VOAL

VOAL

Fuqia e dinarit! Nga Ramazan Bekteshi

Fuqia e dinarit!

Batoni, ky ‘analist i zellshëm’, që u betua në Beograd dhe vazhdon të fabrikojë të pavërteta mbi politikën reale kosovare:

-sajon sondazhe të rreme me porosi

-kërkon dhunë për individë të caktuar me porosi dhe jo vetëm kaq.

-dyertë i ka të hapura nga TV studiot, sikur te luftonte hasmin e Kosoves, por, në realitet ky është në shërbim të hasmit.

Megjithatë, ai vazhdon te kete hapsirë ne mediat kosovare edhepse parashikimet e tij dalin diametralisht të kundërta me realitetin, jo se ai nuk e di këtë, por sepse e ka mision, e ka profesion me pagesë.

Opozitës i pëlqejnë fjalët, parashikimet e Batonit, andaj asaj s’i bënë përshtypje se a ishte dje dhe a është sot Batoni spiun serb, sepse Batoni ne cak ka Kurtin, kundershtarin e tyre politik, dhe ajo vazhdon të kenaqet me propaganden batoniane në heshtje.

Praprakisht, Batoni, si këshilltar i Ramës, e kreu me sukses misionin e tij duke e afruar Ramën me Serbine dhe duke e larguar me Kosovën. Sepse ai i provoi gërshërët për Kosovën, dhe i pakenaqur, tani i do thikat në Kosovë.

“Mrekullitë” shqiptare në Kosovë vazhdojnë të patrazuara, dhe mbetet të shihet se a do t’i ndeshkoje këto veprime bizare votuesi në qershor, kur ‘çurshiat’ do të tentohen të hahen pa pjekë!

 

Abdixhiku: LDK do garojë së bashku me ish-presidenten Osmani në zgjedhjet e qershorit në Kosovë!

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë të martën se janë pajtuar me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të garuar në një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit.

 

Duke folur për media në Prishtinë, Abdixhiku tha megjithatë se marrëveshja me Osmanin nuk është finalizuar ende dhe se ajo duhet të miratohet formalisht në mbledhjen e partisë të shtunën.

“Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, tha Abdixhiku.

Kur u pyet nëse Osmani do të rikthehej në LDK si anëtare e partisë apo do të bashkëpunonte me të përmes një partive të veten, Abdixhiku nuk deshi të përgjigjej, informon REL.

Osmani – e cila nuk arriti të zgjidhej presidente për një mandat të dytë në mungesë të mbështetjes në Kuvend pasi i mbaroi mandati në prill – ka vendosur të jetë pjesë e garës zgjedhore në qershor.

Ajo nuk ka treguar se si do të garojë, me një parti të re të veten, apo do të rikthehet në LDK pas gjashtë vjetëve.

Megjithatë, 43-vjeçarja ka vizituar vazhdimisht qytete dhe vende të ndryshme të Kosovës përgjatë javëve të fundit, duke takuar qytetarë të ndryshëm.

Të hënën, ajo e prezantoi kandidaten e parë për deputete, duke lënë të kuptohet se do ta ketë një listë të veten për këtë garë.

Duke e prezantuar Fahrije Hotin, ajo tha “po i bashkohet rrugëtimit tonë politik, sepse ne besojmë në një Kosovë ku dashuria e mund urrejtjen, integriteti dhe puna e ndershme e mundin manipulimin, dhe e vërteta e mund propagandën”.

Hoti është aktiviste dhe sipërmarrëse, e njohur për fuqizimin e grave pas luftës përmes një kooperative të suksesshme në Krushë të Madhe.

Rikthimi i Osmanit në garën politike vjen gjashtë vjet pasi ajo u nda nga LDK-ja në vitin 2020, duke ndërtuar aleancë me Albin Kurtin, kryeministrin në detyrë dhe kryetarin e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, përmes iniciativës GUXO.

Ajo i kishte nisur angazhimin politik pikërisht në LDK, duke u zgjedhur për herë të parë deputete në Kuvendin e Kosovës në vitin 2011, dhe duke u rizgjedh në disa mandate radhazi, duke u bërë një nga figurat më të spikatura të partisë.

Tani, rikthimi i Osmanit në garën politike po ndodh në një moment kur opozita në Kosovë po përballet me mungesë udhëheqjeje dhe narrativash bindës, sipas Donika Eminit, hulumtuese në Grupin Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë – BiEPAG.

Në këtë kontekst, Osmani përfaqëson një “profil ndryshe”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë më herët.

Sipas Eminit, ish-presidentja është një nga të paktat figura që mund të sfidojë ekuilibrat dhe të rrisë nivelin e konkurrencës politike.

“Ajo mund të tërheqë votues të pakënaqur nga parti të ndryshme, përfshirë Vetëvendosjen dhe parti të opozitës. Kjo e bën atë potencialisht një faktor që ‘rrëmben’ vota më shumë sesa një aktor që mobilizon vetëm një kamp të caktuar”, thotë Emini.

“Hyrja e saj në politikën aktive nuk do të ishte vetëm një shtesë në skenë, por potencialisht një faktor që mund të ‘tronditë’ balancat ekzistuese”, përfundon ajo.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor pasi vendi dështoi ta zgjedhë një president të ri për t’i shmangur ato.

Këto janë zgjedhjet e treta parlamentare brenda më pak se një viti e gjysmë. rel

Gjykata Speciale për Radio Evropa e Lirë: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtyrë për të paktën dy muaj

Radio Evropa e Lirë

Paneli gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka shtyrë edhe për të paktën dy muaj shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në gjyqin për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjyqi ndaj Hashim Thaçit, ish-president; Kadri Veselit e Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarë; dhe Rexhep Selimit, ish-deputet, përfundoi në shkurt dhe aktgjykimi pritej këtë muaj.

Megjithatë, zëdhënësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep, i ka thënë Radios Evropa e Lirë të mërkurën se paneli gjyqësor vendosi ta shtyjë shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, “për shkak të kompleksitetit të rastit”.

Ajo gjithashtu shpjegoi se 20 korriku nuk nënkupton se në atë kohë do të shpallet aktgjykimi dhe paralajmëroi se mund të ketë shtyrje tjetër.

“Kjo datë nuk është data e shpalljes së aktgjykimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Paneli shtoi se, nëse një zgjatje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër për këtë qëllim në kohën e duhur”, tha Griep.

Hagë: Më 20 korrik shpallja e aktgjykimit përfundimtar për Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin

Shpallja e aktgjykimit përfundimtar në procesin ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është shtyrë dhe tashmë pritet të bëhet më 20 korrik të këtij viti.

Lajmi është konfirmuar për mediat nga avokati i ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Luka Mishetiç, i cili ka pohuar se ndryshimi i datës është i saktë.

Fillimisht, vendimi ishte planifikuar të shpallej më 19 maj, në përputhje me afatet procedurale. Megjithatë, rregullat e gjykatës parashikojnë që trupi gjykues të ketë deri në 90 ditë kohë për të dhënë verdiktin, me mundësi shtyrjeje edhe për 60 ditë të tjera në raste të veçanta. Ky proces konsiderohet një nga më të rëndësishmit për drejtësinë ndërkombëtare që lidhet me luftën në Kosovë, ndërsa përfundimi i tij pritet të tërheqë vëmendje të gjerë në rajon dhe më gjerë. bw

Përkujtesë historike: 5 maj 1991 KUVENDI I PARË I LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS Nga Jusuf Buxhovi

– Kuvendi i Parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shënoi kapërcimin historik nga kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, që doli në Kuvendin Themelues të 23 dhjetorit 1989, te ajo për shtet të pavarur. Këtë ndryshim e detyruan rrethanat, ato që lidheshin me fillimin e luftës në Jugosllavi si dhe vendimin e Konferencës së Hagës, që pranoi shpërbërjen e federatës jugosllave.

Kuvendi i Parë i “Lidhjes Demokratike të Kosovës”, i mbajtur në Prishtinë më 5 maj 1991, në amfiteatrin e medresës “Alauddin” e ku morën pjesë 350 delegatë të zgjedhur nga degët dhe nëndegët e partisë, shënon një ngjarje të rëndësishme, meqë kërkesa për barazi të plotë në nivel të federatës jugosllave, nga Kuvendi Themelues të 23 dhjetorit 1989, u redifenue në kërkesën për shtet të pavarur.

Këtë kapërcim historik e përcaktuan rrethanat e kohës dhe faktorët që krijuan realitete të reja politike, ndër të cilat përcaktuesi ishin: Deklarata Kushtetuese e 2 korrikut 1990, me ç’rast delegatët e Kuvendit të Kosovës shpallën pavarësinë nga Serbia si dhe vendimet e Kuvendit të Kaçanikut në kuvendin e 7 shtatorit 1990 Kosova shpallet republikë e pavarur në kuadër të federatës jugosllave me të drejtën e barabartë me njësitë tjera federative.

Rol të rëndësishem madje edhe vendimtar të ky përcaktim pati shpërthimi i luftës në maj të atij viti, kur ushtria Jugosllave e dominaur nga ushtarakët serbë, bëri agresion në Slloveni, ndërkohë që faktori ndërkombëtar reagoi me mbajtjen e konferencës së Hagës në gusht të atij viti,federatën jugosllave e shpalli në shpërbërje e sipër.

Pra, evolucioni politik i kërkesave nga ajo për barazi tek pavarësia dhe shteti i pavarur, që do të fillojë të organizohet pas mbajtjeve të zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale në prill 1992, mund të kuptohet drejt dhe mirë në saje të vendimeve që u morën në Kuvendin e Parë të LDK-së, meqë ato ia hapën rrugën rezistencës institucionale (me shtetin paralel që funksionoi deri në mars të vitit 1999) si dhe asaj të armatosur, që u shfaq në nëntor të vitit 1997.

Edhe në planin e brendshëm partiak, Kuvendi i Parë i LDK-së, që duhet dalluar nga Kuvendi Themelues i 23 dhjetorit 1989, nxori dhe përcaktoi strukturën e re organizative sipas Statutit të aprovuar në Kuvend – Këshillin Qendror – organ kryesor të partisë. Këshilli Qëndror kishte dymbëdhjetë komisione qendrore. Komisioni i sistemit politik, i arsimit dhe kulturës, i çështjeve të mbrojtjes sociale, i shëndetësisë, i informimit, i çështjeve juridike, i vetëmbrojtjes, i ekonomisë, i marrëdhënieve me jashtë dhe i ekologjisë, përbënin bërthamën e filleve të shtetit paralel.

Këshilli Qendror i LDK-së i zgjedhur në Kuvend kishte këtë përbërje:
Dr. Ibrahim Rugova, Jusuf Buxhovi, dr. Idriz Ajeti, prof. Fehmi Agani, dr. Bujar Bukoshi, dr. Ali Aliu, dr. Rexhep Ismaili, dr. Sabri Hamiti, dr. Gani Bobi, dr. Ejup Statatovci, dr. Nexhat Daci, dr. Fatmir Sejdiu, dr. Faik Brestovci, Ramë Buja, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, dr. Ismet Salihu, dr. Fadil Raka, Anton Kolaj, Mujë Rugova, Edi Shukriu, Ibrahim Berisha, Rexhep Gjergji, Skender Blakaj, dr.Binak Kastrati, Mehmet Kraja, Fadil Hysaj, Kadri Halimi, dr. Zenel Kelmendi, Mensur Fejza, dr. Shaqir Shaqiri, Adil Pireva, Mujë Krasniqi, dr. Abdyl Krasniqi, Ibush Jonuzi, Engjëll Berisha, Agim Çavdërbasha, Selatin Novosella, Xhemail Mustafa, Isa Haxhiu, Myrvete Dreshaj, Shyhrete Malaj, Agron Dida, Milazim Krasniqi, Nexhat Krasniqi-Nekra, Basri Çapriqi, Skënder Kastrati, Arif Bozaxhi, Naip Zeka, Irfan Pashoja, Fadil Kryeziu, dr. Simë Dobreci, Idriz Berani, Abdyl Rama, Paulina Lumezi dhe Melihate Shala.

Komisionet përfshinin edhe anëtarë të jashtëm, kryesisht profesionistë, të cilët merrnin pjesë në krijimin e politikave të caktuara.

Këshilli Qendror i LDK-së, me një përbërje të tillë ndër më reprezentativet e kohës, deri në zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale të mbajtura në prill të vitit 1992, luajti rolin e një kuvendi kombëtar.

(Në foto, në kryesinë e punës, nga e majta: Prof. Fehmi Agani, Flora Brovinar, Dr. Ibahim Rugova dhe Prof. Latif Berisha).

Dëshmi e krimeve serbe – Nga libri dokumentar “Masakrat në Kosovë: 1998-1999” Nga Shkëlzen Gashi

Shumë prej të mbijetuarve të Masakrës së Studimes, forcat sërbe-jugosllave i dërguan në hangarët e kooperativës bujqësore të Vushtrrisë. Të nesërmen në mëngjes, gratë dhe fëmijët i nisën për në Shqipëri, kurse nja 4,500 burra i futën në burgun e Smrekonicës, nëpër dhoma të mbingarkuara e të papastra, ku i torturonin derisa e humbnin vetëdijen. Sipas një të burgosuri të intervistuar nga Amnesty International:

«Të burgosunit i detyrojshin me knu kangë popullore sërbisht. I shtishin m’u rrokë vlla me vlla edhe baballarët me i rrehë djemtë e vet, veç sa m’u argëtu ata për veti».

© Reuters

Shqiptarët e liruar nga kampi në Smrekonicë të Vushtrrisë e kalojnë kufirin me Shqipërinë.

 

STUDIME

Në fund të marsit dhe fillim të prillit 1999 forcat sërbe urdhëruan shqiptarët e qytezës së Vushtrrisë dhe të fshatrave përreth që t’i braktisnin shtëpitë, pastaj një pjesë të tyre e nisën drejt Shqipërisë, ndërsa të tjerët i lejuan të qëndronin në zonën rreth Vushtrisë deri më 2 maj 1999. Shumë nga të zhvendosurit përfunduan në fshatrat Bajgorë, Vesekoc, Kurillovë e Sllakovc në verilindje të Vushtrrisë.

Në fund të prillit 1999 forcat sërbe-jugosllave i detyruan të strehuarit në këto zona të largoheshin. Një numër të madh të banorëve që po largoheshin drejt Vushtrrisë, forcat sërbe i grumbulluan në Studime të Ulët dhe Studime të Epërme, bashkë me banorët e këtyre dy fshatrave. Një burrë, që ishte gati në ballë të kolonës, në dëshminë dhënë OSBE-së tregon se asaj i prinin udhëheqësit politikë shqiptarë të zonës duke mbajtë një flamur të bardhë.

Megjithëkëtë, ushtarë jugosllavë, të mbështetur nga policë e paramilitarë, me uniforma të gjelbërta e të kaltërta, disa me mjekra e disa me maska, e ndaluan kolonën prej qindra automjetesh e mija të zhvendosurish, i nxorën burrat nga traktorët, i detyruan t’i vinin duart mbrapa kokës e të uleshin në rrugë, i fyen, i rrahën, ua morën paratë dhe arin. Sipas dëshmitarëve të intervistuar nga HRW, ata që nuk kishin pará i vrisnin, e ata që kishin e ua jepnin, i lironin, ndonëse kishte plot raste që edhe ua merrnin paratë edhe i vrisnin.

Një pjesëtar i forcave sërbe e ekzekutoi një 37-vjeçar pasi ia shtyu tutje me pushkë djalin katërvjeçar. Një i plagosur në krah rrëfeu se pas dy ditëve një mjek në mal u detyrua t’ia amputonte krahun me sharrë. Një tjetër dëshmitar tregoi se forcat sërbe ia vranë djalin që ishte martuar atë mëngjes. I njëjti rrëfeu edhe se i ka ndier pjesëtarët e forcave sërbe duke komunikuar në radio-lidhje që t’i vazhdonin vrasjet derisa të mbërrihej numri 100. Shumica e trupave të vrarë ishin të gjymtuar: pa krahë, pa këmbë, pa kokë.

Dëshmitarët e intervistuar më vonë nga Amnesty International, pohuan se atë mbrëmje, forcat sërbe vranë dhjetra burra duke kaluar nëpër kolonën e traktorëve. Një i mbijetuar i kësaj masakre i tha HRW-së:

«Mbasi më rrehën, i pashë tre ushtarë a policë, tue i ngrehë zhag dy çika, dikund midis 17 e 20 vjeçe. I ngrehën qashtu nja njizet a tridhetë metra, e nuk pashë ma çka u ba me to. Po kur u kthyen mbas nja pesëmbëdhetë a njizet minutash, e pashë që këmishat i kishin të shkyeme për midisi».

Fadil Beqiri, aktivist i të drejtave të njeriut gjatë viteve ‘90 në Vushtrri, dëshmitar i masakrës në Studime, në intervistën e dhënë për autorin norvegjez, Josef Martinsen, thotë se forcat policore, ushtarake e paraushtarake sërbe e jugosllave i kishin rrethuar të dëbuarit në formën e patkoit dhe u kishin lënë vetëm një dalje për në Vushtrri:

«Forcat sërbe arritën në Studime të Epërme në grupe. Grupi i parë plaçkiti gjithçka që gjeti, grupi i dytë hodhi granata mbi njerëzit nga largësia, grupi i tretë vrau dhe ekzekutoi njerëz. Ata dogjën tërë fshatrat e Shalës së Bajgorës. Ata e ndoqën karvanin e njerëzve, pritën deri sa të bëhej terr e pastaj filluan ekzekutimin e njerëzve… Viktimat mbetën aty, në mes të Studimes së Epërme dhe të Poshtme».

