Një shtetas i Kosovës është ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet për krime kibernetike në dëm të qytetarëve amerikanë, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ndaj Liridon Masuricës, 33-vjeçar nga Gjilani, i njohur si “@blackdb”, rëndojnë akuzat për konspiracion për mashtrime dhe për përdorim dashakeq të 15 apo më shumë instrumenteve të paautorizuara elektronike.
Nëse shpallet fajtor, Masurica mund të dënohet me burgim në kohëzgjatje maksimale prej 55 vjetësh.
Masurica ishte arrestuar nga autoritetet e Kosovës më 12 dhjetor 2024, ndërsa është ekstraduar në SHBA më 9 maj, në përputhje me marrëveshjen e ekstradimit mes dy vendeve, ka njoftuar Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Ministrja në detyrë e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ekstradimi i Masuricës “është dëshmi konkrete e zotimit të palëkundur për sundimin e ligjit pa përjashtim dhe pa kompromis”.
Sipas saj, “ky veprim është një hap i madh përpara në ndërtimin e besimit në drejtësi dhe forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ky është vetëm një rezultat nga hapat që po ndërmarrim për të dëshmuar se Kosova është një vend ku krimi nuk gjenë strehim”, është shprehur ajo.
Ekstradimin e ka përshëndetur edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, e cila ka vlerësuar “bashkëpunimin dhe koordinimin e shkëlqyeshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës”.
*Video nga arkivi: Si të mbrohemi nga krimet kibernetike?
Për ekstradimin e Masuricës në SHBA ka njoftuar fillimisht prokurori amerikan, Gregory W. Kehoe.
I pandehuri thuhet se ka bërë paraqitjen fillestare në një gjykatë federale në Tampa të Floridas më 12 maj, para gjyqtares Lindsay Saxe Griffin, e cila ka urdhëruar që ai të mbahet në paraburgim.
Sipas aktakuzës, Masurica ka qenë kryeadministrator i BlackDB.cc – një treg i zi online që ka funksionuar nga viti 2018 deri më tani.
BlackDB.cc, sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, ka ofruar ilegalisht në shitje kredenciale të vjedhura të llogarive dhe serverëve, informata për kartela të kreditit dhe informata të tjera identifikuese të individëve që jetojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Pasi i kanë blerë, kriminelët kibernetikë kanë përdorur gjërat e blerave në BlackDB.cc për të kryer një varg aktivitetesh ilegale, përfshirë mashtrime me taksa, mashtrime me kartela krediti dhe vjedhje identiteti.
Hetimi ndaj Masuricës është kryer nga Byroja Federale amerikane e Hetimeve (FBI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë bërë të ditur autoritetet amerikane, të cilat kanë thënë se Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë ofruar ndihmë të konsiderueshme për arrestimin e të dyshuarit.
Disa javë më parë, dy kosovarë ishin ekstraduar në SHBA, ku akuzohen për mashtrim dhe vjedhje identiteti të amerikanëve.
Bëhet fjalë për dy të rinj – Ardit Kutleshin, 26 vjeç, dhe Jetmir Kutleshin, 28 vjeç – të cilët ishin arrestuar më 12 dhjetor të vitit të kaluar, në bazë të kërkesës së SHBA-së për ekstradim.
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka shprehur dyshimet e tij nëse në Gjykatën Speciale të Kosovës po respektohen parimet e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm të të akuzuarve, duke ngritur shqetësimet e tij rreth punës së këtij institucioni.
Qelaj ka thënë se në një takim që ka zhvilluar më 13 maj me kryetaren e Speciales, që zyrtarisht njihen si Dhomat e Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka folur për një sërë çështjesh në lidhje me punën e institucionit që ka selinë në Hagë, “duke u bazuar edhe në shqetësimet e ngritura nga palët”.
Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, në këtë institucion, në Holandë, është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Me Trendafilovën, Qelaj “foli në lidhje me barazinë e armëve në raport me provat dhe mënyrën se si janë siguruar këto prova, e në veçanti duke iu referuar provave që sigurohen nga Republika e Serbisë, duke pasur parasysh që Serbia është një shtet që ka qëndrime armiqësore ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pjesë e së cilës janë të akuzuarit”, bëri të ditur një komunikatë e lëshuar nga Avokati i Popullit.
Qelaj thuhet të ketë thënë se “duke pasur parasysh mënyrën, rrugën dhe procedurat se si janë siguruar këto prova të njëjtat sa janë kredibile dhe sa mund të jenë të komprometuara në momentin kur paraqiten në gjykatë, dhe sa iu mundësohet mbrojtjes që këto prova t’i kundërshtojnë duke marrë informacione nga palët që i ka siguruar”.
Avokati i Popullit ka thënë se, “nga shqetësimet që i ka pranuar… del brengosëse mënyra se si funksionon gjykata duke u konsoliduar të gjitha nivelet e gjykatës në një strukturë të vetme, që lenë për të dyshuar në pavarësinë e gjykatave të niveleve që veprojnë brenda kësaj gjykate, dhe kjo nuk është në frymën e standardeve ndërkombëtare që garantojnë gjykimin e drejtë në raport me shkallëshmërinë e procedurës dhe që ndërlidhen pastaj me të drejtën për një mjet efektiv juridik”.
Në takimin Qelaj-Trendafilova, në Prishtinë, sipas Avokatit të Popullit “është ngritur si shqetësim edhe përgjimi i bisedave edhe vizitave në paraburgim sepse konsiderojmë se përkundër faktit se këto mund të jenë të lejuara me ligj por cenojnë parimin e privatësisë, jetës familjare edhe cenojnë mbrojtjen efektive nëse këto përgjime ndodhin edhe në raport me ekip mbrojtëse të të akuzuarve”.
Avokati i Popullit ka thënë se “konsideron se problem në vete është kohëzgjatja e paraburgimit. Kjo kohëzgjatje dhe mos ndryshimi i masave me masa tjera alternative sikur Gjykata nuk u beson institucionet e Kosovës se ata mund të garantojnë respektimin e atyre masave dhe të garantojnë një proces të rregullt dhe të papenguar”.
Sipas komunikatës nga Avokati i Popullit, Qelaj “theksoi edhe çështjen e kompensimit të viktimave që nuk janë në standard të njëjtë për të dëmtuarit që te rastet që gjykohen në Republikën e Kosovës sepse të gjithë duhen trajtuar njësoj”.
Trendafilova qëndroi në Prishtinë, më 13 maj, ku kishte paraparë të mbante një konferencë për media.
Por, një grup veteranësh, së bashku me udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, u mblodhën para hotelit ku ishte paralajmëruar të mbahej konferenca, e cila u anulua pas protestës.
Veteranët thanë se kryetarja e Gjykatës Speciale nuk ishte e mirëseardhur në Kosovë, dhe se vizita e saj përbënte fyerje për qytetarët e Kosovës.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës.
Deri më tani, kjo Gjykatë ka shpallur aktgjykime për krime lufte dhe për pengim të administrimit të drejtësisë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, do ta vizitojë Kosovën të mërkurën.
Gjatë pasdites, ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Costa e viziton Kosovën në një kohë kur ligjvënësit kosovarë nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të mbajtura në shkurt, edhe pas 15 përpjekjeve. Qeveria e Albin Kurtit është ende në detyrë, deri në formimin e një qeverie të re pas konstituimit të Kuvendit.
Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në një kohë kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten ende në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.
Costa një ditë më parë qëndroi në Serbi dhe në Bosnje e Hercegovinë.
Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Costa theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm edhe qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Për sa i përket vizitës së Vuçiqit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa tha se Vuçiq ia shpjegoi atij se shkoi për të festuar një ngjarje historike.
“Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht, që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar invazionin aktual në një shtet tjetër”, tha Costa.
Në Sarajevë, ai shprehu shqetësim për, siç i quajti, “veprimet ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar ato si kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Bosnjë e Hercegovinës.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ngulur këmbë të shtunën se nuk do ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me gjithë mungesën e votave, duke thënë se emërimi i kryeparlamentarit dhe formimi i Kuvendit të ri është detyrë e të gjitha partive parlamentare.
“Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pavarësisht se a është ai fitues absolut apo relativ, Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë; nga vendi i parë së bashku me vendin e dytë, tretë dhe pakicat serbe dhe joserbe”, tha Kurti të shtunën duke folur në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar trembëdhjetë herë radhazi deri tani ta konstituojnë Kuvendin e ri.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme për të qeverisur e vetme.
Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.
Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Por, Kurti – një ditë para seancës së radhës të dielën – e përsëriti se Vetëvendosje nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut.
“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu, ndërsa të tjerët lë ta propozojnë kandidatin e tyre kur t’u takon atyre. Neve si fitues të zgjedhjeve na takon pozita e kryetarit”, tha Kurti.
Haxhiu dështoi në gjashtë seanca t’i merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës – që vjen nga Vetëvendosje – propozoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.
Kurti i kritikoi partitë parlamentare – PDK, LDK, AAK, NISMA dhe Lista Serbe – që nuk po marrin pjesë në votim, duke e bërë të pamundur formimin e komisionit.
“Ne nuk kemi bllokuar, sepse ne e kemi propozuar kandidatin tonë. Sikur mos ta bënin, do të ishim bllokues. Ne nuk kemi bllokuar, sepse kemi votuar për, bllokues janë ata që votojnë kundër ose nuk votojnë fare për ta pamundësuar kuorumin”, shtoi Kurti.
“Nuk ka krizë institucionale apo politike në Kosovë”
Dështimet e njëpasnjëshme për ta konstituuar Kuvendin e ri e kanë thelluar ngërçin politik të vendit, duke ngritur shqetësime për paralizë institucionale dhe shihen si test për pjekurinë shtetërore të Kosovës.
Gëzim Visoka, profesor i Studimeve për Paqe dhe Konflikt në Universitetin e Dublinit në Irlandë, tha për Radion Evropa e Lirë se kriza aktuale dhe paraliza politike e krijuar në Kosovë duhet të shërbejë si një nxitje për të rimenduar dhe rindërtuar kulturën politike.
Ai theksoi se ky është një test i pjekurisë së Kosovës si shtet, dhe i aftësisë për ndërrim të qeverive dhe pushteteve pa ndërhyrje apo mbikëqyrje ndërkombëtare.
“Është paradoksale që partitë aktuale kanë kërkuar pavarësimin e Kosovës nga mbikëqyrja ndërkombëtare, por tani po e kanë të vështirë ta bëjnë atë funksionale dhe të vetëqëndrueshme”, tha Visoka.
Por, Kurti – kryeministër në detyrë – i hodhi poshtë këto vlerësime, duke thënë se Kosova ka institucione funksionale.
“Në Kosovë nuk kemi krizë institucionale e as politike, Në Kosovë kemi njëfarë vakumi kushtetues. Nuk kemi krizë sepse mekanizmat dhe institucionet e shtetit funksionojnë”, tha Kurti.
“Kosova ka Qeveri, ka kryeministër dhe ka ministra në detyrë, por Kosova nuk ka Kuvend. Nuk mund të ketë Qeveri të re pa Kuvend të ri”, shtoi ai.
Pavarësisht disa lëvizjeve së voni për ta zhbllokuar ngërçin, nuk ka asnjë marrëveshje mes partive parlamentare.
LDK-ja, e cila doli e treta duke i fituar 20 ulëse, e ka hedhur poshtë ofertën e Vetëvendosjes për koalicion qeverisës.
Në vend të kësaj, lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar formimin e një qeverie kalimtare mes partive parlamentare deri në emërimin e presidentit të vendit, pra në prillin e vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.
Derisa Vetëvendosje e ka kundërshtuar menjëherë idenë e një qeveri të tillë, partitë e tjera parlamentare kanë shprehur vullnet për të biseduar.
Kurti e përsëri të shtunën qëndrimin e partisë së tij, duke thënë se “ne duam qeveri funsionale jo tranzitore”.
Rënia në indeksin e lirisë së medias
Kurti i hodhi poshtë gjetjet në raportin vjetor për lirinë e shtypit në Kosovë të organizatës Reporterët pa Kufij, duke thënë se në Kosovë nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, dhe u bëri thirrje mediave të “reformohen dhe përmirësohen”.
Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.
“Është për keqardhje rënia e thellë në indeksin e medias. Në Kosovë ka liri të shprehjes dhe liri të mediave, jam dëshmitar i kësaj nga përvoja dhe jeta këtu”, tha Kurti.
Ai tha se Qeveria e tij gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar e “ka ndalur financimin e mediave për të mos ndikuar në to, dhe nuk kemi asnjë pronar mediash në qeveri për të mos kontrolluar ato”.
“Në Kosovë mediat janë të lira, gjendja ku kanë rënë ato është jo si pasojë e ndikimit të Qeverisë, por e kontrollit të pronarëve dhe mungesës së profesionalizimit. Përgjegjësia është e mediave, u takon atyre të reformohen, që do të thotë të duan të reformohen dhe të përmirësohen, që do të thotë të duan të përmirësohen”, tha ai.
Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se në një aksion të Policisë së Kosovës në veri të vendit janë zbuluar tre raketa hedhës krahu, dy helmeta balistike ushtarake, dy çanta ushtarake, një antiplumb dhe një gazmaskë.
