VOAL

VOAL

Zëvendëspresidenti amerikan bën thirrje për rrëzimin e kreut venezuelan, Maduro

February 2, 2019
blank

Komentet

blank

“Kur do t’i kundërvihemi lobimit të armëve?”, pas masakrës në Teksas, Joe Biden i drejtohet popullit amerikan me një fjalim

Presidenti amerikan Joe Biden është deklaruar pas të shtënave në një shkollë fillore në jug të Teksasit, ku 18-vjeçari Salvador Ramos vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur – duke theksuar se shpreson që kurrë më nuk do t’i duhet t’i drejtohet kombit për ngjarje të tilla.

Duke komentuar ngjarjen në Teksas, Biden tha se në Shtetet e Bashkuara ka ndodhur një masakër.

“Nxënës të mrekullueshëm, të klasës së parë, tretë dhe katërt. E sa fëmijë të vegjël tjerë ishin dëshmitarë të asaj se çfarë ka ndodhur, kanë parë shokët e shoqet duke vdekur. Sikur të ishin në fushëbetejë për hir të Perëndisë”, shtoi Biden.

 

Të shtënat masive ndodhën në momentin kur Joe Biden po kthehej nga udhëtimi zyrtar në Azi.
“Ajo çfarë më ka goditur gjatë fluturimit 17-orësh, është se të shtëna të tilla masive ndodhin rrallë kudo në botë. Pse? Ata gjithashtu kanë probleme mendore, njerëz të humbur, por të shtëna masive kurrë nuk ndodhin me një numër kaq të madh në SHBA. Pse?”, porositi Biden.

Në fund të fjalimit, ai theksoi se është lodhur nga ngjarje të tilla, dhe se shteti duhet të veprojë.
“Si komb duhet të pyesim. Kur do t’i kundërvihemi lobimit të armëve? Kur do të bëjmë atë çfarë dimë të bëjmë”, shtoi presidenti amerikan.

Gjithashtu bëri të ditur se kanë kaluar 3.448 ditë, që kur sulmuesi i armatosur në vitin 2012 kreu masakër në një shkollë të mesme duke vrarë 26 persona – përfshirë 20 nxënës të vitit të parë.

Prej atëherë janë raportuar mbi 900 incidente që kanë lidhje me të shtënat nëpër shkolla. Biden shfrytëzoi rastin që t’i bëjë thirrje Kongresit amerikan që të miratojë ligje tjera për armët.

“Nuk mund të parandalojmë çdo tragjedi, por e dimë se masat e kufizuara të armëve veprojnë dhe kanë ndikim pozitiv. Ideja që një 18-vjeçar mund të futet në dyqan dhe të blejë pushkë, është shumë e gabuar”, tha në fund i pari i shtetit më të fuqishëm në botë. bw

blank

Rritet numri i viktimave nga të shtënat në Teksas

RFE/RL

Nëntëmbëdhjetë fëmijë dhe dy në moshë madhore kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në jug të Teksasit.

Një sulmues 18-vjeçar hapi zjarr në Shkollën Fillore Robb, në qytetin Uvalde, përpara se të vritej nga forcat e sigurisë, thanë zyrtarët.

Hetuesit thanë se sulmuesi kishte qenë i armatosur me një pistoletë, me një pushkë gjysmë-automatike të llojit AR-15 dhe kishte pasur karikatorë me kapacitet të lartë.

Adoleshenti dyshohet se fillimisht ka qëlluar gjyshen e tij dhe më pas ka vazhduar sulmin.

Mediat lokale raportuan se ai mund të ketë qenë nxënës i një shkolle të mesme në atë zonë.

Shefi i policisë për qarkun e pavarur të shkollës Uvalde, Pete Arredondo, tha se të shtënat kishin filluar në orën 11:32 sipas kohës lokale gjatë së martës, dhe hetuesit besojnë se sulmuesi ka “vepruar i vetëm gjatë këtij akti të tmerrshëm”.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbbott, tha se sulmuesi, të cilin ai e identifikoi si Salvador Ramos, e braktisi veturën e tij para se të hynte në shkollë dhe të hapte zjarr “në mënyrë të tmerrshme dhe të pakuptueshme”.

Një prej personave të rritur që është vrarë ishte mësuese. Mediat amerikane e kanë identifikuar viktimën si Eva Mireles.

Pothuajse 500 nxënës vijojnë mësimin në shkollën ku ndodhën të shtënat dhe kryesisht janë hispanikë. Shkolla gjendet afër 135 kilometra në perëndim të qytetit San Antonio.

Në shkollën Robb vijojnë mësimin klasat e dyta, të treta dhe të karta dhe nxënësit janë nga mosha shtatë deri në dhjetë vjeç.

