VOAL

VOAL

Në konkursin për astronautë të rinj të Agjencisë Evropiane të Hapësirës mbi 22 mijë kandidatë

June 24, 2021

Komentet

Pamje të rralla! Astronautët e Artemis II shohin anën e errët të Hënës

Astronautët e anijes kozmike Artemis II kanë parë anën e largët të Hënës për herë të parë, ndërsa anija kozmike Orion i afrohet më shumë Hënës. NASA publikoi imazhe nga dita e katërt e misionit, më 5 prill, kur ekuipazhi pa një pamje të rrallë si të Tokës ashtu edhe të Hënës në të njëjtën kohë.

 

“Ekuipazhi i Artemis II pati kontaktin e parë vizual me anën e largët të Hënës. Ishte absolutisht mahnitëse”, tha specialistja e misionit Christina Koch.

Kjo anë e Hënës nuk është e dukshme nga Toka, pasi ajo gjithmonë është e kthyer nga planeti ynë. Është vlerësuar se edhe misionet Apollo në vitet 1960 dhe 1970 nuk ishin në gjendje ta shihnin atë të plotë, për shkak të kushteve të ndriçimit. Duke përshkruar ndryshimin nga pamja e zakonshme e Hënës nga Toka, Koch i tha NBC News:

“Njollat më të errëta nuk janë pikërisht aty ku i prisni. Ekziston një ndjesi se kjo nuk është hëna që jemi mësuar të shohim.”

Astronautët pritet të shohin zona të tjera të papara më parë gjatë fluturimit historik të së hënës. Astronauti Reed Wiseman tha se aftësia për të parë Tokën dhe Hënën në të njëjtën kohë është “vërtet mahnitëse”.

“Toka është në një eklips pothuajse të plotë, ndërsa Hëna është pothuajse plotësisht e ndriçuar. Vetëm nga një pikë saktësisht midis dy trupave qiellorë mund ta keni këtë pamje”, vuri në dukje ai. bw

Në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe mungon fjala “Nanë”- Nga NDREK GJINI, MA, University of Galway, Ireland

 

Në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe, të botuar në print dhe online në janar 2026 dhe të trumbetuar me të madhe si arritja më spektakolare e gjuhësisë shqiptare në 35 vitet e fundit, mungon fjala “Nanë”.
Mbi 80 shkencëtarët e mëdhenj të gjuhësisë shqiptare, që thonë se punuan shumë vjet për të “pjellë” këtë kryevepër të paparë, mund të justifikohen duke thënë se kjo është një trajtë apo variant dialektor i fjalës nënë.
Po e pranojmë këtë justifikim.
(Por as në të gjitha variantet, shpjegimet apo trajtat e fjalës nënë në këtë fjalor, fjala nanë nuk përmendet as si variant dialektor, megjithëse këtë fjalë, në këtë trajtë, e përdorin më shumë se dy të tretat e popullsisë shqiptare.)
Për më tepër, aty madje përmenden variantet dialektore të Jugut si nëneja, etj.
A është kjo një harresë e paqëllimtë, një strategji e strukturuar për të injoruar dialektin geg apo një urrejtje krahinore e trashëguar nga regjimi komunist?
Unë personalisht nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Lexuesi le ta gjykojë vetë.
Por, nëse i hedhim një sy të shpejtë këtij fjalori, aty mund të gjejmë mungesa të frikshme fjalësh të dialektit geg, që flitet nga më shumë se 65 për qind e popullsisë shqiptare që jeton në Shqipërinë e Veriut, Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Po rendis këtu vetëm disa fjalë të këtij dialekti që mungojnë në këtë fjalor, të cilat janë produkt i një kërkimi më pak se një orë në këtë fjalor:

  • Nanë
  • Kodoc
  • Bacë – gabim në kuptim
  • Rrunzë
  • Derk
  • Hanurë
  • Fjalëtar ose fjaltuer/fjalturë
  • Lnurë
  • Vorre
  • Dekë/deka
  • Koçak
  • Postahe
  • Zit
  • Plle/plleja
  • Ranë/rana
  • Knus ose knues
  • Kref
  • Shkim ose shqim
  • Sillë – është shpjeguar gabim
  • Okolle – është shpjeguar gabim
  • Kotrovë
  • Tajar
  • Buljerë ose boljerë/bolierë
  • Rrum
  • Rrupshtajë ose rrumshtajë
    Dhe, për fat të keq, ka shumë e shumë të tjera.
    Shiko fjalorin këtu: https://fjalori.online/?search=Nan%C3%AB&mode=exact

 

MARIA, VAJZA E ANGJELINA ARIANITIT DHE E STEFANIT III BRANKOVIÇ, BASHKËSHORTJA E BONIFACI III PALEOLOG I MONFERRATO. (9) – Nga Lutfi ALIA Siena – Itali

 

Stema heraldike e markezëve Maria dhe Bonifaci III ka një strukture kulturore, sociale, fetare, politike dhe historike ndryshe nga stemat tradicionale të fisnikërisë të vendeve perëndimore, sepse ka bashkim dhe unifikim elementesh të stemave të dy familjeve, si dhe të stemës të Habsburgëve. Maria Arianiti Brankoviç, krahas stemave heraldike, kishte një repertor të gjërë shenja identifikuese familjare, që e prezantonin publikisht dhe si bashkëshortja e markezit të Monferrato – Bonifacio III Paleologu.

Markezia Maria ishte e shquar si administratore e shtetit të vogël të Monferrato në Padania, por dhe në jetën shoqërore dhe fetare. Ajo gëzonte nderim dhe respekt nga banorët dhe nga kleri, andaj në nderim të figurës së saj, në harkun mbi portën e kishës Shen Domeniko në Monferrato Casale, në kompleksin e skulpturavë është Maria me djalin Gulielmi IX. Edhe kur hynë brenda në kishë, në dy kolona, që ndajnë navatën qendrore me atë anësore, mbi kapitelet e kolonave janë gdhendur majtas stema e Maria Arianiti Brankoviç dhe djathtas stema e përbashkët e Bonifacit III Paleolog dhe e Maries. [Caramellino C., Il tesoro della cattedrale. Opere d’arte in Piemonte. Casale Monferrato, Grafiche Alfa, Torino 1979.]

Vlen të theksohet se Maria dhe Bonifaci III, adhuronin Shen Margaritën e Antiokio, si rezulton në relikuen e këmbës të Shen Margaritës e derdhur në argjend në vitin 1486, në pronësi të Maries dhe Bonifacit III, relikue të cilën ia kishin dhuruar kishës Shen Domeniko. Dy stemat heraldike në këtë relikue, djathtas stema e Maries  me shqiponjën dykrenëshe të Arianitëve dhe luanin në pozicion ngritur në dy këmbët e pasme të Brankoviçëve dhe majtas stema e unifikuar e Maries dhe Bonifacit III, dëshmojnë për pozcionin e saj si fisnike dhe e lidhjes bashkëshortore me Bonifacin III. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII secolo, Miglietta, Torino 1935, edizione Anastatica: Il Portico, Casale 1981].

 

 

Relikua e këmbës të Shen Margherita e Antiokia, e derdhur në argjend, në Muzeun e Duomo në Monferrato Casale, me Shen Margeritën ndërmjet stemës heraldike të Maries dhe stemës të Maries dhe Bonifaci III.

 

Studiuesi Rikaldone spjegon se shqiponja në stemën e dinastisë Paleologa, është e Arianitëve. Stema e kombinuar e dy familjeve, ndryshon nga stemat e zakonshme heraldike, që përdoreshin si tema të lidhjes martesore. Këto dy stema janë të pranishme dhe në kapitelet e kolonave në kishën e Shen Domeniko, çka shpreh një vendim të çiftit për të lënë kujtim dhe dedikim simbolik kishës dhe banorëve të Monferrato. [Aldo di Ricaldone 1972a, p. 51; Ricaldone 1972b, I, p. 382].

Lidhur më relikuen e këmbës të Shen Margeritës, mendohet se Bonifaci III dhe Maria ia dhuruan kishës Shen Domeniko në vitin 1486 me rastin e lindjes të djalit të parë Gulielmi IX. Mbetet enigmë në çfarë rrethanash kjo relikue ishte në pronësi të Bonifacit III dhe Maries. Hamendësohet se kish mbërrijt në markezat në kohën e kryqëzatave të herëshme të Aleramici, por disa studiues theksojnë se ishte dhuruar Maries nga Nëna Angjelina, çka konsiderohet dhe më e besushme. Walter Haberstumpf mendon se origjina e kësaj relikue është më e herëshme, lidhet me grabitjet e kishave të Kostantinopolit në vitin 1204, kur Bonifaci I i Monferrato hyri në kompleksin monumental të Boukoleon, ku ndodhej Kapella e Shenjtë e mbushur me relikue të shumta. [Haberstumpf W., Il marchesato di Monferrato tra crociate e ricordi delle trascorse glorie oltremarine (secoli XV-X VI), in “Bollettino storico-bibliografico subalpino”, CXXI (2023/1), pp. 167-188.]

Një aspekt i veçantë i bashkëshortëve Maria dhe Bonifaci III, janë stemat heraldike të pikturuara në tavanin e shtëpisë Bekaris (Beccaris), në rrugën Leardi, në qendër të Kantonit Brignano në Monferrato Casale. Pikturat e stemave heraldike janë realizuara në respekt të traditës së mesjetës së vonëshme europiane, një status simbol dhe tipik lombard, i një tavani të pikturuar bukur dhe me elegancë në sallën e pritjes të rezidencës të familjes, çka shpreh mrekullisht raportet e lidhjes bashkëshortore të Maries me Bonifacin III. [Gentile L.C., Sigilli dei marchesi di Monferrato, in “Monferrato. Arte e storia”, XVIII (2006), pp. 5-26]

Në trarët e gjërë të tavanit, krahas pikturave të kafshëve, zogjëve, vazove me fruta dhe me lule, janë radhitur dhe stemat në formë mburoje tipike të rilindjes, që i përkasin grupeve familjare paraardhëse të markezëve të Monferrato si Gaspardone, Selvatiko, Valperga, Guiskardi, Bazani, Millo dhe dy më të vjetra të paidentifikuara.  Krahas këtyre, në pozicion qendror të tavanit, dallohen tre stema heraldike: në qendër stema e Bonifaci III Paleolog dhe e Maria Arianiti; djathtas stema e Maries dhe e Stefanit III dhe majtas stema e Kostantin Arianitit Komneni, me mburojën me katër kuadrate: 1 dhe 4 me shqiponjën e artë dykrenëshe të Arianitëve në sfond të kuq; në kuadratet 2 dhe 3 me kryqin ortodoks të artë në sfond blu dhe poshtë kryqit, tre këmbana të zeza në sfond të artë, që shprehin prejardhjen e tij nga Komnenët e Bizantit. Studiuesi Giulio Ieni, mendon se prania e stemës të Kostantin Arianit lidhet me rrethanat se vila Bekaris (Beccaris) ishte banesa e parë e tij, madje dhe në vitet e më pasme, kur shërbeu administrator i markezatit. [Giulio Ieni 2001 p. 70; Guerrini 2002, p. 137; Per l’arrivo dell’A rianiti a Casale, cfr. Babinger 1962a.]

 

 

  1. Stema e Maria Arianiti Brankoviç (e njejtë dhe në relikuen e këmbës të Shen Margerita).
  2. Stema pas martesës të Maries me Bonifacin III.
  3. Stema e Kostantin Arianitit.

 

Studiuesit Guerrini dhe Retstap theksojnë se prania e stemës heraldike të Kostantin Arianitit në tavanin e vilës është e viteve 80’ kur Bonifaci III ishte ende në jetë dhe kur i kishte besuar Kostantinit administrimin e markezatit bashkë me mbesën Maria Arianiti Brankoviç dhe kur në vitin 1489, Ai u martua me Françeskën, e bija illegjitime e Bonifacit III. [Rietstap J.B. 1861, Le tre campane figurano nelle armi di varie famiglie trapiantatesi in Occidente, che pretendevano una discendenza dai Comneno: tra queste vi erano anche dei Comneno milanesi e savoiardi, vol I, p. 452]. [Guerrini A., Ritrattistica di corte e cicli profani nella Casale dei Paleologi, in Intorno a Macrino d’Alba. Aspetti e problemi di cultura figurativa del Rinascimento in Pie monte, atti della giornata di studi (Alba, 30 novembre 2001), Fondazione Ferrero, Alba 2002, pp. 131-144.]

