VOAL

VOAL

“Njeriu i artë” 2.500 vjeçar ekspozohet në Turqi

Në Turqi ka mbërritur për t’u ekspozuar armatura e njeriut me veshje prej ari i njohur ndryshe si “njeriu prej ari” i cili është gjetur gjatë punimeve ndërtuese në Kazakistan dhe i cili mendohet se i përket një perandori ose djalit të tij princit për shkak të më shumë se 3 mijë pllakash ari të përpunuara që ndodhen mbi të, raporton Anadolu Agency (AA).

Armatura e cila ekspozohet në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit në kuadër të projektit të Kazakistanit “Njeriu prej ari në muzetë botërore”, ndodhet në mesin e argumenteve të rëndësishëm që vërtetojnë kulturën turke dhe thellësinë brenda historisë së qytetërimit.

Mbi “Njeriun me veshje ari” i cili u gjet gjatë punimeve ndërtimore në vitin 1969 në rajonin Yedisu të Kazakistanit ndodhen mbi 3 mijë pllaka në formë trekëndëshi ku janë përpunuar me motive të ndryshme si leopard, pars, dashi, dreri, dhie, kali dhe të zogjve.

 

Veshja e cila përbëhet një mantel me jakë V që mbyllet nga e djathta në të majtë, pantallona të ngushta kalorësi, çizme të shkurtra poshtë gjurit, tërheq vëmendjen me kapelën e saj prej 65 cm. Në kapelën e cila në majë ka një motiv me dhi të egër tërheq vëmendjen gjithashtu kali me dy krahë i cili simbolizon perëndinë e diellit me 4 shigjeta, që simbolizojnë mbizotërimin e botës.

Krahas mantelit dhe kapelës në armaturë ndodhen edhe një shpatë e gjatë e veshur me ar me 150 madhësi të ndryshme, një thikë gjysmë lëkurë dhe gjysmë dru, si dhe kamxhiku i përpunuar me ar. Po ashtu “njeriu prej ari” ka edhe një unazë që mendohet se është përdorur si vulë.

Pjesët që ndodhen pranë armaturës së nxjerrë nga varri i quajtur si “Issyk Kurgan” vërtetojnë se turqit kanë formuar një qytetërim dhe një shtet të madh para 2.500 vjetëve dhe se kanë përdorur gjuhët e tyre të shkruara.

Dy rreshta mbishkrimi që ndodhen mbi një garuzhdë argjendi me bisht të thyer që është nxjerrë nga dhoma e varrit, konsiderohen teksti më i vjetër turk. Shumica e shkencëtarëve bashkohen në mendimin se mbishkrimi ka kuptimin “Djali i Khanit vdiq në moshën 23 vjeç, ngushëllime popullit Issyk”.

Kjo vepër e rrallë 2.500 vjeçare, trashëgimi e përbashkët kulturore e botës turke, që reflekton besimet turke, rregullin shtetëror dhe pikëpamjet mitologjike do të vizitohet deri më 12 tetor.

“Njeriu i artë, është Tutankamuni i nomadëve”

Ambasadori i Kazakistanit në Ankara, Abzal Saparbekuly, në një deklaratë për AA lidhur me ekspozitën tha se armorja e njeriut të artë e përcaktuar se i përket shek.5 para erës sonë, është një vepër e rrallë e cila vërteton thellësinë e historisë së turqve.

Pasi ka shpjeguar se “njeriu i artë” është gjendur gjatë punimeve të një rruge në Issyk Kurgan, ambasadori Saparbekuly, është shprehur: “Historia është shumë interesante. Gjatë punëve rrugore, makinat që kalonin pranë një kodre të madhe përballen me disa gjetje ari. Pastaj fillojnë gërmimet. Gjendet kjo vepër e përpunuar plotësisht me ar. Është një gjetje shumë e rëndësishme për sa i përket përpunimit të arit dhe vlerave shpirtërore të asaj periudhe”.

Gjatë gërmimeve në Issyk Kurgan janë gjetur mbi 4 mijë vepra arkeologjike, ka rikujtuar Saparbekuly, i cili ka theksuar më tej se “Themeluesi i Kazakistanit, presidenti Nursultan Nazarbayev, lidhur me këtë gjetje thotë se ‘Njeriu i artë, është Tutankamuni i nomadëve’. Është një vepër e rëndësishme nga pikëpamja historike. Varri (Kurgani) i njeriut të artë është vendi i dytë pas varrit të Tutankamunit nga ku janë nxjerrë më shumë sende”.

Saparbekuly, bëri të ditur se pas Issyk Kurgan në vende të ndryshme të Kazakistanit janë gjetur edhe “5 meshkuj dhe gra të arta” të cilët janë trashëgimi e periudhës së Skithëtve (Saka). Njeriu i artë tregon se historia jonë nuk fillon vetëm nga periudha e Göktürks, por që nga Hunët dhe Skithët (Saka).

Duke shpjeguar se ekspozita është hapur në Bjellorusi, Rusi, Azerbajxhan, Kinë, Poloni, Korenë e Jugut, Uzbekistan dhe Maqedoninë e Veriut, ambasadori Saparbekuly tha se “njeriu i artë” do të dërgohet në vendet e Lindjes së Largët, kryesisht në Malajzi dhe në Evropë dhe Amerikë.

“Ekzistenca e një pasurie dhe civilizimi të tillë historik dhe kryevepra e artit e qëndisur me ar, në një vend nomad si Kazakistani i mahnit të gjithë”, tha Saparbekuly, i cili ka bërë të ditur se të gjithë vendet ku ka vajtur “njeriu i artë” është treguar interes.

Edhe mbishkrimi më i vjetër turk në ekspozitë

Saparbekuly shpjegoi se në Muzeun e Qytetërimeve të Anadollit ekspozohen 207 objekte, të cilët u zbuluan nga 7 rajone në Kazakistan, duke përfshirë një garuzhdë argjendi mbi të cilën ndodhet mbishkrimi më i vjetër turk.

“Sendet e vlefshme në ekspozitë do t’i bëjnë vizitorët të ndiejnë jetën dhe frymën e periudhës. Unë i ftoj vëllezërit tanë turq, artdashësit, dashamirët e historisë dhe të gjithë njerëzit e Ankarasë që për të njohur tokën dhe historinë e tyre të vizitojnë ekspozitën, e cila do të zgjasë deri më 12 tetor”, tha Saparbekuly.

Turqi, lirohen 5 ish-gazetarë të së përditshmes opozitare

Pesë ish-gazetarë të së përditshmes opozitare “Xhumuriet”, përfshirë karikaturistin e shquar Musa Kart, u liruan nga burgu të enjten në mbrëmje pas një vendimi të gjykatës së apelit.

Të pesë ata po vuanin dënime prej më pak se pesë vitesh për “ndihmë dhe forcim të grupeve terroriste, pa qenë anëtarë të ndonjë grupimi”.

Të pesë gazetarët ishin në mesin e 14 anëtarëve të stafit të gazetës, përfshirë gazetarë e drejtues, të dënuar në vitin 2018. Në fillim të këtij viti ankimimi i tyre u kundërshtua nga një gjykatë më e ulët.

Ata u akuzuan se mbështesin, përmes mbulimit në shtyp, tre organizata që Turqia i ka shpallur si grupe terroriste, Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit, Frontin Ultra të Majtë Revolucionar për Lirinë e Popullit si dhe lëvizjen Gulen, që autoritetet turke e akuzojnë si autore të grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.

Gazetarët qëndruan në burg 142 ditë.

Gazeta e përditshme “Xhumuriet” ka pasur shpesh probleme me autoritetet qeveritare. Ish-kryeredaktori i saj Xhan Dundar u arratis drejt Gjermanisë pasi u dënua në vitin 2016 për një artikull ku thuhej se Turqia kishte furnizuar me armë grupet islamike në Siri. za

Policia greke bllokon një ton marijuanë në Janinë, afër Shqipërisë

Policia greke tha se ka sekuestruar rreth një ton marijuanë në një kamion që u bllokua në hyrje të Janinës, qytetit verior grek fqinj me Shqipërinë. Sipas policisë greke shoferi i kamionit që rezulton i vjedhur është një 30 vjeçar, shtetas i huaj.

Sipas policsë greke operacioni kishte nisur në brezin kuftar me Shqipërinë. Sipas mediave greke dyshohet se lënda narkotike ishte transportuar nga brezi kufitar në sasi të vogla në kamionin që kishte destinacion qytetet në thellësi të Greqisë. Operacioni antidrogë u krye nga Divizioni i Antidrogës Greke dhe sasia e narkotikëve është ndër më të mëdhatë e bllokuara gjatë viteve të fundit nga policia greke.

Po sot policia shqiptare arrestoi një tjetër pjesëtar të 4 grupeve kriminale që u ndaluan dje për aktivitet në fushën e narkotikëve. Sipas Policisë shqiptare numri i të arrestuarve ka shkuar ne 58 persona qe akuzohen si të përfshirë në kultivimin dhe më pas trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Vuçiq pas takimit me Papën: Vatikani nuk do ta njohë Kosovën

Pas takimit me Papën, Presidenti serb Aleksander Vuçiq tha se Vatikani po ndjek një politikë serioze dhe do të ruajë pozicionin e tij për Kosovën, raporton Sputnik.

Pas takimit, presidenti i Serbisë u tha gazetarëve se ka biseduar me Papën për vendet e shenjta në Kosovë, për situatën e ‘vështirë’ të popullit serb atje, por edhe për raportet e këqija të kroatëve ndaj serbëve. I pyetur nëse Vatikani do të mbante qëndrimin e tij për të mos e njohur pavarësinë e Kosovës, Vuçiq tha se Vatikani po ndjek një politikë serioze dhe do të mbajë qëndrimin e vet, por dëshiron një zgjidhje paqësore me shqiptarët.

