VOAL

VOAL

Takimi i paparalajmëruar mes Kurtit e Abdixhikut për presidentin përfundon pa ndonjë rezultat

Radio Evropa e Lirë

Një takim i paparalajmëruar mes Liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës, ka përfunduar pa ndonjë përparim të shtunën vonë.

Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, janë duke zhvilluar bisedime në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

Por takimi i së shtunës nuk ishte paralajmëruar paraprakisht dhe asnjëri prej liderëve nuk foli për media për bisedimet më të fundit.

Megjithatë, i pyetur nga gazetarët duke dalë nga takimi nëse ishte arritur ndonjë përparim, Kurti tha: “Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme për ju”.

Kurti heshti kur u pyet nga gazetarët se çfarë emrash ishin përmendur për president gjatë bisedimeve.

Ky ishte takimi i dytë këtë javë mes tyre, pas atij të mërkurën, pas të cilit të dy liderët thanë se kishin biseduar për emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm, duke i cilësuar negociatat si të “vështira”.

“Jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të behën publik derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”, kishte thënë Kurti pas atij takimi.

Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.

Vendi është me ushtruese të detyrës së presidentit, Albulena Haxhiun, qëkurse Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në prill.

Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.

Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur tri takime ku kanë biseduar për një marrëveshje të mundshme për presidentin e ardhshëm, por nuk kanë treguar se kush janë kandidatët e mundshëm.

Çështja e presidentit ishte pika më e nxehtë edhe në bisedimet e dështuara për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.

Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.

Megjithatë, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

BIK kërkon hetimin e dokumentit në dosjen e Shehollit dhe pretendimeve për gjoja lidhje me shërbimin serb

Radio Evropa e Lirë

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka kërkuar nga autoritetet e vendit ta hetojë “vërtetësinë” e një dokumenti të quajtur “Top sekret” në aktakuzën ndaj një të dyshuari për spiunazh për Serbinë, dhe pretendimet që përmban dokumente se gjoja kjo bashkësi fetare është e ndikuar nga shërbimet sekrete të shtetit fqinj.

Në një deklaratë publike të shtunën, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, tha se publikimi i materialeve të paraqitura si pjesë e aktakuzës së ngritur këtë javë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe dokumenti i cilësuar në publik si “Top sekret”, kanë krijuar “një situatë që kërkon maturi, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, zbardhjen e plotë të së vërtetës”.

Prokurorët e akuzojnë Shehollin – i cili ndodhet në paraburgim qëkurse u arrestua tetorin e kaluar – se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA).

Në aktakuzën kundër tij, ndër të tjera, thuhet edhe se në telefonimin e sekuestruar të Shehollit ishte gjetur një fotografi e një dokumenti që ka mbishkrimin “Top sekret 2”, të shkruar në gjuhën serbe.

Në të thuhet se fonde të mbledhura nga ambasadat islamike në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë për gjoja të shtrirë ndikimin e islamit në Kosovë, përçarë shqiptarët, nxitur emigrimin dhe ndryshuar perceptimin e Perëndimit për Kosovën, me synimin për ta krijuar një terren ku Serbia do të mund të rikthente Kosovën nën juridiksionin e saj.

Tërnava tha se përmbajtja e pretendimeve të tilla është arsyeja pse ai po u drejtohej qytetarëve, institucioneve kompetente, Prokurorisë Speciale dhe të gjitha organeve profesionale të së Kosovës “me një kërkesë të qartë: çdo pretendim i paraqitur në publik duhet të verifikohet në mënyrë të plotë, profesionale dhe institucionale”.

“Nëse një dokument i tillë ekziston dhe nëse është autentik, duhet të bëhet e qartë kush e ka hartuar, nga cili burim ka ardhur, për çfarë qëllimi është përgatitur, në çfarë rrethanash është përdorur dhe çfarë vlere ka në aspektin faktik dhe provues”, theksoi shefi i BIK-ut.

Ai i cilësoi pretendimet në atë dokument si “jashtëzakonisht të rënda”.

“Për këtë arsye, ato nuk mund të trajtohen as si të vërteta të mirëqena dhe as të mbeten vetëm në nivelin e interpretimeve apo deklarimeve publike. Ato duhet t’i nënshtrohen verifikimit të plotë institucional, mbi bazën e fakteve, dokumenteve dhe provave”, nguli këmbë ai.

Kosova është vend me shumicë myslimane, me rreth 95 për qind të banorëve që u deklaruan se i përkasin besimit islam në regjistrimin e fundit të popullsisë më 2024.

Kjo nuk është hera e parë që pretendohet se shërbimi sekret serb synon t’i përdorë grupet islame në Kosovë.

Prokuroria Speciale, në një kërkesë për mbajtjen në paraburgim të Fehim Salit, i cili akuzohet për spiunazh për Serbinë, kishte thënë se Sali mblidhte, ndër të tjera, informacione për persona që i përkasin sektit vehabi.

Tërnava theksoi se, “po aq e rëndësishme është të sqarohet nëse dhe në çfarë mase ky dokument, apo materiale të tjera të ngjashme, janë përdorur gjatë viteve të fundit si bazë për akuza, fushata apo veprime kundër Bashkësisë Islame të Kosovës, institucioneve të saj, xhamive, medreseve, teologëve, imamëve dhe udhëheqësve të saj”.

Bashkësia Islame e Kosovës ka të drejtë dhe detyrë të kërkojë që emri, veprimtaria dhe kredibiliteti i saj të mos cenohen përmes pretendimeve të pa verifikuara, shtoi ai.

Ndërkohë, gjyqi kundër Fatmir Shehollit do të nisë më 7 shtator.

Rasti i Shehollit është një nga disa raste të spiunazhit të dyshuar për Serbinë që autoritetet kosovare kanë hetuar viteve të fundit.

Mbetjet mortore të gjetura në Zubin Potok dërgohen në Hagë për identifikim përmes ADN-së

Një nga zonat ku u gërmua në Kalludër të Vogël.
Radio Evropa e Lirë

Autoritetet në Kosovë thanë se të paktën dhjetë mbetje kockore të gjetura në tri varrezat masive në Zubin Potok, janë dërguar në Hagë për identifikim përmes ADN-së.

Ministri në detyrë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, gjatë një vizite në Kalludër – një nga lokacionet ku u gjetën mbetje mortore – së bashku me familjarët e të zhdukurve, tha se mbetjet mortore të gjetura në këtë vend janë dërguar në laboratorin e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur në Hagë, ku do të bëhet krahasimi me mostrat e dhëna nga familjarët e të zhdukurve.

Pritet që shpejt të arrijnë rezultatet e para nga Haga pas dërgimit të mbetjeve kockore, thanë nga Institutit i Mjekësisë Ligjore.

Gërmimet kishin nisur në korrik dhe më 21 gusht, autoritetet njoftuan se kishte përfunduar procesi i gërmimeve dhe i zhvarrosjes të mbetjeve mortore në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut. Në tri varret masive, Prokuroria Speciale ka deklaruar se janë gjetur mbetje mortore të të paktën 23 personave.

Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar nën dyshime për krime lufte kundër popullatës civile dhe aktualisht të njëjtit janë në paraburgim.

Autoritetet në Kosovë dyshojnë se mbetjet mortore të gjetura në varrezat masive në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë të Zubin Potokut mund t’i përkasin “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Grupi prej 23 personash është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se rastin e 23 personave të zhdukur e kanë trajtuar prej shtatë vjetësh dhe se provat e mbledhura deri tani çojnë hetimin drejt tyre, por vetëm përmes identifikimit me ADN do të vërtetohet nëse bëhet fjalë për ta.

Udhëheqësja e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) në Ballkanin Perëndimor, Samira Krehiq, ditë më parë tha për Radion Evropa e Lirë se gjetja e mbetjeve mortore është vetëm fillimi i një procesi kompleks të identifikimit.

Sipas saj, gjendja e mbetjeve, degradimi i ADN-së dhe mungesa e mostrave të mjaftueshme nga familjarët mund ta vështirësojnë identifikimin. Në rastet më komplekse, sipas Krehiq, mund të kërkohen ekspertizë, analiza dhe përpjekje shtesë.

Ajo u shpreh se identiteti i viktimave dhe ngjarja nuk duhet të paragjykohen para përfundimit të analizave të ADN-së.

“Vetëm pasi ta dimë me siguri identitetin individual të të gjitha viktimave që janë gjetur, mund të fillojë rindërtimi i ngjarjes, jo anasjelltas”, tha Krehiq.

ICMP-ja është përfshirë në kërkimin dhe identifikimin e personave të zhdukur nga lufta në Kosovë që nga viti 1999.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Kurti e Abdixhiku flasin për emra “konkretë” në bisedimet e “vështira” për presidentin e ri të Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, kanë biseduar për “emra konkretë” për presidentin e ardhshëm të Kosovës, por nuk pranuan t’i bëjë të ditur ata për shkak të “ndjeshmërisë” së bisedimeve.

Kurti, kryeministër në detyrë, dhe Abdixhiku, u takuan të mërkurën në përpjekje për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

“Do të vazhdojnë bisedimet për shkak se është rritur mirëbesimi dhe është hera e parë që kemi diskutuar me dhe për emra të përveçëm”, tha Kurti pas takimit pothuajse treorësh në Prishtinë.

Ai tha se “jemi në një fazë të re, kur po bisedojmë për dhe me emrat konkretë e të përveçëm, të cilët nuk mund të behën publik derisa të ketë pajtueshmëri për ta dhe me ta”.

Derisa nuk pranoi të flasë për karakteristikat e kandidatëve, Kurti tha se “të gjithë janë në përputhje me atë qe jemi pajtuar sa i përket kritereve, standardeve, parimeve, vlerat, meritave dhe kontributeve”.

“Pra, të gjithë janë personalitete të mira, ka edhe shumë të mira, por ne duhet ta zgjedhim atë që është i/e shkëlqyeshme”, theksoi Kurti.

Edhe Abdixhiku theksoi se emrat e shtjelluar në takim “mund ta them me bindje të plotë se të gjithë, në masë të madhe, janë në vijë me parimet e dakorduara deri më tani”.

Ai shtoi se, për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të thotë se cilët janë emra konkretë në këtë fazë, “por do të takohemi sërish për të finalizuar dhe për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Kosovës”.

Ndërkohë, Kurti paralajmëroi për bisedime të vështira në vazhdim, duke thënë se tani “ne duhet të bisedojmë hollësisht e gjerësisht” për shkak të numrit të emrave që palët mund t’i sjellin në tryezë.

Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit – mandati presidencial së cilës përfundoi në prill – Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për profilin e presidentit të ardhshëm dhe kanë thënë se synojnë që në takimin e radhës të dalin me emra konkretë.

Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit.

Emri i profesorit Ibrahim Berisha dhe i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramaji, u përmendën, por që të dy mohuan përfshirjen në proces. Po ashtu është përmendur edhe emri i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për president.

Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë duke pritur vendimin – që shpallet më 16 shtator – në rastin kundër tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, ka propozuar që president të bëhet Faton Bislimi, nga radhët e LDK-së.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.

Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

Çështja e presidentit ishte pika më e nxehtë edhe në bisedimet e dështuara për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.

Tani, LVV-ja kërkon president konsensual, ndërkaq LDK-ja po ashtu kërkon që kreu i ri i shtetit të mos jetë i lidhur me ndonjë parti politike.

Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.

Megjithatë, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

Kurti e Abdixhiku takohen në përpjekje për një marrëveshje për presidentin

Radio Evropa e Lirë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në opozitë, Lumir Abdixhiku, janë duke e zhvilluar një takim në një përpjekje të re për ta arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, që do t’i jepte fund krizës pothuajse dyvjeçare institucionale.

Duke hyrë në takim, Kurti, kryeministër në detyrë, tha se “unë gjithmonë pres më të mirën” dhe se po bën përpjekje për ta arritur një marrëveshje, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Takimi mes tyre vjen disa orë pasi zyrtari i LVV-së, zëvendëskryeministri Glauk Konjufca, tha se partia i ka emrat për presidentin, por nuk deshi t’i zbulojë.

As Kurti nuk iu përgjigj pyetjeve lidhur me emrat e mundshëm për presidentin e ardhshëm, duke thënë se dëshiron ta ruajë “konfidencialitetin e bisedimeve” me Abdixhikun.

Për shkak të mospajtimeve mes partive parlamentare për pasardhësin e Vjosa Osmanit – mandati presidencial së cilës përfundoi në prill – Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme në qershor.

Dhe ajo rrezikon të mbajë sërish zgjedhje, që do të ishin të katërtat parlamentare në dy vjetet e fundit, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri në fillim të shtatorit.

LVV-ja dhe LDK-ja, pas dështimit të bisedimeve për bashkëpunim qeveritar, kanë mbajtur një takim ku kanë diskutuar për profilin e presidentit të ardhshëm dhe kanë thënë se synojnë që në takimin e radhës të dalin me emra konkretë.

Edhe nga LDK-ja një ditë më parë kanë thënë se së shpejti do të dalin me emra konkretë për presidentin.

Deri më tani, në media kanë qarkulluar disa emra për postin e presidentit.

Emri i profesorit Ibrahim Berisha dhe i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës në vitin 1990, Ilaz Ramaji, u përmendën, por që të dy mohuan përfshirjen në proces. Po ashtu është përmendur edhe emri i ish-presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka propozuar emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për president.

Thaçi gjendet në paraburgim në Hagë duke pritur vendimin – që shpallet më 16 shtator – në rastin kundër tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, ish-ambasadori i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, William Walker, ka propozuar që president të bëhet Faton Bislimi, nga radhët e LDK-së.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, sipas Kushtetutës mund ta ushtrojë këtë post vetëm për gjashtë muaj – pra deri më 4 tetor.

Akti më i lartë juridik në vend nuk ka paraparë e çfarë ndodh nëse përfundon kjo periudhë dhe vendi s’ka president të ri.

Çështja e presidentit ishte pika më e nxehtë edhe në bisedimet e dështuara për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së.

Tani, LVV-ja kërkon president konsensual, ndërkaq LDK-ja po ashtu kërkon që kreu i ri i shtetit të mos jetë i lidhur me ndonjë parti politike.

Partia e Kurtit i fitoi 53 mandate në zgjedhjet e fundit dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, i ka votat e mjaftueshme prej të paktën 61 sosh, për të konstituuar Kuvendin dhe krijuar Qeverinë e re.

Megjithatë, nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Me një marrëveshje të mundshme me LDK-në për çështjen e presidentit, e cila i fitoi 18 vende, atëherë do të arriheshin të paktën 81 vota, mjaftueshëm për votimin e presidentit të ri, nëse të paktën 80 prej tyre do të qëndronin në sallë.

LDK-ja së shpejti me emër për president

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ukë Rugova deklaroi se së shpejti do të ketë një emër të një presidenti konsensual.

Rugova ka thënë se një gjë e tillë shpreson që të ndodhë së shpejti, teksa është shprehur se vetë ai nuk është në këtë fazë për të qenë emër për këtë post.

