VOAL

VOAL

Në Çernobil regjistrohet nivel ekstrem i radioaktivitetit

February 25, 2022

Komentet

Këputen kabllot e teleferikut në Spanjë, dhjetëra të lënduar, 9 prej tyre në gjendje të rëndë

Një incident i rëndë ka ndodhur në vendpushimin malor ku bëhet ski në Astun, i cili ndodhet në kufirin spanjoll me Francën, në vargmalin malor të Pirenejve.


Teleferiku që ngjiste lart në mal turistët që bënin ski, është këputur duke lënë të lënduar 30 persona, ku 9 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.

 

Kanali shtetëror televiziv TVE raportoi se rreth 80 njerëz mbeten të bllokuar në teleferik, ndërsa ende nuk dihet shkaku i ngjarjes.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez tha se ishte “i tronditur nga lajmi i incidentit“.

Kryqi i Kuq spanjoll tha se i ishte bashkuar shërbimeve të urgjencës në vendngjarje me një ambulancë të avancuar të mbështetjes për jetën dhe 11 automjete të tjera të specializuara. gsh

Gjermania në garë armatimi pasi Rusia sulmoi Ukrainën- Ministri i Mbrojtjes: Na duhen 30 miliardë euro më shumë për ushtrinë

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se vendit do t’i duhen më shumë fonde për mbrojtjen në afat të mesëm, pas përfundimit të afatit të fondit special për modernizimin e ushtrisë.

“Pasi të mbarojë fondi special, do të na duhen të paktën 85 miliardë euro nga viti 2028. Kjo përbën 30 miliardë më shumë se sot”, tha Pistorius në një intervistë për gazetën “Süddeutsche Zeitung”.

Fondi special prej 100 miliardë eurosh u krijua në vitin 2022 për të rindërtuar ushtrinë gjermane, ose Bundeswehr, në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës.

Në vitin 2024, shpenzimet e parashikuara për mbrojtjen e Gjermanisë ishin rreth 52 miliardë euro, e cila – e kombinuar me fondin special – arrin në rreth 2% të produktit të brendshëm bruto (PBB) të vendit.

Pistorius tha se Gjermania duhet të synojë të paktën 3% të PBB-së në shpenzimet e mbrojtjes.

“Shpenzimi i të paktën 3% të PBB-së, do të thotë pak më shumë se 120 miliardë euro bazuar në PBB-në e sotme”, tha ai duke theksuar se Gjermania ishte larg këtij objektivi. bw

Rama bën sërish bufonin. Gjunjëzohet para Melonit dhe i dhuron një shall…

Një episod i veçantë në fillim të Samitit Botëror të Energjisë në Abu Dhabi, ku kryeministri shqiptar i jep dhuratën e ditëlindjes kryeministres italiane

TG24

“Duhet ta lësh këtë histori…”, i thotë kryeministrja.

Në gjunjë dhe me një shall si dhuratë: me këtë gjest, kryeministri shqiptar Edi Rama i nderoi kryeministren Giorgia Meloni, duke e përshëndetur gjatë mbërritjes së saj në Sustainability Week në Abu Dhabi, në ditëlindjen e saj të dyzetetetë.

“Duhet ta lësh këtë histori,” tha Meloni me një buzëqeshje, para se të përqafonte liderin shqiptar, i cili e ka quajtur shpesh “motër”.

Rama shpjegoi se shalli ishte punuar nga një prodhues italian që është shpërngulur në Shqipëri dhe ka marrë shtetësinë shqiptare.

Më pas, ai ia vuri në kokë, duke marrë një falënderim nga kryeministrja. sn

Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha se Kievi dhe partnerët e tij duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për ta përmirësuar pozitën e Ukrainës në çfarëdo negociate eventuale për t’i dhënë fund luftës.

Duke folur më 14 janar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhe disa gazeta evropiane, Kallas tha se rritja e presionit ekonomik ndaj Moskës dhe izolimi i saj ndërkombëtar janë mënyrat e vetme për të parandaluar mundësinë që Rusia të marrë epërsinë.

