Forografitë e Nexhmije Pagarushës janë të mjeshtrit Fahredin Spahija
(Nxjerrë nga libri “Shenjë kohe” (signum temporis), intervista e mbresa, faqe 129-132, Rilindja, Prishtinë – 1998).
——————-
Bajram Sefaj
Burimi i këngës është – zemra!
“… kur ajo helmohet, damari i këngës shteron…!”
Për t’u takuar me Nexhmije Pagarushën, nisem me një drithërimë në zemër e trazim në shpirt. Sikur të ishte hera e parë që do të njoftohemi e do të shihemi.
Po miq jemi, he e marrtë e mira, denjoja të mëkëmbë vetën në atë copë rrugë, duke reshtur mendjen plotë kujtime të largëta, por të gjalla e të freskëta, sikur të kishin ngjarë një natë më parë, nga koncertet e saja nëpër të gjitha podiumet tona dhe nëpër një pjesë të mirë Evropës dhe më gjerë. Si kronik (besnik) i ngjarjeve tona muzikore, me Nexhmije Pagarushën kryeprotagoniste, me kënaqësi e dhembje njëkohësisht, provoja këtë ndjejnë që, gjithandej me kthente në fillim të rrugës prej gazetari. Ia dija hilen, ia merrja ngjyrën këtij shqetësimi të stuhishëm. Koha e sotme plot mugëtirë, këto ditë të hirta e të zymta, errësojnë shkëlqimin e kujtimeve të dëlira. Kjo, mbase, është përgjigjja universale e rrathëve të frikës që te ngushtojnë shpirtin, të lëndojnë zemrën.
-Dy herë në jetë, mora rrugë në drejtim te panjohur dhe të pa adresë. E para, udhë për në kryeqytet për të “mësuar këngën” në shkollën e mesme të muzikës. Viti i asaj ngjarjeje, i asaj rrugë të largët, me ka ikur mendje krejt, me është mbështjellë në lëmshin e dendur jetësor. Ky udhëtimi tjetër, i freskët dhe i gjallë në mua, kur me Fletën (kështu e ka emrin e bija e djalit të vetëm, i Nexhmijës, vërejtja ime!), në parzme, mora rrugë përtej Oqeanit. Tjetër send nuk merrte bagazhi im pos flakës që, në shpirtin tim nuk do të shuhet kurrë, që Fletës sime t’i qartësohet (kthehet drita në sy). Përtej të gjitha oqeaneve e kontinenteve, o Zot, (lypset fare ta them këtë?!?), nëpër tërë gjithësinë e pafund do të shtegtoja për një ble drite në sytë e Fletës sime. Me vjen marroq, shikuar nga ky kënd, trazimi i para tetëmbëdhjetë vjetësh kur, në rrugën e havasë, mbi Atlantik, bashkë me orkestrën e Radio Prishtinës, po shkonim në turne në Amerikë. Dokrra. Punë fëmijësh. Shqetësim naiv në krahasim më udhëtimin, pikërisht në atë relacion, me Fletën në prehër, atë ditë të ftohtë e me borë shumë, të janarit të këtij viti, reporterit nga Amerika se, “Fleta (supozoj, gjakoj), nga atje do të kthehet, me sy të dëlirë, të shëruar. Do ta shohë Kosovën e çliruar”? – në mënyrë diskrete ia hedhim përpara këtë tingull ndjellamirësie të dyanshme. Për këtë, thotë Nexhimja, angazhimi vërtet i madh edhe e i pakursyer i njeriut tonë në Hjuston të Amerikës, Ramiz Tafilaj. Operacioni ishte delikat. Jashtëzakonisht i shtrenjtë.
-“Tërë natën i jemi lutur Perëndisë për sukses të plotë- me thonë, atij mëngjesi të hershëm, mjekët – specialistë të Hjustonit, disa çaste para së të fillojnë operacionin që do të zgjasë tetë orë të plota!
*
Mirjeta, mbesa tjetër, është ajo që na i sjell kafet. (Në apartamentin e zonjës Nexhmije, në Prishtinë) Për atë copë kohë të qëndrimit, midis gishtërinjve të Nexhmije Pagarushës “shkrihet” kush e di e sata cigare Holiday. Provoj guximin e përfytyrimit reminishent – midis grushtit të saj – shkëlqimin e mikrofonit. Denjoj kujtimin e shkëlqimit të saj nëpër shumë skena e podiume, në atë rrugë të gjatë të rritës së saj në legjendë. Nuk e do! Provoj të marr shkëlqimin e shtegtimeve zë saj artistike nëpër meridiane. Nuk e do!
