VOAL

VOAL

Vuçiçi anulon vizitën në Mal të Zi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe patriaku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq anuloi sot një vizitë private të planifikuar në Mal të Zi, pasi dy shtetet fqinje së fundmi kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me një ligj për fetë, të miratuar në Podgoricë, të cilët serbët thonë se diskriminon Kishën Ortodokse Serbe.

Presidenti serb, Vuçiq njoftoi se nuk do të shkojë në Mal të Zi javën e ardhshme, ashtu siç kishte planifikuar, për shkak të shqetësimeve nga zyrtarët malazezë se prezenca e tij do të rriste më shumë tensionet dhe do të rrezikonte pavarësinë e vendit, raporton Associated Press.

“Vendosa që mos të shkoj dhe për këtë vendim u pajtua edhe (patriarku serb) Irinej”, tha Vuçiq.

“Ne respektojmë pavarësinë e tyre”, shtoi ai.

Më herët, Vuçiq kishte deklaruar se do të vizitonte kishat serbe në Mal të Zi në Krishtlindjen Ortodokse që festohet më 7 janar. Zyrtarët në Mal të Zi thanë se vizita e presidentit serb do të rriste më shumë tensionet në këtë vend.

Gjatë një konference për media të mbajtur sot, Vuçiq akuzoi zyrtarët malazezë dhe zyrtarët perëndimorë – ndonëse nuk tregoi se për kë bëhej fjalë – se kishin nisur një “fushatë histerike të gënjeshtrave”, që prej se ai kishte njoftuar se do të udhëtonte drejt Malit të Zi.

Ai tha se po e anulon vizitën për shkak të “përplasjeve” të mundshme që “do të mund të dëmtonin popullin serb në Mal të Zi”.

Mali i Zi u nda nga Serbia më 2006. Një e treta e popullsisë prej 620 mijë banorëve, deklarohen se janë serbë.

Protestuesit serbë kanë thënë se Ligji për fetë, që u miratua muajin e kaluar nga Parlamenti malazez, do të çojë në marrjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe që gjenden në Malin e Zi, por zyrtarët në këtë shtet mohojnë këto pretendime.

Protestuesit serbë kanë kërkuar që ky ligj të anulohet.

Mijëra huliganë kanë djegur flamurin e Malit të Zi dhe kanë sulmuar të enjten ambasadën e Malit të Zi në Beograd.

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq, ka shkruar në Twitter të premten se ajo që ka ndodhur në ambasadën në Beograd ka qenë një sulm ndaj pavarësisë së vendit të tij. rel

Sulmet ndaj ambasadës në Beograd, Mali i zi reagon ashpër: Akt vandal, Serbia të përgjigjet urgjentisht

Kryeministri malazez dhe ministria e jashtme kanë reaguar ashpër pas sulmit ndaj ambasadës së tyre në Beograd. Markoviç thotë se është një sulm i papranueshëm kurse ministria e jashtme i bën thirrje qeverisë serbe që t’i përgjigjet urgjentisht aktit vandal dhe të merren masa ndaj organizatorëve dhe autorëve të aktit.

“Qëndrimi i autoriteteve serbe është befasues. Mali i Zi po përballet edhe një herë me sfidën e mbrojtjes së pavarësisë dhe lirisë. Ne do ta ruajmë Malin e Zi përkundër urrejtjes që ka pllakosur nga të njëjtët aktorë brenda dhe jashtë kufijve të saj,”- tha kryeministri Markoviç.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Serbisë, në përputhje me legjislacionin e saj kombëtar dhe konventat ndërkombëtare, që t’i përgjigjen urgjentisht këtij akti vandal dhe që autoritetet kompetente të ndërmarrin veprime të duhura sa më shpejt kundër organizatorëve dhe autorëve që shkelin sigurinë e ambienteve të Ambasadës së Malit të Zi”, tha më tej ministria.

Ambasada e Malit të Zi në Beograd u sulmua sërish mbrëmjen e së enjtes nga disa mbështetës të Kishës Ortodokse serbe dhe tifozë të Yllit të Kuq. Ata kanë tentuar të djegin flamurin e Malit të Zi duke përdorur mjete piroteknike. Megjithatë raportohet se flamuri është zëvendësuar menjehrëherë mëngjesin e së premtes, bëjnë të ditur mediat malazeze.

Ligji i miratuar javën e kaluar në Parlamentin e Malit të Zi për liritë fetare, ka nxitur shqetësime për marrje të pronës së kishës nga shteti, prandaj ky dokument është kundërshtuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila ende ka pozicion udhëheqës në kishat ortodokse në Malin e Zi. Ky ligj ka nxitur protesta të dhunshme në mesin e malazezëve pro-serbë, zemërim mes serbëve dhe përballje të ashpër fizike në Parlamentin e Serbisë, ku ligjvënësit kanë thënë se Qeveria serbë është duke bërë shumë pak për të mbrojtur Kishën Ortodokse Serbe në Malin e Zi.

Atleti Irfan Domnori prej 7 ditësh i burgosur në Malin e Zi, mikja e tij tregon telefonatën e fundit

Atleti shkodran Irfan Domnori është arrestuar nga policia e Malit të Zi. 

Denoncimin e ka bërë bashkepunetorja e Irfan Domnorit, në shoqatën “Foleja kombëtare shqiptare”, Elida Jorgoni.

Ne nje prononcim per mediat, ajo ka treguar se pasi nuk ka arritur te lidhej dot ne telefon me Irfanin, ka bere denoncim në policinë e Shkodrës për zhdukjen e papritur të tij dhe aty ka mësuar se ai është arrestuar nga malazezët por pa patur një informacion tjeter.

“Irfani kaloi doganen dhe rezulton qe nuk esht regjistruar, kjo eshte per faj te doganiereve! Ai ndodhet ne rrezik pasi ne ate burg ka edhe shume serbe! Apel shtetit shqiptar te reagoje!”- tha Jorgoni.

Herën e parë në gjysmë të muajit nëntor Domnori u ndalua pasi kishte valëvitur flamurin shqiptar në Krajë dhe u gjobit me 300 euro si dhe një muaj për të mos hyrë në Malin e Zi. Pasi ka kaluar një muaj nga ky vendim i Gjykatës së Tivarit, Irfan Domnori është drejtuar sërish për në Malin e Zi për të marrë pjesë në një aktivitet atje dhe përsëri ka qenë me flamurin shqiptar.

Mbajtja e flamurit në një ekspozitë ku ka marrë pjesë atje i ka kushtuar edhe më rëndë 64 vjeçarit sepse policia malazeze e ka arrestuar për të dytën herë dhe ndryshe nga më përpara kur u mbajt për pak kohë tashmë janë bërë 7 ditë që shkodrani ndodhet i burgosur në Malin e Zi.

Një reagim ka bërë edhe ambasada shqiptare në Podgoricë duke bërë me dije se atleti shkodran është në burgun hetues në Shpuzë pasi është dënuar atje me 10 ditë burg.

Daçiç: Minishengenin e propozoi Beogradi, nuk jemi optimistë për taksën e Kosovës, janë kundër pajtimit

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka thënë se Minishengeni Ballkanik është një projekt i propozuar nga Beogradi për të hequr të gjitha barrierat. Ndërkohë ai bën me dije se Kosova nuk është në një linjë me Serbinë dhe Rajonin për të normalizuar situatën por mban ende taksën 100% ndaj mallrave që vijnë nga Serbia.

Sipas tij Kosova me taksën e vendosur ndaj mallrave të Serbisë po tregon se është kundër pajtimit, ndërsa thotë se Beogradi po vepron plotësisht ndryshe duke propozuar Minishengenin për t’i hequr të gjitha barrierat mes dy shteteve.

“Unë mendoj se jem larg nga ajo (vazhdimi i dialogut), sepse institucionet e Kosovës duhet të krijohen. Se a do të krijohen apo jo është një pikëpyetje e madhe. Taksa është një vendim që se ka parë historia, sigurisht që ne nuk e konsiderojmë Kosovën si një shtet tjetër dhe këtu nuk bëhet fjalë për raporte bilaterale por… Beogradi propozon minishengenin, heqjen e të gjitha barrierave, dhe Prishtina vendos taksë 100 për qind. Është totalisht një vendim kundër përpjekjeve për normalizim dhe pajtim në gjithë rajonin. Ne nuk jemi shumë optimist rreth kësaj, por ne do të shohim si do të rrjedh situata. Në çdo rast Serbia do të jetë një faktor konstruktiv”, ka thënë Ivica Daçiq për Kosovo Online, i pyetur se a pret ndryshime të politikës kosovare, heqje të taksës dhe rifillim të dialogut.

Se përmes projektit të minishengenit po bëhet përpjekje për të hequr edhe taksën e ka thënë kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj.

Një deklaratë e tillë e Haradinajt madje ka nervozuar kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, i cili pas takimit me Vuçiçin e Zaevin kishte sulmuar Haradinaj dhe e kishe quajtur gënjeshtar.

Vendi më i ri anëtar, Kroacia kryeson nga sot presidencën e BE-së

Kroacia nga sot do të kryesojë presidencën e BE-së duke pasuar Finlandën. Vendi më i ri anëtar që nga viti 2013, do të kryesojë presidencën e Këshillit të BE-së për herë të parë. Shumë qytetarë të BE-së edhe në Bruksel njohin prej Kroacisë vetëm bregdetin si një destinacion për pushime. Tani qeveria kroate ka rastin të tregojë edhe anë të tjera të vendit, shkruan agjencia e lajmeve DW.

Gjashtë muaj kryesim i presidencës së BE-së për secilin vend anëtar që ofron shansin të prezantohet si organizator i mirë dhe të prezantojë apo të japë drejtimin për temat e ndërlikuara të BE-së. Disa ndër shtetet themeluese të unionit si Luksemburgu e kanë pasur 12 herë në rotacion presidencën e BE-së, gjë që u është kthyer atyre tashmë në rutinë dhe nuk u duhen bashkëpunëtorë shtesë, për organizimin e konferencave. Shtete të tjera të mëdha kanë një imazh më të keq në kryeqytetin e BE-së në Bruksel. P.sh. Britania e Madhe, që në janar do të dalë prej BE-së konsiderohej si kaotike, e paorganizuar mirë dhe me pak frymë krijuese. Gjermania, që është vendi më i madh anëtar i BE-së dhe që e ka radhën në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm të drejtojë presidencën, konsiderohet si e aftë për të realizuar objektivat, por edhe mjaft burokratike dhe pedante. Gjermanët angazhojnë qindra diplomatë shtesë në përfaqësinë e Brukselit, për të menaxhuar me sukses presidencën gjashtë mujore.

