VOAL

VOAL

Kumanova, qyteti më i goditur nga Covid-19 në Maqedoninë e Veriut

Isak Ramadani

Kumanova është qyteti më i prekur, menjëherë pas Shkupit nga koronavirusi dhe masat shtrënguese atje u vendosën pas disa raste vdekjesh dhe rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve.

Qendra e Shëndetit Publik në Kumanovë, e cila ka për detyrë të gjurmojë, identifikojë dhe izolojë bartësit dhe të prekurit nga koronavirusi, po përpiqet së bashku me autoritetet spitalore të qytetit të ndalë përhapjen e infeksioneve.

Drejtori i Qendrës së Shëndetit Publik në Kumanovë, doktor Arif Latifi në një bisedë përmes Skype-it me Zërin e Amerikës thotë se numri i pacientëve të prekur nga COVID-19 në spitalin e qytetit ndryshon me dinamizëm brenda ditës, me që rastet me simptoma më të lehta ndalen këtu, mirëpo atyre shumë shpejtë mund t’u përkeqësohet gjendja dhe duhet të dërgohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.

Zoti Latifi thotë se një numër i qytetarëve të Kumanovës nuk po i respekton rekomandimet e mjekëve, megjithëse u janë bindur urdhërave për ndalim-qarkullim:

“Mirëpo, kur e fitojnë atë lirinë disaorëshe, ata dalin në rrugë, grumbullohen dhe disa nuk mbajnë maska, kështu që vetëm rrezikojnë të rrisin numrin e të infektuarve”, thotë kreu i Shëndetit Publik në Kumanovë.

Doktor Latifi u bën thirrje atyre që mund të jenë bartës të virusit që të vetëizolohen, sikurse të gjithë qytetarëve sepse në këtë mënyrë, thotë ai, na ndihmojnë t’i identifikojmë pacientët e mundëshëm ose bartësit e infeksionit.

“Do t’i lusnim qytetarët të cilët i anketojmë në anketat epidemiologjike që të jenë të sinqertë dhe të na tregojnë të vërtetën, sepse disa nga ta po i fshehin kontaktet që kanë pasur, e me këtë edhe bartësit e mundshëm të infekstionit. Duhet ta kenë të qartë se po të jesh i prekur me koronavirus nuk do të thotë turp; ështe shqetësim për të gjithë ne, ndërsa vihet në rrezik personeli mjekësor dhe familjet tona”, thotë ai.

Doktor Latifi vlerëson se numri i të prekurve po vjen duke u rritur.

Virusi ka prekur dhe një numër të konsiderueshëm të mjekëve dhe personelit mjekësor jo vetëm në Kumanovë, por në këtë qytet fillimisht u konfirmuan 11 mjekë dhe infermierë me koronavirus, sipas të gjitha gjasave të infektuar nga pacienti i ashtuquajtur zero në këtë zone, teksa numri i tyre sot ka shkuar në mbi 20.

Nga mbi 600 personat e prekur me COVID-19 në Maqedoninë e veriut, rreth dhjetë përqind janë mjekë dhe personel spitalor. Autoritetet u bëjnë thirrje atyre që të mbrohen duke përdorur pajisjet e domosdoshme që i kanë në dispozicion.

Së fundmi, në Shkup kanë arritur mijëra maska dhe pajisje të tjera mjekësore nga Sllovenia, Hungaria e Turqia, ndërsa Shtetet e Bashkuara kanë ndarë një ndihmë prej 1.1 milion dollarësh për zbutjen e gjendjes dhe luftimin e koronavirusit në Maqedoninë e Veriut.

Ministri serb: Reciprociteti më i keq se sa taksa 100%, do të ketë zero tregti me Kosovën

Ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiç deklaroi se reciprociteti, masa e paralajmëruar nga Kosova, është më e keqe se sa taksa prej 100 për qind.

Teksa foli për heqjen e taksës pas 1 prillit, ministri serb tha se “disa mallra kanë shkuar, ndonëse në sasi të papërfillshme, megjithatë ato shkuan. Nëse aplikohet reciprociteti siç është paralajmëruar, që në të gjitha faturat duhet të deklarohet se dërgohet në Republikën e Kosovës, ato mallra nuk do të shkojnë, sepse autoritetet tona doganore nuk mund të t’i njohin këto dokumente”.

Ai pohoi se me këtë strategji të ndjekur nga Kosova, “tregtia do të jetë zero”. bw

Twitter fshin 8 558 llogari të lidhura me partinë e Vuçiçit

Kompania Twitter njoftoi se ka fshirë 8,558 llogari të lidhura me Partinë Përparimtare të Serbisë (SNS) në pushtet.

Këto llogari, sipas Twitter-it, promovonin partinë në pushtet dhe udhëheqësin e saj.

“Në fund të vitit të kaluar, ne identifikuam grupe llogarish të përfshira në veprimtari të koordinuara joautentike që çuan në fshirjen e 8,558 llogarive të cilat promovonin partinë qeverisëse të Serbisë dhe udhëheqësin e saj”, tha Twitter.

Përmes një njoftimi tjetër, Twitter tha se gjithashtu kishte mbyllur një rrjet llogarish të lidhura me Arabinë Saudite dhe që vepronin edhe në vende tjera: Egjipt dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Këto llogari e kanë ekzagjeuar përmbajtjen duke lavdëruar udhëheqjen Saudite, si dhe kanë kritikuar veprimtarinë e Katarit dhe Turqisë në Jemen.

“Janë fshirë gjithsej 5.350 llogari”, tha Twitter.

Pas një hetimi nga një organizatë ndërkombëtare e gazetarëve hetues – Bellingcat – për një operacion informacioni në Indonezi që synoi Lëvizjen e Pavarësisë së Papuas Perëndimore në Indonezinë lindore, Twitter hoqi 795 llogari mashtruese, të cilat nga faqe të dyshimta promovonin përmbajtje pro-qeveritare.

Kompania gjithashtu pohoi se kishte zbuluar se shumë llogari të paautorizuara po hynin në Twitter nga një IP (shifra identifikuese e një kompjuteri të kyçur në internet) në Honduras dhe kryesisht po reklamonin llogarinë e presidentit.

Twitter gjithashtu njoftoi se kishte mbyllur 2.541 llogari në një rrjet me qendër në Egjipt të njohur si El Fagr. rel

Vdes ministri serb Branisllav Bllazhiq nga koronavirusi

Pamje nga Beogradi.

Një pjesëtar i Qeverisë serbe ka vdekur pasi është prekur nga koronavirusi i ri.

Branisllav Bllazhiq, ka qenë sekretar shetëror në Ministrinë e Ambientit. Ai është zyrtari i parë serb që ka vdekur nga kjo sëmundje.

Politikani i krahut të djathtë, Bllazhiq ka qenë edhe bashkëthemelues i Partisë Progresive.

Ai ka shërbyer si ministër i Ambientit në fund të viteve 1990 dhe i është kthyer sërish politikës në vitet e fundit, së fundmi si sekretar shtetëror.

Ky lajm vjen në kohën e rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet.

Serbia ka raportuar për 1 060 raste me koronavirus dhe pothuajse 30 vdekje deri më tani.

Në këtë shtet është duke u zbatuar edhe masa e gjendjes së jashtëzakonshme. rel

VIDEO – Glezos për shqiptarët

Ka ndërruar jetë në moshën 98-vjeçare, ish-deputeti grek Manolis Glezos. Ish-deputeti ka humbur jetën mesditën e sotme si pasojë e një ataku kardiak.

Ish deputeti arvanitas njihet edhe për qendrimet e tij liberale ndaj emigrantëve dhe fqinjëve të Greqisë, ndërkohë që pesë vite më parë mbajti një fjalim të fortë në Parlamentin e Greqisë duke thënë se të paktën 13 deputetë kishin prejardhje shqiptare duke qenë arvanitas.

Në fjalën e tij, Glezos pyeti kreun e Parlamentit grek nëse ishte i sigurt që ishte grek pasi mbiemri i tij ishte arvanitas.

“Ne jemi fqinj (me shqiptarët sh.r), gruan mund ta largosh nga shtëpia, edhe djalin mund ta largosh, por fqinjin jo”, u shpreh ai ndër të tjera në atë fjalim që mbetet një ndër më të fortit sa i përket shqiptarëve në Parlamentin grek.

