VOAL

VOAL

Presidenti Obama do të vizitojë Kubën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do të vizitojë Kubën.

Do të jetë kjo vizita e parë e një presidenti amerikan në ishullin komunist në afro nëntë dekada.

Udhëtimi i Obamës në Kubë do të jetë pjesë e një turneu në Amerikën Latine, në muajin mars, kanë bërë të ditur zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.

Në vitin 2014, Obama dhe presidenti i Kubës, Raul Castro, kanë bërë të ditur se do të nisin normalizimin e marrëdhënieve pas gjysmë shekulli armiqësi.

Të dyja vendet, qysh atëherë, kanë rivendosur marrëdhënie tregtare dhe diplomatike.

Calvin Coolidge ka qenë presidenti i fundit i SHBA-së që ka vizituar Kubën më 1928.

Obama pret në Kaliforni udhëheqësit e ASEAN-it

Presidenti amerikan Barak Obama do të presë 10 udhëheqësit e Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore në një takim historik në Kaliforni. Takimi synon të parashtrojë vizionin strategjik të Amerikës për këtë rajon për dekada me radhë në të ardhmen.

Presidenti amerikan dhe udhëheqësit e Azisë Juglindore do të zhvillojnë një takim dy ditësh në një pikë piktoreske pushimi në Rancho Mirage të Kalifornisë, ku përveç axhendës zyrtare, do të diskutohen edhe çështje të tjera me rëndësi kritike për rajonin.

Shtëpia e Bardhë e konsideron udhëheqjen amerikan në këtë rajon si një element kritik për begatinë dhe sigurinë e Shteteve të Bashkuara në të ardhmen.

Shoqata e Vendeve të Azisë Juglindore ASEAN përfshin Indonezinë, Malajzinë, Brunein, Filipinet, Singaporin, Tajlandën, Vjetnamin, Laosin, Mianmarin dhe Kamboxhian. Ky rajon dinamik dhe i larmishëm po përjeton një rritje të fuqishme, por edhe shtim të tensioneve, që kanë potencialin të kërcënojnë ekonominë dhe sigurinë globale.

Zyrtarët e administratës thonë se me organizimin e takimit të udhëheqësve të ASEAN-it, zoti Obama shpreson të zhvillojë një plan pune për vitin e fundit të mandatit të tij dhe të shtyjë përpara planet për gjetjen e një baraspeshe në rajon, duke i dërguar një mesazh të qartë administratave që do të vijnë pas për qëndrimin dhe angazhimin që kërkohet nga Shtetet e Bashkuara në këtë pjesë të globit.

Amerika feston Ditën e Presidentëve

Në Shtetet e Bashkuara po shënohet Dita e Presidentëve, një festë kombëtare që e ka zanafillën që nga viti 1879.

Me vendim të Kongresit, në vitin 1968 e hëna e tretë e shkurtit u shpall festë kombëtare për nder të George Washingtonit, i cili ka lindur më 22 shkurt.

Abraham Lincolni, presidenti i 16-te amerikan, lindi më 12 shkurt, prandaj edhe kjo quhet Festa e Presidentëve.

Qeveria federale është në masë të madhe e mbyllur në këtë ditë, fëmijët e kanë ditë pushimi nga shkolla. Në kryeqytetin amerikan, Uashington, rrugët kanë marrë pamje të shkretë pasi njerëzit e festojnë me familjet këtë ditë, ndërkohë që qyteti po mbulohet nga rreshje të reja bore.

Zëri i Amerikës: Kerry në Tiranë: Mbështetje reformave (video)

Voal . Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha sot në Tiranë se Shtetet e Bashkuara mbështesin reformat e ndërmarra dhe se vendi sipas tij është në rrugën e duhur. Duke folur pas takimit me kryeministrin Edi Rama, zoti Kerry nënvizoi se se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura dhe të gatshme që të jenë krah Shqipërisë në këtë transformim. Ai vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke veçuar përgjegjësitë e veçanta që vendi ka dhe në rajon si një anëtar i NATO-s. Gjatë qëndrimit në Tiranë, Sekretari amerikan i Shtetit pati një takim dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha dhe një grup deputetësh demokratë.

 

Sekretari amerikan i Shtetit mbërriti në Tiranë në orën 9:45 minuta. Në tapetin e kuq të shtruar në shkallët e avionit kishte dalë për ta pritur presidenti Bujar Nishani, një gjest i pazakontë nga pikëpamja protokollare. Ata qëndruan aty në këmbë për pak minuta gjatë së cilave, sic u njoftua më pas në një deklaratë, zoti Nishani “i shprehu mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike si dhe vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Menjëherë më pas, Sekretari amerikan i Shtetit u drejtua për në qendrën e kryeqytetit. Në godinën e qeverisë ai nisi takimet zyrtare fillimisht me Ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Më pas shtrëngimi i duarve me Kryeministrin Edi Rama dhe disa minuta në zyrën e këtij të fundit. Në Sallën e Hartave, ku u zhvilluan bisedimet dy palëshe ishin katër ministra si dhe ish-kryeministri Pandeli Majko, kryetar i delegacionit parlamentar të miqësisë Shqipëri-SHBA.

Angazhimi në luftën kundër terrorizmit dhe reformat e ndërmarra në vend ishin dy boshtet mbi të cilat u zhvilluan bisedimet. Sekretari amerikan mbërriti në Tiranë nga Mynihu i Gjermanisë, ku ai mori pjesë në takimin e nivelit të lartë për sigurinë, e ku në fokus ishte pikërisht Lindja e Mesme dhe nevoja për t’u përballur e mposhtur ISIS-in. ​ Mposhtja e ISIS nuk ka për të ndodhur thjesht për shkak të asaj që një vend i vetëm mund të bëjë. Kjo kërkon një koalicion të gjerë, dhe ne e kemi ndërtuar atë dhe Shqipëria, jam krenar dhe mirënjohës ta them, është anëtare themeluese në këtë koalicion. Shqipëria ka qenë aty që nga fillimi e gatshme për të qëndruar me të gjitha vendet për t‘iu kundërvënë ISIS-it”. Shqipëria, shtoi zoti Kerry, “nuk është thjesht një vend mik, por një vend anëtar i NATO-s dhe kjo sjell përgjegjësi të veçanta në rajon dhe jemi mirënjohës për anëtarësinë dhe partneritetin e saj në këtë aleancë”, u shpreh ai.

Por, më mirënjohëse është Shqipëria, e cila siç theksoi kryeministri Rama, “ka një lidhje speciale me Shtetet e Bashkuara, pa të cilat, as Shqipëria dhe as shqiptarët në tërësi nuk do të ishin sot më të respektuar se kurrë më parë në historinë e tyre”, tha ai. “Si miq, partnerë dhe aleatë të ngushtë, ne kemi punuar, jemi duke punuar dhe do të vazhdojmë të punojmë ngushtësisht me NATO-n, Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Me Shtetet e Bashkuara nuk na ndan asgjë dhe na bashkon gjithçka. Trupat tona do të vazhdojnë misionin e tyre në Afganistan, përkrah atyre amerikane, e do të qëndrojnë aty së bashku me aleatin tonë të madh deri kur të jetë e nevojshme”.

Reformat e ndërmarra në vend zunë një pjesë të rëndësishme të deklaratës së Sekretarit amerikan të Shtetit, i cili foli për një përparim domethënës. “Prova është absolutisht e qartë dhe Shqipëria duhet të jetë e kënaqur, që vendi juaj po lëviz në drejtimin e duhur, ju jeni në rrugën e duhur. Jam besimplotë në vullnetin me të cilin është përqafuar legjislacioni që ka lidhje me luftën ndaj korrupsionit, jam i inkurajuar që reformat tuaja kanë marrë udhë”, u shpreh zoti Kerry.

Ai theksoi në mënyrë të veçantë miratimin e të ashtuquajturit ligj për dekriminalizimin, të cilin e konsideroi si një hap të rëndësishëm e kurajoz që pengon kalimin e kriminelëve në politikë. Shtetet e Bashkuara së bashku me Bashkimin Europian u angazhuan fort për këtë ligj, ashtu sikundër dhe për realizimin e reformës në Drejtësi. “Jam i inkurajuar shumë nga paketa e Reformës në Drejtësi që është duke u shqyrtuar për të përmirësuar gjyqësorin dhe për të lejuar një goditje më të madhe kundër korrupsionit. Dëshiroj të theksoj se kjo është dicka që udhëheqja juaj ka ndërmarrë, se ata po punojnë fort në mënyrë që të realizohet dhe janë të përkushtuar për një qeverisje më llogaridhënëse, dhe kjo kërkon mbështetjen e çdo shqiptari. SHBA janë absolutisht të përgatitura dhe të gatshme dhe jam këtu ta konfirmoj në emër të presidentit Obama që ne jemi me ju në këtë transformim dhe rrugëtim. Por, në fund vetëm shqiptarët mund të miratojnë ligjet e duhura e të ngulmojnë për zbatimin efektiv të tyre“, nënvizoi Sekretari amerikan i Shtetit.

Edhe kryeministri Rama deklaroi se Reforma në Drejtësi kishte qenë një nga pikat e diskutimit: “Objektivi ynë i përbashkët, edhe për shkak të implikimeve të drejtpërdrejta që ecuria e reformës ka në procesin e integrimit europian, është që marsi të jetë muaji i votimit në Kuvend të paketës së ndryshimeve kushtetuese. Kam shumë besim se do t’ia dalim dhe fakti që nuk jemi vetëm, por me Shtetet e Bashkuara në krah, e bën krejtësisht të arsyeshëm optimizmin për sukses, në këtë ndërmarrje historike për Shqipërinë e shekullit të XXI-të”.

Pesha që Sekretari Kerry i dha veçanërisht reformës në Drejtësi, e bëri të qartë se kjo cështje do të ishte më pas temë qëndrore e bisedës dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha. Ky i fundit pas takimit deklaroi se “duke forcuar demokracinë e brendshme është investimi më i mirë, më i fuqishëm në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të Shqipërisë dhe gjithë rajonit. E në këtë kontekst është dhe ecja përpara me reforma shumë të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet, normat, standardet e pranuara bashkërisht, siç janë ato të Komisionit të Venecias, si dhe çështja kyçe e demokracisë shqiptare – çështja e zgjedhjeve të lira e të ndershme, për të cilat opozita kërkon angazhimin e partnerëve tanë si një reformë kyçe pa të cilën Shqipëria nuk mund të bëjë përpara”.

Sekretari amerikan i Shtetit gjeti disa momente për t’u përshëndetur dhe me qytetarë shqiptarë, fillimisht kur ai po shkonte drejt takimit me përfaqësuesit e opozitës, dhe më pas, në mbyllje të vizitës, pas përfundimit të një bashkëbisedimi me një grup të rinjsh shqiptarë. I nxitur nga insistimi i një qytetari nga Kosova, Sekretari amerikan i Shtetit, pati dhe një mesazh për Prishtinën: “Mesazhi im është. Vazhdoni të ecni përpara”/ZA

McCain: Marrëveshja për Sirinë, në shërbim të Rusisë

Senatori amerikan John McCain

Senatori amerikan, John McCain, ka kritikuar ashpër një marrëveshje ndërkombëtare për përfundimin e luftimeve në Siri, duke e cilësuar atë si “diplomaci në shërbim të agresionit ushtarak të Rusisë”.

McCain ka folur në ditën e fundit të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ku Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, dhe diplomatë të tjerë kanë arritur marrëveshjen më 12 shkurt.

“Do të doja të ndaja të njëjtat pikëpamje si disa miq të mi, të cilët e shohin këtë marrëveshje si arritje të madhe potenciale, por, për fat të keq, nuk mundem”, ka thënë McCain, kritik republikan i administratës së presidentit të SHBA-së, Barack Obama, dhe kryesues i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura.

Marrëveshja në fjalë bën thirrje për ndërprerjen e armiqësive në Siri brenda një jave.

