VOAL

VOAL

Niset drejt Turqisë një tjetër ekip i kërkim-shpëtimit i FSK-së (FOTO)

Kosova vazhdon që të japë kontribut në Turqi pas tërmetit të fortë që goditi këtë shtet ditë më parë.

Këtë të premte drejt shtetit turk është nisur edhe një ekip për të ndihmuar në nxjerrjen e të gjallëve nga gërmadhat.

“Është nisur sot edhe një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të mbështetur operacionet e Kërkim-Shpëtimit të kontingjentit të FSK-së, në Zonën e Operacionit në Republikën e Turqisë”, njofton zyra për media e FSK-së.

“Ekipi i përbërë nga oficerë e nënoficerë do t’i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve”.syri.net

Shkencëtarja e re e Kosovës që ndërtoi nanosatelitin e parë

Nga një eksperiment me sodë buke, uthull dhe një balonë e deri te krijimi i nanosatelitit të parë në Kosovë, 19-vjeçarja Elta Bajrami nuk u dorëzua asnjëherë para paragjykimeve gjinore në rrugëtimin e saj në fushën e shkencave natyrore. Në Ditën Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, prishtinasja që tani studion në SHBA, ndan me lexuesit e Radios Evropa e Lirë copëza të këtij rrugëtimi.

Në vitin 2014, në një klasë në Shkollën Fillore “Gjergj Fishta”, dhjetëra nxënës shikonin se si një balonë fryhej dhe më pas fluturonte, shkaku i gazit me të cilin ishte mbushur nga një reaksion mes sodës së bukës dhe uthullës.

Në mesin e këtyre nxënësve ishte edhe Elta, atëherë vetëm dhjetë vjeçe. Klasa e pestë la gjurmë të shumta në mendjen e saj. Nëntë vjet më vonë, ajo ende kujton momente nga ai vit shkollor.

“E mbaj mend një pjesë të tekstit në klasë të pestë, ku pyetej: çfarë dëshironi të bëheni kur të rriteni? E kujtoj shumë mirë që nxënësit e tjerë përgjigjeshin: mësues, floktar, futbollist, këngëtar. Kur më erdhi rendi mua, më vinte pak marre ta shprehja se çka kam dashur të bëhem, sepse e kisha shkruar shkencëtare”, rrëfen Elta për Radion Evropa e Lirë.

Pse nuk rrëzohemi vazhdimisht teksa ecim, pse rrëshqasim në akull, si është e mundur të shkojë një raketë në Mars, çfarë është Marsi, a është planet si Toka? Pyetje si këto ngriheshin vazhdimisht në mendjen e saj.

“Më ka interesuar shumë sistemi diellor, jeta jashtëtokësore dhe sidomos ndërtimi, inxhinieria e raketave. E pata detyruar mamanë të ma blejë edhe një libër rreth raketave dhe mënyrës se si funksionojnë ato”, tregon 19-vjeçarja.

E përshkruar si fëmijë çapkën deri në moshën pesëvjeçare, Elta thotë se asnjëherë nuk e ka pasur problem të mos u bindet pritshmërive gjinore. Ka luajtur me lodra që janë konsideruar si lodra për djem.

“E kujtoj gjithmonë që gjyshja, sa herë doja t’ia merrja lodrat vëllait, më thoshte ‘mos çika ime se këto nuk janë për çika’. Por, kurrë nuk e kam kuptuar se përse lodrat duhet të kenë gjini. Kam qenë shumë më e tërhequr nga lodrat që kanë pasur pajisje komplekse, e jo që kanë qëndruar statike, vetëm sa për bukuri”, thotë Elta.

Ky kuriozitet e ndoqi atë edhe më vonë, gjatë kohës sa ishte nxënëse në Shkollën e Mesme “Sami Frashëri” në Prishtinë. Në mesin e 14 lëndëve sa kishte në vitin e fundit në gjimnaz, ajo preferonte lëndët e shkencave natyrore.

Elta merrej me projekte dhe gara të kësaj fushe edhe në kohën e saj të lirë gjatë viteve të shkollës së mesme.

Ajo tregon se vështirësitë dhe paragjykimet për të si një vajzë në fushat e shkencave natyrore nuk kanë munguar, por thotë se çelësi për t’i tejkaluar këto sfida është vetëbesimi.

Aktivizmi i Eltës ka vazhduar përgjatë çdo hapi të saj deri më tani. Duke marrë pjesë në projekte të ndryshme në Kosovë – si “Traumë, jo lojë”, “Rráj”, “K’qyr e Dil” dhe “Nuhate” – ajo ka dashur t’i ndihmojë komunitetit.

“’Traumë, jo lojë’ ka qenë një iniciativë me të cilën kemi filluar t’i luftojmë ngacmimet seksuale që kanë ndodhur në Kosovë. Është ende një prej projekteve që e dua më së shumti, sepse e shoh që diçka kam kontribuar në komunitetin ku kam jetuar”, thotë Elta.

Përveç këtyre projekteve, Elta, gjatë viteve të fundit, ka përfaqësuar Kosovën në disa gara ndërkombëtare, si për robotikë dhe shkenca kompjuterike.

Në nëntor të vitit 2021, Elta është radhitur e gjashta në botë nga mbi 200 mijë pjesëmarrës në një garë të organizuar nga gjiganti amerikan i teknologjisë, Microsoft. Në atë garë, ku testohej njohuria mbi produktet e pakos së Microsoft Office, Kosova ishte përfaqësuar për herë të parë si shtet në mesin e 108 shteteve të tjera.

Por, kjo nuk është arritja e parë e Eltës në arenën ndërkombëtare. Dy vjet më parë, në tetor të vitit 2019, ajo i ka sjellë Kosovës një medalje të artë në garën më të madhe ndërkombëtare të robotikës, FIRST Global Challenge.

“Kam qenë 15 vjeçe dhe jam angazhuar për herë të parë në krijimin e një roboti, një mekanizmi që është dashur ta kodoj vetë në mënyrë që mekanizmi të lëvizë”, thotë Elta, teksa tregon se ka punuar përkrah dy vajzave të tjera në këtë garë, Elita Hajrizit dhe Albana Hajdinit.

Për shkak të suksesit të treguar në këtë garë në vitin 2019, Elta ishte përzgjedhur ta përfaqësojë Kosovën sërish një vit më vonë, kur gara u zhvillua përmes platformave digjitale, shkaku i pandemisë COVID-19.

Këtë herë, Elta dhe tri garuese të tjera të Kosovës bënë histori duke ndërtuar nanosatelitin e parë në Kosovë. Ky satelit i vogël u kishte sjellë sfida të mëdha vajzave deri në përfundimin e tij.

“Duke e parë që askush në Kosovë nuk ka krijuar më herët një nanosatelit, nuk kishim as ku të bazohemi për ta marrë një model. Por, përmes ndihmës së instruktorëve dhe hulumtimit që e kemi bërë, kemi arritur që për herë të parë të lancojmë një nanosatelit në Kosovë”, shton Elta.

Ky nanosatelit – i cili përdorej për llogaritjen e temperaturës dhe shtypjes atmosferike – dhe projektet e tjera të saj bënë që Elta ta merrte një lajm të shumëpritur mbrëmjen e 29 marsit të vitit 2022, pak minuta pasi kishte festuar ditëlindjen e nënës së saj.

“Në emër të komisionit të pranimit, ju urojmë mirëseardhjen në kolegjin Vasser”, shkruhej në mesazhin elektronik, i cili i kishte ardhur Eltës rreth orës 23:00 të asaj mbrëmjeje.

“Pranimi në kolegj është një prej lajmeve më të mira që e kam pritur tërë jetën, për shkak se shkollimi është shumë i rëndësishëm për mua”, thotë Elta, e cila tani është zgjedhur përfaqësuese e studentëve të vitit të parë në kolegjin Vasser në Nju Jork të SHBA-së, ku po studion për shkenca kompjuterike.

Kurti: Në Serbi ka 21 minoritete, pse s’mund të formojnë asociacione një-etnike?

Kryeministri Albin Kurti ka zgjedhur që përmes një grafiku ta kundërshtojë presionin ndërkombëtar për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kurti ka publikuar në Facebook një grafik të komunave në Serbi që udhëhiqen nga kryetarë joserb. Ai ka pyetur se pse minoritetet në Serbi s’mund të formojnë asociacione një-etnike.

“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët”, shkroi Kurti.

“11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, shtoi ai.

Së fundmi, kryeministri i Kosovës po përballet me një presion të shtuar ndërkombëtar për t’i implementuar marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015 për Asociacionin. Ndërkombëtarët tashmë e konsiderojnë urgjente formimin e Asociacionit, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i normalizonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. syri.net

FSK publikon momentin e nxjerrjes së fëmijës dy vjeçar nga rrënojat FSK publikon momentin e nxjerrjes së fëmijës dy vjeçar nga rrënojat

Forcat e Sigurisë së Kosovës e kanë shpëtuar një fëmijë 2 vjeç në Turqi, derisa ende po mundohen ta shpëtojnë edhe nënën e vajzës së vogël e cila është gjallë nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti.

FSK ka publikuar momentin e nxjerrjes së fëmijës dy vjeçar nga rrënojat.

Tërmeti vdekjeprurës në Turqi dhe Siri ka marrë jetën e më shumë se 11 mijë personave.

Ekipet e shpëtimit atje janë duke e pasur problem identifikimin dhe shpëtimin e të mbijetuarve për shkak të motit të papërshtatshëm që po mbizotëron në ato zona.

Kosova nis një kontingjent të Forcave të Sigurisë në operacionet e shpëtimit në Turqi

Qeveria e Kosovës ka nisur drejt Turqisë një ekip të Forcave të Sigurisë për të marrë pjesë në operacionet e kërkim-shpëtimit që po zhvillohen në dhjetë qytete të goditura rëndë nga tërmeti i 6 shkurtit.

Kryeministri Albin Kurti njoftoi se “me vendim të Qeverisë, kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës për operacione humanitare porsa u nis sonte për në Turqi, për të ju dalë në ndihmë institucioneve dhe popullit turk në rajonet e goditura nga tërmeti.

Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe popullit të saj, u shpreh edhe njëherë ngushëllimet më të thella popullit turk dhe familjarëve të viktimave të tërmetit e të lënduarve shërim sa më të shpejtë.

Vetëm tri ditë pas pritjes së ngrohtë nga Presidenti Erdoğan, në mëngjesin e sotëm u tronditëm nga lajmi për tërmetin shkatërruese në Turqi. Solidarizohemi dhe i qëndrojmë pranë popullit dhe shtetit turk në këto kohë të vështira. Shpresojmë dhe urojmë që kjo tragjedi të kalojë me sa më pak viktima.” syri.net

Tërmeti në Turqi dhe Siri, Vjosa Osmani shpall të mërkurën ditë zie në Kosovë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka shpallur të mërkurën ditë zie në Kosovës për t’u solidarizuar me viktimat e tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Numri i viktimave të këtij tërmeti tashmë ka kaluar shifrën pesëmijë, njofton Klan Kosova.

Osmani ka thënë se përballë tragjedive të tilla duhet të qëndrojmë pranë atyre që kanë nevojë për mbështetje.

Dhimbja e popullit turk dhe atij të Sirisë është edhe e jona. Prandaj, bazuar në kompetencat kushtetuese e ligjore, në shenjë respekti shtetëror e qytetar, ditën e mërkurë, 8 shkurt 2023 e kam shpallur Ditë Zie Shtetërore në Republikën e Kosovës, pas tërmeteve të datës 6 shkurt 2023 me epiqendër në Turqi, i cili la mijëra të vdekur e të lënduar”.

Gjukanoviq: E mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. 7 shkurt 2023.

RFE/RL

“Ne i kuptojmë ambiciet e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, për të marrë statusin vendit kandidat në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim fuqishëm këtë”, tha presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

Kështu tha ai të martën para gazetarëve në Podgoricë, pas takimit që pati me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në vizitën e parë të saj zyrtare në këtë shtet.

Osmani tha se Mali i Zi deri më tani ka treguar mbështetje të qartë për Kosovën në të gjitha fushat.

“Mali i Zi dhe Kosova janë shtete sovrane dhe qartësisht të përkushtuara në rrugën e anëtarësimit në BE. Ne do të vazhdojmë të punojmë me synimin për të zgjidhur çështjet e së kaluarës sonë të dhimbshme. Ne do të vazhdojmë në rrugën e paqes dhe stabilitetit”, tha ajo.

Ajo falënderoi Gjukanoviqin për mbështetjen e tij, dhe tha se anëtarësimi i Malit të Zi në NATO i kontribuoi paqes në të gjithë rajonin.

Duke folur për raportet e ndërsjella, të cilat sipas tyre janë të rëndësishme dhe miqësore, Gjukanoviq tha se ka punë përpara që pakica malazeze në Kosovë të përfshihet në Kushtetutën e Kosovës si komunitet zyrtar.

Gjukanoviq tha gjithashtu se Mali i Zi po ndjek me kujdes gjithçka që po ndodh në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Ne jemi të bindur se mund të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme. Me zgjidhjen e kësaj çështjeje – do të zgjidhej dukshëm çështja e stabilitetit e këtij rajoni”.

Osmani tha se gjatë takimit është biseduar për potencialin e jashtëzakonshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Gjukanoviq dhe Osmani do të marrin pjesë në panelin e presidentëve “Zhvillimi i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor: Sfidat për paqen dhe stabilitetin në dritën e krizës rajonale dhe globale”, organizuar nga Lëvizja Evropiane në Mal të Zi.

Në ditën e dytë të vizitës, presidentja Osmani do të vizitojë komunat e Tuzit dhe Ulqinit, ku jetojnë kryesisht shqiptarët në Mal të Zi.

Qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Gjukanoviq e njohu Kosovën në tetor të vitit 2008, tetë muaj pas vendimit të Prishtinës për ta shpallur pavarësinë.

Në të njëjtën kohë, opozita e atëhershme malazeze, e udhëhequr nga lideri i Frontit Demokratik, Andrija Mandiq, protestoi duke kërkuar anulimin e vendimit për njohjen e Kosovës.

Pas tri dekadash në pushtet, DPS e Gjukanoviqit humbi zgjedhjet e gushtit 2020. Aktualisht ajo është partia më e fortë opozitare në Mal të Zi.

Hovenier: Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime për Kosovën dhe Serbinë

RFE/RL

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin evropian për normalizimin e raporteve me Serbinë.

Sipas ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, “marrëveshja e përkohshme” do të sjellë përfitime për Prishtinën dhe Beogradin.

“SHBA-ja është e inkurajuar dhe mirëpret vendimin e Kosovës që të pranojë në parim propozimin e BE-së dhe ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Marrëveshja e përkohshme do të sjellë përfitime të konsiderueshme si për Kosovën, ashtu edhe Serbinë”, shkroi ai në Twitter.

Më 6 shkurt, pas një takimi me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pranon propozimin e bllokut evropian.

Ai tha se e konsideron këtë propozim si “një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”.

BE-ja vitin e kaluar u ka dorëzuar Kosovës dhe Serbisë propozimin, që njihet edhe si propozimi franko-gjerman.

Ky propozim nuk është bërë publik. Por, Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në të dhe ai parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Zyrtarët serbë më herët kanë thënë se pranojnë propozimin e BE-së dhe janë të gatshëm ta zbatojnë atë.

Së fundmi, SHBA-ja dhe BE-ja kanë intensifikuar angazhimin e tyre që të shtyjnë palët drejt një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog nën ndërmjetësimin e BE-së – proces që ka mbështetjen e SHBA-së – që nga viti 2011.

Ky proces synon normalizimin e plotë të raporteve, përmes një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme. Por, palët kanë qëndrime të ndryshme sa i përket përfundimit të negociatave. Kosova kërkon që marrëveshja eventuale të përfshijë njohjen reciproke, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe” dhe Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

“Kosova pranon propozimin franko-gjerman”, Kurti pas takimit me Laçak: Bazë e mirë për diskutimet e mëtejshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova e pranon propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Twitter pas takimit me të dërguarin e posaçëm të BE në lidhje me dialogun Prishtinë- Beograd, tha se propozimi konsiderohet si një bbazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”, ka shkruar Kurti.bw

Kurti kërkon që Perëndimi të mos bëjë presion për Asociacionin

RFE/RL

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje fuqive perëndimore që të mos i bëjnë presion Prishtinës që të pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështje që po rrit tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Kurti, gjatë një interviste për Associated Press, tha se në vend të kësaj Perëndimi duhet të përqendrohet që ta bëjë Serbinë më demokratike dhe të largojë, ato që ai i quajti ide hegjemoniste të Beogradit.