Besim Gërxhaliu, të cilit forcat sërbe ia kishin vra 11 anëtarë të familjes, ia doli të ikte sapo pushuan të shtënat e të fshihej në male. Në një prononcim fill pas luftës për Chicago Tribune, ai thotë:

«Nisën me gjuejtë hala sa ishin njerëzit në traktora… Nji vëllaut tem, që i grahke traktorit, i thanë me zhdrypë edhe mandej e vranë. Krejt m’i kanë vra 11 anëtarë të familjes. Do njerëzve iu merrshin pare për mos me i vra. Krejt bashkë, më duket i kanë plaçkitë rreth 18,000 marka ($10,000). Nisën me i marrë thminë prej traktorave, e kah i ulshin, unë u lëshova teposhtë edhe iu ika. U nisa tue nga kah kodrat, e prej aty e shihsha katundin qysh po kallet. Gjysën e shpijave, në të paktën dhetë katunde, i kanë kallë».

Shumë prej të mbijetuarve të Masakrës së Studimes, forcat sërbe-jugosllave i dërguan në hangarët e kooperativës bujqësore të Vushtrrisë. Të nesërmen në mëngjes, gratë dhe fëmijët i nisën për në Shqipëri, kurse nja 4,500 burra i futën në burgun e Smrekonicës, nëpër dhoma të mbingarkuara e të papastra, ku i torturonin derisa e humbnin vetëdijen. Sipas një të burgosuri të intervistuar nga Amnesty International, «Të burgosunit i detyrojshin me knu kangë popullore sërbisht. I shtishin m’u rrokë vlla me vlla edhe baballarët me i rrehë djemtë e vet, veç sa m’u argëtu ata për veti».

Në aktakuzën e TPNJ-së kundër Presidentit të RFJ-së, Slobodan Milošević dhe të tjerëve thuhet se rreth datës 2 maj 1999 ose në atë datë, forcat sërbe-jugosllave sulmuan disa fshatra të Vushtrrisë, duke dëbuar fshatarët nga shtëpitë dhe duke ua djegë ato. Më pas fshatarët i detyruan të udhëtonin në konvoj për në fshatin Studime në drejtim të Vushtrrisë, ku forcat sërbe-jugosllave ndaluan, ngacmuan, rrahën, si dhe vranë afërsisht 104 shqiptarë.

Të nesërmen, të mbijetuarit, së bashku me pjesëtarë të UÇK-së që fshiheshin maleve duke mbijetuar nga racione të varfëra me bukë e patate, i varrosën trupat e të vrarëve në një varrezë masive në Studime. Fill pas luftës, ekspertët e TPNJ-së i zhvarrosën dhe i ekzaminuan.

Romeu Ventura, hetues i TPNJ-së, lidhur me vrasjet e civilëve më 2 maj 1999 në Studime, për gazetën ‘Independent’ deklaroi:

«Vrasjet filluan dikur mes orës 8 e 9 të natës, sapo u errësua… Shumica nga të vrarët janë meshkuj. Të gjithë ishin të qëlluar nga afërsia… Shumë të mbijetuar të masakrës dhanë hollësi prej dëshmitarësh okularë të kasaphanës… I kanë njohur shumicën e vrasësve sepse këta njerëz kanë jetuar bashkë me vite të tëra. Ky ishte nga ato rastet kur fqinji i sulet fqinjit… I kemi emrat e ushtarëve dhe të shefave të policisë sepse shumë prej të mbijetuarve i njihnin».

Sipas të dhënave të Fondit për t ë Drejt ën Humanitare, më 2 maj 1999 në Studime të Vushtrrisë forcat sërbe-jugosllave kanë vra 108 persona: 98 meshkuj e 10 femra, të gjithë shqiptarë. Prej tyre, 5 ishin të mitur, me më të voglën Antigona Idrizin, dyvjeçare, e 12 ishin të moshës mbi 65-vjeçare, me më të vjetrën, Kada Hasanin, 92-vjeçare.

Prej 108 të vrarëve, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, 8 figurojnë të regjistruar si pjesëtarë të formacioneve të armatosura përkatësisht ushtarë.

Sqarim: Lista e të dhënave për personat e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë 1998–1999, e përpiluar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, nën udhëheqjen e zonjës Nataša Kandić, është një burim i etabluar referencial. Megjithatë, për disa masakra, kjo listë përmban pasaktësi ose kategorizime të kontestueshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse, sipas dokumentit metodologjik të hartuar nga ekspertë të angazhuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, statusi i viktimës në listë – civil apo anëtar i një formacioni të armatosur përkatësisht ushtar – i referohet statusit në momentin e vdekjes ose zhdukjes, e jo ndonjë statusi të mëparshëm. Prandaj, në rastet kur persona të masakruar figurojnë si pjesëtarë të formacioneve të armatosura, përkatësisht si ushtarë, ndonëse në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur, të pauniformuar dhe nuk kishin bërë rezistencë, një kategorizim i tillë duhet marrë me rezervë.

Në shkurt 2009 dhe në janar 2014, Tribunali i Hagës, për vrasjet mes të tjerash edhe në Studime, si krim kundër njerëzimit dhe si shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës, i dënoi këta persona: Nikola Šainović, zëvendës-kryeministër i RFJ-së (1996-2000) me 22 vjet burg; Nebojša Pavković, komandant i Batalionit të Tretë të Ushtrisë së Jugosllavisë (1998-1999) me 22 vjet burg; si dhe Sreten Lukić, komandant i policisë sërbe në Kosovë (1998-1999) me 20 vjet burg.

Më 23 shkurt 2011, TPNJ gjeti se Vlastimir Đorđević, shef i Departamentit të Sigurisë Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Sërbisë, ishte fajtor për pesë pika, e katërta prej të cilave e ngarkonte për kryerjen e krimit të vrasjes, si krim kundër njerëzimit, nëpërmjet pjesëmarrjes në ndërmarrjen e përbashkët kriminale, si dhe për ndihmesën dhe nxitjen në vrasjen e shqiptarëve të Kosovës, mes të tjerash edhe në Studime, (por vetëm për këto katër viktima: Haki Gërxhaliu, Miran Xhafa, Veli Xhafa dhe Hysni Bunjaku), prandaj e dënoi me 27 vjet burg. Më 27 janar 2014 Dhoma e Apelit e TPNJ-së ia uli dënimin në 18 vjet.

Më 20 prill 2017, prokurori i EULEX-it Paul Flynn ngriti aktakuzë kundër të pandehurit Zoran Vukotić, me arsyetimin se më 2 dhe 3 maj 1999 ka marrë pjesë në sulmin mbi popullatën civile shqiptare në Studime, me ç’rast janë privuar nga jeta shumë persona. Por, më 25 maj 2018, i pandehuri është liruar nga kjo pikë e akuzës, në mungesë të provave të mjaftueshme që do ta vërtetonin pjesëmarrjen e tij në sulm.

© Reuters

Shqiptarët e liruar nga kampi në Smrekonicë të Vushtrrisë e kalojnë kufirin me Shqipërinë.

Ethnic Albanian men aledgedly released by Serbs from a camp in Smrkovina between the towns of Vucitrn and Mitrovica in Kosovo arrive in the northern Albanian village of Morina May 22. About 800 men crossed the broder.
NSO/ME

 

Një vlerësim dhe mirënjohje e thellë për Dr. Luljeta

Dr. Luljeta Gashi përfaqëson një shembull të mirë të profesionalizmit mjekësor të ndërthurur me etikë të lartë humane dhe përkushtim të sinqertë ndaj pacientit. Si mjeke e përgjithshme me ordinancën e saj dhe me një formim akademik të avancuar, përfshirë përvojën në Universitetin e Tübingenit, ajo ka arritur të krijojë një standard të lartë shërbimi shëndetësor në komunitetin ku ushtron veprimtarinë e saj, në rrethin e Fellbach-ut, pranë Stuttgart-it.

Përkushtimi i saj ndaj pacientëve reflektohet jo vetëm në kompetencën profesionale, por edhe në kujdesin e vazhdueshëm dhe të personalizuar që ajo ofron. Që nga momenti i diagnostikimit tim e deri më sot, Dr. Luljeta ka dëshmuar një angazhim të palëkundur në ndjekjen e gjendjes sime shëndetësore, duke ofruar këshillim të detajuar dhe duke koordinuar me përgjegjësi trajtimet përkatëse në institucionet spitalore relevante.

Një ndër aspektet e çmuara të punës së saj mbetet gatishmëria për të shkuar përtej detyrës profesionale. Vizitat e saj mjekësore në shtëpi, të kryera me përkushtim dhe pa hezitim, përbëjnë një dëshmi të rrallë të humanizmit në praktikën mjekësore bashkëkohore. Në këto momente, ajo nuk është vetëm mjeke, por edhe një mbështetje e çmuar njerëzore.

Dr. Luljetën , e njoh që nga periudha e studimeve të saj, kohë gjatë së cilës ajo shquhej për angazhim të lartë, disiplinë akademike dhe vullnet të vazhdueshëm për të kontribuar në komunitet, përfshirë edhe aktivitetet pranë zyrës së Kosovës në Stuttgart. Këto cilësi janë konsoliduar dhe reflektuar në mënyrë të qëndrueshme në rrugëtimin e saj profesional.

Në përmbyllje, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për kujdesin e vazhdueshëm dhe në veçanti për vizitën mjekësore që më bëri në shtëpi, e cila për mua kishte një vlerë të veçantë si në aspektin profesional, ashtu edhe në atë njerëzor.

Me këtë rast, i uroj një fundjavë të këndshme, të mbushur me qetësi, energji pozitive dhe momente të bukura që i japin forcë dhe frymëzim për angazhimet e saj të çmuara profesionale dhe njerëzore.

 

Kosova përparon për 15 vende në lirinë e shtypit

 

Kosova është ngritur për 15 vende në renditjen e Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit. Në raportin e publikuar nga “Reporterët pa Kufij” gjatë së enjtes, KOHA është përmendur si një nga mediat më të njohura dhe më me ndikim në vend. Por për përfaqësuesit e organizatës “Reporterët pa Kufij”, pozita e 84-të për Kosovën në këtë indeks nuk duhet të shihet si pozitive

Kosova ka shënuar përparim në fushën e lirisë së medias, bazuar në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të “Reporterëve pa Kufij”, duke u ngritur për 15 vende krahasuar me një vit më parë.
Në Indeksin e sivjetmë, Kosova është renditur e 84-ta në mesin e 180 shteteve të botës, ndërsa më 2025 ka qenë e 99-a.

Siç citohet në raport, liria e medias në Kosovë vazhdon të kërcënohet nga rregullimi i politizuar, nga paditë SLAPP, si dhe nga qasja e pamjaftueshme në informacion publik.

“Edhe pse tregu mediatik në Kosovë është i larmishëm, zhvillimi i tij kufizohet nga madhësia e vogël dhe ndarjet etnike. Liria e medias kërcënohet nga rregullimi i politizuar, paditë strategjike kundër pjesëmarrjes publike (SLAPP), qasja e pamjaftueshme në informacion publik dhe rreziqet për sigurinë e gazetarëve”, thuhet në raportin e “Reporterëve pa kufij”, i cili është publikuar të enjten.

Me gjithë këto kufizime, raporti specifikon se Kosova ka një treg mediatik dinamik dhe të shumëllojshëm.

E ndër mediumet kryesore përmendet edhe KOHA, si një nga mediat më të njohura dhe më me ndikim në vend.

“Sektori televiziv, megjithëse shumë i përqendruar, dominohet nga kanale private me seli në Prishtinë, ndërsa transmetuesi publik RTK luan një rol të rëndësishëm. Portalet online të lajmeve përfshijnë media të njohura dhe me ndikim si KOHA, BIRN, Kossev dhe Kosovo 2.0, kjo e fundit një nga të paktat që publikon si në shqip ashtu edhe në serbisht”, është specifikuar në raport.

Në këtë raport është theksuar njashtu se gazetarët në Kosovë vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve politike. “Reporterët pa kufij” e kanë cilësuar rregullatorin e mediave, Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), si joefektiv. Gjithashtu, kanë përmendur edhe ankesat e mediave në gjuhën serbe.
Raporti e ka përmendur si pozitiv faktin që sistemi gjyqësor ka filluar që t’i trajtojë si prioritet rastet që lidhen me gazetarët.

“Edhe pse mediat arrijnë t’i mbajnë politikanët përgjegjës, gazetarët vazhdojnë të jenë objekt i sulmeve politike. Rregullatori joefektiv i mediave, Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), iu nënshtrua një reforme legjislative që u vlerësua antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Para zgjedhjeve të përgjithshme në fillim të vitit 2025, disa media private u përballën me bojkot nga qeveria, e cila gjithashtu kërcënoi pavarësinë e transmetuesit publik RTK. Mediat në gjuhën serbe, që janë nën presion nga forcat politike serbe, janë ankuar për diskriminim në qasjen në informacion publik, veçanërisht në gjuhën e tyre, e cila është gjuhë e pakicës kushtetuese”, thuhet në raport.

Në fund, raporti ka theksuar se mediat e pavarura dhe disa gazetarë hulumtues shpesh bëhen objekt i fyerjeve dhe i lajmeve të rreme në rrjetet sociale.

Sipas këtij raporti, gazetarët akuzohen padrejtësisht për “bashkëpunim me armikun”, një retorikë e përdorur nga grupe politike dhe fetare.

Pavol Szalai, i cili është drejtor i byrosë në Pragë të “Reporterëve pa Kufij”, renditjen e sivjetme të Kosovës nuk e ka kualifikuar si pozitive, ndërsa përmirësimin e ka vlerësuar si modest.

“Përmirësimi i pikëve mbetet modest, ndërsa në këtë pjesë shumë të ngjeshur të renditjes, edhe ndryshime të vogla në pikë mund të sjellin lëvizje të mëdha në pozicion. Rritja në renditje është gjithashtu pjesërisht pasojë e rënies së vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht Bosnjës dhe Serbisë. Kosova mbetet ndër vendet me performancën më të dobët në Evropë, duke u renditur e katërta nga fundi mes 40 vendeve të BE-së dhe Ballkanit —menjëherë pas Shqipërisë dhe përpara Bosnjës e Serbisë, të cilat kanë pësuar rënie”, ka theksuar ai.

Raporti i “Reporterëve pa Kufij” mbulon 180 shtete të botës. Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria sivjet ka pësuar rënie në renditje. Nga vendi i 80-të në vitin e shkuar, sivjet ka rënë në atë të 83-n. Më së miri nga rajoni është renditur Mali i Zi, në vendin e 41-të. Maqedonia e Veriut në të 45-tin. E Serbia ka shënuar sërish rënie, duke u renditur në pozitën e 104-të.koha,net

Haxhiu shpall 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në Kosovë

Një burrë duke votuar në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare. Këto do të jenë zgjedhjet e tretat brenda rreth një viti e gjysmë dhe pritet ta thellojnë krizën politike dhe institucionale.

Vendimi i Haxhiut të enjten vjen pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu në një konferencë për media.

Më vonë, ajo e bëri publik edhe dekretin formal për mbajtjen e zgjedhjeve më 7 qershor.

Ajo tha se 15 nga 17 partitë e ftuara morën pjesë në takim për të zgjedhur mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit.

Edhe përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se ishin pajtuar që zgjedhjet e reja të mbaheshin më 7 qershor.

Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.

Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ – i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve – parapëlqen 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.

Po ashtu, edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, konfirmoi se ka “pajtueshmëri pothuajse të plotë” që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.

Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkuptoi se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme dhe 7 qershori ishte data e fundit e mundshme.

Zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme

Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare brenda 18 muajsh, pas atyre në shkurt dhe dhjetor 2025, që sipas ekspertëve e kanë futur vendin në krizë institucionale sistematike.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova po përjeton krizë politike e institucionale dhe se zgjedhje e parakohshme parlamentare “nuk garantojnë stabilitet” as tani.

Ai nënvizoi se, në sytë e faktorit ndërkombëtar, Kosova po përjeton “krizë politike dhe institucionale sistematike”.

Më herët të enjten, Bashkimi Evropian shprehu keqardhje që partitë politike nuk e gjetën asnjë figurë unifikuese për kandidat për president të vendit për t’i shmangur zgjedhjet e treta të njëpasnjëshme.

Një zëdhënës i BE-së i tha Radios Evropa e Lirë se blloku evropian u bën thirrje partive politike të gjejë gjuhë të përbashkët për t’i shmangur krizat institucionale në vend.

“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha zëdhënësi.

Analistët kanë paralajmlruar gjithashtu se kriza ngadalëson reformat kyç dhe krijon kosto të vazhdueshme financiare për buxhetin e shtetit, pa asnjë garanci se zgjedhjet e reja do të sjellin stabilitet politik.

Naim Jakajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i tha REL-it se pasoja e parë është paralizimi i procesit legjislativ. Në mungesë të një Kuvendi funksional, nuk miratohen ligje të reja dhe ngadalësohen reformat kyç, përfshirë ato që lidhen me sundimin e ligjit dhe integrimin evropian.

Ai nënvizoi se mungesa e një Qeverie me mandat të plotë reflektohet drejtpërdrejt edhe në planin ndërkombëtar.

Sipas tij, kjo mund të shkaktojë vonesa në procese të rëndësishme, si aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës apo përmbushja e obligimeve në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian.

Zgjedhjet e reja do t’i kushtojnë shtetit gjithashtu edhe me barrë financiare, pasi besohet se nevojiten rreth 10 milionë euro për mbajtjen e tyre.

