VOAL

VOAL

Hovenier: Kriza në veri të Kosovës ishte e panevojshme dhe dëmtoi marrëdhëniet e saj më SHBA-në

VOA

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha të martën se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, ai tha se kriza ishte e panevojshme dhe paraqet kthim prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe siç ka thënë sekretari i Shtetit Antony Blinken do të ndikojë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

“Shenja e parë e kësaj është vendimi i natës së kaluar i komandantit të Forcave amerikane në Evropë, Christopher Cavoli, për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”. Për Kosovën kjo stërvitje ka marrë fund”, tha ambasadori Hovenier.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar kryeministrit Albin Kurti të marrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, por ai nuk u është përgjigjur kërkesave.

“Po e shqyrtojmë çfarë hapash të tjerë do të ketë. Më duhet të them se në këtë moment, Shtetet e Bashkuara nuk kanë shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike”, tha ai duke shprehur keqardhjen për këto zhvillime.

Megjithatë ai shfaqi shpresën se kryeministri Kurti do ta pranojë këshillën amerikane dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri.

Ambasadori Hovenier, tha se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për qeverinë e Kosovës: të mos ngulë këmbë që kryetarët (që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga partitë serbe) të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.

“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen vende alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, tha ambasadori Hovenier, duke përmendur faktin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në vende alternative.

“Ne besojmë se prania e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ai duke theksuar se këto dy veprime do të ndihmonin në uljen e tensioneve.

I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, paraqet kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan tha se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat marrëdhëniet janë të tensionuara, i mobilizojnë forcat e tyre.

“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e qeverisë së Kosovës, që e kanë krijuar këtë krize në veri”, tha ai duke nënvizuar se ulja e tensioneve do ta kthente vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë pajtuar në muajin mars.

“Të dyja palët duhet ta zbatojnë atë plotësisht. Ajo e zgjidh edhe situatën në veri. Kjo është një nga arsyet përse ne presim që qeveria të punojë urgjentisht në procesin e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ambasadori Hovenier.

Dy kryetarë punojnë nga objektet komunale, një nga Zyra për Komunitete

RFE/RL

Kryetari Leposaviqit, Lulzim Hetemi, dhe ai i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, gjenden në objektet e komunave përkatëse, bënë të ditur burimet e Radios Evropa e Lirë.

Siç merr vesh REL-i, kryetari i Leposaviqit ka mbetur brenda objektit të komunës që nga dita e djeshme, për “arsye sigurie”.

Me gjithë përpjekjet, REL-i nuk arriti të bjerë në kontakt me Hetemin.

Ndërkaq, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se është duke punuar nga Zyra për Komunitete në fshatin Lipë të kësaj komune, e jo nga objekti komunal.

“Këtu sot e kemi filluar punën… Tash, le ta shohim”, tha shkurtimisht ai më 30 maj.

Për të dytën ditë me radhë, serbët në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok po protestojnë, duke kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë. Ata po kërkojnë po ashtu tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga veriu i shtetit.

Tensionet në veri u rritën në veri më 26 maj, kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet, 30 trupa të KFOR-it u lënduan dhe dhjetëra protestues.

Pesë persona janë arrestuar pas përleshjeve në Zveçan.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunalë nëntorin e kaluar. Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Opozita dënon dhunën në veri, bën thirrje për shtensionim

Dhuna gjatë përleshjes së disa protestuesve me ushtarët e KFOR-it, Zveçan 29 maj 2023.

RFE/RL

Partitë opozitare në Kosovë kanë bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri, si dhe kanë dënuar sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe gazetarëve.

Partia Demokratike të Kosovës (PDK), duke shprehur shqetësim për tensionet e krijuara, u kanë kërkuar krerëve institucionalë në Kosovë që të “ndikojnë në qetësimin e situatës, rikthimin e normalitetit dhe evitimin e përshkallëzimit të mëtutjeshëm të gjendjes”.

“Rikthimi i normalitetit është parakusht i fillimit të një qeverisjeje komunale të mirëfilltë, gjithëpërfshirëse dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të komunave në pjesën veriore të vendit”, thanë PDK në një deklaratë të postuar në Facebook.


Kjo parti, tha se “e kupton drejt seriozitetin e situatës dhe tensionin e ngritur në komunat e pjesës veriore të vendit” dhe ftoi presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti që “të mbledhin urgjentisht Këshillin e Sigurisë së Kosovës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thotë se veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës në komunat në veri.

“Koordinimi me miqtë tanë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sulmet e dhunshme dhe të paprovokuara, sipas LDK-së, nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë.

LDK thotë se institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë.

Për situatën në veri ka reaguar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se “sulmet kriminale ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe forcave të rendit, janë të papranueshme dhe duhet të ndalen menjëherë”.

Ai iu ka bërë thirrje të gjitha palëve që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për qetësimin e situatës.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Ndërsa të hënën e 29 majit, të paktën 25 ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë mbetur të plagosur si pasojë e përleshjeve me qytetarët serbë në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe.

Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

KFOR-i shpërndan protestuesit serbë dhe liron rrugën për të kaluar makinat e policisë

Pas qetësimit të përkohshëm të situatës në veri të Mitrovicës, protestuesit serbë tentuan sërish të bllokojnë veturat e policisë së Kosovës.

Megjithatë, ishin trupat e KFOR-it që ndërhynë dhe bënë gjithçka që të lirohet rruga dhe të kalojnë automjetet e blinduara të policisë.

Një video amatore shfaq momentin kur veturat e policisë kalojnë, dhe KFOR-it shpërndanë turmën që me çdo kusht po tentonin të bllokonin ato mjete të policisë.

Kujtojmë që pas kërkesës për lirim të rrugës për qarkullimin e automjeteve, serbët e kishin bërë të kundërtën-ishin ulur në asfalt.

Aty detyroi pjesëtarët e KFOR-it që të ndërhyjnë për të shpërndarë turmën, me qëllim që të sigurohet kalimi i veturave policisë.

Këtë kërkesë për lirimin e rrugës e kishin bërë pjesëtarët e KFOR-it përmes altoparlantës, por serbët kishin refuzuar kategorikisht-ku si pasojë erdhi deri te përleshja mes tyre.

Ata përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, të cilët vetëm sa u zhvendosën një lagje më poshtë se ku po qëndronin më parë. syri.net

KFOR ndërhyn në Zveçan, shpërndahen protestuesit

Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërhyri për shpërndarjen e protestuesve në Zveçan. Paraprakisht KFOR paralajmëroi protestuesit që të shpërndahen, por ata nuk u bindën.

“Ju po shkaktoni trazira. Po e rrezikoni veten dhe komunitetin tuaj. Largohuni nga zona dhe shkoni në shtëpi – në të kundërtën, KFOR-i do të detyrohet të ndërhyjë”, ishte audio-paralajmërimi i KFOR-it.

Gaz lotsjellës, flakë dhe shtëllunga tymi kanë përfshirë zonën, ndërkohë që dëgjohen edhe sirena./REL

Rada Trajkovic: Kjo media ruse në Serbi duket se dëshiron që ne të hyjmë sërish në luftë me NATO-n!

Rada Trajkovic në Twitter:
“Kjo media ruse në Serbi duket se dëshiron që ne të hyjmë sërish në luftë me NATO-n për hir të interesave të fuqive të huaja. Pa @NATO_KFOR Sot në Kosovë nuk do të kishte serb. Kushdo që i mbijetoi 17 marsit 2004 e di këtë. Ata e kryejnë misionin e tyre pa paragjykime dhe duhet të sigurojnë lirinë e lëvizjes.”

Shtuan prezencën- KFOR: Po punojmë në zbutjen e situatës në veri

Misioni i NATO-s në Kosovë ka njoftuar se me stafin e tij po punon në zbutjen e situatës në veri, si dhe se është në kontakt me institucionet e Kosovës dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë.

Në një komunikatë drejtuar mediave, KFOR-i tha se ka shtuar praninë në komunat veriore të Kosovës “për të siguruar një mjedis të sigurt për lirinë e lëvizjes”.

“Komandanti i KFOR-it dhe stafi i tij po punojnë për zbutjen e situatës dhe janë në kontakt me të gjitha palët, duke përfshirë përfaqësuesit e institucioneve dhe të organizatave të sigurisë në Kosovë dhe me Forcat e Armatosura të Serbisë. Raportimet e mediave për një takim me Goran Rakiqin janë të pabaza, po ashtu edhe pretendimet se komandanti i KFOR-it ka bërë ndonjë paralajmërim për të shtëna në Zveçan”, thuhet në komunikatë.

Edhe sot paradite, Misioni i KFOR-it në Kosovë u ka bërë thirrje palëve të përmbahen nga veprimet që nxisin tensione ose shkaktojnë përshkallëzim të situatës.

Në një komunikatë të publikuar në Twitter, KFOR-i tha se ka shtuar praninë e tij mëngjesin e së hënës në veri, pas zhvillimeve të fundit, ndërsa i ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit të angazhohen për dialog.

“Në përputhje me mandatin e tij, KFOR-i është i gatshëm të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të siguruar një mjedis të sigurt në mënyrë neutrale dhe të paanshme. Komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt të ngushtë me bashkëbiseduesit e tij kryesorë, duke përfshirë përfaqësuesit e Institucioneve dhe Organizatave të Sigurisë në Kosovë, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, si dhe me misionin e udhëhequr nga BE-ja për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ndërkombëtar. KFOR-i i kërkon Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e udhëhequr nga BE-ja për të ulur tensionet dhe si e vetmja rrugë drejt paqes dhe normalizimit”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.syri.net

Gazetarët shqiptarë strehohen brenda objektit të Komunës në Zveçan

Për shkak të situatës së tensionuar, policia e Kosovës ka strehuar brenda objektit të komunës disa gazetarë shqiptarë.

Pas provokimeve të ndryshme dhe dhunën graduale të protestuesve serb, policia e Kosovës ka vendosur që të fus brenda objektit gazetarët shqiptarë të cilët po qëndrojnë në një sallë të objektit.

Brenda objektit është futur edhe një gazetare serbe, por më pas është nxjerrur jashtë ngase e njëjta ka futur në objekt me qëllime të caktuara dhe jo për siguri. syri.net

Protestuesit serbë po shpojnë gomat e veturave të mediave të Kosovës

Protestuesit serbë po radikalizojnë veprimet e tyre në Leposaviq.

Para pak minutash protestuesit kanë filluar të dëmtojnë veturat e mediave që po qëndrojnë në terren për të ndjekur situatën e fundit në veri.

Veturave përveç që i janë shpuar gomat, ato janë ngjyrosur me simbole nacionaliste nga protestuesit serb. syri.net

Përfundon takimi mes kryetarëve të veriut dhe ambasadorit amerikan

RFE/RL

Ka përfunduar takimi midis kryetarit të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe atij të Zveçanit, Ilir Peci, me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.

Takimi u zhvillua në zyrat e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe në të nuk morën pjesë krerët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut, që vijnë nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

Pas takimit, ambasadori amerikan Hovenier është parë duke u larguar nga zyrat e BE-së në Prishtinë.

Sipas gazetarëve në terren, ambasadori Hovenier u pa duke hyrë më pas në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, më herët gjatë të hënës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë pjesëmarrjen në këtë takim.

I pyetur nëse gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij në objektin e komunës së Zubin Potokut, Zeqiri, tha se nuk mund ta di tani për tani.

“Nuk e di nëse do të shkoj në zyre sot. E kam agjendë shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, që është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ende nuk dihet nëse kryetarët e tjerë do të marrin pjesë në këtë takim.

Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Përveç Policisë së Kosovës, që gjendet para ndërtesave komunale, në veri është vërejtur shtim i pranisë së pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër ato që i cilësuan si “masa të dhunshme” të Qeverisë së Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës “përshkallëzuan tensionet pa nevojë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.

Hovenier thërret në takim kryetarët e rinj të veriut

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thirrur në takim tre kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Kreu i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha për Radion Evropa e Lirë, se do të marrë pjesë në takim me ambasadorin Hovenier dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë.

Zeqiri tha se takimi do të mbahet në ora 9:00 në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

I pyetur nëse gjatë ditës do të shkojë në zyrën e tij në objektin e komunës së Zubin Potokut, Zeqiri, tha se nuk mund ta di tani për tani.