“Kjo është ajo që mund të them dhe që është e rëndësishme për qytetarët”, tha Vuçiq.

Zeman në Beograd: Do të shtroj çështjen për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Beograd

Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman sot në Beograd deklaroi se do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes së Kosovës brenda një muaji në Pragë, duke thënë se “një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se Gjykata e Hagës kishte shprehur më parë dyshime për krimet e luftës të zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës.

“Unë mendoj se pikërisht për këtë Haradinaj dha dorëheqje. Më lejoni të shprehem personalisht, por me këtë edhe bindjen, se një vend i udhëhequr nga kriminelët e luftës nuk duhet të jetë në bashkësinë e vendeve demokratike”, tha Zeman në konferencën e përbashkët për media me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai gjithashtu deklaroi se çdo politikan duhet kryesisht të mbrojë interesat e vendit të tij dhe të mos jetë një kukull e autoriteteve të huaja.

Zeman paralajmëroi se brenda një muaji në seancën e Qeverisë në Pragë do të ngritë çështjen e tërheqjes së njohjes të Kosovës.

Sipas tij, ai nuk është diktator dhe nuk mund të imponojë qëndrimin e tij, por mund që gjatë këshillimeve qeveritare të ngritë çështje.

Duke folur për Serbinë, Zeman tha se nëse vazhdon në këtë drejtim, ajo do t’i bashkohet Bashkimit Evropian dhe nuk do të ishte vendi i pari që nuk është në NATO, sepse Austria tashmë ka të njëjtin model.
Ai gjithashtu vlerësoi se Serbia dhe Republika Çeke janë vende të mesme që ndajnë fatin e përbashkët.

Vuçiç deklaroi se “me mikun e sinqertë të Serbisë dhe popullit serb” me presidentin çek biseduan për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse dypalëshe të të dyja vendeve si dhe problemet specifike dhe se ndjehen krenarë se tregtia mes tyre ishte trefishuar.

“Ne folëm për politikën, vështirësitë me të cilat përballet sot Serbia, si në rrugën evropiane ashtu edhe në marrëdhëniet me Prishtinën. Unë besoj se mund të mësoj shumë nga ai, dhe besoj se do të jemi në gjendje të ruajmë interesat kombëtare dhe shtetërore, megjithë vështirësitë e shumta dhe që në të njëjtën kohë ne do të jemi në gjendje të sigurojmë jetesë për qytetarët tanë”, tha ai.

Vuçiç theksoi se Serbia i është shumë mirënjohëse Zeman-it për pikëpamjet e tij ndaj Kosovës.

I pyetur në lidhje me zgjedhjen e Komisionerit të ri për Zgjerim të BE-së, Laszlo Trocani, Vuçiç tha se mirëpret zgjedhjet e tij dhe beson se kjo do të thotë shumë për përparimin e mëtutjeshëm të Serbisë në rrugën evropiane dhe se vendi do të ketë mbështetje shumë më të madhe sesa që kishte më parë.

Ndërsa rreth deklaratës së ish-kryeministrit kroat Zoran Milovanoviç se Vuçiç nuk do të shëtiste lirshëm në vendin e tij nëse bëhet president i Kroacisë, presidenti i Serbisë tha se ai gjithmonë ka dëshiruar bashkëpunim më të mirë me Kroacinë në të ardhmen.

“Unë rrallë shëtis kudo, veçanërisht nuk jam që lëvizi e as atlet, nuk shkoj në det në Kroaci, as kam shkuar apo nuk planifikoj të shkoj. Nuk kam nevojë për diçka të tillë. Unë gjithmonë kam dashur bashkëpunim më të mirë dhe do të dëshiroj që edhe ata në të ardhmen të shëtisin lirshëm në Serbi”, tha ai.

Më parë, ministrat e Mbrojtjes të të dyja vendeve nënshkruan një marrëveshje midis qeverive të Serbisë dhe Çekisë për bashkëpunim në mbrojtje si dhe memorandum bashkëpunimi për inovacione, inteligjencën artificiale dhe robotikën.

Vazhdojnë tensionet mes Turqisë dhe Greqisë

Anija eksploruese turke Yavuz.

Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, tha të martën se Turqia “vazhdon të provokojë” në qasjen e saj ndaj Qipros, dhe se Ankaraja po izolohet ndërkombëtarisht.

Kryeministri grek i bëri komentet gjatë një takimi me presidentin Qipros, Nicos Anastasiades, kreu i parë i një vendi të huaj që vizitoi Athinën, qëkur Mitsotakis fitoi zgjedhjet e korrikut.

Vizita e Anastasiades bëhet një ditë pasi përpjekjet për të rifilluar negociatat për ribashkimin e ishullit u goditën nga deklarata e ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, i cili tha se qipriotët grekë duhej të binin dakord që qipriotët turq, të kenë barazi vendimmarrëse në qeverisjen e vendit.

Nikozia është në mosmarrëveshje me Turqinë që nga pushtimi turk, më 1974, i cili ka ndarë ishullin në dy pjesë: Qipron greke, e cila njihet ndërkombëtarisht si Qipro, dhe rajonin separatist të Qipros turke.

Qiproja turke njihet vetëm nga Turqia dhe është subjekt i sanksioneve ndërkombëtare.

Tensionet janë shtuar në periudhën e fundit, për shkak se Turqia pretendon se ka të drejtë të kërkimit të gazit natyror në rajonin e Qipros.

Ministri turk tha se shpimet për gaz natyror, në ujërat ku qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Qipros ka të drejta ekskluzive, do të vazhdonte për sa kohë që grekët qipriotë refuzojnë propozimin për të udhëhequr kërkimet bashkërisht me turqit qipriotë.

Turqia ka këmbëngulur gjithashtu se ka të drejtë të bëj stërvitje ushtarake në zonë, duke thënë se po mbron të drejtat e turqve qipriotë.

Turqia vazhdon të mbajë 35.000 në pjesën e ishullit, që ajo e njeh si shtet.

Bisedimet për bashkimin e ishullit janë ndërprerë disa herë gjatë disa dekadave. rel

Sllovenia fuqizon lidhjet ekonomike me Rusinë

Pallati presidencial në Slloveni.

Kryeministri slloven, Marjan Sarec, ka mbërritur në Moskë për një vizitë dy-ditore, gjatë së cilës ai do të zhvillojë bisedime me homologun e tij rus, Dmitry Medvedev.

Në këtë vizitë, kryeministri slloven është i shoqëruar nga një grup afaristësh sllovenë.

Medvedev dhe Sarec do të diskutojnë një “spektër të gjerë temash të bashkëpunimit dypalësh në tregti, ekonomi, energji, investime dhe sektorë të teknologjisë, si dhe bashkëpunim kulturor dhe humanitar”, thuhet në faqen e internetit të qeverisë ruse.

“Tregu rus është shumë interesant për ne. Dhe sigurisht, ne do të kërkojmë të gjejmë mundësi të reja për bashkëpunim, pavarësisht sanksioneve të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Rusisë për veprimet e saj në Ukrainë”, citohet të ketë thënë kryeministri Sarec, sipas agjencisë ruse Tass.

Zyra e tij njoftoi se vizita do të përqëndrohet në bashkëpunimin ekonomik, por edhe në temat e politikës së jashtme.

Sarec dhe Medvedev gjithashtu pritet të marrin pjesë në zbulimin ceremonial të një monumenti kushtuar sllovenëve që vdiqën në tokën ruse gjatë të dy luftërave botërore.

Nuk dihet nëse kryeministri slloven do të pritet nga presidenti rus, Vladimir Putin.

Parlamenti i Sllovenisë e zgjodhi Sarec – një rishtar politik – si kryeministër në gusht të vitit 2018.

Më parë, ai kishte punuar si kryetar i qytetit Kamnik në Slloveni. Ai gjithashtu ishte një zjarrfikës vullnetar.

Sarec ka punuar edhe për transmetuesin publik, ku u bë i njohur për imitimin e zërave të politikanëve në emisionet humoristike.

Palmer: SHBA sërish e përqëndruar në Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer (djathtas) dhe kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviqit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.

Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.

Duke e uruar për këtë post, Markoviq tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit.

Markoviq e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.

Duke folur për Malin e Zi, Markoviq theksoi “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.

Palmer bisedoi edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. rel

Ish-diplomati serb: Vuçiç mos u lodh, Kosovën e kemi humbur

Ish-diplomati serb, Milan St. Protiç, që kishte shërbyer si ambasador i Serbisë në Washington, thotë se Vuçiq duhet të kuptojë që Kosova është humbur dhe nuk duhet të merret më me këtë çështje.

“Kosova është humbur, dhe nuk duhet harxhuar energji shtesë. Një gjë të tillë nuk e pranojnë vetëm politikanët e pa sinqertë. Ajo betejë është humbur”, ka thënë historiani serb Protiç, raporton Gazeta Express.

Teksa ka folur për vazhdimin e dialogut për normalizim të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe përfshirjes së SHBA’së në këtë proces, Protiç thotë se ofensiva e fundit e SHBA’së për të zgjidhur problemin mes Prishtinës dhe Beogradit vjen si rezultat i zgjedhjeve presidenciale që do të mbahen në Amerikë në vitin 2020.

“SHBA’ja u fut në ofensive sa i përket zgjidhjes së çështjes së Kosovës, sepse u vlerësuar që një zgjidhje mund të arrihet para zgjedhjeve presidenciale”, ka shtuar tutje ish-diplomati serb, shkruan ‘Pravda’, transmeton Gazeta Express.