Përpjekjet e dështuara

Përpjekjet disamujore për zgjedhjet e presidentit të ri dështuan në mungesë të lëshimeve nga paria në pushtet e kryeministrit Albin Kurti, Lëvizja Vetëvendosje, dhe dy partive më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK.

Kurti kishte zhvilluar takime me liderët e tyre në muajt e kaluar, por ata asnjëherë s’u dukën afër një marrëveshjeje për një president të ri.

Partia në pushtet nxori në dy raste nga dy kandidatë në votim në Kuvend, përfshirë dy që tha ishin jopartiakë këtë muaj në përfundim të mandatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit – por në të dyja rastet opozita e braktisi sallën duke e pamundësuar votimin.

Nevojitet prania e 2/3 të deputetëve në Kuvendin me 120 vende që votimi për presidentin e Kosovës të jetë i vlefshëm.

Moszgjidhja e presidentit brenda afatit çoi në shpërndarjen e Kuvendit dhe shkuarjen drejtpërdrejt në zgjedhje parlamentare.

“I është kufizuar koha e ajrimit”, Blushi publikon raportin e KShH për Ilir Metën: Konfirmon trajtimin çnjerëzor dhe kriminal të tij! Të nisin hetimet

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka publikuar raportin e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), duke ngritur akuza të forta për shkelje të të drejtave të njeriut ndaj presidentit të kësaj force politike, Ilir Meta, gjatë qëndrimit në paraburgim.

Në reagimin e tij, Blushi shpreh falënderim për KShH, duke theksuar se raporti konfirmon “pa asnjë ekuivok” denoncimet e bëra më herët nga Meta për kushtet në institucionin e paraburgimit IEVP “Jordan Misja”.

Sipas raportit të KShH, Meta është përballur me shkelje të lirive themelore, përfshirë kufizimin e lirisë së shprehjes, pengimin e komunikimit me median dhe kufizime në kontaktet me familjarët dhe bashkëpunëtorët politikë.

Blushi thekson se raporti përforcon edhe gjetjet e mëparshme të Avokatit të Popullit, rekomandimet e të cilit, sipas tij, janë shpërfillur prej muajsh.

Një nga çështjet kryesore të ngritura lidhet me kohëzgjatjen e ajrimit. KShH konstaton se Meta ka qëndruar në ambiente të hapura më pak se 2 orë në ditë, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, ku në disa raste ajrimi ka zgjatur vetëm 40 deri në 90 minuta.

Raporti evidenton gjithashtu kufizime në takimet me përfaqësues politikë dhe familjarë. Sipas KShH, këto takime janë trajtuar si familjare, duke kufizuar numrin e tyre dhe duke sjellë, sipas raportit, një cenim të të drejtave të parashikuara me ligj.

 

Po ashtu, përmendet edhe çregjistrimi i një numri kontakti të një zyrtari të Partisë së Lirisë, që sipas Blushit ka ndikuar në izolimin e Metës dhe kufizimin e komunikimit të tij politik.

Reagimi i plotë:

Falenderim publik për Komitetin Shqiptar të Helsinkit, që në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe nën një klimë presioni të vazhdueshme, ia ka arritur të kryejë me profesionalizëm, paanësi dhe integritet misionin e tij të monitorimit dhe verifikimit të kushteve kriminale të paraburgimit politik të Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta.
Raporti konfirmon pa asnjë ekuivok vërtetësinë e të gjitha denoncimeve publike të Presidentit Meta, jo vetëm lidhur me shkeljet flagrante të lirive dhe të drejtave të tij themelore njerëzore dhe politike gjatë paraburgimit në IEVP “Jordan Misja”, por edhe kushtet çnjerëzore për të gjithë të paraburgosurit e tjerë, që vuajnë po njësoj në të gjithë vendin.
Jo vetëm kaq, por ky raport përforcon edhe konstatimet e mëparshme të institucionit kushtetues të Avokatit të Popullit, rekomandimet e të cilit për muaj me radhë janë shpërfillur qëllimisht, duke konfirmuar se kjo situatë shumë e rëndë nuk është rezultat i neglizhencës apo papërgjegjshmërisë, por dëshmi e qartë e persekucionit të qëllimshëm politik të Z. Meta të urdhëruar drejtpërdrejt nga Edi Ramës, që siç dihet botërisht është “de facto” jo vetëm gardiani, përgjegjësi i seksionit, drejtori i IEVP “Jordan Misja”, por njëherazi edhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Trajtimi çnjerëzor dhe degradues, kushtet denigruese dhe poshtëruese që i janë imponuar për më shumë se 20 muaj Z. Meta, si dhe kufizimet e padrejta që variojnë nga cenimi flagrant i lirisë së shprehjes deri te pengimi i kontakteve me familjarët dhe bashkëpunëtorët politikë, tashmë janë të dokumentuara qartë në këtë raport të KSHH, alarmues sa i përket nivelit të shkeljes së legjislacionit të brendshëm, Kushtetutës, por edhe të standardeve të Këshilli i Evropës mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve, si dhe të praktikës së konsoliduar të Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Konkretisht, KSHH evidenton cënimin e lirisë së shprehjes së Z. Meta, referuar faktit se ai është privuar nga e drejta për të komunikuar me median, të drejtë që ia garanton ligji, në veçanti me gazetarët që janë pajisur me leje nga Prokuroria e Posaçme SPAK për ta intervistuar.
(DOKUMENTI 2)
KSH konstaton gjithashtu vërtetësinë e denoncimit publik të Z. Meta lidhur me trajtimin diferencues, duke mos u lejuar, në shkelje flagrante të ligjit, që të dalë në ajrim dy herë në ditë si pjesa tjetër e të paraburgosurve dhe të burgosurve, si dhe duke qëndruar në mjedise të hapura më pak se dy orë në ditë.
(DOKUMENTI 3)
“Kjo ankesë u verifikua nga gjetjet e monitorimit dhe këqyrja e librit të hyrje-daljeve për periudhën 06-09 Prill 2026, ku rezultoi se kohëzgjatja e ajrimit ka qenë më pak se 2 orë, duke variuar nga 40 deri në 90 minuta në ditë. Ky fakt bie ndesh me me pikën 1 të nenit 37¹ të ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i cili garanton jo më pak se 2 orë ajrim në ditë. KShH rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për respektimin e kohës ligjore të ajrimit dhe trajtim të barabartë me të paraburgosurit e tjerë”.
Një tjetër shkelje flagrante e ligjit, e konstatuar gjithashtu nga KSHH, që konfirmon vërtetësinë e denoncimit të Z. Meta, që gjithashtu është një nga 9 rekomandimet ende te pazbatuara qëllimisht prej muajsh të Avokatit të Popullit, lidhet edhe takimet e tij me familjarët dhe bashkëpunëtorët politikë në ambientet e paraburgimit.
(DOKUMENTI 4)
“Meta u ankua se takimet me përfaqësues të partisë politike që ai drejton dhe me deputetët e Kuvendit të RSH llogariten si takime familjare, duke i kufizuar numrin total të takimeve të lejuara së paku 4 herë në muaj. Sikurse e ka evidentuar edhe në korrespondenca te mëhershme, KShH vlerëson se ky kufizim përbën shkelje të nenit 51 të ligjit nr. 81/2020, I cili parashikon se deputetët kanë të drejtë të hyjnë në institucion pa autorizim paraprak dhe pa asnjë kufizim të shprehur në numër takimesh. Duke konsumuar ‘kuotën’ e takimeve me subjekte politike, i paraburgosuri privohet de-facto nga kontakti me familjen, situatë kjo që sjell cënim të detyrimeve që burojnë nga nenet 49 dhe 49 të Ligjit nr.81/2020, si dhe dobëson efektivisht lidhjet e të paraburgosurit në kontakte fizike të rregullta me familjarët e tij.”
Në këtë kuadër, KSHH ka konstatuar edhe faktin, gjithashtu një rekomandim tjetër i Avokatit të Popullit, që qëllimisht nuk zbatohet, sa i përket heqjes së paligjshme të numrit të regjistuar të Sekretarit të Përgjithshëm, të Partisë së Lirisë, numër i ç’regjistruar në funksion jo vetëm të izolimit ekstrem por edhe për t’i pamundësuar në ekstrem Z. Meta komunikimin e tij politik me drejtuesit e partisë.
(DOKUMENTI 5)

Vijojmë me të tjera shkelje të të drejtave themelore të njeriut, sa i përket kushteve të paraburgimit
(DOKUMENTI 6 – ZILJA E EMERGJENCËS)
(DOKUMENTI 7 – MOSPËRFSHIRJA NË AKTIVITETE SPORTIVE)
(DOKUMENTI 8 – HIGJENA)
(DOKUMENTI 9 – DRITA)
(DOKUMENTI 10 – BIBLIOTEKA)

Këto fakte përbëjnë një shkelje të rëndë jo vetëm të legjislacionit të brendshëm, Kushtetutës, KEDNJ por edhe të standardeve të Këshilli i Evropës mbi Rregullat Evropiane të Burgjeve, si dhe të praktikës së konsoliduar të Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.
Heshtja dhe mosveprimi përballë këtyre shkeljeve shumë të rënda të të drejtave të njeriut, reflekton jo vetëm persekutimin politik të Z. Meta dhe shndërrimin e institucionit të paraburgimit në një institucion mesjetar ndëshkimi politik nga Edi Rama, por përbëjnë edhe shkelje që minojnë themelet e shtetit të së drejtës.
Sepse nuk janë vetëm kushtet e Z. Meta, por këto janë edhe standardet e trajtimit të të gjithë të paraburgosurve të tjerë, jo vetëm te 313 por në mbarë vendin, përfshi edhe standardet e trajtimit çnjerëzor të vetë gardianëve, që punojnë në kushte shumë të vështira, me paga mizerabël dhe që nuk trajtohen financiarisht për orët shtesë.
I bëjmë thirrje publike Ministrit të Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të reagojnë pa vonesë, jo vetëm në zbatimin e 9 rekomandimeve të Avokatit të Popullit por edhe të rekomandimeve të fundit të KSHH.
I bëjmë thirrje gjithë institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë të drejtat e njeriut në vendit tonë, të reagojë fuqishëm dhe të nxisin Qeverinë shqiptarë të heqë dorë nga trajtimi çnjerëzor ndaj të gjithë të paraburgosurve, si dhe praktikave kriminale ndëshkimore ndaj drejtuesve politikë.
Dy palë verifikime, Avokati i Popullit dhe KSHH që konfirmojnë shkeljen me qëllim të ligjit, vë para përgjegjësisë edhe drejtësinë që duhet të reagojë menjëherë për këto dosje të gatshme, që meritojnë hetim të thelluar dhe ndëshkim sipas ligjit, jo vetëm në funksion në vend të sjelljes kriminale ndaj Z. Meta por edhe vendosjen e një standardi për mënyrën e trajtimit të gjithë të paraburgosurve në Republikën e Shqipërisë.
Nuk mund të ketë Shqipëri europiane në një realitet ku standardet themelore të shtetit ligjor rrëzohen njëra pas tjetrës, ku lufta kundër korrupsionit mbetet selektive, ku liria e medias dhe e shprehjes degradojnë, dhe ku liritë politike shtypen përmes praktikave të papranueshme të ndëshkimit dhe paraburgimit.

Një vend që trajton të paraburgosurit në mënyrë çnjerëzore dhe përdor sistemin e drejtësisë si instrument presioni politik, jo vetëm që largohet nga vlerat europiane, por rrezikon të kthehet në një model që bie ndesh me çdo standard demokratik. Madje, në disa raste, këto praktika janë më shqetësuese sesa mënyra se si regjime autoritare, si ai i Vladimir Putin, kanë trajtuar kundërshtarët e tyre politikë, ku figura si Alexei Navalny apo Mikhail Khodorkovsky kanë pasur mundësi të komunikojnë dhe të japin intervista publike.

Pa garantimin real të të drejtave themelore të njeriut, pa standarde minimale humane në sistemin e paraburgimit dhe pa respekt për pluralizmin politik, çdo retorikë për integrim të shpejtë në BE mbetet thjesht propagandë. Integrimi europian nuk është një proces formal, por një provë konkrete e demokracisë funksionale një provë që Shqipëria, në këto kushte, rrezikon ta dështojë. bw

Ulutash: Situata e sigurisë e brishtë, me potencial për tensione të reja në veri të Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutash, tha se që nga tetori i vitit 2025, situata e sigurisë në Kosovë është përgjithësisht e qetë, por me potencial që të ketë tensione të reja.

“Ne nuk kemi parë përsëritje të dhunës, siç kemi parë më 2023. Megjithatë, situata mbetet e brishtë, me potencial për tensione të reja, veçmas në veri të Kosovës”, tha ai gjatë një takimi me ambasadorët e shteteve të NATO-s dhe partnerëve që kontribuojnë në NATO në Bruksel më 29 prill.

Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, më 2023, fillimisht në maj, kur serbët lokalë kundërshtuan nisjen e punës të kryetarëve shqiptarë të katër komunave në veri, të cilët u zgjodhën pasi serbët lokalë bojkotuan zgjedhjet lokale.

Tensionet kulmuan në shtator të po atij viti, kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Më herët gjatë këtij viti, shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se ende pret që Serbia të përcaktojë përgjegjësinë për Banjskën.

Ulutash gjatë takimit në Bruksel po ashtu tha se ka nevojë “urgjente për një zgjidhje afatgjatë politike”.

“NATO vazhdon ta mbështesë plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e raporteve mes Prishtinës dhe Beogradit. Në fund, stabiliteti varet kur të gjitha palët zgjedhin diplomacinë mbi dhunën. Rruga drejt paqes afatgjatë është politike, nuk është ushtarake. KFOR do të vazhdojë ta mbështesë këtë proces”, tha Ulutash.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog, nën ndërmjetësimin e BE-së, që nga viti 2011.

Një sërë marrëveshjesh janë arritur përgjatë viteve të dialogut, por shumë nga to nuk janë zbatuar në terren.

Megjithatë, takim në nivelin e lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023. Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit ishte zhvilluar disa ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, për të cilin Kosova e fajëson Serbinë, por Beogradi mohon çdo përfshirje.

Tërmkolli godet ashpër Opozitën: “Frikacakë, kujt po i shërbeni? Po e dëmtoni Kosovën pariparueshëm!”

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorja e ngushtë e Presidentit Ibrahim Rugova, Melihate Tërmkolli, ka lëshuar një kritikë të ashpër ndaj partive opozitare në Kosovë.

Postimi i plotë në rrjetet sociale:

Si ka mundësi që në seancën e Kuvendit për President-e, e cila po mbahet tash, nuk është prezente e quajtura opozitë, së paku për të sqaruar qëndrimet e tyre apo refuzimin, procesin e deritanishëm për këtë çështje, argumentet e tyre, qëllimet e tyre, etj!
Kujt po i shërbejnë këta frikacakë, maskarenj?!
Kosoves, jo!
Po e bëjnë Albinin me pushtet të “ përjetshëm”!
Kosova po dëmtohet, mbase pariparueshëm!

Ambasadori i Serbisë në Bernë citon kryetarin e Pejës për të sulmuar kryeministrin e Kosovës

Ivan Trifunoviq, i cili ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në SHBA dhe nga ministri i jashtëm Marko Gjuriq është shpërblyer me postin e ambasadorit të Serbisë në Bernë, e ka lavdëruar kryetarin e Pejës dhe anëtarit të Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, i cili e ka krahasuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti me Sllobodan Millosheviqin.

Në një intervistë për portalin zviceran të lajmeve “20 minuten” ambasadori i Serbisë në Bernë, Ivan Trifunoviq, ka folur edhe për situatën në Kosovë. Ai e ka quajtur qeverinë e Kosovës të drejtuar nga Albin Kurti si “ekstremiste”. Si shembull Trifunoviq ka marrë një deklaratë të kryetarit të Pejës dhe anëtarit të Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Gazmend Muhaxheri.

Trifunoviq e lavdëroi Muhaxherin duke thënë: “Vetë udhëheqësit e opozitës shqiptare thonë për Kurtin: Ajo që ai po u bën serbëve është e papranueshme. Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, e ka krahasuar veprimin e Kurtit në komunat serbe me veprimin e Millosheviqit në vitin 1989 ndaj Kosovës”.

Trifunoviq, një biznesmen serb i emigruar në SHBA, ka qenë aktiv si lobist i qeverisë serbe në Washington dhe nga ministri i jashtëm Marko Gjuriq është shpërblyer me postin e ambasadorit të Serbisë në Bernë. Trifunoviq tha se qeveria e Kurtit dëshiron t’i heqë qafe serbët e Kosovës ngjashëm siç ka bërë Kroacia me pakicën serbe. Ambasadori serb në Bernë tha se policia e Kosovës po hyn në shkolla e spitale të menaxhuara nga serbët, gjë që sipas të gjitha raportimeve të deritanishme është e pavërtetë. Trifunoviq përmendi, sipas tij, “arrestimet arbitrare” të serbëve në Kosovë, por nuk përmendi me asnjë fjalë sulmin terrorist të bandës së Millan Radoiçiqit më 2023, me ç’rast u vra një polic i Kosovës. Megjithatë, sipas Trifunoviq, çfarë po bën qeveria e Kosovës në veri është “saktësisht ajo që Millosheviqi u bëri shqiptarëve”. Trifunoviq deklaroi se një përfaqësues i qeverisë serbe ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një organizatë terroriste. Ai, sipas Trifunoviq, u arrestua, për diçka që hyn te liria e tij e shprehjes. “A synojnë të arrestojnë çdo zyrtar apo diplomat serb që thotë se UÇK-ja ka qenë një organizatë terroriste – përfshirë edhe mua?”, pyeti Trifunoviq./koha.net

Kur do të mbahen zgjedhjet e reja të parakohshme në Kosovë?

