“Treshja e madhe e korrupsionit të lartë shtetëror shqiptar, Berisha, Rama, Meta sot po komploton kundër Reformës në Drejtësi dhe kërkon të gjejë mbështetje politike jashtë Perëndimit”- keshtu shkruan sot avokat Spartak Ngjela, teksa analizon zhvillimet me te fundit ne vend.
Spartak Ngjela
Treshja e madhe e korrupsionit të lartë shtetëror shqiptar, Berisha, Rama, Meta sot po komploton kundër Reformës në Drejtësi dhe kërkon të gjejë mbështetje politike jashtë Perëndimit.
Por kudo po i mposht Ambasadori amerikan. Në fakt ai është shumë më i mënçur nga të tre këta bashkë, por sigurisht që ai ka edhe forcën e politikës amerikane në zotërim.
Kurse në Gjermani, duket se ka filluar të flasë shqiptari i kapur me një ton kokainë, për lidhjet e tij me politikën e lartë shqiptare.
Këtu është loja, sepse kuptohet që edhe shkarkimi i prokurorit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda sigurisht që ka lidhje me hetimin e trafikantit të madh shqiptar në Gjermani, dhe me hetimin ndërkombëtar kundër treshes shqiptare të lidhur me krimin ndërkombëtar.
l.
Dje, ambasadori amerikan në Tiranë, bëri shumë mirë që iu tregoi shqiptarëve se politika amerane e ka shkarkuar prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Po sot, ende ka skeptikë që nuk po e kuptojnë që këtë reformë antikorrupsion në Shqipëri po e drejtojnë amerikanët?
Por, kur shqiptarët do të njihen me bëmat e prokurorëve dhe gjyqtarëve shqiptarë, nuk besoj se këta do të shfaqin ndonjë ndjenjë mëshire për ndëshkimin dhe shpronësimin e tyre.
E gjithë kjo kuptohet se duhet të ketë lidhje me hetimin ndërkombëtar kundër korrupsionit shqiptar, ku sigurisht që është e lidhur edhe prokuroria shqiptare.
Fakti që dje u godit Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila duhet të vazhdojë edhe më tej, kuptohet se ndërkohë jemi afër goditjes së korrupsionit të lartë shtetëror, sepse kjo prokuriri do të jetë në fakt Prokuroria e Posaçme.
ll.
Megjithatë treshja e lartë po komploton. Bëjnë sikur shahen me fjalë të ulta me njëri-tjetrin se duan të kalojnë situatën, por merret vesh që janë bashkë. Kurse ambasador Donald Lu po tallet me forcën e komplotit të tyre.
Rama vërtitet në vakum nëpër Shqipëri se nuk ri dot vetëm. E rëndon shumë pesha e likuidimit të tij të shpejtë, dhe po flet përçart, se askush nuk po kupton çfarë kërkon të thotë.
Por çfarë mendje ka, vërtet mendon ky kryeministër se mund të trembë politikën amerikane me një grusht njerëzish që po i dalin nëpër takime?
Të gjithë këta janë korruptuar për shkak të nivelit të ulët të intelektit që kanë, dhe po ky intelekt po i fut në një rrugë qesharake; sidomos kur është fjala për Edi Ramën.
Ky sot, në delir po mendon se do të gënjejë shqiptarët me fjalitë pa kuptim logjik që po shqipton.
Dhe, shikoni Saliun si ia bën kritikën Ramës: në çdo tre fraza, thotë “Edi Rama është frikacak”.
Por, nëse Saliu vërtet është në politikë kundërshtare me të, sigurisht që frikën e Ramës e ka në favor. Atëherë, pse ia përmend?
Ia përmend rëndom frikën, sepse Saliu nuk është në kundërti me të, por është shumë i mërzitur se mendon që Rama ka shumë frikë nga amerikanët.
Dhe këtu fillon absurdi komik i Saliut. Po pse o Sali, ti vetë trim je kundër amerikanëve?
As që e mendon njëri këtë. Sepse të gjithë e dinë tani se, aq i trembur është Saliu nga amerikanët, sa godet ambasadorin amerikan në Tiranë, por jo politikën e lartë amerikanë.
Po pse, o Sali, shqiptarët nuk e kuptojnë që je një i trembur dhe po mrresh me Ramën që ta trimërosh atë kundër Amerikës, kur vetë je futur skutave dhe shan ambasadorin amerikan, por jo politikën amerikane?
Kjo është në fakt tragjikomedia e korrupsionit shqiptar. Dhe do të vijojë kështu.
lll.
Gjendja, për korrupsionin shqiptar, sot mund të quhet se është një gjëndje nën rrethim. Kudo ka hetim të thellë profesional kundër korrupsionit kryeministror shqiptar; ka përgjime dhe trajtime profesionale ndjekjesh kundër lidhjes së poitikës shqiptare me krimin e organizuar shqiptar në rang ndërkombëtar; dhe ka edhe prova të sakta që ky krim i oraganizuar e ka shpresën te shkëputja e Shqipërisë nga gravitacioni amerikan dhe perëndimor.
Por e kanë të pamundur. Shihni si janë bërë eshkë në fytyrë dhe po kuptohet se të gjithë shpresën e kanë në krijimin e një bashkimi politik të të dy krahëve si komplot kundër reformës. Por nuk po gjejnë dot motivin që të gënjejnë politikën amerikane dhe politikën gjermane.
Në fakt po lodhen kot, dhe ndërkaq të kujtojnë shprehjen e famshme të Mararit në Revolucionin Francez, kur thosh shpesh: “komplotet janë kudo rreth nesh”.
Kështu janë edhe sot në Shqipëri komplotet e të korruptuarve kundër reformës, kudo rreth nesh, por janë të dështuar se tani reforma shqiptare antikorrupsion nuk mund të mposhtet dot më në Shqipëri.
Vërtet mendojnë se do të mundin politikën amerikane këta mendjengushtë në Shqipëri?!
Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim “të kompletuar”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Trump ka thënë se armëpushimi do të nisë “përafërsisht gjashtë orë prej tani”, pasi secili shtet t’i ketë kryer operacionet ushtarake.
Në njoftimin e Trumpit janë përmendur disa afate kohore për dhënie fund të armiqësive, por që “brenda 24 orësh” lufta zyrtarisht do të ketë përfunduar.
Postimi i Trumpit është bërë në mesnatë – sipas orës lokale të Kosovës.
Izraeli dhe Irani nuk e kanë komentuar ende armëpushimin.
Presidenti e ka quajtur konfliktin mes dy vendeve si “Lufta 12-ditore”.
“Kjo është luftë që do të mund të vazhdonte për vite dhe do të shkatërronte Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë ashtu”, ka thënë Trump mes tjerash në postimin e tij.
