VOAL

VOAL

Një ditë pasi kërkoi njohjen, Kurti me Gërvallën takojnë kryediplomatin grek Dendias

April 9, 2022

Komentet

Vulini propozon ligj për “agjentët e huaj” në Serbi

Ludmilla Cvetkoviq

“Mercenarë të huaj” në regjimin e Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90, sot “agjentë të ndikimit të huaj”.

Etiketimi si “agjent i huaj” mund të bëhet detyrim ligjor për sektorin joqeveritar në Serbi, nëse Parlamenti në këtë vend miraton aktin e propozuar për agjentët e ndikimit të huaj.

Sofija Todoroviq nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo organizatë nuk do të pranonte të përdorte një etiketim të tillë.

“Dakordimi me këtë lloj shtypjeje nuk do të ishte opsion”, thotë ajo.

Ligji i propozuar për regjistrimin e posaçëm të agjentëve të ndikimit të huaj përcakton si “agjente të huaja” të gjitha shoqatat dhe organizatat jofitimprurëse, të cilat financohen kryesisht nga jashtë, për qëllime të ndikimit politik.

Këtë propozim e dërguan në procedurë parlamentare deputetët e Lëvizjes Socialiste – themelues i së cilës është nënkryetari prorus i Qeverisë së Serbisë, Aleksandar Vulin.

Ligji për agjentët e huaj – që ndjek modelin e Rusisë, për të heshtur kritikat ndaj qeverisë dhe për të kufizuar punën e aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe të mediave të pavarura – është miratuar ose propozuar edhe në disa vende të tjera, përfshirë edhe të Ballkanit.

Në Lëvizjen Socialiste, megjithatë, thonë se model i tyre ishte Akti Amerikan i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) i vitit 1938 dhe jo ai rus.

Lëvizja Socialiste dhe themeluesi i saj, Aleksandar Vulin, janë prej vitesh partnerë të Partisë Përparimtare Serbe në pushtet dhe të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Kjo parti nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it nëse do ta mbështeste këtë ligj, ndërsa Vuçiq u tha gazetarëve se as Qeveria dhe as shumica parlamentare nuk janë propozuese të tij.

“Po të donte Qeveria, ajo do ta kishte propozuar. Por, do të ketë diskutime për të, kështu që do të bëhet e qartë se kush çka mendon”, tha Vuçiq.

Ai, po ashtu, tha se nuk i ka kushtuar rëndësi faktit që ky ligj është dorëzuar, pasi, siç u shpreh, ai nuk ka pasur ndonjë rëndësi të veçantë për të.

Fotografi arkivi: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Fotografi arkivi: Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulin dha dorëheqje nga Agjencia e Sigurisë dhe Inteligjencës e Serbisë (BIA) në nëntor të vitit 2023, disa muaj pasi Shtetet e Bashkuara e vendosën në listë të sanksioneve, për shkak të lidhjeve me Rusinë, ndër të tjera.

Kur u formua Qeveria e re e Serbisë në muajin maj, ai u bë nënkryetar i saj, i ngarkuar me bashkëpunimin me vendet e BRICS-it – një grupim ku bën pjesë edhe Rusia.

Çfarë thotë ligji i propozuar?

Agjente të ndikimit të huaj, sipas ligjit të propozuar serb, janë të gjitha organizatat joqeveritare që financohen kryesisht nga shtete të tjera, organizatat ndërkombëtare dhe të huaja, shtetas të huaj ose organizata të regjistruara joqeveritare që financohen nga jashtë.

Si agjente të ndikimit të huaj klasifikohen edhe organizatat jofitimprurëse, të cilat janë të angazhuara në aktivitete politike, me synim rrezikimin e demokracisë, cenimin e integritetit të Serbisë, shkeljen e lirive dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutë dhe nxitjen e urrejtjes dhe jotolerancës kombëtare, racore ose fetare.

Deputeti i Lëvizjes Socialiste, Gjorgje Komlenski, i cili është një nga dy propozuesit e ligjit, thotë për Radion Evropa e Lirë se masa është e nevojshme, në mënyrë që qytetarët “ta kenë një ide se me çfarë motivesh dikush thotë dhe bën diçka”.

“Shumë organizata joqeveritare janë kthyer në një seksion lobuesish – të financuar shumë mirë – për interesat e huaja”, sipas tij.

I pyetur nëse shteti merr para edhe nga fondet e huaja, Komlenski thotë se shteti i shfrytëzon ato mjete në përputhje me interesat e tij, ndërsa sektori joqeveritar “sipas detyrave të atyre që i ndajnë ato mjete”.

Projekt-ligji parashikon, gjithashtu, që në çdo paraqitje të përfaqësuesve të “agjentëve të ndikimit të huaj”, të shënohet se organizata është e regjistruar në Regjistrin e agjentëve me ndikim të huaj, i cili drejtohet nga Ministria e Drejtësisë.

Në rast të mosrespektimit të detyrimit për t’u shënuar si “agjent i huaj”, ligji i propozuar parashikon dënime si: ndalim të kryerjes së punës dhe kallëzim penal ndaj personave përgjegjës.

Masa parasheh edhe gjoba nga 5.000 dinarë (rreth 42 euro) deri në 2.000.000 dinarë (rreth 17.000 euro).

Në shpjegimin për propozim-ligjin thuhet se në Serbi ka shoqata qytetare, të cilat “punojnë hapur kundër interesave shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.

Përkrahësit e tij besojnë se qëllimi i veprimit të tyre lidhet me destabilizimin e shtetit, në mënyrë që Serbia “të detyrohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, të pajtohet me shpërbërjen e Republikës Sërpska dhe të vendosë sanksione kundër Rusisë”.

I pyetur nëse ligji rus ishte model, Komlenski thotë se ai nuk është rus, por amerikan.