Ndahet nga jeta në moshën 98 vjeçare Manolis Glezos, hero i rezistencës antifashiste greke, mik i popullit shqiptar

 

Glezos – (Mbajtja në fuqi e Ligjit të Luftës me Shqipërinë ) Është një gabim i rëndë dhe trashanik i të gjitha qeverive greke të pas luftës. Historia e ka sqaruar këtë. Nuk ka grek që të mos e dijë të vërtetën se pse u vendos ai ligj absurd. Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë asnjë faj apo përgjegjësi. Por absurditeti më i madh është që ky ligj mbahet ende në fuqi, kur në fakt të dy vendet kanë marrëdhënie shumë të mira mes tyre. Nuk mund të ecet përpara duke mbajtur në gojë fjalën luftë. Grekët e mi përpara se të flasin për luftë me shqiptarët, le të flasin se në shumë etapa të historisë kemi luftuar së bashku krah për krah kundërtë njëjtit armik, që nga pavarësia e Greqisë e deri në Luftën e Dytë Botërore. Kjo është një e vërtetë historike që duhet të na afrojë më shumë me njëri-tjetrin dhe jo ligji i luftës…

 

Glezos – Kam patur vazhdimisht një dashuri të veçantë për popullin shqiptar sepse jo vetëm jemi vende fqinj, por edhe popuj me histori dhe rrënjë të përbashkëta. Jemi dy kombe që kemi bërë histori. Jemi mbajtur e mpleksur me njeri tjetrin me shekuj, grek e arvanitas të cilët kanë dhënë një kontribut të veçantë në historinë shekullore të popullit grek. Heronjtë e historisë së lashtë por edhe të Rilindjes i kemi të përbashkët. Përulem me respekt të veçantë përballë historisë se popullit shqiptar, Luftës së tij Çlirimtare, figurave të shquara antifashiste që ai ka nxjerrë. Kemi vetëm një rrugë: të ruajmë vlerat unikale të antifashizmit, ta zhvillojmë atë, ta mbajmë të pastër nga deformimet e ideologëve neofashistë e neonazistë, të rigjallëruar në këto vite në Europë dhe ndaj të cilëve ju jeni vërtet i shqetësuar. Dhe me të drejtë. Unë e kuptoj thellësisht shqetësimin tuaj. Të gjitha betejat me ta i kemi fituar gjatë shekullit të kaluar dhe përsëri do t’i fitojmë edhe gjatë këtij shekulli sepse mbrojmë aspiratat e drejta të njerëzimit, mbrojmë humanizmin, solidaritetin, civilizimin, paqen dhe zhvillimin e gjithanshëm.

Manol Glezosi lindi në fshatin Apiranthos (Aperathu), të ishullit Naxos. Ai u shpërngul në Athinë në vitin 1935 së bashku me familjen e tij, ku mbaroi shkollën e mesme. Gjatë viteve të shkollës së mesme në Athinë punoi edhe si punonjës farmacie. U pranua në Shkollën e Lartë të Studimeve Ekonomike dhe Tregtare (i njohur sot si Universiteti i Ekonomisë dhe Biznesit në Athinë) në vitin 1940. Më 1939,  duke qënë akoma një gjimnazist, Glezos mori pjesë në krijimin e një grupi të rinjsh antifashistë kundër pushtimit italian të Dodekanezëve dhe diktatura e Ioannis Metaxas.

Në fillimin e Luftës së Dytë Botërore u bashkua me ushtrinë Greke në frontin shqiptar kundër Italisë, por u refuzua sepse ishte i mitur. Në vend të kësaj, ai punoi si vullnetar për Ministrinë Greke të Ekonomisë. Gjatë okupacionit të Greqisë, punoi për Kryqin e Kuq Helenik dhe komunën e Athinës, ndërsa u përfshi aktivisht në rezistencë. Svastika (kryqi i thyer) në Akropol.  Më 30 maj 1941 Glezos dhe shoku i tij tjeter antifashist Apostolos Santas u ngjitën në Akropol dhe ulën flamurin nazist. i cili kishte qenë atje që nga 27 Prilli 1941, Ky veprim i kryer prej Glezos dhe Santas frymëzoi jo vetëm Grekët, por të gjithë levizjen antifashiste greke dhe pati jehone ndërkombëtarë. Regjimi nazist i ketij akti iu përgjigj duke dënuar ata me vdekje në mungesë.Ai u arrestua nga forcat gjermane më 24 mars 1942 dhe iu nënshtrua burgimit dhe torturave. Si rezultat i trajtimit brutal në burgjet naziste ai u prek edhe nga tuberkulozi.

Veprimtaria pas luftës II Botërore

Fundi i Luftës së Dytë Botërore nuk ishte fundi i fatkeqësive së Glezos. Më 3 Mars 1948, në periudhën e Luftës Civile në Greqi, atij iu bënë disa gjyqe për bindjet e tij politike si komunist dhe u dënua me vdekje shumë herë nga qeveritë e djathta. Edhe pse ende ishte i burgosur, Manolis Glezos u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek në vitin 1951, nën siglën e së majtës Demokratike të Bashkuar, i njohur edhe si EDA (Eliniki Dhimokratiki Aristera). Pas zgjedhjes së tij, i burgosur ai filloi grevë urie duke kërkuar lirimin e deputetëve të tjerë antifashistë.

Ai i dha fund grevës së urisë vetëm pa lirimit në 16 Korrik 1954.

Më 5 dhjetor 1958 u arrestua përsëri dhe vetëm pas 4 vjetësh ne 15 Dhjetor 1962 u lirua si rezultat i protestave të mëdha publike dhe zemërimit të opinionit grek dhe atij ndërkombëtar i cili i kishte akorduar atij dhe çmimin e paqes. Gjatë grushtit të shtetit më 21 prilli 1967, Glezos arrestohet së bashku me një pjesë tjetër të liderëve politikë të të majtes greke. Gjatë Regjimit të diktaturës ushtarake (Hunda) të udhëhequr nga George Papadopoulos, ai u burgos me burgim dhe internim jashtë Athinës deri kur dhe u lirua në 1971. Burgosjet e arrestimet dhe dënimet e Manolis Glezos, nga Lufta e Dytë Botërore deri në vitin 1974 janë të panumërta arrijnë në 11 vjet e 4 muaj burg, dhe 4 vjet e 6 muaj internim. Bashkë me të nëpër burgje dhe internime kanë vuajtur edhe figura të tjerë të mëdha antifashiste të Greqisë si poeti Janis Ricos, e të tjerë bashkëkohës të Glezosit.

Pas rivendosjes të demokracisë në Greqi në 1974, Glezos ishte nga nismëtarët në ringritjen e partisë së tij EDA. Në zgjedhjet e tetorit 1981 dhe qershor 1985, ai u zgjodh anëtar i Parlamentit Grek si deputet, me partinë e Lëvizjes Socialiste Panhelenike (PASOK). Në 1984 u zgjodh Anëtar i Parlamentit Evropian, përsëri me nën siglën e PASOK. Ai ishte edhe Presidenti i EDA nga 1985 deri në 1989. Ndërkohë, në vitin 1986, për shkaqe të pakënaqësisë të zhvillimeve të partisë ai u tërhoq nga Parlamenti, dhe u angazhua të zbatojë një eksperiment të demokracisë direkte me komunitetin e vendlindjes se tij Aperathu. Ky model i eksperimentuar  prej tij funksionoi për disa vjet, por pa sukses. Në zgjedhjet legjislative të vitit 2000 ai kryesoi listën e partisë Synaspismos (Koalicioni) të së majtës radikale. Në 2002, ai formoi grupin politik Qytetarë aktivë (i cili është pjesë e Koalicionit të së Majtës Radikale, një aleancë me Synaspismos dhe parti të tjera të vogla të së majtës Greke) dhe kandidoi si prefekt për Atikën (gadishulli i Athinës).

Në Mars 2010, Glezos ishte duke marrë pjesë në një demonstratë proteste në Athinë, kur u godit në fytyrë nga një bombë gazi lotësjellës i hedhur nga policia. Ai u transportua i plagosur në spital. Në shkurt të vitit 2012, Glezosi udhëhoqi mjaft demonstrata proteste në Athinë dhe siç e tregojnë disa foto të asaj periudhe në përleshje edhe me policinë ai u godit dhe plagos. Në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2012, ai u zgjodh si deputet i partisë së Koalicionit të së Majtës Radikale (SYRIZA) dhe u zgjodh edhe deputet ne parlamentin europian duke marrë 430 000 vota, më shumë se çdo kandidat tjetër në Greqi ndonëse ishte në moshën 91 vjeçare. Qëndroi në parlamentin europian gati për dy vjet duke qenë deputeti më i vjetër në moshë dhe në korrik të 2015 ai u tërhoq nga jeta aktive politike.

Karriera jo-politike

Përveç angazhimit te tij politik, Glezos ka qenë i angazhuar si aktivist shoqëror në ruajtjen e ambientit, në ndërtimin e mjaft veprave ujore dhe shkencat gjeologjike duke marrë pjesë në ndërtimin e mjaft digave në sistemet ujore në Greqi.

Ai është shpallur doktor nderi i filozofisë në disa universitete të Greqisë si në Athinë, Patras, Selanik etj

Glezos ka qenë aktiv edhe në shtypin e shkruar grek duke shkruajtur artikuj në gazetat greke që nga viti 1942 dhe ishte redaktori i gazetave Rizospastis (Radikali) dhe i Avgi (Agimi) në vitet ’50. Atij iu dha Çmimi Ndërkombëtar i Gazetarisë në 1958, Medalja e Artë Joliot-Curie të Këshillit Botëror të Paqes në 1959 dhe Çmimi i Lenin për Paqen në 1963. Ai ka botuar gjithashtu gjashtë libra në Greqisht të botuar kudo në Europë.

Tërmet në Kroaci

Një tërmet goditi sot në afërsi të Zagrebit, duke plagosur rëndë një 15 vjeçare dhe duke lënë pas vetes dëme materiale.

Tërmeti la pa energji elektrike disa pjesë të kryeqytetit kroat.

Kryeministri Andrej Plenkoviç, u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë jashtë shtëpive nga droja e dridhjeve të reja. Kryeministri Plenkoviç dhe ministri i Brendshëm Davor Bozhinoviç, u bënë thirrje qytetarëve që dolën në rrugë të mbajnë distancë nga njëri tjetri derisa vendi po përballet me përpjekjet për të penguar zgjerimin e koronavirusit.

Deri tash Kroacia ka raportuar për 206 të infektuar dhe një të vdekur.

Kryeministri Plenkoviç, tha se tërmeti me fuqi prej 5.3 shkallësh është më i fuqishmi që ka goditur Zagrebin në 1401 vjetët e fundit. Ai goditi rreth 6 kilometra në veri të Zagrebit dhe u ndje gjithandej Ballkanit Perëndimor.

