VOAL

VOAL

Vuçiçi: “Millosheviçi ishte udhëheqës i madh, me qëllimet më të mira”, reagon BE-ja

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Mitrovicën e Veriut, 9 shtator 2018.

Bashkimi Evropian reagoi ndaj fjalimit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Kosovë, gjatë të cilit, Sllobodan Millosheviqin e cilësoi si “udhëheqës të madh, me qëllimet më të mira”.

Maja Kocijançiq, zëdhënëse e BE-së e ngarkuar me çështjet e Ballkanit Perëndimor, tha se “nuk guxon të lihet hapësirë për dykuptimësi apo lavdërim” të atyre që kanë mbështetur politikën e Millosheviqit dhe veprimet e tij.

“Vendimet e gjykatave vendase dhe ndërkombëtare në këtë drejtim janë shumë të qarta”, tha Kocijançiq.

Ajo theksoi se të gjitha vendet në Ballkanin Perëndimor kanë perspektivë evropiane dhe për këtë arsye “do të duhet të jenë në përputhje me parimet e BE-së, përfshirë pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”.

Vuçiq ka qëndruar në Kosovë fundjavën e kaluar, ndërsa fjalimin e ka mbajtur në Mitrovicën e Veriut.

Suedi, kryeministri fton “forcat e mira” rreth qeverisë së re

STOCKHOLM – Kryeministri i Suedisë, Stefan Lofven, deklaroi se ka ndërmend të mbajë postin edhe përkundër faktit se partia e tij e majtë shënoi rezultatin më të dobët në zgjedhjet e djeshme të përgjithshme.

Lofven, i cili në vitin 2014 solli Partinë Socialdemokrate në pushtet tha se “rezultatet e zgjedhjeve janë ende të paqarta”, por e pranoi se formimi i qeverisë së ardhshme mund të marrë kohë.

Zgjedhjet në Suedi, sondazhi nxjerr në epërsi Socialdemokratët

Ai tingëllonte i padisponueshëm, por gjithashtu me vendosmëri kur iu drejtua mbështetësve se “tani u mbetet partive politike të bashkëpunojnë me përgjegjësi dhe të formojnë një qeveri të fuqishme”.

Rezultatet paraprake të zgjedhjeve të së dielës tregojnë se partia e Lofven ka fituar 28,1 për qind të votave, që paraqet humbjen e 13 ulëseve në Parlament.

Duke iu përgjigjur rritjes së mbështetjes të Demokratëve Suedezë të ekstremit të djathtë, të cilët mund të kenë 14 deputetë më shumë në përbërjen e re, Lofven tha se “Partia me rrënjë në nazizëm kurrë nuk do të ofrojë asgjë të përgjegjshme përveç urrejtjes”.

“Duhet të kemi përgjegjësi morale. Ne duhet të mbledhim të gjitha forcat e mira në vend. Nuk do të dëshpërohem, por do të organizohemi”, tha Lofven.

Francë, nxirret në shitje kisha shekullore

PARIS – Një kishë shekullore në qytetin Logwy në verilindje të Francës është nxjerrë në shitje me një çmim prej 190 mijë euro me arsyetimin se ka mbetur e zbrazët.

Sipas radios lokale France Bleu Lorraine, është vendosur shitja e kishës Katolike Saint-Jules, e cila është ndërtuar gjatë viteve 1911-1913.

Më tej thuhet se shpenzimet e kishës me vite të tëra janë plotësuar nga biznesmenët e rajonit por që gjatë viteve të fundit kisha ka mbetur e zbrazët. Pas mosinteresimit të biznesmenëve dhe mos shkuarjes së besimtarëve të krishterë, njoftohet se nuk është arritur që të përmbushen shpenzimet minimale të kishës. Ndërkaq bëhet e ditur se kryepeshkopata në Nancy ka filluar procesin për shitjen e kishës.

Objekti historik është nxjerrë në shtije me një çmim prej 190 mijë eurosh dhe është njoftuar se ajo mund të përdoret si një vendbanim të llojit papafingo ose si apartamente të shumta që mund të përdoret si nikoqir i aktiviteteve të shumta.

Gjithashtu bëhet e ditur se gjatë viteve të fundit në rajonin Lorraine në kufirin mes Belgjikës dhe Luksemburgut ka rënë interesimi për kishën, duke shtuar se një numër i madh i kishave hasin në vështirësi në përmbushjen e nevojave minimale dhe të shpenzimeve të riparimit për shkak të mosinteresimit ndaj tyre. aa

Mogherini: “Vazhdojnë vështirësitë në procesin e dialogut Beograd-Prishtinë”

BRUKSEL – Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, tha se vazhdojnë vështirësitë në procesin e dialogut Beograd-Prishtinë.

Mogherini zhvilloi takime ndaras me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe me atë serb Aleksanda Vuçiç, të cilët gjendeshin në Bruksel për të marrë pjesë në procesin e dialogut Beograd-Prishtinë.

“Vazhdojnë vështirësitë. Besoj në angazhimin e plotë të të dy presidentëve për të vazhduar procesin dhe për të arritur në muajt e ardhshëm në një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, në përputhje me ligjin ndërkombëtar” tha Mogherini në një deklaratë me shkrim.

Ajo shtoi se para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), sërish do të takohet me Thaçin dhe Vuçiçin në Bruksel.

Ndërkohë, Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën që funksionon brenda qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriç, në një deklaratë të mëparshme, kishte theksuar se Vuçiç ka anuluar takimin me Thaçin dhe kishte pohuar se nuk ka kushte për zhvillimin e dialogut me Prishtinën.

Ndërsa Vuçiç, më parë kishte urdhëruar ushtrinë, pastaj i kërkoi policisë dhe Agjencisë së Informacionit dhe Sigurisë (BIA), që të ndërprejnë tërë komunikimin me policinë e Kosovës, KFOR-in dhe çdo përfaqësues shqiptar dhe ndërkombëtar që vepron në territorin e Kosovës

Siç mësoi Radio Televizioni i Serbisë, Vuçiç këtë e urdhëroi për shkak të informatave se Prishtina nuk e lejon atë gjatë vizitës së tij në Kosovë, të planifikuar më 8 dhe 9 shtator të vizitojë Ujmanin, për shkak të cilës vizita e tij në Kosovë është vënë në pikëpyetje. aa

Ushtria amerikane do të rrisë numrin e trupave në Gjermani

Ushtria e Shteteve të Bashkuara është duke rritur prezencën e saj në Evropë, duke shtuar 1 500 trupa shtesë në kuadër të forcave të saj në Gjermani, transmeton AP.

Ushtria ka thënë të premten se trupat e reja pritet që disa aktivitete të nisin këtë vit, derisa trupat ushtarake me familjet e tyre duhet të vendosen në jug të Gjermanisë deri në shtator të vitit 2020.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Richard Grenell, ka thënë se ata do të rrisin numrin e trupave, pavarësisht se tani janë 33 000 të tillë në Gjermani për të treguar se SHBA-ja është “e vendosur në fuqizimin e aleancës transatlantike dhe premtimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të rritur kapacitetet amerikane të mbrojtjes nënkupton aleancë më të fuqishme sot”.

Në kuadër të këtyre njësiteve përfshihen një brigadë e artilerisë, dhe dy sisteme të raketave në Grafenwoehr, një batalion i mbrojtjes raketore me rreze të shkurtër në Ansbach dhe disa sisteme tjera në Hohenfels dhe Baumholder.

Gjenovë: Ura e re ndërtohet brenda tetorit 2019 dhe do të jetojë një mijë vjet

GJENOVË – Deri në tetor 2019, në nëntor më së voni, Gjenova do të ketë një urë të re mbi lumin Polcevera. Kjo u njoftua nga Presidenti i Rajonit të Ligurias dhe Komisioneri për Emergjencë Giovanni Toti në prezantimin e projektit të mbikalimit të ri në Genovë të arkitektit Renzo Piano, duke zëvendësuar urën e rrëzuar Morandi.

