VOAL

VOAL

O shqiptar! Duaje të afërmin tënd, por mos lejo që ai të të mashtrojë! – Nga Aurel Dasareti

September 24, 2022
blank
1 Comments
  • author avatar
    Anonymous 2 months ago Reply

    Duron shume populli i urte Shqipatr por ama dhe durimi ka kufi.
    Nje dite do te shpertheje dhe Shqiperia
    ku do ti shkaterroje dhe zhduke sunduesit si ne kosove dhe ne Shqiperi.

Komentet

blank

Një qen i rrahur vjen në Tiranë- Nga SHABAN MURATI

Një qen i rrahur vjen që të gjejë një karrike në samitin e Tiranës. Është një qen, i cili mban qaforen e presidentit të Serbisë, dhe i cili lëpiu me shpejtësi llumin, që pështyu kundër BE-së me një fjalor rruge në 1 dhjetor. Presidenti serb u mburravec se ai guxonte të shante dhe ta dënonte BE-në me refuzimin e tij për të marrë pjesë në samitin e Tiranës. Por presidenti i gjatë dhe mendjeshkurtër i Beogradit harroi që shtetet më të fuqishme të Europës, kur është fjala për sedrën e tyre të madhe prej fuqie globale, i përdorin burgitë e detyrimit, me të cilat ia shtërnguan qafën presidentit të vogël mburravec. Burime nga Brukseli bëjnë të ditur se telefonata nga dy a tre dinosaurë europiane në mënyrë urdhërore i mbyllën gojën dhe e detyruan Vuçiçin në datën 5 dhjetor të shpallte se do të merrte pjesë në samitin e Tiranës.
Natyrisht vjen si qen rrahur. Ja autoportreti i bërë nga vetë presidenti serb në datën 5 dhjetor, kur i detyruar dhe i turpëruar njoftoi se kishte ndrruar pllakën e refuzimit dhe do të shkonte në samitin e Tiranës: ”Disa herë emocionet e mbysin njeriun. Une nuk jam, siç mendojnë shumë vetë, i çmendur, i pirë ose i lojtur dhe unë nuk jam krejtësisht budalla”.(“rs.n1info.com”, 5.12.2022)
Është autoportreti i një qeni të rrahur, të cilin e kapën nga qaforja dhe e sollën nga Beogradi në Tiranë.
blank

XHEVAT KALLAJXHI: ABRAHAM LINKOLNI: MOS U TREMBNI NGA E VËRTETA- “Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve…” -Nga Frank Shkreli

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, në bashkëpunim me Teqen Bektashiane Shqiptare në Amerikë, me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, promovuan librin, “Lincoln”, të ish-Editorit të Diellit dhe të ish-redaktorit të Zërit të Amerikës në gjuhën shqipe, Xhevat Kallajxhi. Promovimi u bë më 3 Dhjetor 2022, ditën e Shtunë, në Selinë Qendrore të Vatrës, në Nju Jork.
—————————————————————
Përshëndetjet e mia më të përzemërta miqëve e dashamirësve të Xhevat Kallajxhiut, ish-redaktorit të Gazetës Dielli, i cili për një kohë të gjatë – i vetëm, pa asnjë ndihmë prej askujt – mbajti gjallë gazetën Dielli. Por u përshëndes dhe falënderoj Vatrën që së bashku me Teqenë Bektashiane Shqiptare të Amerikës, kujtoni sot edhe një ish-bashkpuntor dhe koleg timin me të cilin kam punuar në Zërin e Amerikës.

E quaj me fat njohjen dhe mundësinë që kam punuar tek Zëri i Amerikës me Xhevatin. Ai ishte një koleg si të tjerët në atë zyrë, por për mua, Xhevati ishte diçka më tepër, ishte mësuesi dhe këshilltari im – sa i përkiste gjuhës shqipe por edhe gazetarisë. Ndonëse me një ndryshim të madh moshe, kjo nuk na pengonte që të komunikonin, por edhe t’i shihnim dhe t’i gjykonim punët me të njëjtin qendrim.

Unë kam shkruar edhe herë të tjera për Xhevatin duke theksuar respektin dhe mirënjohjen që kam gjithnjë për këtë burrë të madh të gazetarisë shqiptare dhe të Kombit, prandaj po përqëndrohem pak a shumë në subjektin specifik për të cilin jemi mbledhur sot për të biseduar – duke falënderuar nga zemra Vatrën — që më ftoi t’i bashkohem këtij kujtimi të mikut tim dhe të shumë shqiptaro-amerikanëve të brezit të kaluar por edhe të tanishëm — pa dallim feje as krahine, të ndjerit Xhevat Kallajxhi.

Xhevati ishte patriot i madh, njeri i penës dhe adhurues dhe mbrojtës i të vërtetës. Ai mishëronte, si rradhë kush, atdhedashurinë e tij me gazetarinë, duke përdorur gazetarinë në mbrojtje të Atdheut, të interesave dhe të drejtave të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tyre në Ballkanin Perëndimor. Xhevati i përkiste atij brezi antikomunist, si një veteran i vërtetë i luftës së ftohtë kundër komunizmit ndërkombëtar por edhe të atij regjimi komunist të Enver Hoxhës dhe krimeve të tija anë e mbanë Shqipërisë por sidomos në Gjirokastrën e tij të dashur ku kishte lindur e ku drejtonte para Luftës së dytë Botërore gazetën e njohur të asaj kohe, “Demokracia”.

Xhevati përveçse ishte një patriot shqiptar, ishte edhe mirënjohës i madh ndaj Amerikës, ku ai kishte gjetur strehim dhe liri, si shumë prej nesh, dekada më parë e deri në ditët e sotëme. Dua të përmend në këtë 100-vjetor të vendosjes së marrëdhënieve shqiptaro-amerikane se ndjenjat e Xhevatit për lirinë dhe demokracinë amerikane ishin të sinqerta dhe dashuria e tij për Amerikën ishte madhe. Vlerat amerikane të lirisë e demokracisë e të drejtave të njeriut, Xhevati i mbronte shpesh dhe kudo, në shkrimet e tija dhe në biseda private e takime publike. Xhevati mbronte dhe ekspozonte të vërtetën në lidhje me krimet e Enver Hoxhës në emër dhe në mbrojtje të komunizmit ndërkombëtar, në punën e tij tek Zeri i Amerikës dhe në faqet e gazetës Dielli.

Dëshiroj ta pasqyroj këtë pretendim me këtë fakt, se sa i përkushtuar ishte Xhevat Kallajxhiu ndaj përhapjes së të vërtetës – në Zërin e Amerikës dhe gazetën Dielli. Xhevati kishte dalur në pension nga Zëri i Amerikës në fillim të 70-ave, por pasi nuk kishim staf të mjaftueshëm, drejtori i atëhershëm i VOA-s shqip, Jozef Paskali e kishte ftuar Xhevatin të këthehej e të punonte gjysëm dite për Zërin e Amerikës pasi nevoja ishte e madhe se mungonte personeli i kualifikuar. Kështuqë Xhevati vinte çdo ditë, punonte katër orë për të cilat paguhej nga qeveria, por qëndronte në zyrë 8 orë sepse detyrohej të priste kolegët e tjerë për tu këthyer në shtëpi, me të cilët kishte ardhur në punë në mengjes, se nuk kishte makinë që të këthehej vet në shtëpi. Ashtuqë nga mesdita e deri në ora 5 pas dreke, gjysmën e ditës pra tek Zeri iAmerikës, ai e përdorte për të përgatitur materialin për gazetën Dielli, pasi ishte, njëkohësisht edhe redaktor i Diellit gjatë asaj periudhe, por siç dihet pa asnjë shpërblim.

Ky, pra ishte Xhevat Kallajxhi, nuk pushonte kurrë, punonte për Amerikën e lirë e demokratike dhe për Kombin e vet të robëruar nga komunizmi – me pagesë e pa pagesë – me një kontribut voluminoz në fushën e publicistikës dhe librave madje edhe poezive.

Nga kjo veprimtari dua të veçoj tre libra të Xhevatit që tregojnë lidhjet e tija të ngushta me Shqipërinë e shqiptarët dhe me Amerikën. Libri “Skenderbeu”, libri për Presidentin Xhon Kennedy dhe vepra për të cilën jemi mbledhur sot këtu, libri Linkoln. Nuk është e rastit që Xhevati ka zgjedhur, pikërisht, këta dy ish-presidentë të Amerikës që t’ia paraqsite lexuesit shqiptarë në atë kohë dhe sot. Si adhurues i lirisë dhe i demokracisë amerikane, por edhe si nacionalist dhe demorkat i përkushtuar, me këto libra, Xhevati tregon edhe respektin e tij për vlerat e këtyre dy udhëheqësve historikë të Amerikës, kampionë të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, jo vetëm për Amerikën – ku sot e kësaj dite konsiderohen nga amerikanët si presidentët më të mirë të këtij vendi, por të admiruar edhe anë e mbanë botës.

Ja pra, jemi këtu për të folur edhe për veprën e prpmovuar sot të Xhevatit, libri Linkoln. Presidenti Linkoln. Për të gjithë kohërat, Presidenti Linkoln bën thirrje, jo vetëm Amerikës, pore dhe mbarë botës — që të ri-dedikohemi punës së pakryer që mbetet për tu bërë – duke bashkuar të gjitha forcat, për të siguruar se “qeveria e popullit, nga populli e për popullin” do të vazhdojë së funksionuari, anë e mbanë botës.

Sipas Xhevat Kallajxhiut, “Lincolni mbrojti gjithnjë, në jetën e tij, me vetëmohim kauzën e lirisë. Foli për të me vendosmëri dhe besim të thellë. Ai që flet për liri në një mënyrë të tillë, flet për të gjitha kohët dhe për të gjithë njerëzimin. Ai tha në një rast këto: “Përpjekja për liri duhet të vazhdojë gjithnjë. Kauza e lirisë nuk duhet të marrë fund në mbarimin e një viti ose në mbarimin e një shekulli. Në të drejtën e tyre për të jetuar të lirë e të lumtur, të gjitha racat janë të barabarta. Zemra njerëzore është me ne… Perëndia është me ne… Gjithë njerëzimi duhet të jetë i lirë”. Këto dhe shumë fjalë të tjera të skalitura të Lincolnit drejtuar ndërgjegjes së njerëzimit, frymëzojnë kurdoherë shpirtrat e miliona vetëve për të luftuar me guxim çdo formë të tiranisë”, shkruan ndër të tjera autori.

Presidenti Linkoln udhëhoqi Shtetet e Bashkuara gjatë Luftës Civile midis shteteve të veriut e shteteve të jugut, (Prill 12, 1861 –Maj 26, 1865), e që ishte kriza më serioze në historinë e Amerikës. Presidenti Linkoln i dha fund skllavërisë dhe luftës civile dhe në të njëjtën kohë ruajti bashkimin e vendit dhe i tregoi botës se demokracia mund dhe duhet të përbëjë një formë qeverisje të përhershme. Me një rast kur foli për demokraci, ai pat thënë se, “Unë nuk dua të jem as skllav e as pronar skllevërish”. Kjo deklaratë pasqyron qëndrimin e Linkolnit, jo vetëm karshi skllavërisë fizike, por edhe ndaj asaj politike dhe shpirtërore. “Kjo shpreh idenë time të demokracisë. Çdo gjë tjetër ndryshe nga kjo, nuk është demokraci”, ka thënë ai. Dhe me një rast tjetër, ai është shprehur se, “Duke u dhënë lirinë atyre që janë skllevër, ne sigurojmë edhe lirinë e atyre që janë të lirë”.