Agjencia Associated Press raportoi se zyrtarët e patrullës kufitare amerikane gjendeshin afër kur filluan të shtënat dhe menjëherë shkuan në shkollë duke e vrarë sulmuesin, i cili gjendej pas një barrikade.

Uvalde, që gjendet rreth 126 kilometra larg kufirit me Meksikën, është shtëpi e një stacioni të patrullës kufitare.

Dy zyrtarë kufitarë raportohet se kanë shkëmbyer zjarr me sulmuesin. Një prej zyrtarëve është qëlluar në kokë, thanë autoritetet, duke shtuar se të dy aktualisht janë në gjendje stabile dhe po marrin trajtim në spital.

Spitali Uvalde Memorial më herët ka raportuar se 13 fëmijë ishin dërguar në spital përmes autoambulancave apo autobusëve. Ndërkaq, një spital tjetër në këtë zonë tha se një grua 66-vjeçare dhe një vajzë dhjetëvjeçare ishin në gjendje të rëndë shëndetësore.

Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se ishte “lodhur” nga përgjigjet ndaj të shtënave në masë, duke bërë thirrje për kontroll të armëve.

“Edhe sa shumë fëmijë të vegjël që panë atë që ndodhi, duhet të shohin shokët e tyre duke vdekur sikur të ishte fushëbetejë. Ata duhet të jetojnë me këtë gjë gjatë gjithë jetës së tyre”, tha Biden.

Ai urdhëroi që flamuri amerikan të ulej në gjysmështizë në Shtëpinë e Bardhë dhe në ndërtesat e tjera federale në nderë të viktimave të Uvalde.

Të shtënat në shkolla janë rritur në SHBA dhe vitin e kaluar janë regjistruar 26 raste të tilla, tha EdWeek, një organizatë që merret me arsim.

Më 2012, të shtënat në Shkollën Fillore Sandy Hook në Konektikat ishin më vdekjeprurëset. Njëzetë nga 26 viktimat ishin midis moshës pesë dhe gjashtëvjeçare.

blank

Austin: 20 shtete janë zotuar për ndihmë të re ushtarake për Ukrainën

RFE/RL

Njëzetë shtete janë zotuar për ndihmë të re ushtarake për Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, më 23 maj, pas takimit të dytë të Grupit të Kontaktit për Ukrainën.

Në këtë takim virutal, në mesin e shteteve pjesëmarrëse ishte edhe Kosova. Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, tha se në këtë takim rikthesoi përkrahjen e Kosovës për Ukrainën dhe tha se “që nga 24 shkurti, ne e kemi të qartë se Rusia përbën rrezik permanent për shtetet fqinje të saj, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin në botë”.

Po ashtu Mehaj tha se në takim ka theksuar gatishmërinë e Kosovës për të strehuar refugjatë dhe gazetarë ukrainas “të cilët janë të rrezikuar çdo ditë nga agresori rus”, u tha në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Danimarka është pajtuar që t’i ofrojë Ukrainës granatahedhës Harpoon dhe raketa për “t’i ndihmuar Ukrainës që ta mbrojë vijën e saj bregdetare”, tha Austin gjatë një konference për media pas kësaj mbledhjeje virtuale.

Republika Çeke po ashtu është pajtuar që të dërgojë “mbështetje thelbësore” për Ukrianën, përfshirë edhe “donacionin e fundit të helikopterëve sulmues, tankeve dhe sistemeve raketore”, shtoi Austin.

Në përgjithësi, 20 shtete “njoftuan për paketat e reja të mbështetjes së sigurisë”, tha Austin, përfshirë edhe “dhurimin e municionit të artilerisë që është aq i nevojshëm, sistemeve të mbrojtjes detare, tankeve dhe makinave të tjera të blinduara”.

“Të tjerët njoftuan për zotimet që të trajnojnë forcat e Ukrainës dhe ruajtjen e sistemeve të saj ushtarake”, shtoi sekretari Austin.

Në këtë takim, që u kryesua nga shefi i shtabit të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, morën pjesë 47 shtete.

Pjesëmarrësit u informuan nga ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Reznikov, lidhur me situatën aktuale të luftës tremujore.

“Sot, së bashku me ministrin Reznikov dhe ekipin e tij, ne mësuam për kërkesat prioritare të Ukrainës dhe situatën në fushëbetejë”, tha Austin.

Që prej takimit të parë të grupit në bazën ushtarake amerikane në Gjermani, takim që u mbajt katër javë më parë, Austin tha se “momentumi i donacioneve dhe dërgesave është i jashtëzakonshëm”.

