MUZG HISTORIK
I ndritshëm dhe frikësues qe ai muzg
Në Monparnas,
Turma njerëzish nxitonin,
Si një uragan shkonin dhe vinin
Nga të gjitha drejtimet.
Një çast diçka e çuditshme i përndriti
Rrugët, njerëzit, ajrin,
Mbase qe ideja e fuqishme e lëvizjes,
Që ma përshkoi shpirtin.
Unë shtanga
Dhe pastaj m’u mjegulluan
Kujtimet dhe shikimi –
Diçka e pakthyeshme po shkrinte –
Tërë e kaluara ime vogëlane,
U shqye.
Që atëherë unë i shoh gjërat ndryshe
Ja, pra, përse ndonjëherë
Kam brerje në ndërgjegje:
Po mos të ndodhesha atë çast në Monparnas
Mbase nuk do ta kisha këtë përhitje.
MOTIV PER NJE JETESHKRIM
Im atë ishte një burrë i urtë e bujar,
kishte një zë të butë,
thuajse si murmurimë dielli.
Jeta e tij ishte një udhëtim mëngjesor,
Plot shpresë dhe dritë.
Fjala e tij dhe gjestet
ruanin madhështinë e një Zoti.
Ai kishte një të fshikur plumbi
në tamthin e djathtë,
ishte një plumb nazist.
Këmbët i kishte përherë të sëmura,
kujtim i përzishëm i Luftës së Dytë.
Ndonjëherë një melankoli e thellë
për kauzën e humbur
e rrënonte.
Në çastet e tmerrshme të agonisë
ai fliste për një tokë hyjnore.
A mos ishte „Toka e Premtuar”,
që duam ta mbërrijmë të gjithë?
UNE JAM
Unë jam çelësi i Borges-it,
Që ka humbur derën;
Jam muza e Platon-it,
Që e frymëzoi të krijonte
Figurën e madhe të Sokratit;
Jam kompozimi i fundmë i Mozart-it,
Që u arratis bashkë me të,
Në honin e vdekjes;
Jam statuja e Shekspirit,
Që shqetësoi për shumë vjet,
Me dhjetëra skulptorë në botë;
Jam deti i munguar i Uliksit të Joyce-it;
Dhimbja e pamatshme e Kafka-s,
Në katedralen e ndjenjave njerëzore;
Jam planeti i çmendur i Max Ernst-it;
Koha e humbur e Proust-it;
Dhe ndoshta një hije që endet
Në veprën e Pascal Quignard-it.
Jam Mosqenia.
DRITARJA
Nata është e zezë.
Sytë e mi zhbirojnë errësirën,
poezia fluturon jashtë dritares.
Ajo kërkon mes territ,
dritëra të shkuara.
Papritmas në zemrën time
ndizet një yll :
E qeshura jote e rinisë.
Ambruazia e saj më deh
dhe unë transformohem
në një vajzë të re, të druajtur,
që mbledh lule.
Ashtu si në afreskun
Ku vajzat e Terës së lashtë
mbledhin lulëkuqe,
në kohën e Helenës dhe Uliksit.
TAKIM
Mbrëmja e hirtë, e ngrirë
binte shpejt,
si fryma e vdekjes.
Duart dhe buzët tuaja dridheshin,
Puthjet ishin si agoni,
Fjalët mungonin,
Ishte heshtja që fliste.
Hérakliti ju kërcënonte
që nga « lumi » i tij,
por ju kishit humbur
në një univers,
ku koha dhe hapësira nuk ekzistojnë.
Nata rëndonte mbi shpatullat tuaja
dhe mbi zemra,
duke ju dërrmuar.
Agimi do të ishte mizor,
Mizore do të ishin zhgënjimet
dhe shpresat.
Mizore jeta.