Mposhtja e klisheve

E tani Kroacia ka një premierë. Vendi më i ri anëtar që nga viti 2013, do të kryesojë presidencën e Këshillit të BE-së për herë të parë. Shumë qytetarë të BE-së edhe në Bruksel njohin prej Kroacisë vetëm bregdetin si një destinacion për pushime. Tani qeveria kroate ka rastin të tregojë edhe anë të tjera të vendit. Kjo mund të funksionojë, mendon politologia Louisa Slavkova pas presidencës bullgare më 2018, e cila gjithashtu e kryesoi për herë të parë BE-në. „Në varësi se sa i madh është një vend, ia del që të vendosë një apo dy thekse në BE. Përpos kësaj vazhdohet politika e vendit paraardhës në këtë rotacion”, thotë Louisa Slavkova në një intervistë për fondacionin Körber. Bullgaria si presidente e radhës është bërë në qarqe të caktuara më e njohur tek gazetarët, politikanët dhe disa biznesmenë. „Kjo periudhë ka tërhequr vëmendjen ndaj këtij vendi. Ndoshta kjo ndihmon për të kapërcyer disa klishe të përhapura për vendin”, thotë politologia.

Edhe Kroacia mund të arrijë të njëjtën gjë. Se sa i qendrueshëm është ky efekt dhe çfarë influence konkrete ka ndaj turizmit apo investimeve, kjo është e paqartë. Sidoqoftë në përgjithësi vlerësimet e ekspertëve dhe analistëve janë, se periudha e presidencës së një vendi në BE shërben si një platformë e mirë për marrëdhëniet me publikun e vendit përkatës që e kryeson BE-në në rotacion.

Diplomatët dhe nëpunësit kroatë do të drejtojnë qindra mbledhje në Bruksel, por edhe do të përfaqësojnë BE-në në konferenca ndërkombëtare si ajo e Klimës, samite dhe gjatë vizitave në Azi apo Afrikë. Kroacia do të prezantohet sa më mirë dhe të aplikojë për pranimin në zonën Shengen pa kontrolle të lëvizjes së personave. Sigurimi i kufijve dhe kontrolli i migracionit si rrjedhojë do të jenë padyshim pikërëndesa të presidencës kroate.

Ballkani Perëndimor një pikërëndesë
Ministri i Jashtëm kroat, Gordan Grliæ Radman ka marrë përsipër të angazhohet për afrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Ai dp ta verë në lëvizje Francën, që të heqë dorë nga vetoja, me të cilën ka bllokuar zgjerimin e BE-së me hapjen e negociatave të antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo veto e papritur e Parisit në vjeshtë ishte një shok diplomatik për Gjermaninë, BE-në dhe për Kroacinë. „Por edhe një shok i tillë mund të jetë i dobishëm”, tha ministri i Jashtëm Radman në portalin e internetit Euractiv. „Kjo ndoshta ndihmon paksa, që ne të fokusohemi dhe të procedojmë me seriozitet, kur është fjala për vendime konkrete. Ne përpiqemi të forcojmë vetëdijen se sa i rëndësishëm është zgjerimi edhe për BE-në e jo vetëm për vendet fqinjë.” Kroacia do të angazhohet si ndërmjetësuese e ndershme, tha ministri i Jashtëm. Pika kulmore e presidencës kroate do të jetë samiti i zgjerimit më 6 dhe 7 maj në Zagreb, në të cilin duhet të skicohet rruga për daljen nga qorrsokaku.

Kolinda Grabar Kitaroviç i bën paralajmërim të qartë Serbisë

KROACI

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar Kitaroviç, është shprehur se nuk do të vizitojë Serbinë për aq kohës sa ajo nuk do të zbardhë çështja e personave të zhdukur  gjatë luftës në Ish-Jugosllavi.

“Disa procese zhvillohen pas dyerve të mbyllura. Unë kam qenë shumë e qartë kur erdhi për vizitë Vuçiç, në Zagreb për derisa çështja e të zhdukurve nuk ishte adresuar seriozisht, nuk kishim çfarë të diskutonim”, tha Kitaroviç.

E pyetur nëse ajo do të qonte në arbitrazh çështjen e kufirit me Serbinë në fillim të një mandati të dytë të mundshëm, ajo tha se do ta dërgojë në arbitrazh kufirin  e kontestuar me shtetin e Serbisë.

Incident në parlamentin e Serbisë për shkak të Malit të Zi

Në Parlamentin e Serbisë ka ndodhur një incident kur deputetët e opozitës nga partia Dveri, Boshko Obradoviq dhe Ivan Kostiq hynë në sallën e Kuvendit duke mbajtur pankarta në duar në të cilat shkruhej: “Milo, hajdut, nuk t’i japim gjërat e shenjta” dhe “Serbi, pse po hesht?”.

Fjala është për presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq.

Veprimi i deputetëve opozitarë serbë kishte të bënte me faktin se Serbia nuk është përgjigjur ende ndaj miratimit të një ligji për komunitetet fetare në Malin e Zi, i cili ka ngritur shqetësime se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë në pronat që administron.

Deputetët e parlamentit serb kërkuan një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit serb për situatën në Mal të Zi.

Më pas pati një konfrontim fizik me deputetët e shumicës në pushtet.

Obradoviq u ndal para kryesueses së seancës dhe pyeti deputetët “nëse ata mbështesin grabitjen e kishave dhe manastireve serbe dhe arrestimin e deputetëve në Mal të Zi”.

Pastaj atij iu afrua kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Martinoviq, dhe deputetë tjerë të shumicës parlamentare, duke u shkaktuar më pas edhe përleshja fizike.

Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviq, u kërkoi deputetëve të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos përgjigjen ndaj asaj që ajo e quajti provokim nga ana e Boshko Obradoviq.

Ajo gjithashtu kërkoi nga Shërbimi i Sigurisë së Kuvendit të mos reagojë. Seanca më pas u shty por rifilloi shumë shpejt.

Pse po kundërshtohet ligji në Malin e Zi?

Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar një projektligj për komunitetet fetare, i cili është kundërshtuar nga opozita pro-serbe, duke ngritur shqetësimin se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë që ka.

Përgjatë seancës, brenda dhomës së parlamentit janë zhvilluar protesta të dhunshme.

Në orët e para të 27 dhjetorit, ligjvënësit kanë votuar në të mirë të projektligjit, derisa anëtarët e partisë opozitare Fronti Demokratik kanë tentuar të parandalojnë këtë proces.

Rreth 36 deputetë kanë bojkotuar votimin, duke i ofruar koalicionit udhëheqës rrugë të qartë për miratim të projektligjit edhe pas tetë orëve të debatit.

Disa prej ligjvënësve që kanë protestuar janë larguar prej ndërtesës nga zyrtarët për zbatim të ligjit, ndonëse nuk është bërë e ditur nëse ata janë ndaluar.

Gjatë ditës së enjte, qindra mbështetës të opozitës pro-serbe kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Podgoricë për të kundërshtuar projektligjin.

Protestuesit kanë qenë të zemëruar nga kërkesa e këtij dokumenti për të ofruar të dhënat mbi pronësinë që kanë prej para vitit 1918, kur Mali i Zi i është bashkuar Mbretërisë Jugosllave.

Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat, andaj planifikon të dërgojë ankesë në organizatat ndërkombëtare.

Zyrtarët malazezë kanë mohuar supozimin që kisha do të humbasë pronën që ka. rel

Video domethënëse: Vuçiç dhe Sheshel duke shtyrë një Audi

Njihet tashmë e kaluara e Vuçiçit nën Millosheviçin, si njeri i tij, ish-ministër i Informacionit, apo thënë ndryshe i propagandës, në pushtetin e famëkeqit.

Por së fundi, është publikuar dhe një video e viteve të tij me një tjetër famëkeq, të dënuarin për krime lufte Vojisllav Sheshelj, njeriun që sot drejton Partinë Radikale Serbe, si një nacionalist i sëmurë e luftënxitës.

Shumë nga kundërshtarët e Vuçiçit ende dëshirojnë ta kujtojnë atë për marrëdhëniet e tij me një politikan të dënuar me 10 vjet për krime lufte vitin e kaluar.

Eshtë një video e vitit 1996, muaji shkurt, ku të dy, të ftuar në një tubim politik, bllokohen nga bora në rrugë e detyrohen të shtyjnë një Audi 100 me të cilin udhëtonin.

Prapë me Sheshelin në kohën e luftës.

Vulin: Serbia do të zhvillojë stërvitje ushtarake me Kinën

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Aleksandar Vulin, tha se Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO “derisa Aleksandar Vuçiq (president i Serbisë) dhe kjo shumicë parlamentare të jenë në krye të vendit”.

Ai paralajmëroi se Serbia, për herë të parë, do të zhvillojë ushtrime ushtarake me Kinën, gjatë vitit të ardhshëm.

“Ne po bashkëpunojmë me NATO-n, por gjithashtu jemi duke bashkëpunuar me vendet e ish-Bashkimit Sovjetik në kuadër të Traktatit të Sigurisë Kolektive. Këto vende nuk na kërkojnë të heqim dorë nga një pjesë e territorit”, tha Vulin në parlamentin serb.

Ai tha se neutraliteti ushtarak është “i shtrenjtë”, por që nuk ekziston presion nga i cili do të hiqte dorë nga kjo politikë, sepse shtoi ai “ju nuk jeni një vend i lirë nëse dikush tjetër ju ruan qiellin”.

Serbia ka zhvilluar stërvitje ushtarake me Rusinë gjatë muajit tetor.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte deklaruar se është i impresionuar nga ajo që mund të bëjnë sistemet ruse tokë-ajër.

Serbia, e cila është bombarduar nga NATO-ja në vitin 1999 për shkak të dhunës në Kosovë, e kundërshton anëtarësimin në aleancë.

Rusia po ashtu është kundër zgjerimit të NATO-s me vendet e Ballkanit.

Në muajin nëntor, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka nxjerrë një dokument, në të cilin thuhet se marrëdhëniet Serbi-Rusi janë forcuar që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit në vitin 2012. rel

“Pse Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës”, flet kryetari i Unionit Kombëtar rus

Sergey Baburin, kryetar i Unionit Kombëtar rus, ka treguar arsyen e mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

Kryetari i Unionit Kombëtar të Rusisë, Sergey Baburin, ka thënë se Serbia duhet të bëj të njëjtën gjë me Kosovën siç ka bërë Kina në Tajvan.

Sipas tij, njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do t’i ndalte armiqtë e Serbisë, transmeton lajmi.net.

“Nuk fiton më i forti, por ai që shkon deri në fund. Nëse Serbia do të hiqte dorë nga Kosova, nuk do t’i ndalonte armiqtë e popullit serb të hapnin kriza të reja në Vojvodinë apo në Sanxhak, sepse askush nuk ka nevojë për një paqe të vendosur në Ballkan. Është më e lehtë të menaxhosh popujt që janë në konflikt”, theksoi Baburin, raporton Express.

