VOAL

VOAL

NJË PASDITE NË ZYRIH Nga ISMAIL KADARE

September 14, 2017

Komentet

MESNATA E FTOHTË NË URËN E BESHIRIT- 73 vjet me parë- Nga Agim Xh. Dëshnica

Pak larg nga Tirana, tek kalon mbi Erzen Ura e Beshiririt, diku pranë fshatit Mënik, përflitej nën zë për një masakër barbare.

Pesë muaj më vonë një brigadë eskursioniste me dyzetë nxënës nga disa shkolla të mesme pasi kaloi në mbrëmje vonë Urën e Beshirit, ndaloi pak më lartë, mbi rrugën e Kavajës. Të githë shtruan bataniet, te një pllajë dhe ranë e fjetën.  Në mesnatë shumë vetë, as fjetur as zgjuar, ndër ta, edhe përgatitësi i këtij shkrimi të përzishëm, dëgjuan këngën e kobëshme të një kukuvajke ndoshta diku në  breg të  lumit.

————–

Pas pyetjesh e kërkimesh të shumta, aty nga viti 1993, gjatë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo!? Prania e grave të përzishme e burrave të tronditur, dhe e antrologut, ,tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët,varr makabër i vitit 1951. Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh, tmerr! Përse i vranë ata?

Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz, që të mundemi ta përballojmë situatën.”

Viti 1951 ishte një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Shpresonin më kot! Ndërkohë natën, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin nëpër rrugët e tarracat e Tiranës fletushkat e hedhura, ndoshta nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës: ”Mos e hapni në kanalet italiane!” Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.

Befas, në krahun e shkretë në oborrin e Legatës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila mesa u mor vesh më vonë u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i lauruar në Montepelier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rrok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe. Në Tiranë u bashkua me çetën e Gjimnazit për mbrojtjen e Kosovës.

Askush prej atyre që u arrestuan, nuk kishte lidhje me asnjë organizatë   antikomuniste. Në akuzën e Prokurorisë nuk përmëndej hedhja e dinamitit në oborrin e Legatës Sovjetike, por propaganda kundër pushtetit në fuqi, me biseda në kafe, në parqe, nga degjimi i radiove të huaja, Jeta në të kaluarën,vendi ku  kishin mbaruar studimet, dhe  puna e kryer.

Byroja politike e PPSH, si në asnjë vend tjetër të kampit socialist ,mori pamjen e një gjykate të lartë, ku nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë, të gjithë banues në Tiranë. Shumë qytetarë  mendonin se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje, pati zyrtarë rusë, që ndërhynë për lirimin e disave prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para.

Ata 22 fatkeqë, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit, u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për “veprimtari terroriste“, që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 27 shkurt 1951, kur gjithçka, kishte marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë. Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapshtë dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk u bë gjyq! Ata u çuan direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk u la kohë për gjykimin e çështjes.“ Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin. Në mes të natës, kur era e maleve ulërinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok. Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje: “Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur! Atëherë iu sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve, britmat e saj pushuan. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, sipas një zakoni të vjetër, fshatarët trokitën të tronditur dhe rrëfyen ç’kishte ndodhur në mesnatë.

Vite më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e hiqte zvarrë. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…

Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kishte dhënë vendimin e dënimit me vdekje për 22 të vdekur! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim.

Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast, E. Hoxha u rek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht.

As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.

Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”

Ja, cilët ishin ata, shumica në moshë të re, që humbën jetën, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:

 

Sabiha Kasimati,

38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave, krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte e mundur të dënohej me vdekje dhe të masakrohej një engjëllushe e atillë!? Fajtor për atë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar E. Hoxha.

 

Manush Peshkëpia,

39 vjeç, poet patriot, lindur në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën, Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur shkrimari Vedat Kokona:“Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekadash me vuajtje dhe mjerime. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë… Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jesh poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jesh njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri!” Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.

 

Tefik Shehu,

39 vjeç, lindi në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga kriminelët në pushtet.

 

Pjerin Guraziu,

45 vjeç, lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me arritje të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.

 

Jonuz Kaceli,

43 vjeç, lindi në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulturë, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti ministër i Ministrisë së Brendshme M. Shehu e vrau me tortura dhe e hodhi nga dritarja.

 

Anton Delhysa,

47 vjeç, lindur në Prizren. Specialist ndërtimi, kishte kryer me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të rikonstruksionit të Shkollës Teknike të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin eGjirokastrës, për fabrikën e tullave në Vorë, etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor. Së fundi, u shpërblye me pushkatim!…

 

Haki Kodra,

30 vjeç. Lindi në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik. Në vitin e zi 1951 u pushkatua pa mëshirë e pafaj nga terroristët e kuq shqiptarë.

 

Gafur Jegeni,

41 vjeç. Lindi në Dibër. Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar të Shqipërisë. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria. Në shkurt të vitit 1951, në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së pushkatimit barbar me ushtarë shqiptarë, që mbanin yll të kuq në ballë.

 

Myftar Jegeni,

36 vjeç. Lindi në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët, pasi e arrestuan, e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më, sepse në atë mesnatë të zezë e pushkatuan pabesisht.

 

Reiz Selfo,

lindur në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmës së tij për lulëzimin e Shqipërisë. Si njeri bamirës dikur i dha ndihmë financiare edhe vetë E. Hoxhës, por dora e atij diktatori gjaktar, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu jetën pa mëshirë biznesmenit të madh patriot.

 

Qemal Kacaruho,

49 vjeç. Lindi në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja. Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave. Ndërkohë, mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjermanë. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut. Së fundi, e lanë jashtë edhe nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e kombit.

 

Zyhdi Herri,

30 vjeç. Lindi në Tiranë. Mësoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Çl. Pas luftës, ishte kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priti nata e ftohtë e pushkatimit pa gjyq e pa faj.

 

Gjon Temali,

47 vjeç. Shkodran. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, u desh të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj!

 

Petro Konomi,

30 vjeç. Lindur në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi, në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Çl. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës korrekt, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë barbarisht!

 

Niko Lezo,

50 vjeç. Lindur në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Kreu Universitetin e Tuluzës në vitin 1921. Dy vjet më pas, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës, punon sërish kimist në laboratorin, që tashmë ishte nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, u pushkatua pa mëshirë për kurrfarë faji!

 

Pandeli Nova,

59 vjeç. Lindur në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Çl. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Prind i një djali partizan. Në mesatën e 26 shkurtit 1951, dëgjoni për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit komunist: Zjarr!

 

Thoma Katundi,

më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! Lindur në Katund të Korçës. Ish Vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun!

 

Mehmet Shkupi,

58 vjeç. Lindi në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion mjeshtër kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se, gjoja, zhvillonte veprimtari terroriste. Pra, u dënua me vdekje pa asnjë provë e pa gjyq konkrete e pa gjyq!

 

Ali Qorraliu,

61 vjeç, tiranas i pasur, jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës përkrahu Ballin Kombëtar, ndaj edhe u burgos nga regjimi komunist. Si u lirua, e arrestuan së dyti herë si “terrorist“ dhe e pushkatuan pa mëshirë, pa gjyq! Kur u zbulua ai varr i kobshëm masiv, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë!

 

Fadil Dizdari,

me origjinë nga Shkodra, lindur në Kavajë. Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, e “armik i pushtetit popullor.” Në të vërtetë, faji i tij ishte bujaria. Shiste pothuajse falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuar libra “të verdha” të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler, etj. Nga ai shpëtoi vetëm unaza e fejesës, që u gjet në gropë, për të dëshmuar krimin e fshehtë e barbar në atë mesnatë të paharruar.

 

Hekuran Troka,

32 vjeç. Lindi në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për atë djalë të hijshëm, ishte shënuar: “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “ terrorist.” U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja iu internua dhe punoi në punë të rënda për bukën e gojës!

 

Lluka Rashkoviç,

51 vjeç. Lindur në Mal të Zi. Ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Merrej me transport udhëtarësh. Ishte jashtë çdo rryme politike. Për jetën e pastër dhe punën e ndershme në shërbim të qytetarëve, e arrestuan dhe e pushkatuan pa gjyq!

 

Për atë gropë të braktisur në errësirën e ftohtë 73 vjet më parë nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve. Foli kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, vëllezërive e nipave, foli kujtesa e një populli të tërë. Ishte një e folur me zë të lartë, që ta dëgjonte bota. për të marrë vesh, se ç’ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, ose Komuniste, e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanari ndriçues”, burgu e varri i përbashk më i shqiptarëve!

 

 

Poezi- kushtuar viktmëve të pafajshëm. -nga përgatitësi i shkrimit përkujtimor.

 

Erzeni trishtueshëm te Urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet vorbull, te bregu nën gjeth.

me zhaurimë në zall, mbi bar hedh lot-stërkala

sado krim në terr, me pëshpërimë përhapet fjala.

Dritaret e hijet, dushqet e shkurret, tregojnë,

për gropë martirësh ne heshtje dhe gurët vajtojnë.

dhe toka e zezë për njerëz të mirë pa faj,

ndër tela me gjemba thurur gjallë, skaj më skaj.

Cilës epoke tiranësh u përkasin, o antropolog

këto eshtra shpupurisur në pluhur të lidhur tok?!

Mos janë ilire, në errësire kohësh vrarë

Nga spata, shigjeta, ushta, hordhish, barbarë?

Jo jo! Vrastarët nuk janë prej fisesh leshtorë,

por komisarët e kuq, me yll të kuq gjëmborë!

Komisarë qelish, pa gjyq, pa firmë e vulë.

Komisarë pa shpirt, pa besë, pa mend e pa turp.

Komisarë me hakërrime e me mandatën,

Me ngjirje, plotonë, krisma e plumba natën.

Dhe bisha fle, kur ngryset në pyll a në shpellë!

Dhe ujët fle, drurët prehen në gjumë të thellë!

Më kot fërkojnë duart me gjak komisarët,

më kot mundohen të harrohen gjithë të vrarët!

Nga gropa, nga gropa shpirtrat fluturuan lart,

me fllad Perëndie u qetua çdo lëngatë…

Njëri poet yll i përflakur

tok me muzat i përgjakur,

yll ndër yje i frymëzuar

nëpër vargje i paharuar.

Një bir Kosove e burrë i urtë malsie!

Njeri fisnik nga derë artistësh lulëzimi!

Ekonomist një tjetër me ëndrra përparimi!

Tjetri vatran, zhuritur nga mall mërgimi!

Një ëngjëllore, nimfa e gjallërisë ujore,

Sabi, Sabihaja, puhiza mëngjezore!

Në lumej, det e oqean dëgjohet thirrje e saj,

shpirti fëminor endet livadhesh në parajsë.

Mërmërojnë valët: Sabiha! Sabiha!

Buçasin dallgët: Sabi! Sabiha! Sabiha!

Erzeni u zgjua, te urë e Beshirit rrjedh,

e sillet e shtillet nën lule e gjeth,

me zhaurimë në zall e mbi bar hedh lot-stërkala,

për krime terri me oshëtimë përhapet fjala…

Mëkatet e mia ia kam rrëfyer patër Gjergj Fishtës- Cikël poetik nga XHELAL TOSKU

unë e kam një arsye për t’mos vdekur

për nje lule
për dy lule
për tri lule
për të gjitha lulet
nuk ka asgjë më të sigurtë se vdekja

unë kam në gojë shijen e syve të tu

***

është të mos e shohësh kopshtin arome portokajsh dhe trëndafilash
ullijte e gjelbër verë dimër lumin e heshtur
luginën e thellë kodrinat e ngrohta ere diell
fushën dhe qiellin gjer ne skaje
gjer atje ku bashkohet me detin dhe detin vete
të zgjohem në mëngjes dhe te mos shoh ty bri meje

***

vetëm një lule kamelie
me tregoi qe ti ekziston

fjala lindi me vone
vetëm e vetëm prej teje

***

zbriti vjeshta në pyje
nga larg vjen ere dhe shi
unë strukur në mendime
a do vish përsëri

bien gjethet e vjeshtës
nga pyjet vjen erë dhe shi
unë për ty strukur ne mendime
kur do vish përsëri

***

nga lart poshtë nga poshtë lart si një peme
e gjitha e imja dhe jo imja
të vij përqark si një peme
qartësi dhe mister
e vërtete dhe e rreme
e rremja zhduket
dhe çfarë mbetet nga e gjithë kjo e vërtetë
që je ti dhe unë

***

ndodh ne anëdetin tim
ne kopshtijet me portokaj dhe limonë
me një dritë të zbehtë të largët
që s’dihet nga vjen
në një nate me shi te imët

njeriu zhytet në një ëndërr
nga ku nuk zgjohet dot më

jetë thua apo ëndërr ishte

***

kur ndodh të ushqej me thërrime ndonjë harabel të vogël rrezuar nga pemët ndjehem si Zot

ti merr autobusin dhe ikën
ti merr avionin dhe ikën
ikjet tuaja ushqejnë trishtimet e mija

dhe vetja me duket si një harabel i vogël
që Zoti më mban në jetë me thërrime

Zoti im po ti si ndjehesh ?

***

do ta mbajmë sekret nga njerëzit
çelësin ne dere
ti në krahët e mi
thjeshtë do t’i tregojmë vetëm Zotit
që jemi krijesat e tij

***

ah pikëllimet e mija prej hëne

do të këtë dhe mbrëmje me kundërmime deti

do ketë dhe net me kundërmime kopshtijesh

kamelia ime
në cilin sup ti do vendosësh kokën dhe do qash

ah pikëllimet e mija prej hëne

***

drita zbriti para se të vij unë në këtë bote

tani gjithkush tregon errësirën e tij

unë errësirën time
nata errësirën e saj

shëndetit tim i bëjnë mirë
nata dhe yjet

në djall shkofshi ju
me gjithë ditët tuaja
të bardha
plot dritë

unë nuk e fsheh errësirën
time

***

mëkatet e mija ia kam rrëfyer patër Gjergj Fishtës
e shoh gjithandej tek shkon i përkulur me mëkatet e mija në shpine

dhe mëkatet e mija shtohen

***

bien kambanat e kishës në mesnatë
dhe ti kaq e kaq vjet
mbështjelle kokën me shami te zeze
shkon e rrëfehesh dhe i lutesh Zotit

shpëtim nuk ke
shpëtim nuk kam

kush na ka mallkuar për dreq
kush fajin na e ka
kur vete vrapojmë pas fatit tone te keq

bien kambanat e kishës në mesnatë
dhe unë se di çfarë më dhemb gjer gjak


Njeriu i dorëzuar

njeriu i dorëzuar nuk ka shtëpi
nuk ka atdhe
nuk ka president
nuk ka kryeministër
nuk ka deputet
nuk ka kryebashkiak
nuk ka kryeplak
nuk ka eter
nuk ka bij
nuk ka vëllezër
nuk ka motër
nuk ka mjek
nuk ka infermier
nuk ka as miq
nuk ka as shoke
dhe xhepat i ka bosh

për njeriun e dorëzuar
vdekja ka fytyrën më të bukur se te gjithë

***

mbi kuaj
me trokth
me galop
kali im
urdhrat vijnë gjithmonë nga lart
kështu ka qenë gjithmonë
kush do bëjë të ndryshojë

***

disa janë të mëdhenj sepse janë të mëdhenj
disa ndjehen të mëdhenj sepse të mëdhenj i kane shpallur të tjerët
Zoti është i madh sepse të madh e kanë shpallur njerëzit

sipër kokës time qielli
nën këmbët e mija toka

unë një pikë
edhe toka një pike
varet kush na sheh

un e di që jam i vogël
unë e di që jam një pike

***

një lule e vogël Margarita
e verdhe e bukur

një mundësi për t’i shkuar jetës gjer ne fund

mbaj mend vetëm mëngjesin
ku ma zuri syri

***

mendova se u rrëzuan hijet

askush nuk këndon më për malet e lartë
për fushat e gjera
për grunjërat për bukën

për draprin nuk flet me askush

po për çekanin që vazhdimisht na rri mbi krye
çfarë thuhet

mua më kanë kryqëzuar hijet.

***

nisa të dashuroj një grua qe kishte prirjen e fshehte për të jetuar mes të vdekurve
i pëlqenin festat e fundvitit

kur iku prej meje me erdhi shume keq
nuk mund ta shpëtoja dot

fillova te mendoj se katundi im është më i bukur natën
sidomos kur bie shi.

ndoshta nuk është kohë e përshtatshme për të jetuar.

***

Zoti im unë jam këtu në tokë sipas formulës tënde misterioze që askush nuk e di dhe askush nuk ka për ta gjetur

këtu më thonë se unë jam i barabartë përpara teje
dhe përpara ligjit

me kë me mbretërit
me presidentet
me kryeministrat
me ministrat
me deputetët
me kryepolicët
me policët
me kryebashkjakët
me luanët
me tigrat
me rinocerontët
me hijenat
me peshkaqenët
me gjarpërinjtë
me minjtë

me kë o Zoti im

***

pylli im arome drurësh të zhveshur
barishtesh të egra

manushaqja ime
prej te gjitha luleve thonë
vetëm ti lajmëron pranverën

jetës sime
prapë nuk i dihet

***

çfarë ishin ata
ku shkuan

edhe në parajse
edhe në ferr
shkohet vetëm

edhe në ferr
edhe në parajsë
nuk hyhet i gjallë

kush janë këta
këta ku do shkojnë

***

të llojllojshëm peshqit nuk i panë peshkatarët kur erdhën në mbrëmje
as kur hodhën rrjetat
deti ishte i qete dhe hëna e zbehte
dhe varkat lëkundeshin lehtë-lehtë
gjithë natën e natës të llojllojshëm
peshqit shëtitën ku deshën
të pa merakosur
po në mëngjes kur peshkatarët erdhën dhe ngritën rrjetat
peshqit kur panë se po i shkëpusnin nga uji
kur nuk po shpëtonin dot nga rrjetat ku kishin ngecur
filluan t’i luten zotit
(besoj çdo kush ka parë si e hapin gojën peshqit kur i nxjerrin nga uji)

o Zot nëse i dëgjon shpëtoji
vetëm ti mund t’i shpëtosh
o Zot vetëm prej teje e presim shpëtimin

***

rrëfimi im është i vërtetë

njeri katund matanë lumit
katundi im këtej lumit
shkonim e vinim me varke —- ndjeheshim bashke
kur u ndërtua ura u ndamë

asgjë për t’u çuditur

***

udhës nëpër pyll vetëm pylli vjen me mua
ndjej freskinë e bredhave
nuk do shkojmë gjëkundi
do hyjmë ne muzg

(Marrë nga ExLibris)

Lufta për mbijetesë e identitet e dhënë përmes vlerës ideoestetike- Nga Ismet Aliu

Vështrim kritik mbi romanin “A ka kund zot’’ të Agim Gjakovës, Bota Shqiptare

Agim Gjakova është krijues i shumëllojshmërisë letrare: është poet, prozator, dramaturg, eseist, skenarist e publicist, me një fjalë ai lëvron të gjitha gjinitë letrare. Vepra e tij në të gjitha këto gjini kap mija faqe. Veprat më përfaqësuese të autorit janë: në fushën e poezisë “Kufiri imagjinar’’ dhe “Saga flurore’’, në fushën e prozës tregimtare “Shtëpia në udhëkryq’’, ndërkaq në fushën e prozës romanore “Herezia’’, “Loja e kafkave’’ dhe sidomos romani “A ka kund Zot’’. Kësaj radhe do t’i shpërfaqim disa nga segmentet e prozës së tij romanore, përkatësisht nga kryevepra romanore “A ka kund Zot’’.

Nga fusha e prozës romanore tërheq vëmendjen si vlerë ideoestetike e tematike dhe si realizim me diskurs të fuqishëm artistik sidomos romani “A ka kund zot’’, për të cilin kritiku Behar Gjoka në librin “Shkrimtari i të dy anëve të kufirit’’ thotë se është: “…një tip shkrimi ku prekim situata psikologjike dhe kombëtare, fundekrye shënon një eveniment letrar të përveçëm…’’

Romani në fjalë është një krijim artistik për luftën, mbijetesën, dhunën, vrasjet, sadizmin, pasqyrim i  një egërsi për zhbërjen e gjithçkaje që është shqiptare. Që në titull kemi një formulim drejtuar qiellit, një klithje, një ankth, një zhgënjim nga dehumanizimi i njeriut. Ngjarja në roman zhvillohet në një ambient tipik rural, në fshatin malor që ka vetëm 17 shtëpi. Hapësira ku kuzhvillohen ngjarjet është imagjinare për faktin se ka emër përgjithësues, por është hapësirë tipike që i ngjan çdo fshati  shqiptar të Kosovës. Në të vërtet ngjarja zhvillohet në dy hapësira: në fshat dhe në bjeshkën te tëbanat dhe së këndejmi në tekstin romanor krijohen dy linja rrëfimi, të cilat kanë një trung të përbashkët ndërkomunikues ideoestetik e tematik pa u krijuar plasaritje tematike brendatekstore. E gjithë tekstura romanore thuret përmes rrëfimit përspektiv; një vorbull ngjarjesh tragjike që ndodhin brenda 7 ditëve. Në këtë hapësirë dy rrafshesh: atë fizik dhe shpirtëror të heronjve, palëvizshmëria e kohës bën që rrjedha e kohës të humb kuptimin real. Anise gjithçka lëviz në këtë “teatër absurdi’’ ku takohen  jeta e vdekja, dhuna e zhgënjim, poshtrimi e dhembja fizike e psikologjike, mbijtesa e vdekja, pra gjithçka rrjedh në një lëvizje kaotike, vetëm koha e mbarsur me frikë e traumë është ajo që s’lëviz.

Romani nis me tekstin përkushtues: “Ky roman u kushtohet të gjitha nënave të botës, të cilat ndjenjën e amësisë e kanë përmbi gjithçka’’. Pra që në fillim hetojmë se shkrimtari ka një qasje të re, një këndvështrim tjetër mbi luftën, ku objektivi kap sekuencat, detjet e amësisë dhe ruajtjes së fëmijëve, të cilët pas këtij absurdi e sadizmi do të rinisin jetën.

Agim Gjakova gruas, në këtë rast nënës, i ngrit përmendore, meqë ajo (nanë Bora) me bëmat e saj të ngjan ngapak në Noan biblik, sepse ajo me çdo kusht do ta shpëtojë llojin përmes fshehjes së fëmijëve, të cilët, pasi të gjithë burrat janë vrarë, ata do ta ringjallin fshatin, mbi vdekjen do të hapin portat e jetës. Për Noa-n e rëndësishme ishte ruajtja e të gjitha qenieve, llojeve, që jeta të ringjallet sërish, po aq e rëndësishme për nënë Borën është ringjallja dhe ekzistenca e fshatit pas plojes. Për të fshati është bota. Autori e fillon romanin me nënë Borën që merr fëmijët për ta varrosur (burrin) Bacen: ( -Na vdiq baca, burri i mbramë në katund… f. 11)

Pak më lart thamë se A. Gjakova e shikon luftën nga një kënd i veçantë. Me këtë skenë ai tregon se burrat janë vrarë. Ai s’ flet për ta, por tabloja ku një grua me një tufë fëmijësh do të kryej ritualin e varrimit, flet më shumë sesa shkrimtari të fliste për masakrimin e burrave. Pra një këndvështrim dhe gjetje e bukur që lexuesin e shtyen në leximin e nëntekstit, në rrjedhën e tragjedisë që sapo ka ndodhur.

Në letërsinë shqipe tanimë kemi një mori veprash mbi luftën e fundshekullit të kaluar, thënë të vërtetën shumica kanë këndvështrim të njëjtë, observim dhe skena, situata e detaje që përsëriten,   ndërkaq te Agim Gjakova kemi diçka tjetër; ai suksesshëm do t’i ikë këtij klishetizimi që herë-herë krijohet përshkak tematikës dhe këndvështrimit të ngjashëm e pavetëdijshëm. Autori gjithë këtë absurd ku vriten njerëzit, gratë e fëmijët, e shikon ndryshe dhe ndryshe ndërton edhe esencën temore ku ekzistenca, qëndresa e mbijetesa na jepen me gjetje të reja, ndonjëherë në mënyrë unikate. Kujtoj se këndvështrim tjetër është fakti se gjinia e bukur  e bëjnë qëndresën e mbijetësën, por edhe planin për ripërtritjen e fshatit, ku nën udhëheqjen e nënë Borës fëmijët burrërohen atypëraty. Në temën e luftës që në letërsinë ballkanase, e veçmas tek shqiptarët është megatemë, autorët në vokubularin e tyre të thurjes së tekstit artistik, dendur kanë përdorur figurën poetike të hiperboles, (në letërsi, muzikë, film e arte tjera) ndërkaq te romani në fjalë kemi shmangie të suksesshme nga hiperbolizimi që veprën, përkatësisht mbarështrimin e lëndës e bëjnë më ndërkomunikues në shpalimin e situatave të pahiperbolizuara.

