatosura të Shteteve të Bashkuara, e ka nisur turneun e tij të parë të jashtëm në Lindjen e Mesme dhe në Evropë, me ç’rast e ka vizituar Arabinë Saudite, Izraelin, Autoritetin Palestinez, Brukselin, Romën dhe Sicilinë.

Në periudhën e betejave të ashpra në shtëpi lidhur me propozimin për buxhet, kujdesin shëndetësor, shkarkimin e drejtorit të agjencisë FBI nga ana e tij dhe hetimet lidhur me kontaktet e administratës së tij me Rusinë, zoti Trump ka shpresuar se do të fitojë simpati nga audienca globale, e cila është skeptike lidhur me agjendën e administratës së tij “Së pari Amerika”.

Përpjekjet e tij për të ndërtuar marrëdhënie me liderët e aleatëve kryesorë duket se kanë arritur rezultat të përzier, duke u dhënë mjaft argumente, si mbështetësve, ashtu edhe kritikëve.

Arabia Saudite

Pasi aeroplani presidencial amerikan “Air Force One”, ateroi në Arabinë Saudite më 20 maj, zoti Trump e filloi pjesën e parë të turneut të tij të parë të jashtëm në Rijad me shumë pompozitet, derisa ai shikonte për ta siguruar Mbretin Salman bin Abdulaziz al-Saud, dhe liderët e më tepër se 50 vendeve myslimane, për mbështetjen amerikane për regjimin e tyre dhe se administrata e tij nuk është anti-islame.

Presidenti amerikan nuk u kthye me duar të zbrazëta. Ai e solli një kontratë për armatim prej 110 miliardë dollarësh, ndërsa ka gjasë që brenda 10 viteve të nënshkruhen marrëveshje deri në 350 miliardë dollarë me Arabinë Saudite.

Trump tha se marrëveshja ishte e nevojshme për ta ulur kërcënimin e terrorit në rajon, ndërsa dëshiron, po ashtu, ta shfrytëzojë shitjen ndërkombëtare të armatimit për të krijuar vende pune në Shtetet e Bashkuara. Ky mesazh është përshëndetur nga mbështetësit e tij.

Por, disa ligjvënës kanë pikëpamje të kundërta, derisa anëtarët demokratë dhe republikanë të Senatit dhe të Dhomës Përfaqësuese, kanë ndërmarrë lëvizje në përpjekje për bllokimin e së paku disa pjesëve të shitjes së armatimit, duke e shtruar pyetjen nëse kjo gjë do të ishte në interesin më të mirë të vendit.

Me këtë marrëveshje, presidenti Trump ka hedhur benzinë në shtëpinë me zjarr dhe duke e mbyllur derën për të ikur jashtë”, tha Eric Ferrero, drejtor i komunikimeve në degën e organizatës “Amnesty International” në Shtetet e Bashkuara.

Izraeli dhe Autoriteti Palestinez

Në agjendën e zotit Trump ishte edhe vizita në Murin Perëndimor, në Qendrën e Përkujtimit të Holokaustit “Yad Vashem” dhe Muzeun Izraelit, derisa është takuar me kryeministrin Benjamin Netanyahu, presidentin Reuven Rivlin, dhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmud Abbas.

Vizita në vendet hebreje dhe myslimane, dhe takimi me zotin Abbas, ka treguar se Trumpi edhe një herë u është afruar religjioneve të ndryshme, derisa përpiqet të vendosë themel për shtytje drejt negociatave për paqe, për arritjen e asaj që presidenti amerikan e ka quajtur “marrëveshje finale”.

Por, ai i është shmangur premtimit gjatë fushatës së tij për përkushtimin kundërthënës për lëvizjen e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara nga Tel Avivi në Jerusalem.

​Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytet të tij të brendshëm dhe dëshiron që të gjitha vendet t’i vendosin aty ambasadat e tyre. Por, shumë aleatë amerikanë e kundërshtojnë një lëvizje të tillë, pasi edhe palestinezët pretendojnë se Jerusalemi është kryeqytet i shtetit të tyre të ardhshëm.

Lidhur me vizitën e zotit Trump në Izrael, gazeta “Haretz” e ka shkruar një koment të ashpër.

“Ne dëshiruam ta rehabilitojmë një pamje të njollosur nga akuzat për antisemitizëm. Por, turneu i madh shpirtëror i presidentit amerikan në Izrael, ishte një absurd i një vargu të gjesteve të zbrazëta”, ka shkruar gazeta, e cila është tallur me një shënim të presidentit Trump në “Yad Vashem”, pasi afër tij e botoi fotografinë e një shënimi më të zgjeruar nga ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në vitin 2008.

Qyteti i Vatikanit

Pjesa e tretë e vizitës së parë të jashtme të presidentit Trump, që ndoshta ishte më pak kontestuese, ishte ajo në Qytetin e Vatikanit, për takim me Papa Françeskun dhe presidentin italian, Sergio Mattarella.