“Jo, më besoni, as që e kam lexuar atë ligj. Një nga motivet e mia ishte ligji FARA në SHBA i vitit 1938, por mendoj se ky është një version edhe më i butë i asaj që ai ligj u mundëson autoriteteve në SHBA”, thotë Komlenski.

FARA, megjithatë, i përkufizon “agjentët e huaj” si individë që veprojnë nën drejtimin e vendeve të huaja, angazhohen në aktivitete politike, mbledhin para ose veprojnë nën drejtimin e eprorëve, në kontakt me autoritetet amerikane.

Ligji FARA u krijua në vitin 1938 me qëllim shtypjen e propagandës naziste dhe më vonë bolshevike.

Me rishikimet e mëvonshme, ligji ka në shënjestër pastrimin e parave, korrupsionin, terrorizmin dhe anashkalimin e sanksioneve.

Paralajmërimet nga Brukseli dhe Uashingtoni

Në Komisionin Evropian thonë për Radion Evropa e Lirë se çdo projekt-ligj duhet të jetë në përputhje me standardet evropiane.

“Ju kujtojmë se çdo ligj i një vendi kandidat për anëtarësim në BE, duhet të jetë në përputhje me vlerat themelore demokratike të BE-së, përfshirë lirinë e fjalës dhe të shprehjes”, thuhet në përgjigje.

Para se të bëhet anëtar i BE-së, një vend kandidat duhet t’i harmonizojë ligjet, politikat, institucionet dhe praktikat e tij me standardet dhe kërkesat e BE-së.

Serbia dhe Mali i Zi janë lidere në Ballkanin Perëndimor sa i përket procesit të anëtarësimit në BE.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit thonë gjithashtu për REL-in se janë thellësisht të shqetësuar për implikimet që ligji i propozuar për agjentët e huaj në Serbi, mund t’i ketë mbi demokracinë, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, përfshirë lirinë e shprehjes dhe organizimit.

“Një ligj i tillë mund ta ngushtojë hapësirën për veprim të shoqërisë civile, t’i stigmatizojë organizatat e shoqërisë civile që punojnë për të përmirësuar jetën e qytetarëve serbë dhe ta pengojë punën e mediave të pavarura që ofrojnë informacione të sakta për publikun”, thuhet në përgjigje.

“Një ligj i modeluar sipas atij të Putinit, për ta heshtur sektorin civil”

Sofija Todoroviq nga YIHR-ja thotë se ligji bazohet në pretendimet se ka elemente që e destabilizojnë vendin, edhe pse për to nuk ka aktvendime gjyqësore apo informacione të vërtetuara, përveç indikacioneve dhe deklaratave të zyrtarëve të caktuar.

“Qëllimi është represioni”, thotë ajo, duke shtuar se transparenca e financimit të organizatave joqeveritare, tashmë ekziston.

“Një ligj i tillë do të kontribuonte në etiketimin shtesë të shoqatave të qytetarëve dhe në paraqitjen e njerëzve që punojnë në organizata civile si armiq”, sipas saj.

Me të pajtohet edhe Sonja Biserko nga Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut.

Ajo thotë se me këtë ligj “do t’u tregohen dhëmbët të gjithë atyre që mendojnë ndryshe dhe janë kryesisht proevropianë”.

“Është një ligj i ngjashëm me atë të [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ka për synim ta heshtë, ta bëjë të pakuptimtë dhe ta margjinalizojë sektorin civil, që merr donacione nga jashtë, që është kritik dhe që përfaqëson vlerat liberale, ndaj të cilave ata kanë qenë gjithmonë kundër”, thotë Biserko.

Ajo pret që Bashkimi Evropian të mos e lejojë miratimin e ligjit.

Stradner: Iniciativa në Serbi dallon nga ligji amerikan FARA

Ivana Stradner, bashkëpunëtore e Fondacionit joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracisë në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se është e rëndësishme të bëhet dallimi midis ligjit FARA në SHBA dhe iniciativës në Serbi, e cila, sipas saj, “është e frymëzuar nga ligji i Putinit për agjentët e huaj”.

Ajo thotë se Kongresi amerikan e miratoi FARA-n në vitin 1938, në kuadër të luftës kundër propagandës naziste, përkatësisht për t’i ekspozuar firmat lobuese që përfaqësonin interesat e Gjermanisë naziste.

“Ndryshe nga kjo, përkrahësit e ligjit serb për agjentët e huaj shpesh përmendin financimin e organizatave joqeveritare nga Perëndimi dhe se si Perëndimi dëshiron të organizojë një revolucion me ngjyra”, thotë ajo.

Stradner shton se nuk është e sigurt se ky ligj do t’i shënjestronte njerëzit që punojnë drejtpërdrejt me Moskën ose Pekinin.

Po sipas saj, ligji i propozuar duket se është pjesë e një loje politike, në të cilën Vulin propozon vendime “joracionale”, kurse Vuçiq heq dorë prej tyre dhe, në këtë mënyrë, “i bën nder Perëndimit”.

Si zbatohet Ligji për agjentët e huaj në Rusi?

Ligji rus që kërkon nga organizatat që marrin para nga jashtë, të regjistrohen si “agjente të huaja”, u prezantua në vitin 2012 dhe u zgjerua në vitin 2022.

Objektiv i parë ishin organizatat joqeveritare, e që nga viti 2017 edhe gazetarët e mediat, përfshirë Radion Evropa e Lirë.

Andrej Shary, drejtor për rajonin rus në Radion Evropa e Lirë, thotë se Ligji për agjentët e huaj nënkupton që çdo mundësi për veprim e shoqërisë civile, që nuk korrespondon me kërkesat e qeverisë, të bëhet e pamundur.

