VOAL

VOAL

Presidenti Trump pritet t’i nënshkruajë sanksionet ndaj Rusisë

Presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi shkurtimin me 755 vetë të personelit diplomatik amerikan në Rusi si reagim ndaj sanksioneve amerikane për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Departamenti amerikan i Shtetit e quajti urdhrin e Presidentit Putin “një veprim për të ardhur keq dhe të pajustifikuar” dhe thotë se po analizon se si do të reagojë. Presidenti Trump pritet t’i nënshkruajë sanksionet ndaj Rusisë, si dhe masa të reja ndaj Iranit dhe Koresë së Veriut të përfshira në legjislacion.

Zoti Putin i tha një rrjeti televiziv rus se qeveria e tij mund të marrë edhe masa të tjera kundër Shteteve të Bashkuara, por se sot për sot ai “do të ishte kundër tyre”.

“Ne kemi një numër të madh alternativash. Po reagojmë tani sepse amerikanët ndërmorën këtë hap të paprovokuar drejt keqësimit të marrëdhënieve SHBA-Rusi, duke imponuar kufizime të paligjshme dhe duke u përpjekur të ushtrojnë ndikim tek vende të tjera, përfshirë aleatët e tyre që janë të interesuar në ruajtjen dhe përparimin e lidhjeve me Federatën Ruse”.

Departamenti i Shtetit nuk pranoi të japë numrin e saktë të diplomatëve ose zyrtarëve amerikanë në Rusi, por mendohet që numri të jetë rreth 400, disa prej të cilëve kanë anëtarë të familjeve me pasaporta diplomatike.

Një numër i madh i mbi 1000 punonjësve të misionve amerikane në Rusi, të cilat përfshijnë ambasadën në Moskë dhe konsullatat në Shën Petërsburg, Vladivostok dhe Jekaterinburg, janë punonjës vendas.

Kongresi amerikan i miratoi sanksionet e reja të enjten. Legjislacioni për sanksionet, demonstroi diçka të rrallë në Kongres, një mbështetje dërrmuese nga të dyja palët.

“Ne nuk do të tolerojmë sulme ndaj demokracisë sonë. Ky është synimi i kësaj pakete”, tha senatori republikan John McCain.

Sanksionet vënë në shënjestër segmente të gjera të sektorëve më me rëndësi për Presidentin Putin.

“Sanksionet e detyrueshme që lidhen me sektorët e energjisë, financave, zbulimit dhe mbrojtjes”, tha senatori demokrat, Ben Cardin.

Ministria e Jashtme e Rusisë ishte e para që reagoi të premten duke propozuar reduktimin e personelit diplomatik dhe teknik amerikan në Rusi në të njëjtin nivel sa ç’është personeli rus në Shtetet e Bashkuara, në 455 vetë dhe shtoi se kjo duhet realizuar deri në fund të gushtit.

Megjithatë zëvendës ministri i jashtëm rus.Sergei Ryabkov tha të dielën se beson që ka fusha ku të dyja palët mund dhe duhet të punojnë së bashku, përfshirë mospërhapjen e armëve të shkatërrimit në masë, kundërterrorizmi, trafiku njerëzor, imgracioni i paligjshëm dhe ndryshimet e klimës.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump do ta nënshkruajë legjislacionin për sanksionet.

Ndërsa Kongresi ishte angazhuar prej kohësh në negociatat për legjislacionin, këshilltarët e zotit Trump ishin shprehur kundër për shkak të një klauzole që u jep ligjvënësve 30 ditë kohë për të rishikuar dhe bllokuar çdo përpjekje të presidentit për të lehtësuar sanksionet kundër Rusisë. Kjo përfshin vendimin e ish-Presidentit Barack Obama për të mbyllur dy komplekse ruse dhe për të dëbuar 35 diplomatë për shkak të ndërhyrjes ruse në zgjedhje.

Analistët politikë në Shtetet e Bashkuara kishin parashikuar se zoti Trump, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet me Putinin, mund t’i shfuqizonte sanksionet e ish- Presidentit Obama kur të merrte detyrën në janar, por ai nuk e bëri këtë.

Që nga ajo kohë, muajt e parë të Presidencës së zotit Trump janë shoqëruar nga hetime të shumta për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, të përqendruara veçanërisht për të analizuar nëse ndihmësit e tij kishin bashkëpunuar me Moskën për ta ndihmuar atë të fitonte.

Hetimet kanë si synim gjithashtu t’i japin përgjigje pyetjes nëse zoti Trump pengoi drejtësinë kur shkarkoi drejtorin e FBI-së James Comey, që ishte në krye të hetimit për Rusinë.

Një tjetër ish-drejtor i FBI-së, Robert Mueller, u emërua për të drejtuar një hetim të posaçëm.

Moska e ka hedhur poshtë përfundimin e komunitetit amerikan të zbulimit se Presidenti Putin personalisht kishte orkestruar ndërhyrjen ruse në zgjedhje. Presidenti Trump i ka quajtur hetimet “gjueti shtrigash” dhe një justifikim që sipas tij kanë përdorur demokratët për të shpjeguar fitoren e tij të papritur ndaj kandidates Hillary Clinton.

Trumpi hedh poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump hodhi poshtë akuzat për kaos në Shtëpinë e Bardhë.

Në komentet e bëra sot në Twitter, Presidenti Trump shkruante se tregu i aksioneve është në nivele të papara, shifrat ekonomike janë më të mirat, papunësia është më e ulta në 17 vjet, pagat po rriten dhe kufiri është i sigurtë. “Në Shtëpinë e Bardhë nuk ka kaos,” shkruante ai.

Komentet e zotit Trump u bënë në prag të betimit të shefit të tij të ri të kabinetit, gjeneralit në pension John Kelly, i cili mori detyrën që deri tani mbahej nga Reince Priebus.

Në takimin me shefin e ri të kabinetit, Presidenti Trump tha se zoti Kelly do të bëjë “një punë spektakolare” në detyrën e re.

Gjatë javës së kaluar, drejtori i ri i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, sulmoi ashpër zotin Priebus, duke përdorur edhe fjalë të papërshtatshme.

Ndërkohë, vetë zoti Trump u bë objekt kritikash për sulmet e tij publike ndaj Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions dhe për dështimin e republikanëve të Senatit për të ndryshuar ligjin e kujdesit shëndetësor.

Sot, Presidenti Trump pati një takim me Prokurorin e Përgjithshëm në Shtëpinë e Bardhë.

Pence: Sulmi ndaj një aleati të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve

TALIN – Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence tha se sulmi ndaj një aleati të NATO-s, është sulm ndaj të gjithë aleatëve.

Pence, i cili ndodhet për vizitë në kryeqytetin e Estonisë, Talin, u takua me Presidentin e këtij vendi Kersti Kaljulaid, Presidentin e Letonisë Raimonds Vejonis dhe Presidenten e Lituanisë Dalia Grybauskaite.

“Sulmi ndaj një aleati të NATO është sulm ndaj të gjithëve”, ka thënë Pence.

Sipas tij, presidenti amerikan Donald Trump konsideron se siguria është baza e përparimit.

Pritet që pas Estonisë Pence të vizitojë Gjeorgjinë dhe Malin e Zi.

Pence e ka theksuar mundësinë e vendosjes së sistemit antiraketor në Estoni

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence gjatë konferecës së përbashkët për media me presidenten e Estonisë Kersti Kaljulaid, atë të Lituanisë, Dalia Grybauskaite dhe presindetin e Letonisë, Raimonds Vejonis

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, dje e ka ngritur mundësinë e vendosjes së sistemit mbrojtës raketor, Patriot, në Estoni, ka thënë kryeministri i këtij vendi, Juri Ratas.

Ne folëm për këtë çështje, por ne nuk kemi biseduar për datë ose kohë”, i tha zoti Ratas transmetuesit shtetëror, ERR, pasi Mike Pence e filloi një vizitë në këtë vend të vogël baltik, në kufi me Rusinë.

Sistemi mbrojtës antiraketor i Shteteve të Bashkuara, Patriot, është mobil, i vendosur në tokë dhe me kapacitet për interceptimin e raketave dhe aeroplanëve.

Kryeministri Ratas tha se me zëvendëspresidentin, Mike Pence, ka biseduar edhe për manovrat e planifikuara ushtarake të Rusisë, afër kufirit të Estonisë dhe se “Estonia, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, do të duhej t’i monitoronin ato dhe shkëmbejnë informacione”.

Zoti Pence, në ndaljen e parë të tij gjatë turneut, me ç’rast do ta vizitojë edhe Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, tha në kryeqytetin Talin të Estonisë, se Uashingtoni qëndron me vendet baltike dhe aleatët e tjerë në pjesën lindore të Evropës, që kanë shprehur shqetësim për qëllimet e Rusisë në rajonet përkatëse.

Mesazhi ynë për vendet baltike, mesazhi im kur ne e vizitojmë Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, do të jetë i njëjtë: për aleatët tanë këtu në Evropën Lindore, ne jemi me ju, ne qëndrojmë me ju në të mirë të lirisë”, tha Pence gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan, Fox News.

Në Talin zëvendëspresidenti, Mike Pence, është takuar me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, me ç’rast është biseduar për ekonominë digjitale, sigurinë kibernetike dhe për inovacione.

Planifikohet që ai do të qëndrojë edhe në Letoni dhe Lituani, që të dy këto shtete, së bashku me Estoninë, janë anëtare të NATO-s, të cilat dikur ishin nën sundimin e Moskës gjatë periudhës sovjetike.

Nga Talini, zoti Pence ndalet në Gjeorgji dhe në Mal të Zi, që është vendi më i ri anëtar i aleancës veriatlantike.

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara thonë se ky udhëtim shihet si vazhdim i vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Evropë, në fillim të muajit korrik.

Me këtë rast, zoti Trump pat qëndruar në Poloni dhe Gjermani, për të shprehur mbështetje për NATO-n, derisa gjatë këtij udhëtimi ai ka mbajtur takime me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në përpjekje për përmirësim të lidhjeve me Moskën.

Në fillim të presidencës së tij, Trump i pat zemëruar disa aleatë amerikanë pasi ai kishte dështuar që ta theksojë qartazi Artikullin 5 të Marrëveshjes për NATO-n, sipas të cilit sulmi kundër një anëtari të NATO-s paraqet sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare të aleancës.

Por, më 6 korrik në Varshavë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se qëndron “fuqishëm prapa” Artikullit 5 dhe e ka kritikuar Rusinë për aktivitetet e saj në Evropë.

Estonia dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s, derisa Gjeorgjia ka shprehur dëshirë për bashkim me aleancën perëndimore.

I pyetur për përkushtimin e zotit Trump për dispozitën për mbrojtje reciproke të NATO-s, Pence u tha reporterëve në Talin të Estonisë, se administrata e Shteteve të Bashkuara “e ka bërë të qartë se politika e jonë është që të qëndrojmë fuqishëm me aleatët tanë në NATO dhe të qëndrojmë fuqishëm prapa Artikullit 5, se një sulm në njërin prej nesh, është sulm në të gjithë ne”.

Në Gjeorgji, zyrtarët e këtij vendi thanë se Mike Pence pritet ta theksojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë.

Gjeorgjia e ka përjetuar shkeljen ruse në territorin e saj.

Kremlini i ka njohur si shtete të pavarura dy rajone separatiste në Gjeorgji, Abhazinë dhe Osetinë Jugore, pas luftës pesëditëshe kundër Gjerogjisë, në vitin 2008.

Në këto dy rajone, Rusia i ka vendosur mijëra ushtarë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

SHBA: Dënohet kërkesa e Putinit për largimin e 755 diplomatëve

Departamenti amerikan i shtetit ka vlerësuar se kërkesa e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për zvogëlimin e personelit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Rusi për 755 vetë, është “për keqardhje dhe e paarsyshme” dhe ka paralajmëruar se Uashingtoni po e shqyrton përgjigjen e mundshme.

“Ne po e vlerësojmë ndikimin e një kufizimi të tillë dhe se si do të përgjigjemi ndaj tij”, thuhet në kumtesën e mbrëmshme të Departamentit amerikan të shtetit.

Kërkesa e zotit Putin që Shtetet e Bashkuara ta zvogëlojnë numrin e personelit në Rusi u bë në periudhën e përshkallëzimit të mospajtimit lidhur me sanksionet e reja të miratuara nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara kundër Moskës.

