Poezi për muzikën- GEORGE GORDON BYRON – Përktheu Servet Bytyçi
LIRSHËM MUND TË LËVIZIM
Mund të lirshëm në Plluzhinë e
Ticë më lashtësi arkeologjike
A po në Rezallë as ndër varre s’përmendet
Gjakmarrja assesi plaga
Dhe Likovcin e UÇK-së tashë u vëhen
emrat e luftëtarëve ,fëmijëve
Dhe në Murgën e moç sa vet bota
Po nuk mund të kalosh rrepësisht është e ndaluar{
Deviçi i përgjakur që e dëgjoi tërë bota
Aty verdikt japin popat
Mund të kalosh lirshëm Radishën të Banjë të Runikut
Ku Bozhoviqet e përtrinjë sehirin
Në Kuqicë lëvizë lirshëm deri kisha e jonë ,Kisha e Prekocit
Ligjet na i vë rrënja e Zubinpotoku
Po s’guxojmi t’i prekim dardhat e Dobrit
Në Mitrovicë , në Veri kismet bëjnë dekorin
Lirshëm po lëvizim mund të lëvizim
Nuk na pengon maçorri ….
NJË SERBE E SERTË
Një serbe e sertë
Siç janë vet serbet e sertë
Hidhi gurë mbi te veten çati
E çakërdisur me gjak ne sy
Shau pështymë
Lum jargësh në lendinë.
theu xhamin për mbrenda
As mendja s’ta pret
Nata tha ishte e qetë
Vazhdoi vajtimin sikur derdheshin retë.
Nata ishte futë
Dora ishte sekret.
Tha këtu s’ka kulturë
S’rrohet në miniaturë.
Serbja siç ishte vet
E sertë
Përrallisë e gogësinë
As kush s’ merr më vesh.
Siç vyshket gjethi
I kësaj vjeshte
Baltërave vajtim i saj
Shket
Ujërat i gjirizeve
E veshin me te vetin petk….
KRESHTAT NUK SHUHEN
-Barikadat-
Luaj më ,lëviz
Më tutje , tutje
Se fryma e re
Po i vret fytyra
Dhe leckamaneve u nderron ngjyrat.
Po shi i idhët shi
Po bie tinez më rehati
Shkërmoq një livaadh
Livadh pak e urtak.
Luaj ,shih siç po i sheh
Barikadat më hije
Më dheun prej varreve
Gëlqere na vënë varrëve.
Plepat dikush ditën
Tjetëri natën
I sakatoi
Të përgjakur.
Dhe shtohën kamionet
Më fytyrë lije
Si pela më zgjebë
Hingëllin buriatë
E toka ku toka shkelim
Na njeh frymën
Bekimin e nënave
Dhe varret e të parëve
Lisat nuk ikën
As kreshtat nuk shuhen
Prej diellit deri të muzgu
Frymon fryma e jonë
Sa frymon secili njeri mbi tokë
Kamionet bartin qefinin
E pështjell seciln kokë të tyre
Në atdheun tim të ndarë dhe të copëtuar
një ëndërr në ëndërr shtrihet dhe zgjatet
një ëndërr në ëndërr i jep krah shpresës
një ëndërr në ëndërr i shtohet flamurit
Kosovë, ktheja emrin e vet Kosovës,
Dardani, gjatë e kemi heshtur këtë emër
gjatë kemi luftuar të çlirohemi, Kosova
na thërret, t´ia kthejmë emrin në Dardani
S´njoh vetëdije më të lartë se të bashkuar
dhe as realitet më të lartësuar se sa atdhe
tokë dardane ku unë jam lindur e rritur
me forcën e gjuhës e të gjakut të këndoj!
Fol tokë fishtiane e dardanëve të Ilirisë
tokë barletiane e naimiane e tërë Atdheut
kohë e së vërtetës së ëndërruar ka ardhur
i dremitur jam, po gjumë nuk kam në sy!
Iliri e atdheut nuk shterron me pranvera
nesër do të ketë stuhi, nëpër të duhet të
kalojmë!Kosovë, ky shkrim më vjen nga
zemra, Kosovë, emri im i dheut, Dardani!…
Atdhe Geci – Dortmund, 2026
Lëshoma hisen time të Diellit, vëlla, atë copëz drite që më takon, se unë jam bir i kësaj toke, dhe kjo tokë në zemër më këndon.
Lëshoma një rreze mbi vendlindje, një rreze mbi malin që na rriti, mbi lumin që dikur rridhte i pastër dhe fëmijërinë tonë e përcolli.
Vëlla, a e mban mend atë lumë? Atë ujë të kthjellët si loti, ku ne si fëmijë zhysnim duart dhe nuk dinim ç’ishte largimi?
A e mban mend zërin e tij, kur përplasej mbi gurët e bardhë? Sikur na tregonte një përrallë që vetëm fëmijët dinin ta dëgjonin.
Sot kthehem dhe e shoh me dhimbje.
Therra nëpër brigje, drunj të rrëzuar në shtrat, rrjedha e tij e penguar, dhe uji që kërkon një rrugë mes asaj që ne i kemi bërë.
E pyeta veten:
Ku shkoi lumi im?
Por pastaj e kuptova…
Lumi është aty.
Ne kemi ndryshuar.
Ne ia kemi zënë rrugën.
Ne ia kemi harruar këngën.
Dhe kur nisa ta pastroj, dikush më pyeti:
“Pse po e pastron lumin, vëlla?”
E heshta një çast.
Pastaj pashë ujin dhe m’u kujtua fëmijëria.
Iu kujtuan këmbët e mia të zbathura, zërat tanë mbi breg, verat e gjata, dhe ai ujë që na freskonte kur bota na dukej e madhe.
Dhe thashë:
“Sepse dikur ishte i pastër.”
“Lëre”, më thanë.
“Ka qenë gjithmonë kështu.”
Por jo, vëlla.
Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Kështu e kemi bërë.
