VOAL

VOAL

Britania dhe Gjermania u kërkojnë partive politike të bashkëpunojnë për formimin e institucioneve të Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Ambasadorët e Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë në Prishtinë u kanë bërë thirrje partive politike të bashkëpunojnë për tejkalimin e pengesave për formimin e institucioneve të reja të Kosovës, pasi ato dështuan për herë të dytë radhazi ta konstituojnë Kuvendin e ri të enjten.

Konstituimi i Kuvendit dështoi dy herë brenda kësaj jave, për shkak të mosmarrëveshjeve procedurale mes partive politike që siguruan ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Njerëzit kanë të drejtë të presim nga liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes të vendit”, tha ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, në një reagim në Facebook të enjten.

Ai tha se Kosova ka nevojë “urgjente” për formimin e institucioneve të reja, pasi kanë kaluar më shumë se dy muaj nga mbajtja e zgjedhje.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) këmbëngulin që anëtarët e Qeverisë, të cilët janë zgjedhur deputetë, të japin dorëheqje, përndryshe nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve, hap që duhet të kalohet për vazhdimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re.

Por kreu i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thekson se një akt i tillë formal është i panevojshëm, për shkak se ekzekutivi është në detyrë, apo dorëheqje që nga 23 marsi.

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde, tha se konstituimi i Kuvendi i Kosovës ka ngecur, “për shkak të taktikave penguese”.

“Qytetarët meritojnë politikanë që e qesin Kosovës para politikave partiake. Prandaj, e përsëris: Bashkëpunimi i mirëfilltë është urgjentisht i nevojshëm për të garantuar institucione funksionale dhe formim të shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”, shkroi Rohde në rrjetin social Bluesky.

Nuk është e qartë nëse mosmarrëveshjet mes partive parlamentare do të zgjidhet para mbajtjes së vazhdimit të seancës së ndërprerë të enjten, e caktuar për të shtunën e 19 prillit.

Në seancën e së enjtes, e cila ishte vazhdimësi e seancës së ndërprerë të martën, kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ftoi në konsultime përfaqësuesit e partive politike dhe më pas tha se nuk kishte konsensus se si të vazhdohet tutje, duke njoftuar se seanca do të vazhdojë më 19 prill në mesditë.

PDK, LDK dhe AAK fajësuan LVV-në se me ndërprerjen e seancave po tenton “të blejë kohë për pazare politike”, pasi sipas tyre, partia e Albin Kurtit nuk i ka votat për të zgjedhur kryeparlamentarin e as Qeverinë.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë të enjten se dorëheqjet formale të anëtarëve të Qeverisë do ta zhbllokonin konstituimin e Kuvendit.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.

Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.

Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.

Kërkohet burgim i përjetshëm për të akuzuarit për sulmin në Banjskë

Seanca për rastin e sulmit në Banjskë më 17 prill, 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Në seancën e parë për rastin e sulmit në Banjskë – që po mbahet sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës – avokati i familjes së rreshterit Afrim Bunjaku që mbeti i vrarë nga sulmi, Arianit Koci, kërkoi burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Në fillim të seancës, të akuzuarit Vlladimir Tolliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq u deklaruan të pafajshëm për akuzat për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale. Tolliq dhe Spasojeviq kishin refuzuar të deklarohen për fajësinë në seancën përgatitore të 9 tetorit të vitit të kaluar.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.

Për 42 të akuzuarit e tjerë të këtij rasti, që ndodhen në arrati, është kërkuar gjykim në mungesë. Për ta u lëshua letër-rrestim ndërkombëtar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me qëllim për ta siguruar prezencën e tyre.

Në rastet e gjykimit në mungesë, që janë mundësuar në Kosovë me ndryshimet ligjore të vitit 2022, kërkohet që të shterohen të gjitha opsionet për ta siguruar prezencën e të akuzuarve. Në rastet e tjera të këtij lloji, Kosova u ka kërkuar autoriteteve në Serbi t’ua dërgojnë ftesën për marrje në pyetje të akuzuarve dhe rasti i gjykimit ka vazhduar vetëm pasi nuk është marrë përgjigje nga të akuzuarit.

Në seancën e sotshme, pas deklarimit për fajësinë nga të akuzuarit, prokurori special Naim Abazi tha se përmes videove do të dëshmohet se sulmi ishte i paraplanifikuar dhe se grupi ishte “i mirëorganizuar”.

Gjatë shfaqjes së videove të marra nga dronë në ditën e sulmit, Abazi tha se nga sulmi kishin mbetur të dëmtuara edhe shtëpitë e qytetarëve të asaj zone.

Për Tolliqin, i cili ishte gjetur i plagosur, u tha se ishte kapur me armë ushatarake, ndërsa për Spasojeviqin dhe Maksimoviqin u treguan fotografi me të akuzuar të tjerë të këtij rasti.

Si avokati i familjes së Bunjakut, Koci, ashtu edhe përfaqësuesit e të dëmtuarve Alban Rashiti dhe Sedar Dushi thanë se mbështesin fjalën hyrëse të prokurorit.

Në fjalën hyrëse, të akuzuarit Spasojeviq dhe Tolliq thanë se nuk e kanë sulmuar apo vrarë askënd. Spasojeviq tha se nuk ka synuar bashkimin e veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, me Serbinë, ndërsa Tolliq tha se ai ka qenë në Banjskë më 24 shtator por për arsye tjetër nga ajo që thuhet në aktakuzë.

Avokatët e të dyve – Lubomir Pantoviq që mbron Spasojeviqin dhe Millosh Deleviq që mbron Toliqin – thanë se aktakuza nuk i plotëson kriteret e Kodit të Procedurës Penale.

Ata pretenduan se aktakuza nuk përshkruan veprimet individuale të Spasojeviqit dhe Toliqit, por vetëm përshkruan në mënyrë të përgjithshme ngjarjen, pa treguar rolin që të akuzuarit kanë luajtur.

Çfarë përmban aktakuza?

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Çka kanë thënë tre të akuzuarit?

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, njëri prej tre të akuzuarve që gjenden në paraburgim në Kosovë është mbrojtur në heshtje.

Një tjetër ka deklaruar në Stacionin policor të Mitrovicës më 24 shtator, 2023, se një ditë më herët ka shkuar në Rashkë, ku është takuar me tre persona (po ashtu të akuzuar), me të cilët, në mënyrë të organizuar me disa vetura, kanë shkuar në Banjskë, ku u janë dhënë uniforma dhe armatim.

Atij i është thënë se “do të bëhet një barrikadë me kamion dhe një protestë, për të cilën ka menduar se është paqësore”.

“Por, pasi ka pranuar uniformën ushtarake-taktike dhe armatimin, aty e ka kuptuar se diçka nuk është në rregull, por se është detyruar t’u bindet urdhrave”, thuhet në aktakuzë.

Sipas aktakuzës, ai ka thënë se gjatë natës ka qëndruar në një veturë dhe pastaj në afërsi të një ujëvare dhe në mal, dhe se “asnjëherë nuk ka shtënë me armë”.

Më vonë, ai i është dorëzuar Policisë së Kosovës.

Ai, po ashtu, ka deklaruar se rreth dhjetë vetura të tipit Jeep pa targa, kanë ardhur nga Serbia me rreth 50 persona, shumicën e të cilëve ka thënë se nuk i ka njohur.

“Gjithashtu, ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë presion apo kërcënim për të marrë pjesë në këtë grup dhe se vullnetarisht është bërë pjesë e tij…”.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Të akuzuarit për sulmin në Banjskë dalin sot para gjykatës

Seanca përgatitore për të akuzuarit për sulmin në Banjskë e mbajtur në tetor të vitit 2024

 

Radio Evropa e Lirë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 17 prill mbahet seanca e parë për rastin e sulmit në Banjskë, kundër Vlladimir Tolliqit, Bllagoje Spasojeviqit dhe Dushan Maksimoviqit.

Tre të akuzuarit u arrestuan pas sulmit në Banjskë të Zveçanit shtatorin e vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau policin Afrim Bunjaku. Në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues.

Në shtator të vitit 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të rënda penale, shumica prej të cilëve – përfshirë Millan Radoiçiqin, i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – janë në arrati.

Prokuroria më 9 tetor të vitit të kaluar, në seancën përgatitore, kërkoi që gjykimi të nisë edhe për të akuzuarit që nuk ndodhen në Kosovë, por avokatët mbrojtës theksuan se diçka e tillë nuk lejohet nga ligjet e Kosovës.

Gjyqtari Arben Hoti kërkoi një mendim juridik nga Gjykata Supreme për interpretimin e ligjit, që konstatoi se kjo çështje është “e drejtë diskrecionale” e gjyqtarit.

Një vendim i tillë ende nuk është marrë.

Ndryshe, në seancën përgatitore të 9 tetorit 2024, dy të akuzuarit, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, refuzuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit, ndërsa Dushan Maksimoviq u deklarua i pafajshëm.

Përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që ka përkrahjen e Beogradit zyrtar. Besohet se ai dhe shumica e pjesëtarëve të grupit të armatosur ndodhen të lirë në Serbi.

Çfarë përmban aktakuza?

Prokuroria Speciale e Kosovës, përveç tjerash, i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska me vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

Prokurori i rastit, Naim Abazi, më herët ka deklaruar se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal, “nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste, deri te financimi dhe pastrimi i parave”.

Kush janë të pandehurit?

Në aktakuzë përmenden 45 persona:

Millan Radoiçiq, Bllagoje Spasojeviq, Vlladimir Tolliq, Dushan Maksimoviq, Vlladimir Radivojeviq, Uglesha Jarediq, Millorad Jevtiq, Vllastimir Andriq, Aleksandar Millosavleviq, Llazar Shmigiq, Velko Gjorgjeviq, Vlladimir Vuçetiq, Stefan Jovanoviq, Millovan Kërstoviq, Urosh Milliq, Trajko Vasiq, Danillo Vasiq, Vukashin Jarediq, Sasha Periq, Nemanja Stankoviq, Momçillo Vuçkoviq, Stefan Radojkoviq, Marjan Radojeviq, Marko Arsiq, Zharko Cvetkoviq, Kërsto Damjanoviq, Stefan Millosavleviq, Marko Saviq, Aleksandar Jevremoviq, Radosh Gvozdiq, Ivan Milliq, Gojko Zubaq, Nemanja Radivojeviq, Radak Axhiq, Millosh Millenkoviq, Gjorgje Balloviq, Danijell Gjukiq, Danillo Virijeviq, Aleksandar Tanaskoviq, Millosh Kragoviq, Milan Nedelkoviq, Nikolla Illiq, Vlladan Illiq, RAD D.O.O. dhe Radulle Steviq.

Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

Autoritetet e Kosovës e cilësojnë sulmin në Banjskë si akt terrorist dhe akuzojnë Serbinë se qëndron pas tij.

Nga ana tjetër, Serbia ka mohuar çdo përfshirje në sulmin në Banjskë, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se për Beogradin ky sulm nuk është terrorist, por se po hetohet.

Bashkësia ndërkombëtare e ka dënuar ashpër sulmin në Banjskë dhe ka kërkuar që përgjegjësit të dalin para drejtësisë.

Partitë pro seancës konstituive, pa qëndrime të ndryshuara

Radio Evropa e Lirë

Deputetët e zgjedhur të partive kryesore politike parlamentare, me të cilët bisedoi REL-i, kanë thënë se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por me qëndrimet e njëjta që çuan drejt ndërprerjes së saj një ditë më parë.

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës është caktuar për të enjten, në orën 12:00.

Seanca nisi të martën, reth orës 11:00, por u ndërpre rreth dy orë më pas, për shkak se deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, që do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) votuan kundër raportit, duke thënë se anëtarët e Qeverisë, që janë zgjedhur deputetë, është dashur që të jepnin dorëheqje zyrtarisht më herët, në mënyrë që të mund të betoheshin si deputetë të përbërjes së re parlamentare.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka thënë vazhdimisht se ekzekutivi është në dorëheqje që nga përfundimi i mandatit katërvjeçar më 23 mars.

Të mërkurën në mëngjes, deputeti më i vjetër në moshë i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili kryeson seancën konstituive të legjislativit, iu drejtua me një letër presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për të sqaruar se si të veprohej më tutje pas ndërprerjes së seancës konstituive të martën.

Osmani, ka thënë të mërkurën se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, e ndërprerë të martën, duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja, ashtu siç e parashohin ligjet.

Përgjigjja e Presidentes Osmani, Avni Deharit.

Përgjigjja e Presidentes Osmani, Avni Deharit.

Po të mërkurëm në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti përsëriti qëndrimin se ai dhe kabineti qeveritar janë në detyrë që nga 23 marsi, kur ekzekutivi ka përmbushur mandatin e rregullt katërvjeçar.

Ai tha se “më shumë se kaq nuk është e mundur të jepet dorëheqje” sepse do të ishte “braktisje e institucionit, do të ishte vakum institucional”.

Çka thojnë partitë politike?

Deputeti i zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, aktualisht ministër në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, tha për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie do të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës konstituive.

Sipas tij, procesi i konstituimit të Kuvendit duhet të vazhdojë, ashtu siç e parasheh ligji, por edhe letra e presidentes Osmani.

“Nuk ka kuptim të bllokohet konstituimi i Kuvendit dhe kjo është përgjegjësi e secilit prej 120 deputetëve të zgjedhur”, theksoi Çeku.

Lidhur me kërkesën e partive opozitare për dorëheqje të anëtarëve të ekzekutivit nga postet qeverisëse, të cilët kanë fituar mandatin e deputetit, Çeku tha se Lëvizja vetëvendosje mbetet pranë vendimit, të cilin e ka shprehur publikisht të mërkurën kryeministri në detyrë Kurti.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, ende nuk kanë bërë publik ndonjë vendim se a do të votojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Ariana Musliu – Shoshi, theksoi se sipas Rregullores së Kuvendit, brënda 48 orë nga ndërprerja e seancës, deputetët duhet të mblidhen sërish në legjislativ.

“Nesër (të enjten), duhet të blidhen të gjithë deputetët”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë, duke shtuar se vendimi i PDK-së për të votuar ose jo raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të bëhet i ditur kur të mblidhen deputetët në seancë.

Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) e ka mirëpritur përgjigjen e presidentes Osmani, që seanca konstituive e Kuvendit duhet të vazhdojë brenda 48 orëve nga ndërprerja.

Por, kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, përsëriti se LDK-ja do të kërkojë përsëri nga Kurti me ministra të japin dorëheqje formale.

“Do ta kërkojnë si obligim ligjor, si rrjedhë kushtetuese, si logjikë demokratike”, tha Abdixhiku, por nuk ka saktësuar se a do ta definojë ky qëndrim edhe votimin ose jo nga kjo parti të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të jenë të pranishëm në institucionin ligjvënës, të enjten, ka thënë deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Time Kadrijaj.

Ajo theksoi se votimi ose jo i raportit të të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do të varet nga qëndrimi i partisë fituese të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizes Vetëvendosje.

“Të shohim se sa janë serioz me dorëheqjet anëtarët e Qeverisë (të zgjedhur deputet). Paraprakisht, nesër (të enjten) do të konsultohemi edhe me partitë tjera pozitare dhe do të vendosim”, theksoi Kadrijaj.

Miratimi i raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit, do t’i hapte rrugë kalimit në pikën e radhës, atë të betimit të deputetëve, më pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – hapa të nevojshëm për konstituimin e legjislaturës së re parlamentare.

Lista Serbe thotë se nuk do të votojë për qeverinë Kurti

Deputetë të zgjedhur të Listës Serbe duke hyrë në Kuvendin e Kosovës, për seancën konstituive, 15 prill.