Stema e markezëve Bonifaci III Paleologu dhe Maria Arianiti Brankoviç, u përdor në fund të shekullit XV, kur markezati i Monferrato u ngushtua ndërmjet Savojës dhe dukatit të Milanos dhe u përdorën si mjet për të afirmuar publikisht edhe simbolikisht autonominë e markezatit, madje kjo stemë u trashëgua në shekullin XVI nga djemtë, kësisoj djali i madh Gulielmi IX Paleolog, e përdori të pandryshuar. Gjatë kohës që drejtoi markezatin Gulielmi IX prodhoi monedhën me vlerë dy dukate ari, me portretin e tij në faqen e përparshme dhe stemën heraldike të familjes në faqen e pasme. Kjo monedhë u perdor deri në fillimet e shekullit XVIII. [Biandrate di San Giorgio, Benvenuto, Ragionamento familiare de la origine, tempi et posthumi de li illustrissimi principi marchesi de Monteferrato, ms., Archivio di Stato di Torino, Paesi, Monferrato, Storia e genealogie, m. 1] [Del Carretto Galeotto, Libro de la genealogia et vite de gli illustrissimi principi et excellentissimi marchesi de Monferrato, 1493, Bibliothèque Nationale de France, Paris, ms. it. p. 412.]

Pas vdekjes të Bonifacit III dhe të Maries, markezati i kaloi djalit të madh Gulielmi IX, por nën tutelën e Kostantin Arianitit, si e kishte saktësuar në testament Bonifaci III Paleolog, ashtu si e kishte miratuar dhe perandori Maksimilian i Habsburgëve.

 

Gulielmi IX Paleolog, markezi i Monferrato (Portret i realizuar nga Macrino d’Alba)

 (Ndodhet në Santuarin e Assunta, Serralunga di Crea)

Monedha me vlerë 2 dukate ari, me portretin e Gulielmi IX dhe në faqen e pasme stema heraldike e familjes.

 

Gjatë dhjetë viteve të jetës në Monferrato, Maria ka lënë plot kujtime, që shprehin rolin e saj si markeze bashkëshorte e Bonifacit III Paleolog, si administratore e markezatit, si regjente e dy djemëve dhe si besimtare e denjë katolike. Në veçanti vlen të theksohet se stemat heraldike të Maries, shprehin politikën kulturore dhe fetare të saj si fisnike dhe njëkohësisht janë objekte të artit dekorativ në markezatin e Monferrato në vitet e fundit të shekullit XV. Disa prej objekteve të familjes, janë me rëndësi si relikua e këmbës së Shen Margeritës, e cila aktualisht ndodhet në muzeun e Duomo; stemat heraldike në kapitelet e kishës Shen Domeniko; vizatimet e stemave heraldike në tavanin e vilës të Paleologëve në Bekaris (Beccaris) në Monferrato Casale, portreti i saj në bazoriliev mermeri në kishën e Shen Françeskut si dhe antifonario FL8, që ndodhet në arkivin e katedrales të Monferrato, të konfirmuara me akt juridik administrativ që ishte dhuruar nga Maria.

Këto objekte, krahas vlerave artistike dhe kulturore shprehin pushtetin dhe memorien kolektive të Bonifacit III dhe Maries dhe janë realizuar nga viti 1485, viti i martesës të markezit Bonifaci III me princeshën Maria Arianiti Brankoviç, deri në vitin 1495, viti i vdekjes të Maries, ndërsa kompleksi i skulpturave mbi portën e kishës Shen Domeniko është më i vonshëm, pikërisht pas vdekjes së Maries. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII se colo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il Portico, Casale 1981)].

Një objekt me vlera, që shpreh personalitetin dhe rolin shoqëror dhe fetar të markezes Maria në Monferrato, është Antifonario (Antiphonarium festivum et commune sanctorum), i cili aktualisht ndodhet në Arkivin Historik të Katedrales Dioqezane. [Casale Monferrato, Archivio Storico Diocesano, fondo del Capitolo della Cattedrale, ms. FL8, f. 3v]

Antifonario është libër litugjik i fesë katolike, ku përmblidhen këngë gregoriane, psallme dhe hymne, të cilat këndohen nga kori dhe nga solista gjatë orëve kanonike të liturgjisë (Antiphonarium offici). Antifonario prezantohet si vëllim dorëshkrimesh, i pasuruar me miniatura me ngjyra. E veçanta e këtij antofonario është se në kornizën e poshtëme është stema heraldike e Maries, krahas stemave të familjes të markezëve Paleologa dhe të mbretit Liutprando. [Palmieri L., Alcune preziose oreficerie conservate nella Cattedrale di Casale Monferrato e a Moncalvo: nuovi contributi su un patrimonio ancora tutto da studiare, in Arte e carte nella diocesi di Casale, Provincia di Alessandria, Alessandria 2007, pp. 206-225.]

 

Antiphonarium festivum et commune sanctorum: Miniatura me stemat e markezëve të Monferrato, të mbretit Liutprando dhe të markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa.

 

Më 27 gusht 1495, ende pa mbushur 30 vjeç, Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe e varrosën krah bashkëshortit në kishën e Shen Françeskut në Monferrato Casale. Për fat të keq, varri i Maries u shkatërrua në vitin 1750, por ruhet një bazoriliev me portretin e saj, vepër e Matteo Sammicheli, bazoriliev, që aktualisht ndodhet i ekspozuar në Museun Civik të Monferrato. Vdekja e parakohëshme e Maries shkaktoi dhimbje dhe pikëllim për familjen dhe për banorët e Monferrato, por la pas kujtime të bukura, nderime dhe respekte, si figurë e shquar e administrimit të Monferrato, shtetit të vogël padan.

Manifesti i kuvendit historiko-kulturor “Tra oriente e occidente – Ndërmjet perëndimit dhe lindjes”, dedikuar markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, aktivitet i organizuar më 27 shkurt 2026, në sallën e Bibliotekës Komunale “Giovanni Canna” në Monferrato.

Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, mbesa e jonë arbërore, nuk njihet nga opinioni shqiptar, por njihet, vlerësohet dhe nderohet edhe në ditët e sotme nga institucionet dhe nga banorët e Monferrato.

Më 27 shkurt 2026, me nismën e Cirkut Kulturor “Markezët e Monferrato”, nën patronazhin e Komunës  Monferrato Casale dhe Provincës së Alessandria, u organizua një kuvend historiko-kulturor “Tra oriente e occidente – Ndërmjet perëndimit dhe lindjes”, dedikuar zonjës fisnike, markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa. Kuvendi u zhvillua në sallën e Senatit të Bibliotekës Komunale “Giovanni Canna” në Monferrato, me pjesmarrje masive të banorëve, të studiuesve dhe historianëve.

Në manifestin e këtij aktiviteti është vendosur fotografia me portretin e Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, e prezantuar me kurorën e fisnikërisë, portret i prezantuar për herë të parë publikisht.

Fjalën e hapjes të këtij aktiviteti e mbajti presidenti i Cirkut Kulturor “Markezët e Monferrato”; në vazhdim Marko Mazzoni prezantoi panoramën mesjetare të Monferrato dhe të dinastisë Paleologa; studiuesi Graziano Canestri foli për jetën e markezes Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, duke e trajtuar në kontestin gjeopolitik në marrëdhëniet ndërmjet lindjes dhe perëndimit në fund të shekullit XV; ndërsa studiuesja Manuela Lessio shtjelloi rolin si administratore të markezatit dhe aspekte të diplomacisë të Maries në dialogun interkulturor të mesjetës, të konkretizuar dhe në ditët e sotme.

 

Kthimi i Bonhoeffer në Epokën e Zotit të Plotfuqishëm

 

Një tekst i papërkthyer nga Paul Ricoeur rilançon teologjinë e një Zoti të brishtë dhe afër njeriut

VOAL- Njëzet e një vjet pas vdekjes së Dietrich Bonhoeffer, një teolog protestant gjerman, kundërshtar i nazizmit dhe viktimë e regjimit, filozofi francez Paul Ricoeur u rikthye për të reflektuar mbi disa tema qendrore të mendimit të tij. Ai e bëri këtë në vitin 1966, në një konferencë kushtuar “interpretimit jofetar të Krishterimit”, tani të përkthyer në italisht për herë të parë nga Morcelliana. Me Ilario Bertoletti, redaktor dhe përkthyes i vëllimit, Chiese në direkt diskutoi rëndësinë e Bonhoeffer sot dhe se si Ricoeur e shihte teologjinë e tij si një përgjigje radikale ndaj sfidës së Nietzsche-s “Zoti është i vdekur”. Sipas Bonhoeffer, nuk është Zoti i Jezu Krishtit që vdes, por Zoti “i përkohshëm” i fesë tradicionale: i plotfuqishëm, i largët dhe funksional për të zbutur frikën njerëzore. Sot, vëren Bertoletti, po dëshmojmë rikthimin e atij Zoti të plotfuqishëm, “Zotit të Ushtrive”, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Një Zot i thirrur në konflikte dhe në retorikën e identitetit, i cili e eklipson Zotin e dobët dhe mbështetës të shpallur nga Krishterimi. “Zoti i plotfuqishëm është më aktiv në botë se kurrë, në dëm të Zotit të dobët të Krishtit”, pohon ai.

E megjithatë, në korrik të vitit 1944, nga burgu Tegel i Berlinit, Bonhoeffer shkroi fjalë të një natyre krejtësisht të ndryshme: “Zoti lejon veten të dëbohet nga bota në kryq. Zoti është i pafuqishëm dhe i dobët në botë. Dhe pikërisht në këtë mënyrë ai qëndron pranë nesh dhe na ndihmon.” Më pak se një vit më vonë, ai do të vritej nga nazistët, vetëm 39 vjeç. Megjithatë, këto fjalë vazhdojnë të sfidojnë: si mund të jetë Zoti i dobët, madje i dëbuar nga bota? A është mendimi i dëshpëruar i një të burgosuri apo gjurma e një teologjie të aftë për ta marrë seriozisht vdekjen e Zotit të shpallur nga Nietzsche? Njëzet vjet më vonë, Ricoeur iu drejtua këtyre pyetjeve në leksionin që tani është botuar. Një filozof hermeneutik dhe një protestant i përkushtuar, Ricoeur u angazhua gjerësisht me teologjinë e shekullit të njëzetë (nga Barth te Bultmann, te Bonhoeffer) ndërsa mbronte një “agnosticizëm teologjik-filozofik”, domethënë autonominë e mendimit filozofik nga besimi. Në vitet 1960, ndërsa debati kulturor sillej rreth vdekjes së Zotit, Ricoeur iu afrua këtyre temave përmes angazhimit me “shkollën e dyshimit”: Marksi, Nietzsche dhe Freud. Hermeneutika e tij iu përgjigj kritikave të tyre ndaj fesë, duke vënë në pikëpyetje vetë mundësinë e një diskursi teologjik të besueshëm. Është në këtë klimë që mendimi i Bonhoeffer-it zë përsëri vendin qendror.