I pyetur nga “Today’s Politcs”, se cila është zgjidhja më e mirë që Serbia duhet ta bëjë për Kosovën, Baburin përmendi shembullin e Kinës, e cila u nda nga Tajvani në vitin 1949, dhe nga shumë shtete të tjera iu kërkua Kinës që ta pranonte, por që asnjë udhëheqës nuk iu bind thirrjeve dhe nuk e pranoi pavarësinë e Tajvanit.

Zgjedhjet presidenciale kroate: Grabar-Kitaroviq dhe Milanoviq në raundin e dytë

Kolinda Grabar- Kitaroviq

Kandidati i qendrës së majtë, Zoran Milanoviq dhe kandidatja e qendrës së djathtë, Kolinda Grabar-Kitaroviq do të garojnë për raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Kroaci, që do të mbahen më 5 janar të vitit të ardhshëm.

Sipas rezultateve jozyrtare të përkohshme në mbi 99 përqind të vendvotimeve të procesuara, Milanoviq fitoi 29.54 për qind të votave, Grabar-Kitaroviq 26.67, dhe kandidati i krahut të djathtë, Miroslav Skoro, 24.44 për qind, duke u përjashtuar nga gara.

Kandidatët e tjerë kishin nën 10 përqind dhe disa nën 1 përqind të mbështetjes.

“Ne po shkojmë në raundin e dytë. Por ne nuk do të luftojmë, luftërat kanë mbaruar. Unë kam thënë që nga fillimi, ne po shkojmë në një ndeshje të civilizuar. Në dy javët e ardhshme, unë do të luftoj për të bindur qytetarët se interesi kroat është të qenit një komunitet i mirë dhe solidar, për të qenë një vend i barabartë”, tha ai.

Ndërkaq presidentja aktuale e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq në fjalimin e saj tha se “tani, ne të gjithë duhet të bashkohemi dhe të shkojmë drejt fitores”.

Sikurse Milanoviq, ajo mbrojti ndaljen e ndarjeve ideologjike.

“Shoqëria jonë është e ndarë ideologjike. Ne kemi nevojë për një luftë për paga më të larta. Ne duhet të japim mundësinë për një Kroaci të zgjuar. Kemi nevojë për optimizëm dhe besim. Ne e dimë se mund të bëjmë më mirë”, tha ajo.

Në zgjedhjet presidenciale në Kroaci, nëse njëri prej kandidatëve merr 50 për qind plus një votë të të gjithë votuesve që dalin në raundin e parë, ai ose ajo bëhet president.

Nëse askush nuk ka fituar më shumë se gjysmën e numrit të përgjithshëm të votave, të dy kandidatët me numrin më të madh të votave në raundin e parë do të hyjnë në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Presidenti kroat zgjidhet për një mandat pesë vjeçar.

Në Kroaci është sistemi parlamentar dhe presidenti ka autorizime shumë të kufizuara.

Sistemi parlamentar hyri në fuqi përmes ndryshimeve në Kushtetutë në vjeshtën e vitit 2000, kur u shfuqizua sistemi gjysëm-presidencial.

Shtetasit malazez i vërtetohet dënimi për krime lufte në Kosovë

Ali Salaj

Gjykata e Apelit në Mal të Zi, vërtetoi të mërkurën vendimin me të cilin shtetasi malazez, Vlado Zmajeviç, është dënuar me 14 vjet heqje lirie për krime lufte kundër civilëve në Kosovë.

Gjykata hodhi poshtë ankesat e avokatëve mbrojtës, duke mbështetur aktgjykimin e shqiptuar në qershor të këtij viti nga Gjykata e Lartë e Podgoricës.

Vlado Zmajeviç, ish-vullnetar në radhët e ushtrisë jugosllave është dënuar për vrasjen e katër civilëve shqiptarë në fshatin Zhegër afër Gjilanit në vitin 1999.

Sipas gjykatës, Vlado Zmajeviç, si pjesëtar i forcave paraushtarake, vrau tre vetë me një armë zjarri si dhe theri një grua me thikë.

Ai i kishte pranuar akuzat gjatë hetuesisë por më vonë i kishte mohuar ato.

Vlado Zmajeviç ishte arrestuar në gusht të vitit 2016, në Nikshiq të Malit të Zi, qytet në kufi me Bosnjën dhe Hercegovinën, nën dyshimet për “krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë më 1999”.

Përfaqësuesi ligjor i familjeve të viktimave, avokati Loro Ndrekiqi i tha Zërit të Amerikës se ky është rasti i parë “që gjyqësori në Mal të Zi jep një vendim përfundimtar për vrasjen dhe trajtimin çnjerëzor të shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë”.

Mirëpo, sipas Ndrekiqit, ky është ndëshkim i butë kundrejt veprimeve të kryera dhe dhunës së ushtruar ndaj viktimave.

“Ky është një ndëshkim i butë për veprat e kryera, pasi bëhet fjalë për viktima civile që janë përkujdesur për familjet e tyre”, tha Ndrekiqi.

Oda e Avokatëve të Malit të Zi dhe shoqatat civile, disa herë e kanë kritikuar gjyqësorin se nuk është i gatshëm dhe nuk dëshiron që të ballafaqohet me të kaluarën.

Në janar të vitit 2014, Gjykata e Lartë e Bjelo Poles në Mal të Zi, pas një procesi gjyqësor që kishte zgjatur disa vjet, liroi nga akuzat 8 pjesëtarë të ish Ushtrisë Jugosllave që akuzoheshin për vrasjen e 15 refugjatëve nga Kosova në fshatin Husaj afër Rozhajës në Mal të Zi në muajin prill të vitit 1999.

Mbi 10 mijë veta u vranë gjatë luftës në Kosovë e cila mori fund më ndërhyrjen e NATO-së për t’u dhënë fund mizorive të forcave serbe.

Prokuroria greke do të ngrejë procedime penale për vrasjen e Kostandin Kacifas. Çfarë kërkon nga autoritetet shqiptare

Zhvillime të reja rreth vrasjes së Kostandin Kacifës në fshatin Bularat më 28 tetor të vitit të shkuar.

 

Mediat greke shkruajnë se Prokurori Publik Konstantinos Simitzoglou ka ngritur një çështje penale për vrasjen e tij, ndërsa një oficer i mjekësisë ligjore do të thirret për të identifikuar “autorët e panjohur” në radhët e forcave të policisë shqiptare që qëlluan në drejtim të tij, shkruan “Zougla”.

Mediat greke pretendojnë se autoritetet gjyqësore dhe policore shqiptare po bëhen pengesë dhe nuk i përgjigjen kërkesave të vazhdueshme të familjes së Kacifas për  një vendim mbi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 35-vjeçarit.

Prokurori grek Simitzoglou kishte marrë një urdhër nga Shefi i Prokurorisë Publike Vangelis Ioannides për të hetuar rrethanat e vdekjes së Konstantinos Katsifas pasi kishte marrë dëshmi dhe prova të dërguara nga Prokurori hetues nga Shqipëria.

Gjithashtu, prokurori grek ka marrë dëshmi nga anëtarët e familjes së tij, si dhe prova nga këshilltari tekniko-ligjor i familjes.

Besohet – ligjërisht – se hetuesi do të kërkojë nga autoritetet shqiptare detaje të policëve të përfshirë në operacion, që çoi në vdekjen e 35 vjeçarit.

Familja Katsifa: Fajtorët të dalin në dritë

Duke komentuar zhvillimet, nëna dhe motra e Kostandinos Katsifas theksuan se ata ishin në pritje për të mësuar të vërtetën për vrasjen e tij.

Duke folur për ANT1, nëna e 35-vjeçarit tha: “Ne duam të dimë pse fëmija ynë u vra. Ai i dha një mesazh për Greqinë dhe Epirin e Veriut. Ata e vranë atë padrejtësisht, ai nuk bëri asgjë. Ai e donte flamurin e kombit. Të zbardhen fajtorët”.

Nga ana e saj, motra e Ermiona Kacifa, foli për vonesa të qëllimshme nga drejtësia shqiptare për të mos thënë të vërtetën, dhe vuri në dukje se familja po priste përgjigje se kush e vrau vëllanë e saj.

/Panorama/

Serbia bëhet me helikopterë të rinj nga Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, inspektoi të premten pranimin e helikopterëve të rinj të forcave serbe, përfshirë edhe katër helikopterë rusë Mi-35.

Në një ceremoni në bazën ajrore në Beograd, ai falënderoi Rusinë për mbështetjen ndërsa lavdëroi helikopterët Mi-35 që sipas tij “nuk kanë asnjë rival në botë”.

Armatosja e Serbisë nga Rusia ka nxitur shqetësime në perëndim dhe në vendet fqinje të rajonit që ende po ripërtërihet nga luftërat e përgjakshme të viteve të 90-ta.

Serbia, ushtria e së cilës bazohet në teknologjinë e armëve ish-sovjetike, ka siguruar nga Rusia vitet e fundit avionë luftarakë MiG-29 si dhe helikopterë, tanke dhe transportues të blinduar.

Ajo aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ruan lidhjet e ngushta me Rusinë dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër saj për shkak të konfliktit në Ukrainë.

Ajo është zotuar se do të qëndrojë jashtë NATO-s, një synim ky i Rusisë e cila nuk e sheh me sy të mirë zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore në Ballkan.

Serbia është mbështetur tek Rusia në refuzimin e saj të vazhdueshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës, e cila shpalli shtetësinë më 2008, nëntë vjet pas përfundimit të luftës me ndërhyrjen e NATO-s që u dha fund mizorive të forcave serbe kundër shqiptarëve.

Serbia gjithashtu varet tek Rusia për furnizimet me gaz natyror dhe kompania më e madhe lokale e naftës, është në pjesën më të madhe në pronësi të Gazpromit rus. zëri i amerikës

Thaçi dhe Haradinaj kundërshtojnë deklaratat e Vuçiçit për Reçakun

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj kanë reaguar pas deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq i cili e quajti masakrën e Reçakut “një trillim”.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në rrjetin social, Twitter tha se “paqja, pajtimi, drejtësia nuk mund të ndërtohet bazuar në mohimin e krimeve”

“Disa zyrtarë nga Serbia mohojnë disa nga krimet më të rënda kundër civilëve që ndodhën në Evropë, sikurse ishte Reçaku, të konfirmuara edhe nga Gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish- Jugosllavi. Politikat serbe të gjenocidit nuk mund të mbrohen”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha përmes një postimi në rrjetin social Facebook, se “është për keqardhje se si Serbia, që konsiderohet si shtet favorit nga BE-ja, vazhdon ta kultivojë urrejtjen etnike ndaj shqiptarëve dhe mohon krimet gjenocidale të saja”.

Të enjten, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se sa i përket Reçakut në vitin 1999 “bëhet fjalë për krim të trilluar, dhe se gjithçka ishte trillim i një mashtruesi, siç është William Wolker”.

“Këtë do ta përseris çdo ditë dhe të shohim se kush do të na gjykojë”, tha Vuçiq.