Me vjen e stuhishme krenaria e një kujtimi. Duke bredhur anë e kënd Izraelit, sa herë që autobusin tonë e pushtonte amullia, ciceroni nikoqir z. Solomon, e merrte fijen e parë të këngës “Hvana-Gilla” qe, në njëfarë mënyre, ishte emblemë turistike izraelite. Aty, midis Jerusalemit, e ndal e i them , o zoti Solomon, po këtë melodi tuajën e ka bë si e jona të ishte, e madhja e këngës sonë, Nexhmije Pagarusha!
Prapë, nuk e do!
Seç me vjen i flladshëm, kujtimi kur atij mëngjesi të hershëm, në Dramën të Norvegjisë, nga gjumi me zgjon zëri i ëmbël i Nexhmijës.
Tëra këto kërkesa reminishencash, shembën sakaq. Nexhmija, unë, rrathët e ngushtë, gjithnjë e më të ngushtë, të jetës sonë në zgripc, janë ata që sakaq, mjegullojnë çdo rrëfim të mirë, të këndshëm, të preferuar. Buzëmbrëmja e asaj dite maji, nuk merrte ngjyrë jeshili pranvere. Si pykë, në shpirt, si ferrë ne zemër, përmjedis bisedës të hyn TV-ja me lajmet alarmuese, të mbrëmjes. Gjak ka në ato lajme.
-Me shumë pamë (e shohim) gjak për këtë dhjetëvjetësh të fundit së ç’pamë lulëkuqe, sikur i flet vetës së vetë se vetë Nexhmija, shikimi i saj, ekranin e pashpirt të TV-së, e qante për midis!
Ndjenjë krupe.
Një ngushticë me ferra profesionale!
Me ç’të mira të mbushet zbrazëtira? Me ç’të mira të mira të kënaqet oreksi i lexueseve të “Dijes” (atëbotë, revistë e ilustruar javore e Shkupit, në gjuhën shqipe!), të kënaqet kureshtja e djegur e tyre, për sa më shumë fjale te Nexhmijës, për një rrëfim të gjate saj!
Me asgjë mos të plotësohet ajo zbrazësi, sikur rrezaton mesazhi në heshtje. A nuk zihemi të gjithë bashkë në një kazan, a nuk digjemi (gjithë-shqiptarët) në një zjarr!
Të flasësh sot për këngën, për muzikën dhe gëzimin qe ajo sjell, është zor. Është inat. Në këtë kohë kur më shumë kemi tubime mortore, se sa raste tjera gazmore, vetjake e kolektive. Ta vrasin mendjen, ta kafshojnë shpirtin e ta shtojnë pikëllimin këto pamje (ballo) tmerri që para sysh parakalojnë me shpejtësi filmi.
Muzika popullore, ajo e lehta argëtuese, sikur lëshojnë vend një tingëllime tjetër, një muzikë plotë mugëtirë, muzike funebre. Si te flitet për këngë e muzikë, për vargjet dhe tonet e saj, pranë ngjyrës se hirtë të tankeve që rëndojnë mbi shpirt. Burimi i këngës, këtë e dinë (e ndjejnë) edhe zogjtë në pyll, është zemra. Kur zemra helmohet, damari i këngës shteron. Vdes, shuhet, tretet krejt!
-Po, Fitnete Rexhën dhe Asma Zymberin, shihemi kohë pas kohe. Janë dy shoqet e mia të këngës, dy legjenda të muzikës sonë, me të cilat u takova (me gëzimin të madh) këto ditë. Me Fiknetë, këtu në Prishtinë (në apartamentin tim), e me tjetrën këngëtare të madhe, Asma Zyberin, u takuam, u çmallem e kuvenduam në Pejën piktoreske, ku Fleta ime ndjek mësime në klasën e pestë të shkollës speciale.
Po ç’folëm e ç’kuvenduam, të tria, bashkë!
-Me së paku, medet, folëm e kuvenduam për këngë, për muzikën. Për dashurinë tonë të parë e të mbrëmë, që ia falem jetën. Folëm për hallet e mjerimet që i kemi të përbashkëta. Folëm me klithma mbi varfërinë, mjerimin… Për terror folëm e kuvenduam. Do të çjerrët, një ditë, kjo perde, do të shembët një herë e përgjithmonë, kjo kohë ogurzezë, bëmë pyetje që të tria bashkë, si në kor!
————-
Komentet