Në Letrat e tij të Burgut, teologu shkroi: “Po shkojmë drejt një kohe krejtësisht jofetare”. Për të, feja nënkuptonte mbi të gjitha metafizikën: një Zot të plotfuqishëm, garantues të rendit botëror dhe një të krishterë të tërhequr në brendësinë e tij. Por ky Zot, argumenton Bonhoeffer, nuk mund t’i rezistojë më modernitetit, teknologjizimit dhe sekularizimit. Sfida, pra, është të shpallim Zotin e Jezu Krishtit te një qenie njerëzore që mund të bënte pa të. Një Krishterim jo-fetar nuk është një Krishterim i zbrazët, por një Krishterim i çliruar nga Zoti i hapave të përkohshëm, i aftë të kuptojë thelbin e besimit: një Zot që hyn në histori, që vuan, që e ekspozon veten ndaj dobësisë. “Zoti i metafizikës vdes, Zoti i Krishtit lind”, përmbledh Bertoletti. Ky depërtim nuk mund të ndahet nga biografia e Bonhoeffer. I arrestuar në vitin 1943 për ndihmën e hebrenjve të persekutuar dhe i përfshirë në rezistencën e fshehtë, ai e zhvilloi teologjinë e tij duke përjetuar dhunën e pushtetit nga afër. Krishterimi i tij jo-fetar nuk është një ushtrim teorik, por një besim që refuzon të gjejë strehë në pyetjet përfundimtare, duke iu drejtuar në vend të kësaj zemrës së jetës, me kontradiktat dhe përgjegjësitë e saj. Për Bertoletti-n, rëndësia e Bonhoeffer qëndron pikërisht këtu: dallimi midis fesë dhe besimit. Sot, Zoti i fesë (politik, i bazuar në identitet, qetësues) duket se mbizotëron përsëri, në dëm të Zotit të besimit, Zotit që jep dhe ekspozon veten. Kjo mund të shihet në retorikën fetare që shoqëron luftërat në shumë pjesë të botës, me diskurse politike që pretendojnë një mandat hyjnor. Trashëgimia e Bonhoeffer, i cili vdiq për zgjedhjen e tij për t’i rezistuar nazizmit, është një thirrje e vështirë: të takojmë Zotin jo në kufijtë e ekzistencës, por në qendrën e saj të trazuar. Një Zot i afërt, i mishëruar, i cili nuk na largon nga kompleksiteti i jetës, por e ndan atë. Një Zot i cili, pikërisht në dobësinë e tij, i fton qeniet njerëzore të mos ikin nga përgjegjësia e tyre në botë. RSI

Reliket e D’Artagnanit në një Kishë të Maastrichtit?

Një zbulim po e sjell përsëri në qendër të vëmendjes veprën “Tre Musketjerët” e Alexandre Dumas.

VOAL- Një skelet është zbuluar në Maastricht të Holandës, që mund t’i përkasë D’Artagnanit të vërtetë. Ka shumë të dhëna, por ADN-ja do të ketë fjalën e fundit. Për shekuj me radhë, mbeti vetëm legjenda: kapelja me pendë, shpata, miti. Tani, nën pllakat e Kishës së Shenjtorëve Pjetër dhe Pali, një trup i vërtetë është rishfaqur. Punëtorët po riparonin dyshemenë, të dëmtuar nga një fundosje, kur u zbulua një varrim nën dhe. “Ata vunë re skeletin aty ku dikur qëndronte altari. Vetëm mbretër ose njerëz të rangut të lartë ishin varrosur atje”, shpjegon dhjaku Jos Valke. Ky nuk është një detaj i vogël: Charles de Batz de Castelmore, Konti D’Artagnan, D’Artagnan i vërtetë që frymëzoi Dumas, ishte një njeri shumë i afërt me Louis XIV, komandant i musketëve të mbretit, i cili vdiq në Maastricht në vitin 1673 gjatë rrethimit francez, me shumë mundësi i goditur në fyt nga një top musketi. Dhe në varr, grumbullohen të dhëna: një monedhë franceze e shekullit të 17-të, mbetjet e një plumbi dhe mbi të gjitha, ai vend, afër kampit francez dhe aq prestigjioz sa duket pothuajse si një nënshkrim. “Pikërisht nën një altar: është e vështirë të gjesh më të shenjtë se kjo. Duke i bashkuar të gjitha, hipoteza na duket shumë e besueshme”, thotë arkeologu Wim Dijkman. Por studiuesit po e zbehin entuziazmin e tyre: tani nevojiten prova shkencore. ADN-ja u mor nga një kockë nofulle dhe do të krahasohet me atë të pasardhësve të familjes De Batz. “Ky është bërë një hetim shumë i nivelit të lartë”, thekson Dijkman. “Ne duam të jemi absolutisht të sigurt, ose të paktën sa më të sigurt të jetë e mundur.” Prandaj, prova vendimtare ende nuk ka mbërritur. RSI

Prof. PËLLUMB BITRI- Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA Siena – Itali.

 

Vitet e studimeve në Fakultetin e Mjekësisë të Universtitetit të Tiranës, ishin periudha më e bukur për gjeneracionin tonë bloomer, ishin vitet e një rinie modeste, dinamike dhe entuziaste, me dëshirë e vullnet për t’u formuar profesionalisht, ishin dhe vite argëtimesh rinore, ndonëse të pakta, por plotësonin jetën tonë aktive.

Një aspekt i veçantë i jetës studentore në vitet 1965 – 1970 ishin raportet me pedagogët tanë, shumica të diplomuar në universitete të huaja, me formim të lartë profesional, specialistik dhe shkencor. Në gjeneracionin e pedagogëve të atyre viteve, një ndër më të shquarit ishte Prof. Pëllumb Bitri, i diplomuar mjek në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e qytetit Gorki në Bashkimin Sovjetik, madje u diplomua dhe në filozofi. Pas përfundimit të studimeve, në vitin 1954 Prof Pëllumb Bitri themeloi katedrën e Anatomisë Patologjike në Institutin e Mjekësisë dhe të shkollës shqiptare të morfologjisë. Prof Pëllumbi ishte specialist i klasit të lartë, studiues shkencor, ligjërues elekuent.

Për merita në aktivitetet shkencore dhe didaktike, në vitin 1961 fitoi gradën akademike “Docent”.

Në vitin 1966, bototi tekstin “Patologjia morfologjike”, teksti universitar i pari në historinë e Fakultetit të Mjekësisë. Në ato vite, lëndët e tjera ne i studionim me shënime nga leksionet dhe disa prej tyre me dispensa, që ishin përshtatje dhe përkthime jo cilësore të teksteve të autoreve sovjetikë, ndërsa me tekstin universitar të Prof Pëllumbit studionin studentët shqiptar, më pas sudentët kosovar dhe shqiptarët në Maqedoni. Për botimin e tekstit “Patologjia morfologjike”, Prof. Pëllumb Bitri u nderua me “Çmimi i Republikës” dhe dy vite më pas u dekorua me urdhërin “Naim Frashëri” dhe çmimi “ Punonjës i Dalluar i shkencës dhe i teknikës”.

Prof. Pëllumbi ishte pedagog me formim kulturor të admirushëm, ishte poliedrik, njohës kompetent i historisë dhe i kulturës kombëtare dhe botërore, njihte dhe këndonte bukur rreth 50 arie të muzikës operistike klasike; ishte pedagog i kompletuar në të gjitha aspektet, ishte shkencëtari që gëzonte respekt dhe admirim nga kolegët dhe sidomos nga sudentët. Studentët e kishin idhull, e admironin dhe e nderonin, ishte pedagogu ideal, ligjëruesi elekuent, oratori i paimitushëm. Ai shquhej për metodikën didaktike të zhvillimit të leksioneve dhe mësimeve praktike. Në leksionet e tij, auditori mbushej plot dhe ligjëratat e tij i ndiqnin jo vetëm studentët, por dhe mjekët që kryenin specializimin pasuniversitar. Prof. Pëllumbi ishte pedagog me kulturë të kompletuar, erudit dhe poliglot, zotërues i gjashtë gjuhëve të huaja.

Në mbledhje të ndryshme të fakultetit, Prof Pëllumbi shquhej për oratorinë në diskutimet dhe trajtimin me kompetenca e me argumenta të problemeve që analizoheshin, duke krijuar miratim dhe admirim nga auditori.

Ai mbetet simbol i pedagogut, që me dinjitet dhe aftësi profesionale dhe shkencore, kontribuoi në edukimin dhe formimin profesional të dhjetramijëra mjekëve, si dhe në veçanti në specializimin pasuniversitar të mjekëve në anatomominë patologjike. Gjithë jetën punoi me përkushtim për krijimin e një mjekësie të niveleve shkencore bashkëkohore, si dëshmojnë studimet e botuara në revista shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe shumë referime në sesione, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare.

Prof. Pëllumb Bitri është autori dhe bashkautori i 25 teksteve dhe monografive shkencore, madje bashkautor dhe i dy manualeve didaktike të anatomisë patologjike të botuara në Spanjë.

Për merita shkencore dhe didaktike, në vitin 1970, Pëllumb Bitri fitoi titullin akademik Profesor.

Në vitet 1970 – 1971, Prof. Pëllumbi zhvilloi një cikël me ligjerata në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Studentët kosovar i frekuentonin masivisht ligjeratat e tij, madje asistonin dhe studentë të kurseve të larta, pedagogë dhe mjekë. Ligjeratat e Prof Pëllumbit, kanë lënë mbresa të pashlyeshme ndër pedagogët dhe studentët kosovar, sa në ditët e sotme kujtohet me nderime, si eksperiencë e rrallë dhe e pa përsëritshme.

Në vitin 1972 u dërgua në Francë për të kryer një specializim gjashtë mujor në fushën e mikroskopisë elektronike në Institutin e Studimeve Shkencore “Goustave Rousy“ në Villejuif, Paris, të drejtuar nga Prof. Wilhelm Bernard. Gjatë periudhës që punoi në këtë Institut Prof. Pëllumb Bitrin e bënë anëtar nderi të Shoqatës Franceze të Mikroskopisë Elektronike. Pas specializimit në Francë, Ai u impenjua të aplikoi këtë eksperiencë në Shqipëri, por fatkeqësisht, burokracia nuk i dha këtë mundësi, përkundrazi e pengoi, sepse mikroskopin elektronik e vendosën në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Në fund të vitit 1972, Prof. Pëllumbi pati një debat konfliktual në katedër me tre asistentët e tij dhe Byroja e Partisë së Punës dhe dekanati i fakultetit, organizuan një mbledhje kolektivi ku asistuan pedagogë të shumtë dhe plot studenta, një mbledhje për diskutimin e situatës në katedër sipas modelit kinez, duke e bërë publik konfliktin. Por ndryshe, si kishin parashkuar partiakët, nga kjo mbledhje, Prof. Pëllumb Bitri doli fitimtar, më i fortë dhe më shumë i respektuar dhe i nderuar nga kolegët, në veçanti nga sudentët, ndërsa tre asistentët e tij

u kritikuan dhe u diskredituan para pjesmarrësve dhe nga kolegët e katedrave të tjera.

Pas përfundimit të këtij debati, dekanati dhe byroja e Partisë Punës e fakultetit vendosën qarkullimin e Prof.

Pëllumbit dhe të tre asistentëve të tij, të cilët u zevendësuan me pedagogë të rinj por pa përvojë pedagogjike.

Prof. Pëllumb Bitri ishte intelektuali, pedagogu “rrebel”, personaliteti publik, intelektual i shquar, patriot i çështjes  kombëtare, i cili me kurajo dhe dinjitet ndoqi rrugën e të vërtetës, të progresit social, kulturor dhe shkencor të shoqërisë shqiptare, duke u bërë intelektuali protagonist i kohës së tij.

Në shtator të vitit 1973, Prof Pëllumb Bitrin e qarkulluan, e transferuan ne Spitalin Civil të Elbasanit, në shërbimin e anatomisë patologjike. Ardhja e tij në spitalin e Elbasanit shënoi një rritje cilësore të shërbimit të anatomisë patologjike. Me insistimin e Prof Pëllumbit u masivizua praktika e biopsive, si kriter i domozdoshëm për diagnozën e herëshme të sëmundjeve, për shkurtimin e ditëqëndrimeve dhe uljen e kostos të sëmurëve të shtruar në pavionet e spitalit. Prof. Pëllumbi e rriti cilësinë e ekzaminimeve histopatologjike, aplikoi për herë të parë ekzaminimet histokimike dhe ekzaminimet e para imunohistokimike, duke e rritur nivelin shkencor të diagnozës të sëmundjeve.

Në vitin 1974, Prof Pëllumbi u bë organizatori i sesionit të parë shkencor të spitalit të Elbasanit, një aktivitet dinjitoz e me nivel, ku spikati aftësia e tij organizative dhe niveli i lartë shkencor i referimeve të tij në këtë aktivitet, madje prezantova dhe unë referatin e parë shkencor si bashkautor me Prof. Pëllumbin. Një kontribut të veçantë dha në organizimin e konferencave anatomo-klinike, një aktivitet ku u shqua me diskutimet e tij të nivelit shkencor, çka ndikoi ndjeshëm në rritjen e nivelit dhe të cilësisë të shërbimeve klinike.