“Morandi e re nuk mund të jetë një urë normale, duke pasur parasysh dhimbjen që ka shkaktuar, ne duam të ndërtojmë një simbol për të ardhmen e qytetit. Projekti Piano përfaqëson esencën e Ligurias të pasur me domethënie, do të ndërtohet shpejt”, shpjegoi ai.

“Kjo urë duhet të jetojë një mijë vjet dhe duhet të jetë prej çeliku”, tha arkitekti. “Natyrisht, në këtë projekt ka diçka të një anijeje, sepse ka diçka nga Gjenova”. ansa

Oettinger: Projekti i BE-së përballë një “rreziku vdekjeprurës”

BRUKSEL – Komisioneri Evropian për Buxhet dhe Burime Njerëzore, Gunther Oettinger deklaroi se disa anëtarë dëshirojnë të dobësojnë ose ta rrënojnë Bashkimin Evropian.

Gjatë një fjalimi në një aktivitet të zhvilluar nga Unioni i Organizatave të Shoqërisë Civile Federale Gjermane, Oettinger foli në lidhje me rreziqet ndaj BE-së.

“Për mendimin tim projekti i BE-së ndodhet përballë një ‘rreziku vdekjeprurës’. Disa shtete në Evropë përpiqen ta dobësojnë, madje ta rrënojnë projektin”, theksoi Oettinger, duke pretenduar se këto shtete janë qeveritë e Polonisë, Hungarisë, Rumanisë dhe Italisë.

Po ashtu duke kritikuar edhe vendin e tij Gjermaninë, Oettinger tha se qeveria e Berlinit nuk ka treguar entuziazëm të mjaftueshëm për BE-në, sa i përket çështjes së buxhetit. aa

Liberalët e Europës të shqetësuar se kontinenti po i afrohet fundit të një epoke

Kancelarja gjermane Angela Merkel po i këshillon ministrat e saj të lexojnë “Të Përhënët: Si shkoi Evropa në luftë më 1914”, një libër që shqyrton shkaqet e Luftës së Parë Botërore dhe dështimet politike që kontribuan në atë katastrofë.

1914-a është ndryshe nga viti 2018-a në shumë aspekte, por ajo që e shqetëson Merkelin dhe të tjerët të hedhin vështrimin nga e kaluara është se periudha para Luftës së Parë Botërore solli shfaqjen e “politikës së njeriut të madh” dhe kërcënimin e nacionalizmit, si dhe avancimin e projekteve nativiste nga udhëheqës të ndryshëm me përpjekjet e tyre për të bashkuar rajone të ndryshme apo për të nxitur valët e shovinizmit publik.

Stabiliteti gjeo-strategjik dhe parashikueshmëria morën fund. Politikanët bënë gabime të mëdha në llogaritë e tyre. Autori i librit “The Sleepwalkers: How Europe Went to War in 1914”, historiani Christopher Munro Clark, thotë: “Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, sistemi i stabilitetit dypolar global i ka hapur rrugën një grupimi më kompleks dhe më të paparashikueshëm të forcave, përfshi rënien e perandorive dhe ardhjeve në pushtet – një situatë që ka ngjashmëri me Evropën e vitit 1914. ”

Krahasimet me vitin 1914 janë përbuzur nga udhëheqësit nativistë të Evropës që akuzojnë kundërshtarët e tyre se janë alarmantë.

Zgjedhja e librit nga kancelarja Merkel flet për frikën e centristëve dhe të liberalëve se rritja e nacionalizmit populist në Evropë, ushqyer nga një krizë migruese e pazgjidhshme, mund të shënojë fundin e mundshëm të një epoke.

Por centristët pro BE-së në continent, të udhëhequr nga Emmanuel Macron i Francës, po përpiqen të rivendosin stabilitetin dhe parashikueshmërinë përballë rritjes së pasigurisë politike dhe të nativizmit. Në kundërshtim me ta është një blloku i udhëheqësve nativistë, me Matteo Salvinin e Italisë në krye, i cili është i zënë me planet e betejës për zgjedhjet parlamentare të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm. Ata janë kthyer për të marr këshilla nga ish ndihmësi i presidentit Donald Trump, Steve Bannon.

Kampet kundërshtare synojnë ta paraqesin garën e ardhshme elektorale si një moment përcaktues për bllokun shumëkombësh, të goditur nga një krizë migrimi toksike dhe pabarazia ekonomike. Rusia ndërkohë ka ndihmuar në financimin e partive anti-BE-së në të dyja anët e spektrit politik. Në të njëjtën kohë, përtej Atlantikut, presidenti Trump po tregon gjithnjë e më shumë paqartësi për aleancën me bllokun që Uashingtoni ndihmoi të formohej.

Identiteti është në qendër të fushatës së ardhshme zgjedhore dhe përplasja e parë serioze do të vijë në qytetin austriak të Salzburgut, ku krerët e BE-së do të takohen më 19 shtator për një samit dy-ditor për të diskutuar edhe njëherë Brex-itin dhe trajtimin e krizës së imigrantëve si një bllok. Krerët nuk do të pajtohen për dy çështjet kryesore në axhendën zyrtare, duke reflektuar vizionet e tyre të kundërta për Evropën.

Në Salzburg, Macron do të tregojë idetë e tij për reforma dhe rigjallërim të bllokut, duke argumentuar për një integrim më të madh politik dhe ekonomik. Nacionalistët kërkojnë frenimin e integrimit të mëtejshëm si pjesë e vizionit të tyre për të ndryshuar kursin e bllokut për t’u bërë një grupim më i lirë i shteteve kombëtare, të cilat do të ishin më të lirë nga Brukseli dhe më pak të detyruara nga traktatet e BE-së.

Kampionët kryesorë në luftën për kontroll mes liberalizmit dhe nacionalizmit u ndeshën javën e kaluar në një betejë fjalësh, duke dhënë një shije të garës elektorale që do të pasojë. Salvini dhe kryeministri hungarez Viktor Orban nisën një fushatë anti imigracionit, duke e pozicionuar Macronin si kundërshtarin e tyre kryesor. “Aktualisht ka dy kampe në Evropë dhe njëri drejtohet nga Macron,” tha Orban, i cili kërkoi të portretizonte udhëheqësin francez si pro-imigracionit duke argumentuar se ai është “lider i atyre partive që mbështesin migracionin në Evropë dhe në anën tjetër jemi ne që duam të ndalojmë migrimin e paligjshëm “.

Gjatë gjithë javës së kaluar, udhëheqësi francez i dha shtytje ideve të tij për reforma ambicioze, disa prej të cilave mbështeten nga Gjermania, për të nxitur integrimin e BE-së – një antidot siç e sheh ai ndaj asaj që ai e quan demokraci joliberale të Orbanit dhe nacionalistëve të tjerë autokratë që sipas tij, po thjeshtojnë krizën e migrimit për të shtuar zemërimin nativist.

Macron vuri në lojë udhëheqësit nacionalistë që pranojnë ndihmat e zhvillimit nga blloku ndërsa e përçmojnë BE-në. “Nuk do t’u jepja asnjë arsye nacionalistëve dhe atyre që përhapin fjalën e urrejtjes. Nëse duan të më shohin si kundërshtarin kryesor, kanë të drejtë, “tha ai gjatë një udhëtimi në Kopenhagë.

Juncker mbështet arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, shprehu “mbështetje të plotë” për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si “kusht për sigurimin e paqes afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe për hapjen e perspektivës për anëtarësim në BE”.

Këto komente, Juncker i bëri në një bisedë telefonike me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, thuhet në një komunikatë për media të Presidencës.

Sipas së njëjtës, Thaçi dhe Juncker kanë biseduar për procesin e liberalizimit të vizave, perspektivën evropiane të Kosovës dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi tha se lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës duhet të vijë shpejt dhe “t’i jepet fund izolimit të Kosovës”.