Gjatë një interviste të djeshme në Televizionin shtetëror rus, Putin tha se më se 1 mijë diplomatë amerikanë dhe “personel mbështetës” aktualisht punojnë në Rusi dhe “755 vetë duhet ta ndalin aktivitetin e tyre”.

SHBA teston me sukses sistemin e ndalimit të raketave

Sistemi i mbrojtjes raketore THAAD, i SHBA-së

SHBA-ja ka thënë se me sukes ka rrëzuar një raketë balistike me rreze të mesme, në kuadër të testimeve, duke përdorur sistemin e pengimit , që shpreson ta vendosë në gadishullin korean.

Testi i sotëm i sistemit të mbrojtjes raketore (THAAD), është bërë në kohën e tensioneve të ngritura, pasi Koreja Veriore testoi me sukes një raketë balistike interkontinetale (ICBM), e cila dëshmoi se ka kapacitet për të arritur në territorin e SHBA-së.

Agjencia e Mbrojtjes Raketore në SHBA, ka thënë se testi amerikan është bërë ashtu që, një aeroplan i tipit C-17, duke fluturuar në Oqeanin Paqësor, ka nisur një raketë me rreze të mesme, e cila është zbuluar dhe penguar nga sistemi i mbrojtjes raketore THAAD, në Alaskë.

Kjo agjenci ka thënë se ky është testimi i 15-të që është kryer me sukses.

Disa nga testimet e këtij lloji ishin kryer nga Koreja Jugore, kur Seuli udhëhiqej nga qeveria e mëparshme.

Lideri i ri i Koresë Jugore, Moon Jae-In, pati pezulluar programin THAAD, në qershor, duke thënë se duhet të bëhet një vlerësim i ri i ndikimit të këtij programi në mjedis.

Kina ka qenë shumë e zemëruar me vendosjen e programit në këtë pjesë, duke e quajtur këtë hap si destabilizues për rajonin.

Presidenti rus, Vladimir Putin pati thënë se vendosja e programit THAAD, në Korenë Jugore dhe në Alaskë, “shkatërron balancin strategjik në botë”.

Donald Trumpi do ta sulmojë Korenë e Veriut “brenda vitit të ardhshëm”

Donald Trumpi thuhet se do të urdhërojë një sulm ushtarak kundër Koresë së Veriut ‘brenda vitit të ardhshëm’, pasi shteti komunist tha se shkrepi me sukses një raketë balistike e cila është në gjendje të godasë SHBA-në.

Burime ushtarake në Uashington i thanë ‘The Mail’ të dielën se zyrtarët e Pentagonit kanë planifikuar të zhdukin një objekt të armatimit bërthamor që vepron thellë brenda një mali në shtetin komunist.

Kjo lëvizje, që mund të nxitë sulme hakmarrëse nga diktatori Kim Jong-Un, do të ishte një hap i madh drejt luftës gjithëpërfshirëse për të ndalur Korenë e Veriut nga zhvillimi i armëve bërthamore, transmeton Gazeta Express.

Kjo vjen pasi Koreja e Veriut lansoi një raketë balistike ndërkontinentale me një rreze veprimi prej 7,000km të premten në mbrëmje.

Pentagoni tha se raketa fluturoi rreth 4,000km pothuajse drejt, para se të zhytej në detin e Japonisë.

Trump: Kina më ka shkaktuar një zhgënjim të madh

“Kina më ka shkaktuar një zhgënjim të madh. Udhëheqësit tanë të pamend në të kaluarën u kanë lejuar atyre që të bëjnë tregti me qindra miliarda dollarë në vit, por ata nuk kanë bërë asgjë për ne lidhur me çështjen e Koresë së Veriut”

UASHINGTON – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump duke iu referuar Kinës se “nuk ka bërë asgjë” lidhur me çështjen e Koresë së Veriut, është shprehur se “Kina i ka shkaktuar një zhgënjim të madh”.

Trump duke kritikuar Kinën nga llogaria e tij në rrjetin social Twitter, ka shkruar se:

“Kina më ka shkaktuar një zhgënjim të madh. Udhëheqësit tanë të pamend në të kaluarën u kanë lejuar atyre që të bëjnë tregti me qindra miliarda dollarë në vit, por ata nuk kanë bërë asgjë për ne lidhur me çështjen e Koresë së Veriut. Ne nuk do të lejojmë që kjo të vazhdojë. Kina mund ta kishte zgjidhur me lehtësi këtë problem!”.

Ky postim i presidentit Trump ka ardhur pas testimit të raketës balistike interkontinentale të Koresë së Veriut.

Raketa e testuar nga Pyongyang-i ka udhëtuar 1 mijë kilometera, para se të binte në detin e Japonisë.

Trump i cili qëndroi në Hamburg në kuadër të Samitit të Liderëve G20, ishte takuar me presidentin e Kinës Xi Jinping.

Gjatë këtij takimi tema kryesore ishte Koreja e Veriut, ndërkohë para këtij takimi në një deklaratë për media Trump kishte falenderuar presidentin kinez për angazhimin e tyre lidhur me çështjen e Koresë së Veriut.

Trump poashtu në një takim të zhvilluar më herët në Florida ishte shprehur se kanë marrëdhënie të shkëlqyera me presidentin Xi Jinping. AA

SHBA, largohet Priebus. Presidenti emëron gjeneralin Kelly si shef kabineti

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten pasdite me Twitter se kishte emëruar sekretarin e Sigurisë Kombëtare gjeneralin në pension John Kelly si shef kabineti të Shtëpisë së Bardhë, në vend të zotit Reince Priebus.

“Jam i kënaqur t’ju informoj se sapo kam emëruar Gjeneralin/ Sekretarin John Kelly si shef kabinetit të Shtëpisë së Bardhë. Ai është një amerikan i shkëlqyer,” shkruante Presidenti në Twitter.

Vendimi i presidentit Trump vjen pas disa ditë tensionesh publike mes zotit Priebus dhe drejtorit të ri të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë Anthony Scaramucchi.

“Reince Priebus është njeri i mirë. Gjeneral Kelly do të bëjë një punë fantastike,” tha zoti Trump pasi zbriti nga avioni presidencial.

Pak ditë më parë, zoti Scaramucchi ndërmori sulme verbale kundër shefit tashmë të shkarkuar të kabinetit, Priebus, zhvillime që u panë si një luftë e hapur brenda stafit në nivelet më të larta të administratës Trump.

Zoti Kelly njihet për mbështetjen që gëzon nga ligjvënësit e të dyja partive.

Ekonomia amerikane rritet me një ritëm më të shpejtë

Rritja vjetore e ekonomisë amerikane për muajt prill, maj dhe qershor, ishte 2.6 për qind, sipas një raport të ri të Departamentit të Tregtisë të botuar të premten.

Të dhënat e prodhimit të brendshëm bruto, tregojnë se shpenzimet e konsumatorëve dhe të bizneseve ndihmuan në nxitjen e rritjes ekonomike. Sara Johnson, ekonomiste në kompaninë IHS Markit, thotë se rritja e ekonomisë amerikane u ndihmua edhe nga ritmet më të shpejta të ekonomisë globale që përmirësuan tregtinë amerikane.

Prodhimi i Brendshëm Bruto llogarit të gjitha mallrat dhe shërbimet e prodhuara në vend, dhe konsiderohet si vlerësimi më i gjerë i gjendjes ekonomike. Ky raport bazohet në të dhënat paraprake dhe mund të rishikohet pasi informacioni më i plotë të bëhet i disponueshëm. Një korrigjim i tillë u bë në raportin mbi nivelin e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto për muajt janar, shkurt dhe mars, që tregoi se rritja ekonomike ishte më e ngadaltë se sa ç’ishte menduar më parë.

Presidenti Trump, gjatë fushatës presidenciale premtoi se do të realizonte një rritje ekonomike prej 3 përqindësh ose më të lartë, përmes pakësimit të rregulloreve, taksave dhe programit të kujdesit shëndetësor, ndërkohë që do të rriste shpenzimet për infrastrukturën. Ndërsa ai ka eliminuar disa rregulla, pjesa tjetër e programit ekonomik të presidentit republikan është zvarritur në kongres, megjithëse të dyja dhomat e kongresit kontrollohen nga republikanët.

Një studim tjetër, i kryer nga Universiteti i Miçiganit, thotë se vlerësimi i konsumatorëve për ekonominë në muajin korrik shënoi rënie, por vazhdon të jetë në një nivel “të favorshëm”. Ekonomistët ndjekin me kujdes nivelin e shitjeve pasi shpenzimet e konsumatorëve janë motori i ekonomisë amerikane.

Senati refuzon shfuqizimin e “Obamacare”

Senati amerikan dështoi të premten herët për të miratuar një shfuqizim të pjesshëm të “Aktit të kujdesit të përballueshëm”, i njohur edhe si Obamacare.

Tre ligjvënësit republikanë – John McCain nga Arizona, Lisa Murkowski nga Alaska dhe Susan Collins nga Maine – votuan me demokratët (51 me 49) duke mundur përpjekjet e republikanëve për shfuqizim.

Presidenti Donald Trump, përdori llogarinë e tij në twitter pak kohë pas votimit, për të qortuar republikanët që u bashkuan me demokratët.

“3 republikanë dhe 48 demokrat i lanë qytetarët amerikanë në baltë…”
shkroi ai.

I ashtuquajturi “shfuqizim i pjesshëm” synonte mes tjerash, t’i jepte fund kërkesës që shumica e amerikanëve të blejnë sigurimet shëndetësore ose të përballen me gjoba dhe që kompanitë me më shumë se 50 punonjës të sigurojnë mbulimin e sigurimeve për punonjësit e tyre.

Senati amerikan ia dërgon Trumpit ligjin për sanksionet e reja ndaj Rusisë

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se sanksionet eventuale janë një hap qëllimkeq, dhe se nga pikepamja e të drejtës ndërkombëtare janë të paligjshme

UASHINGTON – Senati amerikan ka miratuar mbrëmë sanksionet e reja kundër Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, për çka dokumenti i është dërguar për aprovim presidentit Donald Trump, në mënyrë që i njëjti të shndërrohet në ligj.

Ndërsa është e paqartë nëse Trump do të nënshkruaj dokumentin ose do ti vendos një veto, drejtori i departamentit për Komunikim brenda Shtëpisë së Bardhë, Anthony Scaramucci,tha se “presidenti mund të nënshkruaj sanksionet ashtu siç janë ose mund të vendos një veto, dhe të negociojë për sanksione akoma më të ashpra ndaj Rusisë”.

Masat e fundit parashohin sanksione për zyrtarët rus, lidhur me akuzat për përfshirjen e tyre në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar në SHBA, ndërkohë që ato kundër Iranit dhe Koresë së Veriut kanë të bëjnë me programet e tyre bërthamore.

Senatori Bob Korker, kryetar i komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, përshëndeti legjislacionin, duke thënë se ai dërgon një sinjal të fortë për Iranin, Rusinë dhe Korenë e Veriut që “SHBA-të do të qëndrojnë të vendosura dhe të bashkuara përballë sjelljes së tyre destabilizuese”.

Në një prononcim të tij të enjten në Finlandë, presidenti rus, Vladimir Putin tha se sanksionet eventuale janë një hap qëllimke

Sessions thotë se, përkundër kritikave të Trumpit, nuk tërhiqet

Prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Jeff Sessions, u ka thënë mediave se ai nuk do të tërhiqet, përkundër kritikave të ashpra të presidentit, Donald Trump, për mënyrën se si ai i ka menaxhuar hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Trump disa herë është ankuar lidhur me vendimin e zotit Sessions për tu tërhequr nga hetimet e Departamentit të drejtësisë për Rusinë, pak kohë pasi u emërua në këtë post dhe për dështimin e tij që t’i akuzojë njerëzit në qeverinë amerikane, që në media kanë dhënë informacione për detajet e hetimeve.

Përkundër këtyre kritikave, që kanë shkaktuar spekulime se Sessions së shpejti mund të shkarkohet ose tërhiqet, në intervistën për agjencinë AP, Sessions tha mbrëmë se ai nuk ka synim që të largohet nga posti dhe do të jetë aty “aq sa e sheh të arsyeshme” presidenti Trump.

“Nëse ai dëshiron të bëjë ndryshime, ai i ka të gjitha të drejtat”, tha Sessions gjatë qëndrimit të tij në El Salvador.