“Besoj që shpejt do të kemi një emër të një presidenti konsensual. Uroj që të jetë gjatë kësaj jave, ashtu siç e tha edhe kongresisti DioGuardi, dhe besoj që si popull kemi mjaft emra të përgatitur për të qenë president. Unë nuk jam, atë e vendos dikush tjetër, por vet nuk jam në këtë fazë. Ne jemi në shërbim të popullit të Kosovës dhe jemi të gatshëm për të gjitha, por jo në këtë fazë. Besoj që ka emra të tjerë më të mirë e më të përgatitur për t’i shërbyer në këtë fazë Kosovë”, ka thënë Rugova për KosovaPress.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje po vazhdojnë diskutimet për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Në fillim të bisedimeve, LDK-ja pati instistuar që posti i presidentit t’i takojë kësaj partie, si balancë demokratike.

E në takimin e fundit që Kurti e pati me Abdixhikun, Vjosa Osmanin dhe Lutfi Hazirin, u deklaruan se janë pajtuar për profilin e presidentit të ardhshëm të vendit dhe se në takimin e radhës do të shkojnë me emra konkret.

Ngrihet aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit, duke e akuzuar se ka bashkëpunuar me Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) dhe se, në një rast tjetër, ka shantazhuar një person për një shumë prej mbi 13 mijë eurosh.

Sheholli akuzohet për dy vepra penale: “spiunazh” dhe “shantazh”.

Sipas aktakuzës, në një periudhë të papërcaktuar kohore deri më 9 tetor 2025, Sheholli dyshohet se ishte rekrutuar nga BIA dhe se kishte vepruar sipas udhëzimeve dhe detyrave të zyrtarëve të këtij shërbimi.

Prokuroria pretendon se ai kishte mbledhur dhe siguruar informacione e dokumente që lidheshin me zhvillimet politike, situatën e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Këto të dhëna, sipas aktakuzës, ai ua kishte përcjellë zyrtarëve të shërbimit serb përmes mesazheve telefonike.

Përveç akuzës për spiunazh, Sheholli përballet edhe me akuzën për shantazh.

Prokuroria pretendon se, nga viti 2022 deri në dhjetor të vitit 2025, ai kishte shantazhuar një person me inicialet A.J., duke e detyruar të vepronte në dëm të pasurisë së tij.

Vlera e dëmit, sipas aktakuzës, tejkalon 13 mijë euro.

Sheholli dyshohet se i kishte kërkuar para këtij personi në formë huazimi dhe e kishte kërcënuar se, nëse nuk ia jepte paratë, do të publikonte në media video dhe informacione që mund t’ia dëmtonin rëndë reputacionin dhe autoritetin.

Aktakuza tashmë i është dorëzuar Gjykatës Themelore në Prishtinë për shqyrtim.

Sheholli vazhdon të mbahet në paraburgim.

Sheholli është arrestuar në tetor të vitit 2025 nën dyshimin për spiunazh.

Në atë kohë, Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë hollësi se për kë dyshohej se kishte spiunuar.

Megjithatë, në ditën e arrestimit, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka lënë të kuptohej se dyshimet lidheshin me Serbinë.

Sveçla ka deklaruar se Sheholli gëzonte “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës dhe se kishte “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

Rasti i Shehollit është një nga disa raste të spiunazhit të dyshuar për Serbinë që autoritetet kosovare kanë hetuar viteve të fundit.

Në qershor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai është deklaruar fajtor për spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA), ndërsa Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi po gjykohen, gjithashtu, nën akuzat për spiunazh për Serbinë.

Ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi mesazh të fortë në Prishtinë: Zgjidheni tani presidentin pa u larguar unë – Do të jeni në telashe të mëdha nëse nuk zgjidhni presidentin

Ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi ka deklaruar se Kosova duhet ta ketë sa më shpejt një president.

Ai deklaroi në Prishtinë se kriza politike po e vendos Kosovën në një situatë të vështirë.

“Jam këtu, siç e dini, për t’u siguruar që ju të keni një president. Dhe shpresoj që kjo të ndodhë para se unë të largohem. Nëse nuk ndodh para se të largohem, do të jeni në telashe të mëdha, sepse keni armiq që tashmë janë gati të prishin ekuilibrin në Ballkan. Ndaj është e rëndësishme që erdha me zërin tim të lartë për të zgjuar popullin shqiptar. Nuk është koha për të fjetur gjumë, sepse njerëzit janë gati t’ju marrin atë që keni. Më vjen keq ta them këtë, por mund ta shihni vetë”, tha ish-kongresmeni amerikan Joe DioGuardi.

Deklarata e Joe DioGuardit u bë këtë të hënë në Prishtinë, ku ai dhe bashkëshortja e tij, Shirley Cloyes DioGuardi, morën shtetësinë e Kosovës. Pasaportat e Republikës së Kosovës iu dorëzuan Joe DioGuardit dhe Shirley Cloyes DioGuardit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, pasi më herët u ishte dorëzuar edhe dekreti për shtetësinë e Kosovë

26 vite pas vrasjes së Komandant Drinit, epror i UÇK, Familja e tij i bën thirrje drejtësisë që ta zbardhë vrasjen!

 

26 vite pas vrasjes së Ekrem Rexhës (14 Gusht 1961-8 Maj 2000), epror i UÇK, i njohur si Komandant Drini, Familja e tij në rrjetin social i ka bërë apel drejtësisë që ta zbardhë vrasjen!

Po e sjellim reagimin e familjes së Komandant Drinit si më poshtë:

“Kanë kaluar më shumë se 26 vite nga vrasja e Komandant Drinit, dhe ende shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

Me të drejtë njerëzit pyesin: Pse është heshtur për kaq gjatë? Deri kur do të presim që kjo vrasje të zbardhet? Kush fshihet pas saj?

Pas 26 vitesh, familja dhe të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën meritojnë përgjigje.

Le të flasë drejtësia.

Ato fakte, ato dëshmi që janë mbuluar me pluhur nëpër sirtarë, le t’i marrë në dorë një prokuror dhe t’i shqyrtojë me seriozitet. Ndoshta aty gjenden edhe përgjigjet që janë kërkuar për më shumë se dy dekada.

26 vite janë shumë gjatë për të pritur përgjigje.

E vërteta nuk duhet të mbetet e mbyllur në sirtarë. Drejtësia duhet të flasë.

E ti që e lexove deri në fund, mos hesht. Shpërndaje!

Ndoshta zëri yt do të ndihmojë që kjo çështje të mos harrohet dhe e vërteta të dalë në dritë.”

 

Haradinaj propozon Thaçin për postin e presidentit

Radio Evropa e Lirë

Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, deklaroi se do të ishte “nder” për deputetët e legjislaturës së 11-të që ish-presidenti Hashim Thaçi të zgjidhej sërish në këtë post.

Që pothuajse gjashtë vjet, Thaçi gjendet në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, nën akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai dhe ish-eprorët e tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po presin vendimin për këtë rast, që do të shpallet nga Trupi Gjykues më 16 shtator.

Në një deklarim për media nga ambientet e Kuvendit të Kosovës, Haradinaj, që në të kaluarën ka mbajtur postin e kryeministrit dhe ka qenë drejtues i Aleancës, tha se kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që ta zvarrisë procesin e formimit të institucioneve, pasi sipas tij, emra për çështjen e presidentit ka, duke propozuar emrin e Thaçit.

“Nëse do zgjidhje Kurti, regjimi i Kurtit, është në nderin e kësaj legjislature, por edhe çdo legjislature që t’ia vazhdojmë mandatin presidentit Thaçi. Atij i është marrë mandati nga një ndërhyrje ligjore dhe me kthimin e tij është nderin tonë si shqiptar, si komb, jo për shkak të ndonjë afërsie partiake a politke, por për shkak të një kundërpërgjigje të armiqve të Kosovës që kurrë nuk flenë, që t’ia vazhdojmë mandatin. Ka edhe x opsione të tjera mos me mbajtur peng Kosovën”, tha Haradinaj.

Thaçi u zgjodh president i Kosovës më 26 shkurt 2016 dhe dha dorëheqje nga posti më 5 nëntor 2020 dhe u nis drejt Hagës, pasi Dhomat e Specializuara të Kosovës konfirmuan aktakuzën ndaj tij dhe ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi. Të katërt janë deklaruar të pafajshëm.

Edhe nga ish-partia e Thaçit, Partia Demokratike e Kosovës, kanë shprehur mbështetje për një mandat të ri për ish-presidentin.

“Presim që më 16 shtator, ai dhe çlirimtarët të vijnë të lirë dhe do t’i presim të gjithë. Andaj është mundësi e mirë, edhe pse jo, të gjitha forcat politike të japin mbështetje për presidentin Thaçi që të vazhdojë punën aty ku e ka lënë”, tha deputeti i PDK-së, Arian Tahiri më 21 gusht gjatë një konferencë për media.

Megjithatë, më herët gjatë këtij viti, në një intervistë të dhënë me shkrim nga paraburgimi në Hagë, Thaçi, që ka mbajtur edhe postin e kryeministrit në të kaluarën, kishte deklaruar se, nëse lirohet, nuk synon t’i rikthehet garës politike.

Thaçi po ashtu është duke u përballur edhe me një rast tjetër gjyqësor të ngritur pranë Dhomave të Specializuara nën akuza për pengim të drejtësisë.

Nga gjykata në Hagë, thanë se do të jetë në dorën e gjyqtarit të rastit për pengim të drejtësisë që të vendosë nëse ish-presidenti i Kosovës do të lirohej nga paraburgimi, në rast se shpallet i pafajshëm në rastin e parë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Propozimi i Haradinajt që Thaçi të ketë edhe një mandat vijnë në kohën kur LVV-ja e Kurtit dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë zhvilluar bisedime për gjetjen e një emri konsensual për postin e presidentit.

Kurti po kërkon marrëveshje politike për presidentin, para se të vazhdohet me konsitutimin e Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e qershorit.

Megjithatë, LVV dhe LDK ende nuk kanë përmendur ndonjë emër konkretë për kreun e shtetit.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Kurti: Jemi në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës mbi Ibër

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se institucionet e vendit janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër dhe “marrjen tërësisht nën kontroll” të saj nga Policia e Kosovës.

“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, tha Kurti, gjatë një konference për media më 22 gusht, kur u pyet se kur pritet të hapet ura kryesore në Mitrovicë.

Ai tha se pasditen e së shtunës do të ketë një takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, teksa e cilësoi si “absurde” që ura të vazhdojë të jetë e mbyllur.

“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur dhe fakti që qytetarët kanë qarkulluar lirshëm nëpër këto urat e reja dhe nuk ka shtim as të incidenteve as të tensioneve, tregon që qarkullimi i njerëzve dhe mallrave, liria gjithnjë më e madhe e lëvizjes është e dobishme jo vetëm për ekonominë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, theksoi Kurti.

Ura kryesore mbi Ibër është e hapur për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.

Që nga përfundimi i luftës, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Megjithatë, së voni KFOR-i ka njoftuar për nisjen e tërheqjes graduale nga ura, pas përmirësimit të situatës së sigurisë, gjë që ka zemëruar Serbinë.

Komentet e Kurtit vijnë pasi një zyrtar i NATO-s i tha më 20 gusht Radios Evropa e Lirë se çdo vendim për rihapjen e mundshme e kësaj ure për qarkullimin e veturave, duhet të “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha zyrtari i NATO-s.

Serbia ka kundërshtuar planet e KFOR-it për reduktimin e pranisë mbi këtë urë. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i është drejtuar me një letër shefit të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që ky proces të ndalet.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Por, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha e përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimin e pranisë së KFOR-it si “kërcënim për komunitetin serb” apo si dëshmi se situata në Kosovë është e paqëndrueshme, “nuk përputhen me realitetin në terren”.

Ai e akuzoi Serbinë se po përpiqet të zhvendos vëmendjen lidhur me gjetjen e varrezave masive në veriun e Kosovës, zbulimin e armatimit afër lokacioneve ku u gjetën mbetje mortore dhe veprimeve të Kosovës kundër rrjeteve të dyshuara të inteligjencës së Serbisë dhe aktiviteteve subersive kundër Kosovës.

“Ky është një proces [procesi i optimizimit të KFOR-it] i bazuar në vlerësime profesionale të situatës në terren dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për asnjë qytetar apo komunitet në Kosovë”, tha Maqedonci.

Tërheqja graduale e trupave të NATO-s nga ura është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë, tha zyrtari i aleancës, duke shtuar se ky proces mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjithë”, tha zyrtari i NATO-s në një përgjigje për REL-in.

Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës.

“Shkrirja e bashkive është shpopullim, s’do të ketë më Shqipëri” – Biznesmeni Erlind Xhindi thirrje SPAK: Vepro! Ke mbështetjen tonë

Biznesmeni Erlind Xhindi iu bëri thirrje protestuesve që të qëndrojnë të bashkuar kundër qeverisë së Edi Ramës.

Teksa mori fjalën para protestuesve, ai bëri një thirrje edhe për SPAK, duke i thënë se duhet të veprojë kundër pushtetarëve.

Sa i përket propozimit të PS-së për shkrirjen e bashkive, ai tha se nuk bëhet fjalë për shkrirje bashkish, por shpopullim të vendit.

“Sot e them me plot gojën partia e shqiptarëve është vetëm një, shqiptaria. Nuk ka asnjë parti shqiptare sot. Ky kryelegeni që i thotë vetes kryeministër, mendon si një moçalar se do të thahet protesta. Ju bëj thirrje të gjitha bashkive që rrezikojnë të shkrihen. O zotërinj, zonja, vëllezër e motra, nuk është shkrirje, por shpopullim. Është çështja e flamurit, e Shqipërisë.

O SPAK ku je? Kë ke arrestuar? Ata që arreston SPAK janë ata që nuk ndajnë paratë. SPAK thirrje vetëm për ty. Reago. Ke në tavolinë kartën e turpit dhe të nderit. Zgjidh kartën e nderit se ke mbështetjen tonë.”, tha ai. gsh

Përfundojnë gërmimet në Zubin Potok

Shiriti i Policisë i vendosur pranë vendit ku u gërmua në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut.

 

Radio Evropa e Lirë

Ka përfunduar procesi i gërmimeve dhe ai i zhvarrosjes së mbetjeve mortore në tri lokacione në Kalludër të Vogël dhe Jabukë të Zubin Potokut, ku janë konfirmuar tri varreza masive, njoftoi Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Gërmimet nisën në fund të korrikut në fshatrat në veri të Kosovës dhe autoritetet kanë konfirmuar se në tri lokacione janë gjetur mbetjet mortore të 23 personave. Komisioni tha se viktimat ishin zhdukur me forcë gjatë luftës.

“Pas përfundimit të aktiviteteve në terren, procesi vazhdon me ekzaminimet mjekoligjore në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe identifikimin përmes analizës së ADN-së, me qëllim të konfirmimit të identitetit të viktimave dhe për të pasuar me hapat e mëtejme sipas procedurave përkatëse përfshirë informimin zyrtar të familjeve”, u tha në njoftimin e Komisionit.

Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet mortore që u gjetën në Zubin Potok mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.

Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Një ditë më parë, Policia e Kosovës ekspozoi një arsenal armësh, uniformash e pajisjesh të tjera ushtarake që tha se u gjetën në zonat përreth vendeve ku janë gjetur mbetje mortore në Zubin Potok.

Autoritetet thanë se armët do të analizohen për të kuptuar nëse janë përdorur në vrasjen e këtyre personave apo janë përdorur në ndonjë rast tjetër që është hetuar.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

Lidhur me dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile, pas nisjes së gërmimeve në veri, janë arrestuar tre persona të dyshuar. Që të tre gjenden në paraburgim.