 

Radio Evropa e Lirë

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës e mbështetur nga Beogradi – ka thënë të mërkurën se nuk do ta përkrahë Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Në një reagim në Facebook, Lista Serbe tha se “deklaratat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurtit për gjoja mbështetjen e paralajmëruar nga deputetët e Listës Serbe, janë një e pavërtetë e pastër”.

“Jemi absolutisht të sigurt se edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë të vetëdijshëm për këtë, por gënjeshtrat që po i shpërndajnë shërbejnë qartësisht për lojërat e tyre të brendshme, prandaj i hedhim poshtë publikisht”, tha Lista Serbe.

Lista Serbe – e cila i fitoi 9 prej 10 ulëset e garantuara për pakicën serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës – nuk përmendi emrat në njoftimin e saj kur tha se bashkëpunëtorë të Kurtit kishin bërë deklarata të tilla.

Megjithatë, ministrja e Jashtme në detyrë e Kosovës, Donika Gërvalla, tha të martën se mund të ketë “tendencë nga disa deputetë” të Listës Serbe për të votuar për Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e Qeverisë së re, me qëllim “për ta njollosur atë”.

Gërvalla u pyet në Tëvë1 për disa mesazhe telefonike të ministrit në detyrë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal dhe kryetarit të Iniciativës së re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, gjatë seancës së dështuar konstituive të Kuvendit të martën, ku përmendeshin disa deputetë të Listës Serbe që mund të votojnë për një qeveri Kurti.

“Mund të ketë një ndarje të Listës Serbe dhe një pjesë të tyre, për ta diskredituar para opinionit shqiptar këtë koalicion, mund ta japin votën që të cilën nuk ua kemi kërkuar. Ne duhet ta përgatisim opinionin për këtë gjë, sepse nuk mund t’ua lidhim duart atyre”, tha ajo.

Gërvalla e përsëriti se ka “qenë gabim” që Lista Serbe është certifikuar për këto zgjedhje.

Vetëvendosje e ka hedhur poshtë vazhdimisht bashkëpunimin e mundshëm me Listën Serbe dhe kishte luftuar certifikimin e saj për zgjedhjet e 9 shkurtit, por Gjykata Supreme e Kosovës e kishte aprovuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhje.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

Kurti kishte biseduar me 10 partitë e pakicës joserbe për formimin e Qeverisë së re, ndërsa është refuzuar nga Lidhje Demokratike e Kosovës, partia që mori më së shumti vota pas LVV-së.

Kuvendi i Kosovës dështoi të martën ta konstituojë përbërjen e legjislaturës së re dhe nuk është e qartë se kur do të mblidhet përsëri.

Vjosa Osmanit i shkon letra për bllokimin e Kuvendit të Kosovës, zëdhënësi i presidencës: Po shohim hapat e mëtejshëm

Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës për shkak të mosmiratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, Presidenca ka marrë zyrtarisht njoftimin për situatën e krijuar.

Zëdhënësi i presidentes Vjosa Osmani, Bekim Kupina, konfirmoi se letra e dërguar nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka mbërritur në Presidencë dhe po trajtohet nga ekipi ligjor.

“Letra sapo ka ardhur në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, deklaroi Kupina për mediat.

Mosmiratimi i raportit të komisionit pengoi betimin e deputetëve të rinj, duke bllokuar në këtë mënyrë formimin e institucioneve paszgjedhore. Pavarësisht se në sallë ishin të pranishëm 119 deputetë, vetëm 52 votuan në favor të raportit, duke mos arritur kuorumin prej 61 votash të nevojshme për miratim.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se për shkak të situatës së krijuar, seanca u detyrua të ndërpritet dhe se Presidentja do të informohet zyrtarisht për zhvillimet. “Në këto rrethana detyrohemi ta ndërpresim seancën dhe me një letër ta njoftojmë presidenten se si do të veprohet më tutje,” deklaroi Dehari.

Kriza parlamentare thellohet më tej edhe nga dorëheqja e protokolluar e kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kabinetit të tij qeveritar, e cila ishte nënshkruar më 27 mars por u bë publike gjatë seancës.

Situata e krijuar lë pezull nisjen e legjislaturës së re dhe formimin e qeverisë së re, ndërsa pritet që Presidentja Osmani, në koordinim me forcat politike, të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje dhe për të rikthyer funksionimin normal të institucioneve. bw

Gërvalla thotë se mund të shkohet sërish në zgjedhje: T’ia çojmë njëherë letrën, e të presim reagimin e Presidentes

Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla, ka paralajmëruar se vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje, pas dështimit të seancës konstituive, shkruan Reporteri.net.

Seanca është ndërprerë, meqë deputetët s’arritën ta kalonin pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

Gërvalla tha se do të kërkojnë interpretimin e Presidentes Vjosa Osmani për hapat se si të vazhdohet tutje.

“Mund të na cojë në zgjedhje të reja. Mund të cojë në zëvendësimin e deputetëve që kanë votuar kundër. Ne do të kërkojmë interpretimin e Presidentes dhe nëse Presidentja e ndjen veten kompetente, mund të na e jap një përgjigje. Nëse nuk e ndjen veten kompetente në këtë çështje mund të ndihmojë e hulumtojë më tej se kush mund t’i ketë kompetencat për të sqaruar”, ka deklaruar Gërvalla.

E pyetur nëse veç i kanë drejtuar deri tani shkresën Osmanit, ajo ka thënë se edhe nëse nuk është dërguar, do t’i dërgohet.

“Nuk kam pyetur a është dërguar, por nëse është dërguar do dërgohet, nuk ka pikëpyetje aty. Nuk është e caktuar me minuta e orë se kur dërgohet”, ka thënë Gërvalla për Tëvë1.

Deri në interpretimin e Osmanit, ajo ka thënë se do presin.

“T’ia cojmë njëherë letrën, e të presim reagimin e Presidentes…”, ka deklaruar Gërvalla.

Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar sot, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.

Gërvalla tha se përsëritja e këtij votimi nuk parashihet në asnjërën prej dokumenteve ligjore të Kuvendit.

“E dështuan punën e këtij Kuvendi, pa startuar ende. E dështuan, sepse Kuvendi nuk mundi të vazhdoj punën., Tani kemi hyrë nëpër procedura të ndërlikuara sepse ky votimi nuk parashihet përsëritja e tij në asnjërën prej rregulloreve dhe dokumenteve ligjore të Kuvendit. Kemi arritur në një pikë ku mund të jetë tërësisht e pamundur të vazhdohet konstituimi i këtij Kuvendi.”, ka deklaruar Gërvalla.

Në këto rrethana dhe pas konsultimit të partive, Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet dhe deklaroi se do t’i drejtohen Presidentes Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.

Deri tani, në adresë të Osmanit nuk ka shkuar asnjë letër.

Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.

Maqedonci: Bullgaria do t’i bashkëngjitet aleancës ushtarake me Kroacinë dhe Shqipërinë

Ministri i dorëhequr i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, shpalosi ekskluzivisht se Bullgaria është gati t’i bashkëngjitet marrëveshjes ushtarake të firmosur mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë.

Maqedonci, në një intervistë për TRT Balkan në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalyas, tha gjithashtu se pret që edhe vende të tjera të rajonit t’i bashkohen kësaj marrëveshjeje.

“Kemi një konfirmim nga Bullgaria, e cila ka diskutuar më herët me ministrin kroat për mundësinë që t’i bashkëngjitet kësaj marrëveshjeje trilaterale, mirëpo besoj plotësisht që edhe vende të tjera të rajonit, sidomos ato që ndajnë vlerat e përbashkëta me ne dhe që ndajnë normalisht edhe interesa të përbashkëta, sepse nuk mjaftojnë vetëm vlerat, do të bashkëngjiten në këtë marrëveshje, le të themi në këtë deklaratë, e cila, edhe njëherë po e theksoj, gjithmonë synim ka paqen, stabilitetin dhe sigurinë”, ka deklaruar Maqedonci.

Më 18 mars, Kosova, Shqipëria dhe Kroacia nënshkruan marrëveshje për aleancë ushtarake, e cila nxiti reagime edhe nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati thënë se kjo është shkelje e marrëveshjes nënrajonale për kontrollin e armëve nga viti 1996.

Por zyrtarët e Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë kanë mohuar se kjo marrëveshje është e natyrës armiqësore për fqinjët. sn

Çfarë pritet të ndodhë në seancën konstituive të Kuvendit?

Deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit duke u regjistruar.

 

Seanca konstituive e Kuvendit është thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 1 prill.

Sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë.

Në rastin e tanishëm, seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari nga Lëvizja Vetëvendosje dhe deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në seancën konstituive nuk do të ketë debat, por rendi i ditës do të nisë me caktimin e nga një deputeti nga subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend për Komisionin e Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve.

Pas verifikimit të vlefshmërisë së mandateve të deputetëve, si dhe kuorumin në seancën konstituive, deputetët do ta bëjnë betimin solemn.

Më pas, Kuvendi do të procedojë me zgjedhjen e kryetarit të këtij legjislativi, pozitë kjo e cila i takon Lëvizjes Vetëvendosje, si parti që ka numrin më të madh të deputetëve.

Për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit janë të domosdoshme votat e së paku 61 deputetëve.

Zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, do të përmbyllë konstituimin e institucionit ligjvënës të Kosovës.

Qëndrimet e subjekteve politike

Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje, e cila si parti fituese e zgjedhjeve ka siguruar 48 ulëse në Kuvend, ende nuk ka bërë të ditur emrin e të nominuarit të saj për postin e kryeparlamentarit dhe as nëse ka arritur të sigurojë votat e domosdoshme për zgjedhjen e tij.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, më herët kishte deklaruar se preferonte të krijonte institucionet e reja me komunitetet joserbe, por së voni e ka pranuar se i duhet bashkëpunimi edhe me partitë shqiptare që kanë fituar ulëse në Kuvend.

Nga kjo parti kanë theksuar se u nevojiten edhe dy vota për të arritur numrin prej 61 votash.

Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila ka siguruar 24 ulëse në Kuvend, kanë bërë me dije se deputetët e saj nuk do të marrë pjesë në votimin për kryeparlamentarin e ri gjatë seancës konstituive të Kuvendit, pa një “zgjidhje të qëndrueshme për Kosovën”.

Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka 20 deputetë në Kuvend, nuk ka saktësuar se a do ta votojë të propozuarin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentar, por ka thënë se cilido person që nuk i ka 61 vota, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila bashkë me partneren e saj në koalicion, Nismën Socialdemokrate kanë tetë deputetë në Kuvend, kanë theksuar se “në parim, do të votojë për kryeparlamentarin e ri”, të propozuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

Subjektet politike të komuniteteve joshumicë kanë të garantuara 20 ulëse në Kuvend – 10 për partitë joserbe dhe 10 për ato serbe.

Nga partitë e komuniteteve joshumicë joserbe, sipas kryetarit të Iniciativës së Re Demokratike të Kosovës (IRDK), Elbert Krasniqi, janë siguruar shtatë vota për konstituimin e Kuvendit të ri dhe një qeverie të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në rast se zgjidhet kryetari i Kuvendit, do të procedohet edhe me zgjedhjen e nënkryetarëve, të cilët do të jenë nga tri partitë opozitare shqiptare dhe nga një nënkryetar nga komunitetet pakicë joserbe dhe nga komuniteti serb.

Donika Emini nga Grupi Këshillëdhënës në Evropë për Politika të Ballkanit, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se pavarësisht qëndrimeve të shprehura nga partitë opozitare, ato nuk do të duhej të bllokonin zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, duke shtuar se kjo do të sillte pasoja të tjera.

“Pavarësisht dilemave, ky hap procedural nuk duhet të bllokohet. Dështimi për të zgjedhur kryeparlamentarin do të kishte pasoja të rënda politike dhe do të rriste rrezikun për zgjedhje të reja – një skenar që mund të mos sjellë ndryshim real në përbërjen politike, por do të prodhonte paqëndrueshmëri politike për vendin”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse vendi është në rrezik që të hyjnë në një ngërç politik dhe institucional, Emini kujtoi se Kosova kishte kaluar nëpër një situatë vite më parë kur për gjashtë muaj kishte mbetur pa Qeveri, për shkak se nuk mund të votohej për kryeparlamentarin.

“Ky është një moment testimi për klasën politike – një provë për të treguar nëse është e gatshme të menaxhojë dallimet me përgjegjësi dhe në interes të vendit”, tha Emini.

Çka në rast se nuk zgjidhet kryeparlamentari?

Zgjedhje e nënkryetarëve, e cila do të përmbyllte konstituimin e Kuvendit, do të jetë e pamundur, në rast se dështon zgjedhja e kryeparlamentarit, për shkak të mosnominimit të një emri nga partia fituese ose për çfarëdo arsye tjetër.

Rregullorja e Kuvendit thekson se në rast se seanca ndërpritet, ndërprerjet “nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”.

Nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) sqaruan për Radion Evropa e Lirë se kufizimi prej 48 orësh për ndërprerjet e seancës konstituive ka për qëllim të garantojë vijimësi dhe funksionalitet të konstituimit të Kuvendit.

“Ky afat përbën kufizim maksimal kohor, brenda së cilit mund të ndërpritet apo pezullohet një seancë, para se e njëjta të rifillojë sërish”, thonë nga KDI.

Praktikisht, kjo nënkupton se, nëse në seancën e 15 prillit nuk konstituohet Kuvendi, atëherë ajo duhet të ndërpritet, por një e re duhet të mbahet më së largu deri të enjten në kohën e njëjtë.

Një afat i tillë, prej 48 orësh, vlen pas cilëndo ndërprerje.

Mosrespektimi i këtij afati “përbën shkelje procedurale dhe mund të përdoret si bazë për sfidim të çështjes edhe në Gjykatën Kushtetuese, nga e cila potencialisht mund të kërkohet interpretim mbi zvarritjen apo bllokimin politik të konstituimit të Kuvendit”, sqarojnë nga KDI-ja.

Sipas Eugen Cakollit nga KDI-ja, është edhe një skenar tjetër, kur disa deputetë të LVV-së dhe pakicave që janë pjesë e Qeverisë në detyrë nuk japin dorëheqje nga funksionet ekzekutive.

Siç shkroi Cakolli në Facebook, në një skenar të tillë, opozita do të mund të refuzonte që të votonte raportin e komisionit për vlefshmërinë e mandateve, duke kontestuar mandatet e atyre që ende janë në detyrë qeveritare. Pa miratimin e këtij raporti, nuk do të mund të bëhej betimi i deputetëve dhe Kuvendi s’do të mund të kalonte në faza të tjera.

“Ky është një bllokim procedural me bazë juridike, që vendos presion mbi anëtarët e kabinetit të dorëhiqen për të mundësuar konstituimin. Megjithatë, as ky skenar nuk i konvenon opozitës, pasi për pasojë nuk fillon konsumimi i afateve për përpjekjen e partisë fituese për të formuar institucionet”, shkroi Cakolli.

Megjithatë, në rast se në seancën e së hënës zgjidhet kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, si dhe përfundon konstituimi i legjislativit, atëherë hapet rruga për procesin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë

I mbijetuari i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë: Turpi nuk është i yni

Ramadan Nishori me Feride Rushitin, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, pas daljes së tij publike ku pranoi se ishte dhunuar seksualisht nga forcat serbe.

 

Radio Evropa e Lirë

“Vdekja për mua do të ishte paqe”, tha Ramadan Nishori, burri i parë që publikisht e pranoi se është dhunuar seksualisht nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ai e pranoi këtë gjatë një diskutimi të hapur në ambientet e “Kino Armata” në Prishtinë, me rastin e shënimit të 14 Prillit – Ditës Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ngjarja ishte organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Nishori kujton se në vitin 1998, kur ishte vetëm 22 vjeç, u dhunua nga policët serbë në stacionin policor të Drenasit. Ai tha se një përvojë e tillë “nuk harrohet kurrë”.