Debat i nxehtë mbi projekt-ligjin për sanksionet ndaj Moskës

Shtëpia e Bardhë të enjten nuk përjashtoi mundësinë që Presidenti Donald Trump t’i vërë veton sanksioneve të reja të Kongresit ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut, duke nxitur kritika të ashpra nga ligjvënësit e të dyja partive politike të vendit.

“Ai mund të nënshkruajë sanksionet ashtu siç i ka propozuar kongresi, mund t’i vërë veton, ose mund të negociojë një marrëveshje për sanksione edhe më të ashpra kundër rusëve”, tha Anthony Scaramucci, drejtor i komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, në një intervistë për rrjetin CNN.

Madje thjeshtë ideja e vetos shkaktoi reagim të menjëhershëm nga kongresi.

“Unë mendoj se do të ishte një gabim shumë i keq,” i tha Zëri i Amerikës senatori republikan nga Teksasi, John Cornyn. “Do të ishte më mirë nëse ata [zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë] do të punonin me ne për krijimin e legjislacionit për këtë çështje”.

“Projekt-ligji i sanksioneve i jep presidentit një armë më të fortë në diskutimet e tij me [Presidentin Vladimir] Putin,” tha udhëheqësi i demokratëve në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Ben Cardin nga Merilendi. “Nëse ai i vë veton projekt-ligjit, kjo do të thotë se ai nuk dëshiron të ketë një dorë më të fortë në diskutimet me zotin Putin”.

“Është e vështirë ta kuptojmë se çfarë del nga Shtëpia e Bardhë,” shtoi senatori Cardin.

“Kongresi ka fuqinë ta anulojë veton”, tha senatori demokrat nga Nju Xhërsi, Bob Menendez.

Udhëheqësi i pakicës në Senat Chuck Schumer hodhi poshtë pohimin “qesharak” të zotit Scaramucci se Presidenti Trump mund të negociojë sanksione edhe më të ashpra kundër Rusisë.

“Edhe unë jam një njujorkez,” tha senatori Schumer duke shtuar, “dhe mund t’i kuptojë idetë jo serioze.”

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi projekt-ligjin e sanksioneve të martën me 419 vota pro dhe 3 kundër. Edhe në senat pritet të ketë një mbështetje të ngjashme për këtë projekt-ligji.

Projekt-ligji synon të vendos kosto më të mëdha ekonomike ndaj Moskës, Teheranit dhe Phenianit për një sërë aktivitetesh të këtyre vendeve që kundërshtohen nga Uashingtoni dhe i jep Kongresit fuqinë për të bllokuar çdo masë presidenciale për të pezulluar masat ndëshkuese.

Gjatë negociatave disa javëshe, administrata e Presidentit Trump fillimisht i kundërshtoi këto masa duke i quajtur ato një përpjekje për të kufizuar aftësinë e ekzekutivit për të lehtësuar në mënyrë të njëanshme sanksionet, duke thënë se ato kufizojnë aftësitë e Shteteve të Bashkuara në përpjekjet për të ndryshuar veprimet ruse dhe për të ndërtuar një marrëdhënie më të mirë me Presidentin rus Vladimir Putin.

Shqetësimi për këtë çështje u eliminua në fillim të javës, kur Shtëpia e Bardhë shprehu mbështetjen për projekt-ligjin.

“Presidenti mbështet sanksionet ndaj këtyre vendeve dhe dëshiron të sigurohet që ato të mbeten në fuqi, por në të njëjtën kohë ai dëshiron të sigurohemi që të jemi në gjendje të arrijmë marrëveshje të mira për këto çështje. Këto dy gjëra janë shumë të rëndësishme për presidentin,” u tha gazetarëve të hënën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha të mërkurën se Moska ka të ngjarë të hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara nëse sanksionet hyjnë në fuqi.

Sipas mediave shtetërore ruse, Ryabkov paralajmëroi se sanksionet e reja do të eliminojnë çdo shans për përmirësim të marrëdhënieve mes Moskës dhe Uashingtonit. Ai gjithashtu tha se Rusia e kishte paralajmëruar më parë administratën e Presidentit Trump se do të kundërpërgjigjej nëse ligjvënësit amerikanë miratojnë projekt-ligjin për sanksionet.

Tillersoni mohon se do të largohet nga detyra

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i mohoi raportet e mediave se ai po shqyrton të dorëzojë postin.

Këtë javë në Uashington ka pasur zëra se Tillerson do të largohet shpejt nga detyra për shkak të zemërimit me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe të tjerë në Shtëpinë e Bardhë.

“Nuk po shkoj askund”, u tha Tillerson gazetarëve në Departamentin e Shtetit.

Ai shtoi se do të qëndrojë në detyrë “për aq kohë sa e lejon presidenti”.

I pyetur për marrëdhënien e tij me Trumpin, Tillerson tha se “është e mirë”.

Trumpi “jomiqësor” ndaj myslimanëve në SHBA

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Shumica e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara mendojnë se presidenti Donald Trump është “jomiqësor” ndaj tyre, porse 92 përqind e të anketuarve thonë se “ndjehen krenarë” që janë amerikanë.

Sondazhi i Qendrës amerikane të Kërkimeve Pew po ashtu thotë se rreth gjysma e myslimanëve amerikanë të anketuar kanë thënë se kanë marrë mbështetje nga amerikanët e tjerë për faktin se janë myslimanë.

Anketa është kryer në periudhën 23 janar – 2 maj, 2017 dhe është bërë përmes telefonit me të rritur myslimanë që jetojnë në SHBA.

Pyetjet janë bërë në gjuhën angleze, arabe, farsi dhe urdu.

Prejse ka marrë detyrën në janar, Trump ka bërë përpjekje t’iu ndalojë përkohësisht hyrjen në SHBA vizitorëve nga disa vende me shumicë myslimane.

Këtë vit, për herë të parë gati në 20 vjet, Shtëpia e Bardhë nuk ka organizuar Darkën e Iftarit gjatë muajit të Ramazanit. rel

Megjithë vërejtjet e Trumpit, miratohen sanksionet e reja kundër Rusisë

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese Paul Ryan

Dhoma Përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara me shumicë bindëse të votave, mbrëmë i ka forcuar sanksionet e reja kundër Rusisë, përkundër vërejtjeve nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Ligjvënësit kanë votuar me 419 vota për dhe vetëm 3 kundër, ndërsa ky legjislacion është mbështetur fuqishëm nga republikanët e zotit Trump dhe demokratët.

Tash pritet që ky legjislacion të kaloj edhe në Senat, e pastaj t’i dërgohet Shtëisë së Bardhë për nënshkrim nga presidenti Trump.

Të dy dhomat pritet se kanë numër të mjaftueshëm të votave për ta mbizotëruar veton e mundshme të presidentit ndaj këtij legjislacioni, me të cilin, po ashtu, imponohen sanksione të reja kundër Iranit dhe Koresë Veriore.

Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese, Paul Ryan, tha pas votimit se pakoja e sanksioneve “i shtrëngon bulonat në armiqtë tanë më të rrezikshëm me qëllim që Amerika të mbahet e sigurt”.

Pas votimit, Shtëpia e Bardhë tha se “derisa presidenti i mbështet sanksionet e ashpra kundër Koresë Veriore,Irani dhe Rusisë”, ai po e shqyrton këtë legjislacion dhe po pret ta ketë versionin final, që kalon në Senat, para se të vendos për ta nënshkruar ose për t’i dhënë veto.

Këto sanksione janë pritur me kritika nga Rusia dhe nga disa aleatë amerikanë në Bashkimin Evropian, që kanë tërhequr vërejtjen se sanksionet do të ndërhyjnë në projektet kryesore energjetike në Evropë.

Prokurori i Përgjithshëm Sessions, nën presion të dyfishtë

Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions po ndeshet me presion në rritje nga Kongresi dhe nga Shtëpia e Bardhë lidhur me kontaktet me ish-të dërguar rusë në Uashington si dhe me vendimin që mori më pas për t’u shkëputur nga hetimet që po zhvillonte Departamenti i Drejtësisë mbi dyshimet se mund të ketë pasur marrëveshje të fshehta mes ekipit të Presidentit Trump gjatë zgjedhjeve dhe Rusisë.

Dy ditë radhazi Presidenti Trump postoi në Twitter komente ku kritikonte zotin Sessions dhe aludonte se hetimet duhet të përfshinin edhe ish-kandidaten demokrate Hillary Clinton.

“Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions është treguar shumë i dobët ndaj krimeve të Hillary Clintonit (ku janë emailet dhe serveri i Komitetit Kombëtar të Demokratëve?) si dhe me ata që nxjerrin informata sekrete,” shkruante presidenti. Të hënën ai e cilësonte zotin Sessions si “Prokurori ynë me telashe” dhe pyeste përse ai “nuk kishte hetuar Hillary-n për krime dhe për kontakte me Rusinë?”.

Senatorja Dianne Feinstein i kërkoi zotit Sessions të hënën të dilte para Komisionit të Senatit për Gjyqësorin sa më parë për t’iu përgjigjur pyetjeve për bisedat me ish-ambasadorin rus në Uashington, Sergey Kisliak, gjatë fushatës së 2016. Në atë kohë zoti Sessions ishte këshilltar i ekipit Trump, por edhe anëtar it Senatit.

Gazeta Washington Post njoftoi të premten se Kisliak u kishte thënë eprorëve në Moskë vitin e kaluar se kishte diskutuar çështje të fushatës me Sessions, ndryshe nga deklarimet që bëri Sessions lidhur me këto takime. Gazeta shruante se informatat ishin nxjerrë nga biseda të interceptuara mes Kisliakut dhe Moskës.

((https://www.washingtonpost.com/world/national-security/sessions-discussed-trump-campaign-related-matters-with-russian-ambassador-us-intelligence-intercepts-show/2017/07/21/3e704692-6e44-11e7-9c15-177740635e83_story.html ))

“Kjo është një çështje serioze, dhe Komisioni duhet të dëgjojë shpjegimet e drejtpërdrejta të Prokurorit të Përgjithshëm,” shkruante Senatorja Feinstein në një letër në adresë të kryetarit të Komisionit Chuck Grassley, ku e nxiste atë të thërriste zotin Sessions për të dëshmuar.

Al Franken, një tjetër anëtar demokrat i komisionit dhe kritik i zotit Trump, e cilësoi bisedën e përshkruar në gazetë mes Sessions dhe Kisliakut një “zhvillim shumë shqetësues në marrëdhëniet mes ekipit të zotit Trump dhe Rusisë”.

“Tani është më e qartë se kurrë se Jeff Session duhet të dëshmojë përsëri para komisionit që ne të dimë përgjigjet,” shkruante Senatori Frankel në Facebook të premten. Megjithatë, më pas ai tha në intervistë me rrjetin CNN se kryetari it komisionit nuk do ta thërrasë Sessions për të dëshmuar përsëri.

Një zëdhënës për kryetarin e Komisionit të Senatit për Gjyqësorin, Chuck Grassley tha për Zërin e Amerikës të hënën se zoti Grassley do ta thërrasë Sessions të dëshmojë më vonë, pasi të jetë emëruar gjithë ekipi i Prokurorit të Përgjithshëm. Zëdhënësi, Taylor Foy tha se pakica demokrate në Senat ka “këmbëngulur për të zvarritur emërimet e zyrtarëve për Departamentin e Drejtësisë” dhe se kjo e ka vështirësuar punën mbikqyrëse që kryen komisioni mbi strukturat e drejtësinë.

Komisioni i Senatit për Drejtësinë mbikqyr punën e Departamentit të Drejtësisë dhe është një ndër komisionet e përfshira në hetimet mbi rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të 2016.

Në mars, Jeff Sessions u tërhoq nga hetimet mbi Rusinë, pas njoftimeve se ai nuk kishte treguar gjithçka mbi kontaktet e tij me ish-ambasadorin rus Kisliak kur kishte dëshmuar para komisionit në seancën për miratimin e emërimit të tij si Prokuror it Përgjithshëm.

Zoti Sessions ka hedhur poshtë akuzat se ka dhënë dëshmi çorientuese para senatorëve, duke shtuar se tërheqja e tij nga procesi hetimor u bë si rezultat i rolit të tij si këshilltar i ekipit Trump gjatë fushatës.

Presidenti Trump shprehu revoltim në përgjigje të shkëputjes së zotit Sessions nga procesi hetimor dhe më pas ai e fajësoi Prokurorin e Përgjithshëm për emërimin e Robert Muellerit si prokuror special për të drejtuar këto hetime.