Më herët, Trump ka thënë se do ta inkurajonte Izraelin që të drejtohej kah paqja, pasi e ka konsideruar sulmin e Iranit në bazën ajrore amerikane në Katar si “shumë të dobët”, dhe e ka falënderuar Teheranin për njoftimin paraprak.
Presidenti amerikan ka thënë se askush nuk është lënduar në sulm dhe dëmet janë krejt të vogla.
Katari ka thënë se raketat janë rrëzuar dhe se situata është stabile.
Ekspertët e kanë përshkruar sulmin si tejet simbolik – të kalibruar për të dërguar mesazh vendosmërie, por edhe për të shmangur një konflikt më të gjerë dhe shkatërrues.
Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Iraninuk mund të ketë armë bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.
Irani është hakmarrë me sulme raketore në Izrael dhe në shkëmbim e sipër të raketave janë vrarë dhe plagosur banorë të të dyja shteteve.
Megjithëse publiku nuk po e kupton akoma se me sa thjeshtësi propaganda vazhdon të shitet si një lajm nga anëtarët e kabinetit të qeverive Rama, “të rejat” e Tiranës zyrtare prej korrupsionit dhe amatorizmit në drejtimin e shtetit prodhojnë çdo ditë gjëra të çuditshme përsa i përket përgjegjësive në drejtimin e shtetit. Njëri pas tjetrit dhe dy prej tyre afër për nga detajet ishin zhdukja nga radari prej disa ditësh e kryeministrit Rama sikurse edhe një status i ministrit të brendshëm Hoxha mbi refugjatët, të cilat zunë vend në një skicë nga LD-NY25.
Rama ushtarak dhe ish polici Ervin Hoxha sot ministër të shprehura në skicë duan t’i nxjerrin kuptimin e statusit mbi refugjatët ku ministri Hoxha shkruante në mbyllje të mendimit se: – “Solidariteti nuk është vetëm një parim moral, është një angazhim konkret për të mbrojtur dinjitetin njerëzor!”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Refugjatëve.
Ky status kombinon aq përpiktë me zhvillimet e sotme rajonale dhe botërore sa që ngre edhe dy problematika të mëdha në politikën shqiptare përsa i përket vijave ndarëse pozitë dhe opozitës apo edhe më gjerë progresistë globalë dhe shqiptarë që po u rrezikohet kombi nga mplakja dhe largimi i popullsisë në emigracion.
Problematika e parë duke u provuar se është karakteristikë e një qeverie që autoritetin e ka ngritur mbi shfrytëzimin e vjeljes të taksave në popullsi dhe mbi normat e klientelizmit, nënshtrimit dhe tregtimit të interesave kombëtare na jep të kuptojmë se kemi të bëjmë me propagandë puro dhe jo me aspektet që mendojnë të parandalojnë krizën e refugjatëve. Gjithashtu të mendosh se kjo lloj qeverisje që po përpiqet të instalojë kontrollin e fluksit të refugjatëve duke lejuar ngritjen e kampeve për refugjatët në territorin e shtetit Shqiptar, ky tregues fsheh një të panjohur të errët e cila në çdo rrafsh qoftë ai; tregtar, kulturor, diplomatik, historik, trashëgimie apo edhe mençurie quhet në fund të fundit HUMBJE (!).
A i mban dot bashkë Shqipëria këto cilësi si korrupsioni, krimi ekonomik, pritja e refugjatëve, turizmi 15 milionësh në të njëjtën kohë kur 1/3 e popullsisë vendase është larguar në emigracion?
Mirë që pushteti është i verbuar përpara realitetit për hir të fitimeve, por opozita dhe media që duhet të luftojnë për të vërtetën përse nuk i bëjnë objekt diskutimi publik të gjitha këto qëndrime?
Në qoftë se vetëm konstatojmë atëherë interesi i publikut topitet nga vitet e mazhorancës në pushtet apo edhe të një mazhorance që është e “lodhur nga përsëritja e mandateve”, me fantazi vetëm përkryerjen e arrogancës së qeverisjes dhe që ka kultivuar me ideologjinë e vet një regjim autoritar, atëherë njerëzve u duhet thënë qartë se pluralizmi humbi dhe diktatura u rivendos para syve dhe votës së tyre që kishte rast për të zgjedhur..
Një tjetër karakteristikë më thellë që vihet re është gara brenda llojit nga çdo anëtar i kabinetit pavarësisht mandateve që zotërojnë apo përgjegjësitë institucionale.
Në rastin e jetëgjatësisë ata/ato ministra dhe ministre shijojnë ndryshimin periodik të posteve sa herë që vijnë zgjedhjet.
Ndërsa jetëshkurtrit janë ata/ato anëtarë/e të kabinetit ku karakteristika kryesore është peshëmbajtja e korrupsionit.
Kush nuk e mban humbet emrin dhe “karrierën”, ndërsa ata që përfshihen bëjnë të mundur që emrin dhe karrierën e zgjasin me votat e rrëmbyera dhe të blera në zgjedhje, por edhe me vitet e vuajtjes së burgut kur punët me drejtësinë nuk shkojnë mirë dhe dalja jashtë loje konsiderohet si sakrificë dhe mirënjohje ndaj kryeministrit që këta individë diku për interesa i ka emëruar.
Mungesa një javore fizike e kryeministrit në SHBA i ftuar në dasmën e Aleks Soros me Huma Abedin u mbulua me rubrikat e njohura në ATSH, me “kryeministri ndau sot pamjet…”, etj., etj. deri sa ai u shfaq në mjediset e Asamblesë Politike të PS sikur nuk kishte ngjarë gjë brenda dhe jashtë vendit. Megjithatë duke “respektuar” heshtjen dhe bezdinë që kryeministrit i vjen nga fshehja fizike dhe përballimin me realitetin, anëtarë të kabinetit të tij hedhin statuse si për të treguar se qeveria është e angazhuar dhe punon pa ndërprerë. Veç kryeministrit që hedh statuse me skuadrat fituese të rretheve edhe pse KQZ nuk ka mbyllur rinumërimet, Taulant Balla, një Ministër për marrëdhëniet me Parlamentin dhe Koordinator i Votës së Diasporës hedh statuese nga Italia ku promovon bizneset private të shqiptarëve të larguar fatkeqësisht edhe 30 vite më parë. Se për çfarë vijojnë këto vizita kthimi pas zgjedhjeve mes emigrantëve, dikush në Kuvend duhet të kërkojë llogari qoftë për shpenzimet e shtetit dhe qoftë për “hesapet e pambyllura” të një tjetër anëtari të kabinetit.