Zyrtarët shtetërorë në Kosovë kanë bërë thirrje që Serbia të hapë arkivat ushtarake, që të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës më 1998/99.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Nëse Thaçi shpallet i pafajshëm, a lirohet menjëherë?

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Speciale do ta shpallë më 16 shtator në Hagë aktgjykimin në rastin ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Para kësaj gjykate, e cila zyrtarisht quhet Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës, për tri vjet është zhvilluar procesi gjyqësor lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë. Prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve.

Rezultati i këtij procesi mbetet ende i panjohur. Ndërkohë, ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, para së njëjtës gjykatë po zhvillohet paralelisht edhe një proces tjetër, nën akuza për pengim të drejtësisë.

Kjo ngre pyetjen, nëse Thaçi do të shpallej i pafajshëm në rastin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, a do të lirohej menjëherë nga paraburgimi?

Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Gjykatës Speciale, “kur një i akuzuar i paraburgosur shpallet i pafajshëm, ai lirohet menjëherë, përveçse kur mbahet në paraburgim në mënyrë të ligjshme, ose vuan një dënim për vepra penale të ndryshme nga ato në lidhje me të cilat është shpallur i pafajshëm”.

“Në rastin e zotit Thaçi, paraburgimi është urdhëruar nga Trupi Gjykues në procesin ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si dhe nga gjyqtari i vetëm në procesin e veçantë ndaj tij për pengim të drejtësisë. Prandaj, nëse zoti Thaçi shpallet i pafajshëm në procesin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, çështja nëse ai do të vazhdojë të mbahet në paraburgim do të vendoset nga gjyqtari i vetëm që po shqyrton rastin për pengim të drejtësisë”, thuhet në një përgjigje të zëdhënësit të Dhomave të Specializuara, Michael Doyle, për Radion Evropa e Lirë.

Gjykatësi i vetëm duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse paraburgimi vazhdon të jetë i arsyeshëm dhe i justifikuar.

“Ai mund ta shqyrtojë këtë çështje edhe me kërkesë të të akuzuarit, nëse ka pasur ndryshim të rrethanave”, shtoi Doyle.

Vendimin e fundit, të dhjetin me radhë për vazhdimin e paraburgimit, gjykatësi i vetëm e ka lëshuar më 31 korrik, duke vlerësuar se ende ekziston rreziku që Thaçi të pengojë procedurat ose të kryejë vepra të tjera penale.

Në të njëjtin vendim, gjykatësi caktoi edhe afatet për rishikimin e radhës të paraburgimit: Thaçi mund të paraqesë parashtresat e tij deri më 7 shtator. Nëse ai nuk e bën këtë, Prokuroria duhet të paraqesë qëndrimin e saj deri më 14 shtator, ndërsa Thaçi mund të përgjigjet deri më 21 shtator.

Cilat janë dy rastet ndaj Thaçit?

Thaçi ndodhet në qendrën e paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u arrestua nën akuza për krime lufte. Që atëherë, mbrojtjes së Thaçit i janë refuzuar të gjitha parashtresat për lirim nga paraburgimi. Madje, është refuzuar edhe një dorëzani prej 50 mijë eurosh, së bashku me disa kushte që Thaçi u zotua t’u përmbahej, në këmbim të lirimit nga paraburgimi.

Ish-presidenti Thaçi, së bashku me ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi dhe Kadri Veseli, si dhe ish-deputetin Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të tjerët akuzohen se ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që synonte kontrollin përmes frikësimit dhe dhunës ndaj kundërshtarëve. Viktimat përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në; së paku 102 persona dyshohet se u vranë dhe mbi 20 mbeten të zhdukur. Prokuroria i konsideron ata përgjegjës edhe për krimet e vartësve të tyre.

Thaçi, i cili më herët ka qenë edhe kryeministër i Kosovës, i ka cilësuar ato si “krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese”.

Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark.

Ata kanë deklaruar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë.

Gjykimi ndaj tyre për këtë rast përfundoi në shkurt të këtij viti dhe që të katërt gjenden në paraburgim prej gati gjashtë vjetësh.

Teksa po mbahej ky proces gjyqësor, Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë më 2024 ngriti akuza për pengim të drejtësisë ndaj Thaçit dhe katër personave të tjerë: ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi; ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj; ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj; dhe Fadil Fazliut.

Ata akuzohen se, mes prillit dhe nëntorit 2023, kishin ndikuar te dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga prokurorët për çështjen gjyqësore për krime lufte kundër vetë Thaçit dhe tre ish-krerëve të UÇK-së.

Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi; katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Përveç Thaçit, të gjithë të akuzuarit e tjerë në rastin për pengim të drejtësisë po mbrohen në liri.

Ky rast po shkon drejt fundit, pasi deklaratat përmbyllëse janë caktuar që të mbahen më 10, 11 dhe 14 shtator.

Gjykata Speciale u themelua më 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është gjykatë brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar në Holandë.

Ajo heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së ka hasur në kundërshtime në Kosovë, meqë është parë si gjykim i njëanshëm, pasi nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Me thirrjet për drejtësi, në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur edhe protesta kundër procesit ndaj ish-eprorëve të UÇK-së.

Gjykata veçse ka shpallur disa aktgjykime dënuese, si për krime lufte ashtu edhe për raste të pengimit të drejtësisë.

Senatori Bob Dole e ftoi Hashim Thaçin më 5 Mars 1999 – Thaçi nuk ishte i pranishëm në Shkup – por më 7 Mars 1999 e sigurt se Hashim Thaçi ishte në Tiranë

Në intervistën e ish kryeministrit dhe ish presidentit të Kosovës, shfaqur mbrëmë më 20 Gusht 2026, nga RTV Dukagjini, Hashim Thaçi tregon se Senatori Bob Dole e kishte ftuar në Shkup më 5 Mars 1999, por ai nuk kishte mundur me shku sepse ishte në malet e Kosovës dhe udhëtimi ishte i pamundur për shkak të rrezikut nga forcat serbe.

Por faktet dalin ndryshe.

Duke iu referuar arkivit të Televizionit Klan të Tiranës na del se Hashim Thaçi më 7 Mars 1999 ka qenë në Tiranë dhe nga Ministria e Jashtme bashkë me ministrin e kohës Paskal Milo kanë dhënë intervistë.

Po ju sjellim videon dhe materialin e TV Klan të fotografuar.

 

Arkiva – Tv Klan 1998-2012;

Gazetarja interviston Hashim Thaçin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Paskal Milon në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.

Gazetarja interviston Hashim Thaçin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Paskal Milon në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.

Hashim Thaçi: Marrëveshja ka hyrë në progres dhe ka marrë kahje pozitive. Ne kemi qënë këmbëngulës dhe jemi këmbëngulës që NATO të vijë në Kosovë nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kuptohet edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës duke ruajtur të drejtën e vet si forcë mbrojtëse e Kosovës dhe besojmë në zgjidhjen paqësore, të drejtë, të qëndrueshme dhe të respektueshme nga populli i Kosovës.

Gazetarja: Ndërkohë sipas palës serbe ju jeni person i kërkuar nga ata mos vallë përdoret si një … për më vonë ?

Hashim Thaçi: Kjo s’më brengos fare. Incidente ka dhe tash në Kosovë por ne jemi të interesuar që t’i tejkalojmë këto incidente dhe nuk jemi të interesuar për konfrontime të armatosura, por megjithatë ne jemi të detyruar të vetëmbrohemi.

Gazetari: Kur mund të jeni ju gati për t’a nënshkruar marrëveshjen?

Hashim Thaci: Ne jemi gati atëherë kur do të jetë koha. Faktorët politikë dhe ushtarakë të Kosovës e kanë thënë po-në e tyre parimore në Rambuje, mirëpo procesi vazhdon dhe ka marrë vetëm një kahje shumë pozitive drejt arritjes së marrëveshjes.

Paskal Milo: Ne po përgatitemi për raundin e dytë të bisedimeve dhe ashtu siç bashkëpunuam gjatë takimit të Rambujesë, kështu vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe tani, sepse të dy së bashku në emër të institucioneve që përfaqësojmë, përfaqësojmë kombin shqiptar si një të tërë, dhe të gjitha sfidat, të gjitha detyrat që kemi përpara për të realizuar do t’i përballojmë së bashku, prandaj ky bashkëpunim është mëse i natyrshëm, mëse i ligjshëm dhe në emër të këtij bashkëpunimi ne u takuam sot dhe do të vazhdojmë të takohemi me të gjithë përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, edhe gjatë ditëve të ardhshme me qëllim që në takimin e ardhshëm në Paris të shkojmë sa më të përgatitur që të ballafaqohemi me një vendim përfundimtar që do të japë zgjidhje politike të konfliktit në Kosovë.

 

Ishte në Tiranë apo në malet e Kosovës Hashim Thaçi kur e ftoi në takim në Shkup Senatori Dole – Arkiv 5 Mars 1999 Ish-Senatori Amerikan Bob Dole më 5 Mars 1999 takim me delegacionin e Kosovës ku mungon Hashim Thaçi

Në intervistën e shfaqur mbrëmë në RTV Dukagjini, ish kryeminisrti dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se atë bashkë me delegacionin nga Kosova  e kishte ftuar në Shkup Senatori Dole, por ai nuk mundi të shkonte për shkak të rrezikut nga ushtria serbe.

Duke iu referuar arkivave po sjellim një foto huazuar nga Radio Evropa e Lirë që e ka fokusuar takimin e Senatorit Bob Dole në Shkup më 5 Mars 1999 me delegacionin shqiptar. Senatori Bob Dole i bëri ftesë edhe Hashim Thaçit, i cili nuk ishte i pranishëm. Ndërkohë shtypi i  asaj kohe e gjeti më 7 Mars 1999 Hashim Thaçin në Tiranë. 

Kjo ëstë diçitura e fotos nga REL: “Ish-senatori amerikan, Bob Dole së bashku me të dërguarin e SHBA-së për Kosovën, Christopher Hill gjatë një takimi në Shkup më 5 mars 1999 me një delegacion të Kosovës. Kosovën në këtë takim e përfaqësuan Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Veton Surroi dhe Edita Tahiri. Takimi u mbajt në Shkup pasi autoritetet e atëhershme të Jugosllavisë nuk ia kishin dhënë vizën me kohë ish-senatorit Dole.”

 

Duke iu referuar pyetjes së titullit a ishte në Tiranë apo në malet e Kosovës Hashim Thaçi kur e ftoi Ssnatori Bob Dole, po i referohemi një materiali arkivor të televizionit Klan të Tiranës, i cili e ka fiksuar Hashim Thaçin në 7 Mars 1999 në Ministrinë e Jashtme të Tiranës në takim me Paskal Milon, që po e sjellim edhe si video, edhe të fotografuar, ku THaçi dhe Paskal Milo i janë përgjigjur pyetjeve.

 

Arkiva – Tv Klan 1998-2012;

Gazetarja interviston Hashim Thaçin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Paskal Milon në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.

Gazetarja interviston Hashim Thaçin dhe Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë Paskal Milon në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë.

Hashim Thaçi: Marrëveshja ka hyrë në progres dhe ka marrë kahje pozitive. Ne kemi qënë këmbëngulës dhe jemi këmbëngulës që NATO të vijë në Kosovë nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por kuptohet edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës duke ruajtur të drejtën e vet si forcë mbrojtëse e Kosovës dhe besojmë në zgjidhjen paqësore, të drejtë, të qëndrueshme dhe të respektueshme nga populli i Kosovës.

Gazetarja: Ndërkohë sipas palës serbe ju jeni person i kërkuar nga ata mos vallë përdoret si një … për më vonë ?

Hashim Thaçi: Kjo s’më brengos fare. Incidente ka dhe tash në Kosovë por ne jemi të interesuar që t’i tejkalojmë këto incidente dhe nuk jemi të interesuar për konfrontime të armatosura, por megjithatë ne jemi të detyruar të vetëmbrohemi.

Gazetari: Kur mund të jeni ju gati për t’a nënshkruar marrëveshjen?

Hashim Thaci: Ne jemi gati atëherë kur do të jetë koha. Faktorët politikë dhe ushtarakë të Kosovës e kanë thënë po-në e tyre parimore në Rambuje, mirëpo procesi vazhdon dhe ka marrë vetëm një kahje shumë pozitive drejt arritjes së marrëveshjes.

Paskal Milo: Ne po përgatitemi për raundin e dytë të bisedimeve dhe ashtu siç bashkëpunuam gjatë takimit të Rambujesë, kështu vazhdojmë të bashkëpunojmë dhe tani, sepse të dy së bashku në emër të institucioneve që përfaqësojmë, përfaqësojmë kombin shqiptar si një të tërë, dhe të gjitha sfidat, të gjitha detyrat që kemi përpara për të realizuar do t’i përballojmë së bashku, prandaj ky bashkëpunim është mëse i natyrshëm, mëse i ligjshëm dhe në emër të këtij bashkëpunimi ne u takuam sot dhe do të vazhdojmë të takohemi me të gjithë përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, edhe gjatë ditëve të ardhshme me qëllim që në takimin e ardhshëm në Paris të shkojmë sa më të përgatitur që të ballafaqohemi me një vendim përfundimtar që do të japë zgjidhje politike të konfliktit në Kosovë.

Çfarë qëndron pas kundërshtimeve për ndërtimin e një kishe në Vushtrri?

Imzot Dodë Gjergji gjatë ceremonisë së bekimit dhe vendosjes së gur themelit në vendin ku synohet të ndërtohet kisha në Vushtrri, më 17 gusht.

 

Mimoza Sadiku

 

Vendosja e një guri të themelit në një fshat të Vushtrrisë, ku Dioqeza Prizren-Prishtinë planifikon të ndërtojë një kishë, nxiti protesta e reagime të shumta këtë javë. Komuna veriore e Kosovës thotë se nuk ka një kërkesë për leje për ndërtimin e objektit fetar, teksa Kisha Katolike e Kosovës thotë se ngjarja s’kishte të bënte me nisjen e punimeve.

 

Bekimi i një trualli në fshatin Zogaj të Vushtrrisë, ku Dioqeza Prizren-Prishtinë planifikon në të ardhmen ndërtimin e një kishe, nxiti protesta të banorëve të disa fshatrave të komunës veriore kosovare, dhe një debat publik në Kosovë.

Por, për ceremoninë e mbajtur më 17 gusht ka qëndrime të ndryshme nga autoritetet lokale të Vushtrrisë dhe Kisha Katolike e Kosovës.

Komuna e Vushtrrisë thotë se nuk ka pasur njoftim paraprak për vendosjen e gurit të themelit apo kërkesë për leje ndërtimi. Kisha, ndërkaq, thotë se autoritetet ishin njoftuar për ceremoninë, por këmbëngul se ajo nuk shënoi nisjen e punimeve për ndërtimin e kishës.

Si nisi polemika?

Në fund të korrikut, shqetësimet për planin për ndërtimin e kishës u bënë publike përmes një reagimi të Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) në Vushtrri, i cili tha se në zonën ku planifikohet ndërtimi “nuk jeton asnjë besimtar katolik dhe të gjitha fshatrat përreth janë me myslimanë”.

“Çdo projekt që mund të perceptohet si provokues ose që cenon ndjenjat e komunitetit duhet të trajtohet me përgjegjësi dhe maturi”, tha Këshilli në reagim.

Ky institucion nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë (REL) për koment të mëtejmë.