Një person me fletëvotim në dorë duke shkuar për ta hedhur votën e vet në kutinë e votimit në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

 

Ekrem Idrizi

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tani ka pak më shumë se një muaj kohë për t’i përgatitur dhe zhvilluar zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare, të tretat radhazi brenda rreth një vitit e gjysmë.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit. Por kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri.

Cilat janë data e mundshme për ditën e zgjedhjeve?

Janë vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor, sipas Melos Kolshit, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).

Për shkak se presidenti nuk u zgjodh brenda afatit prej 34 ditësh që Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur në një aktgjykim në mars, Kuvendi u shpërnda automatikisht më 28 prill, shpjegon Kolshi për Radion Evropa e Lirë (REL).

Përndarja e Kuvendit, sipas tij, nënkupton nisjen e menjëhershme të procesit drejt zgjedhjeve të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.

“Në këtë mënyrë, pas dështimit të Kuvendit për të zgjedhur presidentin, krijohet një rend i detyrueshëm veprimesh: së pari, shpërndarja automatike e Kuvendit si pasojë kushtetuese; së dyti, aktivizimi i kompetencës së ushtrueses së detyrës së presidentit për caktimin e datës së zgjedhjeve; dhe së treti, organizimi i zgjedhjeve të parakohshme brenda afateve të përcaktuara ligjore”, thotë Kolshi për REL-in.

Si caktohet data e zgjedhjeve?

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, duhet tani t’i ftojë partitë politike në takim për të biseduar për datën e parapëlqyer për mbajtën e zgjedhjeve.

Këtë herë, ato do ta kenë më të lehtë të zgjedhin, sepse kanë vetëm dy opsione: 31 majin, ose 7 qershorin.

Pas një takimi të tillë dhe pajtueshmërisë për datën e zgjedhjeve, Haxhiu duhet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë.

“Ky vendim duhet të merret brenda një afati prej 10 ditësh nga dita e shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa data e zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje me kufijtë kohorë të përcaktuar me ligj, përkatësisht zgjedhjet nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzet e pesë (45) ditë nga dita e shpërndarjes”, tregon Kolshi.

Pse vetëm dy data të mundshme?

Gjithë këto zhvillime kanë bërë që të mos ketë shumë opsione.

Përveç afatit kohor prej 30 deri në 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, ekziston edhe një praktikë zgjedhore në vend që lë kaq pak hapësirë: mbajtja e zgjedhjeve në një ditë fundjave.

“Gjithashtu, ligji kërkon që zgjedhjet të mbahen në një ditë të diel, duke respektuar praktikën dhe standardet zgjedhore; në këtë rast konkret, duke pasur parasysh se data e shpërndarjes së Kuvendit është 28 prill, datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 31 maj dhe 7 qershor”, shpjegon Kolshi.

Sipas Kolshit, ky zhvillim përfaqëson një shembull tipik të mënyrës se si Gjykata Kushtetuese, përmes interpretimit të saj, ka saktësuar dhe operacionalizuar normat kushtetuese, duke krijuar një mekanizëm të qartë dhe automatik për zgjidhjen e krizave institucionale.

“Njëkohësisht e ka kufizuar hapësirën për ndërhyrje diskrecionale nga ana e ushtrueses së presidentit në këtë rast, e po ashtu ka kufizuar mundësitë për ndonjë abuzim eventual me të drejtat e afatet nga ndonjë subjekt”, përfundon ai.

Në vitin 2025 u nominua për Çmimin Nobel për Paqe dr. Feride Rushiti, kandidate për Presidente e Kosovës

Biografia e dr. Feride Rushiti, kandidate për Presidente:

Feride Rushiti është mjeke dhe aktiviste e shquar për të drejtat e njeriut, një nga figurat kyçe në Kosovë dhe ndërkombëtarisht në fushën e rehabilitimit të viktimave të torturës dhe të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. E lindur më 12 shtator 1970 në Kosovë, ajo u diplomua në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, ku u specializua në gastroenterologji.

Fillimisht e orientuar drejt një karriere klinike, rrjedha e jetës së saj ndryshoi rrënjësisht gjatë luftës së Kosovës (1998–1999), kur shërbeu si mjeke në kampet e refugjatëve shqiptarë në Shqipëri, duke trajtuar viktima të dhunës, torturës dhe traumës së rëndë psikologjike.

Kjo përvojë u bë pikëkthese, duke e orientuar drejt angazhimit afatgjatë në drejtësi, rehabilitim dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut. Menjëherë pas luftës, në vitin 1999, ajo themeloi dhe vazhdon të drejtojë Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (KRCT/QKRMT), organizata e parë e këtij lloji në Kosovë, e cila u krijua për të ofruar mbështetje gjithëpërfshirëse për viktimat e luftës. Nën udhëheqjen e saj, KRCT ka zhvilluar një model të integruar multidisiplinar që përfshin trajtim mjekësor, këshillim psikosocial, asistencë ligjore dhe avokim për politika publike, duke u shndërruar në një nga modelet më të avancuara në rajon për rehabilitimin e viktimave të torturës dhe traumës së luftës.

Gjatë më shumë se dy dekadave, puna e saj ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e mbi 18,000 përfituesve, përfshirë mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës, një nga kategoritë më të stigmatizuara në shoqërinë kosovare. Përmes një qasjeje të qëndrueshme dhe të ndjeshme ndaj traumës, ajo ka qenë ndër zërat kryesorë në thyerjen e heshtjes dhe në sfidimin e stigmës shoqërore, duke kontribuar në ndryshimin e narrativës publike nga turpi dhe heshtja drejt dinjitetit, njohjes dhe drejtësisë.

Në nivel institucional dhe ligjor, kontributi i saj ka qenë thelbësor në avancimin e të drejtave të të mbijetuarve. Ajo ka luajtur rol aktiv në proceset avokuese që çuan në ndryshimet ligjore të vitit 2014, përmes të cilave të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës u njohën zyrtarisht si viktima civile të luftës në Kosovë, si dhe në krijimin e mekanizmave shtetërorë për verifikim dhe përfitime financiare, që filluan të zbatohen nga viti 2017. Përveç kësaj, ajo ka kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave për drejtësi tranzicionale, dokumentimin e krimeve të luftës dhe promovimin e reparacioneve për viktimat.

Angazhimi i saj shtrihet edhe në nivel ndërkombëtar, ku ajo ka ndarë përvojën e Kosovës si model për vendet që përballen me pasojat e konflikteve, përfshirë Irak, Ukrainë dhe Kolumbi. Ajo ka bashkëpunuar me organizata ndërkombëtare, institucione akademike dhe mekanizma globalë për të drejtat e njeriut, duke kontribuar në avancimin e njohurive mbi traumën, rehabilitimin dhe drejtësinë për viktimat e dhunës.

Puna dhe lidershipi i saj janë vlerësuar me çmime të rëndësishme ndërkombëtare, ndër të cilat spikat çmimi prestigjioz International Women of Courage Award, i akorduar në vitin 2018 nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së, në shenjë njohjeje për guximin dhe përkushtimin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Në vitin 2025, ajo u nominua për Çmimin Nobel për Paqe, duke reflektuar ndikimin e saj të gjerë në promovimin e drejtësisë dhe dinjitetit për viktimat e luftës.

Dr. Feride Rushiti mbetet një nga pionieret e drejtësisë tranzicionale në Kosovë, duke ndërtuar ura mes shërimit individual dhe drejtësisë shoqërore. Misioni i saj është i qartë dhe i qëndrueshëm: ndërtimi i një shoqërie ku viktimat e luftës trajtohen me dinjitet, ku drejtësia është e qasshme dhe ku stigma zëvendësohet me njohje, solidaritet dhe përgjegjësi institucionale. Përmes punës së saj të palodhshme, ajo ka kontribuar jo vetëm në shërimin e mijëra individëve, por edhe në transformimin e vetë shoqërisë kosovare drejt një kulture më të drejtë dhe më humane.

Në Ditën e Personave të Zhdukur përurohet murali për Nënë Ferdonijen në Prishtinë

Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.

Në Ditën e Personave të Zhdukur, më 27.04.2026, është përuruar murali me fotografinë e Ferdonije Qerkezit, e njohur si Nënë Ferdonija, së cilës ushtria serbe i vrau burrin dhe katër djemtë gjatë luftës në Kosovë.

Murali me foton e Nënë Ferdonijes, i realizuar nga organizata “Youth Initiative for Human Rights Kosovo” (YIHRKS ) dhe punuar nga Ermira Murati, e njohur si “Orange girl”, është vendosur në murin anësor të një ndërtese në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Prishtinë.

Murali është inauguruar në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë, “27 Prilli”, në kujtim edhe të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës dhe në nderim të familjeve që vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën dhe drejtësi.

Portreti paraqet Nënën Ferdonijen, nëna nga Gjakova, e cila humbi bashkëshortin dhe katër djemtë e saj gjatë luftës. Për dekada me radhë, ajo vazhdon të kërkojë përgjigje për fatin e dy djemve dhe burrit të saj. Derisa eshtrat e dy djemve të tjerë janë gjetur dhe janë identifikuar. Këmbëngulja dhe forca e saj e kanë kthyer në një simbol të fuqishëm të përballjes së humbjes së mijëra familjeve të personave të zhdukur në Kosovë.

Sipas organizatorëve, ky mural nuk përfaqëson vetëm historinë e saj, por edhe dhimbjen, pasigurinë dhe shpresën e të gjitha familjeve që ende presin përgjigje.

Marigona Shabiu, Drejtorë Ekzekutive e YIHRKS, tha se sot ky mural është njëkohësisht edhe një ri-afirmim për të kujtuar pse kujtesa kolektive ka rëndësi në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe paqësore.

Sipas saj, Dita e Personave të Zhdukur është një moment për të kujtuar dhe punuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, siç tha ajo ende u mungojnë familjeve të tyre, të cilat për më shumë dekada dy dekada presin në ankth për fatin e tyre.

“Ky mural mban portretin e një gruaje që përfaqëson këtë realitet në mënyrë më të qartë,  jo vetëm për atë që ka përjetuar por, por edhe mënyrën se si ka zgjedhur të qëndrojë e fortë e të vazhdojë të kërkojë të vërtetën”- tha Shabiu.

Ndërsa Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se me këtë moral nderohen mijëra familje, të cilat ende presin zbardhet fati i personave të dashur.

“Është detyrë e jona që kjo pritje të mos mbetet simbol por një angazhim i vazhdueshëm deri në ndriçimin e fatit të të zhdukurve me dhunë”- tha Gara.

Kurse Nënë Ferdonija falënderoi organizatoret duke bërë thirrje për angazhim të vazhdueshëm për fatin  e të pagjeturve.

“Ju falënderoj për këtë mural por edhe për këtë organizim”- tha ajo.

Një fjalë rasti mbajti edhe autorja e muralit, Ermira Murati.

Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.
Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.
Përurimi i muralit me portretin e Ferdonije Qerkezit në Prishtinë. KallXO.com.

Kurti sërish i bën apel opozitës të marrë pjesë në seancën për presidentin

Doruntina Baliu
  • Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
  • seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
  • Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
  • Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile thanë se votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm, cenon rendin kushtetues. REL

Sot afati i fundit- Vijon seanca plenare për zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës

Kuvendi i Kosovës zhvilloi dje një seancë plenare të rëndësishme kushtuar procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, në prag të përfundimit të afatit kushtetues për finalizimin e këtij procesi.

 

Seanca u karakterizua nga mungesa e opozitës, pasi deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës bojkotuan diskutimin, duke thelluar më tej ngërçin politik.

E marta shënon afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit. Në rast se procesi dështon, vendi rrezikon të hyjë në një krizë të re politike, me gjasë duke çuar drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Seanca plenare pritet të vijojë edhe sot në orën 10:00, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë zhvillime konkrete drejt zgjidhjes së situatës. bw

Jusuf Buxhovi: KUR I VIHESHIN THEMELET MIQËSISË ME SHBA-të

Lidhjet me SHBA, Aleatin ekzistencial, i kanë krijuar mendjendriturit, Elita e Kosovës para 4 dekadash me ndihmën e fuqishme të komunitetit Shqiptaro-Amerikan.

Prof.Jusuf Buxhovi kujton sot në rrjetin social si më poshtë:

“Përkujtesë historike

KUR I VIHESHIN THEMELET MIQËSISË ME SHBA-të
Në ditën e sotme, para 36 vitesh në Uashington, me Dr Ibrahim Rugovën , akademik Idriz Ajetin, kolonel Tomë Brishën, prof. M. Berishajn, Halil Matoshin e të tjerë – vizitë varrezave nacionale pas dëshmive në Kongresin Amerikan.”

Bashkë gjithmonë: në hap me dr.Rugovën, në Uashigton, në ditën e sotme para 36 vitesh…

 

Konjufca dhe Kollçaku tërhiqen nga kandidatura për president

Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër aktual dhe i propozuar aktual për president është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura.

Tërheqjen e bëri publike edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja.

Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme. REL

 

Jelena Gjukanoviq dënohet me gjashtë vjet burgim për spiunazh kundër Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë vjet burgim Jelena Gjukanoviqin, të cilën e ka shpallur fajtore për spiunazh kundër shtetit të Kosovës.

Ajo ishte e pranishme në gjykatore në shpalljen e aktgjykimit, në pasditen e së hënës.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se vendi është i angazhuar në zbulimin dhe parandalimin e spiunazhit.

Lidhur me dënimin prej gjashtë vjetësh burgim për Gjukanoviqin, Sveçla shkroi në rrjetet sociale se vendime për raste të tilla duhet të jenë “në përputhje me peshën dhe pasojat e rënda për këto akte”, duke kërkuar që të ketë më shumë vendosmëri në vendimmarrje dhe ndëshkueshmëri.

Gjukanoviq, punonjëse e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), u arrestua në shkurt të vitit 2025, ndërsa aktakuza ndaj saj u ngrit në shtator të po atij viti.

Ajo e ka mohuar fajësinë, teksa Prokuroria Speciale e Kosovës në fjalën përfundimtare të mbajtur javën e kaluar kërkoi dënim prej 25 vjetësh burgim.

Gjukanoviq, nga Mitrovica e Veriut, u arrestua në pikën kufitare të Jarinjës, në veri të Kosovës, dhe prej asaj kohe ndodhet në paraburgim.

Gjykimi ndaj saj nisi më 16 shtator të vitit të kaluar. Në aktakuzë thuhet se ajo ka transmetuar informacione tek Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Inteligjencës (BIA), ka rrezikuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Prokurori special, Bekim Kodraliu, gjatë gjykimit ka thënë se Gjukanoviq kishte qenë në kontakt me dy zyrtarë të BIA-s: Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i agjencisë në rajonin e Novi Pazarit, dhe Lubisha Bukviq, zyrtar tjetër i saj.

“Me këtë të fundit, e pandehura është takuar disa herë në zyrat e BIA-s në Beograd”, ka deklaruar ai.

Sipas Kodraliut, Gjukanoviq ka shfrytëzuar pozitën që mbante në OSBE, duke vepruar nën ndikimin e Aleksandar Vllajiqit, i dënuar tashmë për spiunazh, si dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s.

Prokuroria ka thënë se Gjukanoviq ka kontribuar në krijimin e një “narrativi armiqësor” ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Përmes këtyre veprimeve të qëllimshme, sipas Prokurorisë Speciale, Gjukanoviq ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit dhe personelit ndërkombëtar të OSBE-së në Kosovë.

Për çfarë u akuzua Gjukanoviq?

Jellena Gjukanoviq akuzohej se, prej një date të pacaktuar deri në momentin kur ishte arrestuar, më 28 shkurt 2025, në cilësinë e zyrtares vendore të misionit të OSBE-së në Kosovë, me dashje kishte ndihmuar në formë aktive Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri të Serbisë [BIA].

Sipas aktakuzës të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, Gjukanoviq i kishte ofruar BIA-s të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme që lidhen drejtpërdrejt me rendin kushtetues, sigurinë institucionale dhe veprimtarinë e brendshme të institucioneve të Republikës së Kosovës.

Këto informacione, gjithnjë sipas aktakuzës, Gjukanoviq ia kishte dhënë agjentit rezident të BIA-s, Aleksandër Vllajiqit, i cili u dënua për spiunazh nga Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 qershor 2025.

“…të cilat informacione pastaj janë transmetuar te zyrtarët e lartë të BIA-s, përkatësisht Ratko Gajtanoviq, përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit në Serbi, dhe zyrtarin tjetër Lubisha Bukviq, ku me këtë të fundit, e pandehura në disa raste edhe është takuar në zyrat e BIA-së në Beograd”, thuhet në aktakuzë.

Duke e shfrytëzuar pozitën si “zyrtare e Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale në Mitrovicë”, pranë Zyrës rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, Gjukanoviq akuzohet se përmes udhëzimeve që merrte nga i dënuari për spiunazh Vllajiq dhe zyrtarëve të tjerë të BIA-s, kishte ndikuar të përpiloheshin raporte të OSBE-së për situatën politike në Kosovë në atë mënyrë që të paraqesin një narrativ “armiqësor ndaj institucioneve të sigurisë, shtetësisë dhe integritetit të Republikës së Kosovës”.

Me këtë veprim, sipas aktakuzës, ajo e ka cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare dhe e ka vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe të personelit të OSBE-së në Kosovë.