Kryeministri kosovar tha se Qeveria serbe duhet të pranojë pavarësinë e të gjitha ish-republikave jugosllave në mënyrë që “të përballet me të kaluarën”. Ai theksoi se Beogradi duhet të anojë më shumë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO, e jo drejt Rusisë.

Kurti tha se nëse ata e çlirojnë veten nga ideja se Kosova ende i takon Serbisë, “ata do të jenë më demokratikë, më evropianë”.

Javëve të fundit, të dërguarit nga Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë vizituar Prishtinën dhe Beogradin për t’i inkurajuar palët të pranojnë një propozim të ri – të quajtur propozim evropian – që dy shtetet të normalizojnë raportet dhe të përshpejtojnë rrugëtimin e tyre drejt BE-së.

 

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së, ka nisur më 2011, por vetëm disa prej 33 marrëveshjeve të arritura janë zbatuar deri më tani.

Kurti tha se deri më tani negociatat janë “ideologji për zgjidhjen e problemit… çdo zgjidhje është bërë më e ndërlikuar, madje edhe më e pazbatueshme, dhe publiku humbi interesin”. Ai tha se propozimi evropian “është një kornizë dhe platformë e mirë për të ecur përpara…. gjë që na bën ne që të shpresojmë lidhur me prospektet për bisedimet e ardhshme dhe për një marrëveshje”.

Plani evropian – apo siç njihet edhe si propozimi franko-gjerman – nuk është bërë publik.

SHBA-ja ka rritur presionin ndaj Prishtinës që të zbatojë marrëveshjet e arritura për Asociacionin më 2013 dhe 2015.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 tha se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me Kushtetutën, por që mund të harmonizohen.

Kurti tha se themelimi i Asociacionit nuk është prioriteti i tij, por javën e kaluar ai shpalosi disa kushte për të, përfshirë edhe që Asociacioni të jetë pjesë e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve dhe të zbatohet pas njohjes reciproke.

Autoritetet në Kosovë kanë shprehur frikën se Asociacioni do të minonte shtetësinë e Kosovës.

Fuqitë perëndimore duhet të mësojnë nga shembulli i Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, duke shprehur frikën se një asociacion do të krijonte një mini-shtet në Kosovë, tha Kurti, duke shtuar se Beogradi e ka përdorur çështjen e themelimit të Asociacionit si “armë kundër pavarësisë sonë”.

“Nëse ne prezantojmë në Ballkanin Perëndimor idenë e një asociacioni të komunave me bazë etnike, kjo do të jetë recetë për konflikte të reja”, tha Kurti.

Kurti tha se fuqitë perëndimore nuk duhet t’iu bëjnë presion shteteve më të vogla, sikurse Kosova, që janë demokratike. Problemet midis Kosovës dhe Serbisë mund të jenë të vogla dhe të bezdisshme, por ata duhet t’i kushtojnë vëmendje asaj çfarë po ndodh në rajon sepse “çdo zgjidhje e gabuar në Ballkan mund dhe do të përdoret edhe gjetkë”.

Kurti insistoi se njohja e ndërsjellë duhet të jetë në qendër të çdo negociate, ide që refuzohet nga Beogradi.

“Në fillim më puthën dorën pastaj na përzunë”/ At Nikolla Xhufka denoncon serbët: Më larguan me arrogancë nga Manastiri i Deçanit

 

At Nikolla Xhufka

At Nikolla Xhufka, një klerik nga Elbasani është përzënë nga drejtuesit e Manastirit të Deçanit në Kosovë, ku kishte vajtur për vizitë. Denoncimin e ka bërë vetë kleriku Xhufka pasi shkoi në vizitë në Manastirin e Deçanit, në të cilin, ashtu edhe siç pritej, nuk pati një pritje miqësore nga drejtuesit e manastirit.

Në fillim ai ishte pritur mirë dhe me dashamirësi nga murgjit që ishin brenda, por në momentin që kishin marrë vesh që ai ishte shqiptar e kishin larguar me arrogancë nga manastiri.

“Ishte një situatë tejet dramatike, aq shumë na kontrolluan sa që mirë që nuk na zhveshën. Të thuash dramatike është pak. Te jesh në tokën tënde, në shtëpinë tënde dhe të mos gjendesh rehat në kishën tënde, kjo është e pafalshme”.

At Nikolla Xhufka thotë se Manastiri i Deçanit është i shqiptarëve.

“Manastiri ishte kishë ilire”.

Ai thotë se nuk ia kishte marrë mendja që serbët do të kenë një sjellje të tillë ndaj një prifti.

“Sjellja e tillë kundër një kleriku, kundër një prifti, është e pashpjegueshme”.

“Në fillim as rojet e KFOR-it nuk na penguan. Prifti më puthi dorën. Më pas dikush iu afrua dhe i pëshpëriti diçka në vesh, prifti ndryshoi sjellje. Ai nga një murg u bë një njeri arrogant”, deklaroi tutje At Nikolla Xhufka.

Xhufka rrëfen edhe bisedën e shkurtër me priftin e manastirit të Deçanit.

“Sapo e kuptoi se ishim shqiptarë më tha “zotëri ik me të mirë, sa nuk të kemi rrahur”. I thashë: Si të iki akoma një qiri nuk e kam ndezur. A je murg ti”. Ma ktheu “unë jam zot shpie këtu, largohuni””, tregon tutje vizitën e hidhur në manastirin e Deçanit At Nikolla Xhufka./Zëri

Qytetarët e Kosovës, kundër blerjes së produkteve serbe

Qytetarët e Kosovës kanë filluar të bojkotojnë produktet me origjinë nga shteti i Serbisë, meritë për këtë është fushata e filluar tash e sa muaj kundër produkteve serbe, e cila duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mediet ka arritur që të mobilizojë në masë të madhe qytetarët që të mos blejnë prodhime serbe.

Rreth kësaj fushate qytetarët u shprehën se e përkrahin fuqishëm bojkotimin e produkteve serbe dhe për më tepër kërkojnë largimin e tyre nga tregu kosovar.

Këtë dëshirë, e pati qytetari Kadri Hasani, i cili e fajësoi qeverinë dhe marketet tona të cilat sipas tij po furnizohen me produkte serbe.

“Personalisht nëse e di jo, por të gjithë po i blejnë, hyn shikoje në markete të gjitha i ke 70-80% , të gjithë i blejnë … Këta duhet t’i uzurpojnë këta që i blejnë, jo konsumatorët, se konsumatori ka ndonjë që nuk e din, nuk e sheh, unë nuk e shoh, p.sh, e marrë kur ta dërgojë në shtëpi, e shoh të Kragujevcit, Nishit, Beogradit, andej… por fajin e kanë këta që i marrin, këta duhet në doganë me i ndalë, dhe jo me ndalë qytetarin, çka din ky pa shkollë, çka din katunari kur të hynë aty , kush e prodhon, si intereson prodhimi… Gjë më të keqe në botë nuk ka, veç njerëzit nuk kanë ku shkojnë, sjellje më të keqe nuk ka. Për çmime spo flasim, tërë natën merren vesh, se qysh t’i shtrenjtojnë çmimet. Merre me mend, ujin kur e shtrenjtojnë, në këtë krizë, që ishte katastrofë, ishte 30 cent, e kishin bërë 70 cent. Ku ka në rruzullin tokësor një ujë 30 cent të shitet barabartë me një qumësht”, u shpreh Hasani.

Fahriu, është një qytetar tjetër i cili ka dyshime se shpesh qytetarët po mashtrohen nga marketet kosovare, kështu duke i mbuluar produktet serbe në kuadër të atyre që janë prodhim i Kosovës. Ai thotë se duhet të kemi kujdes ndaj këtyre mashtrimeve.

“Unë konkretisht nuk i blej produktet serbe, e di të kujt janë, për atë nuk i blej . Edhe pse jam me syze, e kam marrë edhe llupen me vete për me mujt me pa ma mirë, se ka vende që po i fshijnë ose po qesin ushqime përmbi produkte, që të na mashtrojnë, kinse është prodhim ose i Shqipërisë ose diçka tjetër, por veç serbët dinë të bëjnë këto gjëra, por duhet të kemi kujdes”, tha Fahriu. Gjithashtu, ai u shpreh se me këtë veprim që ne po bëjmë, duke i blerë produktet serbe, ne nuk po i japim të holla Serbisë, por plumba kundër neve.

Enver Halimi, kritikon qeverinë e Kosovës, në lidhje me këtë çështje. Ai thotë se qeveria duhet ta gjejë mënyrën se si të furnizohet me produkte në mënyrë që mos t’i blejmë ato serbe.

“Të them të vërtetën unë nuk i blej, dhe nuk duhet ti blejmë produktet serbe ne shqiptarët. E familjarët disa po disa jo. Qeveria duhet ta gjejë mënyrën se a mundet të sjellë produkte prej një vendi tjetër, e më pas të thotë që mos t’i blejmë, mirëpo, ne mundemi të mos i blejmë ato”, tha Halimi.

I pyetur se a di që të dallojë një produkt të Serbisë, në mënyrë që ta evidentojë dhe mos ta blejë, ai tha se në bazë të flamujve dijnë ta dallojë, ani pse ka pasur raste kur kanë ndodhur falsifikime nga ana e marketeve, të cilat sipas tij duhet dënuar.

Fushata kundër bojkotimeve serbe, ka filluar qysh nga shtatori i vitit të kaluar, dhe po vazhdon edhe sot.

Kur jemi tek mallrat, cilësia dhe siguria e tyre në tregun kosovar, Inspektorati i Tregut në vazhdën e inspektimeve të intensifikuara ka kryer edhe inspektime lidhur me verifikimin e sasisë dhe peshës së produkteve nëpër operatorët ekonomik në Republikën e Kosovës, ku ka konstatuar se një vaj ushqimor, i prodhuar në Serbi, nuk e plotëson kriterin e mesatares për sasi siç e parasheh rregullorja 03/2020 për produktet e parapaketuara. /kp

Askush plotësisht i kënaqur me Projektligjin për lirinë fetare

Xhamia e Madhe në Prishtinë. Sipas të dhënave zyrtare, 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Bekim Bislimi

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk përmban ndryshime të mëdha dhe rrënjësore, krahasuar me projektligjet e miratuara nga qeveritë e kaluara, vlerësojnë përfaqësues të bashkësive fetare.

Sociologu i religjionit, Ismail Hasani, në anën tjetër, thotë se në këtë projektligj ka mjaft terme të ngatërruara, të cilat më vonë mund të nxjerrin probleme.

Megjithatë, në rast se projektligji miratohet nga Kuvendi i Kosovës, bashkësitë fetare ligjërisht do të mund ta sigurojnë statusin e tyre juridik, i cili me Ligjin për lirinë fetare – i miratuar në vitin 2006 – nuk është përcaktuar.

Projektligji i miratuar së voni njeh ekzistencën e shtatë bashkësive fetare në Kosovë, të cilat përbëjnë trashëgiminë historike, kulturore dhe shoqërore të vendit.

Ato janë: Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkësia e Besimit Hebrej, Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Bashkësia e Tarikateve të Kosovës dhe Komuniteti Bektashian i Kosovës.

Projektligjet e miratuara në vitin 2020, 2017 dhe 2014, që nuk janë shndërruar në ligj për shkak të mungesës së votave në Kuvendin e Kosovës, kanë njohur ekzistencën e gjashtë bashkësive fetare, duke mos e përfshirë si të veçantë Komunitetin Bektashian të Kosovës.

Shumica e këtyre bashkësive e shohin projektligjin e ri si mjaft liberal. Por, kanë edhe vërejtje dhe mospajtime, të cilat, siç thonë, i kanë shprehur edhe gjatë shqyrtimit publik të tij, në dhjetor të vitit të kaluar.

BIK: Projektligji mundëson fraksione brenda një bashkësie

Të gjitha bashkësitë fetare pajtohen në një pikë – se duhet të ketë një ligj që e njeh statusin e tyre juridik.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila ka për qëllim organizimin e jetës fetare të 95 për qind të popullsisë së Kosovës që i takon besimit islam, konsideron se projektligji i miratuar nga Qeveria e Kosovës më 25 janar, nuk është varianti që është pritur nga kjo bashkësi.

Ramadan Shkodra, përfaqësues i BIK-ut, thotë se kjo bashkësi ka kërkuar që të ruhet sistemi unitar brenda bashkësive fetare. Por, sipas tij, projektligji aktual, nëse miratohet si ligj, do të mundësojë krijimin e shumë fraksioneve brenda një bashkësie.

“Ne jemi në favor të asaj që të njihet ana historike e bashkësive fetare, të njihet rruga e formimit të bashkësive fetare. Ne jemi ‘për’ që çdo qytetari të Kosovës t’i garantohet liria e besimit. Por, liria e organizimit është krejt diçka tjetër. Me këtë ligj, në Kosovë do të kemi shumë telashe. Nesër mund të kemi bashkësi të këtyre ideologjive ekstremiste. Për anakronizëm, vetë Qeveria e Kosovë i ka ndaluar OJQ-të [organizatat joqeveritare] me baza fetare. Ndërkaq, tani krijon rehati që të krijohen shumë bashkësi fetare të një besimi”, thotë Shkodra për Radion Evropa e Lirë.

Në nenin 7A të projektligjit të ri thuhet se në Kosovë “mund të regjistrohen edhe bashkësi të reja fetare”, përmes kërkesës për regjistrim, si dhe me kushtin që kur regjistrohen “i kanë së paku 100 anëtarë” shtetas të Kosovës, të moshës madhore.

Kisha Katolike: Vërejtje lidhur me inspektimet financiare

Nga Kisha Katolike thonë se ky projektligj, në parim, është i pranueshëm.

Don Shan Zefi, kancelar ipeshkvor i Kosovës, thotë se si ipeshkvi kanë dhënë sugjerime dhe se një nga vërejtjet e tyre ka pasur të bëjë me çështjet ligjore të inspektimit të të hyrave dhe daljeve financiare të kishës.

“Aty i kemi pasur vërejtjet tona, sepse, në qoftë se investon Qeveria e Kosovës, shteti i Kosovës atëherë ka të drejtë për rishikimin e të hyrave dhe daljeve. Ndërkaq, ato që janë ekskluzivisht brenda kishës, siç janë ofertat brenda kishës nga besimtarët… Ne nuk e kemi pranuar këtë çështje”, thotë kancelari ipeshkvor i Kosovës.

Brenda katedrales Nëna Terezë në Prishtinë.

Brenda katedrales Nëna Terezë në Prishtinë.

Në Nenin 12B të projektligjit, i cili përcakton raportimin financiar, thuhet se të gjitha bashkësitë fetare “janë të obliguara që deri më 31 mars të vitit pasardhës, t’i dërgojnë pasqyrat financiare të audituara për vitin paraprak”.

KOS: Nuk patëm mundësi të konsultohemi për projektligjin

Kisha Ortodokse Serbe (KOS), në dhjetor të vitit 2022, ka dërguar dy përfaqësues të saj në konsultimet e organizuara nga Qeveria e Kosovës lidhur me projektligjin, por ata “nuk kanë mundur të kenë qasje të plotë në këto konsultime dhe as t’i japin sugjerimet e veta”, për shkak se atyre “nuk u është siguruar përkthimi në gjuhën serbe, siç parashihet edhe me ligj”. Kështu thotë Millosh Periq, sekretar i Dioqezës së Prizrenit, në një deklaratë me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë.

“Ne jemi duke punuar në analizën e draftit të ri dhe avokatët tanë do të konsultohen me ekspertët përkatës, si dhe me përfaqësues ndërkombëtarë. Projektligji për të cilin Kisha jonë ra dakord para disa vitesh dhe ishte aktual deri vonë, u ndryshua në disa pika të rëndësishme, ndërsa ne nuk patëm mundësi të shprehim kundërshtime apo të konsultohemi për të”, thotë Periq.

Ai shton se, megjithatë, është mirë që në projektligjin e ri, ashtu sikurse edhe në atë të vitit 2020, Kisha Ortodokse Serbe është regjistruar me emrin e saj ligjor, i cili është i pranuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.

Sipas tij, ligji do të garantojë paprekshmërinë e strukturës së brendshme të të gjitha bashkësive fetare, përfshirë edhe Kishën Ortodokse Serbe.