Këtë ai e ka quajtur “terrorizëm i sponsorizuar nga Serbia”.
“Në një aksion të radhës të Policisë së Kosovës janë zbuluar tre raketa hedhës krahu (zolla), dy helmeta balistike ushtarake, dy çanta ushtarake, një antiplumb dhe një gazmaskë.
Terrorizmi i sponsorizuar nga Serbia si në rastet si ky sot, nuk kanë dhe nuk do të kenë më vend në Kosovë.
Nuk do të ndalemi, në çdo cep të Republikës sonë” – shkruan Svelça.
Për këtë rast më herët raportoi mediumi në gjuhën serbe “KoSSev”, i cili raportoi se ngjarja ka ndodhur në një ndërtesë të njohur si Vampirusha në dalje të Mitrovicës së Veriut.
Kontrolli u krye në hyrjen e dytë të kësaj ndërtese..
Siç ka konfirmuar zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, i cili ndodhet në terren, në një banesë janë gjetur tri pushkë, helmeta, një maskë gazi, një jelek antiplumb dhe një çantë ushtarake.
Ai saktësoi se nuk ka të arrestua dhe se nuk dihet se për banesën e kujt bëhet fjalë.
Komandanti i misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka deklaruar se, pavarësisht bllokadës politike që po vazhdon në Kosovë, KFOR-i nuk është i shqetësuar për ndonjë kërcënim të menjëhershëm ndaj sigurisë dhe mbetet plotësisht i përgatitur për t’u përballur me çdo përpjekje për destabilizim.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Barduani theksoi se periudhat zgjedhore mund të krijojnë hapësirë për aktorë të jashtëm me qëllime të këqija, por se KFOR-i e sheh situatën aktuale në Kosovë si pjesë të proceseve normale demokratike.
“KFOR-i nuk është i shqetësuar”, tha ai. “Jemi të pajisur mirë dhe të pozicionuar për t’u përballur me çdo kërcënim të mundshëm ndaj sigurisë.”
Më shumë se një muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova nuk ka arritur ende t’i formojë institucionet e reja.
Njëmbëdhjetë përpjekje për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës dështuan, ndërsa në këtë situatë nuk mund të vazhdohet ende me formimin e Qeverisë.
Duke folur për peizazhin më të gjerë të sigurisë, Barduani kujtoi dy incidente të mëdha në veri të Kosovës — sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, dhe sulmin në kanalin ujor Ibër-Lepenc, në nëntor të 2024-tës.
Ai theksoi reagimin e shpejtë të NATO-s ndaj dhunës së vitit 2023, kur u vendosën edhe 1.000 trupa shtesë për ta forcuar praninë e KFOR-it, veçanërisht në veri.
“Situata mbetet e qetë, por e ndjeshme ndaj përshkallëzimit të papritur”, paralajmëroi Barduani, duke përmendur si shkak çështjet e pazgjidhura për shkak të mungesës së përparimit në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, institucionet e Kosovës akuzuan Serbinë si fajtore për incidentin, por kjo e fundit mohoi se ka gisht në këtë rast.
I pyetur për rrezikun e sulmeve të ardhshme, Barduani shmangu spekulimet, por theksoi gatishmërinë e vazhdueshme të KFOR-it. “Ne ruajmë një prani të shpejtë, fleksibile dhe të dukshme në të gjithë Kosovën, dhe jemi të gatshëm të veprojmë nëse është e nevojshme”, tha ai.
Komandanti i KFOR-it vuri theks të veçantë në bashkëpunimin me Policinë e Kosovës dhe me Misionin e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
“Ne zhvillojmë patrullime të përbashkëta, ushtrime stërvitore, dhe mbajmë kontakte të vazhdueshme”, theksoi ai, duke shtuar se komunikimi i shpejtë nga Policia e Kosovës gjatë operacioneve në veri është thelbësor për të shmangur keqkuptimet dhe përshkallëzimet e panevojshme.
Marrëdhëniet me Forcat e Armatosura të Serbisë u përshkruan si të qëndrueshme dhe transparente. Barduani konfirmoi takime të rregullta dhe komunikimin e vazhdueshëm me udhëheqjen ushtarake serbe për të siguruar vëzhgimin e aktiviteteve pranë vijës kufitare administrative.
“Kemi çdo arsye për të pritur bashkëpunim të vazhdueshëm”, tha ai, duke përmendur patrullimet e sinkronizuara dhe monitorimin e përbashkët si mjete kyç për parandalimin e kontrabandës dhe forcimin e stabilitetit.
Pavarësisht pranisë së fuqishme ushtarake, Barduani përsëriti se paqja në Kosovë dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor nuk mund të arrihet vetëm me mjete ushtarake.
“KFOR-i dhe NATO-ja mund të bëjnë vetëm atë që është e mundur ushtarakisht. Zgjidhja afatgjatë është politike”, theksoi ai, duke shprehur mbështetjen e plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ai mirëpriti emërimin e përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun, Peter Sorensen, me të cilin tashmë ka zhvilluar takime, duke konfirmuar mbështetjen e KFOR-it për përpjekjet diplomatike.
“Për ta çuar përpara këtë dialog, të dyja palët duhet të tregojnë fleksibilitet, të bëjnë kompromiset e nevojshme dhe të përqendrohen te përfitimet afatgjata”, tha Barduani.
Duke folur për të ardhmen, Barduani vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës me NATO-n dhe shprehu mbështetje për aspiratat euroatlantike të vendit.
“I gjithë Ballkani Perëndimor duhet të ketë qasje në zonën euroatlantike si pjesë e Evropës”, deklaroi ai.
“Çelësi për zgjidhjen e çështjeve të mbetura në rajon është vullneti i të gjithë aktorëve për të përqafuar diplomacinë, për të refuzuar dhunën dhe për të punuar për kompromise”, përfundoi Barduani.
Ka ndërruar jetë në moshën 79-vjeçare Kaqusha Jashari, një nga figurat e njohura të skenës politike të Kosovës, themeluese dhe ish-kryetare e Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSDK), si dhe ish-deputete e Kuvendit të Kosovës.
E lindur në Prishtinë, Jashari vijoi shkollimin fillor dhe të mesëm në Kamenicë, Gjilan dhe Prishtinë, ndërsa Fakultetin e Ndërtimtarisë e nisi në Beograd dhe e përfundoi në Prishtinë.
Deri në vitin 1975 punoi në operativën ndërtimore në Ferizaj, për t’u angazhuar më pas në funksione të rëndësishme politike në organet krahinore të Kosovës gjatë periudhës së autonomisë.
Në vitet 1986–1988 ajo ishte kryetare e Bashkimit të Sindikatave të Kosovës dhe kryetare e Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës. Pas acarimit të raporteve politike mes Prishtinës dhe Beogradit, u largua nga pozita dhe deri më 1990 mbajti detyrën e drejtoreshës së autoritetit rrugor të Kosovës.
Në periudhën e viteve ’90, Jashari vazhdoi aktivitetin politik në radhët e PSDK-së, duke e udhëhequr këtë parti nga viti 1998 deri më 2008.
Ajo ishte pjesë e legjislaturës së dytë të Kuvendit të Kosovës (2006–2010) si deputete. Përveç politikës, Kaqusha Jashari njihej edhe për pasionin e saj për artin, veçanërisht pikturën, ku ka hapur disa ekspozita personale.
Të dhënat për këtë biografi janë marrë nga Fjalori Enciklopedik i Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani me sulltanin dhe kryeministrin e Bruneit, Sultan Haji Hassanal Bolkiah, në Brunei, 5 maj.
Radio Evropa e Lirë
Brunei i ka hequr vizat për shtetasit e Kosovës, duke u bërë vendi i dytë nga Azia Juglindore brenda javësh që mundëson udhëtim pa viza për kosovarët pas Malajzisë, njoftoi të hënën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani njoftoi se – gjatë vizitës së saj shtetërore në Brunei, e ka nënshkruar një marrëveshje bashkë me sulltanin dhe kryeministrin e Bruneit, Sultan Haji Hassanal Bolkiah, për heqjen e vizave ndërmjet dy vendeve.
“Ky vendim është një hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve dhe një lehtësim konkret për qytetarët tanë, duke përmirësuar ndërlidhjen, shkëmbimet kulturore dhe ekonomike”, tha Osmani.
Brunei – një sulltanat i pavarur islamik – ndodhet në bregun verior të ishullit Borneo në Azinë Juglindore. Në veri kufizohet me Detin e Kinës Jugore, ndërsa në të gjitha anët e tjera kufizohet me shtetin lindor Saravaku të Malajzisë.
Osmani e cilësoi këtë marrëveshje si “një tjetër dëshmi e miqësisë dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe sulltanatit të Bruneit”.
Kosova dhe Brunei kanë lidhje zyrtare diplomatike, megjithëse të kufizuara. Kosova nuk ka ambasadë apo konsullatë në Brunei dhe Brunei nuk ka përfaqësi diplomatike në Prishtinë.
Brunei e njohu pavarësinë e Kosovës më 2012, katër vjet pasi Prishtina e shpalli atë nga Serbia më 2008.
Në fund të muajit të kaluar, Malajzia – një vend tjetër në Azinë juglindore – i hoqi vizat për shtetasit e Kosovës për udhëtime të shkurtra 30-ditore.
Deri tani, Brunei ka qenë në mesin e 37 vendeve të botës ku kosovarët detyrohen të pajisen me vizë pasi të kenë mbërritur në vendin e vizitës.
Tani, Brunei bëhet vendi i 54-të ku kosovarët mund të udhëtojnë lirshëm pa regjim vizash.
Nga sot, 5 maj 2025, qytetarët e Kosovës nuk kanë më nevojë për vizë për të hyrë në Izrael për qëllime turistike, për sa kohë që kanë një pasaportë të vlefshme të Kosovës dhe aplikojnë paraprakisht për ETA-IL.
Kjo është rezultat i marrëveshjes për heqjen e vizave të nënshkruar midis dy vendeve më 18 qershor 2024, e cila u ratifikua më 5 shkurt 2025 dhe hyri në fuqi më 5 maj 2025 .
Megjithatë, duke filluar nga 1 janari 2025, të gjithë udhëtarët nga vendet e përjashtuara nga viza, përfshirë Kosovën, duhet të marrin një Autorizim Elektronik Udhëtimi (ETA-IL) përpara se të hyjnë në Izrael. Ky autorizim është i vlefshëm për qëndrime deri në 90 ditë dhe ka një kosto prej 25 shekelësh izraelite (mbi 7 euro) .
Për të aplikuar për ETA-IL, ju mund të vizitoni faqen zyrtare të qeverisë izraelite: Procesi është i thjeshtë dhe zakonisht merr më pak se 72 orë për të marrë miratimin. sn
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, duke e komentuar procesin aktual politik në Kosovë, tha se formimi i qeverisë është një sfidë e përbashkët në shumë vende evropiane.
Westerlund në intervistë për Ekonomia Online tha kjo nuk është diçka e pazakontë.
Ai shprehu besimin se partitë politike në Kosovë do të tregojnë fleksibilitet dhe se, ashtu si gjithmonë, një qeveri do të formohet në fund.
‘Sa i përket formimit të qeverisë, kjo është një sfidë që e kemi të gjithë. Ka shumë vende në Evropë, në Evropën Perëndimore, që u duhet disa muaj për të formuar një qeveri. Kjo është pjesë e lojës. Nuk kam komente shtesë për këtë. Uroj që të gjitha partitë politike të jenë fleksibile dhe në fund do të formohet një qeveri, si gjithmonë’, tha ai.
Ambasadori Westerlund, tek u ndal për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian, tha se anëtarësimi në BE do t’i hapte Kosovës rrugën drejt zhvillimit ekonomik. Ai në këtë kontekst, tha se ky proces kërkon edhe kompromise.
‘Ndryshe nga Suedia, ju keni një vendndodhje shumë të mirë gjeopolitike në Evropë. Mendoj se Ballkani Perëndimor ka një të ardhme të ndritur. Mendoj që sa më shpejt të jetë e mundur duhet të bëheni anëtarë të BE-së. Pasi të bëheni anëtarë të BE-së, do të keni një të ardhme të madhe, një të ardhme në drejtim të zhvillimit ekonomik. Thjesht duhet të bëni disa kompromise për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe pastaj mendoj që ju pret një e ardhme shumë premtuese’, tha Westerlund. sn
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani mori pjesë në ceremoninë e hapjes së ambasadës së re të Kosovës në Kuala Lumpur në Malajzi.
Osmani u prit me nderime nga kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim.në Kompleksin qeveritar “Perdana Putra” në Putrajaya të Malajzisë.
Gjatë kësaj vizite, Presidentja Osmani ka përuruar hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur, Malajzi.
“Një dritare e re për vendin tonë, me plot mundësi për bashkëpunim edhe më të thellë me Malajzinë. Një prani edhe më e fuqishme diplomatike në një nga rajonet më strategjike në Azi.
Një shtëpi më shumë e Kosovës, ku do të avancohen interesat e qytetarëve tanë, do të fuqizohen aleancat tona dhe do të mbrohet me vendosmëri shenjtëria e sakrificës së popullit të Kosovës për liri e shtet”, ka theksuar presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.