“Nuk duhet t’i nënvlerësojmë aftësitë tona dhe t’i mbivlerësojmë ato të rusëve”, tha Kallas. “Rusia nganjëherë duket si një fuqi misterioze që nuk mund të mposhtet. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi më të fortë si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë ekonomik. Duhet t’u qasemi gjërave nga një pozicion force”.

Ekonomia ruse ka pësuar disa goditje, si rritjen e normave të interesit mbi 20 për qind, Gazprom-i është detyruar të largojë nga puna 40 për qind të stafit menaxhues të saj, tregu i punës është “në gjendje shumë të keqe” dhe ushtria ruse është detyruar të rekrutojë ushtarëve koreano-veriorë për të luftuar në anën e Moskës, tha ajo.

“E gjithë kjo tregon se ata nuk janë në një pozicion të mirë”, shtoi ajo.

Rusia është e bindur se koha është në anën e saj, por Kallas tha se beson se ky pretendim është i gabuar dhe se aleatët perëndimorë të Kievit duhet të rrisin më tej presionin ekonomik.

“Shohim që rezervat e tyre monetare janë shteruar plotësisht. Ata kanë shumë më pak të ardhura sesa më parë nga shitja e naftës dhe gazit”, tha ajo.

Bashkimi Evropian do të diskutojë për sanksionet ndërsa përpiqet të vendosë për një pako të 16-të që do të përkojë me përvjetorin e luftës më 24 shkurt, tha një zyrtar i BE-së për Radion Evropa e Lirë. Pakoja do të jetë përmbajtësore, pavarësisht vështirësisë për të gjetur fusha të reja për sanksione, tha zyrtari.

Fokusi i pakos pritet të jenë masat teknike dhe ato kundër shmangies së sanksioneve. Gjithashtu, diskutimet do të shqyrtojnë kufizimet e importit të aluminit si lëndë e parë, tarifat për produktet bujqësore, përfshirë kimikatet e përdorura në plehra, dhe masa të tjera për të kufizuar atë që quhet flota e errët e cisternave të naftës të Rusisë, sipas zyrtarit.

Kallas shprehu besimin se Bashkimi Evropian do të mund të ruajë unitetin në politikën për dërgimin e armëve dhe ndihmave të tjera në Ukrainë, pavarësisht rezistencës nga disa qeveri evropiane që janë simpatizuese ndaj Rusisë.

Ish-kryeministrja e Estonisë tha se Bashkimi Evropian ka ruajtur unitetin pavarësisht “negociatave të vështira” me ato qeveri.

“Po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, pranoi ajo. “Megjithatë, ende besoj se mund të përfaqësojmë një pozicion të bashkuar, sepse vetëm kështu mund të mbetemi të fortë”.

Sa më e fortë të jetë Ukraina në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë edhe në tryezën e negociatave, tha ajo.

Kallas gjithashtu komentoi mbi deklaratën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, se ai do ta përfundojë luftën shpejt, duke thënë se bota pret planin e Trumpit.

Nëse Trump, i cili pritet të inaugurohet më 20 janar, përdor vërtet fuqinë e SHBA-së për të ushtruar presion mbi presidentin rus, Vladimir Putin, që të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të ndalojë bombardimin e civilëve dhe infrastrukturës civile, lufta mund të përfundojë në kohë, tha ajo.

Por, ajo përsëriti qëndrimin e BE-së se nuk duhet të ketë asnjë vendim për Ukrainën pa pëlqimin e Ukrainës, dhe kjo vlen edhe për Evropën.

“Është e qartë që cilado marrëveshje të arrihet, Evropa duhet të jetë pjesë e saj. Është detyrë e ukrainasve të vendosin se çfarë lloj marrëveshjeje është e pranueshme për ta”, tha ajo.

Se a dëshiron me të vërtetë Putini paqe është temë tjetër, tha ajo, duke paralajmëruar se një armëpushim do të përdorej nga rusët vetëm për të rigrupuar dhe rimbushur forcat e tyre.