Autoritetet thanë se një 15 vjeçare është në gjendje të rëndë dhe u gjet nën rrënojat e një ndërtese.

Kryeministri Plenkoviç tha se ushtria është urdhëruar të ndihmojë në pastrimin e rrënojave.

“Është një situatë kundërthënëse. Ne u kemi bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi për të penguar zgjerimin e koronavirusit, ndërsa tani po u themi të dalin nga shtëpitë”.

Një dëshmitar i tha agjencisë Reuters se tërmeti zgjati 10 sekonda. Më i fuqishmi që kam përjetuar ndonjëherë”, tha ai.

Kosova solidarizohet me Kroacinë

Autoritetet në Kosovë u solidarizuan me Kroacinë pas tërmetit të së dielës.

Presidenti Hashim Thaçi, tha mes tjerash se Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të ofrojë ndihmë.

“Pamjet pas tërmetit në Zagreb janë trishtuese, por shpresojmë që të kalojë pa viktima”, shkroi ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Video- Vuçiç kollitet në konferencë: Shumë do të ishin të lumtur nëse do të ishte koronavirus

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ditën e sotme gjatë konferencës për media e zuri kolla për më shumë se 10 sekonda.


Vuçiç u shpre se u kollit vetëm pasi pinte ujë.

“Unë vetëm u kollita, për të mos u shqetësuar, nuk është coronavirusi. E di se shumë do të ishin të lumtur nëse do të ishte një coronavirus, por nuk është”. tha ai.

Deri tani, 12 raste të infeksionit me coronavirus janë raportuar në Serbi, dhe janë futur në karantinë.

Jeremiçi: Vuçiçi u pajtua për anëtarësimin e Kosovës në OKB, marrëveshja para nëntorit

Kryetari i Partisë Popullore në Serbi, Vuk Jeremiç, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, është pajtuar për “anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”. Sipas tij zyrtarët më të lartë të Shteteve të Bashkuara kanë pritje shumë të mëdha nga Beogradi dhe Prishtina pas zgjedhjeve të 26 prillit në Serbi.

“Para zgjedhjeve nuk presin diçka, por pas zgjedhjeve ata kanë pritje të larta”, ka thënë Jeremiq, duke shtuar se involvimi i Richard Grenell në dialog tregon se SHBA’të kanë pritje të mëdha nga dy shtetet.

Sipas tij Washingtoni pret që të arrihet një marrëveshje deri në muajin nëntor të këtij viti.

Këto deklarata politikani serb i ka bërë pas disa takimeve që ka psur me njerëz nga administrata amerikan, Departamenti i Shtetit dhe kongresmen.

Jeremiq tutje ka thënë se pritjet e tij janë për arritjen e një marrëveshje për normalizim të raporteve Prishtinë-Beograd që nënkupton anëtarësimin e Kosovës në OKB./Express/

Vuçiçi shpall mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 26 prill

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme më 26 prill, ndonëse shumica e partive opozitare pritet ta bojkotojnë këtë proces për shkak të korrupsionit dhe ankesave për mungesë të lirive demokratike në këtë shtet.

Vuçiq ka thënë më 4 mars se, duke njoftuar për datë të mbajtjes së zgjedhjeve që tani, i bie që fushata zgjedhore do të jetë më shumë se 50 ditë, njëherësh një nga më të gjatat në historinë e Serbisë.

“I uroj secilit fat dhe uroj që gjithçka të ndodhë në atmosferë demokratike. Është e rëndësishme që gjithçka të zhvillohet në mënyrë paqësore, demokratike dhe që njerëzit të zgjedhin përfaqësuesit e tyre sipas dëshirës”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Partitë opozitare kanë dhënë shenja se mund të bojkotojnë zgjedhjet, pas akuzave se nuk ka hapësirë të duhur për fushatë.

Mediat e pavarura serbe janë ankuar vazhdimisht se po u bëhet presion nga zyrtarët dhe kanë akuzuar qeverinë se po nxit atmosferë jotolerante ndaj gazetarëve.

Vuçiq, i cili është zotuar se do ta drejtojë Serbinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, dhe që ndërkohë zhvillon lidhje me Kinën dhe Rusinë, është akuzuar për shtypje të lirisë së mediave.

Vuçiq në anën tjetër ka mohuar akuzat. rel

Mediet serbe thonë se nesër mund të ndodhë një takim Thaçi-Vuçiç

Nesër në Uashington mund të zhvillohet një takim mes presidentit serb Aleksander Vuçiq dhe homologut të tij nga Kosova, Hashim Thaçi, por kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, transmeton Tanjug.

Sipas agjencisë së lajmeve serbe, takimi mund të ndërmjetësohej nga i dërguari Special i SHBA’së për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell.

Takimi nuk do të përfaqësojë vazhdimin e dialogut, pasi Vuçiq ka thënë vazhdimisht se në interes të gjetjes së një zgjidhje për çështjen e Kosovës, ai është i gatshëm për të gjitha bisedimet, por që vazhdimi i dialogut nuk është në dispozicion para se Prishtina të heqë taksën.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ndodhet për vizitë në Uashington, ku është takuar me sekretarin e Shtetit Mike Pompeo, si dhe ka vizituar selinë e Vatrës, shoqatës më të vjetër shqiptare, ku u prit nga kryetari i ri i saj, Elmi Berisha, dhe nga anëtarët e kësaj shoqate./Express

Aleksandër Vuçiç: Njohja e Kosovës çështje kohe. Ja kur do anëtarësohet në OKB

Është vetëm çështje kohe para se Serbisë do t’i duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, “de facto” apo “de jure”.

Kështu është shprehur presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë një interviste dhënë për mediat serbe.

Këto deklarata të Vuçiç-it erdhën menjëherë pas njoftimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se taksa 100% ndaj Serbisë do të hiqet nëse do të zëvendësohet me masë reciprociteti.

Presidenti serb tha se pas heqjes së taksës, ai pret presion të jashtëzakonshëm mbi Serbinë për të pranuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Synimi i tyre është që ta fusin Kosovën në Kombet e Bashkuara dhe ky është thelbi. Këtë duhet ta presim, dhe çështja është se kur do të ndodhë, brenda tre muajsh, gjashtë muajsh, një viti, kjo do të ndodhë”, tha Vuçiç.

Maqedonia e Veriut konfirmon rastin e parë me koronavirus

Isuf Kadriu

Në Maqedoninë e Veriut është konfirmuar rasti i parë me koronavirusin e ri.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, njoftoi se bëhet fjalë për një shtetase, 50 vjeçe, e kthyer para disa ditëve nga një udhëtim në Itali.

Ajo së bashku me dy persona të tjerë, ishin paraqitur në Institutin e Sëmundjeve Infektive në Shkup, ku pas analizave të detajuara është konstatuar prania e virusit.

Dy personat e tjerë kanë rezultuar negativ.

“Nuk ka vend për panik. Institucionet kanë ndërmarrë të gjitha masat dhe gjendja është nën kontroll. Të gjithë personat që kanë udhëtuar së bashku me të infektuaren do kontrollohen dhe do të vendosen në izolim 14 ditor “, ka deklarur ministri Filipçe.

Ministria e Shëndetësisë më herët ka njoftuar se po shqyrton mundësinë e izolimit të të giithë pasagjerëve që udhëtojnë nga Italia.

Koronavirusi ka infektuar më shumë se 80,000 njerëz në botë, duke shkaktuar mbi 2.700 vdekje, kryesisht në territorin e Kinës, ku virusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar.

Në pjesën tjetër të botës, ka pasur më shumë se 40 vdekje dhe mbi 2.700 raste.

Në Serbi dy të infektuar me koronavirus

Dy shtetas të Serbisë, anëtarë të ekuipazhit të kryqëzorit “Diamond Princess”, janë infektuar nga koronavirusi.

Ministria e Jashtme e Japonisë ka bërë të ditur se testet kanë dalë pozitive për koronavirusin.

Ndërsa, Ministria e Jashtme e Serbisë ka konfirmuar se është duke punuar për të marrë informacione se në cilin spital do të strehohen dy serbët.

Siç tha ai, Ambasada e Serbisë në Japoni është në kontakt të vazhdueshëm.

Një javë më parë është raportuar për anijen, ku ka më së shumti raste të të prekurve nga koronavirusi, jashtë Kinës. Aty prezent ishin 17 shtetas të Rumanisë, 14 serbë, 6 kroatë, dy maqedonas, një boshnjak dhe një qytetar i Malit të Zi.

Amerika dhe Kanadaja i kishin evakuuar qytetarët e tyre nga bordi, ndërsa shtetasit e Ballkanit kanë mbetur të bllokuar.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daciq, ka thënë një javë më parë se 4 qytetarë serbë janë të izoluar dhe po priten rezultatet e tyre, nëse janë prekur nga virusi. /Express/

Filipçe: “Qytetarët të anulojnë udhëtimet në Itali nëse nuk kanë nevojë urgjente”

Shkup

Ministri i Shëndetësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, pas rasteve të fundit të vdekjes dhe infektimit me virusin Covid-19 në Itali, u ka bërë thirrje qytetarëve që nëse nuk kanë nevojë urgjente, të anulojnë udhëtimet në rajonin e Italisë veriore, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në këtë moment nuk ka të dhëna nëse kemi shtetas tanë të sëmurë apo nën monitorim në Itali. I kërkuam konsullit tonë që nëse ekziston ndonjë mekanizëm që ai të informohet nëse ndonjë grup i qytetarëve tanë dëshiron të kthehen në vendin tonë dhe në cilën mënyrë do të kemi informata shtesë ku dhe kur do të paraqiteshin në kalimet kufitare”, deklaroi Filipçe.