Ajo përjashton sulmet ndaj caqeve të militantëve të Shtetit Islamik dhe Frontit al-Nusra, të cilat Rusia ka thënë se do të vazhdojë t’i godasë nga ajri.

Por zyrtarët perëndimorë kanë thënë se sulmet ajrore ruse, deri tash, kanë qëlluar edhe kundërshtarët e tjerë të qeverisë së presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilët mbështeten nga Perëndimi.

John Kerry nga ushtarak në Vietnam, kandidat për President i SHBA dhe Sekretar Shteti në SHBA

 Voal – Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry, po viziton sot Shqipërinë. Ai është sekretari i pestë amerikan që viziton vendin tonë.

Por kush është John Kerry, dhe cila është e shkuara e tij, para se të bëhej një nga zyrtarët më të lartë të shtetit amerikan.

John Kerry lindi në një familje të pasur në Masaçusets më 11 dhjetor 1943. I ati i tij Richard ishte diplomat amerikan, e ëma Rosemary ishte anëtare e familjes së pasur Forbes, e cila ishte e përfshirë në transportin detar. Kerry e kaloi fëmijërinë në disa shkolla elitare me konvikt si dhe duke kaluar në Francë pushimet verore.

Ylli i atletikës

Me gjatësinë e tij prej më shumë se 1,90 metrash, Kerry u bë një ylli atletike në shkollën e tij elitare me konvikt në Neë Hampshire, St Paul, dhe më vonë në Universitetin Yale. Kur ishte në Yale, Kerry u pranua në klubin gjysmë të fshehtë Skull and Bones, një kub ekskluziv për persona që mendohet se do të bëhen të mëdhenj në të ardhmen. Dy vjet më vonë edhe rivali i tij politik, gjithashtu i diplomuar në Yale, Xhorxh Ë. Bush, u pranua në këtë klub.

Afrimi me madhështinë

Kur ishte në Yale, Kerry u shoqërua për pak kohë me Janet Auchincloss, gjysmë-motra më e vogël e Jacqueline Kennedy-t. Kjo lidhje e vuri atë në kontakt me presidentin e ri popullor John F. Kennedy, duke u bërë dhe mik i tij. Në këtë foto Kerry (anash majtas) është takuar në verën e vitit 1962 me presidentin dhe pjesëtarë të tjerë të familjes gjatë një dite udhëtimi me anije në Gjirin Narrangasett.

Hero i luftës së Vietnamit

Në vitin 1966 Kerry doli vullnetar për të luftuar në Vietnam, ku ai shërbeu dy herë. Herën e parë ai shërbeu në bordin një fregate raketa-hedhëse në Gjirin e Tonkinit, dhe nuk u angazhua në luftime. Herën e dytë detyra ishte më e rrezikshme. Ai shërbeu si kapiten i një anijeje të shpejtë që patrullonte në ujrat e Deltës së Mekongut. Ai u plagos tri herë dhe mori dekoratën ‘Zemra e Purpurt’ tre herë, si dhe yjet e bronxit dhe argjendit. Koha e shërbimit në Vietnam bëri që Kerry të zhgënjehet gjithnjë e më shumë me luftën. Kur u kthye në SHBA, Kerry u përfshi në fushatën kundër luftës duke u futur në një grup të quajtur Veteranët e Vietnamit Kundër Luftës.

Famë në rritje

Në vitin 1971 Kerry u ngjit në skenën politike kur dëshmoi për çështjen e Vietnamit para Komisionit të Marrëdhënieve t? ? Jashtme të Senatit. Atje ai i bëri një pyetje komisionit, pyetje që mori famë: “Si mund t’i kërkoni një njeriu të jetë i fundit që vritet në Vietnam? Si mund t’i kërkoni një njeriu të jetë i fundit që vritet për një gabim?”

I dashuri i medias

Pas paraqitjes në Komisionin e Senatit, Kerry u bë i famshëm dhe ishte një i ftuar i kërkuar nga radiot e televizionet. Ky anëtar elegant dhe i rritur në mes gjithë të mirave i elitës së shoqërisë ishte shumë i ndryshëm nga portretizimi i zakonshëm i veprimtarëve kundër luftës dhe veteranëve të luftës së Vietnamit.

Politika

Në vitin 1972 Kerry u përpoq të shfrytëzonte famën e tij politike duke konkurruar për Kongres. Ai e pati të lehtë të fitonte kandidaturën demokrate në Loëell, Masaçusets, dhe dukej se do të fitonte. Por votuesit e kundërshtuan veprimtarin 28-vjeçar në favor të kandidatit të Partisë Republikane dhe ëndrr at e Kerry-it për lavdi të shpejtë politike mbetën të zhytura në pluhur.

Rikthimi

Pas dështimit në zgjedhjet për Kongres, Kerry iu fut karrierës si jurist. Në vitin 1976 ai mori një gradë në drejtësi nga Shkolla e Drejtësisë në Universitetin e Bostonit dhe pastaj i çuditi miqtë e tij liberalë duke punuar si prokuror në zyrën e prokurorisë në rajonin e Middlesex-it. Ai nuk u morr me politikë deri në vitin 1982 kur ai u zgjodh si zëvendësguvernator i Masaçusetsit në kohën kur guvernator ishte Michael Dukakis.

Ngjitja e shkallëve

Vetëm pak vite më vonë, në vitin 1985, Kerry bëri betimin si senator amerikan para Xhorxh H.Ë Bushit, i ati i rivalit të tij të ardhshëm politik. Shumë shpejt pasi mori detyrën, ai zuri një vend shumë të lakmuar si anëtar i Komisionit të Marrëdhënieve të Jashtme të Senatit, para të cilit ai kishte dhënë dëshmi në fillim të viteve 1970. Ai u shqua gjatë hetimit të akuzave se administrata e presidentit Regan kishte furnizuar në mënyrë të paligjshme rebelët Kontras në Nikaragua.

Shokë lufte

Me kalimin e viteve lufta e Vietnamit nuk ishte më një çështje politike, por ajo vazhdonte të luante një rol qendror në jetën e Kerry-t. Duke bashkuar forcat me senatorin republikan dhe bashkë-veteranin e luftës së Vietnamit, John Mçain, Kerry bëri fushatë për përmirësimin e marrëdhënieve të Amerikës me Hanoin. Të dy ata, që u bënë miq të ngushtë, morën pjesë gjithashtu në hetimin e fatit të ushtarëve amerikanë të humbur që nga ndalimi i luftimeve. Si Kerry ashtu edhe Mçain-i punuan për të sheshuar ndarjet diplomatike midis SHBA-së dhe Vietnamit. Të dy ata ishin në krah të presidentit Bill Klinton kur ai shpalli normalizimin e marrëdhënieve amerikane me Vietnamin në vitin 1995. Ata ishin në krah të tij përsëri në vitin 2000 kur Vietnami dhe SHBA-ja nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme tregtare.

Gara presidenciale

Në janar të vitit 2003 Kerry shpalli synimin e tij për të konkurruar për president vitin e ardhshëm. Në fillim, burri i pafjalë, shpesh i akuzuar se i mungon dinamizmi, e pati të vështirë të dalë në pah. Kerry ishte thjesht njëri prej një numri kandidatësh që shpresonin të fitonin kandidaturën demokrate dhe Hoëard Dean-i mbetej më i favorizuari për të fituar. Por në janar të vitit 2004 Kerry i çuditi vëzhguesit duke mundur Dean-in në zgjedhjet demokrate në Ajoua. Një nga një sfidantët demokratë të Kerry-t u eliminuan dhe ai u bë kandidati i partisë për president.

Në vitin 1995 Kerry u martua me Teresa Heinz, vejusha e senatorit republikan, John Heinz, i cili vdiq në një aksident ajror në vitin 1991.

Humbja përballë Bush

Zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2004 mbyllen me humbjen e tij dhe rizgjedhjen e George W. Bush. Kerry nuk arriti të fitonte në shtete kyçe të Ioëa, Floridas dhe Ohio duke marrë kështu 252 vota elektorale kundrejt 286 të kandidatit republikan.

Rikthimi

Në vitin 2008 u spekulua shumë për një kandidaturë të Kerry në zgjedhjet presidenciale, por ai vendosi të mbështeste kolegun e tij, Barack Obama. Ai është ka qenë Senator i Shteteve të Bashkuara nga viti 1985 deri në 2013 kur mori detyrën e Sekretarit të Shtetit. Mundi kancerin dhe është ndër më të pasurit në SHBA. Është i gjatë 1,94 m (jo rastësisht është quajtur lanky yankee, (stërhelli i Neë England), flet frëngjisht dhe gjermanisht në mënyrë të rrjedhshme dhe është i apasionuar pas sërfit. .Është një ndër politikanët më të pasur të Shteteve të Bashkuara. Në 2003 u diagnostifikua me kancer në prostatë dhe u kurua. Në janar të vitit 2013 Presidenti Obama emëroi senatorin Xhon Kerri (John Kerry) nga shteti Masaç usets në vend të Hillari Klinton në detyrën e Sekretarit të Shtetit. Pas Presidentit, posti më i rëndësishëm qeveritar në SHBA është pikërisht ai Sekretarit të Shtetit.

Kerry: SHBA përforcon mbështetjen për Evropën

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka konfirmuar lidhjet e forta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, duke thënë se SHBA ka një “interes të thellë” në fuqizimin e Evropës përballë tensioneve të reja me Rusinë dhe fluksit të papreçedent të refugjatëve.

Në Konferencën e NATO-s për Sigurinë, në Mynih, zoti Kerry foli edhe për rëndësinë e një zgjidhjeje jo-ushtarake për krizën e Sirisë.

“Nëse komuniteti ndërkombëtar dhe vetë sirianët e humbasin mundësinë për të arritur një zgjidhje politike për konfliktin, atëherë dhuna, gjakderdhja, torturat dhe pamjet e bombardimit të grave dhe fëmijëve do të vazhdojnë. Të gjitha bisedimet e zhvilluara deri më tani do të përballen vetëm me cinizmin e popujve të botës që presin prej udhëheqësve të tyre të ofrojnë zgjidhje.”

Për krizën e Ukrainës, zoti Kerry tha se Rusia duhet të përmbushë marrëveshjen e paqes të arritur nga Gjermania dhe Franca vitin e kaluar në Minsk, të Bjellorusisë.

Sekretari Kerry tha se “Rusia ka përpara një zgjidhje shumë të thjeshtë: të zbatojë plotësisht marrëveshjen e Minskut, ose të vazhdojë të përballet me sanksione ekonomike”.

SHBA: E duam Britaninë brenda BE-së

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry

Shtetet e Bashkuara kanë interes të thellë te një Britani e fuqishme, brenda një Bashkimi të fuqishëm Evropian, ka thënë Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.

Duke folur në Gjermani, ai ka thënë se shumë evropianë ndjehen të lodhur nga sfidat e fundit, porse SHBA-ja është e bindur se Evropa “do të përfundojë edhe më e fortë”.

Komentet e Kerryt vijnë pëpara një samiti të rëndësishëm të Bashkimit Evropian, ku kryeministri britanik, David Cameron, pret që të sigurojë një marrëveshje për reformimin e BE-së.

Ditë më parë, presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Donald Tusk, ka paraqitur disa propozime për reforma në BE, në përpjekje për të bindur Mbretërinë e Bashkuar që të mbetet brenda Bashkimit Evropian.

Propozimet përfshijnë “ndërprerje urgjente” të pagesave të përfitimeve për punëtorët migrantë të BE-së dhe mbrojtje për vendet që nuk përdorin monedhën euro.

Anëtarët e BE-së do të debatojnë për këto propozime në një samit të BE-së në Bruksel, më 18 dhe 19 shkurt.

Publiku britanik, sipas të gjitha gjasave, do të votojë në muajin qershor, nëse Britania e Madhe duhet të qëndrojë ose të largohet nga BE-ja.