“Rusët nuk i kanë respektuar kurrë armëpushimet. Prandaj është e rëndësishme për Evropën që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme”, tha ajo.

Kallas gjithashtu foli për sulmet e fundit ndaj kabllove nënujore në Detin Baltik, duke theksuar se do të ishte një gabim t’i trajtojmë ato ndaras nga sulmet ndaj infrastrukturës kritike evropiane. Incidentet duhet të konsiderohen kolektivisht dhe gjithashtu në kontekstin e sulmeve të ngjashme që ajo tha se Kina ka kryer kundër Tajvanit dhe Koresë së Jugut.

Kjo tregon nevojën për të zhvilluar më tej ligjin ndërkombëtar detar dhe për të forcuar më tej sanksionet kundër flotës së errët të Rusisë, që ajo përdor për të shmangur sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës, tha Kallas. REL

Zelenskyy dhe Macroni diskutojnë për vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij francez Emmanuel Macron, lidhur me mundësinë e vendosjes së trupave perëndimore në Ukrainë si pjesë e masave për të garantuar zbatimin e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.

Zelenskyy tha se ndër garancitë e sigurisë të nevojshme për zbatimin e paqes është diskutuar edhe propozimi francez për dërgimin e kontingjenteve ushtarake në Ukrainë. “Kemi shqyrtuar hapat praktik për zbatimin e kësaj iniciative, zgjerimin e saj të mundshëm dhe përfshirjen e vendeve të tjera në këtë proces,” u shpreh ai.

Sipas SkyNeës, një nga opsionet e shqyrtuara përfshin dislokimin e ushtarëve perëndimorë përgjatë një linje të mundshme armëpushimi. Megjithatë, kjo qasje është cilësuar si e rrezikshme, duke pasur parasysh qëndrimin e ashpër të Rusisë kundër pranisë së trupave të NATO-s ose vendeve anëtare afër kufijve të saj.

Diskutimet vijnë në një kohë kur janë intensifikuar përpjekjet diplomatike për të siguruar një zgjidhje paqësore të konfliktit. sn

Komisionerja për Zgjerim: Në Kosovë shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim

Komisionarja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian në Bruksel, të martën.

Ajo tha se zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh dhe se tash “kemi një moment të ri pozitiv në BE”.

“Për herë të parë në dhjetë vjetët e fundit kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve javëve të fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së”, tha ajo.

Për Kosovën, ajo foli krejt në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Evropian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë.

“Kosova… Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia”, tha Kos.

Komisionarja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe se pret progres më të madh sesa që ka pasur një dhjetë vjetët e fundit.

“Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë sesa që kishim në dhjetë vjetët e fundit, Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare”, theksoi ajo.

Kos gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat ajo i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.

“Mali i Zi ka vizion t’i përmbyllë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim ato, por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur kandidatët t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara“, deklaroi Kos.

Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikë të jashtme e BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në anën tjetër, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka paralajmëruar se fokusi i kësaj jave në Bruksel do të jetë te takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur në luftën e fundit në Kosovë.

Komisioni i Përbashkët është pjesë e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur, të cilën Kosova dhe Serbia e kanë arritur në vitin 2023, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në takimin e fundit në Bruksel, më 17 dhjetor të vitit të kaluar, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviq, kanë thënë se janë pajtuar për zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur. REL

Zelensky thotë se Ukraina po i merr në pyetje ushtarët e kapur koreanoveriorë

Hetuesit ukrainas janë duke i marrë në pyetje dy ushtarë nga Koreja e Veriut, të cilët u zunë nga forcat ukrainase në rajonin Kursk të Rusisë, tha të shtunën presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

“Këta janë dy ushtarë që, megjithëse të plagosur, mbijetuan dhe u dërguan në Kiev, ku po flasin me hetuesit e SBU-së [Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës]”, tha Zelensky në Telegram.

Zelensky postoi në Telegram gjithashtu edhe fotografi të ushtarëve për të cilët thotë se janë kapur.