Ai tha se nevojat e Ukrainës nuk kanë ndryshuar shumë nga takimi i parë, duke thënë se kërkohen artileri, tanke mbështetëse, dronë dhe pajisje të tjera.

“Lufta në këtë fazë po formësohet nga artileria, dhe ne kemi parë shkëmbime të ashpra të artilerisë gjatë javëve të fundit”, tha Austin.

Ai shtoi se Grupi i Kontaktit do të takohet fizikisht më 15 qershor, gjatë takimit të ministrave të NATO-s në Bruksel.

blank

SHBA po diskuton futjen e forcave operacionale në Kiev për të mbrojtur ambasadën

Administrata Biden po diskuton dërgimin e mundshëm të forcave të operacioneve speciale (SOF) në Ukrainë për të ndihmuar në ruajtjen e Ambasadës së SHBA në Kiev, sipas disa zyrtarëve amerikanë. Ideja e përdorimit të SOF është në faza shumë paraprake dhe ende nuk i është paraqitur presidentit Joe Biden për një vendim, raporton CNN.

Ambasada u rihap javën e kaluar pasi ishte mbyllur për rreth tre muaj. Për momentin, ambasada dhe numri i kufizuar i personelit të saj mbrohen nga zyrtarë të sigurisë diplomatike të Departamentit të Shtetit. Diskutimi përqendrohet rreth asaj nëse nevojitet një rritje e sigurisë nëse rritet numri i personelit dhe nëse SOF është i pajisur më së miri për të përmbushur këto kërkesa.

Marinsat amerikanë zakonisht ruajnë ambasadat amerikane në mbarë botën, por në Kiev, për momentin, ekziston një marrëveshje e përgjithshme që personeli tipik i rojeve të ambasadës së Korpusit të Marinës mund të mos jetë i përshtatshëm për tablonë e pasigurt të sigurisë në Ukrainë pa forca shtesë, thonë zyrtarët.

SHBA nuk beson se Rusia do të sulmonte haptazi Ambasadën. Por shqetësimi është se mbrojtja ajrore ose raketat ruse mund të synojnë pa dashje kompleksin dhe situata mund të përshkallëzohet në mënyrë dramatike, thonë zyrtarët.

Gjithashtu, zyrtarët amerikanë thonë se Rusia ka një mirëkuptim të plotë mbi baza zyrtare që SHBA përdor personelin ushtarak për të ruajtur ambasadat e saj në mbarë botën dhe çdo prani nuk duhet të shihet si shkallëzuese. Megjithatë, një futje e forcave amerikane në Ukrainë mund të ngrejë shqetësime se mund të çojë në një perceptim të përshkallëzimit të SHBA-së pasi Presidenti Biden ka qenë i bindur se trupat tokësore amerikane nuk do të luftojnë në Ukrainë.

Shqetësimi është nëse forcat e operacioneve speciale hyjnë në Ukrainë, atëherë SHBA duhet të jetë në gjendje të sigurojë një mjet të shpejtë për t’i nxjerrë ata dhe personelin e ambasadës nga Ukraina në një krizë. Aktualisht opsionet e vetme janë transporti me automjet ose hekurudhor deri në kufi./CNN/

syri.net

blank

Biden: Putin synon të eliminojë Ukrainën

RFE/RL

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka akuzuar homologun e tij rus, Vladimir Putin se po tenton të “eliminojë” Ukrainën dhe ka thënë se lideri rus duhet të paguajë “çmim afatgjatë” për pushtimin e këtij shteti.

Duke folur nga Tokio më 23 maj, Biden ka thënë në një konferencë për media se bombardimet ruse në infrastrukturën civile, sikurse shkollat, teatrot, spitalet dhe muzetë, tregojnë synimin e qartë të Putinit për pushtimin e nisur më 24 shkurt.

“Besoj se ajo që dëshiron Putin është të eliminojë identitetin e Ukrainës”, ka thënë Biden.

“Ai nuk mund ta pushtojë atë, mirëpo mund të tentojë t’ia shkatërrojë identitetin”.

Ukraina ka akuzuar Rusinë se është duke kryer mizori në pushtimin e paprovokuar dhe ka thënë se ka identifikuar më shumë se 10,000 krime të mundshme të luftës.

Rusia e mohon shënjestrimin e civilëve dhe pretendon se të dhënat për mizori që prezanton Ukraina, janë të rreme.

Para nisjes së luftës, të cilën Putin e konsideron “operacion special ushtarak”, lideri rus ka thënë se Ukraina nuk ka qenë kurrë njëmend shtet, dhe ka thënë se Ukraina është pjesë e “historisë, kulturës dhe hapësirë shpirtërore” të Rusisë.