Gjatë inaugurimit të tij të dytë si president, Linkolni ka ri-theksuar qëndrimin e vet kundër skllavërisë duke thënë; “Armiqësi kundër askujt, mirësi ndaj të gjithëve…”. Këto fjalë të Linkolnit, sipas Xhevat Kallajxhiut, autor i librit mbi jetën e Presidentit Linkoln – “nxorën në dritë edhe një njeri të zhveshur nga pasionet politike, një njeri të lirë në trup e në shpirt, vëllain e të gjithëve, i cili si president, qëndroi mbi partitë dhe grupet e interesit dhe që foli si një përfaqësues i vërtetë i gjithë kombit. Prandaj në ditët tona”, ka shkruar Xhevati në librin e tij kushtuar Linkolnit, “Kur urrejtja, smira dhe hakmarrja, duket se janë të vetmet ndjenja që e shtyjnë njeriun të veprojë, figura dhe jeta e këtij amerikani të madh shëndrit magjishëm”, ka shkruar autori.

Përsëri sipas Xhevatit, “për Linkolnin përdoret gjithnjë nofka “i ndershmi Abe” (Abraham), të cilën ai e fitoi prej drejtësisë dhe ndershmërisë së tij. Në librin e tij, Kallajxhiu vë në dukje gjithashtu se Linkolni, “kurrë nuk përdori mashtrimin si mjet për të arritur qëllimet e veta dhe nuk tradhtoi kurrë idealet, në funksion të përfitimit politik. Në librin e tij për jetën e Presidentit Linkoln, Xhevati thotë se Linkolni gjatë gjithë jetës, mbrojti të varfëritë e të nëpërkëmburit dhe me kurajo e vendosmëri mbrojti dhe vuri kushtet për, “respektimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht nga raca, gjuha apo feja”.

Këtë libër Xhevati ia kishte kushtuar: “Teqesë Bektashiane Shqiptare në Detroit, e para në Shtetet e Bashkuara, për kujtim dhe nderim të veprimtarisë së ndritur kombëtare që zhvilloi në Shqipëri dhe të shërbimit të shquar njerëzor që bën në Amerikë, këtë vepër modeste ia kushtoj me admirim”. Xhevat Kallajxhi.

Libri “Linkoln”, në të vërtetë, kishte bërë bujë në diasporën shqiptare të asaj kohe – jo vetëm në Amerikë por edhe në Evropë. Revista Shejzat e Ernest Koliqit (Viti 6, nr. 5-6, vitit 1962) ka botuar një artikull vlerësues të shkrimtarit e albanologut të njohur të asaj kohe dhe sot, Karl Gurakuqit, i cili në shkrimin e tij për librin “Linkolni”, Kallajxhiut shkruante: “Veçanërisht, lipset t’ia dijmë për nder Xhevat Kallajxhiut që na lëshoi në dorë një libër nga i cili mund të nxjerrim njoftime të mjafta mbi një ndër fytyrat ma të ndritura të historisë amerikane, por edhe ndër ma të rrallat e botës, sikurse është Abraham Linkolni”. Gurakuqi vazhdon vlerësimin e tij të librit, Linkolni, duke thenë se, “Faqet e librit të Kallajxhiu na japin një panoramë të virtyteve që e kanë stolisë këtë bir të Amerikës demokrate, virtyte që i shohim, sidomos, kur populli e zgjodhi si president të Republikës së hyllëzueme. Në të vërejmë burrin e urtë të shtetit, aty shohim zotësinë e tij të qeverisjes. Prekim me dorë aftësinë për të tërhjekur turmat popullore, pse dijti me u dalë zot të dobëvet dhe të mjeruemve. Mësojmë se Linkolni vet kishte besim në Perendinë e në provaninë e Tij, pa dashjen e të cilit kurrgja nuk ndodh mbi tokë. “Kâ nji Perendi”, janë fjalët e Lincoln-it dhe, “Ai e urren padrejtësinë, mëninë e skllavëninë..” ka shkruar Karl Gurakuqi në revistën “Shejzat” të vitit 1962 duke vlerësuar librin e Xhevat Kallajxhiut.

Ata që u mohojnë lirinë të tjervet nuk e meritojnë lirinë për vete dhe drejtësija e Zotit nuk do t’i lejojë të sundojnë për të gjatë kohë. “Prej faqeve të monografisë së Kallajxhiu del në dritë se parimet e Lincolnit në qeverisjen e vendit kanë qenë liria, drejtësia e demokracia, për të cilat sot më fort se kurrë kâ nevojë bota për të gjetë peshimin e vet të tronditur nga sistemet diktatoriale absolute. Libri i Xhevat Kallajxhiut lexohet me ândje si nji roman, si nji histori pâ pretendime të mëdha, vazhdon Gurakuqi. “Gjuha e përdorun âshtë ajo shqipja e thjeshtë, e pastër, e rrjedhëshme, që na tingllon në veshë prej shumë kohësh. Kallajxhiu nuk âsht i panjoftun në qarqet intelektuale shqiptare: cilido prej nesh emënin e Xhevatit e kâ ndigjue tash e parë. Duke lexuar librin e tij na del Xhevati i viteve kür ai me shkrimet e veta të urta e të matuna, zbukuronte faqet e fletores “Demokratija”, të Gjinokastrës, i së cilës ishte drejtor. Ndoshta Xhevat Kallajxhiu do të na gëzojë me ndonji botim tjetër, pse, si po ndigjojmë, kâ shumë shënime mbi ngjarjet e kohës që i paraprînë katastrofës së vjetit 1944”, ka shkruar ndër të tjera, në revistën Shejzat e Ernest Koliqit, Karl Gurakuqi në vlerësimin e tij të librit “Linkolni”, të autorit Xhevat Kallajxhi.

Po i përfundoj këto fjalë modeste për një burrë të madh – me vlerësimet e një personaliteti gjithashtu të madh të letrave shqipe, siç është Karl Gurakuqi, para pothuaj 65-viteve dhe me fjalët e autorit të librit Linkoln, Xhevat Kallajxhiu, i cili citon Linkolnin të ketë thenë: “Me besim të thellë ndaj Zotit dhe me ndërgjegje të pastër ndaj veprës së Tij njerëzore, Linkolni deklaroi një herë se, “Do ta mbronte të vërtetën dhe të drejtën deri në vdekje”. Dhe e mbrojti. Nuk u ndal dhe nuk u tremb kurrë. Linkolni e kishte theksuar qartë se shoqëritë lartësohen vetëm duke u njohur të gjithë pjesëtarëve të drejtat e barabarta.” Ky është mesazhi i Linkolnit sot edhe për shqiptarët kudo,që përcillet nepëmjet librit “Linkolni”, të autorit Xhevat Kallajxhi: Mos u trembni nga e vërteta!

Falënderimet e mia të gjithë juve për durimin dhe vëmendjen!

blank

blank

Xhevat Kallajxhi, autor e gazetar – ish-Redaktor në Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe — Kryeredaktor i gazetës më të vjetër në ekzistencë, gazetës Dielli, organ i Federatës Pan-Shqiptare Vatra – dhe drejtor i gazetës “Demokracia” në Gjirokastër, para Luftës së Dytë Botërore.

blank

Udhëheqsi i Qendrës Bektashiane, Shqiptaro-Amerikane në Detroit të Shteteve të Bashkuara, i Nderuari Eliton Baba Pashaj duke folur në Vatër, 3 Dhjetor, 2022

blank

Autori me të udhëheqsin bektashian në Amerikë, të Përndershmin Eliton Baba Pashaj në Vatër duke kujtuar shqiptarin e madh Xhevat Kallajxhiun dhe Presidentin Abraham Lincoln, ndër më të mëdhejt e Shteteve të Bashkuara — në kuadër të 100-vjetorit të marrëdhënieve amerikano-shqiptare

blank

Autori në Vatër, duke kujtuar bashkpunimin me Xhevat Kallajxhiun në Zërin e Amerikës (3 Dhjetor, 2022)

blank

IBRAHIM RUGOVA NË SYTË E AMERIKANËVE: “MIK I MADH I SHTETEVE TË BASHKUARA, I RESPEKTUAR BOTËRISHT PËR PARIMET E TIJA”– Xhorxh Bush i Vjetër –“HERO KOMBËTAR, MADHËSHT0R E MENDJEMPREHTË”, Xho Bajdën Nga Frank Shkreli

 

Kujtojmë Dr. Ibrahim Rugovën, Presidentin historik të Republikës së Kosovës me rastin e ditëlindjes së tij (2 Dhjetor, 1944). Dr. Rugova për Shtetet e Bashkuara: “Zoti e bekoftë Amerikën”, dhe në “Miqësi të përherëshme me Shtetet e Bashkuara”.  Edhe pass kaq vitesh, respekti i Amerikës për Dr Ibrahim Rugovën nuk ka vdekur dhe marrëdhëniet e tija me Amerikën janë përjetësuar tanimë në historinë e marrëdhënieve, në miqësi të përhershme, ndër më të fortat në bot midis dy vendeve, ashtu siç i dëshironte ai atël marrëdhënie midis dy kombeve tona.

Unë jam i besimit, në këtë përvjetor të lindjes së tij, se edhe në radhët e shqiptarëve të Kosovës dhe të mbarë Kombit shqiptar, Ibrahim Rugova vazhdon të lëshojë dritë përherë e më tepër për brezat, duke lulëzuar e duke dhënë fryte agimesh të reja e fatlume për Kosovën dhe për mbarë Kombin shqiptar – ashtu siç i ka hije një udhërrëfyesi historik të një Kombi të vjetër e krenar edhe pas shkuarjes së tij në amshim.

Në kujtim të kësaj ditëlindje (2 dhjetor, 2022) të Presidentit historik të Republikës së Kosovës dhe të këtij atdhetari të madh të Kombit,
e kujtojmë atë si një udhëheqës ndryshe, si një udhëheqës i cili nuk humbi asnjëherë rrugën drejtë pavarësisë së Kosovës dhe realizimit të objektivave kombëtare. E kujtojmë atë sot si udhërrëfyesin e Kombit!  E kujtojmë si një dritë në terrin e viteve të kalvarit të Kosovës – kur për të dhe për bashkpuntorët e tij të ngushtë, ishte shumë lehtë që ai humbiste shpresat dhe guximin, duke marrë parasysh vranësitë ndër më të errëta, fizike dhe shpirtërore që kishin mbuluar ndonjëherë hapësirën dhe jetën kombëtare të shqiptarëve të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, e të cilët ndjeknin me mërzi tepër të madhe dhe me vuajtje shpirtërore kalvarin nepër të cilin po kalonte Kosova gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar.

Fatkeqësisht, Presidenti Rugova iku nga kjo botë tepër heret, atëherë kur Kosova dhe Kombi kishin më së shumti nevojë për të, për një njeri si ai, por edhe për një hov të pashterrshëm të ndjenjave për atdhedashuri të sinqert. Për një zëdhënës dhe për një përfaqsues autentik të vlerave stërgjyshore kombëtare, pro-perendimore të shqiptarëve– pas një periudhe të zezë sllavo-komuniste që përçudnoi Kombin shqiptar për një gjysëm shekulli, një frymë internacionaste e bazuar në ideologjinë sllavo- komuniste-aziatike, e cila zbatoi brutalisht për një gjysëm shekulli, si parim kryesor, shlyerjen – pikërisht — të këtyre vlerave kombëtare në të cilat besonte Ibrahim Rugova dhe të identitetit historik kombëtar të shqiptarëve – pasojat e të cilës, për fat të keq Kombi shqiptar po i ndjenë edhe sot, në formën më brutale, ndryshe nga çdo shoqëri tjetër ish-komuniste në Evropë.