“Sipas interpretimit të Qeverisë ruse dhe publikut patriot, ‘agjentë të huaj’ janë njerëzit që punojnë kundër interesave të atdheut të tyre, mercenarët e Perëndimit, spiunët amerikanë apo gjermanë”, thotë Shary.

Sipas tij, disa mijëra persona janë shpallur tashmë agjentë të huaj dhe shumica e tyre janë larguar nga Rusia.

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konstatoi në muajin tetor se Ligji rus për agjentët e huaj shkel Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është “arbitrar” dhe përdoret në “një mënyrë të gjerë dhe të paparashikueshme”.

Ligji kërkon që ata për të cilët zbatohet, për shembull gazetarët, ta vënë etiketën “Unë jam agjent i huaj” në çdo artikull apo postim të vetin në rrjetet sociale.

Nëse refuzojnë ta bëjnë këtë, pasojnë dënimet.

“Ndodh ajo që i ka ndodhur edhe Radios Evropa e Lirë. Për të gjitha projektet në gjuhën ruse ne kemi marrë gjoba deri në 18 milionë dollarë”, thotë Shary.

Në rast të mospagesës së gjobave, autoritetet i bllokojnë llogaritë bankare, ndërsa nuk përjashtohet as përgjegjësia penale.

Në vitin 2017, Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë u fut në listën e agjentëve të huaj.

Në shkurt të këtij viti, ai u shpall “organizatë e padëshirueshme” në Rusi, gjë që, praktikisht, e ndalon atë të punojë në atë vend, ndërsa kushdo që bashkëpunon me të, mund të ndiqet penalisht.

Çfarë do të thoshte për Serbinë miratimi i Ligjit për agjentët e huaj?

Profesori i së Drejtës Kushtetuese në Serbi, Bogolub Millosavleviq, thotë për Radion Evropa e Lirë se Ligji për agjentët e huaj është diçka që mund t’i përshtatet Rusisë, Bjellorusisë, Koresë së Veriut dhe disa regjimeve të vjetra komuniste.

“Pra, diçka që është krejtësisht e vjetruar, diçka që nuk mund t’i përshtatet një vendi që dëshiron të ketë sadopak demokraci”, thotë ai.

Duke komentuar etiketimin “agjent i huaj”, ai thotë se një praktikë e ngjashme ka ekzistuar edhe gjatë sundimit të ish-presidentit të Serbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, gjatë viteve ‘90.

“Ata që punonin për donatorët e huaj, quheshin të gjithë mercenarë të huaj. Tani janë ‘agjentë të ndikimit të huaj’ dhe janë persona që automatikisht etiketohen si armiq të këtij vendi”, thotë Millosavleviq.

Një projektligj i ngjashëm për agjentët e huaj ekziston në Mal të Zi që nga tetori, por nuk ka hyrë në procedurë parlamentare.

Ai është propozuar nga koalicioni “Për të ardhmen e Malit të Zi”, i cili përbëhet nga partitë proruse të ish-Frontit Demokratik (DF) – Demokracia e Re Serbe e Andrija Mandiqit dhe Partia Popullore Demokratike e Millan Knezheviqit.

Ky propozim është kritikuar nga partnerët e koalicionit në Mal të Zi, si dhe nga opozita, shoqëria civile dhe Bashkimi Evropian.

Në maj, autoritetet në Republikën Sërpska – njërin prej dy entiteteve të Bosnje e Hercegovinës – e kanë tërhequr ligjin e planifikuar për agjentët e huaj nga procedura dhe e kanë kthyer për rishikim, pas një sërë kritikash nga komuniteti ndërkombëtar, mediat dhe sektori joqeveritar.

Masa është paraqitur në vitin 2022 nga Millorad Dodiku, president i Republikës Sërpska dhe udhëheqës i Aleancës së Social-Demokratëve të Pavarur, i cili është nën sanksione nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe për shkak të veprimeve jokushtetuese.

Këtë vit, ligje që synojnë ta frenojnë ndikimin e organizatave joqeveritare, janë miratuar në Gjeorgji dhe në Kirgizi – të dyja ish-republika sovjetike.

Në Gjeorgji, ligji është miratuar pavarësisht protestave të qytetarëve dhe ka vënë në pritje integrimin evropian, si dhe ka ndërprerë mbështetjen financiare nga BE-ja.

As Bashkimi Evropian nuk është i kursyer nga këto metoda jodemokratike, ndaj në Hungari tashmë është në fuqi Ligji për mbrojtjen e sovranitetit dhe një zgjidhje e ngjashme është duke u planifikuar edhe në Sllovakinë fqinje.

Radio Evropa e Lirë

Përgatiti: Valona Tela

Vuçiq bisedon me O’Brien për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka biseduar me ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, për “përshkallëzimin e situatës” në Kosovë.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Vuçiq tha po ashtu se me zyrtarin e lartë amerikan gjatë takimit në Bruksel ka biseduar edhe për zhvillimet aktuale në botë dhe rreziqet në rritje për sigurinë.

“Përsërita qëndrimin e palëkundur të Serbisë që promovon paqen dhe ruan stabilitetin, duke kërkuar mbështetje të fortë dhe të qartë nga partnerët amerikanë në përpjekjet tona”, tha Vuçiq.

Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se Beogradi është i gatshëm të bashkëpunojë në kryerjen e një hetimi me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet sa i përket shpërthimit në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok të Kosovës.

“Nëse [shpërthimi] është kryer nga ndokush që është i kombësisë serbe, dhe ai është në territorin nën të cilin ka kontroll efektiv Serbia, ai do të ndalohet dhe arrestohet në sekondë. Deri tani, nuk kemi informacione të tilla”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Ai tha se Serbia është e gatshme të bashkëpunojë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe në disa mënyra edhe me institucionet në Prishtinë, pa vënë në rrezik sovranitetin dhe pavarësinë e Serbisë.