Por, nga Kisha Katolike thonë për REL-in se e gjithë ngjarja e 17 gushtit u keqkuptua. Sipas dom Fran Kolës, vikar ipeshkvor, atë ditë vetëm u bë bekimi i tokës, dhe u vendos një gur i themelit, ku në të ardhmen planifikohet ndërtimi i objektit fetar.

Për këtë ceremoni, ai thotë se ka njoftuar paraprakisht kryetarin e Vushtrrisë, ndërsa në korrik edhe Policinë e Kosovës.

Siç shpjegon Kola për REL-in, Dioqeza kishte planifikuar që më 18 gusht të mbahej një meshë për bekimin e truallit në Zogaj, si dhe për pagëzimin e disa personave.

Pagëzimi, megjithatë, u mbajt në Katedralen Nënë Tereza, në Prishtinë, “për shkak të ruajtjes së qetësisë dhe paqes në Vushtrri dhe mes popullit shqiptar”, thotë Kola.

Kush qëndron pas planit për ndërtim?

Sipas Kolës, toka është pronë e Dioqezës, me një sipërfaqe prej 11.266 metrash katrorë, e dhuruar nga familja Musa nga Maxhunaj.

Këshilli i BIK-ut në Vushtrri ngriti dyshime se prapa planeve për ndërtimin e kishës fshihen grupe individësh që, sipas tij, janë të njohura për “retorikë përçarëse” dhe “nxitje të urrejtjes ndërfetare”.

Kola thotë se beson që BIK-u, me këto pretendime, u është referuar lëvizjeve që bëjnë thirrje për braktisjen e islamit dhe konvertimin në krishterim, përfshirë Lëvizjen e Deçanit dhe Lëvizjen për Rikthim.

“Asnjë lëvizje, as parti politike nuk është e përfshirë. Absolutisht jo”, thotë ai, duke shtuar se Dioqeza është në krye të nismës.

Nga Lëvizja për Rikthim thonë për REL-in se nuk janë të përfshirë në këtë projekt, por se vetëm kanë shpërndarë, me kërkesë të banorëve, njoftimin për ngjarjen e 17 gushtit.

Qëllimi, sipas tyre, nuk është ndërtimi i kishave, por që “shqiptarët në mënyrë paqësore të rikthehen në besimin e të parëve”, thotë Arbër Gashi nga kjo organizatë.

Kosova është shtet laik. Në regjistrimin e fundit të popullsisë, të mbajtur më 2024, 93.49 për qind e qytetarëve u deklaruan myslimanë, 2.31 për qind ortodoksë dhe 1.75 për qind katolikë.

Në rrjetet sociale ka pasur shpesh përplasje mes besimtarëve myslimanë dhe katolikë lidhur me çështjen e konvertimeve, ndërsa reagime të shumta pati edhe për planet për ndërtimin e kishës në komunën e Vushtrrisë.

Gashi thotë se Musë Musa, të cilin e përmend si një prej personave që ka dhuruar tokën për ndërtimin e kishës, nuk është pjesë e Lëvizjes për Rikthim.

Një avokat ka paraqitur më herët në Prokurorinë Speciale kallëzim penal ndaj Musës, duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit. Avokati pretendon se Musa, në rrjetet sociale, ka bërë thirrje për vrasjen e myslimanëve.

Nga Prokuroria Speciale nuk u deklaruan për REL-in rreth këtij rasti.

Gashi thotë se Lëvizja për Rikthim nuk përkrah asnjë formë të gjuhës së urrejtjes apo ofendimet e pjesëtarëve të një bashkësie tjetër fetare. Edhe Dioqeza deklaron se dënon këdo që ofendon besimtarët e cilësdo fe.

Një kryq i vendosur afër kishës në Letnicë.

Një kryq i vendosur afër kishës në Letnicë.

Kur do të ndërtohet kisha?

Nga Dioqeza thonë se, sipas të dhënave që kanë, në Vushtrri janë diku mbi 100 besimtarë katolikë – dhe “kur të arrihet numri i mjaftueshëm do t’iu drejtohemi organeve kompetente me projekt dhe lutje”.

Kjo shifër ndryshon ndjeshëm nga të dhënat e regjistrimit të popullsisë të vitit 2024, sipas të cilave vetëm 37 persona në komunën e Vushtrrisë u deklaruan katolikë.

Sipas Kolës, duhet të jenë mbi 300 deri në 500 persona në mënyrë që Dioqeza ta shtyjë përpara projektin.

“Ndërtimi as nuk ka qenë prezent në mendjen tonë, as në veprimin tonë, as nuk do të jetë derisa nuk do të kemi një subjekt të mjaftueshëm që të ndërtojmë një objekt”, thotë Kola, duke iu referuar ngjarjes së 17 gushtit.

Kushtetuta e Kosovës garanton lirinë e besimit dhe fesë të secilit qytetar, ndërkaq konfensionet fetare janë të lira të rregullojnë vetë veprimtarinë fetare dhe ritet. Ato, po ashtu, kanë të drejtë të themelojnë edhe shkolla fetare e institucione bamirëse.

NATO: Çdo vendim për rihapjen e urës mbi Ibër për veturat, të adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve

Radio Evropa e Lirë

NATO vlerëson se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës mbi lumin Ibër për trafik të veturave duhet “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”.

“KFOR-i po ashtu vazhdon të ofrojë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të Bashkimit Evropian të mund të lëvizin përpara”, tha një zyrtar i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Lidhur me tërheqjen graduale të trupave të misionit të NATO-s në Kosovë nga ura kryesore mbi Ibër ditë më parë reagoi ministri në detyrë për Punë të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, që e cilësoi si lajm të mirë.

Ai tha se përveç largimit gradual të trupave të KFOR-it, do të reduktohet edhe prania e Policisë së Kosovës mbi këtë urë.

Sipas tij, ky proces do të jetë afatshkurtër dhe do të ofrojë garanci për të gjithë se “hapja e urës do të jetë një e mirë për të gjithë, pa pasur ndikim negativ ndaj askujt”.

“Do të vijë momenti kur hapat e ardhshëm edhe do të bëhen publik, edhe do të shihen ashtu siç po shihen sot. Dhe një gjë e cila ka qenë brengë, por edhe simbol i ndarjes për 27 vjet do të jetë një kujtim”, ka thënë Sveçla për transmetuesin publik të Kosovës më 10 gusht.

Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur vetëm për këmbësorë. Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e saj edhe për qarkullimin e automjeteve, një nismë që shkaktoi tensione dhe reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

Ndërkohë, ekzekutivi kosovar ka ndërtuar edhe dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të lidhur Mitrovicën e Veriut me Mitrovicën e Jugut.

Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga NATO lidhur me një letër që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i dërgoi shefit të aleancës, Mark Rutte, duke i kërkuar që të ndalet zvogëlimi i pranisë së KFOR-it mbi këtë urë.

Zyrtari i NATO-s tha se Rutte “është në kontakt të rregullt me presidentin Vuçiq”.

Ai shtoi se misioni paqeruajtës i aleancës në Kosovë, KFOR, ka nisur tranzicionin gradual të pranisë së saj të përhershme nga ura mbi lumin Ibër, “në linjë me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë”.

Sipas zyrtarit, kjo është pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të KFOR-it, i cili po zhvillohet me transparencë të plotë, duke shtuar se ky proces mund të zhbëhet, varësisht nga situata e sigurisë.

Zyrtari i NATO-s theksoi se komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, Ozgan Ulutash, mban kontakte me të gjithë homologët në Kosovë, me organizatat ndërkombëtare, por edhe me Forcat e Armatosura të Serbisë, teksa kujtoi edhe takimin e Ulutashit me përfaqësuesit e Listës Serbe më 11 gusht, ku u bisedua për çështjen e pranisë së misionit mbi lumin Ibër.

KFOR-i, tha zyrtari, do të vazhdojë të zbatojë mandatin që i buron nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të ofrojë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet.

“KFOR-i do të ketë prani të dukshme në Mitrovicë të Veriut dhe të Jugut si dhe në veriun e Kosovës dhe vazhdon të kontribuojë që të ketë mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet”, tha zyrtari i NATO-s për Radion Evropa e Lirë.

Çfarë tha Vuçiqi?

Më herët gjatë ditës, Vuçiq tha se i është drejtuar me një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që të ndalë zvogëlimin e pranisë në urën kryesore mbi Ibër në Mitrovicë të Veriut.

“Sapo i dërgova një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, dhe kërkova që KFOR-i, në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së, të ndalë terrorin ndaj serbëve, përndjekjen dhe arrestimet e tyre, rrënimin e shtëpive, si dhe hapjen e urës mbi Ibër”, shkroi Vuçiq në Instagram më 20 gusht.

“Besoj se vlerësimi i tij do të jetë se paqja dhe stabiliteti rajonal janë të një rëndësie të madhe”, shtoi ai.

Më vonë gjatë mbrëmjes së 20 gushtit, Vuçiq tha se pret që Rutte të përgjigjet ndaj letrës së tij “në një mënyrë apo në një tjetër” gjatë ditëve në vijim.

Mitrovica, pas luftës së vitit 1999, u nda në pjesën veriore, me shumicë serbe, dhe atë jugore, ku shumicën e përbëjnë shqiptarët. Sot ato funksionojnë si dy komuna të ndara.

Megjithatë, që nga përfundimi i luftës, KFOR-i e ka mbajtur nën mbikëqyrje urën mbi Ibër, e cila ndër vite ka qenë pikë e përplasjeve ndëretnike.

Sipas Vuçiqit, tërheqja e KFOR-it nga ura në këtë moment do të “krijonte kushte për një përballje përfundimtare me popullsinë serbe” në veri të Kosovës.

Ai tha se autoritetet në Serbi do të vazhdojnë “luftën politike me të gjitha mjetet e mundshme”, duke mos përjashtuar as mundësinë e thirrjes së një seance të posaçme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiq tha gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë “shumë të vështirë” dhe “të keqe” me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutash.

Ura kryesore mbi lumin Ibër konsiderohet një nga pikat më të ndjeshme në aspektin e sigurisë në veri të Kosovës.

Sveçla: Arsenal i armëve u gjet në fshatrat përreth varrezave masive në Zubin Potok

Disa nga armët e sekuestruara nga Policia, që u ekspozuan, duken se janë të ndryshkura.

 

Radio Evropa e Lirë
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se një arsenal armësh, municionesh, e uniformash ushtarake u gjet në fshatrat përreth Kalludrës së Zubin Potokut, aty “ku gjatë javëve të fundit janë zbuluar tri varreza masive” dhe ku autoritetet kanë konfirmuar se kanë identifikuar mbetjet kockore të të paktën 23 personave.

Autoritetet dyshojnë se këto armë mund të jenë përdorur për vrasjen e 23 personave. Megjithatë, Policia tha se ky dyshim duhet të verifikohet.

“Zbulimi i këtyre varrezave masive ka nxjerrë në pah edhe një herë dimensionin të krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Veriu i vendit tonë, përveç se ishte skenë e krimeve të rënda ndaj civilëve, është shfrytëzuar edhe për fshehjen e trupave dhe krimeve”, tha Sveçla në një konferencë për media në Mitrovicë.

Armë që u gjetën në veri.

Armë që u gjetën në veri.

Ai tha se tani armët do t’i nënshtrohen analizave për të kuptuar nëse të njëjtat janë përdorur për vrasjen e 23 personave që u gjetën në varrezat e dyshuara masive në veri apo edhe në raste të tjera.

“Armatimi që shihni sot para jush është gjetur në 12 lokacione të ndryshme. Nga sot, ai do t’i nënshtrohet ekzaminimit dhe analizave të detajuara, me qëllim të përcaktimit të origjinës, përdorimit dhe lidhjeve të mundshme me rastet e hetuara, përfshirë ekzaminimin e së paku 23 personave, por edhe rasteve të tjera kriminale”, tha Sveçla.

Municione të gjetura në veri.

Municione të gjetura në veri.

Sipas tij, puna e institucioneve nuk përfundon këtu, por do të vazhdojë me zbardhjen e rrethanave, me identifikimin e përgjegjësve dhe “mbi të gjitha me përpjekjet tona për të sjellë drejtësi për çdo të vrarë, të masakruar apo të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë”.

Nga Policia thanë se gjatë bastisjeve në 48 lokacione, u gjetën armë të ndryshme, të gjata, municione, pushkë gjuetie, armë të shkurtra, mjete shpërthyese, uniforma ushtarake etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gazmend Hoxha, po ashtu tha se ka dyshime që armët të jenë përdorur për të vrarë anëtarët e “grupit të intelektualëve të Mitrovicës”.

Institucionet e Kosovës dyshojnë se mbetjet mortore që u gjetën në Zubin Potok mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.

Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

“Këto janë dyshimet tona që pjesë të këtyre armëve që janë të ekspozuara mund të kenë qenë të përfshira në rastin e vrasjes masive, te rasti i grupit të intelektualëve, por këto mbeten që të verifikohen pas ekzaminimeve që do të bëhen në laboratorët e Kosovës, por edhe nëse ka nevojë, dërgohen edhe jashtë. Mbetet një informacion që duhet të verifikohet”, tha Hoxha.

Sveçla dha edhe detaje për gërmimet e kryera në tri lokacione në Zubin Potok. Në lokacionin e parë, sipas tij, janë gjetur mbetjet mortore të 13 personave, në të dytin katër dhe në lokacionin e tretë gjashtë mbetje mortore.

Një ditë më parë, Prokuroria Speciale njoftoi se mbetjet mortore do t’i nënshtrohen procedurave të identifikimit.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe janë zhvilluar në Kalludër të Vogël, Jabukë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.

Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

Lidhur me dyshimet për krime lufte kundër popullatës civile, pas nisjes së gërmimeve në veri, janë arrestuar tre persona të dyshuar. Që të tre gjenden në paraburgim.

Gjatë konferencës, Sveçla përsëriti thirrjen që Serbia të hapë arkivat ushtarake, që të zbardhet fati i personave të zhdukur gjatë luftës më 1998/99.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Në Zubin Potok identifikohen mbetje kockore të së paku 23 personave

Radio Evropa e Lirë

Prokuroria Speciale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore thanë se në Zubin Potok, në lokacionet ku dyshohet se ka varre masive, bazuar në vlerësimet preliminare janë identifikuar mbetje kockore që dyshohet se u përkasin të paktën 23 individëve.

“Identifikimi i plotë do të bëhet pas përfundimit të ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe procedurave përkatëse”, u tha në njoftim.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më herët kishte deklaruar se mbetjet mortore të gjetura në Kalludër të Vogël, mund t’u përkasin grupit të 23 shqiptarëve që ishin zhdukur në atë pjesë të Kosovës në vitin 1999.

Ky grup, i njohur si “grupi i intelektualëve të Mitrovicës” është i zhdukur që nga 19 prilli i vitit 1999. Në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profile të tjera.

Gërmimet në Zubin Potok nisën më 28 korrik dhe gërmimet janë kryer në Kalludër të Vogël, Jakubë dhe në një lokacion tjetër në këtë komunë, në veri të Kosovës.

Gërmimet nisën pas një hetimi dyvjeçar lidhur me dyshimet për krime lufte.

Më 15 gusht, autoritetet kishin njoftuar se në Kalludër ishin gjetur mbetje eshtërore të të paktën tre personave.