Rritet shkalla e gatishmërisë

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se ka rritur nivelin e gatishmërisë për parandalimin dhe menaxhimin me të infektuarit eventual nga koronavirusi.

Siç ka njoftuar ministria, për shkak të gjendjes së re të krijuar nga koronavirusi në rajonet Lombardi, Veneto dhe Emilia-Romagna në Itali, ministri Filipçe zhvilloi një takim me Komisionin e Sëmundjeve Infektive ku është konstatuar se gatishmëria duhet ngrihet në një nivel më të lartë.

Komisioni ka miratuar masa të reja dhe më të fuqishme për parandalimin dhe menaxhimin e rasteve të mundshme që do të koordinohen më tej në takimin e sotëm me Qendrën për Menaxhimin e Krizave në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut.

Konkluzionet fillestare të mbledhjes së Komisionit për Sëmundje Infektive janë që duhet të shtohet kontrolli në të gjitha vendkalimet kufitare dhe në të dy aeroportet në vend.

Sipas kumtesës, në vendkalimet kufitare do të ndahen hapësira të veçanta ku do të intervistohen të gjithë pasagjerët që vijnë nga destinacionet e rrezikshme dhe do të bëhet një ekzaminim fillestar i shëndetit të tyre.

“Në aeroportin e Shkupit, kamera termike është vendosur në një vend ku do të monitorojë të gjithë pasagjerët që vijnë, jo vetëm pasagjerët në Dubai dhe Stambolli. Me pistoletë pa kontakt që detekton temperaturën e trupit do t’u bëhet skrining pasagjerëve që vijnë nga destinacionet e rrezikshme edhe në aeroportin e Ohrit”, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.

Mes tjerash, theksohet se nëse paraqitet nevoja, Klinika e Sëmundjeve Infektive në Shtip do të funksionojë si një institucion izolimi.

“Testet e rasteve të dyshimta do të kryhen në Klinikat e Sëmundjeve Infektive në Shkup dhe Kumanovë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë informon se në vend ka mjaft reagentë për testimin e koronavirusit”, thuhet në kumtesë.

Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë plotësisht masat parandaluese për mbrojtje siç janë mbrojtja shtesë e ushqimit, mbrojtje e veçantë gjatë punës në tregjet e hapura, mbrojtjen e popullsisë nga ftohja, si dhe larjen e shpeshtë dhe të detyrueshme të duarve.

Numri personave që kanë humbur jetën nga lloji i ri koronavirusit Covid-19 në Itali është rritur në 5. Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, 219 persona janë infektuar me virusin vdekjeprurës. Raportet e fundit tregojnë se Italia tani është vendi i tretë në botë sipas rasteve të koronavirusit, pas Kinës dhe Koresë së Jugut.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut lëshoi një kumtesë në lidhje me situatën me koronavirusin në Itali.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut, sipas informacioneve të marra nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Venecia të Italisë, ka njoftuar se deri më tani nuk ka asnjë informacion mbi qytetarët tanë që vuajnë nga koronavirusi”, thuhet në deklaratë.

Më shumë armë ruse për Serbinë me gjithë kërcënimet për sanksione amerikane

Serbia ka blerë një sistem të sofistikuar kundërajror nga Rusia, pavarësisht sanksioneve të mundshme amerikane kundër shtetit ballkanik, që zyrtarisht synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i tha të dielën televizionit proqeveritar Prva se sistemet kundërajrore Pantsir S1, janë blerë pas këshillave nga presidenti rus Vladimir Putin.

“Blijeni Pantsirin. Është treguar shumë i efektshëm në Siri”, citoi ai presidentin rus t’i ketë thënë në njërin nga takimet e tyre të shpeshta kohët e fundit.

“Ky sistem kundërajror është shumë efektiv kundër dronëve që janë bërë shumë thelbësorë në luftën moderne”, tha presidenti serb.

Me gjithë synimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, Serbia nën udhëheqjen populiste të presidentit Vuçiç, ka forcuar lidhjet politike e ushtarake me aleaten e saj sllave, Rusinë.

Serbia është zotuar të qëndrojë jashtë NATO-s dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë për shkak të politikës së saj ndaj Ukrainës.

Armatosja e Serbisë nga Rusia shihet me shqetësim në perëndim, në një periudhë tensionesh në rritje në Ballkanin që u përfshi në luftëra shkatërruese në vitet e 90-ta. NATO ndërhyri kundër Serbisë në vitin 1999 për t’u dhënë fund mizorive ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Zyrtarët amerikanë kanë folur hapur për vendosjen e sanksioneve kundër Serbisë në rast se Moska i shet më shumë armë, veçanërisht të tilla që mund të rrezikojnë sigurinë e vendeve fqinje anëtare të NATO-s.

Presidenti serb Vuçiç tha se shpreson që nuk do të ketë sanksione sepse ai ka folur hapur për blerjen e sistemeve Pantsir. Ai tha se beson që kërcënimi me sanksione ka të bëjë me shumë me blerjen e mundshme të sistemeve kundërajrore S-400 që kanë një gamë shumë më të gjerë veprimi dhe janë armë sulmuese.

Serbia mori të shtunën dy nga gjashtë sistemet e raketave të blera ruse, vetëm disa ditë pasi që ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, vizitoi Beogradin, ku deklaroi se bashkëpunimi ushtarak midis dy shteteve ka arritur në një nivel “thelbësisht” të ri. zëri i amerikës

*Mbështetur në agjencinë e lajmeve Associated Press

Vuçiçi: Ky është plani për Kosovën që do të na e dorëzojnë sivjet

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se e ka refuzuar tashmë një plan që i mundësonte Kosovës të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, pa treguar më shumë detaje, transmeton Gazeta Express.

Vuçiq duke folur sot në një emision televiziv ka thënë se Serbisë sivjet do t’i ofrohet një plan që nuk do të mund ta pranojë.

“Jam i bindur për këtë dhe kjo do të ndodhë këtë vit. Do të tentojnë të na japin garanci për anëtarësim në BE, por me kushtin që ta njohim Kosovën, po ashtu do të na ofrojnë një status të veçantë për serbët në sfera të caktuara. Dhe çka pastaj. Unë do ta pyes popullin. Para 3 vitesh pyeta për këtë dhe askush nuk e deshi këtë” ka thënë Vuçiq.

I pyetur nëse ndaj Serbisë do të ketë ultimatum, Vuçiq ka thënë ” këtë do ta shihni më vonë”.

VIDEO – Historiani grek Konstantinos Pangalis thotë: Shqiptarët janë të parët e tokës sonë!

Konstantinos Pangalis , shpjegon se kush janë grekët e sotëm , kush ishin Helenët dhe SHQIPTARËT .

Shpjegon se ne jemi të parët e kësaj toke , shpjegon se historia e sotme greke nuk ka lidhje me të vërtetën , shpjegon se Shqiptarët janë ILIRË , shpjegon se Helenët jemi ne por jo grekët e sotëm !

për më shumë ndiqeni videon

 

Historiani grek e thotë me zë dhe figurë: Shqiptarët janë të parët e tokës sonë!

Më në fund, një prej emrave më të shquar të Greqisë, e ka thënë me zë dhe figurë se shqiptarët kanë qenë të parët në Ballkan, madje edhe në trojet greke.

Konstantin Pangalis ka dhënë një intervistë në televizionin “Alter” dhe ka tronditur opinionin publik në Greqi ndërsa ka folur për identitetin e sotëm grek dhe të shqiptarëve.

Pangalis theksoi ndër të tjera se shqiptarët janë të parët e kësaj toke dhe se historia e sotme greke nuk ka lidhje me të dikurshmen.

Këto dhe të tjera detaje ndiqni në bashkëbisedimin për televizionin “Alter”:

 

 

 

 

 

Ministri rus i Mbrojtjes viziton Serbinë

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vulin në Beograd.

Serbia dëshiron një ushtri të fortë sepse ajo garanton stabilitetin dhe neutralitetin, por edhe përparimin e vendit, tha ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin, gjatë një takimi me homologun e tij rus, Sergei Shoigu, të hënën në Beograd.

Në deklaratën e ministrisë serbe të Mbrojtjes, Vulin, mes tjerash citohet të ketë thënë se, “formimi i ushtrisë së Kosovës dhe armatosja e saj janë të papranueshme”.

Siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Vulin dhe Shoigu janë përqendruar në bashkëpunimin e vendeve të tyre në mbrojtje dhe në forcimin e lidhjeve në të ardhmen.

Ministri rus tha se stërvitjet e përbashkëta të të dyja ushtrive janë treguesi më i mirë i marrëdhënieve të ngushta.

Vulin e falënderoi Federatën Ruse për ndihmën ushtarake dhe teknike që i ofron ushtrisë së Serbisë.

“Vetëm në vitin 2019 janë realizuar 94 aktivitete në kuadër të bashkëpunimit ushtarak ndërkombëtar me Federatën Ruse. Bashkëpunimi në mbrojtje zhvillohet në përputhje me Deklaratën e Partneritetit Strategjik”, tha Ministria e Mbrojtjes në Beograd.

