VOAL

VOAL

SHBA konfirmon shkeljen e hapësirës ajrore turke nga një avion rus

Zëdhënësi i Pentagonit, Mark Wright, konfirmoi se një avion luftarak rus dy ditë më parë ka shkelur hapësirën ajrore turke

UASHINGTON – Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes, Mark Wright, duke konfirmuar shkeljen e hapësirës ajrore turke nga avioni luftarak rus, ka deklaruar se Rusia duhet t’i japë fund veprimeve që do të rrisin paqëndrueshmërinë në rajon.

Zëdhënësi i Pentagonit, Mark Wright, në një deklaratë për gazetarin e AA-së konfirmoi se një avion luftarakë rus dy ditë më parë ka shkelur hapësirën ajrore turke.

Wright, ka theksuar se “SHBA-ja dhe NATO bashkë me Turqinë do të vazhdojnë të jenë në bashkëpunim”. Ai i ka bërë thirrje Rusisë që të tregojë respekt ndaj hapësirës ajrore turke dhe t’i japë fund veprimeve që do të rrisin paqëndrueshmërinë në rajon.

Ndër të tjera Wright ka theksuar se është e rëndësishme që dy shtete flasin me njëri-tjetrin dhe të marrin masat me qëllim për të ulur tensionet.
Në një deklaratë të publikuar nga Ministria e Jashtme e Turqisë, ishte konfirmuar se ” më 29 janar në orën 11.46 me orën lokale turke një avion SU-34 i Forcave Ajrore të Federatës së Rusisë ka shkelur hapësirën ajrore turke. Ndaj avionit rus janë bërë disa herë paralajmërimet në rusisht dhe anglisht nga elementët e radarit ajror turk”.

Ndërsa Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, në një deklaratë para se të nisej për në Kili pati paralajmëruar se “Rusia në rast të vazhdimit të këtyre shkeljeve do të jetë e detyruar të përballet me pasojat”.

Presidenti Obama të mërkurën do të vizitojë xhaminë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama, për herë të parë si president, gjatë javës së ardhshme do ta vizitojë një xhami amerikane.

Vizita ka për qëllim dhënien e mesazhit për mbrojtjen e lirisë fetare në kohën kur ëshhtë rritur retorika anti-myslimane në Shtetet e Bashkuara.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama të mërkurën do ta vizitojë xhaminë e Shoqërisë Islmike në Baltimore, ku ai do të bisedojë me udhëheqësit e komunitetit.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se Obama do të shkojë në xhaminë në Baltimore për ta vlerësuar rolin e myslimanëve për kombin në Amerikë, si dhe për ta riafirmuar rëndësinë e lirisë fetare.

Obama iu ka bërë thirrje amerikanëve që t’i hedhin poshtë komentet anti-myslimane të politikanëve, më së shumti të tilla nga kandidati republikan për president, Donald Trump.

Trump, i cili sipas sondazheve kryeson për president në mesin e republikanëve, ka bërë thirrje që mysliimanëve t’iu ndalohet vizita në Shtetet e Bashkuara.

Thirrja e tij ka pasuar sulmin në San Bernardioni të Kalifornisë, në muajin dhjetor, ku nga një çift i armatosur kanë mbetur të vdekur 14 persona.

Biden bisedoi me Netanyahun për normalizimin e marrëdhënieve Turqi-Izrael

Zyrtarët nga Turqia dhe Izraeli kohë më parë pohuan në lidhje me negociatat të cilat zhvillohen për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve

UASHINGTON – Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden foli në telefon me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Turqisë dhe Izraelit.

Sipas një deklarate nga Shtëpia e Bardhë, Biden sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit e cila, siç thuhet, mund të konsiderohet si një vazhdimësi e bisedimeve që u zhvilluan gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos këtë muaj. aa

Boston: Tsarnaevi bën apel ndaj dënimit me vdekje

Portreti i Dzhokhar Tsarnaevit i vizatuar derisa ai ishte në gjykatë

Avokatët e sulmuesit me bombë në maratonën e Bostonit, Dzhokhar Tsarnaev, e kanë paraqitur një apel lidhur me dënimin e tij me vdekje.

Në kërkesën e paraqitur sot në një gjykatë amerikane të apelit nuk është dhënë shkaku, pasi përshkrimi i pikëve të aktvendimit që sulmohen mund të bëhet më vonë.

Më herët në muajin janar, një gjyqtar e ka hedhur poshtë kërkesën e Tsarnaevit për proces të ri.

Dzhokhar Tsarnaev, 22 vjeçar, është dënuar me vdekje në vitin 2015, për sulmet me bomba, nga të cilat janë vrarë tre vetë dhe plagosur më se 260, gjatë maratonës në Boston, në prill të vitit 2013.

SHBA: Votoni Byronë Kombëtare të Hetimit, të gjitha partitë janë dakord

Voal – Byroja Kombëtare e Hetimit është kthyer sërish në qendër të debateve poltike në vend. E propozuar nga Partia Socialiste në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013, ajo kishte hasur kundërshtinë e Partisë Demokratike për më shumë se dy vjet rresht.

Ndaj, Lulzim Basha habiti opinionin publik pak ditë më parë kur deklaroi se Partia Demokratike jo vetëm që kishte rënë dakord për ligjin me ndermjetësimin e palës amerikane, por tani i bënte thirrje Partisë Socialiste të mos e vononte më miratimin e tij.

“Sot ka ardhur momenti që të ndaj me qytetarët shqiptarë që Partia Demokratike ra dakord me draftin e propozuar nga ekspertët amerikanë me mandat të qartë, të përcaktuar mirë dhe të domosdoshëm për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë, hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Kemi tre muaj që kemi dhënë dakordësinë tonë. Ky zotëri që çiret nga mëngjesi deri në darkë për domosdoshmërinë e reformës në drejtësi, pse nuk e jep dakordësinë e tij? Çfarë e pengon? Kush e ka kapur prej xhakete? Kush ia mban dorën? Forcë e madhe duhet të jetë, derisa ka 4 muaj që refuzon partnerin tonë strategjik SHBA-në, në një objektiv po kaq strategjik siç është lufta kundër korrupsionit”, deklaroi Basha pak ditë më parë.

Partia Socialiste, përmes ministrit të linjës reagoi të enjten në Kuvend se ishte për miratimin e këtij ligji: “Edhe Byroja Kombëtare e Hetimit, që është një propozim i kryeministrit dhe i qeverisë, do të shtojë mundësinë tonë për të luftuar korrupsionin në nivelet e larta. Kjo është ende në koalidimet finale dhe ndjek një proces të tërë. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se zgjatja e kohës, që është mëse e arsyeshme për shkak të procesit, do ta dëmtojë produktin”, tha Tahiri.

Por Tahiri nuk iu përgjigj pyetjes së Bashës se çfarë po pengonte qeverinë për miratimin e këtij ligji, për të cilin kishte folur prej vitesh. Pyetjes së Bashës, ama iu përgjigj Berisha po në Kuvend. “Thotë ‘s’ma pranon Ylli Manjani’”, tha Berisha.

Ndërkohë, Top Channel pyeti Ambasadën e Shteteve të Bashkuara nëse kishte patur një ndërmjetësim amerikan për një draft konkret, siç thotë Partia Demokratike. Përgjigjia nuk lë shumë shteg për dilema:

“Byroja e Hetimit dhe reforma në drejtësi janë përparësi të nevojshme. Ne jemi gati ta ndihmojmë Shqipërinë për të ngritur Byronë Kombëtare të Hetimit, ngritja e të cilës bazohet në modelin e FBI-së amerikane. Byroja do të përforconte kapacitetet e Shqipërisë për të hetuar korrupsionin dhe të gjitha partitë janë shprehur pro krijimit të saj. Është koha që kjo mbështetje të kthehet në veprim konkret”, thuhet në deklaratë.

Deklarata e Ambasadës së SHBA e vlerëson krijimin e këtij institucioni si mjet kryesor në luftën kundër korrupsionit. Ajo që deklarata nuk përmend është në fakt insinuata e Berishës për një përplasje mes PS dhe LSI për këtë çështje. Të enjten Spartak Braho i LSI tha për Top Channel se partia e tij ishte pro krijimit, por jo për ndryshim kushtetues, por me një ligj të thjeshtë.

“BKH nuk ka nevojë për ndryshimet kushtetuese. Mund të bëhet një ligj i posaçëm, mbi të cilin ajo duhet të funksionojë, si strukturë pranë Prokurorisë dhe Ministrisë së Brendshme”, tha Braho.

Burime konfidenciale i thanë Top Channel se mes PS dhe LSI kontradikta lidhet sërish me një emër: Adriatik Llallën dhe rolin e prokurorit të përgjithshëm. Ky i fundit në një prononcim nga Kroacia pak ditë më parë dukshëm ishte afër pozicionit të Brahos.

“Në Shqipëri mjafton që Prokuroria për Krime të Rënda t’i atashohet një forcë policore ashtu siç ajo publikisht mund të quhet Byroja Kombëtare e Hetimit dhe besoj se suksesi do të jetë i prekshëm”, tha Lalla.

McCaini kërkon ripërtritjen e ndalesës së importit nga Rusia

Senatori amerikan, John McCain, kryesues i Komitetit të shërbimeve të armatosura të Senatit të Shteteve të Bashkuara, ka shprehur përkushtim për ripërtitjen e ndalesës së përdorimit të motorëve të prodhuar në Rusi nga ushtria amerikane.

Zoti McCain mbrëmë tha se do ta paraqes një legjislacion me të cilin do të sulmohet lehtësimi i ndalesës që ishte imponuar pas aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014.

Shtetet e Bashkuara duhet “të sigurojnë se ne e përfundojmë varshmërinë tonë nga motorët raketorë rusë dhe të ndalet subvencionimi për presidentin , Vladimir Putin, dhe për bandën e korruptuar të miqve të tij”, tha McCain.