Ai e bëri deklaratën, pasi u pyet nga gazetarët, që të komentojë dënimin me 2 vjet burg nga ana e një Gjykate në Prishtinë, të ish-ministrit të Administratës dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Kosovës, Ivan Teodosijeviq.

Gjykata e shpalli fajtor politikanin serb për një deklaratë të bërë në mars, me rastin e 20-vjetorit të bombardimeve të NATO-s në caqet e ish-ushtrisë jugosllave – fushatë kjo që i dha fund luftës në Kosovë. Me atë rast, Teodosijeviq tha se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Masakra e Reçakut, njihet si një nga ngjarjet që ka shënuar kthesë në diplomacinë ndërkombëtare në raport me Serbinë dhe Kosovën, duke u paraprirë proceseve që çuan te fushata e bombardimeve të NATO-s kundër caqeve ushtarake të Serbisë.

Vrasja e 45 civilëve shqiptarë nga forcat paramilitare serbe.në Reçak ishte cilësuar “krim kundër njerëzimit” nga ish – shefi i Misionit Verifikues në Kosovë, ambasadori William Walker. rel

Vuçiç: Me Putinin do të diskutojmë edhe për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se sa i përket atij, afera e spiunazhit me Rusinë është çështje e mbyllur pas bisedës me ambasadorin rus në Beograd, Aleksandr Bocan Harchenko.

“Ndërgjegjja jonë është e pastër dhe jam i bindur se ne do të vazhdojmë të zhvillojmë marrëdhëniet më të mira. Nëse rusët kanë ndonjë gjë për të na fajësuar, unë do të doja ta dëgjoja atë”, tha Vuçiq në Soçi të Rusisë, ku të mërkurën do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin.

Më 21 nëntor presidenti Vuçiq, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombetare kishte konfirmuar se Serbia në disa raste ka konstatuar dhe dokumentuar përmes fotografive, video-incizimeve dhe regjistrimeve audio, kontaktet e nënkolonelit, Georgy Kleban, pjesëtar i Shërbimit të Inteligjencës Ushtarake ruse (GRU) dhe anëtarëve të Ushtrisë së Serbisë.

“Kemi fakte edhe për disa pjesëtarë të shërbimeve ruse të sigurisë dhe nëntë pjesëtarë të forcave tona ushtarake”, kishte deklaruar Vuçiq.

Sipas agjencisë Beta, Vuçiq tha se Serbia “gjithmonë do të mbrojë pavarësinë e saj” por se beson në miqësinë me Rusinë.

Vuçiq ka thënë se temat e bisedimeve me Putinin do të jenë Kosova, çështjet rajonale por edhe situata politike në Evropë dhe në botë, si dhe bashkëpunimi dypalësh pas nënshkrimit të marrëveshjes midis Serbisë dhe Bashkimit Ekonomik Euro-azi.

FAMILJA E ALI DACIT NGA RROZHAJA PRET NË SOFREN E TIJ FAMILJARË TË MBETUR PA STREHË NGA TËRMETI NË SHQIPËRI

 

ALI DACAJ: “Ju mirëpres që tani vëllezër dhe motra!”

 

Poeti e publicisti, veprimtari politik e shoqëror, mësuesi i Shqipes në shkollën në Dacaj në komunën Rrozhajë në Mal të Zi, Ali DACAJ- drejtor ekzekutiv i Manifestimit Tradicional Letrar Mbarëkombëtar Poetik “Ora e Maleve” në Rrozhajë; zv/kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve”- gazetë Rajonale, PanShqiptare e Ndërballkanike, i dekoruar me Titullin e lartë “Naim Frashëri” nga Presidenti i Shqipërisë; vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Pejës, shkruan: “Solidarizohem familjarisht që në sofrën e familjes sime të strehoj 10 anëtarë, familjarë të mbetur pa strehë nga tërmeti në Shqipëri. Ju mirëpres që tani vëllezër dhe motra!

Zoti Ali Dacaj nga Dacaj në Rrozhajë (40 km larg nga Peja)  jep për komunikim dhe numrin e telefonit të tij në viber: +38269541939 për të inetersuarit.

Koha Shqiptare njerëzit si Ali Daci i ka të rrallë, i cili është një nga shembujt e mirë që jep inteligjenca e pastër atdhetare kombëtare shqiptare edhe në Malin e Zi, edhe në këtë shtet ballkanik fqinjë.

 

Rali LURA, Tiranë

Mali i Zi miraton Ligjin për simbolet kombëtare, çfarë parashikohet për flamurin shqiptar

Qeveria e Malit të Zi ka miratua sot projekt-Ligjin për Simbolet Kombëtare i hartuar nga Ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Mehmet Zenka.

 

Ky projekt-Ligj do të jetë në rend të ditës për miratim në seancën e parë të Kuvendit të Malit të Zi.

Rreth kësaj, Kryetari i Komunës së Tuzit Nik Gjeloshaj për TV Boin tha se ky projekt-ligj parasheh që flamuri shqiptar të përdoret lirshëm kudo që jetojnë shqiptarët. Megjithatë, duhet thene se përdorimi i simboleve kombëtare garantohet edhe me Ligjin aktual për simbole kombëtare dhe gjithashtu edhe me Kushtetutë, por përdorimi i flamurit shqiptar është sanksionuar përmes Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike.

Rasti i fundit i gjobitjes për shkak të shfaqjes së flamurit shqiptar, ndodhi javën e kaluar në Krajë. Përveç aprovimit të projekt-Ligjit për Simbolet Kombëtare, Qeveria ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të paraqes projekt-ligjin për ndryshim të Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike i cili ishte miratuar nga Parlamenti malazez në vitin 2011.

Vitin e kaluar deputeti Genci Nimanbegu kishte paraqitur projekt-ligjin për ndryshimin e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë Publike, por nuk kishte fituar shumicën e votave të koalicionit parlamentarë. / INA

Vuçiç: Kemi dokumentuar një varg operacionesh të agjentëve rusë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të enjten mbrëma se shërbimet serbe kanë zbuluar një varg operacionesh të zbulimit që përfshijnë agjentët rusë dhe pjesëtarët e ushtrisë serbe.

Ai i bëri këto komente të enjten mbrëma pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare që pasoi publikimin në rrjetet sociale të një video xhirimit ku shihet një agjent i shërbimit rus të zbulimit, duke i dhënë para një zyrtari të shërbimit serb të sigurisë.

Ai tha se video xhirimi nuk është bërë nga Shërbimi Ushtarak serb i zbulimit, i cili ka qenë i njoftuar me ngjarjen që ka ndodhur më 24 dhjetor të vitit 2018, kur “shërbimi ynë i sigurisë kishte siguruar të dhëna se në Zemun, diku rreth orës 18:00 nënkoloneli i pensionuar Z.K do të takohet me nënkolonelin rus Gerogie Kleban”.

Ai tha se dokumentimi nuk ishte i mundur atëbotë meqë aty kishte njerëz të tjerë.

Mund t’ju them se në disa raste kemi konstatuar dhe dokumentuar me foto e video takimet e nënkolonelit Kleban me pjesëtarët e ushtrisë serbe. Vetëm për Klebanin, ndërsa kemi video dhe fotografi të dokumentuara edhe për pjesëtarë të tjerë të shërbimit rus të sigurisë me pjesëtarët e strukturave ushtarake serbe, por vetëm për Georgi Klebanin janë dokumentuar 10 kontakte me tri burime konspirative dhe prej tyre, në tri raste, nënkoloneli Kleban u ka dhënë para pjesëtarëve të Ushtrisë së Serbisë”, tha ai, duke theksuar se Georgi Kleban ishte ndihmës i atasheut ushtarak rus në Serbi dhe nuk është më në territorin e Serbisë.

Kemi dokumente edhe për takime të agjentëve të tjerë me nëntë pjesëtarë të forcave tona të armatosura”, tha ai

Një ditë më parë presidenti serb kishte urdhëruar hetimin e video xhirimit, ndërsa të enjten takoi ambasadorin rus në Beograd, Alexandër Bocan-Harchenko.

I kam bërë pyetje sot, njeriut të jashtëzakonshëm, ambasadorit serioz të Federatës ruse, Alecxandër Bocan Harchenkos; përse? Asgjë më shumë. Nuk kam parë kurrfarë logjike”, tha presidenti serb duke theksuar se Serbia ka marrëdhënie shumë miqësore me Rusinë.

Jam bindur, të paktën kështu mendoj, se presidenti Putin nuk ka qene i informuar për gjëra të tilla”, tha ai duke nënvizuar mbështetjen e Rusisë për integritetin e Serbisë, për pajisjen e ushtrisë së saj dhe mbështetjen në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Serbi, tha ai, “është i vetmi vend që nuk i ka vënë sanksione Federatës Ruse. I vetmi vend që nuk ka votuar kurrë kundër Rusisë në asnjë formë dhe i vetmi vend jashtë Bashkësisë Shteteve të Pavarura apo Unionit Euroaziatik që mban me ta edhe stërvitje ushtarake dhe me asgjë nuk e ka rrezikuar miqësinë me Rusinë”, tha ai.

Presidenti Vuçiç, tha se tërë kjo çfarë ka ndodhur e ka forcuar pozicionin politik të Serbisë e cila do të forcojë neutralitetin saj ushtarak. Serbia tha ai, nuk do të hyjë në NATO por as në ndonjë aleancë tjetër ushtarake.

Presidenti serb pritet të udhëtojë në Moskë me 4 dhjetor për të takuar presidentin rus Vladimir Putin, takimi i tretë gjatë këtij viti.

Tash për tash është e paqartë se çfarë ndikimi do të ketë tërë kjo çfarë ka ndodhur me skandalin e spiunazhit në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.

Të enjten paradite Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se “marrëdhëniet me Serbinë janë partneritet vëllazëror. Asgjë nuk mund t’i dëmtojë ato”.

Më vonë gjatë ditës zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se video xhirimet duhet të shihen si “provokim” që synon ë krijojë “përshtypje të caktuara” para takimeve të rëndësishme.

Serbia mbetet aleate e Rusisë, ndonëse synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian ndërsa shumica e serbëve e shohin Rusinë si mbrojtëse të tyre edhe për shkak të qëndrimit të saj kundër pavarësisë së Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian. zëri i amerikës

Vuçiç takon ambasadorin rus në Serbi lidhur me skandalin e dyshuar të spiunazhit

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u takua të enjten me Ambasadorin e Rusisë në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko.

Serbia po heton njoftimet për një lidhje të dyshuar spiunazhi që përfshin Rusinë, të nxitura nga një video e postuar në mediat sociale, thanë zyrtarët.

Agjensia e inteligjencës ushtarake është udhëzuar të shqyrtojë njoftimet se një agjent i dyshuar i inteligjencës ushtarake ruse është filmuar duke i dhënë ryshfet një anëtari të lartë të shërbimit të sigurimit të Serbisë, tha Kryeministrja serbe Ana Brnabiç.

