VOAL

VOAL

Në ditën e ikjes të Vaçe Zelës – Nga Elida Buçpapaj

February 6, 2017

Komentet

Aleksandër Buda, një jetë me notën dhjetë! Nga Lufti Dervishi

Një jetë me notën 10

Ka njerëz që e matin jetën me tituj dhe të tjerë që e matin me dritën që lënë pas. Aleksandër Buda i përkiste kategorisë së dytë.

Ai u nda nga jeta larg vëmendjes publike, ashtu siç jetoi për dekada, i përqendruar te kërkimi, shpikja dhe puna e palodhur.

I lindur në Gjirokastër, ai kreu studimet në Fakultetin e Minierave me rezultate të shkëlqyera. Edhe pse gjatë regjimit komunist u përjashtua përkohësisht nën akuzën absurde të kohës, “agjitacion dhe propagandë”, ai gjeti forcën të rikthehej. Jo vetëm që i përfundoi studimet në mënyrë të jashtëzakonshme, por mbeti ndër të rrallët studentë që mori notën maksimale 10 absolute në lëndën “famëkeqe” të Rezistencës së Materialeve, një sprovë që tmerronte breza të tërë inxhinierësh.

Edhe pse nuk u njohëm kurrë, një rastësi e vogël e jetës na lidh: unë zgjodha të njëjtin profesion, inxhinierinë e shpimit, disa vite pasi Aleksandër Buda (Leka) kishte nisur rrugën e tij profesionale.

Në vitin 1991 ai mori rrugën drejt Francës. Filloi gjithçka nga e para, si mekanik motoçikletash, duke rindërtuar jetën në një terren të panjohur. Ishte nga ato histori emigracioni ku nuk mjaftonte vetëm talenti, duhej edhe një këmbëngulje prej asketi. Ai i kishte të dyja. Këtë rrugëtim e dokumenton edhe revista Arts et Métiers ParisTech, e cila e portretizon si njeriun që zgjodhi Francën “për idealet e lirisë dhe demokracisë”.

Nga Instituti Francez i Naftës, rrugëtimi i tij kaloi në kompani prestigjioze si Geoservices dhe Schlumberger, për t’iu përkushtuar përfundimisht kërkimit shkencor dhe projektimit inxhinierik. Karriera e tij nuk ishte ajo e një teknicieni që zbaton skema ekzistuese, por e një shpikësi që krijon zgjidhje të reja. Ai projektoi instrumente për eksplorimin e nëntokës, sisteme ultrasonike dhe pajisje matëse të avancuara, duke bashkuar në një profil të vetëm mekanikën, elektronikën, gjeofizikën dhe akustikën.

Kulmi erdhi në vitin 2006. Pa ndjekur një program tradicional universitar, ai mbrojti qindra faqe punë shkencore përpara profesorëve të Arts et Métiers ParisTech, njërës prej Grande Écoles më prestigjioze të Francës. U bë kështu inxhinieri i parë me origjinë shqiptare që fitoi këtë diplomë përmes procedurës së rreptë të njohjes së përvojës profesionale, një arritje e jashtëzakonshme edhe për vetë Francën. Emri i tij u botua në Journal Officiel de la République Française si mbajtës i diplomës së inxhinierit.

Në biografinë e tij zyrtare thuhet diçka që e përkufizon më mirë se çdo dekoratë: “Aleksandër Buda i përkiste kategorisë së rrallë të inxhinierëve-shpikës, njerëz që nuk mjaftohen duke zbatuar dijen ekzistuese, por imagjinojnë mjete të reja, krijojnë metoda të reja dhe hapin shtigje të reja teknologjike.”

Edhe në vitet e fundit të jetës, mendimi i tij mbetej i lidhur me Shqipërinë.

Pas ndarjes së tij nga jeta, familjarët gjetën në telefon komunikime me Ministrinë e Industrisë, të vitit 2019, për një projekt inovativ të vlerësuar në Francë, të cilin ai dëshironte ta vinte në zbatim pa asnjë përfitim personal në vendlindje. Edhe pasi kishte prekur majat e reputacionit në Francë, ai ende kërkonte mënyra për t’i kthyer diçka vendit.
Është një nga ato ironi që vetëm koha di t’i prodhojë: Shqipëria nuk arriti ta mbante kur ishte i ri dhe nuk diti ta përdorte kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij.

Aleksandër Buda do të përcillet për në banesën e fundit këtë të shtunë në Berat, pas meshës në Katedralen Ortodokse.

Largimi i tij është një humbje e madhe, por harresa do të ishte një humbje edhe më e madhe. Një vend që nuk kujton njerëzit që ndërtojnë pa zhurmë, rrezikon të mbetet gjithmonë duke kërkuar heronj të rremë atje ku ka vetëm zhurmë.

Ndërtues urash- Nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar Bajrush Behramit, të burgosurit politik të ndërgjegjes sonë kombëtare, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Ukshin Hotit dhe ushtarit të radhëve të para të UÇK-së)

 

 

Shtatmesëm, flokëgështenjë,
sy ulliri, qëndrim burri.

Kur thoshte “po”,
fjalën e tij mund ta thyente vetëm vdekja.

Po t’i shtroje bukë e kripë,
ishte mirënjohës.

Atë që e konsideronte shok e mik,
dhe që luftonte pa hile për Atdhe,
jepte kokën për të.

Ata që heshtnin
edhe kur vendi ishte në robëri,
haptas i mallkonte.

E kishte pasion artin.
Portretizonte Gjergj Kastriotin,
Norën e Hotit,
Idriz Seferin
e Mic Sokolin.

Kur dikush e pyeste
pse vetëm ata,
përgjigjej:

“Po të mos ishin ata,
nuk do të ishim ne.”

Për këngën, thirrje lirie,
dhe përpjekjet për ribërjen e Shqipërisë,
e burgosën dhe e dënuan —
por kurrë nuk e thyen,
as nuk e nënshtruan.