Çdo popull që përmendet sot me lavdi dhe nderim në suazën e kombësive të qytetëruara botërore, kanë hyrë në këtë rreth – heret ose vonë – me prijës e zëdhënës në krye, si Ibrahim Rugova për shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë Kombin. Kujtojmë në këtë ditëlindje të këtij burri të madh të Kombit, i cili gjatë jetës dhe veprimtarisë së tij bëri aq shumë miqë për Kosovën dhe për shqiptarët — në nivelin ndërkombëtar. Njëkohësisht, urojmë dhe lutemi që vlerat e tija arbërore, njerzore, morale dhe atdhetare të bëhen shtylla themeltare të historisë së tashme dhe të ardhme të Kombit shqiptar. Ashtuqë më në fund edhe shqiptarët, si ruajtës dhe mbrojtës të vlerave të përbashkëta me botën e qytetëruar perëndimore të radhitën me kombet e një bote më të mirë, më të drejtë dhe më të përsosur, për të mirën e përbashkët të të gjithë njerëzimit.

blank

Takimi i fundit i autorit me Presidentin e Republikës së Kosovës, 2005 në Zyrën e Presidentit në Prishtinë – I Përjetëshëm qoftë kujtimi i tij —

blank

Dhuna në familje (vrasja e grave) shikohet nën dritën e ndërtimeve kulturore të gjinisë- Nga Aurel Dasareti*

Dhuna në marrëdhëniet e ngushta, dhuna nga partneri ose dhuna në familje prek gratë dhe burrat. Autori i dhunës mund të jetë partneri juaj, fëmijët tuaj të rritur ose prindërit tuaj. Të dy gjinitë mund të jenë kryerës të veprimeve të tilla. Femrat në më shumë raste ekspozohen më shpesh se meshkujt. Kjo vlen për dhunën e përsëritur, serioze dhe abuzimin seksual nga partneri.
***
Shumë njerëz jetojnë në marrëdhënie abuzive. Shumë gjithashtu përjetojnë dhunë dhe kërcënime në familje ose në marrëdhënie të tjera të ngushta. A jeni i ekspozuar ndaj dhunës, kërcënimeve apo detyrimit? Apo dyshoni se të tjerët janë në rrezik? Atëherë lexojeni këtë letër, ndoshta t’ju ndihmojë pak.
Cili është dënimi për dhunën në familje?
Paragrafi përkatës (i çdo vendi demokratik) trajton abuzimin në marrëdhënie të ngushta ose të ashtuquajturën dhunë në familje, dhe për rrjedhojë është një dispozitë shumë e rëndësishme në Kodin Penal. Dënimi për abuzim në marrëdhënie të ngushta është me shumë vite burgim.
Çfarë është dhuna në familje?
Dhuna në marrëdhënie të ngushta përfshin forma të ndryshme të dhunës dhe abuzimit ndërmjet anëtarëve aktualë dhe të mëparshëm të familjes, si dhe përfshin edhe fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës. Kontrolli negativ social, martesa e detyruar dhe gjymtimi i organeve gjenitale gjithashtu bien nën këtë term.
Çfarë konsiderohet dhunë në familje?
Në nenin (e vendit përkatës) të Kodit Penal, abuzimi në marrëdhënie të ngushta: marrëdhëniet e ngushta përkufizohen si: bashkëshorti aktual ose ish-bashkëshorti ose bashkëjetuesi, i afërmi aktual, dikush në familjen ose dikush në kujdesin e tyre.
Si të ndihmoni dikë me dhunë në familje?
Nëse keni frikë se dikush është në rrezik të menjëhershëm, telefononi në numrin e urgjencës së policisë përkatëse etj. Mund të kontaktoni në mënyrë anonime nëse dëshironi. Policia mund të ofrojë informacione dhe këshilla, si dhe të sigurojë kontakte me shërbime të tjera të ndihmës dhe trajtimit.
A mund të merrni ÇSPT nga dhuna psikologjike?
Për më tepër, efekti i dhunës në shëndetin mendor mund të zgjasë për disa vite pasi dhuna ka pushuar dhe problemet shëndetësore rriten sa më shumë incidente të përjetohen. Çrregullimet mendore më të zakonshme që vijnë nga dhuna e partnerit janë depresioni, ankthi dhe çrregullimi i stresit post-traumatik
Sa kohë më pas mund të raportoni dhunën?
Nuk ka afat për raportimin e veprave penale. Ju gjithmonë mund ta bëni këtë.
Çfarë e karakterizon dhunën psikologjike?
Dhuna psikologjike është kur dikush përdor zërin, gjuhën e trupit dhe fjalët në një mënyrë që ofendon, dëmton, kërcënon dhe kontrollon të tjerët. Ata që janë të ekspozuar ndaj dhunës psikologjike shpesh ndiejnë faj, turp, frikë, pasiguri, trishtim dhe inferioritet. Dhuna psikologjike nuk lë gjurmë fizike ashtu siç mundet dhuna fizike.
Kur babai është i dhunshëm?
Duhet ta raportoni – si në polici ashtu edhe në mbrojtjen e fëmijëve. Shërbimet e mirëqenies së fëmijëve përfshihen nëse kontaktoni policinë dhe anasjelltas. Ju nuk duhet të përjetoni një ndjenjë të tillë dhe babai juaj duhet të marrë ndihmë për t’u bërë baba. Është e rëndësishme që shërbimi për mbrojtjen e fëmijëve të dijë se si po ia kaloni, pasi janë ata që mund t’ju ndihmojnë dhe t’ju mbrojnë më së miri.
Si e dini nëse jeni duke iu nënshtruar dhunës psikologjike?
Shenjat e dhunës psikologjike:
Duhet të bëni përpjekje që partneri juaj të mos bëhet xheloz.
Partneri juaj po përpiqet të kontrollojë me kë kaloni kohën tuaj.
Partnerit juaj nuk i pëlqejnë miqtë tuaj.
Partneri juaj nuk ju beson kur flisni për vendin ku keni qenë.
Partneri juaj ankohet se kaloni shumë kohë me njerëzit e tjerë.
Ku është kufiri i dhunës?
Dhuna është një veprim i drejtuar kundër një personi tjetër. Nëse dikush ndjen zemërim, i cili është një emocion, brenda vetes, kjo nuk është dhunë. Nëse e ndjeni veten duke u zemëruar aq shumë sa që vraponi në pyll dhe goditni një pemë, kjo nuk është dhunë, por agresion.
Çfarë është dhuna e rëndë?
Na pëlqen të bëjmë dallimin midis dhunës fizike të rëndë dhe asaj më pak të rëndë. Dhuna e rëndë: Me dhunë të rëndë nënkuptojmë, për shembull, goditjen me grusht ose sende, goditjen me shkelma ose rrahjen.
Çfarë bëni kur jeni të kërcënuar?
Kushdo që është i ekspozuar ndaj kërcënimeve dhe dhunës duhet të kontaktojë policinë e tyre lokale dhe të kërkojë të flasë me dikë që punon me njerëz të ekspozuar ndaj kërcënimeve. Policia mund të marrë masat e nevojshme pas një vlerësimi konkret të situatës.
Çfarë është abuzimi emocional?
Dhuna psikologjike, e quajtur edhe terror psikologjik ose dhunë emocionale, sipas një përkufizimi të gjerë, mund të përfshijë të gjitha mënyrat e dëmtimit, frikësimit ose ofendimit të dikujt, por që nuk janë drejtpërdrejt të natyrës fizike. Pikërisht se ku janë kufijtë do të ndryshojë në rastin individual dhe është e vështirë të jepet një përgjigje e saktë.
Çfarë është neglizhencë emocionale (dështim i kujdesit emocional)?
Përfshin mungesën e dashurisë, sigurisë, dashurisë, mbështetjes emocionale ose ndihmës psikologjike kur është e nevojshme. Fakti që fëmijët vëzhgojnë dhunë në marrëdhëniet me partnerin (midis prindërve) perceptohet gjithashtu si një lloj neglizhence.
Çfarë është dhuna pasive?
Dhuna pasive ose qëndrimet pasive-agresive janë rezultat i paaftësisë për të zgjidhur konfliktet me autoritet, në një ose më shumë nga manifestimet e ndryshme të tij, ose një situatë të pafavorshme. Është një ndjenjë pafuqie ose pambrojtjeje që bëhet dorëheqje.
Çfarë është kujdesi i dobët?
Dështimi i kujdesit është kur nuk plotësohen nevojat fizike, psikologjike ose emocionale të fëmijës dhe fëmija nuk merr kujdesin dhe mbrojtjen që i nevojitet në shtëpi.
Çfarë u bën dhuna fëmijëve?
Fëmijët dhe të rinjtë që kanë përjetuar dhunë raportojnë probleme të shëndetit mendor si ankthi dhe depresioni, dhimbje koke, të përziera dhe dhimbje në trup. Ata gjithashtu kanë mungesë të shkollës së lartë, më shumë vështirësi për të fjetur dhe janë më pak të kënaqur me jetën e tyre sesa fëmijët dhe të rinjtë që nuk kanë përjetuar dhunë.
Çfarë bëni kur fëmijët nuk dëgjojnë?
Këshilla të mira për dëgjim të mirë:
⦁ Vëzhgoni dhe njihni ndjenjat e fëmijës. Mundohuni të dalloni dhe ndani emocionet e fëmijës, si zemërimi, trishtimi dhe gëzimi.
⦁ Ndani ndjenjat tuaja nga ato të fëmijës. Mundohuni të bëni dallimin midis ndjenjave tuaja dhe ndjenjave të fëmijës suaj.
⦁ Dëgjoni atë që thotë fëmija.
Për t’i mësuar fëmijët të dëgjojnë siç duhet, ne të rriturit duhet së pari të mësojmë të dëgjojmë më mirë vetë. Në këtë mënyrë ne mund t’i tregojmë fëmijës se si të dëgjojë.
***
PS: Dëgjova se një kriminel i fëlliqët me emrin sokol halili e masakroi bashkëshorten e tij Hamide Magashi, si dhe foshnjën e saj që nuk kishte lindur. Përveç dhimbjeve të tmerrshme që ndjejmë për viktimat në këso vrasjesh barbare që ndodhin shumë te shqiptarët, armiqtë e kombit tonë i përdorin edhe këto tragjedi që t`i tregojnë botës se ne (shqiptarët e trojeve dhe diasporës) nuk jemi të kulturuar, jemi të egër, nuk kemi edukim-kulturë familjare, nuk respektojmë femrat…
Edhe ky rast më la shumë përshtypje, prandaj në shpejtësi e shkrova këtë letër të përgjithshme për dhunën në familje…sa (ndoshta) për të kontribuar pak…

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

blank

Shqetësimi më bën të thërras përsëri: U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të imitojnë serbët e Mitrovicës – Nga SHABAN MURATI