“Kjo do të thotë se Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë është një entitet i pandashëm me Kishën Ortodokse Serbe, selia e së cilës është në Beograd”, thotë Periq.

Video nga arkivi: Universiteti i Prishtinës dhe Kisha Ortodokse Serbe po përballen në gjykatë lidhur me të drejtën e shfrytëzimit të tokës, ku gjendet edhe kisha e papërfunduar ortodokse

Marrë parasysh se regjistrimi për komunitetet tradicionale fetare është automatik, ai thotë se Kisha Ortodokse Serbe “nuk do të kalojë në procesin e regjistrimit”, por se “subjektiviteti dhe vazhdimësia e saj ligjore në këto fusha do të njihen automatikisht”.

Në projektligj, në nenin 4A, pika 2, thuhet se shtatë bashkësive fetare, të cilat janë specifikuar, u pranohet statusi i personit juridik.

Ndërkaq, në nenin 7A, pika 1, thuhet se “bashkësitë fetare nuk janë të detyruara të regjistrohen dhe të pranojnë statusin e personit juridik kundër vullnetit të tyre”.

Periq thotë se qëndrimi i Kishës Ortodokse Serbe mbi projektligjin do të varet nga vlerësimi i ekspertëve për çështje juridike dhe fetare, me të cilët kjo kishë është duke u konsultuar. Ky qëndrim, më pas, do të jetë edhe bazë për deputetët që përfaqësojnë komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës se si do të votojnë.

Marrë parasysh që Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare është me rëndësi vitale, atëherë ai kërkon dy të tretat e votave të dyfishta të deputetëve, që përfaqësojnë komunitetet joshumicë në Kuvendin e Kosovës. Komuniteti serb ka dhjetë ulëse të garantuara në Kuvend.

KPUK: Projektligj liberal me “detyrim skandaloz

Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës (KPUK) e vlerëson si mjaft demokratik dhe liberal Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare. Por, kryetari i kësaj kishe, Femi Cakolli, thotë se ai nuk saktëson se kush i siguron parcelat për të gjitha bashkësitë fetare, me trajtim të barabartë.

Gjithashtu, thotë Cakolli, në projektligj nuk është futur sugjerimi që personat joshtetas të Kosovës që vijnë në vend për çështje besimi, të njihen si misionarë ose varësisht emërtimeve që mund t’ua japin bashkësitë fetare.

Projektligji aktual, sipas tij, trajton edhe një çështje, e cila në formën siç është përcaktuar, rrezikon të cenojë ruajtjen e besimit ndërmjet klerikut dhe besimtarit të krishterë, me rastin e “pendimit-rrëfimit”.

Pamje nga procesi i rrëfimit para priftit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Pamje nga procesi i rrëfimit para priftit. Fotografi ilustruese nga arkivi.

“Aty, në mënyrë të prerë, thuhet se klerikët e bashkësisë fetare detyrohen të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për një të dyshuar. Mendoj se ky është rasti më skandaloz që mund të ekzistojë në këtë formë, sepse ‘detyrimi’ nuk do të duhej të ishte në këtë mënyrë dhe që shteti ose Qeveria të flasë me këtë gjuhë, apo ligjvënësit. Ne ia kemi bërë vërejtjen Qeverisë. Këtu mendoj se shteti ka shkuar përtej asaj sesi funksionon një bashkësi fetare. Por, ne pajtohemi që kur ka një vendim gjykate për një person që rrezikon sigurinë, që është për terrorizëm, për shëndet publik, etj…”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Ai i referohet nenit 12 A, pikës 4 të projektligjit, ku thuhet: “Të gjitha bashkësitë fetare/kishat janë të detyruara të bashkëpunojnë me prokurorin e shtetit, gjykatat dhe organet e tjera kompetente që marrin pjesë në procedurat penale në lidhje me veprat penale (të ndryshme)”.

BTK: Pa regjistrimin e bashkësive fetare, Kosova nuk e njeh veten

Lulzim Shehu, sekretar i përgjithshëm i Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës (BTK), vlerëson se projektligji aktual nuk ka ndryshime esenciale, në krahasim me tri projektligjet e miratuara nga qeveritë paraprake të Kosovës.

Ai thotë se në procedurë të përpilimit të projektligjit nuk ka pasur probleme.

“Unë shpresoj që ky ligj do ta plotësojë një vakum, në të cilin Kosova, në të vërtetë, nuk e njeh vetveten. Nuk do të thotë që dikush nga jashtë të të njohë. Kosova nuk e njeh veten, me vetë faktin që nuk ka pasur mundësi që bashkësitë fetare të regjistrohen”, thotë Shehu për Radion Evropa e Lirë.

Dervishët gjatë një ceremonie fetare në Prizren. 21 mars 2013.

Dervishët gjatë një ceremonie fetare në Prizren. 21 mars 2013.

Hasani: Ngatërrim i termeve dhe emërtimeve

Profesori i sociologjisë së religjionit në Prishtinë, Ismail Hasani, vlerëson se projektligji në fjalë – me përjashtim të disa risive rreth mënyrës së organizimit të bashkësive fetare – nuk shkon përtej ligjit të miratuar në vitin 2006, si dhe projektligjeve që janë miratuar nga qeveritë deri në vitin 2020.

Në sfondin e bashkësive fetare, sipas tij, është shtuar Bashkësia e Komunitetit Bektashian, e cila më herët ka qenë në kuadër të Bashkësisë së Tarikateve të Kosovës.

Gjithashtu, sipas tij, në projektligjin aktual nuk është shënuar asnjë hap më tej në përkufizimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Hasani vlerëson se në projektligj ka terminologji të ngatërruar ndërmjet etnisë, bashkësive fetare dhe besimeve.

Sipas tij, përkufizimi i Kishës Ortodokse është ngatërruar me termin Kishë Ortodokse Serbe, duke i dhënë një entiteti edhe ndajshtesën e etnisë.

Ai thotë se është i vetëdijshëm që në këtë pikë ekziston sfondi politik i kësaj çështjeje, për shkak të përfshirjes së Kishës Ortodokse Serbe në Dokumentin e Ahatisarit – në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës në vitin 2008 – por edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Do të ishte element civilizues që Kisha Ortodokse në Kosovë të mos e merrte ndajshtesën e elementit etnik, sepse Kishës Ortodokse mund t’i takojnë edhe njerëzit që nuk janë të entitetit etnik serb”, thotë Hasani.

Ai shton se ndajshtesën e natyrës etnike e ka marrë edhe Bashkësia e Besimit Hebrej.

Por, sipas tij, “nuk ekziston besimi hebre, por vetëm përkatësia etnike hebreje” dhe “besimi quhet judaizëm”.

Siç thotë Hasani, emërtimi në ligj “Kishë Katolike” gjithashtu krijon konfuzion, sepse ekzistojnë shumë kisha katolike. Ai thotë se, në këtë rast, është dashur të shtohet ndajshtesa e shtetit – përkatësisht “Kisha Katolike – Ipeshkvia e Kosovës” – ashtu siç është bërë me Bashkësinë Islame të Kosovës ose Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës.

Për më tepër, thotë Hasani, nga Bashkësia e Tarikateve të Kosovës ka dalë një bashkësi tjetër që emërtohet Komunitet Bektashian i Kosovës, ndërkohë që “bektashinjtë i takojnë njërit prej 12 tarikateve që veprojnë në Kosovë”.

Hasani, po ashtu, thotë se është kundër kriterit që përcakton se për themelimin e një bashkësie fetare janë të domosdoshëm 100 persona. Sipas tij, theksi është dashur të bjerë më tepër në plotësimin e kritereve të tjera.

“Tani ky është sekret publik, pra paraqitja e grupeve të ndryshme ekstreme, që shpërfaqen jo vetëm në Kosovë, por gjithandej ku ka vende të krizave – pjesëtarë të entiteteve të ndryshme etnike, refugjatë të ndryshëm, të cilët janë të strehuar përkohësisht në Kosovë… Këto, pastaj, e ngatërrojnë gjithë situatën. Do të thotë, në pikëpamje ligjore, ne mund të jemi në rregull nëse përmbushet ky kriteri i numrit 100. Por, shtrohet pyetja se kush janë ata 100 persona? Ky është problemi”, thotë Hasani.

Sipas tij, në disa pika të projektligjit shpërfaqet edhe tendenca e përzierjes së institucioneve ose shtetit në rituale të caktuara të bashkësive fetare, që, në fakt, janë kompetenca rigoroze të këtyre bashkësive.

Për këtë arsye, siç thotë Hasani, projektligjit duhet t’i shtohet preambula, që specifikon se “Republika e Kosovës është shtet laik”.

Përfaqësuesit e bashkësive fetare në Kosovë shprehen skeptikë për miratimin e këtij projektligji në Kuvend, për shkak se nevojiten dy të tretat e dyfishta të votave të deputetëve të komuniteteve joshumicë, të cilat vështirë mund të sigurohen nëse deputetët e komunitetit serb janë kundër.

Se kur do të arrijë projektligji në Kuvend, nuk është ende e qartë.

Albin Kurti pritet nga Erdogan në Stamboll, tregon arsyet e takimit midis tyre

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se me ftesë të presidentit të Republikës së Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadorin e Kosovës në Turqi, Agon Vrenezi dhe ish Kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka të premten ishin në një vizitë pune në qytetin historik të Stambollit.

“Përgjatë takimit dhe darkës së punës biseduam për raportet tona miqësore dhe për mënyrat sesi mund t’i thellojmë e forcojmë ato, – tregoi Kurti. – Diskutuam edhe për mundësitë e reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar dhe të sigurisë e mbrojtjes.

I jemi përherë mirënjohës Turqisë për mbështetjen e pakursyer në çdo etapë të ndërtimit të shtetit tonë e shumë fusha të zhvillimit të tij. Presidentin Erdogan e falënderova për mikpritjen e përzemërt dhe për përkrahjen e zëshme të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Këshillin e Evropës.” syri.net

Presidentja Osmani në Islandë, thekson rëndësinë që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani po vazhdon takimet e saj zyrtare në Islandë. Në takimet që pati sot me kryetarin e Kuvendit të Islandës Birgir Ármannsson dhe ministren e Jashtme, Thórdís Kolbrún Reykfjörd Gylfadóttir, Osmani tha se diskutuan thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve tona, si dhe rëndësinë e avancimit të rrugës euroatlantike për Kosovën.

“Kosova dhe Islanda ndajnë idealet e njëjta të demokracisë, të të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit, prandaj në këtë frymë, – theksoi Osmani, – në takimet me lidershipin e Islandës potencova rëndësinë vendimtare që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës dhe të vazhdojë të kontribuojë në forcimin e këtyre vlerave.’ syri.net

A i ndryshoi Kurti qëndrimet për Asociacionin?

Nadije Ahmeti

Kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë relativisht të pranueshme, përveç njërës që mund të jetë më problematike, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, Agon Maliqi dhe Artan Muhaxhiri.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, dëshiron të imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës.

Kurti, i cili deri tani ka kundërshtuar fuqishëm krijimin e Asociacionit njëetnik, të enjten shpalosi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës gjashtë kushtet për formimin e tij.

Sipas Kurtit, Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, ai duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit, të ketë një emër tjetër dhe të mos ketë kompetenca ekzekutive, të ketë të përfshirë parimin e reciprocitetit mes shteteve sa i përket të drejtave të pakicave kombëtare, bazuar në modelet evropiane.

Kurti po ashtu ka kërkuar që të shuhen strukturat ilegale në veri dhe të bëhet dorëzimi i armëve, si dhe Serbia të tërheqë letrat dërguar pesë shteteve mosnjohëse të BE-së për mospranimin e Kosovës në bllokun evropian. Kurti kushtëzoi themelimin e Asociacionit edhe me përfshirjen e tij në një marrëveshje eventuale finale me Serbinë, dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka cilësuar “përrallë” kushtet për Asociacionin. Në një seancë të Kuvendit të Serbisë, gjatë diskutimeve për Kosovën, Vuçiq ka thënë se Kurti në fakt “nuk do të formojë Asociacionin”.

Kosova dhe Serbia, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, kanë nënshkruar më 2013 marrëveshjen për formimin e Asociacionit, por ajo nuk është zbatuar kurrë. Më 2015 është nënshkruar një marrëveshje tjetër, për siç është thënë, parimet e këtij Asociacioni.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2015 gjeti se 23 pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit, nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik të shtetit. Por, gjykata tha se ato mund të harmonizohen.​

“Hap përpara i Kurtit”

Maliqi thotë se qëndrimi i shprehur nga Kurti është hap përpara dhe mundësi që të lëvizet nga pozicioni “i ngurtë” i kreut të Qeverisë kosovare sa i përket Asociacionit.

“Është një lëvizje e pozicionit në kuptimin se tashmë Asociacioni bëhet i pranueshëm. Është një ‘po’ e kushtëzuar. Kushtet janë reale, në kuptim që janë pozicion i arsyeshëm fillestar i Kosovës. Mendoj se brenda atyre kushteve ka hapësirë që të arrihet deri te një lloj asociacioni që është i pranueshëm”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Për njohësin e çështjeve politike, njëherësh profesorin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Artan Muhaxhirin, deklaratat e Kurtit për Asociacionin janë një evoluim i pavullnetshëm politik, por megjithatë, sipas tij, ato paraqesin një mesazh të fortë për bashkësinë ndërkombëtare.

Ai thotë se pas këtyre deklaratave ekziston gatishmëria që të lëvizet nga qëndrimet bllokuese dhe të kërkohen gjetje kreative, që të arrihet deri te një pikë që është e përshtatshme për të gjithë.

“…sepse vetëm me këtë qasje mund të normalizohen raportet e dëmtuara me aleatët tanë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian. Është një ndryshim shumë i rëndësishëm sepse tregon një nivel tjetër të komunikimit të temës së Asociacionit, pasi më nuk është refuzim automatik, siç ishte deri më tani”, thotë ai.

Muhaxhiri shton se Kurti tashmë ka krijuar hapësirë që të bisedohet për Asociacionin, bazuar në kërkesat e tij.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar nga Kosova që të formojë Asociacionin.

SHBA-ja ka kërkuar nga Kurti që të paraqesë vizionin e tij për Asociacionin, duke thënë se dëshiron që ai të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe jo të krijojë një Republika Sërpska, sikurse në Bosnje e Hercegovinë.

Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, vlerëson se Kurti, duke vënë kushte për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, po tenton ta imponojë qëndrimin se Asociacioni duhet të përfshijë vetëm katër komuna në veri të Kosovës dhe jo dhjetë komunat e banuara me shumicë serbe që gjenden në gjithë Kosovën.

Në bazë të marrëveshjeve të arritura në Bruksel, Asociacioni do të duhej të përfshijë dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

“Kjo do t’i jepte një mundësi Qeverisë së Kosovës që më në fund të dalë me një propozim për integrim. Asnjë nga qeveritë e Kosovës nuk ka pasur program për integrim, kanë vetëm një program të largimit të institucioneve serbe dhe arritjes së sovranitetit të plotë. Unë i kuptoj, por është një politikë joproduktive”, thotë Janjiq.

Cili është kushti problematik?

Pavarësisht se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti janë të pranueshme, ajo që Asociacioni të jetë në kuadër të marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes së ndërsjellë, po shihet si problematike.

“Kjo mund të jetë problematike për shkak të rrethanave, për shkak të kontekstit të komplikuar gjeopolitik. Nuk mund të pritet që Serbia ta njohë në mënyrë të thjeshtë Kosovën. Por, me siguri duhet të bëhet ndonjë modalitet kreativ, në mënyrë që të gjendet një mes ku Serbia do të pranonte ekzistencën e shtetit të Kosovës”, thotë Artan Muhaxhiri.

Maliqi, ndërkaq, vlerëson se disa nga kushtet e vendosura nga Kurti nuk janë as kushte, pasi “janë të nënkuptuara në marrëveshjet, qoftë ato ekzistuese apo edhe në draftet që kanë qarkulluar”.

Pse ndryshoi qëndrimin kryeministri Kurti?

Agon Maliqi thotë se Kurti ka vlerësuar se Kosova gjendet në një pozicion që nuk mund ta shtyjë më temën e Asociacionit. Kjo, sipas tij, mund të jetë edhe për shkak të garancive që kryeministri mund të ketë marrë nga aleatët që procesi të shkojë përpara, ose edhe nga frika se mund të ketë masa ndëshkuese, qoftë për Kosovën, apo edhe për të personalisht, në aspektin politik.