Ministri gjerman për Evropën: Ndryshimi i kufirit Kosovë-Serbi nuk zgjidh asnjë problem

Ministri për Evropën i Gjermanisë, Michael Roth, paralajmëroi të hënën Kosovën dhe Serbinë se ndryshimi i kufirit të tyre nuk do të zgjidhë asnjë problem dhe tha se e ardhmja e rajonit është multietnike, multifetare dhe multikulturore.

“Të dashur miq në Kosovë dhe Serbi, rishkrimi i kufijve nuk do të zgjidhë asnjë problem. Një veprim i tillë do të hapte Kutinë e Pandorës të armiqësive etnike. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është thjesht multietnike, multifetare dhe multikulturore. E bashkuar në diversitet, kjo është Evropa”, tha Roth në një postim në Twitter.

Ideja për ndryshimin e kufijve është shpalosur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis dy vendeve.

Ajo është kundërshtuar në disa raste edhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka thënë se Berlini i mbështet të gjitha bisedimet që çojnë kah normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, porse “modifikimi i kufirit mund të ketë pasoja për Ballkanin“.

Hoteli nostalgjik në Bruksel ofron udhëtim imagjinar me tren

BRUKSEL (AA) – Hoteli nostalgjik në Bruksel, i cili është konceptuar në formë të trenit, me vagonë 30 tonësh, që janë vendosur në çatinë ose në brendi të hotelit, mysafirëve të saj u ofron ndjenjën e udhëtimit me tren të viteve 1950.

Belgu Nicolas Kervyns, themeluesi i hotelit dhe pronari i projektit, thotë se që nga fëmijëria ka qenë i dashuruar pas trenave. Ai tha se mysafirët e hotelit janë kryesisht udhëtarë që duan të flenë në vagonë, që janë përdorur për dekorimin e hotelit, që dikur kanë ecur binarëve të Evropës.

Duke theskuar se për realizimin e projektit janë shpenzuar mbi 3,5 milionë euro, Kervyns thekson se mysafirët në hyrje mirëpriten në suitën e hotelit e cila është dekoruar sipas modelit të sportelit për shitjen e biletave të trenit.

Ndër mysafirët e parë, ministri belg me gruan e tij

Gjatë ecjes brenda hotelit mund të vërehen gjëra të pazakonta, si valixhe të vjetra të ndonjë princi belg, biletë të rrjetit hekurudhor që datojnë nga viti 1900, pjesë të ndryshme të trenave të vjetër dhe mure, ku artistët të inspiruar nga trenat kanë bërë vizatimet e tyre.

“Autoritetet nga komuna ishin shumë të befasuar kur u thashë se dua të vendos vagonë që peshojnë disa ton në këtë ndërtesë të vjetër”, tregon Kervyns, duke shtuar se ndër mysafirët e parë ishte ministri i dikurshëm i Tregtisë me gruan e tij.

Sipas tij, çdo imtësi në hotel është mbledhur dhe sjellë nga pjesë të ndrsyhme të botës. Kervyns shton se motivimi i tij më mi madh është kur i sheh njerëzit të mahnitur dhe të gëzuar sapo hyjnë në hotel.

Udhëtimi në kohë, përmes dhomave deri tek vagonët

Restoranti, pushimoret dhe dhomat e hotelit, plotësisht janë dekoruar me gjëra nga trenat nostalgjik. Kështu që ecja nëpër korridore të jep ndjenjën e udhëtimit në kohë, duke ofruar ndjenjën se ndodhesh në ndonjë stacion treni në vitet 1950.

Hoteli, dhomat e të cilit janë dizajnuar sipas vagonëve me krevat, ka shtretër dhe ulëse që montohen dhe të cilat kujtojnë trenat, ndërsa bateritë e vjetra shërbejnë si garderobë për rrobat.

Bernard Kouchner: Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për korrigjim të kufirit do ishte “përfundim i luftës”

Ish-ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner ka theksuar se marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë për korrigjim të kufirit do të ishte “përfundim i luftës”.

Ish-përfaqësuesi special i OKB-së në Kosovë, në një intervistë të dhënë për BBC ka dalur në përkrahje të ideve për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo ka qenë opsion edhe më herët dhe mund të jetë edhe tani opsion nëse pajtohen të dy palët. Ne mund të themi nëse është plan i mirë ose i keq, por kjo është një ide që tashmë ekziston. Kjo marrëveshje mund të jetë përfundim i luftës. Unë mendoj se është ide e mirë, edhe për Serbinë nëse ajo dëshiron që të bashkohet në BE. Dhe si pjesë e BE-së për Serbinë do të jetë e pamundur që të nxisë luftë të re”, ka thënë Kouchner.

(BalkanWeb)

Juncker: KE propozon heqjen e ndryshimit të orës

BERLIN (AA) – Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker deklaroi se dëshiron të heqë praktikën e ndryshimit të orës e cila bëhet dy herë në vit në Bashkimin Evropian, gjatë verës dhe dimrit.

Juncker në një deklaratë për televizionin gjerman ZDF vuri në dukje se për një kohë të gjatë vazhdojnë diskutimet për kohën e kursimeve të ditës, ku rikujtoi se për këtë çështje është bërë një sondazh në BE.

Ai tha se në përgjigjet e dhëna është kërkuar që të kalohet vazhdimisht në praktikën e kohës së verës. “Dhe kështu do të bëhet”, tha ai.

Sipas tij, se duhet të respektohen rezultatet e sondazhit tha se “Njerëzit e duan këtë dhe ne do ta bëjmë”.

Juncker tha se ai do të jetë i pari që do të tregojë një qëndrim të tillë në Komisionin e BE-së dhe se sot do të vendoset për këtë çështje.

Ai po ashtu shtoi se pas KE-ë edhe vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian duhet të marrin vendim për këtë çështje.

Praktika e kohës së kursimit

Sipas një rregulloreje të vitit 1981 në 28 shtete të BE-së çdo vit të dielën e fundit të muajit mars akrepat e orëve lëvizin një orë përpara ndërsa të dielën e fundit të muajit tetor kthehen një orë prapa.

Mogherini: Kosova e Serbia të shmangin përpjekjet për shtete etnikisht homogjene

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, tha se ajo do të mbështeste shkëmbimin e territoreve midis Kosovës dhe Serbisë nëse dy vendet shmangin çdo përpjekje për të krijuar shtete etnikisht homogjene.

“Cilido që të jetë rezultati i dakorduar në mënyrë reciproke, do ta ketë mbështetjen tonë, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Mogherini.

Ajo i bëri këto komente në një konferencë për media në Vjenë, pas një takimi midis ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre ballkanikë.

Ideja për korrigjim të kufijve është shpalosur nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq, si mundësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Mogherini është ndërmjetësuese e dialogut midis tyre, i cili pritet të vazhdojë javën e ardhshme.

Papunësia në Eurozonë bie në nivelin më të ulët në një dekadë

Papunësia në Eurozonë ka rënë në nivelin më të ulët që nga faza më akute e krizës financiare botërore, një dekadë më parë.

Agjencia për statistika e Bashkimit Evropian, Eurostat, tha të premten se norma e papunësisë në korrik ka qenë 8.2%.

Shifra është më e ulta qysh në nëntor të vitit 2008, kur papaunësia ka marrë hov pas kolapsimit të bankës së investimeve në SHBA, Lehman Brothers.

Papunësia ka arritur kulmin prej 12.1% në vitin 2013, kur kriza, së paku për Eurozonën, është shndërruar në krizë të borxhit qeveritar, e përqendruar kryesisht në Greqi.

Eurostat tha se 16.82 milionë njerëz kanë qenë të papunë në Eurozonë në muajin korrik, 82,000 më pak se muajin paraprak.