Zyrtarë të Pentagonit dhe të Forcës ajrore mbrëmë e kanë mbrojtur përdorimin e motorëve rusë në një dëgjim në Komitetin e shërbimeve të armatosura të Senatit amerikan, dhe kanë kërkuar nga paneli që të lejohet vazhdimi i përdorimit derisa të gjendet ndonjë alternativë.

Ata thanë se po lëvizin me planet për t’i financuar projektet publiko-private për shërbime të lansimit në vitin 2017.

Senatori McCain kritikon ashpër Pentagonin se mbështetet në motorët rus të raketave

Republikani John McCain tha se: “Rusia mban në rrezik shumë satelitë të çmuar të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës para se ata të zbresin në tokë”

UASHINGTON – Kryetari i Komisionit të Senatit Amerikan për Shërbimet e Armatosura, ka kritikuar ashpër Departamentin e Mbrojtjes se po mbështetet në motorët rus të raketave gjatë lançimit të satelitëve ushtarak amerikan në hapësirë.

Gjatë një seance dëgjimore të mërkurën, republikani John McCain tha se: “Rusia mban në rrezik shumë satelitë të çmuar të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës para se ata të zbresin në tokë.”

McCain thotë se departamenti në mënyrë aktive ka kërkuar të sfidojë udhëzimet e komitetit për të përkufizuar rrezikun dhe deri në fund të kësaj dekade të ndal përdorimin e motorëve rus “RD-180”.

Sekretarja e “Air Force”, Deborah James, nga ana e saj, thotë se departamenti është duke punuar në këtë drejtim për të ndalur sa më shpejtë të jetë e mundur përdorimin e motorëve rus. aa

Donald Trump, tërhiqet nga debati i fundit

Voal – Donald Trump, kandidati që deri tani kryeson garën e republikanëve për president, tha se nuk do të marrë pjesë në debatin e fundit të kandidatëve të partisë së tij, para zgjedhjeve paraprake në Ijova, javën e ardhshme.

Miliarderi Trump, që ka dalë i pari në anketat e votuesve republikanë, tha se e ka marrë këtë vendim, ngaqë mendon se nuk do të trajtohet me drejtësi nga njëra prej moderatoreve të debatit, Megyn Kelly, e rrjetit Fox News.

Donald Trump, i ka dhënë garës presidenciale nuanca të reja me ektravagancën e tij. Ai ka krijuar armiqësi me gazetaren Kelly që prej një debati të muajit gusht, kur ajo i kërkoi shpjegime përse kishte bërë disa herë komente denigruese për gratë. Më pas Trump bëri komente fyese ndaj Kelly-it, që shkaktuan zemërim si mes republikanëve, edhe ndaj demokratëve.

Trump i kërkoi televizionit Fox që ta heqë Megyn Kelly-si një prej moderatorëve të debatit të fundit para zgjedhjeve partiake të Ajovas, por rrjeti televiziv u përgjigj se nuk do ta ndryshonte vendimin për shkak të kërkesës së tij dhe premtoi se ai kishte për t’u trajtuar me drejtësi në debat. Dje Trump njoftoi se do ta bojkotojë debatin..

69-year-vjeçari Trump, i cili është manjat prej shumë vitesh i pasurive të patundshme në Nju Jork dhe ka qenë edhe drejtues i një emisioni televiziv tha se ka besimin që do të vazhdojë të qëndrojë në krye të garës republikane, por kjo do të shihet më qartë në zgjedhjet e Ajovës javën e ardhshme.

Ambasadori Lu: Drejtësia parësore për SHBA-të (Video)

Në Shqipëri ambasadori amerikan Donald Lu, thotë se realizimi i Reformës në Drejtësi është interesi parësor i Shteteve të Bashkuara. Në një intervistë eskluzive për Zërin e Amerikës, ambasadori Lu shprehet se ka besim se në pranverë parlamenti do ta miratojë atë. Një vit pas ka nisur detyrën e tij në Tiranë, ambasadori flet për lidhjet e politikës me krimin, procesin e dekriminalizimit, fenomenin e korrupsionit, ngritjen e Byrosë kombëtare të hetimit si dhe përparësitë e politikës amerikane në Shqipëri.

Zëri i Amerikës:  Zoti Ambasador, faleminderit shumë që jeni sot me Zërin e Amerikës. U bë një vit që kur ju erdhët në Shqipëri. A mund të ndani me ne përvojën tuaj gjatë kësaj kohe?

Ambasador Donald Lu: Faleminderit shumë për ftesën për të qenë me ju te Zëri i Amerikës. Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje vitin e kaluar, ishin imazhet që kam parë në Shqipëri. Dhe disa imazhe ishin të bukura, si ngjitja deri te një ujvarë në Valbonë, apo një takim me të rinj të shkëlqyer në një darkë iftari në Ndroq. Ndërsa disa imazhe të tjera më vunë në mendime, si për shembull vizita në Spac, apo bisedat me njerëz në Bregun e Lumit në Tiranë, të cilët përballen me vështirësi shumë të mëdha. Por kam besim se 2016-a do të sjellë më shumë ndryshime pozitive që do të prekin të gjitha jetët tona.

Zëri i Amerikës: Ju jeni angazhuar fuqimisht për të punuar nga afër me politikanët shqiptarë për gjetjen e zgjidhjeve të shumë çështjeve të rëndësishme dhe të komplikuara. Si kanë qenë këto marrëdhënie, të lehta, tw vështira, apo frustruese?

Ambasador Donald Lu: Shumë pyetje interesante. Këtë pyetje ma bëjnë vazhdimisht dhe në mënyra të ndryshme. Si diplomat amerikan, për mua është shumë e pazakontë që punoj në një vend ku amerikanët janë kaq të mirëpritur; të mirëpritur nga populli i Shqipërisë, por edhe nga udhëheqësit e saj. Ne kemi marrëdhënie mjaft të mira me çdo parti politike, por edhe me çdo pjesë të qeverisjes. Përvoja ime është e jashtëzakonshme, sepse kam marrëdhënie pune mjaft të ngushta për një gamë shumë të gjerë çështjesh.

Zëri i Amerikës: Dekriminalizimi ishte një ndër ligjet më të vështira që u miratua nga parlamenti. Kemi parë disa hapa të vegjël deri tani, disa politikanët që janë tërhequr, apo të tjerë që ndoshta pritet ta lënë parlamentin. Megjithatë, a mendoni se ky ligj është i mjaftueshëm për të këputur lidhjet mes politikës dhe botës së krimit?

Ambasador Donald Lu: Mendoj se çështja e krimit dhe e politikës është shumë e rëndësishme, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mjaft vende të tjera. Mendoj se shqiptarët duhet të jenë shumë krenarë për përparimin që kanë parë gjatë një viti të shkuar. Në zgjedhjet e kaluara vendore, ne pamë udhëheqës partish politike nga e djathta dhe nga e majta, që hoqën nga lista kandidatë me të kaluar kriminale. Kemi parë gjithashtu që Kuvendi u pezulloi imunitetin një numri deputetësh, që përballeshin me akuza penale. Siç e dini, zoti Ndoka dhe zoti Frroku dhanë dorëheqjen nga vendet e tyre në parlament. Zoti Doshi dhe zoti Prenga përballen aktualisht me akuza penale. Gjithashtu shpresojmë shumë që, si rrjedhojë e ligjit për dekriminalizimin, disa anëtarë të klasës politike do të largohen nga politika. Ka një pjesë në këtë ligj që më pëlqen mjaft. Është pjesa ku thuhet se ligji kërkon që çdo person në një post të zgjedhur zyrtar duhet të plotësojë me shkrim një deklaratë, ku thuhet: jam dënuar në Shqipëri në këtë apo atë kohë, për këtë ose atë krim, apo në çdo vend tjetër të planetit. Pra, duhet të deklarosh se kur e ke kryer krimin dhe nëse je dënuar. Në qoftë se nuk e bën dhe gënjen në deklaratë, kjo në vetvete është një krim për të cilin ndiqesh penalisht. Ky është ligji më i fortë në Evropë për dekriminalizimin dhe një mjet tepër i fuqishëm për të ndarë botën e krimit dhe të politikës.

Zëri i Amerikës: Sa të thella janë lidhjet mes politikës dhe krimit në Shqipëri?

Ambasador Donald Lu: Të them të drejtën, nuk jam polic, as nuk jam ekspert për botën e krimit. Si njeri që ka jetuar këtu një vit, do të thosha se ekzistojnë disa lidhje serioze midis këtyre dy botëve dhe ka shumë rëndësi për të gjithë shqiptarët, që të mbështesin procesin e ndarjes së këtyre dy botëve. Kam punuar në vende të tjera ku, kriminelët përpiqen të shërbejnë në parlament, ose në politikë për hir të imunitetit që përfitojnë nga kjo. Por në një vend normal, në një demokraci normale, asnjë kriminel nuk dëshiron të jetë në politikë. Kjo është diçka e keqe për biznesin, tërheq vemendje te aktivitetet kriminale. Këtë duam ne që të ndodhë në Shqipëri, pra që kriminelët të thonë: do t’i bëja dëm punëve të mia, po të futesha në politikë.

Zëri i Amerikës: Zoti Ambasador, ju jeni investuar në reformën në Drejtësi. Pak kohë më parë thatë se “ndiheni të inkurajuar që udhëheqësit shqiptarë kanë rënë dakort të mbështesin opinionin e Komisionit të Venecias”. Por diskutimet mbi rekomandimet e këtij komisioni duket sikur i kanë thelluar mosmarrëveshjet. A jeni të shqetësuar nga zhvillimet e fundit?