“Nuk e di nëse do të shkoj në zyre sot. E kam agjendë shumë të ngjeshur. Ta shohim gjatë ditës”, tha Zeqiri, që është nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ende nuk dihet nëse kryetarët e tjerë do të marrin pjesë në këtë takim.

Më 29 maj, grupe të serbëve lokalë janë mbledhur para ndërtesave komunale në veri për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë.

Përveç Policisë së Kosovës, që gjendet para ndërtesave komunale, në veri është vërejtur shtim i pranisë së pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Pas përleshjeve mes Policisë së Kosovës dhe serbëve lokalë më 26 maj, Shtetet e Bashkuara dënuan ashpër ato që i cilësuan si “masa të dhunshme” të Qeverisë së Kosovës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se veprimet e Qeverisë së Kosovës “përshkallëzuan tensionet pa nevojë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, por “çdo opsion tjetër do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese”.

Zgjedhjet lokale në veri u mbajtën pasi nëntorin e kaluar, krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj. rel

Ministri Xhelal Sveçla në Leposaviq: Këtu është Republikë e Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ishte për vizitë në Leposaviq, ku u prit nga kryetari i ri i komunës, Lulëzim Hetemi. Ministri Sveçla bëri të ditur se qëllimi i vizitës atje ishte për t’i shprehur mbështetjen institucionale kryetarit të ri.

“U pajtuam se të gjitha institucionet vendore, qoftë qendrore, qoftë lokale, kanë për detyrë t’i shërbejnë qytetarëve të vendit dhe përkundër vështirësive të gjitha do t’i tejkalojmë”, deklaroi ministri Sveçla para mediave.

I pyetur se a do të qëndrojnë edhe më tej njësitet e Policisë së Kosovës, ministri Sveçla u përgjigj se këtu është Republikë e Kosovës. Për dallim nga dje, situata sot është e qetë.  syri.net

Deputeti i VV: Shqiptari Edi Rama po sillet si i huaj ndaj Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po sillet si i huaj në raport me Kosovën.

Rrustemi tha se ka pritur që në këto raste, spektri shqiptar të jetë i bashkuar.

“Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë dhe shqiptar po sillet si ndërkombëtar, si i huaj në raport me Kosovën. Është për të ardhur të keq. Është e rëndësishme që spektri shqiptar të jetë i bashkuar në këtë rast. Kosova po përmbush detyrimet e saj ligjore dhe kushtetuese. Rama duhet të sillet si kryeministër shqiptar. Nuk mund ta përfytyroj se si shteti i së drejtës po i kontribuon tensioneve”, tha deputeti i VV në “Interaktiv” të KTV-së.

Ai tha se edhe partitë politike opozitare të Kosovës duhet të jetë unike për sovranitetin e vendit.

“Spektri politik duhet të jetë unik sa i përket ligjshmërisë dhe sovranitetit të vendit. Nuk mund të kuptoj sjelljen e partive opozitare të Kosovës. Ne kemi detyrim zbatimin e kushtetutshmërisë”, ka thënë Rrustemi.

“Dhuna duhet të ndalojë menjëherë”, policia e Kosovës hyri në komunat në veri të vendit, SHBA e prerë: Dënojmë aksionin!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Ambasadori i SHBA në Kosovë, Jeff Hovenier, ka thënë se dhuna në veri duhet të ndalohet menjëherë.

“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Dhuna e sotme duhet të ndalohet menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

Ndryshe, Policia e Kosovës hyri në objektet komunale të Zveçanit dhe të Zubin Potokut, përkundër rezistencës së një grupi qytetarësh.

Paraprakisht, policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj të komunave veriore: Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok, për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.bw

Betohen kryetari i ri i Zubin Potokut dhe ai i Zveçanit

Kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci, duke bërë betimin, 25 maj 2023.

RFE/RL

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe ai i Zveçanit, Ilir Peci, bënë të enjten betimin në pozitat e tyre.

“Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”, tha Zeqiri.

“Do të shkojmë në komunë të Zubin Potokut. Të gjitha objektet që u takojnë qytetarëve dhe komunës, do të jenë në posedim të të gjitha dikastereve të drejtuara nga kabineti [i komunës]”, tha ai pas betimit.

Ceremonia e betimit të Zeqirit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete në fshatin Çabër të Zubin Potokut, ndërsa Peci u betua në shkollën fillore “Isa Boletini” në fshatin Boletin të Zveçanit.

Betimin pritet ta bëjë edhe kryetari i ri i Leposaviqit, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut e ka bërë më 19 maj.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, gjatë betimit, 25 maj 2023.

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, gjatë betimit, 25 maj 2023.

Katër komunat në veri kanë qenë pa kryetarë qysh në fillim të nëntorit, kur udhëheqësit e tyre – që të gjithë nga Lista Serbe – kanë dhënë dorëheqje.

Institucionet e Kosovës i kanë braktisur edhe zyrtarë të tjerë serbë në veri, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë, për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se qytetarët serbë janë të frikësuar nga Beogradi zyrtar, por ka theksuar se Qeveria e tij synon t’i funksionalizojë institucionet, në mënyrë që të garantohen shërbime publike për të gjithë qytetarët.

Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të ndaluar, siç ka thënë, “represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”.

Edhe pse nuk ka sjellë ndonjë provë për këto pretendime, ai ka thënë se, në të kundërtën, “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor” me “të gjitha mjetet”.

Simiq nuk ka specifikuar më shumë.

Reagimet nga Beogradi

Nga Beogradi zyrtar ka pasur, po ashtu, reagime kundër kryetarëve shqiptarë në komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kjo është përpjekje për “presion mbi serbët” që “të largohen nga shtëpitë e tyre”.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur
“pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre, “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan ta dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

As Vuçiq, as Petkoviq nuk kanë ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tyre.

Çfarë ka thënë komuniteti ndërkombëtar?

Shtetet e QUINT-it (SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia) kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme për komunat e përfshira, për shkak të bojkotimit nga komuniteti serb.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët, të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku, me të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.

Kush është bosi i klanit kriminal të Malit të Zi i arrestuar në Gjilan, fshihej pas një identiteti të rremë në Kosovë

Bosi i klanit kriminal të Malit të Zi, i cili kërkohej me urdhër arrest ndërkombëtar nga Mali i Zi për vrasje dhe themelim të organizatës kriminale është arrestuar dje nga Policia Rajonale në Gjilan. Sinjali mëson se bëhet fjalë për Sergjan Juriseviq, i cili e kishte ndërruar identitetin në Kosovë.

Jurisheviq, pas ndalimit për verifikim nga Policia e Kosovës kishte paraqitur një letërnjoftim të Kosovës me emër Dragon Peic, i cili dyshohet se e kishte ndërruar identitetin në Mitrovicë.

Siç raporton Vijesti.me, Jurisheviq është pjesë e njërit prej grupeve më të mëdha kriminale në Mal të Zi, Klanit Kavaç, me seli në Kotor.

Pas arrestimit të tij, Policia ka njoftuar se të gjitha veprimet dhe procedurat e mëtejme, do të ndërmerren në koordinim me njësitin për bashkëpunim ndërkombëtar Fast Kosova nga Policia e Kosovës dhe institucionet përkatëse. syri.net

Hovenier: Kosova ta themelojë Asociacionin, nëse do të anëtarësohet në strukturat evropiane

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është detyrë urgjente e Kosovës.

Hovenier tha se Asociacioni është element thelbësor në marrëveshjen për normalizim të raporteve me Serbinë, dhe si i tillë duhet zbatuar për të siguruar anëtarësimin në strukturat evropiane dhe euro-atlantike, shkruan gazeta online Reporteri.net.

“Kosova është zotuar në vitin 2013 për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ne kemi qenë shumë të qartë publikisht për një kohë të gjatë dhe presim të bëhet dhe tani është më urgjente dhe në kohë sepse është një element fondamental i përgjegjësisë së Kosovës dhe përkushtimit të Kosovës edhe me Marrëveshjen e Brukselit por edhe kur bëhet fjalë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve”, deklaroi Hovenier në RTV 21.

“Ne duam ta shohim atë të ketë ecur përpara dhe atë urgjentisht dhe mendojmë se është koha tani. Jo sepse ne po provojmë të krijojmë probleme për Kosovën por në të kundërtën. Ne e kemi thënë shumë qartë se rruga e Kosovës për ta përmbushur vizionin e saj si një shtet i integruar plotësisht në strukturat evropiane dhe euro-atlantike bëhet vetëm përmes zbatimit të marrëveshjes bazë dhe aneksit. Dhe kjo nënkupton se detyra urgjente për Kosovës është që ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.

Kur u pyet për presionin që po i bëhet Kosovës për ta themeluar Asociacionin, Hovenier tha se ShBA ka vetëm qëllime të mira dhe se duan ta shohin Kosovën si shtet “shumëkombësh, sovran, i pavarur dhe demokratik”.

I njëjti shtoi se nuk është presion, por inkurajim.

“Merrni parasysh këshillat tona më të mira. Dëshirën tonë për të ndihmuar Kosovën të krijojë kushtet për të arritur këtë vizion të përbashkët”, u shpreh Hovenier.

Ai tha se ShBA e mirëpret draft-vizionin e kryeministrit Kurti për Asociacionin, por shtoi se tash duhet hyrë në çështjet praktike të hartimit të statutit që vë në zbatim këtë vizion.

“Deri në këtë kohë nuk kam parë më shumë, në kuptimin e një teksti specifik, nga ajo që është bërë publike”.

“Jam në dijeni se Ekipi Menaxhues ka paraqitur propozim në tavolinë, jam në dijeni se shumë veta kanë vlerësuar se ky propozim i Ekipit Menaxhues shkon përtej kësaj kornize apo kufizimeve që i përshkruajta. Në rregull. Marrëveshja e Brukselit e përshkruan se ekipi menaxhues e bën këtë punë dhe e paraqet propozimin në tavolinë, por Marrëveshja e Brukselit gjithashtu kërkon që palët pastaj e diskutojnë dhe e negociojnë atë”, tha ambasadori amerikan.

Sot betohen kryetarët e komunave në veri të Kosovës

RFE/RL

Në veri te Kosovës, sot pritet te betohen 3 kryetarët e rinj të komunave të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit. Të trija komunat janë të banuara me shumicë serbe.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e rinj do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”.

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, pritet ta bëjë betimin solemn në fshatin Çabër të kësaj komune, në objektin e zyrës komunale për komunitete.

Ndërsa në Zveçan, kryetari Ilir Peci, do ta bëjë betimin solemn në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune.

Që të tre kanë fituar mandatin për kryetar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në komunat veriore të Kosovës më 23 prill. Këto zgjedhje u organizuan pasi Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në vend, në shenjë proteste ndaj vendimit të qeverisë për targat, u largua nga institucionet e Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar. Pjesëmarrja në këto zgjedhje ishte 3.47 për qind.

Javën që shkoi, më 19 maj, kryetari i ri Mitrovicës së Veriut – komunë gjithashtu e banuar me shumicë serbe, Erden Atiq, e ka bërë betimin para kuvendit komunal.

Derisa Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se qytetarët serbë janë intimiduar nga Beogradi zyrtar për të mos dalë në votime, por theksoi se Qeveria e Kosovës synon t’i funksionalizojë institucionet dhe punën në këto komuna, në mënyrë që të garantohen shërbimet publike për të gjithë qytetarët.

“Kjo nuk është zgjedhje, është obligim yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend, sepse të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në Republikë”, u shpreh Kurti në mbledhjen e Qeversë më 24 maj.

Në anën tjetër, Lisa Serbe ka kundërshtuar zgjedhjet kryetarët e rinj në veri.

Nënkryetari i saj, Igor Simiq i ka dhënë ultimatum Qeverisë së Kosovës deri më 1 qershor për të “ndaluar represionin, shpronësimin, arrestimin, persekutimin dhe sulmet ndaj serbëve”, në të kundërt “përgjigjja e popullit serb do të pasojë më 1 qershor, ata do ta mbrojnë veten me të gjitha mjetet”.

Edhe nga Beogradi zyrtar ka pasur reagime që kundërshtojnë ardhjen në pushtet të kryetarëve shqiptarë në komunat të banuara me shumicë serbe. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq duke nënvizuar se “ata nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, ka thënë se kjo është përpjekje për presion mbi serbët që të largohen nga shtëpitë e tyre.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq e ka quajtur “pushtim” ardhjen në detyrë të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut Erden Atiq, duke thënë se me veprimet e tyre “Kurti dhe Prishtina [zyrtare] duan të dëbojnë popullin serb nga Kosova dhe të provokojnë luftë”.