Gjatë dy viteve që punuam së bashku, unë mësova shumë prej tij, Ai e pasuroi me njohuri profesionale dhe shkencore formimin tim. Prof Pëllumbi ishte pedagogu im në vitn e tretë të Fakultetit të Mjeksisë, pedagog autoritar dhe i respektuar nga studentët, por gjatë viteve që punuam së bashku, nuk mbajti distancë me mua si ish studenti i tij, përkundrazi krijoi raporte miqësore dhe një bashkpunim profesional, që rritej e forcohej nga dita në ditë, madje krijuam nje konfidencë dhe besim reciprok në marrdhëniet tona. Miqësia mes nesh ishte si vena e vjetër, sa më shumë kohë kalonte, aq më e fortë dhe e qëndrushme bëhej, pavarësisht se disa mendje shtjerrakeqe ishin përpjekur me të gjitha mënyrat për ta sabotuar miqësinë tonë. Së bashku ndamë të mirat, së bashku pësuam dhe të këqiat dhe intrigat e politikës absurde të asaj kohe të mbrapshtë, së bashku i vuajtëm pasojat e krijuara nga prapaskenat e intrigantëve, cmirëzinjëve dhe sulmet e mediokërve e të karieristave, që drejtuan deri në rrënim vendin tonë.

Në fillim të vitit 1975 edhe mua më qarkulluan, më dërguan mjek i përgjithshëm në Ndërmarrjen Bujqësore Belësh, pikërisht shërbeja në qendrat shëndetësore të sektorëve Fierzë, Çepa, Kosova, Çorraga dhe Dragoti. Prof. Pëllumbi mbeti vetëm, duke përballuar një vëllim pune më të madh, se në vitet kur punonim së bashku. Partiakët nuk u mjaftuan me kaq, por e urdhëruan të merrte në Elbasan dhe bashkëshorten Dr. Fina me fëmijët.  Deri në këtë kohë Prof Pëllumbi ishte sistemuar në një dhomë komode në spitalin distrofik, por më ardhjen e familjes u vendosën në një apartament.

Këto vendime absurde nuk e thyen karakterin e fortë të Prof. Pëllumbit, përkundrazi, të gjithë këto situata të vështira i përballoi me kurajo dhe me dinjitet. Në Elbasan gëzonte respekt, simpati dhe adimirim si nga kolegët dhe nga banorët.

Bashkëshortja Dr. Fina, specialiste pediatre, gëzonte respekt dhe simpati si nga personeli mjekësor dhe nga pridërit që e takonin gjatë vizitave të fëmijëve. Me profesionalitetin, me sjelljen fisnike dhe komunikimin me kulturë, Dr Fina fitoi një respekt të veçantë dhe admirim nga banorët e Elbasan të Librazhdit dhe të Gramshit.

Në vitin 1979 Prof. Pëllumb Bitrin e kthyen në Tiranë, e emëruan drejtues i shërbimit të anatomisë pato-logjike të spitaleve dhe shefi i lëndës të anatomisë patologjike në Fakultetin e Mjekësisë. Në fakt ishte ndjerë ndjeshëm mungesa e tij, askush nuk arriti të zëvendësonte autoritetin, prestigjin dhe formimin e tij profesional dhe shkencor.

Nga viti 1980 deri në vitin 1985, nën drejtimin e Prof Pëllumbit anatomia patologjike mori formën dhe

nivelin shkencor, si një ndër qendrat më të rëndësishme të didakditës dhe të studimeve shkencore në Fakultetin

e Mjekësisë. Brenda pesë viteve, Prof Pëllumbi organizoi dhe drejtoi një seri studimesh shkencore dhe të gjithë pedagogët efektivë dhe pedagogët e jashtëm të anatomisë patologjike, mbrojtën dhe fituan tituj shkencor si kandidat shkencash, doktor shkencash dhe titullin akademik docenta. Në këtë grup ai përfshiu dhe ish asistentat e tij, që dikur e kishin sulmuar padrejtësisht e me tendenciozitet. Anatomia patologjike, ishte e vetmia lëndë në Fakultetin e Mjekësisë, ku të gjithë pedagogët efektivë dhe të jashtëm ishin me tituj dhe grada shkencore dhe kjo për meritën e pa diskutushme të Prof. Pëllumbit.

Në vitin 1992, me një vendim paradoksal të administratës Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Pëllumb Bitri doli në pension, si kuptohet pension parakohe, ndërkohë që në vendet demokratike, profesorat e kalibrit të Prof. Pëllumbit pensionohen mbi 75 vjeç, madje, ndonëse pensionista mbahen në shërbimet e anatomisë patologjike si konsulenta dhe ligjërues me studentat dhe me mjekët, që ndjekin kurset e specializimit pasuniversitar.

Përsëri një padrejtësi ndaj tij, një vendim politik absurd, një largim nga fakulteti në kulmin e përvojës dhe

formimit të tij profesional dhe shkencor. Drejtuesit e Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë e larguan si pedagog, e braktisën Prof. Pëllumbin. Për ironi të jetës dhe të shkencës, në Shqipëri Prof Pëllumb Bitrin nuk e vlerësuan për aftësitë pedagogjike dhe shkencore, andaj burokratët pseudodemokratë e nxorrën në pension, si thonin latinët: “Nemo propheta acceptus est in patria sua”.

Pas këtij vendimi absurd, Prof. Pëllumbi, së bashku me familjen, në vitin 1991 emigroi në Spanjë, ku jetuan në Bilbao. Ndonëse pensionist dhe emigrant, Prof. Pëllumb Bitri nuk u dorëzua, nuk u thye para këtij fati të pamerituar, nuk pranoi të bëjë jetën pasive të emigrantit pensionist, përkundrazi, me karakterin e tij të fortë dhe të papërkulur, me personalitetin e intelektualit dhe shkencëtarit dinjitoz, Prof Pëllumb Bitri u integrua në jetën akademike të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Publik De Pais Vasco në Bilbao. Stafi i departamentit të anatomisë patologjike i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Bilbao e mirëpriti dhe i vlerësoi aftësitë e didaktike dhe shkencore të Prof Pëllumb Bitri, andaj e pranuan pedagog efektiv, ku mbajti leksione dhe drejtoi seminaret me studentët e vitit të tretë mjekësi dhe stomatologji, si dhe me mjekët në kurset e specializimit pasuniversitar. Për aftësitë e tij të shquara didaktike dhe shkencore, brenda vitit, Prof. Pëllumb Bitrin e zgjodhën anëtar i Këshillit Shkencor të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit Publik De Pais Vasco në Bilbao. Në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Bilbao, Prof Pëllumb Bitri punoi 15 vjet. Gjatë atyre viteve Prof. Pëllumbi, në bashkpunim me Prof. Jose Maria Rivera Pomar pergatiten dhe botuan: “Manuali i anatomisë patologjike” për studentët e mjeksisë dhe “Manuali i patologjisë maksillofaciale për studentët e stomatologjisë.

Më 13 nëntor të vitit 2016, në moshën 88 vjeçare, Prof. Pëllumb Bitri u nda nga jeta.

Gjatë kohës që jetoi në Itali, kam pasur fatin të takohem dhe të njihem me opinionet për meritat dhe vlerat dedaktiko-shkencore të Prof. Pëllumb Bitri, të shprehura nga disa personalitete të anatomisë patologjike si Prof. Hans Cottier (Drejtori i Institutit të Anatomisë Patologjike në Universitetin e Bern – Zvicër), Prof. Piero Tosi (Drejtori i Institutit të Anatomisë Patologjike në Universitetin e Sienës-Itali), Prof. Jose Maria Rivera Pomar (Drejtor i Departimentit të Anatomisë Patologjike të Universitetit Publik De Pais Vasco në Bilbao – Spanjë), Prof Gallo D’Amato (Drejtor i Departamentit të Anatomisë Patologjike në Universitetin “Sapienza”, Roma – Itali); Prof Juan Rosai (Drejtor i Departimentit të Patologjisë në Universitetin e Yale në USA dhe drejtor i Departimentit të Patologjisë në Institutin Nacional të Tumoreve në Milano – Itali) etj.

Vlerësimet për Prof Pëllumbin nga këto eminenca botërore të anatomisë patologjike, janë sfida ndaj mediokërve shtjerrakeqës në Shqipëri, të cilët nuk ia vlerësuan meritat pedagogjike dhe shkencore, madje e braktisën Prof Pëllumb Bitrin, ndërsa në Francë, Spanjë, Itali, Kosovë etj., e vlerësonin dhe e ngritën në piedestalin e shkencëtarit.

MARIA, VAJZA E ANGJELINA ARIANITIT DHE E STEFANIT III BRANKOVIÇ (8)- Nga Lutfi ALIA Siena – Itali

 

 

Nga martesa e Angjelina Arianitit me Stefanin III Brankoviç lindën pesë fëmijë. Në vitin 1461, në Durrës u lind Gjergji, të cilin e pagëzuan me emrin e gjyshit Gjergj Arianiti, ndërsa kur u shugurua murg, mori emrin Maksim. Në vitin 1462 në Durrës u lindi vajza Irena, e cila vdiq tre muaj pas lindjes, ndërsa tre fëmijët e tjerë lindën kur u transferuan në Friuli – Itali. [Perego Stefano, Smilgevicius Kestutis. 2024, A proposito del Diarium primum di Angelo Massarelli, pp. 4-10].

Në vitin 1462 vdiq princi Gjergj Arianiti. Bashkëshortjë e tij baronesha Petrina Frankone Arianiti e mbetur e vè, bashkë me tre djemtë dhe vajzën, në verën e vitit 1463 u kthye në Pulja, në trojet e prindërve në feudin e Taurisano në Salento e më pas shkuan në Venecia. Angjelina me Stafanin III dhe djalin Gjergji, mbetën vetëm në Durrës. Në rrethanat e vështira që po kalonte Arbëria, Gjergj Kastrioti dhe Andronika i këshilluan Stefanin dhe Angjelinën të shkonin në Milano, madje iu dhanë letër rekomandimi për Dukën Sforca të Milanos.

Fillimisht Angjelina me Stefanin dhe djalin Gjergji shkuan në Venecia, madje lundruan në të njejtën anije me motrën Andronika Kastriotit, me djalin 9 vjeçar Gjoni II Kastrioti dhe Ipeshkëvin Pal Engjëlli, të cilët do të prezantoheshin para Senatit të Venedikut, për t’i njohur Gjonit II Kastrioti, të drejtat e fisnikërisë Veneciane, si ua kishte kërkuar Gjergj Kastrioti me letrën e 20 gushtit 1463. Më 25 shtator 1463, Angjelina asistoi në ceremoninë e shpalljes të Gjoni II Kastrioti, anëtar i Këshillit të Lartë të Bujarëve Venedikas, me diplomën e dhënë nga Dozha Kristoforo Moro. [Dorit Raines. Storia di Venezia Cooptazione, aggregazione e  presenza al Maggior Consiglio: le case del patriziato veneziano, 1297 – 1797. In Storia di Venezia, I, 2003, pp. 3 – 8]. [Marin Sanudo il Giovane. Vitae dei Dogi 1423 – 1473. Venezia  1999, Tom. 1. pp.183]

Angjelina dhe Stefani III me djalin Gjergji, qëndruan në Venecia, me shpresë se do të ndihmoheshin nga Serenissima, sepse Stefani III, nga viti 1441 ishte patric venecian, ashtu si dhe Angjelina, sipas marrëveshjes të vitit 1456, të Gjergj Arianitit me Dozhën eVenedikut Françesko Foskari, ajo dhe familja ishin në mbrojtje të Serenissima. Stefani III dhe Angjelina nuk e gjetën përkrahjen financiare nga Serenissima. [Aleksandar Fotic (2008) Famiglia Brankovič. Enciclopedia dell’Impero Ottomano. New York: Pubblicat. Infobase. pp. 93 – 94]. [Giuseppe Bettinelli: Dizionario storico – portatile di tutte le  venette patrizie famiglie. Venezia, 1780, f. 48]

Në këto rrethana, u transferuan në Friuli, ku u vendosën në kështjellën e Belgradit pranë lumit Taliamento, në Varmo (Udine), kështjellë të cilën Stefani III dhe e motra Katarina (e martuar me kontin Ulriku II i Celje të Kroacisë), ia kishin blerë kontit Leonardo i Gorizia. [Altan Mario Giovanni Batista. Stefano Brankovič despota di Serbia ed il castello di Belgrado nel Friuli, secolo XV: Revista Friulane. Atti dell’Accademia di scienze lettere e arti di Udine, 1981, pp. 15 – 29].