Në një intervistë me gazetën New York Times javën e kaluar, Presidenti Trump tha se ai nuk do ta kishte emëruar kurrë Jeff Sessions për prokuror të përgjithshëm po ta kishte ditur se ai do të tërhiqej nga hetimi mbi rolin që ka luajtur Rusia në zgjedhje.

((https://www.nytimes.com/2017/07/20/us/politics/trump-jeff-sessions-attorney-general.html ))

Senatori McCain i kthehet punës në Senat

Senatori republikan i Shteteve të Bashkuara, John McCain, i cili javën e kaluar është diagnostikuar me kancer në tru, do t’i kthehet sot punës në Senat.

Zyra e tij tha se McCain do të vazhdojë punën mbi legjislacione të rëndësishme, përfshirë reformën e kujdesit shëndetësor, Aktin për Autorizim të Mbrojtjes Kombëtare dhe sanksionet e reja ndaj Rusisë, Iranit dhe Koresë së Veriut.

Republikanët votojnë sot për nisjen e debatit për shfuqizimin dhe zëvendësimin e sistemit shëndetësor të ish-presidentit Barack Obama – të njohur si Obamacare.

Republikanët kanë shumicën në Senat, por në partinë e tyre ka ndarje të thella për këtë çështje.

Me vetëm dy vota kundër, republikanët që kanë 52 ulëse në Senatin 100-anëtarësh, e kanë të pamundur të kalojnë ligje.

Andaj, kthimi i McCainit në punë shihet si vendimtar.

Dhëndri i Presidentit Trump mohon të ketë bashkëpunuar me qeveritë e huaja

Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i afërt i Presidentit Donald Trump, thotë se ai nuk ka bashkëpunuar në fshehtësi me asnjë qeveri të huaj dhe se nuk ka patur kontakte të papërshtatshme.

Zoti Kushner bëri publike sot një deklaratë me shkrim, përpara se të paraqitej për t’iu përgjigjur pyetjeve në një seancë me dyer të mbyllura të Komisionit të Senatit për Zbulimin. Gjithashtu, një tjetër seancë dëgjimore është planifikuar për ditën e nesërme tek Komisioni për Zbulimin i Dhomës së Përfaqësuesve, si pjesë e hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vjetshme në Shtetet e Bashkuara.

Zoti Kushner shkruan se: “Dokumentat dhe të dhënat që ofroj provojnë se unë kam patur ndoshta katër herë kontakte me përfaqësues të Rusisë, ndër mijëra kontakte të zhvilluara gjatë fushatës elektorale dhe periudhës së tranzicionit të qeverisë; asnjë nga këto kontakte nuk patën ndikim në asnjë mënyrë tek zgjedhjet apo ndonjë vlerë për t’u mbajtur mend.”

Ai përshkruan në vazhdim disa takime të shkurtra me ambasadorin e Rusisë në Shtetet e Bashkuara, gjatë të cilave ai thotë se diskutuan rreth dëshirës për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA – Rusi, por ai mohon raportimet nga mediat se ka patur edhe biseda të mëtejshme telefonike me ambasadorin rus, Sergey Kislyak.

Komisionet e Kongresit pritet të kërkojnë informacion të mëtejshëm për konktatet e zotit Kushner me Rusinë, ndër to edhe për një takim të zhvilluar në muajin qershor të vitit të kaluar me një avokate ruse dhe personazhe të tjera të lidhura me Moskën.

Presidenti Trump dhe sanksionet ndaj Rusisë

Në kundërpërgjigje të ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane, një grup dypartiak udhëheqësish të Kongresit kanë rënë dakort për sanksione të reja për Rusinë, si dhe për miratimin e një neni që do të parandalonte lehtësimin e sanksioneve për Moskën nga Presidenti Donald Trump.

I pyetur nëse Presidenti Trump do ta nënshkruajë legjislacionin e ri, Drejtori i ri i Komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, Anthony Scaramucci, u shpreh për rrjetin CNN, se: “Duhet të pyesni vetë Presidentin Trump. Unë mendoj se ai do të marrë vendimin e duhur”. Në vazhdim të bashkëbisedimit, zoti Scaramucci pasqyroi pikëpamjet e shprehura në të kaluarën nga Presidenti, duke thënë se “afera e Rusisë është diçka fallso dhe e pakuptimtë”.

Zoti Scaramucci, i cili u emërua vetëm dy ditë më parë, tha se Presidenti Trump vazhdon të mos jetë i bindur se ishte Rusia ajo që ndërhyri në serverat e zyrave qendrore të Partisë Demokrate në Uashington, dhe që më vonë bëri të disponueshme nëpërmjet faqes Wikileaks mijëra email-e në dëm të rivales demokrate në garën presidenciale, zonjës Hillary Clinton.

Në një bashkëbisedim tjetër me kanalin ABC News, Sekretarja e re e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee, tha se “Shtëpia e Bardhë mbështet legjislacionin aktual”.

Fillimisht ishte paraqitur një projektligj në Dhomën e Përfaqësuesve për sanksione ndaj Iranit, të cilave më vonë iu shtuan edhe sanksionet për Korenë e Veriut. Të martën, Dhoma e Përfaqësuesve do të votojë legjislacionin që do të përfshijë sanksione për të tre vendet: Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut.

Shtëpia e Bardhë ka kundërshtuar paragrafin ku përcaktohet se do të duhet miratim i Kongresit për çdo rishikim të sanksioneve nga Presidenti Trump. Ligjvënës nga të dyja kahet e politikës e kërkuan një masë të tillë për shkak të përpjekjeve të vazhdueshme të Presidentit Trump për marrëdhënie më të ngrohta me Rusinë. Sipas ligjit të ri, Presidentit Trump do t’i duhet të paraqesë një raport në Kongres, ku do të shpjegojë arsyet për heqjen e sanksioneve. Kongresi do të ketë në vazhdim 30 ditë për të zhvilluar seanca dëgjimore dhe për të votuar propozimin.

Dunford: Rusia – një nga kërcënimet, me të cilat ballafaqohet SHBA-ja

Gjenerali i Lartë amerikan, Joseph Dunford, thotë se Rusia është “aktori më i aftë shtetëror”, me të cilin ballafaqohen Shtetet e Bashkuara, por kjo është vetëm njëra nga shumë sfidat e sigurisë në ambientin e sotëm.

Gjenerali Dunford, shef i Shtatmadhorisë së ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, më tutje gjatë fjalimit të tij në Forumin e Sigurisë në Aspen të Kolorados, theksoi se “Rusia…është njëri nga kërcënimet, me të cilat ne ballafaqohemi tash dhe është një nga më të aftat ushtarakisht”.

Por, ai theksoi se “ne aktualisht nuk e kemi luksin që ta veçojmë vetëm një sfidë”, dhe shtoi se “qartas, Koreja Veriore, sot nga perspektiva e ndjenjës së emergjencës, do të ishte sfida numër 1”.

Gjenerali Dunford, po ashtu, tha se “ne sigurisht se merremi me ndikimin e rrezikshëm nga Irani në baza ditore”. Ai u shpreh se “lufta kundër ekstremizmit të dhunshëm është rol ku ne jemi të angazhuar në mënyrë komplete” dhe shtoi se “kemi disa sfida të sigurisë në paqësor”, përfshirë “rritjen e Kinës”.

I pyetur se si Shtetet e Bashkuara do të përgjigjen kundër Rusisë për “sfidimin e vazhdueshëm” të perëndimit në Ukrainë, për aksionet e saj në Siri dhe për “rrezikimin” e aeroplanëve luftarakë amerikanë, gjenerali Dunford tha se sa i përket Rusisë, ne para së gjithash, duhet të jemi të aftë për ta zmbrapsur luftën atomike”.

Dunford u shpreh për rëndësinë e mbajtjes së kapaciteteve për mbrojtje konvencionale ushtarake dhe nevojën për “aleatët dhe partnerët”, duke i theksuar raportet me vendet e tjera anëtare të NATO-s.

Por, sipas gjeneralit Dunford, Shtetet e Bashkuara duhet të jenë të përgatitura, po ashtu, për t’u marrë me kërcënimet nga Rusia në çështje joushtarake.

“Gara armiqësore” e Rusisë, po ashtu involvon kapacitete kibernetike dhe “informacion” dhe operacione “jokonvencionale”, tha Dunford.

Sipas tij, “nuk ka arsye” të vihet pikëpyetje në konkludimi i komunitetit të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara se Rusia është përzier në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shpeshherë ka shprehur dyshime për përzierjen ruse në fushatën zgjedhore të vitit 2016.

Sa i përket Sirisë, shefi i Shtatmadhorisë së ushtrisë amerikane, gjeneral Joseph Dunford, tha se Rusia dhe Irani kanë “objektiva politikë afatgjatë divergjent” në Siri, por sa më gjatë që konflikti të vazhdojë, do të paraqiten më tepër objektiva të këtillë divergjent.

“Është korrekte të thuhet se Rusia dhe Irani po bëjnë gara për ndikim në Siri”, tha Dunford, duke iu referuar raporteve të Moskës dhe Teheranit me Qeverinë e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad.

“Martesa e regjimit të Sirisë, Federatës Ruse dhe Iranit, nuk është diçka që do të zgjasë”, tha Dunford, pasi “ajo që Irani dëshiron në rajon, dallon nga dëshirat e Rusisë dhe është vështirë të pajtohen këto perspektiva”.

Ceremonia e inaugurimit të aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford

Presidenti Trump mori sot pjesë në ceremoninë që u zhvillua në bazën ushtarake në Norfolk të Virginias, për inaugurimin e anijes USS Gerald R. Ford, aeroplanmbajtësja më e madhe në botë.

Ndërtimi i së anijes që ka kushtuar rreth 13 miliardë dollarë. Presidenti mbajti një fjalim në ceremoninë simbolike, ku theksoi një nga përparësitë e administartës së tij, fuqizimin e mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara. Ai tha se luftanija “i dërgon botës një mesazh prej 100 mijë tonësh, i cili do t’i bëjë të dridhen nga frika armiqtë tanë.”

Trump e vizitoi anijen gjatë ndërtimit në muajin mars dhe premtoi se flota e aeroplanmbajtësve të tipit Ford do të ishin në qendër të pranisë ushtarake amerikane në mbarë botën.

Anija filloi të ndërtohej në vitin 2009, dhe ishte në plan të përfundonte në vitin 2015, por për shkak të kostos së madhe, inaugurimi i saj u vonua.

Presidenti Trump kritikoi administratën e mëparshme “që e dobësoi gatishmërinë ushtarake të Amerikës” dhe i bëri thirrje Kongresit që “të bëjë punën”, duke miratuar fonde të qëndrueshme për ushtrinë.

USS Gerald R. Ford është anija ushtarake më e kushtueshme e ndërtuar ndonjëherë. Ajo mban emrin e Presidentit të 38-të të Shteteve të Bashkuara, Gerald Ford.

Marina amerikane thotë se do të duhen 43 miliardë dollarë për të ndërtuar tre anijet e para të klasit Ford, përfshirë luftanijen USS John F. Kennedy, që mbavn emrin e Presidentit të 35-të të SHBA dhe USS Enterprise.

Ish kreu i CIA-s: Trumpi futi SHBA-në në krizë, Kongresi ta ndalojë

Ish shefi i CIA-s më tej thekson se “Trump me veprimet e tij futi vendin në krizë” duke shtuar se është i turpshëm fakti që Trump nënvlerëson vlerësimet e agjencisë së zbulimit në lidhje me Rusinë

UASHINGTON – Ish-kreu i Agjencisë amerikane Qendrore të Inteligjencës (CIA), John Brennan bëri kritika në llogari të Presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke thënë se administrata e tij ka futur vendin në krizë.

Brennan, së bashku me ish-Drejtorin e Zbulimit Kombëtar James Clapper morën pjesë në Forumin e sigurisë në qytetin Aspen, në shtetin e Kolorados.

Brennan komentoi mbi hetimet në lidhje me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në vend, dhe tha se zgjedhja e Prokurorit special, Robert Mueller është zgjedhja e duhur për këtë hetim.

Ai theksoi se Mueller duhet të refuzojë çdo kërkesë antikushtetuese të Trump-it, kurse në lidhje me akuzat se prokurori mund të ndërrohet, Brennan tha:

“Në rast se Trump ndërron Mueller, shpresoj se anëtarët e Kongresit do t’i thonë ‘mjaft’, dhe se do të pushojë të parashtojë arsye dhe arsyetime të ndryshme të cilat haptazi shkelin ligjet tona dhe sistemin shtetëror”.