Shembull se si nuk duhet të bëhet intervista – Xhunga e trajtoi Nexhmijen si të ishte yll Hollivudi – Nga FRANK SHKRELI

Xhunga e trajtoi Nexhmijen si të ishte yll Hollivudi

Fjala është për intervistën e fundit që zhvilloi gazetarja shqiptare Rudina Xhunga me Nexhmije Hoxhën, bashkëshorten e diktatorit komunist Enver Hoxha.

Dua të them që nga fillimi se nuk jam kundër idesë që të intervistohen persona, si Nexhmije Hoxha – të cilët në emër të një regjimi ose në emër të ndonjë ideologjie — në jetën e tyre kanë bërë krime që madje mund të cilësohen edhe si krime kundër njerëzimit; diktatorë që kanë vrarë dhe u kanë shkaktuar vuajtje të pa-imagjinueshme fizike, shpirtërore dhe familjare mijëra e mijëra bashkombasve të vet gjatë sundimit të tyre. Në këtë rast subjekt i intervistës ishte Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e njërit prej udhëheqsve komunistë më të urrejtur botërorë të shekullit të kaluar.

Përkundrazi, dëshiroj të rrëfej se jam në favor të intervistave të tilla, përfshirë intervistën me Nexhmije Hoxhën, por jo si në këtë rast kur subjekti i intervistës ishte jo vetëm bashkëshortja, por për më tepër, dora e djathtë e diktatorit.

Unë nuk fajësoj gazetaren Xhunga për bërjen e intervistës me Nexhmijen, por unë nuk jam dakort me mënyrën se si ajo zhvilloi atë intervistë. Do të ishte më mirë të mos bëhej fare intervista se sa gazetarja të pranonte ndonjë kusht më përpara, për sigurimin e intervistës me Nexhmije Hoxhën,  se cilat do të ishin pyetjet dhe cilat subjekte mund të diksutoheshin. Me pyetjet dhe me (mos)reagimet e saja ndaj përgjigjeve, gazetarja Xhunga e trajtoi Nexhmijen sikur ajo të ishte ndonjë yll Holivudi dhe jo një pjesëmarrëse aktive në njërën prej tragjedive më të mëdha që ka njohur historia e kombit shqiptar.

Megjithëse u bë zhurmë e madhe për intervistën e Nexhmijes si historike, gjykuar nga pyetjet dhe nga përmbajtja e përgjigjeve, intervista nuk ishte as efektive dhe as historike. Në të vërtetë, intervista për nga mënyra se si u zhvillua ishte një ofendim shpirtëror dhe fizik për të gjitha viktimat e atij regjimi gjatë të cilit Nexhmije dhe Enver Hoxha kryesuan dhe e sunduan me dorë të hekurt popullin shqiptar për pothuaj një gjysëm shekulli.

Intervista nuk ishte as a balancuar, as objektive dhe as e gjithanshme.

Ishte një intervistë ashtu si e kishte paramenduar dhe paracaktuar Nexhmija. Mund t’i ketë pëlqyer ndonjë apologjeti komunist, të cilët me çdo kusht dhe me gjithçka që kanë në dispozicion, ende mbrojnë regjimin enverist.

Gazetarja, duket se nuk dëshironte ta ofendonte Nexhmije Hoxhën “gjatë intervistës së fundit” dhe “intime” me të, siç u shpreh edhe Nexhmija, para se t’i “bashkohet Enverit”. Siç duket jo në jetë të pasosur, por në fund të ferrit pasi ajo thotë se, “ nuk jam fare besimtare, jam një ateiste, darviniste”. Sikur nuk e dinte bota shqiptare, Nexhmija “zbulon” gjatë kësaj interviste se as Enveri nuk besonte në Perëndi, por i “respektonte adedet.” Shko pyet viktimat e revolucionit kulturor të 1960-ave në Shqipëri se si dhe sa i respektonte Enver Hoxha “adetet”.

E gjithë intervista është një absurditet në ekstrem, qoftë nga pyetjet e gazetares, qoftë nga përgjigjet e Nexhmije Hoxhës.

Gjithnjë në përpjekje për të mos ofenduar të intervistuarën, gazetarja i bën asaj pyetje mbi jetën bashkshortore me Enver Hoxhën, për shtëpinë, për pronat dhe për paratë. Në lidhje me këtë, Nexhmija pohon se çifti komunist paska patur vështirësi financiare dhe materiale dhe shton se njerëzit nuk “e besojnë këtë, por unë e kamë shkruar në ditar, e shkruar e zeza mbi të bardhë” thotë ajo, e si të tillë njerëzit duhet t’i besojnë se ajo e ka dokumentuar këtë në ditarin e saj.

Sa libra kishte Enver Hoxha? Shumë pyetje depërtuese kjo!!!!!!! Gjithashtu edhe me këtë pyetje, bota shqiptare priste me pa durim përgjigjen që të mësonte për numrin e librave të Enverit, pasi ishte njeri me kulturë të gjërë botërore….

Sikur Nexhmija të ishte ndonjë akademike, “Ju lexoni frëngjisht, rusisht”, e pyet atë gazetarja, siç duket në pritje të një përgjigjeje që do të rriste edhe nivelin kulturor të Nexhmije Hoxhës.

Pastaj vjen pyetja mbi ndalimin e fesë: a ishte ky vendim personal i Enver Hoxhës, pyet gazetarja. Jo thotë Nexhmija, ky vendim u mor nga baza, “nga poshtë”, nga vet populli. Enveri nuk kishte paragjykime, shton ajo. Enveri nuk kishte paragjykime?! I donte të gjithë si veten! Ai ishte shënjt, të tjerët i kanë fajet!Kryesisht populli, pasi ata “nga poshtë” ndaluan fenë, sipas saj, dhe jo Enveri.

Po kush i vrau ata që predikonin fenë? Sipas saj, me urdhër të popullit! U burgosën dhe u zhduken shumë, jo vetëm klerikët e të gjitha feve e sidomos ata katolikë, por edhe të gjithë kundërshtarët politikë të regjimit të Enver Hoxhës madje edhe shumë ish-bashkëpuntorë të tij.

Pretendimi se viktimat e komunizmit dhe familjet e tyre u vranë, u burgosën u internuan, dhe u ekzeketuan nga populli e jo nga regjimi enverist, është një absurditet në ekstrem, të cilin gazetarja nuk e sfidoi asnjëherë. Në emër të popullit!

I shkreti ai popull shumë vuajti e shumë krime janë bërë në emër të tij.

Pasi kishin filluar me zhdukjen e fesë, thotë Nexhmije Hoxha në vazhdim të intervistës së saj plot kontradikta, Enveri bisedoi me Ramizin, si Sekretar i Sektorit ideologjik, si t’i jepnin zgjidhje, si t’i kundërviheshin rinisë në këtë gjë. Në fund të fundit (zhdukja e fesë) kishte një vlerë, ishte çështja e edukimit ateist dhe në fund vendosën që të aprovohej një gjë e tillë. Është tjetër gjë që baza shkoi vetë në ekstrem”, dhe jo regjimi enverist shton ish-gruaja e pare shqiptare.

Ndërsa pyetjes së gazetares nëse ajo fliste me Enverin për “Sigurimin e Shtetit, për dënimet, për internimet, këto nuk përmendeshin? Nexhmije Hoxha përgjigjet: “Jo, janë vetëm legjenda që janë krijuar”. Por njëkohësisht shton duke thënë se “Arsyet e shtetit, vetë arsyeja nuk i shpjegon dot”. Unë gjithmonë kështu e kam përfytyruar, që Enveri vendimet më të vështira, si ekzekutimet, i ka bërë si një burrë shteti, i detyruar të bëjë detyrën, por në shpirt, në formim, në ndjenja ai ishte shumë i prekshëm, shumë i ndjeshëm, edhe mund t’i vuante, por ai e kish vendosur dhe ishte kalitur në këtë drejtim.” Pra, vrasjet dhe ekzekutimet, janë legjenda që janë krijuar apo u bënë nga një burrë shteti për arsye të shtetit, për të mbajtur në pushtet regjimin komunist të Enver Hoxhës?

Unë nuk e fajësoj Nexhmije Hoxhën që gjenë gazetar/e për ta intervistuar sipas kushteve që ajo vendosë, kështuqë në muzgun e jetës së saj të përpiqet sado pak të shtrembërojë edhe më shumë historinë në favor të një regjimi që ajo dhe bashkëshorti i saj i imponuan me dhunë popullit shqiptar.

Ishte kjo një përpjekje e fundit për të përjetësuar gënjeshtrat mbi të cilat ata kishin ndërtuar një sistem të tërë diktatorial, kriminel dhe të korruptuar. Por, “Dielli nuk mbulohet me shoshë”. Pa marrë parsyshë se ç’thotë Nexhmija tashti, ose çfarë thonte Ramiz Alia në intervistat e tija para se të vdiste, historia e komunizmit në Shqipëri – dhe jo vetëm në Shqipëri por në mbarë Europën Lindore,dhe specifikisht roli i Enver dhe Nexhmije Hoxhës në këtë histori tragjike – dihet mirë tanimë.

Është në interesin e Nexhmije Hoxhës që të paraqesë të “vërtetën”, nga pikpamja e saj. Gjatë intervistës, Rudina Xhunga nuk kundërshton asnjë nga pretendimet dhe deklaratat absurde të Nexhmije Hoxhës. Opinionistë/gazetarë të ndryshëm janë shprehur se nuk ishte detyra e Rudina Xhungës të luante rolin e gjykatëses. Por çdo gazetar/e nëqoftse e konsideron veten si të tillë në një shoqëri të lirë, e ka për detyrë të përpiqet të zbulojë të vërtetën dhe të kundërshtojë pretendimet fals.

Në gazetari duhet të ketë moral njerëzor dhe etikë gazetareske. Roli i gazetarisë së lirë duhet të jetë, mbi të gjitha, që t’i shërbejë të vërtetës, por edhe të jetë informuese dhe edukuese. Fatkeqsisht, kjo intervistë nuk i shërbën shtypit të lirë, as nuk është informuese, as edukuese, por duke shtrembëruar të vërtetën mbi regjimin komunist nepërmjet një prej protagonistëve kryesorë të tij, ajo nuk i shërbën as të së vërtetës historike.

Liria e shtypit është ajo që dallon demokracinë e vërtetë nga diktatura dhe shoqërinë e lirë nga tirania.

Më vjen keq të them por kjo intervistë e Rudina Xhungës me Nexhmije Hoxhën i shërben “këmbë e krye” vetëm për përpjekjeve nga apologjetët e atij regjimi që vihen re kohët e fundit në Shqipëri për të arsyetuar dhe për të legjitimuar tiraninë komuniste pothuaj gjyëm shkeullore në Shqipëri.

Nëqoftse për gazetarët shqiptarë — zbulimi dhe mbrojtja e së vërtetës historike — nuk shikohet si diçka në shërbim të publikut dhe të zhvillimit të demokracisë, atëherë në Shqipëri nuk ka asnjë shpresë për një shtyp të lirë dhe si rrjedhim as për një demokraci të mirëfilltë afatgjatë.

Ish zyrtarë ushtarakë: Uashingtoni duhet të jetë më i ashpër ndaj Rusisë

James Stavridis, ish-komandant i forcave aleate të NATO-s për Evropë

Ish-zyrtarë ushtarakë dhe të sigurisë të Shteteve të Bashkuara, kanë tërhequr vërejtjen se Rusia po e teston NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara dhe se aleanca duhet të përgjigjet në mënyrë më të ashpër ndaj aksioneve të Moskës në Evropë dhe Lindjen e Mesme.

Duke dëshmuar mbrëmë para një komiteti të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, James Stavridis, ish-komandanti më i lartë ushtarak amerikan në Evropë, ka kërkuar sanksione më të fuqishme, më tepër mbrojtje atomike dhe më tepër siguri për aleatët evropianë.