Në vitet që jetuan në kështjellën e Belgradit në Varmo, lindën dhe tre fëmijë: vajzën Milica (1464) djalin Gjoni (Johann) (1465) dhe vajzën Maria (1466), të cilën e pagëzuan me emrin e gjyshes Maria Muzaka.

Më 9 tetor 1476, vdiq Stefani III Brankovič. E varrosën në Friuli. E detyruar nga vështirësitë ekonomike, Angjelina vendosi të largohej nga Venecia. Në vitin 1478, i kërkoi ndihmë Perandorit Frederikut III Habsburg i Austrisë, i cili e ftoi dhe i dhuroi kështjellën Weitensfeld, në Dukatin e Stiria, në juglindje të Austrisë, fqinje me Karincia dhe Slloveninë. Angjelina me fëmijët jetoi 10 vite në Stiria, natyrisht me mbështetje financiare nga Perandori Frederiku III, si dhe me ndihmat që i dërgonte e motra Andronika Kastrioti.

Në vitin 1485, Perandori Frederiku III ndërmjetësoi te Angjelina, për martesën e vajzës Maria me markezin Bonifacio III i Monferrato, pasardhës i dinastisë Paleologu i Bizantit në Itali, fisnik shumë i pasur, markezi i shtetit të Monferrato në Padania, i cili ishte vasal i Frederikut III të Austrisë. Pas divorcit më gruan e parë Orvietana di Campofregoso, në vitin 1484 i vdiq dhe gruaja e dytë kontesha Elena di Bresse. Ashtu si i vëllai Gulielm VIII dhe Bonifaci III kishin mbetur pa trashëgimtarë, andaj për të garantuar vazhdimësinë e dinastisë, Bonifaci III vendosi të martohet për të tretën herë. Në vitin 1485 me ndërmjetësinë e perandorit Frederiku III, markezi Bonifaci III 61 vjeçar, u martua me të bukurën Maria Brankoviç, që ishte 19 vjeçe. Martesa u celebrua me prokurë në Innsbruck më 17 tetor 1485, në mungesë të Bonifacit III, por në prani të nënës Angjelina Arianiti Brankoviç, të dy vëllezërve dhe të motrës Milica dhe të fisnikëve të oborrit Habsburgëve. Pas ceremonisë së martesës, Maria u kthyen në Monferrato e shoqëruar nga Angjelina Arianiti dhe nga një grup diplomatësh Habsburgë. Nga lidhja martesore e Bonifacit III me Marie Arianiti Brankoviç lindën dy djem: Guglielmo IX (10 gusht 1486) dhe Gian Giorgio (21 janar 1488). Lindja e djemëve u përshëndet nga kronistët e kohës dhe të oborrit të Habsburgëve, të cilët e cilësuan Marien shpëtimtaria e markezatit të Monferrato. [Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 – 45]

Markezia e re Maria ushtroi rol me rëndesi në drejtimin shtetit të vogël dhe të pasur të Monferrato. Markezi

Bonifaci III ishte i moshuar dhe nuk mund të ndiqte të gjitha aktivitetet e shtetit të tij, andaj adminsitrimin e pronave dhe regjencën e djemëve të mitur ia besoi bashkëshortes. Disa muaj më pas, me propozimin e Maries, i kërkuan Kostantin Arianitit, të bashkëpunonte si administrator i markezatit. Kostantin Arianiti, daja i Maries, e pranoi menjëherë ftesën, kësisoj në vitin 1486 e la detyrën e Protonotarit Apostolik në Vatikan dhe kaloi në shërbim të mbesës Maria. Kostantin Arianiti u bë personi i besueshem i Markezit Bonifaci III, si vërtetohet në testamentin e 11 majit 1491 të Bonifacit III, i cili e emëroi bashkëregjent i djemëve, që ishin ende të mitur. Bonifaci III, i vlerësoi aftësitë e Kostantinit dhe krahas detyrës të bashkadministratorit të shtetit të Monferrato në Padania, në vitin 1489 e martoi me vajzën e tij Franceska Paleologa, e cila ishte e bija e tij jolegjitime, por e njohur zyrtarisht nga markezi. [Lutfi Alia, Kostantin Arianiti Komneni, botim në Issue. com, Mars 2014].

Pas vdekjes të Bonifacit III më 1494 (u varros në kishën Shen Francesko në Casale), Maria mori drejtimin e markezatit dhe regjencën e fëmijëve, së bashku me dajën e vet, Kostantin Arianitin. Maria ishte autoriteti suprem i markezatit që në fund të vitit 1485, si ishte shprehur dhe Bonifaci III në testamentin e fundit të vitit 1491, duke e cilësuar Marien pronare e markezatit dhe regjente e djemëve pas vdekjes së tij. [Haberstumpf W, Il marchesato di Monferrato tra crociate e ricordi delle trascorse glorie oltremarine (secoli XV-XVI), in “Bollettino storico-bibliografico subalpino”, CXXI (2023/1), pp. 167-188].

Kur Maria arrijti në Monferrato në vitin 1485, pruri dhe stemën heraldike të familjes, e prezantuar me mburojën e ndarë në dy pjesë, në të djathtë fasha e kuqe dhe e bardhë, që ishte stema e Habsburgëve, ndërsa në gjysmën e majtë në pozicion diagonal, në sfond të kuq dy shqiponja dykrenëshe ngjyrë të artë, të dinastisë Arianiti dhe dy luanë të kuq në pozicion të ngritur mbi këmbët e pasme, të stemës heraldike të Brankoviçëve. Maria, markezia e Monferrato, kishte dhe vulë me këtë stemë heraldike, por kjo vulë ka humbur.

 

Stema heraldike e Maria Brankoviç dhe stema heraldike e Gjergj Arianiti.

(Benvenuto Biandrate di San Giorgio, Ragionamento familiare…, ms., Archivio di Stato di Torino, Paesi, Monferrato, Storia e genealogie, m. 1, f. 473r).

 

Në lidhje me shqiponjën e artë dykrenëshe, një grup studiuesish italianë bëjnë interpretime të gabuara, duke ia dedikuar dinastive serbe, por si me të drejtë spjegojnë një grup historianësh dhe ekspertësh të heraldikës, Brankoviçët në stemën heraldike kishin mburojën me luanin e kuq ngritur mbi dy këmbët e pasme në sfond floreal blu, madje kjo stemë ishte dhe në vulat e dhespotëve. Kështu p.sh xhaxhai i Maries, dhespoti Lazar Brankoviçi, në vitin 1457, në një kuitancë blerje malli në Raguza, kishte vulosur me dyll në letër, me vulën e tij, e cila në brendësi të mburojës ka luanin ngritur mbi dy këmbët e pasme dhe helmetën me brinjët e demit. Të njëjtën vulë kishte dhe Stefani III Brankoviç, babai i Maries, por vlen të theksohet se në kohën kur Stefani III ishte dhespoti i Serbisë, kishte vënë në qarkullim një monedhë me shqiponjën me një kokë dhe me helmetën me brinjët e demit. Edhe Katarina, motra e Stefanit III, kishte stemën me mburojën me në qendër luanin e ngritur mbi dy këmbët e pasme. Shqiponjën dykrenëshe e përdori në vitin 1492 i vëllai i Maries, Gjergji kur ishte dhespot, e më pas u shuguruar murg me emrin Maksim.

Natyrisht shqiponja e artë dy krenëshe e integruar në stemën heraldike të Markezatit të Monferrato, ishte ndikim i Angjelina Arianitit, e cila me të drejtë kishte sugjeruar, që Maria të përfaqësohet me stemën heraldike të dinastisë Arianiti. [Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 – 45]

Pas martesës më Bonifacin III, stema heraldike e Markezatit të Monferrato u modifikua. Në këtë stemë të re, në kuadratin e sipërm djathtas të mburojës, në sfond të kuq u vendos shqiponja e artë dy krenëshe e Arianitëve, në qendër kryqi tetragramat i dinastisë Paleologo, që shprehte një moto kristologjike bizantine të origjinës së hershme të dinastisë Bonifaci, kryq që ishte dhe në stemën Gulielmit VIII Bonofaci. Në kuadratin e sipërm majtas, në pozicion vertikal shiritat të kuq e të verdhë të Paleologëve; poshtë në gjysmën e djathtë të mburojës dy peshq në pozicion vertikal në sfond blu, elemente të stemës të Bonifacit III; në kuadratin poshtë majtas, në këndet e kryqit katër brirët e demit të stemës Brankoviçëve dhe në qendër një mburojë e vogel më sfond të kuq e të bardhë, e stemës heraldike te Habsburgëve të Austrisë. [Haberstumpf, Walter (2009). Regesti dei Marchesi di Monferrato (sec IX-XVI). Alessandria: San Giorgio Editrice.]

Kjo stemë dhe objekte të tjera të Maries dhe të Bonifacit III, ruhen në Monferrato dhe janë përfshirë në historinë e arteve dekorative dhe punimet artistike e letrare të Noemi Gabrielli, të prezantuara në ekspozitën e Gotikut torinez dhe të Rilindjes piemonteze të organizuar nën kujdesin e Vittorio Viale. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII se colo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il Portico, Casale 1981].

 

Stema e markezëve të Monferrato: Bonifaci III Paleologu dhe Maria Arianiti Brankoviç.

(Stemmario trivulziano, Milano, Arkivi Historik Qytetar dhe Biblioteka Trivulziana, Cod. Triv. 1390, p. 322)

 

Si thekson historiania Luisa Clotilde Gentile në studimin e saj (faqe 32), nuk dihet kush ishin autorët e kësaj steme të re, ndofta ishte kompozuar nga specialistë të oborrit të Habsburgëve, ose ndofta ishte një ripunim nga mjeshtrat e Monferrato, të cilët krahas pjesëve nga stema e Bonifacio III dhe të Brankoviçëve, kishin marrë në konsideratë dhe sugjerimet e Nënë Angjelinës, lidhur më praninë e shqiponjës dy krenëshe me ngjyrë të artë, që ishte stema heraldike e të atit, princit Gjergj Arianiti. Kjo stemë e markezëve Maria dhe Bonifaci III ka një strukture kulturore, sociale, fetare, historike dhe politike ndryshe nga stemat tradicionale të fisnikërisë të vendeve perëndimore, sepse ka bashkim elementesh të stemave të tre familjeve, madje dhe të Habsburgëve. [Luisa Clotilde Gentile. Dai Balcani al Monferrato: memorie araldiche di Maria di Serbia. Riletture e nuove attribuzioni. Palazzo Madamme 2024 – 2025, pp. 30 – 45].

Maria Arianiti Brankoviç dispononte një repertor të gjërë shenjash identifikuese dhe relike fetare familjare, që e prezantonin publikisht si bashkëshortja e markezit të Monferrato – Bonifacio III Paleologu.

     Më 27 gusht 1495, ende pa mbushur 30 vjeç, Maria Arianiti Brankoviç, vdiq nga një sëmundje e rëndë dhe e varrosën krah bashkëshortit në kishën e Shen Françeskut në Casale di Monferrato. Për fat të keq, varri i Maria u shkatërrua në vitin 1750, por ruhet një bazoriliev me portretin e saj, vepër e Matteo Sammicheli, bazoriliev që aktualisht ndodhet i ekspozuar në Museun Civik të Monferrato. [Guerrini A., Matteo Sanmicheli in Duomo e di Casale Monferrato. Storia, arte e vita liturgica, atti del convegno (Casale Monferrato, 16-18 aprile 1999),

Interlinea, Novara 2000, pp. 145-159.]

