VOAL

VOAL

Hovenier: FSK u tregua partner i besueshëm, shmangu provokimet më 24 shtator

Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka folur në një organizim të FSK-së për atë që ka ndodhur në veri të Kosovës më 24 shtator.

Hovenier ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ka demonstruar pjekuri profesionale atë ditë, duke ngritur reputacionin e tyre si partner i besueshëm duke shmangur provokimet që kanë mundur të rezultojnë me përshkallëzim të situatës ditën e sulmit në Banjskë.

“Dua ta përmend se gjatë sulmit të 24 shtatorit në sovranitetin e Kosovës nga një grup i armatosur paramilitar, Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Ministrja e Mbrojtjes kanë demonstruar pjekurinë profesionale dhe durimin e tyre duke lartësuar reputacionin e tyre si partner të besueshëm duke shmangur provokimet që kanë mundur të rezultojnë në përshkallëzim të mëtejmë”, ka thënë Hovenier.

Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës sot kanë mbajtur konferencën vjetore ndërkombëtare “FSK dhe partnerët 2023”./Express/

Konjufca: Plani perëndimor për Asociacionin në përputhje me Kushtetutën

VOA/Leonat Shehu

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca tha sot se propozimi i diplomatëve perëndimorë për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që i është dorëzuar qeverisë së Kosovës, sipas tij, është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk krijon një nivel të tretë pushteti.

“Nuk e kam shqyrtuar me kujdes por vetëm një shikim sipërfaqësor, por është plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha zoti ai

Zoti Konjufca tha se gjithsesi drafti final duhet të hartohet nga qeveria e Kosovës dhe ai nuk duhet të negociohet me Serbinë.

“Dallimi që unë mendoj që është esencial për Republikën e Kosovës dhe institucionet tona shtetërore ka të bëjë më faktin që për Asociacion nuk duhet të negociohet, nuk është asociacioni le të themi temë qendrore e negociatave me Serbinë”, tha zoti Konjufca.

Ai i bëri këto komente pak ditë pasi të dërguarit perëndimorë paraqiten në Prishtinë dhe Beograd një plan për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër për të cilin pritet që nesër të diskutohet në Bruksel.

Zyrtarët evropianë i thanë të martën Zërit të Amerikës se pjesë e diskutimeve të Brukselit do të jetë edhe “një propozim modern evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.”

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç pritet të takohen të enjten ndaras me presidentin francez, kancelarin gjerman, kryeministren italiane dhe udhëheqës të Bashkimit Evropian, për të diskutuar mënyrat për të zbatuar marrëveshjen e arritur në fillim të këtij viti në Bruksel dhe Ohër.

“Presim nga të dyja palët, Kosova dhe Serbia, që menjëherë dhe pa kushte t’i kthehen përmbushjes së detyrimeve nga dialogu dhe shtensionimit të situatës”, tha zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano, duke nënvizuar se nuk do të ketë takim të nivelit të lartë mes palëve nesër në Bruksel.

Qeveria e Kosovës tha të mërkurën se “kryeministri Albin Kurti ka shprehur dakordimin e tij që plani i paraqitur nga diplomatët, për të cilin nuk janë dhënë hollësi, të jetë kuadri i vazhdimit të diskutimeve të mëtejshme me shtetet aleate, Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, që do të duhej të siguronte një komponent të fuqishëm të sigurisë dhe gjithashtu të fuqizonte perspektivën e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare”.

Diplomatët shpresojnë që të arrihet një përparim deri në takimin udhëheqësve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që fillon të enjten pasdite.

Shtimi i trysnisë perëndimore për zbatimin e marrëveshjes pasoi sulmin e 24 shtatorit kur një grup serbësh të armatosur sulmoi policinë e Kosovës në fshatin Banjskë në veri duke vrarë një oficer policie. Tre sulmues u vranë gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon.

Diplomatët perëndimorë thonë se 24 shtatori dëshmoi rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

‘Ofruan një plan të ri’: Qeveria e Kosovës njofton se çfarë iu kërkoi ndërmjetësve të BE dhe SHBA

Deklaratë e Qeverisë së Kosovës pas takimit me të Dërguarit e BE dhe të SHBA mbi tensionet me Serbinë dhe normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Prishtinë – Kryeministri Albin Kurti priti në takim emisarët Lajçak e Escobar dhe këshilltarët e liderëve shtetërorë të Gjermanisë, Francës e Italisë.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, priti në takim Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák, Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarët për polikë të jashtme dhe siguri të Kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe të Presidentit të Francës, Emmanuel Macron, z. Jens Plötner dhe z. Emmanuel Bonne, si dhe zëvendës këshilltarin diplomatik të Kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni, Alessandro Cattaneo.

Kryeministri i falënderoi për vizitën e përbashkët. Ai theksoi që prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit. Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.

Në takim u bisedua për normalizimin e marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars).

Kryeministri theksoi që është i nevojshëm reflektimi cilësor dhe një qasje e re.

Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.
ImageImage

Lajçak: Deeskalimi dhe normalizimi më urgjente se kurrë, kushtet dhe vonesat të papranueshme

Pesëshja diplomatike perëndimore që pritet të kryejë vizita në Prishtinë dhe Beograd. Nisur prej djathtas: Gabriel Escobar, Jens Plotner, Mirosllav Lajçak, Emmanuel Bonne, dhe Francesco Talo.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë të shtunën se deeskalimi i gjendjes dhe normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë më urgjente së kurrë më parë.

Duke folur pas një takimi të pesë diplomatëve të Perëndimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në Prishtinë, Lajçak tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.

“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajcak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Ai theksoi se Kurti, si kryeministër i Kosovës, “ka përgjegjësi të bëjë përparim në normalizimin e marrëdhënieve, nëse Kosova dëshiron të bëjë përparim drejt Bashkimit Evropian”.

“Këtu, ne duhet ta nënvizojmë nevojën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë pa asnjë vonesë tjetër. Pa këtë, nuk do të ketë përparim në rrugën evropiane të Kosovës” paralajmëroi Lajçak.

Pesë diplomatë të Perëndimit nisë më 21 tetor vizitat në Kosovë dhe Serbi, me një qëllim kryesor – ringjalljen e dialogut mes dy vendeve.

Kështu i ka arsyetuar Bashkimi Evropian vizitat e të dërguarit të tij për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, bashkë me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe zyrtarët e lartë nga Franca, Emanuel Bonne, Gjermania, Jens Plotner dhe Italia, Francesco Talo, në Prishtinë e Beograd.

Autoritetet në Beograd kanë thënë se takimet në kryeqytetin serb do të nisin në orën 14:00.

Burimet diplomatike në Bruksel, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë synohet të dërgohet mesazh se ekziston unitet mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së, që të punohet në zbatim të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, të arritur në shkurt të këtij viti në Bruksel.

Një muaj më vonë, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, është arritur pajtueshmëri për aneksin e zbatimit të saj.

Në një samit të mbajtur më 20 tetor mes SHBA-së dhe BE-së në Uashington, palët kanë bërë thirrje për zbatim të “shpejtë dhe pa kushte” të Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe që dy vendet t’i kthehen dialogut.

“Nënvizojmë nevojën që Kosova dhe Serbia, urgjentisht t’i ulin tensionet dhe shpejt, e pa kushte ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes tyre dhe të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja“, është thënë mes tjerash në deklaratën e miratuar.

Por, pas zhvillimeve në Banjskë të Zveçanit, autoritetet e Kosovës kanë thënë se gjërat më nuk mund të jenë njësoj sa i përket rrjedhës së dialogut.

Më 24 shtator, në Banjskë është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, si pasojë e sulmeve të një grupi të armatosur serb.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit, mes policisë dhe atij grupi, janë vrarë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili më pas ka hequr dorë nga të gjitha funksionet e partisë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Kosova është në kërkim të ekstradimit të Radoiçiqit nga Serbia.

Kosova e fajëson Serbinë për sulmin e 24 shtatorit, por ajo i hedh poshtë të gjitha pretendimet.

Çfarë kërkon Kosova?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 20 tetor se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Kryenegociatori i Kosovës për dialogun mes dy vendeve, Besnik Bislimi, ka thënë se fillimisht duhet të hiqen masat ndaj Kosovës, dhe Serbisë nuk duhet t’i lejohet të bëjë agresion përsëri në Kosovë.

Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës muaj më parë, pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës.

Situata, me raste, është përshkallëzuar në dhunë.

Kërkesën e Kosovës për vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Serbisë e ka bërë edhe Parlamenti Evropian, i cili përmes një rezolute të miratuar më 19 tetor, ka kërkuar që Beogradi të përballet me pasoja nëse vërtetohet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin në Banjskë.

Çfarë kërkohet nga dy vendet?

Burimet në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se pritjet e diplomatëve janë që Kosovës t’i kërkohet që ta gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund ta rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Nga Serbia besohet se do të kërkohet që të distancohet nga secili veprim që mund ta destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu t’i zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.

Marrëveshja për normalizim – kyçe

Diplomatët perëndimorë e kanë përmendur disa herë se zbatimi i Marrëveshjes së arritur më 27 shkurt në Bruksel është hap kyç për rrugën përpara drejt integrimeve evropiane.

Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

“Do të ketë propozime interesante”

Ditë më parë, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka thënë për televizionin N1 në Serbi se në takimet e 21 tetorit, Kosovës dhe Serbisë do t’iu bëhen “propozime interesante”, pa dhënë më shumë hollësi.

Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Vetëm kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq janë takuar tetë herë në kuadër të këtij dialogu, prej vitit 2021, por të gjitha takimet kanë përfunduar pa nënshkrim të ndonjë marrëveshjeje.

Vizat e Kosovës, KE: Liberalizimi hyn në fuqi më 1 janar 2024, një shtet s’mund të vendosë pezullimin

Komisioni Europian nuk ka pranuar të bëjë komente mbi deklaratën e bërë nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, gjatë vizitës së tij në Tiranë, por ka theksuar se liberalizimi i vizave për Kosovën do të hyjë në fuqi në fillim të vitit që vjen.

“Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit 2024 dhe do t’i lejojë ata që të udhëtojnë brenda hapësirës së Bashkimit Europian për 90 ditë.”
Kështu është përgjigjur zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme, Anitta Hiper, pasi është pyetur nëse Franca ka propozuar pezullimin e liberalizimit të vizave të Kosovës.

Përpos kësaj, në përgjigjen e tij, Komisioni Europian sqaron se një shtet i vetëm nuk mund të vendosë që të pezullojnë një regjim të lëvizjes pa viza pasi ky i fundit është vendosur.

Vendime të tilla, siç sqaron KE, mund të merren vetëm në nivel të BE-së, duke u bazuar në rregullat e unionit për dhënien apo pezullimin e regjimeve pa viza.

“Ne jemi në kontakt me të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Euopian dhe nuk bëjmë komente mbi komentet. Në prill 2023, Parlamenti Europian dhe Këshilli adoptuan rregulloren 2023/850 të (BE), duke u hequr mbajtësve të Pasaportës së Kosovës, regjimin e vizave. Liberalizimi i vizave për shtetasit e Kosovës do të hyjë në fuqi në 1 janar të vitit 2024. Do t’ u lejojë qytetarëve të Kosovës që të udhëtojnë në hapësirën e Bashkimit Europian pa viza për 90 ditë në çdo periudhë kohore prej 18 ditësh.

Komisioni ka vlerësuar që nga korriku 2018 se Kosova i përmbush të gjitha standardet e Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave. Kosova ka punuar vazhdimisht për të përmbushur standardet. Shtete të veçanta anëtare nuk mund të vendosin të pezullojnë një regjim pa viza. Rregullat në lidhje me dhënien, pezullimin ose përfundimin e përjashtimeve të vizave janë plotësisht të harmonizuara në nivel të BE-së dhe kërkojnë vendime në nivel të BE-së, ka deklaruar për A2CNN Anitta Hiper, zëdhënësja e Komisionit Europian për Punët e Brendshme.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha në Tiranë më 17 tetor se Franca bëri një “gjest besimi sa i përket çështjes së vizave për Kosovën”.

“Dua ta them një gjë me shumë qartësi. Ne kemi bërë një gjest besimi për çështjen e vizave. Sa i përket Francës, ato [vizat] janë hequr sepse ne respektojmë fjalën e dhënë. E sot, fjala nuk po mbahet. Pres një angazhim real nga këto dy autoritete [Kosova dhe Serbia] që të ecin përpara në javët e ardhshme. Ky është vetë kushti për paqe në gjithë rajonin”, deklaroi Macron.

Agjencia franceze e lajmeve, AFP, lidhur me deklaratën e Macronit në Tiranë për vizat, tha se me këtë “ai e ka kërcënuar Kosovën me zhbërjen e vendimit të vizave”.

Zbatimi i vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2024. Macron foli për vizat në Tiranë duke e ndërlidhur situatën politike mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti francez tha se ka ndjekur rritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që të dyja palët të ndërmarrin hapa për të shtensionuar situatën. Ai tha se është “përgjegjësi e [presidentit të Serbisë, Aleksandar] Vuçiqit t’i dënojë prerazi sulmet e 24 shtatorit, sepse kontribuon në kthimin e qetësisë në kufi”. Presidenti francez iu referua sulmeve të 24 shtatorit ndaj policisë së Kosovës nga një grup i serbëve të armatosur.

“Në etapat e ardhshme ajo që presim nga autoritetet, nga të dyja palët është e thjeshtë: Riorganizimi i zgjedhjeve në komunat e banuara me shumicë serbe, pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje e institucione, krijimi i asociacionit të komunave serbe nga autoritetet kosovare. Pres që Vuçiqi të jetë i përgjegjshëm dhe të njëjtën gjë pres edhe nga presidentja dhe kryeministri i Kosovës”, tha Macron.

Nga fikja e dritave te protesta, çfarë ndodhi sot në Kuvendin e Shqipërisë dhe pse u kthye në arenë ‘beteje’

Salla e seancave plenare këtë të enjte u shndërrua në arenën e protestës së PD sidomos të deputetëve që mbështesin Sali Berishën. Demokratët kishin një strategji të qartë. Një orë para nisjes së punimeve të seancës ata mbërritën në Kuvend.

Menjëherë zunë vendin ku ulet kryetarja e Kuvendit, karriget e ministrave, dhe hoqën kartat nga ulëset e deputetëve, me qëllim pengimin e zhvillimit normal të seancës plenare. Përmes transmetimit live në rrjetin social Facebook, Sali Berisha dha mesazhin se ky ishte vetëm fillimi i betejës.

Deputetët socialistë mbërritën në Kuvend, por në kushtet e kaosit ishte i pamundur zhvillimi i seancës. Për opozitën, Kuvendi me vendime politike kërkon asgjesimin e të drejtave të opozitës.

Me të dalë deputetët e maxhoranës, administrata e Kuvendit shkëputi ndriçimin në sallën e seancave, por opozitarët vijuan të qëndronin në errësirë, me fjalime e këngë patriotike. Për opozitën kjo është nisja e rezistencës ndaj mazhorancës që i refuzon sipas tyre çdo të drejtë kushtetuese.bw

KFOR njofton ardhjen e qindrave ushtarëve britanikë dhe rumunë në Kosovë, rritet prania e trupave në kufi me Serbinë

Misioni paqeruajtës i NATO-së në Kosovë, KFOR, ka njoftuar se një kontingjent prej 200 ushtarësh britanikë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit dhe më shumë se 130 trupa shtesë nga Rumania kanë arritur në Kosovë dhe iu bashkuan kontingjentit të Britanisë së Madhe.

Tashmë në Kosovë kanë dislokuar 400 trupa shtesë të përforcuar misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

“Dislokimi vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator dhe rritjes së tensioneve në rajon për të përmirësuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe patrullimin përgjatë vijës kufitare administrative”, thuhet në njoftimin e KFOR-it, transmeton Telegrafi.

Sipas KFOR-it, shtimi i trupave të KFOR-it “bazohet në një kërkesë të Komandantit Suprem të Aleatëve të NATO-s në Evropë dhe u miratua nga Aleatët në Këshillin e Atlantikut të Veriut si një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të ketë forcat që i nevojiten për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

“NATO ka udhëhequr një operacion paqeruajtës në Kosovë që nga viti 1999 në përputhje me mandatin e saj sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

KFOR-i aktualisht përbëhet nga mbi 4.500 trupa të kontribuar nga 27 aleatë dhe partnerë të NATO-s.

Ambasadori francez: Liberalizimi i vizave për Kosovën është në fuqi, fillon më 1 janar 2024

Prishtinë – “Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka dashur të japë një mesazh politik për Kosovën dhe Serbinë, me deklaratën e tij para dy ditësh të dhënë në Tiranë, sipas së cilës, të dy vendet duhet ta mbajnë fjalën e dhënë”:  – kështu deklaroi ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guérot në intervistë ekskluzive për RTK Prime.

Olivier Guérot konfirmoi se nuk ka vendim për pezullim të vizave për Kosovën nga ana e Francës dhe se liberalizimi do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024.

Ndër tjerash,në këtë intervistë ambasadori francez flet edhe për dialogun Kosovë-Serbi, situatën e krijuar pas sulmit të 24 shtatorit e tema të tjera.

Reagon ambasada franceze në Prishtinë: Presidenti Macron nuk përmendi anulim vizash

Ambasada e Francës në Kosovë ka sqaruar deklaratën në Tiranë në Presidentit francez, Emmanuel Macron në lidhje me liberalizimine  vizave për Kosovën.

Në një përgjigje për mediat e Kosovës, ambasada e Francës në Prishtinë ka thënë se theksi i deklaratës së Macron ka qenë më shumë kërkimi i përgjegjësisë nga Vuçiçi për aktet e 24 shtatorit.

Ambasada franceze thotë se Macroni nuk përmendi anulimin e vizave.

“Ai bëri thirrje për një frymë përgjegjësie të presidentit serb Vuçiç, dhe të njëjtat pritshmëri i kishte edhe nga presidentja dhe kryeministri kosovar.

Pikërisht në këtë kontekst, ai përmendi edhe çështjen e liberalizimit të vizave, e cila ishte një gjest mirëbesimi, por që në këtë periudhë nuk ishte reciproke. Prandaj, ai pret që autoritetet kosovare, sikurse edhe autoritetet serbe, të respektojnë fjalën e dhënë dhe të riangazhohen për të ecur përpara në javët e ardhshme”, thuhet tutje në përgjigjen e Ambasadës franceze për mediat.bw

“Ka rrezik për ndërhyrje në procedurë”, Gjykata Speciale në Hagë zgjat paraburgimin për Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë vendosur të vijojnë masën e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

Vendimet për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit, janë marrë nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III më 16 tetor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtyre vendimeve, më 25 shtator 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dërguar parashtresat e saj për rishikimin e masës së paraburgimit për Thaçin dhe Veselin.