Shoigu gjatë vizitës së tij në Serbi do të takojë edhe presidentin e këtij vendi, Aleksandar Vuçiq.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka nxjerrë një dokument në, të cilin është thënë se marrëdhëniet Serbi-Rusi janë forcuar që nga ardhja në pushtet e Vuçiqit në vitin 2012. rel

Vuçiç: Nuk dua ta gënjej popullin tim se Kosova do të jetë e jona

Presidenti serb Aleksander Vuçiç tha se Serbia po lufton për çdo njeri [serb] në Kosovë, por se ai nuk do të gënjejë popullin e tij lidhur me situatën e vërtetë.

Siç shkruan ‘B2’, Vuçiç është shprehur pesimist për çështjen e Kosovës. “Nëse mendoni se ka shumëçka lidhur me Kosovën që ne e kemi në duar, ju lutem njerëz, ne nuk jemi fëmijë, nuk jemi naivë. Po luftojmë për çdo person në Kosovë, por nuk dua ta gënjej popullin dhe të them se gjithçka do të jetë e jona në 300 milionë vitet e ardhshme”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu tha nga viti 2012 i ka dëgjuar tregimet se “ai është tradhtar, sepse gjasme u premtoi amerikanëve se do ta dorëzojë Kosovën, prandaj SHBA dhe BE nuk e mbështesin bojkotimin e opozitës për zgjedhjet e ardhshme’.

 

“Mirëpo, njerëzit [serbët] në Kosovë nuk janë të çmendur dhe e dinë saktësisht se kush i mbështet ata dhe kush punon për ta”.

 

Presidenti serb, i cili po merr pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, të premtën në një panel të liderëve të Ballkanit Perëndimor, pati një ballafaqim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Konfirmohet prania e COVID-19 (koronavirusit ) tek një shtetas i Maqedonisë së Veriut

Shkup

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut (MPJ) njoftoi se është konfirmuar prania e COVID-19 (koronavirusit) tek një nga shtetasit maqedonas që gjenden në anijen “Diamond Princess” në Jokohama të Japonisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Në pajtim me informacionet më të reja të marra nga organet kompetente japoneze, informojmë se ka ardhur deri te ndryshimi lidhur me gjendjen e shtetasve maqedonas që gjenden në anijen ‘Diamond Princess’ në Jokohama, Japoni. Është konfirmuar prania e COVID-19 tek njëri prej tyre i cili për momentin është shtrirë në spital në Japoni”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

“Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tokio është në komunikim me shtetasin në fjalë. Njëherit, ambasada në baza ditore komunikon edhe me dy shtetasit tjerë të cilët ende gjenden në anijen në Jokohama dhe të cilët deklarojnë se ndjehen mirë dhe deri tani nuk kanë shfaqur simptoma që mund të tregojnë praninë e COVID-19″, thuhet në njoftim.

MPJ më 6 shkurt informoi se tre shtetas maqedonas janë në anijen e cila është mbajtur në Japoni për shkak të pranisë së personave të infektuar me COVID-19.

Anija, e cila ankoroi në portin “Jokohama” afër kryeqytetit Tokio, më 4 shkurt u vendos në karantin pasi tek një nga pasagjerët nga Hong Kongu u zbulua virusi COVID-19.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli gjendje të rrezikut global.

Numri i të vdekurve nga COVID-19 arrin 1368 ndërsa 59 883 persona janë të infektuar.

Kujtojmë se nga 27 janari në Aeroportin Ndërkombëtar në Shkup filluan masat parandaluese kundër COVID-19. Me kamera termale skanohen pasagjerët e fluturimeve nga Stambolli dhe Dubai, të cilët kanë lidhje me rajonin në Kinë, ku është vatra e këtij virusi.

Turqia eksporton 60 milionë trëndafila para ditës së Shën Valentinit

Stamboll

Prodhuesit turq të luleve para 14 shkurtit, Ditës së Shën Valentinit, kanë eksportuar 60 milionë trëndafila në 50 vende të ndryshme, përfshirë Holandën, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë dhe Ukrainën, raporton Anadolu Agency (AA).

Kreu i Shoqatës së eksportuesve të bimëve ornamentale të Anadollit, İsmail Yılmaz, tha se transporti i trëndafilave filloi 20 ditë më parë.

Yılmaz tha se vitin e kaluar prodhimi i trëndafilit ishte më i ulët se ai i këtij viti për shkak të kushteve të motit të ftohtë, duke shtuar se këtë vit vendi eksportoi 6 milionë trëndafila më shumë krahasuar me vitin e kaluar.

Ai tha se krahasuar me vitin e kaluar eksportet e trëndafilave deri tani regjistruan një rritje prej 6.5 milionë dollarëve. Yılmaz tha porositë e reja deri më 14 shkurt do të dërgohen përmes rrugëve ajrore.

Sipas tij, Turqia eksporton edhe lule të tjera, veçanërisht karafilin që përbën pothuajse 90 për qind të eksportit të përgjithshëm të luleve të vendit.

Trump i shkruan Vuçiçit: Normalizoni marrëdhëniet me Kosovën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë nga Serbia normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Kjo i është kërkuar personalisht nga presidenti i SHBA, Donald Trump homologut Aleksandër Vuçiç në urimin që i ka dërguar për festën e pavarësisë.

Urimin e personalizuar, Trump ia ka dërguar Vuçiç nëpërmjet ambasadorit amerikan në Serbi, Anthony Godfrey.

“Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën duhet të jetë prioritet në rrugën e integrimit evropian të Serbisë. Në të ardhmen, mund të mbështeteni tek përkrahja e SHBA-së në rrugën tuaj për arritjen e synimit, anëtarësimin në BE si dhe përpjekjeve për fuqizimin e reformave që janë të nevojshme për të arritur deri tek caku i dëshiruar”, i shkruan Trump.

Shefi i shtëpisë së bardhë i ka shkruar letër presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, me rastin e Ditës Kombëtare të Serbisë.

Ndryshe nga letra e datës 15 shkurt 2019 ku Trump thoshte që marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë duhet të dërgojë në njohje reciproke, në këtë letër, numri një i SHBA-së i ka kërkuar Vuçiç vetëm normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës.

Ndërkohë nga e tij presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, ka thënë se është lumtur për përkushtimin e administratës së presidentit Trump, dhe veçanërisht për Përfaqësuesin Special për dialogun Beograd-Prishtinë, Richard Grenell.

Sipas kreut të shtetit serb, Grenell ka mirëkuptuar nevojat e njerëzve në rajon dhe nevojën për rritjen e standardit të jetës, zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të infrastrukturës./ dita

Kurti e Osmani paralajmërojnë zëvendësimin e taksës me reciprocitet

Taulant Qenaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës 100 për qind të vendosur nga qeveria e kaluar për importet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, me reciprocitetin e plotë politik, ekonomik e tregtar.

I pyetur nga Radio Evropa e Lirë, kryeministri Kurti tha se qeveria e tij, nuk i vë Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën në të njëjtën fjali asnjëherë edhe për shkaqe historike, por edhe arsye aktuale.

“Jemi këtu ku jemi si qeveri e re edhe për shkak të zotimit tonë që me Serbinë do të kemi reciprocitet ekonomik, politik e tregtar, si zëvendësim të tarifës 100 për qind”, tha Kurti gjatë një konference për gazetarë në Prishtinë pas takimit me Përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliyia Apostolova.

“Pra, ne nuk themi që do të kthehemi në marrëdhënie asimetrike me Serbinë, përkundrazi do të avancojmë duke e shndërruar subjektivitetin tonë në çështje integriteti e dinjiteti, me parimin i cili më së shumti njihet për vlerën e tij në raportet ndërfqinjësore e bilaterale, e ky është reciprociteti”, tha Kurti.

Sipas tij, edhe LIdhja Demokratke e Kosovës edhe Vetëvendosje, janë praktikisht për parimin e reciprocitetit.

“Besoj se edhe ata që janë në opozitë dhe që nuk na votuan, mund të mos pajtohen me mua për gjëra të ndryshme, por për reciprocitetin do të jenë dakord”, tha Kurti.

Ndërkaq, Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova tha se pret nga qeveria e Kurtit të dalë me ide të reja, në mënyrë që të rinisë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Konsiderojmë që taksa ka shkel bashkëpunimin ndërkombëtar dhe marrëveshjet tjera si CEFTA, anëtare e së cilës është Kosova. Tani po presim që qeveria e re të dal me propozime dhe ide të reja se si do të trajtojë këtë çështje, nuk dëshirojmë të parashohim se cila do të jetë zgjidhja vetëm dëshirojmë që këto bisedime të vazhdojnë, në mënyrë që për ne është e rëndësishme, që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të fillojë”

Pozicioni që Qeveria e re e Kosovës do të marrë në raport me taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, pritet të jetë hap vendimtar në lidhje me vazhdimin e dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Një ditë pasi që Kuvendi i Kosovës votoi për formimin e qeverisë së re me Albin Kurtin kryeministër, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, i bëri thirrje Qeverisë së re të Kosovës që të heqë taksën ndaj mallrave të importuara nga Serbia.

Grenell, tha se pret që “taksa të hiqet menjëherë”.

Taksa doganore 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina ishte vendosur në nëntorin e vitit 2018, nga qeveria e kaluar e Kosovës e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ky vendim i qeverisë së kaluar, ishte parë më pas si pengesë për vazhdimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte tërhequr nga tavolina e bisedimeve, duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.