Iu gëzua çlirimit të Kosovës
më tepër
se lindjes së katër fëmijëve të tij.

Iku më 30 qershor 2018
me amanetin:

Ruajeni si sytë
vendin
dhe njëri-tjetrin.

I gjithë Llapi e njohu
si burrin që ndërtonte ura
dhe bashkonte njerëz,
rrënonte mure
dhe shuante hasmëritë.

Kushdo që kalon
pranë varrit të tij,
lotët e tradhtojnë.

Vërtet ishte burrë,
shpirtbardhë
dhe engjëllor.

ARIF EJUPI
Crans-Montana, 10 korrik 2018

 

E S E PIKTORI QË PRUNI NGJYRAT N’LAÇ (Në kujtim të artistit Tish Staka (1933–2004) Nga Ndue Hoti

 

Nganjëherë, për të njohur jetën e një artisti, duhet të takosh njerëzit që e kanë dashur më shumë. Kështu më ndodhi edhe mua kur, në kërkim të të dhënave për piktorin Tish Staka, trokita në derën e motrës së tij, Anna Gjoni.

E gjeta Anën në ballkonin e shtëpisë së saj, duke shtrirë rrobat. Kur e pyeta nëse ishte ajo që kërkoja, më pa me kureshtje dhe më ftoi të bisedonim. Pak më vonë u ulëm në një lokal të vogël pranë shtëpisë së saj. Ajo porositi vetëm një kafe turke, ndërsa unë një pije freskuese. Kështu nisi një rrëfim i gjatë për jetën dhe veprën e të vëllait.

Anna kishte ardhur në Laç pas martesës me Martin Gjonin, specialist mekanik nga Durrësi. Ishte fillimi i viteve gjashtëdhjetë, kur qyteti industrial i Laçit kishte nevojë për specialistë e kuadro të rinj. Fillimisht u vendosën në Pallatin Nr. 1 të qytetit të ri, ku pak kohë më vonë erdhi edhe vëllai i saj, Tish Staka.

I lindur në lagjen Rus të Shkodrës më 1933, Tishi kishte kryer shkollimin në gjimnazin jezuit të qytetit dhe më pas studimet e larta për pikturë dega skenografi. Megjithatë, rruga e tij profesionale nuk ishte e lehtë. Fillimisht punoi si bojaxhi në Parkun e Automjeteve të Laçit, ku lyente mjetet pas remontit. Por talenti nuk mund të mbetej gjatë i fshehur.

Në vitin 1970, falë mbështetjes së drejtorit të Pallatit të Kulturës, Mal Berisha, ai u afrua pranë jetës artistike të qytetit. Aty punoi mes dizenjatorëve dhe artistëve të njohur si Ndue Pepa e Gjin Zajsi, ndërsa në të njëjtin mjedis vepronte skulptori i mirnjohur Vasil Rakaj, edhe muzikanti e kantautori shkodran Ruzhdi Keraj, kangtaret Paulin Trieshi e Sokol Preci, . Ishte një periudhë e gjallë artistike për Laçin.

Më vonë, për shkak të aftësive të tij profesionale, Tish Staka u transferua në Shtëpinë e Kulturës së Krujës, ku vazhdoi veprimtarinë si skenograf. Edhe pse familja mbeti në Laç, ai udhëtonte çdo ditë drejt Krujës, duke ndarë jetën mes dy qyteteve dhe duke iu përkushtuar artit me një disiplinë të admirueshme.

Sipas motrës së tij, Tishi trashëgoi shumë nga karakteri i të atit, Kol Matish Stakës, mësues i njohur për seriozitetin dhe përkushtimin ndaj dijes. Përveç skenografisë, pasioni i tij ishte piktura. Punonte portrete, natyra të qeta dhe riprodhime të veprave të mjeshtërve shqiptarë.

Një ndër frymëzimet e tij ishte Simon Rrota dhe tradita e pikturës shkodrane, ndërsa ndër veprat më të dashura për familjen mbeti portreti që i dhuroi motrës së tij Anna në ditën e martesës. Megjithëse ishte artist me formim të lartë, mbi jetën e tij rëndonte hija e biografisë. Shkollimi në gjimnazin jezuit të Shkodrës shihej me dyshim nga regjimi i kohës.

Ndoshta edhe kjo ndikoi që ai të largohej nga qyteti i lindjes e të kërkonte hapësira të reja krijuese në Laç e Krujë.

Ndryshimet politike të viteve nëntëdhjetë e gjetën Tishin të sëmurë. Një pjesë e veprave artistike të ruajtura në institucionet kulturore të Laçit u dëmtuan ose humbën gjatë trazirave të tranzicionit.

Megjithatë, kujtimi i tij mbeti i gjallë tek familjarët, kolegët dhe miqtë.

Në fund të bisedës sonë, Anna e përmblodhi figurën e të vëllait me pak fjalë, por shumë domethënëse: “Tishi ishte njeri i thjeshtë, i dashur, i komunikueshëm, një vëlla i mirë, një shok besnik dhe një baba i përkushtuar.” Ndoshta ky është portreti më i bukur që mund t’i bëhet një artisti.

Sepse përtej pikturave, skenografive dhe veprave të artit, mbetet njeriu. Dhe Tish Staka, sipas kujtimeve të atyre që e njohën, ishte para së gjithash një njeri i mirë. Ja si e komentoi keto dite ESE-n time kolegu i tij Vasil Rakaj(sot ne ShBA, autor i shume veprave skulpturore nga udheheqes te kryengritjeve shqiptare si vellezerit Coku, te vendosur ne qytetin e Lezhes deri te udheheqes botnor): Me vjen shum mire qe ju z.Ndue Hoti sidhni nje emer te nderuar , Tish Staken, si nje artist skenograf, qe ka dhane kontribut ne edukimin artístiko -patriotik gjate kohes se tij ne qytetin industrial te Lacit. Tishi, nje kontribut te mire ka dhane edhe per ekspozitat e kultures popullore ne Kruje e Shkoder, ku eshte nderuar dhe me çmime. Ishte nje tip shoqeror dhe aktivist ne organizimin e ekspozitave ne Lac e ne Kruje.