Dhe nëse dikur kemi gabuar, pse duhet t’ua lëmë gabimin edhe fëmijëve tanë?
Pse duhet t’u themi:
“Mos e prek lumin, sepse ne nuk e prekëm”?
Pse duhet t’u lëmë një shtrat lumi me therra në vend të një lumi me jetë?
Vëlla, unë nuk dua të luftoj me askënd.
Dua vetëm të hap një rrugë për ujin.
Dua t’i largoj ferrat që ia kanë mbytur brigjet.
Dua t’i heq drunjtë që ia kanë devijuar rrjedhën.
Dua ta dëgjoj përsëri atë këngën e vjetër që më ka mbetur në shpirt.
Sepse lumi nuk kërkon shumë.
Nuk kërkon pasuri.
Nuk kërkon lavdi.
Kërkon vetëm:
Të rrjedhë.
Ashtu si njeriu kërkon të jetojë.
Ashtu si një fëmijë kërkon të rritet.
Ashtu si një vendlindje kërkon të mos harrohet.
Vëlla, mos ma thuaj:
“Pse po merresh me këtë?”
Më thuaj:
“Çfarë mund të bëjmë bashkë?”
Sepse një lumë nuk pastrohet me një dorë të vetme.
As një fshat nuk ringjallet me një zemër të vetme.
Na duhen duart tona.
Na duhen kujtimet tona.
Na duhet guximi për të mos thënë më:
“Kështu ka qenë gjithmonë.”
Sepse e ardhmja nuk ndërtohet duke ruajtur çdo gjë siç e gjetëm.
Ndonjëherë duhet të pastrojmë atë që kemi lënë pas.
Të hapim rrugën e mbyllur.
Të kthejmë ujin në shtratin e vet.
Të mbjellim aty ku kemi prerë.
Të shërojmë aty ku kemi plagosur.
Dhe mbi të gjitha, të mos kemi frikë të bëjmë një të mirë vetëm pse dikush pyet:
“Pse?”
Vëlla, unë e di pse.
Sepse ky lumë është një pjesë e fëmijërisë sime.
Sepse ky ujë ka prekur këmbët e mia.
Sepse këta gurë kanë dëgjuar të qeshurat tona.
Sepse këto brigje mbajnë gjurmët e hapave tanë.
Sepse vendlindja nuk është vetëm një vend në hartë.
Është ajo që të dhemb kur je larg.
Është ajo që të thërret kur askush tjetër nuk të thërret.
Është ajo që ta njeh zërin edhe pasi ke harruar si tingëllon vetë zëri yt.
Prandaj, vëlla, lëshoma hisen time të Diellit.
Mos ma mbyll dritën me fjalët e së kaluarës.
Mos ma mbyll rrugën me “kështu ka qenë”.
Lëre një rreze të bjerë mbi lumin tonë.
Lëre një rreze të hyjë nëpër degët e dendura.
Lëre ujin të marrë frymë.
Lëre lumin të këndojë.
E kur një ditë fëmijët tanë të vijnë këtu, të ulen pranë ujit, të zhysin duart në të dhe të pyesin:
“Kush e bëri lumin përsëri të pastër?”
Ne të mos tregojmë gishtin kah njëri-tjetri.
Le të themi vetëm:
“E bëmë bashkë.”
Dhe atëherë, vëlla, kur lumi të rrjedhë i lirë mes dy brigjeve të tij, kur bari të jetë përsëri i gjelbër, kur zogjtë të zbresin mbi ujë, kur fëmijët të qeshin në breg,
unë do të ulem pranë teje.
Do ta zhys dorën në ujë si dikur.
Dhe ndoshta për një çast do të harrojmë vitet që ikën.
Do të jemi përsëri fëmijë.
Dhe lumi do të na njohë.
Do të na thotë:
“Erdhët më në fund…”
E ne do t’i themi:
“Po, lumë. Erdhëm. Nuk erdhëm vetëm të të shohim. Erdhëm të ta kthejmë lirinë.”
E kur Dielli të bjerë mbi ujë dhe lumi të marrë ngjyrën e arit, do të të them ty, vëlla:
Lëshoma hisen time të Diellit. Jo më shumë se ç’më takon. Vetëm një rreze mbi vendlindjen time, një rreze mbi lumin tim, një rreze mbi kujtimet tona.
Sepse ajo dritë nuk është vetëm e imja.
Është e jona.
Dhe nëse e ndajmë me njëri-tjetrin, nuk pakësohet.
Shtohet.
Vendi i Lekës,07.10.2026
Zjarr? Uragan? Tërmet?
Le të shkojmë më ngadalë…
Dhimbje e njohur si për sytë pëllëmba
e dorës dhe për buzët
emri i fëmijës tënd…
Mendjelehtësi—mëkat i dashur
shoku im i dashur i udhëtimit dhe armiku im i dashur!
Ti më spërkate të qeshura në sy
dhe venat me mazurka m’i spërkate.
Prej teje mos e ruaja unazën e martesës mësova
për këdo që Jeta do të më martonte!
Të filloja rastësisht nga fundi
dhe të mbaroja ende para fillimit.
Të isha si kërcell dhe si çeliku
në jetë ku kaq pak mund të bëjmë …
Të kuroja trishtimin me çokollatë
dhe të dukesha e qeshur në fytyrat e kalimtarëve!
TË PËRPIQESH TË FUTËSH NJË UNIVERS TË TËRË BRENDA NJË KOKRRE ARRE
Absurditeti i madh i një akademie, në mijëvjeçarin e tretë
Flijimi i Etëhem Haxhiademit nuk është vetëm i djeshëm. Ai vijon edhe sot nga vetë Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Ndërsa studimet akademike shqiptare mbeten të përqendruara kryesisht te dokumenti, biografia, gjuha, historia dhe arkivi, Bota e Ideve mbetet e patrajtuar. Pikërisht ajo Botë që ka qenë një nga forcat e mëdha të zhvillimit të Mendimit perëndimor dhe të ndryshimit të fatit të miliona njerëzve.