Sipas dokumentit, në dy telefonat e saj që janë konfiskuar, prokuroria ka gjetur komunikimet e saj me zyrtarët e shërbimit sekret serb.

Nga të dhënat e ekzaminuara të telefonave ishte gjetur se Gjukanoviq e kishte informuar në vazhdimësi agjentin serb Aleksandër Vllajiq përmes komunikimeve në shtatë numra të ndryshëm të tij dhe në disa raste ishte takuar edhe me zyrtarin tjetër të BIA-s Lubisha Bukoviq, në Beograd.

Në aktakuzë janë paraqitur edhe pamje të ekranit me të dhëna nga OSBE-ja, në lidhje me çështjen e targave të veturave në veri të Kosovës.

“A lexuat se [kryeministri i Shqipërisë, Edi] Rama u dërgoi letër anëtarëve të BE-së për ta liruar [ish-presidentin, Hashim] Thaçi, për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale, historinë që Dick Marty bëri akuza të rreme për trafikim të organeve…”, ishte një prej mesazheve që ajo këmbeu me Vllajiqin, zyrtarin e BIA-s.

Teksa akuzohej se mbante komunikim të vazhdueshëm, Gjukanoviq përmendet në aktakuzë se e informonte Vllajiqin në lidhje me një incident ndaj një qytetari serb, duke pretenduar se është sulmuar nga Policia e Kosovës, duke i treguar se si duhet të alarmohen të gjitha ambasadat dhe gazetarët për këtë rast.

Madje në një komunikim me mesazhe të 22 korrikut 2021, të paraqitur në aktakuzë, Gjukanoviqit i kërkohet nga zyrtarët e BIA-s t’u sigurojë informacione për lëvizjen e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës, për çka sipas aktakuzës, ajo pajtohet ta kryejë si detyrë.

Sipas aktakuzës, në telefonat e saj të ekzaminuar janë gjetur edhe fotografi të policëve të njësive speciale.

Në mesin e veprimeve që Gjukanoviq akuzohet t’i ketë bërë ishte edhe targetimi i individëve të ndryshëm, kryesisht serbë të Kosovës, kinse si bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja të inteligjencës në Kosovë, të cilët më pas, gjatë vizitave në Serbi, janë ndaluar, intervistuar, shantazhuar dhe rekrutuar nga BIA, për të punuar në interesin e BIA-së serbe.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, spiunazhi është vepër e rëndë penale dhe dënohet me të paktën pesë vjet burg, nëse vërtetohet fajësia.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar disa persona, shqiptarë dhe serbë, nën dyshimet për spiunim në shërbim të inteligjencës serbe.

Ekspertët kanë thënë se këto raste tregojnë se spiunazhi mbetet një kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës.

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për çështjen e presidentit

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për çështjen e presidentit

KOSOVA- Një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, për “diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës”, është caktuar për sot në orën 17:00.

Seanca do të mbahet një ditë para skadimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit.

Deputetët e legjislaturës së dhjetë kanë afat deri më 28 prill që të zgjedhin presidentin, në të kundërtën, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, vendi shkon automatikisht në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Paralajmërimi për seancë vjen në kohën kur partitë nuk kanë njoftuar për ndonjë marrëveshje për presidentin, për zgjedhjen e të cilit kërkohen 80 vota.

Gjatë fundjavës, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet, u kërkoi dy partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës që të paraqesin tre propozime për president, të cilët tha se duhet të jenë figura unifikuese dhe jopartiake.

PDK-ja e refuzoi ofertën, me kryetarin e saj, Bedri Hamza, që e cilësoi ofertën si “joserioze”.

“Nuk është ofertë. Për ne nuk është ofertë. Çfarë oferte? Aspak serioze. Ne jemi parti të ndryshme politike. LDK është subjekt politik në vete. PDK është subjekt politik në vete”, tha ai të shtunën.

Ndërkaq, LDK-ja tha se mund ta propozojë presidenten e deritashme, Vjosa Osmani, por me kushtin që LVV-ja e kryeministrit Albin Kurti, të japë 66 vota për të.

“Nëse doni marrëveshje politike me LDK-në, atëherë flisni me ne. Presidentin e propozojmë ne me plot përgjegjësi. Mund ta propozojmë edhe Vjosa Osmanin, nëse na i garantoni 66 vota për të”, tha Abdixhiku, partia e të cilit ka 15 ulëse në Kuvend”, tha kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

LVV-ja, që më 5 mars ka kandiduar ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, dhe deputeten Fatmire Mulhaxha-Kollçaku për postin e presidentit, tha se do t’i tërhiqte nga gara këta dy emra, nëse opozita sjellë tre emrat e kërkuar.

Oferta e fundit e LVV-së vjen pas dështimit të bisedimeve mes Kurtit dhe liderëve opozitarë, Bedri Hamzës së PDK-së dhe Lumir Abdixhikut të LDK-së, të cilët nuk i kishin pranuar propozimet e kryeministrit.

Kurti i kishte ofruar LDK-së postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, ndërsa në një ofertë të dytë postin e kryeparlamentarit. PDK-së, ai ia kishte ofruar postin e kryeparlamentarit po ashtu.

LDK i kishte refuzuar këto oferta dhe e kishte akuzuar Kurtin se synon t’i kontrollojë që të gjitha tri institucionet kryesore në vend.

PDK-ja nuk kishte pranuar fare ta shqyrtonte ofertën e Kurtit, duke e quajtur të mbyllur “kontributin tonë” për çështjen e presidentit.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para të votimit, apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.

Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti – madje as ajo në pushtet e Kurtit me 57 deputetë – nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Ndërkaq, përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri të vendin dështuan pasi asnjëra palë nuk u duk e gatshëm të bëjë lëshime./REL

Zgjedhja e presidentit në Kosovë, Vetëvendosja tërhiqet nga pretendimet për postin, Nagavci: Nuk kemi asnjë propozim zyrtar nga PDK dhe LDK

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se LVV ka hequr dorë nga pretendimi për postin e presidentit dhe ka ftuar partitë opozitare të kontribuojnë me kandidatura konsensuale për këtë post.

Sipas Nagavcit, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë ftuar të propozojnë emra me profil unifikues, jashtë skenës aktuale politike, me integritet dhe kontribut të dëshmuar.

Ajo ka bërë të ditur se, pavarësisht deklaratave publike, deri më tani nuk është dorëzuar asnjë propozim zyrtar nga këto dy parti në lidhje me ofertën e LVV-së për një president konsensual.

Nagavci theksoi se LVV mbetet në pritje të propozimeve konkrete edhe gjatë ditës së sotme, duke kërkuar që palët të kontribuojnë në tejkalimin e ngërçit institucional.

Sipas saj, qëllimi i këtij procesi është tejkalimi i krizës politike dhe sigurimi i stabilitetit institucional në vend. bw

FSK-ja e dërgon një ekip në Gazë për vlerësimin e vendit ku do të veprojë ajo si pjesë e misionit paqeruajtës

Ekipi do të bëjë vlerësime paraprake dhe bashkërendim të aktiviteteve lidhur me zhvendosjen e trupave të FSK-së, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një nismë e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për Gazën.

Radio Evropa e Lirë

Kosova e ka dërguar një ekip të Forcës së saj të Sigurisë (FSK) në Rripin e Gazës për të bërë një vlerësim të vendit ku pritet të veprojnë trupat kosovare si pjesë e një force ndërkombëtare në territorin palestinez, njoftoi FSK të dielën.

Kuvendi i Kosovës e miratoi me shumicë dërrmuese votash më 17 prill vendimin e mëparshëm të Qeverisë për të dërguar trupa në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), si pjesë e nismës së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, pas armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit vitin e kaluar.

Hamasi është grup militant i shpallur terrorist nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.

“Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar një ekip të FSK-së në Gazë për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e FSK-së”, thuhet në një njoftim të FSK-së.

Ekipi do të bëjë vlerësime paraprake dhe bashkërendim të aktiviteteve lidhur me zhvendosjen e trupave të FSK-së, të cilat do të veprojë brenda misionit paqeruajtës të FNS-së, e cila është mekanizëm i themeluar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

FSK-ja në njoftimin e saj në Facebook nuk tregoi se kur ka udhëtuar ekipi për në Gazë, e as se sa kohë do të zgjasë vlerësimi i terrenit.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese nuk është vendosur në Gazë ende për të ndihmuar në ruajtjen e paqes, si dhe për rindërtimin e territorit të rrënuar palestinez, në përputhje me Bordin e Paqes.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, misioni pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë më herët se kontingjenti i Kosovës do të përbëhet nga disa dhjetëra oficerë, përfshirë edhe njësi për çminim.

Sipas tij, trupat do të kenë detyra për ofrimin e ndihmës humanitare, asistencë në siguri dhe detyra të tjera të përcaktuara nga mandati i forcës për Gazën.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

FSK-ja ka rreth 4.000 pjesëtarë dhe është në proces të shndërrimit në ushtri të plotë profesionale deri në vitin 2028.

Çfarë po ndodh me “Amadeus Palace”? Godina gjigante në Qafë Kashar përfundon në sekuestro preventive! Nuk u hap kurrë për publikun

Prej shumë vitesh, një ndërtesë madhështore në Qafën e Kasharit, në Tiranë, ka tërhequr vëmendjen e shumë njerëzve që udhëtojnë nga kryeqytetit drejt aeroportit apo Jugut të Shqipërisë.


Me një stil “perandorak” dhe investim dukshëm shumë të shtrenjtë, ajo ndërtesë është shoqëruar gjithnjë me një “mister”, pasi, përtej shpenzimit, ajo nuk duket se është vendosur asnjëherë në funksion.

Godina “Amadeus Palace” në Kashar, Tiranë

Pak ditë më parë, “Amadeus Palace”, ky është emri zyrtar i godinës, është bllokuar, pasi shoqëria me të njëjtin emër që e ka në pronësi, nuk ka shlyer prej më shumë se dy vitesh detyrimet që ka ndaj një kompanie nënkontraktore.

Shuma e borxhit nuk është e madhe përballë një investimi kolosal-vetëm 15 mijë euro-, por situata dëshmon se pronarët fundorë, bashkëshortët Besim dhe Elisabeta Elshani (Gjoni) duket se janë në vështirësi serioze financiare për të përballuar shpenzimet.

Në fakt, bashkëshortët Elshani e kanë prezantuar veten në emisione promovuese si zotëruesit realë të kompanisë “I.F.C” shpk, pronare e subjektit “Amadeus Palace” shpk, pasi në Regjistrin Publik të Pronarëve Përfitues të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) nuk gjendet asnjë shenjë e tyre.

Bllokimi për borxhe

Në janar të vitit 2026, kompania “Euro Beton 2005”, e cila ishte kontraktuar nga “Amadeus Palace” për kryerjen e disa punimeve ndërtimore, kërkon nga Gjykata e Tiranës lëshimin e urdhërin e ekzekutimit për një dyzinë faturash të papaguara nga shoqëria e Elshanajve.

Të dhënat e siguruara nga “Boldnews.al” tregojnë se borxhi, në shumën rreth 1.5 milionë lekë të reja, vijonte i pashlyer që prej vitit 2023.

Vendimi i përmbaruesit për bllokimin e “Amadeus Palace”

Ky borxh i pashlyer, por edhe të tjera të mundshme, e kishin vënë në vështirësi financiare vetë “Euro Beton 2005”, e cila nga ana e saj është nën sekuestro për borxhe të papaguara ndaj një kompanie të tretë, “Lim-Em”, shpk.

Në 23 janar 2026, Gjykata e Tiranë pranoi kërkesën e “Euro Beton 2005” për lëshimin e urdhërit të ekzekutimit, duke detyruar në këtë mënyrë “Amadues Palace” që të shlyejë detyrimin.

Për tre muaj, pronarët e ndërtesës “Amadeus Palace” nuk e kanë zbatuar vullnetarisht detyrimin financiar. Në këto kushte, një përmbarues gjyqësor ka urdhëruar bllokimin e aksioneve të shoqërisë “Amadeus Palace” shpk, deri në zbatimin e vendimit të gjykatës.

Pronarët e “Amadeus”

Ka pasur gjithnjë një kuriozitet publik se cilët e kanë ndërtuar “godinën misterioze” në një rrugë-kalim shumë të rëndësishëm kombëtar në Shqipëri. Ka pasur thashethemnaja për përfshirjen e njerëzve të rëndësishëm të politikës dhe biznesit.

Boldnews.al”, duke iu referuar të dhënave zyrtare e dokumentave, konstaton se të gjitha fazat e pronësisë së “Amadeus Palace” lidhen me Besim Elshani dhe Elisabeta Gjoni (Elshani).

Bashkëshortët nga Kosova kanë themeluar në Shqipëri kompaninë “Amadeus Group” në vitin 1997. Në vitin 2011, kompania mëmë vendos të transferojë aktivitetin ekonomik për ndërtimin e hotel “Palace” tek një shoqëri bijë, “Amadeus Palace”.

Besim Elshani dhe Elisabeta Elshani (Gjoni)

Në vitin 2015, aksionet e “Amadeus Palace” i transferohen një kompanie me seli në Francë, “I.F.C” SAS, e cila gjithashtu drejtohej nga Besim dhe Elisabeta Elshani.

Një vit më pas, në korrik 2016, “Amadeus Palace” kalon tek kompania “MB Group” shpk, e cila nga ana e saj kishte pronarë ‘I.F.C” franceze të Elshnajve dhe një “Fond Investimi Francez”, të cilët ndanin aksionet 50-50 përqind.

Ky transaksion i rikthye në pikën fillestare vetëm tre muaj më vonë, në tetor 2016, kur “MB Group” largohet dhe pronare e “Amadeus Palace” rikthehet sërish “I.F.C”.

Në vitin 2018, “Amadeus Palace” regjistron një tjetër ndryshon aksioneri, një transaksion që në thelb nuk ndryshon emrat e zotëruesve fundorë.

“I.F.C” SAS, e regjistruar nga Elshanajt në Francë transferon të gjithë aksionet e “Amades Palace”, te një kompani me të njëjtin emër, “I.F.C” shpk, e regjistruar në Kosovë nga dy bashkëshortët.

Në vitin 2022, “Amadeus Palace” ka pezulluar aktivitetin e saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Tashmë, ajo është e bllokuar edhe për shkak të borxheve të papaguara./BOLDNEWS

PDK refuzon propozimin e LVV-së për “tre emra unifikues” për president

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka quajtur “manovër të radhës së Kurtit” propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje, që PDK dhe LDK të propozojnë tre emra unifikues jo partiak për çështjen e presidentit.

Duke folur para gazetarëve, Hamza tha se qëllimi i Kurtit është që të gjendet fajtori.

“Përndryshe, ka pasur kohë të mjaftueshme me i bo të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë serioze të përgjegjshme, në mirëbesim dhe në besim reciprok. Jo me tentu që me oferta joserioze të minutave të fundit, me hedh fajin diku tjetër. Prandaj, për PDK-në kjo çështje kam deklaru që është e mbyllur, është diskutuar gjerë e gjatë në Këshillin Drejtues të PDK-së, është bo publike përmes një deklarate politike nga Këshilli Drejtues i PDK, që përkundër rolit konstruktiv me qëllim që vendi të ketë institucione, nuk kemi pas mirëkuptim nga Kurti dhe LVV. Për PDK-në kjo çështje është e mbyllur dhe ne kthehemi te qytetarët, atje ku e lypim besimin. Nuk ka ofertë serioze nga ana e tyre” – tha Hamza.

Lëvizja Vetëvendosje sot me 25.04.2026 ka bërë një propozim të ri, në lidhje me zgjidhjen e çështjes së presidentit, para se vendi të shkojë përfundimisht në zgjedhje.

Përmes një komunikate për media, Vetëvendosje ka thënë se propozimi i tyre i ri është që PDK dhe LDK të propozojnë së bashku tre emra për president, nga të cilët mund të zgjidhet një president i ri.

Sipas propozimit të Vetëvendosjes, këta tre emra duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe jashtë skenës aktuale politike

Kryeministri Albin Kurti më 20.04.2026, pas takimit me Lumir Abdixhikun e LDK-së, tha se bisedimet mes tyre për çështjen e zgjedhjes së presidentit rezultuan të pasuksesshme.

Ai tha se Abdixhikut iu propozua të bëhet zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti 3 dhe LDK-ja t’i ketë Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera.

“Nën shpjegimin që Vetëvendosja nuk duhet t’i ketë të tri pozitat e larta shtetërore, atëherë ne bëmë një ofertë tjetër për LDK-në. Kjo është që pozita e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarit të Kuvendit të pësojnë një rrokadë, ashtu që ose nënkryetari i LDK-së ose dikush tjetër për të cilin përcaktohet LDK-ja, zë pozitën e kryetarit të Kuvendit, ndërkaq kryetarja aktuale e Kuvendit dhe ushtruesja e presidentit Albulena Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit… Më shumë se aq nuk kam çka i ofrojë.” – tha Kurti.

Kurse, sipas Abdixhikut, Kurti insistonte gjatë takimit që pozita e presidentit të jetë e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Me LDK-në Vetëvendosja nuk ka diskutuar as edhe një emër [për president] përveç Glauk Konjufcës… Jemi prap në pozitën e njëjtë si para vendimit të Gjykatës Kushtetuese. U porpoqa, u porpoqëm të gjejmë zgjidhje.” – tha Abdixhiku para gazetarëve.

Afati për zgjedhjen e presidentit përfundon me 28.04.2026. Haxhiu po e ushtron këtë pozitë nga data 04.04.2026.