Biden ka thënë se Putin duhet “të paguajë çmim të lartë për barbarizmin e tij në Ukrainë” për t’u siguruar që shtetet tjera nuk marrin hapa të ngjashëm.

Deklarata e tij besohet se ka qenë referencë e drejtpërdrejtë për tensionet në mes të Kinës dhe Tajvanit.

blank

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Biden nënshkroi të shtunën legjislacionin për ndihmën shtesë prej 40 miliardë dollarësh për Ukrainën, ndërsa agresioni rus i afrohet muajit të katërt.

Legjislacioni, i cili u miratua nga Kongresi me mbështetjen dypartiake, thellon angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Ukrainës në një kohë pasigurie për të ardhmen e luftës. Ukraina e ka mbrojtur me sukses Kievin dhe Rusia e ka përqendruar ofensivën e saj në lindje të vendit, por zyrtarët amerikanë paralajmërojnë për mundësinë e një konflikti të zgjatur.

Ndihma e re synon të mbështesë Ukrainën deri në shtator dhe pason një masë urgjente të mëparshme që kishte siguruar 13.6 miliardë dollarë.

Paketa e re përmban 20 miliardë dollarë ndihmë ushtarake, duke siguruar një rrjedhë të qëndrueshme armësh të avancuara për të frenuar përparimet e Rusisë. Ajo parashikon gjithashtu 8 miliardë dollarë në mbështetje të përgjithshme ekonomike, 5 miliardë dollarë për të trajtuar mungesat globale ushqimore që mund të rezultojnë nga rrënimi i bujqësisë ukrainase dhe më shumë se 1 miliard dollarë për të ndihmuar refugjatët.

Presidenti Biden e nënshkroi ligjin më rrethana të pazakonta. Duke qenë se ai po bën një udhëtim në Azi, një zyrtar amerikan e solli projekt-ligjin në Seul në mënyrë që presidenti ta nënshkruante, sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë.

Kjo pasqyron ndjesinë e urgjencës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, por edhe nxjerr në pah sfidat ndërkombëtare me të cilat përballet zoti Biden.

Vizita në Azi është pjesë e një orientimi të politikës së jashtme për t’i bërë ballë Kinës, por presidentit të Shteteve të Bashkuara i duhet njëkohësisht të vazhdojë të sigurojë burimet në ndihmë të Ukrainës, në konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

blank

Zyrtarët amerikanë – SHBA mund të mbajë 100,000 trupa në Evropë në të ardhmen, përballë kërcënimit rus

SHBA-ja pritet të mbajë 100,000 trupa të stacionuara në Evropë në një të ardhme, nëse Rusia përshkallëzon veprimet dhe kërcënon Suedinë dhe Finlandën ose anëtarët e NATO-s, thanë zyrtarë të shumtë amerikanë.

Numri mund të rritet përkohësisht nëse NATO kryen më shumë stërvitje ushtarake në rajon dhe SHBA mund të shtojë baza në Evropë nëse mjedisi i sigurisë ndryshon, shtuan zyrtarët.

Planet po shqyrtohen pas takimit të së enjtes të krerëve ushtarakë të NATO-s në Bruksel, thanë zyrtarët. Shefat ushtarakë po bëjnë rekomandime për një takim të ministrave të mbrojtjes të NATO-s të planifikuar për në qershor dhe krerët e NATO-s duke përfshirë Presidentin amerikan Joe Biden do të takohen në Madrid në fund të atij muaji.

SHBA e rriti pozicionin e përgjithshëm të forcës së saj në Evropë nga rreth 60,000 trupa përpara pushtimit rus të Ukrainës, në rreth 100,000 tani, duke shtuar trupa dhe mjete ushtarake në vendet përgjatë krahut lindor të Evropës për të mbështetur NATO-n dhe për të penguar më tej Rusinë.

SHBA kontribuoi me mijëra trupa në Forcën e Reagimit të NATO-s, e cila u aktivizua për herë të parë në historinë e NATO-s në fillim të kësaj pranvere./CNN

blank

Ligjvënësit amerikanë shtyjnë administratën të përcaktojë Rusinë, shtet që sponsorizon terrorizmin

VOA/Tatiana Vorozhko

Ligjvënësit amerikanë të të dy partive kryesore politike, po shtojnë presionin mbi administratën e Presidentit Bidenit për ta përcaktuar Rusinë si një shtet që sponsorizon terrorizmit.

Një rezolutë, që i kërkon Sekretarit të Shtetit të bëjë këtë përcaktim, është paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve në një kohë kur Kongresi është i predispozuar të ndëshkojë Moskën për luftën e saj kundër Ukrainës.