Paradoksi i madh është se Haxhiademi punoi pikërisht në këtë terren dhe çuditërisht ja mohojnë. Njeriu përballë fatit, Lirisë, fajit, Përgjegjësisë, së Mirës dhe së Keqes, është një përmasë e tij që nuk pranohet t’i njihet në asnjë mënyrë. Nuk ekziston as dëshira akademike më e vogël për ta njohur.
Në vend që horizonti akademik të zgjerohet për ta përfshirë, bota e Haxhiademit mbahet peng.
Është e mundur të zvogëlohet Haxhiademi vetëm në biografi, dokument dhe histori letrare? Kjo është sikur të përpiqesh të futësh një univers të tërë brenda një kokërr arre.
Është Bota e Ideve ajo që hap rrugën drejt vetë së ardhmes së shoqërisë shqiptare. Mbajtja peng e Mendimit të Haxhiademit brenda kufijve të vjetër, sot në Mijëvjeçarin e Tretë, është një absurditet i vërtetë akademik, kufij që mendimi perëndimor i ka flakur tutje prej shekujsh.
POR ATËHERË LIND NJË PYETJE AKOMA MË E MADHE
Po sikur nesër Skënderbeu të studiohet jo vetëm për betejat, aleancat, dokumentet dhe kronikat, por si një univers idesh mbi Lirinë, Dinjitetin, Përgjegjësinë, pushtetin, zgjedhjen dhe Njeriun? Çfarë do të ndodhë? Do të vazhdojë edhe Skënderbeu gjigant të futet brenda së njëjtës kokërr arre?
Sepse problemi nuk është më Haxhiademi. Problemi është vetë horizonti i kufizuar i Mendimit akademik shqiptar.

1.
Pa rrugë
pa shtëpi
në një sy
të Homerit
po rri.
2.
Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borhesit
miliona shkopinj: degë nga pemët e dritës
me sythe sysh, klorofil.
Degë me mallin për bilbila.
Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borhesit
i mblodha shkopinjtë e të verbërve (të vdekur e të gjallë)
Na mbillni, thërrisnin, na mbillni anës rrugëve.
Borhesi dhe Homeri
dy pika
të një vije të rrallë.
3.
Të vdekurit shkruajnë libra me alfabetin e barit,
vargje bari mbi Trojë dhe në sytë e Homerit,
kapituj të blertë në mençurinë e Borhesit,
ku njerëzit kthehen në hije prej dheu,
e ku brenda secilit vrapon një sozi.
Të vdekurit shkruajnë libra e ne përpiqemi të lexojmë,
të gatshëm për të vdekur që të na lexojnë të tjerët.
4.
Rërë e zhgënjyer nga floriri.
Hije e zhgënjyer nga drita.
Si vesa e qumështit,
pikuar nga gjiri,
pikon,
Aleksandria,
nga librat.
5.
Pse janë të shtrirë s’mund të quhen të mundur të vdekurit.
6.
Fishkëllej motivin e njohur nga të gjithë,
në çastet kur mbledhim supet.
7.
Në Shqipëri
bari është bërë
për t’u shkelur,
lulet për t’u këputur
dhe njerëzit
për t’u vrarë.
Zeroja paska vlerë,
te zeroja
kemi varret…
8.
Sytë e të verbërve
veç zero
nuk janë.
9.
Dhe i verbëri
i ka lotët
pasuri,
natyrisht dhe unë,
që hyj te njerëzit
me një sy.
10.
Nga shtëpia e Homerit te shtëpia e Borhesit,
i mblodha shkopinjtë e të verbërve (të vdekur e të gjallë).
Borhesi dhe Homeri: dy pika të një vije të rrallë.
Korrik, 1995 – dhjetor, 1998
Sot jam nisur në dasëm dhe në krah kam Xha MYRTEN që është mjaltë e sheqer nga goja. I moshuar (po kur thotë dhe vet:-Jam moshatar me këtë dorakun ku “fshtetem” una),por burrë shumë i mençëm që nuk i bie fjala për tokë. Digjo, ti “dhaskali i xhixhait”,në dasëm po shkojmë,po dhe nga një”gjyle do vërvitim”,se jemi vetëm. Po shkoj në dasëm dhe veç dhëndërrit dhe nuses,e di ti”dhaskal” se kush gëzonet më shumë? Dhe pa pritur përgjigje nga unë, vazhdon: kalamanjtë. ata do cicërojnë si harabelat në pyll. Ore,- m’u kthye prapë,- una nuk bëj muhabet pa bereqet,jo,or jo, por t’i vëmë kokë muhabetit: kalamanjët gëzonen se do hanë bukë të ngrunjët sot. Se u mbiu “ibreti” në barkut. u bënë kaps,për këtë trokëdheu që do na hajë një e nga një,nuk gavnjej una,se jam nga”mosha e dorakut”una. E di una,dhaskal, që ti nuk e “njac” dot gjuhën si una, se ta presin me gërshërë, dhe una e kam ngrënë çahirin dhe pres “selametin”. Ndaloi për një çast dhe tha:- Mos kujto se e lëshoj kaq gjatë gjuhën me gjithë dynjanë, por ty të jam bërë teslim dhe ndaj po e zbraz shpyrtin. E dëgjoja me prudencë Xha MYRTEN që vetëm me kaq fjalë,pohonte një realitet aq të dhimbshëm që gjithkush e shihte, por nuk fliste dot.