Evelyn Farkas, që aktualisht ka dhënë dorëheqje si zyrtare e lartë e Pentagonit për Rusinë, tha se Rusia po sinjalizon rritje të gatishmërisë për përdorim të armatimit atomik taktik në çdo përleshje ushtarake në Evropë.

Ajo i tha Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës Përfaqësuese, se Uashingtoni duhet ta shqyrtoj kthimin e armatimit atomik me rreze të mesme veprimi në Evropë, nëse Rusia vazhdon ta injoroj marrëveshjen kryesore për kontroll të armatimit të vitit 1978, derisa Uashingtoni ka vlerësuar se ka vepruar kështu.

Fiona Hill, ish-oficere e lartë për Rusinë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, tha se Kremlini i sheh forcat ushtarake ruse si mjet dhe gatishmëria për përdorimin e këtyre forcave është e rëndësishme për kredibilitetin rus.

Sekretari Kerry sot në Mynih, më 14 në Tiranë

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të udhëtojë sot për në Mynih të Gjermanisë, për të marrë pjesë në Konferencën e 52-të të Sigurisë.

Gjatë qëndrimit në Mynih, ai do të ndjekë edhe një takim të Grupit të Mbështetësve Ndërkombëtarë për Sirinë.

Kerry do të ketë po ashtu disa takime bilaterale dhe multilaterale.

Më 14 shkurt, sekretari Kerry do të udhëtojë për në Tiranë, ku me autoritetet shqiptare do të diskutojë integrimin e mëtejshëm euro-atlantik të Shqipërisë dhe bashkëpunimin dypalësh të saj me Shtetet e Bashkuara.

Sekretari Kerry: Bombat ruse në Siri po vrasin një numër të madh grash dhe fëmijësh

UASHINGTON – Sekretari i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kerry deklaroi se Rusia dhe regjimi i Bashar al-Asadit duhet menjëherë të ndërpresin bombardimet në Siri, njoftoi agjencia zyrtare turke e lajmeve, Anadolu Agency.

Ai rikujtoi edhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku mundësohet dërgimi i ndihmave humanitare në Siri.

“Megjithatë, Rusia, Asadi dhe të gjithë ata që përkrahin Asadin nuk veprojnë në përputhje me rezolutën, aq më shumë kur vetë Rusia votoi pro vendimit”, tha Kerry.

Kerry vuri në dukje se ”rezoluta thekson nevojën për ndërprerje të sulmeve ajrore, që Rusia nuk e respekton”.

“Si pasojë e kësaj, në ato sulme vdesin civilë në mesin e të cilëve një numër i madh grash dhe fëmijësh”, tha Kerry, i cili shtoi se shpeshherë objekt i sulmeve janë edhe spitalet.

Obama: SHBA, ekonomia më e fuqishme në botë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka lavdëruar rimëkëmbjen e Amerikës nga kriza financiare e viteve 2008-2009, duke thënë se vendi tani ka “ekonominë më të fuqishme dhe më të qëndrueshme në botë”.

Obama i ka bërë këto komente të premten, pasi Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka publikuar shifrat që tregojnë se papunësia në SHBA ka rënë në 4.9 përqind, që është niveli më i ulët në tetë vjet.

SHBA ka shtuar 151,000 vende punë në muajin janar.

“Gjatë gjashtë vjetëve të kaluar, biznesi ynë ka shtuar 14 milionë vende të reja pune”, ka thënë Obama.

Më 14 Shkurt John Kerry viziton Tiranën

Integrimi Euro-Atlantik i Shqipërisë – Departamenti Amerikan i Shtetit njofton në faqen e tij zyrtare se Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, do të vizitojë Tiranën në 14 Shkurt.

Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry do të takojë përfaqësuesit qeveritarë për të diskutuar mbi integrimin e mëtejshëm Euro Atlantik të vendit tonë dhe forcimin e bashkëpunimit bilateral të Shqipërisë me SHBA.

Vizita në Tiranë do të jetë pas Konferencës të 52-të  të Sigurisë që do të mbahet në Mynih, nga 10 deri më 14 Shkurt. Po në Mynih, Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry do të marrë pjesë në takimin e Grupit Ndërkombëtar të Mbështetjes për Sirinë – International Syria Support Group (ISSG) për të diskutuar si t’i jepet fund sa më shpejt konfliktit në Siri.

VIDEO MESAZH / Ambasadori Lu fton shqiptarët: Xhirojini pyetjet tuaja dhe m’i dërgoni mua

A keni pyetje për Ambasadorin Donald Lu apo stafin e Ambasadës? Një ftesë ka hedhur sot, ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu për qytetarët shqiptarë nëpërmjet një video-mesazhi në gjuhën shqipe.

Lu, pasi ka treguar përshtypjet pozitive të një viti qendrimi në Shqipëri, vizitat e tij nga veriu në jug, në përfundim thotë:

“Regjistroni një video të shkurtër dhe na e dërgoni në faqen tonë në Facebook si mesazh privat ose në Twitter duke përdorur hashtagun‪#‎AskAmbassadorLu‬. Videot duhet të jenë jo më të gjata se 20 sekonda dhe mundësisht të xhiruara me celularin e mbajtur horizontalisht.”

Kjo është tjetër formë komunikimi e ambasadorit amerikan me shqiptarët, pasi konferenca live në rrjetet sociale ka zhvilluar edhe më parë.

 

Zëri i Amerikës: Presidenti Obama viziton xhaminë e Baltimorës

Presidenti Barack Obama bëri sot vizitën e tij të parë në një xhami amerikane, ku bëri thirrje për tolerancë ndaj miliona myslimanëve të Amerikës.

Presidenti amerikan bëri thirrje gjithashtu për t’ju kundërvënë paragjykimeve, që ai tha se janë në rritje në procesin e fushatës presidenciale, ndërkohë që flitet për luftë kundër terrorizmit.

Në Shoqërinë Islame të Baltimorës, që përfshin një kampus universitar me një xhami dhe një shkollë 12-vjeçare, Presidenti Obama u ul në një tryezë të madhe me përfaqësues myslimanë të universitetit dhe aktivistë për të diskutuar mbi tolerancën dhe lirinë fetare.

Pastaj ai mbajti një fjalim ku u përqendrua te çështja se si SHBA mund të përballen më me sukses me ekstremizmin nëse punojnë me myslimanët, në vend që t’i cilësojnë ata si armiq të mundshëm.

Retorika antimyslimane është e pajustifikueshme, tha zoti Obama, i cili shtoi se të krishterët, myslimanët dhe hebrejtë janë të gjithë fëmijët e Zotit.

Obama sot për herë të parë vizitë në xhami

Presidenti amerikan Barack Obama

Vizita e tij ka për qëllim mbrojtjen e lirisë fetare në kohën kur është rritur retorika anti-myslimane në Shtetet e Bashkuara.

Obama pritet ta vizitoj xhaminë e Shoqërisë Islmike në Baltimore, ku ai do të bisedoj me udhëheqësit e komunitetit.

Javën e kaluar, Obama i bë presidenti i parë që ka folur në ambasadën izraelite. Gjatë fjalës së tij në ambasadë, ai paralajmëroj për rritjen e anti-semitizmit në botë.

Gjatë fjalës së tij në Baltimore, Obama pritet ta ketë një mesazh të ngjashëm.

Obama ka bërë thirrje tek amerikanët që të hedhin poshtë komentet anti-myslimane të bëra nga politikanët, më së shumti kohëve të fundit nga kandidati republikan, Donald Trump.

Trump ka bërë thirrje që mysliimanëve t’iu ndalohet vizita në Shtetet e Bashkuara. Thirrja e tij ka pasuar sulmin në San Bernardioni të Kalifornisë, në muajin dhjetor, ku nga një çift i armatosur kanë mbetur të vdekur 14 persona.

Pentagoni kërkon 3.4 miliardë $ për të luftuar “agresionin rus”

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka thënë se Pentagoni kërkon 3.4 miliardë dollarë për vitin 2017 për të luftuar “agresionin rus”.

Shuma paraqet një rritje të katërfishtë nga viti fiskal 2016.

“Jemi duke përforcuar qëndrimin tonë në Evropë, duke mbështetur aleatët tanë në NATO, përballë agresionit rus”, ka thënë Carter në Uashington.

Ai ka shtuar se fondet do të ndihmojnë rritjen e pranisë amerikane në vendet e Evropës lindore po ashtu.

Uashingtoni dhe aleatët e tij në Evropë dhe gjetkë kanë goditur Rusinë me disa sanksione, për shkak të aneksimit që i ka bërë Moska Krimesë së Ukrainës në vitin 2014 dhe mbështetjes së saj për separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Rritja e fondeve për të luftuar Rusinë është pjesë e buxhetit të mbrojtjes, në vlerë prej 582.7 miliardë dollarësh, që Carter ka thënë se Pengatoni do ta kërkojë për vitin 2017.

Carter ka thënë se me këtë shumë do të luftohen pesë sfida të mëdha me të cilat përballet ushtria amerikane: Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Irani dhe grupi militant Shteti Islamik.

Ajova: Fiton Cruz; Clinton e Sanders thuajse barabar

Në SHBA, Senatori Ted Cruz mundi miliarderin Donald Trump në votimet e shtetit Ajova për kandidatët republikanë presidencialë, duke përmbysur ndjeshëm rezultatet e anketave.

Cruz, ligjvënës konservator nga Teksasi, mori 28 për qind të votave, krahasuar me 24 për qind të zotit Trump, i cili vetëm pak përpara votimeve kryesonte në shumicën e anketave.

Senatori Marco Rubio i Floridës, doli i treti me 23 për qind, rezultat që u komentua si i papritur për shumë analistë.

Kandidatët e tjerë republikanë nuk e kaluan pragun e 10 përqindshit.

Mes kandidatëve demokratë, ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton dhe Senatori i Vermontit Bernie Sanders, i cili e përshkruan veten si socialist demokrat, ruajtën një rezultat pothuajse të barabartë, 49.8% me 49.6%.

Ish guvernatori i shtetit Maryland, kandidati demokrat Martin O’Malley, i cili u paraqit dobët në garë, njoftoi pezullimin e fushatës së tij.

Pezullimin e fushatës e njoftoi edhe kandidati republikan, Mike Huckabee, ish-guvernator i shtetit Arkansas, i cili fitoi në Ajova në garat e vitit 2008.

Rezultatet e votimeve në Ajova ofrojnë provën e parë lidhur me atë se çfarë mendojnë votuesit për kandidatët, pas një viti fushate të ashpër dhe hamendjesh të shumta.

Njerëz të shumtë mbushën mbrëmë kisha, shkolla dhe ndërtesa të tjera publike kudo në shtetin Ajova, ku ata morën pjesë në një sistem votimi në të cilin votuesit deklarojnë hapur se cilin kandidat do të mbështesin. Ky sistem i quajtur “caucus”, praktikohet në disa shtete.

Votimi i radhës, kësaj here me sistemin e quajtur “primary”, do të zhvillohet në shtetin Nju Hempshër më 9 shkurt.

Daniel Serwer: Washingtoni s’do të përzihet për zgjedhjen e Presidentit

Daniel Serwer ka komentuar edhe rreth mundësisë që Atifete Jahjaga të marrë një mandat të dytë në krye të shtetit dhe rreth influencës që Gjykata Speciale mund të ketë në proceset politike në Kosovë.

Më poshtë mund t’i lexoni të plota përgjigjet e ish-diplomatit amerikan Daniel Serwer për Gazetën Express.

Gazeta Express: Bllokada politike në Kosovës është duke vazhduar me muaj të tërë. Partitë opozitare dhe Qeveria ende janë në pozicione të kundërta rreth procesit të demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjes së Brukselit për Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. A mendoni se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhje?