Ngjashëm me Kurtin, edhe kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se partitë partnere në qeverinë aktuale të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës e kanë përcaktuar edhe me programin e tyre qeverisës që taksa të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Por fillimisht ajo kërkoi që Serbia të ndalë fushatën kundër Kosovës dhe njohjeve të reja, kërkesë të cilën e kishte parashtruar edhe ambasadori Grenell gjatë vizitës së tij në Prishtinë e Beograd.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

“Programi i përbashkët i koalicionit është prezantuar nga kryeministri Albin Kurti në Kuvend më 3 shkurt dhe aty është bërë e qartë se siç e kemi thënë se tarifa të zëvendësohet me masat e reciprocitetit. Për t’u larguar kjo tarifë, siç edhe e ka thënë ambasadori amerikan Grenell, Serbia duhet ta ndërpresë fushatën e çnjohjeve, që po bën përmes metodave ilegale, që e ka minuar rëndësinë e dialogut”, ka deklaruar Osmani pas takimit me ambasadorin e Gjermanisë në Prishtinë, Christian Held.

Por pavarësisht thirrjeve nga SHBA-ja dhe BE-ja, analistët e çështjeve politike në Prishtinë nuk presin një vendim të shpejtë nga Qeveria Kurti për çështjen e taksës.

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se kryeministri i ri Kurti ka thënë se do të vendosë reciprocitet të plotë dhe vetvetiu do të hiqet taksa. Sipas tij, ky është një proces që do të zgjasë dhe ministritë përkatëse do të shohin cilat janë masat e Serbisë dhe si funksionon reciprociteti në ato masa.

“Ma merr mendja, jo që është e palejueshme, që nuk do të shkojë (kryeministri Kurti) me një vendim të heqjes së taksës në mbledhje të qeverisë, ani pse këtë po e kërkojnë ndërkombëtarët, por do të jetë proces gradual në afat një muaj apo dy muaj dhe do të ndërmarrë korpusin e masave që kanë reciprocitet”, thotë Tahiri.

Edhe Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka deklaruar se Prishtina dhe Beogradi duhet ta vazhdojnë dialogun për normalizimit të raporteve.

“Status-quoja aktuale është e padurueshme. Nuk ka asnjë alternativë për një rifillim të shpejtë të bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Josep Borrell.

Analisti i çështjeve politike Armend Muja, thotë për Radion Evropa e Lirë, se kërkesa për heqjen e taksës ka qenë e vazhdueshme, por sipas tij, duhet t’i lihet kohë qeverisë së re për marrjen e një vendimi rreth kësaj çështjeje.

“Taksa shihet si pengesë në jetësimin e dialogut Kosovë – Serbi dhe unë mendoj që kjo kërkesë do të vazhdojë. Faktori ndërkombëtar dhe vendet e Quint-it duhet ta lënë Kurtin të marrë frymë lirshëm në tre muajt e parë, që të shqyrtojë se çka ka ndodhur dhe si është situata. Kurti në programin e tij qeverisës e ka premtuar reciprocitetin ekonomik dhe politik, si formë e marrëdhënieve me Serbinë, që në esencë nuk e përjashton heqjen e taksës, por as që premton heqjen e taksës”, thotë Muja.

Kurti, gjatë prezantimit të programit qeverisës në Kuvendin e Kosovës më 3 shkurt, tha se është i gatshëm të udhëheqë bisedimet me Serbinë, duke krijuar një ekip gjithëpërfshirës.

Taksa, thotë Armend Muja, vazhdon të jetë një mjet popullor, mirëpo sipas tij, popullariteti i saj është në rënie.

“Aktualisht janë rreth gjysma e qytetarëve që e përkrahin dhe gjysma tjetër që duan të hiqet dhe në këtë kontekst, mund të vijë një zgjidhje, por gjithsesi jo para muajit maj apo qershor. Ndonjë tjetër shtytës, siç është potencialisht vendimi për liberalizimin e vizave, mund të krijojë mjedisin për heqjen e taksës. Por, unë nuk mendoj që deri në muajin maj apo qershor, Qeveria Kurti do ta heqë taksën”, thotë Muja.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka nisur në Bruksel që nga viti 2011 për çështje teknike dhe më pas ka vazhduar në nivelin e përfaqësimit të lartë politik, ku janë arritur më shumë se 30 marrëveshje. Një pjesë madhe e këtyre marrëveshjeve ende nuk janë zbatuar ose janë zbatuar pjesërisht.

Turqia i kërkon BE-së të mos e ndajë nga Ballkani Perëndimor

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu.

Ankaraja kërkoi nga Bashkimi Evropian që të heqë “ndarjen artificiale” midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në politikat e zgjerimit të bllokut.

Thirrja është bërë në një letër që ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ia ka adresuar shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Letra, që është parë nga Radio Evropa e Lirë, është e datës 22 janar dhe nënvizon pikëpamjen e Turqisë ndaj politikës së zgjerimit të BE-së.

Ajo është shkruar para se Komisioni Evropian të publikonte metodologjinë e re të procesit të zgjerimit.

Kjo metodologji u publikua sot dhe u referohet vetëm vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE.

Cavusoglu ka shkruar në letër se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet të trajtohen ndryshe nga Turqia.

“Të gjitha vendet duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë. Shpresojmë të shohim disa hapa pozitivë që do t’i jepnin fund ndarjes artificiale midis Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë gjatë mandatit tuaj”, ka shkruar Cavusoglu.

“Përveç faktit se Turqia është një vend i Ballkanit për shkak të historisë, kulturës dhe gjeografisë së saj, çdo vend kandidat duhet të gjykohet në meritat e tij dhe në rrethana të barabarta”, ka thënë Cavusoglu.

Turqia ka aplikuar për t’iu bashkuar Komunitetit Ekonomik Evropian – institucionit paraardhës të BE-së – në vitin 1987, ndërsa ka nisur negociatat për anëtarësim në BE më 2005.

Këto negociata kanë ngecur viteve të fundit, për shkak të kritikave të BE-së ndaj situatës me të drejtat e njeriut në Turqi dhe sundimit të ligjit atje.

Aktualisht, 14 nga 33 kapitujt e bisedimeve që Ankaraja duhet t’i mbyllë në mënyrë që të bëhet anëtare e BE-së, janë të ngrirë.

Për dallim, Serbia dhe Mali i Zi kanë përparuar më shumë se Turqia në bisedime, edhe pse ato i kanë nisur vetëm në dekadën e kaluar.

Cavusoglu ka thënë në letrën e tij se “populli turk sot beson shumë në projektin e BE-së, por shumica nuk i beson BE-së për shkak të standardeve të dyfishta dhe diskriminimit kundër Turqisë”.

Mësuesi turk i dorëzuar nga Kosova shërbimit inteligjent të Turqisë, dënohet me 8 vjet burg i akuzuar si Gylenist

Voal.ch – Hasan Hüseyin Günakan, një nga gjashtë shtetasit turq që u dërguan në Turqi nga Kosova në një operacion inteligjence në vitin 2018, është dënuar me 8 vjet, 9 muaj burg nga një gjykatë në Stamboll, raportoi agjensia e lajmeve Anadolu.

Günakan iu dha dënimi me burg për “anëtarësim në një grup terrorist”.

Në deklaratën e tij të fundit Günakan thuhet se kundërshtoi akuzat nga gjykata dhe mohoi çdo përfshirje në çdo veprim të dhunshëm dhe anëtarësim në çdo organizatë terroriste.

Në maj të vitit 2018 gjashtë shtetas turq u arrestuan në Kosovë dhe u dërguan në Turqi për lidhje me shkollat ​​e financuara nga grupi me bazë besimi Gülen, të cilin Ankaraja akuzon për orkestrimin e grushtit të shtetit të dështuar në vitin 2016. Grupi mohon çdo lidhje me puçin.

Operatorët e inteligjencës të dy vendeve, Turqi, Kosovë dhe Ambasada Turke në Prishtinë thuhet se ishin të përfshirë në operacion, i cili shkaktoi reagime nga Bashkimi Evropian. (Turkish Minute)/voal.ch

Ambasadori rus: Pa Rusinë dhe Këshillin e Sigurimit, s’ka marrëveshje Kosovë-Serbi

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan Harchenko, tha se Rusia do të përfshihet në negociatat midis Serbisë dhe Kosovës, nëse merr një ftesë të tillë nga Beogardi.

Pa Rusinë dhe pa miratim nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, marrëveshja midis dy vendeve nuk vjen në shprehje, tha Harchenko për mediat në Beograd.

Ai tha se Rusia gjithmonë ka qenë në favor të bisedimeve midis Beogradit dhe Prishtinës, por shtoi se atë e shqetëson dëshira për zgjidhje të shpejtë.

Harchenko tha se nuk janë të sakta kritikat se Rusia nuk do zgjidhje dhe se përmes Serbisë dëshiron të ruajë ndikimin në rajon.

“Interes i Rusisë gjithmonë ka qenë vazhdimi, në këtë rast rifillimi i bisedimeve”, tha Harchenko, raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018 kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind importeve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës, por Kosova, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëar, vazhdon ta mbajë në fuqi këtë masë.

Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë emëruar të dërguarit e tyre të posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky proces, që ka nisur në vitin 2011, është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Bashkimi Evropian, ndërsa ka pasur mbështetjen e SHBA-së.

Befason aktorja serbe, e thotë publikisht para mediave të saj: Kosova është e pavarur, edhe nëse nuk ka ulëse në OKB!

Aktorja dhe producentja, Bojana Maljeviç, ka befasuar mediat serbe me qëndrimin e saj për Kosovën.

Aktorja Maljeviç ka deklaruar se duhet pranuar fakti se Kosova është shtet, edhe pse nuk ka ulëse në Kombet e Bashkuara.