Protiç madje angazhimin aktual të SHBA’së e krahason me atë të para disa viteve, kur u arrit Marrëveshja e Dejtonit pas dështimit të Evropës që ta bindte Millosheviqin për bashkëpunim.

Sipas tij aktualisht Kosova nuk është tema kryesore globale, por që në rast të ardhjes së Joseph Biden si demokrat në krye të SHBA’ve, thotë se interesi për Kosovën mund të rritet.

Njeriu i Merkelit ia propozon Vuçiqit në Beograd idenë gjermane për finalen Kosovë – Serbi

Deputeti i Bundestagut gjerman nga radhët e CDU/CSU, Peter Beyer, gjatë takimit që ka pasur javën e kaluar me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, në Beograd, ka thënë se “Modeli i dy Gjermanive” është një ide për të cilën ia vlen ende të mendohet për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Përveç tjerash Beyer ka ripërsëritur qëndrimin gjerman kundër shkëmbimit të territoreve dhe ka thënë se njohja e plotë e Kosovës është një kusht për anëtarësimin e Serbisë në Bashkim Evropian, shkruan Gazeta Express.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian së fundi kanë ndezur motorët sa i përket çështjes së rinisjes së dialogut dhe arritjes së një marrëveshjeje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Express.

Washingtoni zyrtar ka përcaktuar Matthew Palmer-in si përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, i cili do të merret ekskluzivisht me çështjen e bisedimeve Prishtinë – Beograd, ndërkohë duarkryq nuk ka ndenjur as kancelarja gjermane, Angel Merkel. Javën e kaluar në Prishtinë e Beograd ka qëndruar i dërguari i saj special deputeti i Bundestagut nga radhët e koalicionit CDU/CSU, Peter Beyer.

Beyer në Prishtinë ka takuar kreun e LDK-së, Isa Mustafa, dhe kryeministrin e dorëhequr, Ramush Haradinaj.

Pas Kosovës deputeti gjerman ka vazhduar për një vizitë në Beograd, ku ka takuar kreun e shtetit serb, Aleksander Vuçiq, ministrin e Jashtëm, Ivica Daçiq dhe Marko Gjuriqin.

Ndërkohë sot mediat serbe shkruajnë se Beyer në takim me Vuçiqin ka propozuar “Modelin e dy Gjermanive”, si ide për të cilën ka thënë se ia vlen të mendohet.

“Harta e rrugës është e qartë, dy palët, Serbia dhe Kosova, duhet të punojnë për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme. Ne kemi folur për procesin e njohjes. Sigurisht që ne mendojmë se do të ishte më mirë që anëtarësimi i Serbisë në BE të vijë si rezultat i njohjes së plotë të pavarësisë së Kosovës, por ne e dimë që një gjë e tillë është e ndërlikuar dhe pothuajse e pamundur. Sepse ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës, dhe nuk është një çështje e thjeshtë, megjithatë ky koncept dhe propozim nuk është i ri. Ky është një koncept që ne e kemi pasur një herë në mes të dy Gjermanive, që rezultoi me ribashkimin e dy Gjermanive, gjë që nuk është dëshira jonë në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Gjermania Lindore dhe Gjermania Perëndimore bashkëjetuan në aspektin e organizatave ndërkombëtare, por nuk e njihnin njëra tjetrën. Një lloj i tillë bashkëjetese do të ishte i mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Unë kam folur për një gjë të tillë me presidentin e Serbisë, dhe është një ide për të cilën ende ia vlen të mendohet”, citohet të ketë thënë Beyer, shkruan Blic.rs, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera deputeti gjerman ka treguar se ia ka ripërsëritur kreut të shtetit serb, qëndrimin e palëkundur gjerman kundër idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Edhe presidenti edhe ministrat janë të vetëdijshëm për pozicionin tim dhe atë të Gjermanisë. Ne jemi kundër idesë së shkëmbimit të territoreve”, ka thënë Beyer.

Tutje, teksa ka folur për anëtarësimin e Serbisë në BE, Beyer ka thënë se një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Pritet të zëvendësojë Johannes Hahn si Komisionere e Zgjerimit, mësoni kush është deputetja kroate

Postin e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian mund ta marrë eurodeputetja kroate Dubravka Suica. Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Suica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Eurodeputetja kroate, Dubravka Šuica, pritet të kandidohet në postin e Komisionerit për Zgjerimin dhe Fqinjësinë nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen.

Lajmi nuk është konfirmuar zyrtarisht, por burime diplomatike në Bruksel thonë se zonja Suica është pjesë e listës që do të prezantohet të martën.

Pasi të prezantohet përbërja e Komisionit, duhet të merret në tërësi edhe votëbesimi i Parlamentit Europian, ndërsa më parë do të zhvillohen edhe seanca dëgjimore me të gjithë kandidatët e përzgjedhur nga zonja von der Leyen. Mandati i Komisionit të ri Europian do të fillojë zyrtarisht më 1 nëntor 2019.

Por kush është Dubravka Suica?

Ajo është anëtare e Bashkimit Demokratik Kroat që prej vitit 1990, ndërsa nga viti 2001 deri në vitin 2009, ka shërbyer si kryebashkiake e Dubrovnikut.

Kur Kroacia u anëtarësua në Bashkimin Europian në vitin 2013, Suica u zgjodh eurodeputete. Këtë vit ajo u zgjodh edhe nënkryetare e grupit parlamentar të Partive Popullore Europiane.

Nëse kandidatura e saj konfirmohet, atëherë ky është një lajm i mirë për aspiratat e Ballkanit Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Ndërsa në rastin e Serbisë, në disa raste Šuica ka deklaruar se nuk është realiste që Serbia të anëtarësohet brenda vitit 2025.

Në një deklaratë të bërë në maj të vitit të kaluar, ajo tha se Serbia duhet të paraqesë më herët listën e personave të zhdukur gjatë luftës si dhe të kthejë pasuritë e trashëgimisë kulturore.

Deri tani, postin e Komisionerit për Zgjerimin e ka mbajtur Johannes Hahn, i cili pritet të marrë një portofol të ri në kabinetin e ardhshëm.

Turqi: 9 vjet burg për politikanen e opozitës, për fyerje të presidentit Erdogan

Një gjykatë turke dënoi të premten një figurë të njohur të opozitës me nëntë vjet e tetë muaj burg për fyerje të presidentit dhe përhapje të propagandës terroriste.

Partia Republikane e Popullit (CHP) tha se Kanan Kaftançollu, kryetarja e degës së saj të Stambollit dhe një prej zërave më të fortë brenda partisë, nuk do të shkojë menjëherë në burg, pasi është në pritje të apelimit.

Kaftançollu akuzohet gjithashtu për fyerje të qeverisë, duke nxitur urrejtje dhe armiqësi, kryesisht me komentet në Twitter të postuara mes viteve 2012 dhe 2017.

Kaftançollu luajti rol të rëndësishëm në zgjedhjet lokale të Stambollit, ku partia CHP mori bashkinë, e cila mbahej nga Partia AK e Presidentit Erdogan dhe paraardhësit e tij islamistë gjatë 25 viteve të fundit.

Duke folur jashtë gjykatës kryesore të Stambollit pas vendimit, zonja Kaftançollu tha se nuk do të heshtë.

“Nëse vendimi i gjykatës nuk është në përputhje me ligjin dhe është i formular nga dëshirat e fuqisë politike, kjo do të thotë se në këtë vend nuk ka ligj,” u tha ajo gazetarëve. za

Daçiçi ia kujton Palmerit bashkëshorten serbe: Nga vjen gruaja juaj, andej vini edhe ju (video)

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç ka “vjedhur spektaklin” në një takim me përfaqësuesin special amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer dhe me kryediplomatin kosovar, Behgjet Pacolli, në Bled të Sllovenisë.

Daçiç foli për bashkëshorten e Palmerit, e cila është serbe. “Kur bëhet fjalë për Matthew, ne e njohim njëri-tjetrin për shumë vite dhe nuk pres asgjë nga ai, por shumë nga gruaja e tij, e cila ka prejardhje nga ky rajon”, deklaroi Daçiç, teksa ky deklarim i tij shkaktoi të qeshura te të pranishmit në sallë.

“Një fjalë e urtë e jona thotë se ‘nga vjen gruaja juaj, andej vini edhe ju’”, u shpreh Daçiç, si të thuash shprehjen shqiptare shumë të njohur ‘nga fshati i gruas’.

Pasi u kthye në seriozitet, Daçiç tha se Palmerin e pret një punë e vështirë në rajon.
“Nuk ka punë të lehtë, por Serbia do të jetë konstruktive, prioritete janë situata në BH, fillimi i bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, a do ta fitojë Kosova liberalizimin dhe cila është perspektiva e regjionit”, tha ai.

Serbët, shtoi ai, “nganjëherë mendojmë se raporti mes Prishtinës dhe Beogradit është prioriteti kryesor, por ai ka edhe tema tjera”.

Palmer ka kaluar një sasi të mirë të jetës dhe karrierës së tij duke punuar në Ballkan. Detyra e tij e parë ishte në Shërbimin e Jashtëm në Ambasadën e SHBA në Serbi. Ai më vonë shërbeu në Uashington dhe si këshilltar politik në Beograd, ku ndihmoi ndërmjetësimin e “Marrëveshjes së 19 Prillit” midis Serbisë dhe Kosovës.

Rrufeja godet avionin ku ndodhej dhe Daçiçi, piloti bën ulje emergjente

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç ka përjetuar momente tensioni, pasi avioni në të cilin udhëtonte ka bërë ulje të detyrueshme në Slloveni. Shkak është bërë një rrufe, e cila ka goditur avionin. Mediat serbe raportojnë se ngjarja në fjalë u regjistrua në Lubjanë, duke shkaktuar panik të madh tek pasagjerët.