Në arsyetimin e Gjykatës, thuhet se është i pamjaftueshëm justifikimi se Veseli dhe Thaçi mund të arratisen nga drejtësia, megjithatë raportohet se paneli është i bindur se ekziston rreziku se ata mund të pengojnë mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të kryejnë krime të mëtejshme kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dëshmuar apo atyre që mund të ofrojnë prova në këtë rast.bw

Osmani nuk dekreton Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se nuk e ka dekretuar Blerim Isufajn në postin e Kryeprokurorit të Shtetit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës më 8 prill 2022 i kishte dërguar propozimin Presidencës me emrin e Isufajt.

Gjatë një konference për media në Prishtinë, Osmani renditi disa shkelje ligjore, që tha se janë gjetur në procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorit, prandaj ajo ka marrë vendim që të mos e dekretojë atë.

Presidentja tha se i ka kërkuar Këshillit Prokurorial që të propozojë një emër tjetër për këtë post, duke u bazuar në merita dhe transparencë.

Osmani tha se për vlerësimin që ka bërë Presidenca për çështjen e kryeprokurorit janë marrë parasysh vlerësimet e bëra nga organizatat joqeveritare dhe institucionet ndërkombëtare.

Ajo tha se për çështjen e kryeprokurorit është përballur me presione të paligjshme.

“Ka pasur njerëz që dërgonin mesazhe se ‘në qoftë se nuk e dekreton, do të vëmë dosje, do të ngremë aktakuza’”, tha Osmani, duke e cilësuar si “shqetësuese” është ideja që personat brenda sistemit mund ta kërcënojnë presidenten e vendit për një çështje.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shkroi në Facebook se vendimi i Osmanit është në linjë me qëndrimet e shprehura nga organizatat joqeveritare, ambasadat, Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Komisioni Evropian.

“Këshilli Prokurorial ka dështuar të udhëheqë një proces të bazuar në meritokraci dhe integritet”, shkroi ai.

Të zhgënjyer me procesin e përzgjedhjes vitin e kaluar janë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara.

Me ligjin në Kosovë, kryeprokurori duhet të dekretohet nga presidenti i shtetit.

Në garë për postin e Kryeprokurorit të Shtetit, përveç Blerim Isufajt, kanë qenë edhe Armend Hamiti, Lulzim Sylejmani, Shqipdon Fazliu dhe Kujtim Munishi.

Kryeprokurorit të deritashëm të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka skaduar mandati më 21 prill, 2022.

Aktualisht, ushtrues i detyrës është Besim Kelmendi, i cili i ka kompetencat e plota të Kryeprokurorit të Shtetit.rel

Ministri i Mbrojtjes i Turqisë, Güler, viziton sot Kosovën

Prishtinë – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pret sot në takim ministrin e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Yaşar Güler, i cili gjendet për vizitë zyrtare në vendin tonë. Zyra e Presidentes Osmani njofton se takimi nis në orën 13:35.

Përmes një njoftimi për medie, më herët, është bërë e ditur ministri turk do të qëndrojë sot për vizitë në Kosovë.

Ministri i Mbrojtjes të Turqisë, Yaşar Güler, sot do të pritet edhe nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, raporton RTKlive.

“Ceremonia zyrtare e pritjes do të zhvillohet nga ora 09:00 dhe do të shoqërohet  me togun ceremonial të FSK-së. Të dy ministrat do të mbajnë takimin kokë më kokë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, ministri Güler, do të pritet në takim nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari.

Javën e kaluar, gjenerali turk Ozkan Ulutash mori komandën e 4,500 ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, duke përfshirë 780 ushtarë turq. Pritet që deri në fund të vitit, numri i kontingjentit turk në KFOR mund të arrijë në 1 mijë pjesëtarë.

Në fjalimin e tij të parë si komandant i KFOR-it, Ulutash tha se ishte krenar që mori detyrën e tij si oficeri i parë turk në krye të këtij misioni të NATO-s.

Sveçla publikon foto të reja të minave: Kemi të bëjmë me grupe terroriste të mirëorganizuara

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se armatimi i konfiskuar së fundmi në veri, tregon nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia.

Nëpërmjet një postimi në platformën X, Sveçla krahas disa fotografive të publikuara të minave, ka thënë se ato janë një tjetër provë që Kosova ka të bëjë me grupe terroriste të mirëorganizuara.

“Armatimi i konfiskuar në veri të Kosovës jep sinjale të qarta për nivelin e përgatitjeve për sulme dhe përshkallëzim nga Serbia. Minat dhe pajisjet e sofistikuara më poshtë janë një tjetër provë. Nevojitet ndonjë provë tjetër që kemi të bëjmë me grupe terroriste të mirëorganizuara”, ka shkruar ai.

Të shtunën është zhvilluar një bastisje e policisë në disa zona të veriut të Kosovës, ku janë gjetur granatahedhës dore, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat e teledirigjim. syri.net

Lista Serbe shprehet e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet komunale në veri të Kosovës

VOA

 

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi, tha të premten se është e gatshme të marrë pjesë në zgjedhjet e reja komunale në veri të Kosovës, duke i bërë thirrje Prishtinës për shpalljen sa më parë të tyre.

Shpallja e kësaj gatishmërie pasoi thirrjen e një nate më parë të presidentit te Serbisë Aleksandar Vuçiç drejtuar përfaqësuesve te serbëve në Kosovë që siç tha, “të dalin me nisma për organizimin sa më parë të zgjedhjeve në katër komunat” me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Kësisoj do të fillonte procesi me të cilin mekanizmat e pushtetit do të ishin në duart e atyre që jetojnë atje”, tha presidenti serb të mërkurën në mbrëmje ne nje interviste me televizionin Prva në Beograd.

“Sikundër gjithmonë i kemi marrë vendimet në bashkëpunim me Beogradin dhe presidentin Aleksandar Vuçiç, do të dëgjojmë këshillën e tij dhe jemi të gatshëm të dërgojmë mesazhin nga ky vend se jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhjet në katër komunat në veri dhe në këtë mënyrë të nxisim procesin politik dhe dialogun që do të ndihmonte përmbushjen e kushteve tona. Prandaj, kërkojmë nga Prishtina që sa më parë të shpallë zgjedhjet për kryetarët e rinj dhe kuvendet e reja të të katër komunave”, tha të premten kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, në një konference me gazetarë në Mitrovicën e Veriut.

Nuk pati ndonjë reagim të menjëhershëm nga institucionet në Prishtinë që janë shprehur të gatshme të organizojnë zgjedhje të reja në veri përmes një udhëzimi administrativ i cili ua mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave përmes një peticioni.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan e Zubin Potok udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e muajit prill që u bojkotuan nga partitë serbe. Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s.

Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian u pajtua të organizojë zgjedhje të reja si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës në veri.

Rizvanolli: Serbia po e bojkoton udhërrëfyesin për energjinë

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, e ka akuzuar të enjten Serbinë se nuk po e zbaton udhërrëfyesin për marrëveshjen për energjinë në katër komunat në veri të Kosovës.

“Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët se, një mënyrë e tillë e funksionimit, nuk mund të funksionojë. Institucionet tona kanë kryer detyrat në afatet e duhura të marrëveshjes, kurse nga pala tjetër ka sabotim,” tha Rizvanolli.

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për energjinë më 2013, por ajo kurrë nuk ishte zbatuar në tërësi.

Në qershor 2022, palën u pajtuan në Bruksel për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë.

Në bazë të udhërrëfyesit, kompania për furnizim dhe faturim të veriut me rrymë do të merret kompania serbe, Elektrosever, por BE-ja kishte konfirmuar vitin e kaluar se ka vonesa në zbatimin e udhërrëfyesit.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.

Përgjatë viteve, borxhi i tyre është paguar nga qytetarët e komunave të tjera të Kosovës dhe që nga viti 2017 nga Qeveria e Kosovës.

Por, Rizvanolli theksoi se Qeveria e Kosovës nuk ka ndarë ndonjë shumë të mjeteve financiare për pagesën e faturave të energjisë elektrike për banorët e katër komunave në veri të Kosovës.

“Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut i Kosovës (KOSTT) që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri,” tha Rizvanolli për mbledhjes se Qeverisë të enjten.rel

Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiqit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

“Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës.

Ministri kosovar tha po ashtu se Jevtiq është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.

Kosova ka fajësuar për këtë sulm – që e cilëson terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.

Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.rel

Kurti: Investimet në armatim janë rritur për 191 për qind

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se gjatë dy vjet e gjysmë të qeverisjes, ekzekutivi që ai udhëheq ka dyfishuar buxhetin për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha po ashtu se gjatë kësaj periudhe janë rekrutuar afër 2.000 ushtarë të rinj.

“Kemi rekrutuar 1.852 ushtarë të rinj, duke rritur numrin e përgjithshëm të ushtarëve për më shumë se 2/3. Ushtria jonë sot është më profesionale dhe më e përgatitur sepse gjatë kësaj periudhe, 3.325 ushtarakë kanë përfunduar trajnime profesionale jashtë vendit. Ata janë të pajisur më mirë se asnjëherë më parë, sepse investimet në armatim janë rritur për 191%. Arsenalit tonë ushtarak, ia shtuam dronët e mirënjohur luftarak Bayraktar”, shkroi Kurti.

Kosova aktualisht është në proces të transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Procesi ka nisur më 2018 dhe pritet të zgjasë dhjetë vjet.

Në mars të vitit 2022, FSK-ja, në bashkëpunim me forcat amerikane, iu bashkua misionit të parë paqeruajtës jashtë vendit.