Vuçiq tha se më pak e rëndësishmja është se kush është autori, dhe më e rëndësishmja është se kush qëndron pas shpërthimit, duke hedhur poshtë mundësinë që prapa kësaj të jetë Rusia.

Shpërthimi ndodhi më 29 nëntor në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut – komunë me shumicë serbe në veri të vendit.

Policia e Kosovës ka thënë se sulmi është kryer me lëndë shpërthyese deri në 20 kilogramë.

Kanali Ibër-Lepenc furnizon me ujë nga Liqeni i Ujmanit gjithë veriun e Kosovës, rajonet e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë, si dhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

Autoritetet në Kosovë kanë fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen në të.

Sulmi në Zubin Potok është dënuar ashpër nga faktori ndërkombëtar. REL

Biserko: Inteligjenca evropiane ndoshta ka informacion se kush qëndron pas aktit terrorist në veri, prandaj mbështeti Kosovën

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, ka analizuar ngjarjet e fundit në Kosovë, duke i vendosur ato në një kontekst më të gjerë gjeopolitik.

Duke iu referuar aktit të fundit terrorist në veri të Kosovës, Biserko thekson se ky incident ka vendosur Ballkanin Perëndimor në vëmendjen kryesore të sigurisë për Perëndimin raporton Danas.

Ajo shton se reagimi i shpejtë i Perëndimit në mbështetje të qeverisë së Kosovës tregon se qendrat e inteligjencës europiane mund të kenë informacione për organizatorët e sulmit.

“Akti terrorist në Kosovë duhet parë në atë kontekst evropian. Fakti që Perëndimi reagoi me shpejtësi dhe mbështeti qeverinë e Kosovës është shumë tregues sepse qendrat evropiane të inteligjencës ndoshta kanë informacion se kush qëndron pas atij akti”, deklaroi Biserko.

Biserko vëren se situata aktuale vendos Serbinë në një pozitë të ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh trazirat e brendshme dhe protestat në vend.

Ajo sugjeron se Vuçiç mund të përdorë incidentin për të larguar vëmendjen nga problemet e brendshme, ndërsa njëkohësisht përpiqet të përfitojë nga fitorja e Trumpit dhe ndryshimet e mundshme në politikën ndërkombëtare.bw

‘’Afër je o Krishtlindje’’, i riu serb thotë se shpërthimin në Lepenc e kreu Rezistenca Çetnike: Banjska ishte fillimi

Një kërcënim i ri ndaj qytetarëve të Kosovës, po vjen nga një i ri serb që pretendohet të ketë bazë komunat veriore. I mbuluar me një gjysmë maskë, në një video përmes paltformës Tik-Tok, denoncuar nga një lexues i klankosova.tv, ai thotë se shpërthimin me eksploziv në Ibër Lepenc, e kreu e ashtuquajtura ‘Rezistenca Çetnike Serbe’.

Derisa ai edhe paralajmëron akte të tjera me aksione serioze në prag të festave të fundvitit. ”Banjska ishte vetëm fillimi. Po fillojmë me aksione serioze rreth Krishtlindjeve. Nëse doni të ndihmoni, më shkruani në mesazh”, ishte kërkesa e tij, që për të cilin rast, Policia e Kosovës thotë se është në dijeni.

Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një përgjigje për gazetarin e klankosova.tv, Albert Bajrami tha se policia është në terren dhe po heton situatën.

“Policia është në veri të vendit dhe verifikon çdo informacion dhe e trajton me seriozitet”, tha Elshani. I riu serb fliste fillimisht për pasojat që shkaktoi grupi i ashtuquajtur serb, me shpërthimin në Ibër Lepenc. ”Rezistenca Çetnike Serbe, dje hapi kanalin për shpërndarjen e ujit ne ajër”. Pasojat janë: Nuk ka ujë në jug të Mitrovicës (këtu jetojnë shqiptarët) dhe nuk ka rrymë në disa pjesë të Kosovës”. ”Ti që nuk e do popullin serb, kini frikën, jemi plot”, flet me mburrje ai.

Më tej ndahet një mesazh tjetër më në detaje se ky akt terrorist ishte paralajmëruar muaj më parë. ”Siç e kam paralajmëruar muaj më parë, ne qytetarët u organizuam sepse nuk mund të tolerojmë më ngacmimet, arrestimet dhe pushkatimet e serbëve të pafajshëm”. ”Çdo qytetar ka të drejtën kushtetuese për t’i rezistuar forcave pushtuese. Ata filluan aksionet tona të para guerile, por ky është vetëm fillimi”.

”Rreth Krishtlindjeve, fillon një aksion i madh. Afër je o Krishtlindje…”, figuron mbishkrimi trillues i përdoruesit aleksandarr82 dhe belisrbin1389.

Kjo meqë pretendimet për pushkatime të serbëve në komunat veriore, nuk qëndrojnë./KlanKosova/

Serbia e dënon sulmin në Ibër-Lepenc, e mohon përfshirjen

Uji rrjedh jashtë kanalit të Ibër-Lepencit përmes një çarje në murin e tij të shkaktuar nga një shpërthim në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut një ditë më parë, 30 nëntor 2024.

 

Serbia e ka mohuar përfshirjen në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit në veri të Kosovës, duke thënë se dënon shpërthimin si “të papranueshëm dhe të patolerueshëm”, i cili në “mënyrën më të drejtpërdrejtë” rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë.

Një shpërthim mbrëmjen e së premtes i shkaktoi dëme të konsiderueshme kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe rrymë në vend.

Autoritetet kosovare e akuzuan menjëherë Serbinë se ka gisht në këtë sulm.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Serbia është përgjegjëse për “sulm kriminal dhe terrorist”, i cili, sipas tij, ka synuar “ta dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme” të vendit.