“Pra, është modifikim i qëndrimeve, që ndoshta buron nga ‘mbështetja për muri’ dhe mungesa e hapësirës së mëtejme manovruese”, thekson ai.

Ndërkaq, Muhaxhiri mendon se ky ndryshim qëndrimesh ka ardhur si pasojë e presioneve të faktorit ndërkombëtar.

“Kryeministri Kurti e dinë se më këtë qasje nuk mund të ketë një qeverisje normale në të ardhmen. Ose duhet të japë dorëheqje ose të ndryshojë qëndrim. Duket se ka zgjedhur opsionin e dytë, pra modifikimin e qëndrimit, një lloji evoluimi në raport me gjithë situatën”, vlerëson ai.

SHBA-ja e ka vlerësuar si prioritet kryesor formimin e Asociacionit dhe për këtë çështje ka organizuar edhe një diskutim më 31 janar.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

SHBA-ja dhe BE-ja së fundmi kanë shtuar përpjekjet e tyre për të dinamizuar procesin e dialogut, që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Dialogu Kosovë-Serbi, që ka nisur më 2011, synon normalizimin e plotë të raporteve mes dy shteteve.

Pavarësisht se Kosova thotë se në këtë proces nuk diskutohet për statusin e saj, Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet në Prishtinë duhet ta kuptojnë se zgjidhja e statusit të Kosovës është në fakt zgjidhja e statusit të komunitetit serb.

“Komuniteti serb në Kosovë nuk mund të trajtohet si një nga minoritetet. Është thjesht një pakicë shumë e rëndësishme që Kosova të bëhet shtet. Është një problem themelor që nuk kuptohet dhe Beogradi shpesh e keqpërdor”, thotë Janjiq.

Përderisa Kosovës dhe Serbisë u është ofruar një plan për normalizimin e raporteve, që njihet si plani evropian, dy shtetet kanë qëndrime të kundërta sa i përket përfundimit të procesit të dialogut. Kosova këmbëngul që një marrëveshje eventuale përfundimtare të përfshijë njohjen e ndërsjellë, por për Serbinë njohja është “vijë e kuqe”, teksa Beogradi insiston që dialogu të përmbyllet me një zgjidhje kompromisi, pa specifikuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Deputeti i Vetëvendosjes: Jo ‘Zajednicës’ dhe jo Vuçiqit brenda Kosovës

RFE/RL

Duke folur për kërkesën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, u tha partive opozitare që të qëndrojnë “bashkë dhe unik për Kosovën, pavarësisht gjithçkaje që na kërkohet”.

Kështu tha ai gjatë seancës së 2 shkurtit në Kuvendin e Kosovës.

Ai u është drejtuar deputetëve opozitarë duke i pyetur nëse janë për themelimin e Asociacionit.

“A na tregoni ju a jeni për ‘Zajednicën’ [Asociacionin]? Jo çka po thotë Serbia, jo çka po thonë e kërkojnë negociatorët, por a e doni ju për Kosovën tonë, tash dhe në të ardhmen, Zajednicën e presidentit serb [Aleksandar] Vuçiqit? Kjo është pyetja”.

“A duam të jemi bashkë dhe unik për Kosovën, pavarësisht gjithçkaje që në kërkohet. Le të qëndrojmë bashkë: Jo Zajednicës, jo Vuçiqit brenda Kosovës dhe jo ndarjes së Kosovës në baza etnike”, tha ai.

Dje, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se themelimi i “Asociacionit njëetnik në Kosovën me Kushtetutë shumetnike nuk është i mundshëm”.

Ambasada amerikane në Prishtinë organizoi të martën një diskutim të mbyllur për Asociacionin.

Pas takimit, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se vendi i tij e ka bërë të qartë tashmë se “nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës” ose që “kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik” të saj.

Hovenier tha se SHBA-ja pret që “Kosova t’i përmbushë obligimet e saj”.

“Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që ta ofrojë vizionin e saj për Asociacionin, që beson se mbron të ardhmen e Kosovës si shtet sovran, i pavarur, multietnik, demokratik, dhe siguron të drejtat e pakicave në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe Kushtetutën e Kosovës”, tha Hovenier.

Marrëveshja për formimin e këtij asociacioni është arritur në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më 23 dhjetor të vitit 2015 se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka thënë se ky asociacion mund të formohet nëse parimet që nuk janë në harmonizim me Kushtetutën, harmonizohen.

Serbia, në anë tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.

Kosovë, 33 vjet nga nisma e Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çettës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve, që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.

Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë, shkruan RTK.

Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes Gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si “kral” i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i paevitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Ai kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun, shkruan KosovaPress.

Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ua dhuroi Anton Çettës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.

Njerëzit në atë kohë në krye me Anton Çettën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin.

Faleshin për hatrin e atdheut. Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. Falje të gjaqeve vazhdojmë të kemi edhe tani.

Kosovë- Me ligjin e ri paga mesatare bruto do të jetë 730 euro për këtë vit

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar se për këtë vit paga mesatare bruto do të jetë 730 euro.

“Me ligjin e ri mesatarja bruto do të jetë 730 euro për vitin 2023, një rritje 17 për qind”, ka thënë Murati në mbledhjen e sotme të qeverisë.

Ai ka theksuar se për vitin e ardhshëm vlera e koeficientit për pagat parashihet të jetë 110 euro.

Murati njoftoi se nga muaji shkurt do të fillohet me implementimin e ligjit të ri të pagave.

Sot në mbledhjen e qeverisë u miratua vlera e koeficientit 105 euro për pagat. syri.net

Një memorial për Elfete dhe Mentor Humollin, motër e vëlla të vrarë nga forcat serbe – Nga Albin Kurti

Më 1 shkurt 1990, plot 33 vite më parë, duke demonstruar për lirinë e Kosovës në fshatin Lupç i Poshtëm, Elfete Humolli ra dëshmore e lirisë, e vrarë nga policia serbe. Atë ditë, ajo ishte e shoqëruar me vëllain e saj Mentorin, që 9 vite më pas do të binte dëshmor po sikur motra e tij.

Nga ky përvjetor, Elfete dhe Mentor Humolli do të mund të nderohen edhe te kompleksi memorial i ngritur për kujtim të tyre në Lupç të Poshtëm. Aty nderuam sot bashkë me Nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcin, para se të vizitonim familjen Humolli, për të kujtuar Elfeten dhe Mentorin edhe pranë nënës Sevdije, nënës së këtyre dy dëshmorëve.

Atë ditë, më 1 shkurt 1990, fushat pranë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë në Lupç të Poshtëm, ishin mbuluar nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia e Serbisë, kundër mijëra demonstruesve shqiptarë nga fshatrat e kësaj ane të Llapit, që po thërrisnin për demokraci, përballë pushtetit të Serbisë që po i përndiqte shqiptarët në Kosovë duke i diskriminuar etnikisht dhe duke i shtypur egër politikisht. Ishte dita e dytë që banorët e këtyre anëve po demonstronin për të drejta politike, për liri dhe kundër shtypjes nga regjimi serb. Një ditë më parë, teksa po shpërndaheshin në mbrëmje, shumë demonstrues kishin bërë homazhe te varri i Afrim Zhitisë në fshatin Lluga.

Në demonstratën e 1 shkurtit 1990, policia serbe shtiu me breshëri në drejtim të demonstruesve duke goditur katër prej tyre: Elfete Humolli vdiq nga plagët në vend, kurse Eset Kaçiu, Ismet Krasniqi dhe Avni Retkoceri mbetën të plagosur.

E lindur më 15 shkurt 1973, Elfete Humolli u vra dy javë para se të bëhej 17 vjeçe. Atë ditë, Elfetja ishte agjërueshëm dhe para frymës së fundit, kishte pyetur për vëllanë e saj 13 vjeçar: “Ku është Mentori, a ka shpëtuar?”

Siç shihet edhe në fotografitë e asaj kohe, mbi 10 mijë njerëz nga gjithë Kosova morën pjesë në varrimin e Elfete Humollit, ndërsa në muajt në vazhdim, dhjetëra mijëra shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare vizituan familjen Humolli në Lupç të Poshtëm për të shprehur ngushëllime dhe mbështetje.

Atë kohë, shumë media botërore realizuan reportazhe duke e bërë rastin e Elfete Humollit të njohur edhe ndërkombëtarisht në publikun botëror. Do të duheshin edhe 9 vite për t’u përgjigjur ndryshe në pyetjen e fundit të vajzës trime, dëshmores Elfete Hymolli. Pas datës 21 mars 1999, vëllai i saj Mentori nuk do të ishte më veçse si dëshmor i lirisë, i vrarë gjatë luftimeve në Koshare.

Në rrugën e gjatë të popullit të Kosovës për t’u çliruar nga Serbia pushtuese, të ardhur nga dy rrugë të ndryshme, liria si destinacion i bashkoi motër dhe vëlla: Elfeten demonstruese për çlirim dhe Mentorin luftëtar të UÇK-së, që ranë bashkëdëshmorë për lirinë e Kosovës. Lavdi Elfete Humollit! Lavdi Mentor Humollit sikur edhe të gjithë dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës.

Në Kosovë strehohen katër gazetarë afganë

RFE/RL

Në Kosovë janë strehuar katër gazetarët e parë afganë, një muaj pasi Qeveria e Kosovës miratoi vendimin për t’iu ofruar strehim atyre.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) njoftoi se në Kosovë kanë arritur gazetarët Amina Omid, Ahmad Shaker, Nimatullah Gholami dhe Raifullah Nikzad, të cilët do të strehohen në kuadër të programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosovë”.

Më 28 dhjetor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës miratoi buxhetin prej 30 mijë eurosh për strehimin e gazetarëve afganë. Ekzekutivi tha se Kosova do të pranojë pesë gazetarë nga Afganistani dhe ata do të mund të qëndrojnë në shtet për dy vjet.

Qeveria kosovare tha se do të ndajë edhe mjete shtesë për t’iu ofruar strehim, pagë mujore, sigurim shëndetësor dhe kushte të tjera gazetarëve afganë, derisa të krijohen kushtet që ata të kthehen në shtëpitë e tyre.

Përzgjedhja e gazetarëve që strehohen në Kosovë bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Po ashtu, Kosova ka strehuar disa gazetarë ukrainas, dhe u ka ofruar kushte të njëjta, sikurse atyre afganë, pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Pasi në gusht të vitit 2021, talibanët rimorën pushtetin, Kosova pranoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për strehimin e refugjatëve afganë, që ishin të rrezikuar nga talibanët.

Kosova ka strehuar përkohësisht 1.893 refugjatë afganë dhe më pas ata janë dërguar në SHBA dhe në shtete të tjera.

Lajçak zbardh detaje nga takimi me Kurtin: Jemi dakorduar se të gjitha marrëveshjet duhet të zbatohen

I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak zhvilloi mbrëmjen e djeshme një vizitë në Kosovë, në kuadër të intensifikimit të dialogut Kosovë-Serbi, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje.

Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi në një postim në Twitter shkroi se kanë biseduar për hapat e mëtejshëm që do të ndiqen në dialog.

Ai bëri të ditur se kanë rënë dakord se të gjitha marrëveshjet e kaluara që janë arritur në kuadër të dialogut duhet të zbatohen plotësisht.

“U ktheva sot në Kosovë për të vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me Kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu ramë dakord që të gjitha marrëveshjet e kaluara nga dialogu duhet të zbatohen plotësisht”, shkruan Lajçak.bw

Vazhdohet afati i konkursit për pranimin e policëve të rinj në veri

RFE/RL

Policia e Kosovës e ka vazhduar afatin e konkursit për punësimin e pjesëtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë, për të plotësuar pozitat e lira në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi, që fillimisht është shpallur nga 5 deri më 26 janar, do të shtyhet deri më 10 shkurt, ka konfirmuar Policia e Kosovës për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, ky institucion nuk ka ofruar hollësi se sa aplikacione ka pranuar deri më tani, nëse ka aplikuar dikush nga radhët e komunitetit serb, apo ish-policët nga veriu i Kosovës që kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre, në nëntor të vitit të kaluar.

Policia ka thënë shkurtimisht se kriteret për punësimin e punonjësve të rinj të policisë mbeten të njëjta dhe se publiku do të informohet me kohë për hapat e mëtejshëm.

“Policia e Kosovës, përmes video-mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, çdo herë ka inkurajuar dhe vazhdon t’i inkurajojë, dhe fton qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Policisë.

Qeveria e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë, më 12 janar, se konkursi për rekrutimin e policëve të rinj është i hapur për të gjithë ata që plotësojnë kriteret dhe se Kosova nuk dëshiron të përjashtojë askënd nga institucionet apo të “zëvendësojë serbët me shqiptarë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar pjesëtarët e komunitetit serb, veçanërisht ata që nuk kanë punuar asnjëherë në institucionet e Kosovës, të aplikojnë në konkurs.

Ky konkurs është shpallur pas dorëheqjes së rreth 550 serbëve nga pozitat e tyre në veri të Kosovës, në nëntor të vitit 2022, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Megjithatë, në konkurs nuk përmendet numri i policëve të rinj që do të punësohen.

Cilat janë kushtet e konkursit?

Tash për tash nuk dihet nëse policët serbë nga veriu do të kthehen në vendet e tyre të punës që kanë lënë, e as nëse do të mund të aplikojnë në konkurs.

Një nga kushtet e konkursit, megjithatë, është që të interesuarit të mos jenë mbi 30 vjeç.

Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë, të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tani janë mbi 30 vjeç.

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) ka deklaruar më 31 dhjetor të vitit të kaluar se, për shkak të dorëheqjeve në veri, ka vakum të sigurisë, duke kërkuar që serbët të kthehen në institucionet e Kosovës.

Ambadadori gjerman mbështet diskutimet për Asociacionin

RFE/RL

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde tha se “pajtohet plotësisht” me deklaratat e këshilltarit të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, sa i përket shtyrjes përpara të diskutimeve për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Jam plotësisht dakord: është shumë e rëndësishme të çojmë përpara diskutimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkroi Rohde në Twitter.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka paralajmëruar për datën 31 janar një diskutim për këtë asociacion, ku ka thënë se janë ftuar përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë dhe politikanë të tjerë.

“Është mirë të dëgjosh se ministri i Kosovës Nenad Rashiq ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në diskutimin e planifikuar për këtë çështje më 31 janar në Ambasadën amerikane në Prishtinë”, tha ambasadori gjerman.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Ambasada amerikane në Prishtinë, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Marrëveshja për krijimin Asociacionit të komunave me shumicë serbe është arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Zyrtarët në Kosovë thonë se nuk mund të krijohen asociacione njëetnike, ndërsa ata në Serbi këmbëngulin në formimin e Asociacionit të dakorduar.

Një ditë më parë, Chollet, tha se ka inkurajuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të pranojë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse kryeministri i vendit Albin Kurti ka marrë ftesë për këtë diskutim.

Prishtinë, Ambasada e SHBA konfirmon diskutimin për Asociacionin serb më 31 janar

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë e ka konfirmuar organizimin e një diskutimi mbi Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, që do të mbahet më 31 janar.

Në një përgjigje për RTK-në nga ambasada amerikane thuhet se për këtë diskutim janë duke u ftuar liderë të shoqërisë civile, zyrtarë qeveritarë, liderë politikë e diplomatë, për të diskutuar për këtë temë të rëndësishme.

“Qëllimi ynë është të avancojmë mirëkuptimin e ndërsjellë për angazhimin lidhur me Asociacionin në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Organizimi i këtij diskutimi sipas ambasadës “është në përputhje me qëllimin e qëndrueshëm të SHBA-së në avancimin e Kosovës drejt strukturave evropiane dhe euro-atlantike, dhe si një reflektim i miqësisë së gjatë dhe mbështetjes për popullin e Kosovës”.

Rashiq konfirmon pjesëmarrjen në diskutimet e SHBA për Asociacionin

Sandra Cvetkoviq

Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, konfirmoi se ka marrë ftesë nga Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në një diskutim, më 31 janar, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Pres të jetë një takim i mirë”, tha Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai u emërua në pozitën e ministrit të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhjetorin e kaluar, kur Goran Rakiq, nga radhët e Listës Serbe, dha dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Prishtinës zyrtare për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe në veri të Kosovës.