“U dëgjua një shpërthim i vogël. Por askush nuk mund të bënte asgjë për ne”, mësohet të jetë shprehur Daçiç. Një stuhi e fortë goditi dje Slloveninë dhe Kroacinë, ku në vetëm 2 orë u regjistruan më shumë se 20,000 rrufe.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë kur fluturimet për Daçiç kthehen në probleme, pasi në fund të majit avioni ku ai udhëtonte bëri ulje të detyrueshme në Athinë.

Katër vjet nga vdekja e vogëlushit Alan, refugjatët ende presin ndihmë

Ankara

Sot janë mbushur katër vjet që kur trupi i Alan Kurdit, një refugjat trevjeçar sirian, u soll nga valët në bregdetin Mesdheut në Bodrum të Turqisë.

Vogëlushi sirian gjendej në një varkë që mbante 14 emigrantë të parregullt, nga të cilët pesë vdiqën kur ajo u fundos.

Fotografia e trupit të tij të pajetë tronditi mbarë botën, duke pasqyruar krizën humanitare që kishte shkaktuar lufta civile në Siri.

Uğur Özdoğan, një dëshmitar okular 75-vjeçar, tha për AA se tragjedia e kishte prekur thellë atë.

“Ndoshta shumë fëmijë si Alan Kurdi u zhdukën, por kufomat e tyre nuk u sollën nga valët në bregdet”, tha ai.

Ai shtoi se incidente të ngjashme do të përsëriten nëse nuk merren masa të rrepta kundër trafikimit të qenieve njerëzore.

Regjisori Ömer Sarıkaya aktualisht është duke përgatitur një film për vogëlushin Kurdi për të hedhur dritë mbi fatin e refugjatëve.

“Evropa e la Turqinë vetëm në çështjen e migrantëve. Turqia hapi dyert e saj sepse këta njerëz janë fqinjët tanë dhe nuk kanë ku të shkojnë”, tha Sarıkaya.

Ai tha se të ardhurat e siguruara nga filmi do t’u dhurohen refugjatëve, duke shtuar se krahas shumë aktorëve vendas dhe të huaj, në film marin pjesë edhe politikanë dhe refugjatë të vërtetë.

Vuçiçi: “Serbia do të ketë presione pas formimit të qeverisë në Kosovë”

Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, para Bordit Kryesor të Partisë Progresive Serbe (SNS) tha se Serbia do të jetë në presion të madh sapo të formohet qeveria në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç, i cili është edhe kryetar i SNS-së, tha se Serbisë do t’i bëhet presion që të pranojë pavarësinë e Kosovës pa kompromise, por se Kosova nuk do të fitojë njohjen, duke shtuar se presioni do të jetë tmerrësisht i lartë.

Ai tha se nuk e di nëse Lista Serbe do të garojë në zgjedhjet e 6 tetorit në Kosovë, por i këshilloi që të garojnë në këto zgjedhje, duke theksuar se do të jenë të vështira për këtë subjekt politik.

Temë e bisedimeve të mbledhjes ishin edhe zgjedhjet e rregullta lokale dhe parlamentare në Serbi të cilat duhet të mbahen në vitin 2020.

Duke folur për propozimin e opozitës që të formohet qeveri teknike (e përkohshme) para zgjedhjeve, duke marrë si model qeverinë teknike të formuar në Maqedoninë e Veriut para zgjedhjeve të vitit 2016, Vuçiç tha se ka vendosur që “sa të jetë gjallë, nuk do të ketë asnjë qeveri të përkohshme, por qeveri të popullit për të cilën do të votojnë qytetarët”.

“Qeveria e Serbisë nuk do të përcaktohet nga të huajt, por nga qytetarët e Serbisë. Sa të jem gjallë do ta mbroj Kushtetutën dhe këtë shtet”, tha Vuçiç.

Ai porositi se “Serbia për asnjë send nuk ia jep askujt lirinë e atdheut”.

Vuçiç paralajmëroi se nëse partia e tij e fiton besimin e qytetarëve, në qeverinë e Serbisë do të ketë 50-60 për qind ministra nga kjo parti.

“Të dëshmojmë se ne nuk jemi rritur me kolltuk, se për ne është e rëndësishme që Serbia të ecë para, se ne nuk jemi të përkushtuar për pasurimin personal”, tha Vuçiç.

Zgjedhjet e reja, paralajmërohet vizitë e Vuçiçit në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, mund të vijë në shtator që t’i vizitojë serbët e Kosovës. Ai pritet të vizitojë Banjsken, Mitrovicën e Veritu dhe Qendrën e Kosovës, komunën e banuar me serbë, Gracanicën.

Kjo vizitë po planifikohet që Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiç t’i vizitojë serbët e Kosovës, pasi që Lista Serbe është në panik se do t’i humbë zgjedhjet në Kosovë.

Serbët që jetojnë në Kosovë janë të zhgënjyer shumë ndaj Listës Serbe për politikat të cilat i kanë ndjekur. Ata asgjë nuk kanë punuar dhe ndihmuar popullin serb, përpos që janë pasuruar edhe më tej.

Popullin serb tani kanë filluar ta frikësojnë në forma të ndryshme nga shërbimet sekrete serbe.

Stefanoviq: Asnjë ndryshim i qëndrimit për Kosovën në INTERPOL

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, tha se që nga Asambleja e Përgjitshme e INTERPOL-it, vitin e kaluar në Dubai ku është kundërshtuar kërkesa e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, nuk ka pasur asnjë zhvillim që do të sillte ndryshimi të atij vendimi.

Siç thuhet në komunikatën e MPB-së serbe, të cilën e transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, Stefanoviq po ashtu tha se pranimi eventual i Kosovës në INTERPOL, do të krijonte mundësinë që informacionet konfidenciale “të binin në duart e kriminelëve dhe terroristëve”.

Komunikata po ashtu sqaron se Stefanoviq i ka bërë këto komente në takim me ambasadorin e Venezuelës në Beograd, Dimas Jesus Alvarenga Guerra.

Ambasadori Guerra theksoi se Venezuela respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë.

Më 20 nëntor të vitit 2018, Kosova nuk ka arritur të anëtarësohet në INTERPOL, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate.

Tentativat e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL kanë nisur që nga viti 2010. Atë kohë, Komiteti Ekzekutiv i kësaj organizate, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga institucionet e Kosovës.

Maqedonia e Veriut dhe Serbia me menaxhim të integruar të kufirit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Lëvizja e qytetarëve dhe e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Serbi dhe anasjelltas nga e hëna po zhvillohet vetëm përmes një pikë kufitare.

Kryeministrat e dy shteteve, Zoran Zaev dhe Ana Bërnabiq, përuruan zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit në vendkalimin Tabanoc-Preshevë.

Ky akt nga dy krerët e qeverisë u vlerësua si shumë i rëndësishëm, jo vetëm për bashkëpunimin ekonomik, por edhe për bashkëpunimin dhe zhvillimin e rajonit në përgjithësi.

“Kontrolli i përbashkët kufitar është kurorëzim i fqinjësisë së mirë mes dy shteteve. Me konceptin e ri do të përshpejtohet lëvizja e qytetarëve, e mallrave dhe e mjeteve transportuese, do të rritet numri i turistëve në të dyja shtetet, si dhe numri i turistëve tranzit. Kontrollet do të bëhen në një vend. Do të ketë njohje të ndërsjella të certifikatave ndërkombëtare dhe me këtë do të ketë edhe më pak mashtrime doganore. Do të rritet niveli i besimit, do të rritet tregtia, do të ulet korrupsioni”, deklaroi kryeministri Zoran Zaev.

Kryeministrja serbe tha se menaxhimi i integruar i kufirit është sinjal për nxitjen e tregtisë rajonale dhe për kalimin më të shpejtë të mallrave.

Por, ajo kritikoi, me këtë rast, vendimin e Kosovës për aplikimin e taksave për prodhimet nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, duke theksuar se Serbia do të kërkojë zgjidhje alternative në arritjen e marrëveshjeve me shtetet tjera.

“Ky është një fillim i ri për bashkëpunimin ekonomik rajonal në Ballkanin Perëndimor. Për këtë na nevojitet vizion dhe guxim politik dhe jo politika shkurtpamëse. Bashkëpunimi rajonal gjendet para sfidave të mëdha për shkak të suspendimit praktik të marrëveshjes (për tregti të lirë në Evropën Qendrore) CEFTA nga ana e Prishtinës”.

“Ky vendim nuk ishte vendim vetëm kundër tregtisë me Serbinë qendrore dhe Bosnje e Hercegovinën në nëntor, 2018. Ky vendim i ka lëkundur të gjitha marrëveshjet rajonale. Për shkak të kësaj, nevojitet guxim dhe përgjegjësi politike dhe, në vend të politikave populiste, të fokusohemi në atë që është interes i rajonit, bashkëpunimit rajonal, siç është edhe akti i sotëm. Është politikisht më e mençur të lidhemi sesa të bllokohemi”, tha kryeministrja serbe, Bërnabiq.

Përmes vendkalimit kufitar Tabanoc-Preshevë, vitin e kaluar, kanë kaluar rreth 200 mijë kamionë, çfarë do të thotë një e katërta e gjithë kalimeve të automjeteve.