“Dy policë serbë më futën me forcë në një banjë dhe njëri prej tyre me dhunoi seksualisht. Të njëjtit më kërcënuan të mos tregojë asgjë për këtë krim”, rrëfeu ai.

Heshtja e dhimbja e ndoqën Nishorin për vite me radhë.

Ai tha se nuk e ka harruar atë që ka përjetuar, “por nuk dua të mbetem rob i së kaluarës”.

“Nuk doja të dinte askush, sepse mendoja se do më paragjykonin, do të më bullizonin. Natën dilja fshehurazi nga shtëpia, qaja, bërtisja, dhe pastaj kthehesha. Turpi ishte më i rëndë se dhimbja”, kujtoi ai në një intervistë me psikologen e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), Selvi Izeti.

I mbyllur në vetvete për shumë vite, Nishori u largua nga vendlindja dhe u vendos në Fushë Kosovë.

Vetëm në vitin 2005, mori guximin që t’i tregonte bashkëshortes dhe tre fëmijëve të tij për dhunën me të cilën u përball më 1998.

“Pranimi dhe përkrahja nga familja më bëri të ndihesha më në fund një bashkëshort dhe baba i vërtetë”, u shpreh ai.

Nishori theksoi se ndihma profesionale që ka marrë nga QKRMT-ja ka qenë thelbësore në rrugën e tij drejt shërimit, duke u liruar nga traumat dhe që të jetojë pa frikë nga paragjykimet.

“Diku sot po na sheh një tjetër i mbijetuar i dhunës seksuale. E di se çfarë po kalon. Dua t’i them se ka shpresë dhe nuk duhet dorëzuar kurrë. Turpi nuk është i yni – turpi është i atyre që na e bënë”, tha ai.

Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se ky moment nuk është vetëm një rrëfim personal – është një akt guximi që sfidon heshtjen, thyen tabutë dhe hap një kapitull të ri në historinë e drejtësisë dhe dinjitetit për të mbijetuarit e dhunës seksuale në vendin tonë.

“Pas më shumë se dy dekadash stigmatizim, frikë dhe heshtje, rrëfimi i tij shënon një hap të jashtëzakonshëm përpara për gjithë shoqërinë tonë,” ka shkruar Rushiti në Facebook të QKRMT-së.

Rushiti tha se ky rrëfim është një thirrje për pranim, mbështetje dhe ndërtimin e një kulture ku edhe burrat, si viktima të dhunës, mund të flasin pa frikë e pa turp.

Numri i saktë i personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99, nuk dihet. Por, sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë. Megjithatë, statusin ligjor si të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës e kanë marrë vetëm afër 2.000 persona.

Selvi Izeti, psikologe në Qendrën e Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se më shumë se 20 vjet pas mbarimit të luftës, çështja e dhunës seksuale ndaj burrave vazhdon të mbetet e heshtur dhe e fshehur.

Sipas saj, për dallim prej disa grave, burrat vazhdojnë të mos flasin, duke mos kërkuar as trajtim e as njohje të statusit.

“Mund të them se stigma që i rrethon të mbijetuarit meshkuj është shumë më e theksuar sesa stigma që i rrethon të mbijetuarat vajza dhe gra që përballen me dhunën seksuale. Kjo për faktin se meshkujt janë rritur me besimin se duhet të jenë të fortë edhe duhet të jenë të aftë që të mund ta mbrojnë veten”, kishte thënë Izeti.

Në Ditën e të Mbijetuarave të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë më 14 prill, Qeveria e Kosovës ka zgjatur mandatin e Komisionit Qeveritar përgjegjës për njohjen e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Mandati i këtij Komisioni ishte zgjatur gjithashtu dy vjet më parë dhe ishte i vlefshëm deri më 15 maj të këtij viti.

Me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës, mandati i ri do të zgjasë deri më 15 maj të vitit 2028.

Në të njëjtën mbledhje, Qeveria e Kosovës vendosi ta zgjasë edhe afatin për aplikim për njohje të këtij statusi deri më 15 maj të vitit 2027.

“Me kurajë të jashtëzakonshme, sot, Ramadan Nishori theu heshtjen dhe u bë zëri i parë publik i burrave të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës. Kjo është një thirrje e fuqishme për shoqërinë që të mbështesë edhe burrat e tjerë të mbijetuar, të cilët vazhdojnë të përballen me paragjykime dhe vështirësi të shumta në kërkimin e të drejtave që u takojnë “, tha kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, më 14 prill, pas homazheve pranë Memorialit “Heroinat”, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë.

Gjykimi i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë drejt fundit: Çka tani?

Doruntina Baftiu

Në dy vjet, mbi 125 dëshmitarë të ftuar nga Prokuroria e Specializuar kanë dhënë dëshmitë e tyre lidhur me akuzat që rëndojnë mbi ish-krerët e UÇK-së. Tani që Prokurorisë po i përfundon koha për të vërtetuar akuzat e saj, e ardhmja e gjyqit është e pasigurt.

Në tetor të vitit 2020 ishte konfirmuar aktakuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen se kishin qenë pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” që shënjestronte ata që i konsideronte “kolaboracionistë” dhe “tradhtarë” për të “fituar pushtet” gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Avokatët e të akuzuarve kanë hedhur poshtë të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj klientëve të tyre, duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë komande efikase.

Në kohën e ngritjes së aktakuzës, Thaçi kishte qenë president i Kosovës; Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK); Selimi, deputet dhe udhëheqës i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV); dhe Krasniqi, ish-kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Të katërt, sipas Prokurorisë, mbanin poste të larta edhe përgjatë kohës që mbulon aktakuza.

Por, që nga 4 dhe 5 nëntori 2020, të katërt ndodhen në paraburgim në Hagë, ku ndodhen Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Çka janë Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – të njohura gjerësisht si Gjykata Speciale – janë themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por veprojnë me personel ndërkombëtar në Holandë.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë mbi ta.

Tani, pas intervstimit të 125 dëshmitarëve, Prokuroria do ta mbyllë rastin e saj më 15 prill. Topi tani kalon në anën e ekipeve mbrojtëse, që do të tentojnë të dëshmojnë se pretendimet e Prokurorisë nuk qëndrojnë.

Përderisa avokatë nga ekipet mbrojtëse të Selimit, Veselit dhe Krasniqit nuk u janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, ka thënë vetëm se është ende herët për të diskutuar se si do të organizohet mbrojtja.

Më parë, më 13 nëntor të vitit të kaluar, Mishetiq kishte thënë për REL-in se ekipi mbrojtës i Thaçit nuk ka vendosur ende nëse do të thërrasë ndonjë dëshmitar.

“Nëse e bëjmë, nuk do të jenë më shumë se dhjetë dëshmitarë”, kishte thënë Mishetiq.

Mishetiq ka përvojë në gjyqe të tilla. Më parë, ai kishte mbrojtur ish-gjeneralin kroat, Ante Gotovina, para Tribunalit të Hagës, i cili ishte akuzuar për krime kundër serbëve gjatë operacionit ushtarak-policor kroat “Stuhia” më 1995.

Gotovina fillimisht ishte dënuar me 24 vjet burgim, por pas apelimit të vendimit nga Mishetiq, vendimi ishte përmbysur dhe Gotovina ishte shpallur i pafajshëm.

Pse nuk pritet të ftohen më shumë dëshmitarë nga mbrojtja?

Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), beson se Prokuroria e Specializuar nuk ka arritur vetë të dëshmojë atë që kishte pretenduar në aktakuzë.

“Dy pjesë të aktakuzës që kanë qenë të rënda, ku thuhet se ka pasur ndërmarrje të përbashkët kriminale apo edhe zinxhir komandues… Në këtë pjesë mund të themi që Prokuroria, gjatë këtyre viteve, nuk ka qenë në gjendje të vërtetojë, në bazë të analizës tonë, se një gjë e tillë ka ekzistuar në praktikë”, thotë Miftaraj për Radion Evropa e Lirë.

Edhe menjëherë pas deklaratave hyrëse të këtij gjyqi dy vjet më parë, dy ekspertë të huaj të drejtësisë ndërkombëtarë – Mathias Holvoet dhe Aidan Hehir – kishin thënë se do të ishte e vështirë të vërtetohej se ish-krerët e UÇK-së janë fajtorë për krimet e supozuara.

Si shembull që tregon se sa e vështirë është që një lidhje e tillë të dëshmohet, ata u ishin referuar aktgjykimeve të Tribunalit të Hagës në rastet ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, të cilët u shpallën të pafajshëm lidhur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Çka mund të presim tani?

Tani që topi ka kaluar në fushën e ekipit mbrojtës, gjithçka varet nga strategjia që vendosin ekipet mbrojtëse të të akuzuarve.

Sipas Miftaraj, opsioni i parë është kërkesa nga mbrojtja për hedhjen poshtë të aktakuzës.

“Nëse gjykata vlerëson se procesi gjyqësor duhet të vazhdojë, atëherë varet prej mbrojtjes se sa dëshmitarë do të ftojë, sa i duhet kohë për të përgatitur dëshmitarët e tyre. Pastaj nis faza e fundit, që është marrja në pyetje nga ana e mbrojtësve të viktimave, që gjithashtu mund të marrin kohën e tyre për të marrë në pyetje dëshmitarët e tyre”, thotë Miftaraj.

Megjithatë, ai pret që i gjithë procesi të mbyllet brenda këtij viti ose, më së voni, deri në pranverën e vitit të ardhshëm.

Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe mbrojtja e Thaçit s’kanë dashur të komentojnë mbi kohëzgjatjen e procesit.

Por, një gjë që ishte përfolur disa herë si opsion është lirimi i të akuzuarve nga paraburgimi në Hagë pas përfundimit të intervistimit të dëshmitarëve nga Prokuroria.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi të akuzuarit pasi Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

Miftaraj thotë se një e tillë do të duhej të ndodhte tani, pasi arsye kryesore e paraburgimit të tyre ishte frika se po të mbeteshin në liri do të mund të ndikonin në dëshmitarët e ftuar nga Prokuroria.

“Mundësitë që të pandehurit të kenë ndikim në dëshmitarët e Prokurorisë tani janë zero sepse kanë përfunduar. Kështu që, sikur të zbatoheshin parimet e Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut dhe duke marrë për bazë faktin që janë me vite në paraburgim, legjitime do të ishte që të njëjtit të lirohen për t’u gjykuar në liri”, thotë Miftaraj.

Por, fundi i Gjykatës mund të vijë edhe ndryshe, edhe pa përfunduar procesi gjyqësor.

A mund të shpërbëhet Gjykata Speciale tani?

I dërguari amerikan për operacione të posaçme, Richard Grenell, ka bërë disa herë thirrje për mbylljen e Gjykatës Speciale.

Më 13 prill, ai kërkoi ndërprerjen e financimit për Specialen, duke argumentuar se “gjithçka është politikë” dhe se “miliarda janë shpenzuar kot”.

Në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës këtë vit, ai e quajti “padrejtësi të madhe” qëndrimin e Thaçit në Hagë.

“Edhe institucionet shtetërore të Kosovës, për shkak të politikës, kanë dështuar që të ndërmarrin veprime të domosdoshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie”, ka deklaruar Grenell në X.

Thaçi pati ndërprerë një vizitë të planifikuar për në Uashington, në qershor të vitit 2020 – në mandatin e parë të presidentit amerikan, Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë – pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar i pati dërguar Dhomave të Specializuara në Hagë aktakuzën me dhjetë pika për shqyrtim, në të cilën emri i Thaçit përmendej për një sërë krimesh.

Aktakuzën e kshte ngritur prokurori Jack Smith, i cili më vonë dha dorëheqje për të hetuar presidentin Trump për përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Ai ka dhënë dorëheqje nga Departamenti amerikan i Drejtësisë, si dhe hetimet ndaj Trumpit kanë pushuar pas fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2024.

Përpjekjet për zhbërjen e Gjykatës në Hagë

Në dhjetor të vitit 2017 një grup prej mbi 40 deputetësh të Kuvendit të Kosovës kishin ndërmarrë një nismë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Kjo nismë ishte kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare. Ambasadorët e atëhershëm të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, Greg Delawie dhe Ruairi O’Connell, e kishin quajtur këtë tentim “thikë pas shpine” dhe “natën më të rrezikshme për Kosovën që nga paslufta”.

Pa mbështetje të mjaftueshme në Kuvendin e Kosovës, përpjekja kishte dështuar.

Por, nëse SHBA-ja tani do të ndryshonte qëndrim dhe do të shkonte në vijë me kërkesën e Grenellit për mbylljen e Gjykatës Speciale, ajo mund ta dëmtojë rëndë procesin, thotë Miftaraj.

“Mundësia që SHBA-ja të tërheqë gjyqtarët dhe prokurorët të caktuar në Hagë pa dyshim që do ta vështirësonte punën e Gjykatës, do ta pengonte vazhdimësinë e procesit, kështu që në njëfarë mënyrë do ta bllokonte atë”, thotë Miftaraj.

Megjithatë, ai beson se do të ishte në interesin e të gjithë sponsorizuesve që “ky proces të përfundojë si proces gjyqësor” dhe shton se mundësitë që Gjykata të mbyllet përmes një vendimi politik “janë të vogla”.

Edhe pse Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me kontribute shtesë nga disa shtete të tjera, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia.

Kontributi i SHBA-së kryesisht është i përqendruar në financimin e punonjësve të emëruar nga autoritetet shtetërore amerikane.

Sipas raportit të fundit vjetor të Gjykatës, për vitin 2023, SHBA-ja renditet e dyta, pas Holandës – shtetit mikpritës të selisë së Gjykatës – sa i përket numrit të punonjësve në Gjykatën Speciale. Tridhjetë nga rreth 280 të punësuarit atje janë nga SHBA-ja.

Në mesin e punonjësve amerikanë, janë edhe gjykatës dhe prokurorë të specializuar. Nënkryetari i gjykatës është amerikani, Charles L. Smith III, ndërkaq kryeprokurore është amerikania, Kimberly West, që mori këtë post më 2023.

Gjykatësi Smith është edhe gjykatësi kryesor në rastin më të madh të gjykatës, atë kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Dhomat dhe Prokuroria e Specializuar aktualisht kanë një buxhet prej 97.1 milionë eurosh, që përfshin periudhën nga 15 qershori i vitit 2023 deri më 14 qershor 2025.

Pse u formua Gjykata Speciale?

Për krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit ishte përfolur për një kohë të gjatë para ngritjes së aktakuzës. Qysh në vitin 2010, ish-senatori zviceran, Dick Marty, kishte bërë një raport për Këshillin e Evropës, në të cilin kishte dënuar krimet e supozuara të UÇK-së, përfshirë “trafikimin e organeve njerëzore”.

Këto pretendime janë hetuar nga prokurori amerikan, Clint Williamson, që më 2014 kishte bërë të ditur se gjetjet e ekipit të tij nuk përfshijnë dëshmi të bazuara për trafikim organesh, por për krime të tjera lufte.

Kjo, në vitin 2015, kishte çuar në formimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Formimi i Gjykatës Speciale kishte ardhur pas presionit nga bashkësia ndërkombëtare, që besonte se vendosja e gjykatës jashtë Kosovës do të siguronte një proces gjyqësor të paanshëm dhe të besueshëm për të trajtuar akuzat e rënda.

Një tjetër arsye ishte thënë se ishte mbrojtja e dëshmitarëve. Megjithatë, në këtë gjë janë hasur probleme edhe pse Gjykata është vendosur në Hagë.

Çka tjetër po hetojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës?

Deri më tani, kjo gjykatë ka shqiptuar aktgjykime për krime lufte si dhe për pengim të drejtësisë.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte, përfshirë ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje. Për akuza të ngjashme, ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala, u dënua me 18 vjet burgim.