Kryeministri i stilizuar me uniformë ushtarake që shpëtimtare në zgjedhje kishte kartën elektorale të pasaportës së BE-së është ai moment kryqëzimi dhe tregon se ku ndodhen Shqipëria dhe shqiptarët pas premtimeve zgjedhore dhe votave ende të pa numëruara. Zgjedhjeve me një rezultat të paditur për shkak të shkeljeve në hedhjen e votës ku tani e më shumë për shkak të stabilitetit rajonal po bëjnë që Shqipëria edhe pse një vend anëtar i NATO-s mund t’i humbë vlerat e sovranitetit dhe për shkak të keq qeverisjes, korrupsionit e krizave dhe ato mund ta shndërrojnë Ramën në një “polic trau dogane” në Ballkanin Perëndimor që do të pasurohet nga fatkeqësia dhe nga fati i njerëzve të shpërngulur nga vatrat e luftës e mbase më keq do të njihet si një kryeministër me uniformë që territorin e vendit lehtësisht e shkëmben për famë dhe favore.
Duke ju kthyer edhe njëherë statusit-lajm të Ministrit të Brendshëm Hoxha:-“Punojmë pa ndërprerje për të ndërtuar një sistem azili më të fortë, më transparent dhe më efikas – në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe të së drejtës ndërkombëtare”, duhet theksuar se 20 Qershori si Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve dhe tundja e pasaportës e BE-së nga Rama si pjesë e fushatës nuk do të duket më një kohë e largët. Paralajmërimet e mplakjes dhe zvogëlimit me 1/3 të popullsisë tashmë kanë ndodhur. Shqipëria e zbrazët mund të pushtohet këtë vit nga 15 milion turistë dhe pyetja lind natyrshëm mund të filtrojnë mes këtij numri kërkues azili të pa vetuar që do ta mbingarkonin gjendjen e Shqipërisë dhe asfiksonin një strehim refugjatësh, një strukturë që nuk ekziston?
Një shtet që do të tregohet integrues me valën e refugjatëve nuk e bëjnë atë as racistdhe ashomofob më shumë karshi ndonjë shteti apo kombi tjetër që vuan nga shpërnguljet e luftës, përndjekja politike e fetare dhe mospërballimi i jetesës prej varfërisë të shkaktuara në rajonet pranë Shqipërisë. Problemi kryesor është se çfarë po ndodh me mirëqenien, strehimin, arsimimin, shëndetin e popullit tënd, në mënyrë që ai të falenderohet për zemërgjerësinë e sinqertë dhe për mikpritjen dhe jo për burokracinë shtetërore që lehtësisht terrenin nga shfrytëzimi turistik mund ta kthejë në kampe dhe qendra tranzitore pritjesh për refugjatët.
Pra jemi vetëm dy muaj pas garës në fushatë dhe situata ndërkombëtare e ngarkuar nga vatrat e luftërave rajonale dhe kryeministri Rama pas mungesës gati dhjetë ditore mund ta pozicionojë veten dhe vendin në çështjen e refugjatëve dhe zgjerimin e tyre në territorin shqiptar dhe kjo duket si e vetmja kartë që ai do ta luajë në emër të stabilitetit përballë qeverive botërore.
E megjithëse këto zhvillime marrin shpesh drejtime të papritura, anëtarët e kabinetit Rama nuk do t’i ndalojnë status-lajmet me celularët dhe në shkallët e godinës së kryeministrisë pas mbledhjeve të qeverisë.
Ky ves do të vazhdojë.
Do të vazhdojë edhe rrjetet sociale aty ku duken më pak ndjekës se votues edhe pse tik-tok-u është ndalur në muajin Shkurt, kohë kur fushata e zgjedhjeve të 11 Majit, 2025 po merrte përparësi në jetën politike shqiptare.
Në këtë kuptim ashtu si propaganda dhe censura e kreut të shtetit do të kuptohet nga publiku që i sheh të vërtetat dhe po e kupton mënyrën se si po drejtohet shteti, po projektohen politikat e qeverisjes, po rriten influencat dhe gjithnjë e më shumë po shterohen përpjekjet për një transparencë me mediat.
Fakti që statuset ditore botohen nga shumë ministra në faqen zyrtare të ATSH duke marrë formën e lajmit, kjo na bën të kuptojmë se drejtimi i shtetit bëhet ndenjur dhe duke shtypur ekranin e celularëve me gishta.
20 Qershor, 2025
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka lënë të kuptohet të hënën se mund ta mirëpresë rrëzimin e Qeverisë në Teheran, vetëm pak orë pasi anëtarë të administratës së tij ngulën këmbë se sulmet e fundit ndaj Iranit nuk kishin për qëllim të sillnin “ndryshim regjimi”.
“Politikisht nuk është e pranueshme të përdoret termi ‘Ndryshim Regjimi’, por nëse regjimi i tanishëm iranian nuk është në gjendje ta BËJË IRANIN SËRISH MADHËSHTOR, pse të mos ketë një ndryshim regjimi??? MIGA!!!” shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social.
Trump i tha këto fjalë vetëm disa orë pasi figura kyçe të administratës së tij, si – nënpresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth – theksuan se qëllimi i sulmeve ajrore të SHBA-së më 21 qershor ndaj objekteve bërthamore të Iranit ishte një zgjidhje e negociuar, dhe jo rrëzimi i Qeverisë islamike teokratike.
Në një konferencë për shtyp, Hegseth i përshkroi bombardimet si “operacion i saktë”, që synonin vetëm programin bërthamor të Iranit, dhe jo ushtarët apo popullin iranian.
“Kjo mision nuk kishte, dhe nuk ka të bëjë me ndryshimin e regjimit”, tha ai.
Trump “kërkon paqe, dhe Irani duhet ta ndjekë këtë rrugë”, shtoi Hegseth, duke theksuar më tej: “Këtu duhet të arrihet një marrëveshje e negociuar”.
“Regjimi iranian duhet të zgjohet dhe të thotë: ‘OK, nëse me të vërtetë duam energji bërthamore në vendin tonë, ka mënyrë për ta bërë këtë’. Kjo ofertë është ende në fuqi. Jemi të gatshëm të flasim me ta nesër dhe të fillojmë punën për këtë”, tha Rubio për rrjetin amerikan CBS.
Megjithatë, disa anëtarë të Partisë Republikane të Trumpit kanë bërë thirrje në të kaluarën për rrëzimin e Qeverisë iraniane, përfshirë senatorin me ndikim nga Teksasi, Ted Cruz.
“Po avokoj që të përdorim trysni maksimale dhe sanksione ekonomike për të ushtruar trysni mbi regjimin në një mënyrë që mund ta nxisë rrëzimin e tij”, kishte thënë ai para sulmeve të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore në Iran.
Zyrtarët amerikanë e paralajmëruan të dielën Teheranin të mos hakmerret ndaj sulmeve ajrore amerikane, për të cilat Trump tha se kishin “shkatërruar” objekte kyçe bërthamore të Iranit.
Irani dhe Izraeli filluan runde të reja sulmesh ajrore kundër njëri-tjetrit në orët e hershme mëngjesin e së hënës.