Videoja e ryshfetit të supozuar ishte postuar në YouTube më 17 nëntor.

Në video një diplomat rus tregohet duke i dhënë një çantë agjentit serb gjatë një takimi në Beograd.

Më vonë, serbi nxjerr një zarf me para nga ajo që duket si e njëjta çantë.

Televizioni shtetëror i Serbisë njoftoi se agjensia serbe e inteligjencës ka konfirmuar vërtetësinë e videos.

Zyrtarët thanë se më shumë informacione do të jenë në dispozicion pas një takimi të enjten në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Serbisë, një organ i lartë i sigurimit të shtetit.

Ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin i tha agjencisë së lajmeve Tanjug se “situata është shumë e rëndë”.

Ai sugjeroi se afera ishte e lidhur me vendimin e Serbisë për të qëndruar ushtarakisht neutrale, pavarësisht se shumica e vendeve në rajonin e Ballkanit po anëtarësohen në NATO. zëri i amerikës

SHBA: Tri media në Mal të Zi dezinformojnë me urdhër të Kremlinit

E ngarkuara me punë në ambasadën amerikane në Mal të Zi, Judy Kuo, tha se tri media që veprojnë në tregun malazez, janë burime manipulimi, dezinformimi dhe të lidhura me qeverinë ruse.

Duke folur në një konferencë në Podgoricë ajo tha se të rinjtë dhe publiku i gjerë janë mjaft të ndjeshëm ndaj informacionit të rrejshëm dhe llojeve të ndryshme të manipulimit nga ana e mediave.

“Kush është burimi i këtij informacioni për publikun malazez? Mund të përmend disa kontribues kryesorë: ‘Sputnik’, i cili është direkt nën qeverinë ruse, portale në internet si ‘IN4S’ dhe ‘Borba’ të cilat janë të lidhura ngushtë me direktivat që vijnë nga Kremlini. Këto portale dhe disa ‘shtëpi mediale’ rajonale dhe lokale – nuk mendoj në ato që janë me të vërtetë media – janë mjaft aktive dhe shumë të koordinuara. Këto fushata kanë për qëllim të joshin publikun, të krijojnë rrëmujë dhe të krijojnë probleme në shoqëri dhe midis vendeve”, deklaroi ajo.

Diplomatja amerikane përmendi shembullin, kur mediat “me qëllim prezantuan histori të sajuara për krijimin e bazave të NATO-s në Mal të Zi duke pretenduar se Mali i Zi mori pajisjet ushtarake për t’i përdorur kundër Serbisë dhe Rusisë”.

“Sipas nesh, qëllimi i publikimit të gënjeshtrave të tilla, është të krijohet një klimë anti-NATO në Mal të Zi dhe ndasi mes njerëzve. Kjo është vetëm njëra anë e perspektivës së një fushate mirë të koordinuar, të udhëhequr nga Rusia, e cila gjithashtu përfshin mashtrimet kibernetike”, tha diplomatja Kuo.

Ajo deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë investuar në nisma që mbështesin përpjekjet e Malit të Zi, për të luftuar fushatat e dezinformimit. rel

Kroacia përkujton masakrën e Vukovarit

Vukovar

Viktimat e masakrës së Vukovarit të vitit 1991 u përkujtuan në përvjetorin e 28-të, raporton Anadolu Agency (AA).

Vukovari, një qytet që ndodhet në afërsi të Serbisë përgjatë lumit Danub, ishte skenë e luftimeve të ashpra pas shkëputjes së Kroacisë nga Jugosllavia e atëhershme.

Ushtarët e Jugosllavisë bashkë me forcat paramilitare serbe e kanë mbajtur qytetin e Vukovarit nën rrethim për 87 ditë. Në këto ditë, në qytet ranë më shumë se 11.000 bomba dhe qyteti kaloi në duart e forcave serbe më 18 nëntor të vitit 1991.

Mijëra qytetarë dhe zyrtarë kroatë morrën pjesë në ceremoninë përkujtimore në Vukovar.

Në mesin e tyre ishin edhe presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç, kretari i Parlamentit, Gordan Jandrokoviç dhe kryeministri Andrej Plenkoviç, të cilët morrën pjesë në ceremoninë para spitalit ku u trajtuan të plagosurit, i cili është simbol i masakrës së Vukovarit.

Në fjalimin e tij, Jandrokoviç tha se në Vukovar kishte edhe epikë heroike, edhe tragjike. Ai theksoi se ata që u vranë në Vukovar, kanë sakrifikuar jetët e tyre për të mbajtur gjallë Kroacinë sot.

Kryeministri Plenkoviç tha se Vukovari meriton një respekt të veçantë.

Gjatë ceremonisë, u mbajt një marsh përkujtimor nga spitali deri te varrezat përkujtimore, ku u varrosën viktimat e masakrës. Të afërmit e viktimave dhe qytetarët vendosën lule te varrezat.

Është përllogaritur se mbi 3.000 persona, kryesisht kroatë, u vranë dhe mijëra të tjerë u mbajtën nëpër kampe.

Gjatë rrethimit, qyteti praktikisht u rrafshua.

Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish Jugosllavinë (ICTY) për masakrën ndaj civilëve të qytetit ka dënuar me burg zyrtarët e ushtrisë së ish Jugosllavisë Mile Mrkshiç (10 vite) dhe Veselin Sljivançanin (20 vite).

Pas luftës, Vukovari u vendos nën administrim të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe u riintegrua si pjesë e Kroacisë në vitin 1998.

Pushtimi serb, i cili filloi pas rrethimit, zgjati deri më 15 janar të vitit 1998, përderisa u kryen shumë krime të luftës kundër të plagosurve dhe të punësuarve në spitalin e Vukovarit.

Sipas spitalit të Vukovarit, të paktën 1.624 njerëz u vranë, rreth 7.000 të tjerë u dërguan në kampe përqendrimi, ndërsa rreth 22.000 banorë jo-serbë, kryesisht kroatë, u dëbuan nga qyteti.

Kufomat e rreth 500 personave të vrarë në Vukovar nuk janë gjetur akoma.

Vuçiçi del nga spitali pas problemeve në zemër

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka dalë nga spitali, ku ishte shtruar për shkak të problemeve në zemër, raportoi transmetuesi publik serb, RTS.

Sipas burimit të njëjtë, gjendja shëndetësore e Vuçiqit është stabile.

Zyra e tij ka thënë se presidenti është shtruar në spitalin ushtarak të Beogradit më 15 nëntor, si pasojë e “problemeve kardiovaskulare”.

“Mjekët ia kanë shpëtuar jetën të premten”, ka thënë ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar.

“Kur është pranuar, është vlerësuar se jeta e tij është në rrezik”, ka shtuar ai.

Vuçiq, 49-vjeçar, ka thënë se do të kthehet në punë ditën e hënë.

Kjo është hera e parë që zyrtarisht zbulohet se Vuçiq vuan nga problemet në zemër.

Ai është president i Serbisë që nga viti 2017 dhe është përballur me akuzat për frenimin e lirisë së mediave dhe të demokracisë. rel

Presidenti serb shtrohet në spital me probleme shëndetësore

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, është shtruar mbrëmjen e së premtes në spital për shkak të problemeve me zemrën.

Në një njoftim të zyrës së tij, thuhet se ai u shtrua në Akademinë Ushtarake Mjekësore për shkak të problemeve kardiovaskulare dhe se gjendja e tij është e qëndrueshme.

Presidenti 49 vjeçar, po mbahet në spital për shkak të kujdesit të mëtejshëm.

Aleksandër Vuçiç, një ish ultra nacionalist që pohon të jetë shndërruar në një reformator pro evropian, ishte pjesë e Partisë Radikale Serbe të drejtuar nga ultra nacionalisti Vojislav Sheshel deri në vitin 2008.

Gjatë luftës në Kosovë, ai kishte shërbyer si ministër për informim në qeverinë e ish presidentit serb, Sllobodan Millosheviç, i cili vdiq në vitin 2006 derisa po gjykohej për krime lufte dhe gjenocid në hapësirat e ish Jugosllavisë.

Aleksandër Vuçiç u bë kryeministër i Serbisë në vitin 2014, ndërsa në vitin 2017 u zgjodh president i saj.

Partia Përparimtare Serbe e drejtuar prej tij është në pushtet që nga viti 2012.

Serbia e mbështetur nga Rusia kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur më 2008. zëri i amerikës

Mali i Zi refuzon propozimin për “mini Shengenin” e Ballkanit

Ministrja e ekonomisë e Malit të Zi Dragica Sekuliç tha të hënën se bashkimi për t’iu bashkuar nismës “mini Schengen” për shtetet e Ballkanit e propozuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia do të ishte një humbje energjie sepse vendi i saj tashmë “i ka hapur kufijtë e tij” dhe se ka hequr barrierat tregtare për fqinjët e saj.

Ajo tha se Mali i Zi është një anëtar i CEFTA, Marrëveshja e Tregtisë së Lirë e Europës Qendrore, një iniciativë rajonale për vendet e Ballkanit Perëndimor që garanton qarkullimin e lirë të njerëzve të mallrave.

“Unë i kuptoj nismëtarët. Këto janë vende që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri-tjetrit, mund të ketë nevojë për një iniciativë të re për të premtuar përsëri se ata do të bëjnë atë që ne e kemi bërë prej kohësh”, tha Sekuliç në televizionin publik malazez.

Ajo gjithashtu tha se qytetarët malazezë tashmë po udhëtojnë duke përdorur vetëm kartat e tyre të identitetit si një dokument për të gjitha vendet e rajonit, përveç Kroacisë.

Në një samit në Ohër në Maqedoninë e Veriut më 10 nëntor, kryeministri shqiptar Edi Rama, homologu i tij i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u angazhuan të punojnë së bashku për të hequr pengesat në lëvizjen e mallrave dhe njerëzve midis tre vendeve të Ballkanit.

Ata gjithashtu ftuan vendet e tjera të Ballkanit t’i bashkohen kësaj nisme.

Pas takimit Zaev tha që zona “mini Schengen” do të ndihmojë në rritjen ekonomike dhe investimevet e huaja.

Rama i bëri thirrje Malit të Zi dhe Bosnjës dhe Hercegovinës që të bashkohen me këtë proces, por përsëriti që Kosova gjithashtu duhet të përfshihet.

Por presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha në një mesazh në Facebook se “rruga e vendit drejt anëtarësimit në BE dhe NATO nuk mund të zëvendësohet nga asnjë iniciativë rajonale”.

Ai gjithashtu tha se nisma “nuk ka kuptim për sa kohë që Serbia dhe Bosnja nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”.