D.Serwer: Se a duhet mbajtur zgjedhje të parakohshme është zgjedhje që duhet ta bëjnë kosovarët, jo të huajt. Kjo është arsyeja pse ekziston Parlamenti.

Sa i përket këtyre dy çështje, jam i befasuar se secila prej tyre është ngritur me kaq shumë pasion dhe unë kam dyshime se zgjedhjet mund të çojnë në zgjidhjen e lehtë të këtyre dy çështjeve.

Gazeta Express: Thaçi është duke insistuar që të bëhet President i Kosovës si pjesë e përmbushjes së marrëveshjes së koalicionit. Dje ai është takuar me Sekretarin Amerikan të Shtetit John Kerry që shihet si moment vendimtar për kandidaturën e tij. A mendon se Thaçi e ka mbështeten e e SHBA’së në qëllimet e tij?

D.Serwer: Duhet t’i pyesni qeveritarët amerikanë për mbështetjen zyrtare të Qeverisë Amerikane. Përgjithësisht Washingtoni përpiqet të qëndrojë jashtë preferencave të këtij lloji në shtet me sistem demokratik. Ne vërtetë besojmë në Qeverinë e popullit, nga populli dhe për popullin.  E kam të qartë se ky parim mund të jetë shkelur në të kaluarën, por tani nuk shoh arsye të mira që të shkelet.

Gazeta Express: Duke pasur parasysh mbështetjen e madhe ndërkombëtare për Zonjën Jahjaga a mendoni se ajo ka shanse për një mandat të dytë si Presidente e Kosovës?

D.Serwer:  Mendoj se Presidentja Jahjaga ka bërë një punë të mrekullueshme duke prezantuar Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe në vend. Por për të marrë mandatin e dytë ajo duhet ta gjejë mbështetjen e nevojshme në Parlament.

Gazeta Express: A mendoni se Gjykata Speciale në ndonjë mënyrë mund ta ndikojë zgjedhjen e Presidentit dhe situatën e përgjithshme me të cilën po përballet Kosova aktualisht?

D.Serwer: E imagjinoj se rastet e Gjykatës Speciale mund të jenë një faktor në mendjet e së paku disa parlamentarëve që e zgjedhin Presidentin dhe që duhet të gjejnë rrugëdalje nga situata aktuale. Por është e pamundur të parashikohet tani në mënyrë precize se kush do të akuzohet dhe për çka. Kjo disi e  zvogëlon ndikimin e asaj se çfarë mund të bëjë Gjykata. Gazeta Express

SHBA: Iowa shënon provën e parë për kandidatët presidencialë

Pas shumë muaj tubimesh, fjalimesh e debatesh, fushata zgjedhore amerikane pritet të fillojë zyrtarisht të hënën kur banorët e Iowas, do të shfaqin preferencat e tyre per kandidatin presidencial në këtë shtet.

Para votës vendimtare, të parës në zgjedhjet kombëtare të vitit 2016, sondazhet në Iowa nxjerrin në pah një garë të ngushtë për nominimet e të dyja partive, republikanëve dhe demokratëve.

Në palën republikane, manjati i patundshmërive, Donald Trump, ka një përparësi të lehtë kundrejt senatorit nga Teksasi Ted Cruz, i cili duket se ka bërë disa gabime para votimeve në Iowa.

Për demokratët, gara duket shumë e ngushtë ndërmjet ish sekretares amerikane të shtetit Hillary Clinton dhe senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, një social demokrat i vetëshpallur.

Kandidatët e të dyja partive përshkuan kryq e tërthor shtetin Iowa të dielën duke forcuar sulmet ndaj rivalëve gjatë kësaj gare të parë për të përfituar nominimin e partive përkatëse.

SHBA konfirmon shkeljen e hapësirës ajrore turke nga një avion rus

Zëdhënësi i Pentagonit, Mark Wright, konfirmoi se një avion luftarak rus dy ditë më parë ka shkelur hapësirën ajrore turke

UASHINGTON – Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Mark Wright, duke konfirmuar shkeljen e hapësirës ajrore turke nga avioni luftarak rus, ka deklaruar se Rusia duhet t’i japë fund veprimeve që do të rrisin paqëndrueshmërinë në rajon.

Zëdhënësi i Pentagonit, Mark Wright, në një deklaratë për gazetarin e AA-së konfirmoi se një avion luftarakë rus dy ditë më parë ka shkelur hapësirën ajrore turke.

Wright, ka theksuar se “SHBA-ja dhe NATO bashkë me Turqinë do të vazhdojnë të jenë në bashkëpunim”. Ai i ka bërë thirrje Rusisë që të tregojë respekt ndaj hapësirës ajrore turke dhe t’i japë fund veprimeve që do të rrisin paqëndrueshmërinë në rajon.

Ndër të tjera Wright ka theksuar se është e rëndësishme që dy shtete flasin me njëri-tjetrin dhe të marrin masat me qëllim për të ulur tensionet.
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme e Turqisë, ishte konfirmuar se ” më 29 janar në orën 11.46 me orën lokale turke një avion SU-34 i Forcave Ajrore të Federatës së Rusisë ka shkelur hapësirën ajrore turke. Ndaj avionit rus janë bërë disa herë paralajmërimet në rusisht dhe anglisht nga elementët e radarit ajror turk”.

Ndërsa Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në një deklaratë para se të nisej për në Kili pati paralajmëruar se “Rusia në rast të vazhdimit të këtyre shkeljeve do të jetë e detyruar të përballet me pasojat”.

Presidenti Obama të mërkurën do të vizitojë xhaminë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama, për herë të parë si president, gjatë javës së ardhshme do ta vizitojë një xhami amerikane.

Vizita ka për qëllim dhënien e mesazhit për mbrojtjen e lirisë fetare në kohën kur ëshhtë rritur retorika anti-myslimane në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama të mërkurën do ta vizitojë xhaminë e Shoqërisë Islmike në Baltimore, ku ai do të bisedojë me udhëheqësit e komunitetit.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama do të shkojë në xhaminë në Baltimore për ta vlerësuar rolin e myslimanëve për kombin në Amerikë, si dhe për ta riafirmuar rëndësinë e lirisë fetare.

Obama iu ka bërë thirrje amerikanëve që t’i hedhin poshtë komentet anti-myslimane të politikanëve, më së shumti të tilla nga kandidati republikan për president, Donald Trump.

Trump, i cili sipas sondazheve kryeson për president në mesin e republikanëve, ka bërë thirrje që mysliimanëve t’iu ndalohet vizita në Shtetet e Bashkuara.

Thirrja e tij ka pasuar sulmin në San Bernardioni të Kalifornisë, në muajin dhjetor, ku nga një çift i armatosur kanë mbetur të vdekur 14 persona.

Biden bisedoi me Netanyahun për normalizimin e marrëdhënieve Turqi-Izrael

Zyrtarët nga Turqia dhe Izraeli kohë më parë pohuan në lidhje me negociatat të cilat zhvillohen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

UASHINGTON – Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden foli në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Izraelit.

Sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, Biden sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit e cila, siç thuhet, mund të konsiderohet si një vazhdimësi e bisedimeve që u zhvilluan gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos këtë muaj. aa

Boston: Tsarnaevi bën apel ndaj dënimit me vdekje

Portreti i Dzhokhar Tsarnaevit i vizatuar derisa ai ishte në gjykatë

Avokatët e sulmuesit me bombë në maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev, e kanë paraqitur një apel lidhur me dënimin e tij me vdekje.

Në kërkesën e paraqitur sot në një gjykatë amerikane të apelit nuk është dhënë shkaku, pasi përshkrimi i pikëve të aktvendimit që sulmohen mund të bëhet më vonë.

Më herët në muajin janar, një gjyqtar e ka hedhur poshtë kërkesën e Tsarnaevit për proces të ri.

Dzhokhar Tsarnaev, 22 vjeçar, është dënuar me vdekje në vitin 2015, për sulmet me bomba, nga të cilat janë vrarë tre vetë dhe plagosur më se 260, gjatë maratonës në Boston, në prill të vitit 2013.

SHBA: Votoni Byronë Kombëtare të Hetimit, të gjitha partitë janë dakord

Voal – Byroja Kombëtare e Hetimit është kthyer sërish në qendër të debateve poltike në vend. E propozuar nga Partia Socialiste në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013, ajo kishte hasur kundërshtinë e Partisë Demokratike për më shumë se dy vjet rresht.

Ndaj, Lulzim Basha habiti opinionin publik pak ditë më parë kur deklaroi se Partia Demokratike jo vetëm që kishte rënë dakord për ligjin me ndermjetësimin e palës amerikane, por tani i bënte thirrje Partisë Socialiste të mos e vononte më miratimin e tij.

“Sot ka ardhur momenti që të ndaj me qytetarët shqiptarë që Partia Demokratike ra dakord me draftin e propozuar nga ekspertët amerikanë me mandat të qartë, të përcaktuar mirë dhe të domosdoshëm për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Kemi tre muaj që kemi dhënë dakordësinë tonë. Ky zotëri që çiret nga mëngjesi deri në darkë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, pse nuk e jep dakordësinë e tij? Çfarë e pengon? Kush e ka kapur prej xhakete? Kush ia mban dorën? Forcë e madhe duhet të jetë, derisa ka 4 muaj që refuzon partnerin tonë strategjik SHBA-në, në një objektiv po kaq strategjik siç është lufta kundër korrupsionit”, deklaroi Basha pak ditë më parë.

Partia Socialiste, përmes ministrit të linjës reagoi të enjten në Kuvend se ishte për miratimin e këtij ligji: “Edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që është një propozim i kryeministrit dhe i qeverisë, do të shtojë mundësinë tonë për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta. Kjo është ende në koalidimet finale dhe ndjek një proces të tërë. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se zgjatja e kohës, që është mëse e arsyeshme për shkak të procesit, do ta dëmtojë produktin”, tha Tahiri.

Por Tahiri nuk iu përgjigj pyetjes së Bashës se çfarë po pengonte qeverinë për miratimin e këtij ligji, për të cilin kishte folur prej vitesh. Pyetjes së Bashës, ama iu përgjigj Berisha po në Kuvend. “Thotë ‘s’ma pranon Ylli Manjani’”, tha Berisha.

Ndërkohë, Top Channel pyeti Ambasadën e Shteteve të Bashkuara nëse kishte patur një ndërmjetësim amerikan për një draft konkret, siç thotë Partia Demokratike. Përgjigjia nuk lë shumë shteg për dilema:

“Byroja e Hetimit dhe reforma në drejtësi janë përparësi të nevojshme. Ne jemi gati ta ndihmojmë Shqipërinë për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit, ngritja e të cilës bazohet në modelin e FBI-së amerikane. Byroja do të përforconte kapacitetet e Shqipërisë për të hetuar korrupsionin dhe të gjitha partitë janë shprehur pro krijimit të saj. Është koha që kjo mbështetje të kthehet në veprim konkret”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e Ambasadës së SHBA e vlerëson krijimin e këtij institucioni si mjet kryesor në luftën kundër korrupsionit. Ajo që deklarata nuk përmend është në fakt insinuata e Berishës për një përplasje mes PS dhe LSI për këtë çështje. Të enjten Spartak Braho i LSI tha për Top Channel se partia e tij ishte pro krijimit, por jo për ndryshim kushtetues, por me një ligj të thjeshtë.

“BKH nuk ka nevojë për ndryshimet kushtetuese. Mund të bëhet një ligj i posaçëm, mbi të cilin ajo duhet të funksionojë, si strukturë pranë Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme”, tha Braho.

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se mes PS dhe LSI kontradikta lidhet sërish me një emër: Adriatik Llallën dhe rolin e prokurorit të përgjithshëm. Ky i fundit në një prononcim nga Kroacia pak ditë më parë dukshëm ishte afër pozicionit të Brahos.