Irani i shpërfilli thirrjet e menjëhershme për rikthim në bisedime, duke theksuar të drejtën për vetëmbrojtje, dhe duke thënë se Shtetet e Bashkuara do të mbajnë përgjegjësi për “pasojat e rrezikshme” të veprimeve të tyre dhe duke lënë të kuptohet se bisedimet mund të ndodhin vetëm pasi Teherani të përgjigjet.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi, tha në një konferencë për shtyp në Stamboll se “dera e diplomacisë” duhet të jetë gjithmonë e hapur, por “nuk është kështu tani”.
Irani është duke u sulmuar dhe do të ushtrojë të drejtën e vetëmbrojtjes për aq kohë sa është e nevojshme, shtoi ai, por nuk pranoi të tregojë se çfarë veprimesh do të ndërmarrë Irani si përgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së.
Media shtetërore iraniane raportuan se Araqchi ka mbërritur në Moskë për të zhvilluar konsultime të hënën me udhëheqës të lartë, përfshirë presidentin rus Vladimir Putin, oferta e të cilit për të ndihmuar në ndërmjetësim të negociatave me Teheranin ishte hedhur poshtë menjëherë nga Trumpi.
“Rusia është partneri ynë dhe ne gjithmonë konsultohemi”, tha Araqchi para se të mbërrinte në Moskë.
Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli është “shumë, shumë pranë” përmbushjes së synimeve të veta pas më shumë se një jave sulmesh ajrore ndaj Iranit, përfshirë eliminimin e kërcënimeve bërthamore dhe me raketa balistike nga Teherani.
“Po ecim hap pas hapi drejt arritjes së këtyre qëllimeve, jemi shumë, shumë pranë përmbushjes së tyre”, tha Netanyahu në një konferencë për shtyp.
Ai shtoi se “kur të jenë përmbushur synimet, operacioni do të përfundojë”.
Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë ndaj Iranit më 13 qershor, duke shënjestruar objektet bërthamore dhe raketore, si dhe udhëheqësit ushtarakë dhe shërbimet e sigurisë.
Shumë figura të rëndësishme ushtarake dhe shkencëtarë bërthamorë janë vrarë në sulme, e ka pranuar Irani.
Që nga nisja e sulmeve fillestare izraelite, të dy vendet kanë shkëmbyer sulme ajrore ndaj njëri-tjetrit, duke shkaktuar viktima si në radhët ushtarake ashtu edhe ato civile, si dhe dëme në prona.
Grupi me qendër në Uashington, Aktivistët për të Drejtat e Njeriut, raportoi se të paktën 950 njerëz janë vrarë në Iran gjatë sulmeve ajrore që nga 13 qershori, përfshirë 380 civilë.
Autoritetet izraelite thanë se 24 njerëz u vranë nga sulmet iraniane në Izrael.
Komandanti i ushtrisë së Ukrainës u zotua se do të rrisë “shkallën dhe thellësinë” e sulmeve ndaj Rusisë, në një deklaratë të bërë publike të dielën, më 22 qershor. Ai tha se sulmet po rezultojnë “efektive” dhe se Kievi do të godasë vetëm caqe ushtarake. “Sigurisht që do të vazhdojmë. Do të rrisim shkallën dhe thellësinë” e sulmeve, tha komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainas, Oleksandr Syrsky, gjatë një bisede me gazetarë.
Këto deklarata ai i bëri në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës trevjeçare mes Rusisë dhe Ukrainës kanë ngecur. Takimi i fundit i drejtpërdrejtë mes dy palëve u mbajt pothuajse tre javë më parë dhe nuk janë planifikuar bisedime të tjera.
“Nuk do të qëndrojmë thjesht në mbrojtje. Sepse kjo nuk sjell asgjë dhe në fund çon në tërheqje, humbje njerëzish dhe territori”, tha Syrsky.
Syrsky pranoi gjithashtu se Rusia ka disa përparësi në luftën me dronë, veçanërisht në prodhimin e dronëve me fibra optike, të cilët vështirë rrëzohen.
“Në këtë fushë, fatkeqësisht, ata kanë përparësi si në numër, ashtu edhe në rrezen e përdorimit të dronëve”, tha ai.
Ai gjithashtu pretendoi se Ukraina ende mban nën kontroll 90 kilometra katrorë në rajonin Kursk të Rusisë, ku Kievi kreu një ofensivë ndërkufitare në gusht të vitit të kaluar. “Këto janë veprime parandaluese nga ana jonë, si përgjigje ndaj një sulmi të mundshëm të armikut”, shtoi ai. Moska aktualisht ka nën kontroll rreth një të pestën e Ukrainës dhe pretendon se katër rajone ukrainase i përkasin asaj, përveç Krimesë, që e mori më 2014.
Kievi ka akuzuar Moskën për sabotim të qëllimshëm të një marrëveshjeje për paqe, me qëllim zgjatjen e ofensivës së saj ndaj Ukrainës dhe marrjes e më shumë territori./Rel/
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte foli sot për samitin e NATO-s në Hagë, ndërsa shprehu bindjen se “NATO do të tregojë se qëndron në skenën botërore e aftë për të mbrojtur 1 miliard qytetarët e saj duke marrë të gjitha masat e nevojshme”.
Në videomesazhin e tij nga selia e NATO-s në Bruksel, Rutte flet për rëndësinë e samitit të Hagës.
“Po shohim Rusinë duke u riformuar me shpejtësi dhe një zhvillim masiv të ushtrisë kineze. Kështu që duhet të sigurohemi. Si mund t’i mbrojmë 1 miliard banorët e NATO-s? Dhe për këtë do të flasim në këtë samit”, tha Rutte.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s bëri të ditur se “në samit do të diskutohet së pari për më shumë shpenzime për mbrojtjen, që të jemi në gjendje të mbrojmë veten”.
“Por sigurisht paratë janë një gjë, ne duhet të përgatisim stafin, mbi të gjitha ushtarët tanë. Por kur vjen puna te industria ushtarake ne duhet të bëjmë më shumë sesa po bëjmë tani. Kjo do të jetë edhe tema e dytë e madhe e samitit”, informoi ai.
Rutte theksoi po ashtu se temë e punimeve të samitit do të jetë edhe Ukraina.
“Duhet të sigurohemi që Ukraina të mbrohet tani, por gjithashtu të jetë e aftë për një marrëveshje paqeje afatgjatë, një marrëveshje që të zgjasë dhe që Putini të mos e ketë tundimin ta sulmojë sërish Ukrainën në të ardhmen”, theksoi ai.
Duke folur për partnerët e NATO-s, Rutte bëri të ditur se në Hagë do të jetë grupi i katërshes të Indo-Paqësorit, Australia, Zelanda e Re, Republika e Koresë dhe Japonia.