Ndërsa, ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, u dënuan me nga 4 vjet e 3 muaj burgim për pengim të administrimit të drejtësisë, përfshirë zbulimin e informatave konfidenciale dhe identitetin e dëshmitarëve. Më pas, ata u liruan me kusht.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Speciale i ka shpallur fajtorë edhe Haxhi Shalën, Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin për akuzat për pengim të drejtësisë, më konkretisht, frikësim të dëshmitarëve, pas një marrëveshjeje të fajësisë që kanë arritur dy palët. Shala është dënuar me tre vjet burgim, ndërkaq Bahtijari dhe Januzi me nga dy vjet burgim.

Më 6 dhjetor të vitit 2024, Thaçit i është konfirmuar edhe një aktakuzë e re për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në rastin kryesor gjyqësor.

Përveç Thaçit, në aktakuzën e dytë janë përfshirë edhe emrat e ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçit, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakajt, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilajt, dhe Fadil Fazliut.

Si është pritur Gjykata Speciale në Kosovë?

Më 3 gusht të 2015-tës, Gjykata Speciale mori votat e mjaftueshme për themelim, pas dështimit më 26 qershor të atij viti.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deputetë të komuniteteve joshumicë dhe disa deputetë nga NISMA-s kishin votuar për, duke siguruar 82 vota. Për themelim nevojiteshin 80 nga 120 votat në Kuvend.

Lëvizja Vetëvendosje – parti që ka qenë në pushtet në mandatin e fundit dhe që fitoi zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt – e kishte kundërshtuar ashpër krijimin e gjykatës, duke e cilësuar atë të padrejtë ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.

Gjykimi ka hasur në kundërshtime të shumta në Kosovë, mbi bazat se ky proces është i njëanshëm, pasi që në të nuk përfshihen krimet e kryera nga serbët në territorin e Kosovës.

Që nga atëherë, nëpër Kosovë janë vendosur pankarte e pllakate të mëdha me mesazhin “Liria ka emër” dhe fotografi të ish-krerëve të UÇK-së që po akuzohen në Hagë.

Pak para nisjes së gjyqit në Hagë, protesta kundër këtij procesi ishin zhvilluar edhe në Hagë edhe në Prishtinë.

Mijëra qytetarë kishin marrë pjesë në “Marshin për Drejtësi”, të organizuar më 2 prill të 2023-tës në Prishtinë, në përkrahje të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.

“Historia jonë nuk mund të rishkruhet”, “Marshojmë për drejtësi” dhe “Drejtësi jopolitike”, ishin disa nga pankartat që protestuesit i mbanin në duar.

Radio Evropa e Lirë

Kurti mirëpret njohjen nga Sudani: Faleminderit presidentes sonë për angazhimin dhe partnerëve

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur gëzim për njohjen e Kosovës nga Sudani, duke theksuar se kjo është një tjetër njohje e rëndësishme për shtetin dhe një mundësi më shumë për miqësi për popullin e Kosovës.

Në një deklaratë të tij, Kurti ka uruar qytetarët e Kosovës dhe ka shprehur falënderimet e tij për presidentin e Sudanit për këtë vendim. Po ashtu, ai ka falënderuar edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për angazhimin e saj dhe ka vlerësuar mbështetjen e vazhdueshme nga miqtë dhe partnerët e Kosovës.

“Shteti ynë ka fituar një njohje të re dhe populli ynë ka fituar një mik të ri. Jemi të lumtur për njohjen e Kosovës nga Sudani, që vjen pak javë pas njohjes nga Kenia. Shpresojmë që marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve do të vazhdojnë të thellohen dhe forcohen”, ka thënë Kurti. Ai ka përgëzuar qytetarët e Kosovës dhe ka falënderuar presidentin e Sudanit për këtë hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve, si dhe ka falënderuar presidenten Osmani dhe aleatët për mbështetje të vazhdueshme. bw

Hapet pikëkalimi i përbashkët kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut

Radio Evropa e Lirë

Kosova dhe Maqedonia e Veriut e kanë përuruar të shtunën pikëkalimin e përbashkët kufitar Han i Elezit – Bllacë, në përpjekje për ta lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve mes dy vendeve fqinje duke hequr kontrollin dhe ndalesën e dyfishtë.

Ministritë e Brendshme të dy vendeve arritën marrëveshje vitin e kaluar për kontrolle të përbashkëta kufitare, e cila u përurua të shtunën në një ceremoni ku morën pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe homologu i tij maqedonas, Hristijan Mickoski.

Pika kufitare në Bllacë është përballur me kolona të gjata në të dy anët e kufirit, për shkak të ndalesave dhe kontrolleve në të dyja anët e kufirit.

Por, nga tani, për udhëtarët nga Kosova në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas do të ketë vetëm një ndalesë dhe një kontroll kufitar.

Kosova i ka tri pika zyrtare kufitare me Maqedoninë e Veriut, ndërsa kontrolli i përbashkët kufitar do të vlejë në dy prej tyre, përfshirë atë Glloboqicë – Jazhincë.

Kryeministri Kurti tha se kontrolli i përbashkët kufitar do t’i zvogëlojë pritjet në kufi dhe do të ndikojë në rrije ekonomike mes dy vendeve.

“Pritjet e tyre në anët e kufirit do të kufizohen dhe do t’i kontribuojë rritjes ekonomike të vendeve tona, si dhe shkëmbimit tregtar”, tha Kurti.

Mbi 5 milionë qytetarë kaluan në tri pikat kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut në vitin 2024, sipas Kurtit.

“Kjo shifër dëshmon për lidhjet me njerëzve tanë por edhe nevojën për lëvizje të lrië dhe të shpejtë të qytetarëve dhe mallrave. Gëzohemi që nga tani policët tanë do të punojnë krah për krah njëri-tjetrit”, tha ai.

Qytetarët do të kontrollohen vetëm në hyrje të shtetit pritës, ndërsa të dhënat e tyre do të shkëmbehen në kohë reale përmes një sistemi të përbashkët teknologjik. Policët kufitarë të të dyja shteteve do të punojnë në një pikë të përbashkët kontrolli.

Kryeministri maqedonas Mickoski tha se hapja e pikëkalimit të përbashkët mes Kosovës dhe vendit të tij është e bashkëpunimit të mirë fqinjësor.

“Sot dëshmojmë këtu se kufiri nuk duhet të jetë mur, por kufiri mund dhe duhet të jetë ura jonë e përbashkët, urë e cila i lidh njerëzit, idetë dhe mundësitë. Ky kufi deri sot ishte një lloj pengesë, por nga sot bëhet simbol i modernitetit, integrimit dhe maturisë rajonale”, tha ai.

Hapja e pikëkalimit të përbashkët vjen pas një takimi mes dy qeverive nëntorin e kaluar në Prishtinë, ku ato e thelluan bashkëpunimin.

Beogradi pretendoi se Sierra Leone tërhoqi njohjen e Kosovës, Vjosa Osmani “nxjerr blof” Daçiçin. Takon presidentin Julius Maada Bio

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të premten me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio, në kuadër të “Forumit Diplomatik të Antalias”, ku diskutuan për forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe mundësitë e bashkëpunimit mes dy shteteve.

Ky takim vjen në një kohë kur Serbia ka pretenduar se Sierra Leone ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës – një pretendim i bërë publik nga ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, më 3 mars 2020.

“Në Antalya, pata kënaqësinë të takohem me Presidentin e Republikës së Sierra Leones, Julius Maada Bio. Diskutuam për forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve, si dhe për mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fusha të ndryshme të interesit të përbashkët”, shkroi Osmani në Facebook.

Ajo shtoi se janë shkëmbyer ftesa për vizita zyrtare në shtetet respektive për të thelluar lidhjet miqësore dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi.

Ky zhvillim sfidon drejtpërdrejt narrativën e Serbisë, që e kishte përfshirë Sierra Leonen në listën e vendeve që gjoja kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Njohja nga Sierra Leone ishte zyrtarizuar më 11 qershor 2008, ndërsa Serbia pretendonte të kundërtën që nga marsi i vitit 2020.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Osmani është takuar edhe me homologun turk, Recep Tayyip Erdogan për të cilin tha se është lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses.

Po ashtu, Osmani ka takuar edhe presidentin e Sirisë, Ahmet al Sharaa (Ahmed al Shirau), me të cilin ka biseduar për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Presidentja Vjosa Osmani, teksa po qëndron në Antalia të Turqisë, ka takuar ministrin e Jashtëm të Kenias, njëherësh Kryesekretarin e Kabinetit Presidencial, Musalia Mudavadi.

Ky takim vjen pak kohë pasi shteti i Kenias vendosi të njohë pavarësinë e Kosovës. Osmani tha se Mudavadin e ka falënderuar për hapin e ndërmarrë për njohje të Kosovës, i cili tha se “kontribuon për paqen e stabilitetin afatgjatë në rajonin tonë”.

“Diskutuam për fushat e bashkëpunimit me interes të përbashkët, të cilat do t’i konkretizojmë gjatë vizitës zyrtare në Kenia dhe përgjatë rrugës sonë të përbashkët si aleatë dhe partnerë”, shkroi Osmani për takimin me ministrin e Jashtëm të Kenias. bw

Abdixhiku: Nëse LVV-ja nuk i ka numrat, partitë e tjera mund ta bëjnë Qeverinë

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se Kushtetuta e Kosovës mundëson që secila parti që dëshmon para presidentes, Vjosa Osmani, se mund ta bëjë shumicën në Kuvend, të mund të formojë Qeverinë e re të Kosovës.

Pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e nëntë, Abdixhiku u pyet nga gazetarët nëse LDK-ja – që ka dalë e treta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ka fituar 20 ulëse në Kuvend – ka përafruar qëndrimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja.

Ai tha se “nuk jemi në atë fazë”, duke shtuar se LDK-ja nuk ka ndryshuar qëndrimet e saj sa i përket formimit të Qeverisë së Kosovës.

“Proceduralisht, e dini që më 15 prill bëhet betimi, më pas bëhet propozimi i kryetarit të Kuvendit, konsititohet Kuvendi pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë. E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të provojë të bëjë shumicën. Në qoftë se nuk e bënë, pas 15 ditësh Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë, i jep të drejtë secilës parti që dëshmon para presidentes se mund të bëjë shumicën, që ta bëjë një gjë të tillë. Nuk kemi arritur në atë pikë”, tha ai.

Abdixhiku ditë më parë refuzoi një ftesë për konsultime për institucionet e reja nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti. LDK-ja edhe më herët ka refuzuar një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në dhe ka vendosur si kusht marrjen e postit të kryeministrit në rast të arritjes të një koalicioni me partitë e tjera shqiptare, që legjislacionin e kaluar ishin në opozitë.

Kreu i LDK-së u pyet nëse partia e tij do të votojë për kryetarin e Kuvendit – i cili duhet të propozohet nga LVV-ja e Kurtit – por, ai tha se cilido person që nuk i ka 61 vota për t’u zgjedhur kryetar, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Vetëm pas konstituimit të Kuvendit, presidentja e Kosovës, duhet të mandatojë LVV-në, si fituese të zgjedhjeve, për të formuar Qeverinë, për të cilën nevojiten 61 vota.

LVV-ja, që ka fituar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, e ka pranuar se nuk mund ta formojë Qeverinë e re të Kosovës pa bashkëpunim me një nga partitë shqiptare të përfaqësuara në Kuvend.

Partia e Kurtit nuk i ka të sigurta as 10 votat nga komunitetet joserbe, që tradicionalisht e kanë mbështetur koalicionin qeverisës, ndonëse shumica nga këto parti kanë thënë se do ta votonin një ekzekutiv të udhëhequr nga ai.

Ndërkaq, nga 10 vendet e tjera të rezervuara për komunitetin serb, nëntë janë fituar nga Lista Serbe dhe një nga partia e ministrit në detyrë për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha më herët gjatë 11 prillit se partia e tij pret që ta marrë të drejtën për ta nominuar kandidatin e saj për formimin e Qeverisë, nëse Kurti dështon ta formojë atë.

Qytetarët protestojnë në Prishtinë kundër vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës

Protestuesit mbajnë pankarta në duar kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë, Prishtinë, 11 prill.

 

Radio Evropa e Lirë

Një numër qytetarësh kanë protestuar në Prishtinë kundër shtrenjtimit të rrymës të premten, pak orë pasi rregullatori i energjisë miratoi kërkesat e operatorëve energjetikë për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.

Derisa bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE) nuk tregoi në mbledhjen e së premtes se për sa për qind do të rritet çmimi i rrymës, Radio Evropa e Lirë mëson nga burime të brendshme se rritja do të jetë deri në 16 për qind.

Njëri nga organizatorët e protestës nga grupi “Asnjë cent më shumë”, tha se bordi i ZRRE-së i ka shpërfillur kërkesat e qytetarëve dhe paralajmëroi vazhdimin e protestave.

“Thirrja jonë e përbashkët sot u shkoi në vesh të shurdhër zyrtarëve të ZRRE-së: Asnjë cent më shumë. Sot në mënyrë arbitrare, në mënyrë jolegjitime dhe në mënyrë të njëanshme, bordi i rregullatorit mori vendim pa i pyetur dhe pa i marrë parasysh komentet e qytetarëve. Ata nuk e përfaqësojnë popullin”, tha ai.

Protesta nisi në mesditë në sheshin Zahir Pajaziti në qendër të qytetit dhe vazhdoi te zyra e rregullatorit të energjisë në lagjen Pejton, ku protestuesit u shpërndanë të qetë.

Organizatorët paralajmëruan se do të dorëzojnë padi ndaj vendimit të ZRRE-së më 14 prill në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Kjo është protesta e dytë kundër shtrenjtimit të rrymës në vend, pas asaj më 5 prill.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut [KOSTT], Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë [KEDS] dhe Kompania Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike [KESCO] kërkuan ngritjen e çmimit të tarifave të rrymës për shkak të importit të energjisë elektrike.

Bordi i ZRRE-së i miratoi kërkesat e tyre në mbledhjen e së premtes, dhe tha se do të njoftojë për përqindjen e rritjes së çmimit të rrymës në ditët në vijim. Më herët, ZRRE-ja njoftoi se tarifat e reja do të hynin në fuqi më 1 maj.

Rregullatori i energjisë propozoi muajin e kaluar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind, duke argumentuar se rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Derisa Presidenca e kundërshtoi ngritjen e çmimit të rrymës, Qeveria në detyrë i bëri thirrje ZRRE-së të mos e shtrenjtonte çmimin e rrymës për konsumatorët që shpenzojmë më pak se 800 kilovat në muaj.

Çmimi i tanishëm i rrymës për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë brenda një muaji, është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave të rrymës, të cilat shpallen çdo vit më 1 prill dhe vlejnë deri më 31 mars të vitit pasues.

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Përfaqësuesit e bizneseve kanë thënë më herët për Radion Evropa e Lirë se rritja eventuale e çmimit të rrymës do të rriste kostot operative të bizneseve. Kjo më pas do të detyronte bizneset që të rrisnin çmimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre, duke i bëra ato më pak konkurruese në treg.

Kosova, viteve të fundit, është përballur me rritje të vazhdueshme të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve.

Shtrenjtimi ka nisur në kohën e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe ka marrë hov pasi Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës, më 2022.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind.

Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Osmani: Turqia mbetet partnere e rëndësishme e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e takon presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Forumin e Diplomacisë në Antalia, 11 prill.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka lartësuar të premten marrëdhëniet e vendit të saj me Turqinë, pas një takimi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në Forumin e Diplomacisë në Antalia.

Në një postim në Facebook, Osmani tha se Turqia është dhe do të mbetet partnere e rëndësishme e Kosovës për paqen, sigurinë dhe zhvillimin rajonal.