Mbrritëm në dasëm. U ula ngjitur me Xha MYRTEN dhe,sakaq, ia thanë sazet. Shiko,-më tha Xha MYRTJA,- qy që bën dasmën, ka shkuar dhe ka marrë saze, tujte nga Berati, se andej dhe vet ka marrë nusen nga ajo anë. Me demek e “ka vrarë” lopa. Epo ne, në fshatin tënë, e kemi patur,si të shkruar mbi gur:” Kaun që e vret lopa,e therim”. Ia dhashë të qeshurit,me këto”gjyle” që vërvit xha MYRTJA.*
– Qeshë mbrëmë për aheng dhe,kur ua thoshin këta, sazexhinjtë, sazeve,ranë përmbys me burra e me gra. Qe”thjatro” e shkuar “thjatros”, Sazeve vu,por kënga nga vet ata të gjallin të vdekurit. Hë më të lumtë,o çun që m’i ke gjetur, se u kërnaqëm! Të kishe qenë mbrëma, do hidheshe përpjetë. Seç kishin një defxhi, që e hidhte vallen përmbi sofër. Apo nuk bënte ojna si ato” xhigijat” që çfarë të them. Pas ahengut,këmbëve për në shtëpi, kur dëgjoj Kasëmin e Zeqos,t’i thotë të vëllait, Brahimit.
– Braçe, nesër nuk do i marrim gratë në dasëm, se a i pe,ata”xhindët e Beratit”, na luajtën gratë nga fiqiri. Tha Kasëmi, por ku do venë”qyqmanët” pa gratë. Në ardhësh me ty,se ajo”sterranikja” ime ka ikur në atë dynjanë tjetër.
Epo të rrojnë evlatët,o Xha MYRTE, e mbajta me gajret unë.
Filloi rakia me dolli dhe Xha MYRTJA, si më i vjetri ngriti një dolli dhe,pa i mbaruar shëndetet,tha:” Rrofsh,ju miqtë nga Berati se na kërnaqët shpyrtrat! Merrjani njëherë ashtu siç dini vet.
Ai ,me gërnetë, mori gotën e rakisë dhe pasi uroi të zotin e dasmës,vazhdoi me çiftin që martohesh dhe në fund,tha: ” Për të kënaqur këtë xhaxhan, do marrim një valle të kënduar!*
XHa MYRTJA,epo valle të kënduar nga burrat,këtej nga anët tona,sikur nuk ka. Muana nuk ma ha buza atë kulaç.
Kur tak brofi një çun nga ata të sazeve,doil në mes dasmorëve që qenë rreth e rrotull.Priti avazin nga sazet dhe, sakaq përkuli pak trupin dhe zgjati dorën, sikur priste dikë.
Xha MYRTJA, i paduruar, më tha:- Po ky,birbollani, pse e njacë dorën,kot si koti, se, sipas avazit, zor se do t’i dalë”ortak”. “Birbollani” ia tha me zë të lartë: ” Do këndoj një këngë vaji dhe,sakaq dorën e varur, e mbërtheu një grua. E mbërtheu dhe tek,e hidhte vallen,priti “birbollanin” që vazhdoi”të më qani me”oi”,kjo jo vetëm e hidhte vallen,po u bënte jehonë me,nota vaji,”oi,-oi “. U pataks mileti,- tha Xha MYRTJA.Kjo që ia mban është ÇARÇIKUA,nusja e shtëpisë. Është nga ajo anë, ndaj doli në”mejdan”, E sheh atë plakën e moshuar? Është Hatixheja,e vjehrra e ÇARÇIKOS,që ka ulur kokën nga turpi, se vete,mu në mes gjithë dasmorëve dhe kapë dorën e atij”birbollanit” që nuk e ka as fis dhe farë. Valttari:- Këtë këngë të ma mbajë,kush ka hunmbur dashuri!! Oi-oi me sytë me lot ÇARÇIKUA. Epo vallet kanë dhe atë”yrnekun” e tyre,- më tha XHa MYRTJA. Pa të shohim e bëjmë sehir,kur të mbarojë vallja. Dhe vërtet: vallja mbaroi dhe ÇARÇIKUA, sakaq,u pushtua me botin. Aha, mori si ters kjo punë! Dhaskal,pushtohen këtej nga ne,nëse gruaja kërcen me vëllan a një kushëri të afërt,por jo kështu nuk mban ujë pilafi,- u nxeh xha MYRTJA. Dhe vërtet,siç ndodhi më vonë, nuk po mbante”ujë pilafi”! Pas nja dy këngëve të tjera, prapë “birbollani”. Tani këngë,po me dy zëra. Burri ia thoshte dhe gruaja ia mbante. Ia tha ky:- U pupu ç’më bëre ,… po kush tjetër e dinte nga gratë veç ÇARÇIKOS? Sa ia tha “birbollani”:-Upupu ç’më bëre… Ajo.”O moj kusurmadhe!” AI:”Perondat e rënda…Ajo:”Në zëmër m’i kalle”. – Aha,- tha xha MYRTJA,- po luan qeni i kallajxhiut. Më duket si “qemane e Nastradinit” që nga prapa ma ka avazin. ia thoshin apo nuk ia thoshin. Kurdisur zërat si me porosi dhe dasmorët u shqyen së qeshurit. Gratë shkulnin faqet,tek shihnin Hatixhenë që krrusesh sikur kish bërë turp. I shoqi i ÇARÇIKOS as që e bënte qefin qeder,se në një dasëm qe sevdallisur me të,kur kryente shërbimin ushtarak andej nga Poliçani i Beratit. Epo,- më tha xha MYRTJA,- e di si i themi ne kësaj:”Ha-ha,bëjnë krushqit! Ha-ha dhe nusja! Po nusja duhet të jetë me terbijet,po mbahet në hudut ÇARÇIKUA.?
Përkthyesit e mençur shpesh ua zbardhin faqen të zotëve të tyre injorantë. Jean Giono
Koloneli gjerman, një burrë rreth të pesëdhjetave, i gjatë e i hollë, me një palë syze të argjendta, të fiksuara mirë në fytyrë, i ngrysur, serioz e autoritar, vështroi një copë herë pengjet, tridhjetë a dyzet fshatarë që, më shumë se të frikësuar, dukeshin të mpirë e të hutuar, të pasigurt për situatën e re në të cilën u ndodhën krejt papritur.