“Kosova është e pavarur, pa marrë parasysh a ka ulëse ose jo në OKB”, deklaroi ajo për mediat serbe, transmeton lajmi.net.

Maljeviç ka thënë se duhet të ekzistojë një kompromis, sidomos në politikë.

“Kjo nuk nënkupton se të dyja palët duhet të jenë njësoj të kënaqura, edhe pse do të duhej, sepse ky është kuptimi i kompromisit”, theksoi aktorja serbe.

E pyetur nëse çështja e Kosovës do të duhej të zgjidhej me marrëveshje ose duhet të vazhdohet gjendja e konfliktit të ngritë, ajo ka përsëritur se është gjithmonë në favor të marrëveshjes.

“Kurrë nuk do të isha për konflikt. Më duket se konflikti në Ballkan ka rëndësi të madhe. Dialogu zgjatë shumë, jo nga kjo qeverisje por e kaluara. Në atë kuptim, nëse konfederata ndërkombëtare mund të përmirësojë diçka ose shpejtojë arritjen e kompromisit dhe zgjidhjes, atëherë duhet të bëhet”, shpjegoi Maljeviç.

Borell: BE-ja do të angazhojë përfaqësues të posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, në takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, tha të premten në Beograd se BE-ja duhet të angazhohet më shumë në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës.

“Nuk na takon neve të vendosim se cilat do të jenë rezultatet përfundimtare, por i takon Beogradit dhe Prishtinës. Ne duhet të angazhohemi më fuqishëm sesa në muajt paraprak dhe për këtë kam biseduar me presidentin (e Serbisë, Aleksandër) Vuçiq. Bashkimi Evropian duhet të emërojë një përfaqësues të posaçëm, i cili do të jetë shumë i angazhuar sepse unë nuk jam i sigurt se do të kem kohë të mjaftueshme për t’u angazhuar dhe për ta shtyrë dialgoun përpara”, tha Borell për takimit me presidentin serb.

Borell shfaqi shpresën se dialogu do të rifillojë së shpejti.

Ai tha se kur të ndodhë kjo, BE-ja do të jetë e gatshme të vazhdojë ndërmjetësimin.

I pyetur të komentojë mbi përfshirjen gjithnjë e më të madhe të Uashingtonit në bisedimet Prishtinë-Beograd, kreu i diplomacisë evropiane tha se nuk ka ndonjë dallim midis qasjes së Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara ndaj procesit të normalizimit të marrëdhënieve.

“Edhe gjatë vizitës time në Kosovë më kanë pyetur se sa i diskutueshëm është qëndrimi i SHBA-së ndaj Kosovës. Nuk është aspak i diskutueshëm. Uashingtoni është shumë i fuqishëm, por ai nuk mund t’i ofrojë Kosovës një karrige në Kombet e Bashkuara. Atje ka edhe vende të tjera të botës dhe jo vetëm vende evropiane. Vendet si Kina, Rusia apo India pyeten për këtë çështje. Mendoj se të gjithë e dinë se pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, Kosova nuk do të jetë vend i njohur nga bashkësia ndërkombëtare”, tha Borell.

Në konferencën për media me Borellin, Vuçiq tha se Serbia është e gatshme të ulet në tryezë me Prishtinën kur kjo e fundit t’iu heqë taksën prodhimeve të importuara nga Serbia dhe të diskutojë për, siç tha, të gjitha çështjet thelbësore.

Vuçiq shtoi se Borell ia ka përsëritur qëndrimin e BE-së, se perspektiva evropiane e Serbisë nuk do të jetë e sigurt pa një zgjidhje të marrëdhënieve me Kosovën.

“I kam thënë hapur se kemi pasur shans për të bërë kompromis disa vite më parë, por tani çdo ide e tillë është e vrarë”, tha Vuçiq.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë në fund të vitit 2018 kur Kosova u ka vënë taksë 100 për qind importeve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës.

Serbia e ka kushtëzuar rikthimin në dialog me heqjen e taksës, por Kosova përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëar vazhdon ta mbajë në fuqi këtë masë.

Vitin e kaluar, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë kanë emëruar të dërguarit e tyre të posaçëm në dialogun Kosovë-Serbi.

Ky proces, që ka nisur në vitin 2011 është ndërmjetësuar vazhdimisht nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, ndërsa ka pasur mbështetjen e SHBA-së. rel

Vuçiç: Serbia me investime në Republikën Sërpska

Mrkonjiç Grad

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, sot në Mrkonjiç Grad të Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë tha se Serbia do të japë 600 mijë marka konvertibile për pajisjen e gjimnazit dhe shkollës së makinerisë në këtë qytet, si dhe 200 mijë marka konvertibile për Qendrën Shëndetësore, raporton Anadolu Agency (AA).

“Sot ne kemi rënë dakord për një lloj mbështetje konkrete shtesë për ekonominë e Republikës Sërpska. Ne përmes Qeverisë së Republikës së Serbisë do të paguajmë ca para për të subvencionuar individë privatë të RS për pajisjet e tyre, kompanitë, makinat, në një masë edhe më të favorshme sesa në Serbi, me më pak para sesa në Serbi sepse ne duam të inkurajojmë mbijetesën e njerëzve tanë në vatrat e tyre dhe duam të ndihmojmë zhvillimin dhe përparimin e mëtutjeshëm të RS-së”, tha Vuçiç në një konferencë për media.

Ai tha se do të investojnë në furnizimin e mamografisë dhe automjeteve për Qendrën Shëndetësore.

“Ne kemi marrë një vendim për të ndihmuar financiarisht komunat fqinje të Sipovës, Liqenin Ribnik dhe komunën serbe të Kupres”, tha Vuçiç.

Ai gjithashtu theksoi se ishte mirënjohës për Cvijanoviçin dhe Dodikun për “mirëkuptimin se sa e rëndësishme është të ruhet tërësia e njerëzve dhe të jemi gjithmonë bashkë”.

Vuçiçi paralajmëron marrëveshje për linjën hekurudhore Prishtinë-Beograd

Ambasadori amerikan, Richard Grenell dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar arritjen e një marrëveshjeje për linjën hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës.
Pas takimit me të dërguarin presidencial të Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadorin, Richard Grenell, Vuçiq tha se marrëveshja do të jetë e ngjashme me atë të linjës ajrore, Prishtinë-Beograd, e cila u arrit në fillim të kësaj jave me ndërmjetësimin e diplomatëve amerikanë.

“Bisedova për lidhjen e mëtejshme infrastrukturore midis Prishtinës dhe Beogradit. Kemi biseduar edhe për vendosjen e linjes hekurudhore mes Prishtinës dhe Beogradit. Lidhur me këtë, deklarova që është e rëndësisë së madhe që taksa të hiqet sepse do të ishte e pakuptimtë të kemi qarkullim hekurudhor pa mallra”, tha Vuçiq.

Ambasadori Grenell po e viziton Beogradin pas qëndrimit të Prishtinë ku kërkoi nga autoritetet e Kosovës të heqin taksën ndaj mallrave serbe ndërkaq nga Beogradi të mos vazhdojë fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Të njëjtën kërkesë ai e përsëriti edhe në Beograd, derisa ftoi të dyja palët të fokusohen në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

“Unë jam këtu për të shtyrë të dy palët për bashkëpunim ekonomik, po ua lë politikën juve”, tha Grenell.

Bisedimet për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë ndërprerë në fund të vitit 2018, pasi Qeveria e Kosovës vendosi taksë ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Ambasadori Grenell tha më 23 janar në Beograd se Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë mundësinë e arritjes së marrëveshjes.

“Po ndjej një energji të mirë nga të dy anët (Kosovë e Serbi), por presidenti Donald Trump nuk do të me lejojë të punojë gjatë në këtë çështje nëse nuk ka ndonjë përparim”, ka thënë mes tjerash Grenell. rel

Grenell në Beograd – ndaleni fushatën kundër pavarësisë së Kosovës

Ambasadori Richard Grenell, i dërguar i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, tha të premten në Beograd që nëse palët vendosin se nuk kanë për çfarë të bisedojnë, atëherë Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen.

Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb. Aleksandër Vuçiç, duke ritheksuar qëndrimin e shprehur edhe gjatë vizitës në Prishtinë se Kosova duhet te heqë tarifat ndaj mallrave serbe, ndërsa Serbia duhet t’i jap fund fushatës për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

“Kur isha në Kosovë dje e bëra shumë të qartë para çdo udhëheqësi që takova, si edhe para medieve e komunitetit të biznesit se tarifat duhet të hiqen. Tarifat janë të papranueshme, dhe e bëj të njëjtën kërkesë këtu, që fushata për tërheqjen e njohjeve të Kosovës duhet të ndalet. Prandaj mendoj se ajo çka do të bëjmë është të vazhdojmë të lëvizim në këtë drejtim të përqendrimit në ekonomi”, tha ambasadori Grenell.

“E ndjej që ka energji meqë po bisedojmë për të arritur përparime të caktuara. Nëse palët vendosin që nuk duan të bisedojnë, atëherë do të tërhiqemi”, tha ambasadori Grenell.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se nuk mund të pranojë barazimin e heqjes së tarifave dhe ndërprerjes së fushatës për tërheqjen e njohjeve.