“Do të kemi gjithashtu Ukrainën në Hagë si dhe Bashkimin Europian, partnerin tonë afatgjatë. Do të zhvillojmë shumë diskutime me ta dhe dhe me ’32-shen’”, shtoi ai. bw
Ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. (Fotografi nga arkivi)
Radio Evropa e Lirë
Qeveria në detyre e Kosovës synon t’i ndërtojë dy ura në të dy krahët e urës kryesore mbi lumin Ibër, të cilat do ta lidhnin Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë serbe me Mitrovicën Jugore të banuar me shumicë shqiptare.
Synimi për ndërtimin e tyre vjen disa ditë pasi Mitrovica – qyteti i ndarjes më të theksuar etnike në Kosovë – e themeloi Bordin e Përbashkët mes komunës jugore.
Themelimi i bordit u përshëndet nga Qeveria në detyrë e vendit, ashtu si edhe nga dy komunat, të cilat e kanë cilësuar si mundësi për të sjellë projekte të përbashkëta, që përmirësojnë jetën e qytetarëve në të dyja anët e lumit Ibër.
Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, publikoi një fotografi e cila tregon se si do të dukeshin këto dy ura.
Siç shihet në fotografitë e publikuara, urat e reja do të ndërtoheshin në anën e majtë dhe të djathtë të urës kryesore, e cila është pjesë e Marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes, të arritur në Bruksel si pjesë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
“Ky projekt do të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe do të shërbejë si një infrastrukturë për komunikim, integrim dhe zhvillim midis dy pjesëve të qytetit”, sipas njoftimit të Vetëvendosjes më 19 qershor.
Një ditë më parë, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se nënshkroi një “memorandum për mbështetje të projekteve të infrastrukturës midis Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të dy komunave, për një qytet më të lidhur, funksional dhe më të mirë për të gjithë qytetarët”, me kryetarin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe nënkryetaren e Komunës së Mitrovicës së Jugut, Ariana Tahiri, në prani të ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – reagoi një ditë më parë, ndër të tjera, edhe lidhur me ndërtimin e këtyre dy urave, duke thënë se Kurti “po e zbaton me shpejtësi dhe pa asnjë fshehje planin për spastrim etnik të popullit serb nga territori i Kosovës”.
Ura kryesore mbi Ibër, e cila e ndan Mitrovicën në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe pjesën veriore me shumicë serb, është e hapur vetëm për këmbësorët.
Njoftimi i Qeverisë së Kosovës në korrik të vitit të kaluar se planifikon ta hapë këtë urë për trafik ngriti tensione dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare.
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, është i vendosur në këtë urë. KFOR-i i tha Radios Evropa e Lirë asokohe se çdo vendim për hapjen e urës duhet të merret brenda kornizës së dialogut Kosovë-Serbi, i cili zhvillohet përmes Bashkimit Evropian.
Ata deklaruan se NATO e mbështet këtë dialog dhe se KFOR-i është aty për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
“Kjo përfshin një prani të përhershme në urën në Mitrovicë dhe patrullime të rregullta në zonën përreth”, tha KFOR-i.
Bashkimi Evropian gjithashtu kujtoi se çështja e hapjes së urës ishte tema e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve dhe se për këtë arsye të gjitha vendimet duhet të merren brenda dialogut me pjesëmarrjen e delegacioneve zyrtare të Prishtinës dhe Beogradit.
Kronologjia e zhvillimeve rreth urës
• Pas luftës së viteve 1998/’99, kjo urë e ndau qytetin e Mitrovicës në pjesën jugore me shumicë shqiptare dhe në atë veriore me shumicë serbe.
• Plani i Ahtisaarit – baza mbi të cilën Kosova e shpalli pavarësinë e saj më 2008 – parashikoi ndarjen e Mitrovicës në dy komuna të veçanta.
• Më 2011, serbët lokalë vendosën aty barrikadat e para, për të kundërshtuar shtrirjen e autoriteteve të Kosovës.
• Më 2013 u formua Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas ligjeve të Kosovës.
• Më 2014, barrikadat u zëvendësuan me copa betoni dhe me pemë. Pamja e re u quajt“Parku i Paqes”. Po atë vit, Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje në Bruksel për heqjen e barrikadave dhe për rivitalizimin e urës.
• Më 2015 u hoq Parku i Paqes, me idenë e hapjes së urës për qarkullim.
• Më 2016, palët në Bruksel u pajtuan për një plan zbatimi të marrëveshjes për urën.
• Rivitalizimi i urës u përfundua nga Bashkimi Evropian më 2018 dhe kushtoi rreth 1.5 milion euro.
Aktualisht, ura mbetet e hapur për këmbësorë, por jo edhe për automjete.
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Çlirimit të Skenderajt, sot është zbuluar shtatorja e Zahide Jasharit nënës së heronjve Adem dhe Hamëz Jashari.
Shtatorja, e realizuar nga skulptori i njohur Sabri Behramaj, paraqet figurën e nënës Zahide duke përkundur një fëmijë në djep një simbolikë e fuqishme që përçon mesazhe të thella për jetën, dashurinë dhe lirinë.
Vetë autori i veprës, përmes një postimi në Facebook, ka ndarë emocionet dhe domethënien që mbart kjo skulpturë.
“Zahide Jashari, nëna e një familjeje që u bë themel i lirisë së Kosovës. Figura e saj, duke përkundur një fëmijë në djep, na kujton se liria fillon aty ku lind jeta, në gjirin e nënës”, ka shkruar Behramaj.
Ai ka potencuar se nënë Zahide përfaqëson një monument të gjallë të sakrificës dhe burrërisë së heshtur, një figurë që do të qëndrojë përjetësisht në vendlindjen e saj, në zemër të Drenicës, duke përkundur djepin e lirisë. sn
Alesandro, turist nga Italia, duke dalë nga një supermarket në Tiranë. I pyetur për çmimet, ai shprehet disi i zhgënjyer, pasi e kishte imagjinuar Shqipërinë si një vend më të lirë, “jo kaq të shtrenjtë”. “Sapo dolëm nga supermarketi.
Ndërkohë që ishim brenda, nuk patëm kohë të llogarisnim konvertimin e çmimeve dhe menduam se do të na kushtonin rreth 10-15 euro,” – tregon ai.
“Morëm disa gjëra për darkë: një verë, pije, pasta, mish, salcë domatesh dhe perime për sallatë. Shtuam edhe dy lloje djathi dhe, në total, paguam rreth 35 euro, më shtrenjtë sesa në Bolonjë,” – shton Alesandro.
Elmor, një tjetër turist nga Britania ka bërë një koment në faqen Visit Albania për një supermarket në Golem. “Blemë (me peshë) 5 domate, 3 qepë, një kokë sallatë jeshile, një qese me patate të vogla dhe një spec jeshil… 15 euro. PESËMBËDHJETË EURO! E pyeta me kujdes nëse çmimi ishte i saktë, dhe shitësja nisi të shtypte numrat në kalkulator.