Maas: Diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara

Gjermania tërhoqi vërejtjen të premten se rivizatimi i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të nxisë tensionet etnike. Në hapje të takimit ndërmjet ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian me ata të vendeve kandidate për anëtarësim në Vjenë, ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas, tha se diskutimet për shkëmbim territoresh janë të gabuara.

“Ne besojmë se kjo mund të hapë shumë plagë të vjetra dhe së këndejmi jemi shumë skeptikë,” u tha ministri Maas gazetarëve. Edhe disa nga ministrat e tjerë të Jashtëm të vendeve të Bashkimit Evropian, ritheksuan qëndrimin kundër ndryshimit të kufijve.

Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn, shfaqi drojën për “pasojat shumë negative”, ndërsa shefi i diplomacisë finlandeze, Timo Soini, tha se kjo do të ishte e rrezikshme.

Ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, tha se “ndryshimet e kufijve gjithnjë kanë krijuar probleme të reja”.

Edhe Britania e Madhe ka tërhequr vërejtjen se shkëmbimi i territoreve do të ishte destabilizues.

Ministrat e Jashtëm mbështetën ndërkaq vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, të cilat pritet të vazhdojnë më 7 shtator.

BE propozon zero tarifa në tregtinë e mallrave industriale me SHBA

BRUKSEL (AA) – Bashkimi Evropian (BE) bëri të ditur se në bisedimet tregtare me SHBA-të ka shprehur gatishmëri për të hequr tarifat ndaj të gjitha produkteve industriale, përfshirë edhe automobilat.

“Thamë se BE-ja është e gatshme për të zbatuar zero tarifa ndaj të gjitha mallrave industriale, natyrisht, nëse edhe SHBA zbaton një gjë të tillë. Andaj, kjo do të jetë në baza reciproke”, tha Cecilia Malmström, Komisionerja Evropiane Përgjegjëse për Tregti, në një mbledhje të komitetit tregtar të Parlamentit Evropian.

Malmström tha se bisedimet me SHBA-në nuk janë zhvilluar për të rifilluar Marrëveshjen e Partneritetit Transatlantik të Tregtisë dhe Investimeve (TTIP), por ajo që është synuar ka qenë një “marrëveshje tregtare më e kufizuar”.

“Nëse edhe SHBA bën të njëjtën gjë, ne jemi të gatshëm të ulim në zero madje edhe tarifat ndaj automobilave”, theksoi më tej Malmström, duke shprehur bindje se marrëveshja e mundshme do të ishte dobiprurëse për të dyja palët.

Ndryshe, Brukseli dhe Washingtoni aktualisht janë duke zhvilluar bisedime të natyrës përgatitore për të përcaktuar kornizat e një marrëveshjeje të mundshme në të ardhmen.

Edhe pse në mbledhjen e javës së kaluar në Washington u diskutua edhe për zbatimin e zero tarifave ndaj automjeteve, SHBA refuzoi propozimin e BE-së.

Merkel: Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin e Gjermanisë

BERLIN – Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin e Gjermanisë, tha Ulrike Demmer, zëdhënësja e kancelares Angela Merkel.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve gjatë një konference të rregullt për media në Berlin, zv/zëdhënësja e qeverisë Ulrike Demmer nuk konfirmoi ose mohoi lajmet e fundit të medias që pretendonin se Gjermania mund të ndihmojë Turqinë për të parandaluar një krizë financiare.

“Qeveria federale është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Turqi. Një Turqi e qëndrueshme, e begatë dhe demokratike është në interesin tonë”, tha Demmer.

Disa media elektronike evropiane njoftuan të martën se Gjermania është duke shqyrtuar mënyrat për të ndihmuar Turqinë dhe pohuan se opsionet përfshinin një ndihmë të koordinuar evropiane, ndihmë bilaterale ose kredi specifike për projekte nga bankat zhvillimore të kontrolluara nga shteti.

Javën e kaluar, zëdhënësja e qeverisë gjermane tha se Berlini nuk është duke planifikuar ndihmë financiare bilaterale për momentin.

Zv/zëdhënësja e qeverisë nuk pranoi të komentonte në mënyrë të detajuar nëse qeveria ka ndryshuar qëndrimin e saj, por tha se nuk ka ndonjë përditësim në lidhje me këtë çështje.

Demmer tha gjithashtu se duhet të pritet realizimi i bisedimeve të ardhshme të nivelit të lartë midis qeverive gjermane dhe turke.

“Siç e dini, përgatitjet po vazhdojnë. Para vizitës së presidentit Erdoğan, ministri i Financave do të takohet me homologun e tij këtu”, tha Demmer, duke shtuar se nuk mund t’i parashikojë bisedimet.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, do të realizojë një vizitë kyçe në Gjermani më 28-29 shtator.

Para vizitës, ministri turk i Financave, Berat Albayrak, pritet të takojë homologun e tij gjerman, Olaf Scholz, në Berlin më 21 shtator.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, gjithashtu është planifikuar të vizitojë Turqinë javën e ardhshme për bisedime mbi raportet ekonomike dhe politike dhe çështjet ndërkombëtare.

Të martën, Maas kritikoi sanksionet e presidentit amerikan Donald Trump dhe politikën e tij të presionit ekonomik ndaj Turqisë.

“Sigurisht, ne evropianët kemi një interes të madh nga një zhvillim i qëndrueshëm ekonomik në Turqi”, tha ai.

Gjermania është partneri kryesor ekonomik dhe tregtar i Turqisë dhe më shumë se 7.500 kompani gjermane janë aktive në Turqi. Në vitin 2017, vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në 37.6 miliardë euro. aa

Gjermania nis hetime për protestat e dhunshme anti-emigrante

Propaganda ekstremiste kundër kancelares gjermane, Angela Merkel.

Gjermania po heton se kush e zbuloi një urdhërarrest për një të dyshuar irakian, për një rast të therjes me thikë, që nxiti protesta të dhunshme të grupeve të ekstremit të djathtë.

Mijëra njerëz kanë protestuar të dielën në qytetin lindor Çemnic, pas rastit fatal.

Zbulimi i paautorizuar i urdhërarrestit ka rritur shqetësimet për lidhje të mundshme midis policisë dhe grupeve anti-emigrante.

Protesta të reja në Çemnic priten sot, ndërsa autoritetet lokale kërkuan ndihmë nga policia federale.

Policia ka hapur po ashtu dhjetë raste kundër protestuesve të ekstremit të djathtë, të cilët kanë bërë përshëndetjen e Hitlerit gjatë ditës së parë të trazirave.

Çemnic është në një rajon ku partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë, dhe lëvizja anti-emigrante Pegida janë veçanërisht të forta.

Gjermania, në vitin 2015, ka pranuar mbi një milion emigrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme.

Rrjedhja e urdhërarrestit në ueb-faqet e ekstremit të djathtë është shumë e pazakontë në Gjermani, vendin që ka rregulla strikte për procedurat gjyqësore.

Kocijançiç: Kosovës dhe Serbisë t’iu jepet hapësirë për marrëveshje

Komisioni Evropian vlerëson se Kosovës dhe Serbisë duhet t’iu jepet hapësirë që të merren vesh për përmbajtjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, tha zëdhënësja e Komisionit, Maja Kocijançiç.

Në një konferencë për gazetarët në Bruksel, Kocijançiq tha se BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut, nuk mund t’i komentojë elementet e mundshme të marrëveshjes, porse do të vazhdojë të punojë në mënyrë intensive me të dyja palët për arritjen e një ujdie gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, e cila do të mbështetet nga bashkësia ndërkombëtare.

Kocijançiq theksoi se “zgjidhja e përhershme nënkupton zgjidhje të qëndrueshme dhe reale, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

E pyetur nga gazetarët nëse BE pranon ndryshimin e kufijve, shkëmbim të territoreve dhe territore të pastra etnike, Kocijançiq tha se nuk dëshiron të futet në spekulime dhe detaje “në këtë fazë të fundit të dialogut”.