Rashiq tha se qëndrim i tij është se marrëveshjet nuk mund të injorohen. Në këtë kontekst, shtoi ai, duhet të analizohen edhe rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, të vitit 2015, për harmonizimin e Asociacionit me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Për krijimin e këtij asociacioni është rënë dakord në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohet në Bruksel.

Çfarë parasheh Asociacioni?

Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.

Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.

Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.

Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.

Dy vjet më vonë, përkatësisht në vitin 2015, palët janë pajtuar për parimet e Asociacionit, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar më pas se disa prej tyre nuk janë në përputhje me ligjet e Kosovës, megjithëse ka thënë se ato të mund të harmonizohen.

Çështja është bërë pengesë për normalizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Derisa Serbia insiston në formimin e Asociacionit, Kosova refuzon, me arsyetimin se nuk mund të krijojë asociacione njëetnike, që do të binin ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht që Kosova ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në muajin dhjetor se, nëse Qeveria e Kosovës nuk gjen mënyrë për formimin e Asociacionit, SHBA-ja do të kërkojë “partnerë alternativë”.

Ai ka thënë se këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Ai ka thënë se këta partnerë mund të jenë nga shoqëria civile, grupet multietnike apo institutet, përkatësisht subjekte që mund të ofrojnë ide, mbi bazën e të cilave mund të krijohet Asociacioni, pa e shkelur Kushtetutën e Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës më 20 janar, Escobar ka thënë se bisedimet për krijimin e Asociacionit do të nisin deri në fund të këtij muaji, me “njerëz që kanë ide të mira”.

REL kërkoi konfirmim nga Ambasada amerikane në Prishtinë të raporteve se më 31 janar, diskutimet për Asociacionin do të organizohen nga vetë kjo ambasadë, por nuk mori përgjigje.

REL pyeti edhe Qeverinë e Kosovës nëse kryeministri Albin Kurti është ftuar në këto bisedime dhe nëse po, a do t’i përgjigjet ftesës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Në të njëjtat pyetje nuk u përgjigj as Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila gëzon mbështetje nga Beogradi zyrtar.

A mund ta bindë Rashiq Kurtin që ta pranojë Asociacionin?

Rashiq tha për REL-in se ai, por edhe të tjerë në Qeverinë e Kosovës po përpiqen që Asociacionin e komunave me shumicë serbe ta vendosin para kryeministrit Kurti si çështje teknike dhe jo politike.

Ai nuk dha detaje se cilët janë ata persona të tjerë nga Qeveria e Kosovës që janë të gatshëm të punojnë për formimin e Asocacionit.

“Mendoj se kemi humbur shumë kohë duke mos bërë asgjë. Nuk i kemi bashkuar ato dy dokumente [marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015] ose, thënë më mirë, [nuk kemi paraqitur] ndonjë opsion të dytë ose të tretë përmes punës në nivel teknik”, tha Rashiq.

Sipas tij, janë dy elemente të kontestueshme në lidhje me formimin e Asociacionit: emri dhe statusi juridik.

“Mendoj se emri nuk është aq i rëndësishëm sa është statusi juridik”, tha Rashiq.

Ai shtoi se në pikën e dytë të Marrëveshjes së vitit 2015 shkruan se Asociacioni do të harmonizohet me Kushtetutën e Kosovës. Për këtë arsye, tha Rashiq, nuk sheh ndonjë problem juridiko-teknik rreth formimit të tij.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës mund të hartojë një dokument, që do t’i përmbushte obligimet e marra me Marrëveshjen e Brukselit për formimin e Asociacionit dhe, në të njëjtën kohë, do të ishte në përputhje me ligjet e Kosovës.

Në pikën e Marrëveshjes së Brukselit, të cilës i referohet Rashiq, thuhet se “në bazë të Marrëveshjes së parë, e cila ia njeh karakterin e veçantë [Asociacionit], Qeveria e Kosovës do të miratojë një rregullore që do të zbatohet drejtpërdrejt dhe do të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, edhe pse ka konstatuar se disa pika të marrëveshjes nuk janë në përputhje me ligjet e Kosovës, nuk ka rekomanduar që të mos formohet Asociacioni, por ka deklaruar se ai mund të përshtatet me statut apo ndonjë akt juridik.

Ministri Rashiq tha se, aktualisht, nuk ka informacione për planet e SHBA-së rreth hapave të ardhshëm për formimin e Asociacionit, por shtoi se ai gjithmonë ka qenë i hapur për bashkëpunim.

“Nëse ndodh që ka diçka që ofron mekanizma më të fortë, garanci për asociacionet, natyrisht se do ta konsiderojmë dhe do të kontribuojmë në mënyrë të përgjegjshme”, tha Rashiq.

Në thirrjen e këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, për të bërë propozime për formimin e Asociacionit, kryeministri Kurti u përgjigj më 12 janar duke thënë se kjo çështje mund të zgjidhet brenda kornizës së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.

Ai, po ashtu, tha se komunitetet pakicë në Kosovë kanë privilegje të shumta me planin e Martti Ahtisaarit – dokument në bazë të të cilit Kosova ka shpallur pavarësinë e saj në vitin 2008.

Qëndrimi i Serbisë

Beogradi zyrtar këmbëngul në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ashtu siç e parasheh marrëveshja e arritur në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shpesh thotë se nuk ka qenë e nevojshme të negociohet për të, nëse duhet të përputhet me Kushtetutën e Kosovës.

Në një fjalim drejtuar kombit më 23 janar, ai tha se tani “pason një luftë e madhe për formimin e Asociacionit”.

Asociacioni nuk është i lidhur me planin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve

Çështja e formimit të Asociacionit vjen në kohën e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, i cili u është paraqitur të dyja palëve në fund të verës së vitit të kaluar.

Ky propozim mbështetet nga Gjermania, Franca dhe SHBA-ja.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë për Zërin e Amerikës se formimi i Asociacionit dhe negociatat për propozimin e BE-së “nuk janë plotësisht të lidhura”.

Ai ka theksuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “është obligim ekzistues” dhe se “duhet të zbatohet”.

Përgatiti: Valona Tela

Presidentja Vjosa Osmani u prit në takim nga Presidenti italian, Sergio Mattarella

Dy presidentët konfirmuan raportet miqësore në mes të dy vendeve dhe pohuan përkushtimin për thellim të bashkëpunimit në dobi të qytetarëve dhe me qëllim të tejkalimit të sfidave të sigurisë në rajon dhe përtej.

Në takim, Presidentja Osmani foli për zhvillimet në Kosovë dhe prioritetet në fushën e politikbërjes, me ç’rast theksoi se Kosova është një partner serioz dhe një vend i gatshëm për avancim të aleancave me partnerët strategjik.

Ajo vlerësoi mbështetjen e Italisë për Kosovën në rrugëtimin drejt anëtarësimit në strukturat euro-atlantike, si dhe e falënderoi Italinë për mbështetjen e fuqishme në ruajtje të sigurisë dhe stabilitetit. Presidentja Osmani foli edhe për rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me ç’rast veçoi anëtarësimin në Këshillin e Evropës, për të cilin kërkoi mbështetjen e Italisë.

Duke theksuar se Italia është në listën e top 10 vendeve partnere në fushën e tregtisë, Presidentja Osmani foli po ashtu për përparësitë e të bërit biznes në Kosovë. Me këtë rast, ajo prezantoi edhe mundësitë e shumta për bashkëpunim në fusha të interesit të përbashkët si siguria, energjia, kultura dhe të drejtat e njeriut.

Presidentja Osmani dhe Presidenti Mattarella folën edhe për zhvillimet në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, me ç’rast u dakorduan për rëndësinë e bashkëpunimit dhe thellimit të aleancave në mbrojtjen e paqes, sigurisë dhe demokracisë.

Dy presidentët folën edhe për sfidat e sigurisë në Kosovë dhe në rajon. Me këtë rast, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka qenë dhe mbetet përherë një vend paqedashës dhe, si e tillë, do të jetë gjithmonë në mbrojtje të paqes, demokracisë dhe vlerave demokratike. Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Dialogun Kosovë – Serbi. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një palë e përkushtuar dhe konstruktive dhe se po angazhohet për një proces të përqendruar në njohje reciproke e që si përfundim garanton mbrojtjen e sovranitetit, integritetit territorial dhe rendit kushtetues.

Duke vlerësuar lartë mikpritjen dhe dashamirësinë e Presidentit Mattarella, Presidentja Osmani e ftoi atë për një vizitë zyrtare në Prishtinë, gjë që do të rezultonte në vizitën e parë të një presidenti italian në Republikën e Kosovës./Info Presidenca


RADA TRAJKOVIQ: Kisha serbe,leva kryesore e fuqisë shkatërruese të Vuçiqit – Perëndimi ka gabuar -“Bota serbe” e Vuçiqit arriti të destabilizojë Malin e Zi……..

RADA TRAJKOVIQ: Leva kryesore e fuqisë shkatërruese të Vuçiqit është Kisha Ortodokse Serbe

Që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të 20-të, Ballkani Perëndimor nuk ka qenë në krizë serioze politike, tha për Autonominë, Rada Trajkoviq, kryetare e Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova dhe Kosova.

“Edhe njëherë jemi përballë një politike agresive që kërcënon paqen në rajon dhe e cila, për fat të keq, është e koordinuar prej kohësh dhe, fatkeqësisht, e papenguar nga Perëndimi, nga strukturat politike dhe strukturat e tjera në krye me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. “Bota serbe” e Vuçiqit arriti të destabilizojë Malin e Zi, një vend që është anëtar i NATO-s dhe që deri në vitin 2020 ishte lider në integrimet evropiane në Ballkanin Perëndimor. Shikoni Bosnjë dhe Hercegovinën! Javën e kaluar, qeveria e Milorad Dodik mbajti një paradë fjalë për fjalë në një vend që ngjall kujtime shumë të këqija dhe fatkeqe të rrethimit të Sarajevës dhe vuajtjeve të një numri të madh të qytetarëve të Sarajevës në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Politika për të cilën po flas e ktheu Serbinë, në vend të Perëndimit, drejt Rusisë, kështu që sot jemi më larg BE-së se kurrë. Leva kryesore e fuqisë shkatërruese të Vuçiqit është, për fat të keq, Kisha Ortodokse Serbe, e cila së bashku me Kishën Ruse destabilizon me sukses rajonin”.

AUTONOMIA: Ku e konstatoni veprimin e kombinuar të dy kishave?
TRAJKOVIQ: Kohët e fundit kemi pasur mundësinë të shohim “misionin” e Kishës Ruse dhe Patriarkut të saj Kirill në Bullgari, dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, ku priftërinjtë rusë, në bisedë me personalitete të kishës maqedonase, u përpoqën të bëjnë që Kisha Ortodokse Maqedonase të njihet nga KOS-i, këtë nuk kërkon Patriarkana Ekumenike. Sigurisht, qëllimi është ruajtja e dominimit të Kishës Ruse.

Më duhet të përmend edhe “misionin” shumë të çuditshëm të patriarkut tonë Porfiri, i cili nuk e ka zakon, p.sh., të takohet ndonjëherë me liderët e opozitës në Beograd, nga frika se mos e bezdis Vuçiqin, urdhrat e të cilit politik i zbaton siç duhet.

AUTONOMIA: Çfarë urdhërash?
TRAJKOVIQ: Gjithçka! Edhe pse patriarku Porfirije dërgoi mesazhe paqeje në fjalimin e tij në Patriarkanën e Pejës, ato u neutralizuan shpejt nga lëvizjet agresive të autoriteteve të Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe, të cilat kishin për qëllim nxitjen e situatave incidentesh dhe antagonizimin e mëtejshëm të serbëve dhe shqiptarëve tashmë të antagonizuar. njerëzit. Vuçiq po bën gjithçka për t’i rikthyer Serbisë dhe rajonit kujtimet e të gjitha të këqijave që kemi bërë në mënyrë dominuese në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar. Kjo lloj politike ushqen emocione jashtëzakonisht të këqija për serbët që jetojnë në vendet fqinje – disponimi antiserb i fqinjëve tanë.

Kur flas për KPS-në, më duhet t’ju kujtoj se në vitin 2020, Mali i Zi humbi Mitropolitin e tij Amfilohi, një njeri që, pavarësisht disa fjalëve të ashpra, e donte Malin e Zi, respektoi shtetësinë e tij.

AUTONOMIA: Po, malazezët mezi e mbijetuan atë dashuri.
TRAJKOVIQ: Pikërisht për shkak të qëndrimit të tij ndaj shtetësisë malazeze, Mitropoliti Amfilohije ishte shumë i urryer brenda “partive pro-serbe” – Fronti Demokratik, para së gjithash – por edhe vetë Aleksandar Vuçiq. Mitropoliti Amfilohije e dinte mirë se qëllimi i Vuçiqit ishte shkatërrimi i shtetit të Malit të Zi. Mitropoliti i ri ka një mision tjetër

AUTONOMIA: Cilin?
TRAJKOVIQ: Ai vë kundër njëri-tjetrit malazezët dhe serbët. Joanikije i dërgon mesazhe të këqija Malit të Zi.

AUTONOMIA: A është Mitropoliti Joanikije nën kontrollin e Presidentit Vuçiq?
TRAJKOVIQ: Joanikija kontrollohet nga patriarku, që do të thotë se edhe Vuçiq e kontrollon atë.

 

“Porfirije zbaton të gjitha urdhrat e Vuçiqit”

 

AUTONOMIA: A ka presidenti Vuçiq ndonjë kundërshtim brenda Kishës Shtetërore të Serbisë?
TRAJKOVIQ: Brenda KPS-së, ka pasur gjithmonë një kundërshtim të fortë ndaj pozitës dominuese politike të Beogradit, e cila ishte e vlefshme. Gjenerata ekzistuese e personaliteteve të kishës, të cilët pritej të ishin më liberalët, në fakt e organizuan KPS-në sipas standardeve të Vuçiqit. Ndoshta arsyeja është se shërbesa serbe, e cila ka kohë që është infiltruar thellë në kishën tonë, edhe para kurorëzimit të Patriarkut Porfiri, ka folur hapur për krimin brenda Kishës Ortodokse Serbe dhe në atë mënyrë ka frikësuar disa nga personalitetet e kishës. Në këtë kuptim, për momentin vështirë se do të dëgjoni ndonjë rezistencë të artikuluar qartë ose një zë më të fortë kundër regjimit në Beograd.

Populli besimtar dhe qytetarët e orientuar në mënyrë demokratike kishin shpresë te peshkopi Gligorija, i cili, të krijohet përshtypja, më në fund arriti një lloj kompromisi me kishën ortodokse serbe. Kreu i kishës dhe i shtetit po përpiqen të komprometojnë peshkopin Irinej Dobrijeviç me afera të sajuara të nxitura nga gazetarë si Antoni Kovaçeviç, edhe pse ai është një njeri zëri i të cilit dëgjohet më fort në disa adresa të rëndësishme në Uashington. Një problem të ngjashëm ka edhe peshkopi Maksimi, i cili është gjithashtu në Amerikë dhe që edhe pse me mendje brilante, është hequr nga Fakulteti i Teologjisë në Beograd. Edhe babait të Savës iu mohua e drejta për të thënë diçka për politikën e udhëhequr nga kreu i PSC-së dhe shteti i Serbisë. Prandaj, askush nuk mund të shprehë publikisht një qëndrim kundër Porfirit dhe Vuçiqit. Kishës i është detyruar heshtja, gjë që nuk është e mirë për rajonin.

AUTONOMIA: Besoj se nuk ka rëndësi për rajonin, pasi “kapaciteti demokratik” i peshkopëve të lartpërmendur të kishës shtetërore serbe, ashtu si opozita serbe dhe mediat nën kontrollin e tyre, përfundon brenda kufijve të Serbisë. Me fjalë të tjera, qëndrimi i tyre ndaj shteteve të rajonit është identik, ndonjëherë edhe më keqdashës, sesa qëndrimi ndaj Malit të Zi, BeH-së dhe Kosovës që kanë patriarku Porfirije, presidenti Vuçiq dhe mediat që ai kontrollon.
TRAJKOVIQ: Dua të besoj se deklarata juaj nuk qëndron dhe se brenda qarqeve të caktuara të kishës serbe ka marrëveshje të heshtur me Porfirin dhe Vuçiqin vetëm për shkak të frikës së tyre ndaj mekanizmave që mund të marrin Sinodi dhe Patriarku në drejtim të ndëshkimit ndaj ”klerikut të pabindur” si ndryshime në vendin e shërbimit, zhvendosje nga dioqeza të caktuara etj. ato janë vetëm një pjesë e sanksioneve që mund të zbatohen ndaj tyre nëse thonë diçka që nuk është në përputhje me qëndrimin zyrtar të kreut të kishës dhe shtetit tonë. Nëse, nga ana tjetër, nëse ajo që thatë është e vërtetë, atëherë me të vërtetë presim vetëm një rënie më të thellë.