Më tej shtoi se nëse administrata nuk ka asgjë për të fshehur, atëherë duhet që hetimi në lidhje me Rusinë të përfundojë sa më shpejtë të jetë e mundur, kurse kërkesat për shkarkimin e Mueller nga detyra duhet të dënojnë edhe zyrtarët.

Ish shefi i CIA-s më tej thekson se “Trump me veprime tij ka futur vendin në krizë” duke shtuar se është i turpshëm fakti që Trump nënvlerëson vlerësimet e agjencisë së zbulimit në lidhje me Rusinë.

“Nuk e kuptoj se si Trump mendon me politikë të tillë të arrijë që SHBA të jetë një vend më i sigurtë. Flas hapur, ka një shqetësim të qartë se ekziston një dallim i madh në mes të vërtestës dhe asaj çfarë thotë Trump”, ka thënë Brennan. aa

Jep dorëheqjen zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer

Sekretari i shtypit i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer, zëdhënës i presidentit Donald Trump gjatë gjashtë muajve të parë të presidencës së tij, dha dorëheqjen, sipas njoftimeve në mediat amerikane.

Vendimi i zotit Spicer, sipas mediave, duket të jetë i lidhur me emërimin e një drejtori të ri të komunikimit në Shtëpinë e Bardhë, financieri i Nju Jorkut Anthony Scaramucci. Zoti Spicer ka thënë se do të ndihmojë për të lehtësuar kalimin e detyrës te zëdhënësi i ri.

Javët e fundit, zoti Spicer luajti një rol më pak të spikatur ndërkohë që shumicën e seancave të informimit për shtypin i ka drejtuar zëvendësja e tij, Sarah Huckabee Sanders, kohë gjatë së cilës kamerat nuk janë lejuar të filmojnë.

Zëdhënësi i ri i pritshëm Scaramucci mendohet se mund të luajë një rol të ndjeshëm si një nga mbrojtësit e zotit Trump përpara audiencave televizive.

Zoti Spicer pati një fillim të pazakontë si zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Që ditën e parë në detyrë, ai kritikoi ashpër gazetarët për vlerësimin që ata i bënë numrit të njerëzve që morën pjesë në inaugurimin e presidentit. Ai doli nga salla pa iu përgjigjur pyetjeve.

Mënyra e tij e interpretimit të informacioneve dhe shkëmbimet e tensionuara me median e bënë zotin Spicer objekt satire në programin mjaft të ndjekur humoristik Saturday Night Live, ku roli i tij luhej nga aktorja Melissa McCarthy.

Shtypi amerikan: Ndihmësit e presidentit po hetojnë ekipin e Prokurorit Mueller

Shtypi amerikan njofton se ndihmësit e presidentit Trump po hetojnë ekipin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller, në një përpjekje për të diskretituar hetimet e tij lidhur me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të kaluar. Gjithashtu sipas shtypit, presidenti është irrituar nga ideja se hetimi i zotit Mueller mund të arrijë tek financat e tij dhe të familjes së tij.

Administrata e presidentit Trump duket se po rrit sulmin ndaj hetimit kriminal lidhur mbi ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale të vitit të kaluar.

Sipas njoftimeve, ndihmësit e presidentit Donald Trump po hetojnë ekipin e prokurorit të posaçëm Robert Mueller, në një përpjekje për të gjetur mënyra për të diskretituar hetimin e tij.

Ekipi me emra të njohur prokurorësh që ka krijuar zoti Muellerit po shqyrton nëse ndonjë nga këshilltarët e zotit Trump bashkëpunoi me Rusisë për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale.

Dje zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë duket se nuk la asnjë dyshim se Prokurori i Posaçëm ishte në vëmendjen e presidentit Trump.

Unë nuk mund të parashikoj se ç’do të ndodhë në të ardhmen, se çfarë Prokurori i Posaçëm Robert Mueller mund të bëjë, që do të ishte e pamundur të mos veproje. Nuk dua të flas në mënyrë hipotetike, mund të flas vetëm për atë që ndodh sot”, tha Sarah Saunders.

Në shtyp u publikuan njoftime referuar disa burimeve sipas të cilave presidenti është irrituar nga ideja se hetimi i zotit Mueller mund të arrijë tek financat e tij dhe të familjes së tij.

Në intervistën dhënë për New York Times, zoti Trump vendosi një “vijë të kuqe” për hetimet e zotit Mueller, duke thënë se ai nuk duhet të shikojë financat e familjes së tij që nuk kanë lidhje me Rusinë, një koment që shumë e vlerësuan si të papërshtatshëm.

Peter Zeidenberg, që ka qënë pjesë e ekipit të një pokurori të posaçëm në kohën e presidentit George W. Bush, thotë se komentet e zotit Trump do të kenë pak ndikim tek zoti Mueller dhe ekipi i tij.

Ata nuk i kushtojnë vëmendje, është thjesht zhurmë në sfond për ta. Ata s’mund të bëjnë asgjë lidhur me këtë dhe jam i sigurt se nuk po shpenzojnë kohë duke menduar për të”.

Ndryshe nga çfarë do të dëshironte, problemi rus nuk do të largohet shpejt për zotin Trump.

Sipas gazetës “Washington Post” presidenti ka pyetur këshilltarët e tij rreth kompetencave që ai ka për të falur ndihmësit, anëtarët e familjes e madje edhe veten, në lidhje me hetimin për Rusinë.

Ndërkohë, në një zhvillim të lidhur me këtë çështje, djali i madh i zotit Trump, Donald Trump Jr, ish këshilltari presidentit gjatë fushatës Paul Manafort dhe Jared Kushner, këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu dhëndri i zotit Trump, do të dëshmojnë javën e ardhshme lidhur mbi takimin e tyre vitin e kaluar me një avokate ruse. Ajo pretendonte se kishte informacione që mund të dëmtonin kandidaten demokrate Hillary Clinton dhe ndihmonin fushatën e zotit Trump për president. Vetë avokatja ka thënë se është e gatshme të rrëfejë përpara ligjvënësve amerikane gjithshka lidhur me takimin.

Çanta me pluhur të Hënës shitet për 1.8 milion dollarë

Një çantë që ka përdorur astronauti amerikan, Neil Armstrong, për të mbledhur mostrat e para nga Hëna, është shitur në një ankand në Nju Jork për 1.8 milion dollarë.

Çanta nga misioni Apollo 11, i vitit 1969, është blerë nga një ofertues anonim në shtëpinë e ankandeve Sotheby.

Në çantë vazhdon të ketë pluhur nga Hëna dhe gurë të vegjël.

Ankandi është organizuar në përvjetorin e 48-të të arritjes së parë të njeriut në Hënë./rel/

New York, ekspozohet arti i Patek Philippe, marka ikonike e orëve zvicerane

Pronarët e Patek Philippe thanë se një nga qëllimet e ekspozitës është që të njëjtat t’u prezantohen gjeneratave të reja të cilat nuk blejnë orë, ashtu siç bënin prindërit e tyre

NEW YORK – Një nga brendet më të shtrenjta dhe më ikonike të orëve të dorës, Patek Philippe nga Zvicra, ka ekspozuar në restorantin italian Cipran në New York trashëgiminë e saj 178 vjeçare të zejtarisë bashkë me risitë dhe koleksionet e fundit të markës, në ekspozitën e tutilluar “Arti i Orëve, Ekspozita e Madhe New York 2017”.

Pronarët e Patek Philippe thanë se një nga qëllimet e ekspozitës është që të njëjtat t’u prezantohen gjeneratave të reja të cilat nuk blejnë orë, ashtu siç bënin prindërit e tyre.

Një veçori e ekspozitës në New York është dhoma historike e SHBA-ve, ku përfshihen pjesë të rëndësishme nga koleksionistët amerikanë si Henry Graves Jr, James Ward Packard, presidenti John F. Kennedy (një orë tavoline në hua nga biblioteka dhe muzeu Presidencial JFK), Joe DiMaggio, dhe Duke Ellington.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më datën 23 korrik. aa

Dënim për Exxon Mobile për shkelje të sanksioneve për Rusinë

Departamenti i thesarit i Shteteve të Bashkuara e ka dënuar gjigantin e naftës dhe të gazit, Exxon Mobil, me 2 milionë dollarë për shkelje të sanksioneve amerikane kundër Rusisë në vitin 2014.

Kjo shkelje, për të cilën Departamenti i thesarit ka njoftuar sot, ka ndodhur në maj të vitit 2014, vetëm disa javë pasi presidenti i atëhershëm amerikan, Barack Obama, i kishte shpallur sanksionet kundër Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë së Ukrainës.

Në shënjestër të këtyre sanksioneve ishte edhe kompania e kontrolluar nga shteti në Rusi, Rosneft, dhe shefi ekzekutiv i saj, Igor Sechin.

Në njoftimin e vet, Departamenti i thesarit tha se degët amerikane të kompanisë Exxon Mobil, “kishin marrë pjesë në shërbimet e një individi, pasuria dhe interesat e të cilit ishin bllokuar, e në mënyrë më konkrete, duke i nënshkruar tetë dokumente juridike të ndërlidhura me projektet e gazit dhe naftës në Rusi me Igor Sechinin”.

Dënimi prej 2 milionë dollarësh duket se është kryesisht lëvizje simbolike kundër kompanisë, Exxon Mobil, e cila vitin e kaluar ka pasur të ardhura prej 7.7 miliardë dollarësh.

Në atë kohë kur i ka shkelur sanksionet ndaj Rusisë, shef i kompanisë, Exxon Mobil, ishte Rex Tillerson, i cili tash është sekretar amerikan i shtetit.

Nuk ka pasur koment të menjëhershëm nga Exxon Mobil me seli në Teksas.

Presidenti Trump do t’i japë fund një programi të CIA-s

Presidenti Donald Trump ka vendosur t’i japë fund një programi të Agjencisë Qendrore të Zbulimit për të pajisur dhe trajnuar grupet kryengritëse siriane.

Zyrtarët amerikanë thanë se vendimi u mor rreth një muaj më parë pas një takimi të mbajtur me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare H.R. McMaster dhe Drejtorin e CIA-s, Mike Pompeo.

Programi filloi në vitin 2013 nën ish-Presidentin Barak Obama për të ndihmuar kryengritësit e moderuar në luftën kundër presidentit sirian Bashar al-Assad.

Qysh në fillim pati pikëpyetje rreth efektshmërisë së planit si dhe shqetësime se mos armët e furnizuara nga Shtetet e Bashkuara përfundonin në duart e militantëve.

Zyrtarët thanë se vendimi i zotit Trump është pjesë e përpjekjes së administratës për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, e cila lufton në Siri që nga fundi i vitit 2015 në mbështetje të Asadit.

Trump: Sessions nuk duhet të ishte tërhequr nga hetimet për Rusinë

Presidenti Donald Trump, i tha gazetës “The New York Times” se nëse prokurori i posaçëm do të përfshinte në hetime edhe financat e familjes Trump, që nuk kanë lidhje me Rusinë, atëherë kjo do të kapërcente kufirin e të pranueshmes. Prokurori Robert Mueller po heton influencën e Rusisë në zgjedhje dhe bashkëpunimin e mundshëm me anëtarët e ekipit elektoral të zotit Trump.

I pyetur nëse kjo do të përfaqësonte një vijë të kuqe për të, Presidenti Trump u përgjigj se: “Do të thoja ‘po’. Unë nuk kam të ardhura nga Rusia. Nuk bëj biznes me Rusinë”.

Në një intervistë të zgjeruar, Presidenti Trump shprehu gjithashtu zhgënjim për vendimin e Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions për t’u vetëtërhequr nga hetimet për Rusinë. Presidenti shtoi se nëse do ta kishte ditur paraprakisht këtë synim të zotit Sessions, atëherë do të kishte “përzgjedhur dikë tjetër”.

“Zoti Sessions nuk duhet të ishte vetëtërhequr kurrë, dhe nëse do ta kishte patur ndër mend një gjë të tillë, duhet të më kishte informuar përpara se ta pranonte postin”, tha Presidenti Trump.

Presidenti sugjeroi në vazhdim se ish-Drejtori i FBI-së, James Comey, i pati treguar një dosje me materiale dhe aludime të pakonfirmuara, kompromentuese për Presidentin, me qëllimin për të fituar influencë ndaj tij.