Tishi ishte i emruar piktor I Pallatit te Kultures ne Laç, detyre qe e mbulonte me kompetence>>. Tishi ishte nje drite permes artit qe la pas. Ai u nda nga jeta më 26 gusht 2004 dhe prehet në varrezat e Rrmajit në Shkodër. Por ngjyrat që solli në jetën kulturore të Laçit dhe Krujës vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Pallatit të Kulturës të qytetit te Laçit, duhet te promovoje veprat e ketij piktori skenograf me fotografi, ritrata të veprave të tij dhe me një listë të punimeve të njohura, duke u kthyer në një studim më të plotë për figurën e piktorit Tish Staka. ~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

VO: Mendoj se kjo ESE për Tish Stakën, ne 22 vjetorin e ndarjes nga jeta, ka vlerë jo vetëm biografike, por edhe dokumentare për historinë kulturore të Laçit në gjysmën e dytë të shekullit XX.

BABA, TA SHOH DRITËN… – Nga Albert HABAZAJ

 

 

Sa herë si fëmijë vij te shtëpia e madhe

Ulem ku ti re me tre dega rrushi në dorë,

Me zë malli t’i them dy fjalë në heshtje

Edhe pse flokët më janë mbushur me borë.

 

Edhe një gotë qelqi me raki nga jotja

Aty ta lë, ku ka çelur dhe një trëndafil,

Kaq vjet boshuar kanë ngelur koshat

Kaq vjet mbi trëndafil këndon një bilbil.

 

Rakia e rrushit që ti bëje qe mjaltë

Se ti me miq e ktheje dhe çelje pranverë,

Nga damixhanët që ke lënë, pi pak

E vij tek ti poshtë hardhisë – ky ritual çdo herë…

 

13 qershori yt me dritërimë shpirti

Më bën të dobët, lëmsh e gur e gërxh në grykë,

Të kisha mësues e vëlla të madh të kisha

Kujtime nëpër lot, malli rëndë m’i lag sytë…

 

17 vjet pa ty baba, po me emrin tënd

Si firmë të denjë drite, që le në hapësirë,

Kur tek ti vij, fëmijë ndihem, me tërë mend

Si zog më rreh zemra e ta shoh dritën,

o mësuesi im më i mirë…

Bardhi ynë i shenjtë – Një jetë virtyti, dashurie dhe dinjiteti- Nga Eduard M. Dilo

              Bardhyl  M. Dilo

                 17-4-1954 — 28-4-2026

Ikën gjithkush nga kjo jetë kalimtare pa marrë me vete asgjë. Pas lë kujtime, dashuri, mall, lot dhe dhimbje në zemrat e atyre që e deshën dhe që i deshi.

Sot, në 40-ditshin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me dhimbje, dashuri, respekt, mall dhe mirënjohje vëllanë tonë të shenjtë Bardhyl, një njeri me virtyte dhe cilësi të larta njerëzore.

Sipas Aristotelit, njeriu me virtyte ka të harmonizuar në qenien e vet virtytin intelektual(Διανοητικές)dhe atë moral (ηθικές).

Këto dy dukuri ishin të mbrujtura në mënyrë ideale( në të mesmen e artë -na mëson Aristoteli) te vëllai ynë i shtrenjtë, te shenjtori ynë Bardhyl.

Prandaj ai dallonte kudo: në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë dhe në krijimtari.

Ne qoftë se do shprehem me vlerësimin që i ka bërë familjes Dilo, poeti dhe studiuesi Agim Shehu, Bardhi është filizi i shëndetshëm i asaj peme gjigande që furtunat e kohës e përzhitën, por nuk mundën ta përkulnin.

Bardhi ishte fëmija i tretë ndër pesë fëmijët e Margarit Dilo dhe Viktoria (Xhamballo) Dilo.

Ndër pesë fëmijët, babai i tyre, Margariti – një njeri i paisur me kulturë të gjerë perëndimore, (kishte mbaruar Institutin Amerikan të Fullcit në Tiranë dhe Universitetin për Matematikë në Athine), vuri re se Bardhi kishte cilësi të veçanta në sjelljen e tij virtuoze dhe në karakterin e tij këmbëngulës për t’i përsosur këto virtue.

“Ky djalë”, thoshte ai, “në kushte normale do të ngjiste maja dhe do t’i jepte shumë njerëzimit.”

Por “rrufetë e kohës” nuk lejuan që  lastari i shëndetshëm i pemës Dilo të zhvillohej. Shokët dhe shoqet e shkollës së mesme deshën që ta kishin pranë në auditorët e universitetit …, por Bardhit i ishte mohuar kjo e drejtë.

Profesorët e tij shprehnin konsiderata të larta për ish-nxënësin e tyre të shquar, jo vetëm në mësime e sport, por edhe në fushën e artit e të studimeve. Ai pikturonte bukur dhe provonte të krijonte skulptura përmes gdhendjeve në gur.

Përherë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, fitoi respektin dhe dashurinë e të gjithë atyre që e njohën.

Pas përfundimit të shkollimit dhe specializimeve profesionale, punoi me përkushtim dhe profesionalizëm si kipist në Azotikun e Fierit, ku u vlerësua për korrektësinë dhe aftësitë e tij.

Më vonë, me ndryshimet politike që ndodhën në vendin tonë, mori së bashku me familjen rrugën e emigrimit dhe u vendos në Athinë. Edhe atje vazhdoi të dallohej për korrektësi, punë dhe dinjitet.

Jeta nuk qe e lehtë për të. Punoi me mish e me shpirt për familjen, duke sakrifikuar për gjithçka. 