Atë ditë të zakonshme vjeshte secili kishte qenë në punë të vet – në arë, në shtëpi a në të vetmen kafene të fshatit – kur ushtarët gjermanë, mes thirrjesh, kërcënimesh dhe ulërimash të thekshme i patën zënë, i patën grumbulluar e i patën shpënë në sheshin e vogël përpara xhamisë.
Gjithnjë pa e shkëputur vështrimin hetues prej pengjeve, ku s’qe e vështirë të vihej re përçmimi, koloneli u kthye lehtësisht për nga përkthyesi dhe nisi të shpjegohej. Nga ana e vet, përkthyesi, një djalë njëzetetrevjeçar nga qyteti fqinj me fshatin, po e ndiqte me përqendrim të madh, që të mos i shpëtonte as edhe një fjalë e vetme. Ai i qe mirënjohës kolonelit.
Pas një aksioni të guximshëm të njësitit gueril në qendër të qytetit, ku kishte mbetur i vrarë një ushtar gjerman dhe ishin plagosur dy të tjerë, lagjja u rrethua brenda çerekorëshit të parë dhe në rrjetën e ngritur ranë dhjetëra qytetarë, thuajse të gjithë të rinj e të pafajshëm. Në çastin e fundit, para se të ekzekutoheshin, djaloshi iu drejtua në gjermanisht, duke i thënë se e njihte mirë gjuhën – gjë që natyrisht koloneli e kuptoi që në fjalët e para – dhe se mund të ndihmonte në komunikimin me popullsinë. Meqenëse në çdo kohë e në çdo luftë përkthyesit janë më se të çmuar, koloneli e kurseu atë.
Oficeri ndaloi një çast, duke i lënë të kuptohej djaloshit të niste nga përkthimi.
– Koloneli sapo tha se ata po e lënë Shqipërinë. Po shkojnë drejt veriut dhe janë thjesht kalimtarë në këtë vend, – iu drejtua përkthyesi pengjeve, të cilat, të pushtuara nga ankthi, s’ia ndanin sytë. – Në rrethana të tilla, – vazhdoi djali, – bllokimi nga ana e fshatit i së vetmes rrugë kalimi për trupat gjermane është një akt armiqësor dhe i dënueshëm. Nga ana tjetër, ai pranon se pozicioni i Grykës së Malit të Robit është strategjik dhe se do të duhej shumë gjak gjerman për ta shtënë në dorë dhe po aq, ndoshta më shumë, gjak shqiptar për ta mbrojtur. Koloneli, megjithatë, beson të zgjidhet me mirëkuptim, urtësi e paqe. Sa për ju, jeni pengje lufte, kështu thotë dhe nëse rruga nuk hapet brenda dymbëdhjetë orësh, të gjithë do të vriteni, pa përjashtim. Në fund, tha se do të zgjedhë vetë njërin prej jush që këto që dëgjuat e morët vesh, bashkë me lutjet tuaja, t’ia shpjerë pleqësisë së katundit tuaj.
Me sa dukej, kjo qe fraza e fundit që duhej përkthyer dhe djali i ri vështroi përsëri nga koloneli. Kësaj radhe ai tha diçka të shkurtër, pa u kthyer nga djali dhe gjithnjë pa ua ndarë vështrimin autoritar e të rreptë pengjeve.
Teksa fliste, përkthyesit i kishte rënë në sy një burrë rreth të dyzetepestave, i shkurtër e thatim, fytyrërreshkur nga dielli dhe me mollëza të dala, ndoshta për shkak të futjes përbrenda të faqeve nga kequshqyerja, në dukje një tip zevzeku, që s’e zë vendi vend, nga ata që, në sebepe familjare a më gjerë, në të mira e të liga, s’lënë rast për t’u dukur e për të rënë në sy.
Ja, pra, këtij tipi s’po i durohej të merrte fjalën e, gati-gati, ia kishte prerë përkthimin në mes më se një herë. Me të mbaruar përkthyesi, pa pritur as edhe një pauzë të vogël, burri u hodh dhe nisi të flasë me tone aspak më të ulëta se gjermani, a thua se ky i fundit qe peng e jo ai vetë.
– Na ti, more djalosh, që na e kuptuake gjuhën e tyre. Pa m’i thuaj këtij gjermanit se nuk pranojmë të na trembë e të na kërcënojë këtu, në vend tonë, në vatrën tonë. Kujtoja edhe një herë në ç’hall të madh është. S’e kalon dot Grykën e Robit pa lënë kokën gjysma e ushtrisë.
Krejt papritur, përkthyesi e ndjeu veten të zënë ngushtë. U kuptua që po nguronte t’ia përkthente gjermanit, fjalë për fjalë, shprehjen e burrit.
– Ç’u stepe kështu? Me gjermanin s’mendohesh fare! Hazërxhevap je! – ngulmoi serbes burri.
Përkthyesi nënqeshi paksa me zor.
– Më falni, zotëri! A e di me kë po flet? E di se këta nuk ta zgjasin shumë dhe po merr në qafë edhe dyzet burra të tjerë?
Po atë çast, zëra të ndryshëm, aty-këtu, në mes të turmës, i dhanë të drejtë hapur përkthyesit.
– O Lame, po lëri të shkretën kërcënimet se nuk venë te këta. Do të na marrësh në qafë. Kemi gra e kalamaj. Do të na vrasin të gjithëve, – u hodh e foli gati me të lutur një fshatar, në një moshë me kokoroshin.
– Çfarë thonë? – iu drejtua koloneli përkthyesit.
Si t’i qe tharë pështyma, djaloshi mezi u përcoll. Bëri çmos të mblidhte veten e të mos linte as më të voglin dyshim tek i huaji.
– Thonë se, hëpërhë, nuk janë të gjithë në një mendje, por do të bëjnë të pamundurën të merren vesh, t’i japin një zgjidhje.