“Për mendimin tim, ai ma tregoi në mënyrë që unë të mendoja se ai mund ta bënte publike”, i tha gazetës Presidenti Trump, i cili e shkarkoi zotin Comey në muajin maj.

Zoti Comey u shpreh në dëshminë e tij përpara një komisioni të Senatit në muajin qershor, se ai e pati informuar privatisht për dosjen në muajin janar, pasi besonte se materialet do të publikoheshin dhe se komuniteti i zbulimit nuk duhet ta privojë Presidentin e zgjedhur nga të dhënat që disponon.

Pasi Prokurori i Përgjithshëm Sessions u vetëtërhoq nga hetimet, zëvendësi i tij, zoti Rod Rosenstein, caktoi një tjetër ish-drejtor të FBI-së, zotin Robert Mueller, në detyrën e prokurorit të posaçëm që do të drejtonte hetimet për Rusinë. Gjithashtu, komisione të Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillojnë hetimet e tyre.

Presidenti Trump ka këmbëngulur vazhdimisht se këto nuk janë të lidhura.

“Nuk kam bërë asgjë të gabuar. Nuk duhet të ishte caktuar fare një prokuror special për këtë çështje”, i tha ai gazetës “The New York Times”.

Donald Trump Jr., djali i madh i Presidentit, dhëndri i tij Jared Kushner, tashmë këshilltari i lartë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe ish-drejtori i fushatës elektorale Paul Manafort, u takuan vitin e kaluar me një juriste ruse që kishte thënë se dispononte material dëmtues për kundërshtaren demokrate të zotit Trump në garën presidenciale, zonjën Hillary Clinton.

Gjatë intervistës, Presidenti Trump nuk i dha rëndësi takimit, duke e emërtuar si “gjëra standarte politike”, si dhe përsëriti mendimin e tij se shumica e politikanëve do ta kishin pranuar një takim të tillë.

Donald Trump Jr. ka thënë se juristja ruse nuk pati ndonjë informacion me vlerë rreth zonjës Clinton dhe se takimi përfundoi shpejt.

Kur u pyet nga gazeta, Presidenti Trump tha se “duhet të ketë qenë ndonjë takim vërtet i parëndësishëm, pasi mua nuk ma përmendën fare”.

Vetëm pak orë pas këtij takimi të zhvilluar në muajin qershor 2016, zoti Trump pati deklaruar se do të mbante një fjalim të rëndësishëm të fokusuar tek zonja Clinton. Gjatë intervistës për gazetën “The New York Times”, ai e refuzoi idenë se këto dy ngjarje mund të jenë të ndërlidhura, duke thënë se ai “pati mbajtur disa fjalime të tilla”.

“Nuk kishte më tepër që mund të thosha për Hillary Clintonin, nga ç’pata thënë gjithnjë”, u shpreh Presidenti Trump.

Megjithëse intervista u përqëndrua më shumë tek çështja e Rusisë dhe fushata elektorale, Presidenti Trump foli edhe për çështje të tjera të presidencës së tij dhe tha se vendi “po ecën mirë”.

Ai pati premtuar gjatë fushatës se do të reformonte sistemin e kujdesit shëndetësor. Pasi Senati i udhëhequr nga republikanët pati disa dështime javët e fundit për të anulluar dhe zëvendësuar sistemin e kujdesit shëndetësor të Presidentit Barack Obama, Presidenti Trump organizoi të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë një takim me ligjvënësit.

“Nëse nuk e përfundojmë këtë punë, do të shohim se si do të rrënohet ‘Obamacare’ dhe pastaj do të fajësojmë demokratët. Pastaj, ata do të vijnë dhe do të thonë ‘na ndihmoni’,” u shpreh Presidenti Trump.

Ai shtoi se sipas planit republikan, amerikanët do të përjetojnë “shkurtime të mëdha të taksave dhe reforma”, të cilat ai tha se do të jenë si një “dhuratë për vendin”.

Zyra jopartiake për Buxhetin në Kongres, ka shqyrtuar disa versione të projektligjeve republikane për kujdesin shëndetësor me dallime të vogla ndërmjet tyre, për të cilat u konkludua se do t’i kursenin qeverisë miliarda dollarë për rreth një dekadë, por dhe do të linin miliona njerëz pa sigurim shëndetësor.

Për sa i përket çështjeve ndërkombëtare, Presidenti Trump kritikoi ish-Presidentin Obama për mosveprimin për Ukrainën, Korenë e Veriut dhe Sirinë.

Presidenti Trump tha se kur Rusia aneksoi Krimenë, ish-Presidenti Obama “e la t’ja hidhte paq”.

“Ai nuk përdori gjuhë të ashpër ndaj Koresë së Veriut. Dhe siç e dini, ne kemi një problem të madh me Korenë e Veriut. Shumë të madh”, tha Presidenti Trump.

Në vitin 2013, ish-Presidenti Obama kërcënoi se do të përdorte forcën ndaj qeverisë siriane, nëse ajo do të kryente sulme me armë kimike. Por ai nuk e vuri në jetë këtë kërcënim, ndërsa administrata e tij bashkëpunoi me Rusinë për të negociuar një marrëveshje sipas të cilës Siria do të largonte rezervat e armëve të saj kimike nga vendi. Pas një sulmi kimik në muajin prill, për të cilin u fajësuan forcat siriane, Presidenti Trump urdhëroi sulme ajrore ndaj një aerodromi sirian.

“Ai nuk sulmoi. Unë i sulmova”, tha Presidenti Trump.

Pozita sfiduese e ambasadorit të SHBA-së në Rusi

Jon Huntsman, ish- governator në Utah, është nominuar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ambasador në Rusi.

Kjo pozitë do të testojë nëse ai do të përdor përvojën diplomatike dhe njohuritë në biznes, për përfaqësimin e interesave të SHBA-së në Moskë.

Nëse aprovohet nga Senati, pozita e tij si ambasador ka mbrapa vetes disa sfida, pas supozimeve se Kremlini ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Rusia i mohon këto deklarata.

Hutsman, është diplomat veteran, i cili ka shërbyer në administratën e pesë presidentëve të SHBA-së.

Në vitin 2012 ai ishte kandidat për president, i nominuar nga republikanët.

Por përvoja e tij është e kufizuar kur bëhet fjalë për Rusinë.

Huntsman, ka qenë i dërguari special i SHBA-së në Kinë, gjatë periudhës së udhëheqjes së ish-presidentit amerikan, Barack Obama, për të menaxhuar sfidat e Uashingtonit në marrëdhëniet me Pekinin.

Miliarderi 57-vjeçar, ka shërbyer edhe si ambasador i SHBA-së në Singapor, gjatë udhëheqjes së ish-presidentit George H. W. Bush.

Për muaj të tërë është diskutuar se Trump “ka rezervuar” kohë më parë këtë pozitë për Huntsman, ndonëse ky i fundit ka qenë kritik në të kaluarën për presidentin e tij të ardhshëm.

Gjatë fushatës presidenciale më 2016 në SHBA, ai i pati kërkuar Trumpit të largohej nga kandidatura për president, pas publikimit të një videoje, në të cilin protagonist ishte presidenti i tanishëm Trump, duke bërë komente vulgare për disa gra.

James Collins, i cili ka shërbyer si ambasador i SHBA-së në Moskë, në periudhën 1997-2001, kur Bill Clinton udhëhiqte shtetin amerikan, ka folur për perspektivën e Huntsmanit në Moskë.

Zoti Huntsman do të shihet si zgjedhje e duhur për atë post, si person i rëndësishëm politikisht”, ka thënë ai.

Mendoj që një vendim i tillë, do të interpretohet si sinjal se Trump ka përzgjedhur një njeri me përvojë”, ka shtuar tutje Collins.

Në rast se Huntsman merr postin, ai do ta kryejë detyrën e tij në Moskë, i përcjellur nga një situatë e tensionuar në mes të dy superfuqive.

Trump ka treguar gatishmëri për të rregulluar marrëdhëniet me Rusinë, të cilat janë lëkundur pas konflikteve në Ukrainë dhe Siri.

Presidenti amerikan, Donald Trump është takuar dy herë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, gjatë punimeve të samitit G20 në Hamburg të Gjermanisë.

Para kamerave ata i kanë zgjatur dorën njëri- tjetrit dhe kanë dhënë përshtypjen se janë të gatshëm për të krijuar një atmosferë më të ngrohtë mes dy vendeve.

Mirëpo larg buzëqeshjeve, presioni mes dy palëve vazhdon të rritet pas njoftimit se bashkëpunëtorët e Trumpit dhe zyrtarë rusë, janë takuar mes vete para mbajtjes së zgjedhjeve në SHBA.

Sidoqoftë, ambasadorët e fundit amerikanë në Rusi janë përballur me vështirësi gjatë kryerjes së detyrës.

John Tefft, ambasadori në largim i SHBA-së që ka shërbyer në Rusi është akuzuar disa herë nga përfaqësues të Kremlinit se ka tentuar të nxisë mosmarrëveshje në këtë vend.

Në ditën e tij të dytë të punës, gjatë vitit 2012, një moderator në NTV (televizion i cili kontrollohet nga gjiganti shtetëror Gazprom), e ka akuzuar ambasadorin Tefft, se është dërguar në Rusi për të nxitur revolucion.

Sidoqoftë, Kremlini u tregua i kujdesshëm kur në mars u njoftua për mundësinë që Huntsman të marrë detyrën e ambasadorit në Rusi.

Do të mirëpresim secilin ambasador amerikan në Rusi, i cili do të jetë mbështetës i palëkundur i idesë së zhvillimit të dialogut në mes të dy vendeve”, pati thënë Dmitry Peskov, zëdhënës i presidentit rus, Vladimir Putin.

‘Politika Potemkin’

Hutsman, një i martuar me shtatë fëmijë, përfshirë edhe dy fëmijë të adoptuar, rrjedh nga një familje e pasur nga Utah, kapital i cili është ndërtuar nga prodhimet kimike.

Kompania e familjes së tij ka disa ndërtesa biznesore në Rusi, shumica prej tyre janë fabrika që prodhojnë substanca të ndryshme kimike për përdorim shtëpiak dhe industrial.

Disa kritikë kanë dyshuar në mundësinë që Huntsman të negociojë me Moskën në mënyrën të paanshme, marrë parasysh interesat e kompanisë së familjes së tij në Rusi.

Huntsman ka një ulëse edhe në bordin e drejtorëve të kompanisë amerikane të automjeteve Ford, e cila ka një numër të fabrikave në Rusi.

Ai është edhe anëtar i kishës Mormone, e cila është vetëm njëra nga objektet fetare që i janë nënshtruar presionit në rritje nga autoritetet ruse.

Sa i përket çështjes së Rusisë, Huntsman është i njohur për disa deklarata që i ka bërë më 2012, kur sfidonte ish-presidentin Barack Obama, i cili po kandidonte për mandatin e dytë si president i SHBA-së.

Huntsman ishte deklaruar rreth çështjeve të SHBA-së me Rusinë, pasi presidenti i atëhershëm Barack Obama, bënte përpjekje për rregullimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Kjo është politikë Potemkin”, pati thënë ai përmes një deklarate.

Ne kemi nevojë për përmirësim të marrëdhënieve me Rusinë, mirëpo ne nuk duhet të bëjmë marrëveshje që pasqyron politikën e njohur si ‘Fshati Potemkin’, përmes së cilës, ne sillemi sikur kemi bashkëpunim me Kremlinin, më shumë se sa në realitet, sikur Kremlini është më demokrat sesa në të vërtetë është, apo ta pasqyrojmë Rusinë si më pak të rrezikshme për fqinjët e saj se sa është tani”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e Huntsman.

Kjo deklaratë nuk është e qasshme në faqen ku ishte publikuar për herë të parë, mirëpo gjendet në arkivat e tjera gjatë hulumtimit në internet.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Ndryshohet vendimi për ndalim – udhëtimin në SHBA

Objekti i Gjykatës Supreme, Uashington

 

Gjykata Supreme në SHBA, i ka vënë një pengesë urdhrit të përkohshëm të Trumpit për ndalim-udhëtimin, nga i cili preken personat e gjashte vendeve me shumicë myslimane.

Sipas kësaj gjykate, ky urdhër nuk mund të ndalojë hyrjen e personave nga Irani, Sudani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni, që kanë familjarë në SHBA, duke përfshirë gjyshërit dhe kushërinjtë.