Propozuar nga republikani Joe Wilson nga Karolina e Jugut dhe demokrati Ted Lieu nga Kalifornia, rezoluta synon të shtojë Federatën Ruse në listën që përfshin Korenë e Veriut, Iranin, Sirinë dhe Kubën.

“Terrori rus duhet të ndalet,” tha ligjvënësi Wilson në një deklaratë.

Demokrati Ted Lieu tha se përcaktimi i Rusisë si një shtet terrorist do të jetë një përpjekje e mëtejshme për të ndëshkuar Rusinë për sulmin e saj në Ukrainë.

“Me këtë përcaktim, Shtetet e Bashkuara do të jenë në gjendje të ndalojnë eksportet me përdorim të dyfishtë në Rusi dhe të ndërmarrin veprime ekonomike kundër vendeve të tjera që bëjnë biznes me Rusinë,” tha ai në një deklaratë.

Të dielën, udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell, republikan nga Kentaki, i bëri thirrje Presidentit Joe Biden të vepronte. Zoti McConnell gjatë fundjavës vizitoi Kievin dhe u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

“Unë mendoj se është një ide e mirë dhe do ta mbështes atë,” u tha ai gazetarëve, sipas gazetës The Hill.

Zyrtarët dhe ligjvënësit ukrainas i kanë kërkuar me ngulm SHBA-ve ta ndërmarrin këtë hap.

“Ne besojmë se Rusia duhet të njihet zyrtarisht si një shtet sponsorizues i terrorizmit,” tha presidenti Zelenskyy gjatë takimit të tij me senatorin McConnell dhe anëtarë të tjerë të një delegacioni të Senatit.

Maria Zakharova, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, i quajti përpjekjet për përcaktimin e Rusisë si shtet që sponsorizon terrorizmin, si “masa idiote”, të cilave Rusia do t’i përgjigjej.

“Ne, siç e dini, nuk lëmë asgjë pa përgjigje dhe ata duhet ta kuptojnë këtë,” tha ajo sipas një raporti të medias ruse më 28 prill.

Disa ditë përpara udhëtimit të zotit McConnell në Ukrainë, sekretares së shtypit të Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki iu kërkua të përgjigjej rreth rezolutës së Kongresit në një konferencë për shtyp. Ajo nuk ofroi hollësi, por vuri në dukje se shumë nga masat e lidhura me përcaktimin, janë zbatuar që kur Rusia sulmoi Ukrainën.

Përveç rezolutës në Dhomën e Përfaqësuesve, një rezolutë dypartiake është paraqitur edhe në Senatin amerikan.

“Putini është një terrorist dhe një nga forcat më përçarëse në planet është Rusia e Putinit,” tha senatori republikan Lindsey Graham nga Karolina e Jugut, duke prezantuar rezolutën javën e kaluar.

“Rusia e Putinit e meriton këtë përcaktim,” tha senatori Richard Blumenthal, demokrat nga Kentaki i cili është bashkëautor i rezolutës.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken u shfaq i hapur ndaj mundësisë, kur dëshmoi para Senatit në fund të muajit të kaluar.

“Nuk kam asnjë dyshim në mendjen time … se rusët po terrorizojnë popullin ukrainas,” tha sekretari Blinken, sipas gazetës The Wall Street Journal. “Avokatët po shohin në mënyrë që të sigurohemi të përmbushim kërkesat ligjore të atij përcaktimi.”

Disa anëtarë të Kongresit kërkuan konsultime me aleatët përpara se të bënin përkufizimin e Rusisë si një shtet që sponsorizon terrorizmin.

“Unë mendoj se sjellja e Rusisë sigurisht e justifikon këtë përkufizim, por shumë nga forca jonë për t’iu përgjigjur pushtimit rus të Ukrainës është një përgjigje e përbashkët me aleatët tanë evropianë,” tha senatori demokrat Chris Koons, duke folur me Zërin e Amerikës. “Kjo pothuajse do të ndalonte plotësisht çdo biznes, të çdo lloji me Rusinë.”

Sipas Departamentit të Shtetit, nga ky përcaktim, Rusia do të përballet me katër lloje sanksionesh: “kufizime për ndihmën e huaj të SHBA-së; ndalim të eksporteve dhe shitjeve të materialeve ushtarake; masa kontrolli mbi eksportet e artikujve me përdorim të dyfishtë; si dhe kufizime të ndryshme financiare dhe të tjera. ”

“Shtimi i Rusisë në listën e shteteve sponsorizuese të terrorizmit, do të ishte “opsioni ekonomik bërthamor” dhe një goditje e saktë kundër egos së Putinit,” shkruan në një koment në gazetën “Los Angeles Times”, Jason M. Blazakis, profesor në Institutin e Studimeve Ndërkombëtare Middlebury. Zoti Blazakis, drejtoi Zyrën e Financave dhe Emërtimeve kundër Terrorizmit të Departamentit të Shtetit në Byronë e Kundërterrorizmit nga viti 2008 deri në 2018.