“Në Shqipëri mjafton që Prokuroria për Krime të Rënda t’i atashohet një forcë policore ashtu siç ajo publikisht mund të quhet Byroja Kombëtare e Hetimit dhe besoj se suksesi do të jetë i prekshëm”, tha Lalla.

McCaini kërkon ripërtritjen e ndalesës së importit nga Rusia

Senatori amerikan, John McCain, kryesues i Komitetit të shërbimeve të armatosura të Senatit të Shteteve të Bashkuara, ka shprehur përkushtim për ripërtitjen e ndalesës së përdorimit të motorëve të prodhuar në Rusi nga ushtria amerikane.

Zoti McCain mbrëmë tha se do ta paraqes një legjislacion me të cilin do të sulmohet lehtësimi i ndalesës që ishte imponuar pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014.

Shtetet e Bashkuara duhet “të sigurojnë se ne e përfundojmë varshmërinë tonë nga motorët raketorë rusë dhe të ndalet subvencionimi për presidentin , Vladimir Putin, dhe për bandën e korruptuar të miqve të tij”, tha McCain.

Zyrtarë të Pentagonit dhe të Forcës ajrore mbrëmë e kanë mbrojtur përdorimin e motorëve rusë në një dëgjim në Komitetin e shërbimeve të armatosura të Senatit amerikan, dhe kanë kërkuar nga paneli që të lejohet vazhdimi i përdorimit derisa të gjendet ndonjë alternativë.

Ata thanë se po lëvizin me planet për t’i financuar projektet publiko-private për shërbime të lansimit në vitin 2017.

Senatori McCain kritikon ashpër Pentagonin se mbështetet në motorët rus të raketave

Republikani John McCain tha se: “Rusia mban në rrezik shumë satelitë të çmuar të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës para se ata të zbresin në tokë”

UASHINGTON – Kryetari i Komisionit të Senatit Amerikan për Shërbimet e Armatosura, ka kritikuar ashpër Departamentin e Mbrojtjes se po mbështetet në motorët rus të raketave gjatë lançimit të satelitëve ushtarak amerikan në hapësirë.

Gjatë një seance dëgjimore të mërkurën, republikani John McCain tha se: “Rusia mban në rrezik shumë satelitë të çmuar të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës para se ata të zbresin në tokë.”

McCain thotë se departamenti në mënyrë aktive ka kërkuar të sfidojë udhëzimet e komitetit për të përkufizuar rrezikun dhe deri në fund të kësaj dekade të ndal përdorimin e motorëve rus “RD-180”.

Sekretarja e “Air Force”, Deborah James, nga ana e saj, thotë se departamenti është duke punuar në këtë drejtim për të ndalur sa më shpejtë të jetë e mundur përdorimin e motorëve rus. aa

Donald Trump, tërhiqet nga debati i fundit

Voal – Donald Trump, kandidati që deri tani kryeson garën e republikanëve për president, tha se nuk do të marrë pjesë në debatin e fundit të kandidatëve të partisë së tij, para zgjedhjeve paraprake në Ijova, javën e ardhshme.

Miliarderi Trump, që ka dalë i pari në anketat e votuesve republikanë, tha se e ka marrë këtë vendim, ngaqë mendon se nuk do të trajtohet me drejtësi nga njëra prej moderatoreve të debatit, Megyn Kelly, e rrjetit Fox News.

Donald Trump, i ka dhënë garës presidenciale nuanca të reja me ektravagancën e tij. Ai ka krijuar armiqësi me gazetaren Kelly që prej një debati të muajit gusht, kur ajo i kërkoi shpjegime përse kishte bërë disa herë komente denigruese për gratë. Më pas Trump bëri komente fyese ndaj Kelly-it, që shkaktuan zemërim si mes republikanëve, edhe ndaj demokratëve.

Trump i kërkoi televizionit Fox që ta heqë Megyn Kelly-si një prej moderatorëve të debatit të fundit para zgjedhjeve partiake të Ajovas, por rrjeti televiziv u përgjigj se nuk do ta ndryshonte vendimin për shkak të kërkesës së tij dhe premtoi se ai kishte për t’u trajtuar me drejtësi në debat. Dje Trump njoftoi se do ta bojkotojë debatin..

69-year-vjeçari Trump, i cili është manjat prej shumë vitesh i pasurive të patundshme në Nju Jork dhe ka qenë edhe drejtues i një emisioni televiziv tha se ka besimin që do të vazhdojë të qëndrojë në krye të garës republikane, por kjo do të shihet më qartë në zgjedhjet e Ajovës javën e ardhshme.

Ambasadori Lu: Drejtësia parësore për SHBA-të (Video)

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu, thotë se realizimi i Reformës në Drejtësi është interesi parësor i Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë eskluzive për Zërin e Amerikës, ambasadori Lu shprehet se ka besim se në pranverë parlamenti do ta miratojë atë. Një vit pas ka nisur detyrën e tij në Tiranë, ambasadori flet për lidhjet e politikës me krimin, procesin e dekriminalizimit, fenomenin e korrupsionit, ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit si dhe përparësitë e politikës amerikane në Shqipëri.

Zëri i Amerikës:  Zoti Ambasador, faleminderit shumë që jeni sot me Zërin e Amerikës. U bë një vit që kur ju erdhët në Shqipëri. A mund të ndani me ne përvojën tuaj gjatë kësaj kohe?

Ambasador Donald Lu: Faleminderit shumë për ftesën për të qenë me ju te Zëri i Amerikës. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje vitin e kaluar, ishin imazhet që kam parë në Shqipëri. Dhe disa imazhe ishin të bukura, si ngjitja deri te një ujvarë në Valbonë, apo një takim me të rinj të shkëlqyer në një darkë iftari në Ndroq. Ndërsa disa imazhe të tjera më vunë në mendime, si për shembull vizita në Spac, apo bisedat me njerëz në Bregun e Lumit në Tiranë, të cilët përballen me vështirësi shumë të mëdha. Por kam besim se 2016-a do të sjellë më shumë ndryshime pozitive që do të prekin të gjitha jetët tona.

Zëri i Amerikës: Ju jeni angazhuar fuqimisht për të punuar nga afër me politikanët shqiptarë për gjetjen e zgjidhjeve të shumë çështjeve të rëndësishme dhe të komplikuara. Si kanë qenë këto marrëdhënie, të lehta, tw vështira, apo frustruese?

Ambasador Donald Lu: Shumë pyetje interesante. Këtë pyetje ma bëjnë vazhdimisht dhe në mënyra të ndryshme. Si diplomat amerikan, për mua është shumë e pazakontë që punoj në një vend ku amerikanët janë kaq të mirëpritur; të mirëpritur nga populli i Shqipërisë, por edhe nga udhëheqësit e saj. Ne kemi marrëdhënie mjaft të mira me çdo parti politike, por edhe me çdo pjesë të qeverisjes. Përvoja ime është e jashtëzakonshme, sepse kam marrëdhënie pune mjaft të ngushta për një gamë shumë të gjerë çështjesh.

Zëri i Amerikës: Dekriminalizimi ishte një ndër ligjet më të vështira që u miratua nga parlamenti. Kemi parë disa hapa të vegjël deri tani, disa politikanët që janë tërhequr, apo të tjerë që ndoshta pritet ta lënë parlamentin. Megjithatë, a mendoni se ky ligj është i mjaftueshëm për të këputur lidhjet mes politikës dhe botës së krimit?

Ambasador Donald Lu: Mendoj se çështja e krimit dhe e politikës është shumë e rëndësishme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mjaft vende të tjera. Mendoj se shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë për përparimin që kanë parë gjatë një viti të shkuar. Në zgjedhjet e kaluara vendore, ne pamë udhëheqës partish politike nga e djathta dhe nga e majta, që hoqën nga lista kandidatë me të kaluar kriminale. Kemi parë gjithashtu që Kuvendi u pezulloi imunitetin një numri deputetësh, që përballeshin me akuza penale. Siç e dini, zoti Ndoka dhe zoti Frroku dhanë dorëheqjen nga vendet e tyre në parlament. Zoti Doshi dhe zoti Prenga përballen aktualisht me akuza penale. Gjithashtu shpresojmë shumë që, si rrjedhojë e ligjit për dekriminalizimin, disa anëtarë të klasës politike do të largohen nga politika. Ka një pjesë në këtë ligj që më pëlqen mjaft. Është pjesa ku thuhet se ligji kërkon që çdo person në një post të zgjedhur zyrtar duhet të plotësojë me shkrim një deklaratë, ku thuhet: jam dënuar në Shqipëri në këtë apo atë kohë, për këtë ose atë krim, apo në çdo vend tjetër të planetit. Pra, duhet të deklarosh se kur e ke kryer krimin dhe nëse je dënuar. Në qoftë se nuk e bën dhe gënjen në deklaratë, kjo në vetvete është një krim për të cilin ndiqesh penalisht. Ky është ligji më i fortë në Evropë për dekriminalizimin dhe një mjet tepër i fuqishëm për të ndarë botën e krimit dhe të politikës.

Zëri i Amerikës: Sa të thella janë lidhjet mes politikës dhe krimit në Shqipëri?

Ambasador Donald Lu: Të them të drejtën, nuk jam polic, as nuk jam ekspert për botën e krimit. Si njeri që ka jetuar këtu një vit, do të thosha se ekzistojnë disa lidhje serioze midis këtyre dy botëve dhe ka shumë rëndësi për të gjithë shqiptarët, që të mbështesin procesin e ndarjes së këtyre dy botëve. Kam punuar në vende të tjera ku, kriminelët përpiqen të shërbejnë në parlament, ose në politikë për hir të imunitetit që përfitojnë nga kjo. Por në një vend normal, në një demokraci normale, asnjë kriminel nuk dëshiron të jetë në politikë. Kjo është diçka e keqe për biznesin, tërheq vemendje te aktivitetet kriminale. Këtë duam ne që të ndodhë në Shqipëri, pra që kriminelët të thonë: do t’i bëja dëm punëve të mia, po të futesha në politikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, ju jeni investuar në reformën në Drejtësi. Pak kohë më parë thatë se “ndiheni të inkurajuar që udhëheqësit shqiptarë kanë rënë dakort të mbështesin opinionin e Komisionit të Venecias”. Por diskutimet mbi rekomandimet e këtij komisioni duket sikur i kanë thelluar mosmarrëveshjet. A jeni të shqetësuar nga zhvillimet e fundit?

Ambasador Donald Lu: Armand, kam shumë besim se në vitin 2016, në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit. Përse kam kaq shumë besim? Së pari, është mjaft e qartë se populli shqiptar e kërkon këtë reformë. Së dyti, Komisioni i Venecias ka folur qartë dhe me zë të lartë. Ata kanë thënë se kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë dhe është e ngutshme. Bashkimi Evropian ka thënë se kjo reformë do t’i hapë dyert, dëshirës së Shqipërisë për bisedimet e anëtarësimit. Së fundi, kjo reformë ka mbështetjen e plotë dhe entuziaste të partnerit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është shumë e vërtetë se 10 ditë më parë, komisioni parlamentar ad hoc, për reformën në drejtësi, i dërgoi Komisionit të Venecias projektligjin bashkë me komentet dhe opinionet e partive politike. Me këtë vendim të rëndësishëm, përfundoi puna e ekspertëve dhe ekspertët kanë bërë një punë fantastike – ekspertët e nivelit të lartë, ekspertët e opozitës dhe ata të ministrisë së Drejtësisë. Por tani është çasti që politikanët të bëjnë punën e tyre. Është e nevojshme që udhëheqësit e partive politike të punojnë së bashku për gjetjen e një formule, e cila të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga qeveria.

Zëri i Amerikës: A mendoni se politikanët shqiptarë kanë axhenda të fshehta pas qëndrimeve publike që ata kanë patur për cështjen e reformës?