Nëse deri atëherë nuk zgjedhet presidenti i vendit, brenda 45 ditëve mbahen zgjedhjet e parakoheshme parlamentare./Kallxo.com

LVV kërkoi tre emra për Presidentin, Abdixhiku: Nëse duan marrëveshje me LDK-në, mund të propozojmë edhe Vjosa Osmanin

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku deklaroi se partia e tij mund të propozojë Vjosa Osmanin për Presidente të vendit, post i cili ka krijuar ngërç dhe palët politike nuk po arrijnë dakordësi.


Këtë koment ai e bëri në përgjigje të ftesës publike të Lëvizjes Vetëvendosje të Albin Kurtit, parti e cila theksoi se do të tërhiqej nga kandidaturat e saj dhe se dy partisë kryesore opozitare, LDK dhe PDK të propozonin tre emra për Presidentin. Sipas LVV-së, ky propozim bëhet për të shmangur një proces tjetër zgjedhor në vend.

Abdixhiku theksoi se nëse kryeministri Albin Kurti dëshiron marrëveshje politike me LDK-në, atëherë mund të propozojnë Vjosa Osmanin.

“Në qoftë se ka dashur marrëveshje politike me LDK-në dhe do marrëveshje politike me LDK-në, atëherë LDK mund të propozojë emra. Ne s’kemi nevojë të propozojmë tre, propozojmë një. Mund të jetë edhe Vjosa Osmani, por le të na tregojë ai 66 votat për këtë emër. Mund të jetë, por njëherë duhet të vendoset ajo marrëveshje politike mes nesh. Apo do 90 vota? 90 vota menjëherë nuk i ka.

Meqë nuk i ka 90 vota menjëherë, atëherë kjo po më duket manovër politike, por le të merret kjo me PDK-në, le ta tregojnë, e më pas ne përgjigjemi bashkë me 15 votat tona. Propozimi im ka qenë gjithmonë marrëveshja politike, por marrëveshje politike ku ta kemi presidentin në vendosje. Pra jo tre emra, por e japim një”, tha Abdixhiku.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para të votimit, apo me 61 vota në raundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Prandaj, nevojitet një marrëveshje mes partive parlamentare për këtë çështje, duke qenë se asnjëra parti nuk e ka një numër kaq të madh deputetësh në Kuvendin me 120 vende.

Një afat kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse deri atëherë nuk zgjidhet Presidenti, Kosova do të mbajë zgjedhje të reja brenda 45 ditësh. Vjosa Osmanit i mbaroi mandati në fillim të muajit Prill dhe pasi nuk u arrit një dakordësi për pasuesin e saj, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u emërua ushtruese e përkohshme e detyrës së presidentit më 4 prill.

Përpjekjet e mëparshme për presidentin e ri dështuan pasi asnjëra palë nuk bëri lëshime. Më 6 mars, ish-presidentja Osmani nxori një dekret për shpërndarjen e  Kuvendit dhe hapje të rrugës për zgjedhje të reja. Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo nuk e siguroi mbështetjen e nevojshme.

Dekreti u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës nga Qeveria. Gjykata më e lartë në Kosovë tha se dekreti nuk kishte asnjë efekt juridik dhe përcaktoi 28 prillin si afat të fundit për zgjedhje të presidentit. gsh

“PDK e LDK po sillen ma keq se Fatmir Limaj”- Albin Kurti: Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor mund të shkojmë sërish edhe në vjeshtë

Kurti, ka kritikuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke thënë se këta dy po sillen me keq se Fatmir Limaj vitin e kaluar

KOSOVË- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zgjedhjet e reja, nuk do të sjellin zgjidhje. Sipas tij, pritet të ketë zgjedhje edhe në vjeshtë apo në dimër.

Kurti, ka kritikuar kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke thënë se këta dy po sillen me keq se Fatmir Limaj vitin e kaluar. Sipas tij, pritet të ketë zgjedhje edhe në vjeshtë apo në dimër.

Deklarata e plotë Kurtit:  

“Të dashur qytetarë,

Pas 10 muajsh bllokadë gjatë vitit 2025, në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit që lamë pas populli i Kosovës foli më qartë se asnjëherë më parë në periudhën e pasluftës. Është obligim i secilit subjekt politik e lider partie të sillet në përputhje me atë vullnet të shprehur.

Legjislatura e 10-të e ka zgjedhur kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë. Ajo tash duhet ta zgjedhë presidentin dhe të shmangë zgjedhjet sepse ato janë të panevojshme dhe humbin kohë dhe mjete të buxhetit të Kosovës. Organizimi i zgjedhjeve të reja do t’i kushtonte Kosovës së paku 10 milionë euro, mandej për shkak të mungesës së funksionimit të Kuvendit do të humbisnim shumë dhjetëra miliona euro të tjerë nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që rezultatet e zgjedhjeve të sërishme do të mund të ishin pak a shumë të përafërta me ato ekzistuese.

Meqënëse problemi kryesor mbetet nevoja për 80 deputetë për kuorum te çështja e Presidentit, zgjedhjet nuk do të sjellin zgjidhje. Rezultati i zgjedhjeve duhet të pranohet dhe të respektohet, sepse ai përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe bazën e demokracisë. Lëvizja VETËVENDOSJE! (LVV) ka siguruar shumicën e votave dhe të deputetëve, prandaj kërkon që ky rezultat të merret parasysh në proceset politike dhe në vendimmarrje. Nëse shkojmë në zgjedhje në qershor, dhe LVV me partnerët (GUXO, Alternativa e pakicat) nuk i mbërrin 80 deputetë, atëherë do të shkojmë sërish në zgjedhje në vjeshtë a dimër. Kujt i konvenon kjo?!

Në përputhje më rezultatin dhe rrethanat kam bërë ftesa të vazhdueshme për partitë opozitare sikurse që vazhdimisht kam ofruar edhe alternativa për zgjidhje. Deri tani pa sukses. Kam bërë ofertë për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo ofertë përfshinte: postin e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri. U refuzua.

Kam propozuar edhe një alternativë tjetër: ndërrimin e pozitave mes kryetarit dhe nënkryetarit të Kuvendit, LDK të merrte pozitën e kryetarit të Kuvendit, Kryetarja aktuale të bëhej nënkryetare. Me këtë rast LVV nuk do t’i kishte tre pozitat e larta shtetërore siç ankoheshin deri më tani. U refuzua edhe kjo.

Kam bërë një ofertë konkrete edhe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për të zhbllokuar situatën politike. Në këtë ofertë propozova një rrokadë mes Kryetares aktuale Haxhiu dhe përfaqësuesve të PDK-së, ku PDK mund të marrë pozitën e Kryetarit të Kuvendit. Pra, Kryetarja Albulena Haxhiu të bëhej nënkryetare e Kuvendit, ndërsa Bedri Hamza ose Vlora Çitaku të merrnin drejtimin e Kuvendit. Ky do të ishte një koncesion i madh që e bëjmë ne që Albulena Haxhiu t’ia lirojë vendin Bedri Hamzës a Vlora Çitakut.

Mos të harrojmë 4 veta në LVV kanë më shumë vota se kryetari i PDK-së: përveç meje, edhe Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu si dhe Hekuran Murati i cili po ashtu ka më shumë vota sesa Bedri Hamza. Ndërkaq nëse e krahasojmë me LDK-në, 10 veta nga LVV janë më të votuar sesa kryetari i LDK-së.

Të dashur qytetarë,

Republika e Kosovës ka nevojë për mbarëvajtje të institucioneve dhe stabilitet institucional. Ne kemi shkuar me kandidat nga subjekti ynë kur ndodheshim fare pranë mesnatës ndërmjet 5 dhe 6 marsit me kandidatin e parë dhe të dytë, vetëm pasi nuk arritëm në një kandidat konsensual dhe vetëm pasi nuk kishte asnjë propozim të vetëm nga ana e subjekteve opozitare.

Propozuam kandidatin Glauk Konjufca, i cili është njeri i dytë më i votuar në historinë e Kosovës dhe Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Mbi të gjitha, sërish u ofrua edhe një zgjidhje tjetër, ku vet z. Konjufca deklaroi se mund të tërhiqet nëse paraqitet një figurë konsensuale. Pavarësisht kësaj, nga partitë opozitare, sot e asaj dite, nuk kanë paraqitur asnjë emër për kandidat për president. As në takime me mua dhe as publikisht për juve.

Ne duhet të kemi parasysh dhe respektojmë vullnetin e popullit të shprehur përmes rezultatit zgjedhor: LVV ka 51.1% të votave apo 57 deputetë, ndërsa mazhoranca jonë arrin në 66 deputetë.

Demokracia duhet të bazohet në vullnetin e popullit dhe në rezultatin zgjedhor, jo në marrëveshje politike që e anashkalojnë dhe shkelin atë. Pa respektimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund të ketë marrëveshje politike. Ndërkaq, qëllimi është të shmangen zgjedhjet e përsëritura dhe të sigurohet stabiliteti institucional. Me rezultatin aktual zgjedhor, asnjë parti opozitare nuk ka numra të mjaftueshëm për të propozuar një kandidat për president pa bashkëpunim ato me njëra-tjetrën.

Kësisoj, janë bërë oferta për kompromis ndaj partive opozitare, duke u ofruar pozita të rëndësishme në institucione, me qëllim që të arrihet marrëveshje dhe të shmanget bllokimi institucional. Fatkeqësisht, këto oferta gjeneroze janë refuzuar anipse janë shumë të favorshme në raport me numrin e deputetëve që ka opozita.

Çdo takim me ta është inicuar çdo herë nga unë, thua se Kosova është vetëm e imja. Krerët e PDK dhe LDK fatkeqësisht po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Realisht, ata nuk janë duke dashur as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Krejt çfarë duan është që ne dhe unë të mos kemi pushtet. Por, këtë gjë nuk e vendosin ata.

Ju falemnderit për mbështetjen e vëmendjen. Dhe, mirupafshim”,tha Kurti./’Dosja.al

Deputetët ratifikojnë marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar marrëveshjen ndërkombëtare për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes, nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për zgjidhjen e konflikteve në botë.

Për marrëveshjen votuan 103 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Haxhi Avdyli nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje tha se anëtarësimi i Kosovës në Bordin e Paqes është hap me rëndësi strategjike për vendin.

“Anëtarësimi është një vendim i rëndësishëm politik, dhe strategjik që e pozicionon vendin tonë si kontribuues aktiv në ndërtimin e paqes globale dhe sigurisë ndërkombëtare”, tha ai.

Edhe partitë opozitare thanë se anëtarësimi i Kosovës në këtë bord është në interes të vendit.

“Anëtarësimi është interes i lartë shtetëror, forcon sigurinë ndërkombëtare, orientimin euroatlantik të Kosovës dhe konsolidon aleancën me SHBA-në”, tha deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Elmi Reçica.

Sipas deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, tha se Kosova po shndërrohet në eksportuese të stabilitetit, duke shtuar se kjo është mundësi për vendin që të formësojë imazhin në botë.

“Ne nuk po votojmë thjesht për një anëtarësim, po votojmë për dinjitetin e shtetit tonë, për jetësimin e miqësive tona të shenjta”, tha ai.

Ndërkaq, Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se anëtarësimi në nismën e presidentit Trump, është dëshmi se vendi po garanton siguri dhe po forcon miqësinë me SHBA-në.

“Vetë ky anëtarësim dhe votimi i sotëm është një garanci për Kosovën”, tha ajo.

Çfarë është Bordi i Paqes?

Më 22 janar, është themeluar Bordi i Paqes gjatë një ceremonie të mbajtur në Davos të Zvicrës.

Bordi u lansua nga presidenti amerikan, Donald Trump, si një trup i ri për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare.

Ish-residentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ishte ndër themelueset e Bordit të Paqes dhe e ka përkrahur plotësisht nismën e Trumpit.

Ky trup i ri fillimisht ishte i përqendruar në zbatimin e marrëveshjes për përfundimin e luftës Izrael-Gazë, ashtu siç është miratuar nëntorin e vitit të kaluar me Rezolutën 2803 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Por Karta e Bordit nuk e kufizon rolin vetëm në Gazë.

Bordi do të udhëhiqet nga Trumpi, ndërkaq ai do të ketë edhe Bordin Ekzekutiv ku janë emëruar si anëtarë: sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, dhëndri i presidentit amerikan, Jared Kushner, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, miliarderi Mark Rowan, biznesmeni amerikan Ajay Banga dhe këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert Gabriel. Ndërkaq, Nickolay Mladenov, politikan bullgar do të jetë përfaqësues i Bordit të Paqes në Gazë.

Ndërkaq, si mekanizëm i Bordit të Paqes është krijuar edhe Forca Ndërkombëtare Stabilizuese, përmes së cilit Kosova do të dërgojë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Kjo forcë për Gazën është pjesë e planit 20-pikësh të Trumpit për të arritur paqe në Gazë.

Plani është pranuar në tetorin e vitit të kaluar nga Izraeli dhe Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian.

Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit, kur u vranë mbi 1.200 njerëz në Izrael dhe mori qindra pengje.

Sulmet hakmarrëse izraelite në Gazë shkaktuan mijëra të vrarë, krizë urie dhe dëme të mëdha infrastrukturore.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar dërgimin e trupave, ndërkaq më pas ushtruesja e presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka autorizuar dërgimin e FSK-së në Gazë.

Enver Hoxhaj: PDK-së nuk i duhet posti i kryeparlamentarit, Kurti po e dërgon vendin në zgjedhje

Partisë Demokratike të Kosovës nuk i duhet asgjë pozita e kryetarit të Kuvendit, thotë deputeti i kësaj partie, Enver Hoxhaj. Duke komentuar ofertën e kryeministrit Albin Kurti për zgjedhjen e presidentit, ai deklaron se lideri i LVV-së është joserioz në këtë proces dhe se po e dërgon vendin në zgjedhje të reja. Sipas tij, përmes kësaj po dëshmohet se Kurti nuk dëshiron të qeverisë, derisa e sheh se Kosova po hyn në një fazë të vështirë ku kriza politike mund të thellohet edhe më tej pas zgjedhjeve të reja.

Kurti në fillim të kësaj jave i parashtroi dy oferta PDK-së dhe LDK-së.

Kësaj të parës i ofroi postin e kryetarit të Kuvendit në këmbim të zgjedhjes së presidentit,

ndërkaq LDK-së bashkëqeverisje ose kryeparlamentarin, por të dyja propozimet nuk u pranuan nga dy partitë, pasi insistuan të diskutojnë vetëm për çështjen e presidentit.

Hoxhaj në një intervistë për KosovaPress“Gjë s’na vyn neve pozita e kryeparlamentarit. Ne duam të japim kontributin për ta zgjidhur presidentin dhe për ta ushtruar rolin kushtetues si parti politike. Vendi ka nevojë që ta ketë një figurë, e cila e reflekton unitetin e qytetarëve, e cila ka integritet, e cila mund ta përfaqësojë vendin brenda dhe jashtë. Edhe kur je në opozitë, e ke mandat që duhet me udhëheqë vendin, duhet me kontribuar. Dikush tjetër ka marrë mandat me qeverisë, por ai që ka marrë mandat me qeverisë dhe ne që kemi marrë mandat opozitar, të gjithë ne e udhëheqim vendin. Por neve gjë nuk na vyn pozita e kryetarit të Kuvendit, se nuk e kemi një shqetësim të tillë. Ne kemi një shqetësim më fundamental në këtë vend: se cili është sistemi ynë politik dhe sa është funksionimi demokratik i institucioneve, a po e ruajmë karakterin demokratik të këtij vendi dhe se si do të duhej ta shmangim një situatë që një parti e vetme politike mos t’i ketë të tri pozitat udhëheqëse në qeverisje. Do të ishte jo në interes të qytetarëve, jo në interes të shoqërisë, jo në interes të Republikës së Kosovës. Përndryshe, ne nuk marrim pjesë në një proces të tillë për ta marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit, sepse aspak nuk i duhet Partisë Demokratike të Kosovës pozita e kryetarit të Kuvendit”, deklaron Hoxhaj.

 

Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja- Kuvendi i Kosovës mbanë homazhe në nderim të veprës së tij

Rexhep Qosja lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Akademiku ka kryer studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës.

KOSOVË- Mëngjesin e sotëm janë mbajtur homazhe në Kuvendin e Kosovës në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja, i cili ndërroi jetë ditën e djeshme në moshën 89-vjeçare. Ushtruesja e detyrës e presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu shkruan në librin e zisë, të hapur për akademik, Rexhep Qosja.

Akademiku Qosja vdiq dje në moshën 89-vjeçare dhe u varros në varrezat e Dragodanit pa një ceremoni sikurse ai e kishte lënë amanet. Familja bëri me dije se nuk do të organizojnë një ceremoni pritjeje dhe as do të marrin pjesë në ceremonitë e organizuara nga institucionet me dëshirën e të ndjerit.

Rexhep Qosja lindi më 1936 në Vuthaj të Malit të Zi. Akademiku ka kryer studimet e larta në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Është specializuar në shkencën e letërsisë në Universitetin e Beogradit. Është doktoruar me temën “Asdreni – jeta dhe vepra e tij”.

Ka qenë profesor i estetikës dhe drejtues i studimeve të shkallës së tretë për filologji në Fakultetin Filologjik të Prishtinës. Ka qenë kryeredaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe për 11 vjet drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Ka qenë kryetar i Lëvizjes së Bashkuar Demokratike të Kosovës, anëtar i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje dhe anëtar i Kryesisë së këtij delegacioni. Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ dhe i Këshillit të Përgjithshëm të Kosovës ndërkohë që kryeadministrator i Kosovës ishte Bernard Kushner.