Ma tregoi ekranin dhe po, aq ishte çmimi. S’mund të ishte e vërtetë, apo jo!? Sot u futëm edhe në një supermarket tjetër për disa gjëra të vogla – asgjë e madhe, asnjë produkt britanik që normalisht kushton më shumë – dhe pagova me kartë…
Mbi 14 paund!?. Zonja që na pret këtu na tha se në fakt është më lirë të hash në restorante sesa të përpiqesh të gatuash vetë në apartamentin me vetëshërbim”, shkruan ai.
Janë të shumtë turistët që ndërsa restorantet i vlerësojnë të lira, i gjejnë çmimet e ushqimeve që blejnë në dyqane po supermarkete më të shtrenjta se në vendin e tyre.
Të dhënat e fundit të Eurostat, që mat indeksin e çmimeve, i matur sipas barazisë së fuqisë blerëse, për shtetet e Bashkimit Europian dhe vendet kandidate e konfirmojnë këtë tendencë.
Për herë të parë që nga viti 2005, kur njësia europiane e statistikave mat të dhënat, indeksi i Çmimeve të Ushqimeve dhe Pijeve jo Alkoolike për Shqipërinë e ka lehtë kaluar nivelin 100% (100.1%), që do të thotë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian, në një kohë që të ardhurat sipas metodës së fuqisë blerëse janë sa 41% e mesatares së BE-së.
Nga viti 2005 deri në 2018-n, çmimet e ushqimeve në Shqipëri ishin mesatarisht sa 68-78% e mesatares së BE-së. Nga 2018-a filloi kërcimi i tyre, teksa në 2023-n, çmimet në Shqipëri ishin mesatarisht vetëm 7% më të lira se mesatarja e BE-së. Ndërsa në 2024-n çmimet u barazuan për herë të parë, madje e tejkaluan lehtë me 1%.
Produktet më të shtrenjta ushqimore për familjet shqiptare në raport me BE-në janë vezët, djathi dhe qumështi, që kanë kërcyer në 131% të mesatares së BE-së, nga 119.5% vitin e mëparshëm.
Edhe ushqimet e tjera janë rreth 25% më shtrenjtë se në BE (124.8%). Pijet jo alkoolike janë 19% më shtrenjtë se në Europë. Më lirë shqiptarët blejnë cigaret që kushtojnë sa 47% e mesatares europiane.
Në krahasim me vendet e tjera të Europës, çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë pothuajse të njëjta sa në Gjermani, Portugali, Itali, ndërsa kushtojnë më shumë se në Spanjë, Çeki, Poloni, Bullgari dhe janë më të shtrenjtat në rajon.
Në Europë, çmimet më të shtrenjta të ushqimeve janë në Zvicër (158.5% e mesatares së BE), Islandë (143.9), Norvegji (131.2). Më të lirat janë Turqia (76.7%), Rumania (75.5), Maqedonia e Veriut (73.4%). Për Kosovën të dhënat e fundit janë për vitin 2022, në nivelin e 83.7% të mesatares së BE-së).
Arsyet pas këtyre diferencave lidhen me nivelin e lartë të taksave për mallrat e shportës në Shqipëri, sidomos TVSH, kostot e larta të transportit, logjistikës jo shumë të përshtatshme, spekulimeve dhe mungesës së konkurrencës./ Monitor
Në vetëm 14 vjet, Shqipëria nga një vend më popullsinë më të re në Europë (31.9 vjeç me 2010) u rendit në vitin 2024 në mesin e 11 vendeve me popullsinë më të plakur në Europës.
Sipas të dhënave të Eurostat, mosha mediane e popullsisë në BE arriti në 44.7 vite vitin e kaluar, ndërsa në Shqipëri 44.3 vite. Kjo do të thotë që në Shqipëri, gjysma e popullsisë është nën 44.3 vjeç dhe gjysma mbi këtë moshë. Në 2010-n, gjysma e popullsisë shqiptare ishte nën 31.9 vjeç.
Nga 2010 në 2024, mosha mediane e popullsisë shqiptare është rritur me 12.4 vite. Të dhënat zyrtare tregojnë se në asnjë vend tjetër europian nuk ka përjetuar një lëvizje kaq të madhe në kaq pak kohë. Në shumicën e shteteve, rritja moshës mediane të popullsisë është rritur nga 2 – 6 vjet, ndërsa mesatarja e BE-është 3.4 vjet.
Të dhënat e fundit tregojnë se Italia është vendi me popullsinë më të plakur në Europë me moshën mediane të popullsisë 48.7 vjeç, e ndjekur nga Bullgaria, Portugalia, Greqia, Spanja ku mosha mediane e popullsisë është rreth 47 vjeç.
Në renditje vijnë Gjermania, Kroacia, Sllovenia, Serbia me moshën mediane të popullsisë rreth 45 vjeç, të ndjekura nga Hungaria dhe Shqipëria me mbi 44 vjeç.
Në anën tjetër Armenia, Turqia, Azerbagjani, Islanda, Gjeorgjia janë vendet me popullsinë më të re në moshë, me rreth 33-34 vjeç, sipas Eurostat. Në listën e shteteve me popullsi të re vijon të jetë dhe Kosova, që sipas censit të fundit të vitit 2024 kishte një moshë mediave prej 34 vjeç.
Rënia drastike e fertilitetit nën 1.5 lindje për grua përgjatë dekadës dhe emigracioni lartë i të rinjve ka ndikuar në plakjen e shpejtë të popullsisë rezidente në vendin tonë.
Mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit me ritme shumë më të larta edhe se Rajoni.
Në Ballkani Perëndimor mosha mediane u rrit 3 deri në 6 vite ndërmjet 2010-2014.
Një vështrim i detajuar mbi të dhënat e moshës mediane nga 2010 – 2024 tregon se vendi ynë po kalon një shok demografik që nuk gjen precedent në kontinentin Europian. Ritmi shqiptar i plakjes është gati katërfish në krahasim me mesataren e BE dhe afro dyfish ndaj vendit të dytë me plakjen më të shpejtë, Moldavisë.
Me këto ritme forca e punës mund të tkurret me 8% deri në vitin 2030. Gjithashtu rritja ekonomike rrezikon të ngadalësohet nëse produktiviteti i punës nuk rritet.
Vitet e fundit është përforcuar largimi i popullsisë në moshë pune, kryesisht 20-35 vjeç drejt BE-së, Britanisë dhe SHBA-së. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë se emigracioni neto ( ikjet minus kthimet) gjatë 2023-2024 ishte-72 mijë persona shumica të rinj.
Demografët këshillojnë hartimin e strategjive gjithëpërfshirëse që synojnë frenimin e emigracionit, kthimin e diasporës dhe inkurajimin e lindjeve me politika fiskale pro familjes./ Monitor
Presidenti i SHBA, Donald Trump i ka dërguar një ultimatum Iranit në lidhje me zhvillimet e fundit dhe konfliktin me Izraelin.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Trump, i ka kërkuar Iranit që të “dorëzohet pa kushte”, duke i dhënë mesazh të qartë me shkronja kapitale.