“Aktualisht, lidhur me këtë rast janë duke u hetuar tre persona J.R., M.J dhe M.B. nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Krime lufte kundër popullsisë civile’, të cilët ndodhen në masën e paraburgimit”, tha Prokuroria Speciale e Kosovës.

Njëri nga të arrestuarit, sipas autoriteteve, dyshohet se në kohën e luftës kishte qenë pjesë aktive e Armatës Jugosllave.

Sipas Institutit të Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, 1.577 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e viteve 1998-1999, ndërsa janë dokumentuar gjithsej 12.230 viktima të luftës.

Kosova ka kërkuar vazhdimisht nga Serbia bashkëpunim për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe qasje në arkivat ushtarake që sipas autoriteteve mund të ndihmojnë në identifikimin e lokacioneve të varreve të mundshme.

Kurti: Pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’i sjellim një president të ri – Abdixhiku: U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm

 

Përditësim – Kryeministri në detyrë Albin Kurti pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka parë vullnetin nga LDK-ja që “vendit t’ia sjellë një president”.

“Takimi shkoi në atmosferë konstruktive edhe e pashë vullnetin e LDK-së që vendit t’ia sjellim një president të ri që nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, që duhet të sigurojmë funksionim demokratik të shtetit dhe që për këtë duhet të ndërtojmë mirëbesim. Diskutuam kriteret për figurën e presidentit apo presidentes nga shumë kënde dhe në disa rrafshe, por në veçanti sa i përket vlerave, meritave dhe kontributeve në shoqëri për kombin mbarë dhe në profesione të caktuara”, tha Kurti pas takimit.

Kurti ritheksoi se ka vullnet për marrëveshje për presidentin, duke shtuar se ky vullnet “duhet të na bëjë optimistë”.

“Vullneti i qartë për të arritur marrëveshje për president duhet të na bëjë optimistë… kemi vullnet për interes dhe përgjegjësi shtetërore e demokratike për kreun e shtetit”, tha Kurti.

I pyetur për diskutimin e emrave për presidentë, Kurti u është përgjigjur gazetarëve se “nuk është ky vendi ku mund të flas për emra” duke shtuar se partitë duhet të konsultohen për çështje të tillë.

“Diskutuam hollësisht, thellësisht për kriteret që duhet ti ketë figura presidenciale, vëzhguar edhe aspektin e viteve dhe dekadave të historisë sonë më të re, shikuam sektorët e ndryshëm të shoqërisë dhe profesioneve, por meqë është proces shumë i ndjeshëm, pa shkuar në konsultime te subjektet tona, në këtë fazë nuk mund të them më shumë se kaq. Nuk është ky vendi ku unë mund të flas për emra”.

Ishte takimi i katërt mes LVV-së dhe LDK-së në tentim për arritje të një marrëveshjeje.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të takohet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.

Takimi zhvillohet në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje politike për konstituimin e institucioneve të legjislaturës së 11-të të Kuvendit.

Para takimit, Kurti tha se synimi është që me mirëbesim dhe në një atmosferë pozitive të diskutohet për mënyrën se si mund të ecet përpara drejt konstituimit të institucioneve.

“Do të takohem me udhëheqësin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun kryetar dhe do të shohim si mund të ecim përpara që t’i konstituojmë institucionet e legjislaturës së 11-të, natyrisht me mirëbesim dhe me atmosferë pozitive si gjithmonë”, deklaroi Kurti.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku bashkë me deputetët Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri po ashtu kanë mbërritur në Kuvend për takim me Kurtin, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku: U dakorduam që të vijmë me emra konkretë në takimin e ardhshëm

18 gus 2026 18:45

 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit ka thënë se janë dakorduar që në takimin e ardhshëm të shkohet me emra konkret për presidentin a presidenten e Republikës së Kosovës.

Për këtë çështje, Abdixhiku ka deklaruar se kanë kërkuar kohë për ta diskutuar e konsultuar edhe brenda subjekteve një emër specifik.

 “Nuk duam një president të parëndësishëm por një figurë që është e respektuar dhe e ushtron më dinjitet funksionin më të lartë shtetëror. Kosova ka figura të tilla, por gjendja dhe çështja është shumë sensitive. Kërkuam periudhë diskutuese të brendshme brenda subjekteve tona dhe konsultative me shoqërinë secili në mënyrë e vet para se të vijmë me emra konkret në takimin e ardhshëm. E di që fokusi është për emra specifik, për këtë na duhet ende kohë. E mira është se gjërat janë shumë më të qarta, kërkojmë vetëm stabilitet institucional. U dakorduam që të vijmë me emra konkret në takimet e ardhshmë por në fund të ketë një emër”, ka thënë Abdixhiku./koha.net

KFOR njoftoi largimin nga ura e Ibrit, reagon BE: Jemi njoftuar, Policia e Kosovës të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet

Bashkimi Evropian ka konfirmuar se është njoftuar nga NATO-ja për tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të misionit të KFOR-it nga ura e Ibrit në Mitrovicë. Në një përgjigje për këtë çështje, BE-ja ka bërë thirrje që Policia e Kosovës të garantojë sigurinë për të gjitha komunitetet.

“Për qëndrimin e misionit të NATO-s në Kosovë i takon NATO-s të vendosë. Ne mund të konfirmojmë se BE-ja është njoftuar nga NATO-ja. Qëndrimi i BE-së për urën ka qenë gjithmonë i qartë dhe i mbështetur në nevojën për të siguruar se ajo u shërben të gjitha komuniteteve dhe komunave që i lidh, dhe të kontribuojë në bashkëpunim e raporte të mira mes tyre”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së për KOHËN.

Zyrtari i BE ka thënë se pas transferimit të pushtetit në komunat në veri, ka nevojë për përmirësim në bashkëpunimin mes komunave në fjalë dhe institucioneve të nivelit qendror.

“Është e rëndësishme që Policia e Kosovës të ofrojë siguri dhe mbrojtjen e të gjitha komuniteteve, në përputhje me parimet demokratike, të drejtat e njeriut dhe të sundimit të ligjit, në mënyrë që të gjithë të ndihen të sigurt”, thuhet në përgjigje. “Të gjitha vendimet lidhur me urën duhet të marrin parasysh interesat dhe shqetësimet e të gjitha komuniteteve”. Panorama

Haxhiu paralajmëron “takim së shpejti” mes LVV-së dhe LDK-së

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, njëkohësisht deputete e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se partia e saj do të ketë “takim së shpejti” me Lidhjen Demokratike të Kosovë, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të shtetit.

Këtë deklaratë, Haxhiu e bëri në një konferencë, pas një takimi që kishte thirrur me partitë politike parlamentare, siç ka thënë për t’u konsultuar në lidhje me daljen nga kriza politike “dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”.

Thirrjen e saj e refuzuan Partia Demokratike e Kosovës (PDK), LDK-ja dhe Aleanca, tri partitë më të mëdha parlamentare pas LVV-së, e cila i fitoi zgjedhjet e 7 qershorit.

Sipas Haxhiut, në takim ishin 11 liderë të partive të tjera politike parlamentare, përfshirë ato të minoriteteve etnike.

“Të gjitha subjektet [e pranishme] ishin të qëndrimit që duhet të kontribuojmë maksimalisht në zgjedhjen e Presidentit dhe shmangien e zgjedhjeve të parakohshme”, tha Haxhiu.

Teksa paralajmëroi takim të ri mes LVV-së dhe LDK-së, ajo nuk saktësoi se kur do të ndodhë ai.

Haxhiu bëri thirrje që të gjitha partitë “të flasin me emra të përveçëm” për një president të mundshëm konsensual.

Më herët, LDK-ja kishte shprehur qëndrimin se nuk dëshiron marrëveshje politike për të ndarë pushtetin në qeveri, por se është e hapur për të diskutuar për një “figurë konsensuale për president”.

Ndonëse kanë kaluar më shumë se 30 ditë nga afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve, qëndrimi i partisë fituese të zgjedhjeve, LVV, është që Kuvendi nuk duhet të konstituohet deri sa të arrihet një marrëveshje për presidentin.

Në anën tjetër, partitë që më herët ishin në opozitë e akuzojnë LVV-në për shkelje të Kushtetutës dhe për zvarritje të çështjes së konstituimit të Kuvendit, ndonëse i kanë numrat për ta bërë atë.

“Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci që një palë zgjedhje të reja mund të na bëjnë të merremi vesh nesër”, shtoi tutje Haxhiu, duke arsyetuar vonesën në konstituimin e Kuvendit.

Kriza institucionale në Kosovë ka vazhduar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat u mbajtën pasi partitë nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar të Vjosa Osmanit në krye të shtetit.

LVV-ja fitoi 53 vende në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit.

Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Haxhiu për bojkotin e opozitës: Pa një president konsensual, Kosova shkon në zgjedhje të reja

“E kemi parë disa herë. E dimë ku na çon mungesa e dialogut apo refuzimi i takimeve. Kam dëgjuar qëndrimet e partive të pranishme. Të gjitha ishin se duhet të kontribuojmë maksimalisht për çështjen e marrëveshjes për presidentin dhe patjetër të shmangen zgjedhjet e parakohshme.

S’pres që partitë të pajtohen për gjithçka. Pres të jenë të gatshme të flasin për atë që është e domosdoshme për funksionimin e shtetit. Nëse nuk mund të merremi vesh sot, nuk kemi asnjë garanci se një palë zgjedhje të reja do të na bëjnë që të merremi vesh nesër”, tha Haxhiu.

Pas PDK-së dhe AAK-së, edhe LDK-ja refuzon ftesën e Albulena Haxhiut për zgjedhjen e Presidentit

KOSOVË- Lidhja Demokratike e Kosovës i është bashkuar PDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës duke refuzuar ftesën e thirrur nga Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, për një takim konsultativ me subjektet politike.

Zyrtarë të LDK-së janë shprehur për mediat se e konsiderojnë Haxhiun një nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, duke konfirmuar zyrtarisht mospjesëmarrjen e tyre.

Sidoqoftë, nga LDK-ja nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një takimi të drejtpërdrejtë mes kryetarit të saj, Lumir Abdixhiku, dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Në takimin e thirrur nga Haxhiu për të gjetur një zgjidhje ndaj krizës politike dhe për të diskutuar rreth një emri konsensual për President të Kosovës, pritet të marrin pjesë vetëm Albin Kurti dhe udhëheqësit e partive minoritare joserbe./Dosja.al

PDK dhe AAK refuzuan ftesën për takim, reagon Haxhiu: E gabuar! Pa marrëveshje, sërish zgjedhje

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmëri të Kosovës kanë refuzuar ftesat për takimin të martën. Ajo ka thënë se ky refuzim është gabuar dhe i pamatur.

Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës po flasin vazhdimisht qartë përmes zgjedhjeve, ndërsa është detyrë e udhëheqësve të partive të zbatojnë në praktikë vullnetin e qytetarëve.

“Më lejoni të shpreh keqardhjen time të plotë që pavarësisht ftesës sime të sinqertë, subjektet politike si PDK dhe AAK refuzuan të njëjtën. Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur dhe mbi të gjitha mungesë të vullnetit për të tejkaluar pozicionimet barrikaduese.

Të tilla pozicione nuk e ndihmojnë askënd, aq më pak Republikën tonë. Qytetarët e vendit vazhdimisht janë duke folur qartë përmes zgjedhjeve, ndërkaq është detyrë e jona si përfaqësues të tyre e si udhëheqës partish e institucionesh politike ta zbatojmë atë në praktikë. Kosova ka nevojë për shumë punë. Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion. Mbetem me shpresën që deri të martën të kemi reflektim e takimi të jetë sa më i dobishëm drejt gjetjes së një zgjidhje”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu kishte ftuar liderët e partive politike ose përfaqësuesit e tyre për një takim të përbashkët të martën në ora 9:00.

Takimi, sipas thirrjes së Haxhiut, është konsultativ dhe mbahet në lidhje me zhvillimet aktuale politike e institucionale dhe për rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për presidentin konsensual, e edhe për formimin e institucioneve të tjera.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, ka thënë se ftesa përbën tentativë manipulimi për afatet dhe se subjekti politik që i përket nuk do të dërgojë përfaqësues në takim.

“Haxhiu më mirë do të ishte t’i kishte shkruar letër (kryesuesit të seancës konstituive, Avni) Deharit që ta thërrasë seancën. Çfarë logjike ka, si mund të ushtrosh mandate dhe të dërgosh letra, kur është dashtë që letrën e parë t’ia dërgojë Deharit. PDK-ja nuk do të jetë në atë takim, ne do të jemi në Kuvend”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp.

Po ashtu, edhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini, e ka refuzuar kërkesën e Haxhiut për takim, edhe të Kurtit, i cili po ashtu ka ftuar liderët e subjekteve politike për t’u takuar, me synimin që të gjejnë një kandidat apartiak e konsensual për president.
“Ju nuk jeni presidente e zgjedhur e Kosovës dhe nuk keni mandat të luani rolin e unifikueses së spektrit politik. Ju e Kurti jeni tepër të tejdukshëm se nuk po kërkoni takim për të gjetur zgjidhje. Po kërkoni takim të gjeni fajtorë për vendimin tuaj që veçse e keni marrë, për ta dërguar vendin në zgjedhje. Këtë herë edhe në kaos institucional”, ka shkruar Gjini në Facebook.

Gjini nuk i është përgjigjur pozitivisht Kurtit në asnjë ftesë.

Ndërkaq, Lidhja Demokratike është partia e vetme që ka realizuar një numër takimesh me përfaqësues të Vetëvendosjes, për mundësinë e bashkëqeverisjes. E këtë javë, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se përfundimisht heq dorë nga kërkesa që posti i presidentit t’i takojë LDK-së, dhe ka shprehur gatishmërinë për negociata për të gjetur kandidat konsensual.

Në këtë parti nuk kanë treguar të shtunën nëse do të marrin pjesë në takimin e së martës, të thirrur nga Haxhiu, ndërkaq një ditë më parë kanë shprehur gatishmërinë për ta takuar Kurtin.

E kryesuesi i seancës konstituive, deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari, nuk i është bindur thirrjes së subjekteve politike oponente që ta vazhdojë seancën për konstituimin e legjislaturës së njëmbëdhjetë.

Në vijë me qëndrimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ai ka thënë të shtunën se fillimisht duhet të arrihet marrëveshja për presidentin, e pastaj do t’i dërgojë ftesat për vazhdimin e seancës.

“Si kryesues i seancës konstitutive u bëj thirrje të gjitha partive politike që të ulen së bashku, ta marrin përgjegjësinë që u takon dhe ta gjejnë zgjidhjen politike që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, formimit të Qeverisë dhe marrëveshjes për presidentin konsensual. Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka shkruar Dehari në Facebook.

Dehari, tek ka argumentuar vendimin e tij për të mos e vazhduar seancën, ka thënë se po të veprojë ndryshe, mund të rriten tensionet.

“Ajo që ndodhi para tri ditëve në Kuvendin e Republikës së Kosovës është pikërisht ajo për të cilën kam paralajmëruar. Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka thënë Dehari.

Arsyetimi i Deharit ka ngjallur reagime nga deputetë të PDK-së dhe AAK-së./koha.net

Bedri Hamza: Pas qëndrimit të fundit të LDK-së, LVV-ja i ka numrat për konstituim

 

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka thënë se pas qëndrimit të fundit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lëvizja Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve.