Pas takimit, Presidentja Osmani dhe kryeministri Ibrahim kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në Kuala Lumpur.
Kryeministri Ibrahim tha se do të ketë konsultim dypalësh në nivel zyrtar sa më shpejt të jetë e mundur, për të siguruar që të ndikojnë sa më shpejt në marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike ndërmjet Malajzisë dhe Kosovës.
Ndërsa Osmani ka falënderuar kryeministrin Anwar Ibrahim, për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë për Kosovën. Ajo tha se në takim riafirmuan angazhimin për lidhje më të forta diplomatike, dhe partneritete më të ngushta ekonomike në fushat me interes të përbashkët.
Ajo ka mirëpritur edhe vendimin e Malajzisë për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, si një akt besimi dhe miqësie midis dy vendeve tona.
Gjithashtu, Osmani ka falënderuar kryeministrin Ibrahim për mbështetjen e vazhdueshme të Malajzisë për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare duke thënë se Kosova është e gatshme të kontribuojë edhe në platformat e mëtejshme rajonale si ASEAN. bw
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e sotme, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e shënimit të 50-vjetorit të themelimit të Shoqatës kulturo-artistike “Malësori” dhe në edicionin e 36-të të Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”.
“Pesë dekada përkushtim e punë të palodhshme për ruajtjen e vlerave të folklorit burimor, përmes veshjeve, instrumenteve e këngës popullore, e kanë shndërruar këtë manifestim në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në trojet ku jetojnë shqiptarët. Është një vendtakim i përvitshëm për mijëra artdashës dhe një skenë ku vlerat kulturore marrin hov”, u shpreh në hyrje të fjalës së tij kryeministri Kurti.
Në vijim, kryeministri tha se ky manifestim, që mbahet në fillim të muajit maj, përkon me datat simbolike të pajtimit të madh të gjaqeve më 2 maj 1990, ngjarje kjo e cila ndodhi pikërisht këtu, në vendin ku po zhvillohet manifestimi edhe sivjet.
“Përballë sfidave dhe periudhave të vështira të së kaluarës, “Hasi Jehon” ka qëndruar si një dëshmi e gjallë e rezistencës dhe angazhimit për ruajtjen e identitetit tonë kulturor”, u shpreh kryeministri.
Ai shtoi se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbështetjes institucionale dhe financiare për të gjitha fushat e kulturës, veçanërisht në fushën e folklorit, ku kemi mbështetur në vazhdimësi ansamblet, manifestimet, studimet dhe botimet në tërë territorin e vendit, me qëllim zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë.
“Hasi Jehon” është më shumë se një festival: është një urë që na lidh me njëri-tjetrin dhe me botën, përmes zërit të pastër të folklorit shqiptar”, tha kryeministri.
Shoqata kulturo-artistike “Malësori”, me projektin Festivali Folklorik “Hasi Jehon”, është mbështetur nga Qeveria përmes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Gjatë vitit 2021 është përkrahur me shumën 7 mijë euro, në vitin 2022 kjo përkrahje është më shumë se trefishuar në vlerën prej 25 mijë euro. Ndërkohë, festivali ka marrë mbështetje edhe në vitin pasues me vlerë prej rreth 27 mijë euro, ndërsa kjo përkrahje gjatë vitit 2024 ka arritur në vlerën prej 30 mijë euro.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
I nderuar Drejtor i Festivalit “Hasi Jehon”, z. Haziz Hodaj,
I nderuar Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku,
Të nderuara shoqëri kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve e të partive tona, në nivel qendror e lokal,
Të nderuar artdashës,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj,
Motra dhe vëllezër,
Në malet e bukura të Hasit, këtu ku trashëgimia e pasur natyrore ndërthuret me trashëgiminë po ashtu të pasur kulturore, po takohemi për të festuar një moment të rëndësishëm historik – 50-vjetorin e themelimit të Shoqatës Kulturo-Artistike “Malësori” dhe edicionin e 36-të të Festivalit Folklorik “Hasi Jehon”.
Pesë dekada përkushtim e punë të palodhshme për ruajtjen e vlerave të folklorit burimor, përmes veshjeve, instrumenteve e këngës popullore, e kanë shndërruar këtë manifestim në një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në trojet ku jetojnë shqiptarët. Është një vendtakim i përvitshëm për mijëra artdashës dhe një skenë ku vlerat kulturore marrin hov.
Ky manifestim, që mbahet në fillim të muajit maj, përkon me datat simbolike të pajtimit të madh të gjaqeve më 2 maj 1990, ngjarje kjo e cila ndodhi pikërisht këtu, në vendin ku po e zhvillojmë manifestimin edhe sivjet. Përballë sfidave dhe periudhave të vështira të së kaluarës, “Hasi Jehon” ka qëndruar si një dëshmi e gjallë e rezistencës dhe angazhimit për ruajtjen e identitetit tonë kulturor.
Ky festival përfaqëson një institucion të rëndësishëm për mbrojtjen, prezantimin, bartjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë shpirtërore. Për më shumë se tri dekada, ka bashkuar shoqëri kulturo-artistike nga të gjitha trojet e banuara me shqiptarë, duke ofruar një hapësirë për të festuar pasurinë tonë folklorike dhe etnomuzikore.
Meqë e njohim rëndësinë jetike të ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë kulturore, si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe Ministri e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i kemi kushtuar vëmendje të veçantë mbështetjes institucionale dhe financiare për të gjitha fushat e kulturës. Veçanërisht në fushën e folklorit, kemi mbështetur në vazhdimësi ansamblet, manifestimet, studimet dhe botimet në tërë territorin e vendit. Sepse duam zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve për ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë.
Festivali Folklorik “Hasi Jehon”, i cili që nga viti 2022 gëzon mbrojtje ligjore si vlerë e trashëgimisë kulturore shpirtërore në mbrojtje institucionale, është një shembull i shkëlqyer i asaj që mund të arrihet kur përkushtimi i artdashësve bashkohet me përkrahjen profesionale të institucioneve.
Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë mbështetjen për të gjitha nismat që synojnë ruajtjen dhe zhvillimin e vlerave të trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet mbështetjes së rregullt, synojmë që kjo trashëgimi të dokumentohet, të kultivohet dhe t’i jepet vendi i merituar në jetën kulturore e shoqërore.
Dua të përgëzoj të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e kësaj ngjarjeje, që jo vetëm e ruan dhe pasuron trashëgiminë tonë, por edhe e shfaq atë në mënyrë të denjë para publikut vendor dhe ndërkombëtar.
Ju uroj suksese të gjithë pjesëmarrësve në prezantimin e këngëve, artit, valleve dhe gjithë trashëgimisë sonë shpirtërore. Po ashtu, uroj që të gjithë të pranishmit të përjetojnë tri net të mbushura me emocione, krenari dhe ndjenjë të bashkimit kulturor.
Mirënjohjet më të sinqerta u shkojnë të gjithë atyre që me pasion e kujdes punojnë për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë kulturore. “Hasi Jehon” është më shumë se një festival: është një urë e cila na lidh me njëri-tjetrin dhe me botën, përmes zërit të pastër të folklorit shqiptar.
Ju faleminderit dhe ju uroj një festival sa më të suksesshëm, e sonte, nesër mbrëma e pasnesër mbrëma, një çast shumë të veçantë e të këndshëm për juve dhe të gjithë ata mysafirë që na kanë nderuar neve në “Hasi Jehon”.
Presidentja Vjosa Osmani po qëndron për vizitë zyrtare në Malejzi, me ftesë të Kryeministrit të këtij vendi, Anwar Ibrahim.
Ajo ka publikuar në llogarinë e saj në Facebook, pamje nga pritja me nderime të larta shtetërore që i është bërë atje, teksa ka falenderuar për mikrpritjen.
“Pritja me nderime të larta shtetërore në Kompleksin qeveritar Perdana Putra në Putrajaya në Malajzi. Faleminderit Kryeministër Anëar Ibrahim për mikpritjen!”, ka shkruar Osmani. sn
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë njoftoi se është përgjegjësi e lidershipit politik të formojë një Kuvend dhe një Qeveri të qëndrueshme, dhe se ky proces duhet të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Kështu raportojnë mediat në Kosovë. Në lidhje me bllokimin e kostituimit të Kuvendit në Kosovë, Ambasada deklaron se u takon qytetarëve të vendosin se kush duhet t’i përfaqësojë ata.
“Kosova është një shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e udhëheqjes politike të formojë një Kuvend dhe një qeveri të qëndrueshme në përputhje me Kushtetutën”, thekson Ambasada Amerikane në Kosovë. sn
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi
Radio Evropa e Lirë
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka thirrur në një takim liderët e dy prej partive më të mëdha parlamentare, Memli Krasniqin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në përpjekje për ta gjetur një mënyrë për konstituimin e vonuar të Kuvendit të Kosovës.
Ai i ka ftuar ata në takim të përbashkët të enjten në orën 8:30, rreth dy orë para se të fillojë vazhdimi i nëntë i seancës konstituive të Kuvendit, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka.
Në letrën e tij, Kurti i fton PDK-në dhe LDK-në si dy prej tri partive me më së shumti ulëse në Kuvend, të bisedojnë për emërimin e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Por, deputeti i zgjedhur i LDK-së, Besian Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se “ne nuk marrim pjese ne takim” dhe se kryetari Abdixhiku ndodhet jashtë vendit.
“Çështja e nënkryetarëve të Kuvendit, të përcaktuar si vende përfaqësimi të partive, nuk është çështje diskutimi, sepse janë pozita të përfaqësimit partiak. Çështja e kryetarit te Kuvendit, është çështje politike dhe kërkon shumicë politike. Për këtë çështje veçse kemi dhënë qëndrim”, tha Mustafa.
PDK-ja ende nuk ka komentuar rreth ftesës nga Kurti.
Gati tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Kosova ende nuk i ka formuar institucionet e saj, për shkak të mospajtimeve mes partisë fituese të zgjedhjeve, Vetëvendosjes, dhe disa prej partive më të mëdha parlamentare, për postin e kryetarit të Kuvendit.
Konstituimi i Kuvendit – i nisur më 15 prill – ka dështuar tetë herë radhazi deri tani, pasi Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme prej 61 për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.
Haxhiu shihet nga PDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa LDK-ja ka thënë vazhdimisht se nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, deri tani e ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.
Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës dhe Haxhiu deri tani i ka marrë 57 vota më së shumti.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh. AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse në një koalicion parazgjedhor, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Kjo është hera e parë që Kurti e fton në takim Krasniqin e PDK-së, ndërsa hera e dytë Abdixhikun e LDK-së, i cili nuk e kishte pranuar ftesën e tij të parë.
Thirrja e Kurtit për takim vjen disa orë pasi ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se ia ka shprehur presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, shqetësimin e tij në rritje me vonesat në formimin e institucioneve të reja në Kosovë.
Në një reagim në rrjetin social Bluesky, Rohde tha se partitë politike në Kosovë duhet të veprojnë shpejt për formimin e institucioneve dhe duhet t’i shohin interesat shtetërore para atyre partiake.
“Në peizazhin e sotëm global që po ndryshon me shpejtësi, veprimet e shpejta janë të domosdoshme dhe çështjet shtetërore duhet gjithmonë të vihen para politikave partiake”, shkroi Rohde.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.
Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.
Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me deputetë të Kuvendit bënë homazhe pranë varrezave të martirëve dhe vendosën lule të freskët te pllaka përkujtimore në Memorial të Martirëve në Çikatovë të re.
Aty prehen martirët e vrarë gjatë luftës së fundit dhe viktimat e zhdukura me dhunë, trupat e të cilëve u gjetën më vonë në Serbi dhe u rivarrosën me nderim në këtë memorial.
Memoriali gjithashtu përbëhet nga një mur muzeal, krahas varrezave dhe pllakës përkujtimore dhe hapësira përreth, të krijuara për të respektuar kujtimin e atyre që humbën jetën dhe për të ndihmuar brezat e ardhshëm të njohin historinë.
Deputetë të Listës Serbe, përfshirë kryetarin Zllatan Ellek, duke shkuar në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës. Prill 2025.
Sandra Cvetkoviq, Bekim Bislimi
Në një kohë kur çdo votë deputeti ka rëndësi vendimtare, nëntë votat e Listës Serbe në Kosovë nuk po merren parasysh nga askush. Deputetët e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk arritën ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as në tentimin e tetë, më 29 prill, për shkak të mungesës së votave.
Ndërsa viteve të kaluara Lista Serbe ishte pjesë e rregullt e koalicioneve qeverisëse, këtë herë askush nuk i afrohet, dhe askush nuk pret bashkëpunim me të – as Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, e as partitë që deri vonë ishin në opozitë.
Për këtë situatë është përgjegjës sulmi i armatosur dhe vrasja e një polici të Kosovës në Banjskë, në shtator të vitit 2023, thotë për Radion Evropa e Lirë, Miodrag Milliqeviq nga organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicën e Veriut. Ai shton se, pas këtij sulmi në veri të Kosovës, të kryer nga një grup serbësh dhe për të cilin përgjegjësinë e mori ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, kjo listë ka humbur “potencialin për koalicion”.