Zelensky tha se kapja e këtyre ushtarëve ishte “e vështirë.” Ai pohoi se forcat ruse dhe koreanoveriore, që luftojnë në Kursk, kanë tentuar ta fshehin praninë e ushtarëve nga Koreja e Veriut, përfshirë duke i vrarë shokët e tyre të plagosur në fushëbetejë për ta shmangur kapjen e tyre dhe marrjen në pyetje nga Kievi.

Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) të shtunën dha më shumë hollësi rreth dy ushtarëve. Në një komunikatë, thuhet se njëri prej tyre nuk kishte asnjë dokument, ndërsa tjetri mbante një kartelë identiteti ushtarake ruse në emër të një burri nga Tuva, një rajon rus që kufizohet me Mongolinë.

“Të burgosurit nuk flasin as ukrainisht, as anglisht e as rusisht, prandaj komunikimi me ta bëhet përmes përkthyesve koreanë në bashkëpunim me inteligjencën e Koresë së Jugut”, thuhej në komunikatë.

Sipas SBU-së, njëri nga ushtarët pretendoi se i ishte thënë se po shkonte në Rusi për trajnim, dhe jo për të luftuar kundër Ukrainës.

Agjencia tha se të dy burrat janë trajtuar me kujdes mjekësor në përputhje me Konventat e Gjenevës dhe po hetohen “në bashkëpunim me inteligjencën e Koresë së Jugut”.

Kjo është hera e parë që autoritetet ukrainase publikojnë pamje të ushtarëve të kapur koreanoveriorë.

Vitin e kaluar, Moska i dërgoi rreth 11.000 ushtarë koreanoveriorë në Kursk për të mbështetur forcat ruse në rajon, i cili është pjesërisht nën kontrollin e forcave ukrainase që nga gushti. REL

Mijëra gjermanë protestojnë kundër konventës së partisë së ekstremit të djathtë

Mijëra njerëz kanë protestuar kundër një konvente të partisë ekstremit të djathtë – Alternativa për Gjermaninë (AfD) – të shtunën, duke i bllokuar disa rrugë dhe duke e vonuar fillimin e takimit, ku kjo parti e nisi fushatën për zgjedhjet e shkurtit.

Një prani e madhe policore u pa të shtunën në Riesa – në landin lindor Saksoni – i cili është bastion i AfD-së. Policia i largoi disa prej protestuesve nga rrugët.

Megjithatë, konventa dyditore nisi rreth dy orë me vonesë, pasi shumë prej delegatëve nuk mbërritën me kohë për shkak të bllokadave.

AfD-ja e ka nominuar zyrtarisht bashkëkryetaren, Alice Weidel, si kandidate për kancelare të Gjermanisë. Weidel i falënderoi delegatët për “sfidimin e turmës së majtë për të mbërritur këtu”.

Sondazhet tregojnë se AfD-ja është në vendin e dytë në prag të zgjedhjeve të 23 shkurtit, me një mbështetje prej rreth 20 për qind.

Megjithatë, Weidel – e cila këtë javë e zhvilloi një bisedë drejtpërdrejt në X me miliarderin e teknologjisë Elon Musk, i cili ka mbështetur partinë e saj – nuk ka asnjë gjasë reale për t’u bërë lidere e Gjermanisë, pasi partitë e tjera nuk pranojnë të bashkëpunojnë me AfD-në.

Është partia kryesore opozitare, blloku i Unionit, e cila kryeson në sondazhe me rreth 30 për qind dhe kandidati i saj, Friedrich Merz, është favoriti për t’u bërë kancelari i ardhshëm.

Unioni po fokusohet në ringjalljen e ekonomisë së ngecur të Gjermanisë dhe në kufizimin e imigracionit të parregullt.

Të shtunën, Weidel e kritikoi atë si një “parti mashtruesish”, duke i bërë thirrje njerëzve të “votojnë për të mirëfilltën” dhe ta forcojnë partinë e saj.