Nënë Bora gjatë gjithë kohës ka rolin e kryepersonazhit dhe rrëfimtarit njëkohësisht. Ajo rrëfen në vetën e parë njëjës duke i folur vetëvetes brendisë së qenies, fëmijëve dhe botës që e rrethon, ndërkaq shkrimtari tekstin e saj do të na e jap me kurziv, në mënyrë që lexuesi ta shquaj më lehtë nga linja tjetër e rrëfimit të narratorit të gjithdijshëm që rrëfen, ndërton imazhe e situata dhe ekspozon narracionin në vetën e tretë njëjës; narratori i cili  ndodhet në një hapësirë tjetër, aty ku jeta përmbyset dhe planimetria e pushtuesit, (“njerëzve me pushkë’) shkon kah zhbërja e gjithçkaje që ka ekzistencë. Rrëfimi në vetën e parë i nënë Borës është më lirik; shpesh është një monolog i brendshëm, psikologjik, i dialogizuar me vetveten, nëpër të cilin zvarritet dhembja, por vetëtin edhe shpresmira se pikërisht fëmijët “burra’’ që ajo i ka shmangur nga shënjestra e vdekjes, do të ngjallin sërish fshatin e vdekur. Herë pas herë nënë Bora do të dialogojë me Bacën, burrin e vdekur. Në të vërtetë nga një personazh real, Baca që vie përmes prolepsës, nuk ka trup as pamje, është veç zëri  i ndërgjegjes që flet, udhëzon e derdh fraza e urtësi pa përmendur skenën e vdekjes, në të vërtet ai jep udhëzime, jetë e shpresë në shpirtin e nënë Borës. Prania e tij që nga fillimi e deri në fund me fjalorin e urtësisë popullore e filozofike e shtyen lexuesin të harrojë se ai është i vdekur. Nanë Bora ndëkomunikon me të vdekurin në situatat e rënda ekzistenciale, të llojit që do t’i shërbejë si tharm.

Autori në një pjesë bukur të madhe të tekstit përdor parimin e ekonomizimit,  (…Baca ka luftuar gjashtë herë. Asht plagosë dy herë e kjo qe lufta e shtatë. U plagos e vdiq. F .116);  ai e zhvesh tekstin prej frazave të thata, deskripcionit të panevojshëm, skenave e detajeve jofunksionale dhe krijon  dinamikën e diskursit të të folurit të fuqishëm si: Në murin prej lëndësh të tëbanës m’u ravijëzuan rrënjët e asaj peme që tregova vetë më parë dhe në atë pemë kokat e djemve më ngjanë me frutat e saj. f.117

KONTRASTI : BOTA E MBIJETESËS DHE BOTA E DEHUMANIZIMIT TË SKAJSHËM

Personazhet në roman dhe bëmat, veprimet gjatë gjithë kohës janë në marrëdhënia kontrastive. “Njerëzit me pushkë’’,-paramilitarët janë e errëta që do të gllabroj edhe pikën fundit të ekzistencës psikologjike e fizike të grave dhe vajzave që kanë ngelur pasi të gjithë burrat janë vrarë. Këtu kemi dy botë. Njëra e egër dhe e dehumanizuar skajshmërisht dhe tjetra e pafuqishme për të mbrojtur identitetin, pronën, jetën e nderin. Ata që përfaqësojnë botën e dehumanizuar gjenocidale, nuk e durojnë praninë e asnjë forme të jetës në fshat, madje as të qenve e kafshëve, megjithatë ata janë humbësit, sepse siç do të thoshte Volter-i për luftën: “Është më e lehtë të nënshtrosh tërë universin me anë të forcës se sa mendjet e një fshati të vetëm’’.  Këtu kemi një përballje interesante:  Ironia është se këtij njësti të pashpirt i prin një femër e cila është lesbike dhe e çrregulluar,  që merr fuqi nga ushtrimi i dhunës. Shkrimtari e shenjon në mënyrë ironike prijësen duke e quajtur Frymëzusja. Ajo me gjithë smundjen e saj është frymëzuesja e njësitit ndëshkimor. Tek pjesa e tekstit narrativ ku ngjarjet zhvillohen në fshat, gjatë gjithë rrjedhës së kohës kemi figurën e kontrastit. Jeta-vdekja, nata –dita e mugët,  zhgënjimi – shpresa, ëndrra- shpërbërja e ëndrrës, frika dhe së fundmi mposhtja e frikës.  Në të shumtën e herave shkrimtari e inicon një objekt si ( kulla e plakave) a subjekt (njeriu me maskë) dhe e ngrit në figurë. Në mesin e “njerëzve me pushkë’’ paraqitet njeriu i maskuar. Aty fshihet tradhtia e mjerimi  të cilin e mbulojnë mallkimet e grave më keq sesa varri. Shkrimtari fut elemente të tilla, të cilat në hapësirën e përgjithshme tekstore të veprës zënë fare pak vend, por e fuqizojnë tekstin e bëjnë me kreativ, pikërisht për faktin se nuk shkërmoqet thellësia e i tyre, por enigmatizohet.

Si segment kyç, në tekst, kemi sekretin e koduar, (Nënë Bora më fëmijët, sekreti i vendndodhjes së tyre) dekodimi i të cilit është i pamundshëm. Pikërisht sekreti bëhet shkak që do të prodhojë pasojën në vazhdimësi deri në ikjen e njësitit ndëshkimor. Pas mosdeshifrimit të sekretit rrjedh pasoja: Poshtrimi, dhunimi, sadizmi -argëtimi përmes plojës, lodhja psikologjike e fizike, shkatërrimi i materiales dhe shpirtërors. Pala e parë “njerëzit me pushkë’’ duan ta dekodojnë sekretin që t’i vrasin fëmijët, që kjo hapësirë jetetëdhënëse të bëhet përgjithmonë hapësirë e pajetë. Kjo përballje rezulton me plojën tragjik: vdekjen  makabre të grave, vajzave e ferrishteve, vrasjen e kafshëve, por edhe të fitores së jetës mbi vdekjën, sepse do të kthehen fëmijët që do të përtrijnë jetën.

Artet përgjithësisht kanë marrëdhënia shkëmbimi, ato marrin nga njëri-tjetri. Skena e numrimit të stapinjve të misrit në baltinë, nga gratë që do të zgjasë me ditë, është një lojë poshtruese,  tragjikomike që të kujton tablo tmerri nga filmat për hebrejt  në kohën e nazifashizmit, por edhe skena ku hudhën gratë në pus dhe të tjerat që nesër do të bëjnë vetëvrasje, detyrohen të pijnë po atë ujë, të kujton horrorin hiçkokian.

Ndonjëherë në letërsi temat si kjo e luftës, sjellin vështërsi te autorët rreth mbarështrimit ontologjik të lëndës në tekst, rreth sjelljes së risisë, rreth këndvështrimit, rreth vokabularit të mospërsëritjeve të situatave e ideve.

Pak më lart theksova faktin se Agim Gjakova te romani “A ka kund zot’’ u shmanget me sukses kurtheve të përsëritjes. Ai në krye të këtij njësiti ndëshkimor vë një grua të sëmurë mendërisht dhe seksualisht. Fakti që kjo e frymëzon njësitin, është një gjetje e cila e shpëton tekstin romanor nga kurthet e klishetizimit dhe sjell një frymë e një thyerje në lëvrimin e kësaj teme. Autori kështu krijon imazhe që zgjojnë reflekse interesimesh te lexuesi. Dy plakat e veja veshur në të zeza që jetojnë në kullë vetëm, kushedi çprej  kohesh janë jashtë dy botërave për të cilat folëm më lart. Ato janë dhimbja, kujtesa  e mugëtirës dhe mbijetesa. Ato nuk dalin nga kulla, nuk i helmon tymi e bloza. Ato thjesht nuk dalin nga përvujtëria e vetëharrimi që ngritet në figurë domethënëse brendakstore. Ndonjëherë të ngjanë se janë shndërruar në kullë sekretesh. Simbolika e tyre është rrënja e lshtësisë, veshur në të zeza, mbijetesa e gjithmonshme. Edhe kjo skenë me Plakat është një gjetje interesante ku shkrimtari krijon kontekstin shumështresoren në tekstin romanor e që tek lexuesi zgjon intuitën e të menduarit rreth zbërthimit nëntekstor të domethënieve.

Pas plojes, shkretërimit të gjithçkaje njësiti ndëshkimor ikën, e nënë Bora dëgjon zërin triumfal të Bacës që vie nga tejbota: “Plakë…! – zëri i Bacës u përvaj në atë gjëmë të pavajtueshme – nuk ka ma shkije në katund!’’ (f. 197) dhe pastaj tek po kthehej i fliste vetes: “Nuk munda të marr me mend se ç’masakër tjetër të përçudshme kishte parë dheu i katundit.(f.197) Këtu mbi rrënojat shpirtërore, mbi plojë hapet porta e jetës.

Në fund duhet të theksojmë fuqishëm se romani “A ka kund Zot’’ ndërtohet me një stabilitet tematik e ideoestetik pa lëvizje poshtë-lart, me art të thukët, me një stil modern e klsik shkrirë brenda tekstit, me një gjuhë të pasur letrare, por edhe me trajta e forma të gegërishtes kosovare dhe shënon një vlerë të theksuar, jo vetëm brenda opusit autorial, por përgjithësisht në fushën e prozës romanore.

(Marrë nga ExLibris)

ZËRI I ROGANËS- Nga ATDHE GECI

Roganë, ndiz zjarrin që lind këngën
o, ndiz zjarrin që lind flakët e jetës
që fëmijë e njoha tokën dhe qiellin
i njoha retë që pluskonin shi, njoha
të gjelbrën e Roganës dhe të luleve
njoha të gjelbrën që e sillnin erërat.
.
Në tokë të Roganës dardane u rrita
me ëndrrat e kopshtit dhe të grurit,
me ëndrrat e harlisura të misrit dhe
me legjendat e rrudhave nëpër lisa
natyra dyert çdoherë i ka të hapura
për flutura lulesh jemi ndjekur dhe
zënë që të kapim flutur-xixëllonjën.
.
Jeta nuk na la gjatë të ëndërronim
u desh t´ia mësonim germat gjuhës
u desh t´ia mësonim notat këngës
u desh që atdheun ta njihnim mirë.
Jashtë ëndrrës këmbët ankoheshin
udhës sonë kishte kthesa e ndalesa,
né ishim të vegjël e ca gjëra nuk i
kuptonim, atdheu ynë ishte i ndarë!
.
Në kohën kur isha nxënës i ciklit të
të ultë, mësonim histori të armikut
fitoret e tij i mësonin me detyrim
që fëmijë ne e njihnim dhimbjen
farkëtarin e prangave e të burgjeve
burgimtarin e ëndërrave me Roganë
.
Në libra, atdheu ynë nuk ekzistonte
né arsimoheshim pa atdhe e pa liri
herojtë tanë në libra quheshin armiq
librat tanë ishin të mbushur me hero
serbë dhe fotografi xhelatësh për ne!
.
Heroi yë i kombit, Metush Krasniqi
ishte zëri i të gjithë të zemëruarve
ai i kërkonte më të mirat për lirinë
kërkonte rebelim kundër pushtuesit
thërriste forcën me vetëdije atdheu
të e shpalosim dasmën e kraharorit
si pjesë të himnit dhe të betejave!…

“Letër dashurie”, nga Feride Papleka

Pjesë e shkëputur nga novela Letër dashurie, Argeta LMG, 2007

Do të doja t’i nisja këto rreshta me fjalët “mon amour”, që dikur ishin gëzimi i shpirtit tim, por dora s’më bindet. Fillimisht unë e bëja këtë, ngaqë doja të përdorja diçka të veçantë, i rrëmbyer nga ajo ndjenjë e pashpjegueshme që më kish pushtuar dhe, që pastaj kjo mënyrë të shprehuri u bë e natyrshme. Tani as emrin nuk ta shqiptoj dot. Ka rreth një vit e ca që nuk jemi bashkë e mua herë më duket sikur ka rrjedhur një kohë shekullore dhe herë të tjera sikur kjo ka ndodhur dje. Ndaj kur takova rastësisht shoqen tënde që u bë edhe imja, e më tregoi për dramën që je duke përjetuar, zemra ime trokiti fort dhe ndjenjat nga një gjendje e fjetur, u zgjuan, lëvizën e m’i trazuan kujtimet. Unë përjetova një gjendje kaotike, si të thuash, pashë të vërtetën time të shpërndahej si pluhur dhe u pështjellova sërish, si atëherë pas ikjes tënde. Dhe ja përse po të shkruaj, të lehtësohem disi nga mundimi.

Zbrazëtia që le ti kur ike, më dha për një moment një ndjenjë fajësie, një lloj culpa in eligendo, që e vuajta shumë. Ka pasur raste që jam ndjerë krejt i humbur, sepse nuk të quaja dot ajo dhe nuk e quaja dot veten ai. Pastajrrekesha t’i jepja dorën krenarisë sime të plagosur. Ato kohë, shpesh unë imagjinoja mosekzistencën time. Hiçin absolut. Fill pas kësaj, përplasej te unë forca e fatkeqësisë që vjen kur s’e pret. Nëse zhytem thellë në kujtime, përpiqem të dal menjëherë në sipërfaqe, sikur të isha mes një shtjelle që të zë frymën. A më përket jeta ime, apo ajo është e varur nga forca të tjera? A e njoh unë veten sadopak, apo ajo është një un i rrethuar nga kundërshti që nuk e lënë të qetë asnjë grimë?! Nga kjo gjë përditë e më shumë bindem se jeta është një mister i gjallë.

Pas atij kumti të mynxyrshëm, as gjumi nuk më zinte. Erdhi një çast kur imazhet m’i mbuluan sytë e nuk më shqiteshin. Ato ma rrëmbyen vetëdijen gjer vonë. Më dukej sikur isha në përgjim të vetes time që gremisej si një barkë e vogël, e lëshuar në mëshirë të fatit mes një deti me furtunë. Kisha lodhje të mendimeve. Në mëngjes mesa duket dremitja më kaploi tinëz se e pashë veten në ëndërr buzë një honi të thellë e që më fuste në ankth se duhet ta kapërceja. Por nuk shihja mirë. Natyra ishte e verdhë si fytyra e një meiti. Rrija, pra, duarkryq, me sytë pa dritë dhe zemër të friguar. Më mungonte guximi. Kur qeshë i detyruar të hidhesha se dikush më ndiqte, u zgjova dhe mezi u ftillova se ku isha. Edhe tani rrëqethem nga ajo ndjesi.

[…]

Muzgu është i hirtë dhe derdh pikëllime e iluzione me ngjyrën e tij. Unë ende jam, si të thuash, në mëdyshje: të vazhdoj të shkruaj, apo të ndalem? Megjithëse kam mbushur fletë të tëra, më ngjan se ajo për të cilën po flas, është një legjendë, që nuk ka lidhje me realitetin, por me mbirealitetin, me rrjedhën e padukshme të jetës. Kjo dysi më shtyn të kërkoj te vetvetja atë diçka që nuk e kam gjetur më parë. Por, pastaj turbullohem. Përfytyroj një çift që ecën duke u përqafuar, duke u shikuar me mallëngjim në sy, duke vënë duart mbi duar si në një film të ngadalësuar. Janë gjeste dashurie e dhembshurie përzier në një kuptimësi të heshtur, por sublime. Pastaj përfytyrimi zëvendësohet me një siluetë të vetme që vazhdon të largohet në një të tashme të përjetshme. Dhe ajo je ti.

A e di që unë disa herë pas ikjes tënde, e ktheja kokën pas, se më dukej sikur zëri yt thërriste: Artiii! Por, s’ishte askush. Dëgjohej vetëm një jehonë e mbytur që më kishte mashtruar. A ishte kjo një dëshirë imja që transformohej në materie të paqenë? Nuk e them dot saktë. Vetëm e kuptoja se në raste të tilla çoroditesha së tepërmi dhe tërë dita më kalonte e vagëlluar. Në kulm të melankolisë pandehja që po më ikte shpirti si në rrëfimet biblike, dalëngadalë, se thuhet që hyjnia duhet të mendohet se ku duhet të shkojë shpirti i të vdekurit, në qiell apo në ferr. Shpesh përfytyroja sikur më zhbëheshin një nga një gjymtyrët dhe trupi im mbetej pastaj një send pa formë, cung. Eshtë tepër e dhimbshme ta përshkruaj.

*

Jashtë është errësuar dhe unë si zakonisht kam ndezur një qiri. Ti tashmë e di që ne jetojmë si në mesjetë. Duke të shkruar po vërej se vetja ime është bërë thjesht një variant tragjikomik i atij që kam qenë. Të them të drejtën, dyshoj në shumëçka. Dyshoj edhe te jeta. Dyshoj edhe te vdekja. Të papriturat nuk qenkan vetëm për një jetë të gjatë, por edhe për një jetë pak a shumë të shkurtër. Nuk e them këtë të gjej një zgjidhje që paqton sedrën time, por si diçka të thellë që më shtyn të flas për ne, për mua dhe për ty. Për lidhjen tonë që u këput një ditë si të mos kishte ekzistuar kurrë.

Letër them, por a është letër? Në të vërtetë është një bashkëbisedim, një urgjencë shpirtërore. Sido që ndodhi, unë arrita në përfundimin e veshur me petk fetar dhe e quajta zhdukjen tënde një pashmangësi të fatit. Sepse, a mund të mos e quajë të tillë një individ, qenësinë e të cilit e ka ndjekur tragjikja në çdo hap? Të kam treguar se isha katër vjeç e gjysmë kur më vdiq mëma duke lindur një fëmijë të dytë që erdhi në jetë pa frymë. Pra, më iku mëma, por bashkë me të fluturoi edhe ëmbëlsia e jetës. Gjyshja më tregonte se kam ndenjur disa ditë shtrirë, pa ngrënë. Aq sa njerëzit e harruan vdekjen e mëmës dhe mendonin për fundin tim të shpejtë. Kur u ngrita papritur, gjëja e parë që bëra, ishte se kërkova të haja. Më kanë thënë se s‘kishte pasur gëzim më të madh në shtëpinë time. Gjyshja dhe gjyshi qanin duke përqafuar tim atë që fati e kishte ruajtur nga një fatkeqësi e dytë, e madhe. Pas ikjes tënde kam thënë me vete se do të kishte qenë më mirë të kisha vdekur qysh atëherë.

Kur isha nëntë vjeç një goditje tjetër e rëndë ra mbi mua. Vdiq im atë. Më vonë e kam mësuar se kishte pasur kancer në mushkëri. Fytyrën e tij e përfytyroj të prishur nga sëmundja, por edhe disi të egërsuar. Mbase vdekja e mëmës, të cilën e donte shumë, ia pati hequr butësinë te fjalët dhe gjestet. Kështu më qetësonte gjyshja. Tek ai mbase kishte ndikuar për keq edhe një martesë e dytë, që nuk i shkoi mbarë. Mesa duket ime ëmë kishte qenë e pazëvendësueshme për të. Disa skena zënkash e mërie midis tij dhe gruas së dytë, unë nuk dua t’i sjell ndër mend. Im atë me siguri ka qenë fajtori kryesor, sepse ajo grua ishte e butë dhe mbi të gjitha e heshtur.

Për disa kohë, pasi vdiq edhe im atë, u ndjeva fare pa shpresë. Më mbërthente ideja e përjashtimit nga jeta. Ndonjëherë isha aq i dëshpëruar sa pandehja se ecja buzë ujërave të thella që më thërrisnin për të më joshur të hidhesha. Shkurt, gëzimi i pafajshëm i moshës sime qe shndërruar në një dhimbje të pasosur. Bota që më rrethonte më dukej e huaj. Shpesh zërin e njerëzve e merrja për kërcënim ose urdhër. Kishte raste që më kapnin drithërima e lëkundesha si ai ylli në qiell, para se të rrëzohet. Pa u mbushur muaji nga vdekja e tim ati, ish-gruan e tij erdhi dhe e mori njëri vëlla, ai që edhe kishte dashur ta hidhte në gjyq si njeri të dhunshëm, siç e mora vesh më vonë. Gjyshi vdiq disa muaj pas tim ati, mbase nga hidhërimi, sepse nuk qe i sëmurë. Gjyshja rrojti edhe tre vjet të tjera e hidhëruar dhe me lot në sy. Dhe një javë para se të vdiste më tha duke folur thuajse me frymë, ngaqë nuk kishte zë, se vullneti për të më parë mua edhe pak më të rritur, – zot të vetes – siç u shpreh ajo, sepse unë sa kisha hyrë në klasën e dytë – e kishte mbajtur gjallë deri atë çast. Mua më mori në shtëpinë e vet një teto, motra e babait, që jetonte e vetme. Historinë e saj të ndërlikuar nuk po e tregoj për mos t’u shmangur shumë nga rrëfimi për vete. Ajo u përpoq shumë ta hiqte paksa trishtimin nga zemra ime, por trishtimi është si një vulë e gdhendur në shpirt për mos t’u shkulur kurrë. Kushedi sa herë ndonjë mik apo mike, gjer vonë më kanë thënë: “Ti je gjithnjë i trishtuar?” Kur të takova ty, trishtimi im iku, sikur ta kishte hequr njeri me dorë.

Po të shkruaj edhe pak për historinë time shpirtërore, derisa u njohëm bashkë. Njëmbëdhjetë vjeç, më mbërthyen vështrimet e një vajze që një ditë vjeshte u zhduk nga horizonti i shikimit tim si një gjethe peme që e merr era. Ndërsa e kërkoja me padurim pas pushimeve të verës në oborrin e shkollës, më thanë se kishte vdekur. Ty do të duket e pabesueshme, por një ditë u ndava nga shokët me të cilët luaja në pushimin e gjatë dhe e luta vëllanë e saj, që ishte pak më i vogël se unë, të më shoqëronte në varreza. Qëndrova në këmbë i heshtur, disa minuta para varrit të saj dhe m’u mbushën sytë me lot. Vërtet që unë s’jam Dante Alighieri, por ashtu si Beatriçja, ajo u fsheh vetëm fizikisht nga jeta ime. Kanë kaluar shumë vite që atëherë dhe e çuditshme është që sytë e saj kanë mbetur ende të gjallë në imagjinatën time. E mbaj mend si tani atë çast kur zbulova te vetja ndjesinë e re, atë që në gjuhën e psikanalizës quhetplatonizëm. Kjo ndjenjë pati filluar si në rrëfimet e moçme: një ditë duke ecur unë e pashë në një dritare. Dritarja ishte hapur. Ajo dukej ndryshe, si një nuse e vogël ëndrrash. Në shkollë e shihja gjithnjë mes shoqeve, ngaqë edhe nuk ishim në një klasë. Po kundrohej në qelqet e dritares duke e rrotulluar trupin e saj të brishtë që vallëzonte pas grilave të bardha. Aq të holla ishin grilat, sa përngjanin me ca vija mbi fustanin e saj. Është një episod narcisik i paharrueshëm. Kishte veshur një fustan të gjatë bojë qielli. I kishte shpleksur gërshetat. Leshrat e kuqëremtë i zbrisnin mbi shpinë, sikur rrezet e një dielli piktorik ta përshkonin në mes e lart. Mua përherë më qe dukur e bukur, por ai çast e ka ngulitur në kujtesën time si një sirenë që del nga ujërat. Unë kisha në dorë një trëndafil të bardhë. Të kam treguar që tetoja kishte rreth shtëpisë një kopsht portokallesh e limonash. Kurse në dy krahët e derës kryesore kishte parcela me lule të llojllojshme. Në pranverë, pranë dritares së dhomës ku flija, lulëzonin trëndafila të bardhë e të kuq. Trëndafilat e bardhë i jepnin një bukuri të rrallë mjedisit. Ishte një e bardhë në ngjyrë alabastri. Pra, me trëndafil në dorë unë po e shihja si i përmalluar. Kur më pikasi, nuk e di se çfarë më shtyu t’ia hidhja trëndafilin që poshtë. Nuk ishte shumë lart, thjesht dritarja ndodhej sipër një bimse, por me mendjen time unë kisha prekur qiellin. Ajo e priti me të dyja duart dhe i mori erë fort duke më hedhur një vështrim që kishte brenda fjalët më magjike të botës. Unë po mbytesha në sytë e saj si det, sepse i kishte të kaltër. Vrapova tutje me një peshë të lemerishme në kraharor. Dikur u ndala dhe u ula në një ledh, se lagjja ishte në dalje të qytetit. Ishte ndjenjë shumë e fuqishme. Edhe ti, kuptohet, ke pasur platonizma si çdo njeri.

Po vazhdoj edhe pak, sepse nuk t’i kam rrëfyer të gjitha, ngaqë nuk kishte ardhur koha. Disa vjet pas vdekjes së asaj vajze të vogël provova njëlloj ngurtësimi, që më solli mbyllje në vete. Dhe vonë, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare, adoleshencën time të pambrojtur e të mbushur përplot me fantazma erotike, e tronditi një dashuri platonike e kulluar, që mbase është subjekt për një komedi. Vajza që doja unë, që ia këngëzoja emrin me ritmet e zemrës sime, që ia shkruaja inicialet e emrit dhe mbiemrit në pëllëmbën e dorës e në vende të padukshme prapa dyerve apo dritareve, në murin ku mbështetej shtrati im, nëpër faqet e librave e të fletoreve, ajo pra, për të cilën ëndërroja ditë e natë, dashuronte një tjetër. Kur iu afrova zemërdridhur për t’i shprehur ndjenjat e mia, ajo as që e mori mundimin të m’i hidhte sytë. Madje unë kisha sajuar për të një minidramë në të cilën ngjarjet zhvilloheshin kështu: „Një vajzë e bukur, e rënë në kthetrat e rrëmbyesve kur është në gjumë, çlirohet nga një princ që kryen heroizma. Princi isha unë që e mbaja në krahët e mi duke ecur fitimtar mes turmës së njerëzve. Pra, Bukuroshja e fjetur zgjohet dhe bie në dashuri me mua. Çasti fatal, që më bëri ta merrja vesh se gjithçka kishte qenë komedi, është i papërshkrueshëm. Ajo po përqafohej me të pikërisht nën shkallët e hyrjes së pallatit tim. Unë vuajta ca kohë nga sedra ime e sëmurë duke menduar se me siguri isha bërë për t’u tallur.Ai platonizëm u shua shpejt në mua. Dy miqtë e mi kryesorë u bënë leximi dhe piktura. Unë fillova të merrja mësime private nga një piktor i njohur, mik në shtëpinë e tetos sime dhe në atelienë e tij kaloja mjaft kohë të lirë. Tetoja më nxiste të shkoja në veprimtari të ndryshme edhe që të më largonte nga mendimet e trishtuara.