Papa Françesku nuk i përgjigjet letrës rreth pretendimeve për abuzime seksuale

Papa Françesku ka refuzuar të përgjigjet ndaj pretendimeve të një ish-diplomati të Vatikanit, peshkopit, Carlo Maria Vigano, i cili i ka kërkuar të dorëhiqet.

Peshkopi Vigano e ka akuzuar Papën për mbulim të akuzave rreth abuzimeve seksuale nga një kardinal amerikan.

Papa është pyetur për akuzat nga gazetarët teksa ishte duke u kthyer në Romë, pasi vizitës së tij në Irlandë.

Ai ka thënë se nuk do të flasë as edhe një fjalë për letrën 11 faqëshe të peshkopit Vigano.

“Po e them sinqerisht sepse me duhet ta them këtë për ju”, ka thënë ai kur është pyetur për letrën “dhe për të gjithë ata që janë të interesuar: Lexoni me kujdes dokumentin dhe gjykoni personalisht.

“Unë nuk do të flas asgjë për këtë. Mendoj se deklarata flet vetë”.

Letra është publikuar derisa Papa ishte duke mbajtur një fjalim për abuzimet seksuale nga priftërinjtë gjatë një vizite në Irlandë.

Ky dokument ka ngritur dyshime nëse Papa është duke u përballur me sulme të koordinuara nga tradicionalistët në hierarkinë katolike.

“Ju keni kapacitet të mjaftueshëm për të krijuar përfundime”, u ka thënë Papa gazetarëve.

“Kur të kalojë koha dhe të keni përfundimet, ndoshta do të flas”, është shprehur ai.

Ushtria gjermane do të themelojë Agjenci për Siguri Kibernetike

BERLIN – Gjermania planifikon të formojë Agjenci të Sigurisë Kibernetike e mbështetur nga Ministritë e Brendshme dhe të Mbrojtjes për të zhvilluar armët e saj kibernetike.

Siç raporton gazeta ekonomike gjermane Handelsblatt, me agjencinë që do të formohet synohet të lehtësohet përshtatja e vendit në teknologjitë e re në sigurinë kibernetike dhe mundësimin e zhvillimit të armëve të saj kibernetike.

Agjencia që do të formohet do të marrë si shembull Agjencinë e lidhur me Departamentin Amerikan të Mbrojtjes amerikane për Projekte Kërkimore të Mbrojtjes së Avancuar (DARPA).

Planifikohet që në fillim të ketë buxhet prej 15 milionë euro me 20 deri në 30 punonjës, ndërsa për një kohë të shkurtër 100 punonjës dhe 50 milionë euro buxhet.

Ushtria gjermane Bundewehr në aspektin e sigurisë kibernetike është e varur në softueret ushtarake amerikane, ndërsa me agjencinë e re qeveria do të zvogëlojë burokracinë ushtarake, ndërsa synon të rrisë aktivitetet për hulumtim dhe zhvillimin në sigurinë kibernetike.

Agjencia gjithashtu do të bashkëpunojë me botën shkencore dhe të biznesit. aa

Ronaldo në kërkim të një tjetër trofeu në Ligën e Kampionëve

Futbollisti Cristiano Ronaldo ka thënë se ka qenë i lehtë transferimi i tij nga ekipi i Real Madridit në Juventus, teksa ai synon të bëhet lojtari i dytë që fiton trofeun në Ligën e Kampionëve në tri klube të ndryshme.

“Dua të fitoj Ligën e Kampionëve me Juventusin dhe do të bëjë gjithçka për ta fituar atë”, ka thënë portugezi 33 vjeçar, në një intervistë për transmetuesin, DAZN.

Ronaldo ka fituar pesë tituj në Ligën e Kampionëve, katër sa ishte në klubin, Real Madrid dhe një sa ishte pjesë e Manchester United.

Një tjetër titull do të bashkonte atë me holandezin, Clarence Seedorf, i cili është lojtari i vetëm që ka fituar trofe evropianë me tri klube të ndryshme.

Seedorf ka fituar titullin evropian katër herë me ekipet si: Ajax, Real Madrid dhe dy herë me Milanin në vitet 1995 dhe 2007.

“Ne do të fokusohemi me pjesëtarët tjerë të ekipit, mirëpo pa u obsesionuar. Ne do të shkojmë hap pas hapi dhe do të shohim nëse do të ndodhë këtë vit, tjetrin apo tjetrin në rradhë”, është shprehur ai.

Juventus në anën tjetër, ka ngritur kupën në Ligën e Kampionëve dy herë, më 1985 dhe 1996.

Njëmbëdhjetë alpinistë vdesin nga vërshimet në jug të Italisë

Të paktën 11 aplinistë kanë vdekur dhe disa të tjerë janë zhdukur si pasojë e vërshimeve në jug të Italisë.

Ata kanë vdekur pasi shiu i pandërprerë ka mbushur me ujë një grykë, e cila ka rrëmbyer turistët në rajonin e Kalabrisë.

Tetëmbëdhjetë persona tjerë janë shpëtuar, duke përfshirë një djalosh 10 vjeçar, ka njoftuar udhëheqësi rajonal për mbrojtje civile, Carlo Tansi.

Gjashtë persona tjerë janë dërguar në spital.

Zyrtarët lokalë kanë thënë se numri i saktë i personave të zhdukur ende nuk është bërë i qartë.

Tansi, u ka thënë gazetarëve se uji ka bartur aplinistët në luginë të një lumi në gjatësi prej 3 kilometrash.

“Gryka Raganello është e ngushtë dhe e gjatë, mund të mbushet me ujë në rreth 1 kilometër lartësi”, ka thënë ai.

Sipas tij, po kjo grykë është mbushur me ujë për një periudhë të shkurtër kohore”.

Ende nuk janë bërë të ditura kombësitë e alpinistëve, ndonëse gazeta, Corriere della Sera, ka thënë se një nga të plagosurit është holandez.

Çekë e sllovakë shënojnë 50-vjetorin e shtypjes së Pranverës së Pragës

Pamje nga Shtypja e Pranverës së Pragës.

Çekët dhe sllovakët shënojnë të martën 50-vjetorin prej kur tanket sovjetike kanë shtypur lëvizjen demokratike reformuese të njohur si “Pranvera e Pragës”.

Lëvizja, e cila në atë kohë ishte në rritje e sipër dhe drejtohej nga lideri i Partisë Komuniste, Alexander Dubcek, kishte synim të vendoste përmes reformave demokratike, “një fytyrë njeriu në socializëm” për të luftuar regjimin totalitar.

Mirëpo në natën mes 20-21 gushtit të vitit 1968, ushtarët sovjetikë, të mbështetur nga forcat bullgare, hungareze, polake dhe ata të Gjermanisë Lindore, i kanë dhënë fund lëvizjes në fjalë.

Shtypja e Pranverës së Pragës

Rreth 50 çekë dhe sllovakë janë vrarë në një ditë të vetme, derisa numri total i viktimave të pushtimit sovjetik ka arritur në 402, bazuar në historianë.

Ushtari i fundit sovjetik është larguar nga ky territor vetëm më 1991, dy vjet pas Revolucionit të Kadifenjtë, i cili ka larguar rregullin komunist.

“Qytetarët tanë kanë kundërshtuar kategorisht pushtimin. Mirëpo edhe tani, një pjesë e publikut rus vazhdon ta mendojë pushtimin si ‘ndihmesë ndërkombëtare”, ka thënë Tomasz Peszynski, activist nga iniciativa qytetare pro-evropiane, “Pulsi i Evropës”.

Kjo organizatë ka qenë vetëm një në mesin e shumë organizatave tjera që kanë protestuar të hënën para ambasadës ruse në Pragë, duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Nuk do të harrojmë kurrë”, “Ndaleni imperializmin rus” dhe “Liria qëndron tek e vërteta”.