Weidel bëri thirrje për mbylljen e kufijve të Gjermanisë për imigrantët e paautorizuar dhe për dëbimin e azilkërkuesve.

Ajo premtoi rikthimin në punë të gazsjellësit Nord Stream, i cili u dëmtua në shpërthimet e vitit 2022, menjëherë pasi Rusia e ndërpreu furnizimin e Gjermanisë me gaz. Weidel u prit me duartrokitje të mëdha kur tha se AfD-ja do t’i rrëzojnë të gjitha turbinat e erës – të cilat i përshkroi si “mulli ere të turpit” – nëse vjen në pushtet.

Në një konferencë për shtyp në Hamburg, Merz u përqendrua te oferta e partisë së tij për “ndryshime të thella” pasi koalicioni i paqëndrueshëm dhe kontestuar i qendrës së majtë të kancelarit Olaf Scholz u prish.

Scholz shpreson në fitore befasuese, por sondazhet tregojnë se mbështetja për Socialdemokratët e tij është mes 14-17 për qind.

Qeveria e tij ra në nëntor, kur ai e shkarkoi ministrin e Financave pas një mosmarrëveshjeje për mënyrën e ringjalljes së ekonomisë, duke e çuar Gjermaninë në zgjedhje të parakohshme.

Scholz pranoi të shtunën se ishin bërë gabime dhe tha se “ndoshta duhet ta kisha prishur koalicionin më herët.”

Por, ai tha se është koha të shohim përpara. “Le të luftojmë”, tha ai për delegatët në një kongres partie në Berlin, ku ai u konfirmua zyrtarisht si kandidat për kancelar.

Ai akuzoi Unionin e Merzit për mungesë të planeve serioze për t’u marrë me problemet e Gjermanisë. REL

Gazetarja italiane që mbahej në Iran, kthehet në atdhe

Gazetarja italiane Cecilia Sala në aeroportin ushtarak ‘Ciampino’ të Romës, pasi u lirua nga burgu iranian, 8 janar 2025

 

VOA Marrë nga Reuters

Gazetarja italiane Cecilia Sala e cila u liruar nga një burg iranian pas tre javësh është kthyer në Itali.

Kryeministrja Giorgia Meloni dhe ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani e pritën atë në Romë duke treguar rëndësinë politike që mori çështja e saj.

Zonja Sala, 29 vjeç, zotëronte vizë të rregullt pune për gazetarët kur u arrestua në Teheran më 19 dhjetor. Ajo u akuzua për “shkelje të ligjeve të Republikës Islamike”.

Gazetarja u ndalua tre ditë pas arrestimit të biznesmenit iranian Mohammad Abedini, në Milano. Zoti Abedini u ndal bazuar në një urdhër-arresti amerikan, mbi dyshimin se ka furnizuar një pjesë të dronëve që Uashingtoni thotë se u përdorën në një sulm të vitit të kaluar që vrau tre ushtarë amerikan në Jordani.

Irani ka mohuar përfshirjen në sulm dhe ka hedhur poshtë akuzat se burgosja e zonjën Sala u bë për të ushtruar trysni ndaj Italisë për lirimin e zotit Abedini.

Në një deklaratë të zyrës së Kryeministres Meloni thuhej se zonja Sala, e cila u mbaj në izolim në burgun famëkeq Evin të Teheranit, u lirua “falë punës intensive me kanalet diplomatike dhe të inteligjencës”. Në të nuk përmendej fare rasti i zotit Abedini.

“Dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ata që ndihmuan për të bërë të mundur kthimin e Cecilias”, shkroi Kryeministrja Meloni në rrjetin social X.

Zoti Abedini mbetet në një burg të Milanos, ndërsa një gjykatë do të vendosë javën e ardhshme për kërkesën e tij për t’u liruar në arrest shtëpiak përpara procedurave eventuale për ekstradimin e tij në Shtetet e Bashkuara.

“Momentalisht, rasti i Abedinit mbetet i pandryshuar”, u tha gazetarëve Francesca Nanni prokurore në Milano.