Kështu mbarova gjimnazin. Notat i kisha mesatare, por letërsia më pëlqente shumë. Mbaja mend që im atë donte të bëhesha aktor dhe konkurova për art dramatik. Ta kam thënë që pas studimeve të larta u specializova për regjizurë. Vajzat çditeshin që isha aq mospërfillës ndaj tyre. Madje njëra ma tha në sy, por mua nuk më bënte përshtypje. Me kalimin e kohës leximet u shtuan. Rrija gjer vonë. Tani më duket se lexojnë shumë ata që duan të shuajnë brengat. Po e përsëris, se kur u njoha me ty, brengat ikën. Dhe naivisht mendoja se nuk do të kisha më kurrë brenga.

*

Kjo dritë qiriri e pakët sikur më shtyn të kërkoj një të fshehtë. Në të vërtetë, me ty shpirti im u çel. Kurmi yt trëndafilohej nga vështrimet e mia që depërtonin brenda lëkurës tënde drejt e në mish, dhe përshkonin dejet e gjakut. Atëherë kënaqësia pushtoi edhe fytyrën time. Unë qeshja edhe për gjënë më të vogël. Isha i lumtur. Ndieja se kisha hyrë në harmoni me gjithësinë. Vuaja kur isha larg teje. Shpirtrat tanë u bënë si dy enë komunikuese. Ne ishim të dashuruar. Digjeshim si dy zjarre që nuk shuhen. Të kujtohet kur i mbyllnim sytë se na dukej si ëndërr. Por, cila qe ajo substancë që e prishi formulën tonë të dashurisë ?

Ditët ikin dhe ti më del në përfytyrim me tipare të shpërbëra. Shndërrohesh në qenie pa sy e pa gojë, e mbështjellë me errëti dhe heshtje. Vetëm kujtimet vrapojnë pa ndonjë drejtim të caktuar. Përse ike ? Përse ? Dëshirat e mia qenë aq të tejdukshme ! A të kujtohet kur të flisja për mëngjeset në muzg e për agimet mbrëmave ? Ti më korrigjoje. Kur ishim bashkë të thosha se ti më ngjaje si një mirazh dhe të ruaja se mos zhdukeshe. Unë bëja shaka, por kishte qenë e vërtetë. Ndërsa veten e mendoja si një personazh që merrte pjesë në një aventurë romantiko-heroike. Unë doja ta jetësoja atë ndjenjë që lejon të kridhesh në magjepsje e ta ndiesh veten në botën e re që rikrijohet papushim, në atë botë që të dashuruarit e quajnë “bota jonë”, “kopshti i dashurisë”, “Eden”, por nuk munda.

Dashuria qenka vërtet e verbër.

Në mes të dëshpërimit, pasi kishe ikur ti, unë fillova të lexoja L’Art d’aimer të Ovidit, që të gjeja arsyet dhe mosarsyet e asaj që ndodhi. Nuk ndieva ndonjë kënaqësi si në të gjitha leximet e asaj kohe. Libri ishte kryesisht me karakter udhëzues për dashurinë, kishte edhe frymë erotike, madje mund të thuash se përshkohej nga pakëz ironi. Disa herë është hamendësuar se botimi i këtij libri u bë shkak që ai të dërgohej në ekzil larg, në brigjet e Detit të Zi, ku edhe vdiq. Gjithsesi, dashuria nuk mësohet. Ajo lind vetë në mënyrë të mistershme, por dashuria e vërtetë lind edhe njeriun, në kuptimin e formëson atë. Në ato kohëra shpirti im klithte në heshtje. Dashuria u bë projekti im më i parealizuar. Kisha lexuar për dashuritë e heshtura, për ato dashuri që besojmë se janë në zanafillë të jetës njerëzore. Dhe i bindesha një të vërtete të madhe : kërkesa për dashuri të zjarrtë, për ta ruajtur atë, është zbulesa më universale e shpirtit njerëzor.

[…]

Dje në mëngjes u zgjova vonë. Me kanatet e mbyllura dukej sikur qe herët se, në fakt, gjumi më zuri pas mesnate, ashtu si të thashë, ngaqë mora vesh për fatin tënd. Dje paradite një mendim vej e vinte në kokën time : të shkruaja apo të mos shkruaja ? Dhe vendosa. Kam nisur që dje në drekë dhe po kalon mëngjesi i ditës tjetër. Pra kjo është një letër që shtrihet në dy ditë dhe me një natë në mes. Kompozicioni i saj mbase çalon, sepse ti i komentoje shpesh librat që lexoje, të bënin përshtypje sidomos ndërtimi dhe fjala. Kjo letër është shkruar, pra, me fjalë zemre. Gjatë kësaj letre mendimet më janë shpërqendruar disa herë. Sepse, me sytë e mendjes të shihja ty të mbyllur në dhomë, me foshnjë në bark, të braktisur dhe jam ndalur disa herë i heshtur në pafuqi duke i mëshuar ndonjë fjale, sikur ajo do të ma ravijëzonte rrugën që duhet të ndiqja.

Pastaj, të shkruaj, ngaqë më duket sikur kam një detyrim ndaj dashurisë. Shoqja jote më tregoi gjithashtu që ti kishe pohuar se do ta mbaje fëmijën. M’u bë qejfi që kishe arritur në një arsyetim të tillë. Në bisedë, që mori trajta intime, ajo tha se ai, të cilit as emrin s’ia di, të kishte detyruar ta lije punën. Pra, ti je aktualisht edhe një e papunë. Është e paimagjinueshme për një arkitekte të specializuar.

*

Unë kurrë nuk e kisha menduar se udhëtimi ynë do të ndërpritej. Në një kohë që pandehja se kisha arritur fitoren përfundimtare, u bëra pjesëtar i dështimit. Ndoshta hidhërimi i skajshëm më ka zhytur thellë e më thellë në brendësinë time. Tani mund të dëshmoj sinqerisht se çdo gëzim njerëzor është i rrezikuar, sa kohë që bota do të qëndrojë e ngritur mbi interesa egoiste. Dëshira për pasuri që flinte diku në një qoshe të nënvetëdijes tënde, një ditë të bukur u ngjall.

Më ndodh shpesh të kaloj rastësisht në rrugët ku kemi ecur bashkë. Kur s’e kam mendjen, më duket se dëgjoj zërin tënd që shndërrohet në dritë xixëlluese si me magji. Unë atëherë hutohem, përngjasoj me njeriun që hap sytë pas një gjumi të thellë. Kur eci pastaj në shëtitoren Dëshmorët e Kombit, aty ia behin kujtimet. Ti e di, aty kaloj sa herë shkoj në punë, por andej kaloja edhe për të ardhur te apartamenti yt. Të kujtohet që, një ditë shëtitorja ishte plot njerëz. Ishte festë, më duket. Dhe unë thashë me vete: “Sa e gëzuar është rruga!” Isha i dehur nga dashuria, sepse isha me ty. Kurse tani afër, kam parë një skenë të përafërt, por gjithçka më dukej pa ngjyrë. Ngaqë nuk isha me ty.

Nuk e kuptoj botën unë, apo s’më kupton ajo mua? Kjo pyetje më bën aq të hutuar, sa mendja më shkon te mistikët dhe murgjit që pas shumë përpjekjesh për t’u përshtatur me botën, detyrohen më në fund të përqafojnë vetminë. Sigurisht në pozicionin e një burri unë ndihem i fyer, por në pozicionin e një njeriu që ka dashuruar, më jep krenari fakti që shpirti im qe i aftë të prodhonte gjëra që kur i sjell ndër mend, më duken vërtet të bukura. Dashuria ka diçka përtej ëndrrës dhe mrekullimit. Ajo tregon se hyjniteti mund të bëhet i qenësishëm te raca njerëzore.

Kur ishe me mua, ti për herë të parë ndjeve se po të trajtonin me një dritë të re. Në punë dhe në shtëpinë e babait ishe mes një bote mashkullore. Vetë ti e ke pohuar se e shihje veten të rrethuar me dritë e ëmbëlsi kur të quaja: lulja ime, e bukura ime, zonja ime, mbretëresha ime… Por ti nuk e pëlqeve këtë mënyrë, përderisa zgjodhe të futeshe në rrugën e padashurisë. A e pe sa e shkurtër qe ajo? Qe si një shteg që nuk të çon gjëkundi. Edhe emri yt tashmë duket sikur rri pezull.

Gjatë natës së mbrëmshme, në një dritare të pallatit përballë u ndez drita. Dhe ndenji shumë kohë ashtu, e ndezur. Unë përfytyroja dikë që vuante. Sepse më kujtohet vetja kur ngrihesha nga pagjumësia. Ndizja dritën, por s’isha i zoti as të lexoja e as të rrija shtrirë. Ecja nëpër dhomë, duke shtrënguar flokët në tëmtha e nuk gjeja qetësi. A e kupton se dashuria nuk mund të blihet? Pas një viti ti je e flakur. Fëmija yt do të rritet pa baba e nuk do të ketë marrëdhënie të mira as me ty kur të bëhet i vetëdijshëm. Sepse për fëmijën dashuria prindërore e dyanshme është një ekuilibër i domosdoshëm shpirtëror. E kam përjetuar vetë atë gjendje, prandaj jam i bindur në atë që them.

Dhimbja nga humbja e dashurisë qenka e pafund. Çfarë them unë? Dashuria nuk humb. Universaliteti i jep çdo dashurie, ashtu si i dha edhe tonës, një frymë madhështore që s’mund të krahasohet me asgjë tjetër në botë.

Nuk mund ta mohoj se edhe miku im i ngushtë që e njeh edhe ti më ka ndenjur pranë. Ai ka hedhur një llotari për të ikur në Kanada. Është e pikëllueshme apo jo? Megjithëse i specializuar në Hollandë dhe i pajisur me një diplomë që e njeh gjithë bota, këtu në vendin e vet nuk ia njohin. Bëri një konkurs në Ministrinë e Financave, por atë vend e fitoi një militant partiak. Kjo që ndodh të çarmatos, sepse ndonjëherë gjithçka të duket e kotë. Halla e babait tim që i ka mbushur shtatëdhjetë e nëntë vjeçe thotë se ky mbase është gjykimi i zotit për këtë vend. Natyrisht ajo i bën interpretim fetar se është besimtare, por gëzimi i njeriut shqiptar tani për tani është vrarë.Prandaj më duket sikur zemrën time e rëndon një qiell i tërë, i hirtë, i rëndë plumb.

Tani dielli po ngjitet lart dhe unë mendoj se kësaj letre po i vjen fundi. Ndihem sikur kam zhvilluar një gjyq pa seancë gjyqësore e pa trup gjykues. Kur ishim bashkë zemra ime dëlirësohej dhe shpirti mbushej me dashuri. Besoja tek e ardhmja. E quaja veten bërësi i botës. Mbase e mban mend një herë kur u kthyem pas mesnate në shtëpinë time, të cilën pasi erdhe ti, e quajta “shtëpia jonë”? Ne qëndruam disa minuta jashtë të përqafuar. Hëna farfurinte dhe një qiell qumështor derdhte poshtë dritë përrallore. Kur u bëmë gati të hynim brenda, unë e ngrita kokën lart dhe u ngurosa. M’u duk vetja i vogël, sa një thërmijëz, ngaqë isha shkëputur prej teje. Sa preka dorën tënde, ndryshova, u bëra i madh si të isha vëlla i zotit.

Në këtë rrëmujë të madhe edhe të jetës në Tiranë, unëpërpiqem të kryej mirë punën time. Të jem i dobishëm. Ky parim është bërë cilësi e karakterit tim, pjesa më e rëndësishme e koncepteve të mia. E shoh se jeta po më mëson të jem modest dhe i përunjur para arsyes së botës. Ajo më jep shembuj të shumtë se duhet luftuar me shpirt që të mbrohet brendësia. Bie fjala, këtë javë jam përballur me dy skena krejt të ndryshme me njëra-tjetrën. E para: një lypës ishte ulur në një nga urat e Lanës, me dorë të zgjatur drejt njerëzve që kalonin, ndërsa në prehër i rrinte symbyllur si i fjetur një fëmijë pesë a gjashtë vjeç, mbase djalë i tij. Dikush i jepte, por më të shumtët ecnin të nxituar në punët e veta, ose kalonin me mospërfillje. Nuk më bëri përshtypje skena, sepse ka shumë të tilla, që e veshin me një perspektivë të zymtë shoqërinë, por fakti që atë lypës e pashë po atë mbrëmje në një rrugë tjetër që ecte duke kënduar, ashtu të përbaltur e të keqosur; s`do mend, lypja i kishte dalë mbarë. Pra, ai e kishte shndërruar lypjen në mjeshtëri, në mënyrë jetese.

Ndërsa skena e dytë kishte një pamje tjetër. Ishte shumë tragjike. Në rrugën tonë, në atë që nuk është kryesore, por që kalonim shpesh, se na pëlqente qetësia, një ditë në një qosshe të saj, pashë dy fëmijë të mbështetur rrëzë një peme e të mbledhur kruspull. Unë isha i harruar në vuajtjen time dhe nuk i vura re, por rruga ishte e shkretë dhe zhelet e tyre, dhe trupat e tyre të dobët e të këputur, më nxorën nga topitja. Ata rrinin të strukur dhe e fshihnin varfërinë. Nuk i zgjasnin duart për lëmoshë. Madje sikur i ruheshin ashpërsisë sonë, ashpërsisë së njerëzve që kalonin duke i shmangur. Ç’rëndësi ka në ishin të bardhë apo me ngjyrë? Kështu unë do të isha racist. Por ata ishin fëmijë. Dhe fëmija është krijesë njerëzore. Ai ka ardhur në jetë që të rritet nga të tjerët. E sheh? Nganjëherë jeta shfaqet lakuriq, edhe me fytyrën e dy fëmijëve që e neverisin atë e që janë plasur në dhé nga dëshpërimi. Këto mendoja, ndërsa përgatitej skena e teatrit të Akademisë, ku do të shfaqej një dramë. Ishte një pjesë nga teatri absurd, por si regjizor, unë e shihja absurdin e saj më gjerë. A nuk ishte një dramë e absurdit edhe jeta ime? Gjithashtu, a nuk luhej një dramë e tillë absurdenë qoshe të një rruge në kryeqytet? Dhe sa drama të tjera që nuk i shohin sytë tanë luhen? Drama e atyre fëmijëve të pangrënë tregon si në pasqyrë se ç’fytyrë tragjike ka realiteti ynë. Atë natë kur shkova në shtëpi, qava. Më ishte grumbulluar dhimbja në shpirt. Kuptohet, brenda ishte edhe zezona ime. Qaja njëkohësisht edhe për dashurinë tonë edhe për rrëzimin e dy engjëjve. Për fytyrën e tyre pa vështrim. Për këtë vend që herë-herë më duket sikur ka marrë të tatëpjetën.

*

Tani dielli po ngjitet lart dhe unë druaj se kësaj letre po i vjen fundi. Ndihem sikur kam zhvilluar një gjyq, por pa seancë gjyqësore e pa trup gjykues. Kam shkruar me sinqeritet e kthjelltësi, madje vende-vende kam ndier edhe njëlloj kënaqësie që s’e kisha paramenduar. Nuk e di përse derdha këtu episode nga jeta ime dhe nga jeta jonë, nga ajo që shkruhet pavarësisht nga ne në shiritin e padukshëm të kujtesës.

Në këtë letër jam përpjekur të përmbledh gjykimet e një ish-të dashuruari apo mbase të një keqdashuruari. Aty është edhe uni im i fyer, uni i atij që duke folur do ta shpërndajë paksa hidhërimin. Duke të shkruar, unë e kuptoj sa e vakët është shija ime për jetën në këto çaste. Tek unë ngre krye vetëdija e atij që ka dashuruar me tërë qenien e tij dhe është mashtruar. Duhet ta dish se dashuria për mua nuk qe një ngjarje kalimtare. Ajo qe tërë jeta ime.

Sidoqoftë, nuk jam vetëm. Vuajtja është e pranishme te shumë njerëz të tjerë në botë.

Ka pasur raste kur ulesha në tryezën pranë dritares dhe shihja horizontin, gjersa më lodheshin sytë. Ndalesha pastaj në një pikë të kujtesës, ku nuk sheh më syri,por mendja. Atë çast më dilte përpara vështrimi yt, një herë i pafajshëm e herën tjetër i pakuptueshëm. Nuk di ta përcaktoj se kur filloi kjo lojë dyshimtare, por jo shumë kohë para se të ikje.

Braktisja që më bëre ti, do të mbetet një enigmë e madhe për mua. Shoqja jote më tha ndër të tjera se edhe ti duke bërë aluzion për gjendjen tënde, i kishe pohuar se ky ishte ndëshkim. Unë mendoj se pjesa jote e mirë, nuk e miraton veprën tënde. Ajo shtoi se ti rri tërë kohën mbyllur dhe kur flet qan. Ky fakt më tronditi pa masë. Dhe mes kësaj tronditjeje të shkrova.

Ndaj, kjo letër i ngjan një diagrame shpirtërore me ngritje dhe ulje. Dhe unë e shoh i ligështuar e me dhembshuri atë kurbë që bie. Them: me dhembshuri. Sepse është një ndjenjë që e çmoj shumë. Mëma ime ishte shumë e dhembshur. Një herë e mbaj mend që më mbështolli në gji e më përkëdheli me fjalë shumë të ëmbla. Kishte drithmë dhe ëmbëlsi në zë. Ajo nuk e kishte zgjedhur rastësisht të bëhej mjeke fëmijësh.

Deti i kujtimeve më duket i pafund, por më duhet ta mbyll këtë letër. Gjatë kësaj kohe zemra ime duke rrahur me ritmet e vuajtjes që kam ndier, më qortonte pse isha kaq i dobët. Por zëri im buçet e thotë se të kam dashur shumë. Pas ikjes tënde kam parë disa herë ëndërr sikur nisesha në takim me ty, por zgjohesha para se të takoja, sepse ti nuk vjen dhe as ikën më. Ti nuk je ëndërr, as zhgjëndërr. Pyes dhe ripyes veten: «Ku shkoi dashuria jonë? Mos kam edhe unë gabimet e mia që nuk i kuptoj? A ka një sy të tretë që duhet të shikojë me ngulm për të dalluar se çfarë nuk shkonte në lidhjen tonë? »

Para se ta nis këtë letër të gjatë, që megjithatë është e shkurtër për kohën që nxë brenda, do ta lexoj. S’do të lë as më të voglën shprehje të ngarkuar me zemërim. Do ta mbyll me përshëndetjen e një njeriu që ka dashuruar shumë, duke të thënë: „Vështro thellë brendësinë që të shërohesh e të riformësosh personalitetin tënd!“

Dhe… ah, tani, një mendim krejt i ndryshëm nga fryma e fillimit është përpunuar në mua. Kjo letër e një të keqdashuruari mori pa u kuptuar formën e një letre dashurie. Pascal-i, një filozof francez, thoshte se zemra ka ca arsye që vetë arsyeja nuk i njeh. Dhe unë, në këtë ditë që e ka emrin pikëllim, në këtë vit të mbrapshtë ’97, kur pandehja se emri yt përngaherë kishte vdekur në mua, nuk të them dot lamtumirë. Zemra ime tjetër gjë më thotë: „Nëse ka mbetur ende vend për dashurinë time në zemrën tënde, EJA!“

(Marrë nga ExLibris)

Poezi nga DAVID AVIDAN (1934 – 1995) I përktheu: Mimoza Erebara

Racion beteje

Për të pirë ujë të rëndë shkretëtire
për të thithur ajër të pastër në fluturim avionësh
për të veshur një uniformë dhe për ca pushime
për të rrahur të rrahurit,
për të zbritur në jetën prej nga kemi prejardhjen,
për t’u ngritur në ngritjen e sapodukur,
për të humbur humbjet e humbura,
dhe për t’i gjetur të gjithë në një goditje,
dhe për të mos humbur më nga lëngjet tona,
por aspak për të dhuruar para apo gjak,
pasi bota qenka e mbushur me hajdutë
dhe ju nuk jeni në anën e tyre,
por të presim për të ardhmen me sy hapur,
tani, Avidan David.
Që po e dënon veten në harresë
Por që do ta kujtosh përsëri,
në dy mijë vjetët e tjerë,
kur do ngrihesh i dobët nga vdekja
me sy të ngjitur nga gjumi,
dhe kur do pish ujë të lehtë tani,
dhe do marrësh frymë lirshëm
në një armadë hapësire të largët,
dhe do shikosh jetën të bukur dhe të zhveshur
nga mungesa e rendit dhe ligjit,
dhe pastaj, qetë do të shkëmbesh
disa fjalë me ta, në gjuhën e tyre.

 

Nje lutje zemër me zemër

Zot, Zoti ynë, ti e dije,
nuk dinim asgjë,
na bëj një mrekulli tani, që të dimë atë që dinit,
çdo gjë që do të dini, gjithçka do të mendoni,
gjithçka që do të ndjeni,
na bëj një mrekulli tani,
që të mund të bëjmë mrekulli,
për veten tonë dhe për të tjerët, dhe për Zotin,
Zotin tonë,
dhe mos i kufizoni mundësitë tona, Zoti Zot,
më shumë se sa kufizuat mundësitë tuaja,
dhe na jep botën tonë të vogël
që ta krijojmë për gjashtë ditë,
dhe të mos pushojmë në ditën e shtatë
më shumë se një e shtatë e ditës,
dhe mos na mëshiro o, Zoti ynë!
Ki mëshirë për të vegjlit dhe budallenjtë,
mëshirë për budallenjtë e kombeve,
dhe na jep forcë të jemi vetvetja
Zoti Zot ynë, që e dinte, jo ti,
Zoti Zot, ai që dëgjoi, apo jo.
Zoti Zot ynë ti je i vetmi,
dhe Zoti, Perëndia ynë, është Zoti, Perëndia ynë
prandaj na jep forcë të mos dorëzohemi,
dhe për të mos ngjallur keqardhje nëse nuk është e nevojshme
edhe nëse duhet Zot, sepse nuk ka nevojë,
Zoti Zot ynë që s’kishte keqardhje, po ti
Zot, Zoti ynë, që nuk do të të vijë keq, do të të vijë keq,
na jep një zemër të fortë dhe një mendje të hapur
dhe mos mendo shumë për ne.
Lum ti Zot krijues i njerëzimit,
ti nuk do të pushosh dhe nuk do të flesh Zot i ushtrive,
lum ti Zot, gjithnjë vigjilent,
lum ti Zot Krijues i njerëzimit sipas shëmbëlltyrës së tij,
i bekuar je Zoti im i bekuar nga të mirat,
dhe goja e bekuar do të bekojë dhe do të thotë: Amin!

Mikrofilmi

Gjithçka është në miniaturë, si mikrofilm.
Dhe në orën e mundësisë – e zgjeruar.
Kjo mund të kishte funksionuar edhe për ne.
Bota është e mbushur me krijesa shumë të mëdha
dhe jo gjithmonë të dobishme, dhe jo gjithmonë të nevojshme.
Çfarë është kaq e keqe për miniaturizimin e njerëzve dhe sendeve të tyre,
apo zmadhimit në orën e domosdoshmërisë sonë?
Mbani ato në mendje, duke zënë gjithë hapësirën.
Mbani në mend që të kërcejnë drejt koshit.
Mbani parasysh ato, pajisjet dhe objektet e tyre.
Por mbani parasysh edhe ato të voglat, deri në kohën e duhur.
Ne nuk kemi fuqi mendore që,
të zvogëlohet dhe në të njëjtën kohë të besojë
se do të rritemi në orën e nevojës.
Kemi frikë se nuk do të kthehemi nga udhëtimi
drejt miniaturizimit.
Ne duam të ruajmë territorin tonë
për t’a përdorur dhe si një zgjidhje të veçantë.
Dhe kështu, nuk ka asnjë të ardhme të vogël për njerëzimin,
asnjë mikro-e ardhme për njerëzimin, i cili dyshon.
Njerëzit nuk kanë aftësi të rrallë,
ata kontraktohen dhe dinë të sulmojnë kur të vijë koha.

 

Duhet urgjent t’i jap vetes një mundësi

Më duhet urgjentisht t’i jap vetes mundësi shtesë tani,
i lej rastet e mëparshme që janë zbatuar,
eci drejt mundësive të reja inovative, mundësive të hapura.
Në një fazë të caktuar,
unë ndalova së furnizuari
këtë nevojë jetike për veten time.
Mbaj mend vetëm dërgesat e mëparshme,
të mëdha dhe të bollshme.
Dhe pafajësisht mendova se,
rezerva e mundësive, nuk do të mbaronte kurrë.
Nuk mendoja për veten time
në koncepte industriale konvencionale,
dhe kështu kam furnizuar lëndën e parë,
dhe planet e prodhimit në të njëjtën kohë.
Tani fillon dorëzimi – një…, dy…, tre….
Në trena dhe aeroplanë dhe anije mallrash
dhe kamionë gjysmë rimorkio.
Unë e furnizoj veten me mundësi shtesë,
që nuk do të mbarojnë aq shpejt.
Unë hap dyert e fshehura për veten time
dhe kaloj nëpër to.
I sinjalizoj opsionet e reja
që të më arrijnë me shpejtësi rekord.
Më duhet urgjentisht
t’i jap vetes mundësi shtesë tani,
Mundësitë e mëparshme,
pak a shumë u përdorën më herët.
Shkrimi im rrjedh
dhe unë përballoj pothuajse çdo sfidë,
por kjo nuk është ajo që kërkoj,
po kërkoj mundësi të reja.
Do t’i gjej, mos u shqetësoni, do t’i gjej.
Më presin në pragun tim, më presin.
Ata dinë gjithçka që duhet për mua
– ata i kanë të gjitha të dhënat.
Ata funksionojnë sipas të dhënave që kanë
dhe sipas informacioneve thelbësore.
Ata më kërkojnë mua, ashtu siç i kërkoj unë,
sepse unë jam mundësia e tyre,
ashtu siç janë ata mundësitë e mia.