Por, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, u hodhi poshtë pretendimet e Kurtit, duke thënë se derisa “regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm, që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit” në këtë sulm.

“Serbia dënon me termat më të ashpra sulmin e fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit. Ky akt sabotimi thellësisht shqetësues rrezikon jetët dhe mirëqenien e shumë njerëzve në rajon”, tha Gjuriq në një reagim në X.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se shkatërrimi i kanalit ka rrezikuar furnizimin me ujë në komunat e veriut të Kosovës pwr popullin serb, “i cili tashmë jeton në kushte të vështira, veçanërisht në veri të Kosovës”.

Ky lajm do të përditësohet

Përhapen protestat kundër kandidatit pro-rus për president të Rumanisë

Protestuesit në Timishoara kundër kandidatit për president të Rumanisë, pro-rusit Calin Georgescu, më 26 nëntor 2024.

 

Protestat kundër politikanit pro-rus, Calin Georgescu, u përhapën përtej Bukureshtit në qytete të tjera rumune më 26 nëntor, pas fitores së tij të papritur në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale gjatë fundjavës.

Protesta kundër Georgescut u zhvilluan në mbrëmjen e 26 nëntorit në Bukuresht, Timishoara, Jasi, Brasov dhe Sibiu.

Georgescu do të përballet në balotazh me kandidaten pro-perëndimore të qendrës së djathtë, Elena Lasconi, më 8 dhjetor, pasi fitoi 22.94 për qind të votave në rundin e parë të zgjedhjeve më 24 nëntor në shtetin anëtar të BE-së dhe NATO-s.

Rreth 1.000 persona dolën në Bukuresht për natën e dytë të protestave kundër Georgescut në Sheshin e Universitetit të kryeqytetit rumun.

Shumica e atyre që dolën në rrugë ishin të rinj, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për qëndrimet radikale të Georgescut dhe të ardhmen e vendit të tyre.

“Jam këtu sepse për momentin demokracia jonë është në një situatë të pasigurt dhe besoj fort se ne, brezi i ri, mund ta parandalojmë një katastrofë të ardhshme, e cila mund të ndodhë në rundin e dytë”, tha një student nga Bukureshti që refuzoi të identifikohej me emër.

Një tjetër protestuese tha se ishte e demoralizuar që njerëzit zgjodhën të mos informohen për Georgescun përpara zgjedhjeve.

“Unë nuk mund të pranoj që unë ose fëmijët e mi të ardhshëm… të drejtohemi nga një fashist”, tha protestuesja, e cila gjithashtu refuzoi të japë emrin e saj.

Ajo tha se rumunët duhet të ndjekin rrugën e demokracisë dhe se ende ka një mundësi për këtë në zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen më 1 dhjetor dhe në balotazhin presidencial më 8 dhjetor.

“Ne mund të kthehemi 35 vjet më parë dhe të shohim çfarë kanë kaluar prindërit dhe gjyshërit tanë… dezinformimin masiv që përjetuan kur [diktatori komunist rumun, Nicolae] Çaushesku u zgjodh”, tha ajo. “Le të informohemi para se të zgjedhim. Duhet të shkojmë masivisht në votim. Ne të rinjtë kemi një zë dhe duhet ta përdorim atë”.

Në Timishoara, të rinjtë thërrisnin “Sot në Timishoara, nesër në të gjithë vendin”, duke iu referuar revolucionit të dhjetorit të vitit 1989, i cili kishte filluar në Timishoara.

Protesta të ngjashme u mbajtën më 26 nëntor në Jasi dhe Brasov, ku disa dhjetëra të rinj u mblodhën.

Protestuesit në Jasi thanë se nuk dëshironin të drejtoheshin nga një diktator ose një simpatizant i liderëve anti-semitë dhe fashistë të Rumanisë së viteve 1930 dhe 1940.

Georgescu, 62 vjeç, ka mohuar që është ekstremist apo fashist dhe e ka cilësuar veten si “një rumun që e do vendin e tij”.

Ai kishte një mbështetje të ulët në sondazhe përpara një fushate virale në TikTok që bënte thirrje për t’i dhënë fund ndihmës për Ukrainën. Kandidati i pavarur këmbëngul se “nuk ka Lindje apo Perëndim” dhe theksoi se neutraliteti ishte “absolutisht i domosdoshëm”.

Rrahje mes deputetëve në Kuvendin e Serbisë (Video)

Në seancën e Kuvendit të Serbisë më 25 nëntor, pati shtyrje dhe përleshje mes përfaqësuesve të pushtetit dhe atyre të opozitës. Përveç deputetëve, në incident u përfshinë edhe ministra të Qeverisë, ndërsa sigurimi i Kuvendit i ndante ata.

Deputetët opozitarë më herët kishin kërkuar që Kuvendi, në të cilin po diskutohej për buxhetin, të votojë për mosbesimin e Qeverisë pas aksidentit në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Megjithatë, pushteti e refuzoi atë propozim.

Gjatë transmetimit të seancës parlamentare nuk u pa qartë se si filloi incidenti, ndërsa zëri ishte i fikur, prandaj nuk mund të dëgjohej se çfarë po i thoshin deputetët njëri-tjetrit.

U pa që deputetët e pushtetit dhe të opozitës po ndaheshin nga sigurimi i Kuvendit, ndërkohë që goditeshin, tërhiqeshin, shtyheshin, lageshin me ujë dhe qëllonin njëri-tjetrin.

Çfarë tha kryetarja e Kuvendit?

Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, pas incidenteve e akuzoi opozitën për “përpjekje për uzurpim të dhunshëm të pushtetit”.

Ajo akuzoi deputetët opozitarë se, pas ndërprerjes së seancës, “shkulën mikrofonat” dhe “thyen ekranin” për të “penguar” vazhdimin e saj.