Ai tha se PDK-ja nuk e ka kontestuar rezultatin e zgjedhjeve dhe se kjo parti nuk paraqet pengesë për formimin e institucioneve.

“Ne si parti opozitare nuk e kemi kontestuar rezultatin zgjedhor. E kemi pranuar rezultatin. Nuk ka pengesë prej nesh. Përkundrazi, ne po themi: ejani, të përfundojmë me rezultatin zgjedhor, krijoni institucionet, mbani premtimet në Kuvend e në Qeveri dhe zgjidhni presidentin” – tha Hamza në konferencë për media më 14.08.2026, pasi që bashkë me deputetë të partisë dhe të Aleancës kërkuan nga foltorja e Kuvendit që të konstituohet legjislatura e re.

Sipas tij, tashmë pas qëndrimit të fundit të LDK-së, Vetëvendosje i ka numrat dhe votat e nevojshme.

“Nuk ka pengesë prej neve, është e kundërta, ne po themi: ejani, të përfundojmë me rezultatin zgjedhor, krijoni institucionet, mbani premtimet në Kuvendin e Qeverisë, zgjidhni presidentin, dhe tash pas qëndrimit të fundit të LDK-së, numrat janë të qartë, i kanë numrat, i kanë votat”- shtoi ai.

I pyetur se pse LDK-ja nuk mori pjesë në aktivitetin që organizuan ata se Aleanca në sallën plenare ku u kërkua të vazhdohet seanca konstituive, ai tha se LDK-ja është parti në vete dhe se ata duhet të përgjigjen për këtë çështje.

Ai paralajmëroi se nëse institucionet nuk formohen, vendi mund të vazhdojë të mbetet në atë që e quajti “vakuum institucional”.

“Lëvizja Vetëvendosje, zoti Kurti, duhet t’i bëjë institucionet apo ta mbajë vendin në vakuum institucional, me mungesë stabiliteti politik dhe, mbi të gjitha, me shkelje të vazhdueshme të ligjit dhe suspendim të Kushtetutës”- tha Hamza.

I pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në seancë në rast se propozohet një kandidat konsensual për president, Hamza tha se partia e tij do të vazhdojë ta luajë rolin e opozitës.

Ai tha se PDK-ja do të ofrojë kritika dhe alternativa, por edhe do të përkrahë çështje që i konsideron në interes të Kosovës.

“Ne do ta luajmë rolin tonë në Kuvendin e Republikës së Kosovës si parti opozitare, me kritika, me alternativa, por edhe me përkrahje për çështje të rëndësishme për interesin e vendit” – tha ai.

Sipas tij, institucionet nuk po respektojnë rendin kushtetues dhe vendimet e gjykatave.

“Nuk ka situatë më serioze sesa suspendimi i rendit kushtetues, mosrespektimi i Rregullores së Punës së Kuvendit dhe mosrespektimi i vendimeve të gjykatave, duke përfshirë edhe vendimin e Gjykatës Supreme”- tha Hamza.

Ai shtoi se nuk mund të ketë një person njëkohësisht në funksionet e deputetit, ministrit dhe kryeministrit.

“Nuk mundesh me thënë në të njëjtën kohë edhe deputet, edhe ministër, edhe kryeministër. Asnjë pengesë në rrugën e drejtë të konstituimit të institucioneve nuk e ka pasur”- tha ai.

Në aktgjykimin e 26 qershorit 2025, Gjykata kishte përcaktuar se procedura e konstituimit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e organeve të tij drejtuese.

Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së seancës.

Pavarësisht kësaj, seanca konstituive ende nuk ka përfunduar dhe përplasjet politike vazhdojnë të pengojnë formimin e institucioneve të reja./kallxo.com

PDK-ja dhe Aleanca refuzojnë takimin me Haxhiun, Dehari insiston në marrëveshje para vazhdimit të seancës

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, 14 gusht 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Teksa Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e ushtrueses së detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për takim me liderët politikë, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka bërë thirrje për një marrëveshje politike para vazhdimit të punës së Kuvendit.

Dehari ka thënë se mirëpret ftesat për takime të Haxhiut dhe kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe u ka bërë thirrje partive politike që të ulen së bashku për të gjetur një zgjidhje për krizën institucionale.

Ai ka thënë se përpjekjet për vazhdimin e seancës pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionojnë më tej situatën dhe rrisin rrezikun e përplasjeve në Kuvend.

“Konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë pa një marrëveshje paraprake për Presidentin nënkupton zgjedhje të parakohshme, diçka që duhet ta evitojmë”, ka shkruar Dehari.

Reagimi i tij vjen pasi PDK-ja dhe Aleanca kanë refuzuar ftesën e Haxhiut për takimin e 18 gushtit.

PDK-ja ka kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, ndërsa Aleanca ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e zvarrit bllokadën institucionale për ta çuar vendin në zgjedhje.

Ndërkohë, LDK-ja ka deklaruar ditë më parë se është e gatshme të votojë për një figurë jopartiake për president dhe se nuk kërkon poste institucionale.

Haxhiu u ka dërguar liderëve të partive politike ftesë për takim konsultativ më 18 gusht, me qëllim diskutimin për zhvillimet politike dhe institucionale dhe arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e një presidenti konsensual.

Ndërkohë, Kurti ka kërkuar që partitë të nisin diskutimet me emra konkretë për presidentin e ardhshëm, me synimin që të shmangen zgjedhjet e reja.

Megjithatë, Aleanca dhe PDK-ja po kërkojnë që të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit, e cila nisi më 6 gusht dhe u ndërpre për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Kriza institucionale është krijuar pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat u mbajtën pasi partitë nuk arritën të gjenin marrëveshje për zgjedhjen e presidentit pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

LVV-ja fitoi 53 ulëse në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 18 dhe AAK-ja shtatë. Për zgjedhjen e presidentit, Kushtetuta kërkon praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë në dy rundet e para të votimit.

Nëse presidenti nuk zgjidhet as në rundin e tretë, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

Shqipëria nuk ka kapacitete për fikjen e zjarreve, ministri i Kosovës: Jemi gati të ndihmojmë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Kosova është e gatshme të ndihmojë Shqipërinë dhe Malin e Zi në përballimin e zjarreve.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Maqedonci tha se u ka përcjellë homologëve gatishmërinë për të vënë në dispozicion kapacitetet e Kosovës dhe të FSK-së.

Ndërkohë, situata nxjerr në pah edhe njëherë mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme të shtetit shqiptar për përballimin e zjarreve, veçanërisht për shkak të mungesës së mjeteve të specializuara dhe investimeve të pamjaftueshme në këtë sektor.Postimi

Postimi i plotë:

Në këto ditë sfiduese, kur Shqipëria dhe Mali i Zi po përballen me zjarre në zona të ndryshme të vendeve të tyre, u kam përcjellë homologëve të mi, ministrave të Mbrojtjes, gatishmërinë e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës për të ofruar mbështetje me kapacitetet që kemi në dispozicion.

Kosova është e gatshme të kontribuojë në mbështetje të autoriteteve përkatëse, nëse një ndihmë e tillë vlerësohet e nevojshme, duke vënë në dispozicion kapacitetet tona për përballimin e situatës së krijuar nga zjarret.

Në momente të tilla solidariteti dhe bashkëpunimi marrin një rëndësi të veçantë.

Ministria e Mbrojtjes, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe institucionet tjera të Republikës mbeten të gatshme të ofrojnë mbështetje dhe të kontribuojnë aty ku kapacitetet tona mund të jenë të dobishme.

Predikuesi fetar nga Bosnja, Elvedin Peziq, shoqërohet nga Policia e Kosovës

Radio Evropa e Lirë
Predikuesi i fesë islame nga Bosnjë e Hercegovina, Elvedin Peziq, është shoqëruar të enjten nga Policia e Kosovës për intervistim informues, para një aktiviteti që ishte planifikuar të mbahej në Vitomiricë të Pejës.

Lajmin për Radion Evropa e Lirë e konfirmoi Rexho Kojiq, nga organizata joqeveritare “Vullnetarët e Rinj” nga Kosova, organizatore e aktivitetit ku Peziq pritej të merrte pjesë të enjten.

“Tani e kanë transferuar në stacionin policor në Prishtinë. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më tej, pasi urdhri ka ardhur nga Prishtina. Ai ka hyrë rregullisht në Kosovë, përmes pikëkalimit kufitar në Kullë [pikëkalim kufitar me Malin e Zi], sot rreth mesditës, me dokumente të Bosnjë e Hercegovinës”, tha Kojiq për REL-in.

Sipas tij, ishte shoqëruar edhe Mithad Qeman, po ashtu predikues islamik, por ai ishte liruar menjëherë.

Kojiq tha se nga Policia i ishte thënë se nuk kishte nevojë për angazhimin e një avokati dhe se Peziq do të mbahej për gjashtë orë për verifikimin e identitetit.

Ai tha se qëllimi i vizitës së Peziqit në Kosovë ishte promovimi i një libri dhe se Policia e kishte pyetur nëse kishte leje nga Bashkësia Islame e Kosovës për mbajtjen e aktivitetit.

“Ai nuk është hoxhë në ndonjë xhami dhe nuk kishte nevojë për një leje të tillë. Bëhej fjalë për promovimin e një libri”, tha Kojiq.

Peziq kishte njoftuar se do të ligjëronte në Dobrushë, në Istog, dhe në këtë ngjarje do të merrte pjesë edhe Mithad Qeman, i cili do të promovonte një libër.

Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Policisë së Kosovës për konfirmimin e rastit dhe për më shumë informacione, por ende nuk ka marrë përgjigje.

Kush është Elvedin Peziq?

Elvedin Peziq prej vitesh është aktiv në hapësirën online si “predikues fetar islam”, i njohur shpesh për qëndrime kontroverse, të cilat i shpreh edhe gjatë ligjëratave në Bosnje e Hercegovinë dhe në vendet e rajonit.

Ai konsiderohet një nga predikuesit konservatorë që e identifikojnë veten si selefi.

Fjala “selef” në gjuhën arabe e ka kuptimin “të parët” dhe u referohet tri gjeneratave të para të myslimanëve apo pasuesve të profetit Muhamed dhe ndjekësit e rrugës së këtyre tri gjeneratave e quajnë veten “selefi”.

Peziq konsiderohet gjithashtu një nga të ashtuquajturit “da’i” (person që fton të tjerët t’i bashkohen islamit) më të njohur në Bosnje e Hercegovinë.

Vetëm në Facebook, Peziq ka më shumë se 300 mijë ndjekës, ndërsa është aktiv edhe në platforma të tjera, ku thotë se jep udhëzime dhe këshilla fetare, u përgjigjet pyetjeve të ndjekësve dhe komenton apo reagon ndaj ngjarjeve dhe dukurive të ndryshme shoqërore.

Bashkësia Islame e Bosnje e Hercegovinës kishte reaguar më herët ndaj një postimi të Peziqit, në të cilin ai kishte thënë se “shoqëria perëndimore është rrënuar moralisht” kur gruaja “është nxjerrë nga shtëpia” dhe është bërë “gjithçka, përveçse nënë”. Bashkësia Islame e Bosnjës kishte vlerësuar se këto qëndrime nuk janë në përputhje me mësimet e Islamit për të drejtat dhe detyrimet e grave myslimane.

Qëndrimet e Peziqit janë kritikuar shpesh nga opinioni publik në Bosnje e Hercegovinë.

Kojiq tha për REL-in se ka “interpretime të ndryshme” lidhur me rastin, por shtoi se, si organizator, është i njohur me veprimtarinë e Peziqit dhe se, sipas tij, ai nuk paraqet “rrezik për sigurinë e Kosovës”.

“Po të kishte pasur çfarëdo indikacioni për diçka të tillë, ne nuk do ta kishim mbështetur një tubim të tillë”, tha Kojiq.

Peziq dhe Qeman ishte planifikuar që të enjten të promovonin librin në Vitomiricë, në komunën e Pejës, e më pas edhe në Dobrushë, në komunën e Istogut. Një ditë më vonë, ata pritej të zhvillonin një aktivitet të ngjashëm edhe në Reçan, në rajonin e Prizrenit.

Abdixhiku: Heqim dorë nga çdo kërkesë, presidenti të jetë jopartiak

Radio Evropa e Lirë

Udhëheqësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se partia e tij heq dorë nga çdo kërkesë për postin e kryeparlamentarit, presidentit dhe pjesëmarrjes në Qeveri, duke theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund t’i mbajë të gjitha. Megjithatë, për vëzhguesin politik, Artan Muhaxhiri, oferta e bërë nga kreu i LDK-së nuk ofron një zgjidhje realiste dhe normale për daljen nga kriza politike.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj. Ne do të qëndrojmë në opozitë dhe do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me dinjitet”, tha Abdixhiku në një konferencë për media.

Megjithatë, Abdixhiku tha se LDK-ja do të kontribuojë për çështjen e presidentit, duke thënë se kanë kushte për kreun e ri të shtetit.

Sipas tij, presidenti i ri duhet ta mbrojë Republikën dhe kushtetueshmërinë.

“Nga ky moment, LVV mund ta zgjedhë stabilitetin përmes një presidenti që e zgjedhim bashkëshkrish ose mund ta çojmë vendin drejt një krize të re”, tha ai, duke e akuzuar LVV-në e Albin Kurtit se nuk po pranon “kompromis minimal”.

Ai tha se LDK-ja do të jetë pjesë e zgjedhjes së presidentit sepse nëse s’marrin pjesë në votim, vendi shkon në zgjedhje për shkak se me 61 votat e LVV-së “s’mund të zgjidhet” presidenti.

“Ta zgjedhim një president që i shërben Republikës, jopartiak, e jo një president karate”, tha ai, duke shtuar se propozimet partiake do të refuzohen.

“Propozimet e njëanshme janë të refuzueshme”, tha ai, duke shtuar se emri i presidentit të ri duhet të dalë pas diskutimeve të detajuara mes partive.

LDK ishte partia e vetme që pranoi të negocionte me LVV-në, fituesen e zgjedhjeve të qershorit.

Por, edhe pas disa takimesh, Kurti e Abdixhiku s’arritën një marrëveshje.

Abdixhiku tha se Kurti i ofroi atij postin e zëvendëskryeministrit dhe tri ministri, por oferta nuk është pranuar, duke shtuar se LDK-ja kishte kërkuar postin e presidentit dhe pjesëmarrje në ekzekutiv.

“Meqë LVV-ja nuk po e konsideron se ka nevojë për LDK-në si partnere, atëherë nuk do ta ketë dekor as për pushtetin e saj”, tha Abdixhiku.

Ai kërkoi që Kuvendi të konstituohet pa vonesë dhe LVV-ja të formojë Qeverinë e re të vendit.

Kosova ndodhet në një ngërç të ri institucional pas zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit.

Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndonëse afati 30-ditor për përfundimin e këtij procesi ka skaduar më 7 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që para vazhdimit të seancës të arrihet një marrëveshje politike, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca insistojnë që Kuvendi të konstituohet pa e kushtëzuar këtë proces me çështjen e presidentit.

Kurti ka insistuar që kreu i ri i vendit të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan pikërisht për çështjen e presidentit, pasi palët nuk arritën konsensus, pasi Vjosa Osmanit i përfundoi mandati pesëvjeçar në krye të shtetit në prill.