“Marrëdhëniet tona janë më shumë se miqësi, janë një partneritet i ndërtuar mbi besim, respekt dhe vizion të përbashkët për të ardhmen”, tha ajo.

Të premten në Antalia nisi edicioni i katërt i Forumit dyditor të Diplomacisë, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë, nën patronazhin e Erdoganit.

Forumi këtë vit trajton temën “Rikthimi i Diplomacisë në një Botë të Fragmentuar”, e cila pasqyron nevojën urgjente që diplomacia të vihet në pah si forcë stabilizuese, mes rritjes së tensioneve globale.

Osmani e përshkroi Erdoganin si “lider që i qëndroi Kosovës pranë gjithmonë, në çdo sfidë e në çdo sukses”.

“Një mik i dëshmuar i Kosovës, një zë i fuqishëm për të drejtën tonë, dhe një shtyllë e fortë mbështetjeje në çdo etapë të shtetndërtimit tonë”, tha ajo.

Turqia është një prej shteteve me praninë më të madhe të investimeve direkte në Kosovë.

Ajo gjithashtu është një ndër shtetet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës në shkurt të vitit 2008.

Dhjetorin e kaluar, Qeveria e Kosovës e nënshkroi një marrëveshje me prodhuesin shtetëror turk të industrisë së mbrojtjes, Makine ve Kimya Endüstrisi, për themelimin e një fabrike të municioneve në Kosovë.

Ndërsa, në vitin 2023 Kosova bleu dronë Bayraktar TB-2 nga Turqia.

‘Theu’ kufirin Kosovë-Shqipëri, 26 vjet nga beteja e UÇK në Koshare

​Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.

Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.

Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.

Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.

Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.

Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.

Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë. /KosovaPress/

Abdixhiku e hedh poshtë ftesën e Kurtit për takim konsultativ

Radio Evropa e Lirë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se nuk e ka pranuar ftesën e udhëheqësit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim konsultativ, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për koalicion qeverisës.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku tha se kishte pranuar letër nga Kurti të hënën, por vendosi ta refuzojë takimin me të për shkak gjuhës së kryeministrit në detyrë para dhe gjatë fushatës zgjedhore drejtuar LDK-së.

“Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim”, tha Abdixhiku.

Kurti i cilësoi partitë opozitare si “hajvanë” gjatë fjalimit të tij të parë kur e shpalli fitoren mbrëmjen e 9 shkurtit në sheshin kryesor të kryeqytetit dhe partia e tij ishte gjobitur gjatë fushatës për nxitje të urrejtjes ndaj LDK-së.

“Për muaj, e në të vërtetë për vite të tëra – para, gjatë dhe pas fushatës – LDK, anëtarët tanë dhe votuesit tanë, kanë qenë subjekt i një gjuhe dhe mendësie që ofendon, përçan, etiketon dhe sulmon. Një mendësi që ka goditur thelbin njerëzor të politikës – respektin dhe dinjitetin”, shkroi Abdixhiku.

Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.

Por, asaj i nevojitën të paktën 61 ulëse për ta formuar qeverinë e re.

LDK-ja doli e treta, duke i fituar 20 ulëse.

Pak ditë pas përpjekjeve të Kurtit për t’i bindur partitë e pakicave joserbe për ta votuar qeverinë e tij, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha të martën se nuk beson se formimi i qeverisë së re është i mundur pa përfshirjen e partive opozitare në koalicionin qeverisës.

LDK-ja vazhdimisht e ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni me Vetëvendosjen e Kurtit.

“LDK – për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj”, shtoi ai.

Abdixhiku tha se partia e tij e “pret dhe e mbështet” konstituimin e Kuvendit të ri të Kosovës më 15 prill.

“LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta”, përfundoi ai.

Pas LVV-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit, më së shumti vota fitoi Partia Demokratike të Kosovës (PDK) e pastaj LDK-ja.

Mandat kanë siguruar edhe deputetë nga koalicioni parazgjedhor midis Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe NISMA.

Nga të gjitha këto parti opozitare, “vija të kuqe” për koalicion të mundshëm me LVV-në nuk ka vendosur vetëm Fatmir Limaj, kreu i Nismës.

PDK-ja dhe AAK-ja kanë shprehur vullnetin për të formuar një qeveri partitë opozitare së bashku, por Abdixhiku – i cili ishte kandidat i LDK-së për pozitën e kryeministrit – ka thënë edhe më herët se LDK-ja nuk ka diskutuar me asnjë parti për mundësi të tilla.

Abdixhiku ka thënë më parë se opsion mund të jetë koalicion me partitë e tjera opozitare vetëm nëse i ofrohet pozita e kryeministrit dhe nëse arrihet marrëveshje për postin e presidentit – pasi presidentes Vjosa Osmani i mbaron mandati në prill 2026.

“Jemi në luftë për të mbijetuar”- Bardhi me qytetarët në Patos: Të kthejmë shpresën dhe rininë

Drejtuesi Politik i Qarkut Fier, Gazment Bardhi, u takua me qytetarë dhe biznese në qytetin e Patosit.

Banorët i shprehën atij faktin se ky qytet është kthyer në një vend me pa mundësi ndërsa rinia e ka braktisur. Bardhi deklaron se qytetarët duhet të bëhen bashkë, ta votojnë PD-në, me qëllim që situata të ndryshojë në Patos e në mbarë vendin tonë.

Postimi i plotë:

📌 Të kthejmë rininë në Patos!

🚨 Në Patos është e veshtirë të takosh të rinj, sepse ata kanë ikur për të gjetur një punë. Një punë që qeveria ua premtoi për 12 vjet rresht dhe i zhgënjeu. Me kandidatin Fation Semanjaku takuam shumë prindër të mbetur vetëm, familjarë që bëjnë përpjekje të mëdha për te mbijetuar në një vend pa mundësi.

🤝💪 Ne duhet të bëhemi bashkë për ta ndryshuar këtë gjendje. Partia Demokratike ka një program shumë të mirë për të rikthyer emigrantët në Shqipëri. Me lehtësimin dhe përjashtimin nga taksat, me subvencionet dhe heqjen e burokracive të stërzgjatura dhe korruptive, ne do të mund t’i kthejmë Patosit njerëzit e punës.

📌 Brenda 100 ditëve të para, në Patos, në Qarkun e Fierit dhe në çdo qytet pensionistët do të marrim një pension mbi 200 euro. Rrogat do të rriten menjëherë, sepse çdokush meriton një jetë më të mirë dhe dinjitoze!

🗳️Vota për PD, për nr.1️⃣ është votë për familjen dhe mirëqenien!

“E drejtë e fituar, por jo e zbatuar” – Gjuha rome në përdorim zyrtar vetëm në letër

Gjuha rome ka marrë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në Prizren në fund të vitit 2022.

 

Doruntina Baftiu

Të moshuarit nga komuniteti rom. Kjo kategori e pëson më së shumti nga mungesa e përkthyesve të gjuhës rome në institucionet komunale në Prizren, sipas aktivistit Fatmir Menekshe.

Për shkak të statusit të gjuhës në përdorim zyrtar, çdo qytetari rom në Prizren dhe Graçanicë do të duhej t’i ofroheshin shërbime në gjuhën amtare.

Megjithatë, Menekshe, nga Komuna e Prizrenit, thotë se kjo “mbetet vetëm një e drejtë e përfituar, por jo e zbatuar”.

“E dimë që pleqtë [e komunitetit rom] me zor e zotërojnë gjuhën shqipe ose gjuhët e tjera [zyrtare]. Edhe shkaku i terminologjisë, ata, së pari, ndihen inferiorë, e pastaj nuk e kuptojnë as informatën”, thotë Menekshe për Radion Evropa e Lirë.

Menekshe thotë se për arsye të terminologjisë së përdorur në institucione e dokumente zyrtare, “njerëzit dëshirojnë sqarime në gjuhën e tyre amtare” kur kërkojnë shërbime në komunë, qendra për punë sociale, qendra të mjekësisë familjare…

“Nuk ka pasur shërbime të tilla nga komuna, por vetëm nëse dikush ka ndërmjetësuar në mënyrë vullnetare, nëse ndonjë aktivist është munduar t’u ofrojë ndihmë personave në fjalë”, thotë Menekshe.

Gjuha rome ka marrë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në Prizren në nëntor të vitit 2022, ndërsa në Graçanicë e ka pasur këtë status që nga shkurti i vitit 2016.

Por, Menekshe thotë se qytetarët romë vazhdojnë ta kenë të pamundur të marrin shumë nga shërbimet në gjuhën e tyre amtare.

Megjithatë, nga Komuna e Graçanicës kanë thënë se ky problem nuk ekziston në komunën e tyre, për shkak të punësimit të dy përkthyesve të gjuhës rome të punësuar – njëri prej tyre përmes një projekti të Organizatës Ndërkombëtare për Mirgim (IOM).

“Gjithashtu ju informojmë se në pozitën e këshilltarit të kryetarit të komunës për komunitetet pakicë është emëruar një pjesëtar i komunitetit rom, i cili është aty gjatë gjithë kohës për të ndihmuar çdo pjesëtar të komunitetit rom lidhur me shërbimet komunale”, thonë nga Komuna e Graçanicës për REL-in.

Ndërkohë, nga Komuna e Prizrenit thanë se procedurat e punësimit të një përkthyesi, janë ato që po marrin kohë deri në zbatimin e vendimit të marrë më shumë se dy vjet më parë.

Nënkryetari i kësaj komune, Kujtim Gashi, tha se procedurat nuk varen nga komuna, për shkak të buxhetimit nga niveli qendror, por shtoi se “përpjekjet tona janë maksimale që ta përfundojmë këtë proces në afate sa më të shpejta”.

“Ne e kemi përcaktuar një zyrtar përkohësisht si përkthyes, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare”, tha Gashi, duke shtuar se komuna shpreson të punësojë me kontratë të rregullt një përkthyes rom së shpejti, por nuk dha ndonjë afat kohor.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës tha për REL-in se nuk ka pasur kërkesë nga Komuna e Prizrenit apo e Graçanicës për punësim të ndonjë përkthyesi të gjuhës rome.

Sipas Gashit, probleme të ngjashme me përkthyes ka edhe për gjuhët zyrtare në Prizren, që janë shqipja, serbishtja, turqishtja dhe boshnjakishtja.

Në Kosovë, gjuha shqipe dhe gjuha serbe janë gjuhët zyrtare, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ishte miratuar nga Kuvendi i Kosovës në korrik të vitit 2006. Ai përcaktonte që në komunat ku një komunitet, gjuha e të cilit nuk është gjuhë zyrtare, përbën së paku pesë për qind të popullsisë së përgjithshme të komunës, atëherë gjuha amtare e atij komuniteti do ta ketë statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë.

Ndërsa, nëse ai komunitet përbën më shumë se tre për qind të popullsisë së përgjithshme, atëherë gjuha e atij komuniteti ka statusin e gjuhës në përdorim zyrtar.

Ky status u jep mundësinë të gjithë pjesëtarëve të këtij komuniteti t’i paraqesin të gjitha kërkesat dhe dokumentet, si dhe të pranojnë përgjigje në gjuhën e tyre nga institucionet apo zyrtarët komunalë.

Të gjitha dokumentet dhe shërbimet duhet të përkthehen në çdo rast në gjuhët zyrtare. Kjo ndryshon te gjuhët në përdorim zyrtar, ku përkthimi bëhet vetëm nëse “një gjë e tillë kërkohet”.

Por, për statusin e gjuhës në përdorim zyrtar ka edhe një përjashtim.

“Përveç kësaj, një bashkësi, gjuha e së cilës me traditë është folur në një komunë, do të ketë statusin e gjuhës në përdorim zyrtar në atë komunë”, thuhet në nenin e dytë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Këtë nen e kanë shfrytëzuar aktivistët e komunitetit rom në Prizren.

“Në Prizren, komuniteti rom nuk e përbën tre për qind të popullsisë. Por, ne jemi bazuar në kriterin se a është folur një gjuhë tradicionalisht në atë komunë. Ne kemi sjellë argumente të mjaftueshme dhe e kemi fituar këtë të drejtë”, thotë Menekshe.

Ndërkohë, nënkryetari i Prizrenit, Gashi, thotë se Komuna ka vendosur ta marrë këtë vendim edhe pasi që “komuniteti rom, si komunitet, numrin më të madh të pjesëtarëve e ka në qytetin e Prizrenit në raport me qytetet e tjera”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve zyrtare parasheh edhe sigurimin e mjeteve “për të mundësuar përkthimin nga dhe në gjuhën e anëtarit, nëse kërkohet një shërbim i tillë”. Por, kjo nuk është realizuar në Prizren dhe në Graçanicë.

Gashi thotë se një tjetër problem që hasin në Prizren, është mungesa e interesimit për pozitën e përkthyesit.

Por, Menekshe, i cili i ka përkthyer vullnetarisht vendimet e dokumentet e publikuara nga Komuna e Prizrenit në gjuhën rome, thotë se interesimi nuk mungon. E, madje as kuadrot.

“Neve na duhen shpallje për vende të punës. Kemi përkthyes të shumtë. Kemi sa të duash kuadro që mund ta mbulojnë këtë punë”, thotë Menekshe.

Gjykata e Gjakovës lë në paraburgim 30 ditor 4 oficerët serbë. Policia u gjeti një sëpatë dhe dy thika

Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit tridhjete ditë të pandehurve B.R., N.V., P.K. dhe M.S., të nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera thuhet se “ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit me inicialet B.R., N.V., P.K., M.S., të nacionalitetit serb, me datën 5 prill 2025, në Rr. “Gasper Karaqi” në Gjakovë, të pandehurit në bashkëkryerje e duke vepruar në kundërshtim me ligjin për armët, posedojnë armë të ftohta, dhe atë një (1) sëpatë, një (1) thikë me këllëf, dhe një (1) thikë sharrë, në atë mënyrë që pas ndalimit nga ana e zyrtarëve policor për shkak se të njëjtit me automjetin e llojit Toyota ngjyrë hiri, i cili drejtohej nga i pandehuri B.R., kishte tejkaluar shpejtësisë në zonën e kufizuar të shpejtësisë.

Drejtuesi i veturës gjatë procedimit të rregullt është pyetur nga zyrtarët policor se a posedon diçka ilegale në veturë i njëjti ishte përgjigjur se nuk ka diçka të jashtëligjshme me vete, ku edhe kishte shprehur dëshirën për kontroll të veturës dhe pas një kontrolle të veturës nga ana e zyrtarëve policor janë gjetur mjetet e mprehta të cekura me lartë, ku te njëjtat të pandehurit i kanë mbajtur gjatë vizitës në mënyrë të organizuar në disa nga Manastiret Ortodokse në Republikën e Kosovës”, njofton Gjykata.sn

Letra për Abdixhikun, nga LDK ‘ia mbyllin derën’ Kurtit: JO koalicion

Lidhja Demokratike e Kosovës “ia ka mbyllur derën” kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për një koalicion të mundshëm. Disa orë pas letrës që Kurti i dërgoi Kryetarit të LDK’së, Lumir Abdixhikut, ku e ftonte për takim, zyrtarë të lartë të kësaj partie, kanë dalë me reagime, duke lënë të kuptohet se s’do të ketë një kaolicion mes këtyre dy partive. Reporteri.net sjell një përmbledhje të këtyre reagimeve.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili është në kërkim të votave edhe për një mandat në krye të Qeverisë, i është drejtuar dje me një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikut, të cilin e ka ftuar për konsultim.

Për datën e takimit e orën, Kurti ofroi edhe opsione.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar parakrakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, me datë 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, me datë 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00”, thuhet në letrën, që u publikua në media.

Zyrtarisht ende nuk dihet nëse Abdixhiku i ka kthyer ende përgjigje Kurtit. Mirëpo, për këtë janë kujdesur nëpër studio televizive e postime në rrjete sociale zyrtarët tjerë të kësaj partie.