“Kështu duket liria e fjalës sipas interpretimit të tyre”, deklaroi Bërnabiq në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, ndërsa deputetët opozitarë frynin bilbila dhe vuvuzela.

Bërnabiq u shfaq para gazetarëve e shoqëruar nga deputetët e shumicës qeveritare, ndërsa rreth saj dhe mediave qëndronte sigurimi i Kuvendit. Pas sigurimit ndodheshin deputetët e opozitës.

Ajo tha se seanca kishte nisur me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor dhe se seanca duhej të ishte dinjitoze.

“Për fat të keq, kjo është gjithçka përveç nderimit dinjitoz për të ndjerët dhe familjet e tyre”, tha Bërnabiq.

Kryetarja e Kuvendit shtoi se do të përpiqet të vazhdojë seancën, ku po diskutohet për buxhetin si dhe ligje të tjera.

Çfarë thonë deputetët opozitarë?

Deputeti i Frontit të Gjelbër e të majtë, Radomir Llazoviq, deklaroi për televizionin N1 se incidentet nisën pasi ai tentoi të ngjiste një ngjitëse me mesazhin “Duart tuaja janë të përgjakura” pranë vendeve të ministrave në sallën e Kuvendit.

Ky është një slogan proteste, pasi javët e fundit është kërkuar përgjegjësi politike dhe penale për aksidentin në Novi Sad.

Ai tha se pas kësaj, atë e “sulmoi” ministri i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar, dhe pas një shtyrjeje me të, siç pretendon Llazoviq, ndodhi “përleshja e përgjithshme” në sallën e Kuvendit.

“Ne u përpoqëm ta qetësonim situatën, por na sulmuan gjatë gjithë kohës, policia dhe Partia Progresive Serbe bashkë”, tha Llazoviq. Ai shtoi se disa deputetë ishin lënduar.

Pamje nga incidenti mes deputetëve në Kuvendin e Serbisë.

Pamje nga incidenti mes deputetëve në Kuvendin e Serbisë.

Lidhur me incidentet që ndodhën në Kuvend, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Pavarësisht faktit që jam i shqetësuar për sjelljen e egër të një pjese të deputetëve në Kuvendin Popullor, për dhunën e përditshme që ata ushtrojnë në mbarë vendin tonë, dua t’i qetësoj qytetarët dhe t’u them se ndaj sjelljes së tyre të pahijshme, mungesës së edukatës dhe arrogancës, do të përgjigjemi edhe me më shumë punë në të ardhmen”, tha Vuçiq në një video në Instagram.

Kur nisën incidentet?

Incidentet filluan rreth orës 12:30, pasi kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, dhe ministrat e Qeverisë hynë në sallën e Kuvendit.

Ata morën pjesë në seancë pasi në rendin e ditës ishte propozimi i buxhetit për vitin 2025, të cilin duhej ta prezantonte Vuçeviq.

Deputetët opozitarë, pasi Vuçeviq dhe ministrat hynë në sallë, ngritën fletë ku shkruhej “Korrupsioni vret” dhe “Duart tuaja janë të përgjakura”, dhe duke bërtitur “Vrasës”.

Opozita kërkon shkarkimin e kryeministrit Milosh Vuçeviq dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për aksidentin.

Deputetët duke u përleshur gjatë sesionit të së hënës në Kuvendin e Serbisë, Beograd, 25 nëntor 2024.

Deputetët duke u përleshur gjatë sesionit të së hënës në Kuvendin e Serbisë, Beograd, 25 nëntor 2024.

Deputetët opozitarë shfaqën gjithashtu një transparent me portretin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku duart e tij ishin të ngjyrosura me të kuqe.

Nsaj kësaj reaguan deputetët e pushtetit duke ngritur fletë ku shkruhej: “Korrupsioni dhe hajnia janë emri juaj i mesëm”.

Një pjesë e deputetëve opozitarë më pas tentoi të afrohej te pjesa e sallës ku qëndrojnë ministrat e Qeverisë. Nuk mund të dëgjohej se çfarë po thoshin mes tyre.

Pas kësaj, kryeparlamentarja thirri sigurimin e Kuvendit që të ndërhynte. Ajo kërkoi nga deputetët të ktheheshin në vendet e tyre.

“Kjo është e turpshme për këtë institucion”, tha ajo.

Incident pati edhe në ballkonin e sallës parlamentare, ku gjithashtu ndërhyri sigurimi i Kuvendit.

Para se të caktohej pauza, kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, me ftesë të kryetares së Kuvendit, filloi prezantimin e propozimit për buxhetin.

Fjalimi i tij u ndërpre nga opozita, e cila frynte bilbila dhe vuvuzela. Ndërsa Vuçeviq fliste, deputetët opozitarë qëndronin rreth tij dhe ministrave, duke mbajtur parulla me mbishkrimin “Duart tuaja janë të përgjakura.”

Kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, ndërpreu seancën, por incidentet në sallë vazhduan edhe pasi ajo caktoi një pauzë.

Radio Evropa e Lirë

Mark Rutte do të vizitojë nesër Turqinë, ja takimet e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, nesër të hënën do të vizitojë Turqinë, ku do të ketë një takim me Presidentin Recep Tayyip Erdogan, Ministrin e Punëve të Jashtme Hakan Fidan dhe Ministrin e Mbrojtjes, Yasser Guler. Gjatë takimeve të Rutte në Ankara, pala turke pritet të ngrejë praninë e fraksionit kurd PYD dhe milicisë së Forcave Demokratike Siriane (SDF) të mbështetur nga SHBA. Ankaraja e krahason praninë e forcave kurde në kufirin e saj jugor me organizatën PKK dhe terrorizmin.