U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që, nëse duan të kenë të drejtat supermaksimale si minoritet që ia mbledh qeverisë qendrore dhe institucioneve të shtetit, duhet të imitojnë çfarë bën minoriteti serb në Veri të Kosovës. Minoriteti serb ka ligjëruar vetë të drejtën e paprekëshme të veprimtarisë së lirë kolektive të krimit të organizuar dhe të kontrabandës së organizuar, ka ligjëruar vetë të drejtën e ndalim-hyrjes për ministrat, policinë dhe ushtrinë e shtetit të Kosovës. Ka fituar të drejtën e çuditëshme specifike serbe, të cilën nuk e ka dhe nuk mund ta ketë asnjë minoritet në asnjë shtet ligjor dhe demokratik të botës, që nuk paguan as për energji dhe as për ujin, që harxhon sa i don qejfi. Me këto mënyra ka fituar mbrojtjen e ministrit të jashtëm të BE, Borrell, i cili ngrihet në mes të natës nga gjumi, nëse një mizë nga Prishtina prish sovranitetin e shpallur dhe të pashpallur të minoritetit serb në Veri.
U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës se duhet të imitojnë minoritetin serb në Veri të Kosovës dhe të bëjnë gjurulldira çdo muaj, që të kujtohet BE, KE dhe OSBE se ka një minoritet shqiptar autokton në Jug të Serbisë, që nuk gëzon as të njëqintën e të drejtave, që shkruhen në konventat europiane për minoritetet, e jo më të ëndërrojë ndonjë të drejtë të barabartë me minoritetin serb në Veri të Kosovës.
U thoni të bëjnë rrëmuja dhe të bllokojnë rrugët kombëtare si t’u ngrihet qejfi dhe të ndjekin modelin serb të djegies së ndërtesave kufitare dhe zyrave doganore e policore siç bëjnë serbët e Mitrovicës, dhe do të kenë mbrojtjen e BE, e cila do t’u thotë siç u thotë tani “përmbahuni” të dy palëve, edhe bandave serbe që djegin dhe sulmojnë shtetin dhe ligjin, edhe policisë së shtetit, që mbron rendin dhe ligjin. Ju kujtohet se sa shpejt e harroi BE që në dhjetorin e 2011 bandat serbe të Veriut të Kosovës dogjën e shkatërruan ndërtesat kufitare e doganore në kufi dhe plagosën 30 ushtarë gjermanë të KFOR-it dhe nuk u hyri gjemb në këmbë dhe nuk u dënua asnjë bandit serb.
U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës të imitojnë minoritetin serb të Veriut të Kosovës, se ndoshta ashtu do të detyrojnë diplomacinë e Kosovës, që ka 10 vjet që dëgjon në tryezën e dialogut në Bruksel nga BE vetëm “hallet e mëdha” të minoritetit të përkëdhelur serb dhe të drejtën e tij specifike për “republikë serbe” në Veri të Kosovës, dhe kurrë nuk ka folur për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Ndoshta metoda serbe e ndjekur nga shqiptarë do të bëjë që diplomacia e Kosovës të kujtohet që për reciprocitet në dialog duhet të kërkojë për shqiptarët e Luginës së Preshevës të njejtat “asosiacione apo autonomi administrativo-territoriale”, që Beogradi kërkon në çdo takim të Brukselit për serbët e Mitrovicës.
Ndoshta kujtohet edhe ndonjë qeveri apo kryeministër i Shqipërisë, që në vitin 2013 para erës sonë, kur shpalli në parlament programin e qeverisë së re, u zotua se do t’i ketë prioritet dhe do të kërkojë të njejtat të drejta për shqiptarët e Luginës së Preshevës si për serbët e Mitrovicës. Në fjalimin e mbajtur në 13 shtator 2013 në parlamentin e Kosovës kryeministri i ri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi solemnisht: ”Përse të mos bëhen të drejtat e pacënuara dhe mirëqenia në Luginën e Preshevës dhe në Veriun e Kosovës lajtmotivi i epokës së re?”.
Duke qenë se kanë kaluar mbi dymijë vjet nga ky zotim qeveritar e ka harruar, por ndoshta po të veprojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës si serbët e Mitrovicës mund të detyrohen arkeologët diplomatikë të qeverisë në Tiranë t’i rihapin shtëllungat e rërës, ku kanë shkruar programin qeveritar të vitit 2013 për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Mendimi i këshilltarëve jugosllave të qeverisë së Tiranës është se qeveria nuk i ka harruar zotimet e vitit 2013 para erës sonë, por ato nuk janë më aktuale, sepse qeveria ka zbuluar tani se këto të drejta të shqiptarëve të Luginës së Preshevës do të realizohen plotësisht në “Ballkanin e hapur” të presidentit serb Vuçiç.
Sidoqoftë, bëni mirë t’u thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të imitojnë dhe të veprojnë si serbët e Mitrovicës. Diplomacia europiane lëviz dhe vepron vetëm kur plasin ujrat.
Shkruar më 14.10.2021
blank

SHQIPNIA ASHT SI OBORRI I PILATIT- Nga Fritz RADOVANI

Si sot na ushton ndër veshë zani i përbindshit të Shtetit Shqiptar, thirrjet e virrmat e fjalimit programatik të 6 Shkurtit 1967, të pasueme me brohoritje e duartrokitje nga turma e kriminelëve gjakatarë, komunistë e spijunë të Sigurimit të Shtetit, në shpalljen ma të turpëshme të Shekullit XX, në Atdheun e Skenderbeut, Dedë Gjo’Lulit, Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Isa Boletinit e Nanë Terezës, mu në zemër t’Evropës: “Shqipëria është Shtet ateist” (Art. 37 e 55 i Kushtetutës së Re: “Shteti nuk njeh më asnjë fe.”).

Asnjë nga pushtuesit e huaj me shekuj të tanë, nuk kanë kërkue me zhburrnue Malët dhe me çveshë nga morali fushat, ashtu si vëproi për gjysëm shekulli okupacioni komunist e terrorist në Shqipni. “Të djegim me zjarr…” ligjët e zakonet e një Populli, nga Vermoshi e deri në Himarë e Konispol, të djersitim me gjak shtyllat e Butrintit plak, apo të përdhosim me turp e marre lavdinë e Apolonisë e Krujës heroike, e të mos kursejmë asgja për me formue “ate njeriun e rinj”, arritja ma e shëmtueme e njeriut të depersonalizuem nga tiparët fisnike, burrnore e bujare të Shqiptarit: Këta ishin e janë edhe sot pikësynimi i atij “Revulucioni Ideologjik Kultural”.

“Kryqëzonje, kryqëzonje…!”, ishte thirrja e diktatorëve ma të mënershëm të historisë sonë kombëtare! Vritni, vritni, burgosni, interrnoni, terrorizoni, frikësoni, përdhunoni, çnderoni, spijunoni, shpifni, servijoni, mashtroni, propagandoni, poshtnoni, zhdukni, torturoni e masakroni deri në vdekje dhe, “nëse ju mbetë kush në tortura, nuk do të mbani asnjë përgjegjësi penale.”, kështu, udhëzonte Gjykata e Lartë Ushtarake e Republikës së Shqipnisë komuniste me një shkresë të veçantë, që i dërgon hetuesve të Klerit Katolik Shqiptar në 1967. (Dosja Nr. 2291, Arkivi Min.Mbrendshme).

Dyertë e Kishave e të Xhamive mbulohën nga “Fletë Rrufe”. Mbyllet edhe Kathedralia njëqind e sa vjeçare e Shkodres. Përdhunohën dhe varrezat e Kishave dhe tretën në lumin Drinazë eshtnat e klerikëve atdhetarë të varrosun. Shkatërrohën me kulm e thëmel Kisha Monumentale e Shek. XIII e Vaut të Dejës, ajo e Zojës Këshillit të Mirë pranë Kalasë “Rozafat”, Xhamija e Parrucës, Kisha e Jezuitëve etj. Plaçkitën Kisha e Xhamija dhe përvetësohën edhe ata pak libra e vepra arti të mbetuna nga vjedhjet e maparëshme, fillue që nga viti 1945 nga baballarët e hajdutve të sotem.
“Duhej luftue e zhdukë pamëshirë Kleri Katolik Shqiptar”, i cili mbas vitit 1944, ishte i vetmi që ka luajtë rolin e opozitës demokratike kundrejt dhunuesve të të drejtave dhe lirive njerëzore.
Arestohet i pari At Gegë Luma (ashtusi në janar të vitit 1945) e, mbas Tij, Don Mark Hasi, At Pjetër Mëshkalla, Don Frano Illija etj. Terrori dhe ankthi mbizotnojnë kudo, por ato mbledhje që organizohën ndër lagjet e qytetit e zyrat e kooperativave të fshatrave, janë mjeti ma i mënerëshëm për me prangue e skllavnue një popull të tanë e të pafajshëm.

Qendrimi heroik i Atyne Martirëve që kanë mbajtë ndër këto mbledhje, mund të thohët pa ndrojtje, se i ngriti Ata në piedestalin e Heronjve të Kombit dhe të Kishës Katolike Shqiptare. As nuk u trembën, as nuk u tronditën, as nuk u thyen, por fituen Lavdinë e meritueme e të përjetëshme:
At Pjetër Mëshkalla, At Gëgë Luma, At Frano Kiri, At Mark Harapi, Imzot Ernesto Çoba, Don Mark Hasi, At Gjergj Vata, Don Ndue Soku, Don Injac Gjoka, Don Marin Shkurti, Don Mikel Beltoja, Don Frano Illija, Don Shtjefen Kurti, Don Nikoll Mazrreku, Don Ndoc Ndoja, Don Pjetër Gruda, Don Nikoll Gjini, At Filip Mazrreku, Don Pashko Muzhani, etj. etj.

Ata u ndodhën para bishave t’egra me kokë njeriu si: Ever Hoxha, Mehmet Shehu, Haxhi Lleshi, Ramiz Alia, Kadri Hazbiu, Feqor Shehu, Nevzat Haznedari, Koço Josifi, Ali Xhunga, Aranit Çela, Dhimitër Andoni, Elham Xhika, Xheudet Miloti, Iljaz Haxhi, Ilo Papa, Shyqyri Qoku, Shkelzen Bajraktari, Dhimitër Shkodrani, Jake Tefiku, Lefter Goga, Shuajp Panariti, Faik Minarolli etj. etj. për të cilët “dyert” e Nurembergut e të Hagës janë të kyçuna, se nuk ka asnjë kod penal që mund të lajnë atë që kanë ba këto kobra katile, tue u zhytë deri në fyt në gjakun e viktimave të pafajshme.
Nuk do të përshkruej imtësi rreth luftës kundër qytetnimit evropjan, as kundër elementit katolik në veçansi, mbasi kur të lexoni këte letër që po botoj besoj se, asht e mjaftueshme me kuptue çka bahej në Shkoder, para dhe mbas vitëve 1967, tue fillue nga Nandorii 1944:

Kryetarit të Këshillit të Ministrave
Mehmet Shehu
Tiranë
Shkëlqesë,
Pardje, me 3-IV-1967, ora 19, pjesa ma e madhe e klerikëve katolikë që gjendët sot në Shkodër, kjemë thirrë në Sallën e Kandit të Kuq të Komitetit Ekzekutiv. Na u komunikue, ndër tjera, se do të denonconim gjithëshka kishim, me përjashtim të teshave personale të domosdoshme të veshjës dhe të fjetjës, pse të tjerat të gjitha ishin të popullit dhe popullit duhët ti këthehën; dhe se nuk do t’ushtronim asnjë sherbim fetar, as edhe privatisht: Këte e ka vendosë populli.
Mendova të drejtohem me këte letër Shkëlqesës s’Uej, për me i çfaqë mendimin tim, jo ndryshej, por si njeriu njeriut.
Sa për libra të mij, gjana kishtare etj. le të vinë e ti marrin kur të duen: nuk asht e para herë që unë dal në rrugë të madhe.
Por, unë dëshroj të çfaqë disa mendime në përgjithësi: Dorëshkrimet janë pronë e shenjtë dhe e paprekëshme e Autorit, në mos i dorëzoftë ai vetë e në mos kjofshin kundra Sigurimit të Shtetit.
Sa për pasuni të tjera, as bujarija e burrënija e popullit, as ligji natural ma elementar nuk e pranon që një gja që asht falun njëherë njaj përsoni o njaj enti të caktuem, të kërkohët rishtas prej dhuruesit si gja e tija. Spekullimet e shpërdorimet goditën.
Dhe, e vërteta asht se populli, pothuejse në çdo vend e ka përcjellë priftin e vet (të mirë o të dobtë) me vajë, si përfaqësuesin e fesë së vet.
Një hije e zezë ka ra mbi popull kur ka pa tue u mbyllë Kishat, tue u rrëzue kumbonarët e sidomos tue u lejue të viheshin në lojë përsonat dhe gjanat fetare, tue fye kështu thellë ndjenjat kaq të shenjta të besimit.
Po atë efekt kanë ba fushatat e çfrenueme diskredituese antifetare zhvillue me të gjitha mjetët e propagandës. Si përgjigje, populli ka mbushë Kishat deri në çastin e mbylljes së tyne. Çë vlerë ka atëherë qendrimi i një pakice të pandërgjegjëshme o të frikësueme me lloj lloj presionesh?
Sidomos pjesa e friksueme me kërcnime, presione, premtime e pushime nga puna, pëson torturën ma të madhën, sepse e lidhun nga kafshata e bukës, shtërngohët me mohue me gojë atë që beson; dhe kështu fushata që po bahët synon me formue një brezni pa kurajo civile, pa burrëni, opurtuniste, servile, tue prishë karakterin e Shqiptarit në dam t’Atdheut. Njerëzit kane frikë m’u takue, m’u përshëndetë rrugës me miq që janë në sy o të “prekun”. E kush po di se cilët janë! –Flitët shumë për Inkuizicionin e sot 500 vjetëve, dhe jo fort objektivisht.
Po për këte të Shek. XX-të?
Vi tash tek unë. Unë vijën e tanë jetës sime nuk mund e ndryshoj, por do ta vazhdoj derisa të kemë frymë. Pengesa e jashtme e forcës madhore do të bajë në mue vetëm atë efekt që ban guri o dheu që pengon rrjedhën e ujit: Populli më njeh dhe e din mirë si kam shkri jetën për té.
Unë tham se, me këte luftë kundra fesë neve edhe po diskreditohemi faqe botës, së cilës i kemi dhanë premtime solemne për liritë dhe të drejtat njerëzore në Shqipni. Kur, në vj. 1945, në Tiranë, me 8 mars, unë, u takova me Juve, Shkëlqesë, se kishëm ndigjue prej komunistëve fjalët:
“Këte Kishë do ta bajmë kinema”; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”.
Me të vërtetë, as anmiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejt me u ba një propagandë ma anmiqësore në 22 vjetë, sa i keni ba vedit.
Nuk më ka shty me Ju shkrue Shkëlqesë, as urrejtja, as ambicioni, as interesi, por vetëm ndërgjegja, e vërteta dhe e mira.
Krytarit të Kësh. të Ministrave Me nderime
Mehmet Shehu Pjetër Meshkalla
në Kryeministri – Tiranë meshtar katolik i Shoqënisë Jezu.
5 Prillë 1967.

I nderuem lexues! Kjo letër i drejtohej kryekatilit Republikes së Shqipnisë.
Me të drejtë Prof. Arshi Pipa, shkruan për At Mëshkallen:
“Bir’ i rrebtë i një Nanës së ashpër!”.
“Revolucioni Kultural” në Shqipni, solli si pasojë, që nga 200 e pakë Klerikë Katolik, që ishin në vitin 1944, 67 u pushkatuen dhe u mbyten në hetuesi. 65 vuejtën gati 9 shekuj ndër burgje e kampe shfarosje. Gjithësejt provuen ferrin komunist 131 Meshtarë, dhe mbas 1985 në Shkoder u vrane 183 vetë.
Bijt’ e atyne kriminelave barbar sot qeverisin Shqipninë!
Kujtesa sot po detyron shpopullimin e Atdheut vorfnuem e të plaçkitun!
Ky asht “çlirimi” i Shqipnisë me 29 Nandor, n’ Oborrin e Pilatit Shqiptar!
E paturpësisht me 29 Nandor 2022, grupi i Ambasadorve të huej shkon me
perkujtue “diten e robnisë komuniste të popullit Shqiptar në vorreza?…”
Melbourne, 30 Nandor 2022.

blank

E KEQJA NGANJËHERË FITON Nga Frank Shkreli

 

“E keqja triumfon kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë”. “Gara nuk është ndërmjet nesh dhe atyre, por ndërmjet të mirës dhe të keqes, e nëse ata që do duhej të luftonin të keqen, i përvetësojnë rrugët e së keqes, atëherë fiton e keqja”. Thomas Xheferson

blank

Ja edhe sivjet, për herë të dytë, (There she goes again), Juri Kim e ambasadës amerikane në Tiranë uron “Ditën e Çilirimit të Shqipërisë me data 1944-2022. I bie 78-vjet Shqipëri e “çliruar”, e lirë, sipas saj, përfshir periudhën prej pothuaj 50-vjetësh nën regjimin e diktatorit komunist, Enver Hoxha. Të lumtë, zonja Kim po e tregon lëkurën e vërtetë se kush je.

Dua ta bëjë të qartë prej fillimit se nuk kam ndër mend të kapem me Yuri Kim dhe interpretimin e saj të historisë së Shqipërisë, as me “diplomatët”, majtisto-liberalo-bolshevikë evropianë që e shoqëruan atë sot në Varrezat e Kombit në Tiranë. Dëshiroj të theksoj edhe njëherë ashtu siç kam reaguar edhe vitin që kaloi, me këtë rast, ndaj deklaratës së saj dhe misionit të saj diplomatik në Tiranë për të paraqitur regjimin barbar komunist të Enver Hoxhës, në një dritë më të paranueshme se si e njeh historia. ‘Shpërthen’ Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime! | voal.ch  – “Më duhet të sqaroj që në fillim se këtu nuk bëhet fjalë për ata që luftuan për katër vjetë dhe që vdiqën në luftë për çlirimin e atdheut nga nazizmi e fashizmi, por për “çlirimin”, siç e quan përfaqsuesja Kim, që solli në pushtet një regjim komunist gjakatar, me në krye qoftëlargun, Enver Hoxhën.  Regjim i cili, përveç mijëra kundërshtarëve të tij ideologjikë, përfshirë familje të tëra, gra e fëmij e pleq — zhduku pa mëshirë edhe bashkpuntorët e vet më të ngushtë, për pothuaj një gjysëm shekulli. Ky “Çlirim”, në të vërtetë e këtheu Shqipërinë, për pothuaj 50-vjet, në një skenë krimi. E gjithë Shqipëria ishte një burg telash me gjemba. Respekt për të renët e luftës! Ata luftuan për lirinë e atdheut por jo për robërimin e shqiptarëve nga komunizmi ndërkombëtar sllavo-aziatik”, për pothuaj 50-vjetë.

Më thenë të drejtën unë kisha menduar se deklarata e Yuri Kim vitin që kalaoi, në këtë datë, mund të kishte qenë një gafë diplomatike nga ana e saj dhe se nuk do e përsëriste më, “përfaqsuesja e vlerave amerikane”, në Shqipëri. Edhe mund t’i falej, se edhe diplomatët gabojnë. Gabojnë rëndë, madje, si në këtë rast. Por kjo nuk ka të ndalur. Sivjet siç mund të shikohet nga fotot më poshtë – Zonja Kim, përveç urimit në facebook, ajo i prinë një delegacioni “diplomatësh” të huaj të pa identifikuar për ata që nuk i njohin, tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Ja deklarata e Yuri Kim:

“US Embassy 5h  · 
 | 1944-2022 | Shqipëria feston 78-vjetorin e çlirimit nga pushtimi nazist gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ky rast shërben si kujtesë për sakrificat e popullit shqiptar dhe si një mundësi për të kremtuar një moment të lavdishëm të historisë shqiptare. Gëzuar Festën e Çlirimit, Shqipëri!

 | 1944-2022 | Albania celebrates 78 years of liberation from the Nazi occupation during World War II. This occasion is a reminder of the sacrifices of the Albanian people and an opportunity to celebrate a glorious moment in Albanian history. Happy Liberation, Albania! “

blank

Deklarata e botuar në facebukun e Ambasadës amerikane në Tiranë.

Me fol të drejtën edhe vajtja e këtyre “diplomatëve” tek Varrezat e “Nëna Shqipëri”, me Juri Kim në krye të paradës – përball e krah për krah me nostalgjikët e Enver Hoxhës aty pranë — nuk do më shqetësonte aq shumë sikur “diplomatët e çlirimit” të Shqipërisë, t’a kishin balancuar atë vizitë duke shpjeguar për publikun — të pakën me një deklaratë të shkurtër — se pas vitit 1944, Shqipëria e çliruar”, dhe nën regjimin komunist për pothuaj një gjysëm shekulli, nuk kishte as liri as demokraci, as të drejta të njeriut – por ishte këthyer për pothuaj 50-vjet në një mjedis krimesh të para në Evropë dhe në botë. Dhe të thonin, mos tjetër, se ne po nderojmë dëshmorët e çlirimit të Shqipërisë nga nazi-fashizmi dhe jo regjimin e Enbver Hoxhës që erdhi më pas dhe që robëroi Shqipërinë.

Kjo histori duket se nuk u intereson diplomatëve të “vlerave perëndimore” në Tiranë. Megjithëse Presidenti i Shtateve të Bashkuara Xho Biden dhe Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, uruan Shqipërinë dhe shqiptarët për 28 Nentorin , Ditën e Pavarësisë – ashtu siç kanë bërë udhdëheqsit më të lartë amerikanë për pothuaj një shekull tani pa iu referuar “çlirimit”. Po, Ambasada amerikane, për të dytin vit, uron atë që ajo quan “çlirim” i Shquipërisë 1944-2022. Në emër të kujt e bën kjo, këtë deklaratë, unë nuk e di.

Fatkeqsisht, në Shqipëri po triumfon e keqja, e mbështetur nga përfaqsuesit e vendeve perëndimore, të cilat do duhej të denonconin krimet e komunizmit barbar në Shqipëri dhe të mos e cilësonin vendosjen e komunizmit në atë vend si një “çlirim”, sepse i tillë nuk ishte për shqiptarët – sidoqë ta cilësojnë sot diplomatët, përfshirë Juri Kim.

“E keqja triumfon kur njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë”. “Gara nuk është ndërmjet nesh dhe atyre, por ndërmjet të mirës dhe të keqes, e nëse ata që do duhej të luftonin të keqen, i përvetësojnë rrugët e së keqes, atëherë fiton e keqja.”

Ambasada amerikane në Tiranë përfaqëson vendin më të dashur që kemi për zemër ne shqiptarët kudo që jemi, sidomos ne shqiptaro-amerikanët — vendin e bekuar tonin – Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kemi gjetur lirinë, demokracinë, paqën dhe të drejtat tona të mohuara nga regjimi “çlirimtar” që ju glorifikoni në këtë ditë. Asnjë interes kombëtar i Shteteve të Bashkuara as i Evropës Perëndimore, sado i rëndësishëm të jetë përkohësisht, nuk justifikon glorifikimin e një regjimi barbar anti-njerëzor dhe mbështetsit e tij, një ish-regjimi ndër më të egrit në botë. Edhe njëherë, turp për ju!