Më herët, Trump shkroi në Truth se Shtetet e Bashkuara kishin mundësinë për të ekzekutuar liderin shpirtëror, Ali Khamenei, po nuk kishin dashur që ta bënin këtë gjë.
“Ai është një shënjestër e lehtë, por është i sigurt atje. Ne nuk do ta vrasim! Të paktën jo për momentin”
“Por ne nuk duam që raketat të godasin drejt civilëve ose ushtarëve amerikanë”, tha Trump.
“Durimi ynë po sosur. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, përfundoi ai. sn
Kur një prej agjentëve më të lartë të Byrosë Federale amerikane të Hetimeve (FBI) u arrestua në janar të vitit 2023 dhe u akuzua se kishte punuar jashtëligjshëm për oligarkun e sanksionuar rus – Oleg Deripaska – komuniteti amerikan i sigurisë kombëtare mbeti i tronditur.
Charles McGonigal, tashmë në pension – i cili në pjesën e fundit të karrierës së tij hetonte spiunët dhe oligarkët rusë – më në fund pranoi fajësinë dhe në dhjetor u dënua me mbi katër vjet burg.
Ai nuk ishte i vetmi i përfshirë në çështjen Deripaska, sipas autoriteteve amerikane.
Pas më shumë se 16 muajsh shtyrjesh e vonesash, Sergei Shestakov, një ish-diplomat sovjetik dhe rus që u bë qytetar i natyralizuar amerikan dhe më vonë punoi si përkthyes i autorizuar në gjykatat federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pritet të dalë para gjyqit më 17 qershor, i ngarkuar me akuza të ngjashme me ato me të cilat u përball McGonigal.
Ashtu si McGonigal, edhe Shestakov akuzohet se ka bashkëpunuar për t’i ndihmuar Deripaskës t’i shmangë sanksionet amerikane, të cilat ishin vendosur në vitin 2018, si dhe për komplot për shpëlarje parash. Ai gjithashtu akuzohet se ka gënjyer agjentët e FBI-së.
Shestakov u arrestua në të njëjtën kohë me McGonigalin.
Gjyqi dhe procesi paraprak gjyqësor nuk kanë marrë shumë vëmendje, kryesisht sepse Shestakov është më pak i njohur se McGonigal. Deri në pensionimin e tij në vitin 2018 nga zyra e FBI-së në Nju Jork, McGonigal ishte në pararojë të përpjekjeve të byrosë për t’i gjurmuar spiunët dhe oligarkët rusë – përfshirë edhe Deripaskën.
Në vitet ‘90, Vladimir Gusinsky ishte një nga oligarkët më me ndikim të Rusisë, kryesisht falë NTV-së – kanali i parë kombëtar i pavarur televiziv në Rusi.
Përveçse bashkëpunëtorë biznesi, Shestakov dhe McGonigal, së bashku me një rus tjetër, janë të lidhur me një tjetër ish-oligark rus, Vladimir Gusinsky, i cili për shumë vite kaloi pjesën më të madhe të kohës në një rezidencë luksoze në Kënektikët të SHBA-së.
Gusinsky nuk është përfshirë në çështjen penale ndaj Shestakovit dhe McGonigalit. Megjithatë, ai ka tërhequr vëmendjen e FBI-së, pasi agjentët e morën në pyetje dy herë gruan e tij tashmë të ndarë dhe punonjës të shtëpisë së tyre në Kënektikët për marrëdhënien e tij me ta. Shestakov e njoftoi Gusinskyn me McGonigalin dhe më pas Gusinesky u shoqërua me të dy.
Shestakov është deklaruar i pafajshëm për akuzat.
Magnatët e metaleve
Sipas dokumenteve të shumta në një gjykatë federale në Menheten, mbrojtja e Shestakovit mbështetet pjesërisht në pyetjen nëse puna që ai dhe McGonigal bënë ishte për të mirën e Deripaskës ose për konglomeratin e tij gjigand, EN+ Group, që kontrollon një nga kompanitë më të mëdha të aluminit në botë – Rusal.
Thelbësor për këtë mbrojtje është një punonjës i EN+ me emrin Yevgeny Fokin, të cilin FBI e akuzon si agjent të Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë (SVR).
Avokatja e Shestakovit, Rita Glavin, ka thënë në dokumente gjyqësore se Fokin mund të ofrojë prova që puna që Shestakov dhe McGonigal u punësuan të bënin ishte në emër të EN+ dhe përfshinte lobim për të ndihmuar kompanitë e Deripaskës – gjë që kryesisht lejohet sipas ligjeve në SHBA.
Glavin nuk ka komentuar për këtë.
“Pretendimi se ata po punonin për EN+ dhe jo për Deripaskën nuk ka kuptim. Në thelb, është një dallim pa ndryshim”, tha Casey Michel, autor i librit “Foreign Agents: Hoë American Lobbyists and Lawmakers Threaten Democracy Around the World”.
“Ata, sipas çdo indikacioni, po punonin për përfitimin e njërit prej oligarkëve më famëkeq që ka prodhuar ndonjëherë Rusia – një njeri që është pak më shumë se një përfaqësues i Kremlinit, duke përmbushur dëshirat e Moskës kudo dhe sido që të mundet”, shtoi ai.
Prokurorët kanë pohuar se Fokin ishte “bashkëkomplotues i paakuzuar” me Shestakovin dhe McGonigalin. FBI-ja e ka ndjekur, fotografuar dhe regjistruar fshehtazi që nga korriku 2019, sipas dokumenteve gjyqësore, dhe viza e tij për SHBA u anulua në vitin 2022 me kërkesë të FBI-së.
Charles McGonigal, ish-agjent i lartë i FBI-së, u deklarua fajtor në vitin 2023 për një akuzë të ngjashme me atë që tani përballet Sergei Shestaky
Prokurorët janë përplasur me avokaten Glavin mbi marrjen në pyetje të Fokin, i cili jeton në Rusi dhe punon si këshilltar i lartë i Deripaskës në EN+. Ai nuk pranoi të udhëtojë në SHBA për asnjë arsye, sipas dokumenteve të gjykatës, duke u frikësuar nga arrestimi.
Pas negociatave nëse Fokin do të merrej në pyetje në Turqi ose Dubai, palët ranë dakord që ai do të dëshmojë në gjyq përmes videolidhjes.
Fokin nuk iu përgjigj e-maileve të Radios Evropa e Lirë për koment.
Në disa qarqe rusishtfolëse në rajonin e Nju Jorkut, Shestakov njihej si një “sekser”, njeri që zgjidhte probleme, dhe njeri simpatik. Ai është qytetar i natyralizuar amerikan që më parë kishte punuar për ministritë e jashtme të Bashkimit Sovjetik dhe më pas të Rusisë.
Shestakov u tërhoq nga shërbimi diplomatik dhe u vendos në zonën e Nju Jorkut në vitin 1993.