Rastet me fruth arrijnë rekord në Evropë

Një fëmijë duke marrë vaksinën kundër fruthit. Fotografi nga arkivi

Më shumë se 41.000 fëmijë dhe të rritur janë infektuar me fruth në gjashtë muajt e parë të 2018, duke çuar në 37 vdekje.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), rastet e fruthit kanë shënuar një rekord në Evropë.

Në Francë, Gjeorgji, Itali, Rusi, Serbi dhe Ukrainë, janë shënuar mbi 1000 infeksione të fëmijëve dhe të rriturve këtë vit. Derisa Ukraina ka shkallën më të lartë të fruthit në Evropë, me më shumë se 23,000 njerëz të prekur.

Vdekjet që vijnë nga ky infeksion janë raportuar nga të gjitha vendet e lartcekura, derisa në Serbi raportohet se numri i të vdekurve është 14. Krahasuar me vitet paraprake, këtë vit numri i të infektuarve është rritur shumë. Në 2017 kishte 23.927 raste të infektimit, ndërsa në vitin 2016 u regjistruan 5.273.

Organizata Botërore e Shëndetësisë u bënë thirrje vendeve evropiane që të ndërmarrin masa, pasi ekspertët thonë se rritja e infeksioneve lidhet me rënien e numrit të njerëzve që vaksinohen.

Video e re – Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e rrëzimit të urës Morandi (video)

VOAL – Kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentin e rrëzimit të urës Morandi në Gjenovë. Filmimet janë shpërndarë sot nga Guardia di Finanzia.

 

Historiani francez: Marrëveshja Kosovë-Serbi arrihet në nëntor

Historiani dhe gjeopolitikani francez Alexis Troude mendon se raundi i ardhshëm i dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të jetë vendimtar, ndërsa marrëveshja përfundimtare, sipas informatave të tij, do të duhej të arrihet në Paris më 11 dhe 12 nëntor, në ceremonitë e festimit të 100-vjetorit të fitores së forcave aleate kundër Gjermanisë në Luftën e Parë Botërore.

“Nuk përjashtohet që ai moment simbolik t’i sjellë Beogradit klimë të volitshme për marrëveshje, të paktën për disa detaje. S’do të ishte asgjë e parëndomtë nëse Serbia në momentin e fundit, siç ka ndodhur gjatë historisë, ia del të arrijë zgjidhje të volitshme”, ka thënë Troude për “Novosti të Beogradit.

Kjo marrëveshje e supozuar do të mund të jetësohej, sipas mendimit të tij, pranverën e ardhshme, para zgjedhjeve për përbërjen e re të Parlamentit Evropian.

Troude, i cili është drejtor i Departamentit për Studime Ballkanike pranë Akademisë Ndërkombëtare Gjeopolitike në Paris, mendon se hapësira manovruese e Serbisë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës është tepër e vogël, ndërsa presioni i Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjashtë muajt e fundit ka qenë tepër i madh, raporton Express.

Ai është pesimist se Serbia do të mund ta fitonte Asociacionin e Komunave Serbe si minimum që është caktuar me Marrëveshjen e Brukselit.

“NATO në terren de fakto i përkrah autoritetet kosovare, ndërsa në planin ndërkombëtar gjithashtu ekziston përkrahje e madhe nga BE dhe NATO. Shqiptarët i fituan të gjitha dhe s’kanë interes për të dhënë çfarëdo qoftë. Janë të vendosur që të shkojnë deri në fund”, thotë Troude.

I pyetur çka do të mundte Serbia, në rrethana të këtilla të pavolitshme, të fitonte gjatë negociatave, ai thotë se do të ishte sukses sikur ta fitonte veriun e Kosovës.

“Por, në anën tjetër, jam shumë më tepër optimist kur bëhet fjalë për Republika Srpskan. Pikërisht për shkak të zhvillimit të situatës lidhur me Kosovën shoh hapësirë që RS edhe më shumë të afrohet me Serbinë. Nëse serbët fitojnë pak ose asgjë në rajonin e vet historik, atëherë dera drejtpërdrejt, si pasojë e kësaj, mbetet e hapur për përshpejtimin e ndarjes së BeH-së. Nëse shqiptarët e bëjnë atë që mendojnë se mund ta bëjnë në Kosovë, s’ka arsye që këtë të mos e bëjnë edhe serbët në BeH”, thotë Troude.

Rreth 840 ura në Francë rrezikojnë shembjen

Një auditim ndaj qeverisë franceze ka dalë me përfundimin se 840 ura franceze kanë dëmtime shumë serioze dhe kërcënojnë shembjen.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka premtuar një infrastrukturë të re, por presioni është rritur pas kolapsit të një ure në Gjenova të Italisë që la të vdekur 43 persona.

Auditimi i publikuar të dielën nga gazeta ditore Journal du Dimanche, deklaroi se nga 12,000 ura në Francë, çdo e treta ka nevojë për riparim dhe 7 për qind apo 840 ura janë në rrezik të shembjes.

Ministrja e Tranportit, Elisabeth Borne deklaroi se mirëmbëjtja e urave është prioritet i yni.

Vatikani dënon abuzimin e fëmijëve në kishat amerikane

VATIKAN – Vatikani dënon në mëyrë kategorike abuzimin seksual të fëmijëve, njoftoi drejtori i zyrës për shtyp të Vatikanit, Greg Burke, lidhur me daljen në pah të abuzimit seksual të më shumë se një mijë fëmijëve nga priftërinjtë katolikë në Pensilvani të SHBA-ve.

“Në lidhje me raportin e ndarë me opinioni publik në Pensilvani ka vetëm dy fjalë me të cilat mund të shprehen ndjenjat përballë këtyre krimeve të tmerrshme: turp dhe keqardhje”, është shprehur Burke në një deklaratë me shkrim.

“Vatikani dënon në mëyrë kategorike abuzimin seksual të fëmijëve. Gjetjet në raport janë krim dhe nga ana morale ato duhet të dënohen. Sjellje të tilla janë tradhëti ndaj sigurisë së viktimave duke i privuar ato nga dinjiteti dhe besimi”, ka shtuar Burke, duke vënë theksin se Vatikani e ka shqyrtuar me seriozitet të madh raportin e punimeve të jurisë në Pensilvani.

Duke theksuar se kisha duhet të nxjerrë mësime nga e kaluara dhe se duhet të japin llogari abuzuesit dhe personat që heshtin ndaj këtyre ngjarjeve, Burke ka tërhequr vëmendjen se shumica e abuzimeve të përmendura në raport kanë ndodhur që para fillimit të viteve 2000.

Po ashtu, Burke ka bërë të ditur se pas vitit 2002, pothuajse nuk ka pasur aspak raste dhe se abuzimi i priftërinjve kundrejt fëmijëve ka rënë në mënyrë drastike pas reformave të kishës në SHBA.

Sipas Burke, Papa Françesku ka theksuar se edhe te kisha, edhe tek i gjithë komuniteti duhet të jepet çdo përpjekje për formimin e mjediseve të sigurta për fëmijët dhe të rriturit e pambrojtur.

Papa ndodhet pranë vitkimave dhe kisha dëshiron t’i dëgjojë ata për të çrrënjosur këtë tmerr tragjik që ka shkatërruar jetën e personave të pafajshëm, ka shtuar gjithashtu Burke.

Më shumë se një mijë fëmijë të abuzuar seksualisht

Kryeprokurori i Pensilvanisë në SHBA, Josh Shapiro, pas një hetimi dyvjeçar doli me deklaratë për arritjen e një gjetjeje se abuzimet seksuale kundjret fëmijëve janë fshehur “sistematikisht” nga klerikë të lartë të kishës në Pensilvani dhe Vatikan.

Ndërkaq, juria hetuese ka theksuar se mbi 300 priftërinj kanë abuzuar me fëmijët që nga mesi i viteve 1950, duke akuzuar qindra priftërinj të kishës katolike romake për abuzim me më shumë se një mijë fëmijë.