Udhëheqja turke pritet gjithashtu të ngrejë me Sekretarin e Përgjithshëm çështjen e rolit të mundshëm ndërmjetësues të Turqisë në luftën Ukrainë-Rusi dhe çështje të tjera dypalëshe, veçanërisht në lidhje me ndryshimet e pritshme në marrëdhëniet transatlantike pas marrjes së pushtetit në SHBA nga Donald Trump.

Në kuadër të kontakteve të tij në kryeqytetin turk, Mark Rutte do të takohet edhe me përfaqësues të industrisë turke të mbrojtjes dhe do të vizitojë objektet e Industrisë Turke të Hapësirës Ajrore, të cilat së fundmi u vunë në shënjestër të një sulmi terrorist.

Para vizitës së tij në Turqi, Mark Rutte u takua të premten në Florida me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, ndërsa ndalesa e radhës e sekretarit të përgjithshëm do të jetë Athina. bw

Lutfiu: Gjykata Kushtetuese në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave në Luginë

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë, Nevzad Lutfiu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese në Serbi e ka legalizuar pasivizimin e adresës së një shqiptari nga Medvegja.

Në në postim në Facebook, Lutfiu shprehet se Safet Demirit i është refuzuar ankesa nga kjo gjykatë për kthimin e adresës, dhe se kjo do të thotë që edhe institucioni më i lartë i drejtësisë në Serbi e legalizoi pasivizimin e adresave.

“Safetit i është hapur rruga për në Strasburg dhe ai do ta ndjekë atë. Ky spastrim etnik duhet të ketë verdikt ndërkombëtar, prandaj i ofroj mbështetjen time të plotë Safet Demirit”, sqaroi më tej Lutfiu. sn

Radmilla Shekerinska emërohet zëvendëssekretare e NATO-s

Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska, është emëruar të martën zëvendëssekretare e Përgjithshme e NATO-s, njoftoi aleanca ushtarake.

NATO-ja tha se shefi i aleancës, Mark Rutte, vendosi ta emërojë Shekerinskan si zëvendëssekretare të ardhshme.

“Kam kënaqësinë të njoftoj emërim e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të Përgjithshme. Ajo beson vërtet në NATO, e di punën që nevojitet për të qenë pjesë e aleancës, dhe çfarë do të thotë të jesh anëtar i plotë”, tha Rutte.

Shekerinska do ta marrë zyrtarisht detyrën e re në fund të këtij viti.

Ajo ka shërbyer në të kaluarën si zëvendësministre për Integrim Evropian dhe ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë, përfshirë gjatë kohës kur vendi i saj iu bashkua aleancës së NATO-s më 2020.

Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mircea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.

Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën me kusht që të mbeteshin anonimë, thanë për Radion Evropa e Lirë se ekzistonte një dëshirë e fortë që këtë pozitë ta merrte dikush nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe ajo t’i takonte një gruaje.

Ndër kandidatët e tjerë ishin ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, ish-presidentja e Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, dhe Olivera Injac, e cila ishte ministre e Mbrojtjes në Malin e Zi nga viti 2020 deri në vitin 2022.

Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, jashtë Bashkimit Evropian. Aktualisht, ajo është nënkryetare e Partisë së Socialistëve Evropianë.

Roli kryesor i zëvendësit të sekretarit të Përgjithshëm është ta zëvendësojë kreun dhe t’i kryesojë takimet e 32 ambasadorëve në Këshillin Veri-Atlantik dy herë në javë, ose në çdo takim urgjent, përfshirë edhe Këshillin NATO-Ukrainë. REL

Putin “mbledh” aleatët e tij të Ballkanit, fton Vuçiçin dhe Dodikun ta takojnë në Moskë vitin e ardhshëm

Presidenti rus Vladimir Putin ftoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe atë të Republika Srpska Milorad Dodik për të vizituar Moskën në maj të vitit të ardhshëm, kur do të shënohet 80-vjetori i fitores në Luftën e Dytë Botërore.

“Ju ftoj të merrni pjesë në festimet e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë më 9 maj 2025”, tha Putin në ftesën drejtuar liderëve serbë.

Në ftesë, Putin theksoi se është i bindur se ruajtja e kujtimit të fitores së madhe do të forcojë vendosmërinë e përbashkët për të kundërshtuar çdo manifestim të neonazizmit dhe për të rritur bashkëpunimin konstruktiv për të garantuar paqen dhe sigurinë në planet.

Presidenti i entitetit boshnjak Republika Srpska Milorad Dodik u mburr në rrjetin X me ftesën e ardhur direkt nga Kremlini.

“Jam i nderuar dhe mirënjohës për ftesën e Presidentit të Federatës Ruse, Vladimir Putin, për të marrë pjesë në ngjarjet ceremoniale me rastin e 80-vjetorit të Fitores në Luftën e Madhe Patriotike, që do të mbahet në Moskë”, shkroi Dodik.

Kujtojmë se që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë, Dodik është takuar disa herë me Presidentin e Rusisë.

Ish-gjenerali serb e pranon përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë për lirim të parakohshëm

Shërbimi i Ballkanit i REL-it

Ish-gjenerali i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, të cilin gjykata e Hagës e dënoi me 35 vjet burg dy dekada më parë për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, e ka pranuar përgjegjësinë dhe ka shprehur pendesë për pjesëmarrjen e tij në gjenocid.

Kërstiq, në një letër drejtuar gjykatës ku kërkoi lirim të parakohshëm nga burgu, shkroi se do të kishte votuar për Rezolutën e Kombeve të Bashkuara për Srebrenicën.

“Nuk kam të drejtë vote, sepse në këtë Rezolutë përmendet emri im pasi kam kryer një vepër penale të papërfytyrueshme dhe të pafalshme”, ka shkruar Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës.

Ai ka shkruar gjithashtu se, nëse i jepet mundësia, do të shkonte në Potoçar për t’i “nderuar” viktimat e gjenocidit.