Kryeministri Zoran Zaev tha se pret që këtë vit ky numër të rritet për 30 për qind apo në rreth 260 mijë automjete të rënda. rel

Prokuroria letërporosi në Greqi për Agim Kajmakun, i kërkohen edhe shenjat e gishtërinjve në Policinë Shkencore

Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar një letërporosi në Greqi për të marrë informacion mbi kryetarin e bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku. Prokuroria kërkon nga autoritetet greke të dhëna për Agim Kajmakun (Jorgo Toto) nëse është i dënuar në këtë shtet. Report Tv po ashtu mëson se Njësia e Dekriminalizimit i ka kërkuar Agim Kajmakut që të depozitojë në policinë shkencore gjurmët e gishtërinjve. Burime për Report Tv bëjnë me dije se letërporosia nga Prokuroria e Përgjithshme e firmosur nga prokurori Arben Kraja është nisur ditën e premte. Pas asaj për Valdrin Pjetrin ku i kërkohet informacion shtetit italian, kjo është lëtërporosia e dytë që firmoset nga Kraja për të marrë informacion mbi figurën e një kryebashkiaku të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit.

Kjo lëvizje e Prokurorisë së Përgjithshme ka ardhur pas akuzave të Partisë Demokratike ku deklaronin se Agim Kajmaku ka qenë i dënuar më parë në Greqi. Ka qenë Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i cili ka firmosur një kërkesë drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të verifikuar figurën e Agim Kajmakut, disa ditë më parë. Kujtojmë se për shkak të disa dokumenteve që Partia Demokratike nxori kundrejt Valdrin Pjetrit në Shkodër, ky i fundit u tërhoq nga marrja e detyrës së kryetari të Bashkisë së qytetit verior, pasi dyshohet se është dënuar në vitin 2003 për trafik droge. Por nga ana e Kajmakut nuk kemi një tërheqje dhe ai deri më tani ka rrëzuar pretendimet e Partisë Demokratike se është i dënuar dhe i dëbuar nga shteti grek. Në një reagim për Shqiptarja.com ai deklaroi se ka udhëtuar lirisht në çdo vend të Bashkimit Evropian, për shkak edhe të biznesit të tij. Kajmaku tha se këto akuza janë për qëllime politike.

Ndërkohë nga ana tjetër Partia Demokratike ka deklaruar se do të nxjerrë edhe dokumente për dëbimin e Kjamakut nga Greqia.

Autobusi i mbushur me shqiptarë sulmohet në Serbi. Kosova reagon ashpër dhe fajëson Daçiçin

Një autobus i linjës Prishtinë-Frankfurt në Gjermani është sulmuar mbrëmjen e shkuar në Krushevac të Serbisë.

 

Nga sulmi, fatmirësisht nuk ka pasur persona të penduar por vetëm thyerje xhamash, përfshirë edhe xhamin e përparmë të mjetit të transportit të udhëtarëve.

Mjeti ishte duke kaluar në Krushevac kur është gjuajtur me gurë në drejtim të tij, raportojnë mediat kosovare.

Edhe pse i përkiste një agjencie kosovare, autobusi është me targa të Shqipërisë. Policia serbe ka nisur hetimet për rastin dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e agresorëve.

Ministria e Punëve të Jashtme ka thënë për Gazetën Express se ky sulm tregon pengesat me të cilat po përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi.

Zëdhënësi i MPJ-së, Jetlir Zyberaj, ka thënë se sulmet e tilla janë shqetësuese.

“Ne e dënojmë fuqishëm sulmin ndaj autobusit që udhëtonte nga Kosova përmes Serbisë. Ky sulm tregon përsëri pengesat me të cilat përballen qytetarët e Kosovës gjatë udhëtimit nëpër Serbi. Nuk ka liri të lëvizjes. Ne jemi thellësisht të shqetësuar që sulmet e vazhdueshme si ajo në Konsullatën e Kosovës në Kopenhagë dhe tani ndaj autobusit nuk po ndalen nga Beogradi dhe mbështeten nga mekanizmat e sigurisë serbe”, ka thënë Zyberaj.

Zyberaj ka shtuar se MPJ është në kontakt me BE-në dhe kërkon përgjegjësi të plotë nga Beogradi për këto sulme.

Po ashtu, ai ka shtuar se MPJ u bën thirrje qytetarëve që t’u shmangen udhëtimeve përmes Serbisë, derisa nuk ka siguri për ta.

“Përderisa Ministri Daçiç si ish-zëdhënës i Millosheviçit i bën të gjitha përpjekjet e tij për lajme të rreme dhe propagandë kundër Kosovës, ai duhet të përqendrohet në ndalimin e incidenteve që janë iniciuar nga vetë Beogradi. Ne jemi në kontakt me BE dhe kërkojmë përgjegjësi të plotë dhe garancione nga Beogradi për sigurinë nëse qytetarët tanë udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithashtu përsërisim thirrjen e MPJ së Kosovës që të shmanget udhëtimi nëpër Serbi përderisa nuk ka siguri për Kosovarët dhe incidentet vazhdojnë. Kjo është vazhdimësi e incidenteve dhe jo rast i izoluar”, ka thënë Zyberaj.

Autobusi po udhëtonte nga Prishtina për në Frankfurt, kur u godit derisa po kalonte nëpër Serbi. Sipas dëshmitarëve të rastit, autobusi ishte kryesisht i mbushur me shqiptarë që po udhëtonin për në perëndim.

Një dëshmitar ka treguar se nuk ka ndonjë të lënduar dhe autobusit i janë thyer vetëm xhamat.

Vuçiç, pas kthimit nga Amerika: Serbinë e pret një dimër i vështirë lidhur me Kosovën

Presidenti i Serbisë,  Aleksandër Vuçiç, duke folur për vizitën e tij të fundit në SHBA, tha sot se nuk mund të interpretojë apo të flasë për rëndësinë e vizitave të tij, “por çdo bisedë me përfaqësuesit e fuqisë kryesore në botë është shumë e rëndësishme, veçanërisht kur bëhet fjalë për gjëra që nuk kemi dakord”.



“Këto nuk janë gjëra të lehta as të thjeshta për ne, do të ketë probleme”, tha Vuçiç, i cili ka pasur një numër takimesh në SHBA lidhur me çështjen e Kosovës.

“Ne do të luftojmë në kushte të vështira, nuk do të jetë e lehtë. Do të shohim se si do të duket krejt kjo. Sigurisht nuk presim ditë të lehta, as një vjeshtë të lehtë dhe as një dimër të thjeshtë për ne”, tha Presidenti serb për TV ‘Pink’.

Ai tha se nuk ishte hera e parë që Serbia është në një situatë të tillë, por se ai do të vazhdojë të luftojë për Serbinë, për popullin serb në Kosovë, për interesa kombëtare dhe shtetërore.

“Dhe, të presim që të rrjedh mjalti e qumështi , t’ju them që kam bërë punë fantastike, duke ndryshuar mendjen e tyre …  Ne jemi shumë të vegjël për të ndryshuar mendjen e të mëdhenjve”, tha Vuçiç.

Petrich e pranon që shkëmbimi i territoreve s’është zgjidhje, nuk do që SHBA ta kryejë punën e Kosovës

Diplomati austriak, Wolfgang Petrich, në një intervistë të gjatë për edicionin e BBC-së në gjuhën serbe ka folur për rrjedhën e dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, bllokimin e procesit, idenë e korrigjimit të kufijve dhe aspekte të tjera, shkruan Gazeta Express.

Teksa ka folur për idenë e korrigjimit të kufijve dhe shkëmbimit të territoreve, Petrich ka thënë se fillimisht ka qenë i hapur ndaj një ideje të tillë, por thekson se ishte i bindur që një ide e tillë nuk ishte një zgjidhje që mund të aplikohej në shekullin 21.

“Ndryshimet kufitare kanë ndodhur në të kaluarën përmes luftës dhe konflikteve”, ka thënë Petrich për BBC, transmeton Gazeta Express.

Në këtë intervistë diplomati austriak ka treguar edhe për kundërshtimin kategorik të Gjermanisë për idenë e ndryshimit dhe shkëmbimit të territoreve.

“Wolfgang Ischinger më ka thënë se ne e dimë çfarë nuk duan në Berlin, por ata nuk ka thonë neve se çfarë dëshirojnë”, ka shpjeguar Petrich.

Ai thotë se edhe nëse dy palët do të pajtoheshin për ndryshime të kufijve, konsensusi i palëve të përfshira do të ishte i nevojshëm dhe se një gjë e tillë do të merrte shumë kohë për të analizuar në mënyrë të detajuar i gjithë procesi.

“Përndryshe nuk ka zgjidhje të mira ose perfektë në Ballkan”, konkludon Petrich, transmeton Gazeta Express.

Teksa flet për përfshirjen e fuqive të mëdha në gjetjen e një zgjidhje finale për problemin Kosovë-Serbi, Petrich thotë se involvimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të paraqiste problem për procesin.

“Unë, si evropian nuk do të doja të shoh një zgjidhje amerikane për problemin evropian”, ka thënë Petrich.

Diplomati austriak ndërkohë nuk ka ngurruar që të thur lavde për ambasadorin aktual të Rusisë në Beograd, Alexander Bocan-Harchenko, më të cilin ishte njohur gjatë kohës sa kishte qenë përfaqësues i Lartë në Bosnje e Hercegovinë.

“Diplomatët rus janë profesionistë të vërtetë, ata nuk kanë pozicione politike si amerikanët”, ka thënë ndër të tjera Petrich.

Ai ka shtuar në këtë intervistë ndër të tjera e ka pranuar hapur se është angazhuar që të afrojë sa më shumë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin me atë të Serbisë, Aleksander Vuçiq, duke zbuluar kështu që kishte qenë edhe iniciator i organizimit të Forumit të Alpbachut në Austri, forum ky ku për herë të parë filluan hapur diskutimet për korrigjimin e kufijve.

“Unë i propozova një takim të tillë presidentit austriak, kështu që u organizua në Forumin Alpbach”, ka thënë Petrich.

Përveç kësaj diplomati asutriak propozon edhe ndryshimin e formatit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se do të ishte ide e mirë të organizohej një konferencë ndërkombëtare.