PA TITULL
Askush nuk i njeh fërgëllimet
E zemrës sime,
Stuhinë e brendshme,
Drithmat e qenies,
Kaosin që shpesh
Më kredh në asgjësi,
Duke pritur kryqëzimin tim,
Në një qoshe të kësaj bote,
Njëlloj si në Golgotë,
Të zëvendësoj Krishtin.
Por bota jonë moderne
E shekullit XXI,
Kërkon përherë një sakrificë,
Që nuk premton ringjallje.
PER NJE PUTHJE TE AKULLT
Në skenën e pafundme të universit
Ka një lojë shekullore pasqyrash,
Fytyrash dhe yjesh.
Ka lule që vdesin,
Katastrofa dhe mrekulli.
Ka lotë.
Ka gjithashtu edhe një planet të çmendur
Që quhet “virtual”.
Dhe një ëndërr të mrekullishme
Për qytete hënore dhe marsiane.
Por unë nuk mendoj për to.
Dhe as për ndonje fiksion letrar
Që rëndom na kujton
Natën e origjinës, kohën e pallogaritshme
Prehistorinë,
Thjesht po shkruaj këto vargje
Për një puthje të akullt
Që të perceptoj sensin e disa gjërave
Në gjithësi.
DYSHIM
E zhveshur nga modestia
pyes veten:
ku është fëmijëria ime?
A ekziston ajo,
apo kujtesa mashtruese
bën me të një sajesë?
Po rinia?
A e kam jetuar,
apo është thjesht vegim
i fundosur në harresë.
A kam dashuruar,
apo ëndërroj se kam dashuruar?
Si një turmë që ngutet,
këto pyetje
presin përgjigje.
Unë nuk di asgjë.
Flas dhe më duket se një tjetër,
ka luajtur teatrin e jetës sime.
PER PRINDERIT
Dje pashë një djalth si yll.
e mbanin përdore një burrë e një grua.
Ai donte të bënte lojën e zogut në fluturim,
ata enkas ia shtrëngonin duart.
Ai nisi të këndonte me zërin si burimi nën bar,
por ata mospërfillës, s’e dëgjonin
Ai thirri i pezmatuar: “Mëmë, baba !”
dhe njëri prej tyre i tha : “Mbyll gojën !”
Pastaj i vogli qau në dëshpërim.
Atë çast m’u duk se më rigoi shpirti
dhe e përfytyrova të ardhmen pa dritë.
DYSHIM I PASHMANGSHEM
Gjumi im tani është gjasmim
Dhe zgjimi një ëndërr.
Vitet janë ngurosur në Muzgun e Pritjes,
Të pritjes së çfarë ?
Ne jemi të gjithë Uliksa ?
Që e kemi humbur Itakën.
Iluzion më duken tani
Edhe jeta
Edhe vdekja.
Të qeshurat e fëmijëve,
Japin shpirt si zogj të plagosur
Dhe makthi nga denatyrimi ynë
Po shndërrohet në një maskë tragjike
Mbi fytyrën time.
Ne ecim në skajin e kundërt,
Megjithëse legjenda thotë
Se të gjithë jemi larë në ujin e Shenjtë të Gangut.
POHIM I HDHUR
Akrepat formojnë pa mëshirë
Nuk e di akrepat a ritmi i zemrës ?
Atë ekuacion me shumë të panjohura
që është JETA IME:
me vite të mjegullta,
të strukura diku në subkoshiencën time
që presin zgjimin
(mbase edhe harrimin);
me vite të përgjakura,
që s’ua ndal dot agoninë;
me vite të pështjelluara –
Trëndafil Erërash në ndërrim stinësh.
Shtojini shifrës fatale,
Vitet e brezave që ikën,
Vitet e Krishtit e të Parakrishtit,
Kohën mitike të zotave sumerianë
Dhe atë kohë që nuk flet dot
Me një gojë të mbushur me natë
Shtojini luftërat që janë fytyra e këtij
planeti egoist,
Paqen që është veç maskë
Dhe do të dalë një numër,
që s’e nxë asnjë traktat aritmetik.
Komentet