LVV-ja e Kurtit ka fituar mandate të mjaftueshme për të konstituuar Kuvendin dhe për të votuar Qeverinë e re – duke llogaritur edhe në votat e partive të minoriteteve joshumicë.

Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit nevojitet prania e 80 deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Muhaxhiri: Oferta e Abdixhikut nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhjeje

Vëzhguesi politik, Artan Muhaxhiri, e vlerëson si “të çuditshëm” dhe “të vonuar” ofertën e Abdixhikut për çështjen e presidentit, duke vlerësuar se nuk po shkohet drejt një zgjidhjeje.

“Puna më e mirë që zoti Adbixhiku do të bënte është që të takohet me liderë të tjerë opozitarë dhe kësisoj ta krijonin një front të përbashkët, pakrahasueshëm më të fuqishëm sesa partitë opozitare veç e veç”, thotë Muhaxhiri, duke vlerësuar se Abdixhiku është larguar si nga partitë e tjera opozitare, ashtu edhe nga Kurti, dhe kjo situatë, “i shkon në favor” LVV-së.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Muhaxhiri thotë se oferta për një president jopartiak veçse ka qenë, prandaj ai pyet pse është dashur që të mbahen takime mes LDK-së dhe LVV-së.

“Pra, nuk ka qenë nevoja që të humbet kaq shumë kohë dhe të mbahen të gjitha ato takime nëse prapëseprapë do të kthehemi në pikën fillestare”, thotë Muhaxhiri.

“Kompromisi maksimal që mund ta bëjë zoti Kurti është që ta japë kryetarin e Parlamentit, dhe këtë po e thonë edhe gjatë këtyre ditëve, dhe kjo ofertë e zotit Abdixhiku me siguri do të jetë krejtësisht e papranueshme për zotin Kurti. Por, edhe në ndonjë skenar tjetër do të jetë shumë vështirë që të gjendet një kandidaturë e cila do t’i plotësonte këto kërkesa. Po them, kjo është një ofertë e vonuar e zotit Abdixhiku sepse nuk kontribuon në gjetjen e një zgjidhje realiste dhe normale”, shton ai.

Ai madje e vlerëson si “gabim të madh” qëndrimin se LDK do të kontribuojë për zgjedhjen e presidentit, me kushte, duke u shprehur se Abdixhiku “nuk është në pozitë që të diktojë kushte, pasi ka probleme të mëdha brenda LDK-së dhe nuk mund t’i garantojë të 18 votat e deputetëve” nëse arrihet pajtim me LVV-në për kreun e shtetit.

Sipas tij, LDK-ja, Partia Demokratike dhe Aleanca secila kanë nga një ide të ndryshme për daljen nga kriza. Më e logjikshme do të ishte nëse këto tri parti krijojnë një ide të përafërt bashkëpunimi dhe në mënyrë që t’i kundërvihen me opsione apo alternativa Kurtit, vlerëson Muhaxhiri.

Nëse këto parti arrijnë të gjejnë një kandidaturë të denjë për presidenti, thotë ai, atëherë një gjë e tillë do të shndërrohej në presion politik dhe publik ndaj Kurtit.

“Sepse pastaj edhe diskursi do të ndryshojë edhe gjithë rrëfimi për çështjen e presidentit, pra gjithë beteja për çështjen e presidentit do të merrte një kahe tjetër, më të qartë”, thotë Muhaxhiri, duke shtuar se kjo potencialisht do të detyronte Kurtin që të ndryshonte pozicion.

Edhe nëse nuk arrijnë ndonjë bashkim për çështjen e presidentit, Muhaxhiri beson se partitë opozitare duhet të takohen dhe të krijojnë një mirëbesim sepse ndryshe, sipas tij, “vështirë se do të mund ta sfidojnë” Kurtin.

Përveç LDK-së, edhe PDK-ja dhe Aleanca kanë shprehur qëndrimin se duan të qëndrojnë në opozitë.

I arrestuari për spiunazh ishte emëruar anëtar në Këshillin Konsultativ për Komunitete nga ish-presidentja Osmani

Arrestohet një person në Merdar nën dyshimin për spiunazh

Fotografia e publikuar nga Sistemi Prokurorial i Kosovës, ku shihet një zyrtar policor duke kontrolluar veturën e të dyshuarit.

 

Radio Evropa e Lirë

Policia e Kosovës ka arrestuar një shtetas të Kosovës, Fehim Sali, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.

Sipas njoftimit të Sistemi Prokurorial të Kosovës, arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdar të Podujevës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Burimet e Radios Evropa e Lirë kanë konfirmuar identitetin e të dyshuarit, i cili vjen nga Komuna e Dragashit dhe është i angazhuar në sistemin arsimor serb brenda Kosovës.

Sali ishte edhe pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete (KKK) brenda Presidencës së Kosovës, i emëruar më 2022.

Ky Këshill ka mandat dy vjeçar, ndërsa Sali nuk ka figuruar pjesë e Këshillit aktual.

Këshilli Konsultativ për Komunitete është një mekanizëm që vepron nën autoritetin e Presidentit të Kosovës dhe në të përfaqësohen të gjitha komunitetet në vend.

Këshilli ka 27 anëtarë dhe përbëhet nga përfaqësues të komuniteteve rom, egjiptian, goran, ashkali, malazez, kroat, boshnjak, turk dhe serb, si dhe nga përfaqësues të Zyrës së Presidentit dhe të Qeverisë.

Anëtarët e Këshillit emërohen nga Presidenti i Kosovës me vendim. Para emërimit zhvillohet procesi i nominimit të kandidatëve nga organizatat përfaqësuese të komuniteteve ose nga kandidatët individualë. Presidenti, gjatë emërimit, bazohet në raportin e Sekretariatit të Këshillit dhe merr parasysh renditjen e kandidatëve sipas votave të fituara, si dhe përfaqësimin e barabartë gjinor.

Këshilli Konsultativ për Komunitete shërben si urë komunikimi ndërmjet komuniteteve dhe Qeverisë, duke u mundësuar përfaqësuesve të tyre të japin mendime për nisma ligjore dhe politika që i prekin, të propozojnë iniciativa dhe të kërkojnë që pikëpamjet e tyre të merren parasysh në politikat dhe programet përkatëse.

Policia dhe Prokuroria Speciale nuk kanë dhënë detaje se për çfarë aktivitetesh saktësisht dyshohet ai dhe as nëse rasti lidhet me ndonjë shërbim të huaj të inteligjencës.

Prokuroria Speciale tha se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Në një njoftim të mëvonshëm, Prokuroria Speciale bëri të ditur se i dyshuari është ndaluar për 48 orë.

Gjithashtu, hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda kanë zbatuar urdhërkontrollin në vendbanimin e të dyshuarit në Dragash.

Gjatë bastisjes sipas njoftimit janë gjetur dhe sekuestruar 39.500 euro para të gatshme, 500 dinarë serbë dhe katër telefona celularë.

Në Kosovë, spiunazhi përfshin aktivitetet sekrete të mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm te një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi konsiderohet vepër e rëndë penale dhe, në rast të shpalljes fajtor, mund të dënohet me të paktën pesë vjet burgim.

Ky arrestim vjen në një periudhë kur autoritetet kosovare kanë ndërmarrë disa raste hetimore dhe arrestime nën dyshimet për spiunazh në favor të inteligjencës serbe.

Në raste të mëparshme janë arrestuar persona nga komunitete të ndryshme në Kosovë, nën dyshimet se kanë mbledhur apo përcjellë informacione për shërbimet serbe të inteligjencës.

Ekspertë të sigurisë kanë vlerësuar se spiunazhi paraqet kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës. Sipas tyre, veprimtari të tilla mund të ndikojnë në sigurinë e brendshme, të destabilizojnë institucionet dhe të dëmtojnë pozitën ndërkombëtare të Kosovës.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse rasti i F.S. është i ndërlidhur me ndonjë prej rasteve të mëparshme të spiunazhit.

PDK-ja dorëzon kërkesë për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës qëndrojnë para dyerve të ndërtesës së Qeverisë në Prishtinë, më 13 gusht, mes kërkesave ndaj Lëvizjes Vetëvendosje për thirrje të seancës për konstituim të Kuvendit.

 

Radio Evropa e Lirë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vazhduar të enjten me aksionet e saj në shenjë kundërshtimi ndaj moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, mes të cilave ka dorëzuar edhe zyrtarisht një kërkesë për thirrjen e seancës konstituive nesër në orën 11:00.

Aksionet e së enjtes filluan me qëndrimin e disa deputetëve të saj para ndërtesës së Qeverisë, ku akuzuan kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin, se po “uzurpon” institucionin dhe kërkuan që ai të kthehet në Kuvend.

Më vonë, deputetët e PDK-së u zhvendosën në objektin e Kuvendit, prej ku deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, njoftoi për dorëzimin e kërkesës edhe zyrtarisht.

Aksionet e PDK-së janë pjesë e presionit që kjo parti, bashkë me Aleancën, po ushtron për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit dhe përfundimin e procesit të themelimit të legjislaturës së re.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë të mërkurën se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Ndërkohë, edhe përfaqësues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) kanë insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, por nuk kanë marrë në pjesë në aksionet e këtyre dy ditëve. LDK-ja është partia e vetme që ka zhvilluar disa takime me LVV-në për një marrëveshje të mundshme.

Grupi parlamentar i kësaj partie ka thirrur takim sot.

Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht. Lidhur me këtë afat, 14 organizata joqeveritare iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.

Seanca konstituive ishte caktuar të niste më 6 gusht. Megjithatë, procesi u ndërpre pasi Kurti, në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, kërkoi kohë shtesë për diskutime me partitë politike lidhur me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Kurti argumentoi se konstituimi i Kuvendit pa një marrëveshje paraprake për presidentin do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme.

Një ditë më parë, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, tha se kjo parti beson që afati për konstituim përfundon 30 ditë nga nisja e seancës.

PDK-ja dhe AAK-ja, në anën tjetër, kanë insistuar që Kuvendi të konstituohet dhe seanca të vazhdojë, duke e kundërshtuar kushtëzimin e këtij procesi me arritjen e një marrëveshjeje politike për presidentin.

Edhe pse afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht, seanca konstituive vazhdon të mbetet e hapur.

Më 8 gusht, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, hodhi vezë drejt Kurtit gjatë seancës, pas së cilës kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë.

Në ditët në vijim, përplasjet politike u zhvendosën sërish në Kuvend, me përplasje mes deputetëve të PDK-së dhe Aleancës, në njërën anë, dhe LVV-së, në anën tjetër, që eskaluan deri në shtyrje fizike të mërkurën.

Në qendër të përplasjes është kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, deputet i LVV-së, i cili po e drejton seancën në cilësinë e deputetit më të vjetër.

PDK-ja dhe AAK-ja kërkojnë që Dehari ta thërrasë dhe ta vazhdojë seancën, ndërsa Vetëvendosje ka kërkuar paraprakisht një marrëveshje politike mes partive.

PDK-ja pretendon se nuk ka arsye që konstituimi i Kuvendit të kushtëzohet me marrëveshjen për presidentin dhe se zgjidhja e krizës duhet të kërkohet brenda institucioneve.

Ndërkohë, kriza aktuale është vazhdim i një periudhe më të gjatë të paqëndrueshmërisë institucionale në Kosovë. Pas zgjedhjeve të mëparshme dhe krizës rreth zgjedhjes së presidentit, Kuvendi u shpërnda dhe vendi shkoi në zgjedhje të reja më 7 qershor.

Tash, edhe pas zgjedhjeve të reja, Kuvendi ende nuk është konstituuar, ndërsa partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për mënyrën e daljes nga ngërçi.

PDK-ja, ndërkohë, ka paralajmëruar vazhdimin e aksioneve për ta shtyrë përpara procesin e konstituimit.

Shtyrje fizike mes deputetëve në Kuvend gjatë kërkesave për vazhdimin e seancës konstituive

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës në sallën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.

 

Radio Evropa e Lirë

Përplasjet mes deputetëve në Kuvendin e Kosovës për vazhdimin e seancës konstituive u përshkallëzuan të mërkurën edhe në shtyrje fizike, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të kundërta për mënyrën se si duhet të zhbllokohet procesi i konstituimit të legjislaturës së re.

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kërkuan që kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ta thërrasë vazhdimin e saj, pavarësisht se ka kaluar afati kushtetues prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ndërkaq, ka insistuar se para vazhdimit të seancës duhet të arrihet një marrëveshje politike më e gjerë mes partive.

Gjatë përplasjeve në sallën e Kuvendit, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e shtyu me duar deputetin e LVV-së, Adnan Rrustemi, ndërsa Ardian Gola i LVV-së ndërhyri mes tyre.

Në një incident tjetër, deputetja e Aleancës, Albana Bytyqi, u pa duke e shtyrë deputeten e LVV-së, Arbërie Nagavci. Bytyqi dhe deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, hodhën edhe letra në drejtim të saj.

Përplasjet zgjatën rreth dy orë dhe ishin kryesisht verbale.

Gjatë tyre, Donika Gërvalla, e cila ndodhej në sallë për aktivitetin “Bashkatdhetarët në Kuvend”, u bëri thirrje deputetëve të PDK-së dhe Aleancës që t’u bashkohen takimeve të thirrura nga LVV-ja për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Ejani në takim”, u tha Gërvalla deputetëve, të cilët brohorisnin: “Thirreni seancën!”.

Në debat u përfshinë edhe ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, si dhe deputetët Vlora Çitaku, Eman Rrahmani dhe Blerta Deliu-Kodra.

Deliu-Kodra tha se deputetët do të vazhdojnë të vijnë çdo ditë në Kuvend “për ta kthyer rendin kushtetues”.

Ngërçi lidhet me faktin se Kuvendi ende nuk e ka përfunduar konstituimin pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Rezultatet përfundimtare u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por deputetët nuk arritën ta përfundonin zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve.

PDK-ja dhe Aleanca thonë se kalimi i afatit nuk e heq detyrimin për vazhdimin dhe përfundimin e seancës konstituive. LVV-ja, në anën tjetër, kërkon që paraprakisht të arrihet marrëveshje për çështjet kryesore politike, përfshirë edhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se kërkesa për vazhdimin e seancës është “e drejtë”.

“Fakti që afati kushtetues prej 30 ditësh tashmë është shkelur nuk do të thotë se procesi duhet të ndalet. Përkundrazi, pas shkeljes së afatit, obligimi për konstituimin e Kuvendit vazhdon dhe deputetët duhet ta përfundojnë këtë proces pa vonesa të tjera”, tha Jakaj.

Sipas tij, Kushtetuta nuk parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit pas kalimit të afatit 30-ditor.

“Seanca duhet të vazhdojë pikërisht aty ku është ndërprerë dhe Kuvendi duhet të procedojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve. Negociatat për zgjedhjen e presidentit janë proces tjetër kushtetues dhe nuk mund të vendosen si parakusht për konstituimin e Kuvendit”, tha Jakaj.

Për çështjen e afatit, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET-i, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Dehari ka thënë se seanca nuk duhet të vazhdojë pa një marrëveshje politike mes partive.

Në thelb të mosmarrëveshjes mbetet edhe zgjedhja e presidentit të ardhshëm. LVV-ja kërkon një kandidat konsensual dhe jopartiak, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kërkuar që posti i presidentit t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të përfundojë konstituimi i Kuvendit, ndërsa AAK-ja ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe e ka fajësuar LVV-në për bllokimin institucional.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund t’i pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

PDK-ja dhe AAK-ja mblidhen në Kuvend, Dehari këmbëngul për marrëveshje politike

Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, më 12 gusht 2026.