Shtetet e QUINT-it kanë shprehur shqetësimin e tyre për zgjedhjet lokale të mbajtura në veri të Kosovës më 23 prill, duke thënë se ato nuk përbëjnë zgjidhje politike të qëndrueshme afatgjatë për komunat e përfshira, për shkak të bojkotit nga komuniteti serb.

QUINT-i përbëhet nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët të publikuar më 18 maj, këto shtete u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve “që urgjentisht të punojnë së bashku mes vete të gjitha palët e interesuara, përfshirë komunitetet lokale, drejt një zgjidhjeje që siguron demokraci të qëndrueshme, përfaqësuese dhe pjesëmarrëse në këto komuna”.

Betimi i kryetarëve në veri mobilizon EULEX-in, ‘gatishmëri 24 orë për të reaguar’

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) është duke ndjekur nga afër zhvillimet në veri të Kosovës përmes pranisë së njësisë së saj të formuar policore dhe njësisë policore të formuara rezervë.

Ata kanë thënë se këtë monitorim po e bëjnë në koordinim me këshilltarët e tyre të lartë policor dhe stafit tjetër të pranishëm në zonë, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.

Niveli i gatishmërisë është rritur me rastin e betimit të kryetarëve të rinj të zgjedhur në katër komunat e veriut të Kosovës.

Nga EULEX-i thonë se janë në gatishmëri 24 orë për të reaguar nëse është nevoja.

“Përveç kësaj, një Forcë e Reagimit të Shpejtë është në gatishmëri 24 orë në ditë në Mitrovicë, me kohë shumë të shkurtër reagimi. Duke marrë parasysh ceremoninë e betimit, EULEX-i ka rritur nivelin e gatishmërisë së tij”, kanë thënë nga EULEX-i.

Nga ky mision kanë thënë se janë të gatshëm ta mbështesin Policinë e Kosovë, nëse kjo nevojitet ose kërkohet.

“Njësia e Formuar Policore e Misionit dhe Njësia Policore e Formuar Rezervë janë të gatshme të mbështesin Policinë e Kosovës si reagues i dytë i sigurisë, nëse kërkohet dhe nëse nevojitet, në ruajtjen e stabilitetit të Kosovës dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj”, thuhet më tej në përgjigjen e EULEX-it për Front Online.

Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 19 maj ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.

Pas betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, mbeten të bëjnë betimin edhe ata të komunave Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Nga të tri këto komuna, vetëm Zubin Potoku ka asamble funksionale.

Bashkësia ndërkombëtare ka njohur ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 23 prillit, por ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen në zgjedhje të partive nga komuniteti serb.

Megjithatë, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se ka pasur një pjesëmarrje të vogël të votuesve në zgjedhje dhe se zgjedhjet në veri “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”.

Nga blloku evropian u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje politike, në bazë të së cilës, serbët do të ktheheshin në institucionet e Kosovës. syri.net

Elfije Ejupi Shatrolli, që jeton me kujtimet e djalit të vetëm Rrahim Ali Shatrolli, vrarë në Vushtrri, më 22 maj 1999 nga policë e paramilitarë serbë Nga ARIF EJUPI

Elfije Ejupi Shatrolli, sot në prag të 85-tave, i përket brezit të nënave shqiptare që shquhen për guxim e qëndresë.

Ajo dhe shoqet e saj edhe pse të goditura mu në zemër nga regjimi i kriminelit Milosheviq, qëndruan të pamposhtura, sikurse Kalaja e Rozafës, përballë stuhive dhe rrebesheve që i sillnin motet e liga.

Elfije Ejupi Shatrolli e lindur më 25 korrik të vitit 1937 në Vendenis ( ish-Gllamnik ) të Besianës, qëkur ishte 8 vjeçe mbetet pa baba.

Ajo derisa po qëndronte së bashku me prindërit Arifin dhe Kadiren, si dhe motrën Nafijen tek halla e saj Zet’hane Ejupi Hashani, në Kastriot (ish-Obiliq) xhandarë e ushtarë bullgarë ia keqtrajtojnë rëndë babain Arifin.

Familja Ejupi ishte strehuar tek dhëndëri i saj Fazli Hashani, si pasojë e përndjekjes nga ushtritë bullgare dhe çetnike, të cilat ato ditë pamëshirshëm po e vrisnin dhe po e plaçkitnin fshatarësinë e paarmatosur të regjionit të Llapit.

Ndërkohë këto ushtri të përbëra nga kusarë e vrasës shtrihen edhe në Kastriot e Fushë-Kosovë.

Arifi duke menduar që me kalimin e tyre në këtë pjesë, shtëpitë e tyre janë liruar, niset për t’i vizituar ato.

Ai gjatë rrugës në fshatin Shkabaj (ish-Milloshevë) të Kastriotit, has në dy patrulla të xhandarmërisë bullgare. Katër-pesë xhandarë e ndalojnë Arifin dhe e kontrollojnë hollësisht. Atij i gjendet në xhepin e xhaketës një revolver me disa fishekë.

Kjo merret si pretekst dhe ai keqtrajtohet mizorisht nga xhandarë e ushtarë bullgarë. Në pamundësi për ta marrë ndihmën e parë mjekësore Arifi, vdes pas dhjetë ditësh.

Meqenëse të afërmit e tij ishin ende të shpërndarë nëpër fshatrat e Kosovës, ai varroset nga dy-tre persona të panjohur në varrezat e vjetra të Kastriotit ( ish-Obiliqit).

Fatkeqësisht, sot e kësaj dite nuk dihet saktë se cili është varri i tij. Krahas bullgarëve që njiheshin si hajdutë me damkë, e të egër në sjellje, Lideri i ish-Jugosllavisë komuniste, Josip Broz Tito, vitin 1945,në Kosovë e shpall si vit të luftës kundër “reaksionit”

Nëpërmjet të këtij aksioni mllefin e tyre shoven ndaj shqiptarëve e shfryjnë policë e ushtarë serbë.

Ata në emër të kësaj lufte me fajin e vetëm pse ishin shqiptarë edhe pse jetonin prej mileniumeve në tokat e tyre, i vrasin mbi 55-mijë burra, gra e fëmijë.

Ai regjim vrasës edhe pse e dinte mirë që Arifi, e luftonte fashizmin, sikurse pjesa dërrmuese e shqiptarëve të tjerë, asnjëherë s’ ia njohu statusin prej luftëtari të LNÇ-së.

Qëllimi i serbo-sllavëve ishte minimizimi i kontributit të shqiptarëve në Luftën Antifashiste.

Ata një vit më herët në bashkëpunim me disa sahanlëpirës e zagarë të tyre në Tauk-bahçe të Prishtinës, i pushkatojnë 300 intelektualë të njohur shqiptarë, të cilët me ngulm luftonin për ruajtjen e Shqipërisë së plotë.

Elfijes pas vdekjes së babait nëna i martohet gjetiu. Ajo dhe motra e saj më e madhe Nafija, do të jetojnë së bashku me xhaxhain e tyre Sherifin dhe bashkëshorten e tij Zahide Tahiri Ejupi.

Edhe pse në kushte të rënda ekonomike dhe të shkërmoqur nga lufta si Sherifi ashtu edhe Zahidja, do të kujdesën për dy vajzat bonjake të Arifit, dyfish më tepër se sa për fëmijët e tyre.

Pas humbjes së babait dhe martesës së nënës Elfijen, do ta godasë edhe vdekja e papritur e motrës së saj Nafijes. Ajo e martuar me Idriz Zabelin e fshatit Kunovik të Vushtrrisë, do të vdes pas një viti si lehonë.

Kurse, Elfija me të arritur moshën madhore martohet me Ali Zymer Shatrollin e fshatit Ceceli të Vushtrrisë.

Aliu një njeri dashur dhe punëtor së bashku me vëllezërit e tij Selimin,Halimin dhe Bislimin, gjatë viteve 1963-1964 do të kalojnë në Vushtrri.

Aliu nis të punojë si punëtor ndërtimi në ndërmarrjen lokale “Kosova “të Vushtrrisë. Ai në pamundësi për t’u shkolluar vazhdimisht thoshte “njeriu i paarsimuar është i verbër dhe i pavlerë, shfrytëzojeni rastin dhe shkollohuni, bëni sa më shumë fakultete e shkolla të larta, se vetëm kështu çlirohemi nga çizmja e huaj”

Këtë dëshirë të tij të zjarrtë do t’ia plotësojnë fëmijët e tij, e sidomos djali i tij i vetëm Rrahimi.

 

AI SI FËMIJË I SHËNDOSHË DHE INTELIGJENT DO TË JETË NJËRI NGA NXËNËSIT MË TË MIRË NË SHKOLLËN 8-VJEÇARE

 

“Boris Kidriq” të Vushtrrisë, e transformuar më vonë në gjimnazin” Muharrem Bekteteshi”

Sukses të ngjashëm Rrahimi do të shënojë edhe në Shkollën e Mesme Teknike të Mitrovicës, që po ashtu mbante emrin “Boris Kidriq”.

Rrahimi ishte një novator i vërtetë. Atij çka i shihnin sytë ia punonin duart. Si nxënës i vitit të dytë merrej edhe me instalimin e rrjetit elektrik. Atyre që nuk qëndronin mirë materialisht asnjëherë nuk u kërkonte të holla.

Kohën e lirë e kalonte duke lexuar libra dhe shikuar filma, me temë nga ngjarjet mbi Shqipërinë dhe ato ndërkombëtare.

Rrahimi mbi çatinë e shtëpisë e pati vendosur një antenë parabolë, me një përforcues nëpërmjet së cilës i ndiqte drejtpërdrejt edhe zhvillimet në vendin Amë-Shqipëri.

Nga veprat e autorëve tanë i pëlqente ato të Ismail Kadaresë dhe Anton Pashkut, kurse nga të huajit ato të Rabindranat Tagora, Thomas Mann, Herman Hesse, Pablo Neruda etj.

Me të përfunduar me sukses të shkëlqyeshëm Shkollën e Mesme Teknike në Mitrovicë, Rrahimi punësohet si projektues ndërtimi, në ndërmarrjen ndërtimore “Kosova” të Vushtrrisë.

Pashkëputje nga puna i vazhdon edhe studimet në Fakultetin e gjeoshkencave në Mitrovicë.

Edhe pse shtëpia ku jetonte me prindërit Aliun dhe Elfijen, si dhe motrat Nafijen, Naxhijen, Sevdijen e Sanijen, ishte përdhesëse dhe e vogël, nga restaurimi që i kishte bërë Rrahimi, kishte marrë pamje krejt tjetër dhe ishte bërë tërheqëse për të gjithë.

Rrahimi pas përmirësimit të kushteve ekonomike martohet me zonjën Sadije Cimili, nga Vushtrria, e cila po ashtu punonte në Fabrikën e tekstilit “Polet “të këtij qyteti.

 

Rrahimi dhe Sadija, pa menduar që do të jenë në shënjestër të kriminelëve serbë, me ato pak gjëra që i kishin ndiheshin të kënaqur.

Mirëpo, rrugëtimin drejt një jete më të mirë atyre do t’ua ndërpresë dora e zezë e krimit serbë.

Më 22 maj 1999, në orët e para të mëngjesit shtëpia e Rrahimit, rrethohet nga policë e paramilitarë serbë.

Ata tamam në stil bishash të uritura futen në dhomën ku po qëndronte Rrahimi, pa i dhënë mundësinë as për t’i veshur këpucët, me tyta automatikësh mbi shpinë e nxjerrin nga shtëpia.

Nëna e tij, Elfije Ejupi Shatrolli e lemerisur nga këto skena mundohet t’i dalë në ndihmë, djalit të saj të vetëm Rrahimit, por pa sukses, ngase kriminelët nuk njihnin Zot e as mëshirë.

Ata donin që etjen e tyre prej kanibalësh ta shuanin me gjakun e civilëve të pambrojtur shqiptarë.

Nënë, Elfija këtë ditë tmerri e kujton duke thënë “njeriu qenka edhe më i fortë se sa guri dhe hekuri.” Kur i shihja ata katilë që i seleksiononin me një anë djem e vajza, që shkëlqenin nga bukuria e dija mirë që krimi do të ndodhë.”

Banda tjetër i kriminelëve e armatosur deri në dhëmbë ne të tjerëve na plaçkiti gjithçka që kishim.