Samiti i Ohrit erdhi disa javë pasi Bashkimi Europian më 15 tetor nuk arriti të japë dritë jeshile për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, duke goditur përsëri shpresat e vendeve të Ballkanit për një proces të shpejtë pranimi./BIRN

Republika Serbe miraton masat që parashohin vetëvendosjen

Parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjës, ka miratuar masat jo detyruese që hedhin poshtë kompetencat e zyrtarit të lartë civil të Bashkësisë Ndërkombëtare në Bosnjë-Hercegovinë dhe të cilat bëjnë thirrje për një referendum mbi anëtarësimin e Bosnjës në NATO.

Masat e miratuara, ishin pjesë e një pakete prej rreth 20 të ashtuquajturave “përfundime” të votuara nga ligjvënësit serbë të Bosnjës pas një seance maratonë 15-orëshe.

Përfundimet u propozuan nga shumica qeverisëse e udhëhequr nga Unioni i Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), i kryesuar nga Millorad Dodik, anëtar serb i presidencës tre-palëshe të Bosnjës.

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnjë dhe Hercegovinën – zyra e së cilit u krijua në 1995, pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në Dejton që i dha fund luftës në Bosnje- ka autoritetin për të shkarkuar politikanët dhe të drejtën për të vënë veto ndaj ligjeve tjera.

Përfaqësuesi i Lartë, aktualisht është diplomati austriak, Valentin Inzko, i cili mbikëqyrë zbatimin civil të Marrëveshjes së Dejtonit.

Kompetencat e Përfaqësuesit të Lartë janë kritikuar nga serbët e Bosnjës për shkak se nuk ofrojnë mundësi për të apeluar vendimet e tij, të cilat kanë efekt të menjëhershëm.

Që nga fillimi i punës së saj, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë ka shkarkuar një numër zyrtarësh, përfshirë gjyqtarë, shërbyes civilë dhe deputetë të parlamentit.

Njëzet përfundimet e miratuara, përfshijnë edhe një pikë që flet për të drejtën e njerëzve për vetëvendosje, por edhe një tjetër që njofton për mundësinë e një kushtetute të re të Republikës Serbe, e cila, siç thuhet, do të shpallet nga qytetarët përmes referendumit.

Megjithëse nuk janë ligjërisht të detyrueshme, masat e miratuara nga ligjvënësit serbë të Bosnjës, janë sinjal i pozicionit të shumicës parlamentare serbe të Bosnjës.

Përfundimet tjera të miratuara nga ligjvënësit, përfshijnë riafirmimin, se Republika Serbe ka autoritetin e vetëm për të vendosur mbi statusin e saj të ardhshëm.

Pothuajse 25 vjet pas përfundimit të luftës në Bosnje, e cila rezultoi me rreth 100,000 njerëz të vrarë, vendi mbetet etnikisht i ndarë midis myslimanëve, serbëve dhe kroatëve.

Mosmarrëveshjet për raportet e vendit me NATO-n kanë penguar formimin e një qeverie të re, një vit pas zgjedhjeve të përgjithshme.

Formimi i një qeverie boshnjake ka ngecur kryesisht sepse anëtari i presidencës tre-palëshe, Millorad Dodik, që njihet si pro rus, ka refuzuar lidhjet më të ngushta me NATO-n. rel

Turqi, përkujtohet 81-vjetori i ndarjes së Mustafa Kemal Ataturkut nga jeta

Ankara

Udhëheqësi dhe themeluesi i Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, përkujtohet në 81-vjetorin e ndarjes nga jeta me një ceremoni shtetërore të zhvilluar në mauzoleun Anıtkabir në Ankara, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarë të lartë të shtetit të Turqisë nën kryesimin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan kanë vizituar mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut “Anıtkabir” në Ankara me rastin e 81-vjetorit të ndarjes nga jeta të udhëheqësit dhe themeluesit të Republikës së Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk.

Presidenti Erdoğan në mauzoleun e Ataturkut pasi vendosi kurorën me karafila të bardhë dhe motivet me hënë dhe yll ka mbajtur një minutë heshtje në përkujtim në orën 09:05 sipas kohës lokale, ora në të cilën ka ndërruar jetë 81 vite më parë Ataturku ndërsa më pas u intonua himni kombëtar.

Gjatë qëndrimit të nderit flamuri turk u ul në gjysëm shtizë.

Në librin e veçantë të shënimeve Erdoğan ka shkruar:

“Sot në 81-vjetorin e ndarjes nga jeta të veteranit Mustafa Kemal Ataturk, përkujtojmë edhe një herë personalitetin e tij si kryekomandant i luftës sonë për pavarësi, si themelues të Republikës sonë dhe si presidenti ynë i parë. Në zemrën e popullit tonë do të jetojnë gjithmonë kujtimet e shenjta të të gjithë dëshmorëve dhe veteranëve tanë që luftuan për një mijë vjet për ta bërë këtë territor një atdhe për ne me të ndjerin Ataturk dhe shokët e tij të armëve. Ne do të vazhdojmë të punojmë me gjithë fuqinë tonë për ta forcuar, zhvilluar dhe për ta mbajtur gjallë gjithmonë Republikën tonë të cilën e kemi amanet tuaj. Shpirti juaj qoftë në paqe”.

Në ceremoni Erdoğan, gjatë vizitës së Mauzoleumit të Ataturkut ishte i shoqëruar nga nënkryetarët e Parlamentit të Turqisë, Süreyya Sadi Bilgiç, anëtarë të Kabinetit Presidencial të Turqisë, kryetari i partisë CHP, Kemal Kılıçdaroğlu, kryetarja e Partisë së Mirë (IYI), Meral Akşener, përfaqësues të lartë gjyqësor, komandantë të forcave dhe zyrtarë të tjerë shtetërorë e përfaqësues të tjerë të partive politike.

Në fund të ceremonisë, Mauzoleumi u hap për vizita edhe për qytetarët.

Ushtria serbe i zbulon pllakë gjeneralit që udhëhoqi sulmin në Vukovar

Pllaka përkujtimore për ish-komandantin serb, Mlladen Bratiq.

Një pllakë përkujtimore për komandantin e korpusit të Novi Sadit të ish-ushtrisë jugosllave, Mlladen Bratiq, i cili ka udhëhequr sulmin në Vukovar të Kroacisë, u zbulua të premten në kompleksin e ushtrisë serbe në Novi Sad.

Bratiq ka vdekur në fillim të nëntorit, 1991, në Kroaci.

Në zbulimin e pllakës, gjenerali serb, Zoran Naskoviq, tha se ushtria serbe “me krenari i kujton të vrarët në konflikt”.

Kryetari i Qeverisë së Vojvodinës, Igor Miroviq, i cili e inicioi vendosjen e pllakës, tha se ajo është kujtim për “më të guximshmit në komunitet”.

Në pllakën përkujtimore, përveç emrit të Mlladen Bratiqit, thuhet po ashtu se ai “vdiq në misionin e luftës, më 4 nëntor, 1991”, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Ministria e Jashtme e Kroacisë i dërgoi notë proteste Serbisë.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, ushtria jugosllave, gjatë rrethimit të Vokovarit, ka përdorur artileri të rëndë dhe ka vendosur atje rreth 15,000 ushtarë.

Vukovari i shkatërruar është rikthyer nën kontrollin kroat në nëntor të vitit 1991, pas një rrethimi prej gati tre muajsh. rel

Gjuriç: “Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës nuk do të jenë pjesë e qeverisë së re”

Beograd

Përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës deklaruan se nuk do të marrin pjesë në çfarëdo qeverie të Prishtinës, apo në ndonjë koalicion i cili nuk pranon vullnetin legjitim të popullit serb, i cili 96 për qind u përcaktua për Listën Serbe, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas takimit në Beograd, drejtori i zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç tha se “Serbët e Kosovës nuk pranojnë që Albin Kurti apo kushdo qoftë tjetër të caktojë përfaqësuesit e tyre në qeverinë e ardhshme, vetëm nëse nuk dëshmon dhe tregon se është i gatshëm për një kthesë prej 180 shkallë nga ajo që ka ndodhur në periudhën e kaluar”.

“Serbët në Kosovë nuk pranojnë stausin e qytetarëve të dorës së dytë. Në rast të presioneve të reja mbi institucionet serbe, përfaqësuesit serbë do të jenë të gatshëm të lënë të gjitha institucionet e përkohshme dhe do të zbatojnë në solidaritet të gjitha masat e rezistencës jo të dhunshme”, tha Gjuriç.

Lista Serbe në zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit arriti të sigurojë 57.015 vota apo 6.754 për qind.

Serbia do të pajiset me sistemin raketor rus përkundër sanksioneve amerikane

Beograd

Rusia do ta furnizojë Serbinë me sistemet e mbrojtjes ajrore Pancir-S brenda disa muajve të ardhshëm në përputhje me marrëveshjen e nënshkruar, njoftoi agjencia shtetërore serbe e lajmeve Tanjug, transmeton Anadolu Agency (AA).

Matthew Palmer, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, më herët ka paralajmëruar Serbinë se blerja e armëve ruse mund të shkaktojë vendosjen e sanksioneve nga ana e Washingtonit.

Sipas Tanjug, sistemet e mbrojtjes ajrore Pancir-S, sisteme raketore dhe anti-ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme veprimi, planifikohet të dorëzohen në Serbi brenda disa muajve.

Alexander Mikheev, kreu i kompanisë zyrtare ruse për eksportimin e armëve Rosoboronexport, ka thënë se nuk do të ketë vonesa në dërgesat dhe gjithçka po vijon siç është planifikuar.

“Marrëveshja do të zbatohet brenda disa muajve të ardhshëm dhe Rusia do të fillojë dorëzimin pas trajnimit”, ka thënë Mikheev.

Sipas tij, trajnimi i ekspertëve serbë është duke vazhduar.

Ndërkaq, ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin ka deklaruar se sistemi raketor është garantuesi i paqes afatgjate në rajon.

Sipas agjencisë serbe, qëllimi i blerjes së sistemit raketor është mbrojtja e pikave kritike, siç janë aeroportet, komanda dhe qendrat e kontaktit, nga sulmet e mundshme me avionë, helikopterë dhe dronë.

Siç thuhet, sistemi raketor “Pancir S-1” është përdorur me sukses në Siri.

“Pancir S-1” u ekspozua së bashku me sistemin raketor “S-400” gjatë një stërvitjeje ushtarake në Serbi në muajin tetor.

Turqia arreston motrën e Abu Bakr al-Bagdadit

Turqia tha se ka arrestuar të motrën e udhëheqësit të vrarë të organizatës Shteti Islamik Abu Bakr al-Bagdadi në Sirinë veriperëndimore.

Agjencitë e lajmeve Reuters dhe Associated Press citonin një zyrtar të lartë, sipas të cilit 65 vjeçarja Rasmiya Awad u gjet gjatë një bastisjeje më 4 nëntor pranë qytetit Azaz, të kontrolluar nga Turqia në provincën Alepo.