“Kjo paraqet një problem shtesë për komunitetin serb, kur bëhet fjalë për përfaqësimin e interesave të tyre, që zakonisht ndodh përmes Listës Serbe”, thekson Milliqeviq.
Lista Serbe nuk ka reaguar publikisht për sulmin në Banjskë, dhe nuk është distancuar nga Radoiçiq, të cilin më parë e kishte mbështetur hapur. Ai aktualisht është në arrati, dhe besohet se gjendet në Serbi. Në Kosovë, ndaj tij është ngritur aktakuzë për rastin Banjska, dhe është lëshuar urdhër arresti edhe për dyshimet për krime lufte ndaj popullatës civile.
Nga ana tjetër, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, thotë se si partitë shqiptare, ashtu edhe Lista Serbe, pajtohen që bashkëpunimi mes tyre nuk është i mundur. Ai shton se Lista Serbe as nuk e sheh veten si përfaqësuese të serbëve në institucionet e Kosovës.
Megjithatë, ai thekson se interesat e komunitetit serb nuk mund të mbrohen, nëse nuk marrin pjesë në institucione, pasi Qeveria e Kosovës merr vendime që i prekin drejtpërdrejt ata.
“Edhe nëse mbetet jashtë Qeverisë, Lista Serbe mund të marrë pjesë në punën e Kuvendit dhe të ketë ndikim në procesin legjislativ. Mundësisht, edhe të ndalojë miratimin e disa ligjeve”, thotë ai, duke kujtuar se votat e deputetëve serbë janë thelbësore për ndryshimin e Kushtetutës apo për miratimin e ligjeve të rëndësishme.
Megjithatë, sipas tij, një ndryshim i imazhit të saj mund të përbëjë një zgjidhje për bashkëpunim.
Lista Serbe, e vetmja parti serbe në Kosovë me mbështetje nga Beogradi zyrtar, tashmë prej muajsh nuk komunikon me mediat në Prishtinë, dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë për mënyrën se si do të mbrojë interesat e komunitetit të saj nëse përjashtohet nga institucionet udhëheqëse.
Kjo parti ka bojkotuar institucionet e Kosovës për më shumë se dy vjet, pasi vetë e nisi largimin e serbëve nga institucionet në nëntor të vitit 2022, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të hequr targat serbe.
Megjithatë, Lista Serbe mori pjesë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por për herë të parë prej themelimit humbi njërin prej 10 mandateve të rezervuara për serbët. Ky mandat i shkoi Nenad Rashiqit, udhëheqës i partisë “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, dhe partner i deritashëm i koalicionit qeverisës të Albin Kurtit.
Infografikë
Si do të duket Kuvendi i ardhshëm i Kosovës?
Çfarë thonë partitë shqiptare për bashkëpunimin me Listën Serbe?
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, që nga mesi i prillit nuk po arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi partitë e tjera shqiptare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate – nuk po e mbështesin kandidaten e saj për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.
Pavarësisht kësaj, Vetëvendosje në mënyrë kategorike refuzon çdo bashkëpunim me Listën Serbe.
“Qëndrimi ynë për këtë çështje është i qartë, i njohur, dhe nuk ka ndryshuar”, tha për Radion Evropa e Lirë, Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë në detyrë.
Pas zgjedhjeve, Vetëvendosje bëri të ditur se do ta formojë Qeverinë e re me ndihmën e votave të komuniteteve joserbe, duke përjashtuar kështu Listën Serbe. Gjithashtu, kjo parti ishte përpjekur të pengonte pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, me arsyetimin se nuk e njeh Kosovën si shtet dhe nuk është distancuar nga “aktet terroriste që kanë ndodhur në Kosovë”, duke aluduar në sulmin e Banjskës.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh deputet i saj, Lutfi Haziri, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti e rrespekton vullnetin e qytetarëve, të cilët e kanë zgjedhur Listën Serbe t’i përfaqësojë. Por, sipas tij, aktualisht LDK-ja nuk ka kurrfarë komunikimi me Listën Serbe.
Ai thotë se LDK-ja u përmbahet parimeve që të mos bashkëpunojnë me elementë që bien ndesh me ligjin.
“Me elementë që kanë problem me krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe problemet tjera ligjore, ne nuk kemi bashkëpunuar asnjëherë. Kështu që krejt parametrat janë të vendosur. Për pjesën politike, ne nuk kemi problem. Por, gjithçka që nuk i prek këto parime, të cilat i përmenda më herët, është i mirseardhur bashkëpunimi, por jo me elementë të tillë, në asnjë mënyrë”, thekson Haziri.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Radoiçiq, në Kosovë lidhet edhe me krimin e organizuar, korrupsionin, vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, dhe me sulmin në Banjskë të Zveçanit, të cilin autoritetet e Kosovës e konsiderojnë akt terrorist.
Këtë javë, ndaj tij është lëshuar edhe një tjetër fletarrestim, për dyshime për krime lufte ndaj popullatës civile. Ai ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe për krim të organizuar ndërkombëtar.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo parti nuk ka ndonjë rol udhëheqës në procesin e formimit të qeverisë së re.
Siç thotë ajo, AAK-ja nuk ka mandatar për formimin e ekzekutivit të ri, dhe si rrjedhojë, ajo nuk ka ndonjë arsye që të ketë ndonjë bashkëpunim me Listën Serbe dhe deputetët e saj.
“Jemi partia më e vogël shqiptare [në Kuvend] dhe ne nuk kemi radhën për formimin e qeverisë. Ata që e formojnë qeverinë, ndoshta duhet të komunikojnë [me Listën Serbe]. Në çfarë forme duhet të bashkëpunojmë ne, kur ne nuk e kemi mandatarin për formimin e qeverisë?”, shprehet Kadrijaj.
Gogiq: Lista Serbe të “ribrendohet dhe të distancohet nga e kaluara”
Politologu Gogiq thotë se ende nuk është e qartë në publik se kush refuzon bashkëpunimin – Lista Serbe, partitë shqiptare apo të dyja palët. Sido që të jetë, sipas tij, mungesa e besimit mes përfaqësuesve politikë të serbëve dhe shqiptarëve nuk mund të zgjidhet së shpejti.
“E kemi të qartë qëndrimin e partive shqiptare se nuk do të kërkojnë bashkëpunim me Listën Serbe, edhe po të mos mund të formojnë qeverinë. Kjo vlen për Vetëvendosjen dhe për opozitën. Ata thonë se më mirë shkojnë në opozitë apo në zgjedhje të reja, sesa të qeverisin me votat e Listës Serbe”, thekson ai.
Ai shton se, për sa kohë nuk ndryshon perceptimi i publikut shqiptar për Listën Serbe, bashkëpunimi nuk do të jetë i mundur.
Zgjidhja, sipas tij, do të ishte që partitë shqiptare të ndryshojnë retorikën ndaj Listës Serbe, ose që vetë Lista Serbe të “ribrendohet, të ndërmarrë hapa të qartë për distancim nga e kaluara, që është problematike për shqiptarët”.
“Lista Serbe me besimin më të ulët në dekadën e fundit”
Edhe Milliqeviq, nga organizata Aktiv, thotë se ende nuk është e qartë nëse Lista Serbe dëshiron të marrë pjesë në jetën politike të Kosovës dhe të jetë zë i njerëzve që ia kanë besuar votën.
“Kjo është pyetja kryesore për përfaqësuesit e Listës Serbe, sepse interpretimi ynë i angazhimit të deritanishëm të tyre në Kuvend, veçanërisht gjatë një viti e gjysmë të fundit, nuk mund të konsiderohet as i kënaqshëm. Këtë e dëshmon edhe Analiza e Trendeve, një sondazh që kemi realizuar në mesin e komunitetit serb në gjithë Kosovën. Besimi në përfaqësuesit serbë në Kuvend është në nivelin më të ulët në dhjetë vjetët e fundit. Ky është realiteti thelbësor”, thotë Milliqeviq.
Organizata Aktiv prej vitesh ndjek dhe analizon qëndrimet e komunitetit serb në veri dhe jug të lumit Ibër, dhe i publikon ato çdo vit në një raport të veçantë.
Raporti për vitin 2024 u prezantua më 30 prill në Prishtinë. Ndër të tjera, thuhet se nuk ka asnjë politikan konkret në të cilin komuniteti serb ka besim – shumica refuzon të përgjigjet në pyetjen se kujt i beson.
Sipas këtij hulumtimi të Aktiv-it, vetëm 2.8 për qind e të anketuarve kanë besim te Lista Serbe.
Milliqeviq, megjithatë, thekson se aktualisht nuk ekziston një alternativë ndaj Listës Serbe sa i përket përfaqësimit politik të serbëve, duke pasur parasysh se kjo parti ka fituar bindshëm më së shumti vota në zgjedhje – rreth 38 mijë ose 4.26 për qind.
“Nëse kjo pyetje i referohet kontekstit më të gjerë, situata ndryshon ndjeshëm. Atje keni parti të tjera politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale në gjithë Kosovën, por gjithashtu edhe shoqëria civile dhe mediat luajnë rol të rëndësishëm në përfaqësimin e interesave të komunitetit serb”, shprehet ai.
Milliqeviq dhe Gogiq përfundojnë se mbetet të shihet se si do të veprojë Lista Serbe, nëse Kuvendi i Kosovës do të arrijë të konstituohet.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se një herë duhet konstituar Kuvendi e më pas të flitet për formimin e qeverisë, kur u pyet për këtë çështje gjatë një aktiviteti në Istog të mërkurën.
“Një herë Kuvendi, pastaj qeveria”, u shpreh Kurti në një prononcim për “Istogu Channel” pasi vendosi gurthemelin e projektit të banimit të përballueshëm dhe social në këtë komunë.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe ministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu e kryetari i Istogut, Ilir Ferati.
Nesër do të jetë seanca e nëntë për konstituimin e Kuvendit.
Deri tash, në gjashtë tentativa për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare, Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka pasur votat e mjaftueshme. Në shtatë herë pati 57 vota, ndërsa në seancën e fundit mori tri vota më pak.
Kurti vazhdimisht nuk ka dhënë përgjigje konkrete për konstituimin e Kuvendit apo formimin e qeverisë./KOHA
Edhe dy ditë skadon afati për të marrë dokumente të Kosovës mbi bazën e atyre që lëshohen nga organet serbe për qytetet në Kosovë – sikurse certifikata e lindjes, martesës apo vdekjes.
Një pjesë e qytetarëve, kryesisht nga komuniteti serb, nuk kanë mundur të marrin dokumente të Kosovës pasi kishin vetëm dokumente të lëshuara nga institucionet serbe, të cilat autoritetet e Kosovës nuk i njohin.
Megjithatë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës (MPB) në nëntor të vitit të kaluar mori një vendim që lejon regjistrimin në Regjistrin Qendror të Gjendjes Civile të Kosovës mbi bazën e dokumenteve serbe.
Bazuar në ekstraktin nga libri amë i lindjeve, ndër të tjera, aplikuesit mund të fitojnë shtetësinë e Kosovës, gjë që më pas u mundëson nxjerrjen e letërnjoftimit, realizimin e të drejtave të ndryshme administrative dhe të tjera.
Sipas MPB-së, nga 1 shkurti deri më 25 prill, janë kryer gjithsej 4.330 regjistrime në sistemin kosovar mbi bazën e dokumenteve serbe.
Nuk ka të dhëna zyrtare të sakta për numrin e serbëve që jetojnë në Kosovë dhe që posedojnë dokumente kosovare, pasi ky komunitet, sidomos në katër komunat në veri, ka bojkotuar regjistrimin e popullsisë më 2024.
Sipas vlerësimeve të sektorit civil serb dhe autoriteteve lokale në komunat me shumicë serbe, në Kosovë jetojnë rreth 100.000 serbë. Një raport i organizatës joqeveritare Aktiv nga viti 2023, me titull “Analiza e trendëve, qëndrimet e komunitetit serb”, tregoi se mbi 90 për qind e 536 të anketuarve posedojnë dokumente të Kosovës.
“Pavarësisht pretendimeve se në veri të Kosovës ka rezistencë më të madhe ndaj nxjerrjes së dokumenteve kosovare, është e qartë se shumica dërrmuese kanë marrë letërnjoftimet e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në raport.
Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës të hënën u ka bërë thirrje qytetarëve të shfrytëzojnë të drejtën për regjistrim gjatë dy ditëve të mbetura, pasi pas datës 30 prill një gjë e tillë më nuk do të jetë e mundur.
Çfarë ndodh pas skadimit të afatit për regjistrim?
MPB-ja nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë nëse pas skadimit të afatit do të tolerohen ende dokumentet serbe, siç ka ndodhur në raste të veçanta kur qytetarët kishin vetëm letërnjoftime të lëshuara nga organet e Serbisë.
Zyrtarisht, institucionet e Kosovës i konsiderojnë institucionet serbe që funksionojnë në qytetet e Kosovës si paralele dhe ilegale, ndërsa Beogradi refuzon t’i mbyllë ato pasi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur në vitin 2008.