Duke tërhequr vëmendjen se shumica e viktimave të abuzuar kanë qenë fëmijë meshkuj, Juria njoftoi se kanë hasur raste të abuzimeve nga më të ndryshmet, përfshirë edhe përdhunimet.

Fotogaleri – Sheshi Grande Place shtrohet me qilim lulesh me motive latine

BRUKSEL – Sheshi Grand Place në Bruksel, i cili ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është mbuluar nga një qilim gjigant lulesh i cili këtë vit është përgatitur me motive meksikane.

Qilimi i cili këtë vit për herë të parë u përgatit me temë latine në sheshin e famshëm turistik është krijuar në bashkëpunim me rajonin meksikan Guanajuato, i cili njihet për artin e qilimave tradicionalë të luleve.

Qilimi gjigant do të mund të vizitohet nga 16 deri më 19 gusht, ndërsa për përgatitjen e tij janë përdorur mbi 500 mijë lule, edhe atë lule dahlia dhe lulja e famshme begonia belge.

Për përgatitjen e qilimit të gjatë 75 metra dhe të gjerë 24 metra, janë angazhuar 100 punëtorë meksikanë dhe belg vullnetarë të cilët kanë filluar punën në orët e mëngjesit dhe brenda tetë orëve përfunduan qilimin i cili krijoi pamje magjepsëse në shesh.

Sheshi Grande Place shtrohet me qilim lulesh me motive latine

Sheshi Grand Place në Bruksel, i cili ndodhet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, është mbuluar nga një qilim gjigant lulesh i cili këtë vit është përgatitur me motive meksikane. Qilimi i cili këtë vit për herë të parë u përgatit me temë latine në sheshin e famshëm turistik është krijuar në bashkëpunim me rajonin meksikan Guanajuato, i cili njihet për artin e qilimave tradicionalë të luleve. ( Dursun Aydemir – Anadolu Agency )

Qilimi i luleve me motiv të zogut, bretkosës dhe diellit, që reflektojnë pasurinë kulturore të rajonit Guanajuato, thuhet të jetë qilimi me motive më gjithëpërfshirëse që kur ka filluar aktivitete në vitin 1971.

Dhjetëra mijëra turistë pritet të vizitojnë sheshin Grand Place në kuadër të aktivitetit i cili do të zgjasë deri më 19 gusht. Për çmim prej gjashtë eurosh, qilimi do të mund të shihet edhe nga ballkoni i godinës historike të bashkisë e cila gjendet në këtë shesh.

Ndryshe, aktiviteti i qilimave prej lulesh nisi në vitin 1971 në Grand Place dhe që nga viti 1986 organizohet në çdo dy vite, ndërsa në të përdoren kryesisht lule begonia të kultivuara në qytetin belg Gent. Belgjika është prodhuesi më i madh i begonias, lule me ngjyra e cila u zbulua në Amerikën Jugore në shekullin 17.

Para dy viteve, në sheshin historik të Brukselit u shtrua qilim me motive japoneze, ndërsa në vitin 2014 qilim turk në përkujtim të përvjetorit të 50-të të migrimit të turqve në Belgjikë.

Pas shembjes së urës, Italia shpall gjendje të jashtëzakonshme

Ura Morandi, që u shemb të martën.

Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për periudhë prej 12 muajsh, në rajonin Liguria, në përgjigje ndaj shembjes së një ure në Gjenovë.

Ai gjithashtu tha se do të ndajë 5 milionë euro shtesë nga fondet qendrore dhe do t’ia dhurojë këtij rajoni.

Qeveria rajonale ka kërkuar veprime të menjëhershme pas shembjes së urës gjatë ditës së martë, ku mbetën të vdekur 39 persona.

Ekipet e shpëtimit kanë pak shpresë se mund të gjejnë të mbijetuar të tjerë nën gërmadhat e urës Morandi, ku pothuajse 40 makina kanë rënë nga një lartësi prej 45 metrash, pas shembjes së një pjese të urës.

Ende nuk dihet shkaku i shembjes së urës. Autoritetet në Gjenovë kanë shpallur dy ditë zie, pas kësaj tragjedie.

Në Norvegji shtohet numri i marinsave amerikanë

Shtetet e Bashkuara do të dyfishojnë numrin e marinsave në Norvegji, ka njoftuar ministria e Mbrojtjes së këtij vendi, transmeton Reuters.

Planet për rritje të numrit të trupave në Norvegji nga 330 në 700 si dhe bartjen e disa prej tyre afër kufirit me Rusinë kanë nxitur reagim të ashpër nga Moska, e cila i ka cilësuar planet “qartazi armiqësore”.

Qeveria në Oslo, e shqetësuar pas vendimit të Rusisë për të aneksuar Krimenë më 2014, ka insistuar se prezenca në rritje e trupave amerikane ka vetëm qëllime të stërvitjes dhe nuk duhet të interpretohet si përshkallëzim ushtarak.

Marinsat ishte planifikuar të largoheshin nga Norvegjia në fund të këtij viti, pasi trupat e parë kishin arritur në këtë shtet më 2017 për t’u stërvitur rreth luftimeve në kushte të motit të ftohtë.

Ata përbëjnë trupat e parë të pozicionuar në Norvegji nga Lufta e Dytë Botërore.

Ministrja e Jashtme norvegjeze, Ine Eriksen Soereide, u ka thënë më herët gazetarëve se vendimi nuk nënkupton krijim të bazës së përhershme amerikane dhe se nuk shënjestron Rusinë.

Ura Morandi në Itali do të shembet plotësisht

Zv.ministri italian i Transportit, Edoardo Rixi, ka njoftuar se ura Morandi do të shembet plotësisht

ROMË – Do të shembet plotësisht ura Morandi në qytetin Genova të Italisë e cila u rrëzua dje pjesërisht, ku si pasojë humbën jetën 35 persona.

Sipas lajmit të agjencisë italiane të lajmeve, ANSA, zv.ministri italian i Transportit, Edoardo Rixi, ka njoftuar se ura Morandi do të shembet plotësisht.

“Do të shkaktojë rezultate negative për trafikun dhe do të shkaktojë probleme për qytetarët dhe kompanitë, por ura Morandi duhet të shembet në tërësi. Gjithashtu një urë nuk mund të shembet nga rrufetë apo stuhitë, në këtë ngjarje duhet të gjendet përgjegjësi”, është shprehur Rixi.

Nga shembja në të dyja korsitë e urës Morandi e cila ka një lartësi rreth 100 metra, ku u rrëzuan shumë automjete dhe se disa prej tyre kanë mbetur nën rrënoja, kanë humbur jetën 35 persona, në mesin e të cilëve 3 prej tyre janë fëmijë të moshave 8,12 dhe 13 vjeç.

Në tragjedinë ku janë plagosur edhe 15 persona të cilët 12 prej tyre në gjendje të rëndë bëhet e ditur se ka persona të humbur dhe se janë në vazhdim punimet e kërkim-shpëtimit nën rrënoja edhe në shtratin e lumit.

Theksohet se sot do të vizitojnë Genova, kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm, Matteo Salvini, zëvendëskryeministri dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Punës dhe Politikës Sociale, Luigi Di Maio dhe ministri i Transportit, Danilo Toninelli.

Në një deklaratë nga bashkia e Genovas theksohet se ka rrezik edhe për shembjen e pjesëve të tjera të urës, ku për këtë arsye janë evakuuar 440 persona në 11 ndërtesa përreth urës. Kjo shifër mund të rritet edhe më tej për shkak të evakuimeve që janë në vazhdim.

Mendohet se ura mund të jetë shembur si pasojë e një problemi struktural, por që mund të kenë ndikuar edhe shirat intensivë dhe stuhia. Një nga dëshmitarët ka shpjeguar se ura ka rënë pas goditjes nga rrufeja.