“Ne kemi qëndrim tjetër për njohjen e Kosovës nga Amerika dhe Prishtina. Ata duan që pavarësia e saj të njihet e në nuk duam. Sa u përket tarifave, ato janë vënë pas asnjë arsye”, tha presidenti serb sipas të cilit Serbia vetëm brenda një viti ka humbur 435 milionë euro për shkak të tarifave.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Ambasadori Grenell tha se nuk i takon atij të vendosë nëse është apo nuk është e drejtë që këto gjëra të krahasohen, por ai përpiqet të përqendrohet në një të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam këtu për të nxitur të dyja palët për bashkëpunim ekonomik, po ua lë politikën juve”, tha ambasadori Grenell.

Në këtë kuadër gjatë takimit është diskutuar edhe për vendosjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai po qëndron në rajon pak ditë pasi bashkë më këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, ndërmjetësoi një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për rihapjen e linjës ajrore Prishtinë – Beograd, në një përpjekje për përmirësimin e lidhjeve ekonomike midis dy vendeve. zëri i amerikës

Kërcënon i dërguari i Trumpit gjatë konferencës me Vuçiçin: SHBA tërhiqet, nëse nuk arrini marrëveshje me Kosovën!

I dërguari special i Presidentit amerikan, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në një konferencë të përbashkët me kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiç, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen, nëse Prishtina dhe Beogradi nuk do të ulen dhe të lëvizin drejt një marrëveshjeje.



“Kur flasim rreth asaj nëse është e drejtë apo jo, nuk është për mua ta them. Më takon mua që të sjellë dy palët në tavolinë, dhe është në dorë të palëve për të vendosur. Palët duhet të më thonë mua se çfarë mendojnë dhe çfarë duan. Unë po bëj përpjekje për një të ardhme më të mirë, për njerëzit në Kosovë dhe Serbi. Ne duhet të bëjmë gjithçka për të tejkaluar atë që të gjithë e shohin si një konflikt . Nëse dy palët nuk lëvizin dhe arrijnë një marrëveshje, në do të tërhiqemi”, ka thënë Grenell në konferencë.

Grenell ka thënë se nëse të dy palët do të thonë se nuk kanë se cfarë të flasin dhe se gjithçka ka mbaruar, atëherë SHBA do të tërhiqen dhe do të merren me diçka tjetër.Megjithatë, ai është shprehu se janë duke ndjerë një energji pozitive aktualisht dhe se shpresojnë në një marrëveshje mes dy vendeve.

“Evituam njohjen e Kosovës”, Vuçiç reagim provokues pas marrëveshjes për linjën ajrore Prishtinë-Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, e ka komentuar nga Zvicra marrëveshjen Kosovë – Serbi të nënshkruar në Berlin për vendosjen e një linjë fluturimi në relacionin Prishtinë – Beograd.

Ai ka thënë se me këtë marrëveshje është evituar njohja e pavarësisë së Kosovës. Vuçiç, që është kritikuar se pse kompania Air Serbia nuk do të jetë operatori, por kompania gjermane, ka thënë se në këtë mënyrë është evituar njohja e Kosovës.

“Air Serbia do duhej të nënshkruante të gjitha dokumentet me shtetin e Kosovës. Do të duhej të bënte marrëveshje me aeroportin Adem Jashari, por edhe me Kosovën si shtet, do duhej ta pranonim se hapësira ajrore nuk është nën kontrollin tonë. Për këtë ne kërkuam dhe luftuam që ta involvojmë KFOR’in, ta kemi një ndërmjetës që me rezolutën e OKB’së është përgjegjës për atë hapësirë”, ka deklaruar Vuçiç.

Greqia zgjedh gruan e parë presidente në historinë e vendit, Ekaterini Sakelaropulu zëvendëson Pavlopulosin

Greqia zgjedh gruan e parë presidente në historinë e vendit. Mësohet se në krye të shtetit helen do të jetë Ekaterini Sakelaropulu. Mediat greke raportojnë se Sakelaropulu u zgjodh presidente me 261 pro dhe 33 abstenim, duke zëvendësuar Prokopis Pavlopulos.

Posti i presidentit në Greqi është kryesisht simbolik, ndërkohë që mandati pesëvjeçar i Prokopis Pavlopoulos, përfundon më 13 mars.

Katerina Sakelaropulu është kryetare e Këshillit të Lartë të Shtetit nga maj 2018, me vendim të qeverisë SYRIZA, ndërsa ajo u propozua nga kryeministri Micotakis, kandidaturë që u mbështet gjerësisht. Katerina Sake-Laro-Pulu, gjykatëse e lartë dhe pjesë e Këshillit të Lartë të shtetit shërben në drejtësinë greke prej 36 vjetësh.

“Nënat e Srebrenicës” ngrenë padi kundër Holandës

Të afërm të viktimave të Masakrës së Srebrenicës ngritën padi kundër Holandës në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.

Padia, e cila sfidon një vendim të Gjykatës së Lartë në Holandë, të muajit korrik, është përpjekje e grupit të njohur si “Nënat e Srebrenicës” për të mbajtur Qeverinë holandeze përgjegjëse për vrasjen e 350 burrave myslimanë.

“Nënat e Srebrënicës ngritën sot një rast kundër shtetit holandez në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”, thanë përmes një deklarate avokatët Marko Gerritsen dhe Simon van der Slujis, duke e akuzuar shtetin holandez për mosmarrje të masave të mjaftueshme për të mbrojtur popullsinë.

Në total, mbi 8,000 burra dhe djem myslimanë janë vrarë nga forcat serbe të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq, në korrik të vitit 1995 në Srebrenicë.

Atëbotë, shumë prej viktimave kanë shkuar në zonën e shpallur të sigurt nga Kombet e Bashkuara, por atje nuk ka pasur numër të mjaftueshëm të paqeruajtësve holandezë për t’i mbrojtur ata.

Gjykata e Lartë e Holandës konstatoi më 19 korrik se paqeruajtësit holandezë të Kombeve të Bashkuara “kanë vepruar në mënyrë të paligjshme” kur i kanë evakuuar burrat nga baza e tyre ushtarake pranë Srebrenicës, më 13 korrik, 1995, duke i dorëzuar ata te forcat serbe të Bosnjës, edhe pse e kanë ditur se “kanë qenë në rrezik serioz për t’u abuzuar ose vrarë”.

Megjithatë, Gjykata e Lartë tha se Holanda mban përgjegjësi “shumë të kufizuar”.

Sipas vendimit të Gjykatës, Holanda ka vetëm 10 për qind të përgjegjësisë për vdekjen e 350 burrave.

Avokatët e “Nënave të Srebrenicës” thanë se ky vendim ishte “krejtësisht arbitrar”.

Masakra e Srebrenicës është cilësuar si më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. rel

Stoltenberg: Marrëveshjet me Lufthansan për linjën Prishtinë-Beograd, hap i rëndësishëm

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka mirëpritur synimet e kompanisë Eurowings dhe grupit, Lufthansa, për të hapur linjën ajrore në mes të Prishtinës dhe Beogradit, bazuar në disa letra të ashtuquajtura të qëllimeve që janë nënshkruar sot në Berlin.

“Ky është një hap i rëndësishëm që do të lehtësojë dhe përshpejtojë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

“Komandati i misionit tonë të KFOR-it vazhdon të jetë autoritet i hapësirës ajrore në Kosovë, bazuar në Revolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. NATO-ja do të jetë e përfshirë e Takimin për Normalizimin të Aviacionit në Ballkan, të cilin udhëheqim”, është thënë mes tjerash në deklaratë.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së synimeve në mes të kompanisë ajrore Lufthansa dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Në një postim në rretin social, Facebook, Thaçi ka thënë se ky hap shënon një tjetër përppjekje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, ka deklaruar Thaçi.

Më herët gjatë ditës, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se nënshkrimi këtyre letrave është hap i rëndësishëm, por ai ka shtuar se linja ajrore Beograd-Prishtinë mund të jetësohet pas heqjes së taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës. rel

Thaçi mirëpret synimet për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së synimeve në mes të kompanisë ajrore Lufthansa dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Në një postim në rretin social, Facebook, Thaçi ka thënë se ky hap shënon një tjetër përppjekje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Prandaj, në emër të institucioneve shtetërore dhe qytetarëve tanë, shpreh mirënjohjen e thellë për Ambasadorin e SHBA-së në Berlin, Richard Grenell, si dhe Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit Trump, Robert O’Brien, për kontributin e tyre për këtë marrëveshje, e cila pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave në të ardhmen”, ka deklaruar Thaçi.

Më herët gjatë ditës, Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, tha se pret që të hënën në Berlin të nënshkruhet një letër për synimet e Ministrisë serbe të Ekonomisë dhe kompanisë së fluturimeve Lufthansa, për vendosjen e një linje ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës.

Siç transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Gjuriq tha se kjo linjë mund të jetësohet pas heqjes së taksës që Kosova u ka vënë prodhimeve të importuara nga Serbia dhe pas rikthimit të dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.

Nënshkrimi i letrës së synimeve, tha Gjuriq, do të ishte hapi i parë simbolik drejt rivendosjes së linjës ajrore midis Beogradit dhe Prishtinës, pas 20 vjetësh.

“Përveç 12 autobusëve që rregullisht lidhin Beogradin dhe Prishtinën, ne gjithashtu mund të kemi edhe një linjë ajrore në të ardhmen”, tha Gjuriq.

Sipas tij, zyrtarët në Beograd do të njoftojnë edhe misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, dhe atë të NATO-s, KFOR, në lidhje me këto synime.

Këto organe, shtoi Gjuriq, janë përgjegjëse për kontrollimin dhe koordinimin “e hapësirës ajrore të Serbisë në Kosovë”.


Send this to a friend