Në fillim të vitit 2024, autoritetet e Kosovës kanë nisur mbylljen e institucioneve serbe, përfshirë organet e përkohshme komunale që ishin përgjegjëse për lëshimin e ekstrakteve të lindjes dhe dokumenteve të tjera. Edhe pas mbylljes, këto institucione nuk e kanë ndërprerë punën, por janë zhvendosur në qytetet kufitare në territorin e Serbisë.
Çfarë dokumentesh kërkohen për regjistrim në sistemin e Kosovës?
Vendimi i MPB-së parasheh që të drejtë për të aplikuar për regjistrim në sistemin e Kosovës kanë të gjithë qytetarët që nga 10 qershori 1999 deri më 1 shkurt 2025 kanë qenë të regjistruar vetëm në sistemin serb.
Pas datës 1 shkurt 2025, ekstraktet e lindjes apo vdekjes do të mund të nxirren vetëm përmes një kërkese të veçantë për regjistrim të mëvonshëm në zyrat komunale të gjendjes civile.
Për regjistrimin civil mbi bazën e dokumenteve serbe, kërkohet paraqitja e ekstraktit origjinal nga libri amë i lindjeve të Serbisë për të aplikuar për shtetësinë e Kosovës, dhe më pas për dokumentet që kërkohen. Gjithashtu, njëri nga prindërit e fëmijës duhet të jetë shtetas i Kosovës.
Deri më tani, serbët në Kosovë janë përballur me vështirësi të shumta për të fituar shtetësinë, për shkak se institucionet nuk i kanë njohur ekstraktet më të reja të lëshuara nga autoritetet serbe.
Ligji për shtetësinë e Kosovës parasheh që shtetësia të fitohet përmes lindjes, naturalizimit dhe në bazë të nenit 32 – që përcakton se shtetas të Kosovës konsiderohen të gjitha personat që më 1 janar 1998 kanë qenë shtetas të Jugosllavisë dhe kanë pasur atëherë vendbanim të përhershëm në Kosovë.
Në vendimin e MPB-së për marrjen e dokumenteve të Kosovës mbi bazën e atyre serbe thuhet gjithashtu se për regjistrimin në librin amë të lindjeve duhet të paraqitet edhe letërnjoftimi i Kosovës, i prindërve.
Sektori civil serb në Kosovë ka theksuar disa herë problemet me të cilat përballet komuniteti serb sa i përket regjistrimit të lindjeve, marrjes së shtetësisë dhe sigurimit të dokumenteve personale.
Autoritetet e Kosovës kanë hapur zyrën e katërt të Postës së Kosovës në Leposaviq, komunë në veri të Kosovës, e banuar me shumicë serbe.
Në hapjen e kësaj zyre, që është e dyta që është hapur në qendër të Leposaviqit, ishte i pranishëm edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
“Ky është një lloj bashkëdyzimi i ligjshmërisë dhe cilësisë. Ata operatorët e palicencuar që kanë funksionuar më herët janë mbyllur dhe tash e kemi Postën e Kosovës, ku përveç dërgesave të zakonshme të Postës, mund të pranohen edhe mjete financiare në euro për qytetarët e Leposaviqit”, tha Kurti.
Nga Posta e Kosovës thanë se në katër komunat në veri – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviqit – tani ky institucion ka trembëdhjetë pika. Shumica e pikave – 11 prej tyre – sipas Postës, janë hapur vetëm në dy vjetët e fundit.
Megjithatë, një nga pikat e Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill u sulmua me dy granata dore. Sulmi ndodhi disa ditë pasi kjo pikë ishte hapur.
Sulmi u dënua nga zyrtarët në Kosovës dhe nga Gjermania. Kurti, e ishte cilësuar sulmin si “orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”.
Sulme në veriun e Kosovës janë regjistruar edhe vitin e kaluar, teksa institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë një sërë hapash për, siç kanë thënë, shtrirjen e sovranitetit në këtë pjesë të vendit.
Këtu përfshihet mbyllja e organeve të përkohshme komunale – që funksiononin sipas sistemit të Serbisë – dhe ndërmarrjet e tyre publike. Po ashtu, janë mbyllur edhe Posta e Serbisë në veri, Banka Postare Kursimore, Thesari i Bankës Kombëtare, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Rrethi Administrativ i Mitrovicës së Kosovës dhe të tjera.
Në veri, po ashtu është ndaluar përdorimi i dinarit serb për kryerjen e pagesave. Serbia ka financuar strukturat paralele në veri dhe ka mbështetur serbët atje përmes pensioneve dhe shtesave të tjera, në dinarë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kundërshtuar shumë nga veprimet e Prishtinës në veriun e Kosovës, duke i vlerësuar si veprime të paakordinuara.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar fletarrestim ndaj Millan Radoiçiqit dhe 19 serbëve të tjerë, të dyshuar për veprën penale “krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas dokumentit që mban datën e 15 prillit, të publikuar nga Reporteri.net, Radoiçiq – ish-nënkryetar i partisë së serbëve në Kosovë, Lista Serbe – akuzohet se ishte pjesë e një grupi serbësh që vranë 106 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve më pas u gjetën në një varrezë masive në Serbi.
Nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se kanë parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore për lëshimin e fletarrestimeve.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ne kërkesë ka cituar se me datë 18.03.2025 ka nxjerr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999, në vendin e quajtur ‘Ura e Taliqit’ në Gjakovë nga data 7 maj e deri më date 10 maj te vitit 1999, pjesëtaret e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, në mesin e tyre edhe të pandehurit e lartcekur filluan të hynin shtëpi për shtëpi, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithë personat që ishin prezentë, duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptar dhe pas luftës trupat e tyre u gjetën në një varrezë masive në Batajnice të Serbisë”, thuhet në arsyetimin e fletarrestimit.
Infografikë
Vendndodhjet e varrezave masive të identifikuara në Serbi
Po ashtu, në dokument thuhet se ky grupi i personave, nga 7 maji i vitit 1999 deri më 10 maj të po atij viti kishte arrestuar dhe burgosur më shumë se 300 civilë shqiptarë, të cilët “u mbajtën në burgje të improvizuara, ku nuk kishin trajtim human duke iu munduar gjërat elementare, ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi mjekësor dhe më pas një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme të Kosovës”. Në fund, sipas Gjykatës Themelore, këta persona u liruan pas qershorit të vitit 1999, me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.
Për të gjithë të pandehurit që është lëshuar fletarrestim, autoritetet e Kosovës nuk e dinë adresën e tyre. Ndërkaq, në mesin e tyre është edhe Llazar Drashkoviq, ndaj të cilit veçse ka një urdhërarrest aktiv ndërkombëtar lidhur me masakrën e Mejës.
Ndryshe, Radoiçiq veçse kërkohet nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023. Ai e mori përgjegjësinë për këtë sulm, ku u vra një polic i Kosovës, dhe gjerësisht besohet se gjendet i lirë në Serbi.
Kosova e cilëson këtë sulm si terrorist dhe akuzon Serbinë se ka gisht në të. Beogradi mohon çdo përfshirje.
Në Kosovë, për sulmin në Banjskë është ngritur edhe një aktakuzë – ku përfshihet edhe Radoiçiqi – dhe ka nisur gjykimi ndaj tre të pandehurve për këtë rast, që gjenden në Kosovë. Gjykata Themelore e Prishtinës ka refuzuar ankesën që ndaj të pandehurve të tjerë për rastin Banjska të zhvillohet gjykim në mungesë.
Ka ndërruar jetë njeri ndër ushtarët më të hershëm të Brigadës 121, Naser Shala i njohur si Ftyra, raporton KosovaPress.
Kështu ka njoftuar familjari i tij Fatmir Surdhaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Njoftimi i plotë:
Ju njoftojmë se pas një sëmundje të shkurtër ndërroj jetë daja e bashkëluftëtari im Naser Bislim Shala- Ftyra.
Njëri ndër ushtarët më të hershëm të Brigadës 121 Ismet Jashari Kumanova, i organizuar në UÇK-ën me Mujë Krasniqin e Rexhep Selimin, bashkëluftari i komandant Kumanovës , Fatmir Limes Haxhi Shalës, Ajet Kastratit e shume luftarëve dhe Dëshmorëve të kombit.
Naseri si epror i shtabit Brigades kreu shumë detyra të rëndësishme në organizimin ushtarak të njësive të UÇK-së, me devotshmëri të lartë e heroizëm të pashoq qendronte me shkoët luftarë nëpër vijat e para të ftontit.
Njihej me nofkën e luftës FTYRA ishte shumë i dashur me shokët dhe besnik në qdo rrethanë luftarake të kohës.
E kam pasur fatin të jemi bashkë nip e dajë në vijat e para të frontit me forcat armike, por, Ftyra qëndronte heroikisht bashk me shokët.
E paq të lehtë dheun e Kosovës dajosh, e ke krye detyrën për atdheun me përkushtim sipas edukimit të Nanës Qamile e Dajes Bislim që na i vranë forcat serbe më 1998.
Ngushëllime Familjes Shala, miqve, farefisit , bashkëluftarëve e shoqërisë.
Lavdi jetës e veprës tënde atdhetare daja im bashkëluftëtari im Ftyra i UÇK-së!
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në ceremoninë e funeralit të Papë Françeskut, përkrah liderëve nga mbarë bota.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani vlerësoi lart figurën dhe trashëgiminë e Papës, duke theksuar se ai do të mbahet mend për angazhimin e tij të palëkundur për paqen, dinjitetin njerëzor dhe solidaritetin ndërmjet popujve.
“Trashëgimia e Papa Françeskut në përkushtimin ndaj të varfërve, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ndërtimit të urave të miqësisë ndërmjet kombeve do të jetojë gjatë,” u shpreh Osmani.
Ceremonia në Vatikan bashkoi liderë politikë, fetarë dhe personalitete të shumta nga e gjithë bota, të cilët nderuan jetën dhe veprën e Papë Françeskut.
Osmani publikoi fotografi nga takimi me liderë të ndryshëm botërorë. Gjatë funeralit Osmani ka shtrënguar duart me Donald Trump, Zonjën e Parë Melania Trump, Sekretarin e Vatikanit, Pietro Paroli, që po përmendet si kandidat favorit për të udhëhequr me Kishën Katolike, Presidentin e Kenias, William Ruto, Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, Presidentin e Letonisë, Edgar Rinkevics, Presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino. bw
Deputetja e Parlamentit Finlandez, Tytti Tuppurainen, ka takuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Politikania finlandeze ka thënë se Kosova është shteti më reformator në Ballkan Perëndimor dhe se ky progres duhet t’i njihet.
Tuppurainen ka thënë se do ishte një tregim vizioni gjeo-strategjik nëse të gjitha vendet anëtare të BE-së ta njihnin pavarësinë e Kosovës dhe që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.
“Kosova është një top-reformatore në Ballkanin Perëndimor dhe progresi i saj duhet pranuar. Do ishte tregim i një vizioni të madh gjeostrategjik nga të gjitha vendet e BE-së për të njohur sovranitetin e Kosovës dhe për t’i dhënë statusin e vendit kandidat”, ka shkruar ajo pas takimit me presidenten Osmani. sn
Të vendosur që zëri i tyre të dëgjohet, një grup qytetarësh po proteston çdo ditë prej më shumë se 20 ditësh përpara institucioneve shëndetësore në Graçanicë, rreth 10 kilometra nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.
Këto institucione funksionojnë sipas sistemit të Serbisë nën mbikëqyrjen e Ministrisë serbe të Shëndetësisë, e cila në fund të janarit shpalli konkurse për dhjetëra vende të reja pune.
Megjithatë, protestuesit në Graçanicë pretendojnë se i gjithë procesi i punësimit ka qenë jotransparent dhe se janë krijuar “lista të fshehta të njerëzve të përshtatshëm”, në të cilat janë përfshirë edhe persona të afërt me Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon përkrahjen e Beogradit.
“Na mblodhi i njëjti hall”, thotë për Radion Evropa e Lirë Dushica Nikolliq, ndërsa mban pankartën “Kadro profesionale, por në kërkim të punës”.
Ajo është teknike e farmacisë dhe inxhiniere e diplomuar e bujqësisë. Është nënë vetushqyese e dy fëmijëve dhe prej vitesh pret të punësohet në profesionin e saj. Vendosi të mos e duroj; më “padrejtësinë” pasi u refuzua sërish në konkursin e shpallur nga institucionet shëndetësore, përfshirë Institucionin Farmaceutik të Prishtinës.
Dushica Nikolliq, e treta nga e majta.
Në mjediset serbe në Kosovë të gjitha institucionet shëndetësore financohen nga buxheti i Serbisë.
“Shkollën e kam mbaruar në mënyrë të rregullt, jo me korrespondencë. Kjo është një nga padrejtësitë që ndodhi. Janë punësuar njerëz që për një vit mbaruan atë për të cilën ne kemi studiuar katër vjet”, thekson Dushica Nikolliq për Radio Evropa e Lirë.
Disa institucione shëndetësore, si Qendra e Mjekësisë Familjare në Graçanicë dhe Gushtericë të Poshtme, më 6 prill shpallën vendimin për anulimin e konkurseve “për shkak të skadimit të afatit prej 30 ditësh për marrjen e vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve”.