Ambasador Donald Lu: Armand, kam shumë besim se në vitin 2016, në pranverë 2016, Shqipëria do të ketë një reformë të thellë të gjyqësorit. Përse kam kaq shumë besim? Së pari, është mjaft e qartë se populli shqiptar e kërkon këtë reformë. Së dyti, Komisioni i Venecias ka folur qartë dhe me zë të lartë. Ata kanë thënë se kjo reformë është thelbësore për Shqipërinë dhe është e ngutshme. Bashkimi Evropian ka thënë se kjo reformë do t’i hapë dyert, dëshirës së Shqipërisë për bisedimet e anëtarësimit. Së fundi, kjo reformë ka mbështetjen e plotë dhe entuziaste të partnerit strategjik të Shqipërisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është shumë e vërtetë se 10 ditë më parë, komisioni parlamentar ad hoc, për reformën në drejtësi, i dërgoi Komisionit të Venecias projektligjin bashkë me komentet dhe opinionet e partive politike. Me këtë vendim të rëndësishëm, përfundoi puna e ekspertëve dhe ekspertët kanë bërë një punë fantastike – ekspertët e nivelit të lartë, ekspertët e opozitës dhe ata të ministrisë së Drejtësisë. Por tani është çasti që politikanët të bëjnë punën e tyre. Është e nevojshme që udhëheqësit e partive politike të punojnë së bashku për gjetjen e një formule, e cila të mund të mbështetet si nga opozita ashtu edhe nga qeveria.

Zëri i Amerikës: A mendoni se politikanët shqiptarë kanë axhenda të fshehta pas qëndrimeve publike që ata kanë patur për cështjen e reformës?

Ambasador Donald Lu:  Shumë gazetarë ma kanë bërë këtë pyetje, – në se politikanët shqiptarë kanë kurajon e duhur ta miratojnë reformën. Unë do ta përmbysja argumentin dhe do të shtroja pyetjen:  si munden të mos e miratojnë? Populli shqiptar është në favor të reformës, Të gjithë partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë kanë thënë se e mbështesin reformën. Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar ta mbështesë reformën dhe t’i mbajë udhëheqësit e tij përgjegjës për të. Në të njejtën kohë, populli shqiptar do të gëzojë mbështetjen tonë, të komunitetit ndërkombëtar, të Uashingtonit, të Brukselit, por edhe të cdo kryeqyteti të Bashkimit Evropian, për të qënë aktivisht i përfshirë në miratimin e reformës. Ne mendojmë se kjo reformë do të jetë hapi më i rëndësishëm përpara i demokracisë shqiptare në këto 25 vite.

Zëri i Amerikës: Ju dhe kolegia juaj, ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian, jeni kritikuar se jeni përfshirë më shumë se ç’duhet në politikën shqiptare, se keni shkuar përtej mandatit tuaj si ambasador, apo se keni qenë i njëanshëm. Si u përgjigjeni ju këtyre kritikave?

Ambasador Donald Lu:  Unë do të pyesja, cili është roli i një ambasadori të huaj? Në mëndjen time, detyra kryesore për një ambasador të huaj është të punojë për zbatimin e interesave kombëtare të vendit të tij. Në rastin tim, të interesave të Shteteve të Bashkuara. Dhe unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, që përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme për këtë proces? Qartazi është reforma në drejtësi. Shqiptarët mund të presin që unë si ambasador, ne si ambasadë, do të vazhdojmë të flasim pa frikë për këtë çështje dhe ne ftojmë gjithë shqiptarët të bëhen pjesë e një dialogu kombëtar për këtë çështje të rëndësishme.

Zëri i Amerikës: Korrupsioni mbetet thembra e Akilit në jetën politike shqiptare. Deri tani nuk kemi parë përpjekje serioze dhe një luftë serioze kundër këtij fenomeni, i cili nuk ka shkuar përtej niveleve të ulta. Ju keni përmendur ministra të korruptuar. Ku mbështeten akuzat apo deklarimet tuaja?

Ambasador Donald Lu:  Korrupsioni ekziston në të gjitha vendet, ekziston edhe në Shtetet e Bashkuara.  Ka anëtarë kongresi, ka gjykatës në vendin tim, që janë në burg për korrupsion. Lufta ndaj tij nuk është fituar, lufta ndaj tij duhet të zhvillohet çdo ditë. Dhe në fund të fundit, ka të bëjë me vullnetin e një vendi, që ose ta pranojë korrupsionin dhe të paguajë rryshfetet, ose të ngrihet me kurajo dhe ta luftojë korrupsionin. Kur punoja në Azinë Qendrore, në Kirgistan, para 13 vjetësh, në universitete filloi një lëvizje e vogël, e qetë. Studentët u ngritën duke thënë “nuk e durojmë dot më tej korrupsionin, nuk do t’u paguajmë më rryshfete profesorëve, nuk do të paguajmë më për notat tona”. Ata nënshkruan një angazhim “nuk do të paguajmë më rryshfete”. Lëvizja e tyre u përhap me shpejtësi në Kirgistan nëpër universitete, më pas edhe në sektorë të tjerë të shoqërisë dhe u përhap edhe në vende të tjera të Azisë Qendrore. Është e fuqishme kur studentët ngrihen kundër korrupsionit. Ajo që shohim sot në Shqipëri, edhe në Universitetin e Tiranës, po shohim një dëshirë, një përpjekje, për t’u ngritur kundër korrupsionit. Kjo do të sjellë ndryshimin e mentalitetit të korrupsionit, Kjo do të sjellë fundit e korrupsionit.

Zëri i Amerikës:  Zoti Ambasador, si do t’i përshkruanit marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë. Cilat janë përparësit kyçe të Shteteve të Bashkuara?

Ambasador Donald Lu: Unë kam punuar në shërbimin diplomatik për gati 25 vjet. Kurrë nuk kam punuar në një vend që ka marrëdhënie kaq të ngushta me Shtetet e Bashkuara. Marrëdhëniet po forcohen dita-ditës. Ne punojmë së bashku në shumë fusha. Ne kemi tre përparësi kryesore si amerikanë, në Shqipëri. Së pari, e kam thënë edhe më parë, është të mbështesim reformat, që të ndihmojmë Shqipërinë të anëtarësohet në BE. Së dyti, ne jemi të angazhuar të ndihmojmë Shqipërinë të bëhet një aleat më i fortë në NATO. Së treti ne duam të mbështesim popullin shqiptar që të zhvillojë institucionet demokratike. Veç reformës në drejtësi, këtë vit kemi në plan edhe tri përparësi të tjera: të vazhdojmë të punojmë drejt realizimit të nismës për krijimin dhe trajnimin e një Byroje Kombëtare Hetimi, bazuar në FBI-në amerikane, përmes së cilës shqiptarët do të hetojnë rastet e korrupsionit. Së dyti, ne po bashkëpunojmë shumë afër me Ministrinë e Mbrojtjes dhe vendet e tjera të NATO-s, për të modernizuar format e armatosura të Shqipërisë, kryesisht disa njësi të rëndësishme të ushtrisë, që të shërbejnë krahas forcave të NATO-s kudo në botë. Dhe së fundmi ne jemi shumë të angazhuar për zhvillimin e sektorit të organizatave jo-qeveritare në Shqipëri dhe të shtypit të pavarur, që të shërbejnë si vëzhguese të abuzimeve nga qeveria ose opozita.

Zëri i Amerikës:  Ju keni zgjedhur të flisni shqip në shumë raste. Së pari urime për mënyrën se si ju e flisni, pasi është një gjuhë e vështirë. Nëse mundem, pse keni zgjedhur të flisni kaq shpesh në shqip, madje dhe për cështje të rëndësishme? A mos druheni se mesazhet tuaja mund të keqinterpretohen?

Ambasador Donald Lu: Faleminderit për pyetjen. Përpiqem të përdor cdo ditë gjuhën shqipe, sepse ambasadori Rayerson më ka thënë dicka. Ambasadori Rayerson ishte ambasadori i parë amerikan pas komunizmit dhe ai flet një shqipe të jashtëzakonshme. Ai më ka thënë se e vetmja mënyrë për të mësuar një gjuhë është të kesh kurajon, kurajon për ta përdorur atë. Dhe ai më tha gjithashtu se kjo është e vetmja rrugë që të nisesh të kuptosh shqiptarët e zakonshëm dhe jo vetëm elitat politike. Gjatë jetës sime kam mësuar 8 gjuhë dhe padyshim gjuha shqipe është më e vështira, por dhe më e bukura.

Hillary Clintoni: Qëndrimet e Trumpit janë shumë të rrezikshme

Hillary Clintoni iu përgjigj pyetjeve në lidhje me politikën e jashtme dhe në lidhje me qëndrimet anti-islame të kandidatit për president nga radhët Partisë Republikane Donald Trump

UASHINGTON – Ajo që bën Donald Trumpi nuk është vetëm e turpshme, në të njëjtën kohë është edhe e rrezikshme, tha kandidatja për presidente e Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, Guvernatori i Vermontit, Bernie Sanders dhe ish-guvernator i Maryland-it, Martin O’Malley, iu përgjigjen pyetjeve të qytetarëve në shtetin Iowa, ku do të mbahen zgjedhjet për nominim.

Sanders në fjalën e tij kritikoi sistemin e sigurimit shëndetësor në SHBA, duke thënë se amerikanët paguajnë sigurimin më të shtrenjtë shëndetësor në mesin e vendeve të zhvilluara.

Ai tha se, nëse zgjidhet për President, do ti shpallë luftë lobeve farmaceutike, dhe me rritjen e taksave do të përpiqet të ul kostot e sigurimit shëndetësor, që në SHBA është 12,000 dollarë në vit.

Hillary Clinton iu përgjigj pyetjeve, në lidhje me politikën e jashtme dhe në lidhje me qëndrimet anti-islame të kandidatit për president nga radhët Partisë Republikane Donald Trump.

“Ai filloi me meksikanët, tani radha iu erdhi muslimanëve. Ajo çfarë bën ai nuk është vetëm sulm dhe e turpshme, në të njëjtën kohë është edhe e rrezikshme”, tha Klinton.

Asaj iu adresuan edhe pyetjet në lidhje me operacionet ushtarake në Irak dhe Siri, të cilave iu përgjigj se ishte kundër përfshirjes të ushtarëve amerikanë në operacionet tokësore, por theksoi se duhet të vazhdojnë sulmet ajrore.