Në qershor të vitit 2024, mbrojtja e Radisllav Kërstiqit paraqiti kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm në Mekanizmin Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (ish-Tribunali i Hagës), duke bashkëngjitur letrën e shkruar nga vetë Kërstiq, ku ai kërkon që ajo të bëhet publike.

Kjo letër u shpërnda për media më 13 nëntor nga Mekanizmi në Hagë.

Qendra Memoriale në Potoçari pret që ish-gjenerali Kërstiq, pasi pranoi përgjegjësinë për gjenocidin në Srebrenicë, të ndajë me Prokurorinë gjithçka që di për krimet e luftës, tha për Radio Evropa e Lirë Allmasa Sallihoviq, zëdhënëse e kësaj qendre ku janë varrosur viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Ajo, duke komentuar deklaratën e Kërstiqit, tha se Qendra Memoriale “përshëndet pranimin e përgjegjësisë”.

Nura Begoviq, e cila në gjenocidin e Srebrenicës humbi 19 anëtarë të familjes, tha për Radio Evropa e Lirë se ” Kërstiq sigurisht nuk e bën këtë nga zemra, por vetëm për siguruar falje”.

“Ai do të vinte në Potoçari, është e rëndësishme që e tha këtë, por me siguri familjet nuk do të dëshironin të takoheshin me të”, tha Begoviq.

Rasti i Kërstiqit

Dhoma e Apelit e Tribunalit të Hagës më 2004 e dënoi përfundimisht me 35 vjet burgim ish-komandantin e Korpusit të Drinës së Ushtrisë së Republikës Sërpska, Radisllav Kërstiq, duke e shpallur fajtor për ndihmë dhe mbështetje të gjenocidit në Srebrenicë, përndjekje dhe vrasje të boshnjakëve të Srebrenicës në korrik të vitit 1995.

Ky ishte vendimi i parë përfundimtar me të cilin Tribunali i Hagës konstatoi se Ushtria e Republikës Sërpska kreu gjenocid në Srebrenicë. Ky vendim ia uli dënimin prej 45 vjet burgim Kërstiqit, të cilin ia kishte shqiptuar në vitin 2001 Dhoma e Shkallës së Parë të Tribunalit.

Me vendimin e shkallës së parë, Kërstiq ishte dënuar për kryerje të gjenocidit, por Dhoma e Apelit ndryshoi atë pjesë të vendimit.

Kërstiq në letrën drejtuar kryetares së gjykatës deklaroi se pranon vendimet e Tribunalit të vitit 2001 dhe 2004.

Ai konfirmoi se dinte që “disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kishin për qëllim të kryenin gjenocid”, por se ai shtab “nuk kishte forca të mjaftueshme për të kryer ekzekutimet” pa “përdorimin e Korpusit të Drinës”, të cilin Kërstiq e komandonte asokohe.

“E dija që përdorimi i forcave nën komandën time do të kontribuonte në mënyrë të konsiderueshme në ekzekutimin e të burgosurve boshnjakë”, ka shkruar Kërstiq në letër.

Ai ka konfirmuar gjithashtu se ka ndihmuar dhe mbështetur krimin kundër njerëzimit duke marrë pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale për zhvendosjen me dhunë të civilëve boshnjakë nga Potoçari, prej 10 deri më 13 korrik 1995.

“Kam marrë pjesë në krijimin e një krize humanitare që i parapriu zhvendosjes së detyruar të grave, fëmijëve dhe të moshuarve nga Srebrenica, në të cilën gjithashtu kam marrë pjesë, duke ditur që civilët në Potoçari ishin të ekspozuar ndaj vrasjeve, përdhunimeve, rrahjeve dhe abuzimeve”, ka shkruar Kërstiq.

Ai shtoi se gjenocidin në Srebrenicë e kryen individë dhe se për veprat dhe krimet e tyre duhet të përgjigjen, duke shtuar se “fatkeqësisht edhe unë jam një nga ata”.

Kërstiq ka deklaruar gjithashtu se po i drejtohet me letër publikut në ish-Jugosllavi.

“Do të doja që fjalët e mia t’i lexojnë dhe kuptojnë të rinjtë që sot jetojnë në hapësirat ku dikur ishte një vend që quhej Jugosllavi (…), të ndalojnë dhe të mendojnë – kurrë më. Kurrë më luftë, kurrë më vdekje për shkak të fesë, kombit ose bindjeve të ndryshme, kurrë më gjenocid”, ka shkruar Kërstiq.

Radisllav Kërstiq u arrestua nga forcat ndërkombëtare në Bosnje e Hercegovinë më 2 dhjetor 1998. Pas vendimit përfundimtar, ai u dërgua në Britani të Madhe në vitin 2004 për të vuajtur dënimin.

Në një burg britanik, ai u sulmua dhe u plagos nga të burgosur të tjerë, për çka më 2013 u transferua në Poloni.

Pasi vuajti dy të tretat e dënimit, autoritetet polake, sipas ligjit të atjeshëm, nuk kishin mundësi ta mbanin më në burg, prandaj Kërstiq u rikthye në paraburgim në Hagë, ku ndodhet aktualisht.

Gjykata disa herë më parë e ka refuzuar kërkesën e tij për lirimin e parakohshëm për shkak të rëndësisë së krimit për të cilin është dënuar.

Vendimin për kërkesën e re do ta marrë kryetarja e gjykatës Grasiela Gati (Graciela Gatti) Santana.

Forcat e Ushtrisë së Republikës Sërpska vranë në korrik 1995 në Srebrenicë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë.

Për këto krime, disa gjykata kanë dënuar më shumë se 50 persona me mbi 700 vjet burgim për gjenocid dhe krime lufte në Srebrenicë.

Në mesin e tyre janë edhe ish-presidenti i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq. Të dy janë dënuar me burgim të përjetshëm.


Send this to a friend