Gruas së djalit tim Sadijes ia morën arin, deri edhe vathët ia shkulën nga veshët. Kurse, Aliut burrit tim orën e xhepit dhe ato pak të holla, që ia kishte dhënë Sadija për ushqime dhe nevoja të tjera.

Pastaj sikur të ishim kafshë na rreshtuan dhe na çuan në varrezat e vjetra të qytetit të Vushtrrisë.

Aty u krijua një gjendje e mjerë dhe e pashpresë. Serbët e dija që janë barbarë thotë Elfija, por nuk e dija që janë kaq racë e fëlliqur. Ata pa fajin më të vogël i masakruan djemtë dhe vajzat tona.

Pjesëmarrës në këtë masakër që ishte më e tmerrshme se edhe ato të Aushvicit, Mauthausenit, Dahut dhe Belsenit, janë edhe kolonët serbë që prej vitesh jetuan në Kosovë, si: Vuçina Janiçeveiq, Dragan Mihaloviq, Lubisha Simiq, Predrag Martinoviq. Jovica Laketiq, Dragan Petroviq, Zoran Vukotiq, Aca Konturoviq, Zoran Simiq, Tomisllav Pajkoviq, Zoran Paunoviq dhe njëfarë Milloshi dhe njëfarë Omeroviqi.

Të dhëna nga ky gjenocid që të rrëqethin trupin dhe të bëjnë për të quajtura me dënesë, sjell edhe motra e tretë e Rrahim Shatrollit, Sevdija, atëbotë 34 vjeç.

Sevdija kur kupton që vëllai i saj dhe 67-persona të tjerë të gjithë nga komuna e Vushtrrisë, janë masakruar në shtëpitë e Kahremon dhe Sezai Pasomës, si dhe në shtëpinë e Ramush Kutllovcit, që gjendeshin në rrugën “Abdullah Shabani” sot “22-Maj” pa menduar se mund ta ketë fatin e njëjtë me të masakruarit, niset nga fshati Shtruherë (ish- Shitaricë) dhe shkon në vendngjarje.

Me të arritur tek shtëpia e Karhimonit sheh lum gjaku. Kur futet brenda në dhoma tmerrohet kur sheh rroba të lara në gjak dhe dokumente të identitetit po ashtu të zhytura në gjak.

Ajo me lot në sy rrëfen edhe momentin kur në banjën e shtëpisë së Kahremon Pasomës, e kishte gjetur vaskën e mbushur me gjakun e vëllezërve, nënave dhe motrave tona.

Kriminelët serbë duke menduar se do t’i humbin gjurmët e krimit njëherë e përgjithmonë, trupat e gjymtuar të të vrarëve në shtëpitë e Kahremonit, Sezaiut dhe Ramushit, i ngarkojë në kamionët me frigorifer të mbyllur hermetikisht dhe i çojnë në Batajnicë të Beogradit.

Serbia edhe më herët e njohur si e keqja e Ballkanit, nisë lojën e saj të pistë dhe vite me radhë nuk ua kthen familjeve shqiptare eshtrat e më të dashurve të tyre.

Ajo nën presionin ndërkombëtarë sidomos atë të SHBA-ve, do t’i kthejë në etapa të ndryshme eshtrat e të masakruarve më 22 maj 1999, në qytetin e Vushtrrisë.

Se vërtetë në Vushtrri krimi ishte i projektuar nga krimineli i njohur Vuçina Janiçeviç, shef i Stacionit Policor në Vushtrri, gjatë kohës së kryekasapit Milosheviq, flet edhe fakti që ai pas kryerjes së masakrës, është dëgjuar të ketë thënë ”Ju lumtë trima e kryet atë që unë e dëshiroja prej kohësh”

Eshtrat e Rrahim Ali Shatrollit nga Batajnica e Beogradit, kthehen në Prishtinë dhe pas ekspertizës nga ekspertët e mjekësisë, i jepen familjes së tij.

Varrimi i tyre me prezencën e familjarëve, shokëve dhe miqve të shumtë, bëhet në varrezat e Vushtrrisë, më 4 tetor të vitit 2005.

Sadije Cimili Shatrolli duke i pasur çdoherë në mendje imazhet e kidnapimit të bashkëshortit të saj nga kriminelët serbë, fillon të ketë shqetësime serioze me shëndetin.

Ajo 6-7 muaj para se të mbërrijë kufoma e Rrahimit në Kosovë, diagnostikohet me një sëmundje të rëndë. Sadija nga mjekët e Shtëpisë së Shëndetit në Vushtrri, udhëzohet për vizita më të detajuara në Spitalin e Prishtinës.

Ajo pas shtrirjes në këtë spital i nënshtrohet një operacioni i cili rezulton i pasuksesshëm. Sadija vdes më 16 mars të vitit 2005, vetëm dy-tri orë pas asaj ndërhyrje kirurgjike, që për te ishte fatale.

Meqenëse, Rrahimi dhe Sadija ,ende nuk e kishin mbushur vitin e tretë të martesës ishin të pa fëmijë.

Ky fakt nënën e Rrahimit, Elfijen dhe katër motrat e tij, i bënë që të mërzitën dhe të vuajnë edhe më tepër.

Po ashtu me zemër të thyer e shpirt të lënduar më 10 gusht të vitit 2006, do të vdes edhe Aliu, i cili me padurim priste që vatra e shtëpisë së tij, të përtërihet me lindjen e ndonjë fëmije të Rrahimit dhe Sadijes.

Vushtrria e njihte Aliun si njeri të prajshëm dhe të sjellshëm, andaj vrasja e djalit të tij të vetëm i pati pikëlluar të gjithë.

Nëna e Rrahimit nga biseda që patëm me te thotë” qëkur isha fëmijë përjetova dhembje e pikëllim, për të mos mu ndarë deri në ditët e sotme.

Në këtë grumbull fatkeqësish shoh vetëm një të mirë, të katër vajzat i kam të martuara në familjeje të mira dhe djem të mirë. Kam nipa e mbesa të dashur e të bukur sikurse yjet në qiell.

Dhëndurët më respektojnë dhe nderojnë ngjashëm me vajzat e mia.

Gjithashtu edhe djemtë e axhës, të cilët çdoherë i kam konsideruar dhe i konsideroi tamam vëllezër, më vizitojnë shpesh dhe më marrin në vizita në shtëpitë e tyre. Madje, djali i axhës Isaku, që është nga 26 shtatori i vitit 1973 në Gjermani, më përkrah edhe materialisht.

Elfije Ejupi Shatrolli, edhe pse në moshë të shtyrë dhe e lënduar nga ngjarje e përjetime të shumta mendjen e ka të kthjellët sikur loti.

Ajo thotë “në banesën ku jam kam shoqe, që kanë pasur të njëjtin fat me mua. Unë dhe ato shpesh e evokojmë atë ditë të zezë të 22 Majit 1999, që na la pa djem e vajza, e që edhe sot na ndjek si hije deri në bashkimin me ta.

Elfija rrëfimin e saj e mbyll me porosinë:” Evropa të mos bëjë sehir, por të gjithë kriminelët e kësaj masakre t’i çojë në Hagë dhe t’ua japë dënimin e merituar. Në të kundërtën të mos zihen fare-fare në gojë fjalët ”Drejtësi” dhe ”Luftë kundër krimit.”

Jetës sime thotë Elfija dhe asaj të brezit tim mos i thënçin jetë. Përherë jetuam në ethe e ankth nga këta djaj të kuq, që në trojet tona shekullore erdhën nga Karpatet.

ARIF EJUPI

Qeveria e Kosovës thotë se komunat në veri do të funksionalizohen

RFE/RL

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është duke bashkëpunuar me kryetarët e zgjedhur të komunave në veri të Kosovës, për të organizuar seancat e asambleve komunale, si dhe betimin solemn të kryetarëve, bëri të ditur kreu i kësaj ministrie, Elbert Krasniqi.

Betimi para kuvendit komunal i kryetarit të zgjedhur të komunës është një procedurë solemne që shënon marrjen e detyrës.

Ministri Krasniqi tha për Radion Evropa e Lirë se të hënën, më 22 maj, do të jepen të gjitha informacionet se kur dhe ku do të mbahen seancat e asambleve komunale në komunat Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Megjithatë, ai theksoi se ende nuk janë saktësuar lokacionet për mbajtjen e seancave.

“Ende jo. Jemi në proces e sipër. Ekipet janë duke punuar për t’i definuar të gjitha këto procese”, tha Krasniqi.

Deri tash, betimin solemn para Kuvendit Komunal e ka bërë vetëm kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, më 19 maj.

Kryetarët e zgjedhur të tri komunave tjera të veriut të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Lulzim Hetemi në Leposaviq dhe Ilir Peci në Zveçan, ende nuk e kanë bërë betimin solemn.

Për dallim nga Zubin Potoku, i cili e ka asamblenë komunale funksionale, dy komunat tjera, Leposaviqi dhe Zveçani ende nuk i kanë të funksionalizuara ato.

Kryetarët e komunave nuk mund ta kryejnë betimin pa funksionalizimin e asambleve komunale, para të cilave solemnisht marrin detyrën.

Ministri Krasniqi nuk ka dhënë detaje se si do të funksionalizohen ato dhe në cilat objekte, si dhe ku do të funksionojë infrastruktura që mundëson punën e institucioneve komunale.

Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, ndërkohë që në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Zgjedhjet për kryetarët e katër komunave në veri të Kosovës jnëë mbajtur më 23 prill, pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar.

Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që bartnin targa ilegale të lëshuara nga Serbia, në targat legale RKS – Republika e Kosovës.

Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Gjermania, investitori më i madh i huaj në Kosovë

Gjermania është partner shumë i rëndësishëm i Kosovës.

Ky është vlerësimi që ka dhënë Nora Hasani, drejtoreshë ekzekutive në Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare. Ajo thekson se potenciali që të dy vendet ta thellojnë bashkëpunimin është i madh.

“Mundësitë janë që kompanitë tona të jenë të drejtuara dhe të investojnë e të kyçen në tregun gjerman. Afërsinë me Gjermaninë e kemi edhe për shkak të bashkatdhetarëve tanë”, është shprehur Hasani në emisionin e ekonomisë, Portofol në Klan Kosova FM.

Ajo ka theksuar se shteti gjerman prin sa i përket investimeve në vend.

“Gjermania vazhdon të mbetet investitori më i madh i huaj në Kosovë dhe partner kryesore për tregti”.

Ajo ka përmendur se nga viti 2007 vlera e investimeve të huaja direkte gjermane në Kosovë është mbi një miliard euro.

Trendi, sipas saj, është rritës edhe sa i përket shkëmbimeve tregtare, importit dhe eksportit.

Trajkoviç serbëve në Veri: S’kemi të ardhme në Kosovë nëse e ndiqni Vuçiçin

Këshilltarja e ministrit Nenad Rashiç, Rada Trajkoviç ka reaguar ndaj Listës Serbe për deklarimet rreth betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç.

Trajkoviç iu ka bërë thirrje atyre që të mos lejojnë të instrumentalizohen përsëri nga ata që Trajkoviç thotë se “iu është lëkundur pushteti në Beograd”.

Ajo tutje ka shkruar se flamuri i Republikës së Kosovës i vendosur në komunat e veriut “është vetëm rezultat i politikës së tij katastrofike”, duke lënë të kuptohet se e ka fjalën për presidentin serb, Aleksnder Vuçiç.

Trajkoviç në reagimin e saj u ka thënë serbëve të veriut se nëse do ta ndjekin Vuçiçin “për mbijetesë dhe në konflikt”, atëherë serbët s’kanë të ardhme në Kosovë.bw

Zeqirja Ballata pararendës i novatorizmit në muzikën shqipe, themelues i institucioneve muzikore në Kosovë Nga Iliriana Pylla

Këtë vit akademik, kremton 80 vjetorin e lindjes. Shkolla e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë ka organizuar dy manifestime mbi krijimtarinë e kompozitorit.

 

Në tribunën muzikologjike u mbajt ligjëratë me temën: ”Zeqirja Ballata, personaliteti dhe gjuha muzikore në veprat pianistike”, nga Dr. Indira Çipa. Ndërsa nxënës të shkollës së muzikës në Prishtinë, mbajtën koncert me këngë korale e vepra instrumentale të luajtura nga artistët e rinjë.