AUTONOMIA: Deri në çfarë mase politika malinje e partive opozitare serbe ndaj rajonit është një justifikim për Perëndimin për qëndrimin se presidenti Vuçiç është partneri i tyre sepse nuk shohin një alternativë politike evropiane në Serbi?
TRAJKOVIQA: Ky është një problem i madh. Barrikadat që vendosën serbët në veri të Kosovës është i njëjti shkatërrim që kemi parë në fillim të viteve nëntëdhjetë në Kroaci dhe kudo ku luftuan Sllobodan Millosheviqi dhe ushtritë e tij. Ajo recetë, them unë, tani është aplikuar në Kosovë dhe mbështetet nga qarqe të caktuara opozitare në Beograd. Disa publikisht, disa në heshtje. Sigurisht që keni edhe ata që e kritikojnë, por janë margjinalë, gjë që dëshmon për krizën e rrezikshme në të cilën ndodhet Serbia sot.

AUTONOMIA: Kush i vendosi barrikadat në veri të Kosovës?
TRAJKOVIQ: Barrikadat janë ngritur dhe drejtuar nga grupi mafioz i Milan Radojiçiqit. Gazetari Tim Xhuda ka shkruar së fundi për këtë dhe ka pohuar se më shumë se gjashtëqind të rinj nga veriu i Kosovës janë dërguar në Rashkë, ku janë trajnuar për t’i rezistuar shqiptarëve. Në këtë kuptim, historia për grupin Wagner që pretendohet se është atje është më shumë një hile me të cilën trimërohen serbët, por edhe propagandë, qëllimi i së cilës, në kuptimin politik, është të lidh më tej serbët me rusët. . Kam frikë se Vuçiq, i cili është një eksponent kryesor i politikës ruse në Ballkan, është pjesë e asaj propagande.

AUTONOMIA: Pas heqjes së barrikadave, a prisni që situata në veri të Kosovës të qetësohet?
TRAJKOVIQ: Situata është ende shumë e vështirë. Në bisedimet me zyrtarët perëndimorë, kryeministri Albin Kurti kërkon me këmbëngulje partnerë që do ta ndihmonin të forconte pozitën e tij. Kurti është i vetëdijshëm për dobësinë e Kosovës në raport me ushtrinë serbe dhe është e natyrshme që ka frikë nga konflikti. Në të njëjtën kohë, pavarësisht se çfarë thotë ai, Vuçiq ende i frikësohet ndërhyrjes së mundshme të NATO-s në rast të një konflikti me intensitet më të madh. Nëse këto dy frika do të mund të përdoreshin disi për të mbështetur projektin e promovuar nga Gabrijel Eskobar dhe Miroslav Lajçak, i cili u referohet komuniteteve komunale, do të arrinim në një zgjidhje: serbët do të ktheheshin në institucione, veçanërisht në ato të sektorit të sigurisë.

Nga ana tjetër, edhe Perëndimi bëri shumë gabime.

AUTONOMIA: Në çfarë?
TRAJKOVIQ: Proceset në Kosovë kanë qenë të gabuara. Filloi me Marrëveshjen e Brukselit, kështu që Federica Mogherini erdhi me idenë e ndarjes së Kosovës, e cila u mbështet nga Hashim Thaçi dhe Vuçiq. Pikërisht për shkak të kësaj bredhjeje, Perëndimi sot nuk di nga t’ia fillojë. Në fund të fundit, nëse integrimi i serbëve në sistemin e Kosovës bëhet nga mafia, qëllimi i vetëm i së cilës është krijimi i kanaleve të tregtisë së drogës dhe aktiviteteve të tjera ilegale, atëherë çfarë prisni?! Sapo dikush u përpoq ta pengonte, kishte shpërbërje dhe tërheqje të serbëve nga institucionet, barrikada dhe oferta për konflikt dhe luftë si zgjidhje. Sfondi, natyrisht, është i njëjtë: mafia duhet të fitojë. Dhe kjo është ajo që më shqetëson: a do ta mundë politika normale politikën mafioze.

AUTONOMIA: A mund të jetë zgjidhja plani franko-gjerman?
TRAJKOVIQ: Me sa di unë, ai plan nuk përfshin një karrige për Kosovën në OKB, por përfshin atë që Vuçiq nënshkroi në Marrëveshjen e Brukselit – se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në proceset e integrimit në BE dhe në institucionet evropiane. . Deri më tani kemi pasur mosnjohje, përpjekje për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një sërë aktivitetesh të tjera të Serbisë. Në të njëjtën kohë, nëse Beogradi nuk bën një deklaratë përfundimtare për Rusinë, Kosova do të marrë gjithnjë e më shumë mbështetje nga NATO, do të forcohet dhe do të investojë në potencialin ushtarak të Kosovës. Të gjitha këto, ju kujtoj, Vuçiq i ka nënshkruar në Bruksel.

AUTONOMIA: Çfarë ka firmosur?
TRAJKOVIQ: Krijimi i Ushtrisë së Kosovës. Perëndimi do të punojë për hyrjen e Kosovës në institucionet evropiane, ndërsa vendimin për anëtarësim në OKB do ta lërë për më vonë.
“Vuçiq është një njeri që lufton vetëm për veten e tij. Ai kujdeset për Serbinë”

Në përgjithësi, mendoj se brenda dokumentit franko-gjerman ka elementë të mirë dhe të pranueshëm dhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të nënkuptonte stabilizim të rajonit. Mendoj se në këtë moment prioritet është që Serbia të vendosë sanksione kundër Rusisë, d.m.th. për të harmonizuar politikën e saj të jashtme me politikën e jashtme të BE-së. Do të ishte shumë e rëndësishme për qytetarët e Serbisë dhe vetë Serbisë.

AUTONOMIA: A do ta bëjë Serbia?
TRAJKOVIQ: Vuçiq nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë.

AUTONOMIA: A e mbështesin këtë qytetarët e Serbisë?
TRAJKOVIQ: Hulumtimet tregojnë se rreth 75 për qind e qytetarëve serbë e kundërshtojnë anëtarësimin në BE; Në të njëjtën kohë, liderët e opozitës u shpjegojnë përfaqësuesve ndërkombëtarë se këto të dhëna shkatërruese janë rezultat i kontrollit të mediave të Vuçiqit, të cilat çdo ditë mbjellin histeri antievropiane dhe antiamerikane, bëjnë luftë dhe destabilizojnë shtetet e rajonit. Në rregull, pranoj, por pyes veten pse nuk dëgjojmë një zë të fortë nga partitë opozitare kundër politikave të tilla. Jam i sigurt se ai do të dëgjohej dhe se do të mbështetej nga disa partnerë në rajon; sidomos nga ata të cilëve u kërcënohen kufijtë shtetërorë. Në ato shoqëri, Serbia mund të gjente shumë miq dhe bashkëpunëtorë – si në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu edhe në Mal të Zi, një vend që, siç dihet, gjithmonë u ka ofruar strehë liderëve të opozitës demokratike në Serbi. Ndonjëherë pyes veten nëse kjo lloj marrëveshjeje anti-perëndimore dhe anti-fqinjore mes qeverisë dhe opozitës përfaqëson një strategji “tani apo kurrë”.

AUTONOMIA: Çfarë do të thotë? Për çfarë strategjie e keni fjalën?
TRAJKOVIQ: E kam fjalën për përpjekjen për të arritur qëllimet e Serbisë si shtet i madh. Ndoshta mendojnë se ka ardhur koha për “gjysmën e dytë” të luftërave të viteve nëntëdhjetë, për të cilën foli Ivica Daçiq. Nëse vërtet mendojnë kështu, atëherë është e qartë se as qeveria dhe as opozita nuk e kuptojnë se Perëndimi po punon shumë thellësisht për të shtypur mekanizmat e veprimit malinj të politikës së Vuçiqit. Dhe kjo nënkupton edhe shtypjen e aktivitetit malinj të opozitës.

AUTONOMIA: Çfarë po ndërmerr saktësisht Perëndimi për të parandaluar ndikimin keqdashës të Beogradit në rajon?
TRAJKOVIQ: Së fundmi ndoqëm përkujtimin e përvjetorit të Reçakut. Ai krim, që nga dita e kryerjes, u pasua me polemika të shumta, gjë që u pranua nga disa përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare perëndimore. Do t’ju kujtoj se ish-ambasadori i Francës në Beograd, Gabriel Keller, e ka mohuar mënyrën se si William Walker e ka portretizuar Raçakun në raportin e tij.

AUTONOMIA: Disa zyrtarë dhe ministra në qeverinë e Zoran Gjingjiq pretendojnë se në mars 2003, ambasadori Keller i dërgoi Ministrisë së Jashtme Franceze një raport skandaloz për vrasjen e kryeministrit serb. Thuhet se raporti përkoi kryesisht me neveritë e shqiptuara nga Partia Demokratike e Serbisë e Vojislav Koshtunicës për motivet dhe sfondin e vrasjes së kryeministrit Gjinxhiq, prandaj MPJ franceze ia ktheu dërgesën ambasadorit Keller. Unë do të thoja që pretendimet e ambasadorit Keller mund t’i merrni me një kokërr kripë.
TRAJKOVIQ: Mirë, por çështja është ndryshe: përkujtimi i fundit i Reçakut mblodhi një numër të madh përfaqësuesish ndërkombëtarë në Prishtinë, të cilët po kthehen në Reçak për të arritur një konsensus se ishte një krim i forcave serbe kundër civilëve shqiptarë. Dhe ai do të ketë sukses në këtë, veçanërisht nëse Vuçiç vazhdon të udhëheqë një politikë pro-ruse, duke konfirmuar vazhdimisht besnikërinë e tij ndaj Moskës. Duhet pranuar se Vuçiq ka lindur nga ideologjia dhe shërbimi rus; ai nuk është një njeri të cilit rusët i imponojnë diçka, përkundrazi: ai zgjodhi me vetëdije anën ruse, d.m.th. për anën e agresorit në Ukrainë.

AUTONOMIA: Atëherë pse ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill e mbështet Presidentin Vuçiq?
TRAJKOVIQ: Vuçiq po merr paralajmërime serioze dhe në prapaskenë gjërat duken shumë ndryshe. Mos harroni se Amerika tashmë dy herë ka parandaluar një konflikt në veri të Kosovës – herën e parë gjatë mosmarrëveshjes Beograd-Prishtinë për targat, herën e dytë së fundmi, para se të merrej vendimi që serbët të tërhiqeshin nga barrikadat. Kam frikë se nuk do ta bëjë për herë të tretë, sidomos nëse Beogradi nuk ka kuptim. Mosvendosja e Serbisë në raport me Rusinë, gjegjësisht refuzimi i Beogradit për të vendosur sanksione ndaj Moskës, mbart rrezikun e një konflikti serioz në veri të Kosovës, pas të cilit serbët do t’i priste një “stuhi” e re. Njerëzit nuk mund të mbijetonin aty ku raketat fluturojnë mbi kokat e tyre, ashtu si miliona ukrainas nuk mund të mbijetojnë në Ukrainë. Nëse një vend ju ndihmoi dhe parandaloi dy herë një skenar lufte, kam frikë, them se nuk do të bëjë të njëjtën gjë herën e tretë.

Komuniteti ndërkombëtar perëndimor po diskuton në mënyrë aktive për Kosovën dhe këmbëngul për një mbërritje të përshpejtuar në Beograd dhe Prishtinë dhe për të gjetur një zgjidhje kompromisi. Vakuumi i sigurisë në veri të Kosovës është i tmerrshëm: nuk ka polici serbe, policët shqiptarë po marrin stacionet policore në veri, edhe pse e dinë që popullata vendase nuk e pranon. Nëse nuk ke polici, ke krim. Ai vakum në veri nuk mund të zgjasë shumë. Nëse nuk ka kuptim, pasi nuk ka qartë, do të përfundojmë në një situatë ku askush nuk do të na ndihmojë. Serbët që emigrojnë nga veriu do të largohen në numër shumë më të madh. Duke gjykuar nga përvoja nga enklavat, nga Prishtina dhe nga qytetet e tjera të Kosovës, nëse largoheni një herë, do ta keni të vështirë të ktheheni.

AUTONOMIA: A i dëgjon presidenti Vuçiq paralajmërimet e Brukselit apo, pasi ka zgjedhur Amerikën si partner kyç – si dhe atë – nuk i kushton shumë rëndësi kritikave që vijnë nga kryeqytetet evropiane?
TRAJKOVIQ: Si zakonisht, Vuçiq ka llogaritur gabim. Amerika nuk mund të bëjë pa Evropën, as Evropa pa Amerikën. Në këtë kuptim, Vuçiq sërish po luan ashpër me zjarrin. Në kohën e kancelares Angela Merkel, vështirë se mund të jetonim me promovimin e gjermanëve dhe politikës gjermane nga Vuçiq. Në atë kohë ai konsiderohej si “gjerman”. Pas largimit të Angela Merkel, ai ndërroi aleatë, duke harruar se fuqitë e mëdha nuk falin aq lehtë. Hashim Thaçi gjithashtu besonte se ai mund ta udhëheqë Kosovën me një politikë antigjermane, kështu që një ditë fluturoi për në Uashington me qëllim që të takohej me Vuçiqin, por fillimisht u kthye në Prishtinë dhe më pas në Hagë nga një aeroport evropian. Të njëjtin gabim bën edhe Vuçiqi, i cili sot fyen Gjermaninë dhe popullin gjerman! Xhepi i Vuçiqit është plot me krime. Dhe Europoli është evropian dhe ai bagazh i rëndë që mban mund të hapet lehtësisht. Vuçiq investoi shumë në marrëdhënie të mira me Amerikën për të mbrojtur gjoja Serbinë. Në thelb, ai është një njeri që lufton vetëm për veten e tij. Ai kujdeset për Serbinë. Besimi se ai mund të ruajë fuqinë e tij dhe veten në aleancën aktuale me Amerikën është i gabuar. Do ta shohësh!

Tamara Nikçeviq (Autonomia, pamjet e ekranit: Gradska TV)/ Përkthimi është bërë nga Voal.ch me Google dhe për saktësi është konfrontuar në shqip, anglisht, frëngjisht, italisht)

Dhjetë akademikë të Kosovës kërkojnë shkarkimin urgjent të Kryetarit Mehmet Kraja

Prishtinë – Anëtarët e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës kanë kërkuar nga Kryesia e ASHAK, mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit. “Demokracia.com” ka siguruar kërkesën për mbajtje të Kuvendit të nënshkruar nga dhjetë anëtarët.

Ky Kuvend është thirrur me vetëm një pikë të rendit të ditës: Veprimet e papërgjegjshme të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Aty është kërkuar edhe shkarkimi i kryetarit të ASHAK-ut, Mehmet Kraja.

“Në mbështetje të Ligjit Nr. 05/L-038 për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), neni 13, para. 4.3 dhe të Statutit të ASHAK, neni 29, para. 4.3, 8 dhe 13, ne, të nënshkruarit, anëtarë të rregullt dhe anëtarë korrespondentë të ASHAK, i kërkojmë Kryesisë së ASHAK-ut që në afatin statutor ta thërrasë Kuvendin e Jashtëzakonshëm me një pikë të rendit të ditës: Veprimet e papërgjegjshme të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, thuhet në kërkesën e tyre, të siguruar nga Demokracia.com.

Në këtë dokoument bëhen të ditura edhe arsyet për thirrjen e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Kuvendit:

1. Kryetari i ASHAK, Akademik Mehmet Kraja, me sjelljet e tij imponuese, të papërgjegjshme, e të paligjshme, si dhe me deklaratat skandaloze publike e ka dëmtuar rëndë Akademinë dhe imazhin e saj në qarqet shkencore dhe artistike.