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po qëndrojnë sot në sallën e Kuvendit, duke kërkuar nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e saj.

PDK-ja kishte paralajmëruar se deputetët e saj do të paraqiteshin në Kuvend në orën 11:00, pavarësisht nëse Dehari do ta thërriste zyrtarisht seancën.

Të njëjtit qëndrim i është bashkuar edhe Aleanca. Deputeti i kësaj partie, Besnik Tahiri, ka thënë se deputetët e AAK-së do t’u bashkohen atyre të PDK-së në sallën plenare.

“Siç e dini, PDK-ja ka thirrë seancë në orën 11:00 dhe Aleanca do të marrë pjesë”, ka thënë Tahiri.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve që të garantojnë transparencë, duke pretenduar se mediat nuk po lejohen të marrin pjesë në seancë.

PDK-ja, ndërkaq, ka kërkuar që Kuvendi të hapet dhe seanca konstituive të vazhdojë.

“Reflektoni – HAPENI KUVENDIN!”, ka shkruar kjo parti, duke iu drejtuar kryesuesit Avni Dehari.

Ndërsa, Dehari ka shkruar gjithashtu në Facebook duke rikujtuar se, kur vitin e kaluar u kishte bërë thirrje deputetëve të opozitës që të votonin për konstituimin e Kuvendit, përgjigjja e tyre kishte qenë se “nevojitet marrëveshje politike”.

Sipas tij, atëherë tejkalimi i afatit nuk ishte problematizuar nga partitë opozitare.

Ai pretendon gjithashtu se Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet e mëvonshme për çështjen e konstituimit, u kishte kërkuar palëve të vazhdonin përpjekjet për konstituim edhe pas tejkalimit të afatit, duke e vlerësuar nevojën për konstituimin e Kuvendit si më të rëndësishme se afati.

Afati 30-ditor ka përfunduar

Përplasja rreth vazhdimit të seancës vjen pasi ka përfunduar afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, i përcaktuar me Kushtetutë dhe i interpretuar nga Gjykata Kushtetuese në Aktgjykimin KO124/25.

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Seanca konstituive nisi më 6 gusht, por Kuvendi nuk arriti të përfundonte zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve. Procesi mbeti pezull për shkak të mungesës së një marrëveshjeje politike.

Pikërisht për zbatimin e këtij aktgjykimi, 14 organizata të shoqërisë civile, të udhëhequra nga AVONET, i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Në thelb të ngërçit politik mbetet çështja e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar një marrëveshje më të gjerë politike dhe një kandidat konsensual e jopartiak për president, ndërsa LDK-ja ka kërkuar që posti t’i takojë asaj.

PDK-ja ka insistuar që fillimisht të respektohen procedurat kushtetuese dhe të përfundojë konstituimi i Kuvendit. Aleanca, ndërkaq, ka kërkuar respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin institucional.

Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje partive politike në Kosovë që të arrijnë sa më shpejt marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

Ndërkohë, sot në Kuvend është planifikuar edhe dita e tretë e aktivitetit tradicional “Bashkatdhetarët në Kuvend”, që nis në orën 12:00.

Shefi i KFOR-it: Trupat mund të shtohen nëse rrezikohet siguria në Kosovë

Gjeneralmajor Ozkan Ulutash, komandant i misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO-ja, takohet me Zlatan Elekun, kryetar i Listës Serbe, në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, Prishtinë, Kosovë, 11 gusht 2026.

Radio Evropa e Lirë

Komandanti i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, është takuar të martën me presidentin e Listës Serbe, Zlatan Elek, pas kundërshtimit të kësaj partie ndaj procesit të uljes graduale të pranisë së KFOR-it në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.

Takimi u zhvillua me kërkesë të Elekut në selinë e KFOR-it në Kampin Film City, në Prishtinë.

Në takim morën pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, deputetja e kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, Jovana Radosavljeviq, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq.

Sipas KFOR-it, palët diskutuan për një sërë çështjesh, përfshirë situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe zbatimin e procesit të paralajmëruar për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it u tha përfaqësuesve të Listës Serbe se procesi i optimizimit është nisur si rezultat i përmirësimit të situatës së sigurisë në Kosovë.

Ai theksoi se procesi do të zhvillohet gradualisht dhe do të jetë i bazuar në kushtet në terren, ndërsa trupat mund të rikthehen nëse zhvillimet e ardhshme ndikojnë në sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal.

KFOR-i tha se do të mbetet i pajisur dhe i pozicionuar për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant.

“Tranzicioni gradual i pranisë së KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë është në fazën fillestare”, thuhet në njoftimin e misionit.

KFOR-i theksoi se, edhe pas përfundimit të procesit, do të mbajë një prani të fuqishme në Mitrovicën e Veriut dhe në pjesën veriore të Kosovës.

Lista Serbe kishte reaguar kundër njoftimit për uljen graduale të pranisë së KFOR-it në urën mbi Ibër, duke kërkuar që kjo masë të ndalej.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës kishte kërkuar takim urgjent me komandantin e KFOR-it për t’ia përcjellë shqetësimet e komunitetit serb në veri.

Lista Serbe kishte argumentuar se, për shkak të situatës politike dhe të sigurisë dhe tensioneve që në të kaluarën kanë shoqëruar zonën e urës, çdo ndryshim në praninë e forcave të sigurisë duhet të bëhet me kujdes.

Ajo kishte thënë gjithashtu se Policia e Kosovës nuk e gëzon besimin e serbëve në veri dhe se prania e KFOR-it në urë është një “faktor i rëndësishëm stabiliteti”.

Ura kryesore mbi lumin Ibër lidh Mitrovicën e Jugut me shumicë shqiptare me Mitrovicën e Veriut me shumicë serbe. Ajo është ruajtur nga trupat e KFOR-it që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 dhe për vite me radhë ka qenë një prej pikave më të ndjeshme të sigurisë në veri të Kosovës.

Aktualisht, ura është e hapur vetëm për këmbësorë.

Misioni i NATO-s theksoi se vazhdon ta përmbushë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë.

KFOR-i tha se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme dhe në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me rolet e tyre përkatëse në fushën e sigurisë.

Shoqëria civile i drejtohet Kushtetueses për afatin e konstituimit të Kuvendit

Fotografi ilustruese nga seanca parlamentare në Kuvendin e Kosovës më 27 qershor 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese të Kosovës me kërkesë që të ndërmarrë veprime lidhur me zbatimin e Aktgjykimit që përcakton afatin për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Organizatat, të udhëhequra nga AVONET, kërkojnë nga Gjykata të vlerësojë nëse aktgjykimi i saj është zbatuar në përputhje me përcaktimet dhe afatet e tij, pas dështimit të Kuvendit që të përfundojë procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues.

Rrezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit u certifikuan më 8 korrik, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përfundoi më 7 gusht.

Në këtë rast, seanca konstituive e Kuvendit u hap më 6 gusht, por nuk përfundoi me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit. Vazhdimi i seancës ishte caktuar për 8 gusht, pra pas përfundimit të afatit 30-ditor.

Pikërisht për këtë arsye, AVONET dhe 13 organizatat e tjera kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë nëse Aktgjykimi përkatës është zbatuar në mënyrë të rregullt.

“Qëllimi është të sigurohet qartësi juridike dhe institucionale lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit dhe respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e publikuar.

Partitë të ndara për afatin e konstituimit

Partia Demokratike e Kosovës ka insistuar se procesi i konstituimit duhet të përfundojë pa vonesa të mëtejshme, duke argumentuar se obligimi kushtetues vazhdon të jetë në fuqi edhe pas skadimit të afatit 30-ditor. Ajo ka kërkuar që seanca të vazhdojë dhe ka paralajmëruar veprime ligjore, politike dhe demokratike.

Lidhja Demokratike e Kosovës po ashtu ka insistuar në respektimin e afateve dhe procedurave kushtetuese, ndërsa ka zhvilluar disa takime me Lëvizjen Vetëvendosje për të gjetur një marrëveshje.

Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka mbështetur nevojën për një marrëveshje politike para vazhdimit të procesit. Kryetari i saj, Albin Kurti, ka kërkuar kohë për konsultime me partitë, veçanërisht për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm.

Ndërsa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar vazhdimisht respektimin e afateve kushtetuese dhe ka fajësuar Vetëvendosjen për bllokimin e procesit, ndërsa ka refuzuar takimet e propozuara nga Kurti.

Kuvendi ende në ngërç

Kërkesa e organizatave vjen në një kohë kur Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend të konstituuar, më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Seanca konstituive e Kuvendit nisi më 6 gusht, por procesi u përball me shtyrje dhe paqartësi rreth mënyrës se si do të vazhdohej me konstituimin e plotë të institucionit.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte kërkuar kohë shtesë për konsultime me partitë e tjera politike, duke e lidhur nevojën për një marrëveshje më të gjerë edhe me zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Mungesa e një marrëveshjeje politike për presidentin ishte një prej çështjeve që çoi Kosovën në zgjedhje të parakohshme.

Ndërkohë, Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje aktorëve politikë që të arrijnë sa më shpejt një marrëveshje për një kandidat të përbashkët për president, duke paralajmëruar se vonesat në formimin e institucioneve mund të pengojnë reformat dhe të ndikojnë në përfitimin e fondeve të BE-së.

Ngërçi institucional ka pasoja edhe për zbatimin e Agjendës së Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.

Kosovës i janë alokuar 882.6 milionë euro në kuadër të këtij plani për periudhën 2024–2027. Deri tani, vendi ka pranuar 61.8 milionë euro në formë parafinancimi.

Për pjesën tjetër të mjeteve, Kosova duhet të dëshmojë zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformave.

Gjithsej 27 hapa reformues, me vlerë prej 165.9 milionë eurosh, kanë afat përfundimtar për përmbushje deri në dhjetor të vitit 2026.

Komisioni Evropian ka paralajmëruar se kriza politike tashmë ka ndikuar në ritmin e zbatimit të reformave dhe ka vënë në rrezik një pjesë të financimit.

Senatorja republikane Joni Ernst viziton Kosovën, takohet me Haxhiun dhe komandantin e KFOR-it

Senatorja amerikane, Joni Ernst, gjatë takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu.

 

Radio Evropa e Lirë

Senatorja amerikane, Joni Ernst, po qëndron për vizitë në Kosovë, ku më 11 gusht është takuar me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozkan Ulutash.

Haxhiu tha se me senatoren republikane nga Ajova ka diskutuar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë, çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Haxhiu shkroi në Facebook se Ernst është një mike e dëshmuar e Kosovës dhe një zë i rëndësishëm në mbështetje të partneritetit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ernst po e viziton Kosovën në një kohë të ngërçit institucional, pasi partitë politike dështuan ta konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të qershorit, brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa vendi ka një ushtruese të detyrës së presidentes dhe një kryeministër në detyrë.

Deri në publikimin e këtij lajmi, senatorja Ernst nuk kishte bërë deklarata publike për përmbajtjen e takimeve të saj në Kosovë.

Haxhiu njoftoi se e ka dekoruar Ernstin me Medaljen Presidenciale të Meritave për, siç tha, kontributin e saj në fuqizimin e partneritetit Kosovë–SHBA dhe në mbështetjen e zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.

Ernst është anëtare e Komitetit për Shërbimet e Armatosura të Senatit amerikan.

Gjatë së martës, ajo vizitoi edhe selinë e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Camp Film City në Prishtinë, ku u prit nga komandanti i misionit, Ulutash.

KFOR-i njoftoi për takimin, por nuk dha hollësi për temat e diskutuara.

Ambasada amerikane në Prishtinë kishte njoftuar një ditë më herët për mbërritjen e Ernstit në Kosovë. Sipas Ambasadës, ajo mori pjesë në takime në selinë diplomatike amerikane dhe vizitoi Manastirin e Graçanicës, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjatë vizitës në Graçanicë, Ernst u takua edhe me mitropolitin e Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, sipas njoftimit të Dioqezës Rashkës dhe Prizrenit të Kishës Ortodokse Serbe.

Dioqeza tha se Teodosije i ka shprehur senatores shqetësime lidhur me pozitën e komunitetit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe me zhvillimet e fundit të sigurisë.

Sipas saj, në takim u diskutua edhe për fillimin e integrimit gradual të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit, si dhe për situatën në urën mbi Ibër në Mitrovicë.

KFOR-i njoftoi më 10 gusht se ka nisur “tranzicionin gradual” të pranisë së tij të përhershme nga ura kryesore mbi Ibër në Mitrovicë, si dhe “integrimin gradual” të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit.

Teodosije ka kërkuar që KFOR-i të vazhdojë të ketë rol të rëndësishëm në garantimin e sigurisë në këto zona, duke argumentuar se niveli i besimit ndërmjet komuniteteve dhe institucioneve mbetet i ulët.

Ernst e kishte vizituar Kosovën edhe në vitin 2021. Në një intervistë të atëhershme për Radion Evropa e Lirë, ajo kishte shprehur mbështetje për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt një ushtrie, për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe për një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo kishte paralajmëruar gjithashtu për rritjen e ndikimit rus në Ballkanin Perëndimor.

Sébastien Gricourt: Në Kosovë, ju keni zhgënjyer shumë njerëz pasi atje të gjithë (përveç 4% të pakicës serbe) janë mbështetës të popullit ukrainas!

Sébastien Gricourt, që i drejtohet publikisht Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, është një ekspert dhe zyrtar francez i cili shërben si një pikë e rëndësishme lidhëse midis Francës dhe Kosovës, me një angazhim të gjatë profesional dhe personal në rajonin e Ballkanit që nga fillimi i viteve ’90.

 

I dashur President Zelensky,

Ndërsa bota demokratike ju admiron ju dhe popullin tuaj,

ne pyesim veten se çfarë shkuat të gjeni në #Beograd pranë autokratit #Vuçiç.

A ishit në mision për disa shtete anëtare të BE-së duke shpresuar më kot se #Serbia do të ndahet nga #Rusia (dhe #Kina) dhe do të sillej si një kandidat i ndershëm dhe i sinqertë për BE-në, siç është #Ukraina?

A jeni mirënjohës për disa municione që Serbia po u dërgon trupave tuaja ndërsa mercenarët serbë po i shërbejnë Rusisë kundër vendit tuaj?

Apo ndoshta keni pasur një objektiv tjetër…

Sidoqoftë, cilado qoftë arsyeja dhe strategjia shtetërore që kanë motivuar qëndrimin tuaj në Beograd, në #Kosovë, ju keni zhgënjyer shumë njerëz pasi të gjithë njerëzit e saj (përveç 4% të pakicës serbe) janë mbështetës të popullit ukrainas

(disa nga gazetarët tuaj janë madje të pritur nga Qeveria, dhe a e dinit se ka trajnime për çminim për djemtë tuaj në Kosovë?).

Gjithsesi, ne qëndrojmë me ju në solidaritet të plotë ndërsa të gjithë po luftojmë për një #Evropë të fortë, të lirë dhe demokratike.

Me respekt nga #Prishtina, nga një shtet i pavarur, një shtet që Ukraina një ditë do ta njohë plotësisht vlerat për të cilat po luftoni me guxim.

#slavaukraina


Send this to a friend