FITORE DIPLOMATIKE

Zonja Sala punon për gazetën ‘Il Foglio’ dhe kompaninë që prodhon podkaste ‘Chora Media’. Babai i saj Renato Sala tha se u pushtua nga emocionet kur dëgjoi se ajo po kthehej në shtëpi.

“Kam qarë vetëm tre herë në jetën time”, tha ai, duke shtuar: “Gjatë kësaj periudhe pata përshtypjen se po luhej një lojë shahu, por nuk ishin vetëm dy lojtarë”.

Lirimi i shpejtë i gazetares Sala përfaqëson një fitore të qartë diplomatike për Kryeministren Meloni, e cila kishte frikë se çështja mund të zvarritej.

Udhëheqësja italiane bëri një vizitë të papritur në Florida në fundjavë për të takuar Presidentin e zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Pas takimit nuk u publikuan detaje të bisedimeve, por zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha se ata kishin diskutuar edhe çështjen e gazetares Cecilia Sala.

Faqja italiane e lajmeve ‘Il Post’, ku punon partneri i zonjës Sala, njoftoi se Presidenti i zgjedhur Trump i kishte dhënë “një lloj dritë jeshile” Italisë për të negociuar me Iranin dhe kishte premtuar se nuk do ta politizonte çështjen me administratën në largim të Presidentit Joe Biden.

Një burim i lartë politik nuk pranoi të jepte detaje, por tha se takimi në Florida kishte qenë i rëndësishëm dhe kishte luajtur një rol në lirimin e zonjës Sala.

Vitet e fundit, forcat iraniane të sigurisë kanë arrestuar dhjetëra të huaj dhe individë me shtetësi të dyfishtë, kryesisht me akuza të lidhura me spiunazhin dhe sigurinë. Organizatat për të drejtat e njeriut kanë akuzuar Iranin se po përpiqet të siguroj lëshime nga vendet e tjera përmes arrestimeve të tilla. Irani e mohon këtë gjë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane Esmaeil Baghaei tha të dielën se ndalimi i zotit Abedini përbënte pengmarrje.

Franca thotë se BE-ja nuk do të tolerojë sulme në kufijtë e saj

VOA Marrë nga Reuters

Ministri i Jashtëm i Francës tha të mërkurën se Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera të sulmojnë kufijtë e tij sovran, duke iu përgjigjur kësisoj komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump, për të marrë nën kontroll Groenlandën.

Presidenti i zgjedhur nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake apo veprimeve ekonomike për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Groenlandën, duke thënë se kontrolli amerikan i dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot, tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara do të pushtonin ishullin e madh në Arktik, që është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.

“Qartazi nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian do t’i lejonte kombet e tjera të botës të sulmonin kufijtë e tij sovranë, kushdo qofshin ata”, tha ai për radion France Inter. “Ne jemi një kontinent i fortë”, shtoi ai.

Komentet e zotit Trump përvijuan më tej një agjendë ekspansioniste, dy javë para se të marrë detyrën me 20 janar në Uashington.

“Nëse po më pyesni nëse unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të pushtojnë Groenlandën, përgjigja ime është jo. Por, a kemi hyrë në një periudhë kohore kur flitet për mbijetesën e më të fortit? Atëherë përgjigja ime është po”, tha ministri Barrot.

Ai tha se BE-ja nuk duhet të lejojë veten të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por duhet të zgjohet dhe të forcohet.

Vrasja e veprimtarit shqiptar Enver Hadri në Bruksel, burgim i përjetshëm për tre serbë

Gjykata Penale e Brukselit ka dënuar me burgim të përjetshëm mbrëmjen e së mërkurës tre autorët e vrasjes së veprimtarit të shquar shqiptar, Enver Hadri. Veselin Vukotiq dhe Andrija Draskoviq u shpallën fajtorë për vrasjen e Hadrit, ndërsa Bozhidar Spaciq u shpall fajtor për dhënien e urdhrit për vrasje.