2. Seksioni i Shkencave Shoqërore, unanimisht, në mbledhjen e mbajtur më 23 dhjetor 2022, i ka dënuar sjelljet e Kryetarit dhe ka kërkuar nga ai “reflektim institucional dhe moral për dëmin e shkaktuar ndaj Akademisë dhe publikut të gjerë, duke e botuar rrejshëm dokumentin “Synimet”

3. Synimet Destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.” Me atë rast, Kryetari e ka shkelur rëndë edhe integritetin e Administratës së ASHAK, duke e shtyrë që atë dokument me autorësi të falsifikuar, ta publikojë në faqen zyrtare të ASHAK-ut.

Shkeljet flagrante dhe anti statutore të Akademikut Kraja ngrenë shqetësimet e anëtarëve të ASHAK edhe në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar.

Mehmet Kraja është kritikuar ashpër në vend, pas publikimit të analizës skandaloze: “Synimet destabilizuese të Serbisë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor”./Demokracia.com.

Policia konfirmon incidentin me armë zjarri në veri

RFE/RL

Policia e Kosovës tha se në Bistricë të Leposaviqit ka shtënë me armë zjarri drejt një veture, pasi ajo nuk është ndalur për kontroll. Ndërkaq, sipas Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe nga ky incident ka mbetur i plagosur një serb.

Sipas një njoftimi për media të Policisë së Kosovës, vetura gjatë lëvizjes ka goditur automjetin e Policisë së Kosovës, duke “rrezikuar drejtpërdrejt edhe jetën zyrtarëve policorë, të cilët për të neutralizuar rrezikun ndaj tyre kanë shtënë me armë zjarri”.

Incidenti ndodhi pasi Policia e Kosovës kishte vendosur një pikë kontrolli për të ruajtur rendin dhe sigurinë publike, por edhe për të parandaluar krimin dhe kontrabandën.

Autoritetet e rendit thanë se të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkaq përveç hetimeve për rastin, PK ka njoftuar edhe Inspektoratin Policor për procedura të mëtejme.

Sveçla: Dhuna ndaj policëve nuk do të tolerohet

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se dy personat në veturën në Leposaviq, qëllimisht goditën automjetin e Policisë së Kosovës, duke “vënë në rrezik jetën e policëve”, që sipas tij, detyroi policët që të shtinin në drejtim të kësaj makine.

“Dua të jem i qartë: çdo formë e dhunës kundër policëve tanë nuk do të tolerohet”, shkroi ai në Twitter.

Më herët gjatë 23 janarit, drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq deklaroi se i plagosuri M.D. është transportuar me urgjencë në spitalin e Kralevës. Sipas tij, njësitë policore të Kosovës “kanë qëlluar” automjetin me serbë “vetëm sepse [ata] nuk kanë dashur të lejojnë që policia t’i keqtrajtojë pa asnjë bazë dhe arsye”.

Sipas Petkoviqit, i plagosuri “është qëlluar në pjesën e majtë të kraharorit dhe ka plagë me armë zjarri”.

Nga spitali në Kralevë thanë se gjendja e pacientit është stabile.

Ndërkaq, Petkoviq tha se në veturën, që po qarkullonte në magjistralen Mitrovicë-Leposaviq, përveç M.D, ishte edhe D.S, i komunitetit serb, i cili nuk ka pësuar lëndime.

Ai përsëriti se njësitë speciale të Policisë së Kosovës “nuk kanë çfarë kërkojnë në veri të Kosovës”.

Lista Serbe kërkon largimin e njësive speciale nga veriu

Nga Lista Serbe, partia kryesore e serbëve të Kosovës, thanë se “sulmi brutal” ka shkaktuar zemërim dhe indinjatë te qytetarët, “të cilët gjithnjë e më shumë ndihen se duhet të mbrohen nga veprimet kriminale të forcave speciale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe regjimit të tij diktatorial antiserb”.

Kjo parti kërkoi që nga veri i Kosovës të ketë “tërheqje të menjëhershme të të gjitha forcave speciale të Kurtit” dhe përgjegjësit për ngjarjen e sotme të dalin para drejtësisë.

“Edhe një herë theksojmë se prania e vazhdueshme e këtyre formacioneve mund të na çojë në një spirale ngjarjesh që do të kërcënojnë në mënyrë të pakthyeshme paqen në këto zona”.

Ky nuk është incidenti i parë i këtij lloji në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka raportuar se ka pasur incidente ku kanë qenë të përfshira automjete që dyshohej se bartnin mallra kontrabandë, por edhe sulme të tjera nga zyrtarëve policorë.

Incidenti i 23 janarit, vjen po ashtu një muaj pasi në veri të Kosovës, për 20 ditë rresht në dhjetorin e kaluar, u ngritën barrikada.

Serbët lokalë kishin ngritur barrikada pasi ishte arrestuar një ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës. Por, pas ndryshimit të masës së sigurisë nga paraburgim në arrest shtëpiak për Dejan Pantiqin, grupet e serbëve lokalë hoqën barrikadat në veri të Kosovës.

Ndahet nga jeta akademikja Edi Shukriu

Akademikja Edi Shukriu ka vdekur të martën në moshën 73-vjeçare.

Lajmin e ka bërë të ditur Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në njoftim, Akademia e ka konsideruar Shukriun si emër të njohur dhe të çmuar “ në fushën e arkeologjisë, të historisë, të letërsisë, të angazhimeve politike, institucionale dhe kulturore në Kosovë dhe në mbarë hapësirën shqiptare”.

Ajo ka qenë anëtare e rregullt e Akademisë prej vitit 2020.

Përgjatë jetës së saj, ajo ka qenë e angazhuar në jetën publike dhe jetësimin e barazisë gjinore.

Shukriu ka punuar për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe ka qenë deputete e Kuvendit të Kosovës në periudhat 1992-1998 dhe 2002-2004.

Ajo njihet edhe për botimet monografike dhe studimet nga fusha e arkeologjisë dhe historisë.

Varrimi i saj do të bëhet më 18 janar në varrezat e qytetit të Prizrenit.rel

Ndizen qirinj në përvjetorin e pestë të vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Fotografi e shënimit të një përvjetori të vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

RFE/RL

Përvjetori i pestë i vrasjes së politikanit opozitar serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq është shënuar mëngjesin e së hënës para zyrave të partisë së tij, Iniciativa qytetare Liria, Demokracia dhe Drejtësia (SDP) në Mitrovicën e Veriut, ku edhe është vrarë.

Në mëngjesin e 16 janarit, miqtë dhe admiruesit e Ivanoviqit kanë ndezur qirinj në orën 08:15, kur është kryer atentati ndaj tij.

Ai është vrarë me gjashtë plumba në shpinë, para objektit të partisë së tij.

E pranishme ka qenë edhe gruaja e Ivanoviqit, Marina.

Në emër të familjes dhe miqve ka folur Dejan Nedelkoviq, i cili ka falënderuar të pranishmit, por nuk ka pranuar të deklarohet, duke thënë se përgjatë pesë vjetëve ka thënë gjithçka për vrasjen.

Njerëzit duke nderuar figurën e Ivanoviqit para zyrave të partisë më 16 janar 2023.

Njerëzit duke nderuar figurën e Ivanoviqit para zyrave të partisë më 16 janar 2023.

Ai ka bërë thirrje për një minutë heshtje në shenjë respekti, por edhe për të treguar simbolikisht heshtje për rastin e kësaj vrasjeje.

“Arsyeja e minutës së heshtjes është për të vënë në dukje ata që kanë heshtur për pesë vjet dhe dinë shumë më tepër se ne, si për vrasjen, ashtu edhe për autorët, por edhe për komunitetin ndërkombëtar, i cili ka heshtur për pesë vjet më pas. E gjithë kjo është e turpshme”, ka thënë Nedelkoviq.

Edhe pas pesë vjetëve të vrasjes së Ivanoviqit, ende askush nuk është dënuar për këtë rast.

Tre dëshmitarë tashmë janë tërhequr nga dhënia e dëshmisë për këtë rast.

Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, më 19 tetor ka arrestuar M.M. nga komuniteti serb nën dyshimin se ai ishte anëtar i një “grupi të organizuar kriminal” të lidhur me vrasjen e politikanit të opozitës serbe, Oliver Ivanoviq.

Deri më tani, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur tri aktakuza për vrasjen, në të cilat nuk ka pasur ndryshime të mëdha thelbësore.

Procesi gjyqësor po vazhdon ende.

Aktakuza janë ngritur kundër Nedelko Spasojeviqit (ish-oficer policie), Marko Roshiqit (qytetar i Mitrovicës së Veriut), Silvana Arsoviqit (sekretare e të ndjerit Oliver Ivanoviq), Dragisha Markoviqit (ish-oficer policie), Zharko Jovanoviqit (ish-oficer policie) dhe Rade Basaras (ish-oficer policie).

Me vrasjen po ashtu janë të lidhur edhe Zhelko Bojiq (ish-shef i operacioneve në Policinë e Kosovës për rajonin e veriut), Millan Radoiçiq (nënkryetar i Listës Serbe) dhe Zvonko Vesellinoviq (biznesmen).

Ndaj këtyre të fundit nuk është ngritur aktakuzë pasi ata kanë qenë në arrati kur Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur aktakuzën e parë.

Në aktakuzë përmenden Radoiçiq dhe Vesellinoviq si “udhëheqës të një grupi kriminal” që ka planifikuar vrasjen e politikanit, Oliver Ivanoviq.

Më 2019, Kosova ka lëshuar një urdhërarrest për Radoiçiqin nën dyshimin se ka pasur lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.

Mirëpo, ky fletarrest për Radoiçiqin është tërhequr në mars të vitit 2021 pa ndonjë shpjegim, dhe që nga ajo kohë ai është parë disa herë në veri të Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviqit janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Albin Kurti: Takimet në Bruksel duhet të mbaheshin çdo muaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë në RTK ka folur për investimet austriake në Kosovë dhe eksportin e Kosovës në Austri. Kurti ka folur edhe për dialogun Kosovë Serbi dhe mundësinë e dialogut me presidentin serb, Vuçiq në Bruksel e që sipas tij, këto takime do të duhej të ishin çdo muaj.

Kryeministri Albin Kurti tha se kancelari austriak Karl Nehammer u zotua që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë do të thellohen edhe në fushën e ekonomisë.

“Ishte një vizitë shumë e frytshme.Është vizita ime e parë zyrtare jashtë vendit sivjet dhe me nderimet më të larta dhe me ngrohësi miqësore kancelari Nehammer u zotua që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Austrisë do të përparojnë edhe në fushën e ekonomisë, tregtisë dhe kulturës”, tha ai.

“Tek Austria gjithmonë mund të llogarisim që mund të kemi një partner dhe një mik edhe sa i përket organizatave ndërkombëtare ku zëri i saj është shumë i rëndësishëm, por edhe sa i përket sigurisë dhe paqes në Kosovë e në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.

Ai ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e dialogut me presidentin serb Vuçiq në Bruksel.

“Më datën 18 gusht të vitit të kaluar u patëm marrë vesh në Bruksel që do të takoheshim çdo muaj. Në shtator kjo nuk ndodhi, por erdhi propozimi franko-gjerman, që e quajmë propozimi i Bashkimit Evropian i mbështetur nga Franca dhe Gjermania dhe nuk pati takim deri më datën 21 nëntor”, rikujtoi ai.

Kurti tha se beson që është dashur të kenë takime më të shpeshta sepse mospajtimi është i madh dhe besimi i ulët, por nuk e di saktësisht pse ka ndodhur kjo.

“Megjithatë kam shpresë se këtë vit do të këtë një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare e posaçërisht të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të bëhet më shumë trysni mbi Beogradin”, tha Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur për investimet nga Austria dhe rritjen e eksporteve.

“Vitin që e lamë pas eksportet kosovare janë rritur për 23 për qind, ndërsa ato drejt Austrisë janë rritur për 28 për qind. Ne jemi të interesuar që eksportet të vazhdojnë të shtohen, por në anën tjetër jemi të interesuar për sa më shumë investitorë austriak që vijnë në Kosovë. E falënderova kancelarin Nehammer për mbështetjen e Austrisë edhe gjatë kohës së okupimit. Të mos harrojmë që para tri dekadave Austria ishte shteti i parë që i ka pranuar diplomat e Universitetit të Prishtinës”, tha Kurti.

Kurti ka thënë se Kosova llogaritë tek Austria edhe sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës. “Ata e kanë mirëpritur edhe aplikimin tonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. I falënderova edhe për ushtarët austriak që kanë shërbyer në KFOR”.

Qeveria: Nuk përjashtojmë asnjë serb që të aplikojë në Policinë e Kosovës

RFE/RL

Qeveria e Kosovës tha se nuk synon të përjashtojë asnjë serb që dëshiron të aplikojë për në Policinë e Kosovës, e që i plotëson kriteret e parapara.

Në fillim të janarit, Policia e Kosovës hapi konkurs për pranimin e zyrtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë për të mbushur vendet bosh që janë në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri.

Por, në konkurs një prej kritereve është që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç.

“Thirrja është e hapur për të gjithë ata që përmbushin kriteret. Në parim, ne nuk duam të përjashtojmë askënd dhe ne nuk synojmë që të zëvendësojmë serbët me shqiptarët sepse ne duam që serbët të përfaqësohen në institucionet tona multietnike”, tha Qeveria e Kosovës në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë.

Autoritetet hapën konkursin pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në katër komunat në veri të shtetit nëntorin e vitit 2022.

Ata ishin në mesin e punëtorëve të sistemit të drejtësisë, institucioneve lokale dhe qendrore dhe të tjera, që u dorëhoqën në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që kërkonte nga serbët të riregjistronin makinat me targa e Kosovës, dhe të largonin ato të lëshuara nga Serbia.

Qeveria tha se ky konkurs është mundësi e mirë për të gjithë ata persona që në të kaluarën nuk kanë mundur të punojnë në institucionet publike të Kosovës.

Megjithatë, nga ekzekutivi nuk kanë treguar nëse ish-policët kanë të drejtë të aplikojnë në konkursin aktual.

“Ne u bëjmë ftesë të gjithë serbëve që janë të interesuar dhe që plotësojnë kriteret, të aplikojnë për këto vende të hapura pune, veçanërisht ata që në të kaluarën nuk kanë pasur mundësi që të punojnë në sektorin publik për shkak të Listës Serbe, e cila shpesh kushtëzonte punësimin me anëtarësim në këtë parti”, tha Qeveria.

REL-i ka pyet Policinë e Kosovës nëse ish-policët kanë të drejtë të aplikojnë, por nga ky institucion kanë thënë vetëm se kandidatët që plotësojnë kriteret mund të aplikojnë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, u bëri thirrje serbëve që të aplikonin për vende pune në institucionet e Kosovës, pasi argumentoi se “zbrazëtirën” që është krijuar në institucionet në veri, nuk duan ta mbushin me shqiptarë.

Edhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) u ka kërkuar serbëve që të kthehen në institucionet e Kosovës, pasi ky mision tha se nuk mund ta mbushë vakumin e krijuar nga dorëheqjet e policëve serbë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Bislimi: Marrëveshja përfundimtare me Serbinë mund të arrihet në fund të marsit

Zëvendëskryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, njëherësh kreu i ekipit negociator në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur kohën se kur mund të arrihet marrëveshja përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

Në një intervistë për Euronews Serbia, Bislimi ka thënë se takimi në mes të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për propozimin franko-gjerman nuk është mbajtur ende, sipas Economia online.

“Marrëveshja e nënshkruar, pra e arritur më 23 nëntor, caktoi afatin se kur duhet mbajtur mbledhja e radhës e grupit special për normalizimin në Kosovë dhe BE. Prandaj, tashmë është rënë dakord që takimi të bëhet në fund të muajit mars. Kjo është arsyeja që zoti Kurti përmend fundin e marsit si afat për nënshkrimin e marrëveshjes. Nëse deri atëherë e kuptojmë se Serbia nuk ka ndërmend të jetë konstruktive gjatë dialogut, kjo do të thotë se procesi i nisur më 23 nëntor do të pezullohet dhe Kosova do të mund të vazhdojë të shqiptojë gjoba për targat ilegale që ende lëvizin nëpër Kosovë”, ka thënë ai.

Edhe pse nuk ka zbuluar detajet e propozimit, zëvendëskryeministri ka deklaruar se plani “de jure” e mbështet qëndrimin e Serbisë se nuk duhet të ketë njohje reciproke në këtë moment.

“Ne nuk duhet t’i zbulojmë elementet e dokumentit, por nëse fokusohemi në elementet “de jure”, atëherë mund të themi se dokumenti mbështet qëndrimin e Serbisë ku aktualisht nuk ka kusht  për njohje reciproke”, ka shtuar tutje Bislimi.