Ai shpjegon se Departamenti i Shtetit mund të shtojë një vend në listë, pasi të japë “të paktën dy shembuj të terrorizmit të mbështetur nga ky shtet”.

“Ne nuk duhet të kërkojmë shumë larg, për të gjetur një shembull të qartë. Edhe sot, Rusia i ofron strehë një grupi të përcaktuar si terrorist nga SHBA, siç është Lëvizja Perandorake Ruse, e cila vepron pa u ndëshkuar në territorin rus. Është një grup, që ka trajnuar terroristë për të kryer një sulm në Suedi dhe ka shërbyer si një forcë përfaqësuese e Rusisë në Krime”, shkruan zoti Blazakis.

Të dyja rezolutat, të paraqitura në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat, renditin shembuj të shumtë të aktiviteteve të Rusisë, që mund të cilësohen si terrorizëm i sponsorizuar nga shteti, siç janë veprimet e saj në Ukrainë, Çeçeni, Siri dhe vende të tjera.

“Është e rëndësishme të përdoret çdo mjet në dispozicion të Shteteve të Bashkuara dhe që komuniteti ndërkombëtar të mbajnë përgjegjës Putinin dhe Rusinë”, thotë Jonathan Katz, bashkëpunëtor në Fondin Gjerman Marshall, në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Ai shton se “Rusia dhe zoti Putin dhe veprimet që kanë ndërmarrë në Ukrainë dhe globalisht, përputhen me kriteret e vendosura dhe ata duhet të etiketohen si sponsorizues të terrorit”.

Lituania është vendi i parë, përveç Ukrainës, që e njeh Rusinë si sponsor të terrorizmit. Të martën, më 10 maj, parlamenti i vendit e përcaktoi Federatën Ruse si sponsorizues të terrorizmit dhe i njohu veprimet e saj në Ukrainë si gjenocid.

“Nëse më shumë shtete njohin veprimet e Rusisë si gjenocid dhe Rusinë si një shtet terrorist, mund të shfaqet më shumë vullnet politik për ta dëbuar Rusinë nga të gjitha formatet ndërkombëtare, politike, kulturore, sportive, etj. Vendet që ende dyshojnë duhet të miratojnë sanksione më të ashpra, të furnizojnë me më shumë armë Ukrainën, etj.”, tha Paulius Saudargas, nënkryetar i parlamentit të Republikës së Lituanisë në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës.

Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova e quajti rezolutën e parlamentit lituanez një “hap ekstremist”.

Leonid Slutsky, kreu i Komitetit të Çështjeve Ndërkombëtare të dhomës së ulët të parlamentit të Rusisë, tha se “rezoluta nuk ishte ligjërisht e detyrueshme dhe se ajo thjesht përsëriste ato, që ai i quajti, pikëpamjet rusofobike të Shteteve të Bashkuara”, sipas agjencisë Reuters.

blank

Biden synon t’i dërgojë një mesazh Kinës ndërsa viziton Korenë e Jugut, Japoninë

VOA/Marrë nga Associated Press

Presidenti Joe Biden u nis për në Korenë e Jugut dhe Japoni në një udhëtim gjashtë-ditor që synon ndërtimin e marrëdhënieve më të ngushta me udhëheqësit e vendeve aziatike.

Presidenti Biden do të përpiqet t’i dërgojë një mesazh Kinës se sulmi i zbrapsur i Rusisë në Ukrainë duhet t’i japë Pekinit një prespektivë të re në lidhje me mundësinë e goditjeve të tij në Paqësor. Presidenti Biden u nis të enjten dhe do të takohet me presidentin e sapozgjedhur të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol dhe kryeministrin japonez Fumio Kishida. Bisedimet e tyre do të prekin tregtinë, zinxhirin global të furnizimit dhe programin bërthamor të Koresë së Veriut. Presidenti Biden do të takohet gjithashtu me udhëheqësit e aleancës së njohur si Quad, e cila përfshin Japoninë, Australinë dhe Indinë.

SHBA nën drejtimin e administrates Biden kanë krijuar një front të bashkuar me aleatët demokratë që ka kombinuar fuqinë e tyre ekonomike për ta bërë Rusinë të paguajë një çmim për sulmin e saj në Ukrainë. Kjo aleancë përfshin Korenë e Jugut dhe Japoninë.