– A ia përktheve, fjalë për fjalë, tamam ashtu siç të thashë? – mori zemër Lamja nga mungesa e reagimit të pritshëm të të huajit.
– Po, po, ia përktheva, – belbëzoi përkthyesi, paksa i turbullt, i pasigurt për rrjedhën që mund të merrnin ngjarjet për shkak të përkthimit jokorrekt, sajuar aty për aty.
– Shto edhe këto dy fjalë. I thuaj se fshati s’është pa krah. Sot a nesër, mbërrijnë partizanët, se u kemi shpënë haber. Ky, në vend të na trembë e të na kërcënojë, bën më mirë të dorëzohet. Se, për të kaluar, s’kalon dot, si një e një që bëjnë dy.
Përkthyesi e ndjeu veten të zënë edhe më ngushtë. Djalë inteligjent e i shkolluar, e dinte mirë se po t’ia përkthente kolonelit, fjalë për fjalë, kërcënimet dhe paralajmërimet e burrit, këtë e priste vdekja e sigurt.
– Hë de, o spiun i gjermanëve, hape gojën! Thuaja! Apo s’të vjen për mbarë edhe emrin t’ua përmendësh partizanëve?
– Çfarë po thotë ky burrë për partizanët? – pyeti koloneli, pa ia ndarë vështrimin e rreptë dhe nervoz.
Përkthyesi mezi u përcoll. Ankthi mend po e mbyste.
– Thotë se fshati është neutral. Nuk është zonë influence as e ballistëve dhe as e partizanëve.
Burri zevzek u mat të fliste përsëri, edhe pse numri i atyre që s’qenë në një mendje me të dhe që e kundërshtonin qe rritur.
– Dale! Dale! Prit! – ia preu shkurt dhe me zemëratë përkthyesi. – Më dëgjo. Nuk ke të drejtë të rrezikosh jetën e të tjerëve. Mund të kesh bindjet dhe mendimet e tua, por këtu janë edhe dyzet të tjerë, baballarë e djem nënash.
– Ka shumë urrejtje dhe ligësi në sytë e këtij njeriu, tepër mllef. Ç’po thotë? – pyeti koloneli duke e humbur qetësinë e durimin, mezi të përmbajtur deri atëherë.
– Thotë se për një kohë të gjatë fshati s’u është bindur verbërisht të tjerëve. As ballistëve dhe as partizanëve. Të dyja palët kanë bërë krime në këto anë dhe urrehen njëlloj prej vendasve. Brenda pak orëve fshati do të vendosë, sepse vetë e kishte ndarë mendjen për bllokimin e saj, pa pyetur kënd tjetër. Këtë ata e quajnë një akt patriotik, një detyrë ndaj atdheut të tyre.
– A është i ndërgjegjshëm fshati për të gjitha pasojat e rënda në rast refuzimi? Pengjet do të vriten, shtëpitë do të digjen, gjithçka do të rrënohet.
Përkthyesi i ri ua tha në shqip pengjeve që dëgjonin veshngrehur dhe… befas, ndodhi ajo që s’mund të besohet.
I bindur se djaloshi ia pati përkthyer kolonelit çdo shprehje të tijën, duke besuar se e kishte vënë nën këmbë të huajin, duke e marrë si shenjë dobësie mungesën e reagimit të pritshëm të kolonelit, me gjithë fjalët e rënda që i kishte thënë, kokoroshi mori zemër dhe u trimërua. Me një gjest teatral, të kuptueshëm gati në çdo vend dhe nga çdo popull i botës, burri u përkul, i ktheu prapanicën kolonelit dhe rrahu të ndenjurat e veta disa herë me pëllëmbë.
– Na ha munë, o gjerman! S’e kalon dot ti Grykën e Robit, jo, s’e kalon. Këtu do të ngordhësh edhe ti. Si qeni do të ngordhësh. Hitler kaput! Kaput Hitler!
Përkthyesi shtangu. Ngriu në vend, si i murosur. Koloneli u kthye me vërtik nga djali. Sytë i flakërinin, thua se nga çasti në çast prej tyre do të shpërthenin shatërvanë lëmshesh të zjarrta, do ta mbulonin nga koka te këmbët, do ta shkrinin e do ta tresnin, duke e bërë pjesë të llavës përshkënditëse, vrasëse. Iu qas mu në fytyrë, aq sa përkthyesi ndjeu erën e vodkës që koloneli sapo kishte pirë dhe iu kërcënua egërsisht, ndërsa i tundte gishtin tregues shumë herë përpara syve. Në fund, me dorën drejtuar nga pengjet, e urdhëroi rreptë të shkonte atje, midis tyre.
Djersët e kapluan të tërin dhe këmbët gati e lëshuan. “Ky është fundi”, – mendoi përkthyesi krejt i prerë.
Koloneli kishte nisur të fliste dhe djalit iu desh të përmblidhej me vështirësi, për ta përkthyer. Iu bë se i huaji po ligjëronte tani në një tjetër gjuhë. Një gjuhë e lashtë hieroglifesh dhe simbolesh të padeshifrueshme.
– …askush në botë nuk mund të fyejë e të çnderojë kombin gjerman. Fyhrerin tonë të madh e të lavdishëm. Por ju guxuat ta bënit dhe këtë do ta paguani rëndë, shumë rëndë.
* * *
Skuadra e pushkatarëve gjermanë u rreshtua e heshtur përballë turmës, në një largësi 8-10 metra prej saj. Pas shpinës së djalit, zëra të mekur fshatarësh të pashpresë, ku ndihej qartë ankthi, frika dhe tmerri i vdekjes së afërt, mallkonin në kor burrin me emrin Lame.
– Na more në qafë të gjithëve, o burrë. Dhe të paralajmërova. S’bëhet shaka me këta, – iu drejtua përkthyesi, dyllë i verdhë, njeriut fjalaman që tani i qe qepur goja, qe zbehur si meit, qe tkurrur e qe bërë i vockël, si një fëmijë.