Kjo deklaratë e Hillary Clinton ndezi reagime të ndryshme në rrjetet sociale, kështu që në një koment ishte shkruar se Hillary Clinton “nga njëra anë mbron muslimanët, nga ana tjetër i bombardon ata”. aa

Obama e ndalon izolimin për të miturit në burgje

Presidenti amerikan, Barack Obama, ka miratuar reforma në sistemin e burgjeve federale, që përfshijnë ndalimin e izolimit për të burgosurit e mitur dhe kufizimin e përdorimit të kësaj mase edhe për të rriturit.

Në një tekst të botuar të hënën vonë në The Washington Post, Obama tha se ka më shumë se 100 mijë të dënuar me izolim në Shtetet e Bashkuara dhe kjo praktikë shkakton pasoja “shkatërruese psikologjike”.

“Shtetet e Bashkuara janë vend i mundësisë së dytë, por përvojat e izolimit shpesh e dëmtojnë atë mundësi”, tha ai. “Ata që i nënshtrohen shpesh kësaj praktike, kanë problem të mbajnë pastaj vendet e punës, të ribashkohen me familjet dhe të bëhen anëtarë të vyeshëm të shoqërisë”.

Aktualisht ka rreth 200 mijë të burgosur federal dhe Obama tha se eliminimi i izolimit për të miturit dhe ata që kanë kryer veprime “më të lehta” do të ndikojë tek rreth 10 mijë njerëz.

Vetëm disa prej të prekurve janë të mitur, meqë sipas të dhënave të Zyrës së Burgjeve, vetëm 26 të burgosur janë nën moshën 18 vjeçare.

Presidenti është duke miratuar rekomandimet nga një raport Departamentit të Drejtësisë që ishte përgatitur pasi që ai urdhëroi një rishikim të masës së izolimit në muajin korrik.

“Ka raste kur zyrtarët korrektues nuk kanë zgjidhje, pos që të bëjnëndarjen burgosurve nga pjesa tjetër e tyre, kryesisht kur kjo është mënyra e vetme për të garantuar sigurinë e të burgosurve, personelit dhe publikut,” thuhet në raportin e Departamentit të Drejtësisë. “Por, besojmë fuqishëm se kjo praktikë duhet të përdoret rrallë, të zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të jetë subjekt i kufizimeve të arsyeshme.”

Obama i bëri thirrje gjithashtu Kongresit të miratojë legjislacionin për reformimin e sistemit të drejtësisë për ta bërë atë “më të zgjuar, më të drejtë, më pak të shtrenjtë dhe më efektiv.”

Ai shkruan se janë 2.2 milion veta në burgjet federale, shtetërore dhe ato lokale, mbajtja e të cilëve kushtin 80 miliardë dollarë dhe shumë prej tyre vuajnë dënime panevojshëm të gjata.

“Besojmë se kur njerëzit bëjnë gabime, meritojnë një mundësi për t’i ripërtërirë jetët e tyre”, tha Obama

Zyrtari amerikan thotë se Putin është i pasur dhe i korruptuar

Rrjeti BBC ka raportuar se Shtetet e Bashkuara për një kohë të gjatë konsiderojnë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, është i pasur në mënyrë të fshehtë, i korruptuar dhe i fokusuar në pasurimin e miqve dhe aleatëve të tij.

Adam Szubin, ushtrues i detyrës së sekretarit amerikan të thesarit për terrorizëm dhe krime financiare, në një intervistë për programin Panorama BBC, tha se presidenti rus ka krijuar pasuri larg shikimit të publikut.

“Ne e kemi parë atë duke i pasuruar miqt, aleatët e tij të afërt dhe duke i margjinalizuar ata që nuk i sheh si miq, duke i shfrytëzuar fondet shtetërore”, tha zoti Szubin dhe ka shtuar se “nëse kjo ishte nëpërmjet pasurisë energjetike ruse, nëse kjo ishte me kontrata të tjera shtetërore, ai i ka drejtuar ato tek ata të cilëve u ka besuar se do t’i shërbejnë atij dhe i ka përjashtuar ata që nuk e bëjnë këtë”.

Zyrtari amerikan ka konkluduar se “për mua, kjo është pamje e korrupcionit”.

Presidenca e Rusisë i ka hedhur poshtë këto akuza. Putin disa herë ka thënë se raportet gazetareske, për pasuri të madhe të tij, i konsideron absurde.

Fillon normaliteti pas stuhisë së borës në SHBA

Nju Jorku dhe qytete tjera amerikane e kanë filluar heqjen e kufizimeve për miliona njerëz pasi ato ishin vendosur si rezultat i motit të ftohtë dhe stuhisë që ka nisur ditën e premte.

Ura dhe tuneli në Nju Jork janë rihapur të dielën derisa shërbimet ajrore vazhdojnë të kenë pengesa.

Zyra federale do të mbetet e mbyllur edhe ditës së sotme në Uashington derisa Dhoma e Përfaqësuesve i ka anuluar të gjitha votimet deri më 1 shkurt.

Për shkak të stuhisë, gjendje emergjente është shpallur në njëmbëdhjetë shtete. Kjo gjendje vazhdon pavarësisht se stuhia e borës ka nisur të lëvizë drejt Oqeanit Atlantik.

Rreth 7 mijë fluturime janë anuluar këtë fundjavë ndërsa nga stuhia e borës janë prekur rreth 85 milionë banorë.

Agjencia e lajmeve AP njoftoi se moti i keq është shkaktar i tridhjetë rasteve që kanë vdekur ditëve të fundit.

Moti i ligë ka shkaktuar edhe përmbytje bregdetare në disa shtete.

Stuhia e borës paralizon Shtetet e Bashkuara

Një stuhi e madhe bore ka paralizuar pjesën më të madhe të Bregdetit Lindor të Shteteve të Bashkuara.

Në Nju Jork janë ndaluar të gjitha udhëtimet jo të domosdoshme, është pezulluar transporti publik dhe janë mbyllur urat.

Së paku 18 persona janë raportuar të vdekur në disa shtete, shumica e tyre në aksidente trafiku.

Kompanitë ajrore kanë anuluar rreth 7 000 fluturime në shkallë vendi.

Dhjetëra-mijëra shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Nju Jork, Tenezi, Xhorxhia, Kentaki, Karolinën e Veriut, Nju Xhërsi, Virxhina, Virxhinian Perëndimore, Merilend, Pensilvani dhe në Distriktin e Kolumbisë.

Zyrtarët në Uashington kanë mbyllur sistemin e autobusëve dhe trenave gjatë gjithë fundjavës.

Stuhia pritet të vazhdojë edhe sot, edhe pse ka nisur të lëvizë drejt Oqeanit Atlantik.

joe Biden: SHBA e kupton rrezikun e PKK ndaj Turqisë

Nënpresidenti amerikan Joe Biden theksoi rëndësinë strategjike të Turqisë, pas një takimi me kryeministrin turk, Ahmet Davutoglu në Stamboll. Ai tha se të dyja vendet kanë shënuar përparim për një sërë çështjesh.

Konflikti sirian dhe lufta kundër Shtetit Islamik, ishte në krye të bisedimeve mes nënpresidentit Biden dhe kryeministrit Davutoglu.  Takimi bëhet në prag të bisedimeve të paqes për Sirinë në Vienë. Zoti Biden, duke folur para gazetarëve me zotin Davutoglu, tha se diplomacia nuk është alternativa e vetme për Uashingtonin për të zgjidhur gjendjen në Siri.

“Ne e dimë që është më mirë të arrijmë një zgjidhje politike. Por ne jemi të përgatitur që nëse kjo nuk është e mundur, t’i kthehemi zgjidhjes ushtarake dhe të mposhtim Daeshin”.
Ankaraja i ka kërkuar Uashingtonit që të ndërhyjë ushtarakisht në konflikt. Ndërkohë, emërues i përbashkët u gjet edhe në drejtime të tjera, ndërsa zoti Biden i konsideroi si kërcënime të njëjta grupin kryengritës kurd PKK dhe Shtetin Islamik.

“Përsa u takon veprimeve të tyre, Daesh, PKK dhe Al Nusra, nuk kanë ndonjë dallim të madh, ata janë thjesht grupe terroriste”.

Ankaraja është kritikuar ashpër nga aleatët se i ka përqendruar më shumë përpjekjet ushtarake ndaj PKK-së që po lufton ndaj Shtetit Islamik në Irakun fqinjë. Por zoti Biden nuk e identifikoi milicinë kurde siriane, PYG si organizatë terroriste.

Kryeministri Davutoglu vazhdimisht iu referua grupit PYG, si një vazhdim i PKK-së.

Megjithë kritikat në rritje nga organizatat ndërkombëtare të të drejtave të njeriut për aksionet e Turqisë ndaj PKK-së, zoti Biden duket se ofroi mbështetjen e tij.

Ai duket se shmangu edhe kritikat ndaj dislokimit të paautorizuar të forcave ushtarake turke në Irak, duke thënë vetëm se ishte i sigurt se Bagdadi dhe Ankaraja do ta zgjidhin çështjen.

Stuhia e borës: Ndalohet udhëtimi në Nju Jork

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Bill de Blasio ndaloi udhëtimet jo urgjente në qytet, pas orës 2:30 pasdite, ndërsa stuhia masive vazhdon në pjesën lindore të Shteteve të Bashkuara duke krijuar kushte që meteorologët i kanë konsideruar me rrezik për jetën.

Zoti de Blasio bëri thirrje gjithashtu thirrje për mbylljen e dyqaneve dhe restoranteve.

Ai shtoi se ata që nuk largohen nga rrugët, mund të përballen me arrestim.

Stuhia Jonas goditi rëndë një pjesë të madhe të Shteteve të Bashkuara me një trashësi prej 60 centimetrash borë në zonën e Uashingtonin.

Deri në 85 milionë veta janë në zonën ku po kalon stuhia dhe qindar dhe mijëra persona janë pa energji elektrike dhe mijëra të tjerë janë bllokuar pasi stuhia paralizoi trafikun rrugor, hekurudhor dhe ajror përgjatë bregut lindor të Shtetet të Bashkuara.