Markezia Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, gëzonte nderimin dhe respekte nga banorët e Monferrato, të cilët e kujtojnë me afekte dhe në ditët e sotme, ndryshe nga daja i saj Kostantin Arianiti, ndaj të cilit banorët e Monferrato nuk shprehnin simpati. Gjatë atyre pak viteve që jetoi në markezat u realizuan disa vepra nga humanistët e Monferrato, duke filluar nga kronikat e Galeotto Del Carretto dhe nga Benvenuto di San Giorgio, ashtu si dhe nga noteri dhe sekretari i tyre Guglielmo Cattaneo, të cilët kanë evokuar rolin e markezes Maria dhe mbështetjen e bashkëshortit Bonifaci III. [Galeotto Del Carretto, Cronica di Monferrato, ed. G. Avogadro, in H.P.M. SS., III, Augustae Taurinorum, ripubblicato 1848]

Në kishën e Shen Domeniko ku u varros Maria, ndodhej bazorilievi me portretin e saj, i realizuar nga Matteo Sanmicheli, akualisht ky bazoriliev lehtësisht i dëmtuar, ruhet në muzeun Civik të Monferrato. Gjithashtu ishte dhe një medaljon në porcelan me portretin e Maries, i përmendur në burimet historike dhe në kronikat e priftërinjëve domenikanë të kësaj kishe, por rezulton se ka humbur, më saktë është pervehtësuar nga dikush. [Gabrielli N., L’arte a Casale Monferrato dal XI al XVIII secolo, Miglietta, Torino 1935 (ed. anastatica: Il Portico, Casale 1981].

 

Kisha e Shen Domeniko në Monferrato (Provinca e Alessandria).

Në harkun (lunetta) mbi portën e kishës, janë tre grupe skulpturash në mermer të bardhë, në qendër Shen Maria me Jezusin foshnje, në anën e djathtë skukpturat e Gulielmit VIII dhe të vëllait Bonifaci III, ndërsa majtas Maria Paleologa me djalin Gulielmi IX.

 

Një ndër veprat artistike, kulturore dhe fetare në nderim të Maries dhe Bonifacit III është kompleksi i skul-pturave në mermer të bardhë, me stil gotik të vonshëm dhe me elemente të rilindjes italiane, i ruajtur në harkun mbi portën e kishës Shen Domeniko në Monferrato, i realizuar në vitin 1506 nga Giovanni Battista de Paris.      Në këtë kompleks skulptural prezantohen në qendër Shen Maria me Jezusin foshnje, në anën e djathtë Gulielmi VIII dhe i vëllai Bonifaci III; ndërsa majtas Maria me djalin Gulielmi IX. [Benvenuto Sangiorgio, Cronaca del Monferrato, ediz. G. Vernazza,  Torino 1780] [Sancio G., Cenno storico intorno ai marchesi del Monferrato di stirpe Paleologa, Casale Monferrato 1835]

Gjatë dhjetë viteve që jetoi në Markezatin e Monferrato, Maria Arianiti Brankoviç Paleologa, ka lënë shumë kujtime e shquar si bashkëshorte, si regjente dinjitoze dhe si administratore e aftë. Gjthashtu ajo ka lënë trashëgim rreth 30 vepra arti, ndër ato stema heraldike, që nuk ndryshonin cilësisht nga stemat e fisnikëve te tjerë padanë, të cilat dëshmojnë për kulturën, shijet artistike dhe njëkohësisht devocionin për të prezantuar politikisht të dy dinastitë e familjes Bonifaci/Maria, ashtu si ka lënë dhe vepra fetare, të realizuara më nivel të lartë artistik dhe me prani të stemës heraldike të familjes, për të cilat do rrëfej në shkrimin e ardhshëm.

 

Vijon ….

Galileo dhe “Almaxhesti”, një Zbulim Revolucionar në Firence

VOAL- Një zbulim sensacional po rishkruan rrëfimin tradicional të Galileo Galileit, duke zbuluar një anë më pak të njohur të shkencëtarit të famshëm. Në javët e fundit, një kopje e “Almagesto” të Ptolemeut, që daton që nga viti 1551, u rizbulua në Bibliotekën Qendrore Kombëtare të Firences, që përmbante shënime të shumta në dorën e Galileos. Këto shënime, të përqendruara kryesisht në pesë vëllimet e para, datojnë që nga koha kur Galileo ishte një profesor i ri, shumë kohë para vëzhgimeve teleskopike që do ta bënin atë të pavdekshëm.

Ky zbulim i jashtëzakonshëm është vepër e Ivan Malarës, një studiues në Universitetin e Milanos, i cili ka studiuar botimet e veprës së Ptolemeut të konsultuara nga Galileo për vite me radhë. Malara, duke folur në Alphaville, shpjegoi rëndësinë e këtij zbulimi.

Almaxhesti: Një makth matematikor dhe një dritë për shkencën

Almaxhesti i Ptolemeut është një vepër me kompleksitet të jashtëzakonshëm, “e pasur me llogaritje matematikore dhe diagrame gjeometrike”, siç e përshkruan Ivan Malara. Qëllimi i tij ishte të përdorte matematikën e kohës për të përshkruar funksionimin e universit, duke e reduktuar lëvizjen e parregullt të planetëve, Diellit dhe Hënës në modele gjeometrike parashikuese. Edhe pse sistemi gjeocentrik i Ptolemeut kishte të meta, puna e tij ishte themelore për qëllime praktike, siç është ndërtimi i kalendarëve të saktë dhe udhëzimi i navigimit. “Të gjitha këto gjëra janë në të vërtetë arritje relativisht të fundit të shkencës dhe teknologjisë, dhe deri në shekullin e 17-të, teknologjia që lejonte këto dhe gjëra të tjera, siç është udhëzimi i navigimit, ishte e përfshirë në një vepër jashtëzakonisht komplekse si Almaxhesti”, theksoi Malara. 

Shënimet e Galileos: Një Vështrim në Laboratorin e Mendjes së një Gjeniu

Shënimet e Galileos, të shkruara në latinisht, janë me interes të jashtëzakonshëm sepse “ato na lejojnë të shohim një Galileo të ri duke studiuar një nga veprat më të rëndësishme dhe më të vështira në të gjithë historinë e shkencës”. Përpara këtij zbulimi, dihej që Galileo ishte i njohur me Almaxhestin, por jo se sa tërësisht e studioi atë. Malara pohon se tani “mund të themi se Galileo kishte një njohuri të drejtpërdrejtë dhe të detajuar edhe për pjesët më të vështira matematikore të Almaxhestit, dhe për këtë arsye tashmë mund të themi, me një shkallë të caktuar sigurie, se revolucioni i tij shkencor lindi nga një njohuri e thellë dhe jashtëzakonisht kompetente e traditës”.

Zbulimi, një pikëllim për studiuesin

Ivan Malara rrëfeu udhëtimin e tij kërkimor, i cili filloi tre vjet më parë, i cili e çoi atë të shqyrtonte printimet më të hershme ekzistuese të “Almaxhestit”. Pasi gjeti një kopje interesante në Vjenë, ai vendosi të përqendrohej në bibliotekat fiorentine, ku bëri zbulimin e papritur. “Kur pashë këto shënime, menjëherë pata përshtypjen se shkrimi ishte shumë i ngjashëm me atë të Galileos, sepse unë e njihja tashmë, dhe në atë moment, pothuajse më ra në sy,” rrëfeu ai. Konfirmimi erdhi pas një ekzaminimi paleografik, duke e bërë intuitën e tij të jashtëzakonshme zyrtare.

Një psalm midis llogaritjeve, kurioziteti më i madh

Ndër shënimet, më kuriozja është transkriptimi i një psalmi, një lutje. Malara pyeste veten pse Galileo, i njohur për dallimin e tij midis besimit dhe shkencës, do të transkriptonte një lutje në një vepër shkencore. Shpjegimi ndoshta qëndron në faktin se “për Galileon, universi ishte një shprehje e hirit dhe fuqisë hyjnore, dhe për këtë arsye studimi i tij, siç bëri Ptolemeu, ishte një mënyrë për të kuptuar mirësinë e Krijuesit”. Mund të imagjinohet një Galileo i ri “i apasionuar pas matematikës, i përkulur mbi Almaxhest, me stilolaps në dorë, duke u përpjekur të kënaqte kuriozitetin e tij duke lexuar veprën e Ptolemeut me shumë kujdes dhe ndonjëherë edhe në mënyrë kritike”.

Një Dritë e Re mbi Kalimin në Kopernikanizëm

Ky zbulim hedh dritë të re mbi udhëtimin intelektual të Galileos dhe kalimin e tij në Kopernikanizëm. Tradicionalisht, Galileo mendohej si një mendimtar i interesuar në përmbysjen e pikëpamjes tradicionale. Megjithatë, shënimet tregojnë se “Galileo, përpara se të bëhej Kopernikan dhe të përqafonte sistemin heliocentrik, studioi në thellësi dhe me detaje të imëta sistemin astronomik kundërshtar, atë të Ptolemeut”. Almaxhesti i dha Galileos gramatikën thelbësore matematikore të nevojshme për të kuptuar veprën e Kopernikut dhe kështu për të përqafuar në fund heliocentrizmin. Përqafimi i tij i Kopernikanizmit nuk ishte një revolucion i papritur, por përkundrazi lindi nga një krahasim i vetëdijshëm dhe i informuar, dhe për këtë arsye nga një njohuri e thellë teknike e astronomisë së kohës së tij. Me fjalë të tjera, Galileo mësoi të merrej me astronomi me Ptolemeun, pastaj përdori të njëjtat parime. RSI

SHEN NËNË ANGJELINA SHPIRTI I SHENJTË ARBËROR (7) – Nga Lutfi ALIA Siena – Itali

 

 

Një vend të veçantë në historinë e kishës ortodokse europiane ka Shën Nënë Angjelina, themeluesja e shumë manastireve dhe kishave, e kanonizuar shenjëtore nga Patriakana e Kostantinopojës, e adhuruar dhe e nderuar nga besimtarët e mbi njëzet shteteve europiane dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pas vdekjes të Nënë Angjelinës më 30 korrik 1520, sidomos pas kanonizimit shenjëtore nga Patriarkana e Kostantinopojës, Angjelina u përjetësua duke i dhënë emrin e saj disa manastireve dhe kishave, ashtu si u prezantua në qindra ikona, afreske dhe mozaikë në manastiret dhe kishat e shumë shteteve.

Në shekujt XVI – XVII ikonat, afresket dhe mozaikët dedikuar Shen Nënë Angjelinës, ishin realizuara sipas traditës bizantine, ndërsa në vitet 1697 – 1757, mbizotëruan krijime të stilit barok dhe në fund të shekullit XIX dhe fillimin e shekullit XX, u realizuan ikona të të stilit gotik dhe të realizmit akademik, ku në veçanti shquhet ikona e piktorit Pajo Jovanoviç, i cili e ka prezantuar Shen Nënë Angjelinën me aureolën e artë të shenjëtores, jo me tunikë murgeshe, por me veshje aristokratike, ashtu si ishte princeshë aristokrate.

1

Krahas ikonave, afreskeve dhe mozaikëve dedikuar Shen Nënë Angelinës, si dhe ikonave e afreskeve së bashku me Shen Stefanin III, me Shen Maksimin dhe Shen Johanin në manastiret dhe kishat e Vojvodinës, Vllahisë, Hungarisë, Serbisë, Kroacisë, Sllovenisë, Bosnjes, Rumanisë, Ukrainës, Sllovakisë, Kosovës, Polonisë, Rusisë etj; një afresk i Shen Nënë Angjelinës ndodhet në kishën Katalikon në manastirin Hillander në Malin Athos – Greqi. [Fresques médiévales à Chilandar, Actes du XII Congrès International d’Etudes Byzanti-nes, Ochride 1961].

2

Banorët e krishterë të Kosovës, historikisht e kanë nderuar dhe e adhurojnë Shen Nënë Angjelinën, si rezulton me praninë e afreskeve dedikuar shenjëtores arbërore në kapellën e Manastirit të Patriarkanës së Pejës, në Manastirin e Deçanit, në Manastirin e murgeshave në Graçianicë, në Katedralen “Zonja e Jonë” e Ljevis në Prizren. Këto katër institucione ortodokse në Kosovë, janë përfshirë në listën e pasurive humani-tare të UNESCO-s.

 

Manastiri i Deçanit – Kosovë. Fotografi e vitit 1919 prezanton grupe shqiptarësh në sheshin para manastirit dhe një grup burra shqiptarë pas meshës.