Mirëpo gjykata i ka dhënë më shumë liri qeverisë për të forcuar masat për pjesën tjetër të vendimit, në të cilin përfshihen refugjatët dhe personat tjerë nga këto vende.

Vendimi i Gjykatës Supreme tani duhet të zbatohet ashtu që, personat nga Irani, Sudani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni, që kanë gjyshër, nipa, mbesa, kushërinj, dhe anëtarë tjerë të familjes, nuk preken nga urdhri i Trumpit për ndalimin e përkohshëm të hyrjes në SHBA.

Urdhri vlen për më shumë se 24,000 refugjatë, të cilët kanë qenë të anëtarësuar në ndonjë organizatë bamirse në SHBA, dhe tani nuk u lejohet hyrja në këtë vend.

Trump Jr. do të dëshmojë para Komitetit të Senatit

Donald Trump Jr., djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump

Donald Trump Jr., djali i presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe udhëheqësi i fushatës së tij, Paul Manafort, kanë pranuar të dëshmojnë publikisht javën e ardhshme para Komitetit të Senatit, pas hetimeve që po zhvillohen për ndërhyrjen e supozuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Komiteti Gjyqësor i Senatit ka njoftuar se dy figurat qendrore të hetimeve do të paraqiten para komitetit më 26 korrik.

Te dy personat janë në krye të hetimeve të Kongresit dhe Departamentit të Drejtësisë, si shkak i informacioneve që dolën se këta persona janë takuar më disa rusë, gjatë fushatës për zgjedhje presidenciale në SHBA.

Është thënë që në këtë takim rusët u kanë premtuar amerikanëve se do t’ju sigurojnë informacione që do të dëmtonin rivalen e Trumpit, demokraten Hillary Clinton.

Avokatja ruse, Natalya Veselnitskaya, që sipas pjesëmarrësve të takimit ka poseduar dokumentacion për Clintonin, i ka thënë kanalit rus RT, se është e gatshme të dëshmojë, “ për të sqaruar situatën pas kësaj histerie të madhe”.

Javën e ardhshme edhe dhëndrri i Trumpit, Jared Kushner, do të dëshmojë para Komitetit të Sentatit për Inteligjenencë, mirëpo procesi do të jetë i mbyllur për publikun.

SHBA dënon një rus për sulme kibernetike

Një rus është dënuar me pesë vite burgim, pasi prokurorët e SHBA-së, kanë thënë se ai ka qenë pjesë e krijimit të sofistikuar të virusit, i cili u përdor për vjedhjen e informacioneve financiare nga mijëra kompjuterë në gjithë botën.

Mark Vartanyan, i njohur si “Kolypto,” është dënuar nga një gjykatë e SHBA-së në Atlanta, pasi pati pranuar fajin në mars, për mashtrime kompjuterike.

Në dënim përfshihen edhe dy vite vite të paraburgimit të tij në Norvegji, përpara se të ekstradohej në SHBA, në dhjetor.

Prokurorët kanë thënë se Vartanyan, gjatë periudhës 2012-2014, sa ka jetuar në Ukrainë dhe Norvegji, ka ndihmuar në krijimin e softverit Citadel.

Ky virus ishte dizajnuar për vjedhjen e informacioneve personale dhe financiare nga rrjetet kompjuterike.

Sipas prokurorëve ai ka infektuar rreth 11 milionë kompjuterë në gjithë botën dhe ka shkaktuar humbje në vlerë të 500 milionë dollarëve.

DASH: ISIS-i kërcënimi më i madh terrorist në botë

Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për terrorizmin, tha se me gjithë faktin që sulmet terroriste dhe pasojat në njerëz nga terrorizmi kanë shënuar rënie në nivel botëror në vitin 2016, grupet terroriste vazhduan të shfrytëzojnë territoret pa pushtet dhe konfliktet për të zgjeruar shtrirjen e tyre dhe për të drejtuar e frymëzuar sulme gjithandej nëpër botë.

Shteti Islamik i Irakut dhe Sirisë (ISIS) mbeti kërcënimi më i madh terrorist në shkallë globale, me tetë degë të njohura dhe një numër rrjetesh të panjohura që veprojnë përtej qendrës së grupit në Irak dhe Siri.

Al-Qa’ida dhe partnerët e saj rajonal mbeten kërcënim për sigurinë amerikane dhe interesat e Shteteve të Bashkuara, përkundër trysnisë kundër terroriste nga partnerët e Shteteve të Bashkuara dhe shtimin e përpjekjeve ndërkombëtare për të luftuar ideologjinë e dhunshme islamike.

Shqipëria

Shqipëria ishte mbështetëse e fuqishme e përpjekjeve kundër terroriste në vitin 2016 dhe ka vazhduar pjesëmarrjen në koalicionin global për mposhtjen e ISIS-it, duke bërë dhurime të konsiderueshme më armë dhe municione.

Më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2016 një operacion i bashkërenduar rajonal kundër terrorizmit çoi në arrestimin e katër vetave në Shqipëri. Operacioni parandaloi një sulm të mundshëm në ndeshjen e futbollit ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit që duhej të mbahej në Shkodër më 12 nëntor. Të arrestuarit u akuzuan për mbështetje financiare e logjistike të ISIS-it, duke rekrutuar njerëz në emër të tij dhe duke nxitur gjuhë të urrejtjes.

Në raport vlerësohet se Shqipëria ka penalizuar të gjitha veprimtaritë që kanë të bëjnë me terrorizmin, nxitjen dhe financimin e tij, rekrutimin e pjesëmarrjen në organizata terroriste. Në vitin 2016, nëntë të akuzuar ne lidhje më veprime të tilla, u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 7 deri në 18 vjet heqje lirie. Një gjykatë e apelit në muajin nëntor, zbuti dënimet për pesë veta.

Në raport thuhet se Shqipëria ka shtuar përpjekjet për kundërvënie ndaj kërcënimeve terroriste. Në këtë kuadër përmendet bashkëpunimi i ngushtë i Njësisë së zgjeruar Kundër Terroriste të Policisë së shtetit me Departamentin amerikan të Drejtësisë dhe Programin Mbështetës Trajnues të Hetimit të Krimit Ndërkombëtarë ICITAP. Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe financimin e Departamentit amerikan të shtetit, ICITAP-i ka siguruar pajisje dhe trajnime për qeverinë shqiptare, për mbledhjen e gjurmëve të gishtërinjve në vendkalimet kufitare. Kjo ka shtuar mundësitë e policisë shqiptare që të mbledhë të dhënat biometrike për individë të caktuar në vendkalimet kufitare.

Departamenti amerikan i Drejtësisë me programin e tij të vendosur në Tiranë, ka vazhduar të ofrojë mbështetje dhe trajnim për prokurorët, zyrtarët e sundimit të ligjit dhe hetuesit financiar, analistët e zbulimit dhe gjykatësit nga Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia dhe Serbia që punojnë me rastet e luftëtarëve të huaj dhe rastet e lidhura me terrorizmin.

Në raport thuhet se korrupsioni i shoqëruar edhe me funksionimin e dobët të sistemit të drejtësisë ka vazhduar të pengojë përpjekjet për sundimin e ligjit në të gjitha nivelet në Shqipëri.

Shqipëria është pjesë e organizatave që luftojnë financimin e terrorizimit dhe që nga qershori i vitit 2012, ajo ka punuar në adresimin e dobësive në këtë fushë duke shënuar përparime të konsiderueshme.

Në vitin 2015 qeveria shqiptare hartoi dhe miratoi strategjinë kombëtare për luftë kundër ekstremizmit të dhunshëm. Në vitin 2016, qeveria emëroi bashkërenduesin kombëtar për luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm që është i ngarkuar me mbikëqyrjen e zbatimit të strategjisë kombëtare. Ajo në shtator të vitit 2016, ishte mikpritëse e një tryeze dyditëshe mbi radikalizmin dhe rekrutimin e luftëtarëve të huaj. Qeveria shqiptare ishte bashkorganizatore e një ngjarjeje në New York me temën “luftimi i ekstremizmit të dhunshëm nëpërmjet arsimimit” për të veçuar rolin që ka arsimi në nxitjen e tolerancës dhe gjithëpërfshirjes në mesin e të rinjve. Qeveria shqiptare ka zhvilluar një program sprovë për të trajnuar mësimdhënësit që të zbatojnë plan-programet arsimore mbi tolerancën fetare në shkolla.

Kosova

Raporti theksin se kërcënimi nga ekstremizmi i dhunshëm islamik ishte në rritje në Kosovë, i mbështetur pjesërisht nga fondet e organizatave të huaja që predikonin ideologji ekstremiste dhe grupet e dhunshme ekstremiste që shfrytëzuan mediet sociale për të përhapur propagandë dhe për të rekrutuar mbështetës.

Afërisht 315 luftëtarë të huaj terrorist nga Kosova udhëtuan për në Siri dhe Irak për të luftuar për ISIS-in apo Frontin al‑Nusrah Front, nga të cilët rreth 58 janë vrarë. Qeveria e Kosovës po zbaton një strategji gjithëpërfshirëse dhe një plan veprimi kundër ekstremizmit të dhunshëm. Drejtoria kundër terrorizmit e policisë së Kosovës po shton mundësitë e saj duke shtuar personelin dhe duke zhvilluar njësinë e kundër terrorizimit kibernetik. Qeveria e Kosovës ka vazhduar bashkëpunimin e saj në këtë fushë me Shtetet e Bashkuara të cilat ndihmuan forcat e ligjit dhe institucionet e drejtësisë në rastet e që kanë të bëjnë me kundër terrorizmin.

Në raport thuhet se për shkak që situata politike dhe e sigurisë në veriun e Kosovës ka vazhduar të kufizojë mundësitë e qeverisë për të ushtruar autoritetin e saj të plotë në të zonë, trupat e NATO-s dhe ato të EULEX-it, kanë vazhduar të punojnë me policinë e Kosovës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe forcimin e sundimit të ligjit përfshirë edhe kufijtë. Ndonëse Kosova dhe Serbia fqinje nuk bashkëpunojnë zakonisht në çështjet e kundër terrorizmit. qeveritë kanë një plan të Menaxhimit të Integruar të kufirit që nga viti 2013 dhe kanë marrë pjesë ne trajnimet e financuara nga Shtetet e Bashkuara.

Kosova është anëtare e Koalicionit Global për Mposhtjen e ISIS-it dhe ka ndërmarrë hapa në shumë linja për brenda kufijve të mundësive të saj. Ajo është përqendruar pikë së pari në ndërprerjen e valës së luftëtarëve të huaj terrorist dhe pengimin e financimit të grupeve terroriste. Kosova nuk është anëtare e OKB-së por është zotuar të zbatojë rezolutën 2178 të Këshilli të Sigurimit të OKB-së.

Raporti përmend sulmin e 4 gushtit në ndërtesën e parlamentit të Kosovës që kaloi pa dëme në njerëz.

Raporti thekson se Kosova ka një kuadër ligjor gjithëpërfshirës mbi të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me terrorizmin dhe u ofron autoriteteve mjetet e domosdoshme për të luftuar çdo formë të terrorizmit. Në këtë kuadër raporti përmend edhe ligjin që ndalon përfshirjen e qytetarëve të saj në ushtritë e huaja, policitë apo formacionet paraushtarake jashtë territorit të Kosovës duke paraparë dënime deri në 15 vjet heqje lirie për rastet e tilla.

Raporti vë në pah edhe sfidat që mbesin në rrugën e forcimit të mundësive të autoriteteve për t’u përballur me terrorizmin përfshirë edhe faktin që Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it.

Në vitin 2016, policia kufitare e Kosovës në bashkëpunim me vendet e rajonit dhe Turqinë, identifikoi dhe ndaloi të paktën pesë veta që të udhëtojnë për në Siri dhe një qytetar u arrestua pas kthimit nga zona e konfliktit. Megjithatë, të paktën pesë veta arritën në Siri.

Më mbështetjen amerikane, policia kufitare po trajnohet për të qenë në gjendje që të identifikojë më herët personat që kanë lidhje me terrorizmin. Për më tepër Shtetet e Bashkuara kanë ofruar mundësi trajnimi për të gjitha aspektet e kundër terrorizmit nëpërmjet zyrave të ndryshme të institucioneve amerikane.