Sipas parashikimeve të motit, bora do të vazhdojë deri në orët e para të së dielës, duke e kthyer stuhinë ndër më të mëdhatë e regjistruara ndonjëherë.

Banorëve u është bërë thirrje të mos dalin jashtë, ndërsa era intensifikohet dhe arrin shpejtësinë 80 km në orë duke e bërë udhëtimin edhe më të rrezikshëm.

Për Uashingtonin, duket se vala më e vështirë ka kaluar, megjithëse bora vazhdon me një trashësi dëbore prej 58 centimetrash në Poolesville të Merilendit, në veri të kryeqytetit të vendit.

Shkollat u mbyllën të premten jo vetëm në Uashington dhe në Virginia dhe Maryland. Edhe zyrat federale u mbyllën dje në mesditë.  Autoritetet madje mbyllën edhe sistemin e transportit publik, një masë e jashtëzakonshme.

Kjo stuhi mund të jetë një nga 10 më të fuqishmet që është regjistruar ndonjëherë në qytet.

Të paktën nëntë persona kanë vdekur deri tani në gjithë vendin si rezultat i stuhisë që po zhvendoset ngadalë dhe që ka prekur një rajon nga Georgia në New England.

Në 10 shtete është shpallur gjendja e jashtëzakonshme.

Në shkallë vendi, të paktën 6,300 fluturime u anulluan dhe mijëra të tjera patën vonesa.

Stuhia e përbindshme e borës përfshin Bregdetin Lindor të SHBA

Uashingtoni dhe pjesa më e madhe e Bregdetit Lindor të Shteteve të Bashkuara janë përfshirë nga një stuhi e madhe dimri, e cila pritet të sjellë deri në 60 centimetra borë në rajon.

Mbi 50 milionë njerëz në disa shtete janë paralajmëruar që të qëndrojnë në shtëpi. Së paku nëntë veta janë raportuar të vdekur në aksidente automobilistike në Karolinën e Veriut, Virxhina, Kentaki dhe Tenezi.

Përpara stuhisë, kryetari i Uashingtonit, Muriel Bowser, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme dhe ka mbyllur shkollat lokale të premten.

“Stuhia ka implikime të jetës dhe vdekjes dhe të gjithë banorët në Distriktin e Kolumbisë duhet ta trajtojnë si të tillë”, ka thënë ai.

Zyrat qeveritare në kryeqytet po ashtu janë mbyllur. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka mbetur në Shtëpinë e Bardhë.

Autoritetet kanë ndërmarrë edhe një hap të rrallë, duke mbyllur sistemin e metrosë.

Bora në Uashington ka kaluar tashmë 25 centimetra, ndërsa kulmin do ta arrijë të dielën, kur meteorologët parashohin deri në 60 centimetra.

Ata kanë thënë se stuhia e borës mund të jetë në mesin e dhjetë më të këqijave në histori.

Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në së paku dhjetë shtete, nga Arkansas në jug deri në Masaçusets në verilindje.

Së paku 7,600 fluturime janë anuluar, ndërsa mijëra të tjera janë vonuar.

Në Nju Jork, meteorologët kanë thënë se bora mund të arrijë në 45 centimetra.

“Çdo ngasje e panevojshme e makinave duhet të shmanget. Nëse nuk është urgjente, qëndroni larg rrugëve”, ka porositur guvernatori i Nju Jorkut, Bill de Blasio.

Zonat e ulëta të Nju Jorkut dhe Nju Xhërsit – disa prej të cilave janë ende në rindërtim si pasojë e super-stuhisë Sandy në vitin 2012 – mund të përballen me përmbytje, kanë paralajmëruar zyrtarët.

Moti i ftohtë vjen në kontrast të madh me temperaturat e buta që kanë mbizotëruar këtë dimër në Bregdetin Lindor të SHBA-së.

Më 24 dhjetor, Shërbimi Kombëtar i Motit ka raportuar se temperaturat në Parkun Qendror të Nju Jorkut kanë arritur në 22 gradë Celsius, çfarë ka qenë niveli më i lartë për atë ditë qysh në vitin 1871.

Përgatiti: Valona Tela

Vërshon superstuhia e borës – alarm në SHBA (fotot)

Super-stuhia dimërore, etiketuar edhe si stuhia monstër ka përparuar drejt brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Banorët janë lajmëruar se ajo do të sjellë reshje rekord bore deri në 60 cm trashësi.

Mbi 50 milionë vetë janë paralajmëruar mbi rrezikun e stuhisë paralizuese që pritet ta godasë rajonin duke ju kërkuar që të qëndrojnë në shtëpi.

Sipas parashikimeve, cituar edhe nga BBC, deri të dielën, kur stuhia pritet që të kalojë, pritet që në Uashington të shënohet një rekord i ri i reshjeve të dëborës dhe të shkojë deri në 76 centimetra, klasifikuar si më i larti edhe se rekordi i janarit 1922.

Mediat amerikane raportojnë se tetë persona kanë vdekur, gjashtë shtete kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa me qindra fluturime janë anuluar.

***

Më shumë se 3.000 fluturime janë anuluar në të gjithë vendin pasi aeroportet e kanë të pamundur që të vijojnë punën me motin e ashpër që ka goditur vendin, teksa parashikohet që dëbora mund të arrijë edhe në mbi dy metra brenda disa orëve.

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në të gjithë Bregdetin Lindor të Amerikës teksa ajo po përgatitet për të pritur një nga stuhitë më të ashpra në historinë e saj.

Në Washington, DC, dëbora ka arritur mbi një metër dhe autostrada përreth kryeqytetit është bllokuar.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka paralajmëruar se kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi agjencia lëshoi ​​një alarm të kuq për rajonin dhe tha se kushtet atmosferike të orëve të ardhshme mund të jenë të rrezikshme për jetën në pjesën më të madhe të vendit.

Një gjendje e jashtëzakonshme është shpallur në Uashington dhe në pesë shtete: Tennessee, North Carolina, Virginia, Maryland, Pennsylvania. Në Virxhinia, Garda Kombëtare tha se kishte planifikuar për të sjellë 300 trupa ushtarake për të ndihmuar nëse do të ishte nevoja. Kjo është quajtur stuhia monstër.

st1st2st3st4st5

Uashingtoni dhe qytete të tjera amerikane përballë stuhisë së borës

Banorët e bregut lindor të SHBA po përgatiten për të përballuar një stuhi të madhe bore që pritet të vazhdojë deri të dielën në mëngjes.

Dëbora e madhe parashikohet të prekë të paktën 15 shtete, dhe të ketë përmasa historike në Uashington, Baltimorë dhe Nju Jork. Shërbimi sinoptik parashikon 30 deri 90 centimetra dëborë.

Banorët janë paralajmëruar gjithashtu për erëra të forta, ngrica dhe përmbytje në zonat bregdetare. Shqetësime ka sidomos  në qytetet e mëdha, ku edhe një sasi e vogël bore mund të shkaktojë kaos.

Rrugët kryesore janë trajtuar me solucion kripe, ndërsa banorët po nxitojnë për të blerë ushqime në prag të stuhisë. Në dyqane është bërë e vështirë të gjesh kripë për rrugët dhe lopata bore.

“Malli që ka lëvizur më shumë kanë qenë lopatat. Na janë mbaruar thuajse të gjitha, kanë mbetur vetëm tre ose katër,” thotë Derek Station në Virginia.

Drejtuesit e qyteteve po marrin masa për të mos u kapur në befasi dhe po i këshillojnë banorët të bëjnë të njëjtën gjë.

“Tregohuni të arsyeshëm, qëndroni në shtëpi të shtunën edhe nëse duhet të udhëtoni për diku. Hiqini makinat nga rruga sepse kjo ua bën më të lehtë mjeteve që pastrojnë borën. Nëse në rrugë ka makina të parkuara kjo na pengon t’i pastrojmë,” thotë Anthony Santino i qytetit Hempstead të Nju Jorkut.

Disa qytete dhe shtete kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, duke filluar që nga premtja në mbrëmje.

“Përparësia kryesore është siguria e njerëzve,” thotë guvernatori i Merilendit.

Banorët e kryeqytetit janë sidomos të preokupuar, sepse Uashingtoni paralizohet qoftë edhe me pak mot të keq. Mbrëmjen e së mërkurës ra vetëm 5 centimetra borë dhe kjo mjaftoi për të bllokuar shumë makina në rrugët kryesore. Madje kishte njerëz që i braktisën mjetet në anë të rrugës.

Disa banorëve të periferive iu deshën orë të tëra për të arritur në shtëpi. Rrugët ishin të rrëshqitshme dhe kjo u bë shkak për shumë aksidente, duke e detyruar kryebashkiaken Muriel Bowser të kërkonte ndjesë.

Në Uashington, transporti publik do të jetë i mbyllur gjatë stuhisë së dëborës, madje edhe pasi rrugët kryesore të jenë pastruar, dhe trafiku do të jetë i vështirë për një farë kohe.

Zvicër, Davos – John Kerry, thirrje për zgjidhjen e krizës humanitare

Voal – Zvicër, Davos – Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry i bëri sot thirrje bashkësisë ndërkombëtare të dyfishojë përpjekjet për të zgjidhur krizën humanitare nga vala e refugjatëve të luftës dhe për të ndihmuar viktimat e konflikteve duke iu kundërvënë kërcënimit të terrorizmit në rrënjët e problemit.

Në komentet në Forumin Ekonomik të Davosit në Zvicër, Sekretari Kerry njoftoi se Presidenti Obama do të organizojë një takim në Kombet e Bashkuara në Nju Jork në përgjigje të krizës globale të refugjatëve. Synimi do të jetë shtimi i numrit të vendeve që i janë përgjigjur apelit të OKB-së për të ofruar ndihma humanitare dhe për të strehuar familjet në nevojë.

Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar planet për të pranuar 85 mijë refugjatë brenda nëntorit dhe 100 mijë të tjerë vitin e ardhshëm./VOA

2016 – viti kur bota do të mësojë të vërtetën për ekzistencën e UFO’ve

Voal – Pamjet e tilla sa vijnë e shtohen e për njerëzimin pyetjet se a ekzistojnë me të vërtetë këto krijesa, shpeshtohen.