VAJ I NDRYSHKUR MOTEVE…- Poezi nga TAHIR BEZHANI

(Refleksion pas emisionit në TV.Syri,14.shkurt,2024)

Një fotokujtim të nënës shpalosa sot
Më shumë se gjysmë shekulli kaluar
Më erdhi e gjallë si dikur
Kur fëmijë më la,pa lamtumirë
Nuk bëzante, e mallëngjyer më shikonte
Nuk rrëfeja brishtësinë e jetës
As vuajtjet nuk ia tregoja
Me sy akulli në dhomën e mërdhirë
Tregoja në emision mallin e djegur
Dhimbjen e përjetshme në foto
Ndërsa gazetarja më pyeti:
“A mund të deklamosh vargje për nënën?…”
Jo!- i fola!
Nuk e marr me vete zjarrin kurrë
E ruaj në dhomë, në palë librash
Lapidar kujtimi ndër mote
E ngroh shpirtin në vetminë e përmalluar
Kur valët e mallit avullojnë dënesje
Laj sytë me lotin e ndryshkur erë dheu
Në dyshekllak kulle djegur
Për Zogaj , Bytyçin, Tropojën
Zjarrit nëse flaka i shuhet
Rindizet shkëndijave të mallit….

Gjakovë,15.shkurt,2024

ENRIETA SINA, NJË POETE BIOLIRIKE, SHKRIMTARE E SPIKATUR E LETËRSISË BASHKËKOHORE- Nga MSc. Albert HABAZAJ

 

Kujtesë nderimtare për Poeten e dashurisë
Më shumë se një paraqitje të profilit krijues të autores Enrieta Sina, ky shkrim është një Kujtesë Nderimtare për këtë figurë të njohur të shkrimtarisë dhe kulturës shqiptare. E njohur si veprimtare civile e spikatur, me ndihmesë të dukshme si gazetare dhe botuese, model dashamirësie ndaj talenteve të reja, humaniste e ndershmërisë profesionale, Enrieta Sinën me të drejtë mund ta quajmë Shkrimtarja e Dashurisë, Dritare e Hapur e Poezisë Lirike. Në poezi, e tëra kullon dashuri, në të gjitha rrafshet e këndvështrimet, duke fluturuar hapësirave të kaltra të dashurisë universale deri tek dashuria, si ndjenjë e zjarrtë dhe e pastër, që lind në zemrat e dy njerëzve të sekseve të kundërta dhe që i bën ta duan me gjithë shpirt e ta adhurojnë njëri-tjetrin; asaj ndjenje të madhe dhe e fuqishme që ushqen dikush për një njeri të seksit tjetër, asaj ndjenje mrekullisht hyjnore që ndez dy buzë, lidh dy brigje e riprodhon jetën bukurisht lumtur. Në poezitë e Sinës gjen e ndjen mall për Atdheun, vendlindjen, Vlorën, Kosovën, detin, lulen, gjethen; krenohesh për nderimin që poetja lirike di t’u bëjë heronjve dhe dëshmorëve; ndihesh mirë kur ajo di të shpreh mirënjohjen për nënë Merjo Balilin e xha Lamen nga Kuçi i Vlorës – bujarët e thjeshtë si Buronjat; e përjeton bukur gëzimin e saj lumturor në botën e virtytshme të dëlirësisë miqësore dhe, po aq trishtueshëm, pezmatohemi me të e bëhemi pjesë e botës së saj, kur thyhet minuti i çmuar nga veset ulta të hipokrizisë, pabesisë, përçarjes së shpirtit, xhelozisë, ligësisë, sharlatanëve të paturp e pushtë. Ajo është shkrimtare e dashurisë dhe e mesazheve humane të mirësisë, sepse kur ajo shkruan e ndjen mall babanë, ligështohet e krenohet me të, ne kujtojmë, ndjejmë mall e krenohemi për babain tonë, që s’e kemi. Ç’poet mund të jemi kur nuk shkruajmë thellësisht bukur, po nuk thurëm me mjalt dashurie vargje për fëmijët, për nipër e mbesa, që na fal perëndia dhe fati. Ajo është poete e dinjitetit të dashurisë familjare, për burrin, për fëmijët, për njerëzit e gjakut e shpirtit. Të gjithë poetët shkruajnë poezi me dashuri për nënat. Veçmas, poezitë e Enrietës për nënën janë të mbushura me kupa me mjalt malli, sepse, sipas autores, nëna u merr dritare qiejve për fëmijët e saj. Poezinë “Mall nëne” të E. Sinës unë ia lexoja Bebesë, nënës time, sa herë shkoja tek ajo, në Tërbaç: “… Po tani… kaq dimër pse të ketë/ Kush ta dha në sy, trup, zemër,/ Apo ndofta gabuar unë jam/ Mallit nuk di t’i vë një emër./ Jam nëna jote në çdo kohë/ Kudo që të ndodhesh biri im,/ Nga fëmijnia jote, mos u largo/ Ndryshe vitet sjellin veç trishtim”… Imë (dritë i pastë shpirti!) kënaqej shumë, mallëngjehej e më thoshte: Pastë uratën ajo bijë, sa bukur i ka qepur ato fjalë. E ka pikur malli. Ia thënçin melaqetë djalit të kthehet te nëna, se na griu marazi”!”… Dëshiroj ta sjell të plotë për lexuesin tonë këtë poezi të mrekullueshme të Sinës – poete dhe nënë. Po ashtu është, vargjet e Enrietës për djalin e vetëm janë musht malli e trishtimi. Për dy vajzat, Fjorinën e Migenën gurgullojnë dashuri nëne, siç di të qëndis vargje shpirti poetja jonë. Nga poezia me katër strofa, mbushur me frymëmarrje yllësore, po sjell vetëm një varg të poetes kushtuar mbesës Glediona: “Mëngjesi ishte brenda gjoksit tim dhe çuçuriti…”. Pa u futur në analizë teksti, shtroj pyetjen “A mund të thuhet më bukur se kaq ndjenja e të qenit gjysh?!”. Gjeografia e motiveve poetike të Sinës është e pasur, ka fizionomi të veçantë stilistike, ku intimitetin dashuror e ka të shenjtë. Në vargjet e saj shfaqet bota e poetes qytetare, ku nëpërmjet vargut të lirë, ritmikisht të çiltër e të tejdukshëm ndihet falënderimi dhe mirënjohja për virtytin human, shoqen e klasës, mikun, mikeshën, mësuesen, mjekun, poetin… “Poetët … janë miqtë e kohërave”. Të gjithë ne, shkruesit e vargut e dëshirojmë pronësimin e kësaj paradigme poetike dhe ajo na e fal dashamirësisht ta shijojmë, por “patenta” është “Made In Sina”. Edhe pse autorja pëlqen autorë si Esenini apo Paul Valery e mund të ndikohet nga ata, por kurrë nuk i imiton, sepse Sina e ka në gjak të qenit poete origjinale, e lindur për liri hapësirash të kaltra, të pastra, dehur në “shi ndjenjash”.
“Impresione nga “Molla e dasmës”.
Kujtoj që më 20 nëntor 1996 në Divjakë nuk u bë thjesht një diskutim libri, por një festë letrare për librin “Molla e dasmës” – novelë. Tek vëllimi me lirika “Trokitje në xham”, autorja ka botuar një poezi lakonike me titullin “Molla e dasmës”: Lëviz një kalë me zemër/ druri/ në tjetër vend/ në, atë zemër unë s’e vendos/ kurrë emrin tënd/ Për shumë vite ermin e rriti/ një pemë mlle/ Molla e dasmës, kujtim/ helen shkruar me dorë [(5.9.1995) zakon vllah, me prejardhje helene, që ditën e dasmës nuse i dhuronin një mollë] … Pata fatin të jem edhe unë pjesëmarrës në këtë gëzim kulturor dhe të shpreh “Impresione nga “Molla e dasmës”, të cilat, me këtë rast, po i botoj për herë të parë, ashtu, thjeshtë, siç i kam shprehur në atë veprimtari mbresëlënëse:
“Autore e katër vëllimeve, tre me novela dhe një me poezi [1996, shën. im – A.H], shkrimtarja vlonjate na reklamohet tashmë me profilin e saj të plotë letrar. Nëqoftëse librit poetik i shkon për shtat titulli “Trokitje në xham”, te novela e fundit, lexuesi i pasionuar vëren me kënaqësi se autorja ka trokitur në zemër, në shpirt, në një jetë, në një dert. Te “Molla e dasmës” përvijohen konturet kryesore të dokeve, zakoneve, kulturës e traditave të një treve të lashtë me rrënjë te malet e Pindit. Pas një hyrjeje të vogël historiko-legjendare, autorja na fut në një botë të ëmbël, që dhemb të vllehëve. Në një segment të shkurtër kohor, ne shijojmë trëndafilishten e vëllezërve tanë të Mëhallës së Ballkanit. Duke thithur aromën e këndshme në 76 petale, na mbushen mushkritë me ajër e gjelbërim, tek shfleton 76 faqet e novelës “Molla e dasmës” të shkrimtares që përgëzojmë sot. Subjekti është interesant. Stili narrativ të rrëmben. Me dashamirësi e sinqeritet them se më duket sikur Spiron, Anën, Elenin, Minellën, Petraqin, Sofikën, Kristianën, Marjanën i kam njohur prej kohësh, diku i kam parë, diku kemi biseduar, por në fakt ata janë personazhe të novelës, që na jep sot shkrimtarja. Histori dhe legjendë, filozofi, trill letrar e fjalë të urta, jetë dhe poezi – ja ç’gjen në këtë novelë të re mjaft simpatike për nga subjekti dhe trajtesa e veçantë, duke mos i përfillur kornizat klasike e të mërzitshme. Mesazhi që tingëllon nga ky libër për vllehët është “rrënjët i kemi në malet e Pindit, atje është molla e dasmës e patharë, si në kopertinën e parë të novelës, paçka se Leni ka ruajtur në sepete disa degët të thara molle. Duke lexuar këtë libër të mirë, gjej bulëza përsiatjesh të fuqishme si te Kadareja në “Dialog me Alain Bosquet”. “Vllehët janë popullsi më e vjetër në Greqi, se vetë grekërit” – u thotë Kristina Spiros e Anës, kur ata shkonin për te shtëpia e gjyshit. Historia trashëgohet si fëmijë. Ajo ka emrin, zemrën dhe gjakun e njeriut. Shkrimtarja meriton përgëzim për portretin e plakës Leni “me rrudhat e faqeve të palosura njëra mbi tjetrën”. Kush e jep më mirë e më thjesht portretin e një plake ballkanike qoftë kjo shqiptare, greke, vllahe?! Ç’ zakon të bukur: ftesa për ardhjen në dasëm. Ish një kokërr molle, ajo sillte dasmorët e gëzimit. Bukur futet një fjalë e gjetur poetike “Hënëzim i natës”. Lirizmi dashuror pikon tis të ëmbël universi. Natyrshëm, në këtë libër shqip janë dhën shprehje vllahe, sidomos dëshirat, lutjet, mënyra e jetesës, kultura materiale e tyre, etj., ku autorja jep ndihmesë edhe në letërsinë etnologjike me ngjyrime antropologjike.
Kam një pyetje retorike: – Ç’do të thotë vllah?! Vëlla i Ballkanit, vëlla i shqiptarëve.
Kam një strofë për trevën vllahe: “Plagë e gjak, dregëz që dhemb,/ aty ngrehu, aty shemb,/ jep mesazhe mirësie/ dhe në troje Arbërie…”. Të ishte gjallë Elena Gjika, do t’i thoshte Enrietës: “Faleminderit, motër!” Thimi Mitko: “Rrofsh, o bijë, që më qetësove shpirtin!”
Ja është sot Kristo Goxhi që e falënderon dhe e mbështet për shpezat e librit të sotëm e të atyre që do të vijnë e do të përkthehen në 4-5 gjuhë. Një lutje Kiços: “Mollën e dasmës”, po munde ta bësh film artistik, me skenar të Enrieta Sinës, do të jesh më fatlum. Palltua jote është bujare, e gjerë.”
Jetëshkrimi letraro-kulturor
Një jetëshkrim (cv) i shkurtër e gazetares, prozatores, poetes Enrieta Sina (Zykaj), lindur në Vlorë, më 30 janar 1953.
Arsimimi: Mbaroi studimet në gjimnazin “Ali Demi”, Vlorë, me rezultate shumë të mira dhe kryen studimet e  larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave Politiko-Juridike, në degën e gazetarisë, 1973-1977.
Veprimtaria në krijimtari dhe publicistikë:
Talenti në fushën e krijimtarisë shfaqet herët. Kur ishte trembëdhjetë vjeçe, në klasën e shtatë, në shkollën tetëvjeçare “Naim Frashëri”, në Vlorë, merr pjesë në një konkurs poetik, në emisionin e Radio-Tiranës, ku përfshiheshin krijues pionierë nga gjithë shkollat tetëvjeçare dhe poezia e saj u vlerësua me vendin e dytë. Pas kësaj përfshihet në Degën e Shkrimtarëve të rrethit të Vlorës krahas shkrimtarëve me zë të asaj periudhe si Andrea Varfi, Irfan Bregu, Shefqet Tigani, Hiqmet Meçaj, Maro Pasho, etj. Vazhdoi të krijojë dhe të botojë dhe më pas merr pjesë në Konferenca dhe Kongrese të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë si në qytetin e Korçës dhe në Tiranë. Kur ishte maturante, në gazetën lokale të Vlorës, në një nga faqet e saj shkruhet artikulli, portreti nga redaktori i gazetës “Zëri i Vlorës”, Bashkim Fifo, me titull: “Me vullnet çan përpara”. Në ato  vite të shkollës së mesme është aktivizuar në probleme shoqërore, si sekretare rinie por dhe në Komitetin e Rinisë së rrethit. Mbasi mbaroi gjimnazin dëshira e vetme ishte të vazhdonte studimet e larta në degën e gazetarisë. Edhe pse për dy vite me radhë fitoi konkursin e evidentuar kjo (nga juria, e deges së gazetarisë), si ndër më të mirat, u pengoua të vazhdojë studimet  për  gazetari. Në këto kushte, filloi punë si mësuese e letërsisë në fshatin Kuç, duke ndjekur njëkohësisht dhe studimet me korrespondencë për gjuhë – letërsi, ku doli me rezultate  të larta. Këmbëngulja për të vazhduar gazetarinë, bëri të konkurojë përsëri për këtë radhë për të vazhduar studimet në këtë degë. Zgjidhet si kujdestare e kursit dhe sekretare rinie. Bëhet bashkëpunëtore e afërt e Radio-Tiranës, ku u caktua dhe për të bërë  praktikat, në redaksinë e kulturës, drejtuar në atë kohë nga Fane Voshnjaku, paralelisht ka qënë bashkëpunëtore e afërt e emisionit “Gruaja e ditëve tona”, drejtuar nga Feruze Bajo. Në këtë periudhë ekspozoi mundësitë e saj krijuese në shumë zhanre, jo vetëm në  Radio-Tirana por dhe në disa organe të shtypit, e kryesisht në gazetën “Bashkimi”. Mbasi mbaroi studimet e larta, fillimisht u mendua të  emërohej në Radio-Tirana ku kishte bërë dhe praktikën dhe evidentohesh si e talentuar, por më pas për shkak të biografisë (deri në vitin 1957 familja e saj ka qenë pa triskë fronti), kjo u bë pengesë për të mos u pranuar as në gazetën lokale të Vlorës. (Pas një letre mbërritur në ish Komitetin Qendror, nga një veteran, duke u quajtur vajzë tregtari dhe si e tillë nuk duhej të propagantonte vijën e Partisë në atë qytet, ndërkohë familja e saj ka ndihmuar materialisht Luftën Nacional-Çlirimtare dhe për këtë ka patur miqësi me emra si Reiz Malile apo Hysni Kapo që e vërtetonin këtë). Megjithatë ndryshoi emërimi dhe e caktojnë në Skrapar. Aty punoi për  16 vjet nga 1976 deri në 1991, kur u mbyll botimi i gazetës “Jehona e Skraparit”. Në shkurt të vitit 1986, gjatë kohës së punës, përfundoi studimet pasuniversitare për Filozofi. Në Skrapar pasqyroi rolin e saj si gazetare  dhe si aktiviste e organizatës së gruas. Vazhdoi të jetë bashkëpunëtore e radio-Tiranës dhe e gazetës “Bashkimi”. Ndërkohë merr pjesë si e ftuar disa herë në Festivalet e filmave shqiptarë ku jep dhe mendime për skenarët e tyre. Zëri i saj dëgjohej me vëmendje në takimet që zhvilloheshin në Kistudion “Shqipëria e Re”. Viti i ndryshimit të sistemit e kthen në qytetin e lindjes, tashmë për të qënë gazetare e një epoke të re, duke ndihmuar në gazetën “Zgjimi”, Gazetën e Bashkisë “Flamuri”, apo dhe atë të Universitetit “Ismail Qemali”.
Në fushën e krijimtarisë botoi novela social-psikologjike, tregime,
poezi dhe roman.
Të tilla janë, në prozë:
“Ndjenjë mashkullore” – novelë, 1994
“Molla e dasmës” – novelë, 1995
“Një grua flet për seks” – novelë, 1995
“Nata e thyer” (novela),
“Krisma ‘97” (roman),
“Lot në vjeshtë” (roman),
“Grua pa lumturi”,
“Hija e shpirtit tim”, novela,
“Trëndafila të ftohtë”, vëllim me tregime,
“Ndjenjë e gjymtuar”, 2015 (dy novela),
“Shkolla një, praktika një plus”, libër studimor në fushën e gazetarisë;
“Një zë në mesnatë” novelë psikologjike;
vëllimet  me lirika:
1 /13. “Trokitje në xham”, 1996
2/14. “Minuti i thyer”, 1998
3/15. “Unë, ti dhe deti”, 2004
4/16. “Dy gjysma çudi”, [2008]
5/ 17. “Syri i fjalës”, 2012;
6/18. “Rrënjë të paprekshme” – lirika, 2019;
7/ 19. “Sikur?!…” – vëllimi më i ri me lirika, 2023.
Ka gati vëllimin me tregime “Një ditë tjetër” si dhe vellimin me  “200 lirika”. “Kanë mbetur pa botuar per arsye financiare. Me shpresë…” thotë Enrieta.
Por, krahas tyre në këta vite ka bërë librete të Festivaleve për Fëmijë në Vlorë, ku dhe këngët me tekstet e saj kanë zënë vendin e parë në bashkëpunim me kompozitorët vlonjatë Artur Dhamo, Vasil Çuni, Vait Kuçi, etj. Ka marrë pjesë me tekste këngësh dhe në Festivalet e këngës së muzikës së lehtë në Vlorë, Fier dhe Tiranë, ku gjithashtu është vlerësuar me çmimin e parë. Në vitin 1996 ka fituar çmim të parë më këngën “Pyes lotin”, me kompozitor Valentin Veizin dhe kënduar nga Elsa Lila. Në qytetin e Vlorës ka qenë anëtare e Këshillit të Kryqit të Kuq për afro shtatë vite, po ashtu, ka qenë kryetare e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë, kryetare e shoqatës “Fan Noli”, sekretare e Shoqatës “Gruaja vlonjate dhe progresi”, redaktore e dhjetra librave të krijuesve brenda dhe jashtë vendit. E propozuar nga prof. dr. Isuf Luzi në SHBA, zë vend në edicionin e 16 te sheullit të 20-të në njerëzit e shquar të letrave në Kembrixh. Në SHBA (duke qënë në Filadelfia) në një konkurs poetik, lirikat e saj, me të cilat mori pjesë u vlerësuan me Çertifikatë Nderi dhe u vendosën  në Antologjinë e poetëve amerikanë të viteve 2010-2013. Është zgjedhur gjithashtu në Tiranë si “Ambasadore e Paqes”, ku jep dhe kontributin e saj. Nga viti 1992 deri vonë ka botuar gazetën letraro -astrologjike “Horoskopi”, ku ka ndihmuar dhe dhjetra të rinj për të botuar krijimtaritë e tyre letrare. Pas vitit 1997 edhe pse ka “trokitur” për një punë në administratën shtetërore, gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët. E përfshirë në Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi-Albania”, merr pjesë në veprimtaritë e shumta të saj duke u zgjedhur dhe zv/presidente. Është duke botuar 200 lirika si dhe një novel me titull “Një ditë tjetër”.
Ajo ka shumë vlerësime nga shoqëria e shpirtit, kjo horizontalja, ndërsa nga ajo e pushtetit, vertikalja- heshtje, indiferencë. Shkrimtarja e talentuar E. Sina është nderuar edhe me Diplomën “Mirënjohje e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, pa na e kërkuar. Kaq kemi në dorë ne. Ndërkohë, nuk di të kërkojë ndere e privilegje Enrieta, ajo di vetëm të punojë, me ndershëmri profesionale dhe artistike, di të ndihmojë si ajo, të nderojë e të vlerësojë të tjerët.
Enrieta Sina, një poete biolirike
Dy fjalë për vëllimin “Sikur?!”, libri më i ri me lirika i autores E. Sina
E hëna e parë e dhjetorit, 4 Dhjetor 2023, ishte dita e poetes Enrieta Sina, dita e lirikes sonë qytetare, një emër i mbarëdëgjuar në Vlorë për rolin e saj në botën letrare e kulturore, si dhe për ndihmesën e dukshme në gazetari dhe publicistikë, duke ndikuar në emancipimin e shoqërisë dhe zbukurimin e shpirtit njerëzor, kudo ku i ka shkelur këmba dhe i ka shkuar fjala. Në fakt, emri i Sinës, qysh herët ka dalë nga hapësirat e Vlorës, si emër i njohur në rang Kombëtar dhe sot është e regjistruar dhe ndërkombëtarisht.
Na mblodhi këtu, shkrimtarë dhe artisë, studentë dhe pedagogë në strehëzën tonë të ngrohtë, pikërisht tufa e shëndetshme me 110 lirika “Sikur” mblellur në një kopësht të bukur, të larmishëm, me gjeografi shpirti dhe ndjenjash në 170 faqe.
Poezia e Enrieta Sinës ka jetë, frymë, kumbim poetik lartësisht lirik, ka muzikalitet të ëmbël, që të motivon bukur dhe ç’ka shpreh ndihet që sa çel faqen e parë të vëllimit me poezinë “Askush s’të mban peng”, ku të rrëmben magjia e kontrastit të vrullshëm, tipologjik për autoren në vijueshmërinë e logjikës poetike të saj.
Në çdo poezi, ajo të fut në situatë krejt të natyrshme, falë aftësive dhe përvojës letrare dhe vijës së parë si qytetare e emancipimit social, por e pangatërruar me shthurjen barbare, se pastaj, pikas autorja “Dridhesh nga frika e të mbajturit peng”.
Lirikat e Sinës burojnë nga shpirti i pasur poetik me një gurrë metaforash. Siç e shpreha, në poezinë e saj nuk ka tek-tuk ndonjë lule, dmth, ndonjë metaforë në varg, por buisin tufa lulesh, domethënë varge të tëra metaforike. Edhe në këtë libër, më të riun e autores në poezi, por të radhës, jo të fundit, vërejmë shumë poezi sa të ndjenjës, aq të mendimit, ç’ka konturon profilin e pjekur letrar të autores sonë. Ka densitet mendimi, intesitet ndjenjash shprejur figurshëm, ka kontras sfidant: “Jam një re ngarkuar krejt me shi/ jam ai që pa ty s’jetoj dot”. Poezinë “Sonte … jam ndyrshe “ do ta quaja poezi antologjike. Ndërsa “Portet pa qerpik” është një poezi moderne në teknikë, por së pari në motiv, në pasurimin artistik të imazhit jetësorqëna dhuron autorja.
Një poezi elegjiake, aq origjinale e fisnike, që i dhem strofa, vargu, fjal, bashkëtingëllorja, zanorja, poezi e përvajshme, e dinjitetshme, jo mëshirore, që vetëm një shpirt lirik gatuar në epikën e karakterit të poetes origjinale, që vetëm E. Sina di ta thurë me lot, se “Nuk mund të luaj vetja ime”, siç shprehet poetjae lënduar përfundimisht në plotëmrëinë e jetës, “Me fjalë zemre sot nu luaj/ edhe kurrë të pathëna/ ato më mbërrijnë dhe derdhinlot/ si rrezet netëve Hëna”...por e padorëzuar deri në frymë e fundit në këmbë dhe me dinjitet letrar dhe njerëzor.
Kam ndaluar gjatë tek poezia “Dielli i jetës”. Poezia poezi është vërtet art, ndjenjë dhe mendim, por ajo patjetër edhe është edhe edukim, edukim estetik dhe moral, por: vëmendje, pa rënë në prozaizëm dhe moralizim. Nuk kemi të bëjmë me poezi akuariumi, por me poezi të frymëmarrjes së gjallë jetësore dhe, në këtë rrafsh, edukimi estetik e moral është i vështirë, sepse realizohet nëpërmjet fjalës aristokratike të vargut. E. Sina e zotëron këtë mjeshtëri, se, sa është poete, është misionare e së mirës, të bukurës, së dobishmes në jetë. Jo vetëm nga kjo poezi, por edhe nga poezi të tjera filozofike e morali, mora me vete këtë mesazh nga autorja: “Kush thotë që letërsia nuk është edukim, “ka shkarje në mendorje, o bir” (po përdor një shprehje të gjyshes, dritë pastë!). Dua të theksoj se poezia e Sinës është poezi imazhi, por për fuqinë e imazhit të kësaj poezie ndoshta duhet një tjetër diskutim.
Edhe në poezinë atdhetare, që ndoshta nuk vëreteh nga lexuesi i zakonshëm, Sina është një lirike e dashurisë së fortë dhe syri i sajpoetik i stërvitur rrok imtësi e gjetje rrëqethëse deri në drithërim si tek poezia “Ethet mbytin…”, ku veçoj strofën “Eca dhe hyra nën strehë fjalësh/ mbërritur nga gjithë qytetet ish Atdheu,/ Ftohtësia dhe errësia bashkë/ si një zog të vetëm më rrëmbeu”.
Në formën e një distiku na vjen poezia “Ai … ajo”, duke na lënë shijen e një karameleje poetike. Në libër ka edhe vargje të lehta apo poezi të kalueshme dhe është e kuptueshme, që nënj ëlibër nuk mund të rrinë majë malit të gjitha poezitë (siç shkruan autorja) , por një poezi si ajo me titull “Grimca fosforeshente” që na ngelet jetëgjatë në kujtesë për strukturën poetike, sintaksën, vendosur çdo fjalë e varg në vendine duhur me logjikëne e mesazhet e larta artistike të komunikimit, është vlerë sa vetiake e autres, aq koletike jona si shoqëri letrare-artistike.
“Si thua” është një poezi e mrekullueshme ku ndjenja, guximi, imazhi jetojnë në sy të lumturisë të çiftit të harlisur lirishtave më të bukura të vargut si në jetë.
Vëreni me ç’metaforë të shkëlqyeshme e përfundon poezinë “Si thua?!” Për ta vijuar sa më gjatë dashurinë për të mbajtur ndezur e ngrohur ndjenjën e bekuar të dashurisë: “Ti marrim hënës një lugë zjarr hua,/ si thua…? ”
Dua të ndalem pak këtu. Dashur, pa dashur edhe në këtë poezi mund të merret nj ëfigurë nga një autor tek një tjetër dhe nuk ka fajshmëri, sidomos kur autorët nuk njihen dhe nuk e kanë lexuar njëri-tjetrin. Ne e dimë që figura është leva që nge poezinë, por ka pasur raste jo të këndshme ndër autorë. Vargjet “Ti marrim hënës një lugë zjarr hua,/ si thua…? ” unë nuk i kam ndeshur kund tjetë, nuk i kam dëgjuar më parë, veçse tek Enrieta Sina. Sa e lexova, më tronditi letrarisht. Sa origjinale! MADE IN ENRIETA SINA!…
Gjithë libri është me frymë biolirike origjinale të Jetës.
E lindur në qytetin e Vlorës më 30 janar 1953, shkollën 7-vjeçare dhe gjimnazin “Ali Demi” i kreu në vendlindje. Studimet e larta në degën e Gazetarisë i përfundoi në vitin 1976. U emërua gazetare në gazetën “Skrapari” në Çorovodë, ku punoi deri në vitin 1990.
Enrieta është e palodhur e talentuar, por nuk e reklamon punën dhe veprimtrainë e saj. Telegrafisht po ravijëzoj disa vlerësime nga puna e saj e pambarimtë në shërbim të letërsisë, kulturës dhe qytetarisë shoqërore. Në vitin 1994, me propozim të prof. Isuf Luzaj në Amerikë, zuri vend në Edicionin e 16-të të shek. XX tek Njerëzit më të Shquar të Letrave që shpall Instituti Biografik i Njerëzve të shquar të Kembrixhit.
Për 20 vjet është zgjedhur zëvendës presidente e  Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “Pegasi” Albania, organizëm i cili e ka vlerësuar si poetja më e mirë e vitit 2013.
Krijimtaria e Enrieta Sinës është botuar krahas poetëve më të shquar botërorë nga lidhja e Shkrimtarëve të Brazilit.
Në konkursi poetik mes 1000 poetëve amerikanë ka fituar çmimin Ekselent në vitin 2011.
Është përfshirë në Albumin poetik të poetëve amerikanë të viteve 2011-2013.
Ka bashkëpunuar me gazetën “Iliria”, ku herëpashere ka botuar artikuj analitikë dhe krijimtari letrare.
Janë të shumta çertifikatat dhe diplomat që ka marrë, të cilat ajo i kalon shpejt e shpejt, por unë ndala tek dy çertifikata mirënjohjeje dhënë nga Qendra e Kulturës Shkup, si dhe nga Qendra Kulturore e Tetovës.
Ka marrë Çertifikatë Mirënjohjeje nga dramaturgu, shkrimtari dhe regjisori i shquar shqiptar strugano-amerikani Xhevat Limani, në aktrim sinomim i imazhit të Gjergj Kastriot Skënderbeut në botën e sotme teatrore.
Vlen të përmend se është duke përfunduar librin e dytë studimor “Etika dhe estetika e gazetarit” me mjaft interes, sidomos për të përkushtuarit e fushës dhe gazetarët e rinj.
Në qytetin e Vlorës ka dhënë ndihmesën e saj të pamohueshme për çeljen dhe frymën e gazetës “Zgjimi”, organ i PD së Vlorës, në vitin 1992, kur filloi punën si gazetare dhe drejtuese e saj.
Siç shkruan prof. dr. Bardhosh Gaçe në Enciklopedinë e Vlorës “Gazetarja, poetja dhe novelistja Enrieta Sina, ka botuar publicistikë, poezi e tregime në “Zëri i Rinisë”, “Nëntori, “Drita”, “Ylli” etj… kryeredaktore e gazetës “Mister” dhe “Oroskopi” [shih: Gaçe, B.: “Vlora – fjalor enciklopedik”; Tiranë, Maluka, 2023, f. 235]
Mesazhi ynë për simbolikën e dinjitetit të emancipimit femëror
Enrieta Sina si qytetare, intelektuale dhe krijuese është syth lulëzimtar i pemës së besës, është shkrimtarja e emancipimit femëror, fisnikja e trëndelintë e shkrimit.
Proza dhe poezia e Sinës ngjanë si piktura poetike që flasin nëpërmjet imazhit të riprodhuar qartë e bukur tek lexuesi, ku ai nuk e ka të vështirë të dëgjojë zërin e personazheve, kumbimin përditësues të realitetit, si dhe të përjetojë botën e tyre shpirtërore, motivet, mesazhet e emancipimit qytetar të shoqërisë.
Në botën e letrave e shkrimtarisë, në letërsi dhe gazetari, emri i Ernieta Sinës përmendet me vlerësim dhe nderohet për figurën e saj të shquar si femër e emancipimit qytetar dhe ndihmesën e dukshme në krijimtarinë letrare dhe fjalës së lirë, si një ndër penat më të ndjeshme e përfaqësuese të frymës lirike të prozës dhe poezisë femërore dhe letrave bashkëkohore shqipe, por edhe për kontributin e saj si publiciste e botuese e përkushtuar dhe e sakrificës dinjitoze.
Po mirë, nuk e meriton zonja Enerjeta Sina Zykaj, si shkrimtare dhe gazetare e njohur atë të famshmin “Pension i veҫantë”, kur e kanë marrë jo pak nën staturën e saj shkrimore, edukative, përparuese!?
Po mirë, nuk e meriton  zonja Enerjeta Sina Zykaj nderimin me Titullin “Mjeshtri i Madh”, qoftë edhe me motivacionin: “Për figurën e saj të shquar si femër e emancipimit qytetar dhe ndihmesën e dukshme në krijimtarinë letrare dhe fjalës së lirë, si një ndër penat më të ndjeshme e përfaqësuese të frymës lirike të prozës dhe poezisë femërore dhe letrave bashkëkohore shqipe, por edhe për kontributin e saj si publiciste e botuese e përkushtuar dhe e sakrificës dinjitoze”, kur kur e kanë marrë jo pak nën staturën e saj shkrimore, edukative, përparuese!?