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, ka thënë se tash e dy javë është konfirmuar qëndrimi i Kryesisë së LDK’së, që të mos ketë koalicion me Vetëvendosjen.

“Na jemi kah pjesa e fundit e takimit dhe ftesave, Kurti ka takuar të gjitha partitë. Për 72 orë nga takimi me deputetë me grupe parlamentare tek liderët është ndryshim radikal. LDK-ja në asnjë formë nuk ka pasur takime me Vetëvendosjen. Tash e dy javë është konfirmuar qëndrimi i kryesisë së LDK-së, qëndrim që është marrë para dhe gjatë zgjedhjeve. Ne kemi thënë para dy javësh “JO” për koalicion me LVV”, tha Haziri.

Letra e Kurtit drejtuar Abdixhikut, sipas Hazirit, duhet vlerësuar politikisht.

“Kurti nuk është prej atyre politikanëve veç për të bë, veprimin e ka të mendum, akti ka ndodhë si i tillë, dhe duhet me vlerësu politikisht”, tha Haziri në Klan Kosova.

Një deklaratë që lë të kuptohet se s’do të ketë një koalicion mes këtyre dy partive e ka bërë edhe Nënkryetarja e LDK’së, Doarsa Kica-Xhelili.

Sipas saj, Kurti për këto katër vite i ka shërbyer përçarjes politike ndërshqiptare.

“Kurtit për 4 vite, nuk i konvenoi asnjë politikan opozitarë shqiptarë. E tani, kur iu mbyll dera nga forcat më të mëdha politike shqiptare, ai po mundohet ta fshehë izolimin e vet politik pas tymnajës së akuzave për ndikime të jashtme. Herë ja zëmë rrugën ne, herë KQZ, herë PZAP… e akoma më shpesh vet rendi kushtetues”, ka shkruar ajo.

Ajo ka rikujtuar edhe ofendimet e Kurtit ndaj opozitës.

“Pasi ofendoi, shau e izoloi bashkëpunimin politik ndër-shqiptarë, krijoi pozicionin kur qeveria jetëshkurtër që ai synon u reduktua në biseda pazaresh.  Kosova e pasluftës nuk mban mend diskurs të tillë përçarës. E kush synim politik ka t’i përçajë shqiptarët, nuk mund t’i bashkojë e unifikojë as në paqe, e as në krizë”, ka shkruar tutje ajo.

Me reagim ka dalë edhe anëtari i Kryesisë së LDK’së, Berat Rukiqi, i cili e ka nisur postimin duke kujtuar fjalorin që Kurti e përdori më 9 shkurt, ku iu drejtua opozitës si “hajvana”.

Ndërkohë, deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se qasja e Kurtit është e padenjë për demokracinë.

“Tani, kur si parti fituese nuk arrinë të konsolidojë shumicën dhe kur edhe komunitetet jo-shumicë kanë ndalur bashkëpunimin, Albin Kurti përsëri zgjodhi të akuzojë partitë opozitare pse, sipas tij, nuk e ndaluan ndikimin serb në politikën e vendit.  E paskrupullt ishte kjo përpjekje për të shpallur fajtorë, për t’i përçarë e etiketuar të gjithë të tjerët, veç VV-së.

Nga akuzat e djeshme, te oferta për tu takuar sot për bashkëpunim, kjo qasje është e padenjë për demokracinë, e dëmshme për kulturën politike dhe përfaqësimin e qytetarëve”, thuhet në postimin e saj.

Nga 12 serbët e arrestuar në Prizren, 10 lirohen, dy ndalohen për prezantim të rremë si pjesëtarë të MUP-it

Nga 12 serbët e arrestuar në Prizren, 10 prej tyre janë liruar, kurse dy janë ndaluar për prezantim të rremë si pjesëtarë të MUP-it.

Kështu ka bërë tëditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është zbuluar pas veprimeve operative-hetimore të ndërmarra nga sektori i hetimeve në Prizren.

“Sot, më 06.04.2025, rreth orës 12:00, tri vetura me targa serbe, në të cilat ndodheshin 12 persona – shtetas të Serbisë – janë ndaluar te ura e ‘Arastës’. Personat dhe veturat janë kontrolluar dhe më pas janë shoqëruar në stacionin policor në Prizren për legjitimim dhe intervistim”, ka deklaruar Gashi.

Ai sqaroi se paraprakisht këto vetura ishin parë të parkuara në kompleksin e objektit fetar Bogosllovisë në Sheshin Shatërvan.

“Pas intervistimit, dhjetë persona janë liruar, ndërsa dy të tjerët janë ndaluar pasi u prezantuan si pjesëtarë të MUP-it serb, por nuk kishin asnjë dokumentacion që e dëshmonte një gjë të tillë,” shtoi Gashi.

Sipas tij, për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim 48-orësh për dy të dyshuarit.

Kujtojmë se ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla njoftoi sot se 16 serbë janë ndaluar në Gjakovë dhe Prizren. sn

Sveçla: Janë ndaluar 16 persona, përfshirë oficerë aktivë të Serbisë

Radio Evropa e Lirë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, njoftoi se autoritetet kanë ndaluar 16 persona, duke thënë se në mesin e tyre kishte edhe “oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë të Serbisë”.

Përmes një postimi në Facebook, tha se ndalimi i tyre u bë gjatë një operacioni të zhvilluar më 5 dhe 6 prill, duke shtuar se të ndaluarit po udhëtonin me katër automjete të ndara me targa nga Kragujevci, qytet në Serbi.

Grupi i parë, sipas tij, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Ndërkaq, 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren.

“Sipas të dhënave fillestare, dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës”, shkroi Sveçla.

Sipas tij, grupit të parë të ndaluar në Gjakovë, ndal të cilëve është shqiptuar masa e ndalimit prej 48-orësh, gjatë kontrollit të makinës me të cilin po udhëtonin iu gjetën “fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sëpatë dhe një dritë rotative”.

Për ndalimin e katër personave në Gjakovë ka raportuar edhe Policia e Kosovës, por edhe në njoftimin për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të mbajtur të dielën, është përmendur ky rast.

Ministri në detyrë Sveçla, ndërkaq, pretendoi se 12 personat e ndaluar në Prizren, “po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë”.

“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, u shpreh Sveçla.

Udhëheqësi i Ministrisë së Brendshme tha se bazuar në hetimet paraprake të organeve të rendit të Kosovës, një nga të ndaluarit është “konfirmuar se është zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor”, i cili, siç pretendoi Sveçla, “ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka ‘Gandi’”.

“Ky i fundit është i afërt i Vlladimir Radivojeviq, nofka ‘Mami’, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bart gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Millanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe”, tha Sveçla.

Emri i Vlladimir Radivojeviqit është përmendur edhe më herët nga autoritetet e Kosovës, dhe është lidhur me sulmin në Banjskë të Zveçanit kundër Policisë së Kosovës, të kryer në shtator nga një grup i serbëve të armatosur.

Më 29 shtator të vitit 2023, Policia e Kosovës e bastisi shtëpinë e Radivojeviqit në Zveçan. Ai besohet se është udhëheqës i një grupi tifozësh të klubit të futbollit Crvena Zvezda.

Bastisjet në shtëpinë e Radivojeviqit ishin kryer në aksionin e njëjtë policor, kur u bastisën pronat e Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Radoiçiq ka marrë përgjegjësinë për organizimin dhe pjesëmarrjen në sulmin në Banjskë të Zveçanit, kur u vra polici Afrim Bunjaku. Gjatë këmbimit të zjarrit në Manastirin e Banjskës, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Sipas Zveçlës, fakti që grupi i dytë – që u ndalua në aksionin e fundit – ishte “strehuar në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë mund të tregojë për një tentativë për të shfrytëzuar institucione fetare për kamuflim ose për të shkaktuar tensione ndëretnike/fetare në Kosovë, duke përdorur ngjarje të sajuara për të nxitur reagime të dhunshme ose trazira”.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë përshkallëzuar qysh në prill të vitit 2023, kur u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë të katër komunave në veri, të banuara me shumicë serbe. Zgjedhja e tyre nxiti protesta nga serbët lokalë.

Tensionet kulmuan shtatorin e atij viti, me sulmin e armatosur në Banjskë, që Kosova e konsideron sulm terrorist.

Po ashtu, vitin e kaluar kanali i Ibër-Lepencit në veri u sulmua me mjete plasëse. Për këto dy sulme, Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në to.

Serbët nga Kosova nisen në këmbë për në tubimin e Vuçiçit në Beograd

Më shumë se 150 serbë nga Kosova sot në mëngjes janë nisur në këmbë drejt Beogradit, për të marrë pjesë në mbledhjen e së shtunës, më 12 prill, me rastin e themelimit të Lëvizjes për Popullin dhe Shtetin, të cilën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e paralajmëron për fundjavën në vijim. Siç raportohet serbët nga Graçanica dhe qytetet përreth të Kosovës, u nisën në këmb në një udhëtim prej 250 kilometrash.

Moti i keq, shiu dhe bora nuk do të na pengojnë të arrijmë qëllimin tonë dhe të arrijmë të gjallë dhe të mirë në tubimin e madh që mbahet të shtunën. Ne nga Kosova do ta mbrojmë Kosovën tonë edhe në Beograd sepse vendi ynë është i sulmuar si nga jashtë ashtu edhe nga brenda”, tha Ivan Cvetkoviç.

Vuçiç më herët tha se qytetarët prej disa muajsh po organizohen për të përmbysur Serbinë nga jashtë dhe nga brenda. Gjithashtu Vuçiç tha se duhet ta kthejnë shtetin e vjedhur.

“Ju vendosni se në çfarë lloj vendi dëshironi të jetoni. Ju pyesni veten. Dhe po, nesër mund të jetë tepër vonë. Serbia do të fitojë! Shihemi në Beograd më 12 prill në orën 19:00”, tha Vuçiç në një postim në TikTok.

Presidenti i Serbisë paraprakisht njoftoi se në takimin në Beograd do të prezantohet lëvizja për popullin dhe vendin, të cilën e ka iniciuar. sn

Anulohen konkurset në Graçanicë pas protestave kundër ‘punësimit të personave të afërt’ me Listën Serbe

Flamuj të Serbisë të vendosur në Graçanicë, komunë në afërsi të Prishtinës. Fotografi ilustruese nga arkivi.

 

Radio Evropa e Lirë

Konkurset për pranimin e punonjësve në institucionet shëndetësore në territorin e komunës së Graçanicës, afër Prishtinës, janë anuluar në mbrëmjen e 5 prillit, pasi për disa ditë banorët e pakënaqur lokalë kanë protestuar, duke argumentuar se vendet e punës po i ftonin “personat e përshtatshëm”, të afërt me Listën Serbe.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ky subjekt gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Megjithatë, në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë, thuhet se konkurset për pranimin në marrëdhënie pune janë anuluar “për shkak të skadimit të afatit prej 30 ditësh për marrjen e vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve”.

Institucionet shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, dhe konkurset për vende të reja pune janë shpallur nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë në fund të janarit. Pranimi i punonjësve të rinj në sektorin e shëndetësisë përkoi me fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt, ku garoi edhe Lista Serbe.

Kryetari i kësaj partie, Zllatan Elek, gjatë fushatës zgjedhore deklaroi se “në periudhën e kaluar, shteti i Serbisë ka siguruar një numër të madh vendesh pune dhe se kjo është një nga mënyrat për të mbijetuar [në Kosovë]”.

Elek është gjithashtu drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, njëra nga katër komunat në veriun e Kosovës, të banuara me shumicës erbe.

Dhjetëra banorë, të cilët ditët e fundit kanë protestuar përpara Qendrave të Mjekësisë Familjare në Graçanicë, Uglar dhe Gushtericë të Poshtme, kanë deklaruar se punën në këto institucione shëndetësore e kanë marrë vetëm personat e afërt me Listën Serbe, dhe se disa prej atyre që janë punësuar, madje, nuk jetojnë fare në Kosovë.

Petar Gjorgjeviq nga Graçanica theksoi se ndaj personave që kanë protestuar është ushtruar presion, teksa u ka bërë thirrje të gjithëve që “t’i dokumentojnë kërcënimet”.

Radio Evropa e Lirë më 4 prill iu drejtua edhe Listës Serbe për të komentuar mbi akuzat e qytetarëve lidhur me punësimet partiake dhe presionet ndaj tyre, por ky subjekt politik nuk kanë kthyer përgjigje. Për akuzat e protestuesve lidhur me konkurset nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për institucionet në zonat serbe në Kosovë, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti mirëpriti një grup nxënësish nga Bosnje dhe Hercegovina

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi pranuan sot në Qeverinë e Republikës së Kosovës një grup nxënësish dhe mësuesish nga Bosnje dhe Hercegovina.

Në delegacionin e pranishëm ishin përfaqësues të Gjimnazit “Obala” nga Sarajeva, si dhe nxënës dhe mësues nga Gjimnazi “Gjon Buzuku” në Prizren. Gjatë mirëseardhjes, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e vizitave të tilla dhe u shpreh se Kosova gjithmonë i ka dyert e hapura për qytetarët e Bosnje dhe Hercegovinës.

Gjatë takimit, nxënësit falënderuan për mikpritjen dhe theksuan se vizita e tyre në Kosovë ka qenë shumë e vlefshme për forcimin e lidhjeve kulturore dhe arsimore mes të rinjve të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. bw

Negociatat për formimin e qeverisë së re, Albin Kurti takohet me Fatmir Limajn. Gazetari Bahri Cani: Bashkëpunim i nevojshëm për interesat e vendit

Gazetari Bahri Cani ka komentuar takimin e mbrëmshëm të kryeministrit, Albin Kurti me kreun e NISMA-s, Fatmir Limaj. Përmes një shkrimi në Facebook, ai është deklaruar rreth çështjes së koalicionit të ardhshëm.

“Personalisht mendoj se Kurti dhe Limaj kanë mundur dhe është dashur të takohen edhe në zyrë, zyrtarisht. Por është e drejtë e tyre të takohen e bisedojnë ku të duan”, ka shkruar ai. “Eh tashti, ka të tillë që thonë se Limaj pa AAK nuk do të futej në Kuvend, se nuk është e moralshme etj etj. Por në pyetje janë “interesat e vendit”!”, vijon Cani.

Postimi i plotë:

Kryeministri Albin Kurti dhe LVV synojnë që së bashku me konstituimin e Kuvendit të ri, me 15 prill të krijojnë dhe votojnë edhe qeverinë e re. Kurti ka pasur këto ditë në kabinetin e tij takime me përfaqësuesit e minoriteteve, përveç Listës Serbe.

Dy-tre prej tyre akoma nuk kanë deklaruar përfundimisht se do ta votojnë qeverinë Kurti III. Duda Balje për shembull ka kërkuar edhe një komunë boshnjake, e ajo ka kërkuar edhe post ministror apo postin e zvkryeministres.…

Mediat në Kosovë bëjnë të ditur që Kurti mbrëmë “ka darkuar” diku në Prishtinë me kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj. Nisma ka 3 deputetë.

Thuhet se kanë biseduar për bashkëpunim. Nuk dihet se cilat janë rezultatet e darkës së përbashkët Kurti-Limaj, por dihet që LVV së bashku me Nismën dhe minoritetet joserbe do të kishte numër të mjaftueshëm për krijimin e qeverisë, më shumë se 60 vota.

Limaj ka qenë së bashku në zgjedhje me AAK-në, por ai ka thënë se “për interes të vendin” ai është i gatshëm për bashkëpunim edhe me Kurtin!

Personalisht mendoj se Kurti dhe Limaj kanë mundur dhe është dashur të takohen edhe në zyrë, zyrtarisht. Por është e drejtë e tyre të takohen e bisedojnë ku të duan.