Por kërkuesit e së vërtetës pretendojnë se 2016 mund të jetë viti kur njerëzimi do të mësojë të vërtetën e misterit më të madh në histori.

Deklarata e ish sekretares së SHBA’ve në fund të vitit të kaluar se: ‘Mendoj se ne mund të jemi vizituar tashmë, por nuk e dimë me siguri’, vetëm sa i shtoi dyshimet.

Hulumtuesi i zbulimit të UFO’ve Stephen Basset pohon se viti 2016 do të jetë viti i së vërtetës për  misterin e jashtëtokësorëve, transmeton Express.

Besset pretendon se ka siguruar disa informacione se biznesmeni Laurance Rockefeller ka diskutuar me administratën e Bill Cllinton mbi ‘disponueshmërinë potenciale të informacioneve qeveritare’ për UFO’t.

Rockefeller i ka kërkuar ish-presidentit Bill Cllinton që çështja e UFO’ve të mos mbetet në sirtarët e Qeverisë amerikane ngase populli dëshiron të informohet për këtë të vërtetë.

Të njëjtën çështje e ka ngritur tashmë edhe Basset tek ish-sekretarja Clinton. Thotë se bazuar në ambiciet e saj për të udhëhequr Shtëpinë e Bardhë, do të linte një trashëgimi të admirueshme po të zbulonte të vërtetën rreth UFO’ve.

“Njerëzit kanë humbur besimin në Qeveritë që i trajtojnë ata si fëmijë me listën e gjatë të çështjeve që janë të ndaluara t’i pyesin”, shtoi Basset.

SHBA: Sanksione të reja kundër Iranit për programin raketor

Pamje nga prova e raketës balistike të Iranit në tetor të vitit të kaluar

Shtetet e Bashkuara kanë shpallur sanksione të reja kundër kompanive iraniane dhe individëve të ndërlidhur me programin raketor balistik iranian, një ditë pasi sanksionet e ndërlidhura me programin atomik janë tërhequr.

Sanksione janë imponuar kundër pesë shtetasve të Iranit dhe një rrjeti të kompanive me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kinë, ka njoftuar sot Departamenti amerikan i thesarit.

Ekspretët e Kombeve të Bashkuara në muajin dhjetor kanë raprtuar se prova e raketës balistike me rreze të mesme veprimi në muajin tetor ishte shkelje e sanksioneve, me të cilat Iranit nuk i lejohet lansimi i raketave të afta për bartjen e kokave atomike.

Agjencia Reuters ka raportuar se sipas zyrtarëve të afërt me këtë çështje, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i kishte shtyrë sanksionet për më tepër se dy javë, gjatë negociatave të tensionuara për lirimin e pesë të burgosurve amerikanë.

Joseph Votel, udhëheqës i ri i Komandës Qendrore amerikane

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter, ka njoftuar se gjenerali aktual që i udhëheq operacionet e forcave speciale, do të emërohet në cilësinë e komandantit të radhës për Lindjen e Mesme.

Gjeneral armate Joseph Votel, do ta marrë përsipër udhëheqjen e Komandës Qëndrore amerikane. Në këtë cilësi ai do t’i mbikqyr operacionet ushtarake në Siri dhe Irak kundër grupit militant Shteti Islamik.

Ai do ta zëvendësojë Lloyd Austin, i cili ka mbushur moshën e pensionimit

Carter e ka bërë me dije vendimin në selinë e Komandës Qendrore në Tampa, teksa po qëndronte së bashku me Votel.

Carter ishte në Tampa për tu takuar me komandantët e tij në lidhje me luftën ndaj Shtetit Islamik.

Votel, 57 vjeçar, është një veteran në luftrat e Irakut dhe Afganistanit.

Para se të emërohej në krye të Komandës së Operacioneve Speciale në vitin 2014, ai e ka udhëhequr Komandën e Fshehtë për Operacione Speciale.

SHBA, tri bileta fituese në lotarinë prej 1.5 miliard $

Në Shtetet e Bashkuara është bërë tërheqja për xhekpotin e lotarisë më të madhe në histori, në vlerë prej 1.5 miliard dollarësh.

Ka së paku tri bileta fituese për xhekportin e Powerball, të cilat janë shitur në Los Anxhelos, Tenesi dhe Florida, kanë thënë zyrtarë të lotarisë.

Fituesit mund të tërheqin fitimet e tyre në pagesa vjetore për 29 vjet, ose të zgjedhin ndarjen e shumës prej 930 milionë dollarësh.

Qeveria po ashtu do të marrë një çmim të madh me taksën federale të fituesve prej 39.6%, plus çdo taksë që shtetet e fituesve mund të vendosin.

Presidenti Obama: Amerika do ta shërojë kancerin një herë e përgjithmonë

Presidenti Obama bëri thirrje për përparime më të shpejta në shkencë dhe në zhvillimin e burimeve të pastra të energjisë. Ai tha se SHBA-të mund të bëhen vendi që do të kurojë kancerin një herë e përgjithmonë. “Vitin e kaluar, nënpresidenti Biden tha se me një përpjekje të re si ajo me të cilën u dërgua njeriu në Hënë, Amerika mund të kurojë kancerin. Sonte, unë po shpall një përpjekje të re kombëtare për ta bërë këtë. Meqë Joe Biden ka marrë mbi vete një numër betejash në emër të të gjithëve, ne gjatë një pune 40-vjeçare, do ta vëmë atë në krye të këtij misioni. Për të gjithë njerëzit e dashur që kemi humbur, për familjen që ne ende mund ta shpëtojmë, le ta bëjmë Amerikën vendin që do të shërojë kancerin një herë e përgjithmonë”, tha Presidenti.

Nënpresidenti Joe Biden, i cili, siç e tha presidenti, ka bërë një fushatë të fortë për të mobilizuar një vëmendje më të madhe në luftë ndaj kancerit, pati djalin e tij të madh, i cili vdiq vjet nga një tumor në tru.

Zoti Obama po ndjek shembullin e presidentëve të mëparshëm që me një nismë të fuqishme kanë realizuar ndryshime historike, siç ishte rasti i Presidentit Kennedy dhe deklaratës së tij për të dërguar njeriun në Hënë. Apo Presidenti George W. Bush që ndihmoi Afrikën të vërë nën kontroll epideminë e SIDA-s.

Nisma e Presidentit Obama vjen në një kohë kur shkenca ka shënuar suksese të mëdha jo vetëm në njohjen dhe kontrollin e disa llojeve të kancerit, por edhe në kurimin e plotë të disa prej tyre. Në pjesën e dytë të ciklit mbi luftën kundër kancerit, njihemi me disa nga kurat më premtuese për parandalimin dhe shërimin e kësaj sëmundjeje.

Zv.Presidenti propozoi marrjen e dy masave: 1) Të rriten burimet, si private ashtu edhe publike, për të luftuar kancerin. 2) Të rrëzojmë barrierat dhe të bashkojmë të gjithë studiuesit e kancerit bashkë, që të bashkëpunojnë, të ndajnë informacione dhe ta bëjnë kancerin pjesë të së shkuarës.

Obama në fjalimin tradicional të fundit: SHBA, kombi më i fuqishëm në botë dhe pikë

Presidenti amerikan Obama tha se njerëzit në botë kur kanë probleme të mëdha nuk shikojnë Pekinin, apo Moskën si lider, por shikojnë Uashingtonin

UASHINGTON – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Barack Obama mbrëmë në Kongresin amerikan mbajti fjalimin e tij të fundit tradicional para opinionit lidhur me gjendjen e kombit, gjatë të cilës i bëri thirrje Kongresit në punë të përbashkët me qëllim që SHBA-ja të jetë shteti më i fortë dhe më stabël.

Mandati i Obamës në Shtëpinë e Bardhë skadon këtë vit, andaj fjalimin para Kongresit e filloi me një shaka se do të tentojë që fjalimi i tij i fundit për gjendjen e kombit të jetë më i shkurtër se ata të viteve paraprake.

Ekonomia, politika e jashtme, lufta kundër terrorizmit dhe vlerat amerikane ishin temat kryesore të fjalimit një orësh të Obamës, ndërsa theksoi se ekonomia amerikane gjatë mandatit të tij ka realizuar suksese të mëdha gjatë qëndrimit të tij shtatëvjeçarë në Shtëpinë e Bardhë.

“Besoj në ndryshime sepse besoj tek ju. Për atë shkak qëndroj këtu i bindur se kombi ynë është më i fortë se kurrë”, tha Obama duke i cilësuar si të pabaza kritikat e oponentëve politik të cilët pohonin se ekonomia amerikane po stagnon.

Ulja e papunësisë për 50 përqind dhe ulja e deficitit buxhetor për tre të katërtat i konsideron si një nga sukseset më të mëdha të administratët së tij kur është në pyetje ekonomia.

“SHBA-të momentalisht janë ekonomia më e fuqishme dhe më stabile në botë. Ata që pohojnë se shënojmë rënie ekonomike, në fakt shesin mjegull”, tha Obama.

Ai paralajmëroi se sivjet do të bëhen përpjekje të mëdha për reforma në sistemin administrative, që përfshinë edhe uljen e çmimit të arsimit të lartë dhe vendosjen e vijimit falas të shkollit shtesë dyvjeçarë, me ç’rast mori ovacione në Kongres, kryesisht nga pjesa e rezervuar për përfaqësuesit e radhëve të demokratëve. aa

Prekëse! Biden: Obama më dha para kur kisha djalin sëmurë, se do të shisja shtëpinë! (VIDEO)

Voal – Miqësia mes Presidentit të SHBA-ve, Barack Obama dhe Zv.Presidentit Joe Biden, është mjaft e fortë. Ata drekojnë së bashku çdo javë. Shpesh herë edhe veshin kravatat të ngjashme.