Dr. Çipa në fjalën e saj u shpreh se Ballata shquhet si kompozitor i veçantë i muzikës bashkëkohore. Veprat e tij janë shfaqur, pothuajse në tërë botën dhe janë cilësuar si arritje dhe kontribut dhënë jetës muzikore në përgjithësi.

“I falënderohem përkushtimit të profesorit, energjisë krijuese dhe personalitetit intelektual, vullnetit që të jetë i qëndrueshëm në krijimtarinë e tij, që së bashku me krijimntarinë që ka e ka deponuar në trashëgiminë tonë kulturore dhe ka bërë që nderi i zhvillimit muzikor të ngritet nga një hiq, në bashkëkohësinë muzikore. Sa i përket veprave të kompozuara, të dokumentuara janë 162, por fatkeqësisht ne kemi konstatuar me profesorin se janë disa vepra të humbura dhe për analizë neve na mbeten 167 vepra. Por sipas bisedave, ka gjasa që ky numër të arrijë 180 në bazë të titujve që profesori i ka përmendur”, ka thënë Çipa.

 

Ajo ka shtuar se nga modernizmi dhe elementet e caktuara i ndërthur dhe i punon në stil vetanak.

Vet kompozitori i cili këtë vit shënon jubileun e 80-të të lindjes tha se kemi nevojë për përkushtimin e profesionistëve në mënyrë që puna e kompozitorëve tanë të dalë në dritë.

“Dua t’ju falënderoj për këtë organizim pasi që më keni nderuar fort. Mendoj se kompozitorët duhet të vlerësohen, sepse mbajnë gjallë shpirtin krijues dhe kulturën e një kombi. Sado që investohet në kulturë, prapë se prapë nuk është mjaft. Sepse, nuk thuhet kot, popujt zhduken për shkak të kulturave e jo për shkak të politikave. Kemi nevojë për përkushtimin e profesionistëve në mënyrë që puna e kompozitorëve tanë me dalë në dritë në çfarëdo lloj forme“, ka thënë Ballata.

Nga ana tjetër përmes një performance që u duartrokit gjatë nga të pranishmit e shumtë, kori dhe orkestra e shkollës me solistë, artistë të ardhshëm interpretuan vepra të kompozitorit Zeqirja Ballata, Antonio Vivaldi e Camille Sain Saens.

Drejtoresha e shkollës ”Prenk Jakova”, Jeta Dida Bujari ndau mirënjohje në nderim të veprës, kontributit dhe krijimtarisë së begatë të kompozitorit.

 

Zeqirja Ballata u lind në Gjakovë më 1943. Pas Shkollës së mesme të muzikës në Prizren (’63), u diplomua me sukses të shkëlqyer (’67) dhe u magjistrua (’69) për kompozitor në Akademinë e muzikës në Lubjanë te akademikët Matija Bravniçar dhe Lucijan M. Shkerjanc. Ka studiuar edhe muzikologjinë (1965-69) në Fakultetin filozofik të Universitetit të Lubjanës. U specializua në Venecia te Virgilio Mortari (’69 e ’70), në Accademia musicale Chigiana në Sienë (Itali) te Franco Donatoni ( ’72 e ’73) dhe në Romë te Gofredo Petrassi (tetor ’72 – maj ’73).

Kompozitor me opus bashkëkohor prej më se 160 veprash pianistike, korale, solistike-instrumentale, kamertale, vokalo-instrumentale e simfonike të botuara në Slloveni, Kosovë, Holandë… të ekzekutuara në festivale/ koncerte në Kosovë, Shqipëri, Slloveni, Itali, Kroaci, Austri, Bullgari, Gjermani, Maqedoni, Francë, Mal të Zi. Ka realizuar koncerte autoriale në vend e jashtë (Lubjanë, Prishtinë, Maribor, Ulqin, Prizren, Gjakovë, etj.). Pianist me pjesëmarrje në koncerte/ festivale në Kosovë, Slloveni, Itali, Kroaci, Shqipëri, Serbi, Vojvodinë, Austri.

Pedagog në Shkollën muzikore “F. Shturm” në Lubjanë (1965-70) dhe në Shkollën e lartë pedagogjike në Prishtinë (1971-75). Koautor i Elaboratit për themelimin e Degës së muzikës (1975) të Fakultetit të arteve; doc. (1975-79), prof. inord. (1980-85) e prof. ord. (1986-91). Në vitet 1991-2007 këshilltar në Liceun artistik/ Konservatorin muzikor në Maribor. Që nga viti 2007 sërish prof. ord. për lëndët Kompozicion e Orkestracion në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.

Veprimtar aktiv në jetën muzikore: në vitet 1971-91 kryetar i Pleqësisë (1975-77), prodekan (1977-79) e dekan Fakulteti (1979-81); bashkë­themelues i Shoqatës së kompozitorëve të Kosovës (1972). Kryetar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës (1977-80 e 1990-91). Bashkë- themelues e kryetar i Festivalit “Ditët e muzikës kosovare” (1979). Kryetar i Bashkësisë së Akademive muzikore të RSFJ (1979-80). Kryetar i Shoqatës së pedagogëve muzikorë të Kosovës (1983-85). Kryetar i Garave fede­rative të nxënësve/studentëve të muzikës (1984). Anëtar korrespodent i (1996) dhe i rregullt (2000) i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Publicist me veprimtari studimore librash/ tekstesh universitare e shkollore, punimesh profesionale-shkencore në shtypin kombëtar e ndërkombëtar, kumtesash në simpoziume, konferenca, kongrese, tribuna mu­zikologjike. Eshtë i përfshirë në shumë publikime, leksikone, enciklo­pedi.

Ballata ka një opus të pasur të krijimtarisë si pianistike, korale, për kor meshkujsh, për kor të rinjsh/femrash, pastaj për kor pionierësh. Ka kompozuar dhjetëra pjesë solistike instrumentale, romanca për zë e piano, pjesë kamertale, vokalo instrumentale, orkestrale-koncertante e muzikore-skenike.

Kompozitorit Ballata I janë ndarë çmime e mirënjohje të shumta gjatë viteve. Dy çmime në Konkursin e B.K. të Shoqërive Muzikore të Kosovës, ’66, ’68. Çmimi universitar i Preshernit në Lublanë (1967). Çmimi I Festivalit Ndërkombëtar të Koreve në Celje, 1967, Shpërblimi i Dhjetorit i Kosovës, 1968. Dy çmime në Konkursin e RTV Prishtina, 1974, 1977. Dy çmime vjetore të Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës, 1977, 1989. Medalje me kurorë të argjentë e Presidiumit të RSFJ, 1981. Karta e Takimeve të Akademive Muzikore të RSFJ, Rovinj, 1981. Mirënjohja “Dr. Roman Klasinc” e Liceut artistik, Maribor (’03) dhe e Lidhjes së Pedagogëve Muzikorë të Sllovenisë, Maribor. Mirënjohja nga Colegium musicum i qytetit Malmo, Suedi, 2006. Pllaketa për vepër jetësore e Drejtoratit për kulturë, KK i Gjakovës, 2007. Çmimi për vepër jetësore “Dr. Roman Klasinc” e Konservatorit muzikor, Maribor, ’08. Mirënjohja e Ministrisë së Kulturës e Kosovës (2008).

 

Ambasadori i SHBA: Kryetarët e rinj të komunave në Kosovë, me rol teknik dhe jo politik

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier në një intervistë për Telegrafin ka folur për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, pak para se të marrin zyrtarisht detyrën e tyre katër kryetarët e rinj të zgjedhur.

Në këtë intervistë diplomati amerikan ka folur për rëndësinë e zgjedhjeve në Mitrovicë të veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, për pjesëmarrjen e ulët të qytetareve, por edhe për atë se çka presin Shtetet e Bashkuara në të ardhmen.

Ai ka thënë se “zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”.

“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori amerikan për Telegrafin në këtë intervistë ekskluzive.

Sipas tij, çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët.

Telegrafi: Kryetarët e ri të zgjedhur në katër komunat veriore pritet të marrin zyrtarisht detyrën, si e komenton Ambasada Amerikane këtë?

Ambasadori Hovenier: Për të qenë plotësisht përfaqësues, demokracia mbështetet në pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje të lira dhe të ndershme; ne gjithmonë shpresojmë të shohim pjesëmarrjen më të fuqishme të votuesve.

Siç e kemi vërejtur, zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë.

Nga këndvështrimi politik, megjithatë, duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapozgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik, duke njohur kushtet e pazakonta në të cilat ata u zgjodhën. Ne vazhdojmë t’i inkurajojmë ata që të jenë të përgjegjshëm ndaj nevojave të të gjithë zgjedhësve të tyre.

Të gjitha palët duhet të veprojnë me përgjegjësi dhe përmbajtje dhe të minimizojnë pikat e mundshme të tensionit. Ne absolutisht nuk mbështesim asnjë përdorim të forcës që mund të rezultojë në tensione të shtuara ose në konflikt të dhunshëm.

Zyrtarët e zgjedhur duhet të hyjnë vetëm në ndërtesat ku janë të mirëpritur. Vendndodhja brenda komunës në të cilën zyrtarët e zgjedhur bëjnë betimin në ceremoni nuk ndikon në statusin e tyre si zyrtar i zgjedhur.

A mendoni se kryetarët e rinj mund të pengohen nga grupe ilegale dhe kriminale në pjesën veriore të vendit?

Ambasadori Hovenier: Çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe komuniteti ndërkombëtar.

A mund të sjellë kjo tensione të reja që mund të ndikoj në dialogun Kosovë-Serbi, të përkrahur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian?

Ambasadori Hovenier: Për të ritheksuar, pritshmëria jonë është që të gjitha partitë – veçanërisht zyrtarët e zgjedhur – të veprojnë në mënyrë që të ulin tensionet, veçanërisht në kohën e rrethanave të ndjeshme në veri të Kosovës. /Telegrafi

“Fisniku i baletit” përjetësohet në monografi  Nga Iliriana Pylla

Në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës si rrallë herë u mblodhën miq, shokë e bashkëpunëtorë për të nderuar jetën dhe veprën e tashmë, balerinit të ndjerë, Ahmet Brahimaj.

 

Baleti i Kosovës lidhet pashmangshëm me emrin e tij, e të shumta janë figurat artistike botërore që e kanë çmuar krijimtarinë e tij ndër vite.

 

Monografia “Fisniku i baletit” me autor Shaban Maxharraj, është promovuar në orën 20:00, pikërisht në orarin kur zakonisht trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës i jep shfaqjet.

 

Brahimaj ishte pjesë e gjeneratës së parë të balerinëve në Kosovë. Pas edukimit në Shkup, u bë pjesë e Trupës e pas luftës u bë nismëtar i procesit që Trupa e Baletit të rithemelohet e më pas të shndërrohet në Baletin Kombëtar të Kosovës.

 

Monografia e ndarë në nëntë kapituj, shpërfaq përpjekjen e Brahimajt për BKK-në dhe dokumenton se ai jetonte për baletin, pikërisht në trevjetorin e vdekjes së tij.

 

Autori Maxharraj ka thënë se Ahmet Brahimaj ka ikur vetëm fizikisht. Janë kujtimi për të, trashëgimia e vepra që ka lënë pas, ato që e bëjnë të pavdekshme figurën e tij.

“Është vepra e Ahmet Brahimajt që na ka mbledhur sërish këtu, siç na mblidhte dikur në premiera baleti. Larg klisheve, është e pashmangshme të ripërsëritet se artisti është i pavdekshëm për aq sa rron vepra e tij. Ahmet Brahimaj ka ikur vetëm fizikisht. Janë kujtimi për të, trashëgimia e vepra që ka lënë pas, ato që e bëjnë të pavdekshme figurën e tij. Dhe monografia është një lloj kujtimi. E qartë, një lloj kujtimi modest përballë veprës madhore të tij. Ose më saktë, një dëshmi për rrugëtimin e tij, misionin mbi të gjitha. Për mua nuk ka qenë e lehtë të shkruaj për ahnmet Brahimajn. E njoha fillimisht si zyrtar baleti, pastaj shpejt e kuptova se nuk është thjesht njëri prej atyre me kostum postesh udhëheqëse. Tek ai njoha mbi të gjitha njeriun, artistin jo vetëm në skenë, shembullin e një punëtori të artit. Më pas mikun, ka thënë Maxharraj.

 

Bashkëshortja e Ahmet Brahimajt, Zogza Mulaku ka thënë se monografia do të jetë aseti më me vlerë në shtëpinë e tyre.