Në raport thuhet se po vazhdojnë proceset gjyqësore për disa nga 59 të dyshuarit e arrestuar në gusht të vitit 2014 gjatë operacionit më të madh kundër terrorist të qeverisë së Kosovës. Hetimet po vazhdojnë ndaj një duzinë të dyshuarish, përfshirë edhe disa imamë.

Gjatë vitit 2016, autoritetet e Kosovës arrestuan 32 veta nën akuzat që lidhen me terrorizmin, përfshirë 18 veta në muajin nëntor. Autoritetet shpallën dënime në disa raste të profilit të lartë, përfshirë dënimin e shtatë vetave më 42 vjet heqje lirie në muajin maj dhe katër vetave me 49 vjet në muajin qershor për përfshirje në ISIS. Po ashtu autoritetet pezulluan veprimtaritë e 21 Organizatave Joqeveritare të dyshuara për mbështetje të ekstremizmit të dhunshëm.

Kosova, thuhet në raport, ka dëshmuar vullnet politik për t’u përballur me kërcënimet nga terrorizmi dhe shteti ka kuadër ligjor për ta bërë këtë. Institucionet kombëtare kanë forcuar mundësitë e tyre për hetimin dhe përndjekjen e rasteve, por mundësitë, burimet dhe përvoja e kufizuar, ka vazhduar të kufizojë aftësinë e tyre për t’u përballur në mënyrë më të frytshme me rastet e terrorizmit.

Raporti thekson se Kosova ka miratuar ligjin që sanksionin financimin e terrorizmit, por ka vështirësi në përndjekjen dhe ngrirjen dhe konfiskimin e pasurive të individëve.

Një nga synimet kryesore të strategjisë së qeverisë për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm është parandalimi i këtij ekstremizmi dhe radikalizmit. Kjo përfshinë ngritjen e vetëdijes mbi radikalizmin në komunitete dhe shtimin e mundësive për luftën kundër tij. Ministria e Punëve të Brendshme po teston një mekanizëm në komunën e Gjilanit që mbledh së bashku zyrtarët lokal, udhëheqësit fetarë dhe shoqërinë civile për të diskutuar shqetësimet mbi radikalizmin që çon në dhunë. Strategjia e Kosovës përfshinë edhe përgatitjen dhe promovimin e kundër-rrëfimeve që dobësojnë peshën e mesazheve ekstremiste. Strategjia po ashtu përfshinë de radikalizimin dhe ri integrimin e personave të radikalizuar. Kjo përfshinë edhe mbështetjen për individët e radikalizuar që të braktisin ideologjitë ekstremiste, vlerësimin e rrezikut nga individët e kthyer nga konfliktet dhe ndërgjegjësimin e sistemit korrektues për rreziqet nga terroristët e burgosur.

Raporti tërheq vërejtjen se anëtarësimi i Kosovës në shumë organizata rajonale e ndërkombëtare, përshirë Kombet e Bashkuara është bllokuar nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj dhe kjo dëmton bashkëpunimin në shumë çështje, përfshirë edhe kundër terrorizmin.

Avokatja ruse, e gatshme të dëshmojë për takimin me djalin e Trumpit

Natalya Veselnitskaya dhe Donald Trump Jr.

Avokatja ruse, Natalya Veselnitskaya, tha se është e gatshme të dëshmojë para Kongresit të Shteteve të Bashkuara për takimin me djalin e presidentit amerikan, Donald Trump.

Veselnitskaya ka takuar Donald Trump Jr. në qershor të vitit 2016, në Kullën Trump në Nju Jork.

Trump Jr. i është thënë se Veselnitskaya është avokate e Qeverisë ruse, e cila mund të ketë informacione dëmtuese për kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.

Takimi i tij me Veselnitskayan ka rritur dyshimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar.

“Jam e gatshme të dëshmoj për situatën që qëndron pas kësaj histerie masive, por vetëm përmes avokatëve ose duke dëshmuar në Senat”, tha Veselnitskaya në një intervistë për kanalin rus RT.

Veselnitskaya ka thënë më herët se ajo është avokate private dhe se nuk ka lidhje me Kremlinin.

Trumpi dhe Putini u takuan dy herë në Hamburg; takimi i dytë nuk u njoftua nga Shtëpia e Bardhë

Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë konfirmuan të martën mbrëma se në samitin e G20-s këtë muaj në Gjermani, Presidenti i SHBA, Donald Trump dhe Presidenti rus Vladimir Putin patën një takim të dytë, që nuk u bë publik për mediat.

Të dy presidentët u takuan ballë për ballë për herë të parë në Hamburg më 7 korrik, për më shumë se dy orë bisedime që u mbuluan gjerësisht nga mediat.

Por tani del se zoti Trump dhe zoti Putin kanë patur një bisedë të dytë gjatë një darke po atë mbrëmje, të shtruar për krerët e shteteve nga Grupi i 20-s.

Presidenti Trump komentoi pa vonesë në Twitter për të hedhur poshtë njoftimet e medias: “Lajmi i rremë për darkën sekrete me Putinin është ‘i neveritshëm”.

Ende nuk është njoftuar se përse u diskutua në këtë bisedë, e cila zgjati afërsisht një orë, sipas Ian Bremmer, president për konsulencën e rrezukut politik pranë “Eurasia Group”.

‘Thjesht një bisedë e shkurtër’

Shtëpia e Bardhë ofroi një variant mjaft të ndryshëm. Zyrtarë që nuk pranuan të identifikohen, thanë: “Nuk pati takim të dytë midis Presidentit Trump dhe Presidentit Putin; ishte thjesht një bisedë e shkurtër në fund të një darke”.

Zoti Bremmer e njoftoi për herë të parë takimin Trump-Putin të martën në një buletin lajmesh dërguar klientëve të tij. Ai u tha rrjeteve televizive amerikane se kishte mësuar për bisedën Trump-Putin nga ata që kishin marrë pjesë në darkën zyrtare, ku media nuk ishte lejuar.

Me dy presidentët ishte vetëm përkthyesi i zotit Putin. Të ftuarit e tjerë ishin ulur në afërsi të tyre, por tryezat e mëdha dhe mënyra se si ishin ulur të pranishmit bënë të mundur që biseda të mos dëgjohej nga askush.

U.S. President Donald Trump visits with Argentina's president's wife Juliana Awada, from left, at the G20 summit dinner after a concert in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

U.S. President Donald Trump visits with Argentina’s president’s wife Juliana Awada, from left, at the G20 summit dinner after a concert in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Asnjë përkthyes amerikan i pranishëm

Fakti që përkthyesi i zotit Trump nuk ishte i pranishëm në bisedë shkaktoi habi mes udhëheqësve të tjerë në darkë, sipas zotit Bremmer, i cili e quan këtë një “shkelje të protokollit të sigurisë kombëtare.” Shtëpia e Bardhë tha megjithatë se në darkë u lejua vetëm nga një përkthyes për delegacion dhe se zoti Trump kishte me vete një përkthyes që fliste japonisht, por jo rusisht.

Zoti Bremmer tha për gazetën Washington Post se krerët e tjerë që u bënë dëshmitarë të takimit mbetën të habitur, sepse biseda u zhvillua në sy të të gjithëve, por në një distancë nga e cila askush nuk mund të dëgjonte se për çfarë po flitej.

“Thuajse të gjithë pjesmarrësisht në darkë menduan se kjo ishte diçka shumë e çuditshme”, tha zoti Bremmer për gazetën New York Times. “... Ja ku është presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili në mënyrë të qartë dëshiron të tregojë se ka një marrëdhënie më të mirë personale me Presidentin Putin sesa me ndonjërin prej nesh, ose thjesht ai nuk do t’ia dijë. Kjo i habiti dhe hutoi të gjithë.”

Russia's President Vladimir Putin talks to Melania Trump during the official dinner at the Elbphilharmonie Concert Hall during the G20 summit in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Russia’s President Vladimir Putin talks to Melania Trump during the official dinner at the Elbphilharmonie Concert Hall during the G20 summit in Hamburg, Germany, July 7, 2017.

Asnjë dokumentim zyrtar i bisedës

Lidhur me bisedën e dytë Trump-Putin, mediat vunë në dukje se qeveria amerikane nuk mbajti asnjë dokumentacion zyrtar të takimit Trump-Putin, pasi asnjë zyrtar tjetër amerikan nuk e shoqëroi zotin Trump për bisedën, sado e shkurtër apo e gjatë ishte ajo.

Rrjetet amerikane të lajmeve e mbuluan takimin Trump-Putin si lajm urgjent, duke bërë që komentatorët të vinin në dukje se momenti në të cilin u bë e ditur biseda nuk ishte aspak i favorshëm për administratën.

Javën e kaluar, gjithçka u dominuan nga mbulimi prej medias i një takimi në qershor 2016 midis djalit të madh të presidentit, Donald Trump Jr, dhe një numri rusësh duke përfshirë një avokate të lidhur me Kremlinin; një ish-agjent sovjetik; një përkthyes i hetuar më parë për pastrim parash si dhe një përkthyes i dytë rus.

Trump Jr u përpoq ta minimizonte takimin në Nju Jork si një bisedë rutinë, të shkurtër dhe pa rëndësi, por më vonë, kur nga media u mësuan hollësi të tjera dhe prania e njerëzve që merrnin pjesë, ai u detyrua ta ndryshonte versionin e tij disa herë.

Shtëpia e Bardhë përgjigjet ngadalë

Presidenti ka vazhduar të mohojë ndonjë bashkëpunim me Rusinë dhe këmbëngul se SHBA do të përfitonin nëse ai do të arrinte të ndërtonte një miqësi personale me udhëheqësin rus.

Të martën mbrëma zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë reaguan me vonesë në përgjigje të pyetjeve të mediave për takimin e dytë Trump-Putin në Hamburg.

Zyrtarët thanë më vonë se çdo nocion se administrata po përpiqej ta fshihte takimin e dytë ishte “i rremë, keqdashës dhe absurd”.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë njoftoi të martën mbrëma se Presidenti Trump ka vendosur të emërojë ish guvernatorin e shtetit Utah dhe ambasadorin e SHBA në Kinë Jon Huntsman si ambasador të ardhshëm të SHBA në Moskë.

Trumpi hedh poshtë pretendimet për takim sekret me Putin në Samitin G20

“Lajmi i rremë se unë jam takuar me Putinin në një darkë sekrete është ‘i sëmurë’. Të gjithë liderët dhe bashkëshortet ishin aty si të ftuar të kancelares gjermane”, tha Trump

ANKARA – Presidenti i SHBA-ve Donald Trump reagoi kundër lajmeve në mediat amerikane se ai ka zhvilluar një takim jozyrtar me presidentin e Rusisë Vladimir Putin në kuadër të Samitit G20 të organizuar në qytetin Hamburg të Gjermanisë.

Trump në një mesazh të publikuar në rrjetin social në Twitter për pretendimet e mediave amerikane të bazuara në zyrtarin e Shtëpisë së Bardhë tha se janë “të sëmura”.

Duke vënë në dukje se me Putin nuk ka pasur kontakte përveç takimit zyrtar dypalësh, Trump tha se në darkën ku pretendohet se është zhvilluar takimi kanë qenë të ftuar të gjithë liderët dhe bashkëshortet e tyre.

“Lajmi i rremë se unë jam takuar me Putinin në një darkë sekrete është ‘i sëmurë’. Të gjithë liderët dhe bashkëshortet ishin aty si të ftuar të kancelares gjermane. Mediat e dinë mjaft mirë këtë”, ka shkruar Trump.

Duke iu referuar mediave të cilat e kritikojnë atë duke filluar nga CNN, Trump tha se ky lajm është shtrembëruar qëllimisht. “Lajmet e rreme çdo ditë e më shumë po bëhen dyfytyrëshe. Edhe një darkë të organizuar për liderët e Samitit G20 po tregohet me qëllim të keq”, tha ai.

Trump dhe Putin më 7 korrik në kuadër të Samitit të Liderëve G20 në Hamburg, realizuan takimin e parë kokë më kokë, ku ishte bërë e ditur se gjatë këtij takimi është bërë këmbimi i mendimeve për tema të ndryshme duke filluar nga ndërhyrja e Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA e deri tek armëpushimi në Siri.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk dëshiron që emri i tij të bëhet i ditur në një deklaratë për mediat amerikane pretendoi se pas takimit dypalësh të liderëve Trump dhe Putin më 7 korrik, në darkën e Samitit G-20 kanë zhvilluar edhe një takim jozyrtar të papublikuar në media.


Send this to a friend