Eh tashti, ka të tillë që thonë se Limaj pa AAK nuk do të futej në Kuvend, se nuk është e moralshme etj etj. Por në pyetje janë “interesat e vendit”! bw

Osmani takohet me presidentin e Bullgarisë, flasin për forcim partneriteti, sidomos në fushën e mbrojtjes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është takuar sot me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev. Osmani ka treguar se temë qendrore ka qenë forcimi i partneritetit mes dy shteteve në veçanti në fushën e mbrojtjes.

Shefja e shtetit ka thënë se ka falënderuar presidentin bullgar për përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës në rrugëtimin euro-atlantik.

“Bullgaria është partnere dhe aleate e vazhdueshme e Kosovës. Në takim bilateral me Presidentin Rumen Radev, diskutuam forcimin e partneritetit ndërmjet dy shteteve në veçanti në fushën e mbrojtjes. E falënderova për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë për rrugëtimin tonë euro-atlantik”, ka shkruar ajo. sn

Vrasjet në Kosovë, qytetarët në protestë: Çarmatosni rrugët, armatosni shkollat me dije! Kërkojmë ashpërsim të ligjit

Qytetarë të shumtë janë mbledhur sot rreth orës 14:00 në një protestë paqësore për të kundërshtuar ngjarjet e fundit që kanë tronditur Kosovën dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë. Protestuesit me pankarta në duar marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt sheshit “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Organizatorët janë shprehur se vrasjet dhe përplasjet me armë janë pasqyrë e një dështimi institucional që nuk mund të kalojë pa përgjegjësi.

“Kërkojmë ashpërsim të ligjit për armët dhe ndëshkim të ashpër për posedim të paligjshëm, formim të një Reparti Special për Parandalimin e Dhunës në Komunitet, investime urgjente në shëndetin mendor dhe kujdesin psiko-social, edukim qytetar kundër dhunës dhe armëmbajtjes që nga shkollat fillore, kontroll të rreptë të lejeve për armë dhe krijim të një regjistri publik të poseduesve. Koha për veprim është tani. Nuk duam më viktima”, kanë thënë organizatorët.

Me gjithë kapacitetet e kufizuara, Kosova vijon gjykimin e krimeve të luftës

Radio Evropa e Lirë

Një vit, 35 lëndë. Për sjelljen e drejtësisë në 34 rastet e ngritura kundër 98 pjesëtarëve të forcës serbe dhe rastit të ngritur kundër dy pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, organet përgjegjëse ankohen se gjatë vitit 2024 u përballën me shumë sfida.

Në vitet e fundit, numri i aktakuzave të ngritura në Kosovë për kryerjen e veprës penale “krim i luftës kundër popullatës civile” është rritur dukshëm.

Por, për Amer Alijan – autor i raportit të publikuar më 4 prill nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDHK) për rastet e krimeve të luftës – kjo është e pamjaftueshme.

“Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, institucionet gjyqësore vendore dhe ato ndërkombëtare kanë dënuar rreth 74 persona për krime të luftës në Kosovë. Në anën tjetër, [gjatë luftës] ishin vrarë rreth 10 mijë viktima civile”, tha Alija, gjatë publikimit të raportit të premten.

Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën.

Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.

Për të sjellë drejtësi për sa më shumë persona të dëmtuar nga krime të luftës, Alija përcolli disa rekomandime për institucionet e Kosovës që i përkasin kësaj fushe – Ministrisë së Drejtësisë, Policisë së Kosovës, Prokurorisë Speciale e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Për të gjitha këto institucione, Alija e pati një kërkesë të përbashkët: të mos shtyhen më seanca për shkak të mospërkthimit të shkresave të lëndëve në gjuhën serbe.

Ilir Morina, udhëheqës i Departamentit për hetimin e krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës, e pranoi se përkthimi në gjuhën serbe mbetet “sfidë reale”.

“Ne kemi sfidë të madhe në adresimin e nevojës për përkthimin e çdo dokumenti dhe dosjeje në gjuhën serbe nga shqipja ose anasjelltas, për shkak të mungesës të përkthyesve të mjaftueshëm”, theksoi Morina.

Ai tha se edhe kur shpallen oferta pune për përkthyes, interesimi është i ulët.

Me të njëjtin problem përballet edhe Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë trajtimit të këtyre rasteve, tha kryetarja e këtij institucioni, Albina Shabani-Rama.

Megjithatë, ajo theksoi një problem tjetër si sfidën kryesore të institucionit që udhëheq.

“Është e domosdoshme që gjyqtarët që merren me këto raste të jenë të specializuar dhe të trajtojnë vetëm këto raste. Por, departamenti special është i ngarkuar edhe me lëndë të tjera komplekse dhe deri më tani nuk kemi mundësinë të ndajmë trupe gjykuese të veçanta vetëm për trajtimin e krimeve të luftës”, tha Shabani-Rama.

Ajo tha se tani gjyqtarët trajtojnë këto lëndë në mënyrë shumë më profesionale sesa kur kjo punë kishte filluar para gjashtë vjetësh, por se sfidë mbetet numri i vogël i gjyqtarëve të angazhuar.

Vitin e kaluar, për shkak të pensionimeve dhe avancime, numri i gjyqtarëve që merren me këto lëndë është zvogëluar për katër.

Gjyqësori i Kosovës mori në duar trajtimin e rasteve të krimeve të luftës nga qershori i vitit 2018. Prokuroria Speciale e Kosovës ka departament për krimet e luftës që nga vitit 2015.

Ndërsa Gjykatës Themelore iu shtuan departamentet speciale në vitin 2019. Departamenti për krime lufte, përveç rasteve të krimeve të luftës, heton edhe rastet e krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë, terrorizmit, etj.

Sipas FDHK-së, një tjetër problem që e vështirëson trajtimin e rasteve të krimeve të luftës në Kosovë është mungesa e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Serbisë.

Nga ky fond rekomandojnë që në negociatat e Kosovës me Serbinë të nënshkruhen protokolle të bashkëpunimit të prokurorive speciale të të dyja vendeve.

Prokurori Morina përmendi një rast kur njëri i akuzuar kishte qenë duke jetuar në Zvicër, por menjëherë pas ngritjes së aktakuzës, ai është zhvendosur në Serbi dhe tani është i paarritshëm për institucionet e drejtësisë së Kosovës.

Në mungesë të një lloj bashkëpunimi të tillë, shumë nga rastet e krimeve të luftës në Kosovë po zhvillohen në mungesë.

Gjykimi në mungesë, bazuar në Kodin e ndryshuar të Procedurës Penale të vitit 2022, mund të zhvillohet vetëm me kusht që prokuroria dhe gjykata t’i kenë shteruar të gjitha mjetet për ta siguruar praninë e të akuzuarit.

Ligji për procedurën penale përcakton se personat që gjykohen në mungesë, pasi autoritetet nuk kanë arritur ta sigurojnë praninë e tyre, kanë të drejtë për një gjykim të ri dhe pa kushte kurdo që arrestohen.

Deri në fund të 2024-tës janë ngritur gjithsej 14 aktakuza në mungesë kundër 72 pjesëtarëve të forcave serbe.

Në fund të vitit të kaluar u shpall edhe aktgjykimi i parë në mungesë. Çedomir Aksiq u dënua me 15 vjet burgim.

Udhëheqësit nga Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore në Prishtinë thanë se fillimisht këto raste kishin qenë sfidë për stafin e tyre.

“Prej momentit që është paraparë mundësia e gjykimit në mungesë, është rritur ndjeshëm numri i aktakuzave. Kjo do të thotë që duhet të rritet edhe numri i gjyqtarëve”, tha Shabani-Rama, kryetare e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila i quajti këto gjykime si “nevojë të domosdoshme”.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë kundërshton gjykimet në mungesë pasi që beson se kështu “shkelen të drejtat themelore të të akuzuarve”, që mund të mos jenë fare në dijeni se ndaj tyre po zhvillohet një gjyq në Kosovë.

Avokatja e shumë prej të akuzuarve për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë, Jovana Fillipoviq, akuzoi institucionet në Kosovë se kanë qasje raciste ndaj komunitetit serb dhe se Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës nuk ndjekin procedurat ligjore.

Pretendimet e saj i mohuan përfaqësuesit e Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës. Ish-prokurorja Drita Hajdari tha se mund të ketë ndonjë rast kur ka pasur shkelje procedurale, por se “kjo nuk paraqet dukuri”.

I pranishëm në diskutimin lidhur me raportin e publikuar nga FDHK-ja ishte edhe Vigan Qorolli, zëvendësministër i Drejtësisë në Kosovë. Ai tha se Kosova tani ka të gjithë infrastrukturës për të hetuar e gjykuar rastet e krimeve të luftës.

Sarah Jaquiery, nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, tha se shpreson që institucionet e Kosovës do t’i zbatojnë rekomandimet e FDHK-së për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, përkthimin e lëndëve në serbisht, incizimin e seancave gjyqësore dhe krijimin e një data baze me të gjitha të dhënat e rasteve të krimeve të luftës.

“Drejtësia nuk është opsion, por është nevojë. Çdo viktimë meriton drejtësi”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës: Po shqyrtojmë tarifën ndaj importeve nga SHBA-ja!

Ministri në detyrë i Financave i Kosovës, Hekuran Murati, tha të enjten vonë se kabineti qeveritar ka qenë duke e shqyrtuar prej kohësh çështjen e tarifës ndaj mallrave me origjinë nga Shtetet e Bashkuara, pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani për ta pezulluar atë.

Më herët, Osmani i kërkoi Qeverisë ta pezullojë tarifën doganore prej 10 për qind për mallrat nga SHBA-ja, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi tarifë të ngjashme ndaj importeve nga Kosova.

Por, Murati e kritikoi qasjen e presidentes Osmani, duke thënë se ajo e kishte postuar kërkesën në rrjetet sociale pak minuta pasi i kishte dërguar email Qeverisë pas orarit të rregullt të punës pas orës 16:00.

“Secili shtet serioz, këto çështje i trajton larg mediave, dhe publiku njoftohet kur të merret vendimi. Për më tepër, politikat fiskale bien në fushëveprimin e ekzekutivit, konkretisht ministrisë përgjegjëse për financa”, tha Murati në një reagim në Facebook.

Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina, e cilësoi përgjigjen e Muratit si “të turpshme dhe skandaloze”, duke thënë se letra e presidentes drejtuar Qeverisë nuk ishte “thjesht veprim ekonomik, por veprim strategjik në raport me aleatin tonë strategjik e ekzistencial”.

Murati tha se Qeveria e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, kishte diskutuar gjatë mandatit të saj katërvjeçar me përfaqësues të Departamentit amerikan të Tregtisë për arritjen e një marrëveshjeje për tregti të lirë mes SHBA-së dhe Kosovës.

“Gatishmëria jonë si qeveri dhe si shtet për të pasur tregti të lirë e pa asnjë barrierë tarifore apo jo-tarifore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të qëndrojë edhe më tej”, tha ai.

Të mërkurën në mbrëmje, Trump vendosi tarifë bazë prej 10 për qind për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Kosovën dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Vendimi i Trumpit nxiti reagime gjithandej dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, i bënë thirrje Kosovës më herët ta tërheqë tarifën prej 10 për qind ndaj importeve nga SHBA-ja. Por, Murati nguli këmbë se ndikimi i tarifës së SHBA-së ndaj mallrave kosovare “ka ndikim të vogël”.

“Fatmirësisht, Kosova bën pjesë në grupin e shteteve që u është vendosur shkalla tarifore minimale prej 10%. Marrë parasysh edhe vëllimin e vogël tregtar që kemi, impakti financiar i pasjes apo jo të një regjimi tarifor ka ndikim të vogël në ekonominë tonë”, tha ai.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka pritur me shqetësim vendimin e presidentit amerikan për vendosjen e tarifës bazë prej 10 për qind.

“Ky vendim pritet ta godasë edhe më shumë eksportin, i cili nga Kosova drejt SHBA-së ka pasur ulje përgjatë muajve të fundit”, u tha në njoftimin për media të kësaj dhome.

Organizatat ekonomike në Kosovë thonë se nga viti 2019 ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të Kosovës në SHBA.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte 3 milionë euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milionë. Produktet që i eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri dhe plastika.

Përveç tarifës bazë, presidenti amerikan ka vendosur po ashtu tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me SHBA-në, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare dhe rritje të inflacionit./ REL

Albin Kurti vazhdon takimet me partitë joserbe për formimin e qeverisë së re në Kosovë

Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, për të dytën ditë me radhë ka vazhduar takimet konsultuese me partitë joserbe për formimin e qeverisë së re të vendit. Disa nga partitë e komuniteteve joshumicë thanë se i kanë paraqitur kërkesat e tyre për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në.

Më 3 prill ai u takua me kryetaren e Unionit Socialdemokrat (SDU), Duda Balje, me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha dhe atë të Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka. Nga Zyra e Kurtit thanë se gjatë ditës do të ketë edhe takime të tjera.

Balje tha pas takimit se Kurtit – partia e të cilit fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit – i ka paraqitur kërkesa që partia e saj të mbështesë ekzekutivin e ri.

“Kërkesat janë komuna e boshnjakëve, reformat në arsim dhe trajtimi i barabartë me të gjithë deputetët që kanë votë brenda kuvendit”, tha ajo.

Sipas Baljes, në takim nuk është marrë konfirmim se kërkesat do të realizohen, por as ajo nuk i ka dhënë konfirmim Kurtit se do ta mbështesë për formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, ajo tha se ky është vetëm takimi i parë dhe bisedimet do të vazhdojnë, duke shtuar se si pjesëtarë të komuniteteve joshumicë, bisedojnë edhe me parti të tjera shqiptare, por edhe për subjektet e tjera vlejnë po të njëjtat kërkesa.

Po ashtu, ajo nuk dha konfirmim nëse do të mbështesë kryetarin e ri të kuvendit, që duhet të propozohet nga LVV-ja, gjatë seancës konstituive të 15 prillit.

Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane, tha se në parim, partia e tij nuk ka “vija të kuqe” për asnjë parti për bashkëpunim të mundshëm.

Megjithatë, ai tha se ky është vetëm fillimi i diskutimeve dhe presin që të vazhdojnë bisedimet për kërkesat që ata kanë.

Kërkesat e partisë së tij janë që të investohet më shumë për komunitetin egjiptian, si në infrastrukturë, ashtu edhe në sferën e arsimit, por edhe të respektohen të drejtat e këtij komuniteti, që tha se përballet me diskriminim.

Në rast të hyrjes në qeverinë e re, ai tha se dëshirojnë që të kenë mundësi të kemi ndikim në politikat qeveritare, me qëllim që të përmirësohet gjendja e komunitetit që i përket.

Ndërkaq, nga Zyra e Kurtit u tha se gjatë takimit me Fikrim Damkën, i cili është ministër në detyrë i Zhvillimit Rajonal, palët “shprehën vullnetin dhe gatishmërinë që ky bashkëpunim i frytshëm të vazhdojë edhe në legjislaturën në vijim”.

Një ditë më parë Kurti u takua me kryetaren e Partisë së Re Demokratike nga komuniteti boshnjak, njëherësh zëvendëskryeministre në detyrë, Emilija Rexhepi, me kryetarin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, dhe kryetarin e partisë Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Elbert Krasniqi.

Komunitetet joshumicë në Kosovë kanë 20 ulëse të garantuara në kuvend: dhjetë i takojnë komuniteteve joserbe, dhe dhjetë të tjera komunitetit serb. Lista Serbe ka fituar nëntë nga dhjetë ulëset e komunitetit serb.

LVV-ja e Kurtit ka fituar 48 ulëse në kuvend, që janë të pamjaftueshme që ta formojë e vetme qeverinë. Kjo parti ka thënë se dëshiron ta formojë ekzekutivin e ri në bashkëpunim me komunitetet joserbe.