Ju jeni diplomatë perëndimorë, gjoja përfaqsues dhe mbrojtës të vlerave perëndimore dhe jo të anti-vlerave shtypëse të një regjimi të vdekur: Mbrojtës të lirisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, pa dallim dhe përjetësisht, të pakën me sa dijmë deri më sot. Na njoftoni, ju lutemi, nëqoftse bota perëndimore ka
vendosur të heqi dorë nga këto vlera, përfshir Shqipërinë.

Me sjelljet tuaja, vizita dhe deklarata në këtë ditë të “çlirimit” sipas jush, doni a s’doni, ju po mbështetni historinë dhe krimet e një tiranie ç’njerzore, sllavo-komunisto-aziatike 50-vjeçare — që iu imponua një populli të vogël –Kombit shqiptar dikur krenar. Ju po përkujtoni dhe nderoni – qoftë edhe përfaqësisht, një tirani që për 50-vjet iu imponua shqiptarëve me dhunë e gnjeshtra. Kjo tirani vazhdon të sillet rrugëve të Tiranës me mbështetjen tuaj! Diçka diktohet në ajër!

Ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit Skenderbe, shqiptarët kurrë nuk kanë dashur të jenë të ndarë nga bota perëndimore, as nuk pranuan kurrë vullnetarisht komunizmin. A e dijnë diplomatët perëndimorë në Tiranë se Shqipëria menjëherë pas atij që ata quajnë “çlirim” (1944-2022)në krahasim me vendet e tjera evropoiane – per capita — ka patur numrin më të madh të martive të tre feve të shqiptarëve – sidomos në radhët e Kishës Katolike — por edhe më shumë martirë të demokracisë së vërtetë perëndimore – asaj demokracie – sidmos asaj amerikane — që ju do duhej të glorifikonit dhe të përhapnit ndër shqiptarë, në vend që të historiografisë komuniste. I kini kujtuar ndonjëherë këta martirë e dëshmorë anti-komunistë që dhanë jetën në mbështetje të demokracisë së vërtetë perëndimore në Shqipëri!?

Me këto sjellje tuaja – pa ndjenja balance e bashkimi për shqiptarët nga ana e juaj – ju vazhdoni të turbulloni mendjen dhe ndërgjegjën e këtij populli shumë të vuajtur nga një regjim barbar, që ju sikur e cilësoni si “çlirimtar”. Fatkeqsisht, jeni bërë palë me interpretimin e njëanshëm të pseudo-historianëve shqiptarë, të gnjeshtrave dhe të dhunës – për një histori të tmershme masakrash nga viti 1944 e deri në prill të vitit 1991 — që as vet shqiptarët ende nuk e kanë zgjidhur midis vetes. Ju po I mshoni një teze që shumica e shqiptarëve nuk e pranojnë.

Jeni bërë palë e së keqës. Fatkqesisht, e keqja po fiton në Shqipëri edhe me mbështetjen ose të pakën me heshtjen e diplomatëve perëndimorë, sot dhe 30-vjet më parë, që nga fillimi i të ashtuquajturit tranzicion “demokratik” që nuk ndodhi kurrë. Kjo shpjegon edhe aktualitetin politik të Shqipërisë “pjesërisht të lirë”, si anëtare e NATO-s. Merreni me mendë!

Fatkqesisht, e keqja nganjiherë fiton, qoftë edhe përkohësisht, sidomos kur mbështet nga të fortit! Kjo po ndodh edhe në Shqipëri sot. Por, unë besoj se e mira ringjallet dhe përtërihet mbi të keqën, me kohë. Besoj në thënjen latine: “Victi, Vincimus!” Edhe të mundur (nga e keqja) tani për tani, atë e kemi mundur, edhe pa ndihmën e ambasadorëve!
Frank Shkreli

blank
Mons. Gaspër Thaçi (1882-1946) Mons. Frano Gjini (1886-1947)

 

blank

Mons Vinçenc Prenushi(1885-1948) Mons Gjergj Volaj(1904-1947)

Ndër viktimat e para të komunizmit “çlirimtar” të Enver Hoxhës, me urdhër të Stalinit:Për të shpëtuar komunizmim, zhdukeni Kishën Katolike Shqiptare – një porosi kjo dhe fushatë që është ritheksuar në atë kohë edhe nga jugosllavët – themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë.

blank

blank blank blank

 

‘Shpërthen’ Frank Shkreli: Zonja Kim, prej sot nuk je më ambasadorja ime

blank

Ukraina duhet të marrë gjithë atë ndihmë që ukrainasit kërkojnë – Nga Aurel Dasareti*

Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik nuk është e plotë, sepse shteti kolonial terrorist ekziston ende! Ukraina ka qenë e qartë se ka nevojë për armë me rreze më të gjatë. Sistemi i armëve GLSDB (nëse u jepet atyre) mund të bëhet shumë i rëndësishëm për ukrainasit.
***
Në fillim të luftës, Perëndimi hezitoi t’i dhuronte sistemet e armëve Ukrainës, por ndërsa lufta përparonte, Ukraina mori armë gjithnjë e më të fuqishme.

Në qershor, ukrainasit u furnizuan me armë HIMARS (një sistem artilerie raketore amerikane mbi rrota) me një rreze veprimi prej afërsisht 80 kilometrash. Ky sistem armësh ka marrë shumë nga meritat për suksesin e ukrainasve në fushën e betejës që atëherë. Sidomos në rimarrjen e Khersonit, Himars u përdorën gjerësisht për të rrëzuar linjat ruse të furnizimit.

Zhvillimi është i lehtë për t’u përshkruar: Sa më shumë krime lufte që bëjnë rusët, aq më pak kufizime do të ketë për ndihmën perëndimore për armë. Këtë e kemi parë që nga fillimi i luftës. Një armë e tillë siç GLSDB, padyshim që do të bëjë ndryshim në fushën e betejës.
Pasi Rusia u tërhoq nga Khersoni dhe ia dorëzoi qytetin Ukrainës, rusët e bombarduan qytetin me artileri. Një sistem i ri i armëve me rreze të gjatë mund t’i detyrojë agresorët të tërhiqen nga zona e qitjes, dhe të mbrojë Kherson nga shkatërrimi i mëtejshëm.
Kjo gjithashtu do të lehtësojë aftësinë e ukrainasve për të përgatitur sulme përgjatë vijës së frontit. Është si boksi, distanca më e gjatë do të thotë më pak rrezik.
Jepini Ukrainës aftësinë për të hequr qafe artilerinë ruse duke i dhënë armë me rreze më të gjatë. Me rreze të gjatë, ata mund të detyrojnë artilerinë ruse jashtë rrezes. Rusia kryen terror artilerie kundër civilëve, objektivave dhe infrastrukturës civile. Ose Perëndimi duhet të bashkohet dhe t’i japë Ukrainës mundësinë, ose ne duhet të kënaqemi me një dimër të gjatë terrori. E vetmja gjë që Putin dhe rrethi tij prej terroristësh kuptojnë është fuqia e papërpunuar. Një fuqi që Perëndimi ka potencialin t’i japë Ukrainës. I shkaktoni Rusisë humbje kaq të shumta dhe të rënda sa opinioni publik në vend ngrihet kundër sundimit të terrorit të Putin-it dhe e detyron t’i japë fund një lufte të pakuptimtë.
Rusia tashmë është përcaktuar nga BE-ja si një shtet që mbështet terrorizmin. Pra, mendoj se kjo duhet të hapë rrugën për t’i dhënë Ukrainës më shumë dhe sisteme më të mira armësh për të luftuar terrorizmin që i prek ato.
Kur do ta shpallim përfundimisht qëllimin; se Rusia do të humbasë dhe Ukraina do të fitojë? Ka ardhur koha për të vendosur se cili është qëllimi dhe për ta thënë me zë të lartë! Fitorja është plotësisht e mundur dhe realiste! Ne duhet të ndihmojmë Rusinë që të godasë murin me shpejtësi të madhe, në mënyrë që kjo perandori e keqe koloniale të mund të shpërbëhet përfundimisht. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik nuk është e plotë, sepse shteti kolonial terrorist ekziston ende!
Jepuni ukrainasve gjithçka që mund t’u ofrojmë. Tani duhet të ndalojmë së frikësuari nga shteti mafioz në lindje të Evropës. Ne nuk duhet të ecim në thembra gome për shkak të këtyre çmendurive të rusëve. Le të kërcënojnë me armë bërthamore. Ata e dinë ashtu si ne që nëse përdoren këto, as rusët nuk do të mbijetojnë. Epo, ata janë të çmendur, por ndoshta vetëvrasja nuk është në rendin e ditës.

*Aurel Dasareti, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike

blank

Arkiv i Voal.ch 29 Nëntor 2013 – JO 29 NËNTORIT – NGA ELIDA BUÇPAPAJ

 

Klasa politike dha show-n e rradhës. 28 Nëntorin e festuan të ndarë e të përçarë. Njëra palë në Vlorë tjetra duke lamentuar në Facebook. S’ka shëmtim më të madh.

Sot më 29 Nëntor e njëjta histori e pështirë, njëra palë për Shkup, e tjetra për Shkodër, si dy drejtëza që vrapojnë në drejtime diametralisht të kundërta.

Kemi një çerek shekulli që përballemi me dilemën se kur është çliruar Shqipëria dhe se kur është larguar prej vendit çizmja e fundit gjermane. Këtë dilemë e kanë zgjidhur në mënyrë të politizuar historiografët që e retushuan historinë për 50 vjet sipas vullnetit të diktatorit. Këtë dilemë nuk e kanë zgjidhur historianët e shkolluar në Perëndim gjatë periudhës të tranzicionit. Dhe shoqëria sa vjen 29 nëntori thellon bipolarizimin e saj. Njëra palë insiston tjetra e mohon. Por edhe kjo që e mohon, pseudo e djathta e mohon sa për show. Sepse Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një arenë cirku dhe jo vendi ku krijohet statura e shtetit.

29 nëntorin e respekton edhe Presidenti i Republikës, kësaj here si përfaqësues i unitetit kombëtar! Po a ka unitet kombëtar kur njëra palë në mënyrë histerike mbron 29 nëntorin dhe tjetra në mënyrë pasive mbron 28 nëntorin! Jo! Presidenti i Republikës kështu respekton ndarjen dhe përçarjen kombëtare!

29 nëntori është një nga simbolet që denoncon thelbin e katrahurës të kaosit politik këta 23 vjet. 29 nëntori është njëri nga simbolet që ka lidhje me problemin thelemor i cili duhet të zgjidhet një herë e mirë nga politika shqiptare. 29 nëntori është vija e kuqe që ndan të djeshmen me të sotmen dhe që obligon dekomunistizimin e shtetit e shoqërisë shqiptare.

I pyes politikanët e së majtë, duke nisur prej kryeministrit të Rilindjes nëse e konsideron 29 nëntorin ditën e çlirimit të Shqipërisë, kur në vend u vendos një sistem totalitar barbar? Këtë pyetje ia drejtoj edhe të majtës!

Lufta partizane nuk ka asnjë lidhje me 29 nëntorin. Lufta antifashiste duhet të vlerësohet, ashtu si edhe dëshmorët e saj dhe të gjithë ata që i kontribuan. Kush konfondon Luftën antifashiste me 29 nëntorin, ose është i marrë ose synon vazhdimin e çoroditjes të shqiptarëve drejt një konfrontimi social.