Përveç me SHBA-në, Kosova ka marrëveshje edhe me Mbretërinë e Bashkuar për angazhimin e përbashkët të forcave ushtarake në misione të ndryshme.REL

Specialja bën dy arrestime për pengim të drejtësisë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) njoftoi të premten se i ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.

ZPS-ja theksoi se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi u arrestuan më 5 tetor në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe se ata janë dërguar sot në ndërtesën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi të procedurës paraprake më 9 tetor.

Ata dyshohet se u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyqin e Dhomave të Specializuara, sipas njoftimit.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake e konfirmoi aktakuzën kundër Januzit dhe Bahtjarit më 2 tetor 2023.

“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan për shkeljet e kryera kundër administratës së drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale…pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, thuhet në njoftim.

Në arrestimin e tyre ndihmuan edhe Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës në përputhje me legjislacionin e Kosovës, tha ZPS-ja.

Sipas aktakuzës së konfirmuar “midis më së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Januzi dhe Bahtjari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 për ta nxitur dëshmitarin 1 që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, përfshirë përmes përdorimit të kërcënimit të rëndë…. më pas ata u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale me dëshmitarin 1.”

Bahtjari dhe Januzi do të paraqitet para gjykatësit të hënën, 9 tetor, në dy seanca ndarëse në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Më 2015, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e cila funksionon me ligje të Kosovës, por në territorin e Holandës. Në këtë institucion punojnë prokurorë dhe gjykatës të huaj.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Aktualisht, pranë Dhomave të Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.rel

Prapaskenat e sulmit terrorist të 24 shtatorit- Sveçla: Serbët do maskoheshin si ushtarë të KFOR, ky skenar mund të ripërsëritet

Ministri i Brendshëm i Kosovë Xhelal Sveçla ka zbuluar prapaskenat e 24 shtatorit, dita e sulmit terrorist të serbëve në veri të Kosovës, ku  mbeti i vrarë polici kosovar Afrim Bunjaku.

Sveçla tregon se trupat serbe ishin të pajisur me uniformat e KFOR-it, gjë e cila paraqiste elemente tepër të rrezikshme për një masakër të madhe të mundshme.

Në një lidhje me Skype për edicionin e mbrëmjes me Armela Ferkon në Syri Tv, Sveçla është shprehur se Aleksandër Vuçiçit nuk i zihet besë dhe ky skenar i Serbisë mund të përsëritet sërish.

Ai jo vetëm se shpërtoi dhjetra e dhjetra jetë të kolegëve të tij por shpëtoi Kosovën nga një skenar shumë ogurzi. Ne kemi shumë informata që zbardhin skenarin e Serbisë në 24 shtator, kishte diku deri në 90 terrorist të cilët u futën me armatime të rënda në republikën e Kosovës  dhe planifikuan të realizojnë një korridor mes republikës së Serbisë dhe dy komunave, Mitrovicës së Veriut dhe Zveçanit.

Këto armatime ishin armatime ushtarake  duke qënë se nuk përdoren nga policitë askund në botë dhe që as nuk mund të gjendjen as në treg zyrtar e as në treg të zi. Po flas për raketathedhës dore, për minahedhës -82mm, 62mm, po flas për mina antitank, mina antipersonel, po flas për eksploziv qoftë tritol, qoftë eksploziv plastik, po flas për top 30mm që do të thotë një arsenal i tërë i armëve të cilat janë marrë kazermat e ushtrisë së Serbisë .

Për këtë neve kemi dëshmi edhe të fletëpranimeve, fletëdorëzimeve  të këtyre armëve  dhe dukeqënëse ky plan përfshinte edhe një element jashtëzakonisht të rrezikshëm  ai ishte se disa nga veturat, nga 30 që u futën në Kosovë  kishin stikers me shenjën e KFOR-it , kishin edhe uniforma të KFOR-it italian dhe kishin diku rreth 24 armë me silenciator që do  të thotë se ata ishin të gatshëm të maskoheshin si pjesëtarë të KFOR-it dhe të ekzekutohin pjesëtarët e policisë, me ç’rast tensioniet do të rriteshin në një pikë ku realisht nuk do të dij se kush në kë po shtie.

Në të njëjën kohë këta kishin dhe një numër shumë të madh të uniformave dhe paisjeve të armëve me numër më të madh sesa ishin vetë që japin indikacion se ata ishin përgatitur që një pjesë të këtyre armatimeve e uniformave t’ia jepnin personave që tashmë ishin në Kosovë dhe numri i tyre patjetër që do të dyfishohej apo trefishohej. Po ashtu indikacionet janë se grupet tjera do të futeshin më pas përmes këtij korridori në Kosovë.

Ky skenar nuk përjashtohet se do të përsëritet. Fatmirësisht ata u ndanë jashtëzakonisht keq pas reagimit jashtëzakonisht profesional të policisë së Kosovës dhe kjo i jep shpresën se ata janë dëmtuar aq sa mos të provojnë sërish, por Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe qeverisë së tij nuk i zihet besë asesi”

Turqia merr komandën e KFOR-it, i kërkon Kosovës dhe Serbisë të përmbahen

Turqia do të marrë komandën e KFOR-it në një kohë kritike pasi tensionet shpërthyen mes Kosovës dhe Serbisë.

Turqia, e cila ka ushtrinë më të madhe në NATO pas ShBA-së, do të marrë drejtimin e misionit nga Italia më 10 tetor, tha të enjten kundëradmirali Zeki Akturk, zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.

Vendi ka marrëdhënie me të dyja palët, pasi ka zhvilluar lidhje tregtare me Serbinë ndërkohë që ka furnizuar me drone luftarake aleatin, Kosovën, raporton ‘Bloomberg’.

Turqia e sheh raportin personal të presidentit Recep Tayyip Erdogan me presidentin serb Aleksandar Vuçiq si potencialisht vendimtar në parandalimin e një përshkallëzimi të dhunës pas shkëmbimit të zjarrit vdekjeprurës të javës së kaluar në Kosovë, sipas njerëzve të njohur me këtë çështje, transmeton Klankosova.tv.

ShBA-ja i ka kërkuar Serbisë që të tërheqë trupat e saj nga kufiri me Kosovën dhe të mbajë përgjegjës përgjegjësit për dhunën, ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe tre nga grupi terrorist.

Turqia planifikon t’i kërkojë Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet që mund të dëmtojnë përpjekjet vjetore për të normalizuar marrëdhëniet midis fqinjëve, thanë njerëz të informuar në kushte anonimiteti.

Gjeneralmajor Ozkan Ulutas i ushtrisë turke mbërriti në Kosovë të martën për të marrë komandën e misionit, i cili përfshin një forcë turke prej rreth 600 trupash.

‘Bloomberg’ shkruan se Turqia e ka mbështetur tradicionalisht Kosovën, me të cilën ndan lidhje fetare dhe etnike, dhe së fundi i ka shitur vendit gjashtë dronë luftarakë pa pilot ‘Bayraktar TB2’ të përdorur gjithashtu nga Ukraina për të luftuar forcat ruse.

Kompanitë turke përdorin Serbinë si bazë prodhimi për eksportet në Evropë dhe Rusi, thanë njerëzit, duke shtuar se disa biznese, duke përfshirë sektorët e automobilave dhe tekstilit, kanë hapur biznes në Serbi, ku ka dhjetëra degë të huadhënësit shtetëror të Turqisë ‘Halkbank’.

Erdogani mund të vizitojë Beogradin si pjesë e një turneu në rajon në muajt e ardhshëm.

KFOR: Sundimi i ligjit është ekskluzivitet i Policisë së Kosovës, do rritim praninë në veri

Misioni i KFOR-it në Kosovë në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur rreth kërkesave që vijnë nga palë të ndryshme që kjo forcë e NATO-s ta marrë kontrollin e veriut pas sulmit terrorist të ndodhur më 24 shtator, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku.

Nga Besnik Velija

Nga KFOR kanë thënë se si rezultat i tensioneve që ndodhen në fillim të këtij viti, në Kosovë ishin dislokuar 500 trupa turke nga forca rezervë operacionale e NATO-s për Ballkanin Perëndimor, forca të cilat KFOR tregon që në shtator janë zëvendësuar nga trupat bullgare dhe greke.

Nga KFOR-i potencojnë se “forcat rezervë shtesë janë në nivel të lartë gatishmërie”, shkruan Gazeta Express.

Tutje kanë përmendur edhe vendimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut për vendosjen e forcave shtesë në Kosovë pas sulmit të 24 shtatorit.

200 trupat britanike që do të vijnë në Kosovë, KFOR bën të ditur se do të pasohen me përforcime të tjera nga aleatët.

“Trupat janë tërhequr nga rezerva strategjike e NATO-s për Ballkanin Perëndimor. Mbretëria e Bashkuar po vendos rreth 200 ushtarë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit për t’iu bashkuar një kontingjenti prej 400 trupash të Mbretërisë së Bashkuar që tashmë po ushtrohet në Kosovë, dhe përforcime të mëtejshme do të pasojnë nga aleatët e tjerë“, kanë potencuar për Express.

Ky vendim për shtim të trupave nga KFOR thonë se vjen pas sulmit të dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës dhe theksojnë se varësisht nga situata do të rregullojnë praninë e tyre.

“Ky është një hap i kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i ka forcat, aftësitë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për të përmbushur mandatin e tij të OKB-së për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme për të mirën e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. KFOR-i do të vazhdojë të rregullojë qëndrimin e tij, sipas nevojës”, kanë shtuar tutje.