Por edhe pse presidenti Biden do të pritet nga presidenti Yoon në një darkë shtetërore dhe do të zhvillojë biseda intime me kryeministrin Kishida, presidenti amerikan është i vetëdijshëm se këto marrëdhënie duhet të thellohen nëse duhet të shërbejnë si kundërpeshë ndaj ambicieve të Kinës.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan tha se udhëtimi do të “tregojë se Shtetet e Bashkuara mundën të udhëheqin menjëherë botën e lirë në përgjigjen ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, dhe në të njëjtën kohë do të përcaktojnë një kurs për udhëheqje efektive, parimore dhe angazhim amerikan në rajon për shekullin e 21-të”.

Lufta në Evropën Lindore ka krijuar një ndjenjë urgjence rreth Kinës mes aleatëve kryesorë të SHBA-së në Paqësor. Shumë prej tyre e kanë parë këtë moment si krizën e tyre ekzistenciale – një krizë në të cilën është kritike t’i tregohet Kinës se nuk duhet të përpiqet të pushtojë territoret e kontestuara përmes veprimeve ushtarake.

Një pasqyrim i asaj se si presidenti Biden është përpjekur të balancojë çështjet e sigurisë në çdo hemisferë, ishte fakti se pak para nisjes për në Azi, ai priti kryeministren Magdalena Andersson të Suedisë dhe Presidentin Sauli Niinistö të Finlandës në Shtëpinë e Bardhë për të treguar mbështetjen për kërkesat e tyre për t’u anëtarësuar në NATO.

“Aleancat e Amerikës në Evropë dhe në Azi na mbajnë ne – dhe do të argumentoja gjithë botën – të fortë dhe të sigurt,” tha presidenti Biden në Kopshtin e Trëndafilave. “Ato janë mënyra se si ne përballemi me sfidat e kohës sonë dhe ofrojmë për njerëzit tanë mundësitë për një të ardhme më të mirë.”

Udhëtimi jashtë shtetit i presidentit Bidenit vjen ndërsa ai përballet me sfida të forta të brendshme: një mungesë qumështi industrial për foshnjet, inflacion që shkatërron buxhetin, një numër në rritje të infeksioneve COVID-19 dhe padurim në rritje midis një baze demokrate që përgatitet për një vendim të Gjykatës së Lartë që ka të ngjarë të rezultojë në një përmbysje të së drejtës të abortit.

blank

Biden: SHBA mbështet fuqishëm anëtarësimin e Finlandës dhe Suedisë në NATO

VOA

Presidenti amerikan Joe Biden takoi në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e Finlandës, Sauli Niinisto dhe Kryeministren suedeze Magdalena Andersson, për bisedime rreth kërkesës së vendeve të tyre për anëtarësim në NATO, mbështetjen për Ukrainën dhe sigurinë evropiane. Në një konferencë pas takimit, zoti Biden tha se ShBA mbështesin fuqishëm anëtarësimin e vendeve nordike në aleancën ushtarake.

“Sot nuk ka dilema. Aleanca e NATO-s është e rëndësishme, është e efektshme dhe është më e nevojshme se kurrë. Aleanca është sot më e domosdoshme se më parë dhe do të thoja edhe për të ardhmen. Vendimi i Finlandës dhe Suedisë është dëshmi e këtij përkushtimi. Kjo është për të ardhmen. Është për një NATO të ringjallur që ka mjetet dhe burimet, qartësinë dhe bindjen për të mbrojtur vlerat tona të përbashkëta dhe për të udhëhequr botën”, tha Presidenti Biden.

Kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO, erdhën pas sulmit të Rusisë kundër Ukrainës. Presidenti amerikan shtoi se si Finlanda ashtu edhe Suedia plotësojnë të gjitha kushtet e duhura për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake. Presidenti tha se do të dorëzojë sot në Kongres kërkesën e dy vendeve për ratifikim.

Suedia dhe Finlanda janë anëtarë të Bashkimit Evropian. Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin se Moska do të përgjigjet nëse NATO shton praninë e saj ushtarake në Finlandë dhe Suedi, menjëherë pasi dy vendet nordike deklaruan të dielën se duan t’i bashkohen aleancës së dominuar nga ShBA.

Dy vendet do të përfitonin nga Neni 5 i aleancës, që parashikon që një sulm ndaj një vendi konsiderohet si sulm ndaj të gjitha vendeve, pasi të jerë anëtarësuar plotësisht.

Disa aleatë të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania, kanë dhënë shenja se janë gati të ofrojnë mbështetje sigurie për Finlandën dhe Suedinë nëse Kremlini përpiqet të provokojë ose destabilizojë vendet nordike gjatë kohës së shqyrtimit të anëtarësimit të tyre.