Ëndërrën që kishte në jetë për të vazhduar studimet e larta, e realizoi në fëmijët e Tij: Dy vajzat i studioi në Universitet dhe studime pasuniversitare.

Vitet e fundit u përball me probleme të rënda shëndetësore, por asnjëherë nuk u ankua, nuk u dekurajua dhe nuk u dorëzua. Me kurajë dhe shpresë përpiqej të jetonte çdo ditë, duke besuar se gjithçka do të përmirësohej.

Fjalët e tij të zakonshme ishin:

“Jam mirë, do të bëhem mirë.”

Ai e donte jetën dhe dëshironte ta jetonte sa më gjatë.

Në këtë përballje të vështirë nuk ishte kurrë vetëm. Dy vëllezërit e mëdhenj iu gjendën pranë në çdo kohë, duke mos kursyer asgjë. Kujdesi, dashuria dhe përkushtimi ndaj tij nuk munguan asnjëherë.

Që kur ishim te vegjël, u rritëm në një mjedis familjar ku dashuria vëllazërore dhe dashuria për motrën ishte gjithmonë shtylla themelore. Kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur. Ashtu u rritëm, ashtu u edukuam, ashtu na e lanë amanet prindërit tanë: të duam dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në çdo rrethanë.

Babai na la herët, por u rritëm nën kujdesin e nënës, hallës dhe të afërmve tanë. Kaluam vështirësi, punuam që të vegjël për të siguruar jetesën, u ngjitëm maleve për të mbledhur bimë medicinale dhe mbijetuam me të ardhurat që siguronim prej tyre. Ndamë bashkë çdo hall e çdo gëzim.

Nuk u ndamë kurrë në vështirësi. Dhimbja e njërit ishte dhimbja e të gjithëve.

Bardhi ishte gjithmonë i pakursyer, i palodhur dhe i gatshëm të ndihmonte. Shquhej për shkathtësi, korrektësi, sinqeritet, ndershmëri dhe dashuri për njerëzit. Në dukje serioz, por me zemër të ngrohtë dhe humor të hollë, dinte të sillte buzëqeshje edhe në çastet më të vështira.

Më 28 prill 2026, vetëm pak ditë pasi kishte mbushur 72 vjeç, Bardhi mbylli sytë përgjithmonë në Athinë.

Vdekja e ndau nga ne, nga familja, të afërmit dhe shoqëria, Bardhin tonë të shtrenjtë. Ndarja e tij nga jeta ndodhi qetësisht, por la një boshllëk të madh në zemrat tona.

Trupi i tij prehet në Fier, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Aty, më 1 maj 2026, iu dha lamtumira e fundit mes familjarëve, miqve dhe dashamirësve të shumtë që erdhën për ta nderuar dhe për të ndarë dhimbjen me ne.

Shpirti i tij, shpirti i Bardhit tonë, i Bardhit të të gjithë njerëzve të mirë, në formën e një engjëlli kujdeset për ne.

Nuk mund të lë pa përmendur dedikimin kushtuar atij:

BARDHIT

Ty,

Që jeta të dhuroi

Kurorën

Me gjemba shumë…

Krahë thyera Shqiponjë

Fluturove në furtunë.

Ma jep krahun, vëllai im,

Bashkë ngjitemi në male.

Ti,

Shenjt i zbritur në tokë,

O ikonë legjendare.

Lamtumirë, Bardhi ynë!

Dhimbja për ty do të pushojë vetëm kur të vijmë pranë teje.

Kanë kaluar 40 ditë, por mungesa e tij ndihet çdo ditë. Mëngjeset vijnë si më parë, por nuk janë më të njejtë . Bardhi ynë I shenjtë mungon në radhët tona. Është këputur një hallkë e zinxhirit të vëllazërisë.

Ne dhe motra kemi sot një vëlla më pak; kemi humbur një pjesë të zemrës sonë.

Sytë lotojnë sa herë kujtojmë ditët e fëmijërisë, jetesën në Sheper, në Fier, bisedat, punët, sakrificat dhe çastet e bukura që ndamë bashkë. 

Kujtojmë dashurinë e tij për familjen, përkushtimin në punë dhe shpresën që nuk e humbi kurrë, edhe kur sëmundja e rëndonte çdo ditë.

Nga pema jonë me pesë lastarë  Bardhi ynë i shenjtë u largua nga radhet tona, por kujtimi i tij do të mbetet përherë i gjallë.

Besojmë se atje ku prehet tani, Bardhi ka gjetur qetësinë dhe paqen që i munguan në vitet e fundit të jetës.

I dashur vëlla, mungesa jote është e madhe dhe dhimbja e ndarjes nuk shuhet. Por bashkë me dhimbjen jeton edhe mirënjohja që patëm fatin të të kishim mes nesh.

Do të kujtojmë gjithmonë mirësinë tënde, punën tënde, buzëqeshjen, humorin dhe dashurinë që na fale.

Përherë i paharruar do të mbetesh në zemrat tona.

Kujtimi i njerëzve të dashur jeton përmes dashurisë, respektit dhe fjalëve që u kushtojmë. Bardhi ynë ka lënë pas jo vetëm mall e dhimbje, por edhe një trashëgimi mirësie, dinjiteti, dashurie prindërore dhe vëllazërore.

Pushofsh në paqe, Bardhi ynë i dashur.

Dritë pastë shpirti yt në përjetësi.

Lokomotiva e Mërgatës- Rrëfim për Hafiz Gagicën- Nga Neki Lulaj

 

Viti 1992 ishte ende i freskët në kujtesën time. Kisha vetëm pak javë që kisha mbërritur në Gjermani. Ishte një kohë e vështirë për ne shqiptarët e Kosovës. Atdheu ynë gjendej nën okupim, ndërsa ne, të shpërndarë nëpër Evropë, përpiqeshim të gjenim njëri-tjetrin, të organizoheshim dhe të mbanim gjallë shpresën për liri.