Albert HABAZAJ
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë
Përgjegjës i Bibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”,
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë

MALL NËNE

Poezi nga Enrieta SINA

Është një mal që askush s’e njeh
Veç kjo zemër nëne e dërmuar
U rrit djali, si një det i gjërë
Malli kapërceu pa kuptuar

Flokët kaçurrela në album
Po më ngjiten nëpër lot e sy
Tani i rritur i bërë burrë
Veç buzeqeshjen tende gjej aty

Do të desha si dikur të ishim
Rreth një tavoline, shend e verë
Me njeri-tjetrin godat t’i trokisnim
Ah, sa lumturi ndjenim atëherë

Po tani..kaq dimër pse të ketë
Kush ta dha në sy, trup, zemër
Apo ndofta gabuar unë jam
Mallit nuk di t’i vë një emër

Jam nëna jote në çdo kohë
Kudo që të ndodhesh biri im
Nga fëmijnia jote, mos u largo
Ndryshe vitet sjellin veç trishtim

Bukuri ka jeta nëpër vite
Ngjitur je, rritur, sa të dua
A ka dashuri të krahasohet
Me dashuri nëne, a s’më thua?!

Qofsh i lumtur në çdo orë jete
Zemra e nënës të jep veç urim
Dhe po prêt, prêt ndër fije shprese
Të kthehesh nga ai mërgim

Një ditë s’do të jem, do jem larguar
Nëpër qiell, ndofta, përmbi det
Dhe aty shpirti do jet’ ndriçuar
Nga kjo dashuri që malin djeg…

Do kuptosh se mbi dashuritë
Është kjo dashuri e zjarrtë nëne
Që flijon jetën për fëmijtë
Si vet qiellit kjo dritë hëne

S’do të bësh llogari për asgjë
Një çast do kuptosh i penduar
“Ku je nënë, o nëne më fol ti
Dhe përgjigjet heshtja e trishtuar…

Është një mall që ngjitet në jet’
Të ndjek në çdo moshë si një dritë
Hapat i kërkon kur ti i hedh
Dhe uron me zemër mirësitë

Kurrë mos e prekni këtë mall
Brenda tij është shpirti që troket
Ndaj ulet nëna thjesht në prag
Para shuarjes të birin e prêt….

NGA PËRRALLAT E KAZAKISTANIT- Përkthim nga Agim Xh. Dëshnica

 

 

 

DJALOSHI I MENÇUR DHE KADIU

 

Një djalosh u tregoi fqinjëve :

– Erdhi në shtëpinë time kadiu tok me gomarin dhe, pa u ulur mirë, kërkoi t’i shtroja menjëherë sofrën për të ngrënë dhe t’i ushqeja edhe gomarin.

Por, unë i thashë kadiut se kisha në shtëpi vetëm mish, bar të thatë dhe asgjësendi tjetër.

Ai tundi kokën dhe vari buzët. Ia hipi gomarit dhe u largua për më tutje.

Fqinjët në një zë thirrën:

– Po si është e mundur! Ç’donte më tepër kadiu nga ti!?

– Epo, unë i tregova kadiut barin e thatë, kurse gomarit – mishin! – tha djaloshi qetë – qetë.

 

 

 

 

PËRRALLËTARI DHE KADIU

 

Jetonte në fshat një përrallëtar i njohur. Ai më shumë rrëfente përralla me kadiun e fshatrave rrotull.

I shkoi njëherë në shtëpi kadiu dhe i tha:

– Mos të të dëgjoj më të rrëfesh përralla kundër meje!

– Mirë! – ia ktheu përrallëtari. – Do të rrëfej ndodhi të vërteta.

– Jo! Ato do të jenë edhe më për dreq! – turfulloi kadiu i zemëruar…

 

 

 

 

SI IA HODHI DJALOSHI KADIUT

 

 

Djaloshit nuk i mbeti asnjë nga kuajt. Disa iu sëmurën papritur dhe ngordhën. Të tjerët ia rrëmbyen ujqit dhe njerëzit.

Një ditë ai mendoi të blinte një kalë, të paktën një, por duhej të punonte shumë për të mbledhur paratë që duheshin. U mendua dhe vajti te një fshatar. I kërkoi atij t’i jepte hua njërin prej kuajve që ta përdorte ca kohë për punë. Por fshatari i dha kalin më plak, dhe atë pa shalë e pa fre.

Djaloshi s’bëri zë. E mori dhe e lidhi qerren te bishti i kalit. Pastaj hipi edhe vetë mbi qerre dhe u largua. Në udhën e sheshtë qerrja ecte si s’ka më mirë, por kur filloi e përpjeta, kalit iu këput bishti. I shkoi në vesh kjo gjë fshatarit menjëherë. U nxeh ai dhe e hodhi djaloshin në gjyq. Dhe kur doli atje, i tha gjykatësit:

– Dua që djaloshi të punojë tek unë pa parà, deri sa kalit t’i rritet bishti aq sa të prekë tokën!

Kadiu e dinte se fshatari do ta shpërblente mirë, ndaj vendosi të mbante anën e tij dhe nisi të lexonte vendimin. Por, në atë çast djaloshi i tregoi me sy një thes të mbushur fytas, që kishte pranë këmbëve. Kadiu kujtoi se thesi mbante brenda dhurata me vlerë. U koll dhe sërish nisi leximin e vendimit:

– Deri sa t’i rritet bishti , kali t’i mbetet atij, që e ka vënë në punë! – tha me një zë të rëndë – të rëndë.

Djaloshi doli nga gjyqi shumë i kënaqur. Hipi mbi kalin pa bisht, ia mori një këngeje gazmore dhe kalëroi pa u ngutur për në fshat.

Rrugës e arriti kadiu hipur mbi kalin e tij të mirë dhe i kërkoi peshqeshet.

Djaloshi i shpërtheu një e qeshur e gjatë. Zgjidhi thesin ai dhe derdhi në tokë një dyzinë gurësh.

– Ç’i ke këta! – thirri i habitur kadiu dhe iu sul djaloshit me të shara. – Po pse, o i mallkuar, më gurë më paske gënjyer!?

– Aspak! – ia priti djaloshi. – Unë ty atje ta bëra me sy të shihje thesin! Që të merrje vesh zotrote, se po të mbaje anën e atij tjetrit, do të t’i vërvitja në kokë gurët që kisha në thes!

Kadiu shfryu, ktheu kalin dhe ia mbathi drejt shtëpisë së vet.

    BUSTI i Rrëmbyer Tregim nga Nadire Buzo

 

 

Ec e jaket e mia në Tiranë për tu gjendur pranë prindërve dhe çmallur me djalin tim të vogël që ishte nën kujdesin e tyre, sillnin lajme të reja në rrethin tim shoqëror të punës. Pas rrëzimit të bustit të diktatorit në Tiranë, shkollat dhe institucionet i kishin hequr bustet nga koridoret dhe ambjentet e tyre.

-Ta heqim edhe ne, – u shprehën dy nga koleget dhe midis tyre edhe nëndrejtoresha, V. B.  Ja paraqitëm këtë mendim drejtorit të shkollës A. C. komunist me tesër partie, por jo si natyrë dhe karakter, megjithëse djali i një kuadri të lartë idealist, pjemarrës në luftën për çlirimin e atdheut. Po ashtu dhe im atë ushtarak kariere, i përkushtuar ndaj detyrës, njeri i sakrificave.

E rrebeluar së fundmi me sistemin, i cili më kishte lodhur në shumë gjasa. Të vishja fustanet e gjata dhe bluzat e qëndisura, të studioja ku desha, të lexoja e të shkruaja çfar dëshëroja, shkurt, të jetontoja ashtu si më pëlqente, brenda trajtave të jetës sime. Ashtu si shumë të tjera në vendin tim. Rrevoltat çfarë shihnim dhe ndienim përrreth, atje ku dashuria çohej buzë greminës  ndërkohë brenda ca zyrave të larta thurreshin mizoritë e padrejtësisë. Pakënaqësia më e vogël ndaj sistemit të humbëte lirinë, atje ku bijtë dhe bijat e këtij populli morrën goditjet  më të mëdha që shkaktonte çmenduria njerëzore e diktaturave. Atje ku disa nga sigurimsat silleshin vërdallë si ujqër të urritur. Them disa, sepse kish prej tyre që e urryen sistemin gjakatar. Atje, ku tollonat dhe racionet n’a kishin nxirrë jetën. Atje ku grave të fshatit u ishin tharë gjinjtë e nuk kishin një pikë qumësht për bebet. Lopët e fshatit po ngordhnin në tufëzat dhe arrëzaqt e partisë. Në dyqane shitej vetëm mish i parafinosur brazilian. Delet, qingjat, dhe viçat e kooperativës i hanin ujqërit me dy këmbë të udhëheqjes mu në mes të beharit.  Këto e të tjera, që pëshpëriteshin nën zë apo nuk thuheshin fare, se si burgoseshin, internoheshin e varroseshin të gjallë e të vrrarë, “armiqtë”e popullit dhe partisë, qofshin ata edhe fëmijë të djepit. Fatmirësisht në këtë larushi mendimesh, nuk kisha qenë e denjë, për të pasur një tesër partie.

Busti u hoq, një ditë pas mësimit kur në gjimnazin tonë nuk kishte këmbë njeriu, përveç ne të treve. Unë, nëndrejtoresha, një superzonjë dhe puntori i bazës prodhuese të shkollës, busti qe i rëndë dhe voluminoz. Nuk u thye, nuk u përdhos, po thjesht u vendos në një cep të magazinës së shkollës.

Atë ditë ndihesha sikur kisha bërë diçka të madhe, në dukje e qetë, por me një ankth në stomak. Isha hakmarrë për ca bëma provinciale, mendime të gabuara, fletë rrufetë e dikurshme e letra anononime pa fund. Hakmarrje edhe për miket e mia J, V, M, L, N …lista e vuajtjeve dhe vrerosjeve të tyre është më e gjatë se këto rrjeshta të shkruar. Mendimi se tani s’kishin ç’na bënin, se pati ardhur fundi i tyre, më qetsonte. Gazeta RD, që sapo kishte filluar të botohej bënte punën e saj në hapjen e mendjes. Mezi preisnim ta kishim në dorë dhe t’a lexonim, ndërkohë radioja buçiste, herë kështu e herë ashtu… debatet dhe kundërshtitë gëlonin, puna vazhdonte me tensione në pamje e qetë.

U duk se u harrua në ditët që erdhën më pas, nxënësit hynin e dilnin pa u rënë në sy busti i diktatorit në dekorin e shplarë të një cohe të kuqe, zbardhur nga dielli i dritareve të mëdha, që ndriçonin hapsirën e gjërë të koridorit në katin e dytë. Askush nuk pyeti se ku ishte busti i diktatorit i vendosur aty ndër dekada. Po kështu edhe mësuesit, hynin e dilnin pa e vënë re, a thua se nuk kishte egzistuar fare… Kohë të dyzuara, dynetëshe e dytidëshe, do të thoshte shkrimtari I.Kadare. E harrova dhe vetë bustin, të mos e shihja sa herë hyja për të marrë diçka në depon e shkollës, i hodha një perde të vjetër sipër. E pata frikë edhe ashtu në allçi. Sapo shikoja bustin, më vinin ndërmend shumë gjëra të frikëshme edhe ato të ndodhura së fundmi. Trajtimi i frikshëm dhe çensura mbi korifenjtë L. Poradeci dhe M. Kuteli, shkrimtarëve dhe poetëve të tjerë të vendit. Takimet dhe shfryrjet kundër largimit politik nga vendi i shkrimtarit tonë të madh me fjalët më të shëmtuara dhe debati im i hapur dhe i fshehtë kundër tyre.

Mitingu në periferi të qytetit kishte qenë skandaloz. Sekretari i Partisë, pasi u fry si këndez nga duartrokitjet e të verbuarve nga dielli i partisë, tregoi, se dikush në një takim me masat e kishte pyetur: “ ç’do të thotë demkraci dhe çfar tregojnë dy gishtat lart.”

-Po ju, e dini çdo të thotë demokraci? Po dy gishtat lart, ç’ duan të thonë e dini?– pyeti ai përsëri turmën e mitingut. Pastaj u vetpërgjigj:

-Demokraci do të thotë degjenerim! Dy gishtat lart janë dy këmbët përpjetë, kështu, dhe demostroi dy gishtat turpshëm. Këtë kërkojnë ata, demokratët.

-Uuufff! Ore, po, populli nuk është budalla- përshpëritën disa rreth turmës,- O i ka pasur qef ky dhe soji i tyre këmbët përpjetë o askush tjetër! Dhe ku pa? Mu aty, në zyrat e partisë! Dhe kur shkonin me shërbime i merrnin me vete. Nuk e dinin të “gjorët” se me këto fjalime, bënin bumerang ndaj vetvetes…

Unë, nuk dija plotësisht nëse duhet të qaja apo të qeshja me këto bëma, po një vendim e mora atëherë: që prej asaj dite, nuk vajta lurrë nëpër mitingje dhe nuk i ngrita më kurrë dy gishtat lart. Pata tërë kohën neveri prej atij fjalimi.

Harrova t’ju them se, as sekretares së organizatës të partisë së shkollës, D. P. nuk i bri përshtypje mungesa e bustit, madje jo vetëm kaq, po të nesërmen pyeti me qetësi: -e paskeni hequr, ëëë? -mirë keni bërë,- tha vetë pa pritur përgjigje. S’kish asgjë për tu habitur, provinca ishte sy e veshë e tëra. E kam thënë dhe tjetër herë. D…. nuk e çante kokën fare për partinë, as në kulmin e saj. Indiferente e dhënë pas rehatisë dhe shoqërisë, kalonte mirë me nxënësit dhe me të gjithë kolegët, sa harronim që ishte ajo sekretarja. Kur i kërkonin ndonjë mendim, përgjigjen e jepte oportune. Kjo gjasë më habiste, nisur nga e keqja e sekretareve që kisha pasur dikur. Madje njëherë, kur po diskutohej në sallën e mësuesve, novela “Nata me hënë” e shkrimtarit I. Kadare. Unë si gjithmonë e egzaltuar në kulm nga tregimi, buçisja me zë të lartë mendimet e mia…  D…., afrohet dhe ashtu qetë, pakës buzagaz, më thotë:- Bukur, bukur e kishte shkruar Kadareja, po me atë sëkretaren e partisë e kishte tepruar ca si shumë.

-Jooo, aspaaak! Të gjitha sekretaret e partisë ashtu si ajo janë e në mos më keq! –

thirra unë e rrevoltuar, e mësuar të mendoj e të flas me vullnet të lirë. Kisha haruar fare, që ajo ishte sekretarja e partsë së gjimnazit. Me indifencën që e karakterizonte shpesh herë, ajo u largua qetë, qetë, sikur s’kish dëgjuar gjë fare.

Pas ca ditësh, kisha mbritur në punë, pa asnjë parandjenjë dhe mendim të keq, ndërsa ditët e vështira s’kishin kaluar ende. I tërë vendi zjente me antimitingje, vrasje, protesta e burgosje. Nuk largohej lehtë diktaura më e egër e lindjes. Dëgjonim që ndodhnin reprezalje të frikëshme në kryeqytet e qytetet e mëdha. Tek ne, në qytetin e largët lindor, nuk merrej vesh ç’ndodhte, ndoshta ngaqë njerrëzit janë më të afruar me njëri-tjetrin, apo gjithçka ndodhte fshehtas, “nën rrogoz”, thotë populli. Aso kohe krijohej mendimi se provincat jetonin pa ide. Qetësisht në rutinën e përditëshme të punës kalonin minutat e dimrit të vështirë. Jeta vazhdonte e shqetësuar dhe shpresë plot.

Krejt pa pritur një ulurimë e befasishme turme, u dëgjua në oborrin e shkollës. Mësimi u ndërpre dhe nxënësit zhurmonin e nuk po dëgjohej se ç’po bëhej jashtë saj. Mësuesit u mblodhën në sallë. Nga dritaret dëgjoheshin thirrjet e frikëshme. Drejt nesh vinin fjalët e coptuara nga britmat që lëshonte turma e përbërë, prej nëpunësish, qytetarë, punëtore e fshatarë, ushtarakë, të rinj e të moshuar dhe nxënës shkollash. Turmat marrin përpara ç’të gjejnë, ashtu si lumejtë e rrëmbyshëm kercunjtë ndër rrebeshe.

“Të varren në litar në mes të oborrit të shkollës”, bërtisnin ata emrat e drejtuesve dhe emrin tim njëkohësisht. Rroftë!…Poshtë!…. Rroftë e Poshtë…. Mua më hyri tmerri, disa e rruanin qetësinë, sidomos drejtori dhe disa nga mësuesit, të tjerë nënqeshnin lehtë gjith kënaqësi, sikur po shikonin spektakël. Në përgjithësi ishte kolektiv shumë i mirë dhe kompakt. Që të mos e bëja veten frikacake, hyra në zyrë dhe po shihja nga dritarja …Po sikur të vinin deri lart, mendoja gjithë ankth. Në fak edhe tani që po shkruaj me shkojnë mornica akulli… I kam frikë turmat edhe sot, jo vetëm në mitingje por edhe nëpër koncerte largohem prej tyre, kam frikë, më merret fryma. Dola përsëri në korridor andej nga shihej turrma, nuk më mbante vendi gjëkundi. Ata ishin shumë të rrevoltuar dhe s’kishin ndërmend të largoheshin, ulurimat me fjalët e coptuara nga britmat e tyre të kallnin datën.