Si rezultat i zhvillimeve të fundit, misioni i NATO-s ka theksuar se kanë shtuar gjithashtu praninë dhe aktivitetin në veri të Kosovës.

Sa i përket kërkesave për marrje të kontrollit të veriut, nga KFOR kanë bërë të qartë se mandati i tyre s’përfshinë zbatimin e ligjit dhe se kjo mbetet një kompetencë ekskluzive e Policisë së Kosovës.

“Mandati i KFOR-it në OKB është i qartë dhe nuk përfshin zbatimin e ligjit. Kjo mbetet një prerogativë ekskluzive e Policisë së Kosovës“, kanë potencuar nga KFOR për Express.

Në fund, KFOR bën thirrje që Kosova dhe Serbia të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-jë meqë është e vetmja mënyrë për të arritur paqe dhe stabilitet të qëndrueshem për të gjitha komunitetet.

“Ne i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të riangazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, i cili është mënyra e vetme për të arritur paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm për të gjitha komunitetet. Të gjitha palët duhet gjithashtu të përmbahen nga retorika nxitëse, e cila është kundërproduktive dhe rrezikon përkeqësimin e mëtejshëm të tensioneve“, kanë thënë nga KFOR-i.

Serbia pas sulmit terrorist ka kërkuar që KFOR-i të merret me situatën e sigurisë në Veri të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës ka deklaruar se “KFOR duhet të marrë në kontroll veriun e Kosovës. Çdo hezitim apo vonesë vështirëson të nesërmen”.

Rama ndërkohë ka deklaruar se kjo ka qenë edhe kërkesë e presidentes Vjosa Osmani. Megjithatë nga Zyra e Presidencës kanë sqaruar se kanë kërkuar nga KFOR-i përkrahje për institucionet e Kosovës, por jo marrje të kompetencave.

Ambasadori gjerman, Jorn Rohde dhe as ish-zëdhënësi i NATO-së, Jamie Shea, s’e kanë përkrahur idenë që KFOR-i të marrë kontrollin e Veriut.

Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi ka deklaruar se diçka e tillë do ta kthente Kosovën para 17 shkurtit 2008.

Vesna Pusici i përgjigjet Blinkenit: Ndërkombëtarët kanë problem me Kurtin se ai nuk korruptohet as shantazhohet

Ish Ministrja e Jashtme e Kroacise Vesna Pusic i është përgjigjur sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken i cili i bëri thirrje presidentit Vuçiq për të ulur tensionet me Kosovën dhe për të kërkuar llogari nga ata që janë përgjegjës për sulmet e fundit.

Pusici ju përgjigj Blinkenit, duke i kërkuar të shikojë të vërtetën në sy, teksa i kujton se arsyeja pse ndërmjetësuesit e ndryshëm ndërkombëtarë kanë probleme me kryeministrin e Kosovës Kurti, është se ai është një politikan i rrallë i pa korruptuar dhe i vështirë për t’u shantazhuar.

Ministri Sveçla publikon pamjet e reja: Autorët e sulmit të 24 shtatorit në veri u përgatitën në pronën e Radoiçiçit në Serbi

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media së bashku me drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha publikuan pamje të nxjerra nga dronët e sekuestruar, që tregojnë terroristët serbë duke u përgatitur disa ditë para sulmit të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

“Ky organizim terrorist kishte vetëm një qëllim: aneksimin e veriut të Kosovës”, tha Sveçla.

Ai tha se provat e paraqitura me video dëshmojnë “përgatitjet e këtij grupi nga shteti i Serbisë në qendrat zyrtare të trajnimeve”.

“Në këtë tentim aneksimi janë angazhuar drejtpërsëdrejti presidenti Aleksandar Vuçiç, ministri i Mbrojtjes i Serisë, Milosh Vuçeviç dhe shefi i komandës së ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviç”, tha Sveçla.

Ai tha se “ushtria e Serbisë ia kishte dhënë Serbisë të gjithë armatimin e konfiskuar”.

Pamjet, siç tha ai, dëshmojnë se në drejtim të Policisë pati të shtëna me armë të kalibrave të rëndë edhe pas vrasjes së policit Afrim Bunjaku.

“Përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi afër Jagodinës si dhe në Kopaonik. Të gjitha këto pamje janë siguruar nga dronët e grupit terrorist që i kemi konfiskuar”, tha Sveçla.

Si raporton “Express”, ai tha se provat janë të pakontestueshme dhe se tani “është i domosdoshëm dënimi dhe sanksionimi i këtij sulmi terrorist nga faktori ndërkombëtar”.

Drejtori i Policisë tha se videot dëshmojnë se aktivitetet e grupit terrorist u zhvilluan edhe në hapësirat e pronës së Milan Radoiçiçit në Serbi.

“Shihen veprimet dhe aktivitetet e grupit terrorist në hapësirat e pronës së Millan Radoiçiçit”, tha Gazmend Hoxha.bw

VIDEO/ Ja momenti i vrasjes së policit Afrim Bunjaku në Kosovë

Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha ka prezantuar pamje të vendit ku terroristët serbë u përgatitën për sulmin në Banjskë.

Ai gjithashtu ka prezantuar edhe momentin e sulmit ku u vra polici Afrim Bunjaku.

“Vrasja e tij ka ndodhur me detonim të minës antikëmbësorike të detonuar nga afërsia me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga grupi terrorist”, u shpreh ai.

Zbulohet një tjetër arsenal armësh në Zveçan

Gjatë kontrollit të territorit, pas sulmit terrorist në Banjskë, Policia e Kosovës ka zbuluar një tjetër arsenal të madh armësh, po në zonën e Zveçanit.

Përmes një komunikate për mediat, policia njofton se në armatimin e gjetur ka pasur pushkë, pistoleta, antiplumb, fishekë, granata, etj.

 ‘Sendet e gjetura dhe sekuestruara janë një antiplumb, karikator me 30 fishek, kapelë dhe doreza, maskë ngjyrë e gjelbër,  e tre karikator dhe 90 fishek, çantë e vogël për brez, pjesë e sipërme e uniformës, 3 karikatorë dhe 85 fishekë, armë e gjatë me 5 karikatorë me nga 30 fishekë, një rrip, dy karikatorë me nga 30 fishek, armë e gjatë dhe dy karikatorë pistolete me nga 15 fishekë, gjoksore ngjyrë e zezë me 5 karikatorë nga 30 fishekë dhe një granatë dore, armë e gjatë me pesë karikatorë me nga 30 fishekë, armë e gjatë me pesë karikatorë me nga 30 fishekë, armë e gjatë me një karikatorë me 30 fishekë, armë e gjatë me një karikator me 30 fishekë, radio lidhje, kapelë ngjyrë ushtarake, një antiplumb me një karikator dhe 30 fishekë, një pako me cigare’, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.

Nuk dihet ende nëse këto armë i përkasin grupit që u largua nga manastiri i Banjskës, apo dikujt tjetër.

Kurti: Terroristët e mbështetur nga Serbia, plan për fillimin e një lufte të armatosur kundër Kosovës

Prishtinë – Lëvizja Vetëvendosje po mban mbledhjen e 52-të të Këshillit të Përgjithshëm. Në pjesën e parë të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, anëtarëve të Këshillit ju drejtua kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministër i vendit, Albin Kurti.

Mbledhja filloi me një minutë heshtje në nderim të policit Afrim Bunjaku,  ku u fol edhe për situatën aktuale në vend.

“Nga sulmi i tyre qyqar u vra polici ynë, rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos polici kufitar Alban Rashiti. Me dhimbjen për Afrim dhe lehtësimin që Albani po mjekohej shpejt menjëherë reaguam duke e vënë perimetrin e sigurisë rreth fshatit Banjskë ku ishin strehuar terroristët”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për vlertën e armatimit të konfiskuar e cila kap vlerën në mbi 5 milionë euro dhe se kishte armatim për qindra luftëtarë.

“Të dielën që shkoi u cenuan integriteti, sovraniteti dhe siguria jonë kombëtare. Ata kishin ardhur më skenar. Kemi gjetur armatim më shumë se 5 milionë euro, kjo dëshmon për planin që kishin ata, fillimin e një luftë të armatosur kundër Kosovës, nën direktivat politike e me  mbështetje  nga Serbia”, deklaroi Kurti.

Radoiçiq merr përgjegjësinë për sulmet në Banjskë

Millan Radoiçiq e ka marrë përgjegjësinë për sulmet ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator dhe ka thënë se i ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike për ngjarjet e asaj dite.

Ai e ka bërë këtë deklaratë përmes një letre të lexuar nga avokati i tij Goran Petronijeviq për publikun, nga Beogradi.

Si pasojë e përleshjeve të Policisë me një grup të armatosur në këtë pjesë në veri të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – kanë vdekur një zyrtar policor dhe tre sulmues.

“Po i njoftoj të gjithë persekutorët vigjilentë të popullit serb, prej Kurtit e te ndihmësit e tij të shumtë të huaj, se unë personalisht i kam bërë të gjitha përgatitjet logjistike për mbrojtjen e popullit tonë kundër pushtuesit dhe ky akt i imi nuk ka asnjë karakter apo qëllim tjetër, dhe nuk ka të bëjë fare me të kaluarën time”, ka thënë ai, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Avokati, duke e lexuar letrën e Radoiçiqit, ka thënë se për veprimet e tij, Radoiçiq nuk e ka njoftuar askënd prej strukturave qeveritare serbe apo atyre politike lokale në veri të Kosovës, dhe as nuk e ka pranuar “ndonjë ndihmë” prej tyre.