Duke folur rreth rolit të Rusisë në bisedimet për Kosovën dhe kthimin e Grupit të Kontaktit, Petrich thotë se “ Moska është duke i dërguar porosi Washingtonit që është e pamundur që SHBA të vijë në Ballkan dhe t’i marrë gjërat në duar duke theksuar interesat e saj.

E sipas Petrich, Moska është duke ia dërguar një porosi të veçantë BE’së.

“Moska dëshiron ta prishë situatën, sepse nuk e do një BE të fortë dhe të vendosur – dhe Ballkani është një dëshmi për këtë” ka thënë Petrich.

Publikohet video nga momentet e fundit të Milosheviqit para ekstradimit në Hagë

Gazetari serb Stefan Cvetkoviq, ka publikuar një video në të cilën shihet ish-presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë Sllobodan Milloshevic, pak para ekstradimit nga Tuzla në Hagë, në vitin 2001

Sipas mediave serbe, pamjet tregojnë se si Milloshevici po hynte në një dhomë, siç pretendohet, në një bazë ushtarake amerikane në kampin “Eagle” në Bosnje dhe Hercegovinë, fillimisht i shoqëruar nga një person me uniformë ushtarake.

Pas hyrjes, Milloshevic është në shoqërinë e një oficeri me të cilin, sipas regjistrimit, ai po fliste në mënyrë paqësore.

Vuçiç: Nuk ka marrëveshje nëse shqiptarët fitojnë gjithçka e Serbia asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha në një intervistë për programin në gjuhën serbe të Zërit të Amerikës se është i ndërgjegjshëm që nuk do të ndryshojë qëndrimin amerikan në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, por Beogradi kërkon një kompromis i cili nënkupton se shqiptarët nuk mund t’i fitojnë të gjitha e Serbia asgjë.

Ai u takua të martën me Sekretarin amerikan të Shtetit Mike Pompeo dhe të mërkurën me zotin Matthew Palmer, Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, të cilëve u ka shprehur gatishmërinë e tij për rifillimin e bisedimeve me Prishtinën pas heqjes së tarifave ndaj mallrave serbe.

Ai tha se shpreson që Shtetet e Bashkuara të shtojnë trysninë mbi Kosovën për këtë çështje, ndonëse nuk pret rifillim bisedimesh para dhjetorit, meqë Kosova pritet të mbaj zgjedhjet e parakohshme.

“Amerika në vitin 2008 e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Të gjitha vendet e fuqishme perëndimore e kanë njohur pavarësinë e Kosovës më 2008 dhe 2009. A mendoni që vërtetë, ndonëse Serbia sot është në gjendje më të mirë ekonomike, në pikëpamje ushtarake e politike është më e fuqishme dhe ka më shumë respekt në botë sesa që kishte, vërtetë mendoni se jemi në gjendje të ndryshojmë vendimin e Shteteve të Bashkuara”?

Por kjo, tha ai, nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. “Mund të bisedojmë për çdo gjë nëse bëhet fjalë për kompromis. Por, për atë që shqiptarët të fitojnë gjithçka e Serbia asgjë – nuk mund ta keni nënshkrimin tim kurrë”, tha presidenti serb, duke theksuar se amerikanët sërish i kanë thënë hapur se duan “njohje të ndërsjellë”.

Ai tha se për këtë arsye ka propozuar zgjidhje kompromisi dhe për këtë ka diskutuar sërish me zyrtarët amerikanë duke përfshirë shumë “modalitete”.

“Por duhet të kuptojmë që ëndrrat tona boshe nuk kanë lidhje me realitetin”, tha ai, duke nënvizuar se “çdo luftë, çdo konflikt, çdo përulje do të ishte katastrofë për Serbinë”.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, janë bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar kur qeveria e Kosovës vendosi tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj, siç është thënë, qasjes agresive të Beogradit ndaj shtetësisë së Kosovës. Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat për t’u hapur rrugën bisedimeve. Por qeveria e Kosovës i ka rezistuar trysnisë ndërkombëtare.

Aktualisht Kosova ka një qeveri në dorëheqje, pasi më 19 korrik kryeministri Ramush Haradinaj paraqiti dorëheqjen e pakthyeshme meqë u thirr për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për krime lufte me seli në Hagë.

Të enjten pritet shpërndarja e parlamentit të Kosovës dhe pas atij vendimi edhe shpallja e datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Greqia rikthen çështjen “Katsifas”: Të përfundojnë menjëherë hetimet

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dhendias u ka dërguar një mesazh autoriteteve shqiptare për të përfunduar sa më shpejt hetimet e organeve përkatëse për sqarimin e rrethanave nën të cilat humbi jetën Konstantinos Katsifas.

Mesazhi i tij përfshihet në përgjigjjen e interpelancës që ka kërkuar për këtë ngjarje një deputet i partisë së re “Zgjidhja Greke”, në datën 8 gusht dhe publikohet sot.

“Athina i ka bërë të qartë palës shqiptare se hetimet përkatëse duhet të përfundojnë menjëherë dhe të publikohet sa më shpejt të jetë e mundur, pa vonesa të mëtejshme, raporti i hollësishëm që do të hedhë dritë mbi të gjitha aspektet e çështjes dhe kjo do të çojë në dhënien e drejtësisë, por dhe sigurisë për minoritetin kombëtar grek”, thekson kryediplomati grek.

Ai nënvizon gjithashtu faktin se  Ministria e Jashtme që ai drejton  tregon seriozitet dhe përgjegjësi në trajtimin e çështjes së rëndësishme të Katsifas-it, duke informuar në mënyrë sistematike dhe sensibilizuar partnerët ndërkombëtarë në këtë drejtim, si dhe për çdo zhvillim që ndikon negativisht te minoriteti grek në Shqipëri.

Dhendia kritikon vonesën e madhe në hetime, që ka ardhur edhe si rezultat i ndryshimit të prokurorit të çështjes dhe kërkon që në këtë fazë të publikohet Raporti Zyrtar i Prokurorisë së Pergjithshme të Krimeve të Rënda për kushtet në të cilat humbi jetën një pjesëtar i minoritetit dhe njëkohësisht shtetas grek.

Ministri i Jashtëm përfundoi përgjigjen e tij duke theksuar se  pozicionimi i përhershëm i Athinës është dhe ka qenë mbrojtja e të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek, e cila ka të bëjë jo vetëm me marrëdhëniet bilaterale Greko-Shqiptare, por edhe me perspektiven evropiane të Tiranës, pasi përbën  një nga 5 prioritetet kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në mënyrë që të marre në tetor datën për hapjen e negociatave për integrim në BE.

Bashkëpartiakja: Të huaj, shqiptarë e serbë, të përfshirë në vrasjen e Ivanoviqit

Nënkryetarja e Iniciativës Qytetare “Sloboda, Demokratija, Pravda’ (SDP), Ksenija Bozhoviq, ka deklaruar se në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq janë përfshirë të gjithë, të huajt, shqiptarët dhe serbët. Ajo gjatë një interviste për KosovaPress, u shpreh skeptike se do të gjendet ndonjëherë autori i vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Sipas saj, hetimet rreth kësaj vrasje që nga fillimi kanë shkuar keq.

“Pas tërë kësaj kohe dhe në bazë të komplet procedurës se si ka shkuar deri tash, si dhe mënyrës së kryerjes së likuidimit, ne dyshojmë se këtu janë të përfshirë të huajt, shqiptarët dhe serbët… Hetimi që nga dita e vrasjes, organet hetuese nuk e kanë kryer punën në mënyrë profesionale, që është shumë me rëndësi për tërë procedurën e cila po vazhdon. Kjo punë është bërë jo profesionalisht dhe në mënyrë të shëmtuar, që është pasojë e gjithë asaj që ka ndodhur deri tani.. Ashtu siç qëndron situata tani, nganjëherë mendojmë se sikur nuk dëshirohet që vrasësi i Oliverit të gjendet”, ka thënë Bozhoviq.

Ajo tha se anëtarët e SDP-së do të insistojnë vazhdimisht dhe nuk do të ndalen kurrë, duke kërkuar nga organet gjegjëse që vrasjen e liderit të tyre ta zbardhin sa më parë dhe që autori apo autorët e kësaj vrasjeje të vihen nën pranga. Në lidhje me pjesëmarrjen në zgjedhjet e mundshme që do të ndodhin në Kosovë, Bozhoviq ka bërë të ditur se akoma nuk janë krijuar kushtet në atë pjesë për zgjedhje të lira dhe demokratike, andaj nuk është marrë ndonjë vendim rreth pjesëmarrjes në këto zgjedhje.

“Duke marr parasysh tërë situatën, ne që nga zgjedhjet e kaluara dhe deri tani, konsiderojmë se asgjë konkrete nuk ka ndryshuar. Ne patëm shkuar në dy procese zgjedhore, dhe në të dyja këto zgjedhje kemi dy vrasje të cilat deri sot nuk u ndriçuan. Pastaj Ligji për zgjedhjet nuk ka ndryshuar fare. Të kujtojmë ato spotet e mundimshme gjatë fushatave të kaluara për të cilat njëjtë askush deri tash nuk ka dhënë përgjegjësi. Kështu që nuk janë krijuar kushtet që zgjedhjet të jenë të lira dhe demokratike, në mënyrë që qytetarët të japin votën e tyre për njeriun të cilin konsiderojnë se do të ndryshojë diçka dhe do të krijojë kushte më të mira për jetesë. Andaj, ne akoma jemi duke menduar sa i përket këtyre zgjedhjeve, dhe nuk kemi marr ndonjë vendim”, theksoi Bozhoviq.