 

Manastiri i Deçanit u ndërtua në vitet 1327 – 1335 mbi themelet e një kishe ilire. Punimet u drejtuan nga gurëskalitsi arbëror Fra Vito Cuci (Kuçi), me 30 gurëskalitës nga Kotorri. Në këtë manastir ndodhet një afresk i Shen Nënë Angjelinës, e nderuar dhe e adhuruar nga besimtarët e kosovarë. Sipas Regjistrit të Sanxhakut të Shkodrës i vitit 1485, treva e Deçanit banohej nga arbërorët ortodoksë dhe katolikë. Manastiri i Deçanti është monument i respektuar nga shqiptarët, i ruajtur prej shqiptarëve, i mbrojtur prej shqiptarëve dhe do të vazhdohet të respekohet prej shqiptarëve të Kosovës. [Shkodran Imeraj. Manastiri i Deçanit i respektuar dhe i ruajtur prej shqiptarëve, sepse ështe monument historik ilir. Kulturë Arkivë. Anadolu Agency 2014]. [Agim Morina, Shqiptarët dhe Manastiri i Deçanit. Drini.us, korrik 2022].

Një afresk i Shen Nënë Angjelinës ndodhet dhe në kapellën e Manastirit të Patriarkanës të Pejës. Në vitin 1219 Patriarkana e Kostantinopojës e njohu Patriarkanëne e Pejës Arkiveskovat autonom, që kishte në juridiksion eparkitë e Star Rash, të Prizrenit, të Lipjanit dhe të Sremit. Në vitin 1486, murgesha Angjelina Arianiti, në Srem ndërtoi kishën e parë të Shën Luka Apostol, ku vendosi arkmortin me lipsanet e Stefanit III, që u bë objekt i peligrinazheve nga besimtarët ortodoksë hungarezë të Vojvodinës, vllahët, serbët, sllovenët, kroatët, bosnjakët dhe arbërorët.

Gjatë restaurimit të manastirit të Patriarkanës së Pejës në vitin 1557, në kishën Apostolat e Shenjtë, u realizua një afresk i Shën Nënë Angjelinës, afresk sipas traditës bizantine, ku prezantohet me imazhin e manastirit në dorën e majtë. [Yurdan Trifonov, I raporti della chiesa serba di Ipeks con la chiesa do Ohrid all’inizio del dominio turco. Studi selezionati Varna Litter.Net 2008 – 2014]

 

Manastiri i Patriarkanës të Pejës.

 

Edhe në Manastirin e murgeshave të Graçianicës, ndodhet një afresk dedikuar Shën Nënë Angjelinës. Manastiri i Graçianicës është ndërtuar në shekullin XIV mbi rrënojat e kishës e Lumtura Virgjëreshë, që ndodhej pranë qytetit antik të Ulpianës, 5 km larg Prishtinës. Kjo kishë e herëshme ishte ngritur mbi një bazilikë të krishterë dardane të shekullit VI. [Stefano Serafini. Monastero di Gracianica (Kosovo): SE, Nordest News. 21 ottobre 2017]

 

Manastiri i Gracianicës.

 

Studiues dhe historianë serbë theksojnë se ikonat dhe afresket e Shen Nënë Angjelinës janë të pranishme në manastiret dhe kishat ortodokse në Kosovë, duke e cilësuar Shen Nënë Angjelina serbe, ndërsa në fakt ka shumë studiues dhe historianë të tjerë serbë dhe sllovenë, që e theksojnë shenjëtore me origjinë arbërore, e bija e princit Gjergj Arianiti.

3

Një vepër e rrallë, madje e vetmja, është shtatorja e Shen Nënë Angjelinës në manastirin Notre Dame du Coral në komunën Prats de Mollò La Preste, në jug të Francës, në lindje të maleve Pirene Katalane. Ky manastir ështe objekt peligrinzhesh gjatë festave të shumta fetare.

Ekzistenca e shtatores të Shen Nënë Angjelinës në Francë, u bë e njohur për publikun shqiptar nga studiuesi dhe publicisti Arenc Bebja, i cili botoi një shkrim informativ, të shoqëruar me një fotografi të shtatores të Shën Nënë Angjelinës në manastrin Notre Dame du Coral në komunën Prats de Mollò La Preste. [Arenc Bebja: Një manastir dedikuar Virgjëreshës Mari në Notre – Dame- du – Coral (Prats de Mollo La Preste, Francë) ku gjendet statuja e Angjelina Arianiti – Komnenit. Botuar në monografinë e Zenepe Luka “Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020, faqe 185 – 190”]

Nuk ka informacione në se kjo shtatore e Shen Nënë Angjelina Arianiti është prodhuar në Manastirin e Notre Dame du Coral të Prats de Mollò – La Preste të Francës, apo është sjellë nga emigrantë arbëror, apo nga arbërorët që militonin në repartet e ushtrisë të mbretërisë së Francës, apo të Spanjës, kur ata pushtuan trevat jugore të Francës. Në këtë shtatore, Shen Nënë Angjelina prezantohet veshur me tunikën e murgeshës dhe me mantel fisnikërie, të zbukuruar me motive floreale dhe me biblën në dorën e majtë.

 

Shtatorja e Shen Nënë Angjelina Arianiti në Manastirin Notre Dame du Coral (Prats de Mollò La Preste, Francë). Fotografia është dërguar nga Association Prats toujours – Bureau d’Information Touristique: Fort Lagarde – Prats de Mollò la Preste – Francë.

Në këtë manastir, krahas shtatores të Virgjëreshës Maria, e prezantuar e ulur sipas traditës romake, janë të pranishme ikona dhe shtatore të shumë shenjëtoreve dhe ndërmjet tyre shquhet shtatorja e stilit gotik e Shen Nënë Angjelinës arbrëore. Gjatë një restaurimi në shekullin XIX, imazhi i fytyrës u përmirësua.

Në këtë manastir të lashtë, janë të vazhdueshme peligrinazhet e besimtarëve, sidomos në festat fetare si të hënën e Rrëshajave (Pentekoste), 12 gushti (kisha ortodokse celebron datën e Shën Angjelinës), 15 gushti data e Shen Maries, 14 shtatori (festa e ngadhënjimit të Kryqit të Shenjtë) etj.

4

Nderimi dhe adhurimi i Shen Nënë Angjelinës arbërore i ka kapërcyer kufijt e Europës, kështu rezulton se një ikonë dhe një afresk të saj janë në kishën e Shen Gjergjit, e njohur si kisha e Fan Nolit në Boston të shtetit Massachusets në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si e kanë përshkruar gazetarët Rajmonda Moisiu dhe Fuat Memeli në reportazhin: “Angjelina Arianiti e vetmja Shenjëtore mes 40 shenjtorëve në kishën e Fan Nolit në Boston – SHBA”, botuar në monografinë e Zenepe Luka:“Angjelina Arianiti Komnena, shpirti i shenjtë arbëror”, botim i Triptik – Tiranë 2020, faqe 173 – 184”.

Emigrantët shqiptarë në SHBA, kanë më shumë se një shekull, që ruajnë me krenari origjinën, kujtesën, vlerat shpirtërore dhe atdhetare, të shndërruara në vlera të larta qytetarie dhe shenjtërie. Një aspekt sa shpirtëror dhe qytetar, sa intelektual dhe atdhetar, shqiptarët e Amerikës është përkushtimi ndaj figurës së Shën Angjelinës arbërore, e vetmja murgeshë e shenjtëruar ndërmjet 40 shenjtorëve meshkuj, të pasqyruar në Kishën e Shën Gjergjit, në Boston – Massachusetts të SHBA.

Kisha e Shen Gjergjit në Boston, është simboli i rilindjes kombëtare, i krenarisë, i respektimit, i trashë-gimisë, i atdhetarizmit, i kulturës, i gjuhës shqipe, i shpirtit të shenjtë shqiptar, është simboli i tolerancës fetare, pjesë integrale e jetës të komunitetit shqiptaro-amerikan. Kisha e Nolit mban derën hapur për shqiptarët e më gjerë dhe në veçanti komuniteti shqiptar  në SHBA, merr pjesë vazhdimisht në meshat dhe aktivitetet liturgjike, por dhe në veprimtaritë përkujtimore me taban historik e kombëtar, që kjo kishë mbart në misionet e saj.

Të dy gazetarët Rajmonda dhe Fuati tregojnë rreth pranisë të ikonës dhe të afreskut dedikuar Shen Nënë Angjelinës në kishën të Shën Gjergjit në Boston, ashtu si ua rrëfeu në vitin 2020, At Arthur Liolini, rektori i katedrales të Shen Gjergjit në Boston dhe Kancelar i Merituar i Arçidioçezës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. At Arthur Liolini u nda nga jeta më 28 shtator 2023.

 

Ikona e Shen Nënë Angjelinës në kishën e Shen Gjergjit në Boston të shtetit Massascusets në SHBA.

 

Afresku me Shen Nënë Angjelina, Shen Teodorin dhe Shen Thomain (Tomasi)

në kishën e Shen Gjergjit në Boston të shtetit Massascuttes në SHBA

 

Gazetarët Rajmonda Moisiu dhe Fuat Memeli në reportazhin e vitit 2020 tregojnë: “Sa herë vijnë vizitorë në Kishën e Nolit, At’Arthur Liolini, ndalet dhe i kushton vëmendje ikonës dhe afreskut të Shën Angjelinës, më tepër se tek afresket e 40 shenjtorëve të tjerë dhe e komenton në mënyrë të veçantë personalitetin dhe figurën e kësaj Shenjtore arbërore.

At’Arthur Liolini është me origjinë shqiptare, i lindur dhe i rritur në Amerikë. Prindërit e tij janë nga Boboshtica e Korçës. Ai është një burrë i gjatë, i pashëm dhe fisnik, veçmas gjatë shërbesave kishtare At’Arthur Liolini, me zërin e butë, të ngrohtë e të përzëmërt, të mrekullon me shqipen e kulluar dhe me kulturën, megjithëse është brezi i tretë i lindur në Amerikë. Ndër materialet studimore, shkencore dhe historike të Shen Nënë Angjelinës arbërore, At’Arthur Liolini si gjithmonë i papërtuar tregon: “Po, është mëse e vërtetë, se tek kisha jonë, gjenden një ikonë dhe afresku kushtuar Shën Angjelinës. Afresku ndodhet në kishën tonë, sapo hyn në krahun e djathtë. Me kërkesën e kishës, afresku është realizuar në vitin 1980, nga një ikonograf me origjinë rumune, që jetonte në Boston. Në afresk është shkruar diçitura në gjuhën angleze dhe në gjuhën shqipe, Saint Angelina Albania – Shën Angjelina shqiptare. Para figurës së saj, ne bëjmë pagëzimet e fëmijëve në kishën tonë. Gjithashtu në atë mjedis, festojmë ditën e saj”. Më tej At’Arthur Liolini, kleriku i shquar, që mbajti gjallë traditën mikpritëse Noliane na tregoi edhe rreth jetës së Angjelinës së Arbërisë”.

Pas kësaj bisede informative, At Arthur Liolini, i sugjeroi të dy gazetarëve të takonin zonjën Neka Doko, e cila për rreth 17 vite kujdeset për Bibliotekën e Kishës, ku ka bërë dhe vazhdon të bëjë një punë të madhe dinjitoze në ruajtjen dhe katalogimin dixhital të Arkivës Noliane. Zonja Neka Doko për kishën e Shen Gjergjit rrëfeu: “Katedralja e Shën Gjergjit në Boston është blerë në vitin 1949-ë, më herët ka qenë kishë katolike Unitare. Në vitin 1950 filluan rinovimet brenda saj dhe u bënë ndryshime në afresket e mëparshme. Altari dhe ikonostatsi ndryshuan komplet dhe u realizuan me stilin bizantin. Ikonat në pjesën ballore, si në asnjë kishë tjetër ortodokse, kanë tekste në gjuhën shqipe. Dekoracionet e ikonstatit janë punuar nga mjeshtër Dhimitri, një ndër shqiptarët e parë të mërguar në Boston. Kisha e thënë ndryshe “Kapella e Faljeve”, u konceptua dhe u ndërtua për qëllime pagëzimi dhe memorial kujtese e të Shtunës së Shpirtrave. Në raport me këto objektiva, u rimodelua komplet ikonostatasi dhe u vendosën afresket e 40 shenjtorëve të hierarkisë ortodokse të miratuara nga Patriarkana Ortodokse e Konstandinopojës, midis tyre, e vetmia murgeshë shenjtore është Shen Nënë Angjelina arbërore, e prezantuar me një ikonë të stilit bizantin, e cila mban në dorën e majtë imazhin e një manastiri, çka evokon kontributet e saj në hapjen e shumë manastireve dhe kishave ortodokse. Në këtë kishë është dhe afresku me Shen Nënë Angjelinën, krahas dy shenjëtorëve Shen Teodori dhe Shen Thomai.”