Radoiçiq ka thënë se me ta ka pasur qëndrime të ndryshme në lidhje me “metodat e mëparshme të rezistencës ndaj terrorit të Kurtit”, dhe se atyre u është kërkuar “të tërhiqen pa arritur ndonjë rezultat të dukshëm”.

“Sepse na u tha se në këtë mënyrë do të kontribuojmë në ulje shtensionim, dhe se bashkësia ndërkombëtare dhe KFOR-i do të bëjnë gjithçka për të mbrojtur popullin tonë. Pala tjetër nuk e ka perceptuar qetësimin tonë të situatës si vullnet të mirë dhe krijimin e kushteve për negociatat, por si dobësi”, është thënë mes tjerash në letër.

Radoiçiq i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë, të udhëhequra nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për “pushtim të paligjshëm të veriut të Kosovës”.

“Arsyeja e kthimit tonë ishte inkurajimi i serbëve, popullit të asaj zone, për t’i rezistuar terrorit të regjimit të Kurtit, duke mbrojtur njerëzit tanë, që çdo ditë i ekspozohen atij terrori”, ka thënë ai.

Ai ka vlerësuar se sulmuesit nuk janë “terroristë”, por “luftëtarë për lirinë e popullit të tyre”.

Në letër, Radoiçiq ka theksuar se vrasja e policit të Kosovës ka qenë “aksidentale”, pas së cilës ka nisur “një përleshje e ashpër nga të dyja palët”.

Ai e ka njoftuar opinionin se po jep dorëheqje nga pozita e tij në Listën Serbe, duke theksuar se përfshirja e tij politike në Listën Serbe “nuk kishte të bënte me kthimin e tij në Kosovë”.

Ai ka thënë, mes tjerash, në letër se do t’i përgjigjet ftesës së autoriteteve të Republikës së Serbisë.

I pyetur se nga kanë ardhur të gjitha armët dhe pajisjet e përdorura në aksionin e 24 shtatorit, avokati ka thënë se nuk mund të flasë se çfarë do të kishte thënë Radoiçiq, nëse do të kishte bisedime për këtë gjë me autoritetet kompetente të Serbisë.

Petronijeviq e ka mohuar se Radoiçiq është plagosur në Banjskë apo që është trajtuar në spitalin ushtarak në Beograd.

Avokati ka thënë se nuk e ka parë videon e publikuar nga Policia e Kosovës, e cila pretendohet se tregon Radoiçiqin të armatosur, andaj “nuk mund të gjykojë për këtë”.

I pyetur nga gazetarët se kush e ka qëlluar zyrtarin policor të Kosovës dhe pse janë vendosur barrikadat, avokati ka thënë se “nuk ishte aty” dhe se “nuk mund t’i thotë ato detaje”.

Ai ka pretenduar se zyrtari policor është vrarë ”nga një shpërthim, jo nga plumbi”.

Në pyetjen e gazetarëve se ku ndodhet Millan Radoiçiq, pse nuk i është drejtuar vetë publikut dhe prej kujt fshihet, avokati ka pyetur: “Kush ka thënë që fshihet?”

“Ndoshta e di, ndoshta nuk e di”, ka thënë ai, duke mos dhënë më shumë hollësi nëse e di vendndodhjen e tij.

Kjo është hera e parë që Radoiçiqi reagon publikisht, pas sulmeve të 24 shtatorit.

Radoiçiq është akuzuar nga autoritetet e Kosovës se ka organizuar dhe ka qenë pjesë e sulmeve ndaj Policisë në Banjskë.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka publikuar një pamje me dron, duke thënë se njëri prej burrave – që shihet i veshur me uniformë me armë në dorë – ka qenë vetë Radoiçiq.

Deri më tani, deklarimet e tij për publikun janë përcjellë gjithmonë nga Lista Serbe.

Kjo parti nuk është deklaruar rreth akuzave të autoriteteve të Kosovës ndaj Radoiçiqit, i cili është në arrati.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se sulmuesit kanë qenë serbë të Kosovës, të ngopur nga “terrori” i Kurtit, dhe e ka mohuar përfshirjen e shtetit të tij në këtë sulm.

Kush është Petronijeviq, i autorizuari i Radoiçiqit?

Petronijeviq ka qenë “vëzhgues” në zgjedhjet e mbajtura javë më parë nga autoritetet ruse në territoret e pushtuara ukrainase.

Përgjatë regjimit të ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ai ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Pejës në Kosovë.

Në atë pozitë, në maj të vitit 2000, ai i ka dënuar 150 shqiptarë të Kosovës me një total prej 1.600 vjetëve burgim nën dyshimet për kryerje të terrorizmit.

Ai është larguar nga pozita e gjyqtarit pas ndryshimeve demokratike të 5 tetorit në Serbi, dhe më pas e ka ushtruar profesionin e avokatit.

Para gjykatës ndërkombëtare, ai i ka përfaqësuar disa klientë nga Serbia, të akuzuar për krime lufte.

Më i famshmi është Radovan Karaxhiq, presidenti i parë i Republikës Sërpska në Bosnje e Hercegovinë, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm në Gjykatën e Hagës për krime lufte.

Para Tribunalit në Hagë, ai e ka mbrojtur gjithashtu ish-oficerin e ushtrisë jugosllave, Veselin Shlivançanin, i cili është dënuar për krime lufte në Ovçara afër Vukovarit.

Në mesin e gushtit, Petronijeviq ka njoftuar për një iniciativë për ta mbrojtur Millorad Dodikun, presidentin e entitetit Republika Sërpska të Bosnje e Hercegovinës.

Më herët Prokuroria e Bosnjës ka ngritur aktakuzë kundër Dodikut për mosbindje ndaj vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt.rel

PM i Kosovës Albin Kurti i përgjigjet me “jo”propozimit të Edi Ramës për KFOR-in në Veri: Policia reaguese e parë, s’ndryshon kjo formulë!

 

PM i Shqipërisë Edi Rama pas sulmeve terroriste që ngjanë në Banjskë të Zveçanit kërkoi që KFOR-i të marri nën kontroll sigurinë, çka shkaktoi reagime të forta kundërshtuese në rrjetet sociale edhe nga opinioni publik edhe nga eksponentë politikë të Vetëvendosjes. Edhe PM i Kosovës Albin Kurti ishte i prerë për mediumin boshnjak “Istraga.ba”. Policia e Kosovës është reaguesja e parë, thotë Albin Kurti.

Në intervistën me Istraga-n që do të publikohet të dielen Kurti hodhi poshtë pretendimin e Edi Ramës, duke rikujtuar se si qëndron shtresa tregradëshe e reagimit në zonat veriore. Policia e Kosovës, si reagues i parë, Misioni Evropian për Sundim të Ligjit si reagues i dytë, ndërkaq si reagues i tretë dhe i fundit, Misioni Paqembajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i.

Siç e citon Istraga në një ekstrakt të parapublikuar, Kurti ka thënë se “kjo formulë (reagimi) nuk ndryshon”.

Neve na duhet patrollime të përbashkëta mes policisë sonë dhe KFOR-it në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndërsa sa i përket gjërave tjera, ato tashmë janë të mirëvendosura. Kudo në Kosovës – reaguesi i parë është policia jonë, mëpastaj EULEX-i dhe më pas KFOR-i. Dhe, nuk mendoj se kjo formulë do të ndërrojë”, ka thënë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për Istraga-n.

Sveçla thotë se po hetohet përfshirja e mundshme ruse në sulmin në Banjskë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se Kosova po heton për përfshirjen e mundshme të Rusisë në sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.

Më 24 shtator, rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë dhe disa policë u plagosën, pasi autoritetet e rendit u sulmuan nga një grup i armatosur. Po ashtu, tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Kosova për këtë sulm, që e cilëson terrorist, e ka fajësuar Serbinë. Beogradi ka mohuar se ka gisht në ngjarjet në Banjskë të Zveçanit.

Sveçla tha në një intervistë për Associated Press se hetuesit janë duke shikuar provat që e lidhin Rusinë – aleaten e Serbisë – me sulmin e armatosur. Armët ruse dhe pajisjet e dokumentet e tjera sugjerojnë për përfshirjen ruse në sulmin e armatosur, tha ai.

“Ajo çka e dimë sigurt është se [sulmuesit] erdhën nga Serbia. Disa prej tyre janë serbë të Kosovës, që kanë shtetësi të dyfishtë – të Kosovës dhe Serbisë – dhe sipas informacioneve nga inteligjenca jonë, ata ishin trajnuar në kampet në Serbi”.

“Kemi gjetur disa dokumente që na bëjnë të dyshojmë se ka pasur individë nga Rusia po ashtu”, tha ai. “Sa u përket pajisjeve, ne kemi dëshmi, por sa u përket individëve, ne ende kemi vetëm dyshime”.

Në Perëndim ka frikë se Rusia, duke vepruar përmes Serbisë, mund të synojë destabilizimin e Ballkanit dhe të shpërqendrojë vëmendjen nga pushtimi i saj i Ukrainës. Rusia ka ofruar mbështetje për Serbinë pas sulmit në Banjskë, duke e akuzuar Perëndimin se ka dështuar që të mbrojë serbët e Kosovës.

Sveçla tha se bazuar në dëshmitë e mbledhura dhe pamjeve të incizuara me dron, disa nga sulmuesit, që ai iu referua si “terroristë”, mbanin maska gjatë operacionit.