Siguria, stabiliteti i vendit, ashtu si dhe standartet e një vendi demokratik nuk tolerojnë dilema të tilla. Prandaj i bëjmë thirrje politikës që ta vendosë në prioritetet e saj sanksionimin e parimeve themelore përmes Kushtetutës ku Shqipëria përcaktohet eksplicitivisht si një demokraci perëndimore.

Në fund të fundit, e përse duhet që Shqiptarët të pranojnë 29 nëntorin si ditën e çlirimit, kur kjo ditë shënon instalimin e një diktature!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se diktatori e zgjodhi këtë datë për servilizëm ndaj Titos, si shenjë gjunjëzimi për ta kthyer Shqipërinë në republikë të shtatë të ish-Jugosllavisë!

E përse duhet të pranojnë shqiptarët 29 nëntorin, kur dihet se kjo datë lidhet pikërisht me emrin e diktatorit Hoxha, regjimi i të cilit i masakroi shqiptarët dhe izoloi e bunkerizoi vendin?

Le ta zgjedhë e majta datën e çlirimit të vendit. Le të jetë 5 Maji. Le të jetë një datë që lidhet me dinjitetin dhe sakrificat e shqiptarëve, por jo me diktatorin.

Ka ardhur momenti kritik kur politika shqiptare duhet të distancohet nga diktatura, jo në mënyrë retorike, por me ligje dhe rregulla ashtu si është vepruar në vendet e ish-Europës Lindore. Të dënohen krimet e regjimit enverist dhe nomenklatura e kuqe, e cila është e parehabilitushme.

Liderët e të majtës të mos bëjnë lojra në pikën që dallon civilizimin Perëndimor nga totalitarizmi. Shqipëria nuk mund të pretendojë të jetë anëtare e NATO-s apo të anëtarësohet në BE – kur liderët e shtetit shqiptar simpatizojnë ish-eksponentët e nomenklaturës të regjimit komunist, apo kur trashëgimtarët bilogjikë të ish-regjimit totalitar emërohen në postet më të larta të administratës publike pa u distancuar nga gjyshërit dhe etërit e tyre. Vetëm Bashkim Shehu e ka bërë këtë. Po ashtu, as e majta dhe as trashëgimtarët biologjikë nuk mbajnë asnjë qendrim mëshirues dhe nuk lypin as ndjesë për viktimat e diktaturës. Gjermania vazhdon e kërkon ndjesë për krimet e Hitlerit, edhe kur Lufta e Dytë Botërore ka 70 vjet që ka përfunduar!

Po ashtu e majta vazhdon të ketë si gazetën e saj, Zërin e Popullit, themeluar nga diktatori, që për 50 vjet u ka shplarë trurin shqiptarëve.

Shteti i së drejtës imponon rregulla. Shqipëria rrezikon të degradojë sepse është një shtet pa rregulla, pasi mban qendrim konfondues dhe aspak të qartë ndaj të shkuarës, ku përfshihet edhe 29 nëntori.

E majta shqiptare ka plot argumenta që kjo datë të mos jetë data e çlirimit të Shqipërisë, sepse populli shqiptar u çlirua nga nazizmi por vari në qafë vargojtë e diktaturës. Do të mjaftonte lista e gjatë e vrasjeve të bashkëpunëtorëve, që diktatori i likuidoi gjatë luftës dhe për gati gjysmë shekulli prej paranojës staliniste, që e majta të reflektonte për të rilindur me vepra jo me demagogji.

Nëse e majta e pranon që periudha 50 vjeçare e diktaturës ishte një regjim mizor, kriminal, antishqiptar, antinjerëzor që mbolli vdekjen, frikën, izolimin, luftën e klasave, depersonalizmin, varfërinë dhe katastrofën kombëtare, atëherë duhet të ketë një reagim adeguat.

Nëse e pranon realitetin që ka ndodhur për 50 vjet diktaturë, atëherë duhet të gjejë kurajo për të reaguar në mënyrë civile dhe të përgjegjëshme, çka e kërkon domosdoshmërisht formati i një shteti demokratik.

Nëse nuk e pranon, dihet përgjigja!

blank

MARRSHON SHQIPNIA KOMUNISTE DREJT ZHDUKJES- Nga Fritz RADOVANI

 

Dhjetori 1990 mbetet dhe do jetë një muej shumë i randsishem në historinë e Shqipnisë, në rrugën e gjatë dhe të vështirë për arritjen e dy parullave kryesore të mitingjeve të rinisë s’ asaj kohë: “Liri Demokraci” dhe “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Shteti ma i mbrapambetun i Europës, dhe fatkeqësisht gjithnjë jashta Saj. Lidhjet e vjetra me Lindjen prej kohës së Esad Pashës, Ahmet Zogut dhe që u trashiguene tue u sterforcue edhe ma shumë nga aventurieri Ever Hoxha, që caktoi shoku Tito e, pasues Stalini. Tue mos harrue asnjëherë Mao Ce Dunin, themeluesin e “Revolucionit Ideologjik e Kultural të 1967”, kur Shqipnia u shpall “i vetmi shtet ateist në Botë” dhe që u pasue nga skilja anadollake Ramiz Alia, me kobren Nexhmije Hoxha, dhe na sollen në krye të shtetit Shqiptar, një nga “Rilindasit e komnizmit” kryem… Edvin Ramen, që tue kuadrue Shqipninë në “Balkanin e Hupun”, realizoi “largimin e Rinisë Shqiptare nga Atdheu”, dhe “rikthei vorfninë e tejskajshme”, tue u vendosë në krye të listes së Shteteve ma të mbrapambetuna t’ Europës në Shekullin XXI. Aty ku sundon korrupsioni, imoraliteti, hajnia, pabesia, vllavrasja, urrejtja, shfarosja, fanatizmi, paburrnia, ateizmi, shperdorimi i detyrës, injoranca, mendjemadhsia, kapadailleku, trafikantët e drogës, shkatrruesit e Monumenteve, brutaliteti.

E gati harrova: Shkatrrimtarët e vertetë të Shtetit Shqiptar “Komunistët e Rilindur”: Rruga e sigurtë e forcimit Tiranës orientale sllavo bolshevike.
Turpi i Europës e tue dijtë mirë se: “Kjo asht Shqipnia e t’ Madhit Gjergj Gjon Kastriotit – Skenderbeut dhe Nanë Terzes së Madhe Botnore!
Shqiptarë! Kurr mos e harroni porosinë e Papës Gjon Pali i II “per drogen”! Melbourne, 28 Nandor 2022.

blank

KRESHNIKU KOMBËTAR DEDË GJO’ LULI – “MALËSORI QË MUJTI”- Në 110-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë- Nga Frank Shkreli

Përshëndetje të gjithëve…

Si zakonisht, është kënaqësi dhe privilegj për mua që gjëndem përsëri këtu në kryeqendrën e Vatrës historike të shqiptaro-amerikanëve dhe të Kombit mbarë. Ju falënderoj për ftesën për të folur, shkurtimisht — për Kreshnikun e Kombit Ded Gjo Lulin me malësorët, në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë.

E vërtetë se Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbeut u ngrit në Vlorë me 28 Nentor, 1912 – dita kur edhe u shpallë Shqipëria shtet më vete. Ky zhvillim i përmasave historike të Kombit shqiptar nuk ndodhi në një boshllëk kohor as nuk ia dhuroi kush shqiptarëve pavarësinë. Shumë sakrifica, luftëra dhe zhvillime ushtarake, politike dhe diplomatike i kanë paraprirë kësaj date historike të 28 Nentorit.

Ndër këto zhvillime ishin dhe luftërat dhe kryengritjet e fiseve të Malësisë së Madhe kundër pushtimit 500-vjeçar të Perandorisë Osmane dhe ngritja e flamurit kombëtar në Deçiq — me 6 prill, 1911 — ku në vend të flamurit turk, u vendos flamuri i Kombit shqiptar – Flamuri i Gjergj Kastriotit- Skenderbeut – për herë të parë në trojet shqiptare – ç’prej kohës së të Përgjithëmonshmit të Kombit Shqiptar – Kryetrimit — Skenderbe.

Po, kush ishte protagonisti kryesor i atyre lëvizjeve dhe cilët ishin ata trima rreth tij, që me veprat e tyre, në fillim të shekullit të kaluar, ndoshta për herë të parë në 500-vjet robëri – shkaktuan përhapjen e një entuziazmi anë e mbanë trojeve të pushtuara arbërore, se shqiptarët mund të ia delnin kundër një perandorie të madhe, siç ishte ajo e pushtuesve otomanë!

Kujt ia merrte mendja se kjo histori pushtimi prej 5 shekujsh, mund të ndryshonte njëherë e mirë. Se më në fund, Kombi Shqiptar po shkruante një kapitull të ri në historinë e tij — drejt një fillimi të lirisë dhe pavarësisë së tij në fillim të shekullit XX.

Kush ishte prijsi dhe cilët ishin këta burra pashkollë – por të zgjuar e të urtë, trima dhe patriotë — qendresa kundër pushtuesve otomanë e të cilëve bëri bujë anë e mbanë Evropës së asaj kohe?

Fjala është për Ded Gjo’ Lulin, të cilin At Gjergj Fishta e kishte cilësuar si “Malësorin që mujti” dhe për “petritat malësorë” të fiseve të Veriut të Shqipërisë. Veprat e tij dhe të malësorëve, mbeten sot e kësaj dite, një akt i madh historik e patriotic që do të kujtohen gjithmonë, (të pakën në sytë e popullit të atyre anëve).

Ata kujtohen me krenari frymëzuese dhe si simbol i paharrueshëm i fuqisë morale të malësorëve dhe të Kombit shqiptar kundër pushtuesve të huaj dhe armiqëve të Kombit, atëherë dhe sot.

Në momentin e duhur historik, malësorët i erdhën në ndihmë Kombit në çastin kur mendohej se raca shqiptaro-arbërore po jepte shpirt, e ndarë dhe e harruar nga bota perëndimore, nga ajo botë ku shqiptarët e kishin vendin – aty ku e kishte para-përcaktuar, historikisht, Gjergj Kastrioti-Skëndërbeu.

Malësorët e vitit 1911, jo vetëm që, para Evropës, u bënë simboli i Rilindjes Kombëtare për liri e pavarësi të shqiptarëve, por ata ishin edhe zëdhënsit e parë të Kombit që paralajmëruan pavarësinë –e që erdhi një vit më vonë. Në të vërtetë, Ded Gjo’ Luli dhe malësorët e tij, ishin përfaqsuesit e Kombit ata që njoftuan botën se toka e Gjergj Kastriotit, më në fund, kishte zot.

Ismail Qemali e ka quajtur Ded Gjo Lulin, “Pushkë të ngrehur të Shqipërisë.” Lufta serioze e malësorëve kishte gjetur menjëherë ndihmën dhe përkrahjen e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit dhe patriotëve të tjerë shqiptarë nga mbarë trojet shqiptare. Të inkurajuar nga lufta e malësorve kundër otomanëve, më mendje-ndriturit e Kombit, në atë kohë, shkuan për t’u takuar me Dedë Gjonin dhe bashkpuntorët e tij në (Podgoricë) për të përpiluar Memorandumin historik që, përmbante, ndër të tjera — kërkesat për të drejtat bazë për atë kohë — të Malësorëve dhe të gjithë Shqiptarëve.