Ndryshe, ish politikani serb Oliver Ivanoviq ishte vrarë me gjashtë plumba në një atentat të organizuar më 16 janar 2018 para selisë së partisë së tij në veri të Mitrovicës, ndërsa rreth kësaj ngjarje deri tani janë arrestuar disa persona si të dyshuar dhe janë intervistuar mbi 100 të tjerë, por deri tani pa ndonjë rezultat konkret.

Izetbegoviç: Zgjidhja midis Beogradit e Prishtinës nuk duhet të ndikojë në BeH

Saraybosna

ALMIR TERZIC, LEJLA BIOGRADLIJA

Kryesuesi i Dhomës së Popujve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe kryetari i Partisë së Veprimit Demokratik (SDA), Bakir Izetbegoviç, duke iu referuar mosmarrëveshjeve aktuale në rajon ka deklaruar se zgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të ndikojë në vendin e tij.

Izetbegoviç i cili është lideri i partisë më të madhe boshnjake në vend, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) foli për punimet për krijimin e qeverisë të cilat vazhdojnë për më shumë se 10 muaj, si dhe për çështje tjera rajonale.

Nuk vjen parasysh ndërlidhja e çështjes së të ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së

Izetbegoviç thekson se po tentohet që të ndërlidhet çështja e së ardhmes së Kosovës me atë të BeH-së, për të cilën thotë ai, “kuptohet se nuk vjen parasysh”.

“Por ja që në politikë gjithçka është e mundur. Nëse ndonjëherë mund të ndërlidhen këto dy çështje, ky pazarllëk (polemikë) i yni në raport me Beogradin dhe Prishtinën, atëherë e përbashkëta është ajo që pala serbe në Kosovë dhe BeH ka kryer krime të ngjashme, gabime dhe mëkate të ngjashme. Dhe në fund të fundit, me këtë sjellje dhe me këtë dhunë janë shkaktuar sulmet e NATO-s. Kështu që, kjo nuk mund të ndërlidhet në asnjë mënyrë më tej në kuptim që diçka të kompensohet në BeH, eventualisht atë që Serbia mund ta humbasë me zgjidhjen për Kosovën. Vetëm mund të lëshohemi në disa aventura të vështira dhe në skenarë shumë të paqartë. Shpresoj se do të ketë mençuri të mjaftueshme që të mos shkojmë në këtë drejtim”, tha Izetbegoviç.

Autostrada Sarajevë-Beograd

Izetbegoviç, ndër të tjerat foli edhe për Projektin e Autostradës Sarajevë-Beograd të cilën e mbështet Turqia, ku tregoi se para një kohe të shkurtër ka biseduar me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan dhe i ka transmetuar se ndërtimin e autostradës planifikojnë ta fillojnë menjëherë pasi të themelohet qeveria në vend.

Siç thotë ai, ndërtimi i autostradës nënkupton punësimin e mijëra personave.

“Një tjetër shkak që të tejkalohet kriza politike është ndërtimi i kësaj autostrade, sepse ky projekt i madh është shumë i rëndësishëm për të gjithë”, u shpreh Izetbegoviç.

Krijimi i qeverisë

Duke rikujtuar marrëveshjen e koalicionit të cilin më 5 gusht e ka nënshkruar partia e tij SDA me Bashkësinë Demokratike Kroate (HDZ) të Bosnjes dhe Aleancën të Social Demokratëve të Pavarur (SNSD), Izetbegoviç theksoi se me këtë marrëveshje janë përcaktuar principet e krijimit të qeverisë së re në nivel shtetëror.

Në lidhje me Planin Vjetor Kombëtar (ANP), i cili është një ndër hapat më të rëndësishme për çështjen e anëtarësimit dhe procesit të anëtarësimit në NATO, të cilën e kundërshtojnë serbet e vendit, Izetbegoviç tha se, “Pa u zgjidhur çështja e Planit Vjetor Kombëtar nuk mund t’i jepet askujt detyra për krijimin e qeverisë”.

Edhe pse anëtari serb i Këshillit Presidencial të BeH-së, Milorad Dodik, ka nënshkruar në emër të partisë së tij SNSD marrëveshjen e koalicionit, ai vërehet të jetë kundër ANP-së, thotë lideri boshnjak.

“Dy pika më të rëndësishme nga procesi i anëtarësimit në NATO janë këto, pajtueshmëria me kushtetutën dhe sundimi i ligjit, nga të cilat nuk do të dorëhiqemi. Nuk është e mundshme që një entitet brenda shtetit ta urdhëroj shtetin. Dodik nuk mundet të na imponojë vullnetin e tij”, tha ai.

Ende nuk dihet nëse cisterna iraniane do të ankorohet në Greqi

Transportuesi iranian duke dalë nga Gjibraltari.

Greqia tha se nuk ka marrë kërkesë për të lejuar arritjen e një cisterne të naftës, e cila është nisur nga porti i Gjibraltarit.

Shtetet e Bashkuara e paralajmëruan Greqinë kundër pranimit të cisternës.

“Anija po lundron me shpejtësi të ulët, dhe ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se do të arrijë në Kalamata. Ministria e Tregtisë Detare po monitoron çështjen së bashku me Ministrinë e Jashtme të Greqisë”, tha një zëdhënës i ministrisë greke të transportit.

Cisterna ishte konfiskuar në Gjibraltar para rreth pesë javësh, pasi autoritetet thanë se ajo po transportonte naftë iraniane në Siri. Kjo përbënte shkelje të sanksioneve të Bashkimit Evropian.

Konfiskimi i saj u ndihmua nga marinsat britanikë, të cilit ishin ftuar nga autoritetet e Gjibraltarit.

Tensionet ndërmjet Britanisë së Madhe dhe Iranit u përshkallëzuan.

Disa ditë më pas, Irani njoftoi se ka konfiskuar një cisternë me flamur britanik.

Pasi autoritetet e Gjibraltarit lejuan që anija të dalë nga porti i këtij vendi, Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara bëri kërkesë për ndalimin e cisternës.

Kërkesa nuk u pranua nga ana e Gjibraltarit. rel

Vuçiq do të takohet me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo

Më 20 gusht, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, do të takohet me sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Mike Pompeo, në margjinat e një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në New York, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Radio Televizionit i Serbisë, raportoi se tema kryesore e bisedimeve midis Vuçiqit dhe Pompeos, do të jetë situata në Kosovë.

Pompeo do të marrë pjesë në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, dhe është planifikuar të takohet edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje për arritjen sa më parë të një marrëveshjeje midis Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo, bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës.

Masa, sipas zyrtarëve në Prishtinë, është ndërmarrë për shkak të fushatës kundër shtetësisë së Kosovës, që e kanë zhvilluar zyrtarët serbë. rel

Shoferi shqiptar ndalohet nga policia serbe, fëmija në bagazh

Në Merdare, duke kaluar kufirin me Serbinë, policia serbe ka ndaluar një shofer shqiptar. Nga burimet e Indeksonline mësohet se arsyeja e arrestimit ka qenë për shkak se shoferit shqiptar i është gjetur një fëmijë në bagazh.

Në këto momente shoferi shqiptar është duke marrë në pyetje nga policia serbe.

Ndodh në Serbi,gruaja paguan një burrë që t’i vrasë bashkëshortin

SERBI

Një ngjarje e rëndë dhe e rrallë vjen nga Serbia. Policia serbe ka arrestuar Tatjana B. nga Senta në veri të Serbisë me dyshimin se nxiste një burrë për të vrarë burrin e saj.

Kjo ngjarje ka ndodhur mes majit dhe kohës së arrestimit të gruas. Plani i saj ishte të linte derën e shtëpisë të zhbllokuar dhe i sugjeroi vrasësit të gatshëm që të hynin brenda shtëpisë natën dhe ta vrisnin burrin në dhomën e gjumit, ta rrihnin, dhe në fund të bënin sikur në banesë ka ndodhur një grabitje, shkruajnë mediat në shtetin serb.

Ajo i kishte dhënë vrasësit të paguar 1000 euro, kurse i kishte premtuar sedo i japë gjithsej 1600 euro. Ajo u vu në pranga, në momentin që po i jepte vrasësit me pagesë edhe 80 euro, të cilat ishin për një bashkëpunëtor tjetër të vrasësit me pagesë.

Pas arrestimit të saj, Tatjana B. u mor në pyetje dhe u urdhërua të mbahej në arrest për 48 orë. Hetimi për këtë ngjarje vazhdon.

(Balkanweb)

Daçiq: Tërheqja e njohjeve të Kosovës, proces i pandalshëm

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se tërheqja e njohjeve të Kosovës është proces i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Sipas tij, këtë javë është dashur të shpallet edhe një vendim i ri për tërheqje të njohjes, por Serbia “nuk dëshironte të krijonte shqetësime gjatë kësaj jave”.

“Nuk kemi dashur të dëmtojmë shëndetin e atyre që shkruajnë deklaratat e Kuint-it dhe këtyre në Prishtinë”, ka thënë Daçiq, në një intervistë për televizionin Prva.

Deklarata e ministrit të Jashtëm të Serbisë, bëhet dy ditë pasi vendet e Kuint-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara), përmes një deklarate kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia të shmangin veprime që do të pengonin një marrëveshje përfundimtare.

“Për Kosovën, kjo nënkupton heqjen e taksave të vendosura ndaj Serbisë. Për Serbinë, kjo nënkupton ndërprerjen e fushatës për tërheqjen e njohjeve kundër Kosovës”, është thënë në deklaratë.

Ministria e Serbisë reagon pas vendimit për mos-ekstradim të Tomor Morinës

Ministria e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq.

Ministrja e Drejtësisë në Serbi, Nela Kuburoviq ka thënë se vendimi i Gjykatës Supreme të Maqedonisë së Veriut, për të mos-ekstraduar ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Tomor Morina, në Serbi, sepse nuk janë plotësuar kushtet, tregon edhe njëherë se politika ishte mbi ligjin dhe drejtësinë.