“As anëtarët e grupit që u arrestuan nuk e dinin se kush ishin ata”, tha ai. “Pra, ata ose janë zyrtarë të lartë të sektorit të sigurisë së Serbisë, ose kanë ardhur direkt nga Rusia”.

Sipas Sveçlës, qëllimi i operacionit dukej se ishte marrja nën kontroll e veriut të Kosovës me synimin final që të shkëputjes së kësaj zone – e banuar me shumicë serbe – nga pjesa tjetër e shtetit.

“Ata kishin mbi 100 uniforma. Ata po planifikonin që të rekrutonin më shumë persona brenda [komuniteteve] ku jetojnë serbët… Institucionet e Kosovës më pas do të duhej të përballeshin me disa qindra terroristë, sipas skenarit që ata kishin planifikuar”.

Ai i bazoi këto pretendime edhe në bazë të armatimeve të shumta që tha se Policia gjeti në Banjskë.

Sipas Sveçlës, rreziku për një kryengritje të re nuk ka kaluar.

“Nuk kemi përleshje, por kemi informacione se trajnimi i terroristëve të tillë po vazhdon në Serbi”, tha ai.

“Në Kosovë ka ende persona që janë pjesë e këtij grupi”, tha Sveçla për AP-në.

Aktualisht, katër persona janë të arrestuar për ngjarjet në Banjskë, teksa Policia ka ekspozuar më 25 shtator armë dhe pajisje të tjera që ka thënë se janë konfiskuar në këtë fshat.

Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.

Sveçla më herët ka prezantuar pamje me dron, duke thënë se në to shfaqet nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i armatosur në Banjskë. Zyrtari kosovar tha thënë se Radoiçiq ka udhëhequr dhe ka marrë pjesë në sulmin e 24 shtatorit.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Radoiçiq gjendet në Serbi dhe do të merret në pyetje. Ai megjithatë ka thënë se nuk e di se cili ka qenë qëllimi i grupit që kreu sulmin në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.rel

Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën, dënohet sulmi terrorist i Serbisë ndaj policisë në Banjskë

Kuvendi i Kosovës miratoi Rezolutën, e harmonizuar nga grupe parlamentar ku dënohet ashpër sulmi i Serbisë ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Pro rezolutës votuan 97 deputetë.
“Kuvendi i Kosovës e dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës”, tha Konjufca, duke lexuar pjesë të rezolutës.

“DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet në Rezolutë.

Përmbajtja e Rezolutës:
– Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;

– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;

– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;

– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;

Kuvendi i Republikës së Kosovës
1. DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;

2. VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultatet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të zmbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;

3. OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

4. KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;

5. INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.

6. KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike;

7. KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë;

Policia speciale rrit praninë në veri pas sulmit në Banjskë

Pjesëtarë policorë në Banjskë të Zveçanit më 27 shtator 2023.

Arton Konushevci

Sulmi i armatosur në Banjskë të Zveçanit solli edhe më shumë forca speciale të policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Vetëm dy muaj e gjysmë më parë, Qeveria e Kosovës ishte pajtuar për të zvogëluar praninë e kësaj njësie në zonën e banuar me shumicë serbe.

Kjo ishte pjesë e një marrëveshjeje me Bashkimin Evropian për uljen e tensioneve.

Situata atje u acarua nga fundi i majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave, nën përcjelljen e policisë speciale, u vendosën në objektet komunale.

Veprimi nxiti reagimin, herë-herë edhe të dhunshëm, të popullatës lokale, që kundërshton si kryetarët shqiptarë, ashtu edhe praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës.

Pas trysnisë disajavëshe të BE-së, Qeveria e Kosovës u dakordua ta zvogëlojë përgjysmë praninë e njësisë speciale përreth objekteve komunale në veri, si dhe të organizojë zgjedhje të reja atje.

Por, sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura qëlluan policinë e Kosovës duke vrarë një pjesëtar të saj më 24 shtator, u dha kah tjetër zhvillimeve.

Rritet prania policore

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë se policia ka rritur tashmë praninë e saj në veri.

“E kemi shtuar prezencën dhe vigjilencën përreth brezit kufitar. Po ashtu, kemi shtuar prezencën e njësisë speciale të policisë së Kosovës në veriun e Kosovës. I kemi reduktuar paksa patrullimet e policëve të zakonshëm, për shkak se nuk kanë nivel të tillë të mbrojtjes për t’u përballur me ndonjë sulm të mundshëm”, tha Hoxha.

Ai nuk ofroi detaje se për sa janë forcuar kapacitetet e njësisë speciale, por tha se institucioni që ai drejton, është vazhdimisht në koordinim me misionin paqeruajtës të NATO-s, KFOR, dhe me atë të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës për praninë e forcave speciale në veri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

I kontaktuar nga REL-i, kryetari i Komisionit parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Bekë Berisha, nuk deshi të flasë për këtë çështje. Ai tha shkurtimisht se do ta ftojë për raportim në komision ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe drejtorin e Policisë, Gazmend Hoxha.

Duke folur në ditën kur ndodhi sulmi në Banjskë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “nuk ka asnjë marrëveshje apo rregull që ndalon policinë speciale të Kosovës që të veprojë edhe në katër komunat në veri [Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq], sikurse gjithandej në territorin e Republikës”.

“Ajo çfarë ne kemi trashëguar është një letër e ish-kryeministrit [Hashim] Thaçi lidhur me praninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës [në veri], që duhet të bëhet në marrëveshje me KFOR-in. Ne e kemi respektuar dhe vazhdojmë ta respektojmë atë zotim të njëanshëm të Thaçit ndaj ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s [Anders Fogh] Rasmussen”, tha Kurti.

Pse nuk e duan njësinë speciale në veri?

Sërgjan Simonoviq, nga Qendra Humane në Mitrovicën e Veriut – organizatë kjo që monitoron situatën e sigurisë në veri, thotë për Radion Evropa e Lirë se “armiqësia” e popullatës lokale ndaj policisë së Kosovës, në përgjithësi, vazhdon që nga paslufta, më 1999.

“Pasardhësja ligjore e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në valën e parë, ishte Policia e Kosovës, e më vonë Trupat Mbrojtëse të Kosovës. Tradicionalisht, Policia e Kosovës është vazhdimësi e UÇK-së dhe, në këtë kontekst, serbët e shohin gjithmonë si armike”, thotë Simonoviq.

Sipas tij, kundërshtimet ndaj policisë speciale janë rritur në dy vjetët e fundit, kur kjo polici, “nën direktivat e politikanëve aktualë”, ka filluar “një fushatë tmerrësisht të ashpër kundër serbëve”, e cila ka kulmuar “me dezertimin e policëve serbë” nga forca e policisë së Kosovës.

Simonoviq i referohet një vendimi të Qeverisë së Kosovës për riregjisrimin e makinave me targa ilegale serbe, i cili ka rritur tensionet në veri dhe ka çuar në largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Në veri të Kosovës jetojnë rreth 50.000 serbë.

Që nga paslufta, shumica e tyre nuk u binden vendimeve të institucioneve të Kosovës, por të strukturave paralele që funksionojnë atje nën dirigjimin e Serbisë.

Në zonë ka pasur shpesh tensione që kanë kulmuar në dhunë dhe policia e Kosovës ka intervenuar për rivendosjen e rendit.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë rajon duhet të ketë patrullime më të mëdha të policisë, në mënyrë që të shmangen incidentet si ato të 24 shtatorit.

“Ajo çka nuk duhet të ndodhë dhe nuk guxon të ndodhë është që Policia e Kosovës të kufizohet që të veprojë në veri”, thotë Qalaj.

Për sigurinë e kufirit të Kosovës me Serbinë është përgjegjës misioni i NATO-s, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare policia e Kosovës.

Megjithatë, me një vendim të komandantit të KFOR-it më 2014, policia e Kosovës mund të patrullojë deri në një kilometër afër vijës kufitare me Serbinë.

Pas trazirave të majit, KFOR-i ka rritur praninë në Kosovë për disa qindra ushtarë.

Ky mision e ka dënuar sulmin në Banjskë dhe ka thënë se është i gatshëm të intervenojë nëse është e nevojshme.

Në reagimet e tij, Bashkimi Evropian ka dënuar po ashtu sulmin në Banjskë dhe ka thënë se “të gjitha faktet për të duhet të vërtetohen”. Për praninë e forcave speciale të policisë së Kosovës në veri nuk është deklaruar.

Kosova, ndërkaq, ka fajësuar Serbinë për sulmin në Banjskë, ndërsa Serbia ka drejtuar gishtin kah serbët e Kosovës.

Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje të dyja palëve që të kthehen në rrugën diplomatike.

Donika Gërvalla Schwarz: Politika e zbutur ndaj Serbisë ka dështuar. Nevojitet një ndryshim thelbësor

Zv kryeministrja dhe ministrja e jashtme e Kosovës Donika Gërvalla Schwarz ka reaguar në Twitter si më poshtë:

“Sot, Kosova ka konfirmuar se një nga terroristët që mori pjesë në sulmin vdekjeprurës ndaj Policisë sonë, ka shërbyer si truprojë e shefit të shërbimit të fshehtë të Serbisë në vitin 2013. Ne gjetëm gjithashtu një certifikatë që lidhte drejtpërdrejt ushtrinë serbe me një nga armët e sekuestruara.

I bëj thirrje komunitetit ndërkombëtar të pranojë se politika e zbutur ndaj Serbisë ka dështuar. Nevojitet një ndryshim thelbësor. Regjimi i Vuçiqit përbën një kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Evropës. Këtë herë, ne nuk mund të përballojmë t’i kthehemi biznesit si zakonisht.”