Nuk mundi të mësojë kurrë përgjigjen – le që, atij vetë pak ose aspak i kishte interesuar – sepse, porsa burri u mat të hapte gojë e, natyrisht, të justifikohej, e ndërpreu dhunshëm ndërhyrja e egër e kolonelit për të mos folur. Të paktën ai.
– Djalosh, – iu drejtua oficeri i lartë, me tone më të buta e më të kujdesshme, përkthyesit, – nuk dua të më mbetet enigmë e mundimshme, ndaj më thuaj, përse shpërdorove besimin që të dhashë, jetën që të fala?
– Ju doni të dini psenë? – nënqeshi paksa me zor e trishtim të thellë përkthyesi, duke bërë përpjekjet e fundit për t’u mbrojtur. Mbase kështu, si herën e parë, ia hidhte paq së keqes, që këtë herë po i kërcënohej seriozisht. – Ja përse, zoti kolonel. Ju, pikërisht këtu, mijëra kilometra larg nga vendi dhe Fyhreri juaj, u qëndroni besnik, nuk i tradhtoni, ua mbroni me çdo çmim emrin e nderin. Përse, atëherë, kërkoni nga unë të mos e bëj këtë gjë, në mënyrën më të natyrshme, këtu, në zemër të vendit tim, në mes të njerëzve të mi? Një ditë, zoti kolonel, lufta do të mbarojë dhe secili do të përgjigjet përpara Zotit, atdheut dhe ndërgjegjes së vet. – Djali kujtoi si nëpër mjegull citatin e një udhëheqësi perëndimor të luftës, që e kishte lexuar pak ditë më parë.
I përhumbur, i sugjestionuar nga fjalët plumb të rënda “Zot, atdhe, ndërgjegje”, koloneli shtoi nga vetja edhe emrin Fyhrer, oficeri i lartë vështroi përkthyesin një copë herë në sy, i shpërqendruar. Pas një çasti të shkurtër u përmend, si i zgjuar prej një ëndrre.
– Një përgjigje e mençur, e denjë për të të falur jetën, por këtë herë, për fatin tënd të keq, nuk kam për ta bërë. S’kam për ta bërë, sepse unë fal vetëm një herë.
Koloneli bëri një kthesë të beftë, të menjëhershme, të shkathët për moshën, tipike për një ushtarak të vjetër të karrierës, thuajse të pakuptimtë e gati qesharake për një njeri të jetës civile dhe gjallërisht, me hap të rëndë e të sigurt, iu afrua i vendosur skuadrës së pushkatimit. Ai dha prerazi urdhrat dhe porositë e fundit, kuptimin e të cilave, në mesin e turmës naive e të paditur, vetëm ai, përkthyesi, mund ta mësonte i pari.
Djali i hodhi një vështrim të pikëlluar turmës. Do të kishte dashur të ishte njëri prej tyre. “Do të vuajnë më pak”, – mendoi i trishtuar. – “S’kanë për të marrë vesh asgjë. S’do të kenë kohë për këtë. Gjithçka do të ndodhë në vetëm pak sekonda. Oh!”
Përkthyesi mbylli sytë e përmbytur nga lotët dhe mbajti frymën. Ndjeu në kraharor rrahjet e shqetësuara, të forta e të shpejta të zemrës. Gjithnjë symbyllur, dalloi qartë zërin e kolonelit, i dridhshëm dhe i pasigurt, si asnjëherë tjetër. Ai e njihte mirë atë zë.
– Skuadra! Merrini në shënjestër! Gati për zjarr! Një, dy, tre! Zjarr! Heil Hitler! Heil Deutchland! Heil…
Nëntor 2006
Rrahim Sadiku: “Fatliga Motër,” roman, Lena graphic, 2026 Prishtinë.

Krijuesi Rrahim Sadiku nga Komorani i Kosovës, këto ditë nxori nga botimi romanin më të ri, ”Fatliga Motër,” një shkrim i gjatë kushtuar motrës pas vdekjes. Autori, tani i njohur me krijimtarinë e tij si në prozë ashtu edhe në poezi, në këtë vepër romanore, trajton dhimbshëm jetën sfiduese të motrës Hajri.
Tematikë trajtuese në shkrimit e këtij krijuesi gjithnjë janë preokupimet e jetës së njeriut tonë në rrethana ekzistuese të kohës së mëhershme, të tanishmes, ku gërshetohen përplasjet e jetësore të përcjellura me elementin elegjiak dhe plot dhimbje. Kjo qasje ia shton vlerën pendës së autorit nga se problematikës jetësore i çastet me një seriozitet të thellë ndjeshmërie shpirtërore. Temat përkushtuese familjare nuk janë gjë e re në letërsinë tonë, por mënyra e reflektimit te penda e Rrahim Sadikut, këtë radhë, është disi ndryshme nga shumë trajtesa të tjera që kemi lexuar te krijues tjerë. Fati i nëpërkëmbur i motrës Hajri, ndikuar nga shumë rrethana jete, nuk është vetëm fat i një motre, por fatkeqësi e shumë motrave e nënave tona në këto hapësira shqiptare.
Figura qendrore e romanit “Fatliga Motër” është jeta e motrës Hajrije, të cilën jeta e përplasë pamëshirshmen që nga fëmijëria deri në vdekje. E parahatuar, shoqëruar gjithnjë me skamjen, e përbuzur pa asnjë arsye në shtëpinë burrit, mbetur e rritur jetime, ashtu, dhimbshëm, iki në boten e amshuar për t’u bërë yll i pashuar në shpirtin dhe zemrën e vëllait, Rrahimit, i vetmi që bënte “kujdestarinë” e duhur me dashuri motre, për mbijetesën në rrethana të tilla jete.