Ura Morandi kalon mbi vendet tregtare, fabrika, disa vendbanime, linjës së trenit Gjenova-Milano dhe një lumi. aa

Tragjedia në Gjenovë ishte paralajmëruar që më 2014

Italia po përballet me një tragjedi, pasi mëngjesin e sotëm “ura Morandi” u shemb, duke i marrë jetën dhjetëra personave.

Aktualisht  konfirmohet se dhjetëra persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe një fëmijë, si edhe disa të tjerë janë plagosur.

Mediat italiane konfirmojnë se fatkeqësisht bilanci i viktimave do të rritet.

Por, një tragjedi e tillë mund të shmangej, nëse do të niste më parë për rikonstruktimin e urës.

“Affaritaliani” bën me dije se që më 2014 flitej për gjendjen “jo të mirë” të urës, si edhe në muajin maj të këtij viti u njoftua ristrukturimi i saj.

“Prej kohësh konsiderohej me rrezik kalimi në atë urë, për shkak të trafikut të madh që kishte çdo ditë, si edhe kostot shumë të larta të mirëmbajtjes. Struktura e saj i përket viteve ’60-të dhe ishte duke u punuar mirëmbajtjen e saj, teksa ishte vendosur një vinç-urë për të lejuar punimet” cilësohet në artikull.

Në 3 maj të këtij viti, “Autostrade per L’Italia” kishte njoftuar rikonstruksionin e urës, teksa kostot arrinin në 20 milion euro.

Ajo kishte publikuar edhe procesin e aplikimit për kompanitë nënkontraktore, të interesuara për projektin e rikonstruksionit të urës, teksa aplikimet duhet të përfundonin më 11 qershor 2018.

Por tani është tepër vonë. Një tragjedi e cila mund të ishte parandaluar, nëse do të shqyrtohej saktë gjendja e urës.

Rumani – Pas shkarkimit të kryeprokurores antikorrupsion, dhjetëra mijëra protestues në sheshe, përplasen me policinë (Video)

Policia është përplasur me dhjetëra mijëra protestues antiqeveritarë në mbarë Rumaninë.

Një turmë mes 30 mijë e 50 mijë personash, përfshi edhe shumë të riatdhesuar, morën pjesë në protestat mbarëkombëtare, sipas asaj që theksojnë mediet vendase.

Disa prej protestuesve në kryeqytetin rumun, Bukuresht, hodhën shishe dhe pllakat e rrugës kundrejt efektivëve të policisë, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me përdorimin e gazit lotsjellës, sprait djegës e madje edhe hedhëseve të ujit.

Rreth 100 protestues iu nënshtruan kujdesit të nevojshëm shëndetësor, sikurse edhe 10 policë morën ndihmën e parë sipas shërbimeve të emergjencave. Një grup protestuesish u përpoqën të çanin rrethimin dhe të hynin në ndërtesën qeveritare në Bukureshtit, por u zmbrapsën nga kordoni i sigurisë së policisë.

Disa të tjerë mbanin flamuj rumunë e atë të Bashkimit Europian, teksa thërrisnin slogane të ndryshme e u binin daulleve. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, pasi kundërshtojnë përpjekjet e perceptuara prej tyre për dobësimin e sistemit të drejtësisë, përpjekje këto nga socialdemokratët (PSD) në pushtet, sikurse edhe për pagat e ulëta dhe korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend.

Protesta kundër partisë në pushtet PSD janë zhvilluar prej muajsh në Rumani. Në korrik, presidenti Klaus Iohannis miratoi shkarkimin e prokurores antikorrupsion, Laura Codruta Kovesi, e cila po udhëhiqte hetimet ndaj politikanëve lokalë e qendrorë për ryshfete. Presidenti Iohannis ishte vënë nën një presion gjithnjë e në rritje nga qeveria e PSD-së për të pranuar shkarkimin e saj.

Rreth 150 mijë shtetas rumunë u mblodhën në Bukuresht vitin e kaluar, pasi qeveria kaloi një dekret që do të mund të lironte të burgosurit e dënuar mbi akuza për korrupsion. Shumë shtetas rumunë të tjerë kanë ardhur nga emigracioni për t’iu bashkëngjitur protestave.

Sipas Bankës Botërore, rreth çereku i popullsisë së Rumanisë – afro 3-5 milionë banorë, – jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke kthyer mbrapsht në vendlindje rreth 5 miliardë dollarë, në një nga vendet më pak të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Komisioni Evropian: Zgjidhja duhet të jetë realiste dhe e mundshme

Një zgjidhje e përhershme nënkupton një zgjidhje realiste, e qëndrueshme dhe e mundshme, në pajtueshmëri me të drejtën ndërkombëtare, e mbi të cilën Prishtina dhe Beogradi duhet të kenë pajtueshmëri, ka deklaruar sot në Bruksel zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin.

I pyetur nëse Komisioni Evropian mbështet qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, për ndarje ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, ai ka thënë se gjatë takimit të nivelit të lartë, Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë pasur “bisedime intenzive dhe produktive mbi kornizën e marrëveshjes për normalizimin e plotë të marrëdhënieve dhe se janë pajtuar për intensifikimin e punëve’.

Martin ka shtuar gjithashtu se më 18 korrik, “Vuçiq dhe Thaçi kanë shqyrtuar përparimin e arritur dhe janë pajtuar të takohen sërish në fillim të shtatorit”.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për synim ka nxitjen e arritjes së një bashkëpunimi të përhershëm mes të dyja palëve dhe t’ju ndihmojë atyre të arrijnë përparim në rrugën e tyre drejt Evropës”, ka thënë zoti Martin.

43 për qind e foshnjave në BE të lindura nga marrëdhënie jashtëmartesore

BRUKSEL – Dyzet e tre për qind e foshnjave në Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2016 kanë lindur nga marrëdhënie jashtëmartesore, treguan të dhënat e fundit të Zyrës Evropiane të Statistikave (Eurostat).

Të dhënat e Eurostatit treguan rritje për 15 për qind të foshnjave të lindura jashtë martesës krahasuar me shifren e vitit 2000.

Vendet që kanë spikatur me numrin më të madh të foshnjave të lindura nga marrëdhëniet jashtëmartesore janë Franca (60 për qind), Bullgaria (59 për qind), Sllovenia (59 për qind), Estonia (56 për qind), Suedia (55 për qind), Danimarka (54 për qind), Portugalia (53 për qind) dhe Holanda (50 për qind).

Në këto shtete, numri i foshnjave të lindura jashtë martese ka tejkaluar atë të foshnjave që lindin nga marrëdhëniet martesore.

Nga ana tjetër, si vende me numrin më të vogël të foshnjave jashtëmartesore janë radhitur Greqia, Kroacia dhe Qiproja Greke. Në këto shtete, 80 për qind e foshnjave kanë lindur nga marrëdhëniet martesore.

Një avion ushtarak spanjoll gabimisht lëshon një raketë mbi Estoninë

BRUKSEL – Një avion spanjoll gjatë stërvitjeve të NATO-s gabimisht ka lëshuar një raketë.

Ministria e Mbrojtjes e Estonisë njoftoi se avioni ushtarak spanjoll AMRAAM gjatë stërvitjes dje pasdite në jug të Estonisë shkrepi një raketë.

Raketa përmbante rreth dhjetë kilogramë eksplozivë, ndërsa pjesëtarët e forcave të sigurisë të Estonisë vazhdojnë të kërkojë mbetjet e saj.

Kryeministri i Estonisë, Juri Ratas, në rrjetet sociale shkroi se nga aksidenti nuk ka të vdekur as të lënduar.

Ministria e Mbrojtjes e Spanjës ka nisur një hetim, i cili do të duhet të vërtetohet shkaku i aksidentit.

Gjatë stërvitjes kanë marrë pjesë dy avionë ushtarakë spanjollë dhe dy francezë. aa


Send this to a friend