Grupi i qytetarëve të pakënaqur, i cili atëkohë kishte disa ditë që protestonte, vendosi të mos i ndalë protestat, por të vazhdojë luftën e tyre për një punësim më të drejtë dhe më transparent.
Protesta e qytetarëve të pakënaqur në Graçanicë, më 22 prill.
Ata kanë paraqitur kërkesat e tyre me shkrim tek institucionet lokale përgjegjëse, por edhe te Ministria e Shëndetësisë në Beograd dhe Presidenca e Serbisë. Disa nga kërkesat e këtij grupi – që e quan veten Lëvizja Popullore e të Pakënaqurve – janë që të publikohen rezultatet e të gjitha konkurseve të shpallura, që drejtuesit e institucioneve shëndetësore të japin dorëheqje dhe të gjenden përgjegjësit për parregullsitë dhe mungesën e transparencës.
Ata pretendojnë se nuk janë të organizuar nga askush dhe se protestat e tyre nuk janë të motivuara politikisht, por se po luftojnë për vendosjen e një sistemi ku të gjithë do të kenë shans të barabartë për punësim.
Drejtorët e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë dhe Gushtericë të Poshtme kanë thënë në fillim të prillit, kur edhe filluan protestat, se për pranimin e punëtorëve ka vendosur një komision profesional, dhe kanë hedhur poshtë akuzat për parregullsi dhe ndikim politik.
Ndryshe, drejtoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq, ka qenë në listën e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Diskriminim politik
Megjithatë, Jellena Steviq, 39-vjeçare, nga Graçanica thotë se politikanët lokalë nga radhët e Listës Serbe i kanë “premtuar” se nuk do të punësohet për sa kohë që ata janë në pushtet. Në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, ajo shpreh bindjen se arsyeja për këtë “premtim” është sepse ajo nuk e mbështet politikën e tyre.
Shpallja e konkurseve për pranimin e punonjësve në institucionet shëndetësore përkoi me fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 9 shkurt, në të cilat mori pjesë edhe Lista Serbe.
“Nuk e mbështes atë që bëjnë politikanët lokalë, kjo është e vetmja arsye për të cilën jam diskriminuar”, thotë Steviq, e cila gjithashtu prej vitesh kërkon punë në profesionin e saj si infermiere.
Ajo është nënë vetushqyese e tre fëmijëve dhe thotë se me pagën minimale në sektorin privat nuk mund t’i mbajë.
Jellena Steviq thotë se ka marrë një ‘premtim’ që nuk do të punësohet sepse nuk e mbështet Listën Serbe.
“Vajza ime është në universitet, por do të detyrohet të ndërpresë sepse nuk do të jem në gjendje ta financoj, pasi kam edhe dy vajza të tjera që janë në shkollë”, thotë ajo.
Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, gjatë fushatës zgjedhore ka deklaruar se “në periudhën e mëparshme shteti i Serbisë ka siguruar një numër të madh vendesh pune dhe se kjo është edhe një mënyrë për të qëndruar”. Ellek është gjithashtu drejtor i Qendrës Klinike në Mitrovicën e Veriut, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Megjithatë, Marija Millkoviq Maksimoviq thekson se janë punësuar njerëz që nuk jetojnë fare në Kosovë. Ajo thotë se për tre vjet ka punuar si asistente dentare në Qendrën e Mjekësisë Familjare të Graçanicës në zëvendësim, ka përvojë dhe është refuzuar padrejtësisht në konkurs, në mënyrë që të punësohet dikush që jeton në Serbi.
“Ne vetëm kërkojmë drejtësi, të punësohen ata që janë profesionistë, dikush që ka përvojë pune si unë”, thotë ajo.
Në prononcimin për REL-in, ajo gjithashtu pohon se ka parë që listat e të punësuarve janë bërë në kafene nga zyrtarë lokalë të Listës Serbe.
Marija Millkoviq Maksimoviq, e para nga e djathta.
Se “fjala e fundit” për punësimet në sektorin shëndetësor ka qenë në dorë të politikanëve, mendon edhe Petar Gjorgjeviq nga Graçanica.
“Ka pasur premtime për pozita në këmbim të votës në zgjedhjet parlamentare. Kemi dëshmi që politikanët lokalë janë përfshirë dhe dëshmi nga disa prej nesh që në intervistat për punë na është thënë se komisioni ka bërë pjesën e vet dhe tani duhet të ndjekim ata që realisht vendosin, sepse ata [komisioni] nuk janë ata që vendosin”, thotë Gjorgjeviq për REL-in.
Ai ka aplikuar për pozitën e inxhinierit të softuerit në QMF-në në Gushtericë të Poshtme. Është inxhinier i diplomuar i elektronikës kompjuterike dhe ka mbaruar masterin për inxhinieri biomjekësore në Universitetin Aristoteli në Selanik.
“Të gjithë jemi dëmtuar nga ky proces jotransparent i punësimit. Thjesht duam që kushtet të jenë të barabarta për të gjithë, që kush i plotëson kushtet të ftohet në intervistë dhe të shpallen emrat e atyre që janë pranuar në punë”, thekson Gjorgjeviq.
Lista Serbe nuk është përgjigjur për të komentuar akuzat e shumta ndaj zyrtarëve të saj.
Petar Gjorgjeviq, një nga të pakënaqurit me mënyrën e punësimit.
Ai konsideron se njerëzit po punësohen “fshehurazi”, sepse pakënaqësia do të ishte shumë më e madhe nëse do të publikohej lista e të punësuarve.
Gjorgjeviq thekson se ditëve të fundit janë sulmuar nga ata që janë punësuar në konkursin e anuluar, dhe se një burrë – të cilit thuhet se i ishte premtuar punësimi i tre fëmijëve të tij – u ka thënë se do t’i “ndjekë si Jezu Krishtin” derisa të ndalojnë protestat.
Se drejtësia në fund do të dalë në dritë shpreson edhe Mirjana Vasiq, e cila ka përfunduar shkollën e mesme të mjekësisë për teknike të farmacisë. Sipas saj, një burrë – të cilin nuk dëshiron ta emërojë – i ka ofruar të punojë si pastruese në QMF-në e Graçanicës.
“Duke qenë se kam katër fëmijë, isha gati ta pranoja edhe atë, më mirë diçka sesa asgjë”, thotë ajo, duke shtuar se në fund nuk mori asnjë vend pune.
“Po përpiqemi të zbulojmë të vërtetën pse nuk u punësuam dhe mbi çfarë baze u punësuan ata që morën punë. Kush i punësoi ata”, pyet ajo.
Mirjana Vasiq, e dyta nga e majta.
Përgjigje për pyetjet dhe kërkesat e tyre ky grup qytetarësh të pakënaqur ende nuk ka marrë.
REL-i i është drejtuar gjithashtu Ministrisë së Shëndetësisë në Qeverinë e Serbisë dhe Presidencës së Serbisë me pyetjen nëse janë të informuar për protestat në Kosovë dhe nëse do të shqyrtojnë kërkesat e tyre, por nuk ka marrë përgjigje.
Megjithatë, protestuesit shpresojnë se institucionet kompetente do ta marrin seriozisht problemin e punësimeve jotransparente dhe se lufta e tyre për një shoqëri më të drejtë do të ketë sukses.
Autoritetet e Kosovës kanë mbyllur zyrat e Fondit të Pensioneve dhe Invaliditetit (Fondi PIO), Shërbimin Kombëtar të Punësimit dhe Fondin Republikan për Sigurime Shëndetësore në Leposaviq, në veri të Kosovës, si dhe Ndërmarrjen Publike Komunale në Shtërpcë, komunë me shumicë serbe në jug të Kosovës.
Të gjitha këto institucione funksiononin sipas sistemit të Serbisë, të cilin Kosova e konsideron të paligjshëm dhe paralel. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i tha Radios Evropa e Lirë se Policia ka asistuar autoritetet komunale në Leposaviq për të rikthyer ambientet e tyre, dhe se gjatë aksionit janë zbuluar “aktivitete të paligjshme”.
“Jemi konsultuar me prokurorin për çështjen e Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe është hapur një rast për falsifikim dokumentesh. Do të intervistojmë një person në lidhje me këtë rast. Sa i përket Fondit për Sigurime Shëndetësore, nga sa di, komuna u ka dhënë një afat prej një jave për të lëshuar hapësirat”, tha Elshani.
Më herët, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se është mbyllur Ndërmarrja Publike Komunale në Shtërpcë.
“Asnjë institucion paralel i Serbisë nuk ka vend në Republikën e Kosovës. Nuk do të ketë asnjë lloj paralelizmi të institucioneve tona dhe asndonjë nënshtrim ndaj direktivave nga Beogradi në territorin e shtetit tonë”, shkroi ajo në një postim në llogarinë e saj në Facebook.
Institucionet sipas sistemit serb kanë funksionuar pas vitit 1999 në mjediset ku jetojnë serbët. Kosova i ka konsideruar ato të paligjshme, por megjithatë ato janë toleruar. Megjithatë, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka filluar mbylljen e tyre që nga fillimi i vitit 2024.
Deri më tani janë mbyllur organet e përkohshme komunale, qendrat për punë sociale, Posta e Serbisë, Banka Postare Kursimore dhe ndërmarrjet publike.
“E falënderoj Policinë e Kosovës për mbështetjen dhe njëkohësisht kërkoj nga ata dhe nga Prokuroria që urgjentisht të hetojnë dëmet dhe përfitimet që ka shkaktuar veprimtaria e paligjshme e kësaj strukture paralele të Serbisë”, shtoi Rizvanolli.
Nga ana tjetër, Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë njoftoi se autoritetet e Kosovës “në mënyrë të kundërligjshme po i mbyllin edhe ato pak institucione serbe që kanë mbetur në Kosovë”.
“E gjithë kjo po ndodh në praninë e bashkësisë ndërkombëtare, e cila në heshtje po vëzhgon terrorin ndaj serbëve dhe përndjekjen e mëtejshme të popullit tonë”, thuhet në deklaratën e Serbisë, me një thirrje për reagim nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian, në ndërmjetësimin e të cilit po zhvillohet dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve.
Mbyllja e institucioneve që funksionojnë sipas sistemit serb po has në kundërshtim nga komuniteti serb, por edhe në kritika nga bashkësia ndërkombëtare, me arsyetimin se “aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara” mund të rrisin tensionet në terren.
Gjithashtu, BE-ja ka deklaruar në fillim të këtij viti se statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia pritet të zgjidhet përmes dialogut.
Banka Qendrore e Republikës së Kosovë ka njoftuar se sipas projeksioneve të BQK-së, ekonomia pritet të rritet me 4.2 përqind gjatë vitit 2025, me kontribuues kryesor konsumin, investimet dhe eksportin e mallrave dhe shërbimeve, ndërsa importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të ketë ndikim negativ.
Ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje reale prej 4.4 përqind në vitin 2024, e nxitur kryesisht nga konsumi dhe investimet, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vetëm në tremujorin e katërt të vitit, rritja ekonomike ishte 4.1 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.
Industria përpunuese, tregtia dhe ndërtimtaria janë sektorët që kanë mbështetur këtë rritje, ndërkohë që importet e larta të mallrave dhe shërbimeve kanë reflektuar rritjen e kërkesës së brendshme pas liberalizimit të vizave.
Inflacioni në rënie, por çmimet e ushqimeve mbeten sfidë
Inflacioni ra në 0.7% në TM4 2024 nga 1.3% në tremujorin paraprak, i ndikuar nga rënia e çmimeve të energjisë dhe mallrave të tjera.
Megjithatë, rritja e çmimeve të ushqimeve ishte faktori kryesor që ndikoi në nivelin e inflacionit.
Deficit buxhetor dhe rritje të të hyrave tatimore
BQK raporton se të hyrat buxhetore primare arritën në 823.4 milionë euro (rritje prej 11.6%), ndërsa shpenzimet kapën vlerën e 1.1 miliardë eurove (rritje prej 7.0%), duke rezultuar në një deficit prej 289.3 milionë euro.
Tatimet direkte dhe indirekte shënuan rritje përkatësisht prej 10.7% dhe 10.1%.
Rritje e deficitit të llogarisë rrjedhëse, rënie e investimeve të huaja
Deficiti i llogarisë rrjedhëse u rrit në 488 milionë euro, një rritje vjetore prej 18.3%, kryesisht për shkak të bilancit tregtar negativ dhe rënies së të ardhurave dytësore.
Investimet e huaja direkte ranë me 17.1%, ndërsa remitencat u rritën për 3.0%, duke arritur në 344.2 milionë euro.
Sektori financiar në rritje – bankat dhe fondet pensionale me performancë të mirë
Sektori bankar ka përjetuar rritje të shpejtë të kredive dhe depozitave, me fitime në rritje për shkak të të hyrave më të larta krahasuar me shpenzimet.
Pavarësisht kësaj, ka pasur rënie të lehtë të treguesit të mjaftueshmërisë së kapitalit dhe ulje të likuiditetit, megjithëse mbeten mbi nivelet rregullatore.