 

“E përshëndes entuziazmin, punën dhe angazhimin e autorit për të ndriçuar personalitetin kompleks të Ahmetit që nga fëmijëria, shkollimi, si balerin, si drejtor baleti, si themelues institucioni dhe nëpër të gjitha këto faza ka spikatur karakterin e tij prej patrioti, të një njeriu modest, me qëndrim të çeliktë e të një njeriu me butësi të mëndafshtë e tejet emocional. Kam nderin që në emër të familjes dhe në emrin tim t’ju falënderoj për ardhjen tuaj, për kohën që ia kushtuat promovimit të librit për Fisnikun e Baletit, të çmuarit tonë, Ahmet Brahimajt, ka thënë Mulaku.

 

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, Sinan Kajtazi, ka thënë se tash e tre vjet, prej kur Ahmet Brahimaj u nda nga jeta, ditët e para të majit sjellin ndjenja të përziera dhimbjeje e krenarie për secilin që e ka njohur atë.

 

“Ndjenja e dhimbjes është e justifikuar, kur kemi parasysh faktin se të gjithë ne, pa dallim, do të kishim dëshirë ta kishim profesorin tonë të dashur, ulur diku mes nesh. Edhe më të arsyetueshme e kemi ndjenjën e krenarisë, kur me të përfunduar kjo ceremoni prezantimi, të gjithë ju do ta keni në dorë monografinë kushtuar jetës dhe veprës së profesorit tonë, tashmë të ndjerë. Monografia, kushtuar profesorit Ahmet është një vepër që natyrshëm ka lindur si ide dhe qëllim duke marrë për bazë edhe faktin se sa të rëndësishëm e kishte dokumentimin e aktiviteteve të Baletit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë Kajtazi.

 

Për balerinin Brahimaj ata që e kanë njohur thanë se ai nuk fliste shumë, kishte kultivuar aso marrëdhënie sa të merrej vesh me pak fjalë. Ose aspak. Puna ishte punë dhe pikë.

 

Mbrëmja u shoqërua me pika artistike nga trupa e baletit dhe përfundoi me këngën “Agimet shqiptare” interpretuar nga sopranoja Besa Llugiqi, shoqëruar në piano nga Valton Beqiri.

 

 

Iliriana Pylla

Prishtinë 10 maj 2023

 

Lajçak: Të drejtat e pakicave në Kosovë duhet të jenë në pajtim më standardet evropiane

VOA

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak tha të enjten se për Bashkimin Evropian çdo propozim për të drejtat e pakicave duhet të të jetë në përputhje me modelet ekzistuese evropiane.

Ai i bëri këto komente në Prishtinë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albi Kurti, nga ku nesër do të shkojë edhe në Beograd në kuadër të përpjekjeve për të përshpejtuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë –Serbi.

Vizita e zotit Lajçak në rajon është e para që kur Bashkimi Evropian ndërmjetësoi një takim midis udhëheqësve të të dyja vendeve javën e kaluar në Bruksel, duke i nxitur ata të zbatojnë një marrëveshje të ndërmjetësuar nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve.

Marrëveshja e arritur në Bruksel dhe pajtimi për zbatimin e saj që u arrit në Ohër, parasheh mes tjerash përmbushjen e të gjitha zotimeve të marra në bisedimet e deritashme, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Projekt statuti i këtij Asociacioni i hartuar nga një ekip menaxhues që përbëhej nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, nga zyrtarët evropianë u cilësua “një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme”.

Por projekt statuti u refuzua nga kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Në vend të tij ai propozoi një model të frymëzuar siç tha, nga një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë.

Zoti Lajçak tha se për Bashkimin Evropian është e pranueshme “ajo që bazohet në normat dhe vlerat evropiane dhe që është në përputhje me modelet ekzistuese evropiane dhe këtë e kemi thënë që nga fillimi“.

“Roli ynë si lehtësues është gjithmonë të gjejmë një rrugë të mesme dhe pikërisht atë që po përpiqemi të bëjmë”, tha ai, duke paralajmëruar se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç, pritet të takohen të hënën në Bruksel për të diskutuar këtë cështje.

Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në muajin gusht të vitit 2015 për parimet e tij. Po atë vit Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Beogradi akuzon Kosovën për mospërmbushje të marrëveshjeve, ndërsa Prishtina akuzon Serbinë për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, për shkak të qëndrimeve të saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti shkroi në rrjetet sociale se gjatë takimit me zotin Lajçak ka nënvizuar nevojën që Marrëveshja Themelore të zbatohet në tërësi dhe që BE-ja ta mbajë Serbinë përgjegjëse për shkeljet e vazhdueshme të asaj Marrëveshjeje.

“Është shumë e rëndësishme që të kemi qartësi. Ne kemi marrëveshjen, kemi aneksin, kështu që duhet të kemi një kuptim më të qartë të hapit të parë, të dytë dhe hapit të tretë. Pra ky ishte qëllimi, ne patëm një diskutim shumë intensiv, por të rëndësishëm e të dobishëm me kryeministrin (Albin) Kurti dhe këtë pasdite do të shkoj edhe në veri të Kosovës, ku do të takoj vendasit atje dhe dua të kuptoj nga dora e parë situatën. Me të vërtetë shpresoj se do të ketë një zgjidhje politike që do të na lejojë të gjithëve të përqendrohemi plotësisht në normalizimin dhe zbatimin e marrëveshjes”, tha zoti Lajçak duke nënvizuar se mund të ketë vetëm normalizim ose konfrontim.

“Dhe patjetër duam që të përqendrohemi tek normalizimi, prandaj duam të shmangim çdo përshkallëzim apo çdo konfrontim, kjo nuk është në interesin e askujt”, tha zoti Lajçak.

Partitë politike të serbëve në veriun e Kosovës, refuzuan të marrin pjesë në zgjedhjet për pushtetin në zonë më 23 prill duke kushtëzuar kthimin në institucionet vendase që i braktisën në nëntor të vitit të kaluar me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Bashkimi Evropian shprehu javën që shkoi shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës nëse Prishtina provon të zbatojë rezultatet e zgjedhjeve sipas të cilave kandidatët e partive politike shqiptare do të drejtojnë komunat në veri.

Ambasadori britanik: Është koha që Kosova ta prezantojë draft-statutin për Asociacionin

RFE/RL

Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë të martën se ka ardhur koha që Kosova të propozojë zyrtarisht një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, një dokument i tillë le të prezantohet duke u bazuar në draft-vizionin e paraqitur nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, një javë më parë, si dhe të jetë në përputhje me kriteret e vendosura nga Bashkimi Evropian.

Abbott e ka bërë këtë thirrje duke treguar se Kosovën e viziton këtë javë, i dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

“Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë ai përmes një postimi në Facebook.

Më 2 maj, në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në Bruksel është prezantuar draft-statuti për Asociacionin, i përpiluar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.

Ky ekip është shkarkuar një ditë më vonë, nga autoritetet e Kosovës.

Kryeministri Kurti, ka thënë se draft-statuti i prezantuar, është “fundamentalisht i papajtueshëm me kushtetutshmërinë” e vendit.

Si përgjigjje, ai e ka prezantuar më pas një draft-vizion, që, sipas tij, rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Në këtë dokument të Kurtit thuhet, mes tjerash, se ai do t’u ofrojë mundësi pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat e tyre përmes “kornizës së vetëmenaxhimit”, kanal të drejtpërdrejtë komunikimi me Qeverinë e Kosovës, si dhe mundësi për t’u financuar nga Kosova dhe vende të tjera, përfshirë edhe Serbinë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013, dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria aktuale e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Disa burime në Bruksel, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë, ditë më parë, se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është “kusht mbi të gjitha kushtet” në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh nga viti 2011.

Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje.

Osmani përkujton Luan Haradinajn: U vra nga forcat e regjimit gjenocidal serb

Presidentja Vjosa Osmani ka përkujtuar 26 vjetorin e rënies së heroit Luan Haradinaj.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Luan Haradinaj, 26-vjet më parë e fitoi përjetësinë, duke i dalë zot atdheut, duke u flijuar për lirinë dhe Republikën.

“Më 6 maj të vitit 1997, Luani u vra nga forcat e regjimit gjenocidal serb, në rrugëtimin e tij të fundit për në Shqipëri. Rrugëtimi i tij u ndërpre, porse jo ëndrra e tij për idealin e brezave. Prandaj, Luani dhe liria ishin dhe janë një”.

Presidentja tha se Luani, së bashku me familjen, dëshmuan përkushtim, trimëri, guxim dhe kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin.

“Luani dhe të gjithë dëshmorët e Republikës i japin kuptim lirisë sonë, shtetit tonë dhe të ardhmes së brezave. I përjetshëm qoftë kujtimi për Luanin dhe të gjithë dëshmorët e UÇK-së”, tha Osmani në përkujtimin e saj për Luan Haradinajn. syri.net

Analistë shqiptarë e serbë kërkojnë marrëveshje politike për veriun e Kosovës

VOA/Leonat Shehu

Bashkimi Evropian shprehu gjatë javës shqetësimin për mundësinë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veriun e Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit në zonë të cilat u bojkotuan nga serbët lokalë.

Sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian këto zgjedhje, ndonëse në pajtim me kuadrin ligjor e kushtetues të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate. Ata u bënë thirrje palëve që të gjejnë një zgjidhje e cila mundëson kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe ta diskutojnë këtë çështje në kuadër të dialogut ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë më vonë gjatë këtij muaji.

Politologu serb nga Mitrovica e Veriut, Ognjen Gogiç, thotë për Zërin e Amerikës se nuk është zgjidhje mbajtja e zgjedhjeve të reja pa një marrëveshje politike.

“Unë mendoj se gabimi është bërë në Ohër sepse mendoj se në Ohër ka qenë dashur kur është arritur pajtimi për aneksin e zbatimit të marrëveshjes, pika e parë ka qenë dashur të jetë mbajtja e zgjedhjeve, kthimi i serbëve në institucionet në veri dhe pastaj të ndodh formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nuk e di pse nuk ka ndodhur një gjë e tillë dhe në një farë mënyre edhe në takimin e fundit (Josef) Borrell e konfirmoi se situata në veri nuk është e qëndrueshme dhe se këto zgjedhje nuk e zgjidhin situatën dhe nuk e nxjerrin nga kriza”, tha zoti Gogiç.

Ai thotë se tash për tash nuk sheh rrezik nga përshkallëzimi i situatës pasi sipas tij edhe Serbia edhe Kosova dëshirojnë të tregohen si palë konstruktive në zbatimin e marrëveshjes.

Zoti Gogiç thotë se janë disa faktorë që do të mund të ndikonin në nxitjen e incidenteve dhe bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës, siç janë grupet që nuk janë nën kontroll as të Beogradit e as Prishtinës, hapja e urës së Ibrit dhe çështja e targave.

Arbër Fetahu nga Grupi për studime juridike dhe politike thotë se zgjidhja e situatës aktuale në veriun e Kosovës është më e ndërlikuar për shkak se tashmë një proces zgjedhor është përfunduar.

“Nëse kthehet procesi në zero duhet të ketë një argumentim të mirë sepse prapë po shkohet në shkelje të procedurave, të ligjeve dhe po krijohen precedent të rrezikshëm dhe nëse rastësisht vendoset që këto zgjedhje të anulohen apo të kthehen në pikën zero duhet të ketë garanci për pjesëmarrje të partive politike serbe, të qytetarëve serb në zgjedhje dhe të shkojë procesi në bazë të rregullave që janë të parashikuara”, tha zoti Fetahu.

Udhëheqësit e Serbisë dhe të serbëve lokal në veriun e Kosovës thonë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Politologu, Ognjen Gogiç, thotë se është gabim një kushtëzim i tillë dhe se me këtë Beogradi dëshiron që ta zgjasë dialogun sa më shumë.

“Prishtina nuk e do Asociacionin që do të kishte kompetenca ekzekutive që në fakt do të rivendoste rendin kushtetues të Kosovës dhe në anën tjetër unë mendoj që as Beogradi nuk e dëshiron Asociacionin dhe se Asociacioni së pari është taktikë, nuk është qëllim por taktikë që përdoret në bisedime dhe Beogradi në fakt Asociacionin e shfrytëzon si një mënyrë për të penguar negociatat. Pra Prishtina nuk e dëshiron Asociacionin e komunave serbe, jo një Asociacion ambicioz dhe më pas Beogradi me qëllim këmbëngul për të dhe ka rritur shtuar trysninë ndaj Prishtinës duke kërkuar një Asociacion të aillë që është i papranueshëm për Prishtinën”, tha zoti Gogiç.