Liberalizimi i vizave për Kosovën sot në rendin e ditës në Bruksel

Në Komitetin e Parlamentit Evropian për Liritë Civile, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme (LIBE), të enjten do të jetë temë e diskutimit edhe liberalizimi i vizave për Kosovën – marrëveshja trepalëshe, ku do të votohet.

“Votime: Propozimi i Parlamentit për rregullat për votimin e evropianëve dhe qëndrimin në zgjedhjet komunale në shtetet tjera të BE-së (raportues Joachim Brudzinski). Liberalizimi i vizave me Kosovën – marrëveshja trepalëshe (raportues Thijs Reuten)”, është njoftuar në faqen në Twitter të Komitetit, citon Veriu.info.

Për votimin ka njoftuar edhe eurodeputeti holandez Thijs Reuten. “Pas marrëveshjes shumë gjatë të pritur, që u arrit mes shteteve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën, ne do ta mbajmë ritmin në Parlamentin Evropian. Votim në Komitetin këtë të enjten”, ka shkruar në Twitter.

Deri tani nga Parlamenti Evropian ka pasur mbështetje të fuqishme për liberalizimin e vizave për Kosovën. Parlamenti kishte bërë edhe presion ndaj vendeve të Bashkimit Evropian që sa më parë të miratojnë vendimin për t’i hequr vizat për qytetarët e Kosovës, të cilët janë të vetmit në rajon që nuk mund të udhëtojnë në BE pa viza.

Albin Kurti sot në Austri, takim me dyer të mbyllura me kancelarin Nehammer

Prishtinë – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot do të vizitojë Austrinë, ku do të takohet edhe me kancelarin federal austriak, Karl Nehammer.

Bazuar në agjendë, ai do të pritet me nderimet më të larta ushtarake e shtetërore nga kancelari austriak, Karl Nehammer. Kurti do të ketë një takim me dyer të mbyllura me kancelarin e Austrisë, njofton RTK.

Më pas, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, kryeministri Kurti dhe kancelari austriak, pritet të mbajnë edhe një konferencë për media.

Përveç çështjeve të Ballkanit Perëndimor si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë, një ndër temat e këtij takimi mes kryeministrit Kurti dhe kancelarit Nehammer, do të jetë edhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE.

Kurti, gjatë vizitës në Vjenë të enjten, do të mbajë edhe një fjalim i ftuar nga Instituti Austriak për Politikë Evropiane dhe të Sigurisë dhe Akademia Diplomatike e Vjenës. Ai do ta flas për “Kosovën, Ballkanin Perëndimor dhe Bashkimin Evropian’, raporton RTKlive.

Ndryshe kjo vizitë e Kurtit në Austri vjen pas dorëzimit të aplikacionit për anëtarësim në BE dhe zhvillime pozitive rreth vendimit pozitiv për liberalizim të vizave nga ana e BE-së.

Kosova dhe Austria kanë bashkëpunim të mirë në shumë fusha.

Chollet: Asociacioni i komunave me shumicë serbe – detyrim ligjor i Kosovës

VOA

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit Derek Chollet, tha të mërkurën se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ai është një detyrim ligjor.

Në një takim me një grup gazetarësh të medieve vendase, pas takimeve me udhëheqësit e institucioneve dhe partive politike në Kosovë, zoti Chollet tha se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova të përmbushë të gjitha përkushtimet e saj në bisedimet më Serbinë, që përfshijnë edhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara presin që qeveria e Kosovës të hedh në tryezë disa propozime rreth këtij asociacioni.

“Dua të jem i qartë se ne nuk e mbështesim dhe nuk do ta mbështesim një organizimin të tipit Republike Serbska. Nuk po i kërkojmë Kosovës asnjë aranzhim që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015. Parlamenti i Kosovës i ka ratifikuar marëveshjet e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se është e domosdoshme të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe gjë që ne besojmë se e bënë këtë një detyrim ligjor për qeverinë e Kosovës”, tha zoti Chollet duke nënvizuar se zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës vetëm sa e kanë theksuar rëndësinë e themelimit të tij.

Ai i cilësoi të rënda javët në prag të Krishtlindjeve në veriun e Kosovës ku për tre javë me radhë grupe serbësh mbajtën të bllokuara rrugët kryesore në shenjë proteste ndaj arrestimit të një ish polici serb, nën dyshimet për sulm ndaj autoriteteve. Rrugët u zhbllokuan më 29 dhjetor pasi ish polici u dërgua në arrest shtëpie. Ai ishte një nga qindra pjesëtarët e policisë nga radhët e komunitetit serb që braktisën vendet e punës sikurse edhe punonjësit tjerë të këtij komuniteti në veriun e Kosovës mes mospajtimeve me vendimin e qeverisë në Prishtinë për ndalimin e përdorimit të targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Zoti Chollet e cilësoi shqetësues boshllëkun në institucionet në veri, ndërsa nënvizoi se “duhet t’i japim fund këtij cikli të ngecjes dhe është koha të vihemi në punë. Një nga mesazhet që sollëm këtu dhe do ta transmetojmë edhe në Beograd është se duam të shpenzojmë energjinë diplomatike amerikane për të punuar për të ardhmen euro-atlantike për Kosovën. Duam të shpenzojmë më pak energji në menaxhimin e krizave. Së këndejmi mesazhi ynë këtu dhe në Beograd është se nuk duhet të ketë veprime provokuese, duhet të shtensionojmë situatën dhe të marrim situatën në duar”.

Zoti Chollet tha se “Kosova dhe Serbia duhet të përfshihen urgjentisht në bisedimet e lehtësuara dhe të drejtuara nga Bashkimi Evropian që do të çojnë drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me njohjen e ndërsjellë në qendër”, ndërsa nënvizoi se ky dialog është mënyra më e mirë për Kosovën që të sigurojë ardhmërinë e saj evropiane dhe euro-atlantike.

Zoti Chollet, po qëndron në rajon në një periudhë përpjekjesh për ripërtëritjen e bisedimeve Kosovë – Serbi dhe nxitjes së proceseve integruese. Te enjten pritet të qëndrojë në Beograd, ndërsa po shtohen përpjekjet për një marrëveshje ndërmjet palëve në dritën e një propozimi evropian, që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.

Chollet sot në Kosovë për të shtyrë përpara dialogun e Brukselit

Mimoza Sadiku

Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit (DASH), Derek Chollet, do të vizitojë Kosovën më 11 janar, në mes të përpjekjeve të reja ndërkombëtare për të përshpejtuar procesin e normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.

Chollet do të qëndrojë më 11 janar edhe në Shkup, ndërkaq një ditë më pas do të vizitojë edhe Serbinë.

Në Prishtinë, Chollet fillimisht do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, në orën 13:30, ndërkaq një orë më pas është paraparë takimi me kryeministrin Albin Kurti.

Sipas njoftimit të DASH-it, ai do të bisedojë me krerët në Kosovë dhe të Serbisë për integrimin euroatlantik, përfshirë edhe arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e raporteve mes dy shteteve, të bazuar në njohje reciproke.

Njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë se vizita e zyrtarit të lartë amerikan është e rëndësishme, sa i përket dinamizimit të procesit të dialogut.

“Është e qartë se kërkesa kryesore e Chollet do të jetë angazhimi më i madh, më energjik, më i mirëfilltë, më kualitativ i Qeverisë së Kosovës në dialog sepse edhe investimet madhore amerikane në Ballkan janë të drejtuar në arritjen e marrëveshjes finale dhe gjetjen e një zgjidhjeje për krijimin e një etape të re historike”, thotë Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë.

Sa i përket Serbisë, Muhaxhiri thotë se ky shtet ka presione të mëdha, si nga SHBA-ja, po ashtu edhe nga BE-ja, mirëpo sipas tij, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, po tenton që fokusin ta vendosë te “mospajtimet dhe refuzimet e Kosovës ndaj kërkesave amerikane”.

“Por, është absolutisht e qartë që edhe Serbia do të duhet të bëjë kompromise shumë të mëdha nëse dëshiron që të mos stigmatizohet si bllokuese e procesit dhe nëse dëshiron që të ketë të ardhme normale evropiane”, thotë ai.

Fokusi te plani franko-gjerman

Vizita e Chollet në Kosovë dhe Serbi vjen disa javë pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës, që kulmoi me vendosjen e barrikadave nga grupe të serbëve lokalë në veri të shtetit, për shkak të arrestimit të një ish-polici serb.

Vetë Chollet deklaroi se u shpenzuan kohë në përpjekjet diplomatike në uljen e tensioneve, në vend se palët të përqendroheshin në dialog.

Në këtë drejtim, ai ka përmendur planin franko-gjerman, apo siç po quhet së fundi edhe si plani i BE-së, që synon çuarjen përpara të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare.

“Mendojmë se BE-ja ka parashtruar një drejtim të arritshëm, një drejtim të mirë. Sërish, do të jetë e vështirë. Do të dojë shumë punë. Do të dojë vendime të vështira dhe kurajë nga udhëheqësit, që të lënë mënjanë ndasitë dhe të bëjnë atë që është në interesin më të mirë të vendit të tyre”, ka deklaruar Chollet në një intervistë për Zërin e Amerikës të dhënë më 6 janar.

Muhaxhiri pret që pikërisht plani franko-gjerman të jetë në fokus të vizitës së Chollet në Prishtinë dhe Beograd. Sipas tij, ky plan, që nuk është bërë publik, por u është dorëzuar palëve vitin e kaluar, po konsiderohet si baza më realiste për dialog, andaj ai thotë se palët janë të interesuara që të dialogojnë mbi këtë bazë.

“Mirëpo, natyrisht që edhe çështja e Asociacionit është pjesë e planit franko-gjerman dhe zoti Chollet do të kërkojë nga Qeveria e Kosovës që të gjendet një zgjidhje kreative për angazhimin e Qeverisë kosovare në këtë aspekt, sepse me bllokadën aktuale të kësaj teme rrjedhimisht bllokohet edhe dialogu”, thotë Muhaxhiri.

Zyrtarët në SHBA janë shprehur se prioritet për ta është formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilin, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje, më 2013 dhe më 2015.

Edhe evropianët kanë kërkuar që Kosova të zbatojë marrëveshjen për Asociacionin, teksa Muhaxhiri thotë se pa nisur së trajtuari këtë temë, “nuk mund të ketë ndonjë avancim kuptimplotë në dialog”.

SHBA-ja madje ka thënë se nëse Qeveria e Kosovës nuk do të krijojë Asociacionin, për të do të gjenden “partnerë alternativë”. Sipas Muhaxhirit, kjo formë është presion indirekt që kjo çështje të zgjidhet, nëse presioni direkt ndaj Qeverisë nuk rezulton i suksesshëm.

“Prandaj, kjo ideja e kërkimit të bashkëpunëtorëve alternativë ka ardhur pas refuzimeve të Qeverisë së Kosovës që të bisedohet për Asociacionin, për çfarëdolloj formati të Asociacionit, edhe pse SHBA-ja e ka bërë të qartë 100 herë se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe nuk do të lejohet bosnjëzimi i Kosovë”, thotë ai.

Pavarësisht kërkesave të SHBA-së, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Por, Muhaxhiri thotë se Kosova nuk ka shumë alternativa dhe se duhet të pranojë një zgjidhje edhe nëse përfshin Asociacionin në të.

“Gjithsesi edhe Kosova duhet të bëjë kompromise në mënyrë që të shkohet përpara”, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë siguroi propozimin e BE-së, që njihet si plani franko-gjerman, që synon të çojë përpara procesin e dialogut.

Në të parashihen të drejta të barabarta të Kosovës dhe Serbisë, respektim të integritetit territorial, mosprekjen e kufijve, njohjen e simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Muhaxhiri thotë se Kosova do të përfitonte njohjen e pesë shteteve mosnjohëse të BE-së dhe anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Sipas dokumentit të siguruar nga REL-i, aty nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në OKB, por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

“Nisma diplomatike ka për qëllim që Serbia ‘të detyrohet’ që të diskutojë për planin franko-gjerman”

Pas Prishtinës, Chollet do të qëndrojë në Beograd më 12 janar. Sipas kryetarit të Komisionit për Kosovën në Parlamentin serb, Millovan Drecun, Serbia nuk do të refuzojë kurrë bisedimet me faktorin ndërkombëtar.

“Por, është plotësisht e qartë se biseda do të jetë shumë e shkurtër. Prandaj, ne refuzojmë çdo ide për ta trajtuar Kosovën si shtet”, tha për REL-in Drecun, i cili është pjesë e Partisë Progresive Serbe, të presidentit Vuçiq.

Millovan Drecun tha se nisma e ardhshme diplomatike ka për qëllim që Serbia “të detyrohet” që të diskutojë për planin franko-gjerman.

Në janar, në Kosovë dhe Serbi po ashtu pritet të qëndrojnë i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ata pritet të shoqërohen nga të dërguarit e presidentit të Francës dhe kancelarit gjerman, Emmanuel Bonne dhe Jens Pletner.

Emisarë evropianë dhe amerikanë po ashtu kanë vizituar Kosovën dhe Serbinë muajve të fundit. Fushatat diplomatike, sipas Muhaxhirit, janë treguar të suksesshme në të kaluarën.

“Është një privilegj për Kosovën që ekziston një interesim kaq i madh për arritjen e marrëveshjes finale nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi që edhe në Rambuje dhe Vjenë është dëshmuar se kjo është qasja e vetme e cila mund të dërgojë deri në suksesin e marrëveshjeve”.

“E njëjta po ndodh edhe tash, prandaj edhe Kosova duhet të jetë bashkëpunuese me ndërkombëtarët në mënyrë që të përfitojë nga interesimi i tyre dhe që përfundimisht dialogu me Serbinë ta marrë një epilog dhe kjo të shndërrohet në një etapë historike për Kosovën, dhe Ballkanin në përgjithësi”, thotë ai.

“Vijat e kuqe” të Serbisë

Përderisa propozimi i BE-së, në Kosovë është pranuar dhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është parë si “bazë e mirë për diskutime të mëtejme”, zyrtarët në Serbi janë shprehur më të rezervuar.

Madje Kurti ka deklaruar se Serbia e ka refuzuar këtë plan, gjatë një mbledhjeje të Këshillit Nacional të Sigurisë të mbajtur në tetor të vitit të kaluar, duke iu referuar një deklarate të ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, që atëbotë deklaroi se Serbia nuk do të mund të pranonte një plan ku njihet pavarësia e Kosovës.

Daçiq më 10 janar tha se Serbia ka tri vija të kuqe sa i përket Kosovës: çdo marrëveshje e arritur duhet të zbatohet, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës dhe garantimi i sigurisë së serbëve që jetojnë në Kosovë.

Interesimi i ndërkombëtarëve për marrëveshjen finale

I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se viti 2023 mund të jetë vit vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

Ai ka deklaruar se “dritarja e vetme e mundësive” që të arrihet një marrëveshje është nga marsi i këtij viti deri në dhjetor apo në fillim të vitit të vitit 2024.

Loic Tregoures, profesor i shkencave politike dhe ekspert për Ballkanin, i tha Shërbimit të Ballkanit të REL-it, se Uashingtoni dhe Brukseli, me këto përpjekje po dëshirojnë të shmangin shpërthimin e një konflikti të ri.

Sipas tij, 15 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, është koha që palët të arrijnë një marrëveshje dhe se është në interesin e Prishtinës që të përshpejtohet ky proces për të normalizuar situatën e saj ndërkombëtare.

“Megjithatë, nga pikëpamja e Serbisë nuk ka nguti, status quo-ja është e mirë për presidentin Vuçiq”, tha ai.

Tregoures shtoi se sa më shpejt që mund të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme, BE-ja mund t’ia kujtojë Vuçiqit se të qenët kandidat për BE nënkupton se duhet të jesh serioz për disa çështje “që aktualisht po mbahen të heshtura”. Në këtë drejtim ai përmendi reformat në sundimin e ligjit, gjyqësor, lirinë e medias, legjislacionet për mjedisin si dhe luftën kundër korrupsionit.

Kosova dhe Serbia dialogojnë me ndërmjetësimin e BE-së që nga vitit 2011. Procesi është thënë se synon të përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme.

Prishtina kërkon që marrëveshja të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi insiston në një zgjidhje kompromisi, pa treguar saktësisht se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Kontribuoi: Ludmilla Cvetkoviq

Send this to a friend