Shen Nënë Angjelina arbërore nderohet edhe në kishën Ortodokse Shqiptare të Shen Trinisë në Boston. Mitropoliti i kësaj kishe At Ilia Ketri, i lindur dhe i rritur në Amerikë, me prindërit me origjinë shqiptare nga Sinica e Devollit. At Ilia Ketri mes të tjerave rrëfeu, se për të nderuar Shen Nënë Angjelinën arbërore, dy herë në vit, në Kishën Ortodokse Shqiptare të Shen Trinisë organizohen mesha përkujtimore, në datën e lindjes dhe në datën e vdekjes së saj.

Të dy gazetarët Rajmonda dhe Fuati takuan dhe besimtarin veteran shqiptaro-amerikan, Aleko Dhimën, i cili psall te Kisha Ortodokse e Shën Trinisë. Aleko rrëfeu për Shën Nënë Angjelinën e ndër të tjera tregoi, se kur kishte shkuar në Beograd disa vite më parë, ndjente keqardhje, që nuk kishte mundur të vizitonte kishën ortodokse serbe, që mban ende emrin e shenjtores shqiptare, por disa besimtarë serbë i patën treguar për figurën e saj. Midis të tjerave ata i kishin thënë se: “Ajo ka ndihmuar së tepërmi njerëzit e varfër, veçmas të moshuarit, etj. Varri i saj ndodhet në kishën e Krushedol, që mban emrin e saj. Shen Nënë Angjelina ishte dhe është urë miqësie midis popujve serbë dhe shqiptarë. Janë popujt, kultura dhe besimi i tyre në Zot, që në kundërshtim me politikën, ngrenë urat e komunikimit dhe miqësisë mes tyre”.

Në mjediset e Kishës Ortodokse të Shën Trinisë në Boston është dhe shkolla e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve shqiptarë, shkollë e hapur me inisiativën dhe kontributin e nënave shqiptare të Bostonit.

Shen Nënë Angjelina njihet, nderohet dhe adhurohet nga besimtarët e rreth 20 shteteve, madje në shumë shtete, bazuar në rregullat e të drejtës kanonike dhe të normave liturgjike të Kishës Ortodokse, disa manastire dhe kisha i janë dedikuar Shen Nënë Angjelinës, proçedurë që kryhej nga ipeshkëvët dioçezanë.

Ndërsa Shen Nënë Angjelina shenjëtoria e parë shqiptare që në shekullin XVI njihet, nderohet dhe adhurohet nga besimtarët e shumë shteteve, në Shqipëri nuk njihet si shenjëtore, madje Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë nuk është impenjuar për njohjen e saj, në manastiret dhe kishat ortodokse shqiptare nuk ka asnjë ikonë, afresk e mozaik, dedikuar shenjëtores sonë të shquar.

Uroj që Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë të zgjohet nga kjo letargji e pajustifikuar dhe t’i japi vendin që meriton Shen Nënë Angjelinës arbërore.

 

Vijon….

Misioni Hënor: NASA synon Nisjen e Artemis 2 më 1 prill

Pas vonesave teknike, astronautët mund të nisen dhe të fluturojnë rreth Hënës për herë të parë në më shumë se gjysmë shekulli

VOAL- Të enjten, NASA njoftoi se po vlerëson nisjen e misionit Artemis 2 që më 1 prill, gjatë të cilit astronautët do të fluturojnë rreth Hënës për herë të parë në më shumë se 50 vjet. Kjo vjen pas disa vonesave për shkak të pengesave teknike. “Jemi në rrugën e duhur për një nisje më 1 Prill,” tha Lori Glaze, zyrtare e lartë e NASA-s, gjatë një konference për shtyp, duke paralajmëruar, megjithatë, se ka “ende punë” për t’u bërë para nisjes. Megjithatë, raketa, ekuipazhi dhe inxhinierët janë “gati”, siguroi ai. Vendimi për të ecur përpara u mor pas dy ditësh diskutimesh midis zyrtarëve të NASA-s, shpjegoi ai. Drita jeshile u ndez pavarësisht se raketa hënore SLS po tërhiqet aktualisht për riparime. Sipas zyrtarëve të NASA-s, mosfunksionimi i zbuluar është zgjidhur dhe raketa tani është gati të kthehet në platformën e lëshimit para nisjes, e cila është planifikuar për javën e ardhshme. ATS

Një rreshtim i rrallë planetar po mbërrin

 VOAL- NASA njoftoi këtë ngjarje astronomike si një nga më të rëndësishmet e vitit 2026 disa javë më parë: po vjen një “Paradë Planetare”, një term që përshkruan rreshtimin e disa planetëve të ndritshëm në qiell.
Katër nga gjashtë planetët që shfaqen në horizont do të jenë të dukshëm me sy të lirë, nëse moti lejon, por vetëm ata me ndihma optike do të jenë në gjendje të shohin Uranin dhe Neptunin. Mërkuri gjithashtu mund të jetë më i vështirë për t’u dalluar.
Data që duhet të shënoni në kalendarin tuaj është e shtuna, 28 shkurt 2026.
Meqenëse kjo është një datë mesatare, është e mundur që ky konfigurim të ndodhë disa ditë më herët ose më vonë, varësisht nga vendndodhja e vëzhgimit.
Meridiana, revista midis yjeve për 50 vjet
Çfarë është një rreshtim planetar?
Një rreshtim planetar është në fakt një iluzion optik. Planetët nuk janë në të vërtetë të rreshtuar pranë njëri-tjetrit, pasi udhëtojnë me shpejtësi dhe distanca të ndryshme. Megjithatë, orbita e tyre rreth Diellit përgjatë të njëjtit plan lejon që ato të vërehen njëkohësisht në të njëjtën pjesë të qiellit. Duhet gjithashtu të theksohet se kjo nuk është një seri planetësh të “rreshtuar” në një vijë të drejtë, njëri pas tjetrit, por më tepër në një hark përgjatë ekliptikës, planit në të cilin orbiton Toka.
Kur duhet të vëzhgohet qielli
Tridhjetë minuta pas perëndimit të diellit, gjashtë planetët do të jenë të dukshëm në qiellin e mbrëmjes, të rregulluar përgjatë kupolës qiellore nga perëndimi në lindje. Për t’i gjetur ato lehtësisht, është thelbësore të zgjidhni një pikë vëzhgimi me një horizont perëndimor plotësisht të qartë: prania e ndërtesave, pemëve ose kodrave mund të pengojë pamjen. Edhe retë e ulëta ose mjegulla mund të komprometojnë vëzhgimin. Rekomandohet përdorimi i dylbive të mira ose një teleskopi të vogël, veçanërisht për dallimin e Uranit dhe Neptunit.
Stuhitë diellore: a duhet të shqetësohemi vërtet?
A është një fenomen i rrallë?

Rreshtimet planetare nuk janë të rralla në vetvete. Është numri i planetëve të përfshirë që përcakton jashtëzakonshmërinë e tyre: në përgjithësi, konsiderohen rreshtimet e tre ose më shumë trupave qiellorë. Ajo që e bën ngjarjen e planifikuar për të shtunën, më 28 shkurt 2026, të veçantë është numri i planetëve të dukshëm me sy të lirë (të paktën katër nga gjashtë) dhe fakti që rreshtimi ndodh në perëndim të diellit, kur shanset për t’i vëzhguar ato janë më të mëdha. Rëndësia e një ngjarjeje të tillë lidhet edhe me distancën e dukshme midis planetëve të ndryshëm të vëzhguar nga Toka. Në rreshtimin e madh të 10 marsit 1982, faqja e internetit e Shoqërisë Astronomike të Ticinos thotë se planetët e përfshirë (Venusi, Marsi, Jupiteri, Saturni, Urani dhe Neptuni, me Merkurin të dukshëm vetëm shkurtimisht në dritën e agimit) ishin të mbyllur brenda një harku prej afërsisht 95 gradësh. Ky fenomen ndodh afërsisht çdo 175 vjet. Ky nuk është rasti me rreshtimin e parashikuar për këtë të shtunë, i cili prapëseprapë ia vlen të admirohet. RSI

Vërtetohet Teorema e Hawking- Sinjali GW250114 konfirmon rritjen e sipërfaqes së vrimave të zeza me saktësi 99.999%

Sinjali, i quajtur GW250114 , erdhi nga përplasja e dy vrimave të zeza më shumë se një miliard vite dritë larg dhe konfirmoi me siguri 99.999% se pas bashkimit sipërfaqja e tyre totale u rrit, siç parashikoi Stephen Hawking në vitin 1971.

 

SHBA- Vala më e fortë gravitacionale e regjistruar ndonjëherë u ka lejuar astronomëve të testojnë me saktësi të paparë një nga rregullat më themelore të fizikës moderne që sipërfaqja totale e vrimave të zeza nuk mund të ulet kurrë. Sinjali, i quajtur GW250114 , erdhi nga përplasja e dy vrimave të zeza më shumë se një miliard vite dritë larg dhe konfirmoi me siguri 99.999% se pas bashkimit sipërfaqja e tyre totale u rrit, siç parashikoi Stephen Hawking në vitin 1971.

Sipas studimit të botuar në Physical Review Letters,  kjo gjurmë gravitacionale u zbulua në janar 2025 nga detektorët binjakë LIGO në Shtetet e Bashkuara . Bashkëpunimi ndërkombëtar LIGO–Virgo–KAGRA analizoi të dhënat në detaje dhe paraqiti rezultatet në një studim të ri, bazuar në hipotezën e Hawking se gjatë bashkimit të vrimave të zeza, sipërfaqja e tyre totale mund të rritet vetëm dhe të mos tkurret kurrë.

Zbulimi shënon fillimin e një epoke të re në astronominë e valëve gravitacionale, e cila filloi në vitin 2015 kur LIGO zbuloi për herë të parë një sinjal të qartë nga një bashkim i vrimave të zeza. Valët gravitacionale janë valëzime në vetë hapësirë-kohën, të krijuara kur objekte masive kozmike përplasen. Për t’i zbuluar ato, janë ndërtuar detektorë të mëdhenj lazeri në formë L, me krahë katër kilometra të gjatë të aftë për të matur ndryshime më të vogla se madhësia e një protoni.

Sipas të dhënave, para bashkimit , dy vrimat e zeza kishin një sipërfaqe të kombinuar të horizontit prej rreth 240,000 kilometrash katrorë, një sipërfaqe e krahasueshme me atë të Oregonit. Pas përplasjes , sipërfaqja e vrimës së re të zezë u rrit në rreth 400,000 kilometra katrorë , një madhësi e afërt me atë të Kalifornisë . Probabiliteti i shkeljes së rregullit të Hawking u vlerësua të ishte më pak se një në njëqind mijë.

Mediat e huaja shkruajnë se, sinjali i bashkimit kishte dy faza të dallueshme: së pari “spiralja”, ku dy vrimat e zeza rrotullohen gjithnjë e më shpejt rreth njëra-tjetrës , dhe pastaj “ringdown”, ndërsa vrima e re e zezë stabilizohet. Në rastin e GW250114, shkencëtarët ishin në gjendje të dallonin qartë dy tone të ndryshme në këtë fazë, gjë që i lejoi ata të përcaktonin me saktësi karakteristikat e vrimës së zezë përfundimtare dhe është në përputhje me parashikimet e teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit.

Hawking dhe Jacob Bekenstein kishin argumentuar se sipërfaqja e një vrime të zezë lidhet me entropinë e saj, domethënë me një masë të “çrregullimit” kozmik. Nëse sipërfaqja nuk zvogëlohet kurrë, atëherë as entropia nuk zvogëlohet, në përputhje të plotë me ligjin e dytë të termodinamikës. Çdo test i saktë i këtij rregulli është pra një test nëse graviteti dhe fizika kuantike i binden të njëjtave ligje themelore, madje edhe në kushtet më ekstreme të universit./Dosja.al


Send this to a friend