Zoti Fetahu thotë ndërkaq se nuk ekzistojnë kushte për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në këtë kohë duke pasur parasysh qëndrimet e kundërta të të dyja palëve.

“Besoj që do të kemi një involvim direkt dhe substancial të bashkësisë ndërkombëtare dhe do të shikohet për një modul apo zgjidhje të tretë të një draft statuti që do të përmbajë elementet e të gjitha palëve nga pak, apo një propozim i ri mund të vijë nga Bashkimi Evropian, gjë që nuk është neglizhuar në të kaluarën as nga pala amerikane dhe as evropiane, kur palët nuk arrijnë një dakordim është pala e tretë ndërmjetësuese të ofrojë një opsion”, tha zoti Fetahu.

Zbatimi i marrëveshjes për Asociacionin vazhdon të mbetët sfida kryesore për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi të martën projekt statutin e prezantuar nga ekipi menaxhues të cilin e cilësoi të papajtueshëm me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por edhe vlerat evropiane. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se qartazi Prishtina nuk dëshiron të përmbushë detyrimin për themelimin e Asociacionit.

Kadiu: Shkarkimi i ekipit menaxhues për Asociacionin nuk e shkel marrëveshjen Kosovë-Serbi

RFE/RL

Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi i është kundërpërgjigjur deklaratës së zëdhënësit të Bashkimit Evropian se Kosova ka vepruar në kundërshtim me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kadiu në një postim në Facebook të enjten ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për të liruar nga detyra ekipin menaxhues që ditë më parë prezantoi një draft për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, nuk është në kundërshtim me marrëveshjen.

“Nga deklarata e zëdhënësit të BE-së, vihet re se ka minimum të njohurisë për atë që po zhvillohet në procesin e dialogut, por maksimum gatishmëri në nxjerrjen e deklaratave kundër Kosovës”, shkroi Kadiu

Ai tutje tha se zëdhënësi Peter Stano duhet ta ketë “gatishmërinë e njëjtë, kur ka shkelje aktuale të marrëveshjes’, duke përmendur votën kundër të Serbisë në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Ekipi menaxhues e ka patur vetëm një mision apo detyrë, i cili ka qenë përgatitja dhe prezantimi i draftit të statutit. Pas këtij prezantimi, nuk ka më asnjë rol sepse diskutimi tashmë është politik”, shkroi ai.

Më herët gjatë ditës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano tha se roli i ekipit menaxhues për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë përfundon vetëm kur ai statut të miratohet.

Komisioni qeveritar: Serbia pranoi krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka mirёpritur nёnshkrimin e Deklaratës pёr personat e zhdukur të dakorduar të martën në Bruksel.

Me këtë marrëveshje, në komunikatën zyrtare të Komisionit, thuhet se Serbia po ecën drejt pranimit të së vërtetës.

“Pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, periudhës kohore në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-023 për persona të zhdukur, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2011”, thuhet ndër të tjera.

Kjo është komunikata e plotë:

Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur mirёpret nёnshkrimin e deklaratёs pёr personat e zhdukur

Prishtinë, 3 maj 2023

Me nënshkrimin e deklaratës pёr personat e zhdukur, pas mohimit 24 vjeçar, Serbia pranon krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës nё Kosovё. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për shkak se shkon përtej konceptit të personave të zhdukur, dhe në mënyrë eksplicite i referohet konceptit të zhdukjeve me forcë.

Veçojmë rëndësinë e dakordimit për hapje të arkivave nga Serbia, pasi zhdukjet me forcë gjatë luftës ishin krime të kryera nga shteti i Serbisë, pjesë e projektit gjenocidal për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”.

Pas 24 vitesh, Serbia për herë të parë pranoi përmes një dokumenti zyrtar, që të sigurojë qasje te plotë në informacione, përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000, periudhës kohore në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-023 për persona të zhdukur, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në vitin 2011.

Nga varrezat masive të Batajnicës, Kizhevakut, Rudnicës, Bajnabashtës dhe Petrovosellos, Peruçacit, në Serbi janë zhvarrosur mbi 950 shqiptarë. Megjithatë në këto varreza masive të zbuluara nuk ka të vendosur asnjë pllakë përkujtimore. Andaj me këtë deklaratë Serbia po ecën drejt pranimit të së vërtetës.

Deklarata thekson nevojën urgjente për përpjekje shtesë, për bashkëpunim dhe mosbllokim, për të lehtësuar vuajtjet njerëzore të familjeve, të kësaj plage të hapur dhe ende të pashëruar për shtetin tonë dhe shoqërinë tonë.

Po ashtu, dakordimi për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera në zbulimin e varrezave masive është me shumë rëndësi.

Kjo deklaratë po ashtu thekson inkurajimin për angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fatit të tyre. Ne mbesim të përkushtuar për të zbardhur zhdukjet me forcë gjatë luftës dhe për t’i dhënë fund ankthit të pritjes së familjarëve për të ditur fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.

Deklarata e miratuar është hapi i parë që kërkon domosdoshmërisht mbikëqyrje dhe trysni nga faktorët ndërkombëtarë mbi Serbinë, për zbatimin obligimeve të marra, deri në zbardhjen e fatit të mbi 1600 personave të zhdukur në Kosovë.

Mirëpresim dakordimin për detajet operacionale në takimin e radhës së dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Vlerë​sojmë zotimin për mbështetje dhe bashkëpunim nëpërmjet Komisionit të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbikëqyrur nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar (ICRC) në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Po ashtu, inkurajimin e bashkëpunimit me akterë tjerë relevantë, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP). Paraprakisht Qeveria ka inicuar aderimin e Republikës së Kosovës në këtë Komision (ICMP).

Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e angazhuar për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe për ndriçimin e së vërtetës. syri.net

Ambasadori gjerman: Pres nga Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjet

Prishtinë – Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde në një intervistë në `Lajmet e Fundit` në RTK, tha se pret nga dy palët si Kosova ashtu edhe Serbia që të implementojnë marrëveshjet si për Asociacionin ashtu edhe për organizatat ndërkombëtare.

“Presim që dy palët të punojnë në mirëbesim dhe në mënyrë konstruktive, urgjenca është më madhe, kemi një luftë në Evropë. Kemi një pako dhe dy palët duhet të punojnë në mirëbesim”, theksoi ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde në një intervistë për RTK-në, ka folur edhe për zgjedhjet që janë mbajtur në veriun e Kosovës, që sipas tij nuk janë zgjidhje afatgjate. “Nuk mendoj se është fundi i tregimit, duhet të gjejmë një zgjidhje”, tha ai.

Diplomati gjerman vlerësoi fillimin e procesit të dialogut të djeshëm, rreth implementimit të marrëveshjeve. “Ky është hap pozitiv, jemi shumë larg të natyrës së Asociacionit, Gjermania mbështet Kosovën”, tha ai.

Rohde: Statuti i Asociacionit të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde në një intervistë për RTK-në, ka thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Jemi shumë larg në kuptimin e natyrës së Asociacionit megjithatë Gjermania do të vazhdojë të mbështes implementimin e plotë të gjitha marrëveshjeve që janë pranuar dhe nënshkruar në Bruksel, pro po ashtu që të mbështesim Kosovën. Gjithmonë e kemi thënë se çfarë do lloj statuti duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, tha ai për RTK.

Sipas tij politikanët duhet të punojnë të realizimin e atyre marrëveshjeve në mënyrë që të arrihet që të gjithë e duam, stabiliteti dhe paqja.

“Tani kemi një situatë kur ende kemi struktura paralele, i gjithë qëllimi i Asociacionit që të sjellë strukturat paralele, në kuadër të legjislacionit të Kosovës”, theksoi ai.

Diplomati gjerman ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për lirimin nga detyra të anëtarëve të ekipit menaxhues, duke thënë se vendimi i sotëm nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Brukselit.

Për intervistën e plotë që do të transmetohet sonte në ‘Lajmet e Fundit’ në RTK nga 22.30, ka shkruar në Twitter edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde.

Gjykata Speciale nuk i komenton pretendimet se bastisi mbrëmë dy shtëpi në Kosovë

Gjykata Speciale nuk i ka komentuar pretendimet e disa mediave dhe Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, se policë të EULEX-it me urdhër të Speciales, i kanë bastisur mbrëmë dy shtëpi në Prishtinë.

Nga Specialja kanë thënë shkurt për teve1.info se nuk i komentojnë çështjet operacionale.

“Faleminderit për komunikimin tuaj. Gjithsesi Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton mbi çështjet operacionale”, ka thënë Christopher Bennett, zëdhënës i ZPS-së.

Teksa nga EULEX-i kanë thënë se nuk kanë mandat për të kryer bastisje.

“EULEX-i nuk ka mandat për të kryer një bastisje. Ju lutemi drejtojini pyetjet tuaja Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndryshe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut-KMDLNJ ka bërë të ditur se Gjykata Speciale mbrëmë ka bastisur dy shtëpi në Prishtinë.

Sipas KLMDNj-së, nga Gjykata Speciale është bastisur shtëpia e Flamur Sopit dhe Nuhi Ahmetit, nga ora 19:00 e deri në mesnatë.

“Sipas informatave të KMDLNj-së mbrëmë më 2 maj 2023, policë të Gjykatës Speciale – EULEX-it bastisën shtëpinë e Flamur Sopi dhe Nuhi Ahmetit duke filluar nga ora 19:00 e deri në mesnatë.  Policë të Gjykatës Speciale mbrëmë midis orës 19:00 e deri më 23:00, bastisën shtëpinë ku banon me qira Nuhi Ahmeti, ish i burgosur politik, kontribues aktiv në luftën e UÇK-së dhe nga viti 1990 aktivist i KMDLNj-së. Nuhi Ahmeti i ka deklaruar KMDLNj-së se policët para bastisjes ia kanë treguar urdhërin e Gjykatës për bastisje, e kanë njoftuar me të drejtat që i takojnë si dhe për të drejtën që gjatë bastisjes të jetë edhe avokati i autorizuar nga z. Ahmeti. Nuhi Ahmeti thotë se sjellja e policëve ishte në përputhje me mandatin e përcaktuar, se nuk kanë bërë asnjë dëm material dhe se ia kanë konfiskuar një telefon. Pas bastisjes i kanë lënë një ftesë për intervistim në EULEX, me datë 3 maj 2023, në ora 9:30.”, është bërë e ditur në komunikatë. syri.net

Lirohet nga detyra Ekipi Menaxhues për draft-statutin e Asociacionit

RFE/RL

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se ka liruar nga detyra anëtarët e Ekipit Menaxhues, të thirrur për hartimin e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Në përbërje të tij ishin katër pjesëtarë të komunitetit serb: Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq.

Krasniqi tha se ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel.

Krasniqi tha, po ashtu, se vendimi i tij bazohet në Marrëveshjet e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Në Beograd reagoi Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si vendim “të njëanshëm” dhe “të kundërligjshëm”.

“Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi Menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij”, tha drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili u takua në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se nuk e pranon draft-statutin e prezantuar, pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Në vend të tij, ai propozoi një “draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, “rregullon çështjen e komuniteteve joshumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”.

Vuçiq, në anën tjetër, tha se është “shumë i shqetësuar”, sepse është e qartë se “Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë” për formimin e Asociacionit.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar në vitin 2015.

Në vitin 2016, Ministria e atëhershme e Administrimit të Vetëqeverisjes Lokale në Kosovë ka emëruar Ekipin Menaxhues për hartimin e draft-statutit.

Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar kurrë, për shkak të këmbënguljes së Beogradit që ai të ketë kompetenca të gjera. Prishtina i ka refuzuar ato, me arsyetimin se mund ta kërcënojnë funksionalitetin e shtetit.

Kosova është nën trysninë e ndërkombëtarëve për ta formuar Asociacionin.

Ndonëse nuk përmendet në mënyrë specifike, ky mekanizëm përfshihet edhe në një marrëveshje të re që kanë arritur Kosova dhe Serbia, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve, në fund të shkurtit.