Që nga faqet e para të këtij romani, autori Rrahim Sadiku e fillon me atë interpretimin mitologjike të ndjellakeqes, kur dëgjohet në kulmin e shtëpisë, në një kasolle të strehuar familjarisht, krrokama e shpendkeqes e cila ndjellë fate të këqija e morte në familje. Një ndjenjë e tillë, si paraprijëse e jetës fatkeqe, e përcjellin tërë jetën motrën Hajrije, e cila përjetoi vdekjen e nënës në moshë të re, martesën e hershme, shpërnguljet nga një fshat në tjetrin gjithnjë me skamje e përplasje të nduardurta të kohës. Peshës së durimit i shtohet edhe fati i keq që në martesë nuk pati fatin të bëhet nënë fëmijësh si nënat tjera dhe “detyrimisht” iu deshtë të kaloi jetën me ortake, gjë që u detyrua të përjetoi shumë katrahura jetësore. Këtij fati të hidhur, autori i librit “Fatliga Motër,” z. Rrahim Sadiku, qëllimisht trajton një kohë martesash me ndërmjetësues,(mësit), ku kategori njerëzish “tregtonin” me qenie njerëzore të kohës së ikur. Autori Sadiku mirë e ka trajtuar këtë fenomen si trashëgimi primitive, jo vetëm si rast i motrës, por shprehi e veprimit në masë të gjerë.
Protagonistët e kësaj vepre romanore janë familjarë, prindër, burrë e grua, kunatë dhe ortake. Roli i secilit protagonist në vepër, me veprimet e tija, tregon gjithë thellësinë e vuajtjeve të Hajrisë ,(pos vëllait),i cili bie copë e grimë për t’i dalë në ndihmë motrës së nëpërkëmbur në shtëpinë e burrit. Bashkëshorti i Hajrijes, Mehdiu, një mendjelehtë, dëgjon kunatën në vend të bashkëshortes për të krijuar martesë tjetër për interesin që të kenë fëmijë.
Ndarja e fundit e autorit me motrën është shumë prekës dhe emocional, i cili në vizitë për sëmundjen e saj, në një lagje të Vushtrrisë, në përshëndetje e sipër motra Hajrie i thotë: “ Për varrim ,po, do të vini ,por mua më s’do më kini”….Një ndarje e prekshme që ther në mënyrë doruntiane…
Të gjitha këto veprime, edhe shumë të tjera si zingjirë të jetës familjare, rëndojnë psikologjinë njerëzore, stopojnë gjetjet e reja për emancipim dhe vendnumërojnë gjeneratat në përparim.
Kam përshtypjen se autori i librit, z. Rrahim Sadiku, ka dashtë, dëshirua që ta martirizoi motrën Hajrie në literaturë letrare, si një dhimbje, sfidë e shembull i kohës së kaluar, e cila nuk guxon të përsëritet kurrë më në meset tona. Pra, një dedikim i qëlluar. Mendoj se autori ia ka arrite qëllimit duke u zhytur thellësive të traditës primitive me dhimbje, duke krahasuar dhembjen e sotme të “moderuar,” me që ka raste që motër e vëlla nuk sakrifikojnë n ‘atë masë si autori i kësaj vepre. Këtu bie dukshëm në syrin e lexuesit krahasimi i dashurisë motër-vëlla mes dy periudhash jo gjithaq të largëta, pa trajtuar qështje tjera të marrëdhënieve të familjeve të sotme….
Redaktori i romanit ”Fatliga Motër,” z. Zymer Mehani, ka nxjerr konkludime të përgjegjshme nga libri dhe e ka vlerësuar në mënyrë profesionale nga disa aspekte gjuhësore e letrare, gjë që e përgëzoj për punën e përgjegjshme redaktorialë.
Sa i përket veprës së trajtuar si roman,(me 73 faqe),ndaj mendimin se ky shkrim prozaik i gjatë, më shumë i ngjan një monografie familjare se sa një trajtese romanore. Megjithatë, respektohet dëshira dhe qëndrimi i autorit të librit me redaktorin.
Sidoqoftë, romani “Fatliga Motër” e autori Rrahim Sadiku, është një e arrirë e re në letërsinë tonë, një libër që krijon emocione fund e krye dhe len porosi me ide dashamirëse për kohën tonë.
Gjakovë,
Urime për postin e Presidentes, Justinë, çika shtatselvi e Simon Shirokës! Nga Çun Lajçi
KUR RIVALITETI POLITIK I LË VEND INTERESIT TË PËRGJITHSHËM- Nga ARIF EJUPI
SKENA TË ABSURDITETIT- Nga ARIF EJUPI
Prof. Justina Shiroka Pula, Presidente e Kosovës në minutën e fundit Nga Elida Buçpapaj
Kamberi i përgjigjet Vuçiqit që e quajti“më të keqin” ndër shqiptarët: “Ne nuk jemi bashkuar kundër askujt. Jemi bashkuar për të përfaqësuar më mirë qytetarët që na kanë votuar”
Shkencëtari zviceran: Inteligjenca Artificiale nuk do të na vrasë
“E treta e vërteta”- Studentët vulosin me shkrim Ministrinë e Arsimit: Jemi kundër sistemit! Dorëheqje, poshtë qeveria
Përshkallëzohet protesta- Studentët shkulin kangjellat dhe pllakat e trotuareve, godasin me gurë xhamat e Ministrisë së Arsimit
Kurti: Serbia ende s’ia ka dorëzuar Kosovës dokumentacionin kadastral
Protesta para Ministrisë së Arsimit, flet studenti: Kemi shumë kërkesa por nuk duam t’i zgjidhim me Edi Ramën! Të largohet se nuk është kryeministër i denjë
Kryeministri Kurti priti në takim senatorët Shaheen dhe Durbin
Pas transmetimit të një interviste- Nga Prof. dr. ESHREF YMERI
Botues:
Elida Buçpapaj dhe Skënder Buçpapaj
Moto:
Mbroje të vërtetën - Defend the Truth
Copyright © 2022
Komentet