Sektori pensional ka shënuar rritje të shpejtë të aseteve, kryesisht falë kthimeve nga tregjet ndërkombëtare.
Edhe sektori i sigurimeve dhe ai mikrofinanciar kanë regjistruar përmirësim të performancës dhe fitimeve, duke ruajtur qëndrueshmërinë e portofolit të kredive.
Eurozona me rritje të ngadaltë – inflacioni mbetet sfidë
Ndërkohë, ekonomia e Eurozonës u rrit me vetëm 0.2% në TM4 2024, ndërsa rritja vjetore u regjistrua në 1.2%. Parashikimet e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) flasin për një rritje më modeste në vitin 2025 (0.9%) dhe 2026 (1.2%).
Inflacioni në Eurozonë qëndroi në 2.2% për tremujorin e fundit, i nxitur nga çmimet e larta të energjisë dhe shërbimeve. BQE pret që inflacioni të ngadalësohet në 2.3% në vitin 2025 dhe 1.9% në 2026, por mbetet i ndjeshëm ndaj rreziqeve gjeopolitike dhe luhatjeve në tregjet globale.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha (djathtas) dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çekini
Radio Evropa e Lirë
Policia e Kosovës i ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika, gjatë një aksioni të gjerë policor mëngjesin e së hënës, njoftuan autoritetet.
Muhamed Lika u vra natën e 1 prillit në shkallët e ndërtesës ku jeton, derisa po kthehej në banesën e tij nga puna.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çekini, thanë gjatë një konference për media se motivet e vrasjes së tij ka mundësi të kenë lidhje me “punën e tij si zyrtar policor”.
Në mesin e të arrestuarve është edhe një ish-pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), thanë ata, pa treguar identitetin e tij.
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka folur pas përfundimit të procesit të betimit si deputet. Limaj nuk ka komentuar rreth dështimit të VV-së për ta zgjedhur Albulena Haxhiun si kryekuvendare, shkruan Gazeta Express.
Ai ka shprehur besimin e tij se edhe procedurat e mbetura për konstituimin e Kuvendit do të përfundojnë shumë shpejt dhe sipas Limajt deputetët dalëngadalë do të gjejnë rrugë për hapat e tjerë.
“Besoj që shumë shpejt edhe pjesët e papërfunduara të përfundojnë”, ka deklaruar Limaj.
Kreu i NISMA-s është shprehur i gatshëm për bashkëpunim me Kurtin dhe ka pasur raportime se ai ka zhvilluar edhe negociata për një marrëveshje me Kurtin, megjithatë votat e NISMA-s në Kuvend ka treguar se s’ka ende kurrfarë pajtimi.
Anëtarët e Qeverisë në detyrë të Kosovës gjatë mbledhjes së mbajtur më 16 prill 2025.
Albin Kurti dhe kabineti qeveritar po pretendojnë se janë dorëhequr nga postet ekzekutive qysh më 23 mars. Atë ditë, Qeverisë i përfundoi mandati katërvjeçar.
Dorëheqjen, përmes një letre, Kurti ia konfirmoi edhe kryetarit të deritanishëm të Kuvendit, Glauk Konjufca.
Por kjo letër u kontestua nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Duke mos e pranuar dorëheqjen, në këtë formë, deputetët e këtyre partive votuan kundër verifikimit të mandateve të deputetëve dhe rrjedhimisht pamundësuan konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Mesditën e 17 prillit, deputetët u mbodhën sërish për vazhdimin e seancës konstituive. Por ajo sërish nuk prodhoi asnjë rezultat dhe u caktua vazhdimi i saj për 19 prill.
Por a mjafton kjo mënyrë e dorëheqjes së Kurtit dhe anëtarëve të tjerë të ekzekutivit?
Disa njohës të Kushtetutës besojnë se po, edhe pse thonë se Ligji për Qeverinë ka gabime dhe bie ndesh me Kushtetutën.
“Nëse ligji nuk funksionon dhe efektet e ligjit janë shumë të rrezikshme për shoqërinë, atëherë nuk zbatohet ligji, por zgjidhet me praktikat [e kaluara] qeveritare. Çfarë ka ndodhur para këtij rasti, kryeministrat e mëparshëm, si kanë vepruar kur kanë qenë duke ushtruar detyrën? Do të thotë kanë qenë deputetë, kanë votuar për deputetë dhe kanë qenë duke ushtruar detyrën [në Qeveri], ushtrues i detyrës nuk është detyrë [e plotë]”, thotë për Radion Evropa e Lirë, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.
Në Ligjin për Qeverinë, në nenin 26, thuhet se kur anëtari i një qeverie në detyrë zgjidhet deputet duhet të japë dorëheqje nga posti i tij qeveritar para ditës së certifikimit të rezultateve. Pra, para 27 marsit.
Në gjithë debatin për këtë situatë u përmend si gabim edhe fakti që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka certifikuar si deputetë Kurtin me ministra.
Por a gaboi KQZ-ja këtu?
Mazllum Baraliu, që më parë e ka udhëhequr këtë institucion, nuk e quan këtë gabim. Sipas tij, ky institucion s’ka kompetencë t’i kërkojë dorëheqje askujt në Qeveri.
“Nuk shkruan askund që [KQZ-ja] ka për detyrë që t’iu thotë atyre të cilët kanë kandiduar për deputet, që të heqin dorë nga punët e tyre [në Qeveri]. Nuk është e rregulluar kjo punë dhe nuk është punë e KQZ-së kjo”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill.
Çfarë tha Kurti për dorëheqjet?
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kreu i partisë fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, tha se kërkesa e partive, që mandatin e kaluar ishin në opozitë, që ai të japë dorëheqje dhe të mos dalë në zyre në Kryeministri, është e pakuptimtë.
“Më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje, më shumë se kaq do të ishte braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional, papërgjegjësi politike dhe rrezikim i sigurisë kombëtare. Është kërkesë dhe insistim – thënë së buti – i pamatur për të lënë shtëpinë pa zot shtëpie”, tha ai gjatë mbledhjes së ekzekutivit më 16 prill.
Partitë e tjera insistojnë që postet e anëtarëve të Qeverisë të zgjedhur deputetë, të udhëhiqen nga zëvendësit e tyre gjatë kësaj periudhe.
Kurti tha se partia e tij është e interesuar që të ecet para me formimin e institucioneve. Por, partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, e kanë akuzuar LVV-në se po e zvarrit këtë proces, duke argumentuar se partia fituese e zgjedhjeve nuk i ka 61 vota, aq sa kërkohen për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, e më pas edhe të formimit të Qeverisë së re të Kosovës.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës më 15 prill.
Çka ndodh tani?
Pas mosmiratimit të raportit të Komisionit për mandate, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, iu drejtua presidentes, Vjosa Osmani, për të kërkuar sugjerime se si të vazhdohet. Osmani, brenda pak orësh, më 16 prill iu përgjigj, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive brenda 48 orëve, siç parashihet në Rregulloren e Kuvendit.
Sipas Osmanit, edhe aktgjykimet e Kushtetueses obligojnë deputetët “që të jetësojnë, e jo të bllokojnë formimin e institucioneve, si dhe të gjejnë rrugën përpara për konstituimin e Kuvendit”.
Partitë morën pjesë në seancë, por në të shkuan me qëndrime të njëjta. Në nisje të vazhdimit të seancës, kryesuesi Avni Dehari nga LVV-ja, i ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike. Pasi tha se nuk kishte konsensus se si të vazhdohet tutje, ai e ndërpreu seancën dhe caktoi që ajo të vazhdojë të shtunën.
Nëse të shtunën kalohet pika e parë e rendit të ditës, atëherë deputetët do të mund të betohen, më pas të zgjedhin kryetarin e nënkryetarët dhe kështu të përmbyllin konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit. Vetëm pas kësaj, do të fillonin afatet kushtetuese për formimin e Qeverisë së re të Kosovës. Asnjëra parti nuk ka fituar vota të mjaftueshme që të qeverisë e vetme, prandaj arritja e një koalicioni qeverisës duket opsion i pashmangshëm.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, gjatë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila u ndërpre të enjten, 17 prill.
Radio Evropa e Lirë
Fituesja e zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka arritur marrëveshje me Nismën Socialdemokrate, megjithëse jo të shkruar, për ta formuar Qeverinë e re të vendit, tha të enjten vonë deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Haxhi Avdyli.
Duke folur për emisionin “Konfront” të KTV-së, Avdyli tha se nuk është i autorizuar të flasë për marrëveshjen, por shtoi madje se bisedimet janë “shumë pozitive” dhe se tashmë “LVV-ja i ka 61 vota në Kuvend”, por se ajo do më shumë se aq.
“Kemi bisedime dhe bisedimet janë shumë pozitive. S’kemi të shkruar, por mbi këtë shumë shpejt… Për këtë do të dalim para opinionit. S’jam i autorizuar që të flas për këtë”, tha Avdyli.
Nisma, e cila garoi në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk ka komentuar deri më tani rreth marrëveshjes së mundshme me LVV-në.
Kosova ka ngecur në përpjekje për t’i formuar institucionet e reja, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhje.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe AAK-ja këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë në detyrë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Por, kreu i LVV-së dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.
Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj, ka qenë i vetmi që e ka lënë të hapur mundësinë për bashkëpunim me Kurtin nga partitë tjera shqiptare.
Avdyli tha të enjten se Vetëvendosje i “ka tashmë” votat e nevojshme për ta formuar Qeverinë e re.
“Ata e dinë që ne i kemi numrat. Ne i kemi 61, por nuk i kemi 63 a 65. Por synojmë t’i rrisim. I kemi të sigurt 61”, ka thënë ai.
Kurti i kishte takuar javën e kaluar edhe liderët e 10 partive të pakicave joserbe në përpjekje për t’i siguruar votat e nevojshme për formimin e Qeverisë së re, por nuk është e qartë ende nëse e ka mbështetjen e të gjitha atyre.
Me tri votat e Nismës dhe 10 të pakicave joserbe, partia e Kurtit do t’i kishte 61 vota, minimumi i kërkuar për formimin e Qeverisë së re.
Ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u kanë bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, pasi ato dështuan për herë të dytë radhazi ta konstituojnë Kuvendin e ri të enjten.
Konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Njerëzit kanë të drejtë të presim nga liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes të vendit”, tha ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, në një reagim në Facebook të enjten.
Ai tha se Kosova ka nevojë “urgjente” për formimin e institucioneve të reja, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhje.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.
Por kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se konstituimi i Kuvendi i Kosovës ka ngecur, “për shkak të taktikave penguese”.
“Qytetarët meritojnë politikanë që e qesin Kosovës para politikave partiake. Prandaj, e përsëris: Bashkëpunimi i mirëfilltë është urgjentisht i nevojshëm për të garantuar institucione funksionale dhe formim të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, shkroi Rohde në rrjetin social Bluesky.
Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.
Në seancën e së enjtes, e cila ishte vazhdimësi e seancës së ndërprerë të martën, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike dhe më pas tha se nuk kishte konsensus se si të vazhdohet tutje, duke njoftuar se seanca do të vazhdojë më 19 prill në mesditë.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë të enjten se dorëheqjet formale të anëtarëve të Qeverisë do ta zhbllokonin konstituimin e Kuvendit.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.
Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.
Seanca për rastin e sulmit në Banjskë më 17 prill, 2025.
Radio Evropa e Lirë
Në seancën e parë për rastin e sulmit në Banjskë – që po mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës – avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.
Në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale. Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë në seancën përgatitore të 9 tetorit të vitit të kaluar.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.
Për 42 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, është kërkuar gjykim në mungesë. Për ta u lëshua letër-rrestim ndërkombëtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me qëllim për ta siguruar prezencën e tyre.
Në rastet e gjykimit në mungesë, që janë mundësuar në Kosovë me ndryshimet ligjore të vitit 2022, kërkohet që të shterohen të gjitha opsionet për ta siguruar prezencën e të akuzuarve. Në rastet e tjera të këtij lloji, Kosova u ka kërkuar autoriteteve në Serbi t’ua dërgojnë ftesën për marrje në pyetje të akuzuarve dhe rasti i gjykimit ka vazhduar vetëm pasi nuk është marrë përgjigje nga të akuzuarit.
Në seancën e sotshme, pas deklarimit për fajësinë nga të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.
Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronë në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.
Për Tolliqin, i cili ishte gjetur i plagosur, u tha se ishte kapur me armë ushatarake, ndërsa për Spasojeviqin dhe Maksimoviqin u treguan fotografi me të akuzuar të tjerë të këtij rasti.
Si avokati i familjes së Bunjakut, Koci, ashtu edhe përfaqësuesit e të dëmtuarve Alban Rashiti dhe Sedar Dushi thanë se mbështesin fjalën hyrëse të prokurorit.
Në fjalën hyrëse, të akuzuarit Spasojeviq dhe Tolliq thanë se nuk e kanë sulmuar apo vrarë askënd. Spasojeviq tha se nuk ka synuar bashkimin e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, me Serbinë, ndërsa Tolliq tha se ai ka qenë në Banjskë më 24 shtator por për arsye tjetër nga ajo që thuhet në aktakuzë.