‘Statuti i Asociacionit në Kushtetuese’, opozita dhe analistët i kërkojnë Kurtit të mos nxitohet

Opozita dhe nje pjese e opinionit publik në Kosovë i kërkojnë kryeministrit Albin Kurti të mos nxitohet për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Dy ditë para takimit Kurti–Vuccicc në Bruksel ku do të diskutohet për draft-statutin e Asociacionit, ata i kërkojne kryeministrit të Kosovës të mos bëjë gabime në hapat që do të hedhë.

Njohësi i procesit të dialogut Kosovë-Serbi, Seb Bytyçi thotë për KosovaPress, se është ende herët për miratimin e statutit të Asociacionit, ndaj Kosova nuk duhet të ngutet për zbatimin e disa pikave të marrëveshjes së Ohrit, për sa kohë Serbia po e shkel vazhdimisht atë.

“Do të diskutohet për Asociacionin, por besoj se do të ketë diskutime më të mëdha për vet implementimin e marrëveshjes sepse ende ka çështje të hapura. Senkuencimi i pikave të marrëveshjes, qëllimi është që të ketë një zbatim të njëkohshëm të saj, në mënyrë që mos të ngutet Kosova në zbatimin e disa pikave dhe të kemi një situatë që Serbia nuk e implementon marrëveshjen, ndërsa Kosova e zbaton atë”, tha ai.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, deklaron për KosovaPress, se statuti i Asociacionit, fillimisht si draft duhet të shkojë për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese.

“Për neve si LDK, marrëveshja e Ohrit, ka gjëra të cilat kanë qenë të papranueshme, sidomos pika e shtatë ku flet për vetëmenaxhimin, ndërkohë në tërë këtë dokument nuk i referohet fare Gjykatës Kushtetuese… Filtri i vetëm është Gjykata Kushtetuese, nuk ka filtër tjetër, prandaj duhet të dihet kjo, nuk ka mundësi që të implementohet asgjë tjetër që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, u shpreh Selmani.

Por shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se në bazë të tri parimeve të prezantuara nga kryeministri Albin Kurti, asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të ndërhyjë në sistemin kushtetues të Kosovës.

“Kryeministri ka deklaruar prej takimit të Ohrit se është i gatshëm të prezantojë një draft-statut në bazë të tri parimeve të cilat nuk janë assesi në kundërshti as me vendet e Bashkimit Evropian… Në këto parime që assesi nuk ka kompetencë ekzekutive dhe ndërhyrje në sistemin kushtetues, por në bazë të rendin kushtetues të Kosovës ndërtohet një draft, i cili diskutohet”, tha ajo.

Kryeministri Albin Kurti do të takohet me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç më 2 maj në Bruksel. Sipas axhendes se publikuar nga Bashkimi Evropian, fillimisht do të nenshkruhet deklarata për personat e pagjetur, e cila do të pasohet me diskutimet për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

KFOR: Rihapja e urës së Ibrit duhet të zgjidhet përmes dialogut politik

Misioni i KFOR-it ka reaguar rreth vendimit për të hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër.

Nga KFOR kanë thënë se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”.

“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitorojë zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR-i.

Nga ky mision po ashtu kanë theksuar se “do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen e nevojshme të sigurisë në mënyrë që përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga BE-ja të mund të ecin përpara”.

 

Gjatë ditës së djeshme asamblistët e Mitrovicës Veriore kanë votuar për hapjen e qarkullimit të automjeteve në urën qendrore mbi lumin Ibër, e cila prej pas lufte është mbyllur nga serbët.

Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka vendosur që ura qendrore e lumit Ibër, të hapet për qarkullimin e automjeteve dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Teksa ky vendim ka ngjallur reagime në Serbi, gjatë ditës së djeshme kanë folur edhe nga BE-ja.
Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se tani nuk është koha e duhur për ta ndërmarrë këtë veprim.

Në një adresim të tijin nga Forumi Ekonomik i Delphit në Greqi, ku pjesëmarrës ishte edhe kryeministri Kurti, Laçak dërgoi mesazhe parandaluese.

“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën dhe atmosfera dukshëm s’është e duhura për këtë. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun), ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçaku duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Sipas tij, kjo mund të përbëjë një tjetër krizë në vend, derisa shtoi se vitin e kaluar në vazhdimësi Bashkimi Evropian është marrë me menaxhim krizash.

Lajçak ka shtuar se zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi është ndër sfidat më strategjike, pasi ka thënë se shqiptarët dhe serbët jetojnë në tërë rajonin.bw

Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut kërkon hapjen e urës mbi Ibër

RFE/RL

Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, me propozimin e Aida Ferati-Dolit, kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër.

Nga Qeveria e Kosovës ende nuk janë prononcuar për këtë vendim të autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut.

Mitrovica e Veriut është një nga katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.

Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune u zëvendësuan dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë dhanë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.

Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ishte vetëm një asamblist serb, Dushan Millunoviq. Më 28 prill ai votoi kundër kërkesës për hapjen për qarkullim të urës mbi Ibër.

Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ndau Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot, ato janë dy komuna të veçanta.

Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.

Reagimet e Listës Serbe dhe Beogradit

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – dënoi vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut dhe e konsideroi atë si “si të paligjshëm”.

Nga kjo parti theksuan se ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”.

“Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës. Ura, ku kanë ndodhur më shumë se 1.000 sulme me motive etnike nga jugu në veri, është simbol i vuajtjes së popullit serb dhe synimi i Prishtinës është që dëbojë serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban ku ata kanë mbijetuar në një numër më të madh”, thuhet në reagimin e kësaj partie që ka mbështetjen e Beogradit.

Lista Serbe kërkoi nga KFOR-i (misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë), EULEX-i (misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë) dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”.

Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe tha se kryeministri i Kosovës, “Albin Kurti, sot pa dyshim ka treguar se dëshiron dhe ëndërron luftë, dhe do që i gjithë veriu i Kosovës të hyjë në konflikt”.

“Për këtë ai përdor përfaqësuesit dhe asmblistët jolegjitimë në veri të Kosovës dhe Metohisë. Për këtë vendim votuan 11 asamblistë nga Prishtina, një abstenoi dhe një ishte kundër”, thuhet në njoftim.

Drejtori i kësaj zyreje, Petar Petkoviq, tha se ka njoftuar të gjithë përfaqësuesit ndërkombëtarë, si dhe ndërmjetësin e dialogut, Mirosllav Lajçak, duke shtuar se ai pret nga ta që ta “qetësojnë Kurtin”.

Duke reaguar pas vendimit për kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.

Vuçiq nuk dha asnjë provë për këto pretendime.

Presidenti serb tha se ura mbi lumin Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – paraqet “një digë dhe mbrojtëse të interesave të popullit tonë në veri të Kosovës dhe Metohisë”.

Serbia nuk e jeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron pjesë të territorit të saj.

Vuçiq theksoi se me vendimin për hapjen e urës, shqiptarët “duan të marrin” edhe Mitrovicën e Veriut.

“Kjo është ideja e tyre e kamotshme, që për vite me radhë populli ynë e ka kundërshtuar”, tha ai.

Vuçiq theksoi se Kurti do ta justifikojë këtë vendim duke thënë se “nuk do geto në Mitrovicë, por qytete të hapura” dhe se “për këtë do t’ia hedh lehtë para përfaqësuesve perëndimorë”.

Sipas presidentit serb, shteti i tij “do të bëjë gjithçka” që të ruhet paqja.

“Por, ne po ashtu po ju themi atyre para takimit në Bruksel më 2 maj dhe do të vazhdojmë edhe pas kësaj: as mos ëndërroni se do të keni sukses në qëllimet tuaja për të dëbuar apo shkatërruar serbët në çdo pjesë të Kosovës dhe Metohisë, sepse në atë rast ne do të dimë se çfarë duhet të bëjmë”.

Në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 2 maj në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga blloku evropian. Zyrtarët evropianë kanë konfirmuar se në këtë takim pritet të miratohet Deklarata për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Përurohet librit “Shoh”, përjetime personale të viteve 1998- 1999 Nga Iliriana Pylla, Prishtinë

“Në shtëpi gjeta familjarët e mi. Më rrëfyen për atë se çfarë gjetën dhe panë në shtëpinë tonë kur arritën. Me të hyrë në shtëpi kishin gjetur uniforma të ndryshme policore e ushtarake, armë dhe municione, veshmbathje të pëgjakura të femrave. Mobileria e shtëpisë ishte vjedhur dhe pothuajse nuk kishte asgjë, po ashtu edhe gjësendet tjera”, thuhet në rrëfimin e njërit prej protagonistëve të librit ”Shoh” i cili u përurua në Prishtinë në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, realizuar nga OJQ ‘Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes, ANP’.

Libri “Shoh”, përmban tregime jete të njerëzve, përjetime personale të cilat fillojnë diku në vitin 1998 /1999, në kohën kur ndodhi lufta në Kosovë. Brenda faqeve të librit lexuesi gjen detaje të hollësishme se si jetonin e mbijetonin njerëzit gjatë atyre viteve, duke pasur parasysh atë se me çfarë përballeshin, ende pa filluar lufta, gjatë e pas saj.

Redaktorja e librit, Emine Ismajli ka thënë se njerëzit thonë se tregimi secilit prej tyre është më i rëndë e më i tmerrshëm se i dikujt në librin tuaj, por nuk jemi ne ata që e vendosim se çka duhet të tregojmë.

“Edhe ngjarjet e gëzueshme në jetë është e vështirë të ndahen me tjetrin nëse nuk je i gatshëm që ta hapësh shpirtin, se lëre më kur janë në pyetje tmerret e traumat. Është libri i tretë që botohet në tri gjuhë, atë shqipe angleze dhe serbokroate. E kemi të parin “ Mbamendja e shpirtit, i dyti” Dheu i ofshamës” dhe libri i tretë “Shoh”. Shumë herë e kam mendu punën e titullit mirëpo prej fillimit më është imponuar ky titull. Vështirësia tjetër ka qenë kur është dashur të punohet kopertina e librit ngase kisha përshtypjen se asnjë kopertinë nuk shpjegon se çka përmban libri. Po shpresoj se tash ka shumë detaje në kopertinë dhe flasin për secilin tregim veç e veç. Secili kthehet prapa në kohë dhe flet për veten. Rastësisht ky grup ka pasur njerëz që kanë qenë fëmijë në atë kohë. Mirëpo e kanë një kujtesë shumë më të mirë dhe përmes tregimeve të tyre mund të shohim edhe detaje që ndoshta një të rrituri i kishin kaluar pa i pa”, ka thënë Ismajli.

Redaktorja Ismajli ka shtuar: “Krijohet përshtypja sikur nëpër korridoret e kohës takohen njerëz e fate, paraardhës e pasardhës, trashëgimtar e trashëgimi, që janë pjesë e tregimeve ku shtjellohet e përjetuara e ndërthurur me ngjarje historike të kohërave të ndryshme, të cilat fillojnë diku në vitin 1998-1999, në kohën ku ndodhi lufta në Kosovë duke na informuar në mënyrë më të hollësishme se si jetonin e mbijetonin njerëzit gjatë atyre viteve, duke pasur parasysh atë se me çfarë përballeshin, ende pa filluar lufta.”, ka thënë mes tjerash Ismajli.

Ndërsa, Nexhat Ismajli ka treguar se janë disa autorë që e kanë realizuar këtë libër. Gjatë trajnimeve janë ndarë tregimet e përjetimet e tyre të dhimbshme dhe pastaj kanë gjetur vullnetin kurajon që edhe ti dokumentojnë ato tregime dhe ti prezantojnë për publikun.

“Janë tregime të qytetarëve të Kosovës, tema shumë e dhimbshme për shoqërinë tone, por si proces dokumentimin e konsiderojmë si një process jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm”, është shprehur drejtori I OJQ-së, ‘Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes, ANP’., Nexhat Ismajli.

“Që nga viti 2014, ANP punon intensivisht në projektin ‘Ballafaqimi me të kaluarën’ dhe deri më tani kemi realizuar shumë aktivitete e filma dokumentarë. Të gjitha këto me të vetmin qëllim, që të dokumentojmë të kaluarën në mënyrën më të sinqertë dhe të luftojmë narrativat etnocentrike në shoqërinë tonë”, ka thënë Ismajli.

Duhet theksuar se pjesëmarrës në aktivitete dhe tregime kanë qenë përfaqësues të disa komuniteteve në Kosovë, shqiptarë, serbë e boshnjakë.

U shfaq edhe një film dokumentar realizuar nga Burim Baftiu, rreth përmbajtjes së projektit.

 

Iliriana Pylla
Prishtinë


Send this to a friend