Në vitet 2010, ai punoi si përkthyes i autorizuar për gjykatat federale të SHBA-së dhe për zyrat e prokurorëve federalë në Menheten dhe Bruklin.
Marrëdhënia e tij me Fokin daton që nga vitet ‘80, dhe të dy kanë punuar për Gusinskyn. Madje, në vitin 2019, Shestakov kishte një kartë krediti në emrin e Gusinskyt që e përdorte për të blerë, ndër të tjera, bileta për ndeshje hokeji me mijëra dollarë.
Gusinsky nuk iu përgjigj kërkesave për koment.
Shestakov e njoftoi McGonigalin me Fokinin diku rreth vitit 2018, sipas aktakuzës.
Në prill të atij viti, Deripaska u sanksionua nga Departamenti amerikan i Thesarit “për veprimtari në emër të një zyrtari të lartë të Qeverisë së Federatës Ruse”.
EN+ dhe Rusal gjithashtu u përfshinë në sanksione në të njëjtën kohë.
Një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, Deripaska e ndërtoi pasurinë e tij gjatë viteve kaotike ‘90, kur biznesmenët luftonin egërsisht dhe shpesh me dhunë për kontrollin e industrive të mëdha të vendit, si prodhimi i aluminit. Ai konsiderohet shembulli klasik i një oligarku: një biznesmen me pasuri të madhe dhe lidhje të ngushta me Kremlinin dhe presidentin Vladimir Putin.
Ai gjithashtu ka qenë në radarin e zyrtarëve ligjorë amerikanë prej dekadash, të paktën që nga viti 2006, kur iu mohua viza për të hyrë në SHBA. Këto vështirësi e shtynë atë të punësonte firma lobimi të lidhura me republikanët dhe, në fund të viteve 2010, ai investoi në projekte me Paul Manafort, operativin republikan që për një kohë të shkurtër drejtoi fushatën presidenciale të Donald Trumpit në 2016.
Në shtator 2022, Deripaska u padit për përpjekje për të shmangur sanksionet amerikane. Akuzat përfshijnë pretendime se ai organizoi që e dashura e tij shtatzënë të udhëtonte në SHBA për të lindur atje, në mënyrë që fëmija të merrte shtetësinë amerikane.
Sanksionet ndaj EN+ Group dhe Rusal u hoqën në vitin 2019 pasi Deripaska ra dakord të distancohej nga pronësia e kompanive. Ai vetë mbetet ende nën sanksione.
Autoritetet amerikane pretendojnë se Fokin punësoi McGonigalin dhe Shestakovin për të kërkuar informacion kompromentues mbi Vladimir Potanin, një tjetër oligark rus dhe magnat i metaleve, që është rival i Deripaskës.
McGonigal, i cili doli në pension nga FBI në fund të vitit 2018, gjithashtu kërkoi të siguronte një praktikë për vajzën e Fokin në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut, një gjë që ngriti dyshime brenda departamentit. Ai më vonë u tha autoriteteve se po përpiqej ta kultivonte Fokin si një agjent të mundshëm të dyfishtë, sipas dokumenteve të gjykatës.
Në fund të nëntorit 2021, agjentët e FBI-së konfiskuan pajisjet elektronike të Shestakovit. Disa ditë më parë, ai ishte pyetur për marrëdhënien e tij me Fokin dhe u pyet nëse kishte ndonjëherë ndonjë bashkëpunim biznesi me të.
“Jo, asnjë biznes”, u përgjigj Shestakov, sipas dokumenteve gjyqësore.
Vetëm për një vit nga 2023 në 2024 popullsia e re në moshën 0-29 vjeç u tkurr me 29 mijë e 300 banorë ose 4 për qind, gati trefishi i popullsisë së përgjithshme. Të dhënat tregojnë se numri i të rinjve është tkurrur në një vit në masën e bashkisë Kavajë.
Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë një prirje të fortë tkurrjeje në çdo grup-moshë prej 0 deri 29 vjeç.
Numri i foshnjave (0-4 vjeç) nga 2023 në 2024 ra me 2,5 % duke pasqyruar normat e ulëta të fertilitetit, prej vitesh nën 1,5 fëmijë për grua.
Në grupin 20-29 vjeç numri i popullsie u tkurr me rreth 12 800 persona (gati gjysma e rënies totale). Kjo është mosha më e prirur të emigrojë për studime, punë sezonale apo kontrata të përhershme në BE.
Sipas “Youth Study 2024”, 1 në 3 të rinj shpreh dëshirë të largohet kryesisht për paga e standard jetese më të lartë; 1 në 5 synon të mos kthehet.
Tregu europian i punës, programet e mobilitetit (“Erasmus+”, vizat pune sezonale në BE, marrëveshjet MB-Shqipëri) veprojnë si faktorë që po nxisin më tej largimin e të rinjve.
Sakaq kalimi nga një grup moshë në tjetrën në tjetrën e bën rënien dukshëm më të thellë te 25-29-vjeçarët.
Maturantët e 2018-ës sot ja të punësuar kudo në tregun europian, pasi shumë prej tyre zgjedhin të largohen duke krijuar një boshllëk të madhe në tregun vendas të punës. Brezi i lindur më 1995-2000 (relativisht i madh) po dalin nga segmenti 20-24 vjeç, ndërsa hyrjet e reja 0-4 vjeç janë shumë më pak.
Tkurrja e fortë e të rinjve po vë në vështirësi shkollat pasi për shkak të regjistrimeve më të pakta mbyllen shkollat në zonat rurale, teksa tregu i punës po përballet me mungesë punonjësish në të gjithë sektorët që nga IT, turizëm, shërbime. Kjo mungesë po shkakton presion për rritjen e pagave dhe furnizimin me punonjës të huaj.
Financat publike pritet të përballen me shpenzime më të larta për skemat e pensioneve, në një kohë që numri i kontribuuesve do të vijë në rënie.
Tkurrja e grup-moshave 0-29 vjeç nuk është thjesht një statistikë, por paralajmëron transformime të thella në tregun e arsimit, në ekonomi dhe në strukturën shoqërore shqiptare. Tregu i punës në Shqipëri ofron ende paga më të ulëta se vendet fqinje, ndërkohë që mungesa e stafeve të kualifikuara (mësues, infermierë, inxhinierë) krijon spirale “brain-drain”.
Demografët lajmërojnë se nëse institucionet nuk veprojnë sot, duke venë popullsinë dhe rritjen e saj si prioritet, fenomenet lindshmëri-emigracion do të imponojë ndryshime shumë më të kushtueshme.
Sakaq, Shqipëria rrezikon të përballet me një hendek të përhershëm, ku mungesa e kapitalit njerëzor do të kufizojë rritjen ekonomike dhe aftësinë për t’u integruar me sukses në tregun unik evropian./ Monitor
Komentet