Një ditë, disa mërgimtarë më treguan për një adresë në Stuttgart. Më thanë se në Königstraße 23 ndodhej Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Gjermani dhe Evropë. Më thanë gjithashtu se aty vepronte një burrë që gëzonte respekt të madh në mesin e shqiptarëve, një njeri që jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare.

— Quhet Hafiz Gagica, — më thanë.

Emri i tij më mbeti në mendje.

Pas pak ditësh, së bashku me një mikun tim, vendosëm ta takonim. Nuk kishim paralajmëruar askënd. As telefon, as takim të caktuar. Kishim vetëm adresën e shkruar në një copë letër dhe dëshirën për të njohur njerëzit që po mbanin gjallë organizimin shqiptar në mërgim.

Udhëtimi me tren zgjati disa orë. Për ne, që sapo kishim ardhur në Gjermani dhe nuk dinim pothuajse asnjë fjalë gjermanisht, gjithçka dukej e madhe dhe e panjohur. Kur zbritëm në Stuttgart, mbajtëm letrën në dorë dhe nisëm të pyesnim kalimtarët.

Disa ngrinin supet dhe vazhdonin rrugën. Të tjerë ndaleshin dhe përpiqeshin të na ndihmonin. Pas shumë pyetjesh, kthesash dhe kërkimesh, më në fund arritëm në Königstraße.

Kur pamë numrin që kërkonim, zemra na rrahu më fort.

Për herë të parë, në mes të Gjermanisë, po hynim në një vend ku flitej shqip dhe ku rrihte zemra e organizimit shqiptar.

Shtypëm zilen.

Pas pak sekondash u dëgjua një zë që na ftoi të hynim.

U ngjitëm me nxitim shkallëve dhe në katin e dytë gjetëm një derë të hapur. Aty na priti Sali Çekaj. Përshëndetja e tij ishte aq e ngrohtë, sa menjëherë u ndjemë sikur kishim hyrë në një shtëpi shqiptare.

Brenda pamë Donika Gërvallën dhe Zymer Lulajn. Të dy na pritën me buzëqeshje dhe respekt. Në zyrë mbretëronte një atmosferë pune, por edhe një frymë familjare që rrallë e gjeje nëpër institucione.

Ndërsa po pinim kafenë që na ofruan, dera e një zyre tjetër u hap.

Një burrë shtatlartë, me fytyrë të qeshur dhe me një shikim të qetë e të mençur u afrua drejt nesh.

Na shtrëngoi duart me ngrohtësi.

— Mirë se keni ardhur! Unë jam Hafiz Gagica.

Në ato çaste nuk po shihja thjesht një drejtues politik.

Po shihja një njeri që rrezatonte besim.

Një njeri që të bënte menjëherë për vete me thjeshtësinë e tij.

U ul pranë nesh dhe filloi të bisedonte sikur të njiheshim prej vitesh. Nuk pyeti vetëm kush ishim. Ai donte të dinte si jetonim, çfarë punonim, çfarë mendonim për Kosovën dhe çfarë mund të bënim për të.

Ai fliste me qetësi, por në çdo fjali ndjeje forcën e bindjes së tij.

Kur fliste për Kosovën, sytë i ndizeshin.

Kur fliste për Presidentin Ibrahim Rugova, ndihej respekti i thellë që kishte për të.

Kur fliste për lirinë, dukej sikur ajo ishte një realitet që e shihte tashmë përpara vetes.

Atë ditë mësova shumë më tepër sesa kisha pritur.

Mësova se mërgata nuk ishte vetëm një bashkësi njerëzish larg vendlindjes.

Ishte një front i tërë pune.

Një ushtri pa armë.

Një organizim që jetonte me idealin e lirisë.

Kur u larguam nga ajo zyrë, nuk ishim më të njëjtët njerëz që kishim hyrë aty disa orë më parë.

Kishim marrë me vete frymëzim.

Kishim marrë përgjegjësi.

Kishim marrë besim.

Pak javë më vonë themeluam Aktivin e LDK-së në qytetin ku jetonim. Brenda një kohe të shkurtër, mbi njëqind bashkatdhetarë iu bashkuan aktivitetit tonë.

Dhe në çdo hap të atij organizimi ndihej ndikimi i Hafiz Gagicës.

Vitet kalonin.

Takoheshim në tubime, në mbledhje, në veprimtari kombëtare dhe kulturore.

Por me kalimin e kohës marrëdhënia jonë nuk mbeti vetëm në kuadër të aktivitetit politik.

U bëmë miq.

Miq të sinqertë.

Ai ishte i pranishëm edhe në orët letrare që organizonim në Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani.

Shpesh vinte në shtëpinë tonë bashkë me bashkëshorten.

Bisedat me të zgjasnin me orë.

Fliste pak për veten.

Shumë për Kosovën.

Edhe më shumë për njerëzit.

Një ditë, gjatë një dreke familjare, tha me buzëqeshjen e tij karakteristike:

— Sa do të doja të bëhesha një ditë kumbar i shtëpisë suaj.

Askush nuk e dinte atëherë se koha nuk do t’ia plotësonte atë dëshirë.

Vitet sollën sprova.

Një kohë u gjenda në spital për shkak të sëmundjes.

Pikërisht atëherë mësova se edhe Hafizi po luftonte me një sëmundje të rëndë.

Për një kohë vazhduam të flisnim në telefon.

Zëri i tij mbeti po ai.

I qetë.

I matur.

Optimist.

Por dita-ditës sëmundja po fitonte terren.

Kur mora lajmin e largimit të tij nga kjo botë, ndjeva një boshllëk që nuk mbushet lehtë.

I thashë bashkëshortes sime:

— Lale, sot paskemi humbur edhe një mik të madh.

Dhe vërtet ashtu ishte.