Guximshëm, një nga mësueset e gjuhë-letërsisë, Katjusha B. e ardhur para pëk muajsh në gjimnazin tonë, doli me autoparlantin e shkollës në dorë, në taracën e katit të dytë. Bashkshorti i saj ishte punonjës në Degën e Punëve të Brendëshme të qytetit. Katjusha ishte një zonjë shumë e mirë dhe e dashur e cila na kishte prekur të gjithëve me vuajtjet e saj nga sëmundja e tmërrshme e kancerit të gjirit. Aso kohe shkonte shpesh në Tiranë, bënte analiza e kimioterapi. Ashtu e dobët dhe e zbehtë nga sëmundja, mori guxim dhe i foli me zemër në dorë turmës së çakërdisur.

-“Miq, shokë, vëllezër, socialist dhe demokratë! Ne jemi qytetarë në radhë të parë, vëllezër dhe motra. Nuk është mirë të sillemi kështu dhe të rrebelohomi me njëri-tjetrin.” Pas ca çastesh qetësie, ata filluan të ulërinin edhe më fort…

-“Unë që po ju flas jam socialiste, jam gruaja e M……  të plotfuqishmit të qytetit, punonjës i Degës së Punëve të Brendëshme. Ju lutem largohuni nga oborri i shkollës se kemi ndërprerë mësimin. Gjithçka do sqarrohet me kohë dhe çdo gjë do shkoj në vendin e vet, por jo kështu me vllavrasje. Ju lutem largohuni të vazhdojmë mësimin me fëmijët tuaj. “

-“Duam bustin! Hapeni derën! Duam bustin e udhëheqësit tonë të lavdishëm!  Thirre burrin tënd këtu dhe ti arrestojë këta tradhëtarë që e hoqën bustin nga shkolla, ku edukohen fëmijët tanë me frymën marksiste -leniniste të partisë tonë heroike.”

Pa mbaruar ende fjalën mësuesja e gjorë, e cila nuk jeton tashmë. Ndjesë pastë shpirti i saj i bukur! Sëmundja e tmerrëshme i morri jetën, por ajo la kujtime të çmuara në një kohë të egër si vetë sëmundja e saj.

Ata nuk u trandën fare, përkundrazi u egërsuan të uritur për rrevansh, u sulën drejt portës së madhe të shkollës, e bërë prej druri dhe e vjetërruar nga koha që prej krijimit të saj. E sulmuan me forcë me trupat e tyre e ç’kishin ndër duar dhe hynë në korridorin e katit parë, ku përballë portës, ishte stenda dhe busti i dëshmorit të lirisë “Muharrem Çollaku”. Emrin e të cilit mbante shkolla e mesme e qytetit.

– Ooouuuuuuu- Po ja ku qenka busti more! Ulurinin disa prej tyre që thyen xhamat dhe shqyen derën. Me sytë e errur nga tërbimi, rrëmbyen bustin e dëshmorit dhe ikën me vrap andej nga erdhën.

Kishin mbritur në mësin e bulevardit që mban emrin e Heroit “Reshit Çollaku” vëllai i dëshmorit të bustit të rrëmbyer, kur dikush i’u thirri:

-Ç’bëni, kështu more derëzinj, ky është busti i dëshmorit, Muharrem Çollakut, jo i Enverit.  Kur ata erdhën në vete, disi të tërpëruar dhe tërë inat, u shpërbënë sa andej këndej rrugicave. Bustet nuk kishin asnjë pikë ngjashmërie me njëri tjetrin nga forma, e as nga lënda e përbërjes.

Tepër e frikësuar, pashë vendin e boshatisur dhe dikush që thërriste: ikën, ikën …nxitova me vrap mbrapa shkollës dhe dola bregut të liqenit, eca pa frymë nëpër rërë e guriçka derisa mbrita në shtëpinë time, në skain tjetër të qytetit. Atje u mbusha me frymë se mënd po më plaste zemra… Pas pak u kujtova, mirë unë shpëtova, po fëmijët e mi në moshë adoleshente ku i kam, mos hakmerren me ta tani që s’më gjetën mua? Po im shoq ç’bënte ? E ngrirë e bërë akull, sa nga të ftohtit e dimërit të egër, e ca nga llahtaria e përjetuar, bëja ec e jake nëpër shtëpi pa asnjë kuptim. Përlotur, lutesha çdo çast… Zot na shpëto!

U qetësova, vetëm atëherë kur erdhën në shtëpi im shoq dhe dy djemtë. Të cilët e tregonin me humor gjithçka kishte ndodhur. Madje shtonin dhe të tjera të padëgjuara: se disa fëmijë të vegjël të shkollës fillore, para disa ditësh, kishin thyer një portret të udhëheqësit të varur në murin e klasës. Ata ishin ndëshkuar në drejtorinë e shkollës, mandje flitej, se do të ndëshkoheshin edhe prindërit e tyre. Por… atë ditë, i kishin marrë dhe i kishin nxjerrë në antimiting me portretet e diktatorit ndër duar, duke brohorritur.

Pasdite në shtëpi erdhën dhe dy miket e mia, Arjana dhe Ida, të alarmuara nga çfar kishin dëgjuar të flitej posht e përpjetë, më treguan edhe për skandalet e antimitingut. I tërë qyteti kishte në gojë rrëmbimin e bustit të Dëshmorit. Unë kisha ngrirë me një pështjellim të ligsht në stomak dhe mendimet ecnin maramendthi prej tërbimit të atij kaosi.

  • Po, Busti, ku është tani?
  • Po, ku ta dimë ne? -mblodhën supet ato.

Kjo pyetje u bë shpesh në ambientet e shkollës dhe në rrethet shoqërore e familjare. –Po Busti ç’u bë, kush e morri?

Edhe sot vazhdon mendimi  pyetës: “Kush e zhduku bustin e dëshmorit. Ku është dhe pse nuk e kthyen në shkollë?

Atë natë e turullosur prej gjumit të thyer, dola në ballkonin e apartamentit me pamjen drejt kodrës së kalasë. Drita që vinte nga liqeni ndriçonte Lapidarin e Dëshmorit Muharrem Çollaku, atje ku lagu tokën me gjakun e tij dhe mbinë bredha të gjelbër.

O Tempora mores, ç’kohë të çuditëshme për të helmatisur rrënjët e lirisë së ëndërruar.

Në fakt sa herë i kujtoj jehonat dhe bëmat e atyre ditëve të cilat kanë lënë gjurmë në jetët tona, ndihem e përgjysmuar. Busti i dëshmorit të Atdheut, Muharrem Çollaku, mësuesit normalist që la gjithçka, nxënësit e Gjilanit, prindërit, të dashurën, miq e shokë dhe në moshën 22 vjeçare, doli malit krah vëllait të tij hero, bashkë me shumë djem trima dhe të ditur. Derdhën gjakun, dhuruan jetën për të mbriojtur qytetin, atdheun e tyre. Mësuesi idealist luftoi duke ëndërruar ditë të bukura, lirinë, dashurinë, librat, shkollat, mirëqënien, një atdhe demokratik ashtu si e kënduan dhe projektuan Rilindasit tanë. Shpërblimi i sakrificave sublime ishte ky bust dhe emri i një gjimnazi. Asgjë tjetër veç bëmave të egra të diktaturës hipokrite. Gjithmonë ka një korespondim të fortë midis krimeve individuale me histerinë politike, si pasojë e asaj histerie që ndodh në errësirën e shpirtit dictatorial.

Pas ca ditësh lodhjeje dhe mendimeve të trazuara, guxova të dalë në rrugë e të shkoja në punë. Gratë shtëpiake tek hyrjet e pallateve ngrinin zërin sapo më shihnin, duke shfryrë ligjeratat më vulgare që u vinin në mendje kundër meje.

Ndonjë oficer me veshjen e gjelbër, që më ngjallte respekt, pasi i njihja mirë sakrificat e jetës së tyre. Kur më shihnin nën zë buburonin:

-“Je dhe vajzë oficeri pa le. S’ke turp, turpërove babanë, edhe familjen e nderuar të burrit dhe tërë fisin.” Disa ditë më pas, një kokë gëmushë i gjatë i palarë, kaçurels pranë dritës i paparë, pranë gjolit i palarë, më ndiqte pas, këmba këmbës, herë me biçikletë dhe herë me këmbë. S’guxova ti thoja tim shoqi, në këto raste behej tepër nervoz, ti vinte në fyt duart e fuqishme. Pata merakun e ndonjë skandali.

Situatat ndryshuan shpejt për mirë dhe ata bubuzhelët u strukën disi fshehtas. Edhe polici i katit të pestë në pallatin tim të vjetër, që vinte vërdallë prej kohësh u tulat sa nuk e shihja më. U kisha shpëtuar këtyre skuthave, falë karakterit tim dhe rroftë biografia! Faleminderit baba, që nuk gabove, e nuk i tregove askujt se çfar thoshte, “Zëri i Amerikës” dhe “BBC Radio Londra” kur e dëgjoje në dhomën e ftohtë i mbuluar kokë e këmb me batanije. Kishe gjashtë vajza dhe një grua të bukur, e kushedi ç’do të ishte bërë me to. Ashtu si me shumë bija të bukura, nëna dhe gra të mira! Disa prej tyre i kam njohur, nuk jetojnë më, e nuk do t’i harroj kurrë për gjithë jetën.

Nuk mundem kurrësesi të harroj, udhëtimet e asaj kohe me trenat e shkatërruar, as në luftën e dytë botërore, të parë nëpër filma. Më tmerronte fjala tren. Jo vetëm prej xhamave të thyer dhe vonesave skandaloze. Gurrëve që sillëshin si plumba nëpër kabina, ku plot njërz janë vrarë e plagosur. Do t’ju tregoj vetëm njërin prej këtyre rasteve. Të tjerët, tjetër herë se janë pa fund.

Atë natë pasi zbrita nga treni me dy orë vonesë, si zakonisht në stacion i mardhur më priste babai me biçikletën e tij të vjetër. I tregova për udhëtimin e tmershëm ku përveç gurëve dhe xhamave të thyer, nuk na u ndanë ca skutha që donin muhabet e pyesnin pa reshtur. Ishin ulur përball nesh në vagonin e grave. -Eshtë vagoni i nënave më fëmijë këtu, -u tha një zonjë nga Librazhdi me vajzën e vogël në prehër. – E dimë e dimë se ç’është, po kemi detyrën tonë të kontrollojmë edhe këtej. Duke tundur pa reshtur ca çelësa të mëdhenj dhe pranga moderne të holla si byzylykë. Pyetjeve të tij, ku desh të tregonte se njihte gjithë qytetin, iu përgjigja me mledhje supesh- nuk i njoh, përveçse një edukatore kopshti dikur e fëmijëve të mi, i thashë -po e njoh e kam shoqe. Filloi të pralliste po nuk ja zgjata më dhe vazhdoja të shihja nga dritarja pa xhama gjithë frikë.

Një i tillë na ndoqi nga pas deri në shtëpi. Im atë, të nesërmen na tregoi, se ai ishte rrotulluar tërë natën rreth shtëpisë private njëkatëshe tip elbasançe. Kacavirrej nëpër dritare dhe bënte zhurmë. Im atë kish dalë dhe e kishte sqaruar se, unë isha vajza e tij dhe se ai kishte qënë ushtarak dhe s’kishte asnjë rrezik… Por ajo, që nuk më hiqet nga sytë derisa të vdes, ishte kthimi.

Një çift i bukur të rrinjsh, djali me flokë të gjatë, vajza me minifund. Kaleci diçka u tha dhe djali u erritua. Mesa duket ngacmoi vajzën. U zunë keq me fjalë e desh u goditën, po nuk i lanë pasagjerët. Kur treni ndali diku në Rrogozhinë, djali kërceu me vrap me vajzën përdore, zbriti nga treni dhe po largohej një fushe të mbjellë, mirpo kaleci i stërvitur bashkë me dy monsra të tjerë i zunë, i shtrinë në fushën jeshile dhe i qëllonin me shkelma dhe me kamzhik gome. O Zot i vranë!-thiri dikush, po treni u nis dhe nuk pamë më asgjë. Nuk fjeta me muaj.  Nuk guxova të vija në Tiranë tre vjet me radhë.

Ajo ç’ka më trazonte shpirtrin si mister, ishte Busti. Vërtetë ç’patën, aq të paditur qenë, sa nuk e morën vesh i kujt ishte busti ? Pse se kthyen përsëri? Ku e shpunë?  A thua, vërtetë nuk e di askush? Si ka mundësi në mes të ditës… Nuk la asnjë gjurmë?   Vendi i tij në hyrje të shkollës është ende bosh. Kjo heshtje prej varri e së vërtetës, e fundosi thellë demokracinë.

Këto ngjarje janë oazet e një jete. Shumë gjëra kanë ndryshuar prej protagonizmit të njerëzve, po ka disa të tjerë njerëz, të cilët nuk janë aq të zgjuar sa të nxjerrin mësime nga e kaluara.

Një Nobelist i shquar, me të drejtë thotë se:”Qytetërimi i njerëzimit nuk ka bërë progres që nga mesjeta e deri në kohët moderne. Luftrat, ashtu si dhe ato dy botëroret e deri tek ato të sotme, ku njerëzit vriten çdo ditë, ku është sofistikuar dhe avancuar vrasja e njerëzve, por kjo nuk do të thotë se qytetërimi ka bërë progress. Reziku njerëzimit po rritet çdo ditë nga perceptimi i tij, prej makinerive dhe shpikjeve që ai ka bërë vetë. “

Po busti çu bë! Askush se pa? Askush se di? Ku është fshehur? Si ka mundësi?

U erdhi turp atyre që e rëmbyen se nuk njohën udhërëfyesin e tyre, apo ndonjë i quajtur i djathtë me indinjatën mohuese ndaj luftës për liri. Duke besuar në hipokrizitë dhe gënjeshtrat mashtruese të pushtuesve që i luftonte e tërë bota, ata do gjenin parajsën e ëndëruar! Parajsën nuk e gjeti askush, as këta që luftuan për liri, po thjesht gjetën atdheun, që përndryshe do ta kërkonim tërë jetën ndër breza, ashtu si po kërkojmë tani tokat e humbura ndër shekuj, të mara nga pushues grabiqarë, të vulosura në konferenca, “paqesh”!.

Në fshehtësitë e turpëshme të kohës, hulumtohet në thellësi me integritetin e rrebeluar të artistit që nuk mund të bëjë asgjë e nuk mund të mbrojë askënd, as veten, vetëm se tregon dhe përpiqet të zbërthejë ngjarjen, me kompleksitetin e fijeve të së vërtetës.

E vërteta në letërsi i afrohet etikës -etikës finale të letërsisë. -na mësojnë të mëdhenjtë e ditur. Pasioni nuk është kurrë i mjaftueshëm, po as mjeshtëria. Duhet guxim dhe shumë punë- thonë ata. Po busti çu bë? Më vjen keq se nuk e mbrojtëm dot, ne frikacakët e pambrojtur! E shkuara nuk harrohet, e as mund të zëvendësohet. Detyrë e çdonjerit nga ne, është të sjellë në të tashmen problemet e së kaluarës të brezit të vet, kështu edhe ndërgjegjja jonë do të jetë më e qetë.

Nëse ky tregim nuk është letërsi, ju siguroj se është jetë e vërtetë.

 

Nadire BUZO

 

Me dhimbje dhe me nderim i japim lamtumirën njeriut të letrave, përkthyesit fisnikut Zef Cuk Simoni- Nga Romeo Gurakuqi

Me dhimbje dhe me nderim i japim lamtumirën njeriut të letrave, përkthyesit fisnikut Zef Cuk Simoni.
Sot eshte ndarë nga jeta në moshen 91 vjeçare, një nga njerëzit më të rëndesishëm të dijes, te letrave dhe diplomacise qe ka jetuar ne Shqiperi, Zef Cuk Simoni, autor, bashkautor i disa fjaloreve te rendesishem, perkthyes i veprave kryesore te letersise boterore, editor.
Bir i nje prej familjeve me te rendesishme intelektuale shkodrane, pjese e nje rrethi kulturor qe punoi aq shume për Shqiperinë dhe Shqiptarët në ndriçimin dhe kthjellimin e udhës, Zef Simoni studioi dhe krijoi me kualitet te larte shkencor nje jete te tere në urtësi, me perkushtim shembullor, siç u edukua nga prinderit e tij, per t’u dhuruar shqiptareve vepra qe do te mbesin nje thesar i rrallë per fondin gjuhesise dhe te letersise së përkthyer ne gjuhën shqipe.
Trupi i Tij do te prehet sot pasdreke ne Varrezat Katolike të Rrmajit në qytetin e Shkodrës.

POEZIA SI KËPUJË E LIDHJES ME TOKËN, QYTETIN, NJERËZIT, HAPËSIRAT DHE KOHËT- Analizë libri nga Prend BUZHALA

(Sejdi BERISHA: “Peja, dhembja dhe krenaria ime…“ – poemë të cilën kurrë nuk e përfundova, 2023)

 

Ky libër, këto poezi janë një himn për tokën arbërore, për përjetësinë dhe rëndësinë e saj në zemrat dhe mendjet e njerëzve.
Thuhet se një qytet duhet ta ketë veprën letrare që e monumentalizon. Pra, Peja tashmë e ka këtë vepër të Sejdi BERISHËS, me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit, kujtesën dhe kulturën e këtij qyteti. Ajo poetikisht përfaqëson historinë, kulturën dhe karakteristikat e veçanta të këtij qyteti dhe shpalos emocionet dhe përjetimet që e bëjnë atë qytet unik. Është vepër inspiruese, motivuese dhe frymëzuese që reflekton këtë identitet qytetar. Vepra përmban referenca të shumta historike e legjendare që lidhen me qytetin dhe ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive.

* * *

Sejdi Berisha është një poet me përvojë, me vetëdije të ndjeshme për veçoritë e krijimit dhe frymëzimit. Është krijues me parime të përpikta ndaj vetes, në shprehje dhe stil poetik, i dashuruar pafundësisht me Pejën, vendlindjen, i do me zemër njerëzit e mjedisit të tij, historinë dhe mitet, trashëgiminë dhe shpirtin e gjeografisë shqiptare. sado që këto gjakime të tij krijuese i ka shfaqur në veprat e përparshme, megjithatë, te ky vëllim po ashtu vjen me rishqyrtime lirike të reja. Zërat e brendshëm që e grishin në frymëzime, sigurisht që kërkojnë edhe një qasje tekstuale të re. Së këndejmi, kjo krijimtari poetike perceptohet edhe tani si lexim me përhapje të reja kushtimesh e thirrjesh lirike, me gjëmime të jehonës së ngjarjeve e përjetimeve. Individualizmi i tij lirik është i ndërthurur me ngjyrat dhe aromën e mjedisit shqiptar, me peizazhin epik e romantik që e rrethon, me shqisat e qytetit të Pejës. Dhe, posa t’i biem në fund leximit të këtij vëllimi, do të vërehet që përkatësia e kësaj hapësire shpirtërore gjallimi e përcakton, në thelb, edhe poezinë e tij. Mbetet pazgjidhshëm në kontakt me tokën e qytetin e tij, me kujtesën për njerëzit e tij, me peizazhin dhe lumenjtë, me plagët dhe jetën e kujtimeve, me hartën elegjiake të atdheut. Të gjitha këto pikëtakime inspirimesh, e formësojnë filozofinë e këtij rrugëtimi poetik. Këto përvoja poetike të së kaluarës si trashëgimi e moçme antike, janë shtylla kariatidesh e monumente tempujsh të metaforës së tij të lirisë dhe gjuhës, gjakut dhe qenies.
Kohët që më s’kthehen, kohët që ruhen në kujtesë, tashmë zënë këndin e tyre nostalgjik nëpër vargje, duke u zhytur thellë në qenien e kësaj hapësire, duke krijuar, kësisoj, një botë të veçantë artistike dhe duke e ngritur atë paradigmën e glorifikimit të Tokës amë dhe të qytetit të tij. Letërsia e tillë, përgjithësisht, ndër ne, e krijon në poezi një identitet të posaçëm kulturor, artistik, ligjërimor po edhe nacional.

1. Ode poetike për tokën

Vëllimi nis me poemën “Kudo të gjeta, ty Toka ime që nëpër shekuj tentuan ta shëmtojnë madhështinë”, me referencën tekstuale: “Poemë kushtuar Tokës Arbërore, të cilës, as plagët që ia shkaktuan ndër shekuj, as ndrydhjet dhe as shtypjet, kurrë nuk e ligështuan, por e kalitën, e bënë fanar lirie, krenarie dhe njerëzie…”. E ndarë në dyzetepesë pjesë, poema merr trajtën e një ode kushtuar tokës Arbërore, e cila përjetoi shumëçka nëpër shekuj, por nuk u dobësua asnjëherë. Poeti fillon me një shprehje të thellë të dashurisë dhe kërkimit për tokën e vet, duke ligjëruar se ajo e kërkon atë kudo që shkon, por nëpër shekuj pamja e saj është ndryshuar. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta shkatërruar, tokën e tij, ai e gjen ende të qëndrueshme dhe të fortë, si një shenjë lirie dhe krenarie. Më tutje vazhdon ta përshkruajë rrugën e kërkimit për tokën e njerëzit e saj nëpër vende të ndryshme, si Shqipëri, Anadoll, Shkup, Greqi, duke pasur një histori të ndryshme në secilën prej tyre, por gjithmonë të ngjashme në ndjenjën e mallit dhe dashurisë për atdheun. Shpreh admirim për forcën dhe rezistencën e tokës së tij, qëndrueshmërinë e saj nëpër kohë të vështira dhe me ngjarje të dhimbshme, siç janë luftërat dhe konfliktet. Edhe pse ka pësuar shumë, kjo tokë nuk e ka humbur shpresën dhe vazhdon të përpiqet për ta gjetur lirinë plotë gjeografike dhe lirinë e plotë për polemin e tij. Kah fundi, poeti përshkruan një çast të vetërefleksionit, ku ndjenë se tokën e tij e ka gjetur gjithkund, në çdo cep të botës, se ajo është e përkujdesur dhe e respektuar nga shumë persona të shquar dhe ngjarje historike. Kjo poezi është një himn për tokën arbërore, për përjetësinë dhe rëndësinë e saj në zemrat dhe mendjet e njerëzve.
Poeti vazhdon ta shprehë udhëtimin e tij shpirtëror për ta gjetur tokën kudo që janë njerëzit e saj nëpër botë. Ky shtegtim për tokën e vet, nuk është vetëm një kërkim gjeografik, por një kërkim i identitetit, i rrënjëve dhe i lidhjeve emocionale e shpirtërore. Nëpërmjet përmendjes së vendeve të ndryshme si Shqipëria, Anadolli, Shkupi dhe Greqia, poeti përshkruan një kapitull historie poetike, veç e veç, por e tëra qëndron nën një temë të përbashkët të mallit dhe dashurisë për atdheun. E përshkruan me një tronditje të thellë ndaj tokës dhe identifikimin e tij me forcën dhe rezistencën nëpër kohë të vështira. Kjo poemë sugjeron ndjenjën e përbashkësisë për identitetin dhe historinë e përbashkët që kanë shqiptarët, pavarësisht prej dallimeve gjeografike, fetare dhe historike që mund të ekzistojnë. Edhe pse kjo Tokë ka përjetuar shumë vuajtje, duke përfshirë luftërat dhe eksodet e përgjakshme, poeti reflekton për shpresën që vazhdon të ekzistojë, duke shprehur besimin e thellë në aftësinë e popullit për t’i përballuar sfidat dhe për ta gjetur lirinë e plotë në të ardhmen. Në pjesën e fundit të poemës, poeti bën një reflektim të thellë mbi udhëtimin e vet për ta gjetur tokën e vet dhe ndjenjën e bashkërendimit me të. Na e shqipton ndjesinë e arratisjes nëpër çdo cep të botës, duke e gjetur tokën e vet si një shenjë e ndjekjes së saj të pandërprerë.
Përshkrimi i respektit dhe i admirimit të shumë personaliteteve të shquara dhe ngjarjeve historike për tokën, e thekson mesazhin e qartë se Toka Arbërore e ka një vend të rëndësishëm në zemrat dhe mendjet e njerëzve, se ajo është një simbol i përjetësisë dhe identitetit të përjetshëm për popullin e saj. Kjo poezi është një hyrje emocionuese dhe thellësisht e ndjeshme për tokën dhe për rëndësinë që ajo ka për të dhe për të gjithë ata që e ndjejnë atë si atdhe.

Gjithkah të kërkova toka ime
Kudo u përcëllova
Duke ta përkëdhelur ballin
Por shekujt ta ndërruan pamjen
Tentuan të ta shëmtojnë bukurinë
Edhe madhështinë
U përpoqën të ta rrënojnë
Gjithnjë të ndrydhen e të tkurrën

Janë vargje që shprehin kërkimin e pafund për tokën, si një udhëtim i përsëritur dhe i padiskutueshëm për ta gjetur vendin e vet të përjetshëm. Megjithatë, ky kërkim nuk është pa sfida. Shekujt, me ndryshimet dhe shkatërrimet e tyre, kanë bërë që pamja e tokës arbërore të ndryshojë. Tentativa për ta shëmtuar, për ta rrënuar, për ta ndrydhur dhe për ta tkurrë gjithmonë ka qenë një sfidë e madhe në këtë rrugë kërkimi për identitetin dhe vendin e saj në botë. Përshkruan një kërkim të vazhdueshëm për të qëndruar në lidhje me tokën e vet.