Gjithashtu familjet e tyre shkojnë bashkë në pushime. Obama gjithashtu ka mbajtur fjalimin mortor në varrimin e djalit të Joe Biden, i cili vdiq nga kanceri vitin e kaluar.

Biden tregoi se sa e thellë është miqësia e tyre. Ai nënvizoi në rrëfimin e tij se si Obama i ofroi atij para gjatë sëmundjes së djalit të tij, Beau.

Më pas, Biden tregoi se i tha Presidentit, se duhet ta shesë shtëpinë e tij, sepse i duheshin paratë për shërimin e djalit. Por ai tha se, Obama nuk e përkrahu për këtë.

“Ai u ngrit në këmbë dhe më tha: Nuk do ta shesësh atë shtëpi. Më premto se nuk do ta shesësh shtëpinë”. “Unë do të t’i jap paratë e nevojshme, çfarë do që të duhet, por më premto se nuk do ta shesësh shtëpinë… Mos e bëj Joe… Më premto se nuk do ta bësh”, ka rrëfyer Joe Biden në një intervistë për CNN.

SHBA, amerikanët në kërkim të lotarisë prej 1.3 miliardë dollarësh

Shpërblimi në vlerë prej 900 milionë dollarësh “Powerball” lotari në SHBA ende nuk e ka gjetur pronarin e saj

UASHINGTON – Shpërblimi në vlerë prej 900 milionë dollarësh “Powerball” e lotarisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ende nuk e ka gjetur pronarin e saj. Shuma e shpërblimit në raundin e ardhshëm pritet të arrijë në 1.3 miliardë dollarë, që mund të jetë shpërblimi më i madh në historinë e lojërave të fatit në SHBA. Askush deri tani nuk i ka patur gjashtë numrat e nevojshëm, ndërsa tërheqja e re do të bëhet të mërkurën.

“Powerball” është një nga lojërat e fatit më të popullarizuar në SHBA, ndërsa për të fituar “Jackpot” duhet të “qëllohen” të gjithë gjashtë numrat dhe radhitja e tyre.

Tërheqja do të organizohet të mërkurën dhe të shtunën në mbrëmje.

Sipas statistikave shansi për të fituar është 292.200.000:1. Deri sot shpërblimi më i lartë ka qenë 656 milionë dollarë. Shpërblimin në mars të vitit 2012 e kanë ndarë tre persona.

Florida, 1 person arrestohet për vandalizim të një xhamie

Autoritetet në shtetin jugor të Floridës kanë arrestuar një person të akuzuar për vandalizimin e një xhamie me hanxhar, duke lënë produkte derri në vendin e ngjarjes.

Michael Scott Wolfe, 35 vjeç, u arrestua të hënën në Titusville të Floridës. Ai akuzohet për dëmtim kriminal të një ndërtese kulti, një krim i shkallës së tretë. Është e paqartë nëse ndaj tij do të ngrihen akuza për krim me motive urrejtjeje, i cili shoqërohet me dënime më të ashpra.

Autoritetet thonë se mbrëmjen e 1 janarit, Wolfe hyri në Xhaminë Al-Munin të Shoqërisë Islame të Floridës Qendrore dhe përdori një hanxhar për të thyer dritaret, dritat dhe kamerat.

Ai është akuzuar gjithashtu për vendosjen në derën e përparme të një proshute dhe disa produkteve të tjera prej derri, që janë të ndaluara në fenë islame.

Arrestimi i tij vjen në klimën e shtimit të vandalizmave ndaj xhamive në të gjithë vendin.

Obama ndërmerr hapa për kontrollin e armëve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, do që të zgjerojë kontrollin e biografisë së blerësve të armëve, në përpjekje për të adresuar dhunën me armë.

Planet do të shpallen sot nga presidenti, pavarësisht kundërshtimeve të Kongresit për ligje të reja për armë.

Të gjithë shitësit që operojnë online ose në dyqane do të detyrohen të bëjnë kontrolle të biografisë së blerësve potencialë.

Republikanët i kundërshtojnë fuqishëm këto masa, por presidenti Obama ka thënë se ato do të jenë brenda autoritetit të tij ligjor dhe në përputhje me Amendamentin e Dytë të Kushtetutës, i cili u siguron amerikanëve të drejtën për të bartur armë.

Të hënën, Obama ka marrë rekomandime nga prokurorja e përgjithshme, Loretta Lynch, drejtori i Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), James Comey, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të zbatimit të ligjit.

SHBA – Protestues të armatosur mbajnë të pushtuar një godinë të autoriteteve federale

Protestuesit e armatosur pohojnë se janë rreth 150 qytetarë dhe se në ndërtesën e okupuar do të mbesin derisa Gjykata nuk heq dorë nga paraburgimi i sërishëm i bashkëqytetarëve të tyre Dwighta dhe Steven Hammond

UASHINGTON – Një grup i protestuesve të armatosur tashmë prej dy ditësh mbajnë nën pushtim ndërtesën e autoriteteve federale amerikane në Oregon në shenjë proteste për shkak të një vendimi gjyqësor.

E gjithë kjo situatë ka ndodhur kur dy fermerëve u është vazhduar dënimi me burg të cilin e kanë vuajtur, për shkak të aktvendimit se qëllimisht kanë shkaktuar zjarr në vitin 2012.

Disa mijëra banorë të qytetit Murns në shtetin federal Oregon para dy ditëve u tubuan në demonstrata të qeta në shenjë mbështetjeje ndaj dy bashkëqytetarëve, ndërsa një grup protestuesish të armatosur ka hyrë dhe pushtoi kompleksin e Shërbimit për mbrojtjen e peshqve dhe kafshëve të egra.

Protestuesit e armatosur pohojnë se janë rreth 150 qytetarë dhe se në ndërtesën e okupuar do të mbesin derisa Gjykata nuk heq dorë nga paraburgimi i sërishëm i bashkëqytetarëve të tyre Dwighta dhe Steven Hammond. aa

Presidenti Obama i mbaroi pushimet në Hawaii

Presidenti amerikan, Barak Obama, është kthyer në Uashington pasi që i ka kaluar në Hawaii pushimet e Krishtlindjes.

Këto ishin pushimet e tij të fundit dimërore në cilësinë e presidentit.

Obama për dy javë ka qenduar larg publikut. Ai e ka kaluar pushimin duke luajtur golf me miqtë dhe ka kaluar kohë me familjen e tij.

Ai gjithashtu ka punuar për fjalimin e tij që do ta mban në Kongres më 12 janar.

Fjalimi i tij pritet të fokusohet në sigurinë kombëtare, pas sulmeve të fundit terroriste në Paris dhe në San Bernardino të Kalifornisë.

SHBA – Programi i Vizitorëve Ndërkombëtarë mbush 75 vjet

Për 75 vitet e fundit, udhëheqës dhe profesionistë të rinj nga e gjithë bota, kanë ardhur në Shtetet e Bashkuara, për t’u njohur me kulturën, politikën dhe mënyrën e jetesës amerikane, falë Programit për Udhëheqje të Vizitorëve Ndërkombëtarë. Është një program shkëmbimi profesional organizuar nga Departamenti i Shtetit me synimin për të kultivuar marrëdhënie jetëgjata. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Helena Djordjevic na njeh me këtë program.

Konsulenti argjentinas i biznesit, Ricardo Vanella mori pjesë në Programin e Vizitorëve Ndërkombëtarë në vitin 2010.

Ai është një nga 200 mijë udhëheqësit e ardhshëm të huaj që kanë vizituar Shtetet e Bashkuara që kur Presidenti Franklin D. Roosevelt e krijoi programin në vitin 1940.

Mbi 300 prej tyre, më pas janë bërë krerë shtetesh ose qeverish, përfshirë Margaret Thatchar, Nicholas Sarkozy dhe Felipe Calderon. Të tjerë janë bërë drejtues organizatash joqeveritare dhe të sektorit privat.

Jennifer Clinton drejton një organizatë jofitimprurëse, që menaxhon programin për Departamentin e Shtetit. Ajo thotë se dikur programi ishte tre muaj.

“Me kalimin e kohës është konsoliduar në një program trejavor, por ndikimi dhe përshtypjet që fitojnë pjesëmarrësit nga kjo përvojë, vazhdojnë të jenë shumë mbresëlënëse dhe ndryshojnë thellësisht mënyrën se si ata e shohin Amerikën, popullin dhe kulturën e saj”.

Biznesmeni francez Pascal Dupeyrat mori pjesë në program në vitin 2000, duke u përqendruar tek interneti dhe ekonomia. Amerika që pa ai ishte ndryshe nga ç’e kishte imagjinuar nga filmat dhe televizioni.

“Energjia që ndjeva në këtë vend, vërtet më ndryshoi jetën sepse pas programit, unë vendosa të ngre biznesin tim. Pra ishte një ndryshim I madh në jetën time personale”.

Pjesëmarrësit rrinë një javë më Uashington dhe dy javë në qytete të tjera.

Ricardo Vanella thotë se i ndryshoi mënyrën e të menduarit.

“Sepse takuam shumë njerëz, nga fusha të ndryshme. Do të thoja që pati ndikim edhe nga ana profesionale, pasi jo vetëm zgjerohet botëkuptimi por edhe rrjeti i kontakteve”.

Ndërsa programi festoon 75 vjetorin e tij, Jennifer Clinton thotë se financimi i tij nga Kongresi mund të përballet me vështirësi.

“Një nga prirjet që po prek Shtetet e Bashkuara, është se po ndodh një farë izolimi në mënyrën se si vendosim lidhje me botën, një fare frike nga angazhimi ndërkombëtar”.

Por ajo thotë se me shtimin e ndjenjave anti-amerikane në shumë vende, është më e rëndësishme që t’u krijohet njerëzve nga e gjithë bota mundësia për një përvojë direkte me amerikanët dhe jetën në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Obama u intervistua në shfaqjen e Seinfeld

Presidenti Barack Obama u intervistua nga komediani i famshëm Jerry Seinfeld për sezonin e shtatë të shfaqjes së tij në internet, “Comidians in Cars Getting Coffee”.