Nuk ishte larguar vetëm një mik.

Ishte larguar një epokë.

Një njeri që për dekada kishte qenë shtyllë e organizimit shqiptar në Evropë.

Një njeri që kishte mbajtur hapur derën e shpresës për mijëra bashkatdhetarë.

Një njeri që kishte ditur të bashkonte, jo të përçante.

Sot, sa herë kujtoj ato shkallë në Königstraße 23, më del përpara fytyra e tij.

Buzëqeshja e tij.

Shtrëngimi i dorës.

Zëri i tij i qetë.

Dhe bindja e palëkundur se Kosova do të bëhej e lirë.

Për shumë njerëz, Hafiz Gagica ishte veprimtar.

Për të tjerë, organizator.

Për mua, ai mbeti lokomotiva e mërgatës shqiptare.

Një burrë që ecën përpara kohës së vet dhe që la pas gjurmë që nuk i fshin as harresa, as vitet.

Sepse njerëzit e tillë nuk jetojnë vetëm në histori.

Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që patën fatin t’i njohin.

Betimi i një guerili- Nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar Ali A. Ajetit,
vrarë më 30 maj 1989 në Shtedim të Podujevës,
në dyluftim me forcat pushtuese të Serbisë.)

Betohem se do të lëshoj rrënjë,
si rrapi shekullor i Dyzit.

Nuk do ta marr malin,
as s’do ta lëkund qerpikun.

Nuk do ta turpëroj familjen,
as farefisin.

Do të qëndroj,
edhe po u bëra pluhur e hi,
këtu ku lindën e jetuan
të parët e mi.

Nuk do t’i kënaq
shovinistët serbo-sllavë
me frikë e nënshtrim.

Do të luftoj për Llapin
dhe Gallapin tim.

Krisma e armës sime do të jehojë
në Shalë të Bajgorës,
në Drenicë,
në Karadak,
në Kaçanik,
në Dukagjin
e në Podguri.

Vdekjen dua ta bëj si burri,
ashtu siç e bënë:

Isa Boletini,
Oso Kuka
dhe Bajram Curri.

Nga gjaku im
do të mugullojnë malet
e do të lulëzojnë fushat.

Do të kujtohem
si Hasan Prishtina
e si Shaban Polluzha.

Derisa të ekzistojë
toka dhe qielli,
do të më këndohet kënga;

krenar me mua do të ndihen
Prishtina,
Shkupi,
Ulqini
e Tirana.

Arif Ejupi
Gjenevë, 9 qershor 1997

Kur Naim Frashëri bekoi Sevasti Qiriazin: Ditari i një Takimi që Ndryshoi Historinë Kombëtare

​Në analet e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ka çaste fatlume që tejkalojnë rrethanat e thjeshta kronologjike të një epoke për t’u shndërruar në ngjarje me përmasa pothuajse shpirtërore dhe mitike. Janë ato momente kur rrugëtimet e dy personaliteteve të mëdha kryqëzohen në një pikë të vetme, duke prodhuar një dritë që vazhdon të ndriçojë rrugën e një kombi të tërë për shekuj me radhë. I tillë është pa dyshim takimi në Kostandinopojë midis Naim Frashërit dhe Sevasti Qiriazit. Sot, në këtë 180-vjetor të lindjes së poetit tonë të madh kombëtar, ky stacion historik merr vlerën e një testamenti të patjetërsueshëm shpirtëror. Përmes rreshtave të thjeshtë, por të mbarsur me një peshë të jashtëzakonshme, që vetë Sevastia na ka lënë trashëgimi në kujtimet e saj, ne kemi fatin të kthehemi pas në kohë, në atë sallë diplomimi në brigjet e Bosforit. Aty, nën qiellin e një kryeqyteti perandorak që po jepte shpirt, u hodhën gurët e parë të themelit për zgjimin, emancipimin dhe lirinë e gruas shqiptare, duke shkrirë dy botë të ndryshme fetare përpara altarit të shenjtë të atdhedashurisë.

​Mjedisi ku zhvillohet kjo ngjarje mbart një simbolikë të veçantë. Ishte dita e triumfit akademik të Sevasti Qiriazit, një arritje e jashtëzakonshme për një vajzë të asaj kohe. Vëllai i saj, Gjerasimi, i cili ishte tashmë një figurë ortodokse e njohur e lëvizjes kombëtare dhe një urë lidhëse e rëndësishme e elitës shqiptare në Stamboll, kishte ftuar disa nga miqtë e tij më të mirë patriotikë që jetonin në Kostandinopojë për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni kaq të rëndësishme diplomimi. Pasi festimet zyrtare kishin përfunduar, Gjerasimi i kërkon Sevastisë t’i takonte këta zotërinj fisnikë, të cilët po prisnin në një cep të sallës posaçërisht për ta përgëzuar dhe për t’i shtrënguar dorën. Mes asaj përzgjedhjeje burrash të shquar që mendonin ditë e natë për fatet e një Shqipërie të robëruar, ndodheshin tre vëllezërit e mëdhenj të Frashërit: Abdyli, Samiu dhe Naim Beu.

​Ky takim i thjeshtë në dukje mbart në vete një vlerë monumentale dhe një mesazh të thellë të bashkëjetesës sonë kombëtare. Në atë dhomë gjendej Sevasti Qiriazi, një vajzë e rritur dhe e edukuar nën frymën, kulturën dhe traditën e pastër ortodokse të Shqipërisë, dhe përballë saj qëndronte Naim Bej Frashëri, mendimtari i Rilindjes sonë Kombëtare dhe poeti i shquar. Në një epokë të errët, ku Perandoria Osmane i ndante popujt në mënyrë të rreptë dhe të dhunshme sipas vijave të ashpra të besimit fetar përmes sistemit të mileteve, ky komunikim i ngrohtë dhe vëllazëror dëshmon mrekullinë e madhe dhe unike të Rilindjes Shqiptare. Aty, një udhëheqës i ndritur me besimin bektashi e bekon me misiinin më të lartë një vashe të re ortodokse, duke thyer çdo barrierë artificiale dhe duke provuar botërisht se përpara idealit të madh të Shqipërisë çdo dogmë fetare bie dhe humb fuqinë e saj, duke ia lënë vendin vetëm vëllazërisë së gjakut dhe të gjuhës.