Ambasador Donald Lu:  Shumë gazetarë ma kanë bërë këtë pyetje, – në se politikanët shqiptarë kanë kurajon e duhur ta miratojnë reformën. Unë do ta përmbysja argumentin dhe do të shtroja pyetjen:  si munden të mos e miratojnë? Populli shqiptar është në favor të reformës, Të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë thënë se e mbështesin reformën. Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar ta mbështesë reformën dhe t’i mbajë udhëheqësit e tij përgjegjës për të. Në të njejtën kohë, populli shqiptar do të gëzojë mbështetjen tonë, të komunitetit ndërkombëtar, të Uashingtonit, të Brukselit, por edhe të cdo kryeqyteti të Bashkimit Evropian, për të qënë aktivisht i përfshirë në miratimin e reformës. Ne mendojmë se kjo reformë do të jetë hapi më i rëndësishëm përpara i demokracisë shqiptare në këto 25 vite.

Zëri i Amerikës: Ju dhe kolegia juaj, ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, jeni kritikuar se jeni përfshirë më shumë se ç’duhet në politikën shqiptare, se keni shkuar përtej mandatit tuaj si ambasador, apo se keni qenë i njëanshëm. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Ambasador Donald Lu:  Unë do të pyesja, cili është roli i një ambasadori të huaj? Në mëndjen time, detyra kryesore për një ambasador të huaj është të punojë për zbatimin e interesave kombëtare të vendit të tij. Në rastin tim, të interesave të Shteteve të Bashkuara. Dhe unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, që përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme për këtë proces? Qartazi është reforma në drejtësi. Shqiptarët mund të presin që unë si ambasador, ne si ambasadë, do të vazhdojmë të flasim pa frikë për këtë çështje dhe ne ftojmë gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e një dialogu kombëtar për këtë çështje të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni mbetet thembra e Akilit në jetën politike shqiptare. Deri tani nuk kemi parë përpjekje serioze dhe një luftë serioze kundër këtij fenomeni, i cili nuk ka shkuar përtej niveleve të ulta. Ju keni përmendur ministra të korruptuar. Ku mbështeten akuzat apo deklarimet tuaja?

Ambasador Donald Lu:  Korrupsioni ekziston në të gjitha vendet, ekziston edhe në Shtetet e Bashkuara.  Ka anëtarë kongresi, ka gjykatës në vendin tim, që janë në burg për korrupsion. Lufta ndaj tij nuk është fituar, lufta ndaj tij duhet të zhvillohet çdo ditë. Dhe në fund të fundit, ka të bëjë me vullnetin e një vendi, që ose ta pranojë korrupsionin dhe të paguajë rryshfetet, ose të ngrihet me kurajo dhe ta luftojë korrupsionin. Kur punoja në Azinë Qendrore, në Kirgistan, para 13 vjetësh, në universitete filloi një lëvizje e vogël, e qetë. Studentët u ngritën duke thënë “nuk e durojmë dot më tej korrupsionin, nuk do t’u paguajmë më rryshfete profesorëve, nuk do të paguajmë më për notat tona”. Ata nënshkruan një angazhim “nuk do të paguajmë më rryshfete”. Lëvizja e tyre u përhap me shpejtësi në Kirgistan nëpër universitete, më pas edhe në sektorë të tjerë të shoqërisë dhe u përhap edhe në vende të tjera të Azisë Qendrore. Është e fuqishme kur studentët ngrihen kundër korrupsionit. Ajo që shohim sot në Shqipëri, edhe në Universitetin e Tiranës, po shohim një dëshirë, një përpjekje, për t’u ngritur kundër korrupsionit. Kjo do të sjellë ndryshimin e mentalitetit të korrupsionit, Kjo do të sjellë fundit e korrupsionit.

Zëri i Amerikës:  Zoti Ambasador, si do t’i përshkruanit marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Cilat janë përparësit kyçe të Shteteve të Bashkuara?

Ambasador Donald Lu: Unë kam punuar në shërbimin diplomatik për gati 25 vjet. Kurrë nuk kam punuar në një vend që ka marrëdhënie kaq të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Marrëdhëniet po forcohen dita-ditës. Ne punojmë së bashku në shumë fusha. Ne kemi tre përparësi kryesore si amerikanë, në Shqipëri. Së pari, e kam thënë edhe më parë, është të mbështesim reformat, që të ndihmojmë Shqipërinë të anëtarësohet në BE. Së dyti, ne jemi të angazhuar të ndihmojmë Shqipërinë të bëhet një aleat më i fortë në NATO. Së treti ne duam të mbështesim popullin shqiptar që të zhvillojë institucionet demokratike. Veç reformës në drejtësi, këtë vit kemi në plan edhe tri përparësi të tjera: të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të nismës për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI-në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit. Së dyti, ne po bashkëpunojmë shumë afër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vendet e tjera të NATO-s, për të modernizuar format e armatosura të Shqipërisë, kryesisht disa njësi të rëndësishme të ushtrisë, që të shërbejnë krahas forcave të NATO-s kudo në botë. Dhe së fundmi ne jemi shumë të angazhuar për zhvillimin e sektorit të organizatave jo-qeveritare në Shqipëri dhe të shtypit të pavarur, që të shërbejnë si vëzhguese të abuzimeve nga qeveria ose opozita.

Zëri i Amerikës:  Ju keni zgjedhur të flisni shqip në shumë raste. Së pari urime për mënyrën se si ju e flisni, pasi është një gjuhë e vështirë. Nëse mundem, pse keni zgjedhur të flisni kaq shpesh në shqip, madje dhe për cështje të rëndësishme? A mos druheni se mesazhet tuaja mund të keqinterpretohen?

Ambasador Donald Lu: Faleminderit për pyetjen. Përpiqem të përdor cdo ditë gjuhën shqipe, sepse ambasadori Rayerson më ka thënë dicka. Ambasadori Rayerson ishte ambasadori i parë amerikan pas komunizmit dhe ai flet një shqipe të jashtëzakonshme. Ai më ka thënë se e vetmja mënyrë për të mësuar një gjuhë është të kesh kurajon, kurajon për ta përdorur atë. Dhe ai më tha gjithashtu se kjo është e vetmja rrugë që të nisesh të kuptosh shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm elitat politike. Gjatë jetës sime kam mësuar 8 gjuhë dhe padyshim gjuha shqipe është më e vështira, por dhe më e bukura.

Hillary Clintoni: Qëndrimet e Trumpit janë shumë të rrezikshme

Hillary Clintoni iu përgjigj pyetjeve në lidhje me politikën e jashtme dhe në lidhje me qëndrimet anti-islame të kandidatit për president nga radhët Partisë Republikane Donald Trump

UASHINGTON – Ajo që bën Donald Trumpi nuk është vetëm e turpshme, në të njëjtën kohë është edhe e rrezikshme, tha kandidatja për presidente e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, Guvernatori i Vermontit, Bernie Sanders dhe ish-guvernator i Maryland-it, Martin O’Malley, iu përgjigjen pyetjeve të qytetarëve në shtetin Iowa, ku do të mbahen zgjedhjet për nominim.

Sanders në fjalën e tij kritikoi sistemin e sigurimit shëndetësor në SHBA, duke thënë se amerikanët paguajnë sigurimin më të shtrenjtë shëndetësor në mesin e vendeve të zhvilluara.

Ai tha se, nëse zgjidhet për President, do ti shpallë luftë lobeve farmaceutike, dhe me rritjen e taksave do të përpiqet të ul kostot e sigurimit shëndetësor, që në SHBA është 12,000 dollarë në vit.

Hillary Clinton iu përgjigj pyetjeve, në lidhje me politikën e jashtme dhe në lidhje me qëndrimet anti-islame të kandidatit për president nga radhët Partisë Republikane Donald Trump.

“Ai filloi me meksikanët, tani radha iu erdhi muslimanëve. Ajo çfarë bën ai nuk është vetëm sulm dhe e turpshme, në të njëjtën kohë është edhe e rrezikshme”, tha Klinton.

Asaj iu adresuan edhe pyetjet në lidhje me operacionet ushtarake në Irak dhe Siri, të cilave iu përgjigj se ishte kundër përfshirjes të ushtarëve amerikanë në operacionet tokësore, por theksoi se duhet të vazhdojnë sulmet ajrore.

Kjo deklaratë e Hillary Clinton ndezi reagime të ndryshme në rrjetet sociale, kështu që në një koment ishte shkruar se Hillary Clinton “nga njëra anë mbron muslimanët, nga ana tjetër i bombardon ata”. aa

Obama e ndalon izolimin për të miturit në burgje

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka miratuar reforma në sistemin e burgjeve federale, që përfshijnë ndalimin e izolimit për të burgosurit e mitur dhe kufizimin e përdorimit të kësaj mase edhe për të rriturit.

Në një tekst të botuar të hënën vonë në The Washington Post, Obama tha se ka më shumë se 100 mijë të dënuar me izolim në Shtetet e Bashkuara dhe kjo praktikë shkakton pasoja “shkatërruese psikologjike”.

“Shtetet e Bashkuara janë vend i mundësisë së dytë, por përvojat e izolimit shpesh e dëmtojnë atë mundësi”, tha ai. “Ata që i nënshtrohen shpesh kësaj praktike, kanë problem të mbajnë pastaj vendet e punës, të ribashkohen me familjet dhe të bëhen anëtarë të vyeshëm të shoqërisë”.

Aktualisht ka rreth 200 mijë të burgosur federal dhe Obama tha se eliminimi i izolimit për të miturit dhe ata që kanë kryer veprime “më të lehta” do të ndikojë tek rreth 10 mijë njerëz.

Vetëm disa prej të prekurve janë të mitur, meqë sipas të dhënave të Zyrës së Burgjeve, vetëm 26 të burgosur janë nën moshën 18 vjeçare.

Presidenti është duke miratuar rekomandimet nga një raport Departamentit të Drejtësisë që ishte përgatitur pasi që ai urdhëroi një rishikim të masës së izolimit në muajin korrik.

“Ka raste kur zyrtarët korrektues nuk kanë zgjidhje, pos që të bëjnëndarjen burgosurve nga pjesa tjetër e tyre, kryesisht kur kjo është mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e të burgosurve, personelit dhe publikut,” thuhet në raportin e Departamentit të Drejtësisë. “Por, besojmë fuqishëm se kjo praktikë duhet të përdoret rrallë, të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të jetë subjekt i kufizimeve të arsyeshme.”

Obama i bëri thirrje gjithashtu Kongresit të miratojë legjislacionin për reformimin e sistemit të drejtësisë për ta bërë atë “më të zgjuar, më të drejtë, më pak të shtrenjtë dhe më efektiv.”

Ai shkruan se janë 2.2 milion veta në burgjet federale, shtetërore dhe ato lokale, mbajtja e të cilëve kushtin 80 miliardë dollarë dhe shumë prej tyre vuajnë dënime panevojshëm të gjata.

“Besojmë se kur njerëzit bëjnë gabime, meritojnë një mundësi për t’i ripërtërirë jetët e tyre”, tha Obama

Zyrtari amerikan thotë se Putin është i pasur dhe i korruptuar

Rrjeti BBC ka raportuar se Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë konsiderojnë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është i pasur në mënyrë të fshehtë, i korruptuar dhe i fokusuar në pasurimin e miqve dhe aleatëve të tij.

Adam Szubin, ushtrues i detyrës së sekretarit amerikan të thesarit për terrorizëm dhe krime financiare, në një intervistë për programin Panorama BBC, tha se presidenti rus ka krijuar pasuri larg shikimit të publikut.

“Ne e kemi parë atë duke i pasuruar miqt, aleatët e tij të afërt dhe duke i margjinalizuar ata që nuk i sheh si miq, duke i shfrytëzuar fondet shtetërore”, tha zoti Szubin dhe ka shtuar se “nëse kjo ishte nëpërmjet pasurisë energjetike ruse, nëse kjo ishte me kontrata të tjera shtetërore, ai i ka drejtuar ato tek ata të cilëve u ka besuar se do t’i shërbejnë atij dhe i ka përjashtuar ata që nuk e bëjnë këtë”.