Partisë së Kurtit po ashtu i takon të propozojë kryetarin e ri të kuvendit, për të cilin, sikurse për zgjedhjen e qeverisë, kërkohen 61 vota të deputetëve./ REL

Kaçanik: U qëllua me armë pranë banesës, ndërron jetë efektivi Muhamet Lika

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë, rreth orës 23:00, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili ka bërë të ditur se viktima u gjet në gjendje të rëndë pranë hyrjes së ndërtesës së tij.

“Kemi pranuar një informacion se një person është plagosur dhe gjendet në gjendje të rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. Në vendngjarje, përveç njësive policore, ka dalë edhe ekipi i emergjencës së Kaçanikut, të cilët e kanë transportuar në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik. Si pasojë e plagëve të marra, pjesëtari i Policisë ka ndërruar jetë, kjo është konstatuar nga mjekët në këtë qendër”, ka deklaruar Veseli.

Mediat vendase raportojnë se bëhet fjalë për efektivin Muhamet Lika, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e plota të ngjarjes.bw

Wmremove Transformed

Sulmi me granata ndaj godinës së Postës së Kosovës në Zveçan, reagon Kurti: Radoiçiçi i lirë, mesazh që inkurajon kriminelët e terroristët!

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar në lidhje me sulmin e ndodhur sot ndaj godinës së Postës së Kosovës në Zveçan.

Ai ka dënuar sulmin, ndërsa ka shtuar se kjo vepër ka elemente terroriste.

“Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiç, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”, ka shkruar kreu i qeverisë në një postim në Facebook.

Postimi i plotë:

Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot me datë 1 prill 2025.
Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.
Brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste.
Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese.
Përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.
Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët.
Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë.
Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë.
Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë. bw

Shtyhet në afat të pacaktuar gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

Radio Evropa e Lirë

Në mungesë të dëshmitarit të fundit të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), seanca e 1 prillit në Hagë u përfundua më herët se ishte planifikuar, pa u dhanë një datë e re kur do të vazhdojë gjykimi.

“Pjesa e mbetur e seancave të kësaj jave janë anuluar dhe gjykimi është shtyrë deri në një njoftim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e publikuar në uebfaqen e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputeti Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarët e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dëshmitari i cili ishte planifikuar të jepte dëshminë e tij sot ishte i 125-ti i ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), që më parë kishte thënë se nuk do të ftonte asnjë dëshmitar pas 4 prillit.

Pasi u tha se dëshmitari i fundit “nuk ishte në gjendje të paraqitej”, ZPS-ja kërkoi që dëshmia e tij të pranohej me shkrim.

Pasi ZPS-ja përfundon marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ekipet mbrojtëse të katër të pandehurve – të cilët janë deklaruar të pafajshëm – do të paraqesin rastin e tyre.

Gjykimi ndaj tyre nisi në prill të vitit 2023, teksa ekipet mbrojtëse vazhdimisht janë ankuar për kohëzgjatjen e këtij procesi.

Ata gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë që katër vjet dhe vazhdimisht kërkesat e tyre për lirim nga paraburgimi janë refuzuar nga gjykatësit.

Në nëntor të vitit të kaluar, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, kishte thënë se u takon gjykatësve që të vendosin nëse do të lirojnë nga paraburgimi katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kur Prokuroria e Specializuar të përfundojë rastin e saj.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte konfirmuar aktakuzën ndaj ish-krerëve të UÇK-së në tetor të vitit 2020, por e bëri publike vetëm një muaj më vonë.

Aktakuza i ngarkon të akuzuarit për përgjegjësi “personale”, por edhe për “krimet e kryera nga vartësit e tyre”.

Aktakuza thotë se katër të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të UÇK-së ishin pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe “kanë ndarë qëllimin e njëjtë për të marrë dhe ushtruar kontrollin në gjithë Kosovën me të gjitha mjetet, përfshirë edhe frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e atyre që i konsideronin kundërshtarë”.

Gjykata Speciale apo Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Gjykata është themeluar në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.

Nga mesi i prillit do të ketë kontrolle vetëm në hyrje në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut

Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka thënë se regjimi i ri kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionalizohet në mesin e muajit prill, i cili parasheh kontrolle vetëm në hyrje nga policia respektive e shtetit.

Regjimi i ri do të bëhet sipas modelit “hyrje-hyrje” dhe do të zbatohet në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë, ndërsa policët do të punojnë në një objekt të përbashkët.

“Prolongimi disaditor është bërë me qëllim të përgatitjeve finale teknike e logjistike të ekipeve të cilat janë duke punuar intensivisht në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërshtetërore” është thënë në reagimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup.

Autoritetet kanë thënë se ky model pritet t’i zvogëlojë pritjet dhe do të jetë në funksion të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të të dyja shteteve.

Shtetasit e Kosovës duhet të jenë të pajisur me letërnjoftim biometrik apo pasaportë për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

Për dallim prej këtij regjimi, Kosova dhe shteti tjetër fqinj, Shqipëria, kanë pika të përbashkëta kufitare dhe në pjesën më të madhe të vitit shtetasit e këtyre dy vendeve, udhëtojnë në territorin e njëra-tjetrës pa iu nënshtruar fare kontrolleve. sn

Çfarë mund të mësojë Ukraina nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë?

Trupat britanike, duke u ulur me helikopterë, bashkohen me forcat e tjera britanike për të siguruar një urë në jug të Kaçanikut, Kosovë, më 12 qershor 1999.

 

Flaka Zogu

Njëzet e gjashtë vjet pas luftës, prania e trupave të NATO-s në Kosovë mbetet thelbësore për garantimin e paqes dhe sigurisë në vend. Banorë lokalë, shqiptarë dhe serbë, e duan ende praninë e tyre. Derisa i cilësojnë jetikë paqeruajtësit, qytetarë të Kosovës vlerësojnë se një mision i ngjashëm do të mund të kontribuonte për paqe në Ukrainë.

Zoran Spasiq i kalon mëngjeset me shpezët që i mban në oborrin e shtëpisë së tij, në Rubofc të Lipjanit.

Për serbin 56-vjeçar, jeta në këtë fshat, 35 kilometra larg kryeqytetit kosovar, është shumë më e qetë se 26 vjet më parë, kur Kosova sapo kishte dalë nga lufta me Serbinë – një konflikt që la mbi 13.500 të vrarë.

Pas përfundimit të luftës, tensionet ndëretnike midis shumicës shqiptare dhe pakicës serbe u përshkallëzuan.

Këto tensione u fashitën pas hyrjes së trupave paqeruajtëse të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

“KFOR-i menjëherë pas mbërritjes patrullonte nëpër fshat. Falë tyre, arritëm të mbetemi në shtëpitë tona”, thotë Zorani për Radion Evropa e Lirë.

Zoran Spasiq

Zoran Spasiq

Një kontingjent paqeruajtësish u vendos edhe në fshatin Rubofc, për t’u mundësuar banorëve lokalë rikthimin në jetën e tyre dhe vijimin e punëve bujqësore.

Zorani thotë se ushtarët e KFOR-it i përcillnin edhe kur i blinin ushqimet për nevojat e tyre dhe derisa kryenin punët bujqësore.

“Gjatë korrjeve dhe mbjelljeve, ata vinin në fusha me makinat e tyre dhe na siguronin mbrojtje, duke na mundësuar t’i kryenim të gjitha punët tona me ndihmën e tyre”, thotë ai.

Në vitet e pasluftës, KFOR-i luajti një rol kyç në parandalimin e incidenteve ndëretnike.

Kosova themeloi institucionet e saj, dhe më 2008 shpalli pavarësinë, duke e bërë Policinë e Kosovës përgjegjësen kryesore për sigurinë.

Jeta me fqinjët

“A je lodhur? Çka je duke bërë, po përgatitesh a?” – kështu e përshëndet Zorani në gjuhen shqipe fqinjin e tij shqiptar, Nuredin Zaskokun, i cili po bënte gati traktorin për të nisur mbjelljet e pranverës.

Nuredini ishte tetë vjeç kur, në vitin 1999, në fshatin e tij hynë trupat paqeruajtëse të KFOR-it.

Teksa e kujton atë kohë shprehet i lumtur që NATO-ja dërgoi trupat e saj në Kosovë.

“KFOR-i që ka ardhur ka qenë shumë mirë, sepse ka qenë një siguri edhe për neve, edhe për këta [serbët e Kosovës], se ka mundur edhe pas luftës, ndoshta, të ketë për ta ndonjë kërcënim prej dikujt tjetër, ose diçka”, thotë Zaskoku.

Zoran Spasiq (majtas) dhe Nuredin Zaskoku.

Zoran Spasiq (majtas) dhe Nuredin Zaskoku.

Ai shton se KFOR-i u ndihmoi me shumëçka për t’iu kthyer jetës në normalitet.

Kthimi dhe çarmatosja

Forcat paqeruajtëse të KFOR-it, si mision i udhëhequr nga NATO-ja, u dërguan në Kosovë më 12 qershor 1999.

Kjo e bëri të mundur kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë shqiptarëve, të cilët ishin larguar me dhunë nga forcat serbe, si dhe kthimin e qindra serbëve që u larguan pas çlirimit të Kosovës.

Kujtim Gjevori, teksa ec mbi urën në Han të Elezit, e kujton ende qartë ditën kur aty zbriti nga helikopteri i KFOR-it bashkë me trupat ushtarake që hynë nga Maqedonia e Veriut.

“Ka qenë një moment, një dridhje, një rrëqethje emocionale, që kurrë në jetën time nuk mund ta harroj”, thotë Gjevori.

Kujtim Gjevori

Kujtim Gjevori

Në atë kohë ai ishte 21 vjeç, dhe kishte shërbyer si përkthyes për forcat britanike të KFOR-it.

“I keni dy minuta që t’i dorëzoni armët. Nëse nuk i dorëzoni, ne do të detyrohemi t’i marrim me forcë”, ky ishte një urdhër i gjeneralit britanik që Gjevori duhej t’ia përkthente Policisë Serbe.

Në atë moment, ai thotë, njësia speciale Gurkat u përgatitën dhe policia vendosi t’i lëshojë të gjitha armët në tokë, dhe të çarmatosur u larguan nga Kosova për në Serbi.

Agim Çeku, ish-ushtarak dhe ish-kryeministër i Kosovës, vlerëson se prania e KFOR-it mbetet ende e nevojshme për vendin.

Sipas tij, pavarësisht se ka një situatë të qëndrueshme të sigurisë, KFOR-i do të jetë i pranishëm në Kosovë derisa vazhdon të ekzistojë kërcënimi nga Serbia.

“KFOR-i do të jetë këtu derisa të normalizohen marrëdhëniet, derisa të bëhet njohja e ndërsjellë, derisa të vlerësohet që nuk ka rrezik të ripërtëritjes së konfliktit”, thotë Çeku.

Sfidat e KFOR-it në Kosovë

Situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar gjatë 25 vjetëve të fundit. Megjithatë, Kosova dhe Serbia ende nuk e njohin njëra-tjetrën, dhe prej vitesh zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Gjatë viteve kanë ndodhur edhe incidente të rënda, ku KFOR-i ka luajtur rol kyç në ruajtjen e paqes, por është kritikuar për dështimin në ndalimin e dhunës, si gjatë trazirave të vitit 2004. Ato u nxitën nga thashetheme të rreme se tre fëmijë shqiptarë etnikë ishin mbytur si rezultat i veprimeve të serbëve, duke shkaktuar 19 viktima, mes tyre 11 shqiptarë dhe 8 serbë.

Së fundi, KFOR-i është përballur me dhunë nga serbët lokalë, si në majin e 2023-tës, në veri të Kosovës.

Në vitet e para pas luftës, KFOR-i kishte 50.000 trupa, por, pas vlerësimeve të vazhdueshme të sigurisë, ky numër sot ka rënë në rreth 4.600 ushtarë. Prania e trupave në Kosovë është rritur sa herë që situata ka qenë e tensionuar, sikurse pas sulmit të armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023.

Aktualisht, pjesë e misionit të KFOR-it janë 29 shtete anëtare të NATO-s.

Çfarë forcash mund të vendosen në Ukrainë?

Liderë nga më shumë se 30 vende u takuan më 27 mars në Paris për të biseduar për gjetjen e një mënyrë se si ta forcojnë pozicionin e Ukrainës brenda dhe jashtë fushëbetejës. Ata premtuan ndihmë të re për Kievin dhe shqyrtuan propozimet për vendosjen e forcave evropiane në Ukrainë, në rast të ndonjë marrëveshje për paqe.

“Do të ketë një forcë sigurie që do të veprojë në Ukrainë, duke përfaqësuar disa vende”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

“Nuk është Rusia ajo që mund të vendosë nëse një forcë sigurie mund të vendoset në Ukrainë”, nguli këmbë ai.

Ai shtoi se, tani për tani, nuk ka njëzëshmëri për dërgimin e një force të udhëhequr nga Evropa dhe se jo të gjithë anëtarët janë pajtuar të marrin pjesë, megjithëse theksoi se kjo nuk është e nevojshme për të ecur përpara.

Duke folur një ditë para samitit me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Macron tha se kjo forcë sigurie nuk do të dërgohej në vijën e parë të luftës dhe nuk do të kishte për detyrë mbikëqyrjen apo zbatimin e ndonjë armëpushim.

Sipas tij, një detyrë e tillë mund t’i caktohet paqeruajtësve të OKB-së.

Mësimet nga Kosova…

Përvoja prej një çerek shekulli e Kosovës me paqeruajtësit ndërkombëtarë, besohet se mund të ofrojë njohuri të vlefshme.

Ivan Vejvoda, bashkëpunëtor i lartë në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, thotë se, së pari, çdo mision paqeruajtës në Ukrainë duhet të përfshijë të gjitha palët.

“Të gjithë akterët duhet të jenë pjesë e këtij procesi – natyrisht agresori, Rusia, vendi që u pushtua, Ukraina, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja”, thotë Vejvoda për Radion Evropa e Lirë.

“Pra, ka shumë pjesë të këtij pazlli për një mision paqeruajtës të suksesshëm”, thekson ai.

“Ajo që mund të mësohet është nevoja për të forcuar themelet e paqes dhe për të treguar vullnet politik. Por, natyrisht, në kushte të drejta – veçanërisht për Ukrainën, një shtet sovran evropian që u pushtua pa asnjë arsye nga fqinji i saj me armë bërthamore, Rusia”, nënvizon Vejvoda.

Ai po ashtu shtoi se ngjarjet e marsit të vitit 2004 në Kosovë, bënë që trupat e NATO-s ta “rimendonin strategjinë për ruajtjen e paqes dhe rendit”.

“KFOR-i mësoi një leksion të rëndësishëm dhe komandantët kuptuan që rreziqet ishin më të mëdha sesa mendonin në vitin 1999”, shton ai.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, gjatë një vizite në Kosovë, më 11 mars, tha se dërgimi eventual i forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga Evropa në Ukrainë mund të ndikojë në rishikimin e pranisë së trupave edhe në Ballkanin Perëndimor.

Pavarësisht nëse do të arrihet pajtim për të dërguar mision ushtarak paqeruajtës në Ukrainë, serbë dhe shqiptarë të Kosovës besojnë se një forcë paqeruajtëse do t’i krijonte kushtet për paqe mes ukrainasve dhe rusëve.

Zorani thotë se “pa praninë e trupave paqeruajtëse nuk do të ishte e mundur të vendosej paqja e vërtetë”, ashtu sikurse edhe fqinji i tij, Nuredini që thotë se “në çdo shtet që ka luftë nevojitet një forcë si KFOR-i” për stabilizimin e gjendjes.


Send this to a friend