​Naim Bej Frashëri, i cili në atë kohë gëzonte një autoritet të respektueshëm shtetëror duke mbajtur postin e lartë zyrtar si Komisioneri i Arsimit në perandori, iu drejtua Sevastisë drejtpërdrejt në gjuhën shqipe. Fjalët e tij nuk ishin një kortezi e zakonshme akademike apo një urim sipërfaqësor protokolli; ato ishin një porosi sa e rëndë aq edhe e shenjtë, një lloj kushtetute shpirtërore që do të përcaktonte njëherë e mirë hierarkinë e vlerave të vërteta të zgjimit tonë kombëtar. Ai iu drejtua asaj me këto fjalë monumentale:

​— “Motër, ti nuk mund të bësh për Shqipërinë punë më të mirë se kjo që tashmë ke vendosur të bësh së bashku me vëllanë tënd për emancipimin e grave të vendit tonë të vogël e të varfër. Nëse tregohesh besnike e ngulmuese, ke për të pasur arritje të mëdha për kombin tonë.”

​Përmes këtij formulimi të fuqishëm, Naimi shpalli publikisht doktrinën e tij më të rëndësishme politike dhe kulturore: ai la të kuptohej se puna më e mirë, më produktive dhe më urgjente për shpëtimin e vendit në ato çaste kritike nuk ishin armët apo kryengritjet e parakohshme, por hapja e librit dhe vendosja e abetares shqipe në duart e nënave, motrave dhe vajzave të vendit. Duke e thirrur atë me epitetin e ngrohtë “motër”, poeti i madh e ngriti menjëherë marrëdhënien e tyre dhe rrugëtimin e saj në një nivel absolut familjar dhe kombëtar. Ndërkaq, kushti jetik që ai i vendosi me urtësi, “nëse tregohesh besnike e ngulmuese”, nuk ishte një këshillë, por një profeci e vërtetë për të gjitha stuhitë e egra, persekutimet politike, burgjet, dëbimet e dhunshme që SevastiQiriazi do të detyrohej të kalonte përgjatë viteve në vijim, pa u përkulur dhe pa u dorëzuar për asnjë çast.

​Për ta vulosur këtë mision të vështirë por të lavdishëm, poeti i madh i dritës shtoi edhe urimin më të ndier, më të vjetër dhe më kuptimplotë të të gjithë shqiptarëve për ata që nisen drejt një beteje të madhe:

​”Dalsh me faqe të bardhë!”

​Ky urim, i dalë drejtpërdrejt nga shpirti i pastër dhe i lënduar i Naimit, mori karakterin e një pagëzimi të vërtetë kombëtar për misionarët shqiptare ortodokse. Ishte një kushtrim shpirtëror që e urdhëronte atë të gjente forcën për të mbrojtur nderin, dritën dhe pastërtinë e këtij amaneti të madh deri në frymëmarrjen e saj të fundit, pavarësisht çmimit që do t’i duhej të paguante.

​Gjurma e thellë që la ky takim la një peshë të jashtëzakonshme dhe të pashlyeshme në psikologjinë, formësimin dhe tërë jetën e mëtejshme të saj. Vetë Sevastia e pranon me një sinqeritet prekës në dorëshkrimin e saj tronditjen e thellë shpirtërore dhe vlerën e pakontestueshme të asaj porosie të madhe. Ajo shkruan me një thjeshtësi të admirueshme që buron nga shpirti:

​”Më bënë shumë përshtypje fjalët e tij dhe nuk e harrova këshillën e mirë që më dha.”

​Ndonëse në rreshtat e dorëshkrimit të saj Sevastia tregohet modeste dhe nuk përdor fjalë të bujshme apo vetëvlerësime pompoze për veten, historia e mëvonshme provoi me fakte se ajo vërtet nuk e harroi kurrë atë këshillë. Ajo e ruajti atë porosi si gjënë më të shtrenjtë, pikërisht sepse ai takim i shkurtër në Kostandinopojë e shndërroi misionin e saj në të vetmin dhe të patjetërsueshmin qëllim të jetës së saj. Nga ajo shtëpi dhe nga ajo sallë festimesh, Sevastia nuk doli më thjesht si një studente e zakonshme që mbante në duar një diplomë shkolle, por si një misionare e madhe dhe e vetëdijshme, e ngarkuar me një mision hyjnor nga vetë shpirti i gjallë i kombit shqiptar.

​Kjo forcë e brendshme dhe ky vullnet i çeliktë që rrodhi nga fjalët e Naimit u bënë aq të mëdha dhe vendimtare saqë, siç dëshmon ajo vetë në faqet pasuese, vula e asaj diplome të kolegjit, e shenjtëruar dhe e lartësuar tashmë nga ky takim historik, çau errësirën e dendur të pengesave burokratike osmane dhe shërbeu si argumenti kryesor për të siguruar atë iradeje (dekret sulltanor) aq të vështirë për hapjen e Shkollës së Parë Shqipe të Vashave në qytetin e Korçës.

​Në këtë përvjetor jubilar dhe plot dritë të 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, dëshmia e shkruar e Sevasti Qiriazit mbetet dokumenti më i bukur, më autentik dhe më rrëqethës i një momenti ku dashuria e pakufishme për atdheun bëri bashkë dy besime të ndryshme fetare në një rreze të vetme drite. Ky takim ndezi përgjithmonë pishtarin e diturisë që do të ndriçonte mendjen, shpirtin dhe ndërgjegjen e gruas shqiptare, duke treguar se kur punojmë për kombin, të gjithë jemi vëllezër të një nane.