Zyrtari amerikan ka konkluduar se “për mua, kjo është pamje e korrupcionit”.

Presidenca e Rusisë i ka hedhur poshtë këto akuza. Putin disa herë ka thënë se raportet gazetareske, për pasuri të madhe të tij, i konsideron absurde.

Fillon normaliteti pas stuhisë së borës në SHBA

Nju Jorku dhe qytete tjera amerikane e kanë filluar heqjen e kufizimeve për miliona njerëz pasi ato ishin vendosur si rezultat i motit të ftohtë dhe stuhisë që ka nisur ditën e premte.

Ura dhe tuneli në Nju Jork janë rihapur të dielën derisa shërbimet ajrore vazhdojnë të kenë pengesa.

Zyra federale do të mbetet e mbyllur edhe ditës së sotme në Uashington derisa Dhoma e Përfaqësuesve i ka anuluar të gjitha votimet deri më 1 shkurt.

Për shkak të stuhisë, gjendje emergjente është shpallur në njëmbëdhjetë shtete. Kjo gjendje vazhdon pavarësisht se stuhia e borës ka nisur të lëvizë drejt Oqeanit Atlantik.

Rreth 7 mijë fluturime janë anuluar këtë fundjavë ndërsa nga stuhia e borës janë prekur rreth 85 milionë banorë.

Agjencia e lajmeve AP njoftoi se moti i keq është shkaktar i tridhjetë rasteve që kanë vdekur ditëve të fundit.

Moti i ligë ka shkaktuar edhe përmbytje bregdetare në disa shtete.

Stuhia e borës paralizon Shtetet e Bashkuara

Një stuhi e madhe bore ka paralizuar pjesën më të madhe të Bregdetit Lindor të Shteteve të Bashkuara.

Në Nju Jork janë ndaluar të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme, është pezulluar transporti publik dhe janë mbyllur urat.

Së paku 18 persona janë raportuar të vdekur në disa shtete, shumica e tyre në aksidente trafiku.

Kompanitë ajrore kanë anuluar rreth 7 000 fluturime në shkallë vendi.

Dhjetëra-mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Nju Jork, Tenezi, Xhorxhia, Kentaki, Karolinën e Veriut, Nju Xhërsi, Virxhina, Virxhinian Perëndimore, Merilend, Pensilvani dhe në Distriktin e Kolumbisë.

Zyrtarët në Uashington kanë mbyllur sistemin e autobusëve dhe trenave gjatë gjithë fundjavës.

Stuhia pritet të vazhdojë edhe sot, edhe pse ka nisur të lëvizë drejt Oqeanit Atlantik.

joe Biden: SHBA e kupton rrezikun e PKK ndaj Turqisë

Nënpresidenti amerikan Joe Biden theksoi rëndësinë strategjike të Turqisë, pas një takimi me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu në Stamboll. Ai tha se të dyja vendet kanë shënuar përparim për një sërë çështjesh.

Konflikti sirian dhe lufta kundër Shtetit Islamik, ishte në krye të bisedimeve mes nënpresidentit Biden dhe kryeministrit Davutoglu.  Takimi bëhet në prag të bisedimeve të paqes për Sirinë në Vienë. Zoti Biden, duke folur para gazetarëve me zotin Davutoglu, tha se diplomacia nuk është alternativa e vetme për Uashingtonin për të zgjidhur gjendjen në Siri.

“Ne e dimë që është më mirë të arrijmë një zgjidhje politike. Por ne jemi të përgatitur që nëse kjo nuk është e mundur, t’i kthehemi zgjidhjes ushtarake dhe të mposhtim Daeshin”.
Ankaraja i ka kërkuar Uashingtonit që të ndërhyjë ushtarakisht në konflikt. Ndërkohë, emërues i përbashkët u gjet edhe në drejtime të tjera, ndërsa zoti Biden i konsideroi si kërcënime të njëjta grupin kryengritës kurd PKK dhe Shtetin Islamik.

“Përsa u takon veprimeve të tyre, Daesh, PKK dhe Al Nusra, nuk kanë ndonjë dallim të madh, ata janë thjesht grupe terroriste”.

Ankaraja është kritikuar ashpër nga aleatët se i ka përqendruar më shumë përpjekjet ushtarake ndaj PKK-së që po lufton ndaj Shtetit Islamik në Irakun fqinjë. Por zoti Biden nuk e identifikoi milicinë kurde siriane, PYG si organizatë terroriste.

Kryeministri Davutoglu vazhdimisht iu referua grupit PYG, si një vazhdim i PKK-së.

Megjithë kritikat në rritje nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për aksionet e Turqisë ndaj PKK-së, zoti Biden duket se ofroi mbështetjen e tij.

Ai duket se shmangu edhe kritikat ndaj dislokimit të paautorizuar të forcave ushtarake turke në Irak, duke thënë vetëm se ishte i sigurt se Bagdadi dhe Ankaraja do ta zgjidhin çështjen.

Stuhia e borës: Ndalohet udhëtimi në Nju Jork

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio ndaloi udhëtimet jo urgjente në qytet, pas orës 2:30 pasdite, ndërsa stuhia masive vazhdon në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara duke krijuar kushte që meteorologët i kanë konsideruar me rrezik për jetën.

Zoti de Blasio bëri thirrje gjithashtu thirrje për mbylljen e dyqaneve dhe restoranteve.

Ai shtoi se ata që nuk largohen nga rrugët, mund të përballen me arrestim.

Stuhia Jonas goditi rëndë një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara me një trashësi prej 60 centimetrash borë në zonën e Uashingtonin.

Deri në 85 milionë veta janë në zonën ku po kalon stuhia dhe qindar dhe mijëra persona janë pa energji elektrike dhe mijëra të tjerë janë bllokuar pasi stuhia paralizoi trafikun rrugor, hekurudhor dhe ajror përgjatë bregut lindor të Shtetet të Bashkuara.

Sipas parashikimeve të motit, bora do të vazhdojë deri në orët e para të së dielës, duke e kthyer stuhinë ndër më të mëdhatë e regjistruara ndonjëherë.

Banorëve u është bërë thirrje të mos dalin jashtë, ndërsa era intensifikohet dhe arrin shpejtësinë 80 km në orë duke e bërë udhëtimin edhe më të rrezikshëm.

Për Uashingtonin, duket se vala më e vështirë ka kaluar, megjithëse bora vazhdon me një trashësi dëbore prej 58 centimetrash në Poolesville të Merilendit, në veri të kryeqytetit të vendit.

Shkollat u mbyllën të premten jo vetëm në Uashington dhe në Virginia dhe Maryland. Edhe zyrat federale u mbyllën dje në mesditë.  Autoritetet madje mbyllën edhe sistemin e transportit publik, një masë e jashtëzakonshme.

Kjo stuhi mund të jetë një nga 10 më të fuqishmet që është regjistruar ndonjëherë në qytet.

Të paktën nëntë persona kanë vdekur deri tani në gjithë vendin si rezultat i stuhisë që po zhvendoset ngadalë dhe që ka prekur një rajon nga Georgia në New England.

Në 10 shtete është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Në shkallë vendi, të paktën 6,300 fluturime u anulluan dhe mijëra të tjera patën vonesa.

Stuhia e përbindshme e borës përfshin Bregdetin Lindor të SHBA

Uashingtoni dhe pjesa më e madhe e Bregdetit Lindor të Shteteve të Bashkuara janë përfshirë nga një stuhi e madhe dimri, e cila pritet të sjellë deri në 60 centimetra borë në rajon.

Mbi 50 milionë njerëz në disa shtete janë paralajmëruar që të qëndrojnë në shtëpi. Së paku nëntë veta janë raportuar të vdekur në aksidente automobilistike në Karolinën e Veriut, Virxhina, Kentaki dhe Tenezi.

Përpara stuhisë, kryetari i Uashingtonit, Muriel Bowser, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka mbyllur shkollat lokale të premten.

“Stuhia ka implikime të jetës dhe vdekjes dhe të gjithë banorët në Distriktin e Kolumbisë duhet ta trajtojnë si të tillë”, ka thënë ai.

Zyrat qeveritare në kryeqytet po ashtu janë mbyllur. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka mbetur në Shtëpinë e Bardhë.

Autoritetet kanë ndërmarrë edhe një hap të rrallë, duke mbyllur sistemin e metrosë.

Bora në Uashington ka kaluar tashmë 25 centimetra, ndërsa kulmin do ta arrijë të dielën, kur meteorologët parashohin deri në 60 centimetra.

Ata kanë thënë se stuhia e borës mund të jetë në mesin e dhjetë më të këqijave në histori.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në së paku dhjetë shtete, nga Arkansas në jug deri në Masaçusets në verilindje.

Së paku 7,600 fluturime janë anuluar, ndërsa mijëra të tjera janë vonuar.

Në Nju Jork, meteorologët kanë thënë se bora mund të arrijë në 45 centimetra.

“Çdo ngasje e panevojshme e makinave duhet të shmanget. Nëse nuk është urgjente, qëndroni larg rrugëve”, ka porositur guvernatori i Nju Jorkut, Bill de Blasio.

Zonat e ulëta të Nju Jorkut dhe Nju Xhërsit – disa prej të cilave janë ende në rindërtim si pasojë e super-stuhisë Sandy në vitin 2012 – mund të përballen me përmbytje, kanë paralajmëruar zyrtarët.

Moti i ftohtë vjen në kontrast të madh me temperaturat e buta që kanë mbizotëruar këtë dimër në Bregdetin Lindor të SHBA-së.

Më 24 dhjetor, Shërbimi Kombëtar i Motit ka raportuar se temperaturat në Parkun Qendror të Nju Jorkut kanë arritur në 22 gradë Celsius, çfarë ka qenë niveli më i lartë për atë ditë qysh në vitin 1871.

Përgatiti: Valona Tela

Vërshon superstuhia e borës – alarm në SHBA (fotot)

Super-stuhia dimërore, etiketuar edhe si stuhia monstër ka përparuar drejt brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Banorët janë lajmëruar se ajo do të sjellë reshje rekord bore deri në 60 cm trashësi.

Mbi 50 milionë vetë janë paralajmëruar mbi rrezikun e stuhisë paralizuese që pritet ta godasë rajonin duke ju kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi.

Sipas parashikimeve, cituar edhe nga BBC, deri të dielën, kur stuhia pritet që të kalojë, pritet që në Uashington të shënohet një rekord i ri i reshjeve të dëborës dhe të shkojë deri në 76 centimetra, klasifikuar si më i larti edhe se rekordi i janarit 1922.

Mediat amerikane raportojnë se tetë persona kanë vdekur, gjashtë shtete kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa me qindra fluturime janë anuluar.

***

Më shumë se 3.000 fluturime janë anuluar në të gjithë vendin pasi aeroportet e kanë të pamundur që të vijojnë punën me motin e ashpër që ka goditur vendin, teksa parashikohet që dëbora mund të arrijë edhe në mbi dy metra brenda disa orëve.

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në të gjithë Bregdetin Lindor të Amerikës teksa ajo po përgatitet për të pritur një nga stuhitë më të ashpra në historinë e saj.

Në Washington, DC, dëbora ka arritur mbi një metër dhe autostrada përreth kryeqytetit është bllokuar.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi agjencia lëshoi ​​një alarm të kuq për rajonin dhe tha se kushtet atmosferike të orëve të ardhshme mund të jenë të rrezikshme për jetën në pjesën më të madhe të vendit.

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Uashington dhe në pesë shtete: Tennessee, North Carolina, Virginia, Maryland, Pennsylvania. Në Virxhinia, Garda Kombëtare tha se kishte planifikuar për të sjellë 300 trupa ushtarake për të ndihmuar nëse do të ishte nevoja. Kjo është quajtur stuhia monstër.

st1st2st3st4st5


Send this to a friend