Anëtarësimi në NATO kërkon miratimin konsensual të të gjithë anëtarëve.

blank

SHBA rihap ambasadën në Kiev

RFE/RL

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se SHBA-të rihapën ambasadën e tyre në Kiev të mërkurën, pasi e mbyllën atë për tre muaj për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Populli ukrainas, me ndihmën tonë të sigurisë, kanë mbrojtur atdheun e tyre përballë pushtimit të pajustifikuar të Rusisë dhe, si rezultat, Yjet dhe Shiritat po valëviten përsëri mbi ambasadë”, deklaroi Sekretari i Shtetit Amerikan, Antony Blinken.

“Ne qëndrojmë me krenari përkrah, dhe vazhdojmë të mbështesim qeverinë dhe popullin e Ukrainës, teksa ata mbrojnë atdheun e tyre nga lufta dhe agresioni brutal i Kremlinit”.

Departamenti Amerikan i Shtetit mbylli ambasadën në Kiev më 14 shkurt, 10 ditë përpara se trupat ruse të kalonin kufirin, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e Ukrainës dhe për të instaluar një tjetër në përputhje me politikën e Moskës.

Diplomatët amerikanë vazhduan të ofronin shërbime nga qyteti perëndimor i Lvivit, ndonjëherë duke qëndruar gjatë natës në Poloninë fqinje për shkak të shqetësimeve mbi sigurinë.

Kthimi në Kiev erdhi disa javë pasi forcat ukrainase mposhtën përpjekjet ruse për të marrë kontrollin e Ukrainës veriore dhe kryeqytetit, ndërsa lufta u përqendrua në lindje dhe jug të vendit.

“Teksa ndërmarrim këtë hap të rëndësishëm, ne kemi paraqitur masa shtesë për të rritur sigurinë e kolegëve tanë që po kthehen në Kiev dhe kemi përmirësuar masat dhe protokollet tona të sigurisë”, tha Blinken.

blank

Seancë dëgjimore në Kongres lidhur me UFO-t

VOA

Kongresi amerikan zhvilloi të martën një seancë dëgjimore lidhur me provat e egzistencës së objekteve fluturake të paidentifikuara, shkurtimisht UFO. Kjo është hera e parë në 50 vjet që Kongresi i kushton vëmendje kësaj çështje. Sidoqoftë, vëmendja është pëqëndruar tek kërcënimi që paraqesin këto objekte për sigurinë kombëtare, jo nga qënie të një bote tjetër, por nga kundërshtarë të mundshëm në Tokë.

Për herë të parë pas 50 vjetësh çështja e UFO-ve është rikthyer tek vëmendja e ligjvënësve amerikanë, të cilët thonë se përbën shqetësim për sigurinë kombëtare. Një zyrtar i lartë i mbrojtjes thotë se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur kësaj çështjeje ndërsa përballet me sfida.

“Çdo vëzhgim i regjistruar mund të jetë i shkurtër, ose më i gjatë. Mund të jetë i filmuar, ose mund të mos jetë. Mund të jetë i vëzhgueshëm nga një objektiv, ose shumë burime. Me pak fjalë, është e vështirë të kemi një shpjegim. Për shembull, videoja e parë, që po paraqes, tregon vëzhgimin në kohë reale”, tha Scott Bray, Zëvendësdrejtor i Zbulimit të Marinës amerikane.

Pamje të filmuara nga një avion luftarak amerikan tregojnë një objekt fluturues të paidentifikueshëm.

“Siç shihet, këto janë provat që kemi dhe në disa raste vëzhgimet janë akoma më të pakta”, tha zoti Bray.

Seanca vjen pothuajse një vit pasi një raport qeveritar dokumentoi më shumë se 140 raste të fenomeneve ajrore të paidentifikuara të vëzhguara nga pilotë të ushtrisë amerikane që nga viti 2004.

Çështja e jashtëtokësorëve është stigmatizuar prej shumë vitesh. Ronald Moultre, Nënsekretar i Mbrojtjes për çështjet e zbulimit, tha se Pentagoni po përpiqet t’i kushtojë vëmendjen e duhur çështjes së UFO-ve dhe të inkurajojë pilotët dhe personelin ushtarak, që të raportojnë çdo gjë të pazakontë që mund të shohin.

Seanca dëgjimore u përqendrua tek mundësia që kundërshtarët e Shteteve të Bashkuara po zhvillojnë teknologji sekrete, që mund të interpretohet si UFO dhe përbëjnë rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara.


Send this to a friend