 

 

 

 

 

Sveçla: Ushtria e Serbisë i ka dhënë granata grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës

Ministri i Brendshëm në Kosovë, Xhelal Sveçla ka publikuar një tjetër dokument, ku sipas tij, faktohet lidhja zyrtare mes Serbisë dhe grupit terrorist serb që sulmoi Policinë e Kosovës, më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë efektivi Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy të tjerë.

Përmes një postimi në Facebook, Sveçla publikoi dokumentin ku vërtetohet se ushtria e Serbisë i ka dhënë granata grupit terrorist.

‘Shtohen një pas një dëshmitë e lidhjes zyrtare mes shtetit të Serbisë dhe grupit terrorist që kreu vrasjen e policit Afrim Bunjaku dhe përgatitjen e aksionit kundër rendit kushtetues me qëllim destabilizimin e Republikës së Kosovës.

Ky dokument është vërtetim që ushtria e Serbisë i ka dhënë grupit me rastin e dorëzimit të lansuesit të granatave, që më pas u zu nga Policia e Kosovës në aksionin e 24 shtatorit.

Atë që e kemi deklaruar në vazhdimësi tash po e mbështesim edhe me fakte e dokumente të pakontestueshme se shteti i Serbisë mbështet këto grupe terroriste politikisht, financiarisht, logjistikisht’, shkruan Sveçla.

Image

Sveçla publikon foton: Njëri nga terroristët e vrarë ishte truprojë e Vulinit

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka njoftuar se njëri nga tre sulmuesit e armatosur serbë, të vrarë në aksionin e Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit të dielën, është truproje e shefit të Agjencisë së Inteligjencës në Serbi (BIA), Aleksandar Vulin.

POSTIMI I PLOTE

Dje përmes video-pamjeve dëshmuam prezencën e kryekriminelit dhe udhëheqësin e aksionit terrorist Milan Radojiçiq. Ndërkaq, sot është konfirmuar që njëri nga të vrarët që ishte po ashtu pjesëmarrës i atij akti është edhe Bojan Mijailoviq, trupëroja e shefit të BIA-s serbe, Aleksandar Vulin, në vizitën e tij në Republikën e Kosovës në vitin 2013.

Shteti i Serbisë është këmbë e krye i përfshirë në këtë sulm terrorist me qëllim destablizimin e Republikës së Kosovës. Për këtë gjë tashmë ekziston edhe lidhja formale e strukturore e përfshirjes së Aleksandar Vuçiq në sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit: Milan Radojçiq, si nënkryetar i Listës serbe dhe trupëroja e Aleksandër Vulinit, shef i BIA-s. Të dy këta po ashtu të sanksionuar në listën e zezë të ShBA-ve. Të dy këta nga njerëzit më të afërt të presidentit të Serbisë.

Këto fakte janë dëshmi tjetër se synimet e Serbisë ndaj Republikës së Kosovës nuk kanë ndryshuar aspak nga koha e regjimit të Millosheviqit, ish-ministri i Propagandës së atij regjimi, tash president i regjimit aktual në Serbi. Edhe optimistët më të mëdhenj që deri tash e kanë gënjyer veten për ndryshimet në këtë shtet besoj janë bindur për të kundërtën këto ditë.

Dua të shpreh edhe njëherë mirënjohje për qendresën e Policisë së Kosovës atë ditë dhe për profesionalizmin e pashoq, aksion në të cilin nuk është lënduar lënduar asnjë civil.

Hapet për qarkullim rruga që të çon në fshatin Banjskë të Zveçanit

Rruga që çon në fshatin Banjskë është liruar për qarkullim, njoftoi Koha.net nga vendi i ngjarjes.

Policia e Kosovës ka lejuar lëvizjen e makinave. Deri tani, në udhëkryqin që çon në këtë fshat Policia nuk lejonte automjete të tjera, veç atyre të banorëve të fshatit.

Situata po konsiderohet më e qetë. Sot pritet të merret vendimi se si do të procedohet tutje pas përfundimit të bastisjeve.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku.

Në aksionin pasues të Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur me uniforma serbë u rrethuan në fshatin Banjskë.

Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tani janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e tetë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.

Sulmi në veri- Nis me një minutë heshtje mbledhja e Qeverisë së Kosovës, 50 mijë euro për familjen e efektivit Bunjaku

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës ka nisur sot me një minutë heshtje në nderim të policit Afrim Bunajku, i cili u vra të dielën nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Mësohet se kabineti qeveritar i Kosovës akordoi një shumë prej 50 mijë eurosh, për t’i ardhur në ndihmë familjes së policit të vrarë, i shpallur dëshmor i atdheut. Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se të dielën është cenuar siguria kombëtare.

“Me mbi 5 milionë euro vlerë të armatimit është dëshmuar skenari për gjakderdhje në Kosovë…”, tha kryeministri Kurti. Ai ftoi qytetarët e vendit që sot kudo që shohin policët e Kosovës t’i falënderojnë ata për shërbimin ndaj Kosovës.bw

Donika Gërvalla-Schwarz: Vendimi i Serbisë për të shpallur ditë zie për terroristë kërkon dënim universal dhe të qartë

Zv Kryeministrja dhe Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla-Schwarz ka dënuar në Twitter glorifikimin dhe shpalljen ditë zie nga Beogradi të terroristëve që vranë policin e Kosovës Afrim Bunjakun duke shkelur sovranitetin e shtetit të pavarur:

Glorifikimi i terrorizmit nxit pa ndryshim më shumë dhunë dhe duhet refuzuar me vendosmëri.

Vendimi i Serbisë për të shpallur ditë zie për terroristët e neutralizuar nga policia e Kosovës në përgjigje të një sulmi terrorist vdekjeprurës,

kërkon dënim universal dhe të qartë.”

 

Kurti: Vuçiç tha në takimin e 2 majit në Bruksel që Millan Radojçiq do të bëhet ‘Adem Jashari’ i serbëve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një reagim në rrjetin social Facebook në lidhje me ngjarjet e fundit në veri të vendit. Kurti ka treguar një bisedë mes tij dhe Vuçiç në Bruksel, me gjasë në prani të Lajçak dhe Borrell, ku Vuçiç ka thënë se Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve.

Posotimi i Kurtit:

Kosova është shtet demokratik dhe vend properëndimor: kush integrohet, jeton më mirë. Serbët në Kosovë nuk kanë nevojë për çlirim nga Republika e Kosovës por nga veglat terroriste të Serbisë.

Vuçiq është i obsesionuar me kryekomandantin e UÇK-së, Adem Jasharin. Ai dëshironte që me 24 shtator ta shndërronte Manastirin Ortodoks të Banjskës në “Kullë të Jasharajve” për serbët e Kosovës! Në takimin e 2 majit në Bruksel na tha që Millan Radojçiq do të bëhet Adem Jashari i serbëve. Por, duke qenë diktator, ai s’e kupton historinë: epopeja dhe çlirimi nuk fabrikohen dhe as s’kopjohen.

Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës: Sulmi i ngjan aneksimit të Krimesë

Sulmi i ndodhur të dielën në veri të Kosovës, është i orkestruar nga shteti serb. Këtë e pohon edhe ish-ministri i jashtëm dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj.

I ftuar këtë mbrëmje në emisionin “Open” në News24 ai deklaroi se sulmi terrorist, për nga mënyra e përgatitjes, është e pamundur që të mos dihej si skenar nga shteti serb, teksa shtoi se sulmi i ngjan aneksimit të Krimesë. Ai tha se në këtë sulm do të merrnin pjesë mbi 200 ushtarë, si pjesë e fazës së parë.

Hoxhaj tha se pas kësaj ngjarjeje të rëndë, tashmë Kosova duhet ta shohë si një pikë kthese të gjithë atë që do të pasojë.

“ Është fitorja e mirëfilltë e policisë dhe shtetit të Kosovës, në një situatë që askush nuk mund ta parashikonte që e diela mund të dukej ashtu. Përpos dhimbjes ne krenohemi që kemi ditur të mbrojmë shtetin në atë situatë, pas një agresioni të mirëfilltë të shtetit serb ndaj Kosovës. Është akt terrorist mbi Kosovën. Axhenda ka qenë që në fillim politike, logjistika dhe mbështetja ka qenë nga shteti serb.

Të krijojnë realitete të reja politike, të merrnin kontroll mbi territor, mendohet se kanë qenë 200 vetë që do duhej të ishin pjesë e fazës së parë. Sulmi i ngjanë aneksimit të Krimesë, i barabartë me ngjarjet e Kroacisë dhe Bosnjes. Kjo është vetëm faza e parë, duhet ta shohim këtë ngjarje si pikë kthesë. Nuk mund të flasim tani me gjuhën e njëjtë që kemi fol deri para një jave.

I takon Kuritt që pas kësaj ngjarjeje, përtej fjalimeve politike, të ketë strategji në këtë situatë të re. Mund të ketë dhe skenarë në vazhdim. Sasia e armatimit, përgatitja logjistike, financimi, qëndrimi që ka mbajtur Vuçiç, tregon se pas kësaj ngjarjeje qëndron shteti serb. Gjëra të tilla të mëdha nuk ndodhin pa e ditur ai që është i pari në vend.

Rusia mund të ketë të përdorë Kosovën si zonë nevralgjike që mund ta shkundë paqen në Ballkan, por qëllimi është politik i shtetit serb”, tha ai.


Send this to a friend