Avokatët e të dyve – Lubomir Pantoviq që mbron Spasojeviqin dhe Millosh Deleviq që mbron Toliqin – thanë se aktakuza nuk i plotëson kriteret e Kodit të Procedurës Penale.
Ata pretenduan se aktakuza nuk përshkruan veprimet individuale të Spasojeviqit dhe Toliqit, por vetëm përshkruan në mënyrë të përgjithshme ngjarjen, pa treguar rolin që të akuzuarit kanë luajtur.
Çfarë përmban aktakuza?
Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.
Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:
Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.
Çka kanë thënë tre të akuzuarit?
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, njëri prej tre të akuzuarve që gjenden në paraburgim në Kosovë është mbrojtur në heshtje.
Një tjetër ka deklaruar në Stacionin policor të Mitrovicës më 24 shtator, 2023, se një ditë më herët ka shkuar në Rashkë, ku është takuar me tre persona (po ashtu të akuzuar), me të cilët, në mënyrë të organizuar me disa vetura, kanë shkuar në Banjskë, ku u janë dhënë uniforma dhe armatim.
Atij i është thënë se “do të bëhet një barrikadë me kamion dhe një protestë, për të cilën ka menduar se është paqësore”.
“Por, pasi ka pranuar uniformën ushtarake-taktike dhe armatimin, aty e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull, por se është detyruar t’u bindet urdhrave”, thuhet në aktakuzë.
Sipas aktakuzës, ai ka thënë se gjatë natës ka qëndruar në një veturë dhe pastaj në afërsi të një ujëvare dhe në mal, dhe se “asnjëherë nuk ka shtënë me armë”.
Më vonë, ai i është dorëzuar Policisë së Kosovës.
Ai, po ashtu, ka deklaruar se rreth dhjetë vetura të tipit Jeep pa targa, kanë ardhur nga Serbia me rreth 50 persona, shumicën e të cilëve ka thënë se nuk i ka njohur.
“Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë presion apo kërcënim për të marrë pjesë në këtë grup dhe se vullnetarisht është bërë pjesë e tij…”.
Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Seanca përgatitore për të akuzuarit për sulmin në Banjskë e mbajtur në tetor të vitit 2024
Radio Evropa e Lirë
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 17 prill mbahet seanca e parë për rastin e sulmit në Banjskë, kundër Vlladimir Tolliqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit.
Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.
Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati.
Prokuroria më 9 tetor të vitit të kaluar, në seancën përgatitore, kërkoi që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, por avokatët mbrojtës theksuan se diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e Kosovës.
Gjyqtari Arben Hoti kërkoi një mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, që konstatoi se kjo çështje është “e drejtë diskrecionale” e gjyqtarit.
Një vendim i tillë ende nuk është marrë.
Ndryshe, në seancën përgatitore të 9 tetorit 2024, dy të akuzuarit, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, refuzuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit, ndërsa Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm.
Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.
Çfarë përmban aktakuza?
Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.
Kush janë të pandehurit?
Në aktakuzë përmenden 45 persona:
Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.
Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.
Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.
Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.
Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.
Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.
Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.
Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.
Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Deputetët e zgjedhur të partive kryesore politike parlamentare, me të cilët bisedoi REL-i, kanë thënë se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por me qëndrimet e njëjta që çuan drejt ndërprerjes së saj një ditë më parë.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar për të enjten, në orën 12:00.
Seanca nisi të martën, reth orës 11:00, por u ndërpre rreth dy orë më pas, për shkak se deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, që do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë vazhdimisht se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.
Të mërkurën në mëngjes, deputeti më i vjetër në moshë i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili kryeson seancën konstituive të legjislativit, iu drejtua me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të sqaruar se si të veprohej më tutje pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.
Osmani, ka thënë të mërkurën se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.
Përgjigjja e Presidentes Osmani, Avni Deharit.
Po të mërkurëm në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti përsëriti qëndrimin se ai dhe kabineti qeveritar janë në detyrë që nga 23 marsi, kur ekzekutivi ka përmbushur mandatin e rregullt katërvjeçar.
Ai tha se “më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje” sepse do të ishte “braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional”.
Çka thojnë partitë politike?
Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, aktualisht ministër në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie do të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës konstituive.
Sipas tij, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë, ashtu siç e parasheh ligji, por edhe letra e presidentes Osmani.
“Nuk ka kuptim të bllokohet konstituimi i Kuvendit dhe kjo është përgjegjësi e secilit prej 120 deputetëve të zgjedhur”, theksoi Çeku.
Lidhur me kërkesën e partive opozitare për dorëheqje të anëtarëve të ekzekutivit nga postet qeverisëse, të cilët kanë fituar mandatin e deputetit, Çeku tha se Lëvizja vetëvendosje mbetet pranë vendimit, të cilin e ka shprehur publikisht të mërkurën kryeministri në detyrë Kurti.
Nga Partia Demokratike e Kosovës, ende nuk kanë bërë publik ndonjë vendim se a do të votojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Ariana Musliu – Shoshi, theksoi se sipas Rregullores së Kuvendit, brënda 48 orë nga ndërprerja e seancës, deputetët duhet të mblidhen sërish në legjislativ.
“Nesër (të enjten), duhet të blidhen të gjithë deputetët”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se vendimi i PDK-së për të votuar ose jo raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të bëhet i ditur kur të mblidhen deputetët në seancë.
Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka mirëpritur përgjigjen e presidentes Osmani, që seanca konstituive e Kuvendit duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja.
Por, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, përsëriti se LDK-ja do të kërkojë përsëri nga Kurti me ministra të japin dorëheqje formale.
“Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike”, tha Abdixhiku, por nuk ka saktësuar se a do ta definojë ky qëndrim edhe votimin ose jo nga kjo parti të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të jenë të pranishëm në institucionin ligjvënës, të enjten, ka thënë deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Time Kadrijaj.
Ajo theksoi se votimi ose jo i raportit të të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të varet nga qëndrimi i partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizes Vetëvendosje.
“Të shohim se sa janë serioz me dorëheqjet anëtarët e Qeverisë (të zgjedhur deputet). Paraprakisht, nesër (të enjten) do të konsultohemi edhe me partitë tjera pozitare dhe do të vendosim”, theksoi Kadrijaj.
Miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do t’i hapte rrugë kalimit në pikën e radhës, atë të betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – hapa të nevojshëm për konstituimin e legjislaturës së re parlamentare.
Deputetë të zgjedhur të Listës Serbe duke hyrë në Kuvendin e Kosovës, për seancën konstituive, 15 prill.
Radio Evropa e Lirë
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi – ka thënë të mërkurën se nuk do ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se “deklaratat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurtit për gjoja mbështetjen e paralajmëruar nga deputetët e Listës Serbe, janë një e pavërtetë e pastër”.
“Jemi absolutisht të sigurt se edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë të vetëdijshëm për këtë, por gënjeshtrat që po i shpërndajnë shërbejnë qartësisht për lojërat e tyre të brendshme, prandaj i hedhim poshtë publikisht”, tha Lista Serbe.
Lista Serbe – e cila i fitoi 9 prej 10 ulëset e garantuara për pakicën serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës – nuk përmendi emrat në njoftimin e saj kur tha se bashkëpunëtorë të Kurtit kishin bërë deklarata të tilla.
Megjithatë, ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të martën se mund të ketë “tendencë nga disa deputetë” të Listës Serbe për të votuar për Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re, me qëllim “për ta njollosur atë”.
Gërvalla u pyet në Tëvë1 për disa mesazhe telefonike të ministrit në detyrë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetarit të Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, gjatë seancës së dështuar konstituive të Kuvendit të martën, ku përmendeshin disa deputetë të Listës Serbe që mund të votojnë për një qeveri Kurti.
“Mund të ketë një ndarje të Listës Serbe dhe një pjesë të tyre, për ta diskredituar para opinionit shqiptar këtë koalicion, mund ta japin votën që të cilën nuk ua kemi kërkuar. Ne duhet ta përgatisim opinionin për këtë gjë, sepse nuk mund t’ua lidhim duart atyre”, tha ajo.
Gërvalla e përsëriti se ka “qenë gabim” që Lista Serbe është certifikuar për këto zgjedhje.
Vetëvendosje e ka hedhur poshtë vazhdimisht bashkëpunimin e mundshëm me Listën Serbe dhe kishte luftuar certifikimin e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit, por Gjykata Supreme e Kosovës e kishte aprovuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.
Kurti kishte biseduar me 10 partitë e pakicës joserbe për formimin e Qeverisë së re, ndërsa është refuzuar nga Lidhje Demokratike e Kosovës, partia që mori më së shumti vota pas LVV-së.
Kuvendi i Kosovës dështoi të martën ta konstituojë përbërjen e legjislaturës së re dhe nuk është e qartë se kur do të mblidhet përsëri.
Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, Presidenca ka marrë zyrtarisht njoftimin për situatën e krijuar.
Zëdhënësi i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, konfirmoi se letra e dërguar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka mbërritur në Presidencë dhe po trajtohet nga ekipi ligjor.
“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, deklaroi Kupina për mediat.
Mosmiratimi i raportit të komisionit pengoi betimin e deputetëve të rinj, duke bllokuar në këtë mënyrë formimin e institucioneve paszgjedhore. Pavarësisht se në sallë ishin të pranishëm 119 deputetë, vetëm 52 votuan në favor të raportit, duke mos arritur kuorumin prej 61 votash të nevojshme për miratim.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se për shkak të situatës së krijuar, seanca u detyrua të ndërpritet dhe se Presidentja do të informohet zyrtarisht për zhvillimet. “Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si do të veprohet më tutje,” deklaroi Dehari.
Kriza parlamentare thellohet më tej edhe nga dorëheqja e protokolluar e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kabinetit të tij qeveritar, e cila ishte nënshkruar më 27 mars por u bë publike gjatë seancës.
Situata e krijuar lë pezull nisjen e legjislaturës së re dhe formimin e qeverisë së re, ndërsa pritet që Presidentja Osmani, në koordinim me forcat politike, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje dhe për të rikthyer funksionimin normal të institucioneve. bw
Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje, pas dështimit të seancës konstituive, shkruan Reporteri.net.
Seanca është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën ta kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.
Gërvalla tha se do të kërkojnë interpretimin e Presidentes Vjosa Osmani për hapat se si të vazhdohet tutje.
“Mund të na cojë në zgjedhje të reja. Mund të cojë në zëvendësimin e deputetëve që kanë votuar kundër. Ne do të kërkojmë interpretimin e Presidentes dhe nëse Presidentja e ndjen veten kompetente, mund të na e jap një përgjigje. Nëse nuk e ndjen veten kompetente në këtë çështje mund të ndihmojë e hulumtojë më tej se kush mund t’i ketë kompetencat për të sqaruar”, ka deklaruar Gërvalla.
E pyetur nëse veç i kanë drejtuar deri tani shkresën Osmanit, ajo ka thënë se edhe nëse nuk është dërguar, do t’i dërgohet.
“Nuk kam pyetur a është dërguar, por nëse është dërguar do dërgohet, nuk ka pikëpyetje aty. Nuk është e caktuar me minuta e orë se kur dërgohet”, ka thënë Gërvalla për Tëvë1.
Deri në interpretimin e Osmanit, ajo ka thënë se do presin.
“T’ia cojmë njëherë letrën, e të presim reagimin e Presidentes…”, ka deklaruar Gërvalla.
Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar sot, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.
Gërvalla tha se përsëritja e këtij votimi nuk parashihet në asnjërën prej dokumenteve ligjore të Kuvendit.
“E dështuan punën e këtij Kuvendi, pa startuar ende. E dështuan, sepse Kuvendi nuk mundi të vazhdoj punën., Tani kemi hyrë nëpër procedura të ndërlikuara sepse ky votimi nuk parashihet përsëritja e tij në asnjërën prej rregulloreve dhe dokumenteve ligjore të Kuvendit. Kemi arritur në një pikë ku mund të jetë tërësisht e pamundur të vazhdohet konstituimi i këtij Kuvendi.”, ka deklaruar Gërvalla.
Në këto rrethana dhe pas konsultimit të partive, Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet dhe deklaroi se do t’i drejtohen Presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Deri tani, në adresë të Osmanit nuk ka shkuar asnjë letër.
Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.
Ministri i dorëhequr i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shpalosi ekskluzivisht se Bullgaria është gati t’i bashkëngjitet marrëveshjes ushtarake të firmosur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.
Maqedonci, në një intervistë për TRT Balkan në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalyas, tha gjithashtu se pret që edhe vende të tjera të rajonit t’i bashkohen kësaj marrëveshjeje.
“Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale, mirëpo besoj plotësisht që edhe vende të tjera të rajonit, sidomos ato që ndajnë vlerat e përbashkëta me ne dhe që ndajnë normalisht edhe interesa të përbashkëta, sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, do të bashkëngjiten në këtë marrëveshje, le të themi në këtë deklaratë, e cila, edhe njëherë po e theksoj, gjithmonë synim ka paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, ka deklaruar Maqedonci.
Më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan marrëveshje për aleancë ushtarake, e cila nxiti reagime edhe nga Serbia.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996.
Por zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë mohuar se kjo marrëveshje është e natyrës armiqësore për fqinjët. sn