Dhe tash në këto vende
Frymon shpirti i ndrydhur i njeriut tënd

Këto vargje përshkruajnë një moment ku poeti reflekton mbi frymën dhe shpirtin e popullit të vet në vendet ku ka shkuar. “Shpirti i ndrydhur” sugjeron një shpirt të prekur, të tronditur ose të shqetësuar, që mund të jetë rezultat i vuajtjeve, luftërave apo sfidave që kanë përjetuar. Pavarësisht nga kjo gjendje e ndrydhur, shpirti i popullit vazhdon të frymojë dhe të jetë i pranishëm në këto vende. Kjo është një rezistencë dhe qëndrueshmëri e shpirtit human në ballafaqim me sfidat dhe vuajtjet. Në këtë kontekst, poeti dëshiron ta shprehë solidarësinë dhe lidhjen e plotë me shpirtin e popullit, duke shqiptuar një ndjenjë të përbashkëtësisë dhe njohjes së vuajtjeve dhe përballjeve të tyre.

Kudo të hasa toka ime
Edhe atje në Greqi
Atje ku e ke një tjetër histori
Të kërkova në Çamërinë e përmalluar shekujsh

Shqiptarë ka kudo. Qenia e tyre është dëshmi e këtyre tragjedive historike. Folësi lirik e gjen veten duke udhëtuar nëpër Greqi, ku edhe në këtë vend gjen lidhje të thella historike. Për të, Çamëria është një vend i veçantë, një tokë që ka qenë e ndërtuar mbi historinë dhe trashëgiminë e saj të pasur, që përballuar sfida dhe përplasje të shumta nëpër shekuj. Përmendja e Çamërisë si një vend i “përmalluar shekujsh”, sugjeron një histori të pasur por të ndërlikuar, të përshkruar me emocion dhe admirim për kulturën dhe traditat e këtij vendi. Kjo pjesë e poemës reflekton një lidhje të thellë emocionale dhe historike me këtë tokë të veçantë, e cila vazhdon të jetë një qendër e rëndësishme e identitetit dhe kujtesës së saj.

Kudo të kërkova e asnjëherë nuk të gjeta
Kudo të kërkova e kudo të takova
Nëpër plagë të Preshevës
Në ato të Bujanocit dhe Medvegjës
Aty u përpoqa ta gjej çlirimin tënd

Këto vargje shfaqin përpjekjen e vazhdueshme të poetit për ta gjetur tërësinë etnike. Përpos kërkimit në vende të ndryshme, të hartës së copëtuar të Atdheut, poeti ndjen një lidhje të veçantë emocionale edhe me Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, vende që kanë përjetuar vuajtje dhe konflikte të mëdha në historinë e tyre.
Përmendja e “plagëve të Preshevës” ndihmon të përshkruhet dhimbja dhe shqetësimi i popullit të saj në këto zona. Poeti është i përfshirë emocionalisht dhe përpjekjet e tij për ta gjetur “çlirimin tënd” (të Preshevës), liri dhe pavarësi për këtë popull, janë të qarta, duke shfaqur një ndjenjë të thellë solidariteti dhe përkushtimi poetik ndaj çështjeve të drejtësisë dhe lirisë.

Ti toka ime sa e madhe je
Ndër vite mote dhe shekuj
E ke ruajtur dashurinë dhe ngrohtësinë
Në dërrasat e zeza e në klasat e shkollave
Të rrezbitura e të brejtura minjsh e gjarpinjsh
I hasa do shkronja të shkruara
Me ëndrrat e nxënësve
Atëherë të stërgjyshërve tanë
Që i kishin lënë pa u mbushur me dituri
Dhe i kishin përzënë me dashuri në gjinj
Me shkrumb për të lexuar ndonjë libër
Për dritën dhe lumturinë

Poeti e përshkruan tokën si një entitet të madh që ka ruajtur trashëgiminë kulturore dhe arsimimin nëpër shekuj. Përmendja e “dërrasave të zeza” dhe “klasave të shkollave” sugjeron historinë e sakrificave për dije e shkrim. Vargjet reflektojnë edhe sfidat dhe pengesat që kanë hasur nxënësit dhe njerëzit në përgjithësi në kërkimin e dijes dhe arsimit. Përmendja e nxënësve që u përzunë nga shkolla “me dashuri në gjinj” dhe i “shkrumbit për të lexuar ndonjë libër”, tregon se edukimi ka qenë një sfidë e viteve të rënda të dekadës së fundit të shekullit XX.
Edhe ylberin e shiut dhe diellin tënd
Kudo e kërkova
Nëpër ato bukuritë e lumenjve
Por edhe ata ishin plagosur
Ishin shndërruar në pika uji apo loti

Ky pasazh poetik përshkruan një kërkim të vazhdueshëm për shpirtin e tokës, të shprehur në simbolet e natyrës si ylberi, shiu dhe dielli, për të gjetur frymën dhe shpresën në bukuritë e atdheut, por edhe ata janë shfaqur të plagosur, për shkak të lëndimit të kohëve dhe ngjarjeve të dhimbshme.
Përkundër kësaj, toka mbetet e përjetshme dhe e pandryshueshme, dhe përmes saj, shprehet përjetësia dhe trashëgimia e popullit. Përmendja e këngëve dhe lumturisë që lindin nga kjo përjetësi e thekson rëndësinë dhe vlerën e kërkimit për liri dhe pavarësi. Çerdhja e zogjve dhe e shqiponjave simbolizon lirinë dhe lavdinë e tokës, e cila mbetet e pandikuar edhe nëpërmjet vuajtjeve dhe sfidave.

Sa herë të takova
Të pashë ngulur në heshtat e Bizantit
Edhe në shpatat e romakëve
Por kurrë nuk u dëshpërove
As nuk u dorëzove
Për plagët e rënda dhe helmuese
Gjithmonë e pate ilaçin e zemrës
Me të cilin u shërove nëpër beteja…

Nëpërmjet referencave të heshtjes së Bizantit dhe shpateve të romakëve, poeti e bën të qartë lidhjen e thellë të tokës me historinë dhe trashëgiminë e lashtë të kulturës. Pavarësisht vuajtjeve dhe sfidave të shumta, populli dhe toka e tij kanë mbijetuar dhe kanë shëruar plagët e rënda dhe helmuese, duke e ruajtur një ilaç të fortë në zemrat e tyre që i ka lejuar atyre të vazhdojnë përpara nëpër beteja dhe vështirësi të ndryshme. Është vullneti i fortë i popullit për të përballuar dhe triumfuar.

Toka ime
E di pse në ty janë lisat e gjatë
Që i prekin yjet e qiellin
Sepse gjithmonë janë ujitur
Me gjakun e bijave dhe bijve tu
Kurse degët e tyre bashkë me gjethe
Janë krenaria e lotëve të nënave

Me këto vargje shpreh një lidhje të thellë dhe simbolike midis tokës dhe qiellit, duke përdorur imazhe të bukura dhe të ngrohta. Lisat e gjatë që prekin yjet në qiell (asociacion vargjesh naimiane), simbolizojnë forcën dhe rëndësinë e tokës, ndërsa ujitja e tyre me gjakun e bijave dhe bijve, tregon për lidhjen e ngushtë midis tokës dhe gjeneratave që kanë lindur dhe janë rritur në të. Degët e gjetheve të pemëve janë përdorur për të përforcuar këtë lidhje, duke i krahasuar ato me krenarinë dhe dhimbjen e nënave që kanë vuajtur për tokën e tyre. Ky pasazh paraqet një respekt të thellë dhe dashuri ndaj tokës së saj dhe trashëgimisë që ajo përfaqëson.
Në këtë poemë folësi lirik, i cili përfaqëson poetin, i drejtohet drejtpërdrejtë tokës si një qenie e gjallë, duke i referuar vetes si “ti” në vend të “unë”. Ky tip ligjërimi shfaq një ndjenjë të thellë të identitetit dhe lidhjes së ngushtë me tokën, duke e trajtuar atë si një qenie të gjallë me karakteristika dhe vlera njerëzore.

Eh moj toka ime
Më kujtohet Tivari e Goli Otoku
Edhe shumë ngjarje të tjera
E së voni edhe Reçaku e Meja
Edhe Lybeniqi-histori në vete
Edhe shumë masakra të tjera
E ti prapë dukesh si zorra në prush
Dhe hiq nuk më hiqet mendjes
As nuk më largohet qafet
Pse disa dëshmorë më bëhet
Sikur shpesh qohen nga varret
Dhe gjithkah shkojnë
Gjakun e tyre për ta prekur
Ecin sertshëm vështrojnë e qortojnë…

Pra, janë historitë e dhimbshme të Tivarit, Goli Otokut, Reçakut, Mejës, Lybeniqit dhe të tjera janë shënim memorial i vuajtjeve dhe tragjedisë që populli yt ka përjetuar nëpër kohë. Këto ngjarje të trishta e dëshmorët e tyre tregojnë për forcën dhe rezistencën e tyre për lirinë dhe drejtësinë. Edhe nën hijen e vuajtjeve dhe humbjeve, toka përfaqëson një shpresë, një krenari dhe një vullnet për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm. Dhe përjetësia e tyre në kujtesën dhe zemrat e njerëzve do të jetë një dritare e hapur për të mos harruar kurrë dëshmorët dhe sakrificën e tyre për lirinë dhe drejtësinë.

Në përfundim vijnë vargjet:

E moj toka ime
Po gjithkund të kërkova
Gjithkund të takova
Gjithkund të përqafova
Dhe në gjirin tim të përjetësova…

Përfundimi i kësaj poezie është një shprehje e thellë e dashurisë dhe lidhjes së thellë mes poetit dhe tokës së tij. Pavarësisht vuajtjeve, konflikteve dhe humbjeve të përjetuara nëpër kohë, poeti vazhdon të kërkojë, të takojë dhe ta përqafojë tokën e vet. Në këtë lidhje të përjetshme, ai gjen forcën dhe frymën për të vazhduar përpara. Toka është më shumë se vetëm një hapësirë gjeografike – ajo është një simbol i historisë, trashëgimisë dhe identitetit të saj.
Përgjithësisht, poeti i thur një memorial monumental poetik Tokës arbërore. Poezia dhe memoria historike dhe shpirtërore janë dy dimensione të ndërlidhura në përjetimin dhe shprehjen e përvojës etnike. Poezia është vetëm një këpujë për ta ruajtur dhe për ta përshkruar memorien historike dhe shpirtërore.
Përtej tragjedisë dhe dhimbjes, poeti shpreh admirimin dhe respektin për krenarinë dhe qëndresën e tokës. Kjo tokë është simbol i shpirtit të zgjuar dhe të palodhshëm për të qëndruar në këmbë, edhe përkundër sfidave më të rënda dhe shkatërrimeve të pashmangshme. Ruajtja e krenarisë dhe qëndresës, është si një flakë që nuk shuhet kurrë, një shpirt i fortë dhe i pandalshëm që vazhdon të përballet me sfidat dhe ta mbrojë identitetin dhe vlerat e veta me guxim dhe dinjitet. Kjo poemë ndërton një rrëfim të vazhdueshëm të kërkimit të poetit për tokën. Toka është personifikuar si një entitet i gjallë që ndjen, vuan dhe shfaq karakteristika të ndryshme nëpër kohë dhe vende të ndryshme. Poema përmban imazhe të forta emocionale që përshkruajnë ndjenjat e mallit, dashurisë, vuajtjes dhe përkushtimit.


Shkrimtari dhe publicisti, Sejdi BERISHA

Poema merr trajtën e një dialogu poetik me tokën e që shfaqet nëpërmjet vargjeve dhe imazheve poetike të poezisë. Ky dialog shpreh ndjenjat, mendimet dhe refleksionet e poetit për tokën në mënyrë të hollësishme dhe emocionuese. Nëpërmjet këtij dialogu, poeti shpreh lidhjen e thellë emocionale dhe kulturore që ka me tokën dhe me përjetimet gjatë kërkimit vetjak nëpër vende të ndryshme. Kjo poemë përmban një varg emrash vendesh, shtetesh dhe qytetesh nëpër botë, duke shpalosur një udhëtim shpirtëror-gjeografik dhe historik të kërkimit për tokën e vet. Këta emra vendesh dhe qytetesh shërbejnë si pamje panoramike e rrugëtimit. Ky dimension i gjerë i poezisë, e fuqizon ndjesinë e kohës së kaluar dhe rëndësinë e historisë për folësin lirik, duke e ndihmuar atë të shprehë marrëdhënien e tij të thellë me tokën dhe trashëgiminë e saj kulturore. Ky udhëtim shpirtëror sjell një ndjenjë të përbashkët të lidhjes me identitetin dhe kulturën nacionale, duke i bërë ata ta ndiejnë njëri-tjetrin afër, edhe pse ndodhen larg fizikisht. Nëpërmjet poezisë, ata përjetojnë një unifikim të ndjenjave dhe përjetimeve, duke e bërë këtë udhëtim një përvojë të përbashkët për të gjithë ata që e ndjejnë tërheqjen e tokës dhe trashëgimisë së tyre kulturore.
Poeti ka besim në forcën e popullit që e ndiejmë në çdo varg të poezisë, në çdo ndjesi të përjetuar dhe në çdo shpalosje të identitetit të kulturës dhe historisë së tyre. Autori përshkruan ngjarje të vështira dhe momente tragjike të historisë, por gjithashtu dëshmon për rezistencën dhe guximin për të përballuar ato dhe për t’i përmbushur synimet e tyre.

2. Identiteti poetik i qytetit të Pejës

E kësaj rëndësie dhe thellësie të rrëfimit poetik, është edhe poema “Peja, dhembja dhe krenaria ime…(Poemë të cilën kurrë nuk e përfundova)”. Poeti nuk i jep vetes të drejtë ta përfundojë këtë poemë, sepse nuk kanë si përfundojnë as dashuria e as historia.
Poema është e ndjeshme dhe e mbushulluar me nostalgji për qytetin e Pejës dhe përjetimet e poetit në këtë qytet. Poezia shpreh dashurinë, dhembjen, krenarinë dhe historinë e këtij qyteti të vogël, por të thellësisë së madhe. Nëpërmjet vargjeve të ndjeshme, ai përshkruan ngjarjet historike, personalitetet, si dhe bukuritë natyrore dhe kulturore të qytetit. Kujtohen njerëzit e ndryshëm që kanë lënë gjurmë në këtë qytet, si dhe ngjarjet e rëndësishme të kaluara dhe të sotme. Nëpërmjet kujtimeve të tij, ai bën një thirrje për ta mbajtur gjallë trashëgiminë kulturore dhe për të përjetuar e ndërtuar mbi të kaluarën e qytetit.
Përshkrimi i karaktereve të veçanta vendase, si Rexhep Gjyka, Ademi, Moni, Shaban Arusha, Pala dhe Haxhi Mevlaja, shton një element të ngrohtësisë së kësaj poezie, duke e bërë atë më afër lexuesit. Poema përmbledh ndjenjat e poetit për qytetin e tij dhe dëshirën për ta ruajtur dhe përjetuar trashëgiminë e këtij qyteti të veçantë në zemrën e tij dhe në zemrat e të gjithë atyre që e kanë njohur atë.
Në ty u rrita
Në ty fëmijërinë e kalova
Në ty me rininë u mashtrova
Në ty krijova familje
Në ty Zoti jetën ma stolisi
Me gjashtë fëmijët engjëj

Këto vargje evokojnë një përvojë personale në qytetin e tij të lindjes, Pejën. Ai flet për një udhëtim të plotnisë njerëzore, duke filluar nga fëmijëria deri te krijimi i një familjeje dhe e bekuar me gjashtë fëmijë. Frazat “Në ty u rrita”, “Në ty fëmijërinë e kalova” dhe “Në ty me rininë u mashtrova”, sugjerojnë një lidhje thelbësore midis individit dhe qytetit. Poeti përshkruan Pejën si ambientin ku ai ka kaluar momentet më të rëndësishme të jetës së tij, ku ka përjetuar rritjen, gëzimin dhe sfidat. Frazema “Zoti jetën ma stolisi”, sugjeron harmoninë dhe begatinë që ka përjetuar në qytetin e tij. Gjashtë fëmijët janë përshkruar si “engjëj”, një simbol i pafajësisë dhe pastërtisë, që përforcojnë idenë e lumturisë dhe begatisë që ai e ka gjetur në Pejë.
Në ty djersa e babait
La gjurmë të përjetshme
Në ty nëna fshihte
Dhembjen për rriten time
Në ty tash babai pushon
Në tokën e trembur
Aty tash edhe nëna sipër ka
Gjelbërimin që përcëllon

Janë evokime për ngjarjet dhe emocionet që ka përjetuar poeti në lidhje me prindërit e tij në qytetin e Pejës. Përshkruan punën e vazhdueshme dhe përkushtimin e babait në këtë qytet, ku kanë lënë gjurmët e tyre në kujtesën e poetit. Është trashëgimia që poeti e ndjen, pasi kujtimet e babait dhe puna e tij kanë mbetur pjesë e përjetësisë së qytetit.

Me ty rashë dhe u zgjova
Me ëndrrat e ndrydhura
Me ty kudo që shkova
Në zemër të mora

Kështu përshkruan qytetin si një pjesë të pandarë të identitetit të poetit, ku ai ka kaluar momentet më të rëndësishme të jetës së tij dhe ka përjetuar shumë emocione. Kjo gjendje e lidhjes thellë me qytetin përshkruhet edhe në vargjet e tjera, ku poeti thotë se është zgjuar “me ëndrrat e ndrydhura” dhe ka marrë qytetin “në zemër”. Frazema “ëndrrat e ndrydhura” sugjeron një përvojë të ndryshme dhe të pasur emocionale që ka përjetuar krijuesi.

Pejë
Çfarë të bëjmë tash
Shumë letra kemi shpalosur e shfletuar
Shumë defterë të vjetër e të rinj
Dhe prapë sikur jemi aty në fillim
Aty ku dikur jemi zgjuar të përqafuar

Vargje që përshkruajnë një gamë të gjerë emocionesh që autori ka përjetuar në qytetin e tij. Kjo gamë përfshin gëzimin dhe hidhërimin, të cilat janë pjesë e jetës së tij në Pejë. Vargjet në fund të këtij citimi, tregojnë për një reflektim dhe rishikim të lidhjes së poetit me qytetin. “Çfarë të bëjmë tash”, sugjeron një pyetje ose mosmarrëveshje mbi rrugën e ardhshme të kësaj lidhjeje. “Shumë letra kemi shpalosur e shfletuar / Shumë defterë të vjetër e të rinj” përshkruan një histori të gjatë dhe të pasur të përvojës së poetit në qytetin e tij. “Dhe prapë sikur jemi aty në fillim / Aty ku dikur jemi zgjuar të përqafuar”. Kështu tregon për një lloj rikthimi në origjinën e kësaj lidhjeje, duke e ndjerë veten si një fëmijë që kthehet në shtëpi. Gjithçka mbetet e përjetshme, e papërfunduar.
Vargjet e mëtejshme shprehin një dëshirë për të shpallur dhe për të ndarë historinë e qytetit, si një mënyrë për të ruajtur dhe për të vlerësuar trashëgiminë e tij kulturore dhe historike. “Kush ka fuqi të na ndajë ne të dyve”, përshkruan një dëshirë për të ruajtur lidhjen e thellë dhe të ndarë me qytetin, duke e ndjerë atë si një pjesë të pashkëputshme të identitetit të tij.
Pejë
Ti dhembja dhe krenaria e jetës sime
Ndoshta ndër vite të kam bezdisur
Me këto shkrimet e mia
Edhe me vargjet e serta
Por nuk bën të mos shkruhet
Për Dudin Plak në Patrikanë
Për Tabjet e përgjakura e të heshtura
Ku bari ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu

Poeti pranon se ndoshta me shkrimet e tij ka pasur ndikim në mënyrën se si është parë nga të tjerët, por nuk e ndalon atë nga detyra e tij për të shkruar dhe për të rrëfyer për ngjarjet dhe personazhet e rëndësishëm në qytetin e tij. “Për Dudin Plak në Patrikanë / Për Tabjet e përgjakura e të heshtura / Ku bari ndryshe rritët nga eshtrat e djemve tu” me këtë përshkruan një pjesë të thellë dhe të trishtuar të historisë së qytetit, duke përmendur emra dhe ngjarje të caktuara që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën kolektive të komunitetit.
Këto dy vargje, “Pejë / Ti dhembja dhe krenaria e jetës sime”, përshkruajnë qytetin e Pejës si një pjesë të thellë dhe të ndryshme të identitetit të poetit. Fjala “dhembja” sugjeron një ndjenje të thellë të lidhur me qytetin, për shkak të sfidave, vuajtjeve, ose humbjeve që ka përjetuar aty. Ndërkaq, fjala “krenari” përshkruan ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për origjinën e tij. Më tutje, ai bën thirrje për të kënduar për historinë e qytetit të tij, edhe pse kjo histori ka pak gjurmë sipër tokës. Ai thekson se, megjithëse historitë mund të jenë harruar ose të fshehura, eshtrat e përjetuarve flasin dhe kujtojnë për të kaluarën. Me fjalët “Për ty Pejë / Që Bjeshkët e Nemuna të rrethojnë / Flasin e kuvendojnë për Kosovën / Për atdheun e shkapërderdhur,” poeti shpreh rëndësinë e Pejës në kontekstin më të gjerë të Kosovës dhe atdheut, duke e bërë atë një pjesë thelbësore të historisë dhe identitetit kombëtar. Përmenden Karagaqi, Dardania, me peshën e tragjedive. Përmendja e tragjedisë së lagjes Dardania, që u djeg dhe u shkrumbua, dhe banorët e saj që u vranë nga armiku dhe u dëbuan nga trojet e tyre, dëshmon për vuajtjet dhe përballjet e rënda që banorët e kësaj lagjeje kanë përjetuar.
Poeti sjell në vëmendje një aspekt të rëndësishëm të kulturës dhe traditës së qytetit të Pejës. “Netët e Dukagjinit” janë përmendur si një kohë e veçantë kur kënga dhe zëri i vashave dhe i djemve të qytetit shërbenin si element që jehonte në qytet. Kjo referencë tregon për një traditë muzikore dhe kulturore të pasur në këtë qytet, ku këngët dhe vallet e Dukagjinit shërbenin si mënyrë për të shprehur emocione, histori dhe tradita të ndryshme. Me përmendjen e “Netëve të Dukagjinit”, poeti bën thirrje për ta mbajtur gjallë këtë trashëgimi kulturore dhe për t’i kujtuar kohët kur muzika dhe kënga ishin pjesë thelbësore e jetës së qytetit. Kjo pjesë e poezisë thekson rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historike, duke e bërë atë një element të rëndësishëm të identitetit të qytetit të Pejës.
Pejë
E për teatër
Nuk ka letër as defterë
Historinë për t’ia shkruar

Poeti s’mund ta mendojë Pejën pa teatrin e tij. Këto vargje interpretohen si një thirrje për të investuar në kulturën dhe artin dramatik në Pejë dhe për të ndërtuar një sallë teatri apo një strukturë të përshtatshme për të promovuar dhe për të mbështetur shfaqjet teatrale. Për poetin, teatri është një aspekt i rëndësishëm i jetës kulturore të një qyteti, dhe mungesa e një salle të përshtatshëm teatore, shënon një humbje.
Pejë
Nata në ty është e gjatë
E dita shumë e shkurtër
Se ti nuk e duron gjumin e parehatshëm
Por nuk e duron as heshtjen
Kurrë nuk ke qenë memece

Në këto vargje, poeti përshkruan dy anë të ndryshme të qytetit të Pejës: natën dhe ditën. Nata përshkruhet si e gjatë, e cila shënjohet si një kohë misterioze dhe e përshtatshme për reflektim dhe kontemplacion. Në anën tjetër, dita përshkruhet si e shkurtër, e cila kuptohet si një kohë që kalon shpejt dhe nuk jep shumë kohë për të bërë gjëra. Në vargun e dytë, poeti përshkruan karakterin e qytetit duke iu referuar atij si një qytet që nuk e duron gjumin e parehatshëm dhe as heshtjen. Ky përshkrim kundrohet si një përfaqësim i energjisë dhe aktivitetit të qytetit, duke e bërë atë një vend që gjithmonë është në lëvizje dhe në zhurmë. Fjala “memece” në fund tregon për një karakter të fortë dhe të vendosur të qytetit të Pejës, që nuk pranon të jetë i qetë ose i pazëvendësueshëm, por që është gjithmonë në lëvizje dhe në aktivitet.
Pejë
Ka edhe shumë gjëra të tjera
Që ty të madhështojnë
Por duke i lexuar këto vargje
Edhe juve shumë thesare të tretura
Rrëfimin e heshtur ua përkujtojnë