Sipas zyrtarit, Awad u gjet në një banesë-rimorkio ku jetonte me të shoqin, gruan e djalit dhe pesë fëmijë.

Zyrtari turk tha se Awad mund të jetë një “minierë informacioni” për autoritetet e zbulimit.

Pas vdekjes së al-Bagdadit muajin e kaluar, një person i quajtur Abu Ibrahim al-Hashemi al-Kurejshi u emërua udhëheqësi i ri i grupit ekstremist. zëri i amerikës

Libri shqiptar për Bosnjën promovohet në Sarajevë

 

Libri i ri “Bosnja: Nje pikepamje nga Tirana” i diplomatit të shquar shqiptar Shaban Murati u promovua ne Sarajeve nga “Qendra ballkanike e analizave dhe studimeve”. Merrnin pjese personalitete te jetes kulturore, akademike e politike te Sarajeves, studjues, studente, perfaqesues te trupit diplomatik dhe te mediave lokale dhe nderkombetare me seli ne kryeqytetin boshnjak.
Ndodhej dhe ambasadori i Bosnje-Hercegovines ne Shqiperi, Sh.T.Z.Nusret Cancar, ambasadori i Maqedonise se Veriut ne Sarajeve, Sh.T.Z.Ekrem Ebibi, konsulli i nderit i Shqiperise ne Bosnje dhe ish ambasador i Bosnje-Hercegovines ne Shqiperi, z.Muharrem Zejnullahu, etj.
Fjalen kryesore e mbajti ish Kryeministri i Bosnje-Hercegovines, z.Edhem Bicakcic, i cili theksoi se libri i ambasadorit Shaban Murati eshte nje ngjarje e rendesishme kulturore dhe kontribut i madh ne bashkepunimin midis dy popujve. Ai analizoi me hollesi vlerat e librit per Bosnjen dhe tha se libri ndricon te vertetat e ceshtjes boshnjake nga kendveshtrimi i rendesishem shqiptar dhe perben nje dokument te ri shume te vlefshem per gjithe diplomatet dhe studjuesit, qe merren dhe do te merren ne te ardhmen me ceshtjen boshnjake.
Dr.Sedat Beshlija, drejtor i departamentit te studimeve ne “Qendren Ballkanike te analizave dhe studimeve” ne fjalen e tij u ndal ne vlerat shkencore te librit dhe nenvizoi se libri behet nje reference e nevojshme per studimet dhe studjuesit e temes boshnjake.
Ne promovim pershendeten edhe kryetari i Fondacionit “Alsar” z.Mehdi Gurra, dhe kryetari i Shoqates “Tirana”, z.Arben Tafaj, te ftuar ne promovim nga “Qendra Ballkanike e analizave dhe studimeve”.

Ndryshimet në ligj- Fatos Malaj: Cilat janë penalizimet që do të kenë emigrantët shqiptarë në Greqi

Voltiza Duro



Të gjithë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në Greqi do të penalizohen nga vendimet më të fundit të qeverisë greke mbi riplanizimin e gjithë subvencionimeve dhe kompensimeve sociale që jepen kryesisht për shtresat në nevojë. Zëvendësministrja e punës në shtetin helen, Domna Mihailidou ka bërë me dije se 90% përfituesve të këtyre subvencionimeve janë grekë e më tej ka paralajmëruar se po shqyrtohet rritja e kohës së qëndrimit të ligjshëm, si kusht që të përfitojnë edhe ata disa nga subvencionimet.

“Për qytetarët nga vendet e treta, që banojnë në Greqi, punojnë në mënyrë të ligjshme, paguajnë kontributet për sigurime shoqërore, paguajnë taksat dhe kanë një adresë të përhershme në Greqi, po shqyrtohet që të rritet koha e qëndrimit të ligjshëm, nga pesë, në dhjetë vjet. Kështu që të garantohet se për një sërë vitesh ata mund të kontribuojnë në sistemin e sigurimeve shoqërore dhe sistemin tatimor të vendit. Të dëshmojnë që ashtu siç marrin nga kontributet dhe përpjekjet e bashkëqytetarëve grekë, kështu edhe japin”,- tha Mihalidou.

Reagimet nga Arogi

Në një prononcim për ‘Gazeta Shqiptare’, Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në Ministrinë e Emigracionit në Greqi, njëkohësisht drejtues i Shoqatës së Emigrantëve “Arogi-Përkrahja” dënoi këto vendime dhe theksoi se deklaratat e bëra nga përfaqësuesit grekë janë diskriminuese. “Këtu zëvendësministrja ka bërë një faull të rëndë. Dashur pa dashur, ka mbajtur ison e atyre zërave kryesisht nga ekstremi i djathtë, që tash 30 vjet bërtasin se emigrantët përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga sakrificat e grekëve, marrin punët e grekëve, e kështu me radhë.

Në fakt, secili prej jush e di shumë mirë që e vërteta qëndron krejt ndryshe. Dhe emigrantët kontribuojnë në sigurimet shoqërore dhe tatimet greke, të paktën që nga viti 1998, pra që atëherë kur nisën të legalizohen. Na duket e çuditshme që zëvendësministrja e punës mos ta dijë që emigrantët kërkohet të përmbushin një sërë kushtesh, me qëllim që të rinovojnë lejen e qëndrimit. Duhet që çdo vit të deklarojnë të ardhurat e tyre – të ardhura që shtohen me 10-15% për çdo fëmijë që kanë në ngarkim, si dhe të dhe të paguajnë tatimin që iu takon”,-thekson Malaj për GSH. Më tej ky i fundit shton se emigrantët shqiptarë kanë paguar deri në 6 miliardë euro kontribute nga xhepi për shtetin helen. “Nuk mund të rinovosh lejen e qëndrimit nëse nuk ke një numër të caktuar ensimash.

Dhe këto ensima, në 10-15 vitet e para shumica dërrmuese emigrantëve i paguanin nga xhepi, pasi punëdhënësi nuk ua ngjiste ensimat, gjë që e kishte detyrim. Siç e kishim përllogaritur para ca muajsh, bëheshin gjithsej rreth 6 miliardë euro, që shqiptarët në Greqi kanë paguar NGA XHEPI, vetëm për sigurimet shoqërore. Pra, që ta lidhim me fjalët e zëvendësministres, shqiptarët kanë marrë me pikatore dhe kane dhënë me kova për sigurimet shoqërore… Një ndarje e tillë e emigrantëve nga vendasit, është e gabuar, qoftë në pikëpamje ideologjike, për një qeveri të qendrës së djathtë. Por edhe në pikëpamje praktike, siç e pamë me kontributet që shqiptarët kanë paguar ndër vite”,-nënvizon ndërmjetësi ndërkulturor. Malaj gjithashtu tregon se çfarë do të ndodhë me ata bashkatdhetarë që presin me veveosin në dorë nga dy e tre vjet e nëse vite në Greqi do t’iu llogariten si periudhë qëndrimi të ligjshëm, kur t’iu kërkohet dhjetëvjeçari, apo do të shkojnë dëm.

“Ka një kategori, e cila aktualisht nuk i përfiton kompensimet nëse është me veveosi për leje fillestare qëndrimi. Dhe e kam fjalën për ata që ndërrojnë lejen e qëndrimit, për shkak se një nga bashkëshortet ka marrë nënshtetësi greke dhe gjysma tjetër e tij duhet të marrë leje qëndrimi si bashkëshort i qytetarit grek. Nga dy e më shumë vite presin me këtë veveosi, dhjetëra e qindra, siç na rezulton nga vetë pohimet e tyre. Kush e ka fajin për këtë pritje kaq të gjatë?

Natyrisht i vetmi që nuk ka asnjë faj është emigranti. E megjithatë, ai paguan dyfish e trefish, po të llogaritim edhe mospërfitimin e atij kompensimit që i pranon. Pa dashur t’i jap mend askujt, e aq më pak qeverisë, do të them megjithatë, se është për të ardhura keq që pas gati 30 vjetësh qëndrimi në Greqi, që shumica e kanë zgjedhur tashmë jo thjesht si atdhe të dytë, por si vendin ku ndoshta dhe do të vdesin në pleqëri të thellë; është për të ardhur keq pra, që të diskreditohen në këtë farë feje. Duke u injoruar kontributet e mëdha që kanë dhënë bashkë me grekët, njëlloj si grekët”,-shton Malaj për ‘GSH’.

Kategoritë përfituese dhe jopërfituese  

KATEGORITË E QYTETARËVE QË KANË TË DREJTËN E AMKAS-s (në EFKA dhe KEP)

  1. Shtetas grekë që banojnë në Greqi

Dokumentet që kërkohen:

Letërnjoftimi apo kartë identiteti ushtarake apo certifikatë e gjendjes familjare për të miturit që nuk kanë mbushur vitin e 12 të moshës dhe nuk kanë letërnjoftim

  1. Homogjenë me kartë homogjeni që banojnë përgjithmonë në Greqi

Dokumentet që kërkohen

-Karta e homogjenit

-Kontrata e marrjes me qira të banesës apo formulari E9

-Faturë korrenti apo uji

-Vërtetim i rezidencës tatimore në Greqi

3.Përfitues të mbrojtjes ndërkombëtare dhe pjesëtarët e familjes

Dokumentet që kërkohen

-Leje qëndrimi e përfituesit të mbrojtjes ndërkombëtare dhe për fëmijët certifikatë lindjeje nëse kanë lindur në Greqi

QYTETARË GREKË APO TË HUAJ QË NUK KANË TË DREJTË PËR AMKA

  1. Shtetas grekë që nuk banojnë në Greqi
  2. Shtetas të BE-së që banojnë provizorisht në Greqi për një periudhë më pak se tre muajsh dhe që nuk punojnë në Greqi.
  3. Shtetas të mitur të BE-së që u lindën në Greqi, por prindërit e tyre nuk banojnë apo nuk punojnë në Greqi
  4. Shtetas të mitur të vendeve të treta që u lindën në Greqi nga prindër pa dokumente të rregullta qëndrimi
  5. Shtetas të vendeve të treta, posedues të titujve të fuqishëm të qëndrimit, por që nuk ofrojnë akses në tregun e punës. (P.sh., leje qëndrimi investitori).