Qosja është marrë me prozë tregime e romane, dramaturgji, histori të letërsisë, kritikë, eseistikë, publicistikë dhe polemikë. Veprat “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Sfinga e gjallë”, “Beselam pse më flijojnë”, “Bardha”, “Çështja shqiptare – historia dhe politika” dhe “Populli i ndaluar” janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Drama të tij janë shfaqur në teatrot e Kosovës, të Shqipërisë, në disa qendra në ish-Jugosllavi dhe në Europë.

Shkrimet e tij publicistike të botuara në shtypin kroat e slloven kundër politikës serbe ndaj shqiptarëve, duke filluar nga viti 1981, shënojnë fillimin e dejugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë. Është anëtar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës prej themelimit të saj dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në vitin 1998 u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit” i Republikës së Shqipërisë.

Është shpallur “Qytetar Nderi” i qyteteve Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë. Në vitin 2012 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi serinë e veprave të tij në 29 vëllime./Dosja.al

Kuvendi i Kosovës i bën nderime kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel

Një fotografi e kongresistit të ndjerë amerikan, Eliot Engel, qëndron para foltorës së Kuvendit të Kosovës, teksa në prapavijë flet kryeministri Albin Kurti, gjatë një seance në nderim të tij, 24 prill.

 

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë bërë nderime në një seancë përkujtimore të premten ish-kongresistit amerikan, Eliot Engel, i cili vdiq më 10 prill në moshën 79-vjeçare.

Një fotografi e Engelit – njërit prej mbështetësve më të mëdhenj të Kosovës – u vendos pranë foltores së Kuvendit nga ku zyrtarë të lartë e deputetë të Kosovës shprehën respekt dhe vlerësim të lartë për figurën e tij.

Eliot u përkujtua si zëri i lirisë, çlirimit dhe pavarësimit të Kosovës.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se e kujton Engelin si një figurë që i doli përkrah Kosovës në ditët më të vështira.

“Ai kërkoi liri për popullin të Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtytet e larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh. Në vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e [ish-liderit serb Sllobodan] Millosheviqit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin”, tha Haxhiu.

Engel, demokrat, kishte përfaqësuar pjesë të Bronksit – një lagje e qytetit të Nju Jorkut me një popullsi të madhe dhe politikisht aktive shqiptare – që nga viti 1989.

Ai kishte qenë ndër ligjvënësit e parë amerikan që i ka bërë thirrje administratës së Bill Clintonit të ndërhyjë, në vitin 1998, për të ndaluar veprimet e forcave jugosllave dhe serbe në Kosovë.

Një dekadë më vonë, ai ishte edhe më i zëshmi në Kongres për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga SHBA-ja.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e lartësoi Engelin si “mik dhe mbështetës të madh të shqiptarëve në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti”.

“Ai nuk hezitoi asnjëherë të ngrejë zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtat të triumfojnë”, theksoi Kurti.

Kurti e vlerësoi Engelin si shërbyes të përkushtuar të qytetarëve amerikanë dhe përfaqësues të fuqishëm për të drejtat e njeriut dhe ato civile “kudo në botë e sidomos për ne” për më shumë se tri dekada në Kongresin amerikan.

“Kongresisti Engel i qëndroi besnik angazhimit për kombin tonë, që kur u njoh për së afërmi me të”, shtoi ai.

Kurti gjithashtu e citoi një deklaratë të Engelit nga një ceremoni për shënimin e 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës më 2018 në Kuvendin e shtetit “të cilin kongresisti Engel ishte i bindur se do të bëhej”

“Ai tha, po citoj: ‘Dua ta shoh Kosovën të njohur nga secili shtet në botë, dua ta shoh Kosovën të anëtarësuar në Kombet e Bashkuara, dua ta shoh Kosovën në NATO dhe dua ta shoh Kosovën në Kombet e Bashkuara’”, citoi Kurti Engelin.

Mbështetja e palëkundur për Kosovën, gjatë dekadave të tëra, e ka bërë Engelin të famshëm në Kosovë.

Kosova ka emëruar një rrugë dhe një autostradë për nder të Engelit dhe, madje, ka lëshuar një pullë postare me fotografinë e tij.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Vlora Çitaku, e vlerësoi Engelin si një njeri që kishte ndërtuar “ura të padukshme, por të fuqishme mes një vendi të vogël dhe një bote të madhe”.

“Eliot Engel e kishte bërë atë që pak njerëz arrijnë ta bëjnë në politikë: kishte lënë gjurmë në ndërgjegjen e njerëzve. Atëherë e kuptova që misioni im ishte shumë më i lehtë, nuk kisha detyrë vetëm të krijoja miq, por t’i nderoja miqësitë që Engel i kishte krijuar për ne”, tha Çitaku, duke iu referuar kohës së vet si ambasadore e Kosovës në Uashington nga viti 2015 deri në vitin 2021.

“Engel ishte zëri që mbështeti Kosovën në ditët më të errëta të okupimit. Ai ishte zëri që mbështeti luftën tonë çlirimtare, pavarësinë e Kosovës dhe njohjet e reja”, shtoi ajo.

Jehona Lushaku e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se vendi ndien dhe ndan dhimbjen për humbjen e Engelit, duke e quajtur atë “zë të fuqishëm të lirisë sonë në momentet më të vështira të historisë së vendit tonë”.

“Kur gjenocidi serb po e sundonte vendin tonë, një dritë e një zyre rrinte gjithmonë ndezur në Kongresin amerikan në Uashington: ishte drita e kongresistit Eliot Engel”, tha Lushaku.

“Vepra e tij do jetojë gjatë”- Kurti mesazh prekës për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja: Kontribuoi shumë për kombin e gjuhën, u sulmua nga politika e kolegët!

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ndarë një mesazh prekës sot (23 prill) për ndarjen nga jeta të akademikut Rexhep Qosja.

 

Teksa ngre lartë veprën dhe punën e akademikut, në kontributin që ai dha si për kombin, ashtu edhe për gjuhën, Kurti nënvizon se “vepra e tij do jetojë më gjatë se shekulli i tij”.

Gjithashtu ai vë në dukje se pavarësisht sulmeve nga politika dhe kolegët, Qosja arriti të lërë gjurmë në faktorin shqiptar dhe më gjerë.

“Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur. Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra”, shkruan Kurti në postimin e tij në rrjetin social.

rezhep qosja

Postimi i plotë i Albin Kurtit:

Ngushëllimi na vjen prej jetës së tillë

Rexhep Qosja ndërroi jetë sot. Vepra e tij padyshim që do të jetojë shumë më gjatë se shekulli i tij. Mirëpo, fillimisht, vepra e tij nis një jetë të re sot: jetën pa autorin.

Dhjetëra libra të Rexhep Qosjes tash fitojnë një tjetër lloj leximi dhe sigurisht edhe lexues të rinj. Nga studimet gjuhësore dhe kritika letrare te ditarët historikë, nga tregimet e dramat te romanet voluminoze, tani do të mund të ripërjetohen ndryshe. Dhe nga ai rilexim i yni dhe i gjeneratave në vijim do të varen mësimet e insiprimet e së ardhmes. Është fat i madh për një komb të ketë regjistrues të këtillë të kohëve të veta, të mendimit dhe të situatave.

Natyrisht që askush nuk do të mund të thotë që ky apo ai shkrimtar a veprimtar ishte rilindasi ynë i fundit. Por sigurisht që të gjithë duhet ta themi që askush nuk i ka njohur dhe ditur më thellë si dhe çmuar e afirmuar më lart rilindasit tanë sa akademik Rexhep Qosja.

Në akademi ishte gjuhëtar e në gjuhë ishte historian, në publik ishte shkrimtar e në shkrim ishte mendimtar, në shoqëri ishte politikan e në politikë dijetar. Midis trashëgimisë së iluminizmit evropian dhe jetëshkrimit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, sikurse edhe midis romantizmit dhe postmodernes, qarkullonte mahnitshëm dhe frymëzonte parreshtur.

Shkruante edhe për shkak se kishte lexuar shumë. Shkruante shumë sidomos për shkak se kishte çfarë të thoshte. Jetën e kaloi midis librave, jo pak prej të cilëve e kanë për autorë vetë atë, në bibliotekën e secilit prej nesh.

Populli shqiptar nuk ka një akademik tjetër bashkëkohor i cili kaq shumë kontribuoi për gjuhën dhe kombin tonë e njëkohësisht aq shumë u sulmua nga politika dhe kolegët e tij. Do të mbahet mend siç ishte dhe ishte siç mbeti – i paepur.

Dy muaj pa i mbushur nëntë dekada që ia kanë vlejtur fort për shqiptarët mbarë. U nda nga jeta, por i rron gjallë vepra”.

Kujt i konvenojnë zgjedhjet – dhe çka do të mund të sillnin ato

Bekim Bislimi

 

Sinjalet që dhanë subjektet kryesore politike në Kosovë nuk paralajmërojnë një kompromis të mundshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit deri më 28 prill.

Ky është afati kushtetues për zgjidhjen e kësaj çështjeje, në të kundërtën vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kujt i leverdisin ato?

Vëzhguesit e zhvillimeve politike konsiderojnë se subjektet politike nuk kanë bërë përpjekje serioze për ta zgjidhur nyjën e krizës politike dhe institucionale.

Opozita s’i pranoi dy emra të propozuar për president nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV). Partia Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) refuzuan edhe postin e kryeparlamentarit, të ofruar nga LVV-ja, duke e konsideruar joserioze ofertën për kompromis.

Analisti Rrahman Paçarizi, profesor i Departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, konsideron se, përgjithësisht, të tri partive po iu konvenojnë zgjedhjet.

Sipas tij, LVV-ja ka shfaqur gatishmëri për të shkuar në zgjedhje, pasi nuk arriti t’i tejkalonte përplasjet me Vjosa Osmanin, tashmë ish-presidente e vendit, për ta propozuar edhe për një mandat të dytë.

Megjithatë, ai konsideron se partia e kryeministrit Albin Kurti nuk e ka pozitën e favorshme njëjtë sikur në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur fitoi mbi 51 për qind të votave.

“Mendoj se zgjedhjet më së paku i konvenojnë Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos pas çarjes që ka pësuar kjo parti në raport me tashmë ish-presidenten Osmani”, shprehet Paçarizi për Radion Evropa e Lirë (REL).

LVV-ja dhe subjekti politik Guxo, i themeluar nga Osmani, garuan bashkë në një listë zgjedhore në tri palë zgjedhjet fundit.

Për njohësin tjetër të çështjeve politike, Agon Maliqi, është e vështirë të përcaktohet se kujt i konvenojnë zgjedhjet aktualisht. Por, edhe ai konsideron se, pas ndarjes me Osmanin, LVV-ja nuk mund ta përsërisë rezultatin e zgjedhjeve të kaluara.

“Ndoshta opozita është në një pozitë më të mirë. Pozitat e saj në Kuvend mund të favorizohen më shumë [pas zgjedhjeve eventuale]”, thotë Maliqi për REL-in.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në qytetin e Gjilanit.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një vizite në qytetin e Gjilanit.

Çfarë do të mund të ndryshonte pas zgjedhjeve eventuale?

Paçarizi konsideron se një gjë është e sigurt: LVV-ja nuk do të ishte e gatshme t’i ndryshonte raportet me partitë politike që aktualisht janë në opozitë.

Nëse zgjedhjet do të mbaheshin në qershor, dhe nëse partitë politike tash opozitare do të arrinin të ndërtonin një konsensus për bashkëqeverisje, një ndryshim i raportit të forcave në Kuvend do të ishte i mundshëm, mendon ai.

“Ndoshta zonja Osmani do të arrijë që t’ia shkëpusë një 5 përqindësh LVV-së, një pjesë të atyre që vetë i ka dërguar në Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021. Mirëpo, kjo nuk garanton që do të ketë zgjidhje”, thotë Paçarizi.

Ai shton se, për të arritur deri te një zgjidhje që nënkupton zgjedhjen e të gjitha institucioneve, përfshirë edhe presidentin, LVV-ja do të duhej të binte nën 40 deputetë, ndërsa opozita aktuale të bëhej më e fuqishme me numra.

Në të kundërtën, LVV-së do t’i duheshin rreth 70 deputetë që të mund të gjente zgjidhje si e vetme, thotë Paçarizi.

Të dy këto opsione, sipas Paçarizit, “në kushtet e tashme janë vështirë të imagjinueshme”.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Maliqi konsideron se LDK-ja po synon të rikonsolidohet para zgjedhjeve eventuale. Një rikthim i Osmanit në këtë parti mbetet ende i paqartë, ndonëse kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka lënë derën hapur për të.

“Se sa do të përkthehet dalja e Osmanit [nga partneriteti me Kurtin] në ulje të përqindjes së LVV-së… ne e kemi parë një herë. Për shembull, në zgjedhjet e shkurtit të vitit të kaluar, kur Osmani ishte në marrëdhënie të acaruara me Kurtin, LVV-ja ishte më afër 40 përqindëshit”, thekson Maliqi.

Ai kujton se në zgjedhjet e fundvitit, votat e qytetarëve që jetojnë në diasporë favorizuan LVV-në.

Këto vota, sipas tij, do të ishin më të pakta, në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në qershor, kur prania e diasporës në vend është më e ulët.

Kreu i partisë më të madhe opozitare, PDK, Bedri Hamza, gjatë një tubimi zgjedhor nëntorin e vitit të kaluar.

Kreu i partisë më të madhe opozitare, PDK, Bedri Hamza, gjatë një tubimi zgjedhor nëntorin e vitit të kaluar.

Si të zgjidhet nyja e krizës politike dhe institucionale?

Analistët nuk besojnë që mozaiku i renditjes së subjekteve në skenën politike do të ndryshonte në mënyrë substanciale.

Për Paçarizin, e vetmja shpresë që të shmangej një bllokadë e sërishme institucionale dhe kushtetuese është që partitë politike ta kuptonin raportin e forcave ndërmjet tyre, si dhe rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ndërmjet tyre.

“Rrugë të tjera nuk ka. Rrugët e tjera janë të rrezikshme për Kosovën… Përndryshe, na presin cikle zgjedhore të pafund”, thekson Paçarizi.

Të përafërt e ka mendimin edhe Maliqi. Sipas tij, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mund të sillnin ndryshim përmbajtësor, vetëm në rast se rezultati do të ishte i tillë që LVV-ja të mos mund të qeveriste si e vetme.

“Pas shumë përpjekjeve, [LVV] do të detyrohej të arrinte një lloj kompromisi me të paktën njërën prej partive… U pa që edhe me 51 për qind, LVV-ja ka nevojë për një konsensus, të paktën për postin e presidentit”, thekson Maliqi.

Ai shton se, në rast se LVV-ja do t’i refuzonte kompromiset edhe pas zgjedhjeve eventuale brenda javësh, “një bashkëpunim i opozitës do të imponohej nga rrethanat”, në mënyrë që ato të bashkoheshin, të merrnin pushtetin dhe të konsolidonin institucionet.

Valjet Rexhepi bën publike letrën e Amanetit të gjyshit të tij Akademik Rexhep Qosja

Nipi i Akademik Rexhep Qosja bën publike letrën e Amanetit nga gjyshi i tij, të cilën po e sjellim si më poshtë:

NIPIT TIM VALJETIT

I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT

KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.

Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë.

Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.

Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

(nënshkrimi)

Prishtinë, 30.4.2016

Afër Shpresës…

Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja, Kosova shpall ditë zie në nderim të figurës së tij

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se e premtja, 24 prill 2026, është shpallur ditë zie shtetërore në Kosova, në nderim të jetës dhe kontributit të akademikut Rexhep Qosja, i cili u nda nga jeta në moshën 89-vjeçare.

Në reagimin e saj publik, Haxhiu theksoi se ky vendim është një shprehje respekti dhe mirënjohjeje për figurën e Qosjes, duke e cilësuar atë si një nga personalitetet më të rëndësishme që i dha kulturës shqiptare dije, vepër dhe autoritet.

“Me shpalljen e ditës së zisë shtetërore, nderojmë një figurë të shquar që la gjurmë të thella në mendimin dhe kulturën kombëtare”, u shpreh ajo. bw

Shuhet Akademik Rexhep Qosja

Lajmin e hidhur e kanë konfirmuar vetë familjarët e Qoses përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook.

“Njoftojmë se sot, më datë 23.4.2026 është ndarë nga jeta dhe është varrosur Rexhep Qosja. Varrimi u zhvillua në praninë e anëtarëve të ngushtë të familjes.

Me dëshirë të të ndjerit, nuk do të organizohet ceremoni pritjeje nga familja. Familja nuk do të marrë pjesë në organizime institucionale. Lusim që privatësia jonë të respektohet dhe të na mundësohet të mbajmë zi në qetësi!”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga familja.

Rexhep Qosja (25 qershor 1936, Vuthaj) ishte historian letërsie, kritik letrar, shkrimtar, publicist, politikan dhe akademik shqiptar. Është anëtar i rregullt dhe korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, dhe ka qenë i angazhuar në politikën kosovare të pasluftës.

Është autor i disa romaneve të njohura. Qe njëri ndër zërat më të spikatur të dramës moderne shqipe gjatë viteve 1970.

Më 2006 u inkuadrua në një debat për identitetin shqiptar me Ismail Kadarenë. Ka qenë një ndër intelektualët shqiptarë i cili ka ngritur zërin në mbrojtje të figurës së Enver Hoxhës. Në debatin e hapur në vitin 2018 mbi shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, ka mbrojtur tezën e shkëmbimit të territoreve.