“Ky është një turp i madh për të drejtën ndërkombëtare, por është një goditje akoma më e madhe dhe trishtim i madh për familjet e viktimave, të cilat kanë dekada në pritje të drejtësisë për të dashurit e tyre”, është thënë në një deklaratë të kësaj ministrie.

Kuburoviq ka theksuar se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkimi i autorëve të akteve më të rënda kundër njerëzimit, pavarësisht nga origjina e tyre kombëtare ose etnike, “sepse ne ia kemi borxh viktimave dhe familjeve të tyre”.

Gjykata Supreme e Maqedonisë se Veriut ka vërtetuar vendimin e Këshillit Penal për krim të organizuar dhe korrupsion pranë Gjykatës Penale Shkup, se nuk janë përmbushur kushtet për ekstradimin Morinës në Serbi.

Tomor Morina ishte arrestuar nga policia maqedonase më 24 korrik, në bazë të një fletarresti të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të Serbisë.

Morina dyshohet nga ana e autoriteteve të Serbisë se para 20 vjetëve, si pjesëtar i UÇK-së, ka bërë krime kundër popullatës civile në Kosovë.

Zjarre pyjore në Greqi, kërcënohen vendbanimet

Komotini

Zjarret pyjore të shkaktuara nga temperaturat e larta në ditët e fundit në Greqi kanë filluar të kërcënojë vendbanimet, raporton AA.

Zjarri i cili filloi në Evia, ishullin më të madh të vendit pas Kretës, nuk është mundur të merret nën kontroll. Në rajon është boshatisur një manastir, ndërsa qytetarët e disa fshatrave që mund të zbrazen janë duke pritur në qendër të fshatrave në rast se ka nevojë të evakuohen.

Në zjarrin që theksohet se filloi pas mesnatës punojnë 75 automjete zjarrfikëse, 6 avionë për shuarjen e zjarrit, 6 helikopterë dhe 227 zjarrfikës. Thuhet se tymi i zi ka arritur deri tek qiejt e kryeqytetit Athinë.

Kryetari i provincës Evia, Fanis Spanos, në deklaratën për mediat greke, theksoi se punimet për shuarjen e zjarrit janë duke vazhduar me vështirësi për shkak të erës së fortë në rajon dhe sipërfaqes së vrazhdë.

“Gjendja e orëve të fundit nuk na lejon që të jemi optimist”, u shpreh ai.

– Zjarret në ishullin Thasos dhe rajonin Thiva

Nga ana tjetër në shumë vende tjera të Greqisë, përfshirë ishullin Thasos, një ndër vendet turistike, si dhe në rajonin Thiva, kanë shpërthyer zjarre për të cilët vazhdojnë punimet e shuarjes.

Në punimet e shuarjes së zjarrit në ishullin Thasos janë angazhuar 4 avionë, 56 zjarrfikës dhe 25 automjete për shuarjen e zjarrit, si dhe qytetarë vullnetarë.

Si pasojë e zjarrit që shpërtheu vitin e kaluar në Attika të Greqisë, humbën jetën 102 persona.

Akademiku kroat Ivo Banac: Situata serbo-shqiptare dhe roli BE-Rusi

Historiani, shkrimtari dhe profesori kroat në universitetin prestigjioz në Amerikë, Yale, Ivo Banac ka deklaruar se Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç nuk ka për të nënshkruar një marrëveshje, e cila të jetë ligjërisht detyruese me Kosovën.

Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”,  shkrimtari thekson se arsyeja e dyshimit të tij në këtë aspekt ndërlidhet me interesat e Rusisë në Ballkan dhe shton se BE-ja  nuk ka çfarë t’i ofrojë Serbisë.

Sepse kjo do të nënkuptonte një ndarje me të gjithë politikën e tij dhe një prishje të prioriteteve ruse në Ballkan. Nuk shoh se çfarë mund t’i ofrojë Perëndimi në këmbim, përveç përshpejtimit të anëtarësimit në BE, e cila sërish nuk mund të jetë e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare.

Mbi të gjitha, Vuçiçi nuk u ngut të komentojë mendimin e Nenad Popoviçit, njeriut të Putinit në qeverinë e Vuçiçit, i cili me qetësi deklaroi se Marrëveshja e Brukselit ishte e vdekur dhe se Serbia kishte përfunduar integrimin evropian. Ky ishte një mesazh rus. Moska është kundër marrëveshjes, sepse zgjidhja e përplasjeve mes Serbisë dhe Kosovës nënkupton disfatë të politikës dhe ndikimit rus në Ballkan. Por, kurrë mos thoni ‘kurrë’”, është shprehur ai.

Teksa komentoi vizitën e Presidenti Emmanuel Macron në Beograd, historiani kroat pohon se do të dëshironte të zgjidhte shumë çështje të komplikuara, por shton se ai s’ka durim të merret me detajet e rasteve të caktuara.

Në Paris dhe në Yerevan, ai i pëshpëriti Thaçit për nevojën e një ‘korrigjimi të kufijve’ midis Kosovës dhe Serbisë, dhe në Berlin ai i bërtiti Haradinajt se nuk ishte në gjendje të kërkonte asgjë. Mund të konkludohet se nuk do të ketë një monument të ri mirënjohjeje për Francën në Kalemegdan (Beograd), ndër të tjera, sepse do të dëshmojë se votuesit francezë janë pengesa e tij më e madhe”, u shpreh Banac, raporton “Bota Sot”.

Profesori kroat, Ivo Banac se nuk dëshiron të hyjë në interpretimet e ndryshme të dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pot thotë se “është e qartë se ndaj tij u bë presion për ta detyruar të hiqte dorë nga negociatat me Serbinë dhe çështjen e kufijve”.

Pra, duket krejt normale që Serbia t’i bëjë presion çdo vendi të vogël në Amerikën Qendrore ose në Oqeani që të heqë dorë nga njohja e Kosovës, por nuk është normale kur Kosova të mbrohet nga kjo politikë e bojkotit dhe e denigrimit, transmeton koha.net. Dhe kështu as për Haradinaj nuk vlen parimi juridik ‘non bis in idem’. Sido që të jetë, negociatat midis Serbisë dhe Kosovës nuk do të vazhdojnë derisa të krijohet një Komision i ri”, theksoi ai.

Vuçiçi: Serbia pret “vjeshtë të vështirë” për çështjen e Kosovës

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se pret një “vjeshtë të vështirë” sa i përket çështjes së Kosovës, sepse ai mendon se “Perëndimi do të përpiqet të shpejtojë zgjidhjen e problemit”.

Vuçiq, megjithatë përsëriti, se zgjidhja nuk do të jetë e mundur nëse Serbia nuk merr asgjë.

“Unë nuk e di se cila është ideja. Ajo që kisha si ide u refuzua nga të gjithë. Askush nuk e pëlqeu. Le të shohim se cila është ideja juaj, sepse ende nuk e kam dëgjuar, përveçse pashë më shumë presion mbi mua. Serbia nuk mund të pajtohet me pavarësinë ( e Kosovës) nëse Serbia nuk merr asgjë”, tha Vuçiq në një intervistë për Televizionin Prva në Serbi.

Ai tha se u ka thënë të gjithë bashkëbiseduesve në bashkësinë ndërkombëtare, se nuk do të ketë zgjidhje nëse dikush mendon se Serbia duhet të poshtërohet.

Duke folur për faktin se si të pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kanë ndryshuar ambasadorët e tyre në Beograd, dhe nëse kjo ka ndonjë lidhje me çështjen e Kosovës, Vuçiq tha se ata “me siguri nuk kanë ardhur për të kontrolluar ndryshimin e klimës në Serbi”.

Vuçiq: John Bolton nuk do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq deklaroi se Këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, nuk do të vizitojë Serbinë, siç është shkruar në mediat serbe.

“Boltoni është dashur të vizitojë Beogradin dhe Prishtinën. Por në Prishtinë janë zgjedhjet, me kë mund të flasë atje?”, ka thënë Vuçiq.

Mediat serbe kanë raportuar se këshilltari Bolton, do të vizitojë Serbinë dhe Kosovën në fund të gushtit ose në fillim të muajit shtator.

Presidenti Vuçiq tha se e gjithë administrata amerikane është në favor të heqjes së taksës për mallrat nga Serbia, por se zyrtari i lartë amerikan, nuk ka se me kë të flasë në Kosovë, për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve.

“Zgjedhjet e shtyjnë dialogun. Ata garojnë me tarifat dhe për marrëzi siç janë dokumentet e udhëtimit. Ne kemi negociuar që një dokument identifikimi mund të përdoret për të hyrë në Kosovë, por një pasaportë mund të shërbejë edhe si dokument identifikimi”, tha Vuçiq.

Institucionet e Kosovës kanë bërë të ditur se do të lejojnë hyrje-daljet nga pikat kufitare me Serbinë vetëm me letërnjoftim serb dhe jo me pasaportat serbe. Sipas tyre kjo është e bazuar në marrëveshjet e arritura në Bruksel për lëvizje të lirë të arritur në mes Prishtinës dhe Beogradit në korrik të vitit 2011.

Greqi, gjendet e vdekur shkencëtarja britanike

Trupi i shkencëtares britanike, që kërkohej prej dy ditësh në Greqi, u gjet në ishullin Ikaria në detin Egje, njoftoi sot televizioni publik grek ERT.

“Shkaqet e vdekjes së astrofizikantes, Natalie Christopher nuk dihen ende”, sipas stacionit televiziv ERT duke lënë të mendohet se bëhet fjalë për një aksident.


Send this to a friend