KATEGORI QYTETARËSH QË AMKA NXIRRET VETËM NGA SHËRBIMET E EFKA-s

  1. Qytetarë grekë që nuk banojnë në Greqi, po deklarojnë se do të qëndrojnë dhe do të punojnë këtu.
  2. Homogjenë që dalin në pension nga një ent siguracionesh jashtë BE-së dhe dëshirojnë që gjatë qëndrimit në Greqi të kenë mbulim farmaceutik dhe mjekësor
  3. Shtetas të vendeve të treta me leje qëndrimi për punë apo vërtetim BLU që u jep të drejtën për punë.
  4. Të mitur, shtetas të vendeve të treta që u lindin nga prindër me qëndrim të ligjshëm në Greqi dhe të siguruar.
  5. Shtetas të vendeve të treta me leje qëndrimi për studime.
  6. Shtetas nga vende të treta me vizë hyrjeje kombëtare
  7. Shtetas nga vende të treta me qëndrim të parregullt por që aktivizohen në ekonominë bujqësore
  8. Shtetas nga vende të treta me qëndrim të parregullt, që është pezulluar largimi nga vendi dhe kanë leje pune
  9. Shtetas nga vende të treta pa leje qëndrimi, por që kanë krijuar biznes përmes shërbimit me një qëndrim

Sarajevë, promovohet libri “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana”

Sarajevë

Dje në kryeqytetin e Bosnjë dhe Hercegovinës, Sarajevë, u bë promovimi i librit “Bosnja: Një pikëpamje nga Tirana” i diplomatit shqiptar Shaban Murati, raporton Anadolu Agency (AA).

Libri, i botuar nga fondacioni Alsar, trajton situatën politike në rajon me një theks të veçantë për shtetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Bëhet fjalë për një vepër që ka lindur nga kolumna që autori i ka botuar vazhdimisht në lidhje me zhvillimet socio-politike në rajon dhe Bosnjë dhe Hercegovinë.

Bullgaria ia refuzon vizën një atasheu rus

Bullgaria ia refuzoi vizën afatgjate atasheut rus të Mbrojtjes, një ditë pasi dëboi një diplomat rus nën dyshimin e spiunazhit.

Ministria e Jashtme e Bullgarisë, më 30 tetor, tha se gjatë shqyrtimit të kërkesës për vizë, kishte një “mendim negativ” për të dërguarin rus, por se vendimi nuk do të thoshte që zyrtari konsiderohej person non grata (i padëshiruar).

Nuk janë dhënë detaje në lidhje me arsyen e refuzimit të vizës.

Diplomati tjetër që u dëbua nga vendi, ishte larguar bashkë me familjen e tij, tha ministria e Jashtme bullgare.

Sofja ndërmori veprimin e pazakontë për dëbimin e diplomatit, pasi nuk u zbatua kërkesa ndaj autoriteteve ruse për ta tërhequr atë në Moskë.

Ambasada Ruse konfirmoi marrjen e kërkesës për dëbim, dhe tha se punonjësi i saj do të respektonte një afat 24-orësh për t’u larguar nga Bullgaria.

Në Moskë, zëvendës-ministri i Jashtëm rus, Aleksander Grushko tha se Rusia do t’i përgjigjej dëbimit të punonjësit të saj të ambasadës nga Bullgaria.

As Ministria e Jashtme Bullgare, Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Sofje dhe Ambasada Ruse nuk e kanë zbuluar emrin e spiunit të dyshuar.

Procedimet paraprake hetimore ndaj punonjësit të Ambasadës Ruse u pezulluan me arsyetimin se i dyshuari kishte imunitet diplomatik.

Prokurorët dyshonin se ai kishte mbajtur takime konspirative me zyrtarë të lartë të Bullgarisë, përfshirë edhe ata që posedonin informacione të klasifikuara për Bullgarinë, NATO-n dhe çështjet e Bashkimit Evropian.

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Sofje tha se i dyshuari rus kishte për qëllim t’ia dorëzonte informacionin një vendi të huaj.

Bullgaria u bë anëtare e NATO-s në mars të vitit 2004 dhe u anëtarësua në Bashkimin Evropian më 2007. rel

Në Bursë të Turqisë mbahen “Ditët Kulturore Turko-Shqiptare”

Bursë

Në qytetin Bursë të Turqisë me evenimente të ndryshme janë festuar “Ditët Kulturore Turko-Shqiptare”.

Aktiviteti i cili filloi me marshimin festiv, vazhdoi me vallet e vallëtarëve të veshur me veshjet kombëtare e rajonale të shoqëruar nga banda e Bashkisë Metropolitane të Bursës.

Sekretari i Përgjitshëm i Shoqatës së Valleve Tradicionale “Zafer”, Ali Akman, në deklaratën për AA tha se synojnë të mbajnë gjallë kulturën shqiptare dhe ta bartin tek brezat e ardhshme.

“Më së shumti shqiptarë në botë jetojnë në tokat e Republikës së Turqisë. Dëshiruam që të jetë një punim në të cilën njerëzit që kanë migruar në këto toka të mund të përkujtojnë të kaluarën, të mbështesin kulturën e tyre, si dhe t’ia bartin brezave të ardhshme”, tha Akman.

“Ditët Kulturore Turko-Shqiptare”, do të vazhdojë edhe nesër, më 26 tetor, me një sërë aktivitetesh në Qendrën e Kongreseve “Merinos Atatürk” të Bursës.

Greqia përgatitet për të kujtuar ushtarët grekë të rënë në Shqipëri, ja axhenda

Greqia e ka gati axhendën e aktiviteteve që do të zhvillojë për të kujtuar ushtarët grekë të rënë gjatë luftës italo-greke në Shqipëri, varrezat e të cilëve janë ndërtuar në disa zona në jug të vendit. Në ceremoni do të marrin pjesë edhe zyrtarë të qeverisë së Greqisë.

“Si pjesë e festimit të Festës Kombëtare të Greqisë, më 28 tetor, do të mbahet një ceremoni zyrtare e kujtimit për nder të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës Greko-Italiane (1940-1941), të hënën, 28 tetor 2019 në 10:00 të mëngjesit në Varrezat Ushtarake në Këlcyrë dhe në 12.45 në Varrezat Historike Ushtarake të Bularat”. Kështu shkruan ministria e Jashtme e Greqisë në një njoftim zyrtar në faqen e saj në Web.

Ministri i Shtetit për Punë të Jashtme, Antonis Diamataris, si zëdhënës i qeverisë greke, do të mbajë një fjalim në ceremoninë në Këlcyrë dhe një fjalim solemn në varrezat ushtarake historike të Bularatit. Në aktivitete do të marrë pjesë edhe Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Znj Sofia Filippidou.

Sipas MPJ greke, ceremonia do të organizohet në bashkëpunim me palën shqiptare, siç përcaktohet nga Marrëveshja dypalëshe e Bashkëpunimit ndërkombëtare midis Greqisë dhe Shqipërisë mbi “kërkimin, zhvarrosjen, identifikimin dhe varrosjen e personelit ushtarak grek të rënë në operacionet e luftës në Shqipëri gjatë Luftës Greko-Italiane të viteve 1940-1941 dhe ndërtimi i varrezave në territorin e Shqipërisë për varrosjen e tyre”.

Një aktivitet për Ditën Kombëtare të 28 Tetorit do të organizohet nga Konsullata e Përgjithshme e Greqisë në Korçë të Shtunën më 26 tetor 2019, në orën 10:00, në Kishën e Zonjës në Boboshticë.

Rezoluta për vëllezërit Bytyçi nuk i shqetëson figurat përgjegjëse në Serbi

RFE /RL

Miratimi i rezolutës nga Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë që u vranë në vitin 1999, nuk e ka shqetësuar ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq Guri, pjesëtarët e të cilës njësi dyshohen për kryerjen e krimit.

“Nuk jam i shqetësuar”, ka thënë Goran Radosavleviq Guri për Radion Evropa e Lirë në lidhje me rezolutën e miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, me të cilën kërkohet të zgjidhet rasti i vrasjes së tre vëllezërve Bytyçi, Ilirit, Agronit dhe Mehmetit, të tre shtetas amerikanë.

“Edhe në të kaluarën kanë miratuar rezoluta. Jam i lodhur nga komentimet”, ka thënë shkurt Radosavleviq Guri.

Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.

Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.

Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish-Jugosllavisë.

Në rezolutë potencohet se trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviq, i njohur si Guri. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur miratimin e rezolutës për vëllezërit “Bytyçi” nga Senati i SHBA-së, e cila, siç ka shkruar ai në Facebook, shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999.

“Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyçi më në fund do të vihet në vend”, ka shkruar Thaçi.

Kurse kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar po ashtu në Facebook se miratimi në mënyrë unanime i rezolutës për vëllezërit Bytyçi, është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë familje, por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.

“Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfisht që i bëhet familjes Bytyçi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri. Kjo rezolutë, e miratuar nga SHBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shkruar Haradinaj.

Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel, transmeton Zëri i Amerikës, ka thënë se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi.

Engel tha se ai e di që autoritetet serbe kanë njohuri se kush janë personat përgjegjës.

“Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe të pranojë përgjegjësinë”, tha ai.

Ligjvënësi nga Nju Jorku, Lee Zeldin tha se kjo çështje është ngritur vazhdimisht me autoritetet serbe.

“Dua t’i them Serbisë se ky është një mësim i rëndësishëm, se pas 20 vjetësh ne (Shtetet e Bashkuara) nuk kemi harruar dhe nuk do të harrojmë kurrë. Ne do të këmbëngulim që drejtësia të vihet në vend”.

Menjëherë pas miratimit, reagoi vëllai i Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçit, Ilir Bytyçi, duke shprehur vlerësimin e familjes së tij për rezolutën:

“Shpresojmë që i Dërguari i Posaçëm, Matt Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm Rich Grenell t’i dëgjojnë këto zëra dhe ta bëjnë përparësi çështjen e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësinë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të injorohen”.

Në Rezolutën e miratuar të martën thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’iu kushtojnë vëmendje përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mes tjerash në dokument.

Rezoluta u referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e ish zëvendës-ministrit të Brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo përfshinë edhe premtimet e papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.

Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes.

Afër 1 vit nga vrasja e Kacifas, mediat helene: Shqipëria paralajmëron grekët të mos hyjnë në vend

Mediat greke vazhdojnë të shkruajnë për Kostanin Kacifas, greku që mbeti i vrarë në jug të Shqipërisë. Sipas mediave helene, grekët do të përkujtojnë “heroin” e tyre më datë 26 tetor 2019, duke shkuar në varrezat e Bularatit në Dropull.

Mirëpo, gjithnjë referuar mediave të fqinjit tonë jugor, edhe shqiptarët janë vënë në gatishmëri të plotë për të parandaluar “dyndjen” e grekëve në jug të vendit në ditët e përkujtimit të rënies së Kacifas.

“Shqiptarët janë duke bërë thirrje kundër grekëve, që ata të mos vijnë në Shqipëri. Shqiptarët në rrjetet sociale po bisedojnë sesi të ‘parandalojnë sulmin e grekëve ndaj jugut të vendit’.

Më tej, mediat greke shkruajnë se më datë 26.10.2019, grekët pritet që të mblidhen në varrezat e Bularatit për të kujtuar Kostandin Kacifas, i cili “vdiq” në “luftën” e tij ndaj forcave speciale shqiptare, RENEA. Duke cituar disa media elektronike shqiptare, mediat e vendit fqinj thonë se këta media në shqip i “frikësohen agresionit grek”.

(Balkanweb)


Send this to a friend