Biografia

U lind në Vuthaj, në krahinën e Malësisë asokohe nën Mbretërinë Jugosllave. Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci. Më 1959 mbaroi Shkollën Normale në Prishtinë, ndërsa më 1960 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ku u diplomua më 1964. Në vitin 1967 u pranua asistent në Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe gjatë viteve 1967/68 specializoi shkencën e le­tërsisë në studimet e shkallës së tretë në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Beogradit. Më 1969 u zgjodh bashkëpunëtor shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Në vitin 1971 mbrojti tezën e doktoratës mbi jetën dhe krijimtarinë e Asdrenit me punimin “Asdreni, jeta dhe vepra e tij” në studimet e tij pasuniversitare në Universitetin e Beogradit. Pas doktorimit, më 1972, u zgjodh, një herë bashkëpunëtor i lartë e pastaj, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik, si dhe profesor inordinar dhe profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Prishtinës. U pranua në Partinë Komuniste të Jugosllavisë në vitet 70. Ishte drejtor i Institutit Albanologjik prej vitit 1972 deri më 1981, shef shumëvjeçar i Degës së Letërsisë dhe të Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filozofik dhe, gjatë viteve 1974-1975, kryeredaktor i jashtëm i revistës letrare Jeta e Re. Më 1989 iu propozua që të bëhej kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, por Qosja refuzoi.

Pas ndryshimeve politike më 1990 në Shqipëri, Qosja u bë ndër kritikët më të zëshëm të kulturës dhe elitës politike si derivat gjenealogjik i nomenklaturës komuniste.

Dhjetëvjeçarin para Luftës së Kosovës mori emër si figurë e realitetit kombëtar shqiptar. Politikisht organizoi Forumin Demokratik të Intelektualëve Shqiptarë si kundërpeshë ndaj LDK-së së Ibrahim Rugovës, më 1998 shkoi edhe më tej, duke e themeluar Lëvizjen Demokratike të Bashkuar (LDB). Në këtë cilësi mori pjesë në bisedimet në Rambouillet në shkurtin e vitit 1999 si anëtar i delegacionit shqiptar. Pas luftës Qosja mori pjesë në Këshillin Administrativ Interim vendosur më 15 dhjetor 1999. Pas një viti, më 16 dhjetor, dha dorëheqjen nga kryetarësia e LDB-së pas rezultateve të dobëta në zgjedhjet e 28 tetorit të atij viti.

Vepra

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike. Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi kompletin e veprave në 29 vëllime.

Prozë

Rexhep Qosja ka botuar disa romane: “Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974), “Një dashuri dhe shtatë faje” (2003), “Nata është dita jonë” (2007), “Bijtë e askujt” (2010) dhe Të fshehtat e treguara (2020).

Përveç në Prishtinë romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” është botuar në vitin 1987 edhe në Tiranë, me inisiativë të shkrimtarit Ismail Kadare, i cili kishte lexuar botimin e Shtëpisë Botuese “Rilindja” të Prishtinës dhe e kishte pëlqyer. Më vonë Kadare e rekomandoi romanin e Qosjes edhe në Francë dhe ai u botua atje,në vitin 1994 me parathënie të Kadaresë.

Qosja ashtu si shkrimtarët tjerë shqiptarë është ndikuar nga Ismail Kadare. Një rast i tillë është romani i Qosjes Një dashuri dhe shtatë faje i botuar më 2001, që është i ngjashëm me romanin e Kadaresë Krushqit janë të ngrirë botuar më 1986. Ngjashmëritë janë protagonisti i cili është mjek në të dy rastet, antagonisti që është UDB, vendi është Spitali i Prishtinës, viti është 1981, faji i protagonistit është mjekimi ose nderimi i viktimave të demonstratës. Studiuesi Ag Apolloni pohon se ngjashmëri të tilla ka edhe te shkrimtarët e mëdhenj botërorë dhe ato nuk ua ulin vlerën veprave.

Nga proza Qosja ka botuar edhe tregimin “I ringjalluri i penduar” i cili mund të quhet edhe novelë ose roman. Ky tregim është satirë që fshikullon politikanët kosovarë të pasluftës. Të fshehtat e treguara është romani i parë omnibus në letërsinë shqipe.

Ese

Eseja “Çështja Shqiptare” e Qosjes në vitin 1995 u përkthye dhe u botua në Francë nga shtëpia botuese Fayard.

Në këtë vepër të përkthyer në frëngjisht Qosja do të deklaronte:

«Perandoria Osmane ka ngritur mur mes shqiptarëve dhe Evropës, në radhë të parë me ideologjinë fetare islame»

Me botimin e vëllimit Identiteti evropian i shqiptarëve nga Ismail Kadare më 2006 si replikë ndaj vëllimit të Qosjes Ideologjia e shpërbërjesu bë shkas për rrahjen e kësaj teme, Qosja iu përgjigj brenda vitit me esetë Idetë raciste të Kadaresë dhe Realiteti i shpërfillur.Kundëpërgjigjja e Qosjes çoi Kadarenë drejt reagimit dhe kështu u zhvillua një debat mbi identitetin kombëtar. Qendra e mendimit të Qosjes është se identiteti mbarëshqiptar në gjerësinë e tij ngërthen elemente të të dy qytetërimeve, si atij perëndimor, si atij lindor. Në veprën Identiteti Evropian i Shqiptarëve, Kadare i ka kritikuar ashpër qëndrimet e Qosjes:

«Askush nuk mund të jetë aq naiv sa të mos e kuptojë se një identitet i ndarë është një komb i ndarë. Askush s’mund të jetë aq i ngathët nga mendja që të mos e kuptojë se përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian, do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa. Ky nuk është as përfundim teorik e as filozofik. Kombi shqiptar, përpara se ta lexojë në libra e ka ndier në mishin e tij këtë lemeri. Shpërnguljet me dhunë kanë hyrë në vetëdijen e traumatizuar të disa brezave shqiptarë. Këto shpërngulje nuk ranë si rrufe në qiell të pastër. Ato ishin përgatitur për një kohë të gjatë nga zyra kriminelësh, nga ushtarakë sadistë, nga akademikë të zinj si Vasa Çubrulloviçi, nga mendësia e një popullsie të tërë të dehur prej etheve shoviniste.»

Drama

Rexhep Qosja është një ndër autorët që kanë patur një ndikim të madh në modernitetin letrar të dramës shqipe, në dimensionin e saj filozofik dhe thellësinë psikologjike në vitet 70, bashkë me Teki Dervishin dhe Beqir Musliun.Qosja ka shkruar dramat Beselam pse po më flijojnë, Sfinga e gjallë dhe Vdekja e një mbretëreshe, botuar në vitin 1978 nën titullin e përbashkët “Mite të zhveshura”. Dramën e parë, Sfinga e gjallë, e nisi po atë vit që përfundoi romanin e parë, Vdekja më vjen prej syve të tillë (1974), dhe e inskenoi në vitin 1976.

Debate

Debati mbi Enver Hoxhën.

Në një intervistë dhënë gazetares Rudina Xhunga me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Qosja e cilësoi jonormale injorimin që i bëhej Enver Hoxhës. Sipas tij, Hoxha:

«[…] e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe që sundonte përpara…i siguroi atij populli bukën,[…] ndërtoi një shtet bashkëkohor me të gjitha institucionet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore. Nuk mund t’i harrojmë këto. Shqipëria sot ndriçohet edhe me hidrocentrale që ka ndërtuar ai regjim, apo në radhë të parë me ato termocentrale. Ai regjim e mbrojti Shqipërinë prej përmbytjeve, e shpëtoi Shqipërinë prej kënetave. U rritën tani kënetat, u rritën aq shumë sa po bëhen vërshime ashtu si Shkodra sepse regjimi i sotëm nuk po i kushton rëndësi ose i la të shkatërrohen ato që i kishte ndërtuar ai regjim me Enver Hoxhën në krye për mbrojtjen e qyteteve, fshatrave, fushave prej vërshimeve dhe brakave. Nuk mund dhe nuk duhet t’i harrojmë këto. E thashë më parë e dua ta përsëris se ai regjim i dha popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme.[…]»

Sipas Qosjes Shqipëria nuk ishte vendi i vetëm ku u pushkatuan njerëzit pas luftës, duke e krahasuar me terrorin ne vendet tjera komuniste në Shqipëri dhuna qe në përpjestime më të vogla.Madje në ditarin e tij të botuar në vitin 2016, Qosja do të shkruante:

«”Enver Hoxha ishte atdhetar i madh, atdhetari më i madh shqiptar, që ia kishte kushtuar jetën Shqipërisë shtet dhe popullit shqiptar komb. Këta të sotmit, të gjithë së bashku s’i vijnë atij as deri te nyja e poshtme e këmbës”.[…]»

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha kritikoi Qosjen për “lartësimin e figurës së Enver Hoxhës”, dhe për injorimin e faktit që shqiptarët ia kishin zvarritur bustet që kishte pasur në çdo qytet të Shqipërisë.Pas ankesës së demokratëve lidhur me shfaqjen e fotografive të liderit shqiptar Enver Hoxha në festimet e çlirimit të Shqipërisë, Rexhep Qosja mbrojti shfaqjen e tyre duke argumentuar se në vendet demokratike nuk dënohej nxjerrja publike e fotografive të figurave të mëhershme politike, madje as nxjerrja publike e fotografive të Leninit dhe Stalinit; përjashtim bënte nxjerrja e fotove të Adolf Hitlerit. Qosja e kritikoi ashpër edhe krahasimin e Enver Hoxhës me Hitlerin, duke e quajtur marrëzi, shpifje dhe akuzë poshtëruese kundër popullit shqiptar, i cili Enver Hoxhën e kishte kënduar, duartrokitur, madhëruar në vepra arti dhe e kishte quajtur figurë e madhe kombëtare. Kjo nxiti replikë nga deputetja demokrate Mesila Doda e cila e quajti Qosjen «marksist-leninist i degraduar».

Qosja sulmoi mentalitetin komunist:

«[…] ish-sekretari i organizatës themelore të Partisë së Punës së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës, Sali Berisha, i cili kishte bërë shumë përpjekje, qoftë edhe përmes djemve të Enver Hoxhës, për të hyrë në shtëpinë dhe në ekipin e mjekëve të tij! Dhe, ky trabant i komunizmit, që aq egër do të çohet kundër idhullit të vet vetëm pas vdekjes së tij, do ta quajë sot Enver Hoxhën Hitleri shqiptar![…]»

Epokën e Mbretit Zog I Qosja e ka quajtur “rend feudal” dhe kjo solli një valë reagimesh në Shqipëri që e cilësuan Qosen si “despot dhe enverist”, dhe qëndrimet e tij si “shpalosja e radhës e enverizmit dhe përçarja e kombit shqiptar”.

Debati mbi korigjimin e kufinjve

Në debatin që u zhvillua në vitin 2018, Qose është deklaruar pro idesë së korrigjimit të kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë. Qosja e ka goditur Sali Berishën për deklaratën e tij se çështja e kufinjve të Kosovës ishte shndërruar në lajm kryesor rajonal dhe botëror nga serbomëdhenjtë e Beogradit dhe argatët e tyre në Prishtinë. Sipas Qosjes, Berisha nuk kishte të drejtë morale të fliste kur ai “duke e thyer embargon e vendosur prej faktorëve ndërkombëtar ndaj Serbisë,me naftën e Shqipërisë e ka furnizuar ushtrinë serbe që masakronte shqiptarë në Kosovë.”

Bibliografia

Vepra

  • Episode letrare, 1967
  • Dialog me shkrimtarë, 1968
  • Antologjia e lirikës shqipe, 1970
  • Kontinuitete, 1972
  • Asdreni – jeta dhe vepra, 1972
  • Panteoni i rralluar, 1973
  • Vdekja më vjen prej syve të tillë, 1974
  • Shkrimtarë dhe periudha, 1975
  • Anatomia e kulturës, 1976
  • Mite të zhveshura, 1978
  • Prej tipologjisë deri te periodizimi, 1979
  • Morfologjia e një fushate, 1980
  • Nocione të reja albanologjike, 1983
  • Historia e letërsisë shqipe I, II 1984
  • Antologjia historike e letërsisë shqipe, 1985
  • Historia e letërsisë shqipe III, 1986
  • Porosia e madhe, 1986
  • Populli i ndaluar, 1990
  • Strategjia e bashkimit kombëtar, 1992
  • Çështja shqiptare: historia dhe politika, 1994
  • Ligjërime paravajtëse, 1996
  • Fjalor demokratik, 1997
  • Paqja e përgjakshme: Konferenca ndërkombëtare për Kosovën, 1999
  • Një dashuri dhe shtatë faje, roman, 2001
  • I ringjalluri i penduar, tregim satirik, 2002
  • Ideologjia e shpërbërjes, 2006
  • Realiteti i shpërfillur, 2006
  • Rilindja e dytë
  • Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, 2007
  • Nata është dita jonë, 2007
  • Shqipëria dhe Kosova – Si janë dhe si do të duhej të jenë, 2013
  • Dëshmitar në kohë historike 1966-1974 – Ditar I – (prill, 2014)
  • Dëshmitar në kohë historike 1975-1978 – Ditar II – (Maj, 2014)
  • Dëshmitar në kohë historike 1979-1981 – Ditar III – (qershor, 2014)
  • Dëshmitar në kohë historike 1982-1983 – Ditar IV – (shtator, 2014)
  • Dëshmitar në kohë historike 1982-1983 – Ditar IV
  • Dëshmitar në kohë historike 1984-1985 – Ditar V
  • Dëshmitar në kohë historike 1986-1989 – Ditar VI
  • Dëshmitar në kohë historike 1990-1998 – Ditar VII
  • Dëshmitar në kohë historike 1999-2001 – Ditar VIII
  • [[Dëshmitar në kohë historike 2002-2008 – Ditar IX]
  • Të fshehtat e treguara, roman, 2020

Vepra të përkthyera

  • Živa sfinga, Jedinstvo, Priština, 1976.
  • Smrt vreba iz očiju, Narodna knjiga, Beograd, 1976.
  • Književnost i kritika, Prosveta, Beograd, Jedinstvo, Priština, 1979.
  • Smrt preži v očeg, Mladinska knjiga, Ljubljana, 1979.
  • Smrta mi ide ot takiva oči , Hristo Danov, Plovdiv, 1982.
  • Beselam pse më flijojnë (arabisht), Kuvajt, 1983.
  • La mort me vient de ces yeux là, Gallimard, Paris, 1994.
  • La question Albanaise, Fayard, Paris, 1995.
  • In solchen Augen lieg der Tod, Hayman Verlag, Innsbruck, 1995.
  • Die ogen en de dood, Van Genep, Amsterdam, 1996.
  • La morte mi viene da occhi cosi

Nderime

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë Rexhep Mejdani i dha çmimin “Nderi i Kombit”.

Për romanin “Bijtë e askujt” iu dha çmimi “Pjetër Bogdani” më 2010. Më 22 qershor 2012 iu dorëzua çmimi letrar Beqir Musliu./Wikipedia

Kurti emëron Agron Bajramin kryenegociator në dialogun teknik me Serbinë

Radio Evropa e Lirë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka emëruar Agron Bajramin në postin e kryenegociatorit në dialogun teknik për normalizim të raporteve me Serbinë.

Përveç postit të ri, Bajrami është edhe ambasador i Kosovës në Belgjikë, në kryeqytetin e të cilës, Bruksel, Bashkimi Evropian ndërmjetëson dialogun Kosovë-Serbi.

Në muajin shkurt, disa ditë pas votimit të Qeverisë së re të Kosovës, numri dy në ekzekutivin kosovar, njëherësh ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, tha se procesi i dialogut do të udhëhiqet nga kjo ministri.

Mandatin e kaluar qeverisës, në nivel politik, Kosova në dialog është përfaqësuar nga kryeministri, Albin Kurti, ndërkaq në nivel kryenegociatorësh nga Besnik Bislimi.

Viteve të fundit, Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar një sërë rundesh të dialogut në nivel kryenegociatorësh, por takime të nivelit të lartë politik nuk ka pasur që nga shtatori i vitit 2023.

Atëbotë, raundi i fundit i dialogut në nivel të lartë u zhvillua pak ditë para sulmit të armatosur në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i serbëve të armatosur vranë një polic të Kosovës. Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Përgjatë vitesh të dialogut, Kosova dhe Serbia kanë arritur një sërë marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar në terren.

Kurti i kërkon ndihmë Turqisë për ndërtimin e një linje të re ajrore Kosovë-SHBA

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim ministrin e Tregtisë të Turqisë, Ömer Bolat, i cili sot erdhi për vizitë zyrtare në Kosovë.

Zyra e Kryeministrit njofton se në takim Kurti theksoi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe e falënderoi ministrin turk për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Republikës së Turqisë ndaj Republikës së Kosovës.

]Kurti foli dhe për synimet për hapjen e një linje të re ajrore ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me ndihmën e Republikës së Turqisë, siç thotë ZKM.

Pasi theksoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, Kurti përcolli mirënjohjen dhe falënderimet e tij për presidentin Recep Tayyip Erdoğan për “angazhimin dhe mbështetjen e posaçme ndërkombëtare për Kosovën”.

Të dy palët diskutuan për mundësitë e zgjerimit të Marrëveshjes për Tregti të Lirë edhe për shërbimet, përfshirë ato profesionale, të teknologjisë së informacionit, të transportit dhe të logjistikës, si dhe shërbimet financiare.

Në këtë kontekst, kryeministri Kurti përmendi potencialin e jashtëzakonshëm të Republikës së Kosovës për eksport të shërbimeve”, thuhet në njoftimin e ZKM-së. bw


Send this to a friend