Ky episod, i cili u postuar vonë të mërkurën, tregon komedianin të përshëndesë kryekomandantin duke parë përmes dritares së Zyrës Ovale.http://comediansincarsgettingcoffee.com/president-barack-obama-just-tell-him-you-re-the-president

Shfaqja, e cila zakonisht ka si personazh Seinfeldin dhe një tjetër komedian që hipën papritur në makinë dhe shëtisin përreth duke biseduar, ndërsa ndalin për kafe, u zhvillua këtë herë në ambjentet e Shtëpisë së Bardhë.

Seinfeld tha se Obama “ka aq shumë humor sa për t’u kualifikuar” për një emision të vetin.

Në episod, të dy janë në një makinë Corvette Stingray Split të vitit 1963, që Obama e përshkroi si “një makinë të lezetshme.”

Presidenti tha se kur ai ishte fëmijë, një mik i familjes kishte një automjet të ngjashëm dhe se ishte një ëndërr e fëmijërisë së tij ta ngiste një makinë të tillë.

Të dy u ulën për disa minuta dhe biseduan brenda limuzinës presidenciale të njohur si “The Beast”, që Obama e përshkroi si një Cadillac të ndërtuar mbi kornizën e një tanku. Presidenti bëri shaka duke thënë se makina është e pajisur me aftësinë për të porositur një nëndetëse bërthamore, si dhe me ngrohje sediljesh. Pas kësaj Seinfeld u përgjigj se këto të fundit janë “shumë standarde.”

Kur u pyet nga komediani për atë që do të donte të bënte e që aktualisht nuk është në gjendje, Obama tha se do të donte dilte një shëtitje në mëngjes të shtunave dhe të takonte papritur një mik dhe të bisedonte. “Anonimiteti nuk është diçka që vlerësohet sa duhet”, tha Obama.

“Me gjithë respektin që kam,” tha Seinfeld: “Unë e mbaj mend shumë mirë kur nuk isha i famshëm. Nuk ishte aq mirë.”

Në një moment, ndërsa ata po shkonin përsëri në ndërtesë, Obama i jep një pije një anëtari të personelit, dhe thotë me shaka se ishte “një pije që e merrte në mesditë” para se të dy të shpërthenin në të qeshura.

FBI arreston në Nju Jork njeriun që planifikoi të kryejë sulm terrorist natën e Vitit të Ri

FBI ka thënë se një person në Nju Jork, simpatizues i grupit ekstremist Shteti Islamik, është arrestuar nga policia njujorkase pasi kishte planifikuar sulm terrorist gjatë natës së Vitit të Ri.

Sipas njoftimeve, ai planifikonte të kryejë sulm terrorist në një restorant në Nju Jork me thikë, transmeton KosovaPress.

25-vjeçari Emanuel Lutchman u paraqit përpara Gjykatës Federale të enjten, ndaj të cilit ka prova se mbështeste Shtetin Islamik.

Ai ishte konvertuar në Islam, derisa kishte kaluar pesë vjet në burg për plaçkitje, derisa ai dyshohet të ketë edhe probleme mentale. /KosovaPress/

Humbin jetën 4 truproja të Hillary Clintonit

Katër agjentë të shërbimeve sekrete në Shtetet e Bashkuara, përgjegjës për sigurinë e ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton, kanë humbur jetën në një aksident rrugor.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat amerikane, sipas të cilave bëhet fjalë për dy agjentë meshkuj dhe dy femra.

Sipas burimeve, ata po udhëtonin me makinë gjatë një stuhie bore, kur papritur një automjet u ka dalë përpara duke u prerë rrugën.

SHBA: Përmbytje të rënda në disa shtete

Banorët në shtetet amerikane Mizuri dhe Ilinoi po përballen me një nga përmbytjet më të rënda në disa dekada.

Të  paktën 20 njerëz kanë humbur jetët ndërsa qindra shtëpi dhe biznese janë përmbytur nga ujrat.

Një stuhi e madhe solli reshje deri në 30 centimetra në disa zona.  Autoritetet thonë se disa prita janë dalë jashtë funksionit në lumin Misisipi ndërsa disa të tjera rrezikohen ndërsa pritet rritja e prurjeve deri të premten.

Guvernatori i Mizurit ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme ndërsa vazhdojnë operacionet e shpëtimit dhe evakuimit.

Myslimanët amerikanë kundër terrorizmit

Thirrja e fundit kandidatit republikan për president Donald Trump për të ndaluar myslimanët të hyjnë në Shtetet e Bashkuara ka nxitur myslimanët amerikanë që t’i kujtojnë kandidatit favorit republikan se edhe ata do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme. Megjithëse shumë amerikanë pyesin pas çdo sulmi terrorist se pse myslimanët amerikanë nuk dënojnë terroristët që vrasin njerëz të pafajshëm, korrespondenti i Zërit të Amerikës, Anush Avetisyan njofton nga një xhami afër Uashingtonit, se kjo nuk është domosdoshmërisht e vërtetë:

“Ne jemi pjesë e këtij komuniteti në Amerikë. Ne jemi pjesë e shoqërisë dhe historisë amerikane”, – thotë një banor.

Në Shtetet e Bashkuara jetojnë rreth 7 milionë myslimanë, qindra prej tyre luten çdo ditë në këtë xhami në Virxhinia, pranë kryeqytetit të vendit, Uashington. Të premteve, rreth 2000 besimtarë marrin pjesë në lutje. Mes tyre ka emigrantët të rinj, amerikanë të brezit të parë, të dytë dhe të tretë.

Shumë prej tyre, thonë se sulmet e fundit terroriste të organizuara ose të frymëzuar nga Shteti Islamik kanë qenë sfiduese për myslimanët dhe përpjekjet e tyre për t’u integruar në shoqërinë amerikane pas sulmeve të 11 shtatorit, 2001.

Shumë myslimanë të cilët kanë lindur, janë rritur, dhe janë arsimuar në Shtetet e Bashkuara ndjejnë një detyrim për të luftuar përhapjen e ideve radikale në mesin e anëtarëve të komunitetit mysliman.

Anëtarët e Qendrës Islamike të Virxhinias veriore thonë se duhet të bëhen përpjekje për të afruar me komunitetin njerëzit e vetmuar dhe të izoluar që mund të radikalizohen me lehtësi dhe mund të bëhen terrorist:

“Duhet të kemi komunitete gjithëpërfshirëse që bashkojnë të rinjtë, që kanë mesazhe pozitive dhe duhet të sigurohemi që të rinjtë të kenë një vend pune dhe të kenë një rol në shoqëri në mënyrë që ata të mos bëjnë një jetë të ndarë dhe të izoluar”.

“Unë besoj se ne kemi nevojë për më shumë zëra nga komuniteti mysliman, për të treguar solidaritet dhe mbështetje për fenë tonë e cila po keqpërdoret nga grupe të gabuara njerëzish, që nuk kanë lidhje me fenë islame”.

“Grupe të caktuara njerëzish janë duke u përpjekur të përdorin fenë tonë për qëllimet e tyre. Roli ynë është ttë paralajmërojmë komunitetin tonë në përgjithësi dhe amerikanët mbi këtë problem”.

Anketat dhe studimet e viteve të fundit tregojnë se myslimanët u kanë dhënë ndihmë të rëndësishme forcave të zbatimin e ligjit në gjetjen e të dyshuarve për terrorizëm në Shtetet e Bashkuara.

Një studim i organizatës “Pew” zbuloi se afërsisht gjysma e myslimanëve amerikanë thonë se udhëheqësit e tyre fetarë nuk janë duke folur mjaft kundër ekstremizmit islamik.

“Udhëheqësit myslimanë kanë heshtur për një kohë të gjatë. Tani është koha të rimarrim fenë tonë nga njerëzit që e kanë rrëmbyer atë. Mos angazhimi ynë në këtë drejtim po bënë bujë gjithnjë e më të madhe”.

Udhëheqësi i Qendrës Islamike thotë se lutjet dhe të gjitha aktivitetet e xhamisë transmetohen drejtpërdrejt në internet dhe mund të gjenden në faqen e internetit të qendrës, në përpjekje për të arsimuar njerëzit mbi fenë islame.

SHBA e kritikon Rusinë për vrasjen e civilëve në Siri

Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar sërish Rusinë për bombardimet “pa dallim” në Siri, me ç’rast janë vrarë qindra civilë dhe janë rrezikuar bisedimet e paqes.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, tha se raportet e fundit nga grupet joqeveritare që dëshmojnë për vrasjen e qindra civilëve si dhe goditjen nga ajri të objekteve mjekësore, shkollave, tregjeve, etj., janë jashtëzakonsiht shqetësuese.

Ai shtoi se sulmet ku nuk është shikuar se kush mund të jetë goditur, i ka përmendur edhe Sekretari amerikan, John Kerry, gjatë bisedimeve me Ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.

“Ne e kemi parë një rritje të shtuar dhe shqetësuese të numrit të viktimave nga radhët e civilëve që kur Rusia e ka nisur fushatën ajrore”, tha Toner.

Kerry gjatë bisedimeve me zotin Lavrov, sipas Toner, zoti Kerry e ka ngritur shqetësimin edhe për një sulm ajror të javës së kaluar i cili e ka vrarë Zahran Alloushin, një udhëheqës i shquar sirian që ishte angazhuar për bisedimet e paqes.

“Sulmet mbi ata që mund të jenë pjesë e këtij procesi dhe sulmet që vrasin civilë të pafajshëm, minojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje politike”, tha ai.

Toner ka shtuar se shpresojnë që ky rast nuk do të dërgojë mesazh dekurajues tek liderët e tjerë opozitarë të Sirisë të cilët kanë shfaqur gatishmërinë për të marrë pjesë në procesin e bisedimeve për paqe.

Bisedimet, në mes të përfaqësuesve nga qeveria e presidentit sirian Bashar al-Assadi dhe liderëve opozitarë, pritet të fillojnë në muajin janar, ndonëse ende ka shumë pengesa.


Send this to a friend