Enver Hadri, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Kosovë, u vra në veturën e tij ndërsa ishte ndalur në semaforin e kuq në Saint-Gilles më 25 shkurt 1990.

Gjyqtarët profesionistë dhe të 12 juristët nuk kanë dhënë asnjë rrethanë lehtësuese për tre të dënuarit, duke i dënuar të gjithë me burgim të përjetshëm, dënimin maksimal. Më 25 shkurt 1990, rreth orës 16:00, Enver Hadri ishte në timonin e makinës së tij, ndaloi në semafor të kuq, kur pranë tij u ndal një automjet tjetër, shkruajnë mediat e Kosovës.

Dritarja e pasagjerit të këtij automjeti është ulur dhe është qëlluar, sipas disa dëshmitarëve. Enver Hadri, 49 vjeç, u godit nga një plumb në kokë dhe vdiq.

Hetimi, i cili zgjati disa vite, arriti në përfundimin se ishte një atentat politik, i urdhëruar nga shërbimet inteligjente të ish-Jugosllavisë, me ndihmën logjistike të botës së krimit të Beogradit. bw

Një dekadë nga sulmi terrorist ndaj Charlie Hebdo, Franca rikujton tragjedinë përmes homazheve

Një dekadë pasi persona të armatosur sulmuan zyrat e gazetës satirike Charlie Hebdo në një sulm vdekjeprurës, Franca ndaloi të martën për të nderuar viktimat dhe për të rinovuar vendosmërinë e tij për të luftuar për lirinë dhe demokracinë.

Sulmi tronditi Francën deri në palcë dhe ndezi një protestë globale në mbrojtje të lirisë së fjalës.

Presidenti Emmanuel Macron dhe kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo kryesuan homazhet solemne në vendin e sulmit, ku 12 persona, duke përfshirë disa nga karikaturistët më të dashur të Francës, u vranë më 7 janar 2015. Në mesin e të kujtuarve ishte Ahmed Merabet, një oficer policie i cili ishte u qëllua me armë në rrugë ndërsa mbronte godinën e gazetës.

Në një ceremoni prekëse, Macron qëndroi me gruan e tij, Brigitte, përkrah ish-presidentit François Hollande, i cili e kishte drejtuar Francën pas sulmeve.

Macron u bashkua me oficerët e policisë në vendosjen e kurora lulesh kundër murit të ish selisë së Charlie Hebdo në lagjen e 11-të dhe tubimi mbajti një minutë heshtje. Një trumpetë e vetmuar luajti, duke rezonuar nëpër një lagje të plagosur nga gjakderdhja e asaj dite dhe më vonë nga masakra e Bataclanit në nëntor të po atij viti.

Sulmet e zhytën Francën në një vit terrori të pashembullt, duke filluar me sulmin në Charlie Hebdo dhe duke kulmuar në sulmet e koordinuara të nëntorit, duke përfshirë tragjedinë Bataclan.

Masakra në Charlie Hebdo, e kryer nga dy vëllezër që pretendonin besnikëri ndaj al-Kaedës, sinjalizoi agimin e një kapitulli të ri të errët për Francën. Një valë dhune ekstremiste e detyroi vendin të rishqyrtojë masat e tij të sigurisë.

Sulmi ndaj Charlie Hebdo, i kryer si hakmarrje për karikaturat e pandershme të gazetës për Profetin Muhamed, ndezi debate të ashpra globale rreth kufijve të shprehjes së lirë. Në ditët që pasuan, miliona marshuan në solidaritet, duke tundur stilolapsa dhe tabela duke deklaruar Je Suis Charlie (Unë jam Charlie).

Por 10 vjet më pas, uniteti i atij momenti i ka lënë vendin ndarjeve më të thella. Charlie Hebdo tha se hulumtimi i saj tregon se ndërsa shumica e francezëve ende besojnë në të drejtën themelore për karikaturë, brezat e rinj kritikojnë gjithnjë e më shumë satirën që ata e shohin si përçarëse ose të pandjeshme, veçanërisht ndaj komuniteteve të margjinalizuara. bw


Send this to a friend