Sot, një peticion të tillë, dërguar fuqive të mëdha të kohës, do ta quanim fillimi i “ndërkombtarizimit të çështjes shqiptare”.
Ishin, pra, malësorët ata të cilët në emër të Kombit shqiptar, i parashtruan botës së atëhershme të qytetëruar, kërkesat e tyre për liri dhe pavarësi, aspak ndryshe nga rasti i Kosovës, dekada më vonë – ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës e kemi quajtur, dëshmitarë e pjesëmarrës të cilës jemi. Një lëvizje e prirë me urtësi dhe diplomaci nga Presidenti historik i Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Po kush ishin malësorët, bashkpuntorë të Ded Gjo’ Lulit, të cilët nënshkruan Memorandumin e famshëm me kërkesat e tyre dhe të gjithë shqiptarëve, drejtuar perandorisë osmane dhe fuqive të mëdha të asaj kohe?

Mund të jetë hera e parë që, publikisht, lexohen emërat e këtyre përfaqsuesve të fiseve të Malësisë së Madhe në aë kohë, të cilët në emër — jo vetëm të krahinës a fisit të vet — por edhe në emër të mbarë Kombit shqiptar kanë nënshkruar atë që historia e njeh si,“Memorandumin e Grecës”, drejtuar fuqive të mëdha të asaj kohe.

Në Qershor, 1911 u mbajt Kuvendi ku u nënshkrua “Memorandumi i Greçës” me 12 pika nga të parët e Malësisë së Madhe. Emrat, as roli i tyre nuk janë aq të njohur për shumë veta, por unë do i kujtoj sot pasi e meritojnë të kujtohen, duke lexuar emrat e tyre — ndoshta për herë të parë në publik – megjithëse emrat e tyre janë shënuar në artikuj të botuar në atë kohë (siç ishte revista e njohur Leka, Hylli i Dritës e të tjera, para Luftës së II Botërore), por edhe në ndonjë publikim të më vonshëm.

NËNSHKRUESIT ishin: Ded Gjon Luli i Hotit, Sokol Baci i Grudë, Ded Nik Bajraktari-Vukël, Dod Preçi-Kastrat, Tom Nika-Shkrel, Cal Dedi-Selcë, Mehmet Shpendi i Shalës, Gjeto Mark Ujka-Hot, Hil Mosi, Risto Siliqi, Luigj Gurakuqi- përfaqësues të Shkodrës, Lul Rapuka – Vukël, Llesh Gjergji-Nikç, Nik Mhilli-Shllak, Binak Lulashi -Toplanas, Bash Bajrami-Nikaj Mertur, Bec Delia-Dukagjin. Nënshkrues të Memorandumit ishin dhe disa prej meshtarëve të atyre krahinave, në atë kohë, si Pater Karl Prenushi, Pater Mati Prenushi, dënuar me vdekje nga komunizmi enverist, Pater Lorenc Mitroviqi, Pater Sebastian Hila, Pater Bonaventura Gjeçaj dhe Pater Luigj Bushati. (Revista Leka- Vjeti IX- 1937, Memorials des Malisores, Sir Edward Grey).

Siç thashë më lartë, për brezat e rinjë të shqiptarëve sot këta emra janë të panjohur. Mund të jenë edhe të mërzitshëm, të një periudhe të kaluar, por sipas At Gjergj Fishtës këta ishin, “Ded Gjo Luli, që vu sy me vdekë, a Shqiptar i lirë me mbetë — me ata kreshnikë petrita të Maleve të Mëdhaja – burra si motit veç që i bante lokja shqipëtare — bjen në mal, e mbi kaki të Deçiqit ngulë Flamurin e Shqipënisë – kuq e zi: zjarm e dekë, nji be ai rreh, nji be të madhe po, rrreh ai në sy të qiellës e të dheut, se rob Shqiptari për nën themër mizore të Turkut ma kurrë, jo, kurrë nuk do të gjimonte, e as nën themër, t’atij Sllavi të mënijshëm. Me atë be të shugurueshme ngeli në habi Evropa. Cetina u trand, e u dynd tanë pem e mëni Stambolla…dhe Malësori mujti”, ka shkruar At Gjergj Fishta. Malësorët — paraprijës të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë — ia dolën, në krye me Ded Gjo Lulin!

Falë rolit dhe sakrificave të këtyre burrave të Malësisë së Madhe dhe të Kombit shqiptar, në krye me Ded Gjo Lulin, Shqipëria feston sot 110-vjet pavarësi. Por, megjithë arritjet e deritanishme, ëndërra e shqiptarit për të jetuar në shtëpinë e vet, zot i fatit të vet, të bashkuar në demokraci të vërtetë, liri dhe në paqë e siguri me fqinjtë — si pjesë e familjes së madhe evropiane, “I lirë dhe i lumtur”, siç është shprehur Luigj Gurakuqi dikurë– mbetet ende një ëndërrë e pa realizuar për shqiptarët, 110-vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në këtë 110-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptari i shekullit XXI, e kërkon realizimin e kësaj ëndërre — për fat të keq të tijin — në dhena të huaja dhe jo në trojet e të parëve të vet. Të parët tanë, si Ded Gjo’Luli me malësorë na dhanë 110-vjetë më parë, atë që prisnin shqiptarët për pothuaj 500-vjet: një Shqipëri të lirë e të pavarur. Prej kësaj klase politike që udhëheq sot shqiptarët, anë e mbanë trojeve të tyre iliro-arbëroro, Kombi dhe shqiptarët kudo që janë, këmbëngulin të kenë diçka më tepër, kërkojnë:

“Një Shqipëni të lumtun”, do të thoshte At Pjetër Mëshkalla, një prift katolik jezuit shqiptar, i persekutuar, si shumë të tjerë, nga regjimi diktatorial komunist i Enver Hoxhës. Shqiptarët duan një Shqipëri të lumtur, që të ndalohet zbrazja epike e trojeve shqiptare, për arsye të politikave aktuale korruptive anti-kombëtare të politikave shqiptare 30-vjeçare: regjimesh autokratike majtiste, pseudo-komuniste. Ka ardhur koha për një ndryshim të madh!

Ka ardhë koha që shqiptarët, e sidomos klasa politike aktuale shqiptare, “Të lidhin besa-besen, të lëftojmë për të drejtat e për nderin e Shqipërisë dhe t’u rrefejmë të huajve se rrojmë e duam të rrojmë me nder në vendin tonë”, ka porositur dikurë ky burri këtu i Vatrës, Faik Konica.

Ka ardhur koha që, më në fund, Kombi shqiptar, Shqipëria dhe Kosova, të distancohen njëherë e mirë nga politikat majtiste sllavo-komuniste dhe nga trashëgimia e tyre shkatërruese që shihet kudo edhe sot – madje edhe në nivelet më të larta politike, shkencore, kulturore dhe historike. Kombi shqiptar ka nevojë për riafirmimin e figurave të tija të ndritura – emrat e disave i përmenda këtu — por edhe shumë e shumë të tjerëve, të cilët historiografia komuniste i ka zhdukur ose anashkaluar nga kujtesa kombëtare.

I përjetëshëm qoftë kujtimi i Ded Gjo Lulit dhe i kryengritësve të Malësisë së Madhe. Gëzuar Dita e Flamurit, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. I Madhi Zot e bekoftë Kombin Shqiptar në këtë 110-vjetor – një kohë e trazuar për fatin e tij — por me besimin dhe shpresën se drita e agimeve të reja do të shëndritë mbi fatin
e shqiptarëve dhe bashkë me të edhe rrezja e bekimit të Madhit Zot.

Frank Shkreli
Në Vatër, Nju Jork,
27 Nentor, 2022

blank

blank

ME PRESIDENTEN E KOSOVËS… Nga Visar Zhiti

E dëshironim shumë takimin, ishte për ne më tepër se një takim i lartë, kishte nga simbolika dhe ëndrra. Arritja deri këtu i ngjante dhe një udhëtimi në kohë, në kujtesën historike, kishim lënë pas nga padrejtësitë shekullore, copëtimin dhe ndarjet, ferrin e luftës dhe të dënimeve, harrimet, kufirin… dhe kishim hapur si derën e shtëpisë derën e Kosovës tonë Republikë, kishim ardhur dhe herë tjetër, po këtë radhë na priste një Zonjë e zonja, e buzëqeshur dhe plot dinjitet, që fliste me mënçuri dhe përzemërsisht, Presidentja, Znj. Vjosa Osmani – Sadriu. Vërtet m’u shndërruar  në ideale takimi me Presidenten grua të Kosovës, se m’u shfaqën si vegim mbretëresha ilire Teutë, dijetarja jonë europiane Dora d’Istria, luftëtarja Shote Galica, etj, shkencëtarja Sabiha Kasimati, shkrimtarja Musine Kokalari, të persekutura tmerrshëm nga diktatura dhe përpara tani kishim triumfin e gruas shqiptare…
Edhe pse qëlloi një ditë e shqetësuar për administratën e shtetit të Kosovës, një përballje tjetër me serbët në Mitrovicë, ajo, mes detyrave të shumta dhe emergjente, gjeti kohë të na mirëpriste atë pasdite në zyrën e saj, siç duket e ndjeu dëshirën tonë dhe simbolikën, duke na e bërë takimin shumë më të çmuar.
blank
– Kemi sjellë librin me lutjet e Shenjtes tonë Nënë Terezës, – i thashë, – ajo frymëzoi dhe Presidentin e SHBA, Klinton, të vendoste, e thotë vetë ai, prandaj dhe ndërhyri NATO të shpëtonin Kosovën, lutjet e saj do t’na ndihmojnë sërish…
Ndërkaq Presidentja, Znj. Vjosa, me thjeshtësi dhe fisnikërisht më dha medaljen “Shën Tereza”, që e kishte akorduar që në shtator, me këtë motivacion, e lexoi vetë: “Për kontribut të veçantë në promovimin e vlerave të lirisë, kultivimin e fjalës së lirë dhe promovimin e veprës së ‘Nënë Terezës’ e të vlerave të popullit të saj nēpër botë.”
blank
Ishte vlerësim befasues, nuk e kisha menduar, hutues për mua, nder, ndërgjegje, e pranova se ma jepte Kosova, një grua, Kryeja e Shtetit. Medaljen me emrin “Shën Tereza” e ndjeja si një mrekulli dhe pse ta fsheh, ishte dhe si një ndjesë dhe qortim për disa nga presidentēt e Tiranës, që janë sjellë si mosmirënjohës të ashpër ndaj vuajtjes tonë, dhimbjes dhe misionit.
– Ju jeni dhe nënë, – do t’i thoshte Eda ime Presidentes, – prandaj ju kam sjellē një album me piktura fëmije, të djalit… e ardhmja…
blank
Ajo e mirëpriti me ngrohtësi dhe ndërkaq Eda po i thoshte se ne në Kosovë kemi ardhur edhe pa ardhur, e kemi nga prindërit, xhaxhai im ka qenë prefekt në Mitrovicë, një rrugë atje ka emrin e tij “Ago Agaj”, ëndrra e tij ishte Kosova e lirë. Ne kemi ardhur në një ëndërr kështu…
blank
Presidentja na përcolli me mirësinë e Zonjës së shtëpisë, shtrenguam duart te dera, e gjitha ishte bërë realitet. Gjithë vezullime si gurët e çmuar të truallit të Kosovës, që mitiku Rugova i dhuronte aq bujarisht, po na rrezëllinin çastet e këtij takimi të bukur me Presidenten.
blank
Zoti e besoftë Kosovën tonë, thamë me zë dhe dolëm në mbrëmjen prishtinase, në shëtitoren “Nënë Tereza”…
Prishtinë, 23 nëntor 2022

Send this to a friend