Duke pasur parasysh fillimin kundërthënës të raporteve të tyre kur Papa kishte vënë pikëpyetje në kredencialet e krishtera të Trumpit, gjatë fushatës presidenciale të vitit të kaluar, takimi konsiderohet i suksesshëm, pasi Trump dhe Papa këmbyen dhurata dhe folën për gjysmë ore.

Papa Françesku i dhuroi Trumpit kopjen e nënshkruar të mesazhit të tij për paqe në vitin 2017, Stili i Politikës Për Paqe, dhe tekstet, përfshirë letrat dërguar kardinalëve në vitin 2015, për nevojën e mbrojtjes së ambientit nga efektet e ndryshimeve klimatike.

Zoti Trump tha se ishte “nder i madh” për ta takuar Papën Françesk, i cili e krijoi një atmosferë të butë duke bërë shaka me bashkëshorten e presidentit amerikan, Melania Trump, për ëmbëlsirën, me të cilën ajo duhet ta ushqejë presidentin nga vendi i saj i lindjes, Sllovenia.

Brukseli

Për më pak se një vit, që Donald Trump kishte vlerësuar se NATO-ja ishte “e vjetruar”, megjithëqë ai menjëherë ishte tërhequr nga kjo shprehje, zoti Trump e vizitoi selinë e re të NATO-s në Bruksel dhe u takua me liderët e vendeve të tjera të aleancës veri-atlantike.

Në vend që të ishte kritik ndaj Rusisë lidhur me aneksimin e Krimesë së Ukrainës, siç shpresonin disa anëtarë të NATO-s, Trump u ka bërë presion liderëve të 27 vendeve të tjera të NATO-s që t’i plotësojnë obligimet e tyre financiare ndaj aleancës dhe të bëjnë më tepër për luftim të terrorizmit dhe ta vendosin migrimin dhe kërcënimet nga Rusia lart në agjendat e tyre.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

Sekretari amerikan i Shtetit thyen traditën 20-vjeçare, refuzon të shtrojë iftar në Shtëpinë e Bardhë

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka refuzuar të shtrojë darkë në Shtëpinë e Bardhë për të shënuar fillimin e muajit të shenjtë të Ramazanit për besimtarët myslimanë. Dy zyrtarë amerikanë brenda administratës i kanë thënë Reutersit në kushte anonimiteti se Tillerson do ta thyejë një traditë të gjatë gati 20 vjet.

Që nga viti 1999, sekretarët e shtetit, demokratë ose republikanë, kanë shtruar gjithnjë darkë të iftarit për të shënuar fillimin e Ramazanit ose një darkë në të cilën kanë shënuar përfundimin e Ramazanit, në ditën e Bajramit.
Tillerson ka hedhur poshtë kërkesën e Zyrës së Departamentit amerikan për Religjion, të cilët kërkuan që të aplikohet tashmë tradita për fillimin e Ramazanit, duke shtruar një darkë solemne për fillimin e muajit të shenjtë.

Trump: NATO të fokusohet në shpenzime, terrorizëm, emigrim dhe kërcënimin rus

Donald Trump duke folur sot në takimin me liderët e vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel

 

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërkuar nga liderët e 27 vendeve të tjera të NATO-s, që të bëjnë më tepër në luftimin e terrorizmit, ndërsa imigrimin dhe kërcënimin nga Rusia, t’i vendosin lartë në agjendën e tyre.

“NATO-ja e së ardhmes duhet të përfshijë fokus të madh në terrorizëm dhe emigrim dhe, po ashtu, në kërcënimet nga Rusia dhe kufijtë lindorë dhe jugor të NATO-s”, u tha Trump liderëve të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel.

Donad Trump, i cili njëherë e kishte karakterizuar NATO-n si “të vjetruar”, po ashtu, e ka përsëritur kërkesën e tij që vendet anëtare të bëjnë “kontribute të tyre të plota dhe komplete” për aleancë, duke i rritur shpenzimet e tyre për mbrojtje.

“Kjo nuk është korrekte për njerëzit dhe taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara”, tha presidenti Trump, dhe ka shtuar se “nëse vendet e NATO-s i bëjnë kontribuetet e tyre të plota dhe komplete, atëherë NATO-ja do të jetë edhe më e fuqishme se sa është sot, veçanërisht nga kërcënimi i terrorizmit”.

Vendet anëtare të NATO-s në të kaluarën patën shprehur përkushtim për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 2% të GDP-së së tyre deri në vitin 2024.

Aktualisht, vetëm Britania, Estonia, Greqia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë arritur këtë nivel të shpenzimeve.

Presidenti Trump nuk e ka përmendur fare Artikullin 5 të marrëveshjes së NATO-s për mbrojtje reciproke, ku theksohet se sulmi kundër një vendi anëtar, paraqet sulm kundër të gjithë anëtarëve.

I pyetur për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për Artikullin 5, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se “ai shkon pa u përmendur” dhe se “prania e Trumpit në këtë ngjarje i thekson përkushtimet tona për obligimet e marrëveshjes”.


Send this to a friend