Robert Dako -nipi I Sevasti Qiriazit e Kristo Dakos

Suela e Rozi Dako

 

Milaim Qerimi me shokë – yje lirie – Nga ARIF EJUPI

 

Rrënjët në Shalë të Bajgorës,
trup, degë e lule në Grykë të Mavriçit,
ishe dhe do të mbetesh
nga bijtë më të mirë
e më të devotshëm të fisit.

Arsimtar e bletar i dalluar,
njeri i fjalës dhe i besës,
të gjithë të donin
e të çmonin.

Nga dëshira për ta mëkëmbur familjen,
more rrugën e mërgimit.

Por, me krismat e para të pushkëve,
u ktheve nga Zvicra
dhe u bëre ushtar lirie i UÇK-së.

Së bashku me shokët,
nga Llapi deri në Shalë të Bajgorës,
luftuat që Kosova
të mos sundohej
e të mos shfrytëzohej më
nga demonët e Serbisë.

Milaim Qerimi me shokë,
yje të pashuar të lirisë,
kushdo që kalon pranë lapidarit tuaj,
ndalet me nderim
dhe lutet për shpirtrat tuaj engjëllorë.

Ju ratë dëshmorë,
me armë në duar,
duke luftuar fyta-fytas
kundër barbarëve;
aty ku shkelte këmba e tyre,
bari thahej,
toka dergjej
dhe mallkonte.

Gjaku juaj,
gjak lirie,
u bë shërim për tokën,
për diellin
dhe qiellin shqiptar!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 26 maj 2005

 

Nëna vushtrriase- Nga ARIF EJUPI

 

Edhe pse bishat e ushunjëzat
ua vranë të vetmin djalë
dhe ju dëbuan nga shtëpitë,
edhe në llogore e tenda,
me njëra-tjetrën u solidarizuat.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit e të qiellit,
të përvuajtura e me shumë halle,
ndonëse të moshuara
e me zemra të lënduara,
me besë e qëndresë,
ata që deshën ta fshehin krimin,
i nxorët lakuriq para botës,
si mizorë e gjakësorë.

Nëna vushtrriase, me stoicizëm
të pashembullt i përballuat stuhitë shovene,
që ndër shekuj u sulën mbi ju.
Sot, të rinjtë rriten nga rrënjët tuaja,
dhe me vrullin për t’u ngjitur
në majat e Korabit.

Nëna vushtrriase,
perëndesha të diellit
dhe të qiellit arbëror!

ARIF EJUPI
Gjenevë, 19 maj 2026

Në zemër të kryeqytetit europian, Brukselit, në Rue Washington 17, në vitet 1900-1908, jetoi Ismail Qemal Vlora Nga Dr. Evarist Beqiri

Në zemër të kryeqytetit europian, Brukselit, në Rue Washington 17, vetëm pak hapa nga Avenue Louise, ndodhet një prej adresave më domethënëse të historisë sonë kombëtare. Pikërisht këtu, në këtë rrugë me emër të madh, në vitet 1900-1908, jetoi Ismail Qemal Vlora, njeriu që do të udhëhiqte më pas shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

🏰 Në këtë godinë, larg atdheut, ai zhvilloi një aktivitet të jashtëzakonshëm politik e diplomatik për çështjen shqiptare. Brukseli u bë porti i tij i ankorimit, por mendja dhe zemra e tij mbetën gjithmonë te Shqipëria.

Sot, kjo ndërtesë qëndron si një dëshmi krenare e historisë së fshehur. Ajo lidh zemrën e Brukselit drejtpërdrejt me lindjen e shtetit shqiptar.

Poeti dhe publicisti i njohur belg Roland de Marès e përshkruante Ismail Qemalin, në një shkrim për “Le Matin” më 1909, si: “një politikan të klasit të parë”, “një administrator të shquar”, “një njeri me parime”, dhe mbi të gjitha një luftëtar liberal që nuk reshti kurrë së besuari tek triumfi i lirisë.

Roland de Marès shkruante se: “Ai është një tip kurioz, me një inteligjencë jashtëzakonisht të gjallë. Pavarësisht flokëve dhe mjekrës së tij të bardhë, fytyra e tij ka ruajtur një shprehje të bukur rinore. Brukseli ishte, si të thuash, porti i tij i ankorimit, por ai ishte kudo, në Paris, Londër, Berlin. Ndonjëherë zhdukej për një javë, pastaj një mbrëmje shfaqej papritur në shtëpinë time dhe për orë të tëra më tregonte për shpresat e tij për një triumf të afërt. Ai ishte në kontakt me të gjithë ata që kishin një emër në politikën ndërkombëtare. Ai korrespondonte miqësisht me ministra dhe ish-ministra, gjithmonë me një aktivitet disi të ethshëm, duke e mbushur ekspozimin e ideve të tij me anekdota të këndshme rreth burrave të kohës së tij. Ai shpjegonte me një saktësi të habitshme anën e fshehtë, ndonjëherë zbavitëse të ngjarjeve më serioze politike.”

Dhe më tej: “Kauza liberale është në duar të mira nëse i besohet udhëheqjes së Ismail Qemal Beut.”

Nga kjo adresë në Bruksel, që si për ironi të fatit mban emrin e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara Xhorxh Washington, u hodhën themelet diplomatike dhe politike të shtetit shqiptar. Këto mure kanë dëgjuar biseda për fatin e kombit, strategji politike dhe ëndrrën e madhe të Shqipërisë së lirë.

🇦🇱 Brukseli ruan ende gjurmët e Atit Themelues të Shqipërisë. Ndërkohë, ne nuk duhet që të harrojmë asnjëherë se, historia nuk është thjesht kujtesë. Historia është përgjegjësi. Historia është trashëgimi.

 


Send this to a friend