Në këtë formë, poeti përfundon poezinë duke bërë një thirrje për ta përjetuar thellësinë dhe pasurinë e qytetit të Pejës përtej atyre që janë përmendur në poezinë e tij. Përmendja e “shumë gjërave të tjera” që e “madhështojnë” Pejën, tregon për një thellësi të pasur shpirtërore mbase edhe filozofike dhe për një shumëllojshmëri të trashëgimisë kulturore, historike dhe natyrore të qytetit. Poeti bën thirrje për lexuesit e poezisë së tij që të qëmtojnë më tej dhe ta zbulojnë këtë pasuri të fshehur. Me frazën lirike “rrëfimin e heshtur”, ai sugjeron se ka një histori të thellë që poezia e tij nuk ka arritur ta zbulojë në tërësi, se lexuesit mund të gjejnë “thesare” të reja duke zbuluar këtë rrëfim të fshehur të qytetit të Pejës.
Pejë
A i mbanë mend të gjitha këto fjalë
Që ndoshta duken pa vlerë e fantazi
Por kjo nuk është me rëndësi
Peshë ka ajo
Që duhemi e përqafohemi unë e ti
Ti Pejë dhembja dhe krenaria ime…

Kjo pjesë përmbyll poemën me një reflektim mbi vlerën e fjalëve të shkruara për qytetin e Pejës. Autori bën thirrje për të reflektuar nëse lexuesit do të mbajnë mend dhe do të vlerësojnë fjalët dhe vargjet e tij që i ka përdorur për të përshkruar qytetin e tyre. Edhe pse fjalët mund të duket si thjesht vargje pa rëndësi apo fantazi, poeti thekson se përvoja dhe ndjenjat që shprehin ato janë shumë më të rëndësishme.
Poeti parapëlqen shpesh përdorimin e fjalës “peshë”, që, në këtë rast, tregon për ndikimin dhe rëndësinë që ajo ka për të përfaqësuar emocionet dhe lidhjen e thellë të poetit me qytetin e tij. Në fund, ai e përshkruan Pejën si “dhembja dhe krenaria ime,” duke rikonfirmuar lidhjen e tij të thellë dhe të ndjeshme me qytetin e tij.
Në esencë, identiteti poetik i këtij motivi, përbën një portret emocional dhe shpirtëror të qytetit, i shprehur nëpërmjet vargjesh. Përshkrimi i peizazhit natyror dhe urban, duke përfshirë lumenjtë, kodrat, rrugët, arkitekturën dhe parqet, shprehin lidhjen e tyre me mjedisin fizik të qytetit dhe ndjenjat e frymëzimit që vjen nga ajo. Identiteti poetik i qytetit përfshin edhe historinë dhe trashëgiminë kulturore të tij, me ngjarje historike, ngjarje kulturore dhe figura të rëndësishme që kanë formuar identitetin e qytetit. Përshkrimi i simboleve dhe ikonave të njohura të qytetit, përfaqësojnë identitetin dhe karakteristikat e tij unike. Nëpërmjet poezisë, qyteti bëhet subjekt dhe objekt i shprehjes së emocioneve dhe mendimeve të autorit, duke krijuar një portret të thellë dhe të pasur të identitetit të qytetit në një nivel emocional dhe shpirtëror. Në poemë ai veçon shpirtin e një qyteti, duke e personifikuar atë dhe duke e lidhur me trashëgiminë materiale dhe shpirtërore.
Poema e përshkruan qytetin si simbol të trashëgimisë dhe identitetit të një populli. Përmes personifikimit, qyteti bëhet një personazh i gjallë që mbart historinë dhe trashëgiminë e banorëve të tij. Nëpërmjet metaforave dhe imazheve të fuqishme, kjo poemë përshkruan forcën dhe rezistencën e shpirtit të qytetit, i cili paraqitet si një burim frymëzimi dhe shprese për banorët e tij, gjë që e bën atë të jetë i përjetshëm dhe i dashur për ta. Po ashtu shpreh krenari dhe respekt për trashëgiminë e lashtë dhe të pasur të qytetit. Banorët e tij përshkruhen si mbajtësit e kësaj trashëgimie, duke e kuptuar rëndësinë e saj për identitetin dhe vetëdijen e tyre kombëtare.
Në të tridhjetë pjesët e poemës së mësipërme, ky shpirt trashëgimie paraqitet në shumë aspekte:
a) Qyteti përshkruhet si vendi ku poeti u rrit dhe kaloi fëmijërinë e tij. Ky është fillimi i lidhjes së tij të ngushtë me qytetin dhe trashëgiminë e tij;
b) Qyteti përshkruhet si vendi ku poeti ka përjetuar gëzimin e hidhërimin, dhe është pajtuar me shumë aspekte të jetës së tij. Ky është një aspekt i trashëgimisë emocionale dhe personale që ai ka përjetuar aty;
c) Trashëgimia historike e qytetit përshkruhet si një histori e pasur dhe e përjetshme që nuk mund të harrohet. Bjeshkët e Nemuna dhe historia e Kosovës janë simbole të kësaj trashëgimie historike dhe kombëtare;
ç) Trashëgimia kulturore dhe fetare e qytetit përmendet në këtë pjesë. Varrezat dhe xhamitë janë simbole të rëndësishme të kësaj trashëgimie që përfaqësojnë identitetin kulturor dhe fetar të qytetit.
d) Natyra dhe mjedisi natyror i qytetit përshkruhen si pjesë e trashëgimisë së tij në këtë pjesë. Liqeni i Karagaqit dhe ulëset valë nga dashnorët, janë simbole të bukurisë natyrore dhe lidhjes së qytetarëve me mjedisin e tyre natyror.
dh) Trashëgimia artistike dhe kulturore e qytetit përshkruhet nëpërmjet referencave të këngëve dhe zërit të vashave dhe djemve të qytetit, që përfaqësojnë një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë artistike dhe kulturore të qytetit.
Dikush e ka thënë: “Qyteti është përherë një udhëtim i pasionuar dhe i përjetshëm në kujtesën tonë… Trashëgimia e një qyteti është e pashlyeshme, ajo është e përjetshme, ajo është e padiskutueshme. Trashëgimia është ajo që bën qytetin të jetë më shumë se vetëm gurë dhe beton.” Qyteti është një libër i hapur poetik, ku secila faqe përmban një histori, një emocion, një ëndërr. Pra, ai është më shumë se një vend ku jetojmë. Nëpër vargje sikur i shohim të gjitha rrugët që kanë secila një histori të pazbuluar, një kujtim a një emocion të ngujuar. Është një bukuri e pashpjegueshme, një mister i padukshëm.
Kur poeti e shqipton vargun “Pejë, Dhembja dhe Krenaria ime”, nuk është vetëm një shprehje e nostalgjisë për qytetin e tij. Përmes vargjeve, ai shpreh ndjenjën e përkatësisë dhe krenarisë për vendin ku u rrit dhe formoi kujtimet e tij. Ai përfaqëson një pjesë të trashëgimisë dhe historisë së Kosovës, duke e bërë atë një simbol të fortë të identitetit kombëtar.
Dialogu i poetit me qytetin shërben si një trajtë poetike që përfaqëson lidhjen dhe marrëdhënien e ngushtë mes krijuesit dhe mjedisit të tij. Në këtë rast, qyteti nuk është vetëm një sfond për poezinë, por bëhet subjekt i vetëm, një personazh që përfshihet në një bashkëbisedim të thellë me poetin. Kjo trajtë poetike shpreh po ashtu një spektër të gjerë emocionesh dhe mendimesh. Nëpërmjet dialogut poetik, qyteti bëhet një entitet i gjallë që përgjigjet, kujton, dhe ndikon në mendimet dhe ndjenjat e poetit.
Dialogu i poetit me qytetin gjithashtu shërben si procedim poetik për të shprehur kujdesin dhe përkujdesjen ndaj mjedisit dhe trashëgimisë kulturore të qytetit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit të tij dhe të përballjes me sfidat dhe dëshirat për përparim. Në fund të fundit, kjo trajtë poetike përforcohet nga ndjenja e lidhjes intime dhe e pashmangshme mes krijuesit dhe mjedisit të tij, duke krijuar një portret të thellë dhe të pasur të raportit midis njeriut dhe qytetit të tij.

Përmes këtyre marrëdhënieve të thella, dialogu midis poetit dhe qytetit, i jep lexuesit një pamje të brendshme dhe të detajuar të ndjenjave dhe mendimeve personale për qytetin e tij, si një personazh që ka historinë, trashëgiminë, dëshirat, dhe ëndrrat e veta, dhe ky dialog lejon shprehjen e tyre nëpërmjet vargjeve të poetit.
3. Pesha e artit dhe e tematikës së këndimit

Edhe krijimet tjera të këtij vëllimi poetik e kanë këtë peshë arti, tematike e këndimi. Te poezia “Kam pas thënë…“, autori shpreh përjetimet për një humbje të ndjesive dhe stinëve të shkuara me “Litarin e mallit” që sugjeron një lidhje të ngushtë me kujtimet dhe ndjenjat e humbura.
Përgjithësisht, poezitë përmbajnë elemente të lirizmit në stilin e tyre. Lirizmi është një stil poetik që përdor imazhe të bukura dhe emocionale për të shprehur ndjenjat dhe përvojat e autorit. Përdorimi i imazheve të tillë si “lotin ma lidhni”, “shiu e çmend vjeshtën”, dhe “lulet e lagin shtratin”, sjellin pamje vizuale të fuqishme dhe emocionale që përforcojnë ndjenjat dhe temën e poezisë.
Te poema “Kapeshnica” (Lagjja Kapeshnica e Pejës, edhe si legjendë edhe si dashuri), poeti përshkruan nostalgjinë dhe krenarinë për këtë lagje të Pejës. Ajo sjell në vëmendje kohën e kaluar, kur lagja ishte e mbushur me jetë dhe ngjarje që kujtohen në vazhdimësi. Shkrimi poetik është një përpjekje për t’i rikrijuar kujtimet dhe atmosferën e asaj kohe të largët. Në vargun e parë, përshkruhet një lagje e humbur në kohë, por ende e kujtuar për vetëm disa elemente të mbetur. Përshkrimi i një rruge të ngushtë që nuk ka ndryshuar, përcakton pamjen e vjetër të lagjes. Vendet e kujtimeve dhe ngjarjeve të shënuara me gurë rrezatojnë një atmosferë të lumturive dhe traditave të vjetra, ndërsa arrihet të ndihet harmonia dhe përjetimi i tyre. Pjesa e tretë përshkruan kohën e mbrëmjes dhe ëndrrat e dashurisë që përhapeshin nëpër rrugët e lagjes. Festat dhe ngjarjet e rëndësishme të lagjes, si Bajrami, janë pjesë e trashëgimisë dhe bujarisë së saj. Referimi te “kapixhikët” përshkruan mënyrën sesi shtëpitë janë lidhur në lagje, ndërsa oborret janë gjithmonë të hapura për miqësi dhe bashkëpunim. Detajet si “Xhamia e Kuqe” dhe kroi me tre gurë, përshkruajnë më tej jetën sociale dhe kulturore të lagjes. Në vargjet e mëtejshme, përshkruhet ndryshimi i lagjes sot, por ende ruhet thellë historikisht. Kapeshnica ruhet si një thesar i historisë dhe kulturës së Pejës, duke kujtuar ngjarjet dhe personalitetet e shquara që e kanë njohur atë. Poeti fton lexuesit të kthehen në Kapeshnicë për ta kujtuar dhe për ta përjetuar sërish të kaluarën e shkëlqyer të lagjes. Në fund, përmenden krenaria dhe madhështia e Kapeshnicës, e cila ende qëndron si një simbol i rëndësishëm për bashkësinë dhe historinë e Pejës. Poema paraqet një peizazh të humbur në kohë, por ende të rëndësishëm për identitetin dhe trashëgiminë e qytetit.
Në trajtën e një poeme është krijuar edhe “Elegji apo poemë kujtimi (Ose, a të kujtohet o Babëloku im…!)”. Ky tekst është një poemë kujtimi, një përkujtim për personin e dashur, babain e tij, që ka ndërruar jetë. Poezia përshkruan një sërë kujtimesh dhe përvojash personale me prindin. Fillon me një kujtim të përbashkët të pirjes së ujit në një burim dhe bisedave për historinë.

A të kujtohet o Babëloku im
Ai burimi ku pinim ujë
E ai fliste me ne për historinë

A të kujtohen o Babëloku im
Ato majat e bjeshkëve
Prej nga panorama e Dukagjinit
Na madhështonte shikimin

Nga pamja e majave të bjeshkëve dhe Dukagjinit, përshkruhet një panoramë përrallore e natyrës së kësaj zone. Përshkruhen momentet e rëndësishme të jetës së prindit, si mbajtja e deleve dhe varrimi i të dashurve. Përkujtohet koha e rinisë dhe ëndrrat që kishin atëherë. Paraqiten pamje të natyrës dhe dëshirës për ta shijuar jetën, me kujtimet nga puna në fshat dhe këndimi i këngëve nën hijen e pemëve. Jepen betejat për liri dhe për çlirimin e atdheut. Kujtohen bisedat me personin e dashur nën hijen e pemëve. Është koha kur lumenjtë i matnin me kutin e shpirtit. Bëhet një përshkrim i jetës së përditshme dhe vlerësimi i thjeshtësisë së saj. Jepen kujtime nga tregtia. Jepen skena poetike për punën e mundimshme dhe krenarinë për punën. Prindi i përkujtuar shpreh dëshirën për të qëndruar në tokën e tij pranë të dashurve të tij. Pra, jepet një reflektim mbi historinë dhe kujtimet e humbura.
Poema në vazhdim „Kthim në shtëpinë që nuk ekziston (Poemë, elegji, simfoni apo trembje shpirti…)“, po ashtu është një poemë kujtimi ose elegji për shtëpinë e babait që tani nuk ekziston më. Autori përshkruan dëshirën dhe përpjekjet e tij për t’u kthyer në shtëpinë e tij të hershme, por gjen vetëm kujtime dhe ndjesi të munguara. Në fillim gjen vetëm shenja të humbura. Është një shtëpi e lënë me pak mure që e trondit me lidhjet me të kaluarën e tij: me imazhet e brendshme të shtëpisë së babait me dritaret e vogla dhe me pamjet që përcaktojnë lashtësinë; me detaje të shtëpisë së mëparshme, duke shtuar nostalgjinë për kohën e kaluar. Detaje tjera poetike paraqesin pamje nga jeta e mëparshme. Autori nuk gjen shenja të mëparshme të familjes në shtëpinë që tani nuk ekziston më. Janë këndime për një kërkim të përjetshëm për atë që nuk mund ta gjejë më. Poeti përfundon me pyetjen, se ku tani duhet ta mbajë kujtimin e shtëpisë së babait të tij, duke shprehur dhimbje dhe shqetësimin për humbjen e shtëpisë së tij dhe përvojat jetësore në të. Në vazhdim, te poezia „Lumëbardhi im i dashur…“, lumi shfaqet si një qenie e gjallë me të cilin bashkëbisedon me qetësi e dashuri. Në fund të poezisë autori rikthehet te dashuria dhe admirimi për Lumëbardhin, duke e përshkruar atë si një burim i përjetshëm i frymëzimit, me vlerësimin e thellë për bukurinë dhe fuqinë e tij.

4. Semantika e plagës

Ja një tekst tjetër ku shprehet një ndjesi tjetër e përjetuar e vetmisë dhe e gjakimeve të poetit. Është poezia “Janë do plagë…” me intonime lirike intime:

Shëtita tërë dynjanë
Ty të të gjeja
Bile diku në cep të botës
E në prezencën tënde
Vetvetes t’i tregoj diçka
Se kurrë nuk pate thënë gjë
As për shkrumbin e shkrumbit
As për dhembjet
As për etjen e shikimeve

Mos harro
Janë do plagë
Që sërish mund të hapen…
Se lehtë është të vdesësh
Por vështirë të jetosh…!

Është rikujtimi për personin për të cilin këto fjalë i janë adresuar, duke e nxitur atë të mos harrojë që ka plagë që ende mund të hapen, që mund të shkaktojnë dhimbje edhe në të ardhmen. Kjo pjesë e tekstit përfaqëson një ngjarje që ka lënë gjurmë. Përfundon me një reflektim mbi jetën dhe vdekjen, duke e përshkruar vdekjen si diçka të lehtë, ndërsa jetën si diçka më të vështirë për t’u përballur. Shpreh një kuptim të thellë të jetës dhe sfidave që ajo sjell. Titulli “Janë do plagë” përmbledh thelbin e tekstit duke e paraqitur një ide kryesore të dhimbjes, vuajtjes dhe sfidave që vijnë me jetën; një realitet i dhimbshëm dhe i vështirë i ekzistencës, duke theksuar rëndësinë e sfidave dhe vuajtjeve që ndikojnë në jetën tonë.
Plaga është një temë e zakonshme në poezi dhe ka një gamë të gjerë kuptimesh dhe përdorimesh semantike. Kjo plagë në poezi shpesh përfaqësohet si një burim i dhimbjes dhe vuajtjes. Ajo mund të jetë një metaforë për gjendjen emocionale të personazheve ose të autorit vetë, duke përshkruar dhimbjen dhe vuajtjen e thellë që ata ndjejnë. Ajo gjithashtu përfaqëson një humbjeje ose një mungesë, si humbja e dashurisë, e të afërmve, e shpresës, e pavarësisë, etj. Në disa raste, plaga shihet si përvojë transformuese, që lë një ndikim të thellë dhe ndryshon njeriun për të mirë.
Përdorimi tematizues i plagës në poezi është një mënyrë e fuqishme për poetin që të shprehë dhe komunikojë ndjenjat e thella të vuajtjes dhe dhimbjes. Linda Poindexte, një autore amerikane, do të thoshte: “Plaga është një shenjë se keni qenë prezent në luftën e jetës.”. Plagët janë dritaret në shpirtin tonë të mbyllur. Por autori nuk pranon të bjerë në dëshpërim; por e ndien se plagët na bëjnë të ndiejmë se ne jemi gjallë, se ne jemi të lidhur me tjetrin, se ne jemi njerëz të pasur me histori dhe me emocione. Janë shenja se njeriu është i fortë për ta kapërcyer dhimbjen; se përjetimi i saj e bën njeriun më të fuqishëm. Por më shumë therin plagët e atdheut që reflektojnë mbi përvojën njerëzore të vuajtjes, forcën dhe rezidencën:

Sa histori të dhembshme shtresuar
Por këto plagë t’i lë të hapura
Se do të shërohen
Kur detet dalldisen
E anijet do t’i bashkojnë largësitë
E do t’i nxjerrin të gjitha fshehtësitë
Edhe dëshmitë që dikur i kapërdinë
Duke kërkuar lirinë

Ndërsa te poema “Letra e nënës”, po ashtu lexojmë plagët dhe biografemat lirike autoriale:

Ti
Ndoshta nuk e din se për çfarë
Por sot do t’i radhisë disa
Nga ato plagët e mia për të rritur të lumtur
Se tek daja yt nuk ishte çerdhja jote
Sepse shtëpinë na kishin grabitur hienat

Nëpërmjet kësaj letre, nëna tregon përvojën e saj dhe historinë e familjes së saj, duke ndarë kujtime, dhimbje dhe lumturi. Edhe pse nëna është larguar fizikisht, ajo mbetet gjallë në kujtesën dhe shpirtin e autorit, duke lënë një gjurmë të përjetshme në jetën e tij. Nëpërmjet kësaj letre, autori shpreh mirënjohje dhe respekt për gjithë sakrificat dhe shërbimet që nëna ka bërë për të, duke e ndjerë se është privilegj të ketë një prind të tillë. Letra përjeton procesin e humbjes së nënës dhe kujtimet e përbashkëta…
Poeti përshkruan figurën e një nëne të vuajtur e cila përfaqëson forcën dhe rezistencën ndaj sfidave të jetës, duke përballur edhe vuajtjen më të thellë me guxim dhe dashuri. Ajo është një simbol i forcës së brendshme dhe simbol i mbështetjes së pafund, që shfaqet edhe në momentet më të vështira të jetës. Përvoja e plagës është një shenjë e forcës dhe rezistencës për të vazhduar përpara në jetë, edhe nën kushte të vështira. Plagët na mësojnë mënyra të reja të shikimit, rritin vetëdijen tonë dhe na ndihmojnë të zhvillojmë më tej si individë, duke na bërë më të fortë dhe më të përparuar.
Me këso ndjesish janë shkruar edhe krijimet poetike “Njëqind herë e putha pragun e derës…(Ose, ecje Iliriane…)”, “Sonte mbi urën e kujtimeve… “, “Vetëm kaq…“ etj. Në to shqiptohet një udhëtim shpirtëror dhe emocional i autorit nëpër kujtime dhe emocione të shumta, duke përshkruar një përvojë të plotë jetësore dhe një kërkim për identitet dhe kuptim në botën e gjerë. Është një rrugëtim i thellë brenda vetvetes dhe një lidhje e ngushtë me vendlindjen dhe trashëgiminë kulturore. Janë edhe çaste reflektimi mbi kujtimet dhe vlerat e jetës, duke theksuar rëndësinë e përjetshme të kujtimeve dhe dashurisë për të kaluarën dhe vendlindjen deri te ndjesia e mungesës dhe reflektimit mbi çastin dhe rëndësinë e jetës. “Mbi varr të nënës“ me tone elegjiake shpreh ndjenjën e thellë të humbjes dhe vetmisë pas largimit të nënës. Fjala e nënës së ndjerë është e kërkuar, por heshtja dhe mungesa e saj e bëjnë të ndjehet edhe më i vetmuar.
Edhe te poema “Në krahët e fluturës së bardhë…(Ose, baladë për pelegrinazhin e zemrës time)” hasim po atë shtegtim të brendshëm shpirtëror të zemrës së autorit nëpër kujtime, emocione dhe histori personale dhe kolektive. Përmes vargjesh të ndërliqshme dhe të përmbushura me detaje, autori udhëton nëpër vende të ndryshme të kujtesës dhe emocioneve. Këto vende shënojnë momente dhe ngjarje të rëndësishme, si lindja, dashuria, përballja me vdekjen, udhëtimet e jetës dhe ngjarje historike. Përmes një ngjashmërie simbolike me fluturën e bardhë, autori shpreh aspiratat dhe shpresat e tij për liri; një udhëtim për të gjetur lumturinë. Flutura e bardhë përfaqëson lirinë përgjithësisht dhe lirinë e shpirtit, në veçanti, ndërsa zemra që rri në krahët e saj simbolizon udhëtimin shpirtëror dhe rënien në ndjenjat e thella. Një poezi vërtet e realizuar.
Gjithë plagë kujtese, evokimi e përjetimi është edhe poezia “Golgotë apo takim… (Kushtuar motrës sime, Hysës)”, “Vonë më ke Lindur…”, “Muze i traditës, thanë…” dhe “Amaneti i Mësuesit”. Këto poezi shfaqin një përvojë shpirtërore dhe emocionale, duke shprehur përballjen me vuajtjen, humbjen, dhe rrugëtimin në jetë. Te “Amaneti i Mësuesit”, një mësues lë një amanet për nxënësit e tij për të dashur dhe për t’u kujdesur për atdheun. Kjo poezi shfaq rëndësinë e arsimtarëve dhe të edukimit në formimin e gjeneratave të reja, duke sjellë një mesazh për të dashurinë ndaj vendit dhe për kujdesin për trashëgiminë kulturore dhe historike.
Te poezia “Ka ardhur koha” ka një thirrje për ndryshime thelbësore dhe përmirësim të vendit dhe shoqërisë. Autori përshkruan një vizion për një atdhe të përmirësuar dhe të lumtur. Poezia fillon me një thirrje për shkundjen e vlerave të vjetra dhe pastrimin nga situatat e mëparshme negative, me kërkesën për të folur hapur për historinë dhe ngjarjet e kaluara, duke theksuar nevojën për të kuptuar dhe përballuar sfidat e kohërave të kaluara. Poezia përfundon me një vizion optimist për të ardhmen e vendit, duke përshkruar një atdhe të lidhur me virtytet dhe vlerat e tij të vërteta.
Ky proces reflektimi shfaqet si një udhëtim i brendshëm për ta kuptuar më mirë veten dhe botën rreth tij. Në këtë rrugëtim, shfaqen mësime dhe kuptime të thella, të cilat shpesh lidhen me humbje, dështime dhe zhvillim personal. Trajtimi i kësaj teme në poezi e bën atë të përshtatshme për të shprehur një përpjekje për reflektim të thellë dhe për të gjetur një kuptim më dinjitoz në përvojat e jetës.

5. Në fund ose në dalje nga libri

Vëllimi poetik “Peja, dhembja dhe krenaria ime… (poemë të cilën kurrë nuk e përfundova)”, vjen si libri më i realizuar, më gjithëpërfshirës e më sintetik për nga vlerat artistike të deritashme të poetit Sejdi Berisha. Ky libër shquhet për cilësi artistike, për përkushtim të thellë ndaj temës, ideve e motiveve, për shkëlqimin e gjuhës, për trajtimet komplekse të temave e motiveve njerëzore, personale e nacionale, të cilat shpalosin dimensione të ndryshme, duke ngritur pyetje dhe bën lexuesin të reflektojë. Është një referencë e rëndësishme për krijimtarinë e autorit e më gjerë. Thuhet se një qytet duhet ta ketë veprën letrare që e monumentalizon. Pra, Peja tashmë e ka këtë vepër të Sejdi BERISHËS, me rëndësi të jashtëzakonshme për njerëzit, kujtesën dhe kulturën e këtij qyteti. Ajo poetikisht përfaqëson historinë, kulturën dhe karakteristikat e veçanta të këtij qyteti dhe shpalos emocionet dhe përjetimet që e bëjnë atë qytet unik. Është vepër inspiruese, motivuese dhe frymëzuese që reflekton këtë identitet qytetar. Vepra përmban referenca të shumta historike e legjendare që lidhen me qytetin dhe ndihmojnë në ruajtjen e kujtesës kolektive.

Shkurt 2024


Send this to a friend